Ta dërgosh ushtarin në luftë me pushkë bosh, të paushqyer dhe të pastërvitur. Ta drejtosh pushkën në vëllain tënd. Të përfitosh pasuri nga paratë e mbledhura për ushqim, municion dhe fasha për të plagosurit. T’i japësh urdhër ushtarit “përpara”, e ti t’ia mbathësh vrapit. Ta çarmatosësh luftëtarin pas lufte dhe ta hedhësh në rrugë. Të sajosh historinë se ti je shpëtimtari i kombit e të tjerët janë tradhtar. T’ua mbyllësh gojën atyre që flasin të vërtetën. Ta përbuzësh mësuesin, letrarin, mjekun, minatorin, studentin…. se ti je “luftëtari”. Ta rrënosh shtetin sa herë që t’i frikësohesh gjykimit. Ta mbash popullin në frikë duke shpifur armiqtë brenda tij. Ta mbulosh tradhtinë me tradhti!
(E huazuar nga Anton Quni / Facebook)/ KultPlus.com
Përqafojini njerëzit që i doni! Sot. Neser. Çdo ditë. Asnjëherë nuk e dini kur është hera e fundit që do ta shihni dikë që është i rëndësishëm për ju. Mos lejoni të pendoheni pse nuk ju keni treguar sa shumë i doni dhe se sa është e rëndësishme që janë pjesë e jetës suaj.
Përqafojini njerëzit që i doni, dhurojuni buzëqeshje dhe fjalë të bukura. Ndoshta fjala që ju thoni ju do të jetë fjala më e bukur që do të dëgjojë atë ditë. Jeta është kaotike, e bota shpesh është e pamëshirshme.
Por, të gjitha vështirësitë duken më të vogla kur i ndajmë me ata që i duam, kur e shohim fytyrën e miqve tanë, partnerëve tanë, prindërve e fëmijëve tanë.
Dhe pikërisht për këtë duhet t’i përqafojmë. Shpesh. Çdo ditë. Sepse ata janë drita e jonë në këtë botë të errët. Janë ylberi ynë në përditshmërinë bardhë e zi.
Për këtë shkak, pikërisht tani, lëshojeni telefonin, mbylleni laptopin dhe përqafojini njerëzit që i doni! Burimi: skopjeinfo.mk/ KultPlus.com
Të hënën, më 21 janar 2019 në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, “Pjetër Bogdani’ do të hapet ekspozita me piktura- instilacione të dizajnuara nga artisti Rifat Kasapolli.
Ekspozita do të hapet duke filluar nga ora 12:00 dhe do të qëndrojë e hapur për dy javë në BKK, “Pjetër Bogdani”, ndërsa do ta përbëjnë ca lecka, xhinse të vjetruara e materiale të ndryshme.
Kurator i ekspozitës është Ilir Muharremi ndërsa ekspozita nuk ka emër, duke i lënë vetë vizitorin që ta emërojnë atë sipas përshtypjes së tyre./ KultPlus.com
Në mos i pari, i dyti gjithë ma bënë “like”. Atë natë, as i pari, as i dyti, as i treti as hiq. Më gjasë ishte hera e parë që po ndodhte. Unë e kisha shkruar një status kundër grevës në arsim dhe babai im arsimtar, nuk po e pëlqente. Pak a shumë e pritshme. Edhe kur shkova në shtëpi, mu duk që më shikoj pak si mrroltë. Çka ke shkru bre bir ashtu ?- më tha. Nënën tande fort e ka mërthy lemza( demek të kanë sha njerëzit). Nuk pata qef me hy në polemika. Zakonisht e urrejë t’i komentoj postimet live. E lamë më qaq. Pas nja dy- tre orësh e fshiva statusin. Më mirë thash rehat. Çka m’i nxjerr vetit punë. Ashtu kështu nuk ndreq send njeri. Krejt javën u durova edhe pse kryet më vlojke me shkru diçka, por u përmbajta.
Nuk rrej, u mundojsha m’i bind vetën se arsimtarët kanë të drejtë, edhe m’i qetësu shpirtin. Sa u mundofsha me ja lidhë kryet diqysh, më vishin do mendime që më trazojshin krejtë. Në rregull që po kërkojnë paga më të larta, ndoshta edhe i meritojnë, por a po e dinë këta njerëz ku po jetojmë ? A i shohin nxënësit e tyre të pa punë ? A ju vjen keq për ta ? Për një vend pune konkurrojnë 100 veta. Njerëz të lodhur, të dëshpëruar, më një krah dokumente por të pa punë. Nuk janë UFO, nuk janë të huaj, janë familjarët tanë, janë shokët tanë, ata që na i qajnë hallet për ditë. Dhe para se të kërkojmë nga shteti diçka për vete, lë të kërkoj dikush diçka për ta.
Nuk ka shumë kohë që kanë kalur festat e fundvitit. Disa nga ne morëm rrogat kah i 27-i (dhjetor) edhe iu turrem marketeve. Të ekzaltuar pas pijeve e pas mishrave, pak kush i pamë fytyrat e zbehta të punëtorëve të supermarketëve. 15 a 16 orë në këmbë gjatë ditës, për një pagë që është sa gjysma e asaj të mësuesit. Skllavërim modern .Poshtrin total. Njerëz të lënë plotësisht në mëshirë të fatit dhe bosave të tyre të pangopshëm. Këta nuk guxojnë të protestojnë, as të grevojnë. Mjafton të marrin frymë dhe të hanë bukë. Këta që janë vëllezërit, motrat, bijtë dhe bijat tona. Mos të harrojmë shumica më diploma. Prandaj, para se t’ua rritni rrogat të punësuarve në sektorin publik, aman le të bëjë dikush diçka për ta.
