Muaj i mallkuar ish janari

Këngë nga Jehona Sopi

Sërish acar e dimri ky plaku i vjetër
Plaget e zemrës si njeh
Sërish një shall kapele
Por shikimi është tjetër
Lotët si lumi i fsheh
Dhe sërish një darkë një përvjetor
Kur më the s’të dua për ne është vonë.

[ref:]
Muaj i mallkuar ish janari
Ra e u fundos margaritari
Thell ne zemër vend për mua s’pate fakte
T’hidhura paska kjo jetë.

Prej kur nuk zgjohemi bashkë
Dashuri ime e vjetër
Vetëm udhetoj përsëri
Druaj qe dora jote perkdhel dike tjetër
S’dua ta shoh as ta di.
Sa batica e zbatica qe
Dhe mbaruam si shumica ne….

[ref:]
Muaj i mallkuar…

Ndërmjet zanatit dhe artit konceptual

Ekspozita e veçantë e artistit Rifat Kasapolli po qëndron hapur në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare “Pjetër Bogdani”.


Shkruan:  Ilir Muharemi

Xhinse të hedhura, ca lecka, rroba, të gjitha kryesisht me ngjyrat bardh, zi, kuq dhe disa hije si plotësim apo reflektim dominojnë në kompozicionet e artistit Rifat Kasapolli.

Ai hapi ekspozitën personale të hënën në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare “Pjetër Bogdani”, në Prishtinë. Ka përfunduar Akademinë e Arteve në Prishtinë. Ka punuar si disenjator në Zagreb. Në ekspozitë paraqiti materiale të xhinsave dhe kryesisht dominojnë në të gjitha kompozicionet.
Xhinsi është një material që sa më shumë kalojnë vitet aq më i domosdoshëm bëhet. Të gjithë e dimë historinë e xhinsit, filloi me minatorët, vazhdoi me punëtorët dhe po zhvillohet sot në pasarelat më të njohura, duke u bërë veshja më e përhapur për të gjithë.

Te Kasapolli kemi xhinse të vjetra, të dala mode, të prera në forma të ndryshme, abstrakte dhe qëndrojnë në mes të kompozicionit, bëhen tridimensionale, sipër kanë disa hije të cilat janë arritur përmes një zbardhuesi i cili është i spërkatur në krejt punimin.

Pastaj, janë ta grisura, të copëzuara, në lëvizje, prishin atë simetrinë dhe krijojnë një univers të veçantë imagjinativ. Dikund ca copëza duken si gjethe vjeshte, ashtu të thara të vjetëruara dhe nga krejt kjo spërkaten nga teknika që krijon hijet dhe duken si shkëndijëza zjarri e që nuk shuhen.

Kjo shkëndijë është e jetës së tij, jetë të cilën e kaloj me rrobaqepësi dhe e vazhdoi me art.
Ai ndjen dashuri ndaj materialit dhe krijon relieve të shpirtit që shkretohen, pushtohen nga e zeza, pa ngjyra, dhe krejt kjo ndjeshmëri vjen disi e natyrshme nuk ka ndonjë emër. E unë si kurator i ekspozitës pashë edhe veten time atje, atje thellë në perspektivë, atje te një punim në të cilin vërtiten yjet në një natë të qetë dhe në plan të parë shihet një shtrat lëkundës që ta pushton shpirtin. Dalngadalë qielli po bëhet më i zymtë, graviteti i dhimbjes rritet, është e nevojshme të meditosh në atë shtrat, të shtrihesh shpirtërisht, dhe kokën ta mbash kah qielli.
Punimi ka për mesazh qetësinë dhe meditimin. Aty nuk ka ngjyrë si akrilik ose vaj, por ngjyrë nga materiali të cilin ja ka krijuar koha ose dora e artistit. Në këtë punim përsiatja dhe meditimi kthehen në qenësi dhe të klithë në vesh ajo: “riparo atë çfarë ke hequr në jetë, mendo për të ardhmen, ndryshoje jetën.”

Punimet duken të vrazhda, dikund me nuancime të lehta, të qepura me precizitet, të baraspeshuara, të skajshme, dhe këtu aspak artistit Kasapolli nuk i mungon t’a shfaq veten pa bojna. Ca xhepa të copëtuara, të plasuara mirë, pastaj disa zinxhir (patent) të cilët mund t’i hapësh dhe prapë t’i tërhiqesh përpjetë, xhinse të shkurtuara që duken si “mini funda”, levis 5001, krijojnë dhembshuri, kthejlltësi, mirësi, poetikë edhe filozofi.
Në anën tjetër, dizajn, kreacion, mini fabrikë të modës, instalime me nuanca shpirtërore dhe vërehet që është bërë një punë e madhe. Ky është kompozicioni më i madh ndër punimet e tjera. Prapavija është bez i zi i spërkatur me një produkt të quajtur “Pillotin” që zbardh materialin krijon hijen dhe thellësinë e punimit. Këtu kemi edhe dimensionin e tretë iluziv perspektivën.

Në një punim tjetër shohë lecka të arnuara, pantollona duken si të riparuara, mirëpo janë të disejnuara dhe krejt nga kjo artisti i shpreh sendet përrreth ato që i hudhim në koshëra të plehrave. Çorapet i hudhim, ato i kemi në piktura. Ai nuk është rob i ngjyrës dhe moti ka dal prej kësaj robinje. Materialin e ka si ndjenjë, çepjen zanata dhe dizajnin hobi.
T’i shprehesh këto intalacione duhet të kesh mjaftë guxim dhe vetëm ata që e kuptojnë artin e sotëm e duan këtë art. Çdo vepër ka një histori, është rrethi, vendi, e kalauara nëpër të cilën hoqi, epshi, pozitat epshore të femrave sidomos në ato kompozicionet me prapavijë të kuqe dhe xhinse me pozicione me këmbë të hapura (pozicion erotik.)
Punimet i ngjanë një abstraksioni asociativ dhe format janë në harmoni njëra me tjetrën, janë simbolike herë të ngjajnë sikur sa lecka të vjetra, xhinse para 25 vjetëve, e herë si aeroplan, kofshë femre, katrorë, rrathë, shkronja, alfa dhe omega, numra. Ato janë të lidhura me emocionet, zemrën, kokën dhe kohën në të cilën jetojmë.

Sidomos artisti ndjehet mirë kur shprehet në kompozicione të mëdha aty vërejmë inspirim, imagjinatë, guxim, ngarkesë psikike të kohës, tronditje, lum idesh, kolazh me materiale dhe janë shumë unike.
Kanë simbolikë dramatike sidomos hapësirat me ngjyrë të zezë, në anën tjetër kemi ngrohtësi shpirtërore aty ku dominon ngjyra e kuqe me portokallin veçanërisht në prapavijë.
Prapavija përdoret me një ngjyrë sidomos me ato neutrale për ta veçuar figuracionin në plan të parë. Ja tek vërejë një tablo me kontura lineare, e qepur me linja të lakuara zig-zage me perë të hollë portokalli i cili jep shkëlqim, dritë dhe kontrast.
Janë të paraqitura me plotësi, siguri kanë elemente sociale, politike, etnike janë edhe ekspresivo vetjake. Përsosmëria arrihet kur e vështrojmë në tërësi kompozicionin, ngaqë bashkërendin format njëra me tjetrën.


Format lëvizin, ndodhen në mes një katrahure shpirtërore, por kanë plotëni sepse shumica janë autobiografike, rrëfejnë kohërat kur kishte punuar si rrobaqepës. Por, ai i dha vetes të drejtë të hapte një rrugë të re, rrugën e misterit të artit në të cilen je gardian i sekreteve dhe qenia shkumohet, shpërndahet, lëndohet, përthyhet, edhe grimcohet, mirëpo në vepër disenjohet bëhet shpirt.
Ai bredh në skutat e shpirtit dhe aty hasë në dyshime, frikëra, mistere, zgjodhi vullnetin, zërin e brendshëm dhe qëndresën. Arti i tij tejkaloj të zakonshmen dhe është e pamundur mos ta ndezë trurin. Lëvizjet që i shohë në tablo janë vallzim instiktesh, sekrete, enigma, labirinth dhe më shumë ka ide sesa dekor kur e them këtë nënkupton grishja e tyre, lundrimi i tyre në mendimin tim analitik.
Aty shohë një artist jo veç modern, por postmodern ka ndjenja të mprehta , shpirt të ngopur me forma, imazhe, kontraste, hije, brengosje, dashuri në fund edhe simbole. Disi më duket që Kasapolli i thyen shabllonet, tabutë e rregullave figurative , ngjyrën, ilustrimin, vizatimin, i flaku të gjitha, solli gjuhën e konceptit, idesë, imazhit, simbolit.

Ngjyrat janë aq të natyrshme sa që krijojn vetvetiu kontraste, janë shumë të ashpra sidomos e zeza që dominon. Është një masë shumë e zezë, e ngjeshur mirë, afër saj kuqëlojnë njolla të verdha, shumë të vjetra, pastaj njolla të bardha, xhinse të qepura, disa edhe të varura, pak të shkëputura, mund edhe me dorë t’i lëvizësh sa jashtë e sa brenda, bëhen të dukshme, por edhe të padukshme, kuptimi dhe nënteksti.
Ka silueta realitetesh me nëntekste duket si një kaos që po bredh figurativisht mbi kokën tënde, sa shikon majtas vëren rrezatime të drtitave, ndërsa djathtas rrafshe, relieve, fantazi ose edhe apokalips. Nëse sytë i vendos në mes, sheh imazhe figura me nënkuptime, ose kuptimet i vendos vet, shpështjellime të çojnë dikund që as vet nuk e di, më bukur se në përrallë.
Ja edhe një tablo ku secili mund ta gjen veten aty tek po ato forma të dyzuara, imagjinative, disejnime herë edhe alegorike dhe ka një energji, forcë, duket si magmë vullkanike që krijon jetë të re. Shoh edhe figura gjeometrike të cilat na pushtojnë, na rrethojnë dhe sipas Pol Sezanit krejt natyra ka format gjeometrike, ato na kënaqin dhe pushtojnë.

