Deti më i bukur

Poezi nga Nazim Hikmet.

Deti më i bukur:

është ai në të cilin akoma askush nuk ka shkuar.

Fëmija më i bukur:

Ende nuk është rritur.

Ditët tona më të mira:

Janë ato që ende nuk i kemi përjetuar.

Dhe fjala më e mirë që dua të them:

Është ajo që nuk e kam thënë ende …

Përktheu nga turqishtja: Batjar Halili

Brezovica, hyjnesha në fronin e dëborës

Brezovica në mes të dimrit ndrit nga bardhësia e dëborës me linjat e varg-kodrave në ngjitje ku prekin qiellin në majat e bjeshkëve të Sharrit. Paqja mbizotëron në këtë pllajë që tashmë është mbuluar nga bardhësia, duke e bërë hyjneshë në fronin e dëborës.

Me një peizazh hyjnor, gjithë dritë e bardhësi, ujëra që rrjedhin nga malet, bimësi të larmishme, përrenj dhe shtigje alpine, Brezovica është ndër më të bukurat jo vetëm në Kosovë por në të gjithë Ballkanin.

Brezovica është një nga destinacionet më të preferuara për apasionantët e turizmit dimëror, por jo vetëm. Edhe në verë natyra e Parkut Kombëtar të Sharrit është ndjellëse për adhuruesit e natyrës, sepse bora qëndron dhe në këtë stinë.

Ajo ndodhet në rajonin Ferizaj në Kosovë, i njohur si vend pushimin dimëror, shtrihet në një pllajë në Parkun Kombëtarë të Sharrit një nga bjeshkët më të bukura që ka rajoni.

Zona turistike e skive ndodhet në mënyrë ideale në shpatet e Parkut Kombëtar të Sharrit në veri dhe në veriperëndim.

Linja e kreshtës përfshin 39,000 hektarë terrene malore alpine dhe pyje, me një florë dhe faunë mjaft të larmishme dhe të bollshme.

Hapësira e qendrës së skive është rreth 2500 ha, në lartësinë mbidetare 1718-2522 m. Përbrenda kësaj hapësire janë shtigjet e skive me gjatësi mesatare rreth 4 km dhe me një lakueshmëri mesatare prej 38 %.

Në lartësinë mbidetare prej 1718 m, në Livadhin e Madh gjendet teleferiku më i ri. Stacioni i daljes nga ky teleferik është në lartësinë 2212 m mbi nivelin e detit.

Qendra e skive “Brezovica” është e hapur për adhuruesit e skive gjatë të gjitha stinëve të vitit, ku në verë, sipërfaqja e mbuluar me borë zvogëlohet por prapë lë mundësinë e shfrytëzimit.

Kjo qendër ka disa hotele të cilat ofrojnë shërbime cilësore të kategorive më të larta.

Vendpushimi vendor i skive u krijua në vitin 1954. E para nga pesë ashensorët e skive në u instalua në vitin 1979. Po ashtu, përmban 16 km shpatet e skive të vendosura në veri dhe në verilindje përballet me shpatet e Rezervatit Natyrornë Malet e Sharrit.

Linja e kreshtës përfshin 39,000 hektarë terrene malore alpine dhe pyje, me një florë dhe faunë mjaft të larmishme dhe të bollshme. /ata

Dokumentari “Mall për me këndue”, si u shua zëri i Gac Çunit në burgjet komuniste

Një dokumentar kushtuar Gac Çunit, muzikantit shkodran që mbylli sytë në moshën 30-vjeçare në burgun e Burrelit. Gac Çuni është kompozitor i këngës shumë të dashur për Shkodrën, “Kaçurrelat e tu”. Si u shua zëri i djaloshit shkodran në qelitë e burgjeve komuniste; dëshmia e vëllait dhe mikut të tij të qelisë, në çastet e fundit të jetës; si u kthyen në Shkodër këngët e Gacit, nga bashkëvuajtësit e tij. Historia dhe brenga e Gac Çunit për vajzën me kaçurrela.

Nga Luljeta Progni

Gac Çuni ishte një djalosh shkodran, që këndonte si askush tjetër në qytet. Ishte rritur në një ambient familjar e shoqëror ku muzika nuk mungonte kurrë. Në familjen e tyre miqtë priteshin gjithmonë me këngë.

Mbrëmjeve, bashkë me vëllain e tij, Lazrin, e shokët që i bashkonte muzika, Gaci merrte kitarën e këndonte. I këndonte lirisë, qytetit të tij të dashur, Shkodrës, i këndonte të bukurës, dashurisë.

Gac Çuni, lindi në Shkodër më 6 korrik 1926. Filloi arsimimin në shkollën “Skënderbeg” Shkodër, vazhdoi studimet për 4 vjet në gjimnazin e Jezuitëve dhe 4 vjet të tjera në gjimnazin e shtetit. Vitin e fundit u sëmur rëndë nga tuberkulozi, disa muaj para përfundimit të shkollës dhe nuk arriti të diplomohej. Pasi u përmirësua nga shëndeti, nisi punë si mësues në Malësinë e Mbishkodrës, në Kastrat.

E donin dhe e admironin të gjithë. Miqtë e tij tregojnë se ishte tip sportiv, i shkathët, i zgjuar, shumë miqësor, i paqtë, por mbi të gjitha me një pasion të rrallë për muzikën. Në moshë të re kishte mësuar t’i binte kitarës, e më pas ishte angazhuar në korin Scuola-kantorum të Kishës Françeskane.

Gaci këndonte një repertor të pasur me këngë shkodrane, spanjolle e italiane, por kishte kompozuar edhe disa këngë frymëzuar nga muzika e bukur popullore shkodrane.

Ai krijoi vargje e melodi për qytetin e tij të lindjes, natyrën e bukur që e rrethonte, traditat e trimërinë e të rinjve shkodranë dhe dashurisë së dlirë. Skena e tij ishin rrugicat e Shkodrës e muza e tij vetë shpirti i qytetit. Gaci e shprehte çdo ndjenjë të bukur me këngë. Këndonte serenata rrugicave të bukura të qytetit përmes dritash të zbehta poshtë dritareve, ku shquheshin siluetat e vajzave të bukura që e prisnin çdo natë këngën e Gacit. Ato serenata që më së shumti i dedikoheshin njërës prej tyre… e poshtë dritares së saj, këndoheshin ëmbël, me pasion rinor e me zë dashurie për atë vajzë me kaçurrela.

Kënga pushoi natën e 1 shtatorit të vitit 1946 sepse Gaci ishte arrestuar atë ditë nga sigurimi i shtetit, në Radio Shkodra, ku kishte shkuar për të kënduar një prej këngëve të tij. Që prej asaj dite kënga e Gacit nuk u ndje më. Kaçurrelja nuk do ta dëgjonte përsëri zërin e ëmbël, rrugicat nuk do ta prishnin më qetësinë me tingujt e kitarës së tij, e prindërit nuk do ta kishin më pranë birin e tyre. E prangosën në moshën 20-vjeçare, për të filluar kalvarin e gjatë të torturave në qelitë e hetuesisë për më shumë se 15 muaj. Gac Çuni, bashkë me Ndrekë Temalin e Lorenc Dedën ishin shënjestruar prej regjimit, si shumë prej të rinjve shkodranë që nuk e donin regjimin komunist dhe u arrestuan brenda tri ditëve. Në procesverbalin e dosjes hetimore, Gaci shënohet të ketë thënë:

“Ne, në të vërtetë nuk kemi pasun nji grup t’organizuem, po kemi qenë nji rreth shoqërije me mendime të njajta. Kur mblidheshim shoqnisht flitshim për politikën e jashtme, se si nuk pranohej Shqipnija n’Lidhjen e Kombeve. Kemi bisedue me Paulin Ternakun kundra partisë, tue thanë se këta janë horra e tue fol kundra Enver Hoxhës e Koçi Xoxes, tuej thanë se këta janë teneqexhinj e nuk dinë me drejtue qeverinë.”

Mbi të u ngarkuan akuzat e zakonshme për veprimtari armiqësore ndaj regjimit dhe pas një procesi të gjatë nën torturat ç’njerëzore të hetuesve. Më 5 dhjetor 1947 gjyqi dha një vendim edhe 5 vjet më tepër nga sa kishte kërkuar prokuroria: 20 vjet privim lirie me punë të detyruar. Gjatë kohës të qëndrimit në hetuesi, aty ku kishte qenë Kisha e Françeskanëve, Gaci i sëmurë nga tuberkulozi, u shtrua në spitalin e qytetit ku punonte sanitare e motra, Maria. Doktor Karagjozi u tregua dashamirës ndaj tij dhe e lejoi Marien e të afërmit ta takonin Gacin herë pas here. Pasi e mori veten, e morën përsëri në hetuesi për të vazhduar me torturat e përditshme.

Pasi mori dënimin, Gaci u transferua në kampet e punës së detyruar të Maliqit dhe të Bedenit, Kavajë, bashkë me rreth 2500 të dënuar të tjerë, intelektualë, shkrimtarë, muzikantë, klerikë, profesorë me tituj në Universitetet Evropiane dhe tregtarë.

Kushtet ishin aq të vështira saqë Sami Repishti do t’i quante bashkëvuajtësit e tij aty “kufoma lëvizëse”.

Bënin më shumë se 3 orë rrugë për të shkuar te vendi i punës, punonin më shumë se 10 orë të zhytur në baltë deri në brez e duronin fyerjet dhe torturat e togerëve injorantë.

Që vitin e parë më shumë se 60 të dënuar lanë eshtrat nën baltën e kënetave, përfshirë edhe inxhinierët që u shpallën grup sabotator e u pushkatuan në Maliq, ndër ta edhe Zyrika Mano, e cila ishte shtatzënë. Ndërsa qindra të tjerë u sëmurën rëndë dhe u zëvendësuan me të burgosur të tjerë politikë.

Në ato kushte, Gaci u sëmur përsëri dhe e larguan nga puna e vështirë e hapjes së kanaleve. Për pak kohë u kurua në spital, e më pas e dërguan në burgun famëkeq të Burrelit.

“Është natë prilli dhe Gaci është duke kënduar në qelinë e tij…zëri i tij i ka përpirë të gjitha klithmat prej torturash që gozhdojnë shpirtra të pafajshëm në ato biruca të errëta. Për një çast dhimbja largohet. Mendjet e shpirtrat enden të lirë ndër kujtime rinie. Ashtu, përmallshëm, vjen zëri i ëmbël, kënga e dashurisë për vajzën me kaçurrela, kujtimet e imazhit të saj të tretura si hije e largët në rrugicat e Shkodrës”. Në burg bashkë me shumë shokë të tjerë, do të përpiqeshin me mbinjerëzoren e tyre, për t’i mbijetuar torturave të pamëshirshme të xhelatëve komunistë, punës së detyruar në minierë dhe urisë… Por Gaci, kishte edhe një dënim më tepër; I ndalohej të këndonte!

Shpesh herë shokët i luteshin të këndonte për ta dhe Gaci ia fillonte këngës, edhe pse e dinte se do të përfundonte në birucën e izolimit.

