The Cranberries e kujtojnë me album të ri vokalisten O’Riordan

Një album i tërë do t’i kushtohet asaj që i dha jetë këngëve të tyre.

Cranberries po e incizojnë albumin e radhës për ta kujtuar vokalisten Dolores O’Riordan e cila ndërroi jetë në janar të vitit 2018-të.

Cranberries tanimë e ka publikuar këngën ‘All other now’ e cila do të jetë pjesë e këtij albumi, i cili do të publikohet në muajin prill.

The Cranberries janë njohur në botë me këngët e tyre “Zombie” apo “Ode to my family”.

Albumi do ta sjellë vokalisten para publikut sikur ajo të mos ishte larguar kurrë. Këngët janë të shkruara nga vetë ajo, në muajt e fundit të jetës.

https://www.youtube.com/watch?v=gSC2upiyRlQ

Dolores në të kaluarën ka vuajtur nga depresioni dhe doza e madhe e alkoolit, por duket se ka ndërruar jetë kur ishte në një ritëm të madh të punës.

Pas përfundimit dhe lansimit të albumit, grupi do të ndahet për një kohë dhe do të pauzojë nga karriera muzikore. / KultPlus.com

Besa Shahini pranon detyrën e re: Shpresoj të më përcjellin virtytet e Lindita Nikollës

Besa Shahini sot zyrtarisht ka pranuar detyrën e Ministres së Arsimit, Sportit dhe Rinisë në Republikën e Shqipërisë, shkruan KultPlus.

Këtë ministri deri tani e ka drejtuar Lindita Nikolla, me të cilën Shahini ka punuar për 15 muaj si zëvendësministre. Shahini përmes një postimi ka deklaruar se Nikolla e ka drejtuar këtë ministri me shumë kurajë dhe durim.

“Kurajën për të marrë vendime të vështira që sollën ndryshime të mëdha në sistemin arsimor dhe durimin për të dëgjuar dhe konsultuar të gjithë hisedarët para se të merrte ato vendime. Unë shpresoj që këto virtyte të më përcjellin dhe mua në zbatimin e kësaj detyre të rëndësishme, sidomos në këtë moment sfide që ngërthen në vetvete edhe një mundësi të madhe për të realizuar idetë më të mira për arsimin shqiptar”, ka shkruar Shahini në postimin e saj./ KultPlus.com

Rita Ora publikon fotografi ku shihet veshja kombëtare

Ylli botëror Rita Ora është emri që po prek majat e suksesit të saj në fushën e muzikës dhe modës, shkruan KultPlus.

Fëmijëria e Rita Orës nuk lidhet aspak me vendin prej nga vjen por e ruan të fortë dashurinë për vendin e saj, Kosovën. Sot ajo ka rikthyer disa kujtime të fëmijërisë me rastin e ditëlindjes së nënës së saj, Vera Ora.

Në njerën nga fotografitë Rita Ora shihet pranë vëllaut të saj  të vogël i cili është  i veshur me veshje kombëtare.

“Për nënë time që është inspirimi më i madh në botë për mua. Urime ditëlindjen dhe faleminderit që ke qenë një grua kaq frymëzuese e punëtore, aty ku unë mora  etikën e punës”, ka shkruar Rita Ora në postimin e saj.

Rita Ora ka mbajtur një koncert në Prishtinë vitin e kaluar për nder të dhjetë vjetorit të Pavarësisë së Kosovës./ KultPlus.com

‘E bukura fillon me ne’, ekspozitë me fotografi të personave me nevoja të veçanta

Të hënën në Prishtinë do të hapet një ekspozitë e veçantë.

Me fotografitë e personave me nevoja të veçanta, ekspozita ‘E bukura fillon me ne ‘ do të hapet nga Ambasadorja Nataliya Apostolova dhe Elvana Shala – Ambasadore e Vullnetit të Mirë.

Ekspozita përmban fotografi të realizuara gjatë eventit të modës për persona me nevoja të veçanta, në dhjetor të vitit 2018-të.

Ekspozita do të hapet me 21 janar, me fillim prej orës 12:00 në Qendrën Informative dhe Kulturore të BE-së në Prishtinë, në Bulevardin Nënë Tereza, shkruan KultPlus.

Eventi i modës ‘Beauty begins with us’ u mbajt në muajin dhjetor të vitit 2018-të, me pjesëmarrjen e personave me nevoja të veçanta të cilët shërbyen si fotomodelë dhe fotomodele në një sfilatë mode. Për disa momente ata harruan se sa janë të neglizhuar nga shoqëria dhe përçuan mesazhin për dashuri, integrim dhe për jetesë të përbashkët.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri me 10 shkurt 2019. / KultPlus.com

Ministri i Arsimit i quan ekstreme kërkesat e mësimdhënësve

Ministri i Arsimit Shyqyri Bytyqi ka folur për grevën e mësimdhënësve, duke thënë se kërkesat e tyre janë ekstreme dhe të njëjtat do t’i kushtojnë miliona buxhetit të shtetit.

Sipas Ministrit Bytyqi, brengosja më e madhe është që nxënësit po humbasin orë mësimore, duke deklaruar se po kërkojnë një zgjidhje.