Në një kompozicion tjetër vërej errësirë pak të vrazhtë, lecka, xhinse të përgjysmuara me blunë e fortë, pastaj pak e kuqe e qepur, e pastaj kur vërshon drita krijon tone dhe hije. E shoh artistin si njeriun më të vuajtur këtu arsyeja tenton të zbulon të fshehtën e unit të tij, ai loz rolin e parashikuesit e futet me sy hapur në tempullin e shenjtë të artit (shpirtit) për të zbuluar formulën magjike të sekreteve.
Gjëja më interesante është se veprat e tij e tejkalojnë çdo realitet sidomos atë banal dhe ai jeton në tjetër realitet mbi format, materialet e vjetra, dhe këtë mund ta shohë vetëm syri shpirtëror artistik.
Veprat e Rifat Kasapollit vërtetë janë të veçanta mahnitëse dhe unë jam tronditë nga to. Sidomos gërshetimi i zanatit me artin të cilët kur bëhen bashkë krijojnë një fuqi artistike. Kurreshtja tjetër ishte të njohë ecurinë e punës, pastaj t’i prekë tablotë dhe për të kuptuar kodin sekret të shpirtit të tij për të cilin edhe pas vdekje do të kërkojë shpjegime.

Zanatin dhe artin e shohë si trupin me shpirtin, shpirti është arti e trupi zanati, arti bëhet i vlefshëm kur ka zanatin, poashtu edhe shpirti jeton bashkë me trupin. Zanati po zhduket, Kasapolli e jetëson. Andaj, veprat e tij ikin nga trajtat me bojë, tone, vija, lëndë, vrapojnë drejtë të mugulltes, ndezin relieve dhe syri i njeriut bëhet i etur, i mbyllur brenda këtyre kompozicioneve, duke tentuar të gjejë kodin.
Unë them janë enigmë, fuqia e artit ndodhet këtu. Nëse tenton të gjesh kuptimin ai të ikën rrëshqet nga dora luan me njollat, format, dritën të dërgojnë në një të vërtetë të panjohur deri më tani. Nëse tenton prapë t’i kthehesh kuptimit vështirësia bëhet edhe më e madhe, idetë dhe kompozicionet qëllimisht lihen si gratë egjiptiane të mbuluara, mirëpo kolazhi është i hapur dhe ti zhytu shko pas ëndrrës, dorëzoju fantazisë.
Titulloje ashtu si ta ndjen zemra, ndërto kuptime nga reagimi i instiktit, krijo emrin e parë që ta thotë shpirti. Akomulohu me forma dhe lojë. Nëse kupton diçka më shumë, dorëzohu, rrëshqit, kalëro sepse dyert janë të hapura. Zhytu, mik lundëro…

Rifat Kasapolli u lind me 1960 ne Peje të Kosovës. Shkollën fillore dhe të mesme i kreu në Pejë. Ndërsa, Akademinë e arteve të bukura i përfundoi në Zagreb të Kroacisë. Me art merret që prej 30 vitesh.



Me pasë bishtin ta presin, mos me pasë ta ngjesin, 150 fjalë të urta shqipe

 Amanetin e mban toka. SHKODËR

– Amanetin as deti nuk e mban, e qet në lëndinë. Dukagjin

– Burri o të mbyt, o të fal; i ligu as të mbyt, as të fal. Shkodër

– Besa asht ma e fortë se vdekja. KRUJË

– Besa e burrit, pesha e gurit. VERI

– Burri i mirë flet një herë. KRUJË

– Frika nuk e len lepurin me u majtë. SHKODËR

– Gungaçit vetëm varri ia drejton samarin. SHKODËR

– Kur ke zemër ke edhe krahë. KRUJË

– Pushka don pushkën. TROPOJË

ATDHEU
– Atdheu e nana nuk harrohen. TROPOJE

– Fjala në vend të huej, bahet gur. VERI

– Kush ka vdekë për atdhe, nuk ka vdekë por kale. SHKODËR

– Mbroje atdhenë si shqiponja folenë. SHKODËR

– Nje zogu që i prishet foleja, hidhet degë më degë. MAT

– Qeni te shpia e vet gjithmonë asht trim. VERI

– Gjakut të derdhur të shqiptarit i bie dielli e nuk e than, i bie shiu dhe nuk e lan. VERI

– Kush rren shtetin, rren vetin. TROPOJË

MENÇURIA
– Gjuha e ka rrënjën në zemër. VERI

– Po nuk e njohe hidhërimin, nuk do të kuptosh dhe gëzimin.

– Hileqari nuk të shef në sy, po shef në tokë. DIBËR

– Me pasë bishtin ta presin, mos me pasë ta ngjesin. SHKODËR

– Mos e ban penin tra. DIBËR

– Me sa ka peshk pa halë, aq ka dhe të bukur pa fjalë. KRUJË

– Burimi i mirë duket në thatësirë. KRUJË

– Kalit të mirë shtoi tagjinë. SHKODËR

– Mendja është në majë të gjuhës. SHKODËR

– Mendja e lehtë rëndon të zonë. KRUJË

– Mos bëj petulla me ujë. DIBËR

– S’mbartet ujë me shportë. SHKODËR

– Si është vendi bëhet kuvendi. VERI

– Thesi i zbrazët s’qëndron në këmbë. KRUJË

THJESHTËSIA
– Duro sa mund, gëzohu pa fund. VERI

– Edhe guri pëlcet kur nxehet. KRUJË

– Fjal e ëmbël thyhen të fortin. SHKODËR

– Fjala e mirë në ditë të keqe. KRUJË

– Hiq inatin gjej rehatin. KRUJË

– I buti thyen të fortin. SHKODËR

– Me njoftë veten asht urti, me qeverisë veten, është trimni.

TE TJERA
– Trim i mirë quhet ai që përcjell zemërimin. KRUJË

– Atij që nuk e do, i thuaji: “Të hyftë vetja në qejf”. SHKODËR

– Ena bosh zhurmon më tepër. KRUJË

– Marrija ma e madhe asht me kujtue vedin të mençëm.

– S’e lenë hunda me pa larg. KRUJË

– Bëne vath e ve në vesh. SHKODËR

– Dami të bëhet mësim. DIBËR

DREJTËSIA
– Ban mirë e harro, ban lig e kujto. VERI

– Edhe ëngjëlli, edhe djalli, janë brenda tek i gjalli. KRUJË

– I ligu kur të hipën mbi shpinë, nuk din me zbritë kurrë. TROPOJË

– Malli i keq shifet në bojë, dhe njeriu i keq shifet në sy. SHKODËR

– Sëpatës bish mos iu ban. DIBËR

– Ska din zemra, atje shkon mendja. SHKODËR

– Difton fëmija, ç’ka shtëpia. VERI

LIRIA
– Bilbili te kafazi s’këndon nga qejfi, po nga marazi. SHKODËR

– Burri nuk shtrihet as për së vdekmi. MIRDITË

– Ç’hall ke, vështroje. VERI

– Ec me këmbë tueja e jo me mend e huaja. SHKODËR

– Gjithkush teshat i lan në shtëpinë e vet. VERI

– Kafshata e huaj të mbet në fyt. SHKODËR

– Kur se mbajnë njëzet e katër tuejt, nuk e mbajnë as katërdhetë e tetë të huejt. SHKODËR

– Leku i huj, peshon rëndë në xhep. PUKË

– Më mirë një ditë në liri, se njëqind vjet në robni. KRUJË

– Më mirë i lig e i lirë, sesa shëndoshë e me zinxhirë. KRUJË

– Më mirë Sokol një herë, se sorrë gjithherë. SHKODËR

– Mos u ban mjaltë, se të han mizat. SHKODËR

– Qëndro shtyllë e mos u bëj urë. KRUJË

– S’mbahet shpirti me falimnders. VERI

– Shqiponja nuk gjuan miza. KRUJË

– Trimëria dhe liria janë si nanë e bijë. KRUJË

PUNA
– Bujku i mirë, ia merr me zorr bukën tokës. TROPOJË

– Dembeli është nëna e të gjithë veseve. VERI

– I mjeri ai që s’mend0n për pleqëri. SHKODËR

– Kushtrimi del për të ligshtin, pse trimi kujtohet vet. SHKODËR

– Me fal gjakun është burrni. KOSOVË

– Me mirë “punë e mbarë”, se “mirë se të gjej”. SHKODËR

– Sa më shpejt kositet livadhi; aq më shpejt lind bari. TROPOJË

– Ujku e ka qafën e trashë, se ka kambët e shpejta. KRUJË

– Vure vezën more pulën. KRUJË

– Kerkoje punen qe ta gjesh. KUKES

MATURIA
– As copën e madhe mos e ha pa u menduar. KRUJË

– Dijet e mëdha janë në fjalë të shkurtra. SHKODËR

– Lakmia, lakfyt. PUKË

– Lulja e këputun nuk mbin ma. KRUJË

– Më mirë një pulë nesër, se nji vezë sot. DIBËR

– Mos i bjer të mirës me shkelm. DIBËR

– U mbush kupa do të derdhet. KRUJË

– Unë baj barrën, ti djersin. VERI

– Vera sa ma e ëmbël të jetë, ma fort të zenë. SHKODËR

– Nata s’ka shahit. SHKODËR

– Barka mbytet edhe për një lëkurë lepuri. SHKODËR

– Ç’ka humbe mos e kërko, ç’ke në dorë mos e lësho. KRUJË

– Çohet një i marrë e qet një gur në ujë, çohen njëzet të urtë e s’mund ta nxjerrin. SHKODËR

– Duhet me i fry lugës para se me të djeg. KRUJË

– Fusha ka sy, mali ka veshë. KRUJË

– I marri ç’flet nuk din, i urti ç’din nuk flet. VERI

– Kali nuk mbahet për bishti, po prej freri. TROPOJË

– Ka thënë Nastradini, edhe në diell merr ombrellë. SHKODËR

– Kij frikë nga një njeri që frikën ta ka. KRUJË

– Krushka për dhëndrin gjen peshk majë malit. SHKODËR

– Gjumi natës i randë i bën keq ditës. SHKODËR

– E thëna dhe e bëra janë larg. DIBËR

– Nuk është ar gjithë që ndrit. VERI

MIQËSIA
– Armiku s’pritet me fjalë, por me plumb. KRUJË

– Miku është mik deri sa nuk përzihet në hallet e shtëpisë. VERI

– Pa djalë e pa gocë rrova, pa shok nuk rrova. KRUJË

– Punën nuk e bën një gisht, po e bën grushti. TROPOJË

– Tek nusja hanë e pinë, te dhëndrri gja nuk dinë. VERI

– Ankohet kalorësi se po i varen këmbët. VERI

– Çilet dera, rritet ndera. VERI

– Fukara jam, po shpirtin nuk e kam fukara. VERI

– Nga fryn era kthen gëzofin. DIBËR

– Kush shkon pa thirrë, kthen pa u përcjellë. SHKODËR

– Kush vjen rrallë, ha bakllavanë, kush vjen shpesh ha përsheshë. KRUJË

– Miku i thirrur, duhet përcjellun. MIRDITË

– Miku nuk vjen për thelë e lëng, po për fjalë e për kuvënd. KRUJË

– Mikut i lëshohet vendi dhe i dëgjohet kuvendi. KRUJË

“Kah pranvera” e interpretuar nga Nexhmije Pagarusha e Jordan Nikolic (VIDEO)

“Kah pranvera” është kënga të cilën e kanë interpretuar bashkë Nexhmije Pagarusha, Bilbili  i Kosovës dhe Jordan Nikolic, i cili përgjatë karrierës së tij ka kënduar këngë të vjetra serbe, shkruan KultPlus.

