Në natën e dytë të Festivalit “Talia e Flakës” u dha shfaqja “I vetëm në banesë”

Festivali i Dramës Shqipe “Talia e Flakës”, që po mbahet në kuadër të manifestimit mbarëkombëtar “Flaka e Janarit”, ka vazhduar ta tërheqë vëmendjen e publikut edhe në natën e dytë, pasi salla sërish ishte e mbushur me adhurues të artit skenik.

Radha ishte për nikoqirin, Teatrin e Qytetit të Gjilanit, që u prezantua me shfaqjen dinamike, komedinë “I vetëm në banesë”, me tekst të Avni Shkodrës, në regji të Natyrë Kallabës, e me kastën e aktorëve: Alban Shahiqi, Mejreme Berisha, Emine Toska, Safete Mustafa, Njomëza Kalaveshi dhe Tringa A. Hasani.

Ajo çfarë iu prezantua publikut kishte të bënte me personazhin Artanin, një skenarist serialesh, që mbetet i vetëm në banesë, pasi Blerina, gruaja e tij, shkon në një seminar.

Kështu, ai fillon të shkruajë skenarin e tij të radhës duke i krijuar personazhet, që të gjitha femra, por që ato fillojnë t’i shfaqen në skenë, natyrisht ashtu siç i konceptonte ai në skenarin që shkruante. Por, ato herë ishin reale, e herë pjellë e imagjinatës së tij.

Ato gra, që Artani i sillte në banesë, fshehtas nënës, e cila e vizitonte shpesh edhe në imagjinatën e tij, e përballin këtë skenarist me një sfidë, në mes të dëshirës për flirtim dhe të qëndruarit besnik ndaj gruas së tij.

Tutje, ky skenarist serialesh humb sensin e realitetit, duke e komplikuar edhe më shumë situatën, pasi karakteret që i vinin në mënyrë fiktive dhe me situata absurdi, e sillnin atë në situata emocionale, ku si përfundim përjeton vdekjen përkatësisht vrasjen nga secili personazh.

Postierja numër 69, shërbëtorja, psikologja, vaska, abazhurët, pasqyrat, telefoni, laptopi, picat, xhointi… audiencës i servoheshin me një qasje konceptuale bashkëkohore, të përcjella me koreografi, lojë dhe këndim.

Edhe loja e Albanit si kryepersonazh, por edhe e aktoreve, Mejremes, Eminës, Safetës, Njomëzës dhe Tringës, në momente të caktuara, por sidomos në pjesën e fundit, sollën emocione te publiku i pranishëm, të cilin e bënë për vete, e nga të cilët, në fund, u shpërblyen edhe me duartrokitje.

Ata të cilët u angazhuan që shfaqja të ishte në tërësi e plotë, pra edhe me elemente tjera përbërëse për një shfaqje, ishin edhe: Bekim Korça – skenografia, kostumet dhe koreografia, Florim Gagica – muzika, Fatmir Halili – dritat, Raif Haziri – inspicient dhe organizator, Suad Berisha – rekuizitat, si dhe treshja, Mejdi Hoti, Haki Aliu dhe Fehmi Hoti – realizatorë të skenografisë.

Përndryshe, në mbrëmjen e radhës, në natën e tretë, në skenën e Teatrit të Gjilanit do të ngjitet, Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” nga Tirana, i cili do të sjellë shfaqjen “Kreonët e Ballkanit”, me autor dhe regji të bërë nga Enver Petrovci, duke e begatuar kështu edhe më shumë, këtë Festival të Dramës Shqipe, që ka edhe karakter garues.

Media gjermane tregon bukuritë e Kosovës: Kur përmendet Kosova, na shkon mendja te lufta

“Sot duam të ju tregojmë për një vend të panjohur për ne”, kështu fillon përshkrimi për Kosovën nga “nordhessen-journal.de”.

“E vetmja gjë që ne gjermanët kemi në mendje për këtë vend është lufta dhe shkatërrimi. Por lufta në Kosovë ka përfunduar 20 vjet më parë”, shkruan tutje, duke përshkruar Kosovën, përcjell albinfo.ch.

Megjithatë, në këtë vend të vogël jetojnë shumë kombe dhe shumë fe. Vendi është i pavarur dhe ka monedhën e euros.