***

Sapo ka hyrë prilli. I dhjeti që kur Gaci është mbyllur në qelitë e errëta. Shkodra me rrugicat e saj vazhdojnë ta presin. Edhe për 4 muaj do të rikthehej sërish në qytet sepse kishte përfunduar dënimin. Zëri i tij do të kthehej…

Vëllai i tij Lazri kishte shkuar për ta takuar sepse nuk e dinte se së shpejti Gaci do të lirohej. Për shkak të disa faljeve, Gaci do të lirohej në pranverën e vitit 1956. Kur Lazri e mori vesh se do të lirohej i vëllai u gëzua shumë, por e pa të shqetësuar Gacin… kishte një hall të madh se nuk kishte tesha të bukura me veshë kur të lirohej…

Ja çfarë tregon nga biseda e tij e fundit me Gacin, vëllai i tij Lazri, në një bisedë radiofonike të viteve ’90, me kompozitorin e njohur Zef Çoba.

“Shkova, dhe e takova. Më thotë: Tashti shkoi e shumta, mbeti e pakta.   Mor’ vëlla… Mir’po, u ngurru, nuk mujte me m’dëftu. I thashë: Më dëfto, ça ke?

M’thotë që: Sikur të dal,  nuk kam do tesha. Iu përgjigja: Kam unë, mos ki merak.”

Donte të kthehej elegant, sa më i bukur e i gëzuar… kushedi sa kohë e kishe ëndërruar atë moment kur me kitarën në dorë t’ia niste këngës në krye të rrugicës te dugajt e reja… e atje në dritare do t’i dilte kaçurrelja…..

Po Gaci nuk ka shumë kohë. Është mbërthyer nga meningjiti dhe temperatura e lartë nuk i ndalet…. duhej vetëm një penicilinë që t’ia ulë temperaturën, por xhelatët nuk duan t’ia japin. Gacin e mban gjallë gëzimi se do të shkojë te shtëpia, të nana e kaçurrelja… E ka mundur dhimbjen për dhjetë vjet në ato biruca të frikshme torturash e s’ka se si të dorëzohet tani në fund për dy javë… por jo se trupi i ligsht i Gacit ka mbaruar… nuk ka më fuqi të mposhtë sëmundjen… është duke pirë cigare përbri shokut të tij të qelisë, Xhevatit. Papritur Gaci nis e mbështetet për mur deri sa rrëzohet përtokë, i lëshon duar e këmbë si të mos ishin të vetat… cigaren e ka në cepin e buzës. Xhevati shoku i tij i dhomës e sheh se Gaci po shkon drejt fundit.

Ja si i tregon çastet e fundit të Gac Çunit, shoku i tij në qelinë e burgut të Burrelit, Xhevat Meta:

“Me Gacin kam ndenj’ n’Burrel, n’një dhomë, gati 5-6 vjet, se ai vdiq përpara, para se me dal’ ne. Ka kenë benjamini i dhomës, e kena dasht fort. Vdiq prej Meningjitit. S’kishim ku me i gjetë penicilinat se kushtonin 1 mijë lekë copa. S’kishim paré për me i ble’. Ka vdek’ në duart e mia. Ka pas përbri edhe Arshi Pipën, e të tjerë, por sidomos Arshinë, se dhe ai e donte fort. U këput. Pa prit, pa mendu. Tue pi duhan ka kenë. Ma harroi edhe emrin.

Më pyeste: A je Xhevati ti, a jo?

-Mos u tall Gac!

E pashë… At’herë u shtri. U shtri e filloi… njihet i dekuni, se jena mësu atje me pa tu dek’. Shtrin duart e këmbët…

At’herë i thashë: Kujtoje Zotin se po t’ndihmon!

-S’di, tha. -Po të mësoj unë.

Unë mbaja mend “T’falemi Mari”, megjithëse jam musliman. I thashë: Unë po e lexoj, po e them me gojë, ti më ndiq! Mendoj se aty vdiq…

Kur e kam hap batanijen për me e vesh’, me e pastru,  me e la, me teshat që ato që kishte e të tjera,  që i falshin edhe shokët. E bamë si nuse… Veç ësht’ mbushur dhoma me avull. Katërdhet e katër mund ta ketë pas’ temperaturën. Kaq i sëmurë qe! Përnjiherë vdiq. Menjiherë e këputi. At’herë, mbasi e vesha krejt… I pata premtu’ ma përpara, me kohë, se e kishte afër me dal’ prej burgut, unë kisha shumë vjet me ba, i thashë: Gac, unë s’kam me dal’ gjallë, s’ma merr mendja se dal gjallë. Po t’jap një letër e çoja nënës. Ça të ket’ rujt tesha t’i fali ty se m’bahet qejfi.

Edhe e përgatita atë letrën. Kur vdiq, atë letër ia kam fut’ në xhep. I thashë: Merre me vete dhe jepja nënës atje, se edhe ajo do të ketë vdekur… Takoheni ndokund.”

Tingujt e këngëve të tij të krijuara në burg, kanë ardhur prej kohësh në qytetin e Shkodrës, por Gaci nuk u kthye kurrë më në qytet…

Ata që i mbijetuan burgut të Burrelit i mësuan këngët e Gacit dhe i përçuan anembanë. Por një prej tyre, kënga “Kaçurrelat e tu”, ishte e parapëlqyera.

Ahmet Kopliku, një prej bashkëvuajtësve të Gacit, i përcolli notat dhe tekstet e këngëve të Gac Çunit tek Shyqyri Elezi, i cili ishte një këngëtar tjetër shkodran, që s’mund të këndonte në skenë, sepse tre vëllezërit dhe i ati ishin të burgosur politikë, por e këndoi këngën nëpër dasmat e gëzimet familjare. Sapo i ra në dorë kënga “Kaçurrelat e tu”, Shyqyri Elezi e këndoi në dasmën e parë dhe kënga u përhap nëpër qytet për t’u kënduar ashtu fshehurazi, por shpejt zuri vend mes këngëve më të dashura të qytetarëve shkodranë. Kënga u ngjit në skenën e vet dhe mbeti aty për t’u kënduar edhe sot me aq pasion e dashuri nëpër serenata, dasma e gëzime, si një ndër më të bukurat këngë për dashurinë./kujto.al

Fakte pak të njohura për Haruki Murakamin

Haruki Murakami është i jashtëzakonshëm, padyshim një nga shkrimtarët më të mirë bashkëkohorë. Edhe pse shumë i njohur në të gjithë botën me veprat e tij, pak gjëra dihen mbi jetën e tij private.
Më poshtë, gjeni disa kuriozitete që do t’ju bëjnë ta admironi më shumë, sidomos numri 10.

1. Murakami e adhuron xhazin. Puna e tij e parë ishte në një dyqan me pajisje muzikore. Ai koleksionon disqe, në veçanti me muzikë xhaz; ka më shumë se 6 mijë disqe.

2. Ka një rutinë shumë të ngjeshur. Kur është duke shkruar një roman të ri, dita e punës e Murakamit nis që në orën 4.00 të mëngjesit dhe punon për 5-6 orë. Pasdite vrapon për 10 km ose bën 1500 m not. Më pas lexon ndonjë gjë dhe dëgjon muzikë. Shkon për të fjetur në orën 21.00. Vetë shkrimtari ka thënë se mbajtja e së njëjtës rutinë e ndihmon në procesin e të shkruarit.

3. Murakami i adhuron filmat. Thuhet se gjatë një viti në universitet (ka studiuar për dramë në universitetin e Tokios, ku u njoh edhe me të shoqen) ka parë më shumë se 200 filma.

4. I pëlqejnë macet. Në një ese të vitit 1989 ka shkruar se ka pasur më shumë se 10 mace.

5. Është një vrapues i rregullt. Pavarësisht dashurisë për xhazin, kur vrapon dëgjon vetëm muzikë rrok.

6. Asnjëherë nuk e di fundin kur shkruan një roman. Në një intervistë për “Paris Review” ka thënë: “Kur nis të shkruaj një roman, unë dhe lexuesit jemi në të njëjtin nivel. Nëse libri flet për një krim, që në fillim unë nuk e di kush e ka bërë krimin. E shkruaj librin sepse më pëlqen ta zbuloj. Nëse do ta dija, ç’kuptim do të kishte të shkruaja?”

7. Librin e parë, Haruki Murakami e ka shkruar në tavolinën e bukës. Iu deshën 10 muaj për ta përfunduar.

8. Lexuesja e parë e librave të tij është e shoqja, Yoko.

9. Libri i tij i parë jo fiksion është “Nëntokë” – 1998 – një përmbledhje intervistash me viktimat e sulmit me gaz sarin në metronë e Tokios, në vitin 1995.

10. Haruki Murakami nuk e ka idenë sesa para ka: “Nëse je i pasur, ke luksin të mos shqetësohesh për paratë. Gjëja më e mirë që mund të blesh me para është liria, koha. Nuk e kam idenë sesa para fitoj në vit, nuk e kam idenë sa taksa paguaj.”
/ Elona Qose


Nxënësit mësojnë nga ata që i duan

AUTORI:DAVID BROOKS

Para disa vjetëve, përderisa jepja mësim në Universitetin e Yales, e bëra një njoftim për klasën time. U thashë se do t’i anuloj orët e konsultimeve për shkak se isha duke u marrë me disa çështje personale dhe se një mik do të vinte të më ndihmonte për t’i zgjidhur ato.

Nuk dhashë më shumë hollësi, por atë mbrëmje 10 apo 15 studentë më dërguan letra përmes postës elektronike, duke më thënë se po mendojnë dhe po luten për mua. Rrjedha e asaj lënde ndryshoi për pjesën tjetër të semestrit. Ne u bëmë më të afërt. Kjo shenjë e vogël e dobësisë la të nënkuptohet se unë nuk isha vetëm profesori Brooks. Unë isha vetëm një budalla tjetër që përpiqet t’ia dalë mbanë në jetë.

Ky çast i paplanifikuar ma ilustroi lidhjen mes aspektit emocional dhe të mësuarit. Dikur e merrnim parasysh nocionin se arsyeja nuk përputhet me emocionet. Nëse dëshiroje të bëhesh racional dhe të mendoje mirë, ti duhej t’i shtypje ata shpirtëra të këqinj, emocionet. Mësimdhënia ishte një shkarkim gjakftohtë i diturisë në trutë e studentëve.

Më pas, puna e shkencëtarëve të kognitivizmit, siç është Antonio Damasio, na dëshmoi se emocionet nuk janë e kundërta e arsyes; ato janë jetike për arsyen. Emocionet ua përcaktojnë vlerën gjërave. Nëse nuk e dini se çfarë dëshironi, nuk mund të merrni vendime të mira.

Për më tepër, emocionet të tregojnë se cilave gjëra t’u kushtosh vëmendje, për cilat gjëra të kujdesesh dhe cilat gjëra t’i mbash mend. Është e rëndë të punosh në vështirësi nëse emocionet nuk janë të përfshira. Informatat janë të bollshme, por motivimi është i paktë.