Në këtë këngë, të dy paraqiten në gjuhë shqipe dhe është një këngë e realizuar vetëm në audio.

Jordan Nikolic në vitin 1976 kishte përfaqësuar ish Jugosllavinë në Eurovizion. KultPlus ju sjellë këtë format të bashkëpunimit./KultPlus.com  

Mahnitëse: Mini-libraria në lisin 110 vjeçar

Druri përdoret për ndërtimin e shumë gjërave të domosdoshme për jetën por edhe kreative, siç është ndërtimi i një mini-biblioteke nga organizata “Little Free Library”, trasnmeton Gazeta Metro

“Little Free Library”, ka realizuar këtë library të vogël në një lis të vjetër mbi 110 vjet, dhe duket jashtëzakonisht bukur. E vogël por e kompletuar me një numër titujsh libradh në mes të malit.

Kjo organizatë e cila së fundi ka sjell këtë kioskë të vogël mahnitëse për adhuruesit e librave, po ka vendosur rreth 75 mijë bibloteka të tilla në 88 vende deri më tani.

Rudina Voca emërohet zëvendësdrejtoreshë e Fondacionit të Arkitekturës

Pas kontributit të saj në Fondacionin e Arkitekturës në tre vitet e fundit, Rudina Voca sot është emëruar si zëvendësdrejtore e Fondacionit të Arkitekturës së Kosovës.

Ajo do të marrë role të reja në Fondacion, si dhe do të vazhdojë me bashkëdrejtimin e Fondacionit dhe projektet e saj, më saktë me Festivalin e Arkitekturës dhe Future Architecture Platform në Kosovë.

Voca ka përfunduar studimet bachelor në për Historinë e Artit ndërsa u bashkua me Fondacionin e Arkitekturës në fund të vitit 2016. Ajo luajti një rol të rëndësishëm në organizimin e edicioneve të kaluara të festivaleve të Arkitekturës si dhe në “Projektin e Konservimit dhe Menaxhimit të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës”, financuar nga prestigjiozja “Keeping it Modern”, granti i Fondacionit Getty.

Përveç rolit të saj në Fondacionin e Arkitekturës, Voca gjithashtu shërben si Sekretare e DoCoMoMo_International në Kosovë./ndertimi.info/ KultPlus.com

Burrneshat e guximshme që sfidojnë botën përmes artit

Alberina Haxhijaj

Galeria Kombëtare e Kosovës sot ka mirëpritur ekspozitën “Burrneshat”. Kjo ekspozitë e cila ka bërë së bashku katërmbëdhjetë artiste nga Britania dhe gjashtë artiste nga Kosova si dhe kolektivin HAVEIT, është inicuar nga Këshilli Britanik, ndërsa veprat e artistëve britanike janë marrë nga koleksioni të cilin e posedon British Council.

Vjehrra e artistes Alije Vokshi qëndron përballë baroneshave të Madame Yevonde në hyrje të Galerisë Kombëtare. “INA”, piktura e cila është pjesë e koleksionit të Galerisë, paraqet një grua e cila mbanë një shami në kokë dhe duart njëra mbi tjetrën. Në anën tjetër një nga zonjat që i qëndron përballë është zonja e Michael Balkon, ajo me një armë në duar është portretizuar si hyjnesha romake Minerva.

Mirëpo, përderisa këto piktura mund të vështrohen për bukurinë e tyre disa hapa më tutje prapa bukurisë fshihet një gjendje e cila sjellë tension dhe reagim. Portretet e pesë vajzave të reja e të grimosura të paraqitura si “Spice Girls” nga  Clare Strand, portretizojnë situatën ku vajzat e reja, edhe pse ndjehen të ngulfatura në mënyrë që të pranohen në shoqëri, vishen dhe sillen si gra të rritura. Në anën tjetër modelja e realizuar nga Alketa Xhafa –Mripa paraqitet si një kukull, të cilën duke e vënë në prizë mund ta ndizesh dhe ta fikësh, ta lësh të flasë ose ta bësh të heshtë. Një vepër kjo e cila erdhi si reagim nga artistja në vitin 2007, një ditë pas 8 marsit, Ditës së Gruas.

“Me simbole të vogla jam munduar që të rrumbullakojë dhe të paraqes gruan shqiptare”, shprehet artistja derisa bisedon edhe me të pranishmit që afrohen për të parë punën e saj.

“Në ekspozitë ka emra për të cilat unë kam mësuar pasi që i kam pasur në literaturë si Tracy Emin apo Sarah Lucas. Prandaj të ekspozojë punën time se bashku me to, e sidomos në Kosovë është nder i madh. Njëkohësisht është kënaqësi edhe me artistët shqiptare,  punët e të cilave i njoh dhe i çmoj”, u shpreh ajo për KultPlus duke cilësuar se akoma ka punë për tu bërë për emancipimin e gruas në shoqëri. Diçka që e kërkon edhe artistja Ann Elliot e cila përmes nallaneve na fton që të ecim në këpucët e saj,  të cilat lënë gjurmët e dikujt tjetër, të një kuratoreje.


INA nga Alije Vokshi

Kjo ekspozitë vë në pah më shumë sesa vetëm çështjen e pozitës së gruas e që vërehet qartë te artistja shqiptare Arbana Hajredinaj me videon “30 %” e që tregon përfaqësimin e grave në Parlamentin e Kosovës. Kjo ekspozitë tregon ofshamën e grave përmes Zake Prelvukaj e cila largon katranin nga lëkura. Ju mëson që të mos kërkoni falje shpesh, sepse atëherë ajo do të humb vlerën përmes Anetha Hamilton dhe karriges së saj, këmbët e të cilës janë kopje e këmbëve të artistes. Kjo ekspozitë tregon se diçka nuk është në rregull përmes gruas që sjellë Tracey Emin, prej vaginës së të cilës nuk kuptohet a po dalin apo po hyjnë monedhat por edhe përmes videos “Nuk dëgjojë asgjë” të Rudina Xhaferit në të cilën ajo çep veshin e saj.

Drejtoresha e Galerisë, Arta Agani – Në prapavijë “Baby Doll On, Baby Doll Off” nga Alketa Xhafa Mripa

Me një aranzhim që i ngjan një beteje,  sipas drejtoreshës së Galerisë, Arta Aganit kjo ekspozitë synon të shfaq ndërrimet mes roleve, ku gruaja nuk është vetëm një formë dhe burri nuk është vetëm një funksion. Ajo tregon se kjo ekspozitë e fragmentuar në disa faza bënë që gratë artiste të ndërrojnë nga njëra fazë në tjetrën, nga forma deri të funksioni.

“Në pjesën e titullar ‘tejkalimi i kufirit gjinor’ e cila gjendet në katin e dytë të Galerisë, artistet e shfaqura tashmë e kanë kuptuar rolin e tyre në shoqëri si gra artiste. Ato me krenari ekspozojnë artin e tyre duke mos kritikuar dhe ankuar. Ato janë në krye të muzeve dhe galerive dhe nuk janë të shqetësuara për barazinë gjinore në art, sepse në këtë fazë ajo duket e parëndësishme”, theksoi Agani. 

Tek ‘tejkalimi i kufirit gjinor’ hynë disa artiste pjesë e kësaj ekspozitë si kolektivi HAVEIT, të cilat edhe në këtë ekspozitë ishin të pranishme duke e rruar patriarkalitetin, pastaj Flaka Haliti me “Bolet e mia” apo artistja Sarah Lucas me vezët e fërguara.

Gillian Wearing- Kopshti

Kjo ekspozitë nuk mund të kalojë vetëm me një shikim pasiv,  theksoi ambasador i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Ruairi O’Connell në hapje të kësaj ekspozite.  Sipas tij,  çështja për të cilën duhet të mendojmë e që e përcjellë edhe këtë ekspozitë është sesi trajtohet gjysma e shoqërisë sonë.

“Të gjithë ata që do të vijnë në këtë ekspozitë do të marrin nga një porosi të ndryshme. Porosia që unë mora,  është ajo e guximit dhe e sfidës. Disa nga veprat janë shumë personale dhe disa janë shumë sfiduese. Unë jam i nderuar që i njoh edhe personalisht disa nga artistet dhe nuk me befason që punët e tyre janë reagim i guximit dhe sfidës. Ne duhet që të reagojmë ndaj kësaj, të sfidohemi nga to dhe të mendojmë më ndryshe kur të largohemi dhe jo njëlloj siç kemi menduar kur kemi ardhur”, theksoi ai.

Abigail Lane- Pa titull (Ann Elliot)

Ekspozita “Burrneshat” do të qëndrojë e hapur deri më 24 shkurt./ KultPlus.com

Sarah Lucas – Autoportret me vezë të fërguara

https://kosovo.britishcouncil.org/programmes/arts/perceptions

“Swan Song” e Dua Lipës shënon rekord dëgjimesh

Kanë kaluar vetëm 16 orë që kur Dua Lipa publikoi kolonën zanore të filmi “Alita: Battle Angel”, “Swan Song” dhe deri tani janë regjistruar mbi 2.5 milionë dëgjime në kanalin e njohur YouTube.

Kënga po rezulton një sukses i jashtëzakonshëm për Lipën, e cila është bërë pjesë e disa skenave të filmit për të sjellë videoklipin muzikor, shkruan koha.net

“Alita: Battle Angel” mendohet të jetë një film fantastiko-shkencor që do të pushtojë të gjitha kinematë botërore.

Filmi i ri do të dalë në kinema më 14 shkurt./ KultPlus.com

Shkencëtarët austriakë zbulojnë se zëri i Freddie Mercury ishte anormal

Dridhjet e zërit luhaten mes 5.4 Hz dhe 7.04 Hz, ndërsa zëri i këngëtarit të famshëm Freddie Mercury ishte 7,04 Hz.

Po, e dimë të gjithë se Freddie Mercury ishte unik, i papërsëritshëm, i jashtëzakonshëm, spektakolar dhe shumë më tepër se kaq. Por, tanimë të gjithë këto komplimente kanë një mbështetje shkencore.

Nuk është një opinion subjektiv: këngëtari legjendar i ‘Queen’ ishte këngëtari më i mirë në histori.