Kjo medie gjermane tregon edhe me kënd kufizohet Kosova, derisa fatkeqësisht thotë se nuk ka qasje në det. Klima është e ndryshueshme, derisa nuk harron pa përmendur edhe rininë, përcjell albinfo.ch.

Ka popullsinë më të re në Evropë, ku gjysma e njerëzve janë nën moshën 18-vjeç.

Gjithashtu ka kisha dhe xhami, derisa toleranca fetare është e madhe. Me anë të një video prej 10 minutave, tregohen bukuria e Kosovës, por edhe historia e saj.

Meri Lalaj: Udhëhiqemi nga injorantë, s’mund të presim tjetër!

Shkrimtarja dhe përkthyesja Meri Lalaj e konsideron të padrejtë vendimin e ri të Qeverisë që përjashton konsultimet me grupet e interesit.

“Zyrtarët nuk mund të sillen me ndryshimet që prekin çmimet e librave sikur të bëhej fjalë për patate, që masandej kur vjen puna tek produkti që mbetet të hidhet në lumë. Libri është kulturë, madje edhe një libër i vetëm rrezaton kulturë”, shprehet ajo për “Shekullin”. Një akt i tillë i Qeverisë, sipas Lalajt bën që shqiptarët të fokusohen edhe më shumë tek ajo që i ofron interneti. “Po në këtë mënyrë rrezikohet të bëhen të varur, të shndërrohen gati në robotë, pasi edhe niveli kulturor do të jetë i njëjtë, ndërsa ‘mrekullinë’ që të ofron libri nuk e merr tjetërkund”. Pas nismave verbale të Qeverisë për nxitjen e leximit, shkrimtarja e konsideron absurde një vendim të tillë. /shekulli

Barbara

Poezi e shkruar nga Jacques Prévert. (Shqipëroi Vasil Qesari)

Mos harro Barbara,
Binte shi atë ditë në Brest.
E ti e qeshur ecje,
E lehtë, e gëzuar, e bërë qull
Nën litarët e shiut …
Mos harro Barbara !
Shiu s’pushonte në Brest,
E ne u pamë në rrugën Siam.
Ti qeshje
E unë të buzëqesha.
Ty që nuk të njihja
Ti që nuk më njihje.
E mban mend,
Pa tjetër e mban mend atë ditë !
Një burrë nën’ një portë qe strehuar
Dhe thirri emrin tënd:
– Barbara !
E ti rende drejt tij nepër shi
Hareshëm, e qeshur, tërë lumturi
E në krahë ju hodhe …
Mos e harro këtë Barbara,

E mos u dëshpëro nëse të flas me ti
Kështu u flas të gjithë atyre që dua
Edhe kur i kam parë vetëm një herë.
Kështu u flas gjithë të dashuruarve,
Edhe pse s’i kam njohur kurrë !
Mbaje mend Barbara,
Mos e harro
Atë shi të butë e të lumtur
Mbi fytyrën tënde të bukur,
Në atë qytet të lumtur.
Atë shi mbi det,
Mbi mal,
Mbi anijen Ouessant.
Oh,Barbara,
Lufta është idiotësi !
Ku je, ku ndodhesh ti tani
Nenë këtë shi të metaltë
Prej zjarri,çeliku e gjaku ?
Ku është ai që në krahë
Të shtrëngonte plot dashuri
Është vrarë, zhdukur a është ende gjallë ?
Oh, Barbara
Bie pambarim shi në Brest
Siç binte atëherë,
Po s’është njëlloj,
Gjithçka ka ndryshuar
S’është shi kobi a dhimbje patreguar
S’është më as stuhi
Hekuri, çeliku e gjaku,
Por thjesht ca re të mbetura
Hequr zvarrë si lango rrugësh
Si zagarë që heqin shpirt
Përrenjve të Brestit
E që kalben larg
Larg, shumë larg,
Aty ku gjurmë
S’u mbetet më …/KultPlus.com

Të gjithë thonë se dashuria dhemb, por kjo nuk është e vërtetë, vetmia dhemb, refuzimi dhemb, të humbësh dikë dhemb