“Brengosja më e madhe është se nxënësit tanë po humbin mësim dhe është një gjë jo e mirë dhe e kemi të vëshitrë të kompenzojmë. Jemi duke kërkuar një zgjidhje që do të jetë e përshtatshme. Deri tani nuk është bërë një zgjidhje që do ta mundësonte rikthimin e mësimit”, deklaroi ai.

Në parim nuk është dashur që të fillojë fare greva, është shprehur ministri.

Bytyqi i ka cilësuar si ekstreme kërkesat e SBASHK’ut.

“Këto kërkesa janë goxha ekstreme. Mund të jetë një kosto mbi 5 milionë euro, që është vështirë e realizueshme. Dje i kemi dorëzuar një propozim Qeverisë dhe po presim që të kemi një reflektim që të ketë një rritje të koeficientit, dhe të hapet një dialog me SBASHK’un dhe të gjithë dikasterët e arsimit”, deklaroi ministri, duke thënë se të hënën maksimumi nxënësit duhet të kthehen në shkollë.

“Të hënën maksimumi është dita kur nxënësit duhet të kthehen në bankat e tyre, sepse çdo vonim tjetër është i pariparueshëm”, ka shtuar ministri.

Besarta Jashari publikon video të rrallë të babait: Zëri që më qetëson shpirtin

“Fjalët e babushit përbëjnë një dëshmi se si duhet atëdheu e liria”

E mbijetuara e betejës historike të 5, 6 dhe 7 marsit, Besarta Jashari vajza e heroit, Hamëz Jasharit në rrjetin social “Facebook”, ka publikuar një audio regjistrim të rrallë të babait të saj, në të cilën, Hamza dëgjohet duke rrëfyer sakrificat e familjes së tyre që i përcollën për vite me radhë.

Sipas Besartës, edhe sot  pas më shumë se 20 vitesh, fjalët e babait të saj përbëjnë një dëshmi se si duhet atëdheu e liria.

“…zëri që më qetëson shpirtin ! Sot, pas më shum se 20 vjet, fjalët e babushit përbëjnë një dëshmi se si duhet atëdheu e liria, dëshmon për familjën tonë… Në këtë audio regjistrim, që është i publikuar vetëm pjesërisht, mund të dëgjoni fjalët e babushit përmes të cilave e kuptojmë guximin e përkushtimin për liri, sakrificën për shumë vite që bënte familja jonë, presionin sistematik që përjetonim… por mbi të gjitha të palëkundur dashurinë dhe besimin në lirinë që po na priste… Gjatë këtij rrëfimi të babushit, mes tjerash përjetoj edhe harmoninë familjare që dikur kishim dhe sot më përcjellë si një kujtim i mire. Lavdi e përjetshme për të gjithë të rënët për liri”, ka shkruar Besarta në postimin e saj të bërë në Facebook.

Hamëz Jashari u lind në vitin 1950 në Prekaz dhe u vra në mars të vitit 1998, bashkë me komandantin e UÇK-së, Adem Jasharin dhe me anëtarët e familjes, ndërsa Besarta në atë kohë si 11 vjeçare i mbijetoi asaj beteje. 

Historiani grek e pranon lashtësinë e ilirëve dhe flet për gjuhën shqipe

Në shumë raste faktet e dokumentuara rreth shqiptarëve ndër shekuj janë lexuar subjektivisht nga historianët grekë.

Edhe pse mbetet i ndikuar nga nacionalizmi i zakonshëm i historianëve grekë, Dhimitri Bethanis pranon se ilirët janë të lashtë, po aq sa grekët, raporton ‘Alsat’.

Një fakt i pakundërshtueshëm historik, por i pranuar hapur nga një historian grek, përbën risi.

‘Ai edhe mund të mbjellë flokët, ajo edhe mund të bëjë buzët, ata e ato edhe mund të zvogëlojnë hundën…’

Fitim Uka / Facebook

Ai edhe mund të mbjellë flokët, ajo edhe mund të bëjë buzët, ata e ato edhe mund të zvogëlojnë hundën apo zmadhojnë ndonjë aset tjetër “të vlefshëm”. Por, lajmi i keq është që, tru plastike apo botox-tru nuk ka. Eh, fatkeqësisht, aty qëndron gjithë problemi.

P.S. Po të ishte preokupim i njerëzve mendja dhe shpirti, aq sa është dukja dhe paraqitja, sot nuk do të vdisnim për lajmet e tipit 18+ (Foto & Video). Megjithatë, lexim të këndshëm.

551-vjetori i vdekjes së Skënderbeut manifestohet me aktivitete në Lezhë

551-vjetori i ndarjes nga jeta të Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu u përkujtua sot në Lezhë, në një ceremoni të organizuar në Memorialin e Skënderbeut.

Memoriali u hap sot për herë të parë pas rikonstruksionit të tij, që nisi 8 muaj më parë.

Bashkia Lezhë do të vendosë në 2 mars, shtatoren e Gjergj Kastriot Skënderbeut, në qendër të sheshit që mban emrin e tij.

Po ashtu, Bashkia Lezhë i ka drejtuar Këshillit të Ministrave kërkesën që data 2 mars, Dita e Besëlidhjes së Lezhës, të shpallet festë zyrtare.