E prapë duhet mu kthy e me thanë se kjo kategori është shumë më mirë, se sa ata që punojnë tanë ditën në skele. Verës më fytyrë prej diellit e dimrit në temperatura minus. Pa kontrata, pa siguri në punë, pa mbrojtje. Fundin tragjik, të disa prej tyre e dimë tashmë. Dhe shteti ka bërë shumë pak për ta. Ky shtet që po i kërkohen miliona euro për paga në sektorin publik, është edhe i tyre. S’po du me shku ma gjatë, më shembuj të tillë. Ka plotë e përlotë. Mos t’i përmendi edhe ata që po ikin nga Kosova, edhe makiatot me te mira në botë të kamerierëve më diploma. Etj, etj.
Nuk po flas as për cilësinë në arsim, as për pabarazinë e madhe në sektorin publik. Por po du me të thanë ty babë edhe krejt kolegëve të tu arsimtarë, se problem në këtë shtet janë të pa punët dhe të punësuarit në sektorin privat. Nëse dikush duhet më protestu dhe më shprehë pakënaqësi në këtë vend, të parët janë ata. E krejt në fund ju dhe ne të tjerët. E di që e meritoni edhe më shumë, e di që një arsimtar të mirë, nuk ka para, as ar, as vlerë monetare qe e paguan. Por kjo është Kosova jonë. Në të tilla rrethana jetojmë. Mos u bani që nuk po i shihni.
Prandaj ju, ne dhe të gjithë njerëzit e arsyeshëm duhet të hymë në greva, duhet të protestojmë,por jo për vete por për këto kategori. Sepse edhe ata janë Kosovë. Sepse edhe ata meritojnë një jetë më të mirë edhe më të dinjitetshme. Për këto arsye unë nuk e përkrahi grevën tuaj dhe asnjë grevë tjetër në sektorin publik. Ndoshta është normale me qenë pak egoista, por ky egoizem të mos na kaloj në primitivizëm./inajderi/ KultPlus.com
Fotografi Fitim Sopjani ka fotografuar “Vidën” një kafshë shumë të veçantë në Kosovë pasi që ka pritur disa orë për të kapur këtë moment me aparatin e tij.
“Nje ditë shumë e veçantë, dy ore e gjysmë e kam pritë Vidrën me e fotografu me kualitet, një kafshe shumë e rrallë në Kosovë”, ka shkuar ai.
Lundërza (latinisht: Lutra lutra), e njohur edhe si vidra, është një lloj gjitari grabitqar i familjes Mustelidae. Emrat lundërza evropiane, lundërza evroaziatike dhe lundërza e zakonshme i referohen këtij lloji. Lundërza është kafshë e familjes së shqarthëve, me trup të lartë deri 30 cm, të gjatë 120–150 cm me ngjyrë gështenjë, më të çelur nga ana barkore dhe peshon 6–15 kg. Jeton 14-16 vjet. Është e përhapur në të gjithë Evropën, në Azi dhe në Amerikën e Veriut dhe në disa pjesë të Amerikës së Jugut. Në Shqipëri ndeshet kudo në brigjet e lumenjve, kënetave, liqeneve e pellgjeve ku ndërton strofkën duke hapur galeri me dy dalje, nën ujë e për ajrosje. Ushqehet me peshq, bretkosa, shpendë e vezët e tyre. Është vepruese kryesisht gjatë natës. / KultPlus.com
Unë e kam pasur një teze super të pasur, tezja Hazel. Shtëpia e saj ishte e mrekullueshme. Ajo kishte dollape të tëra përplot me gjëra të çmuara, nga qelqi, nga argjendi. Enë nga më të bukurat e më të shtrenjtat. Një ditë, kur kisha shkuar për vizitë te ajo, e pyeta “Kur i përdor krejt këto gjëra?” “Në raste të veçanta”, m’u përgjigj ajo.
A e dini çfarë? Pas një javë ajo vdiq. Dhe asnjëherë nuk i kishte përdorur ato gjësende. Kjo më pati tronditur shumë. Por edhe më pati bërë të kuptoj diçka të rëndësishme. Në moshën 9 vjeçare kisha kuptuar diçka të rëndësishme. I thashë vetes, në rregull, ne nuk kemi asgjë, nuk kemi para. Por ne kemi një jetë shumë të mirë. Babai im çdoherë na argëtonte, nëna na qepte rroba. Unë kisha një palë rroba të veçanta, më të mirat, që i ruaja. Atë ditë, vendosa se do t’i veshi ato rroba çdo ditë. Sepse çdo ditë, mund të vishesh si për festë. Dhe festa do të vijë te ti. Nëse ke një palë këpucë shumë të mira, një fustan të veçantë vishi! Nëse shkyhet, nuk ka rëndësi. Ti do t’jesh kënaqur me të. Prandaj unë vishem si për festë çdo ditë. Dhe kam festë çdo ditë. Mos prit. Festoje jetën!/ supergrate/ KultPlus.com
Këto serialet tona vendore kishe humoristike, më shumë ta qesin vajin sesa gazin. Thua se duhet patjetër secili personazh me qenë me probleme mendore për ta bere publikun të qesh. Më se paku do duhej të qeshet me atë gjë.
Mungesa e kreativitetit, dialogjet e zbrazëta dhe të përsëritura shumë herë,
vendosja e produkteve reklamuese në tekst, përmendja e episodit-skenaristit, humori
banal, e folura si e lehura e qenit dhe skenari improvizim, të irritojnë deri
në asht. Baba, nana, djali, nusja, vajza, secili i retarduar ( kërkoj ndjesë
për fjalën) thua se po shohim një familje në Spitalin Psikiatrik.
Punësoni more skenarist të mirëfilltë, përdorni tema të përditshme kosovare që
ka me bollëk, përdorni sarkazmën në vend të banalitetit, mos ia ofroni popullit
këto limonada. Lërë që më së shumti e shikojnë fëmijët. Mos na fyeni inteligjencën
me këto çorba parahistorike!.