Dhjetë shprehjet më të bukura të dashurisë

1. “Të gjithë thonë se dashuria dhemb, por kjo nuk është e vërtetë. Vetmia dhemb. Refuzimi dhemb. Të humbësh dikë dhemb. Dëshira dhemb. Të gjithë i ngatërrojnë këto me dashurinë, kur në fakt dashuria është e vetmja që fshin çdo dhimbje duke na bërë të ndihemi mrekullisht mirë. Dashuria është e vetmja gjë në këtë botë që nuk dhemb.” Mesha Selimovic

2. Për romantikët e pashërueshëm, kjo:
“Ja se si ndihem kur ti më prek: Sikur miliona universe të vogla lindin dhe vdesin në hapësirën midis gishtave të tu dhe lëkurës time. Ndonjëherë harroj.” Iain Thomas, I Wrote This For You

3. Ja edhe pak nga Rumiu:
“Zgjodha të të dua në heshtje…
Sepse në heshtje nuk gjej asnjë pengesë,
Zgjodha të të dua në vetmi…
Sepse në vetmi askush nuk të ka veç meje,
Zgjodha të të adhuroj prej një farë largësie…
Sepse largësia më ruan nga dhimbja,
Zgjedh të të puth përmes erës…
Sepse ajo është më e lehtë se buzët e mia,
Zgjedh të të mbaj nëpër ëndrra…
Sepse atje ti je e pafundme.”

4. Kjo shprehje psikologjike gjithashtu mund të funksionojë:
“Dashuria e papjekur thotë: “Të dua sepse kam nevojë për ty.”
Dashuria e pjekur thotë: “Kam nevojë për ty sepse të dua.” Erich Fromm

5. Nënë Tereza në shtëpi!
“Le ta takojmë njëri-tjetrin përherë me buzëqeshje, sepse kjo buzëqeshje është fillimi i dashurisë.”

6. Dashuria është e nxehtë. Kujdes!
“Dashuria është zjarr.
që nuk mund të thuash nëse do të të ngrohë zemrën apo do të të djegë shtëpinë,
këtë, nuk e dimë.” John Crawford

7. Dashuria e thellë fillon me miqësi.
“Dashuria është miqësi që merr flakë. Është të kuptuarit pa fjalë, besim i përbashkët, të ndarit, të falurit. Është premtim, në të mirë dhe në të keq. Ajo nuk mjaftohet përveç se me përsosmërinë duke përfshirë brenda dobësinë njerëzore.” Ann Landers

8. E vërteta e thjeshtë e dashurisë.
“Ndonjëherë shpirti sheh atë që është e padukshme për syrin.” H. Jackson Brown, Jr.

9. Martin Luther Kingu, Jr. dinte gjithashtu nja dy gjëra për dashurinë.
“Kam vendosur të merrem me dashurinë. Urrejtja është peshë e rëndë për t’u mbajtur.”

10. Hmm. Kjo është e thellë.
“Të dashurohesh thellësisht prej dikujt të jep forcë, të dashurosh dikë thellësisht të jep guxim.” Lao Tzu.

Rita Ora takon këtë person të veçantë (FOTO)

Rita Ora, këngëtarja kosovare e cila po shënon një sukses të madh edhe me albumin e saj të dytë, së fundi është takaur me një person të vecantë, shkruan KultPlus.

Ajo është takuar me një vajzë e cila adhurimin për Rita Orën e ka shprehë në një mënyrë tjetër. Emri i Rita Orës tashmë është tatuazh në trupin e kësaj vajze, dhe pikërisht ky tatuazh ka rastisë që të takohet Rita Ora me këtë fanse./KultPlus.com

Eliza Hoxha vjen edhe njëherë me “Peng”, kësaj radhe me videoklip

Këngëtarja e njohur kosovare ka sjellë me videoklip këngën e saj të fundit “Peng”, shkruan KultPlus.

Kjo këngë e cila ka qenë pjesë e edicionit të fundit të RTSH-së, është një baladë mjaftë e thellë e këngëtares Hoxha.

Ky videoklip sjellë edhe bukuritë e natyrës në Kosovë, duke përfshirë edhe drerët, ku në një pjesë shihet edhe vetë Eliza duke qëndruar pranë këtyre kafshëve të bukura. Për më shumë mund ta ndiqni videon e bashkangjitur nga KultPlus.com/KultPlus.com

Ministria e Kulturës sot hap zyret edhe në Prizren

Zyret e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit sot do të hapen zyrtarisht edhe në komunën e Prizrenit.