Një grup shkencëtarësh austriakë, çekë dhe suedezë ka studiuar vibrimin dhe tonin e zërit të Mercury-t.

Kërkimi ka dalë në rezultatin se vibrimi i zërit të tij (prodhuar nga dridhjet e diafragmës dhe laringitit), shkojnë nga 5,4 në 6,9 Hz.

Duke arritur në 6,9 Hz është jashtëzakonisht potent. Është vibrimi më i lartë dhe kështu është besuar.

Zbulohet se vibrimi i zërit të Mercury-t ka qenë 7.04 Hz. (Nëse e ke humbur leksionin e fizikës dhe nuk e di se çfarë është Hz, kini parasysh vetëm faktin që Freddie Mercury ka thyer rekordin shkencërisht të provuar).

Kanë kaluar 27 vjet nga vdekja e tij, por ende kujtohet, nderohet nga brezi në brez, nga publiku që ka patur nderin ta shohë të këndojë live, ata që kanë vlerësuar zërin e tij në radio në vitet ’80, nga publiku që admiron muzikën e tij me nostalgji, si dhe nga brezi i ri që e kanë dëgjuar falë prindërve të tyre.

Kam patur fatkeqësinë të jem studente e disa mashtruesve profesionistë me diplomë…

Nga Neda Balluku

Gjatë arsimimit tim, kam patur fatin e nderin të mësoj prej mësuesve dhe pedagogëve të cilët kanë qenë për t’u ADMIRUAR e VLERËSUAR. Pedagogë që orët e mësimit i kthenin në emblemë të thënies “Koha është flori”. E kthenin në flori kohën tonë.

Gjatë arsimimit tim, kam patur fatkeqësinë të isha nxënëse e studente e disa mashtruesve profesionistë me diplomë në dorë.

Të paaftësh, injorantësh dhe njerëzucësh që vetëm kanë mbajtur qëndrime e kanë falur përqafime sistemeve të kalbura që nuk ndalonin dot së fryri në kurriz të studentëve. Duke ndihmuar lulëzimin e injorancës, varfërisë e sot rebelimit pa revoltë.

Ata njerëzucë me syze djalli dhe brirë të padukshëm vranë me duart e tyre, brez pas brezi, ëndrrën dhe shpresën për revolucionet e të ardhmes dhe krijuan rebelë të vegjël pa kauza.

Plagosën kauzat që sot në agoni, nuk dinë t’u japin studentëve armët e duhura për revolucion. Dhe për dramë terminale u falën ndër breza lupat e syzeve të tyre, për të parë armikun ku nuk është dhe mikun ku nuk duhet.

Studentët janë të lirë të jenë ç’të duan e si të duan për aq kohë sa kanë vetëm bagazhin e tyre intelektual, shpirtin e tyre të lirë ose jo dhe projektimin individual për të ardhmen, si të vetmen përgjegjësi. Por djajtë me plagjiaturat e identitetit të pedagogut, nuk e kanë!

Ata janë fajtorët e mëdhenj që sot fshihen mes atyre që me mund të madh e pa kurrfarë përfitimi përtej atij ligjori dhe të drejti, kanë pritur e përcjellë breza të tërë fëmijësh të së djeshmes, që nuk u rritën dot kurrë për shkak se sistemet që u qëndronin mbi krye u pëshperisnin si hoxhë e priftërinj se nuk mund të ishin dot kurrë më shumë se ç’u diktonte djalli.

O djaj të injorancës dhe fatkeqësisë sonë të përbashkët, shporruni nga mesi i atyre që për kaq vite vijnë ende në punë me biçikleta, qe ende nuk i shohin dot në sy studentet kur u flasin rrugëve me respekt, që ende mbjellin filiza drite për të ardhmen e fëmijëve tanë, që ende kanë në farën e tyre shpresë si studentë naivë!

Shporruni nga e ardhmja e fëmijëve të mi, fëmijëve tanë e fëmijëve të fëmijëve tuaj. Tuajve që nuk u dhatë dot kurrë mundësinë për të zgjedhur përtej mënyrave dhe rrugëve tuaja të shkurtra! Dhe fëmijëve të atyre që nuk patën gjë në dorë u vratë pa shpirt edhe mendimin që mundësia për të zgjedhur është e mundshme.

Ububu mor Zot! Kanë vënë pasuri duke qëndruar mbi tempullin që predikon të qenit dhe jo të paturit, përmbajtjen dhe jo formën. Kanë shkelur mbi tempullin e librit dhe kanë mbushur xhepat me florinjtë e ndyrë të pazareve vrastare.

Shporruni o djaj! Lirojini auditorët nga zinxhirët tuaj të ndryshkur dhe lejoni frymën e të vërtetës të hyjë në shpirtin e atyre studentëve që sot më shumë se kurrë kanë nevojë për të gjetur rrugën e duhur drejt një ndryshimi që mund të sjellin prej fuqisë që ende nuk e dinë se e kanë./27.al/ KultPlus.com

‘Kur rrënjët janë të thella, nuk ke pse të kesh frikë nga era’

Khalil Gibran

Mos hiq dorë nga njeriu që po bëhesh.

Kur rrënjët janë të thella, nuk ka pse të kesh frikë nga era.

Njerëzit që shkëlqejnë nga brenda vetes, nuk kanë nevojë për dritat e skenës.

Nuk e ndryshon dot një njeri, që nuk sheh probleme në sjelljen e vet.

Ndershmëria nuk të sjell shumë miq, por gjithmonë do të të sjellë ata të duhurit.

Një prej ndëshkimeve kur refuzon të marrësh pjesë në politik, është se përfundon duke u qeverisur nga inferiorë.

Nuk e influencon dot kurrë botën, duke qenë ekzaktësisht si ajo.

Mos harro se mësimet më të mëdha në jetë nxirren prej kohëve më të këqia dhe gabimeve më të mëdha./ bota.al/ KultPlus.com

Për një javë

Jaime Sabines Gutiérrez

Si thua sikur të dashurohem me ty vetëm për një javë?
Nuk është as pak dhe as shumë një javë, por mjafton.
Për një javë mund t’i mbledhësh të gjitha fjalët e dashurisë
që janë thënë mbi tokë
dhe t’u vësh zjarrin.

Do të të ngroh
me flakadanin e dashurisë së djegur dhe me heshtje.
Sepse fjalët më të bukura për dashurinë gjenden
tek njerëzit që nuk i thonë asgjë njëri-tjetrit./ KultPlus.com

Nesër në Dodona vjen shfaqja “Artisti i vetëm “, i pranishëm edhe autori i tekstit Ralph Hammerthaler

Pas pritjes së ngrohët nga publiku, gjatë prezantimit në Teatrin Kombëtar Eksperimental në Tiranë, shfaqja “Artisti i vetëm ” nesër me datë 26 janar 2019 , duke filluar nga ora 19:00 do të shfaqet në Teatrin e Qytetit të Prishtinës – Dodona, shkruan KultPlus.

Në këtë reprizë do të jetë prezent edhe autori i tekstit dramatik, dramaturgu dhe romansieri i njohur gjerman Ralph Hammerthaler. Në këtë shfaqje në rolin e Hans Klipp – it luan aktori Naim Berisha, i cili po ashtu është edhe regjisor i shfaqjes, ndërsa regjisor mbështetës është Shkelqim Bunajku.

 “Artisti i vetëm”, trajton dramën e brendshme të një artisti të madh, i cili për shkak të degradimit të artit dhe shijes se publikut, përjashtohet nga shoqëria me dhunë, për t’u vënë në situatë të skajshme jetësore dhe ekzistenciale. Personazhi i vetëm i kësaj shfaqje Hans Klip, gjatë prezantimit të tij të fundit para publikut të tij të zgjedhur rrëfen jetën e tij, momentet kulminante artistike në të kaluarën dhe dramën e tij në të tashmen. Në fund të tekstit Hans Klip largohet vet, i dëshpëruar nga arti i tij dhe nga vetvetja, duke renë në humnerën e pakthyeshme të dëshpërimit.

Vepra në mesazhin e saj, bënë thirrje për kthimin e vlerave kulturore, në një shoqëri që është zvetnuar nga vlerat e mirëfillta dhe paraqet protestën më sublime kundër antivleres”

Ralph Hammerthaler është i lindur me 2 dhjetor 1965 në Wasserburg në Gjermani. Aktualisht jeton në Berlin ,ku e ushtron veprimtarinë e vet prej shkrimtari. Ai botoi romanet: “ E tera në rregull”, “ Por ky është kapitulli tjeter”, “Rënia e Friderich Voss” dhe “ Një romancë e shkurter  krimi”. Në vitin 2006/2007 ai punoi si dramaturg në Berlin Schaubuhne. Libretoja e tij “ Bestmanoper” për kriminelin nazist të luftës Alois Brunner, u luajt si vepër muzikore nga Alex Nowitz. Veprat e tij janë përkthyer në disa gjuhë të botës dhe janë luajtur në Berlin, Halle , Düsseldorf, Munyh, Mexiko City dhe në Omsk. Ai ishte i angazhuar si zyrtar në Dresden (2011), Rheinsberg (2012) , Prishtinë (2013) dhe Split ( 2014) . Punoi si kolumnist në revisten për teater “Der Zieit”. Ai gjithashtu shkruan në Suddeutsche Zeitung mbi letërsinë spanjolle dhe latino- amerikane. Është anëtar nderi i teatrit Sombrero Azul në Mexico City. Në vitin 2018 botoi romanet “ Nën bashkëpunëtorët” dhe “ Dueli i lojes” si dhe esenë “ Rruga e tregut”./ KultPlus.com

Lansohet koleksioni i këpucëve “Giuseppe për Rita Orën”

Rita Ora së bashku me Giuseppe Zanotti  kanë sjellë një koleksion të këpucëve për të cilin është folur mjaft kohëve të fundit. Dizajnët e krijuar për këtë koleksion janë cilësuar si dizajnë të bëra në qiell.

Një vlerësim pozitiv ka ardhur edhe mbrëmë në hapje në Saks Fifth Avenue ku filloi shitja e këpucëve e cila bëhet edhe online në giuseppezanotti.com. Dyshja priti mysafirët mbrëmë në Saks Fifth Avenue në Beverly Hills si dhe përshëndeti blerësit dhe mysafirët VIP të ftuar. Ora dhe Zanotti kaluan kohë edhe duke nënshkruar këpucët e blera por edhe duke shijuar koktejin si dhe muzikën e krijuar nga DJ Siobhan Bell. / KultPlus.com

Maks Velo vlerësohet me çmimin “Mjeshtër në Arkitekturë”

Shoqata e Arkitekteve të Shqipërisë e nis vitin 2019, me dhënien e çmimit “Mjeshtër në Arkitekturë” për arkitektin e mirënjohur Maks Velo.