Humor për të qarë me peshqir!
Drenusha Zajmi – Hoxha, është shkrimtare, poete, juriste dhe kolumniste, e lindur në Prizren, përfundoi studimet për drejtësi në Prishtinë nga fundi i viteve ‘90. / KultPlus.com
I dashtun, Gjithë këtë kohë e kam mendjen tek ti. Më ka dalë gjumi qysh në orën 5.10 të mëngjesit nga një vetëtimë e tmerrshme dhe bubullimë që tronditi gjithë shtëpinë. Menjëherë më shkoi mëndja tek ti. Me se do të niset? Me motoçiklete asht gomarllëk ta mendoj, se s’ke luejtë mënc. Nga vetëtima neve na u dogj radioja, megjithëse nuk e kishim të ndezur. Gjithë këtë tersllëk shiu e ka prue ai Thimi i pllakave, po ti mos i thuej se na zemërohet burri i botës. Kot nuk të thashë që kur të rrinje, të më baje nji telegram sa të më hiqje merakun.
Ty pa të porositë, nuk të shkon mendja për asgja. Por duhet të kesh arritë mirë se nuk kam asnji parandjenjë të keqe në zemër. Unë sot, skam dalë hiç, korrigjova disa detyra e hartime dhe tashti po merrem me ty. Sa të due mor fishek, sa nuk di me ta tregue. Ma mirë që takohemi në krye dy tri javëve se kështu të paktën i kuptojmë ndjenjat tona. Ti më qorton se s’të kam shkrue letra, po as ti s’më ke shkrue ma shumë, barazi jemi.
Ti më pritnjë se po vi në Tiranë, edhe unë mendoja se po takohem me ty. Po tashti e kemi të qartë të dy, se për tri javë nuk do takohemi kështu që ti shkruajmë njëni – tjetrit pa justifikime të kota. Janë letrat e fundit e kupton, s’do kemi nevojë ma për letra, se do merremi vesh tue qenë pranë dhe jo nëpërmjet postierit shkodran e tiranas. Veç ndonjëherë kur të grindemi, do pajtohemi me anë letrash. Sot jemi më 20 prill edhe dy muaj e dy javë kanë mbete që të jemi të ndarë.
Edhe 3 herë nga dy tre ditë do të takohemi, mandej… e di vetë ti. Mendon për dasmë, mos mendo shumë me ardhë, dasmë pa mish dhe lekë nuk ka. Ti je fishek, s’mendon fare. Do të bashkohen të gjitha bashkë dhe s’do të dish nga t’ia fillon.
Pa pasaportizimin s’ka emnim pune, prandaj më dërgo fjalë sa më shpejt çfarë duhen si dokumente për lutje dhe mos i lër pas dore. Prilli po mbaron, pra edhe për Xhelalin mos harro, gjej kohë të lirë, se nuk bëhet kiameti. E di se punë do të kesh shumë por ç’të bajsh. Sot një vjet për 1 maj do më shohësh tue parakalue edhe mue me nxanësit, do më tundësh dorën, mor fishek, do të shkruejsh ma me entuziazëm. Mjaft porosi të kam dhanë, mbes me shpresë se do ti kryesh o “portret i njeriut të madh”. A ta mban të shkojsh esëll me ble ato që donje ti merrje mbramë në atë dyqanin që pamë. Je një cikë i paturpshëm. Të fala kush të pyesi për mue Të puth fort, jo si tek gjyshja.
Shfaqja „Peer Gynti nga Kosova“ e autorit Jeton Neziraj dhe me regji të Agon Myftarit do të jetë pjesë e Festivalit „Blickfelder Festival“ që organizoher nga Kantoni i Zurich-ut dhe këtë vit mbahet nga 13 deri me 23 qershor 2019 në Zurich.
„Peer Gynti nga Kosova“ do të shfaqet tri herë radhazi, me 18 dhe 19 qershor të këtij viti.
„Blickfelder Festival“ është festivali kryesor i teatrit për fëmijë dhe të rinjë në Zvicër dhe njëri ndër festivalet më të rëndësishme në Evropë. Ai ka karakter ndërkombëtar dhe sivjet, pos shfaqjes nga Kosova, do të prezentohen edhe dhjetra shfaqje nga Zvicra dhe vende të ndryshme të botës.
„Peer Gynti nga Kosova“ është realizuar në maj të vitit 2017, kurse nga ajo kohë ka pasur mbi 20 repriza në Kosovë, Maqedoni, Serbi e Gjermani. Sivjet ndërsa, pos në Zvicër, do të shfaqet edhe në Lyon të Francës.
„Peer Gynti nga Kosova“ është prodhuar nga Qendra Multimedia dhe ka pasur premierën në maj të vitit të kaluar. Në të luajn aktorët: Bujar Ahmeti, Donikë Ahmeti/Semira Latifi, Shpëtim Selmani dhe Tristan Halilaj.
Skenografinë e shfaqjes e ka punuar nga Nicola Minssen, kostumet nga Yllka Brada, kurse kompozimin muzikor Gabriele Marangoni. Dramaturg i shfaqjes ka qenë Stefan Schletter.
„Peer Gynti nga Kosova“ është rrëfim për një ëndërr të dështuar. I udhëhequr nga një shpresë e thjeshtë për jetë më të mirë dhe për të gjetur lumturinë, Peeri i ri, para luftës në Kosovë, niset për të kërkuar të ardhmen në ‘parajsën’ e quajtur Evropë. Ajo çka ndodhë me këtë të ri gjatë këtij udhëtimi reflekton eskperiencat e shumë desperadove të rinjë të cilët çdo vjet, të mbushur me shpresë, lëshojnë atdheun e tyre. Shpesh, në atdheun e tyre të ri, të keqtrajtuar nga autoritetet, të izoluar dhe larg nga shtëpia, me mungesë perspektive dhe të mospërfshirë në shoqëri, atyre ëndërra u bëhet një makth i madh.