Ky zbulim i hershëm i neuroshkencës na solli ndër mend se një detyrë e rëndësishme e shkollës është që t’iu ofrojë nxënësve dhe studentëve gjëra të reja për t’i dashur, ku përfshihen fushat tërheqëse të studimit dhe miqtë e rinj. Na solli ndër mend se mësuesit në fakt e mësojnë veten, e mësojnë pasionin e tyre ngjitës për lëndët dhe nxënësit e tyre. Na solli ndër mend se fëmijët mësojnë prej njerëzve që i duan dhe se dashuria në këtë kontekst nënkupton që t’ia duash të mirën të tjerëve dhe të ofrosh kujdes të vazhdueshëm për njerëzit.

Viteve të fundit, të kuptuarit e lidhjes mes emocioneve dhe procesit të nxënies është bërë temë e rëndësishme. Përshtypja ime është se sot neurologët shpenzojnë më pak kohë për ta gjetur vendin e zhvillimit të proceseve në tru dhe më shumë kohë për t’i analizuar rrjetet e ndryshme nervore dhe faktorët që ndikojnë në aktivizimin e tyre.

Gjithçka është e integruar. Mary Helen Immordino-Yang nga Universiteti i Kalifornisë Jugore tregon se si edhe emocionet “e sofistikuara”, siç është admirimi moral, përjetohen pjesërisht nga pjesët e njëjta “primitive” të trurit, të cilat janë përgjegjëse për përcjelljen e organeve të brendshme . Me fjalë të tjera, emocionet ndikojnë edhe në zorrë.

Patricia Kuhl nga Universitetit i Uashingtonit na ka dëshmuar se truri social është i përfshirë në secilin proces të të nxënit. Ajo ua ka mësuar fëmijëve të vegjël kinezishten. Disa fëmijë mbajtën mësim sy më sy me mësuesen. Truri i tyre social aktivizohej përmes kontaktit të drejtpërdrejtë me sy dhe ata i mësonin tingujt e kinezishtes shumë mirë. Të tjerët e shikuan të njëjtin mësim përmes videos. Ata ishin shumë të vëmendshëm, por nuk mësuan asgjë.

Emocionet tepër negative, siç është frika, mund të kenë efekt shkatërrues në aftësinë e nxënësit për të mësuar. Frika e rrit ndjenjën e kërcënimit dhe dhunës. Rrjedhimisht, ajo mund t’ua bëjë më të vështirë fëmijëve për t’i kuptuar marrëdhëniet e rastësishme apo ta ndryshojnë mendimin në rastet kur ndërron konteksti.

Edhe kur kushtet janë ideale, të mendojmë për të gjitha emocionet që janë të përfshira në zotërimin e një lënde të vështirë, siç është algjebra: kurreshtja, magjepsja, zhgënjimi, paqartësitë, frika, kënaqësia, shqetësimi, vendosmëria dhe hareja. Na nevojitet një fjalor i matur emocional për të manovruar nëpër të gjitha këto faza.

Nxënësit kanë nevojë për marrëdhënie të mirë me mësuesit. Suzanne Dikker nga Universiteti i Nju Jorkut ka dëshmuar se gjatë orëve të suksesshme të mësimit, aktiviteti trunor i nxënësve është i sinkronizuar me aktivitetin trunor të mësuesit. Në kohëra të mira dhe të këqija, mësuesit e mirë dhe nxënësit e mirë e ndihmojnë njëri-tjetrin.

Pyetja thelbësore për secilën shkollë apo kompani është: Cila është cilësia e marrëdhënieve emocionale në mjedisin tuaj?

Mendoni për shkollën apo organizatën tuaj. A keni njësi matëse për matjen e cilësisë së marrëdhënieve? A keni ekipe që e shqyrtojnë cilësinë e marrëdhënieve? A e dini se ku këto marrëdhënie janë të mira dhe ku të këqija? Sa reforma arsimore janë bërë për ndërtimin e marrëdhënieve të mira?

Ne përqendrohemi në të gjitha gjërat e gabuara sepse kemi mendim të vjetruar për atë se si funksionon të menduarit.

Lajmi i mirë është se lëvizja për nxënie sociale dhe emocionale është fuqizuar vazhdimisht. Gjatë kësaj jave, Instituti i Aspenit (ku unë e udhëheq një program) e publikoi një raport kombëtar, të quajtur “Nga një komb në rrezik në një komb me shpresë”. Nxënia sociale dhe emocionale nuk është shtojcë e kurrikulës. Një mësues tha: “Kjo është mënyra se si i bëjmë shkollat”. Disa shkolla, për shembull, nuk bëjnë punë akademike gjatë javës së parë të mësimit. Për fillim, secili njoftohet me të tjerët. Disa shkolla tjera i kanë zëvendësuar policët në derën e hyrjes me zyrtarë sigurie që mund ta kryejnë edhe punën e trajnerëve të nxënësve.

Kur fillojmë të mendojmë në këtë mënyrë, hapen shumë mundësi për ndryshime. Si do ta organizonit një shkollë nëse dëshironi ta vendosni cilësinë e marrëdhënieve në rend të parë? Po si do ta organizonit një kuvend shteti?/Përktheu: Nasuf Abdyli/Gazeta Express

Jeta e vështirë dhe plot vuajtje e Mozart që pasoi me një famë të madhe pas vdekjes (VIDEO)

Kompozitori i famshëm gjatë karrierës së tij është përballur shumë me probleme financiare dhe familjare. Letrat që ka lënë tregojnë se në to ai lutej për të marrë të holla hua nga njerëzit.

Sot janë bërë 263 vite nga lindja e kompozitorit më të njohur në botë Mozart. Artisti i zellshëm, kompozitori austriak Wolfgang Mozart ka krijuar një varg të operave, koncerteve, simfoni dhe sonata të cilat thellësisht i kanë dhënë formë muzikës klasike. Ai mësoi që të luajë në piano në moshën tre vjeçare dhe shumë shpejtë zhvilloi aftësitë e tij në të gjitha format e muzikës, duke u bërë kështu së shpejti muzikanti më i mirë i të gjitha kohërave, me realizimin e më shumë se 600 veprave muzikore.

Wolfgang Amadeus Mozart ka lindur me 27 janar të vitit 1756. Ai është biri i Leopold dhe Maria Pertl Mozart. Babi i tij kishte filluar që t’ia mësonte notat në piano vajzës së tij Maria Anna të cilën e thërrisnin Nannerl, gjersa Mozarti një tre vjeçar i shikonte duke imituar notat që ajo krijonte. Kështu ai filloi që të tregojë shumë shpejtë aftësitë e të kuptuarit të zërit, tonalitetit dhe ritmit. Babi i tyre përpiqej që ti mësonte që të dy më shumë për muzikën duke i afruar me të si një mënyrë e argëtimit, mirëpo duke mos lënë anash mësimet. Kështu që të dy fëmijët u treguan të suksesshëm në këtë drejtim madje Mozarti filloi që të kompozoj në moshën 5 vjeçare duke treguar aftësi mahnitëse në klaviçembal dhe violinë.

Kurse në vitin 1762, babi i tyre mori Nannerl, në atë kohë 11 vjeçare dhe Mozarti 6 vjeçar performuan në oborrin mbretëror në Bavari, në Munich ku edhe filluan paraqitjen e tyre të cilat pastaj vazhduan si një lloj turne nëpër Evropë. Në këtë mënyrë Mozarti filloi që të takojë shumë muzikantë dhe performues të ndryshme në mesin e të cilëve ishte Johann Christian Bach i cili pati një ndikim të madh në punën e Mozartit. Mirëpo karriera e motrës së tij përfundon në kohën kur ajo arrin moshën për tu martuar, pasi që, në atë kohë konsiderohej se ajo nuk duhet që të shfaqet më në publik, gjersa Mozarti vazhdon karrierën edhe jashtë Austrisë së bashku me babin e tij.

Disa nga veprat e tij janë: operan “La Finta Giardiniera”, “Idomeneo, Mbreti i Kretës“,“Martesa e Figaros“ (1784), “Don Zhuani“ (1787), “Flauti magjik”, si dhe sonata të ndryshme për violinë, për piano, kuintete, pastaj simfoni të ndryshme, sonata, si dhe muzikë kishtare.

Mozarti ishte gjithë kohën i zënë duke kompozuar, duke dhënë mësime, duke organizuar koncerte apo duke mbyllur pagesa për punët e tij. Menjëherë pasi puna e tij shitej, blerësi i saj mund ta kopjonte e ta shiste duke fituar para nëpërmjet saj, pa shkuar asnjë kacidhe në xhepat e autorit (E drejta e autorit akoma nuk ishte e njohur në Austri deri 30 vjet pas vdekjes së tij). Për këtë arsye Mozarti i ruante manuskriptet e tij duke mos përfunduar pjesët për piano në mënyrë që të nxirrte fitime prej tyre. Kjo mund të jetë dhe arsyeja pse në një pjesë të veprave të tij mungon pjesa për piano.

Në 1782-shin, kundër dëshirës të së atit, Mozarti martohet me motrën e vogël të ish të dashurës së tij, Kostancën. Pas martesës, Mozarti shkon në Vjenë, ku për një farë kohe gëzon sukses me veprat e tij. Ndërkohë marrëdhëniet e tij me të atin dhe motrën ishin ftohur, kështu ai u përjashtua edhe nga testamenti i të atit të tij.

Kompozitori i famshëm gjatë karrierës së tij është përballur shumë me probleme financiare. Ai i ndodhur në gjendje shumë të vështirë ekonomike filloi të merrte hua. Letrat që ka lënë ai janë zemërcopëtuese, pasi që në to ai lutej për të marrë të holla hua nga njerëzit. Në 1789-ën Mozarti udhëtoi në Berlin e më pas në Frankfurt duke shpresuar për një pozitë më të mirë, por asgjë. Bashkëpunimi me Emanuel Schikaneder, pronarin e një teatri në zonën e klasës së mesme të Vjenës, dhe trupën e tij, solli në skenë operan “Flauti magjik”, që u bë menjëherë popullore e i dhuroi Mozartit një shije të fundit të suksesit.

Pas premierës së saj në shtator të 1791-shit, dukej sikur gjërat po merrnin për mirë për të dhe familjen e tij. Mirëpo në nëntor kur ai kishte punuar rreth 30% të veprës së parapaguar “Rekuiem”, sëmuret rëndë. Pavarësisht nga mjekimet dhe përkujdesjen e mjekëve më të njohur të Vjenës, gjendja e tij sa vinte dhe keqësohej, kështu ai vdiq me 5 dhjetor, 1791. Nuk ka asnjë raport në këtë datë mbi shkakun e vërtetë të vdekjes së tij, kurse ai u varros në një varrezë periferike pa shumë ceremoni. Për shkak se familja apo admiruesit e tij nuk vunë menjëherë shenjë dalluese mbi varrin e tij, vendndodhja e saktë e varrit të tij akoma nuk dihet.