Po kthehem në shtëpi me dy diploma, nuk më mjaftuan për një punë..

Shkruan: Marigona Krasniqi

Si sot më kujtohet dita e parë e studimeve. Meqë isha fëmija më i madh në familje, vëllëzërit dhe motrat më kishin rrethuar dhe ishin shumë entuziast për këtë rrugëtim timin.


Dhe pasiqë shtëpia jonë ishte në një fshat të largët unë duhet të zhvendosesha në kryeqytet, në Prishtinë.
Frika, kureshtja dhe dëshira më shkaktonin të përziera në stomak, por mundohesha të mbahesha mjaftë mirë.
Këtë e bëja për hatër të prindërve sepse shihja që veç kishin filluar të mërziteshin për mua.


Nuk duhej të brengoseshin pasiqë unë do të kthehesha çdo fundjavë, por nuk u vëja faj as atyre të gjorëve. Nuk ishin mësuar të më shihnin larg shtëpisë asnjëherë, bile shpesh kur bënim udhëtime unë përfundoja duke vjellur, ngaqë udhëtoja rrallë dhe më përzihej stomaku pastaj.


Gjyshja më dhuroi një qarqafë shtrati, nëna kursimet e saja kurse motra bluzen e saj të preferuar. Të gjithë po solidarizoheshin me mua dhe përveç gjërave materiale ata po e derdhnin edhe shpirtin e tyre mbi mua.
Babi kishte kohë që ndante nga të hollat e punimit të tokës për mua dhe sytë i qeshnin prej kënaqesisë.  Ishte zotuar se nuk do të më linte pa të holla asnjëherë, madje po të ishte nevoja do të shiste edhe tokën vetëm që unë të merrja rrugën e dijes.


Ëndrra ime ishte të bëhesha juriste. Bile sa herë luanim si fëmijë unë mbaja një çekan afër dhe ndaja drejtësi. Kaq dija për atë kohë. Krahasuar me tipin tim të mbyllur si karakter, unë u adaptova mjaftë mirë në Prishtinë.
I mësova rrugët që më duheshin me patjetër, për të tjerat as që qaja kokën fare.  Bile rrugën e stacionit e kisha mësuar nga fakulteti dhe çdo javë kisha apo nuk kisha punë në fakultet unë shkoja njëherë atje për të arritur në stacion pastaj. 
Por nuk turpërohesha aspak që nuk njihja mirë rrugët, as kafet e Prishtinës. 
Mësimet më ecnin mbarë dhe kjo kishte rëndësi për mua.
Në ndërkohë në vitin e tretë të studimeve unë regjistrova edhe fakultetin e dytë- edukimin. 
Shoqet më shpotisnin duke më thënë se në isha e gatshme t’i mbaja dy puna.
Fillova të mësohesha me këtë ide, unë do mbaja dy puna dhe nuk guxoja as të lodhesha. 


Por, në fakt unë kisha mashtruar vetën dhe psiqikën time. 
Isha “mashtruar” pas notave të mira duke harruar që po jetoja në Kosovë. Tani ka dy vite që kam mbaruar edhe masterin e juridikut dhe fakultetin e edukimit por nuk gjej punë dot.


Qëndrova edhe ca muaj të tjerë në Prishtinë me shpresën që do gjej punë më lehtë por një gjë e tillë nuk u realizua dot, as sot kur kanë kaluar dy vite. Sa e rëndë ishte dita kur u ktheva duar bosh në shtëpi. Më vinte turp t’a shikoja familjen time në sy, anipse faji nuk ishte tek unë.


E telefonova babin dhe i thash: “Po kthehem në shtëpi me dy diploma, nuk më mjaftuan për një punë..!”
Punën ndoshta do e fitoja po të bëhesha servile e ndonjë partie politike, do e fitoja punën edhe duke ngrënë darka me “të lartit” e duke u bërë lodra e çdokujt. 
Ama unë zgjodha rrugën e dijes.


Zgjodha rrugën e cila nuk do e zbehte asnjëherë atë shkëlqim në sytë e babit tim, as nuk do i njolloste kursimet e nënës.
Zgjodha të shtrijë një ndergjegjie të qetë në qarqafin e gjyshes e të vishja bluzen e motrës në një trup të pastër.
Unë nuk zbrapsem asesi, një ditarë dhe një çekan në kokë më rri.
Anipse dy diploma nuk mjaftuan për një punë, unë po kthehem në shtëpi e pa turpëruar. 


Po kthehem në shtëpi për mbledhur energji të reja e për t’u kthyer më e fuqishme në Prishtinë. 


Unë nuk u dorëzova, mos u dorëzo as ti.
Eja me dije të triumojmë, karshi hijenave që na rrethojnë..!

Kush të do vërtetë, të gjen vetë


 

Nuk duhet të rendësh prapa askujt, për ta bërë të qëndrojë me ju. Ju nuk duhet t’i luteni askujt, që të qëndrojë me ju. Nuk duhet të braktisni veten tuaj, për të. Ju nuk duhet ta humbni mendjen, sepse jeni duke i dhënë gjithë dashurinë tuaj një njeriu që as nuk e di se çfarë dëshiron. Kjo nuk është dashuri. Kjo nuk është jeta e një çifti. Kjo është të përdoresh nga dikush. Dhe gjithsesi njerëzit që kanë nevojë për ju e dini ku jetoni, ata e dinë numrin tuaj të telefonit.