Në dëshirën e tyre për t’u pranuar ata shpesh biejn viktima të shokëve të këqinjë, të cilët ua ofrojnë “sigurinë e munguar”.
Në fund, publiku e lë shfaqjen jo vetëm i merakosur dhe kuptimplotë, por edhe I argëtuar në mënyrë perkfekte. / KultPlus.com
“Plazma”, “Eurokrem”-i, “Smoki”, por edhe produkte tjera të prodhuara në Serbi janë paraparë të blihen përmes një tenderi prej 23.5-milionësh të shpallur nga Agjencia Qendrore e Prokurimit (AQP) pavarësisht se tash e dy muaj Kosova ka vendosur taksë prej 100% për produktet që importohen nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina. Produktet ushqimore që do të blihen janë të destinuara për një numër të madh të institucioneve qendrore, lokale, por edhe për ato të pavarura të cilat operojnë në vendin tonë, shkruan Gazeta “Zëri”.
Produkte ushqimore të prodhuara në Serbi, siç janë: “Plazma”, “Eurokrem”-i, “Smoki”, por edhe disa të tjera janë paraparë të blihen përmes tenderit publik 23.5-milionësh të shpallur nga Agjencia Qendrore e Prokurimit (AQP) pavarësisht se tash e dy muaj Kosova ka vendosur taksë prej 100% për produktet që importohen nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.
Në dokumentet që i ka siguruar gazeta “Zëri” shihet se produktet që do të blihen janë të destinuara për shumë institucione qendrore, lokale, por edhe ato të pavarura të cilat operojnë në vendin tonë.
Çfarëdo që keni bërë deri tani ose jeni duke bërë, NDËRPRITENI! Është koha kur ju duhet të bëni një pushim të shkurtër!
Ikin sekondat, minutat, orët, ditët dhe vitet e ne nuk po arrijmë të kuptojmë se çfarë me të vërtet po ndodh NË dhe me jetën tonë. Një gjë e dijmë dhe e ndjejmë çdo ditë, jemi human por të kapluar nga sjelljet robotike jo humane. Nuk po na pëlqen, por po dorëzohemi e konformohemi lehtë me këtë status. Herën e fundit kur me një djalosh u fjalosëm, me dhimbje më tha se nuk ka kohë të flasë e mendoj për veten e tij. Thellë në palcë sistemi robotik i jetesës e kishin okupuar kohën dhe nuk i jepnin rast mendjes të propozojë asgjë të re. Po, ky ishte motiv shtesë të shkruaj.
Na është bërë klishe të dëgjojmë ankesat për ujin, rrymën, komunikacionin, sjelljen e komshiut, përmbajtjen e programeve në televizionet tona, mungesën e transparencës në të gjitha nivelet, e forca jonë dhe kufijtë tanë për t’a ndryshuar këtë realitet duke praktikuar metoda dhe mjete të njëjta vetëm sa vijnë e trashen. Optimizimi i pabazë dhe i tepërt sjell vetëm terr. Një person mund të jetë i mençur, por që të veproj mençur, inteligjenca nuk mjafton, nevojiten edhe shumë komponente tjera.
E kuptojmë se në mendjen e secilit egziston një kufi përtej të cilit është e rrezikshme të shkosh, pasi e keni kaluar atë kufi, është e pamundur të kthehesh prapa thoshte Dostojevski. Pavarsisht që pikëpamja negative e kësaj shprehje është sinonim edhe i çmendurisë por në të njëjtën kohë është sinonim edhe i gjenialitetit! Pas çdo suksesi fshihet edhe një rrisk potencial, pas çdo udhëtimi ne jemi ndryshe jo si më parë.
Dikur në fillet tona një mik i imi thoshte se, Bill Gates po propozon të meditojmë së paku pesë minuta në ditë, sepse vetëm kështu hapemi ndaj ideve inovative. Me ëndje e thoshte se është proces i dëshirueshëm për ndërrmarrësit e rinjë! E ne sot po flasim për humanin ku kërkojmë me dashamirësi që t’a kthejnë objektivin drejt vetes t’a ruajnë vetën e tyre nga vetvetja dhe ky mjedis social që sillet me ne me një agresion të pa kuptueshëm e vështirë të konceptueshëm. Humani ka nevojë për pushim dhe reflektim. “Është e pabesueshme se çfarë mund të bëjë një rreze dielli në shpirtin tend” Andaj hapi perdet e territ përmes reflektimit, lejoje veten tënde të frymoj sepse besoj që e meriton !
Dinamika e jetës është fajtore, puna, kushtet janë problematikat e shumicës. Me një kompromis të dhimbshëm dhe me një pajtueshmëri të lartë jemi duke u konformuar me këto konkluzione. Pyes shpesh veten a kaq të pafuqishëm jemi?! Pastaj zhytja në skëterrat e botës virtuale sikurse dikur zhytej në përrallat e veta unike Liza në Botën e Çudirave, nuk janë bota e realitetit, do duhej të qëndrojmë sa më larg kësaj bote. Do duhej ta shfrytëzonim ne atë e jo ajo të na kaplonte ne. Virtualiteti ja ka humbur kuptimin madje edhe “dhimbjes” më nuk po mësojmë e bashkndjejmë nga ajo si dikur !