“Finesa e këtij profesioni në duart dhe mendjen e Maks Velos është gur themeli i arkitekturës moderne në Shqipëri”, u shpreh ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila mori pjesë në ceremoninë e SHASH, me rastin e dhënies së çmimit “Mjeshtër i Arkitekturës” arkitektit të mirënjohur Maks Velo.

Vepra e tij është poliedrike dhe sidomos duke pasur parasysh kushtet në të cilën ajo u krijua. Krijimtari për të cilën pagesa ka qenë shumë e shtrenjtë me vite të tëra jete të penguar. E pikërisht për këtë fakt kjo krijimtari vlerësohet akoma më shumë. Ministrja Margariti, njëherësh dhe arkitekte në profesion falenderoi Mjeshtrin Maks Velo “Për veprën tënde, shpirtin e debatit që na vë të gjithëve në mendime, për guximin e veprës dhe të fjalës”. / A.T.SH/ KultPlus.com

Artpolis hap thirrjen për promovimin e artit dhe artizanatit

Qendra per Art dhe Komunitet – Artpolis organizon  promovimin e artit dhe artizanatit nëpërmjet “TAKIM DHE NJOFTIM” me zanatlinjtë, si pjesë e projektit “Promovimi i diversitetit kulturor dhe mirëkuptimi përmes artit dhe përfshirjes së të rinjve”.

Ky projekt është pjesë e grantit financiar të projektit “Dialogu ndërmjet komuniteteve përmes ruajtjes gjithëpërfshirëse të trashëgimisë Kulturore” zbatuar nga UNDP Kosovë dhe financuar nga Instrumenti i Bashkimit Evropian për Stabilitet dhe Paqe – European Union’s Instrument contributing to Stability and Peace (IcSP).

Kjo thirrje u dedikohet të rinjve/rejave  të moshës 16-25 vjeç nga 4 komuna  (Gjakova, Mitrovica e Veriut, Prishtina dhe Gjilani) të pasionuar për artin, zanatet dhe punimet e dorës së parë me zanatlinjtë e këtyre komunave të lartcekura.  Në çdo qytet, gjatë ditës pjesëmarrësit/et do të vizitojnë 3-4 zanatlinj, gra dhe burra. Zanatlinjtë të cilët do te vizitohen, i përkasin zanateve të mëposhtme si: këpucëtar, rrobaqepës, poçar, krijues të instrumenteve, xhamprerësit, fotografët, stoli/punëdore.

Pas mbarimit të vizitave tek këta zanatlinj, pjesëmarrësit do të ndajnë mendimet lidhur me vizitat dhe përvojen e tyre duke krijuar ese mbi mendimet, eksperiencën e tyre, si dhe ndikimin që kishte aktiviteti “Takim dhe Njoftim” në:
– Mësimin e gjërave  të reja për etnitë e ndryshme; – Njohjen dhe familjarizimin me procesin e prodhimit të veprave artizanale; – Mësimin rreth historisë së ndonjë procesi të veçantë të punës së artizanatit; – Ngritjen e vetëdijes mbi aktivitetet e  përbashkëta që zanatlinjët gra dhe burra i përdorin në procesin e prodhimit  duke krijuar kështu një  të përbashkët për grupe të ndryshme etnike.

Kriteret e përzgjedhjes: – Aplikuesit/et duhet të jenë nga këto komuna (Gjakovë, Mitrovicë e Veriut, Prishtinë, Gjilan) – Aplikuesit/et duhet të jenë  16 – 25 vjeç – Motivimi – Duke u bazuar në pyetjen  e mëposhtme: Pse jeni  të interesuar që të jeni pjesë e këtye aktiviteteve?

Afati për aplikim deri më  31 janar 2019,  në 23:59 h.

Aplikimi përmes linkut: https://docs.google.com/forms/d/e/1FAIpQLSfQ-7iFfDEfq16x09q6hYHNgC8x8XifywcmolhXWpRnDbnwIA/viewform?usp=sf_link / KultPlus.com

Këta janë poetët që do të sfidohen në Pena e Flakës 2019


Tre poetë, Agron Tufa, Ibrahim Kadriu e Xhevat Latifi, do të lexojnë jashtë konkurencës, nga fakti se kanë qenë fitues të mëhershëm të këtij Çmimi.

Komisioni përzgjedhës i pjesës letrare të Manifestimit Kombëtar të Kulturës, “Flaka e Janarit” 2019, në përbërje: Nexhat Rexha, Fatushe Haliti e Xhevat Latiifi, përzgjodhi për lexim në Orën e madhe letrare “PENA E FLAKËS” 2019, poezitë e këtyre poetëve konkurues:

1. Adem XHELADINI – Kërçovë
2. Agron TUFA – Shqipëri ( Jashtë konkurencës )
3. Afrim DEMIRI – Ferizaj
4. Alketë SPAHIU – Gjilan 
5. Anton Nikë BERISHA – Prishtinë
6. Arian LEKA – Shqipëri 
7. Arsim HALILI – Kosovë Lindore 
8. Donart REXHBOGAJ – Pejë
9. Flutura AÇKA – Shqipëri
10. Ibrahim KADRIU – Prishtinë ( Jashtë konkurencës )
11. Linditë DODA – Shqipëri
12. Medina PASOMA – Vushtri
13. Menduh LEKA – Ferizaj
14. Mirela Papuçiu – Shqipëri 
15. Mujë BUÇPAPAJ – Shqipëri 
16. Nikolla SPATHARI – Shqipëri
17. Nuhi SADIKU – Shtime
18. Prend BUZHALA – Klinë
19. Rakela YZEIRI – ZOGA – Greqi
20. Ramadan MEHMETI-Prishtinë ( Jashtë konkurencës )
21. Ramë ORACA – Podujevë
22. Rozafa SHPUZA – Shqipëri
23. Selvete ABDULLAHU – Gjilan
24. Vjollca DIBRA- Prishtinë
25. Xhevat LATIFI – Gjilan ( Jashtë konkurencës )
Njëzetenjë poetë nga kjo listë, do të garojnë për Çmimin kryesor të kësaj pjese të Manifestimit – PENA E FLAKËS 2019, e cila do të zgjedhet përmes votave të vetë poetëve.
Tre poetë, Agron Tufa, Ibrahim Kadriu e Xhevat Latifi, do të lexojnë jashtë konkurencës, nga fakti se kanë qenë fitues të mëhershëm të këtij Çmimi.

Ndërsa dhënien e këtij Çmimi, sipas një tradite tashmë të krijuar, do ta bëj fituesja e vitit të kaluar, shkrimtarja nga Tirana, Entela Kasi. 
“Pena e Flakës” 2019, mbahet në përmbyllje të këtij Manifestimi, më 31 janar 2019, ora 16:00, në Bibliotekën e Re të Qytetit, në Gjilan.

Galeria Kombëtare sonte mirëpret burrneshat e Britanisë dhe Kosovës

Alberina Haxhijaj

Sonte në Galerinë Kombëtare të Kosovës duke filluar nga ora 18:00 do të bëhet hapja e ekspozitës “Burrneshat”. Kjo ekspozitë kuruar nga Arta Agani vjen si pjesë e ekspozitës “Perceptimet” e cila pos në Prishtinë zhvillohet edhe në Cetinje, Novi Sad, Banja Luka dhe Shkup, shkruan KultPlus.

Burrneshat në Prishtinë është kompozuar në atë mënyrë që të sjellë të ndërlidhura punën e artistëve britaneze, punimet e të cilave janë marrë nga koleksioni i “ British Council” dhe punimet e artistëve nga Kosova. Prandaj vizitorët do të kenë mundësinë që të shohin punimet e artistëve të njohura britaneze si: Madame Yevonde, Clare Strand, Abigail Lane, Rachel Whiteread, Camilla Low, Anthea Hamilton, Laura Aldridge, Helen Chadwick, Tracy Emin, Sarah Lucas, Gillian Wearing, Elisabeth Price, Celia Hempton dhe Lubaina Himid të mishëruara brenda një hapësirë se bashku me punimet e artisteve vendore si: Alije Vokshi, Alketa Xhafa Mripa, Arbana Hajradinaj, Flaka Haliti, kolektivin HAVE IT, Rudina Xhaferi dhe Zake Prelvukaj. 

Sipas Angus Bijarnason nga British Council, i cili është zëvendësdrejtor për Ballkanin Perëndimor, duke prezantuar këto punime së bashku i lëmë hapësirë edhe dialogut për të parë se si është pozita artistëve në shoqëri por edhe si prezantohen gratë në art.

“Ajo që e ndërlidhë gjithë këtë, nuk është vetëm ekspozita por edhe bisedimet përmes të cilave do të diskutohen për sfidat me të cilat ballafaqohen gratë të cilat janë artiste. Ky dialog është ajo që i ka bërë galeritë dhe muzetë në Britani të njohur dhe dinamik, pasi që galeritë dhe muzetë në Britani nuk janë një vend i vdekur ku vetëm prezantohen apo shfaqen punimet artistike, por janë vende ku punohet, diskutohet, shfaqen pikëpamje të ndryshme dhe takohen njerëzit. Bazuar në këtë shpresojmë që përmes këtij bashkëpunimi me galerinë të krijojmë një hapësirë të tillë edhe këtu, pasi që përveç që është e rëndësishme që të shohim punimet, e rëndësishme mbetet edhe që të kuptojmë çfarë fshihet prapa tyre”, theksoi ai.

Menaxherja e koleksionit në British Council, Nicola Heald u shpreh se ideja prapa kësaj ekspozitë ka qenë dëshira që të realizojnë diçka për Ballkanin Perëndimor. Sipas saj, duke sjellë ide të ndryshme nuk kishin sesi ti iknin diskutimit kryesor në botë, kohëve të fundit, e që është mungesa e përfaqësimit të grave artiste në koleksione, diçka që nuk vërehet vetëm në Ballkan por edhe në botë.

“Kuratorët e kanë pasur punën me të vështirë në këto pesë vende pasi që të gjithë është dashur që të zgjedhin punimet nga koleksioni i British Council dhe të bëjnë që këto punime të përputhen me punimet e artistëve të vendit të tyre”, u shpreh ajo.

Sipas kuratores Arta Agani krijimi i kësaj ekspozitë ka qenë sfidues, pasi që ajo vë në pah shumë probleme mbi përfaqësimin e grave në art. Ajo theksoi se në mesin e 1 mijë veprave që i takojnë koleksionit të galerisë, vetëm 17 vepra janë krijuar nga gratë. Prandaj, sipas Aganit titulli burrneshat -fjalë e cila përveç kuptimit si “Virgjëreshat e përbetuara” përdoret edhe si kompliment për një grua që ka vendosmëri, sukses dhe fuqi, vë në pah ironinë e kësaj ekspozite.