Mos vuani për njerëzit që nuk janë të denjë për lotët tuaj, njerëzit të cilëve nuk u intereson se si jeni. Mos e shkatërroni të ardhmen duke menduar vazhdimisht nga e kaluara. Jini realistë dhe pranoni se vetëm njerëzit me të vërtetë të pranishëm në jetën tuaj ju kanë bërë të ndiheni mirë dhe të jeni të lumtur.

Pjesa tjetër e njerëzve ju ka bërë të ndiheni keq dhe ka sjellë vetëm vuajtje të padobishme dhe të pajustifikuara. Jo të gjithë njerëzit e dinë se çfarë duan nga jeta. Mundohuni të doni faktet, momentet e jetuara, jo iluzionet. Prania juaj meriton vetëm ata që janë me ju.

Do të gjesh me mijëra njerëz që do të të vlerësojnë për atë që je. Nuk janë fjalë vetëm që të bëjnë të ndjeheni mirë, por sepse kështu është. Ka shumë lloje njerëzish në këtë botë, mjafton të gjejmë ata, idetë e të cilëve janë të pajtueshme me tonat.

Ekzistojnë meshkuj të sinqertë, që dinë të duan, që dinë çfarë duan nga jeta. Pjesën tjetër as mos i konsideroni. Mos e çoni dëm jetën tuaj dhe mos derdhni lot për persona të kotë, mosmirënjohës. Filloni të jetoni, sot! Dhe jetoni sipas vetëm një rregulli: Kush të do, do të të gjejë./bota.al /KultPlus.com

Dhjetë urdhërat për veten nga një grua e fuqishme


Doni të zbuloni nëse jeni, apo keni të bëni me një grua të fuqishme? Zbulojeni duke lexuar më tej:

E dashuruar së pari me veten!

Para se të përhapni dashurinë tuaj, sigurohuni që doni veten së pari! Një grua që nuk e do veten, nuk e njeh veten dhe nuk di si të kërkojë respektin që meriton.

Më duaj ashtu si jam!

Dhe pasi ta doni veten, do ta dini se dashuria e vërtetë është ajo që ju pranon ashtu siç jeni! Me të gjitha cilësitë dhe defektet tuaja!

Çdo gjë që do të bësh, do të të kthehet ty!

Një grua e fuqishme e di që në jetën e saj korr gjithçka që mbjell, prandaj ajo nuk u bën kurrë të tjerëve atë, që ajo nuk dëshiron për vete.

Pavarësi, gjithmonë!

Një grua e fuqishme e di se është në gjendje të marrë vendimet e veta dhe të bëjë zgjedhjet e saj. Ajo e njeh potencialin që ka dhe merr përgjegjësinë për fatin e vet.

Përulësia!

Një grua e fuqishme nuk ndihet më e mirë se kushdo tjetër … ajo vë gjithë energjinë e saj për të qenë një person më i mirë sot, se sa ishte dje.

Beso tek vetja!

Pasiguria nuk ndodh! Një grua e fuqishme punon me kompetencë dhe shpresat e ndihmojnë të arrijë suksesin.

Kujdesuni për kopshtin tuaj!

Një grua e fuqishme nuk i kap në kurth fluturat, kujdeset për kopshtin e saj dhe pret që ato të vijnë vetë, me dëshirën e tyre.

Besimi!

Frika e humbjes nuk është sigurisht një ndjenjë në gjendje për të shtrënguar këtë grua, ajo e di se ajo që është e saja, është ruajtur dhe do të kthehet gjithmonë!

Vaniteti!

Gruaja e fuqishme e di se si ta kultivojë vetëvlerësimin e saj çdo ditë dhe e di vlerën e vanitetit!

Rinia!

Një grua e fuqishme nuk plaket kurrë! Ajo e sheh pamjen e rrudhave si një përvojë jetësore dhe si arsye për t’u ndierë edhe më e veçantë./bota.al/KultPus.com

Edi Rama mbron të folmen ‘kosovarçe’ të Besa Shahinit

Kryeministri Edi Rama, i ka kthyer përgjigjën një komentuesit të tij sot në Facebook pasi që ai ka kritikuar ministren e re të arsimit në Shqipëri, Besa Shahinin.

Sipas komentuesit në fjalë ministrja e re e arsimit fillimisht duhet që të mësoj gjuhën shqipe, duke aluduar kështu në mënyrën sesi ajo shprehet.

“Shko e mëso shqipen të flasësh”, ka shkruar komentuesi duke nxitur kështu kryeministrin që të reagoj.

“O zot! 4 fjalë 3 gabime dhe një fjali prej drumepreje, për të përqeshur tingëllimën e të folurës së Kosovës! Po mësohu, mësohu me këtë tingëllimë, ti dhe shumë si puna jote, se do ju duhet të adaptoheni shpejt nën një çati me Kosovën, edhe po nuk deshët ju”, është reagimi i kryeministrit Rama.

Besa Shahini është ministre e re e arsimit në Shqipëri, me vendimin e fundit të Edi Ramës në ndryshimet e fundit në Qeverinë e Shqipërisë.