Mos të lejojmë ta mbushim kujtesën tonë me të gjitha momentet kur jemi ndier të fyer, mund të përfundojmë duke mos lënë hapsirë për momentet briliante që keni përjetuar në jetë. Ruaje higjenën tënde mentale, ka vlerë më të madhe se sa dhëmbët tuaj që i pastroni së paku dy here në ditë. Duajeni vetëveten sepse duke u kujdesur për vetën tuaj ju e doni jetën, shoqërinë dhe vendin tuaj. Duke e dashur vetën ju jeni i dobishëm për shoqërinë. Mos harroni se mënyra më e shpejtë për tu bërë i lumtur është të ndihmoni, kështu thoshte emblema e altruizmit Gonxhe Bojaxhiu. Reflektimi të ndihmon të zbresësh në tokë, të ndjesh materien e trupit tënd, aromën e tij dhe fundin.
Pa qëllime në jetë, njeriu ndihet i mbytur! Ai, reflektimi, të ndihmon të ndërtosh qëllimet. Ai të ndihmon që kur të gjithë të braktisin duke të kthyer kurrizin ti asnjëherë të mos ndihesh vetëm. Ahh ai të ndihmon që edhe atëherë kur të dridhet zëri, mendja jote të punoj në shërbim të qetësisë dhe lumturisë tënde shpirtërore. Një status në rrjetetet sociale, një ese studentore, një hartim shkollor kur shkuruhet poqëse nuk e korigjuat nuk do ta marrë vlerësimin e dëshirueshëm andaj korigjo jetën tënde duke reflektuar.Mos kërkoni konkluzione të gatshme jo vetëm nga ky artikull por në përgjithësi në jetë, jepini hapsirë reflektimit dhe eksplorimit dhe lejojini vetes të nxirrni përfundimet tuaja.
Këngëtari Ermal Meta, shqiptari i cili vitin e kaluar e fitoi festivalin më të rëndësishëm në Itali, Sanremo, sivjet do të kthehet prapë në këtë festival.
Siç ka treguar ai me anë të Twitter, Ermali do të rikthehet në Sanremo duke performuar krahas Simone Christicchi. Simone është këngëtar i njohur i cili e fitoi Sanremon në vitin 2007 me këngën ‘Ti regalero una rosa’, shkruan KultPlus.
Ermali ka treguar se ndihet i nderuar që do të këndojë krahas Christicchit, ndërsa normalisht do të jetë jashtë garës këtë vit pasi ka treguar se ka përzgjedhur projekte të tjera muzikore për realizim gjatë këtij viti.
Sanremo do të mbahet në fillim të muajit shkurt.
Christicchi e ka ftuar Ermalin vetëm si mysafir ndërsa vetë
do të jetë në garë, por meqë Sanremo mbahet pesë netë me radhë, në një prej netëve
këngët garuese vijnë në duet.
Ermali tanimë ka marrë famë në Itali pasi përfaqësoi Italinë në Eurovizion dhe u fut në top 10 e rezultateve finale vitin 2018-të. / KultPlus.com
Teksti i këngës për bashkim tingëllon më së qarti serbisht.
Veton SURROI
1.
Në vitin 2018 u legjitimua fjala “korrigjim” (eufemizëm për ndarje dhe këmbime territoresh në baza etnike), ndërsa sapo kemi hyrë në vitin kur po legjitimohet edhe një fjalë tjetër që ishte pjesë e paketës ndërkombëtare të “vijave të kuqe”, fjala bashkim si në “bashkim kombëtar”. Nga pak u prek gjatë vitit të kaluar duke ravijëzuar një sekuencë logjike: Kosova dhe Serbia këmbejnë sa më shumë serbë e shqiptarë në shtetet e tyre respektive, së bashku me një pjesë të territorit ku banojnë, dhe meqë tash do të ishin në realitete të reja, Kosova e Serbia do të kishin të drejtë të bënin çka të donin me territorin e vet. Sapo filloi ky vit dhe kryeministri i Shqipërisë e thjeshtësoi tërë procesin negociator: Kosova të përfundojë ç’ka problem me Serbinë dhe pastaj Shqipëria e Kosova të bashkohen.
Mund të tingëllojë si muzikë për veshët e shqiptarëve të Kosovës, të frymëzuar nga metafora e mungesës historike në ngritjen e flamurit të Pavarësisë së Shqipërisë si mungesë e shtetit të përbashkët. Por, ndonëse muzika mund të tingëllojë e këndshme, duhet shikuar me shumë kujdes tekstin e këngës që ka brenda këtë formulë: një herë ndarje territoriale, pastaj bashkim. Varësisht ku këndohet, ajo do të tingëllojë tjetër, madje krejtësisht ndryshe prej këndimit paraprak.
2.
Këndimi në Prishtinë do të ballafaqohet me shpërputhje në tekst. Procesi negociator i tanishëm, thonë Delegacioni shtetëror dhe opozita që nuk është në këtë delegacion, duhet të prodhojë njohje të Pavarësisë së Kosovës në territorin e saj të tanishëm, duhet të prodhojë njohje të pesë shteteve anëtare të BE-së që nuk e kanë njohur dhe anëtarësim në OKB. Rrjedhimisht, duhet të krijojë mundësinë e integrimit në NATO e BE.
Por nëse kënga po thotë se një herë duhet të bëhet “korrigjimi” e pastaj bashkimi kombëtar, atëherë qenka një proces tjetër negociator. Për Delegacionin shtetëror – dhe opozitën që nuk është pjesë e tij – nuk do të kishte ndonjë sens të negociohet për të zhdukurit e borxhet ndaj kursimeve të qytetarëve, për shkatërrime të shtëpive e për të drejtat minoritare brenda Republikës së Kosovës në mënyrë që të sigurohet njohja e Republikës së Kosovës nga Serbia, të gjitha shtetet e BE-së dhe anëtarësimi në OKB e NATO me këtë emër, nëse ekzistuaka një proces tjetër negociator, i cili siguron që njëherë të bëhet copëtimi i territorit të Kosovës e pastaj bashkimi i tij me Serbinë, gjegjësisht Shqipërinë.
Apo është fjalë për një këngë tjetër?