Kjo ishte një pjesë e jetës dhe veprimtarisë së Mozartit i cili ka lënë gjurmët e tij të përjetshme në muzikë. Gjurmë këto të cilat vazhdojnë që të kenë ndikim edhe sot në muzikën klasike, veprat e tij vazhdojnë që të luhen nëpër koncert simfonike, madje ato janë luajtur disa herë edhe nga Filarmonia e Kosovës, të cilën mund ta ndiçni në videon e mëposhtme.

https://www.youtube.com/watch?v=AzKAmpM_Iek


Refki Gollopeni me ekspozitë pas 20-vjetësh në “Hanin e 2 Robertëve”

Në çerdhen e artistëve të gjatë viteve të ’90-ta në Prishtinë, kafe/galerisë “Hani i 2 Robertëve”, pas 20 vjetësh mungesë u rikthye me ekspozitë, piktori suharekas Refki Gollopeni.

Tri cikle pikturash mbushnin muret plot disnivele që ka kafe/galleria “Hani i 2 Robertëve”. Në hyrje të priste një pikturë, që pasohej nga tri të tjera poashtu në hyrje të ciklit “Mbijetesa” ku piktori derdh ngjyrat për të krijuar dema në pozicione të ndryshme.

Cikli i dytë është ai i “Simfonisë së Dashurisë” që ka piktura të një formacioni muzikatësh që luajnë simfoninë e lumturisë në ngjyra t’dhezta që këto ditë dimri i dhanë jetë syve të atyre dhjetërave mysafirëve që kishin ardhur për ekspozitë. Pikturat e ciklit të tretë të ekspozuar, “Përtej ëndrrës” në një format të vogël shpërthenin më shumë se sa mund të shihte paragjykimi i madhësisë së tyre.

Përveç piktorit Gollopeni që u shpreh falënderues për pjesëmarrësit në këtë ekspozitë, kuratori i ekspozitës Fehmi Hoxha – FEHO tha se ka qenë padyshim e vështirë të zgjedh cilat piktura do të ekspozoheshin atë natë, pasi ekspozitat tjera po e presin Gollopenin.

“Me të vërtetë ka qenë pak problem me i zgjedh cilat piktura, pasi është dashtë t’i ruajmë disa piktura tjera për ekspozitën që do të jetë në Vienë”, zbuloi kuratori Feho, që poashtu ka nam të madh piktori.

Për veprat e Gollopenit me superlativë foli edhe Skënder Boshtrakaj.

Kjo ekspozitë ka karakter shitës, mirëpo me vlera më të ulëta monetare./ KultPlus.com

Enver Petrovci vendos të heqë përfundimisht dorë nga aktrimi

Aktori dhe regjisori i njohur, Enver Petrovci, në një intervistë te realizuar për emisionin “Voilà” në kanalin e Youtube të Top Channel, është shprehur se ka vendosur që të luajë dhe një rol në teatër dhe pastaj do të tërhiqet, por do t’i përkushtohet dramaturgjisë, regjisë dhe televizionit.

“Të jesh aktor, do të thotë jesh edhe sportist; duhet të kesh forcë. Unë po e them që kam vendosur ta lë aktrimin; dua të luaj edhe një rol kryesor në teatër edhe mos të merrem më me teatër, si aktor. Në film dhe televizion PO, sepse është shumë më i lehtë fizikisht. Do të kaloj si regjisor, sigurisht edhe dramaturg”.

Shumë aktorë shqiptarë Enver Petrovci i vlerëson për punën dhe talentin e tyre dhe ai ka një peng që nuk ka mundur të shohë në skenë kurrë duke interpretuar aktorin Sulejman Pitarka.

I pyetur, nëse nuk do të ishte aktor, çfarë profesioni do të kishte zgjedhur, Petrovci është përgjigjur: marangoz. Ai përmend pasionin e tij për drurin dhe një dëshirë të hershme për të ndërtuar një shtëpi prej druri vetë.

Artisti i mirënjohur ka dhënë për herë të parë një mesazh publikisht për vlerësimin e artistëve, ku vlerësimet e vërteta shpesh herë në Shqipëri e Kosovë jepen pas ndarjes nga jeta të artistit.

“Unë e kam fshehur gjithmonë mendimin tim, sepse kam menduar që vetë jeta dhe mënyra se si jetoj do të vijë një ditë në shprehje, atë se çfarë unë mendoj që nuk ka ardhur kurrë në shprehje që të dinë njerëzit. Kam kuptuar që tek populli shqiptar, kur dikush vdes atëherë vlerësohet vërtetë kush ka qenë ai njeri. Unë shpresoj që pasi të vdes do t’a vlerësojnë saktësisht se kush kam qenë unë”, thotë Petrovci./topchannel

Këshilltari i Haradinajt i përgjigjet Thaçit me poezinë e Ndre Mjedës

Pas komentit të presidentin Hashim Thaçi, i cili po konsiderohet thumbues në adresë të kryeministrit Ramush Haradinaj, ka reaguar këshilltari i këtij të fundit.

Halil Matoshi komentit të Thaçit: “Bora ka zënë të shkrihet shpejt… Uroj të mos bëhet skllotë!”, i është përgjigjur me poezinë e Ndre Mjedës “Vaji i bylbylit”.

Reagimi i Thaçit vjen disa ditë pas deklaratave të kryeministrit Haradinaj, i cili kur është pyetur për mundësinë e heqjes së taksës ndaj Serbisë, pas presionit të ShBA-së, thoshte se “bora do të shkrihet”.

Është koha me u kujtu, mos me harru ma…

Shkruan: Tringa Kelmendi

“5 fmije i kam. Se s’po ma ban’ goja me thane qe s’i kam ma. Tash i kam edhe 5 vorre. Po s’jam pishman. Edhe 5 tjere i kisha nise per lufte”. – pati thane lokja krejt rrudha, me sy krejt shkelqim e plage, me lumturi te dhimbshme, se ka pasur femije me i ndihmu vendit te saj.

“Tash s’po me duhen ma dy kepuce. Po s’po merzitna se me mjafton nji kambe me e ndje token e lire”. – pati thane nje burre ne te 30-tat, i lumtur qe ka luftu per nje qellim.

“Jem kane shpi e madhe. Oborri jone i ka pase 3 shpi. Pa fmije kurre s’ke mujte me pa kete vend. E tash? Tash dy dhoma po na dalin boll”. – pati thane plaku, qe kish mbete vec me nje çike.

“Kam nejt 7 vjet n’gurbet. I kam lane babe e nane, gru e vllazni. 3 fmij’ qe veç qe e kane dite qe kane babe diku. Kam punu pa nal’. Kur e marova shpine, thash po kthehna, e po jetoj me ta. Lufta ia nisi e shkova ne lufte, edhe e lash deren e shpise hapun, se kur kthehna kam me u kthy qe mos me ike ma kurre. Kur u ktheva s’pashe ma shpi, as babe e nane, as gru e fmij’. Vec nji vlla qe s’ma din ma as emnin. Zoti m’i rujt ment e kres’, po pishman s’jam”. – pati thane nje burre ne te 40-tat, ulur te pragu i ahrit.

“M’ka ra trupi i nanes mbi, e plumat m’kane preke veç pak. M’ka ra te fikt, e veç kur jam çu e kam pa veten ne nji vend si spital. Mas dy jave e kam marre vesh qe kam mbete veç une. E na kemi qene 14. 13 pervjetore ne nje dite! Dhimja a’ e madhe, po e di qe ata i kishin dhane krejt per liri. – pati thane vajza qe familjen e ka humbe si 12 vjeçare.

A guxon kush me i gjete keta persona e me i pyet a ndjehen prape njejte mbi humbjet e tyre per hater te lirise?

“Varri nuk harron, por harron harrimi”. E jete nuk eshte veç me qene gjalle. Ka ardhe koha me u kujtu, mos me harru ma!/ KultPlus.com

Tringa Kelmendi

Përkundje në djep

Poezi e shkruar nga Bekim Muhaxheri

Në të djathtë rrinte engjëlli

E në të majtë djalli

Të dy me fjalë

Dhe ngjyra të ndryshme

Përkundësja zakonisht ishte nëna

Që fliste ose këndonte

Për beteja të largëta

Të së mirës me të keqen

Për ndeshje në qiell

Të dragonjve me kuçedrat

Për një kalorës

Që edhe i vdekur

E kthente të motrën në shtëpi

Për ta mbajtur besën…

Ne nuk merrnim vesh asgjë

Por pavetëdijshëm na krijohej

Shpirti i luftës së drejtë.

Rrëfimet vazhduan

Edhe pasi lamë djepin

Por kur u rritëm

Nuk na dolën flatra dragonjsh

Nën sqetulla,

Nuk pamë as kuçedra,

E kuajt nuk përdoreshin

Më nëpër beteja.

E megjithatë,

Diçka nga ato rrëfime

E mbetur brenda nesh

Nuk na lejon as sot

Të bëjmë keq.

Shpëtimi i hebrenjve gjatë Holokaustit, Shqipëria shpallet “Shtëpi e Jetës” nga fondacioni ndërkombëtar

Në Ditën Ndërkombëtare të Kujtesës për viktimat e Holokaustit, nën kujdesin e veçantë të Presidentit të Republikës, Ilir Meta, u zhvillua sot ceremonia e shpalljes së Shqipërisë “Shtëpi të Jetës” nga Fondacioni Ndërkombëtar “Raoul Wallenberg” që u kurorëzua me përurimin e pllakatit.

Në fjalën e tij Presidenti Meta tha se kjo është një ngjarje jashtëzakonisht kuptimplote, e cila nderon dhe respekton të gjithë shqiptarët.

“Në mënyrë të veçantë ky akt nderon ata burra dhe gra shqiptare, që të udhëhequr nga kodi ynë shumëshekullor zakonor i mikpritjes dhe Besës, nën parimin se ‘Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut’, strehuan bujarisht e pa u kursyer, vunë në rrezik jetën e tyre dhe atë të familjeve, duke shpëtuar nga përndjekja dhe shfarosja e sigurt, qindra e mijëra hebrenj gjatë Holokaustit, njërës prej periudhave më të errëta të njerëzimit”, tha Presidenti.

Ndërkohë që zëvendëspresidenti i Fondacionit Ndërkombëtar “Raoul Ëallenber”, Daniel Rainer në fjalën e tij vuri në dukje se në Shqipëri nuk është dëgjuar të ketë pasur as edhe një rast të vetëm denoncimi.

“Mësuam se kjo përpjekje shpëtimi nuk ishte rastësi. Përkundrazi! Ky gjest fisnik është pjesë e kodit gjenetik shqiptar, të njohur si BESA, fjala e nderit që shpjegon mikpritjen njerëzore të shfaqur nga populli shqiptar ndaj të përndjekurve, pa pritur e pa kërkuar asgjë në këmbim dhe duke u përballur me rrezikun e madh për jetën e shpëtimtarëve si dhe familjet e tyre.