Besa Shahini është analiste dhe hulumtuese e çështjeve të integrimit evropian dhe politikave arsimore. Deri në verë 2015, ka punuar si analiste me organizatën me bazë në Berlin, Inciativa Europiane për Stabilitet (ESI). Ajo herë pas herë shkruan për gazetat ditore në Kosovë. Shahini ka master nga Hertie School of Governance në Berlin./ KultPlus.com

Po iki !

Liridon Mulaj.

Lamtumirë 
Nga ky vend që nuk më deshi kurrë 
E as unë nuk është se e desha 
Erdha fëmijë po iki burrë 
Pallto trishtimi në trup vesha 
Po iki!
Nga njerëzit që kurrë nuk më kuptuan 
E as unë nuk është se i kuptova
Që pak më dhanë e shumë kërkuan
Që sa herë më zhgënjyen , prapë i besova
Nga rrugët e gjera me pluhur 
Nga ndërtesat e vjetra , plot shëmti 
Nga lypsarët në të ftohtë strukur 
Nga zagarët që kemi përmbi 
Nga hienat kryelartë plot inat 
Nga servilë të poshtër pa dinjitet 
Largë nga ju do më gjej kjo natë 
Po iki nga ti or mik
Që si unë askush nuk të deshi
E di do më thuash “po deshe ik”
E unë po u them mir’mbetshi
Nga ti që të qesh në fytyrë , nga pas të vret 
Mirëmbetsh o vend , që biri yt nuk u bëra kurrë
Shtrenjtë të pagova , më shite lirë 
Unë fëmija i përjetshëm ,që s’u bë burrë 
Sonte po iki , lamtumirë! / KultPlus.com

Kampanja e Parfois ‘SS19

Kampanja e Parfois ‘SS19 na fton të zhytemi në verë me gjithë freskinë dhe ndjeshmërinë që sezona e kërkon.
“Krejt çka jam” ( “All I am”) sjell përjetshmërin dhe komoditetin që ofron Mesdheu.
Gjatë verës së kaluar  protagonistja jonë ka dalë jashtë këtij mjedisi të krijuar dhe ka filluar ditën në një tjetër formë.
Një strehë më ndryshe e ditëve të  ngrohta dhe të lumtura, duke ju dhënë mundësinë ta përfitoni kohën me ritmin e jetës që ju e zgjedhni.
Pushimet krijojnë një atomsferë në këtë rast, që ju të reflektoni për atë që jeni dhe ku dëshironi ti kaloni pushimet.
Femra e Parfois nuk është e lidhur me të kaluarën por e pranon atë si diçka të sajën. Kjo është e njëjta femër që ka frymëzuar brezat dhe ka treguar se nuk duhet të ndjekim idetë e para-konceptuara pa i shqyrtuar pyetjet.
Në një epokë të karakterizuar nga një mbingarkesë informacioni, nuk ka dëshmi më të mirë të afirmimit sesa njohja e vetes dhe pranimi i asaj që duam të jemi.
Dhe përmes syrit fotografik të Wai Lin Tse dhe të drejtorëve João Sousa dhe Gustavo Imigrante, femra e Parfois ecë guximshëm në ambientin që e ka zgjedhur për pushime sikur ky ambient të ishte galeria e saj.
Nga parashikimet dhe objektet e paraqitura në fotografi, ne e kemi për detyrë të vëzhgojmë dhe të ndjejmë fragmente të shkurtra që na ndihmojnë të zbulojmë arkitekturën dhe identitetin e kësaj femre.
Modelja dhe artistja Zarina Nares rishikon vendet dhe kujtimet, momentet e një udhëtimi që materializohen në shtresa të ndryshme të personalitetit të saj.
Ditët janë me plot vizion poetik, i cili reflektohet në gjërat që zgjedhim t’i veshim. Mund të zgjedhim të vëmë çanta ditore apo të zbukurohemi me veshjet që do t’i kishim pasur në ndonjë ndenjë të organizuar në mbrëmje duke vallëzuar brenda shtëpisë pa i mbathur këpucët fare dhe pikërisht këtu thërret ky koleksion që të ndihemi të relaksuara dhe të jemi të pakujdesshme në kuptimin, ndihu e lirë të jesh vetvetja.
Mund të vishemi me silueta të ndryshme, të vëmë shumë aksesorë dhe t’i përziejmë ngjyrat!
Dizajnet e sofistikuara janë të shumta.
Ngjyrat që përbëjnë këtë koleksion janë të ngrohta, dramatike dhe tropikale dhe vijnë së bashku në një bollëk të ngjyrave dhe formave të siluetave elegante që arrijnë balancin mes DIY dhe modës së lartë.
Grafika e luleve dhe printimi i tyre në në pëlhura të lundrueshme dhe të lehta, sjellin freski të pashembullt, dhe dallojnë me aksesorë modernë në forma dhe materiale më urbane dhe futuriste.
Ky kontrast tërheqë femrën e guximshme dhe të pjekur.