Në ceremoninë zyrtare e cila nis në orën 13:00, do të merr pjesë edhe ministri i Kulturës, Kujtim Gashi. Zyret e kësaj ministrie do të zënë vend në ish-ndërtesën e rektoratit në sheshin Shatërvan. Përndryshe, bartja e një pjese të Ministrisë së Kulturës në Prizren ishte premtuar nga vetë ministri Gashi në muajin korrik të vitit 2018./ KultPlus.com

Mamaja ime pëlqen të ulet këmbëkryq mbi divan, të rregullojë syzat mbi hundë dhe të shohë iPhone-in

Nga Sophia Ankel, the Guardian

Mamaja ime pëlqen të ulet këmbëkryq mbi divan, të rregullojë syzat mbi hundë dhe të vazhdojë të shohë iPhone-in. Nuk e di nëse komenton fotot familjare të ndonjë të njohure, luan “Candy Crush” apo nëse i jep pëlqim ndonjë “meme-je” me titull: “Parashikimi për sonte, 99% gjasa që të ketë reshje vere të kuqe”, por e di që nuk është hera e parë që e kap kështu.

Babai zgjedh fjalinë tipike “Ja, një sekondë dhe erdha”,  të cilën ta jep me një shprehje tepër serioze në fytyrë, teksa shtyp dhunshëm ekranin e telefonit. Tashmë kam mësuar se kjo fjali do të thotë që duhet ta lë të qetë për nja 10 minuta. Sado që nuk e pranojnë, të dy prindërit e mi kanë krijuar varësi ndaj telefonave, po aq sa dhe unë.

Kur kemi qenë të vegjël, na kujtonin shpesh se të rinjtë ishin mosha që ndikohej më shumë nga teknologjia. Ishim “klubi anti-shoqëror”, ata që më të lehtë e kishin t’u dërgonin një SMS miqve që kishin në dhomë, sesa t’i shihnin në sy. Ne jemi të lindurit e epokës dixhitale, ata që e masakrojnë gjuhën ngaqë përdorin figura “emoji” kur duan t’i bëjnë të ditur dikujt që e pëlqejmë, në vend që t’ia shprehim me fjalë. Jemi “brezi i heshtur”, që nuk dimë të flasim me dikë në telefon, sepse telefonatat janë shumë të sikletshme. Edhe pse shpesh e gjej veten te këto studimet e pafundme që na tregojnë nivelin që ka arritur varësia ndaj rrjeteve shoqërore, apo se si kjo varësi po na kthen në “lugetër” të teknologjisë, të paktën duhet ta pranojmë që s’jemi më vetëm ne të rinjtë të prekur.

Është rritur numri i nënave të Instagramit që postojnë pa fund foto bebesh, duke vënë në dukje se kanë një stil jete që duket (çuditërisht) shumë i rregullt, dhe i shpërndajnë me hashtag  #ndjenjamamaje.

Është rritur edhe numri i 55-vjeçarëve që kanë nisur të pushtojnë Facebook-un, ku kujdesen për profilet e tyre. Quhen “Brezi i Nënave në Facebook”, një numër i madh prindërish që po angazhohen aq shumë në Facebook, sa po largojnë të rinjtë që s’duan të enden virtualisht në të njëjtin vend ku mamatë postojnë ato “selfiet” e sikletshme, duke pirë “xhin tonik” gjatë pushimeve.

Shumë prej atyre që janë rritur në vitet 2000 kanë nisur ta braktisin Facebook-un, kryesisht prej tejmbushjes së faqes së parë me lajme të rreme, me video qesharake qensh e “meme” të stër-përsëritura. Por prindërit tanë duket se po e shohin këtë platformë si një mënyrë të mirë për të ndjekur shoqërinë e vjetër të shkollës, e madje, paradoksalisht, (të paktën në rastin e mamasë sime), për të parë se çfarë po bëjnë fëmijët, meqë kanë kohë që nuk i marrin në telefon.

Kanë hyrë pak me vonesë, por prapë po dynden në turma të mëdha, aq sa Facebook pret që pjesa më e madhe e anëtarëve të rinj që janë regjistruar sivjet të jenë rreth moshës 55-vjeçare. 500,000 mendohet se janë regjistruar vetëm këtë vit në Britani.