“Titulli është një koment ironik ndaj diskriminimit të grave që shkon aq larg, deri te atributet, ndërsa në realitet gratë janë motorë shumë të fortë që e mbajnë shoqërinë tonë në lëvizje. Artistet në Kosovë ishin dhe ende janë në një masë, shembujt tipik të diskriminimit gjinor”, theksoi ajo duke u shprehur se tashmë gjërat po ndryshojnë dhe gratë artiste po vlerësohen me një ritëm të vonuar por me hap të sigurt.

Mirëpo, përpos manifestimit të arritjeve të grave artiste në Kosovë, programi do të theksojë si dhe të ngrisë pyetje rreth sfidave të tyre momentale: Pse ka ende aq shumë mospërputhje mes numrit të grave studente të artit, dhe numrit të artisteve të diplomuara aktive? A është të qenit artiste profesion tepër kërkues? A i kundërvihet avancimi i gruas përmes artit, nocioneve konzervative për gratë e asocuara me formën dhe bukurinë, përkundër burrave, personifikimit të funksionit dhe intelektit?

Ekspozita do të hapet sonte në ora 18:00 në Galerinë Kombëtare të Kosovës duke shënuar kështu edhe 80- vjetorin e koleksionit të British Council.

Ekspozita “Perceptime: Burrneshat” është rezultat i bashkëpunimit në mes të British Council dhe Galerisë./ KultPlus.com

Ministri Gashi: Prizreni, tashmë jo vetëm qytet i kulturës por edhe qytet administrativ i kulturës

M

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit tanimë do të jetë e pranishme zyrtarisht në qytetin jugor të Kosovës, në Prizren. Në një ceremoni të organizuar nga MKRS-ja është bërë hapja e zyrave të ministrisë në qendrën historike të qytetit, në ish-objektin e Rektoratit të Universitetit të Prizrenit.

Në ceremoni morën pjesë personalitete të shumta nga jeta politike e kulturore e vendit. Ndër të pranishmit në këtë ngjarje ku u përurua hapja e zyrave të MKRS-së në Prizren ishin Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ministri i MKRS-së, Kujtim Gashi, e deputetë të Kuvendit të Kosovës.

Me këtë rast, ministri Kujtim Gashi, foli për rolin që do të ketë Ministria në Prizren duke e pasur parasysh edhe rëndësinë historike, kulturore dhe të trashëgimisë që ka qyteti dhe rrethina e tij.

Me ketë rast, ministri Gashi tha se sot kemi hapur edhe zyrtarisht zyrat e MKRS-së në qytetin historik të Kosovës në Prizren. “Me qëllim të avancimit dhe përkrahjes më të madhe institucionale ndaj vlerave historike, kjo zhvendosje u bë për të qenë sa më afër qytetit më kulturor të Kosovës, dhe nga sot zyrtarisht një pjese e stafit politik, administrativ dhe profesional u zhvendos në Prizren” tha ministri Gashi.

“Sërish Prizreni, kryeqyteti historik i shqiptarëve na ka bashkuar, kësaj here për t’i inauguruar zyrat e MKRS-së në të cilat do të punojnë një pjese e kabinetit tim ministror, si pjesë e fazës së parë për ta sjellë Ministrinë e Kulturës në Prizren dhe për ta jetësuar premtimin elektoral të Kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, z. Veseli”, u shpreh tutje ministri.

Ministri hapjen e zyrave të MKRS-së e konsideroi një ditë feste për qytetarët e Prizrenit. “Sot Kryeqyteti i kulturës, merr edhe epitetin e një qyteti administrativ, sepse atë që Qeveria e Lidhjes Shqiptare te Prizrenit nuk arriti ta bënte, Qeveria e Republikës së Kosovës, shteti ynë po e bën histori”

“Nga sot, MKRS-ja do të jetë afër festivaleve kulturore e afër traditës sportive, për t’i mbështetur ato, për ta ruajtur e mbrojtur trashëgiminë e pasur kulturore. Nga sot, MKRS-ja është në qytetin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në qytetin e Bekim Fehmiut, në qytetin e Dokufestit, Zambakut të Prizrenit, qytetin e diversitetit kulturor, komunikimit kulturor ndërkombëtar, në qytetin e shoqërisë Agimi e Ansamblit Emin Duraku, në kryeqytetin shpirtëror të shqiptarëve, të patriotëve e heronjve si Ymer Prizreni, Remzi Ademaj, Xhevat Berisha, Agim Shala e shumë dëshmorëve të UÇK-së”, shtoi mes tjerash ministri Gashi në fjalën e tij duke falënderuar Kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, për mbështetjen dhe premtimin e mbajtur që në perlën e trashëgimisë së kulturës, në Prizren, ta sjellin Ministrinë e Kulturës.

Ndërkaq, Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, tha se “prej sot Prizreni do ta ketë qendrën e vet përderisa ky s’do të jetë i vetmi institucion qe do të ketë Prizreni.Sa herë që pyetem nga ndërkombëtarët se cili është vendi që duhet vizituar në Kosovë, unë i them Prizreni, Ky qytet është nyje e kombit tonë, nyje e transformimit të një identiteti të ri. Prizreni është interes i një Kosove dhe jo i një partie”, tha Veseli./KultPlus.com

Ne ishim fëmijë me kukulla druri dhe me këngë kundër Rankoviçit

Drita Kadriu

Lagjja ime quhej “Te rruga e ngushtë” ku secila shtëpi e lagjes kishte tre e më shumë fëmijë. Rrugë jo më e gjatë se njëqind metra, me rreth 12 shtëpi, që kishte rreth 50-60 fëmijë të moshave të ndryshme .

Në fund të rrugës sonë fillonin shtëpitë e fqinjëve tanë serbë, deri te rruga kryesore dhe që afërsisht ishin shtëpi sa edhe të shqiptarëve, por numri i fëmijëve nëpër këto shtëpi ishte shumë i vogël dhe asnjëherë nuk mbaj mend se ata kanë luajtur me ne. Ata kryesisht kanë qëndruar në çerdhen e qytetit gjatë ditës.

 Në fund të rrugës ishte furra e bukës, e cila nxirrte bukë në mëngjes dhe në mesditë. Nëse nuk është blerë buka në këto kohë, gjasat kanë qenë shumë të vogla për të gjetur bukë në orët e pasditës. 

Lojërat tona kanë qenë ngusht të lidhura me stinët e vitit. Në ditët e gjata të verës, zakonisht pasditat në qytet janë shoqëruar me një gjumë të pasdrekës, ku të gjithë rrinim në shtëpi, deri sa kalonte vapa. Me fillimin e freskisë së pasditës , turma e fëmijëve bëheshin bashkë dhe fillonin lojërat e ndryshme: symbyllurazi, kila, me kukulla, bënim dasma etj.

Loja jonë e më e mira bëhej nën hijen e arrës së madhe që gjendej përballë derës së shtëpisë sonë, në oborrin e parrethuar të fqinjit , axhës Beqir.

Dritaret e shtëpive, sikurse edhe shtëpitë, kanë qenë të ulëta. Ulur buzë dritares ke pasur mundësi të shohësh dhe të sodisësh çdo gjë.  

Një mision tjetër e kishim edhe shprehjen e pakënaqësisë së të rriturve me rrethanat politike. Kam qenë 4-5 vjeçe dhe më kujtohet se si mblidheshim  te dritarja e axhës Tomë . Të gjithë së bashku këndonim vargjet që shprehnin një revoltë kundër të bëmave të Rankoviqit. Autorin e  vargjeve të rimuara kurrë nuk e kemi ditur , por motivuesit kryesorë për të kënduar te dritarja e axhës Tomë, ka qenë axha im Dauti dhe nëna ime. Kur 10-12 fëmijë i këndonin këto vargje, nervoza e Tomës shkonte në maksimum:

“Rrang e dang po bon legeni

Rankoviqit i hift veremi        

Rrang e dang po bon tepsija

Rankoviçit i hift tërrpija”.

Të rriturit tjerë të lagjes kanë qeshur nën dhëmbë dhe pas ankesave të Tomës kanë ditur të na thonë : “Edhe një herë  të ndodhë kjo, do ta merrni dënimin e merituar”.  Mos të harrojmë se atëhere dajaku ka qenë pjesë e edukimit.  Por për këndimin e kësaj kënge, përveçse jemi ndjekur, nuk mbaj mend se dikë e kanë rrahur prindërit.

Tezja Nezahate , një rrobaqepëse e dalluar e qytetit , gjithmonë na ka dhënë copa të materialeve të ndryshme , me të cilat tezja Fahrije, na bënte kukullat nga shkopinj druri dhe i veshte me materiale të ndryshme. Ajo,  i mësonte vajzat më të rritura se si punohen kukullat. Te gjitha vajzat, posa kishim mundësi që t’i kanë 5 “banka”, i ruanim ato për t’i përdorur për fytyrën e kukullave të drurit. Veshjet e kukullave bëheshin nga materialet  shumë të bukura dhe varësisht nga materialet, përcaktohej mosha e kukullës. Kukulla nuse veshej me rroba të qepura nga  copat e mbetura nga materialet e bukura të dimive , kur familjet përgatiteshin të merrnin nuse.  Prej copave nga fustanat e grave, bëheshin kukullat më të shtyera në moshë e që në lojën tonë ato kukulla  ishin vjehrrat.

Përveç veshjes, për finalizimin e kukullave te drurit, rol të madh kishte edhe procesi i grimit. Paraja me te cilën bëhej fytyra, vishej me patisk të bardhë, mbi të cilin me lehtësi, por me kujdes të madhe, bëhej grimosja.  Për grimosje përdoreshin mjete të ndryshme si ngjyra druri ose “thingji druri”. Vetullat dhe sytë bëheshin me ngjyrë te zezë, ndërsa buzët dhe faqet me ngjyrë të kuqe. Gratë me shkathtësi të qëndisjes, grimin e bënin duke përdorur penjtë për  qëndisjen e fytyrës së kukullës. 

Vjeshta dhe dimri i kanë pasur lojërat e veta. Nëse na zinte shiu duke luajtur, strehoheshin nën strehët e cilësdo derë të rrugës. Kthimi në shtëpi të bërë çull nga shiu pasonte me bërtima dhe masa për t’i ndërruar rrobat të cilat i kishim të pakta në numër. Ka ndodhur me mbetë në pixhama deri sa na janë tharë rrobat. Në rrethana të shtëpisë luanim me “degërrxhik” ose me guralecë të ruajtur nga vera. Qysh herët e fillonim punën për përgatitjen e zbukurimeve për bredhin e Vitit të Ri. Gjatë gjithë vitit nën udhëheqjen e vajzave dhe djemve më të rritur mblidhnin “papiriqat”, letrat shkëlqyese të bonboneve.