Aksesorët me forma dhe madhësi futen në lojë me një stil minimal ose me shumë detaje.
Në këtë rast janë të dëshiruara aksesorët që mund ti bartim gjatë ditës sa jemi në plazh duke shijuar ndejat e organizuara verore.
Çantat e mëdha dhe ato të voglat të përbëra nga tekstile të ndryshme, shiritat e lëkurës, të gjitha janë prezantuar me shumë ngjyra të përsosura që i përshtaten stinës së verës.
Ne vazhdojmë të punojmë me materiale si farria, fibra natyrale dhe kashtë.
Fringes po fiton një vend të veçantë në koleksioni e ri për shkak të përpunimit me lëkurë dhe akrilikë të krokodileve.
Tekstilet e paparashikuara gjithashtu krijonë një paraqitje më ndryshe, me pëlhura të shkëlqyera që shpërfaqin një jetë me dizajne të thjeshta, të strukturuara mirë dhe të rehatshme.
“Krejt çka jam” (“All I am”)  sjell për ditët verore kohë dhe hapësirë për tu liruar nga shqetësimet.
Koleksioni ka për qëllim të ju bëjë të ndiheni se jeni në një pushim ku ju reflektoni për atë që jeni dhe atë që dëshironi të bëni
Sepse në fund të fundit, “Një femër  që përqafon të kaluarën e saj, zotëron të ardhmen”

Të ikësh nga ministre si Mirela Kumbaro

Ka hedhur firmën e fundit sot, përkthyesja e shkëlqyer nga frëngjishtja që dëgjoi emrin 5 vjet më parë nga Edi Rama për të lënë kompjuterin dhe për të drejtuar kulturën.

Disa e deshën, disa jo, fundja siç ndodh në politikë. Ajo që veçohet sot për Kumbaro është ‘maniera’ sjellja e hijshme pa kunja, pa sforco, por sikur kjo të ishte gjëja më normale në botë. Në fakt njerëzit njihen më mirë kur ikin se kur vijnë.

Ja çfarë shkruan Kumbaro sot: Krenare👐🏻 qe sot hedh firmen e fundit si Minister i Kultures ne kurorezimin e nje pune 2vjeçare: Krijohet Qendra Kombetare per Librin e Leximin 🇦🇱Shqiperia, njesoj si Franca, Italia dhe jo vetem, do te kete nje institucion te dedikuar per politikat e programet e Librit, Leximit, Krijimtarise, Edukimit permes Emancipimit te Mendjes! Faleminderit Skuadres se Kultures qe e krijoi dhe Qeverise dhe Kryeministrit Rama, qe e miratoi sot Faleminderit te gjithe miqve qe mbeshtesin Levizjen Kombetare per Lexim Ta gëzojmë.”, ka shkruar Kumbaro në Instagram. /KultPlus.com

https://www.instagram.com/p/BssbVYxn8V6/

Arianit Koci në Hagë, zbavitë holandezët me piano (VIDEO)

Avokati Arianit Koci është akredituar nga Gjykata Speciale për të mbrojtur të akuzuarit që do të ndiqen nga kjo gjykatë.

Ai tashmë gjendet atje, për të kryer punën e tij si mbrojtës i të akuzuarve, ku ditën e djeshme Koci ishte bashkë me ish-komandantin e UÇK-së, Sami Lushtakun i cili u intervistua në Gjykatën Speciale në Hagë. Por, përveç punës si avokat, Arianit Koci po e shfrytëzon kohën edhe për pak argëtim për vete dhe qytetarët atje.

Koci ka postuar në llogarinë e tij sociale Facebook një video ku shihet duke ekzekutuar në piano në një vend publik. Mbi videon e publikuar ai shkruan: Duke e zbavitur popullin mik holandez. Pas pak, vazhdojmë me punë…

Koci në fëmijërinë e tij është njohur edhe si këngëtar ku ka marrë pjesë në festivalin “Akordet e Kosovës për fëmijë” në vitin 1972 me këngën “Nëna ime”. /KultPlus.com

Idetë kreative të Kosovës tashmë kanë një zyrë evropiane për adresim

Alberina Haxhijaj

Sot në Prishtinë është bërë hapja e zyrës së programit “Evropa Kreative Kosovë” në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, shkruan KultPlus.

Pjesëmarrja në programin “Evropa Kreative” do t’u mundësojë artistëve dhe profesionistëve kulturorë evropianë, si dhe mijëra organizatave krijuese dhe botuesve që të punojnë së bashku dhe t’i vënë veprat e tyre krijuese në dispozicion të miliona qytetarëve.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi në ceremoninë zyrtare të hapjes së kësaj zyre u shpreh se Kosova do të përfitoj nga ky program i Bashkimit Evropian dhe sektorët e saj  kulturor dhe krijues do të formësohen.

“Në kuadër të këtij programi organizatat kosovare do të kenë mundësi të aplikojnë për grante, për projekte shumëvjeçare bashkëpunimi, për përkthime librash, për ngritje rrjetesh kulturore apo krijimin e platformave kulturore shumëkombëshe”, theksoi Gashi.

Sipas tij kjo marrëveshje e arritur me Komisionin Evropian synon integrimin e Kosovës në rrjetet evropiane të komunikimit dhe të kulturës. Gashi poashtu theksoi se tashmë Kosova do jetë pjesë e hartës kulturore evropiane përmes asaj që quhet diplomaci kulturore, si dhe përmes artistëve, krijuesve dhe njerëzve të kulturës.