3.
Kjo këngë ka gjasa të tingëllojë mirë për veshët në Serbi. Një proces negociator që, siç u shpreh presidenti i Serbisë, do të krijojë vijën ndarëse historike mes serbëve dhe shqiptarëve do të prodhonte një territor kompakt në Kosovë me sa më pak serbë në të dhe një territor në Serbi me sa më pak shqiptarë në të (pa përdorim të dhunës, por nëpërmjet të këmbimit paqësor territorial). Territori kompakt me shqiptarë do të kishte të drejtën e bashkimit me Republikën e Shqipërisë dhe meqë Republika e Serbisë e njeh këtë të Shqipërisë, Serbia do të përmbushte një nevojë dhe një premtim njëkohësisht. Do të përmbushte nevojën që të zgjidhë çështjen e Kosovës dhe njëkohësisht premtimin që kurrë të mos e njohë Pavarësinë e Republikës së Kosovës.
Kënga serbisht, pastaj do të ishte me më shumë refrene sesa ajo në versionin shqip. Bashkimi i sa më shumë shqiptarëve në një shtet do të ishte ftesë që një gjë e tillë të ndodhte edhe me Serbinë, nëpërmjet të bashkimit të Republikës serbe në Bosnjë-Hercegovinë.
As varianti rus nuk do të tingëllonte keq. Nëse mund të bashkohen shqiptarët, pastaj serbët, çka kanë rusët që nuk mund të bashkohen?
4.
Kjo këngë nuk tingëllon mirë gjermanisht. Një lexues i vëmendshëm i lirikës së re ballkanike do të hetojë se këngës, e cila thotë “një herë ndarje, pastaj bashkim” i mungon njëri prej përcaktimeve thelbësore të shtetndërtimit, njohja. Procesi negociator që fillon me këmbime territoriale dhe kalon e përfundon me bashkim – njëherë spastrohen çështjet me Serbinë, pastaj Kosova bashkohet me Shqipërinë – anashkalon pikën më të lartë historike të Kosovës, barazinë e Kosovës me shtetet e tjera, përfshirë Serbinë, përfshirë Shqipërinë. Pra, anashkalon të drejtën e qytetarëve të Kosovës që nëse duan të krijojnë procesin dhe institucionet e bashkimit me Shqipërinë, në çfarëdo formati dhe me çfarëdo shpejtësie që të dëshirojnë – union doganor alla BE, bashkim konfederal, bashkim në një shtet. Sot, pas dhjetë, njëzet a pesëdhjetë vjetësh.
Andaj gjatë vitit të kaluar përgjatë legjitimimit të fjalës “korrigjim” u shmang vëmendja nga fjala “njohje”, si në njohje të ndërsjellë. Dhe andaj, gjatë këtij viti, me legjitimimin e fjalës “bashkim” do të shmanget vëmendja sërish nga fjala “njohje”. Kjo nuk është rastësi. Është pjesë e një përpjekjeje që me një proces “shpejt e shpejtë” të krijohet një marrëveshje që nuk do të trajtojë okupimin dhe luftën e Kosovës – parakushte për të arritur një marrëveshje paqeje – por do të zbresë tërë problemin shekullor në një emërtues të përbashkët, që shqiptarët të jetojnë me sa më pak serbë, dhe serbët me sa më pak shqiptarë, caqe këto të çdo ideologu serbomadh që nga themelimi i shtetit serb në shekullin XIX, caqe të manifestuara në luftën e fundit të Kosovës dhe dëbimin me dhunë të një milion shqiptarëve nga Kosova.
5.
“Bashkimi”, si në bashkim kombëtar, kështu, hyn në stadin e vet të tretë të jetës si koncept politik. Përgjatë shekullit XIX dhe një pjese të madhe të atij XX ishte synim i rilindësve, nacional-demokratëve, komunistëve, fashistëve, romantikëve, ëndërrimtarëve, poetëve, ekonomistëve e të tjerëve. Pas rënies së komunizmit deri më sot u shndërrua në kërcënim: o do të pavarësohet Kosova, o do të bëhet bashkimi kombëtar; o do të integrohet Shqipëria në BE, o do të integrohen të gjithë shqiptarët në një shtet, o do të fitojnë të drejtat e veta shqiptarët në Maqedoni, o do të bëhen pjesë e Shqipërisë.
Tash, në stadin e tretë merr kontura që nuk do të mundë të besoheshin gjatë njëqind vjetëve. Në vend të njohjes së ndërsjellë dhe të drejtës së qytetarëve të Kosovës të jenë të barabartë me qytetarët e shteteve të tjera, do t’u këndohet kënga e bashkimit. Në versionin serbisht, do t’u thuhet se mund të jenë të barabartë vetëm si shtetas të Shqipërisë. Në versionin shqip, do t’u thuhet se u gjet zgjidhja për të gjitha problemet e Kosovës (OKB, BE, NATO) e njëkohësisht u gjet formula se si të përmirësohet çdo gjë tek qeverisja e shqiptarëve; dy shtete të kapura me institucione të brishta e të sulmuara me sukses nga krimi i organizuar do të funksionojnë si një shtet funksional ditën kur pranohet plani serb i deklamuar shqip: një herë ndarje, pastaj bashkim.
Fëmijët kosovarë nuk do t’i marrin shtesat këtë vit, siç u premtua. Rezoluta e votuar në Kuvendin e Kosovës ende nuk është hartuar në ligj nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe rrjedhimisht me këtë vonesë nuk do të mundë të përfshihet as në buxhetin e vitit 2019, kur të dalë në votim.
Fëmijët në Kosovë nuk do t’i marrin shtesat prej 10 eurove as gjatë muajit janar, siç u ishte premtuar, por as gjatë këtij viti për shkak se rezoluta e votuar në Kuvendin e Kosovës ka kaluar në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, e cila ende nuk e ka hartuar legjislacionin për shtesat.