Ndonëse e gjitha kjo mund të mos ketë ndonjë gjë të keqe, e ndoshta mund të shihet edhe pak me humor, studimet më të fundit kanë treguar se varësia e prindërve ndaj teknologjisë ka ndikuar për keq te sjellja e fëmijëve.

Sipas studimit, 40% e nënave dhe 32% e baballarëve pranojnë se kanë një lloj varësie ndaj telefonit. Kjo ka bërë që të ulet niveli i bisedimeve që bëhen brenda familjeve, dhe tani ka më pak nëna që të nxisin fëmijët e tyre gjatë rritjes.

“Teknoferencë “ është termi që përdoret për të përshkruar rrymën gjithnjë e më në rritje të atyre që zgjedhin ta largojnë vëmendjen nga njerëzit që kanë rrotull e të përqendrohen te telefonat. Kjo po shkon përtej miqve tani, po futet edhe në jetën familjare. Dhe me “jetë familjare” dua të them që s’janë vetëm adoleshentët e fëmijët të fiksuar pas telefonave, por edhe prindërit, të cilët tani po bashkohen me atë “grupin antishoqëror”. Por çfarë pasojash do të kemi, po të mos përballemi në kohë me këtë problem? Dhe pse nuk duam ta pranojmë që e kemi këtë problem? Të gjitha shenjat janë të dukshme.

S’e mohoj dot që mërzitem kur marr atë fjalinë “ja, edhe një sekondë dhe erdha” nga prindi im, kur unë dua t’i bëj vetëm një pyetje të thjeshtë. Dalja nga dhoma për të pritur sa të mbarojë babai atë “punën me rëndësi” (lojën Farmville), po kthehet në normalitet.

Duhet ta dini se të dëshirosh të largohesh për pak çaste nga fëmijët që të stërmundojnë, të dëshirosh  të rrish deri vonë duke u endur nëpër “Twitter”, është diçka mëse normale. Ne, fëmijët tuaj, e dimë se sa varësi të krijon dhe se sa e vështirë është të shkëputesh. Por para se të na qortoni e të na thoni “hiqe atë telefon nga tryeza”, apo të na përmendni statistika që tregojnë se sa të dëmshme janë rrjetet shoqërore për ne, ndoshta duhet të jepni shembullin e mirë e të shihni se sa kohë shpenzoni në telefonat tuaj, dhe se si po ndikohen fëmijët nga kjo, bashkë me marrëdhënien që keni me ta. Ndoshta kështu mund të marrim mundimin që ta luftojmë këtë ves të gjithë bashkë.

Ministria e Kulturës nesër hap zyret edhe në Prizren

Zyret e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit nesër do të hapen zyrtarisht edhe në komunën e Prizrenit.

Në ceremoninë zyrtare e cila nis në orën 13:00, do të marrë pjesë edhe ministri i Kulturës, Kujtim Gashi. Zyret e kësaj ministrie do të zënë vend në ish-ndërtesën e rektoratit në sheshin Shatërvan. Përndryshe, bartja e një pjesë të Ministrisë së Kulturës në Prizren ishte premtuar nga vetë ministri Gashi në muajin korrik të vitit 2018./ KultPlus.com

Restaurim banesës së Hasaf Galanxhit në Gjirokastër

Instituti i Monumenteve të Kulturës ka hartuar projektin me objekt: “Restaurimi i banesës së Hasaf Galanxhit”, Gjirokastër.

Projekti i miratuar në Këshillin Kombëtar të Restaurimeve parashikon ndërhyrje restauruese në fasadat e banesës, monument kulture i kategorisë I. Instituti i Monumenteve të Kulturës mirëpret çdo bashkëpunim dhe mbështetje që kontribuon në ruajtjen e trashëgimisë sonë kulturore./ KultPlus.com

Die Welt: Kryeministri Rama mes politikës dhe artit

Kryeministri Edi Rama në një intervistë për prestigjiozen gjermane “Die Welt” ka folur për ndryshimet në qeveri, për rolin e tij si Kryeministër në drejtimin e vendit, integrimin në Bashkimin Europian, pasionin për pikturën dhe sportin.