“Zyra në fjalë operon me kapacitet të plotë dhe ka mandat promovimin e programit në nivel kombëtar si dhe Nën-Programin për Kulturë në mënyrë që të mund të ndihmojë krijuesit në lidhje me procesin e aplikimit dhe gjetjes së partnerëve të nevojshëm dhe të stimulojë bashkëpunimin ndërkufitar midis profesionistëve, platformave institucionale dhe rrjeteve në sektorët kulturorë”, theksoi në fund ministri Gashi.

Edhe ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha theksoi se ky program do të ju mundësoj artistëve kosovarë që të promovojnë veprimtarinë e tyre artistike në gjithë botën.

“Ministria e Integrimeve Evropiane ka punuar shumë që Kosova të ketë qasje në programe të Bashkimit Evropian dhe rezultatet e këtij angazhimi jemi duke i prekur sot përmes inaugurimit të kësaj zyre, e cila do të jetë një vend takim i rëndësishëm për shumë artistë dhe krijues. Ministria që unë drejtoj ka mandat koordinimin e donacioneve në nivel vendi dhe në këtë drejtim jemi duke u përpjekur që përfitues të këtij donacioni të jenë të gjithë sektorët në Kosovë duke përfshirë edhe shoqërinë civile dhe komunitetin e artistëve”, theksoi ajo.

Marrë veshja e nënshkruan në qershor të viti të kaluar për Evropën Kreative i fuqizon fushat e kulturës dhe krijimtarisë në Kosovë./ KultPlus.com

Kjo muzikë perlë nga vëllezërit Gërvalla (VIDEO)

Sot janë bërë 37 vjet nga vdekja e Jusuf e Bardhosh Gërvallës.

Jusufi e Bardhoshi së bashku edhe me shokun e tyre Kadri Zekën kanë qenë veprimtarë të pandalur për lirinë dhe të drejtat e shqiptarëve.

Ata janë vrarë në një atentat në Untergrupenbach të Gjermanisë më 17 janar të vitit 1982, njofton Klan Kosova.

Por veprat e tyre patriotike dhe kulturore nuk do të shuhen kurrë.

Janë tekstet e këngëve të vëllezërve Gërvalla që gjithmonë do të jenë pjesë e historisë së tyre të lavdishme.

P.S. Shkrimi fillimisht është publikuar më 2017, në përvjetorin e 36 të rënies së vëllezërve Gërvalla.

Uratë kryezotit arbnor

Ndue Ukaj

Gjergj, 
Që nga janari kur ike
Në çdo pranverë çelin lule t’këqija. 
Arbnit janë të trazuar në mjegullnajën e trishtimit.
Rrëshqasin si nëpër akullnaja dhe nuk gjejnë qetësi.
Në pyllin e dilemave, s’i shohin portat e lirisë,
As lapsin e urtisë, 
As përkrenaren e krenarisë,
As shpatën e lirisë.
As Pal Engjëlli nuk është askund. 
Ka shume zbrazëti dhe pikëllim. 
Gjergj, e sheh?
Që nga janari i akullt
Arbnit kanë humbë algoritmin e jetës.
Varkat i kanë mbushë me mosmarrëveshje e trishtim.
Dhe të trullosur bredhin rrugëve të boshatisura,
Atyre shkrepave të thepisura, 
Bjeshkëve të Nemuna
E Adriatikut të trazuar.

Zemra u kullon, 
Por nuk duan kurim. 
Ndërgjegjja i bren, 
Por nuk duan pendim.

Gjergj, Arbnit janë të trazuar
Dhe ikin e s’dinë ka vejnë. /KultPlus.com

( 17 Janar 2018, ©)

551 vjet nga vdekja e heroit kombëtar

Sot bëhen 551 vjet nga vdekja e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu, i cili vdiq më 17 janar 1468, në Lezhë.

Për të kujtuar këtë ditë, sot në Prishtinë do të organizohen disa aktivitete, me të cilat përfundojnë aktivitete njëvjeçare të cilat janë organizuar në kuadër të organizimeve në Vitin e Skënderbeut.

Gjergj Kastrioti, Heroi Kombëtar i Shqipërisë lindi në vitin 1403. I përkiste familjes mbretërore të Kastriotëve. I ati ishte Gjon Kastrioti, udhëheqës i qyteteve më të mëdha të asaj kohe, Krujës dhe Mirditës dhe e ëma ishte Vojsava. Kur lindi Gjergji, i ati, Gjon Kastrioti, ishte sundimtar i një shteti të rëndësishëm, që shtrihej së paku nga rrethinat e Prizrenit e të Tetovës në lindje deri në detin Adriatik në perëndim.

Gjergj Kastriot Skënderbeu vdiq në moshën 63-vjeçare. Ai konsiderohet nga shumë vende të Evropës Perëndimore si heroi që pengoi Perandorinë otomane të pushtonte Perëndimin e Evropës. Gjergj Kastriot Skënderbeu mbetet figura legjendare e kombit shqiptar në shekuj.