Përderisa kjo rezolutë nuk hartohet në legjislacion, atëherë është e pamundur të përfshihet në buxhetin e këtij viti, i cili ka kaluar në lexim të parë pa i përfshirë këto shtesa dhe se ka pak hapësirë nëse ato do të jenë pjesë e buxhetit kur ai të vendoset për votim në lexim të dytë. Kjo rezolutë vlerësohet se do të marrë kohë derisa të përpilohet në ligj dhe se me shumë mundësi do të jetë e gatshme për vitin e ardhshëm, por jo për këtë vit.
Në të pritet të përfshihen disa kategorizime se si do të shpërndahen këto paga, duke marrë parasysh statusin financiar të fëmijëve.
Të rinjtë që duhen puthen në këmbë Përballë portës së natës Dhe kalimtarët që kalojnë i tregojnë me gisht Por të rinjtë që dashurohen S´ndodhen aty për askënd Është vetëm hija e tyre Që dridhet në errësirë Duke shkaktuar tërbimin e kalimtarëve Tërbimin e tyre përbuzjen e tyre nënqeshjet e tyre Zilinë e tyre Të rinjtë që dashurohen s´janë aty për askënd Ata janë gjetiu shumë më larg se nata Shumë më lart se dielli Janë në shkëlqimin verbues të dashurisë së tyre të parë.
Kompozitori shqiptar Kozma Lara është ndarë nga jeta mbrëmë vonë.
Lajmin për vdekjen e tij në moshën 87 vjeçare e ka dhënë akademiku Vaso Tole, teksa ka ndarë me miq e të njohur lajmin e dhimbshëm.
Lara lindi më 1932 në Durrës dhe është autor i shumë krijimeve muzikore: kuartete, trio, romanca, rapsodi etj, si dhe ka krijuar shumë këngë për fëmijë.
Ka qenë President i Shoqatës muzikore “Tonin Harapi”, i festivalit të përvitshëm të Romancës Shqiptare dhe anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve, Artistëve dhe kompozitorëve të Shqipërisë. / KultPlus.com
Ajo është ndër aktoret më të dashura shqiptare dhe publiku shqiptar gjithmonë i ka shikuar filmat dhe serialet kudo që është shfaqur Leze Qena.
Së fundi, e dashura Leze është bërë e famshme gjithandej edhe në internet, pas interpretimit të një kënge që ka marrë vëmendjen e të gjithëve, në serialin ‘Çka ka shpija’.
Leze Qena për Sevenbizz ka treguar se gjithçka ka qenë rastësisht.
“Gjithçka ka qenë rastësisht, erdh momenti duhej të këndoja dhe më thanë këndo çfarë të duash, dhe e këndova “Lulja n’saksi, saksija n’lule. Kjo këngë në gjeneratën time, artistat kur shkonim nëpër turne, këndonim këtë këngë gjithë rrugës në autobus, mu kujtua dhe e këndova në serial, dhe tani u bë hit. Po të më jepnin përqindje këta të gjithë që po e këndojnë do rrija si pasha”, u shpreh Leze Qena. / KultPlus.com
Aventurat e kunkuristit kunkurian Kunkuron Kunkurusi në Kunkublikën e Kunkurisë
* * *
Kuku! Kunkurusi kunkurian ka kunkuru!
Ku? Ku? Ku, ku kum kunkuru? Kuku, paskum kunkuru! Ku s’kum kunkuru…
Amo qetu s’kum kunkuru kunkurisht! Kuku, kum kuku-kunkuru! Ku? Ku kum kunkuru, o kunkurtar i kunkurushëm?
Ku, ku? Kuku! Pasha kunkuzotin! Krejt Kunkuria e din qi s’kum kunkuru! Ku kunkuron kun, kur s’mun! Ka kunkurana e kunkuresha të pakunkurushme?
Qetu paske kunkuru! Kuku! Paskum kunkuru! Ku, ku? Emnin e paske qetu; Kunkurisht e ke kunku-shkru: Kunkuron Kunkurusi! – Kuku! A na ra rusi? – Jo, ti je kunkurusi! S’asht kund këtu rusi! Na veç pijmë çaj rusi!
Ashtu kunkuroke kunkurushëm në çdo kunkurim! Si zbukurim! O Kunkurim Kunkurusi kunkutrim!
Kuku! Paskam kunkuru! Ku, ku? I lumi û! Kuku! Kukumkunkuruku?
Hajt, bre, kunkutrim! Sa kunkurueshëm kunkuroke, o Kunkurim!
Ai është një gjeni në tekstshkrim. Thëniet e teksteve të Eminemit kanë transmetuar përherë shpresë dhe frymëzim tek njerëzit që mendojnë se nuk kanë arsye për të jetuar. Këto janë disa nga thëniet e tij më të bukura dhe motivuese :
“Nuk ka mundësi të dyta. Jeta nuk është një lojë me përpjekje nga e para”.
“Çdokush ka synime, apo pritshmëri, por të gjithë kanë qenë në një pikë, kur askush nuk besonte tek ta”.
“Unë them atë që dua të them dhe bëj atë që dua të bëj. Nuk ka gjëra të tjera të ndërmjetme. Njerëzit ose do të të duan, ose do të të urrjenë për këtë gjë”.
“Askujt nuk i pëlqen të dështojë. Unë dua të korr sukses në gjithçka që bëj, të cilat nuk janë shumë. Por nëse unë nuk jam i suksesshëm, nëse unë dështoj në gjërat që pëlqej më shumë, atëherë ku më mbetet të korr sukses?”
“Mos u përpiq të më paragjykosh. Ti nuk e di nëpër çfarë kam kaluar unë”.
“Ji krenar për atë që je”.