Në netët e vjeshtës së vonshme, të vranëta dhe me shi, në pixhama , fillonim që nga këto mbështjellëse të bomboneve t’i punonim zbukurimet për bredh, duke u dhënë letrave forma të fluturave e forma tjera.  

Loja e zhvilluar nën arrën e madhe,  por tani e shtruar me baltë i kishte edhe disa obligime shumë specifike: gjithmonë njëri nga fëmijët më të dëgjuar të familjes e kishte detyrë çdo mbrëmje të merrej me larjen e çizmeve dhe këpucëve nga balta.Të njëjtat vendoseshin në furrën poshtë shporetit për t’u tharë, për t’i mbathur të nesërmen.

Zakonisht çizmet e llastikut i lidhnin edhe stinët . Në pranverën e vonshme atyre u priteshin grykat dhe i veshnim si këpucë vere.

Unë kam lindur në dekadën e gjashtë të shekullit të kaluar. Jam shumë me fat që jeton në shekullin e ri sepse, e shoh, e ndjej dhe jam pjesë e vazhdueshme e transformimit shoqëror. /KultPlus.com

Mësuesja nga Prizreni heq dorë nga greva, mban mësim të rregullt me nxënësit e saj

Ka dhjetë ditë që fëmijët anembanë Kosovës nuk po mbajnë mësim për shkak të grevës së mësimdhënësve.

Por një mësuese nga Prizreni ka hequr dorë nga greva për hir të nxënësve. Tash e nëntë ditë, nxënësit e klasës së dytë të shkollës fillore “Xhevat Berisha” në Prizren po mbajnë mësim të rregullt.

Mësuesja e cila nuk ka dashur të flasë para kamerave, ka thënë për TV Prizreni se e përkrahë grevën, por nuk do që të dëmtohen nxënësit e saj.

Kurse drejtori i kësaj shkolle, Samidin Ramadani, ka treguar se mësimdhënësja në fjalë hoqi dorë nga greva qysh në ditën e dytë dhe filloi mësimin.

“Përgjigja ime ka qenë kështu, të gjithëve iu kam thënë, kush do të mbajë mësim, le të vazhdojë, kushtet të gjitha do t’i kenë të plotësuara si në çdo ditë tjetër të mësimit. Pas kësaj përgjigje, ajo ka filluar prej ditës së martë (15 janar) duke mbajtur mësim”, ka thënë Ramadani për Tv Prizreni.

SBASHK-u ka kërkuar që koeficienti i pagave për punëtorët e arsimit të rritet 30 përqind, ndërkaq qeveria i ka ofruar një rritje prej 0.20 përqind.

Ani pse qeveria ka deklaruar se nuk kanë mundësi buxhetore për më shumë rritje, SBASHK-u nuk është tërhequr ende nga greva.

Filip David: Njohja e Kosovës është në interes të Serbisë

Nuk kam asnjë mëdyshje se marrëveshja me shqiptarët dhe njohja e pavarësisë së Kosovës është kushti themelor që Serbisë t’i hapet rruga drejt Bashkimit Europian dhe që përmirëson marrëdhëniet me fqinjët, i tha agjencisë serbe të lajmeve shkrimtari, esejisti dhe dramaturgu i njohur Filip David, transmeton Koha.net.

Ai, në kuadër të serialit Kosinus, vlerësoi se njohja e pavarësisë së Kosovës do të bënte të mundur stabilizimin e rajonit, por edhe do të krijonte kushte që Serbia të zbatonte reforma ekonomike e shoqërore.

Filip Davidi tha se reformat që parashihen nuk do të jenë të mundura deri sa të mos ndodhë njohja. Sipas vlerësimit të tij, autoritetet serbe nuk kanë reaguar me kohë për të arritur zgjidhje të pranueshme për të dy palët dhe tani ndodhen në një situatë që të veprojnë me njëfarë detyrimi.

është shprehur ai, edhe në rastin e Kosovës po përsëritet situata që autoritetet serbe në fund të pranojnë zgjidhjen më të keqe të mundshme. Kjo është një situatë që po përsëritet me vite, ka konstatuar Davidi dhe ka tërhequr vërejtjen se rikufizimi në baza etnike do të shkaktonte probleme dhe konflikte të reja. Korrigjimi i konflikteve të imta kufitare ndërmjet Serbisë e Kosovës është i mundur me pajtimin e të dyja palëve, por sipas tij kjo tani ka pak gjasë.

Ai konsideron se në Europë dhe në rajon sot nuk ka shtetarë të mëdhenj, prandaj është pak e besueshme të organizohet ndonjë konferencë e madhe ndërkombëtare për zgjidhjen e problemeve në raportet midis serbëve e shqiptarëve. Për një konferencë të tillë ndërkombëtare të rëndësishme, siç është shprehur ai, duhet të ketë burrështetas të mëdhenj, të gatshëm që të marrin vendime të mëdha. Sipas mendimit të Filip Davidit Kosova do të duhej të bëhej anëtare e Kombeve të Bashkuara, si çdo shtet tjetër i pavarur.

I pyetur për një referendum eventual rreth Kosovës, ai është përgjigjur se referendumi do të ndërlikonte punët, meqë “një pjesë e mirë e popullit është helmuar përmes propagandës shumëvjeçare mediatike”.

Nëse do t’i paraprinte referendumit një fushatë mediatike se njohja e pavarësisë së Kosovës është një vendim i rëndësishëm që ndikon në ardhmërinë e Serbisë, atëherë referendumi do të mund të ishte i suksesshëm, ka thënë Davidi. Ai ka rikujtuar se në Serbi dikur ishte folur gjatë se ”lufta nuk ka alternativë”, ndërsa Sllobodan Millosheviq, pas Dejtonit nuk tha në servisinteleviziv shtetëror se “paqja nuk ka alternativë”. Për Filip Davidin asociacimi i parë në Kosovë ia sjell ndërmend historinë e këtij vendi në radhë të parë luftërat ballkanike 1912 e 1913.

“Lexoni raportet e Llav Trockit i cili atëherë ndodhej në territoret e përfsahira në luftë si gazetar, ose çfarë ka thënë Dimitrije Tucoviqi”, ka porositur Davidi. Ai ka treguar se i gjithë shtypi i atëhershëm ndërkombëtar vlonte për krimet e papara ndaj shqiptarëve. Këto krime i ka hulumtuar edhe Komisioni Ndërkombëtar Carnegie pas luftërave ballkanike, ka saktësuar shkrimtari i famshëm Filip David. Ai pohon se për këto zhvillime historike dihet fare pak në opinionin e Serbisë. Njohja e Kosovës nuk është vetëm në interes të Kosovës, por edhe në interes të Serbisë dhe të paqes, është shprehur Filip Davidi, transmeton Koha.net.

“M’i fusnin këmbët zbathur në prush sa më binte të fikët”, nipi i Safet Butkës trregon për torturat

Arkiva Online e Viktimave të Komunizmit/ Nipi i Safet Butkës: U dënova pse thashë “Të kërkojmë edhe ne Kosovën”, siç kërkon Serbia Triesten.

I arrestuar që në rini, pasi provon torturat çnjerëzore në hetuesinë e kohës, vuajtjet e urisë në Burgun e Burrelit, sëmuret rëndë dhe përfundon në internim për gjithë pjesën e mbetur të jetës deri në vitin 1991. Kjo është historia e Avni Bejkovës nga Kolonja, nip i Safet Butkës, anëtar i Ballit Kombëtar, të cilit iu fal jeta nga kryeprokurori komunist, që qëlloi mik fëmijërie i tij, për të nisur një kalvar vuajtjesh me urinë e tejskajshme në burg e nëpër spitale.

Në pjesën e parë të dëshmisë së tij, Avni Bejkova tregon si u krijua Balli Kombëtar në Kolonjë, konfliktin me komunistët, arrestimin dhe torturat në hetuesi. Pjesa e dytë e dëshmisë së tij sjell të gjallë tablonë e vuajtjeve në burgun famëkeq të Burrelit, që i përngjan kampeve naziste.

Lufta, si u krijua Balli Kombëtar në Kolonjë

“Unë kam lindur në Kolonjë, më 1926. Rrjedh nga një familje me gjendje ekonomike të mirë për kohën, natyrisht e një rrethi që kish aktivitet politik. Më 5-6 të Prillit 1939, u bënë demonstrata anti-italiane. U mblodh populli i qytetit dhe i fshatrave përreth dhe u bë kallaballëk i madh dhe shumë vullnetarë kishin dalë edhe kërkonin që të shkonin në Durrës për të luftuar me Italianët. Qëndrimi i popullit të Kolonjës, siç e thashë, ishte anti-italian, antifashist dhe Italinë e konsideronte tamam zaptues. Në Kolonjë, në këtë kohë u internuan kolonjarë, midis tyre ka qenë Safet Butka. Fill pas internimit të Safet Butkës, u arratis Qemal Butka. Biles më kujtohet atë ditë që Qemali ka kaluar kufirin edhe kaloi për në Greqi, ka ardhur në Ersekë, është takuar me tim atë, edhe kishte edhe një shok me vete, Brango Merxhani, gazetarin e shkrimtarin e dëgjuar.

Filloi lufta midis Bashkimit Sovjetik, rusëve dhe gjermanëve. Në këtë kohë, filluan të lëviznin edhe komunistët, gjë që më përpara nuk e kishin bërë. Biles, ata mbanin një qëndrim tepër pro boshtit, pro Gjermanisë dhe Italisë, duke i konsideruar fuqitë aleate: Anglinë, Francën dhe Amerikën, si fuqi plutokratike, domethënë pushtetet e të pasurve. Doli në skenë Stalini, këngët për Stalinin, këngët për komunizmin dhe aktiviteti anti-italian, por ngaherë në emër të komunizmit. Në fillimet e saj, kjo lëvizje i bashkoi të gjithë njerëzit kundër fashizmit, mirëpo avash-avash populli edhe mendjet e shkathëta të Kolonjës, që nuk i mungonin kurrë, dalluan fare qartë qëllimet e komunizmit, që nuk ishin për Shqipërinë, por ishin për t’i shërbyer luftës që bënin sovjetikët dhe marrjes së pushtetit.