Kjo është arsyeja pse Fondacioni ynë e shpall Shqipërinë, vendin dhe popullin e saj, si ‘Shtëpia të Jetës’. Asnjë vendi tjetër nuk iu është njohur kurrë kjo njohje e vlerësim. Heroizmi i popullit shqiptar duhet t’i shpaloset e bëhet me dije mbarë botës”, tha ndër të tjera ai. /Real-news.tv/

Shqiptarë që strehuan hebrenjtë: 75 pemë rriten në Jerusalem, secila prej tyre është memorial për një hero shqiptar

Shqipëria, vendi i vetëm me shumicë myslimane në Evropë, ishte gjithashtu kombi i vetëm evropian që doli nga Holokausti me një popullsi më të madhe hebreje, shkruan një nga faqet më të njohura hebraike, aish.com.

Yad Vashem (Qendra Botërore Përkujtimore e Holokaustit – WHRC), ka njohur 75 shqiptarë. Duke patur parasysh se Shqipëria është një vend i vogël dhe komuniteti hebraik i paraluftës ishte vetëm 200 persona, ky numër është shumë i madh. Një hebre gjatë Luftës së Dytë Botërore kishte të paktën 10 herë më shumë të ngjarë të shpëtohej në Shqipëri sesa në qendrat e mëdha hebraike si Lituania dhe Polonia. Shqiptarët gjithashtu shpëtuan qindra refugjatë hebrenj, të cilët erdhën në vend nga Gjermania, Austria, Greqia dhe vende te tjera.

Një burim i kësaj trimërie të pabesueshme në Shqipëri ishte kodi lokal në bazë të të cilit qeveriset edhe sot pjesa më e madhe e shoqërisë shqiptare. Kanuni është një sistem i lashtë aleancash që ka çuar ne gjakderdhje të tmerrshme dhe dhunë. Por, lufta është vetëm mes burrash; zakonet shqiptare thonë se gratë dhe fëmijët nuk preken.

”Kur shqiptarët panë se nazistët po vrisnin gra dhe fëmijë”, shpjegon Prof. Eliezer Papo, një historian në Universitetin Ben Gurion të Izraelit, ”ata u tmerruan”.

”Burrat që vrasin burra të tjerë është pjesë e jetës në traditën shqiptare”, thotë profesor Papo, ”ndërsa vënia e grave në shënjestër është një gjë e shëmtuar”.

Një aspekt tjetër unik i këtij ligji fisnor shqiptar është Kodi i Besës, që kërkon mbrojtjen e miqve.

Shqiptarët, të cilët ndjekin zakonin e Besës, shpesh ishin të gatshëm të bënin çdo gjë, përfshi vënien në rrezik të jetës së tyre dhe të familjeve të tyre për të mbrojtur miqtë.

Kjo paraqiste rreziqe të mëdha.

”Gjermanët sundonin në Shqipëri dhe në çdo pemë apo shtyllë elektrike ne pamë partizanë të varur, pjesa më e madhe të ekzekutuar për të frikësuar njerëzit që ata të mos fshihnin partizanë dhe hebrenj”, kujton Aron Aladjem, i cili u shpëtua së bashku me familjen e tij nga shqiptarë, të cilët vunë jetën e tyre në rrezik dhe hapën shtëpitë për hebrenjtë.

Aron Aladjem ishte 10 vjeç në 1943, kur ai dhe prindërit e tij Nissim dhe Sarah Aladjem ikën nga Bullgaria për të ardhur në Shqipëri. Ata u kapën nga pesë policë shqiptarë të cilët po bashkëpunonin me forcat pushtuese. Por, në vend që t’ia dorëzonin familjen autoriteteve pushtuese, policët shqiptarë i dërguan hebrenjtë e tmerruar te shqiptarët lokalë të cilët i strehuan.

Për vite të tëra, kjo dhe histori të tjera për heroizmin e shqiptarëve kaluan në heshtje. Gjatë viteve të diktaturës komuniste, shumë shqiptarë e patën të vështirë të flisnin për jetën e tyre gjatë luftës. Sot po bëhen të njohura gjithnjë e më shumë hollësi për shqiptarët të cilët shpëtuan hebrenj.

Vesel dhe Fatime Veseli, si edhe tre djemtë e tyre Hamidi, Refiku dhe Xhema, kanë dëshmuar historinë e tyre të shpëtimit të refugjatëve hebrenj. Përpara luftës, familja punësoi të paktën dy hebrenj dhe që të dy refugjatët ishin nga Jugosllavia. Joseph Ben Joseph punonte për Hamidin në dyqanin e tij të veshjeve dhe Moshe Mandil punonte për Refikun në studion e tij fotografike.

“Me ardhjen e pushtimit gjerman në vitin 1943, të dy familjet hebraike u shpërngulën në shtëpinë e familjes sonë, në Krujë”, kujtoi Hamidi dhe Xhemal Veseli.

Vëllezërit shpjeguan se si funksiononin shpëtimet në atë kohë.

“Xhemali i shoqëroi prindërit ditë dhe natë për 36 orë derisa arritën në shtëpinë e familjes tonë. Ne i veshëm ata si fshatarë”, kujton Veseli.

“Dy ditë më vonë, i transportuam fëmijët në Krujë. Gjatë ditës, më të mëdhenjtë i fshehëm në një shpellë, në malet pranë fshatit tonë. Fëmijët luajtën me fëmijët e tjerë të fshatit. E gjithë lagjja e dinte se ne po strehonim hebrenj. Gjithashtu, kishte edhe familje të tjera hebreje që po strehoheshin në zonë. Një ditë, gjermanët ishin duke kryer kërkime shtëpi më shtëpi për një armë të humbur. Ata nuk e gjetën kurrë armën dhe e ekzekutuan ushtarin që e kishte humbur atë”.

Familja Veseli vazhdoi t’i strehonte dy familjet hebreje për nëntë muaj, deri në përfundim të luftës. Ata kanë ruajtur kontaktet me familjen Mandil që më vonë u zhvendos në Izrael.

Ashtu si shumë shqiptarë të tjerë, familja Veseli shpjegon veprimet e saj në lidhje me kodet e nderit të Shqipërisë për të qënë mikpritës ndaj personave në nevojë.

“Katër herë i kemi hapur dyert tona, ne shqiptarët”, thonë vëllezërit.

“Së pari, për grekët gjatë krizës së urisë së Luftës së Parë Botërore, pastaj për ushtarët italianë të bllokuar në vendin tonë pas dorëzimit të tyre tek Aleatët, pastaj për hebrenjtë gjatë pushtimit gjerman dhe së fundmi, për refugjatët shqiptarë nga Kosova që iu shpëtuan serbëve”, shtojnë ata.

Refik Veseli është shqiptari i parë i nderuar me titullin ”Të Drejtë Mes Kombeve” nga Yad Vashem (WHCR) në vitin 1987.

Një nga fëmijët që ai shpëtoi, Gavra Mandil, u rrit në Izrael dhe në vitin 1987 bëri një apel personal për presidentin autokratik të Shqipërisë në atë kohë për të lejuar familjen Veseli për të shkuar në Izrael dhe për të marrë pjesë në ceremoninë e dhënies së titullit. Çuditërisht, presidenti i Shqipërisë ra dakord, dhe Refiku dhe gruaja e tij u lejuan të udhëtonin në Jerusalem. Në vitin 2004, pas publikimit së dokumentacioneve shtesë, Yad Vashem e nderoi Hamid dhe Xhemal Veselin me titullin ”Të Drejtë mes Kombeve”.

Një familje tjetër shqiptare e gatshme për të rrezikuar jetën dhe shpëtuar hebrenjtë ishte edhe familja Hoxha, që strehonte Aron Aladjemin dhe prindërit e tij që, pasi u arrestuan nga policia shqiptare, iu dorëzuan vendasve simpatizantë dhe jo autoriteteve pushtuese.

Nuro Hoxha ishte një mësues mysliman dhe njeri i fesë. Pavarësisht faktit se një festë e rëndësishme myslimane po afronte, ai mbylli dyqanin e tij të ëmbëlsirave në një prej ditëve më me xhiro të vitit dhe mori familjen Aladjem në shtëpinë e tij duke boshatisur një dhomë për ta. Djali më i madh i Nuros, Sazani, kujton se si ishte të jetoje në atë kohë: ”Më kujtohen ato kohë të tmerrshme kur nazistët erdhën në Vlorë dhe hebrenjtë filluan të fshiheshin. Isha vetëm 10 vjeç”.

”Babai im strehoi tre breza hebrenjsh. Ata ishin të gjithë miqtë e tij. Më kujtohen fjalët e babait për ata që mori në shtëpi: ‘Tani ne jemi të gjithë një familje. Ju nuk do të vuani nga asnjë e keqe. Djali im dhe unë do t’ju mbrojmë juve nga rreziku me jetën tonë’. Ne i fshehëm familjet në bodrumet nëntokësore që ishin poshtë shtëpisë sonë të madhe. Aty gjendeshin tre breza të familjes së Ilia Solomonit dhe Mojsi Negrinit (dy prej familjeve hebreje që ata strehuan), në total 12 persona. Kishte edhe të tjerë, por nuk më kujtohen emrat… Ishte puna ime të gjeja ushqim për familjet në bodrum dhe të blija gjërat e nevojshme. Të gjithë banorët e Vlorës ishin antifashistë dhe të gjithë e dinin se shumë familje po strehonin hebrenj”.

Nuro Hoxha është vlerësuar me titullin ”Të Drejtë Mes Kombeve” në vitin 1992. Djali i Nuros, Rexhep Hoxha, beson se është thelbësore që njerëzit të kujtojnë veprimet e babait të tij.

”Gjyshi im ishte një klerik mysliman. Për atë, të largohej nga shtëpia dhe të krijonte hapësirë për këto familje hebreje, nuk kishte tolerancë më të bukur”, shpjegon ai.

Në vitin 2000, Rexhepi bëri veprimin e tij të miqësisë, duke u kthyer tre libra hebraikë lutjesh, që familja e Aladjemit kishte lënë në shtëpinë e tij, tek pasardhësit e tyre në Izrael.

Dhënia e Besës ishte kaq e përhapur në Shqipëri sa disa hebrenj nuk kishin nevojë as të fshiheshin, me besimin se fqinjët e tyre shqiptarë nuk do t’i dorëzonin kurrë ata. Një hebre shqiptar, Rafael Jakoel, kujton më vonë momentin kur në vitin 1943 ushtarët gjermanë u futën në Shqipëri. Rafaeli dhe kunati i tij u takuan me kryetarin e bashkisë së qytetit të tyre, Vlorës.

”Për sa kohë që do të jeni këtu, ju nuk keni pse të shqetësoheni, por gjermanët janë gjermanë, kështu që më mirë shkoni në kryeqytet”, u kishte thënë kryetari i bashkisë.

Rafaeli dhe kunati i tij shkuan në Tiranë, kryeqytetin e Shqipërisë, dhe u takuan atje me Xhafer Devën, ministrin e Brendshëm të Shqipërisë në qeverinë fashiste, që po bashkëpunonte me gjermanët. Ministri Deva u tregoi kunetërve hebrenj një listë të hebrenjve që autoritetet gjermane i kishin kërkuar. Ministri nuk ua dha kurrë gjermanëve këtë listë.