Vdekja e Skënderbeut nënkuptoi fundin e pavarësisë së Shqipërisë, që vetëm falë tij arriti të shfaqej si një shtet i bashkuar dhe i pavarur. Kruja që për shumë vite u quajt si Akropoli i Kristianizmit, rezistoi vetëm një rrethim tjetër pa Prijësin e saj.

Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, Heroi Kombëtar i Shqipërisë vulosi me veprat e tij rezistencën kundër turqve pushtues në shekullin e 15 dhe ishte një shembull për imitim për të gjithë heronjtë e mëvonshëm. Mbeti në histori si luftëtar, si gjeneral njeri me principe dhe me ideale. Gjergj Kastrioti ishte personaliteti më i madh politik dhe ushtarak i kohës së tij./ KultPlus.com

Shpallen 40 projektet finaliste për shpërblimin e madh Mies Awards 2019



Shpërblimi i Unionit Europjan për Arkitekturë Bashkëkohore – Mies Awards sot shpalli 40 projektet finaliste për shpërblimin e madh, përcjellë KultPlus.

Në mesin e 40 projekteve të përzgjedhura është edhe projekti i sheshit të Skënderbeut në Tiranë i dizajnuar nga 51N4E. 

Shpërblimi Mies Awards është shpërblimi më i madh Europjan i Arkitekturës dhe organizohet çdo 2 vite. 

Për më shumë rreth projekteve të përzgjedhura klikoni në vegzën në vazhdim: https://www.miesarch.com/archive?editions=17&classification=2

Nga Kosova për këtë shpërblim ishin nominuar 3 projekte. /KultPlus.com

Profesori Isa Qosja dekorohet me mirënjohje nga Universiteti “Haxhi Zeka”

Fakulteti i Arteve në Universitetin “Haxhi Zeka” në Pejë, ka dekoruar me mirënjohje profesorin Isa Qosja në nderim të kontributit të tij të dhënë në fushën e artit, në veçanti në degën e Regjisë. Profesori Qosja është edhe një ndër themeluesit e degës së Regjisë në Fakultetin e Arteve në Pejë, shkruan KultPlus.

Dekani i Fakultetit të Arteve në Pejë Hysen Nimani, në ceremoninë e dekorimit, u shpreh se ka qenë nder dhe privilegj të bashkëpunoi me profesorin Qosja, duke theksuar në veçanti për mundësinë e jashtëzakonshme të studentëve që të përfitojnë nga ligjëratat e profesorit.

“Kontributi i Profesor Isa Qosja në themelimin e Degës së Regjisë në Fakultetin e Arteve ka qenë thelbësor, për çka Universiteti “Haxhi Zeka” i është mirënjohës Profesor Qosjes. Puna dhe përkushtimi jetësor i Profesorit Isa Qosja si dhe angazhimi i tij në Fakultetin e Arteve, ka rezultuar me sukses me ç’rast studentët e këtij Fakulteti dhe përfitues të ligjërimeve të profesor Qosja, kanë arritur të fitojnë çmime kombëtare dhe ndërkombëtare”, është shprehur Nimani.

Për hirë të kontributit dhe veprës së Profesor Qosja, e gjithashtu pas sukseseve të vitit 2018 të Fakultetit të Arteve në Pejë, më 11 janar të këtij viti, Kori i Fakultetit të Arteve në Pejë ka organizuar dhe mbajtur koncert.

Në koncert janë interpretuar vepra të kompozitorëve shqiptarë dhe atyre botërorë me ç’rast theks i veçantë i është kushtuar dhomës së përgatitur nga profesorët e këtij Fakulteti dhe gjithashtu, paraqitjet e studentëve me pika solo dhe Kori i Fakultetit./ KultPlus.com

Shuhet themeluesi i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore

U nda nga Jeta Tom Nikolla një nga themeluesit e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore. Tom Nikolla është një prej këngëtarëve shumë i dashur për publikun dhe me kontribut të rëndësishëm për futjen e këngës me çifteli në hullinë e muzikës qytetare shqiptare bashkëkohëse. Që në moshë të re spikati dhe fitoi çmim ndërkombëtar për këngën folklorike në vitin 1957.

Më vonë ishte një nga themeluesit e Ansamblit Shtetëror te Këngëve dhe Valleve Popullore ku kontribuoj deri ne moshën e pensionit dhe në vazhdimësi. Ishte njohës i folklorit dhe i muzikës popullore, prandaj fjala e tij në diskutime për këtë temë dëgjohej me interes. Pati kolegë dhe këndoi së bashku me divat e këngës popullore si Drita Papajani, Luçije Miloti, Naile Hoxha.

Toma me artin e tij ka korrur duartrokitje në Shqipëri dhe në disa vende të botës kur përkrah Ibrahim Tukiçit, Fitnete Rexhës, Vaçe Zelës, Xhevdet Hafizit e tjerë dhanë koncerte duke përfaqësuar muzikën dhe folklorin tonë në botë. Nuk e harroi asnjëherë rapsodinë, por e zhvilloi atë duke u bërë një nga përfaqësuesit më dinjitoz dhe i dashur me këngë patriotike që u rimorën dhe janë në repertorin e sotëm të shumë rapsodëve e grupeve muzikore në Shqipëri dhe Kosovë./Jaho Brahaj/ javanews/ KultPlus.com