“Dashuria është thjesht një fjalë, së cilës ti i jep kuptimin e duhur”.
“Sepse ndonjëherë, ti thjesht ndihesh i lodhur. Ndihesh i dobët. Dhe kur ndihesh i dobët, ndjen nevojën për të hequr dorë nga gjithçka. Por ti duhet të kërkosh thellë brenda vetes për forcën dhe motivimin e duhur për të mos hequr dorë”. / Bota.al/ KultPlus.com
Ditët e fundit, në të gjithë rrjetet sociale, është bërë virale sfida e të krahasuarit të fotove para dhe pas. Kjo dëshirë për të parë nga e shkuara, e për t’u ballafaquar me te sotshmen ka prekur këdo. Nuk përcaktohet saktë kujt i përket merita e të parit/ës që u bë nismëtar i kësaj “epidemie narcisiste”.
Këtij “virusi” për të evidentuar ndryshimet fizike përgjatë 10 viteve nuk i kanë shpëtuar yje botërorë, personazhe publike e njerëz të përditshmërisë. Ka edhe nga ata që kanë pakënaqësi dhe zgjedhin ashtu si padashje një foto të pesë-gjashtë viteve më parë. Këta/o autokritikë herë krenohen e herë demoralizohen për këtë mos ndikim që faktori kohë ka.
Motoja dhjetë vite më parë, na rikujton kush ishim, e cilët jemi sot. Mbase kjo sfidë i tejkalon pritshmëritë që kemi ndaj vetes, i kalon kufijtë e fizikes, shkon përtej tek mentalja, profesionalja, e realizimi. Pas këtyre viteve fshihet një histori jetësore. Pas rrudhave të shtuara, kilogramëve të vëna, stilit të ndryshuar të veshjes, pozimit përballë aparatit fshihet dicka më tepër. Kjo modë e fundit e para dhe pas-it, ka të bëjë edhe me vetëreflektimin. Thirrja “kujto kush ishe” e ” shiko kush je” duket sikur të ngacmon ndërgjegjen e thërret “kush do të jesh”? Një fotografi e shkrepur vite më parë, të shton vullnetin për ta dashur veten edhe sot. Sa vlerë mbartin dy poza? Sa rëndësi ka ” privatja” jonë, e dëshira për t’u bërë domosdoshmërisht “publike”? Vlen me siguri për tu përgjigjur në çmendurinë mediatike të rradhës./27.al/ KultPlus.com
Jo vetëm ushtarakët ishin pjesë e kësaj audience të madhe që numëronte mbi 700 persona. Ky koncert i Lule Elezit është përcjellë nga afër edhe nga personalitete të ndryshme nga fusha e politikës, ekonomisë, kulturës, administratës dhe Forcave të Armatosura Gjermane nga Berlini dhe shteti federal Brandenburg.
E veshur me një fustan të zi, me një elegancë të hollë prej një pianiste të shquar, kosovarja Lule Elezi ka performuar në piano me rastin e ceremonisë tradicionale të Vitit të Ri të Forcave të Armatosura Gjermane, komandantët e Forcave Territoriale (komanda në Brandenburg) dhe Komanda e Përbashkët e Forcave të Armatosura Gjermane në Postdam , e cila ishte e ftuar për të shënuar këtë koncert madhështor, shkruan KultPlus.
Jo vetëm ushtarakët ishin pjesë e kësaj audience të madhe që numëronte mbi 700 persona në sallën Nikolaisaal të Potsdam . Ky koncert i Lule Elezit është përcjellë nga afër edhe nga personalitete të ndryshme nga fusha e politikës, ekonomisë, kulturës, administratës dhe Forcave të Armatosura Gjermane nga Berlini dhe shteti federal Brandenburg.
Me tingujt e veprave të Frederik Shopen, Lule Elezi ka magjepsë audiencën gjermane me programin e saj nga krijimtaria e Shopenit, e cila në këtë koncert është përcjellë edhe nga 25 atashe ushtarak të dërguar nga shtetet respektive, nga ambasadorë të shumtë të akredituar në Gjermani, si dhe ambasadorja kosovare Mimoza Ahmetaj, që aktualisht është shefe e misionit të Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Strasburg.
“Ishte një koncert madhështor, të përcillet interpretimi im nga njerëzit më me ndikim në këtë pjesë të Gjermanisë, dhe nga një masë kaq e madhe, me të vërtetë është emocion që nuk harrohet. Intepretimi im u prit jashtëzakonisht mirë”, ka thënë Elezi për KultPlus, e cila ka treguar se pikërisht nga ky koncert kanë pasuar edhe disa oferta të tjera për bashkëpunime të radhës.
Performanca e shkëlqyeshme e pianistes Elezi u ndoq me kënaqësi
nga audienca, që disa herë me ovacione dhe duartrokitje të gjata, dëshmoi
profesionalizmin e këtij koncerti.
Pianistja Elezi do të ketë koncertin e radhës më 1 shkurt, në qytetin Ebersëalde, në veri të Berlinit./KultPlus.com
Kur ti sëmuresh, bota fle Unë rri mbi kokën tënde, Çdo gradë më shumë e zjarrmisë E djeg zemrën time. Kur ti s’ha, bota ngopet Mua buka m’bëhet nyje, Gjej pafund mënyra me t’bë me hëngër. Kur ti qan, bota s’dëgjon, Unë e ndali rrjedhën e jetës për t’i fshirë lotët e tu. Kur ti rrëzohesh, Trupi im mavijoset. Kur ti buzëqesh, Oh, Lule çelin n’mua. Kur ti ec, Zemra ime t’vjen pas si hije, Kur m’thua “nana” Universi ndalet, Parajsa zbret n’Tokë.. Kur bota m’vret, Ti s’më le me e lëshu jetën.
Autore: Shqipe Palloshi Zumberi/ Supergratë/ KultPlus.com