Anëtarët e tjerë të familjes Jakoel u fshehën nga nënkryetari i bashkisë së qytetit të tyre, Vlorës. Fëmijët e Jakoelëve luanin me fëmijët e nënkryetarit të bashkisë dhe hiqeshin sikur ishin edhe fëmijët e tij.

Pas luftës, Rafael Jakoel, si shumë hebrenj të tjerë shqiptarë, iku në Izrael.

Historianët dhe hulumtuesit vazhdojnë të dokumentojnë historitë e jashtëzakonshme të myslimanëve shqiptarë, të cilët ndihmuan dhe fshehën hebrenjtë.

Sipas Yad Vashemit (WHRC), ”shqiptarët u përpoqën shumë për t’u siguruar ndihmë, për më tepër ata konkurruan me njëri-tjetrin për privilegjin për shpëtimin e hebrenjve. Këto veprime e kishin origjinën te dhembshuria, te mirësia që buronte nga dashuria dhe te dëshira për të ndihmuar njerëzit në nevojë, edhe pse këta të fundit ishin të një feje apo origjine tjetër”.

Sot, 75 pemë rriten në Jerusalem, ku secila prej tyre është një memorial për një hero shqiptar, i cili ka marrë titullin ”Të Drejtë Mes Kombeve”. /ATSH/

Kryeministri Rama hap ekspozitën në Berlin

 Kryeministri Edi Rama ka hapur ekspozitën e tij të radhës në Berlin. Në hapje të ekspozitës së titulluar “Puna”,  në galerinë Carlier/ Gebauer në Berlin, Kryeministri Rama është i shoqëruar edhe nga familja e tij.

E njohur si njëra nga galeritë më bashkëkohore, ajo ka zgjedhur artistin, kryeministrin shqiptar, për të hapur siparin e aktiviteteve për këtë vit.

Për kuratorin e njohur Hans Ulrich Obrist Rama nuk e sheh artin si një luks, por si një element thelbësor të jetës. “Arti nuk është i ndarë nga politika, bashkëjeton më të”, shprehet Obrist.

Rama ka ekspozuar letra të pikturuara muri, skica, vizatime, skulptura. Ndërsa në intervistën e dhënë për prestigjiozen gjermane “Die Welt”, Rama  tha se “për herë të parë do të ekspozoj edhe shënime të një dite normale pune në zyrë. Dhe në Berlin natyrisht nuk do të mungojnë edhe punimet që kam krijuar gjatë takimeve të mia këtu në kryeqytetin gjerman”./ata

Shpëtoi 669 fëmijë nga Holokausti, e mbajti sekret për 50 vite (VIDEO)

D

Ky burrë ishte i ftuar si një spektator në një spektakël televiziv. Nuk arrinte të kuptonte përse papritur të gjithë u ngritë në këmbë. Përgjatë 50 vjetëve ai ka ruajtur një sekret të madh, i cili më në fund u zbulua.

Nicholas Winton filloi i vetëm të shpëtonte fëmijë hebre nga holokausti, arriti të shpëtonte 669 fëmijë, pjesa më e madhe ishin fëmijë hebre nga Cekoskollavkia duke i dërguar në Angli. I ndihmoi duke u gjetur familje të reja për ta. Pjesa më e madhe e prindërve të këtyre fëmijëve kishin vdekur në kampin e përqendrimit të Auschwitz. Winton nuk ka folur kurrë me askënd për këta fëmijë, deri në momentin që Greta, gruaja e tij, gjeti një album të dhënash, 50 vite pas ndodhisë.

Albumi përmbante emrat edhe fotografit e  çdo fëmije të shpëtuar nga Winton. Gruaja e tij dërgoi njërin prej albumeve një gazetari dhe Nicholas u ftua në një spektakël televiziv. Ishte gjithçka e qartë se njerëzit ulur afër tij ishin fëmijët që ai kishte shpëtuar. Ishin rritur dhe kishin ardhur personalisht ta falënderonin për ndihmën e dhënë.

Nicholas Winton vdiq në vitin 2015 në moshën 106 vjeçare. /KultPlus.com

“Miku i fëmijëve”, historia e errët pas fotos së famshme të Stalinit me vajzën sovjetike

 

Fotografia e famshme e Joseph Stalinit me një vajzë të vogël që e mbante në krahë, e portretizoi atë si një lider të dashur. Mirëpo, kjo fotografi nuk pati të njëjtin impakt për vogëlushen që shfaqet në të, Engelsina Markizova, prindërit e së cilët u vranë.

Në vitin 1934, Engelsina Markizova, një vajzë sovjetike 7-vjeçare, kaloi 15 minuta me udhëheqësin sovjetik, Joseph Stalin.

Ardan Markizov, babai i Engelsinës, ishte një komunist i devotshëm, i cili ia vuri emrin vajzën së tij sipas Friedrich Engelsit, dhe djalin e tij e quajti Vladlen, sipas Vladimir Leninit.

Markizov ishte një zyrtar i suksesshëm sovjetik. Në vitin 1936 punoi si Komisar Popullor i Bujqësisë në Republikën Autonome Sovjetike-Socialiste të Buryat-Mongol-it në Siberi.

Ishte një nder i madh për Markizov që të udhëtonte në Moskë me një delegacion zyrtar të Buryat-Mongol-it, vetëm për të takuar Stalinin, por ishte vajza e tij ajo që e vodhi shfaqjen.

“Gjithashtu kam dashur të shkoj të shoh Stalinin dhe iu luta babait tim që të më marrte me vete, por ai kundërshtoi”, kujton disa dekada më vonë Engelsina, shkurt Gelya.

“Nuk je anëtare e delegacionit, që të lejojnë të hysh” , i thoshte babai.

Nëna, megjithatë e përkrahte.

Çuditërisht, doli se fëmijët u lejuan të vizitonin Kremlinin pa një leje të veçantë, kështu Markizov e mori Gelyën me vete. Në një moment, pasi u habit me fjalimet e pafundme të zyrtarëve mbi përparimin në fermat e tyre bujqësore, fëmija 7-vje­çar vendosi të përqafonte udhëheqësin sovjetik.

“Kam marrë dy buqeta me lule dhe shkova në presidium, duke menduar që unë do t’i jap atij këto lule”, tha Markizova.

Megjithëse i habitur, Stalini dukej i lumtur, madje e mbajti Gelyan në krahë dhe e vuri në tryezën e presidiumit. Ajo i dha atij lule dhe, kur e përqafoi, gazetarët filluan të fotografonin.

“A të pëlqejnë orët?”, e pyet Stalini vogëlushen. “Po” ishte përgjigja e vajzës, ndonëse ajo kurrë nuk kishte patur një të tillë.

Dhe udhëheqësi i dha Gelyas një orë prej ari dhe familjes së saj një gramafon. Por, ato nuk do të ishin dhurata e vetme që ajo do të merrte.

Anatoli Alay, drejtori i filmit të papërfunduar “Stalini dhe Gelya”, citon kryeredaktorin e gazetës “Pravda”, Lev Mekhlis: “Perëndia vetë na e dërgoi këtë vajzë të vogël nga Buryati. Do ta bëjmë ikonë të një fëmijërie të lumtur”.

Dhe kështu ndodhi, pasi fotografia Stalinit dhe të Gelyas u botua në të gjitha gazetat dhe u quajt “Miku i fëmijëve”.

“Kur hyra në sallën e hotelit të nesërmen, dhoma ishte e mbushur me lodra dhe dhurata të tjera… dhe kur prindërit e mi dhe unë u kthyem në Ulan Ude, njerëzit më përshëndetën njëlloj sikurse më vonë do të përshëndesnin astronautët”, kujton Markizova.

Georgy Lavrov, një skulptor i famshëm, krijoi një monument për Stalinin dhe Gelyan, i cili u bë shumë popullor.

Gelya ishte kudo, por jo për shumë kohë. Një vit e gjysmë më vonë, në vitin 1937, gjithçka përfundoi: Ardan Markizov, i përkushtuari komunist i cili adhuronte Stalinin, u arrestua.

“Babai ishte i sigurt se ishte një gabim dhe se ai do të kthehej”, kujton Gelya.

Por, kjo nuk ndodhi. Ai u dënua padrejtësisht për spiunazh për Japoninë dhe u qëllua në qershor të vitit 1938. Letrat e të bijës për Stalinin, ku ajo i lutej për mëshirë, nuk ndihmuan.

Udhëheqësi nuk u ndie kur jeta e Gelyas po copëtohej. Autoritetet arrestuan edhe nënën e saj Dominika dhe e dëbuan atë në Kazakistan, ku u zbulua në vitin 1938.

Markizova besonte se edhe nëna e saj ishte vrarë: kreu i shërbimit sekret vendës i dërgoi një letër Lavrenty Berias, shefit të policisë sekrete të Stalinit, ku shprehte shqetësimin se Dominika mund të përpiqet të nxjerrë veten të pastër duke përdorur “lidhjen” e vajzës së saj me Stalinin.

“Me këtë kërkesë, Beria shkroi me një laps blu: Eliminoje” ,tha Gelya.

Sa i përket vetë Gelyas, ajo u fshi nga raportet zyrtare. Një çështje e ndërlikuar – Stalini nuk mund të dilte në foto me “bijën e armikut të popullit”. Por, gazetat ishin botuar tashmë dhe skulpturat ishin bërë, kështu që prej nga ai moment vajza nëpër foto u quajt Mamlakat Nakhangova. Gelya Markizova u fshi.

Jetimja nëntëvjeçare kishte mbërritur në Moskë, ku ka jetuar me hallën e saj, duke marrë dhe mbiemrin e saj Dorbeyeva. Për fat të mirë, autoritetet vendosën kundër eliminimit të saj.

Ajo u martua dy herë dhe punoi si orientaliste e specializuar në Kamboxhia. Në vitin 2004, vetëm disa javë pasi Anatoli Alay filloi të drejtonte një film rreth saj, Engelsina vdiq. Ajo ishte 75 vjeçe.