Ndërkohë, kthehet Safet Butka nga internimi edhe menjëherë u krijua organizata e Ballit Kombëtar, gjë që komunistët nuk e pritën mirë, domethënë ishin kundërshtarë të krijimit të Ballit Kombëtar. Kolonja, kur doli Safet Butka, që krijoi çetat e Ballit, menjëherë u hodh me Ballin. Mund të them që 90% e Kolonjës ishte nacionaliste, e radhitur pranë Safet Butkës dhe Ballit Kombëtar, sepse Kolonja besonte Safet Butkën që qe një intelektual i dëgjuar i asaj kohe. E dyta, udhëheqës i Ballit Kombëtar ishte Mid’hat Frashëri, i biri i Abdyl Frashërit, nipi i Naimit dhe Samiut, me një aktivitet politik të jashtëzakonshëm të çështjes kombëtare, i cili u vu në krye të kësaj organizate që thashë që u krijua, dhe Shqiptarët patriotë, nacionalizmi do të ish domosdo me këtë dhe me atë vajti”.

Komunistët sulmuan çetën e Safet Butkës pse kërkoi aleancë me Anglinë

“Natyrisht familja jonë nuk mund të bënte ndryshe, siç bëri tërë Kolonja, domethënë ishte nacionaliste, se kishim kapital nga e kaluara. Kishim bëmat e paraardhësve tonë që kishin luftuar për Shqipërinë. Safet Butka dilte nëpër krahinë, edhe kudo që shkonte evokonte të kaluarën, luftën e të parëve tanë, luftën dhe përpjekjen e të parëve tanë duke i radhitur me radhë: Naimin, Samiun, Abdylin, Abdyl Ypin, Shahin Ypin, Jani Vreton, Spiro Bellkamenin, Sali Butkën e plot e plot të tjerë… Petro Ninin e paharruar, Nolin, Konicën. Këta ishin paraardhësit tanë, ishin nacionalistë, patriotë, nuk ishin komunistë, nuk ishin marksistë, nuk ishin miq të serbëve, të cilët komunistët na i reklamonin me të madhe, ku thoshin miqësi e pandarë, miqësi e pathyeshme me Titon, me serbët, me komunistët, gjë që kolonjari nuk e besonte kurrë një miqësi me serbët, një miqësi me grekët sepse e dinte që tërë jetën ata na kishin dashur të keqen edhe përpiqeshin për të na eleminuar. Aq e vërtetë është sa pjesët më të mëdha të vendit tonë mbetën jashtë kufijve, edhe një pjesë të madhe të Kolonjës e mori greku. Kosovën me pjesën e Maqedonisë, një Shqipëri të tërë, e mbajti serbi e Mali i zi.

E çfarë lanë ata? Lanë një Shqipëri sa për të thënë, që është Shqipëria. Prandaj, kishte humbur besimi në bashkimin e armëve tona me serbin edhe grekët, për të luftuar gjasme italianët. Komunistët thoshin që të përmbysin, të shkatërrojmë të kaluarën e të krijojmë botën e re. Po nacionalizmi shqiptar nuk donte të përmbyste gjithçka të kaluar. Të gjithë djemtë, të cilët kishin dështuar nëpër shkolla, iu përgjigjën thirrjes të komunistëve, premtimeve të tyre, u gënjyen. Një pjesë ishin të bindur për të bërë luftën kundër fashizmit, duke mos e kuptuar mashtrimin komunist.

Mospajtimet e aktivitetit të njërës palë apo tjetrës, sa vinin edhe shtoheshin. Kundërshtime të mëdha për njëri-tjetrin. Lufta të bëhet këtu apo këtu? Të bëhet në një fshat ku italianët mund të na dëmtojnë, apo të bëhet në një vend ku mos kenë mundësi të na dëmtojnë? Ne t’i dëmtojmë ata, po ata ne jo, mos ta kenë ata këtë mundësi. Mirëpo ata vinin, italianët, tamam në atë vend që kishin mundësi të na dëmtonin edhe krijoheshin situata shumë të ndera në këtë drejtim. Vinim deri në pikën kritike, ku edhe mund të goditeshim, por Safet Butka, me forcat e mëdha, desh të takohej me anglezët për të bërë aksione kundër gjermanëve. Për të sabotuar këtë takim të Safet Butkës me anglezin, vajtën një skuadër komunsite edhe e qëllon Safet Butkën, çetën e Safet Butkës, e cila qe një kallaballëk i madh prej 700 vetëve. Nis lufta aty.

Arrestimi dhe torturat në prokurori

“Pas Mukjes komunistët i shpallën luftë hapur Ballit Kombëtar dhe bënë që ajo marrëveshje të dështonte. Atëherë plasi lufta me njëri-tjetrin në Kolonjë. Mbarimi i luftës ishte ardhja e komunistëve në fuqi, sepse gati në tërë Europën ata erdhën. Gjëja e parë që bënë, i kapën një nga një, shumicën me tradhëti, kundërshtarët e tyre politikë, nacionalistët, edhe mbushën burgjet plot. Njëri prej tyre ka qenë edhe babai im. Filluan gjyqet edhe konfiskimi i pasurive të shumicës së familjeve kundërshtare nacionaliste. Ndërkohë, ne prisnim që të na dilte babai në gjyq… më kapën mua, edhe në derë të gjyqit që une doja të veja, të asistoja në seancë, në zhvillim të saj, nuk më linin rojet, sepse ishin me njerëz të autorizuar. Nuk mund të hynte kushdo.

Isha duke pritur tek dera dhe në këtë kohë vjen Muhamet Prodani me Sabri Pilkatin, të cilët i njihja, i kisha patur shokë, nuk më folën. Nuk më folën, gjë që më bëri çudi. Pas 5 minutave, dalin dy roje edhe më marrin e më thonë: Do vish në komandë, në policinë e kohës. Më morën, më çuan atje, pa më thënë asgjë, më mbajtën në arrest. Mbas 3-4 ditësh, vjen seanca e dytë, ku ishte dhe im atë aty. Vjen nga Korça, i sillnin nga Korça aty, se i mbanin në burg në Korçë. I sillnin në Ersekë që zhvillohej gjyqi. E takova tim atë, sepse në atë vend që isha unë, unë isha këtu, pjesa e burgut ishte matanë, ishte Qemal   Burimi, etj. Më nxorën mua edhe sollën ata nga Korça. Aty u takuam edhe me tim atë. Të nesërmen, më dërgojnë në degën e punëve të Brendshme të Korçës. Më marrin në pyetje edhe atje, po tamam-tamam nuk e mora vesh akuzën. Më futën në burg në një dhomë, ku ishin 20-30 veta. Më afrohen dy djem të rinj të burgosur edhe më thonë: “Sigurimi po mundohet të krijojë një grup komplotistësh, 8 prej të cilëve i dënoi. Tani jemi grupi tjetër. Domethënë, shokët i dënuan me vdekje dhe i pushkatuan, edhe më thonë mua: Filani, filani, filani… Dy apo tre prej tyre i njihja. Kur më vjen një djalë i ri, 2-3 vjet më i madh prej meje, Astrit Leka, tani është personalitet i madh jashtë vendit, edhe më thotë: -“Ti je Avni Bejkova? Po – i them unë. “Ti ke të bësh më Safet Butkën?” -Po, sepse aty në ushtri kishte njëfarë aktiviteti anti-komunist, edhe ata që mundoheshin të bënin këtë prapagandë, këtë lojë, përdornin emrin tim, që është nipi i Safet Butkës. Ti je rrezik më thotë Leka, po megjithatë unë të këshilloj dhe dëgjomë, se të dua të mirën, se dhe unë jam familje kundërshtare. Më thotë: “Nëqoftëse do të pranosh, se kaq i ri sa je ti, nuk të pushkatojnë”. -I them: “Nuk kam bërë gjë, absolutisht asgjë”. Unë isha në muhabet me të, kur vjen Zeqir Ymero, prokurori, thotë: -“Avni Bejkova kush është?” U ngrita në këmbë. Ti je i vendosur, por do të bëjmë ne. Më tërheq nga ata mua, më dërgon në birucë, më izolon.

Në darkë më thërret në hetuesi. Në hetuesi gjej Sabri Pilkatin, kolonjar. Kur e pashë, thashë: Ky duhet të më ndihmojë, shpëtokam unë, s’kam gjë.

Fillon të më pyesë. Ishte kryehetues. -“Ke thënë që, pse nuk kërkojmë Kosovën, por bëjmë mitingje që Trieste t’i kthehet Jugosllavisë, t’i merret Italisë dhe t’i jepet Jugosllavisë?”

-“Unë kam thënë, thashë, që të themi dy fjalë edhe për Kosovën se është e jona, por për atë ta lëshojë Italia Triesten, a mos ta lëshojë, nuk është në dorën time, ata le ta zgjidhin vetë,” – i thashë.

-Më thotë: “Po ti patriot qenke”.

-“Mendoj që edhe ti kështu duhet të mendosh”, i thashë.

-“Si? -tha, -edhe këtu guxon të flasësh në këtë formë? Do ta shikosh ore qen!”

Menjëherë më shtruan në torturë. Ishte torturë e padurueshme, e tmerrshme. Imagjino të të marrin këmbë zbarthur edhe të t’i fusin në një furrë më prush. Duroja deri në një farë mase, pastaj shtiresha sikur më ra të fikët. Edhe fizikisht isha i dobët edhe si dukej ata druheshin që unë mos u vdisja ndër duar, edhe pushonin. Pushonin ata, merrnin fuqi, edhe pastaj prapë ushtronin dhunë. Lodheshin ata deri sa vinte mëngjesi, i merrte gjumi dhe thoshin një ditë tjetër. Erdhi darka, më thirrën, më thonë: Në orën 12 fillon gjyqi. Ishin 40 veta për të dalë në gjyq, kështu ishin formalitet. Dalim në gjyq, na lidhën tamam si ata që do të pushkatoheshin.

Kryetari i gjyqit i thotë oficerëve: Merreni përsëri në pyetje, edhe çfarë të thotë ai, atë do të shkruani. Torturë në asnjë mënyrë. Më zgjidhën mua, më morën përsëri në pyetje, m’u kanosën, do të bëjmë këtë, do të bëjmë këtë. “Unë më tepër se ç’kam  thënë, nuk mund të them”-u thashë.

Kur më vjen sekretari i gjyqit, më thotë: “Me Sabri Pilkatin, si ke kaluar në të kaluarën?”

-“Kemi qenë shokë bashkë, jemi rritur me të, në shkollë bashkë”.

–“Keni shkuar keq?”

-“Mirë, përkundrazi, shumë mirë”.

-“Të shpëtoi kryetari, t’u fal jeta”.

Kujto.al