“Rama është artist dhe kryeministër. Ai është në krye të qeverisë shqiptare prej afro gjashtë vjetësh. Sot, ai po ekspozon veprat e tij në Berlin, ndërsa flet për “dashurinë” e tij, për Kancelaren gjermane Merkel, si dhe perspektivën e zymtë të Europës”, e nis shkrimin e saj gazeta gjermane.

Prestigjiozja “Die Welt”, shkruan se “si kryetar i bashkisë së Tiranës, Edi Rama leu plot ngjyra fasadat e godinave gri të qytetit. Vizatimet dhe pikturat e tij të panumërta janë pasqyrim i jetës së përditshme në konferenca të gjata. Kryeministri 54-vjeçar vlerësohet i suksesshëm me qytetarët e tij. Në vitin 2017, Partia e tij Socialiste fitoi shumicën absolute”.

“Politikani artist u përfaqësua edhe në Bienalen e Venecias, ndërkohë që ka ekspozuar pikturat e tij edhe në Nju-Jork. Tashmë, ai do të hapë një ekspozitë në Berlin”, vijon më tej shkrimi.

I pyetur se çfarë ka bërë sot, në cilësinë e Kryeministrit, Edi Rama thekson se “kam ndryshuar disa ministra, thuajse 70% të tyre. Tani që flasim, kemi thuajse një qeveri të re”.

“Herë pas here nevojiten energji të reja, për lojtarë të rinj në fushë, në mënyrë që të mos bëjmë të njëjtin gabim që bëri kombëtarja gjermane, pasi fitoi Kupën e Botës”, shprehet Rama.

Duke folur për ndryshimin e sportit me artin, Rama thotë se “për mua, që të dyja janë ekzistenciale. Është e pamundur t’i krahasosh. Si artist punoj thuajse tërësisht vetëm, pasi është diçka e brendshme. Ndërsa në sport punoj jashtë me të tjerët, pasi dua të arrijmë diçka të përbashkët”.

I pyetur nga “Die Welt” sa përshtaten të qënurit njëkohësisht protagonist i botës së artit dhe atë të Kryeministrit të një vendi si Shqipëria, Rama thotë se “unë e shoh veten si një refugjat në tregun e artit. Hyj e dal herë pas here prej tij. Unë nuk kam një vend të përhershëm në biznesin e artit. Ai më kujton shumë gjëra të politikës. Çdo gjë është shumë e ngushtë atje. Por edhe një pikëtakimi me njerëz të mëdhenj dhe mundësish të pakufishme”.

Në ekspozitën e titulluar “Puna” që do të hapë javën e ardhshme në galerinë Carlier/ Gebauer në Berlin, Kryeministri tregon se do të ekspozojë letra të pikturuara muri, skica, vizatime, skulptura.

“Për herë të parë do të ekspozoj edhe shënime të një dite normale pune në zyrë. Dhe në Berlin natyrisht nuk do të mungojnë edhe punimet që kam krijuar gjatë takimeve të mia këtu në kryeqytetin gjerman”, shprehet Rama./A.T.SH/ KultPlus.com

Dhelpra e kuqe, pjesë e pasurisë së faunës në Parkun Kombëtar të Dajtit

Moratoriumi i gjuetisë në vendin tonë përherë e më shumë po pasuron parqet natyrore me faunën e egër, si dhe me specie të rralla që i kanë munguar natyrës dhe mjedisit tonë.

Përkujdesja dhe angazhimi i specialistëve për të ruajtur mjediset nga gjuetia e paligjshme ka bërë të mundur që një specie rrallë në vendin tonë si është dhelpra e kuqe të rikthehet pas përkujdesjes në Parkun Kombëtar të Dajtit, duke e shndërruar tashmë në një atraksion turistik dhe për pasionantët e vëzhgimit të botës së egër.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi shprehet se, ”dhelpra e kuqe e “Safari Park”, në Fier, tani është e lirë. Pas 80 ditësh trajtim intensiv në kopshtin zoologjik të Tiranës, “Four Paws” realizoi me sukses lëshimin e saj në natyrë. Ajo do të jetë pjesë e pasurisë së faunës në Parkun Kombëtar të Dajtit”./koha.net/ KultPlus.com