“Vetëm pasi njerëzit filluan të kthehen nga kampet e punës dhe të vërtetat u zbulua për epokën e Stalinit, e kuptova çfarë ishte ai”, tha ajo duke kujtuar se pavarësisht të gjithave ajo ka qarë e ka bërtitur ditën e vdekjes së Stalinit, ashtu sikurse edhe shumë sovjetikë të tjerë. Kaq shumë karizmatik kishte qenë “miku më i mirë i fëmijëve”. /Russia Beyond/Gazeta Tema/KultPlus.com

Shqiptarët vizitojnë Hotel Brufani, aty ku 100 vite më parë ndërroi jetë Ismail Qemali

Nga Flutura Açka

Mbrëmë, bujtëse jo aq rastësisht në qytetin e Perugias, nuk e kisha atë ndjesinë e thjeshtë të turistes, siç më ndodh përherë. Ishte mbrëmja e 26 janarit, dhe këmbët më çuan në Hotel Brufani, aty ku 100 vjet më parë, në kushte ende të paqarta, ndërroi jetë Ismail bej Vlora, një prej themeluesve të pavarësisë së Shqipërisë, babai i shtetit shqiptar. Me miqtë e mi, me të cilët vendosëm të vizitonim hotelin në nderim të Ismail Qemalit, kërkuam për një tufë lule në qendrën e vjetër të qytetit, dhe pasi nuk gjetëm, mblodhëm një tufë degësh të blerta, me shpresën që do të mund t’i vinim në dhomën e tij, e cila për fat a për arsye që vetëm rastësi të shenjta e shpjegojnë, ishte e lirë. Tek flisnim në holl me mbikëqyrësit për vizituar dhomën 212, na afrohet njëri prej tyre me fytyrë të qeshur dhe na shoqëron me çelësin në dorë.

Tek hap dhomën na thotë se është shqiptar që jeton prej 18 vitesh në Perugia dhe se ka vetëm tri ditë që ka filluar punë në Hotel Brufani. Rolandi, siç thotë, nuk e ka dëgjuar kurrë historinë që i tregoj dhe kjo më trishton shumë. Sa pak u kemi mësuar brezave nga historia jonë. Sa pak jemi kujdesur ta ruajmë. Kur zbresim në holl që të falënderojmë mbikëqyrësit bujarë, një grup shqiptarësh na tërheqin vëmendjen. Ata janë stërnipërit e stërmbesat e familjes Vlora që kanë ardhur të nderojnë stërgjyshin e tyre. Ne presim të mbarojnë vizitën e tyre që të pimë një kafe bashkë. Duke ditur “sherret” shqiptare mbi datat e njerëzve të rëndësishëm të historisë së Shqipërisë, kisha menduar se përkujtimet ishin bërë në datën 24, por familjarët këmbëngulën që data e vdekjes së Ismail bej Vlorës është 26 janari. Ata e dëshmojnë këtë me dokumente. Dhe kanë vetëm një kërkesë të thjeshtë: historianët të thonë fjalën e tyre të bazuar në dokumente dhe figura e Ismail Qemalit të ketë respektin e merituar.

Ne flasim gjatë dhe njeri prej miqve, i ardhur enkas nga Vlora, lexon një poezi të Ali Asllanit për Ismail bej Vlorën. Në fund shkruajmë emrat tanë në një copë letër që mban datën 26 janar 2019. Jashtë qelqeve po binte muzgu që do të sillte natën plot drita të Peugias, atë natë që 100 vite më parë kishte sjellë vetminë e njërit prej burrave më të rëndësishëm të shtetit shqiptar. /KultPlus.com

Gallup: Shqipëria në vendin e parë me popullin më pozitiv në botë, Kosova e fundit në Ballkan


Një raport i ri mbi ndjenjat e njerëzve, i bërë nga Gallup, ka renditur Shqipërinë ndër vendet më pozitive në botë, ndërkaq Kosova renditet e fundit në Ballkan.

Sipas studimit të Gallup, shqiptarët e Shqipërisë, ndonëse jetojnë në një ndër shtetet më pak të zhvilluara të Evropës, dinë të shijojnë jetën dhe nuk u mungojnë emocionet e mira.

Shtetet që kryesojnë këtë studim janë ato latine si Paraguai, Kosta Rika dhe Panamaja, ndërsa në fund renditen Jemeni, Turqia dhe Iraku.

Ndërkaq, në Ballkan rezultatet janë thuajse të njëjta, Shqipëria me 51% ndiqet nga Maqedonia e Veriut me 47%, Mali i Zi me 46%, Serbia me 42%, Bosnja Hercegovina dhe Kosova me 41%, përcjell Telegrafi.

Ky studim është kryer nga Gallup, fokusohet kryesisht në sjelljet njerëzore të një vendi, dhe bazohet në pyetjet që iu janë bërë njerëzve kudo në botë rreth respektit për të tjerët dhe vetes, çfarë mësojnë dhe a u intereson ajo, a qeshin shpesh, a shijojnë ditët e jetës së tyre çdo ditë etj. Ndërsa për të kapur ndjesitë negative pyetjet bazoheshin në dhimbjet e përjetuara, shqetësimet, stresi e të tjera.

Ndërsa Greqia rezulton në nivelet më të stresuara në të gjithë botën, me rreth 66% të të intervistuarve që pohojnë se kanë përjetuar stres ditëve të fundit./KultPlus.com

Kurora e lumit Seman, një tjetër park natyror për t’u zbuluar

I shpallur monument natyre, kurora e lumit Seman (Adriatik, Libofshë) është një park i mrekullueshëm natyror që tërheq gjithmonë e më tepër turistët e natyrës.

Një pasuri e rrallë natyrore, krejt e panjohur dhe e pazbuluar, ky park fton të gjithë turistët ta vizitojnë në çdo stinë të vitit.

Parku cilësohet si i vetmi pyll autokton myzeqar dhe është një resurs që shërben në mënyrë fantastike për turizëm natyror dhe ekskursione të organizuara.

I shtrirë në rrjedhjen e poshtme të lumit Seman, në afërsi të Libofshës, rreth 1 m mbi nivelin e detit, kurora e pemëve ndjek shtratin e dikurshëm të lumit Seman, të braktisur prej tij, si pasojë e karakterit tepër endacak në këtë sektor të rrjedhjes së tij.

Parku natyror është disa kilometra i gjatë dhe me sipërfaqe rreth 44 ha. Në të është formuar një ekosistem i veçantë, që dallohet për biodiversitet të lartë.

Pylli ruan të gjitha llojet e drurëve me të cilat ka qenë e mbuluar Myzeqeja si: vidhi, rrënja, rrapi, verriu, shelgu, frashëri, plepi i bardhë, dëllinja, dafina, dëllinja e zezë dhe shumë shkure të tjera.

Kurora e lumit Seman (Adriatik, Libofshë) ka rëndësi shkencore sidomos biologjike, ka vlera të veçanta ekologjike. /KultPlus.com

Viti i Ismail Qemalit dhe Edith Durham në Muzeun Historik Kombëtar

Muzeu Historik Kombëtar është kthyer tashmë një vend sa informues, po aq dhe atraktiv, pasi ofron informacion mjaft të gjerë mbi periudhat historike dhe ngjarjet, por mbi të gjitha është vendi që mbledh të gjitha grupmoshat, për shkak të aktiviteteve të larmishme që organizon.

Ky muze çdo vit në data të shënuara organizon konferenca, ekspozita si dhe aktivitete të ndryshme mbi figura të rëndësishme për vendin, për të njohur publikun me rëndësinë dhe gjurmët e tyre në historinë tonë.

Viti 2019 në Muzeun Historik Kombëtar do të sjellë mjaft ngjarje dhe aktivitete të rëndësishme dhe informuese për çdo grupmoshë.

Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi në një deklarim për Agjencinë Telegrafike Shqiptare tregon risitë dhe detaje mbi rikoceptimin e këtij muzeu.

”Vitin 2019 ne e kemi shpallur si institucion një vit i kushtuar figurës së Ismail Qemalit, për shkak të 100-vjetorit të vdekjes dhe 175-vjetorin e lindjes. Më datë 28 janar ne do kemi një ekspozitë dhe një minikonferencë e cila do i kushtohet figurës së Ismail Qemalit”, tha Koçi.

”Gjithashtu 2019 përkon dhe me 75-vjetorin e Edith Durham një nga figurat më të rëndësishme të promovimit të Shqipërisë dhe imazhit të saj nëpër botë. Ne do zhvillojmë një ekspozitë dhe një konferencë mbi rëndësinë e kësaj figure. Një tjetër ngjarje e rëndësishme është dhe 80-vjetori i agresionit fashist ndaj Shqipërisë, e cila lidhet ngushtë dhe me 75-vjetorin e çlirimit të atdheut”, u shpreh ai.

”Për këto dy ngjarje ne po bashkëpunojmë me fondacionin ”Antonio Gramshi” në Puglia, Itali, për të bërë të mundur hapjen e një ekspozite dhe një konferencë me studiues italianë dhe shqiptarë përsa i përket kontributit të batalionit partizan ”Antonio Gramshi” në Shqipëri”, u shpreh drejtori Koçi.

Mbi rikonceptimin ai tha se, ”është akoma duke përfunduar projektideja e rikonceptimit të Muzeut Historik Kombëtar (…) dhe grupi i punës po vazhdon të punojë. Gjithashtu kemi dhe një vendim nga qeveria që, përveç pavijoneve ekzistuese, të kemi dhe pavijonin e Diasporës”, përfundoi Dorian Koçi. /r.e/ KultPlus.com

Kur regjimi komunist parashikonte: Fëmija Tedi Papavrami, e ardhmja e violinës botërore

Në vjeshtën e vitit 1981, në zyrat më të larta të shtetit shqiptar diskutohej për talentin e rrallë të një violinisti të vogël. Ai ishte Tedi Papavrami, 10 vjeç. Kishte disa vite që kishte rënën në sy me interpretimet e tij virtuoze në violinë e dhuntitë e rralla të tij kishin nisur t’i kapërcenin kufijtë.

Në një varg shkresash zyrtare të tetorit 1981 e në vijim deri në një vit më vonë, në zyrat e regjimit diskutohej se si mund ta çonin këtë fëmijë me aftësi të rralla për t’u shkolluar në Francë.

Si në çdo rast tjetër, burokracitë e shtetit komunist i zvarrisin shkresat zyrtare për të dhënë lejen qëndrimi në Francë, e sidomos për të lejuar të atin e violinistit të vogël që ta shoqëronte të birin të paktën në periudhën e përgatitjeve për konkurs. Megjithatë, Tedi Papavrami arriti të shkojë në kohë në Francë për t’u përgatitur për konkursin e parë, i cili ishte në tre faza.

Konkursi i parë ku Tedi do të paraqitej mbahej më 12 tetor 1982, dhe aty i vogli shqiptar do të konkurronte me 150-200 violinistë të tjerë të moshës së tij nga e gjithë bota. Prej tyre, siç njoftohej nga ambasada shqiptare në Paris, do të zgjidheshin vetëm 20 vetë, të cilët do të konkurronin mes tyre në konkursin e dytë me 12 nëntor të atij vitit. Më tej, finalistët e përzgjedhur do të nisnin menjëherë konservatorin, i cili zgjaste deri në 5 vjet.

Siç dëshmojnë shkresat zyrtare, Tedi Papavrami dhe i ati, profesor Robert Papavrami, arritën të shkojnë në Paris dhe në konkursin e parë Tedi shkëlqeu. Po ashtu edhe në konkursin e dytë, duke u përzgjedhur për të vijuar më tej konservatorin.

Në vargun e gjatë të shkresave zyrtare këmbyer për këtë rast, vlen të veçohet një sosh dërguar ministres Tefta Cami, ku i jepet lajmi se Tedi Papavrami e kishte fituar konkursin e parë dhe në interpretim kishte shfaqur shfaqur aftësi të jashtëzakonshme. Në radiogramin e dërguar në Minstrinë e Jashtme theksohej se “në të ardhmen ai mund të bëhej violinist me famë botërore”.

Ja teksti i plotë i kësaj shkrese:

Shoqja Tefta,
me 18.10.82 erdhi ky radiogram i mbyllur nga Ministria e Punëve të jashtme:

“Tedi Papavrami e mori konkursin e parë. Të dytin e ka me 20 nëntor. Profesori i tij i tha Thomait se djali ka të dhëna të jashtëzakonshme dhe mund të bëhet violinist me famë botërore.

Por sipas tij është e nevojshme të ketë një tutor muzikant. Tani për tani mendojmë që, patjetër, i ati të qëndrojë këtu edhe një muaj, deri në konkursin tjetër, që është periudhë pune tepër intensive.

18.10.1982

Dega e jashtme

Në fund të dokumentit janë një varg shënimesh me shkrim dore, ku pjesa më e madhe, mes tyre edhe vetë Ramzi Alia, shprehen se janë dakord që Robert Papavrami të qëndronte në Francë me të birin deri në konkursin e dytë.

Ja disa prej shënimeve:

Më 19.10.82 sh.Tefta porositi që R.Papavrami të mos kthehet deri në një njoftim të dytë”.

“Jemi dakord që R. Papavrami të qëndrojë edhe një muaj në Francë”.

“Jam dakord që të qëndrojë i ati deri në konkursin e dytë”.

“Jam, dakord”

Ramiz Alia (firma) ….

Muzikanti i vogël virtuoz shkëlqeu edhe në konkursin e dytë dhe në fund e fitoi bursën e shtetit francez, duke ndjekur një prej konservatorëve më të mirë të muzikës në Europë dhe duke e plotësuar parashikimin  e bërë pas konkursit të tij të parë, e pikërisht nga Partia, “se një ditë ai mund të bëhej një violinist me famë botërore”. 

Por vite më vonë, ai “nuk do i ishte mirënjohës” Partisë, pasi profesor Papavrami, së bashku me të birin vendosën të mos kthehen në Shqipëri. Ishte një lloj arratisjeje nga ato që u shpeshtuan në fundin e viteve ’80, e që përfshinë sidomos kategori prej atyre që ua donte puna të dilnin “jashtë shtetit”, mes të cilëve veçoheshin sportistët.

Kujtojmë se krahas Tedi Papavramit, në vitet ’80 do ishin dhe dy emra të tjerë violonistësh nga Shqipëria që do merrnin famë botërore, bashkëmoshatarë të Tedi Papavramit; Arben Spahiu dhe Klodiana Skënderi. /tesheshi.com/  KultPlus.com

Filmi i 10 nominimeve Oscar bën që turistë të shumtë të vizitojnë Meksikën

Suksesi i filmit Roma të regjisorit meksikan Alfonso Cuaron, ka bërë që të ndizet një pelegrinazh i vërtetë i fansave drejt rrugëve të qytetit të Meksikos, ku skenat edhe janë filmuar.

Xhirimet e filmit janë kryer mes 2016 dhe 2017, në lagjen Roma sur apo Roma jugore, ku vetë regjisori ka kaluar fëmijërinë.

Kur ka kaluar pak kohë nga premiera e tij dhe filmi meksikan mban tani 10 nominime për ceremoninë e çmimeve Oscar.

Dhe kjo ka bërë që të jenë të shumtë turistët, por edhe gazetarët, që përshkojnë rrugët ku skena të filmit janë realizuar.

“Njerëzit filluan të vinin në dhjetor, ata bënin foto dhe shumë pyetje”, thotë Gloria Monreal.

“Filmi na pëlqeu shumë. U intriguam që në fillim dhe vendosëm të vinim dhe të vizitonim shtëpinë, sepse ishte edhe afër hotelit tonë”, tha Esteban Alvarez, turist.

Shtëpia me numrin 22 në rrugën Tepejit, është më e kërkuara. Ajo mban tashmë edhe një pllakatë ku shkruhet, këtu është filmuar Roma.

Por, kur shkojnë atje fansat edhe mësojnë se kjo nuk është shtëpia e vërtetë ku Cuaron ka jetuar.

Regjisori ka jetuar një derë më tej, në numrin 21, por ndryshimet e bëra nga pronarët e mëvonshëm, kishin qenë shumë të mëdha ndaj edhe regjisori kish zgjedhur shtëpinë e ish fqinjit. Ai kishte rikrijuar më pas fasadën origjinale të shtëpisë së tij, për të filmuar skenat. /Tema / KultPlus.com

Thethi i mbuluar nga dëbora, të rinjtë takohen me aventurën

I paprekshëm vetëm për pak ditë të ftohta dhe me shumë dëborë, i mbyllur në kornizën e bardhësisë. Sfida për të arritur Thethin në këto ditë të bardha janari u takon e gjitha aventurierëve të sporteve ekstreme. Janë të rinjtë ata që kanë sfiduar në fundjavë borën, rrugët e vështira dhe të ftohtin dhe kanë shkelur në bardhësitë e luginës.

I prezantuar si qendra turistike e veriut shqiptar, për të katër stinët e vitit, në dimër, Thethi është gati i paprekshëm. Mund të shkosh deri në Qaf Thore, një ballkon piktoresk 12 km. larg Luginës së Thethit dhe më tej është gati e pamundur ose një aventurë e rrezikshme.

Tani që bora ka  mbuluar kreshtat e Alpeve dhe vetë luginën deri në afërsi të  Shkodrës,  drejt luginës së fshatit turistik, vizitorët aventurierë, kërkojnë të futen  e të prekin nga afër këtë mrekulli të natyrës.

Drejtori i AdZM Shkodër Agim Dardha, thotë për ATSH se ”janë të shumtë vizitorët që ngjiten drejt pikave turistike si Razmës apo Bogës, por të rrallë ata që i drejtohen Thethit”.

Zona turistike e Thethit aktualisht ofron rreth 1200 shtretër, që shërbejnë në të katër stinët e vitit me të gjitha aksesorët për të pritur vizitorë edhe në mot të ftohtë.

Nga drejtuesit e AdZM së Shkodrës ku bën pjesë Parku Kombëtar i Thethit, viti 2018 është konsideruar mjaft i suksesshëm në lëvizjen turistike, duke e  radhitur  Thethin si një veçanti të turizmit të natyrës, të ecjes sportive, të peizazhit, të historisë dhe mitologjisë.

Dardha thotë për ATSH se turizmi familjar në këtë zonë po bëhet  i suksesshëm në të katër stinët e vitit, por ka periudha kur ai bëhet i vështirë.

Është premtuar që këtë vit të nisë edhe asfaltimi i rrugës Qafë-Thore – Theth me gjatësi 17 km që do të lehtësojë shumë lëvizjen e vizitorëve edhe në dimër në këtë luginë mbresëlënëse.

Thethi “i pakapshëm” në këtë kohë me dëborë, është i arritshëm vetëm nga më të guximshmit. Dhe një prej tyre është Nard Polia, një ranger i AdZM-Shkodër që shoqëron turistët aventurierë të dëborës, madje edhe për të kaluar qafën që lidh Thethin me Valbonën.

Në qendër të fshatit është ngritur dhe qendra e vizitorëve, e cila u shërben turistëve në orientimin e tyre drejt vendeve më interesante për t’u parë e vizituar edhe tani në periudhën e vështirë të dimrit. Thethi mund të vizitohet edhe tani me dëborë. / atsh /KultPlus.com

Llogoraja me qendër të re për vizitorët,turizëm gjithëvjetor në perlën e turizmit

Një investim i jashtëzakonshëm i punës së palodhur të stafit të zonave të mbrojtura në Vlorë, falë zbatimit të projektit të financuar nga Bashkimi Europian, do ta shndërrojnë Parkun Kombëtar të Llogorasë në një atraksion turistik që shfrytëzohet në të 365 ditët e vitit.

“E bëmë jo pa qëllim inaugurimin e kësaj qendre, në dimër, pasi do donim të falënderonim punën e palodhur të ambientalistëve të kësaj zone, që nuk janë vetëm të inkuadruar në zonat zonat e mbrojtura, por janë pjesë edhe të universitetit të Vlorës, për të dhënë një ide të qartë se çfarë është potenciali i Llogorasë edhe në periudhën e dimrit. Ne po punojmë shumë që në kuadër të plotësimit të masave për 365 ditë turizëm në Shqipëri të promovojmë bukuri të tilla si kjo e Llogorasë”, tha ministri Klosi, gjatë inaugurimit të qendrës së re të vizitorëve në Llogora.

I pranishëm ne ceremoninë e inaugurimit të kësaj qendre të re ishte edhe ambasadori i delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, Luigi Soreca, i cili theksoi rëndësinë e promovimit të turizmit, duke mbrojtur mjedisin dhe promovuar biodiversitetin.

“Mbrojtja e parqeve dhe e këtij parku në veçanti është shumë e rëndësishme dhe këtu dua të falënderoj edhe ata që ruajnë parkun sepse ai duhet mbrojtur nga të gjitha rreziqet e mundshme. Siç e di edhe ministri, viti 2019 është shumë i rëndësishëm për turizëm. Së bashku ne do të lançojmë së shpejti një projekt shumë të rëndësishëm për turizmin, me rreth 40 milion euro, që do të vihet në zbatim nga banka europiane për rindërtim dhe zhvillim dhe synimi i tij është promovimi i turizmit, por i turizmit të qëndrueshëm”, u shpreh ambasadori Soreca.

Ministri foli edhe për rëndësinë e fushatës që ka nisur në bashkëpunim me ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë për të skanuar të gjitha lejet e dhëna për HEC-et, që dëmtojnë zonat e mbrojtura.

“Shpreh bindjen që së bashku me ambasadorin ne do të jemi në një përpjekje të përbashkët nëpërmjet institucioneve shqiptare, por edhe partnerëve tanë ndërkombëtarë që natyra të jetë e para që ne të shikojmë në Shqipëri një turizëm të zhvilluar ku baza të jenë pasuritë natyrore”, u shpreh ministri Klosi.

Parku Kombëtar i Llogorasë ka rëndësi të madhe si një destinacion turistik dhe shërben si një urë tranziti për të dy llojet e turizmit, atë bregdetar dhe atë malor.

Ai ka potencial të madh për zhvillimin e eko-turizmit, sportet e ajrit, ekskursionet dhe udhëtimet. Ky është një vend klimatik, sepse këtu përzihen të dyja klimat, malore dhe detare e freskët. Për tifozët sportivë ky park ofron mundësi akomodimi në hotele luksi.

Mjedisi pyjor në Llogora, shtrihet në një sipërfaqe prej 1500 hektarësh, por vetëm 1080 prej tye janë përfshirë në territorin e Parkut Kombëtar, që mbrohet me ligj të veçantë. Mes pemëve, dominojnë pisha e zezë dhe bredhi./k.s/ KultPlus.com