Kur një nënë vonohet në punë…

Kur një nënë vonohet në punë nuk është pse e ka zënë gjumi, pse është punëtore e keqe, ose pse nuk brengoset për punën.
Kur një nënë vonohet në punë, nuk do të thotë se nuk është entuziaste, ose se nuk do të jetë nga punëtoret më të mira.
Kur një nënë vonohet në punë është sepse dita e saj e punës ka nisur shumë më herët. Ka nisur në orët e para të agimit kur është zgjuar fëmija i saj duke qarë.
Kur një nënë vonohet në punë është sepse ajo veçmë ka qenë e zënë gjithë mëngjesin. Ka qenë duke ndërru pelena, duke ushqy fëmijë, duke i dërguar në shkollë e në çerdhe. Ka qenë duke i menaxhuar krizat e fëmijëve, duke i pastruar të vjellat e tyre, dhe duke u kujdesur për të gjithë. Ka qenë duke u munduar të kalojë një orë me të vegjëlit e saj sepse nuk do t’i shohë pastaj gjithë ditën. Dikush i ka bërtitur, ka vjellur mbi të, e ndoshta edhe e ka fëlliqur pak para se të dalë nga shtëpia.
Kur një nënë vonohet në punë ajo me shumë gjasë as nuk ka ngrënë mëngjes as nuk ka pirë kafe, kështu që lejoni pak kohë.
Kur një nënë vonohet në punë, ajo e di se dita e saj do të zgjasë edhe shumë pasi të kthehet nga puna në shtëpi, sepse tek atëherë do t’i fillojë puna tjetër.
Kur një nënë vonohet në punë, ajo e di se është vonuar, dhe ndihet keq për këtë, dhe e urren faktin që vonohet shpesh.
Mbajeni mend se kur një nënë vonohet në punë, ajo është aq e përkushtuar ndaj punës sa që po ndahet nga fëmijët e saj për të qenë aty, kështu që silluni me butësi e durim.
Kur një nënë vonohet në punë, ka shumë më tepër gjëra nga sa mund të shihen. Pyteni atë se si po kalon. Jini të qetë dhe kujdesuni për të.
Për nënën që vonohet në punë, ti nuk je e vetme, dhe nuk po dështon. I shohim përpjekjet e tua. /supergrat.net/ KultPlus.com

Dashnia e vërtetë

Wislawa Szymborska. Sjellë në shqip nga Vlora Konushevci.

Dashnia e vërtet’. A asht normale,
a asht serioze, a asht praktike?
Çka fiton bota prej dy njerëzve që
nuk e shohin botën?

Të vendosun në të njajtin piedestal pa ndonji arsye,
të tërhequn rastësisht nga miliona të tjerë, por të bindun
se asht dashtë kështu me ndodhë – si shpërblim për çka?
Për asgja.
Drita lëshohet prej kurrçkafit.
Pse bash mbi këta dy e jo mbi të tjerët?
A nuk e shkel kjo punë drejtësinë? Po.
A nuk i përçanë kjo parimet tona të ngrituna me përpikmëni,
dhe e hedh moralin n’ humnerë? Po, të dyja.

Shikojeni çiftin e lumtun.
As që mundohen së paku me e mshef,
për hatër te shokëve qysh nuk bahen kishe janë pak depresivë?
Ndigjoni qysh qeshin – asht ofendim.
Gjuha që përdorin – thjeshtë mashtruese.
Dhe festimet e tyne të vogla, ritualet,
rregullat e ndërsjella të përpunume  –
duket sheshit se asht komplot mrapa shpinës së njerëzimit!

Asht e vështirë edhe me ja qëllu çka kish me ndodhë
nëse njerëzit fillojnë me e ndjek shembullin e tyne.
Feja dhe poezia për çka kish me na shërby?
Çka kish me u mbajt në mend? Çka me u gjyku?
Kush kish dasht me mbet brenda kufijve?

Dashnia e vërtet’. A asht njimend e nevojshme?
Takti dhe mendja e shëndosh thotë t’kalojmë mbi ta në heshtje,
si mbi një skandal në qarqet ma të nalta të Jetës.
Fëmijë të përkryem lindin pa ndihmën e saj.
Ajo nuk mund ta popullojë planetin as për nji milion vjet,
kur ndodh aq rrallë.

Leni njerëzit që kurrë se kanë gjetë dashninë e vërtetë
të besojnë se nuk ekziston.

Besimi ka me ua ba ma të lehtë me jetu e me dekë./ KultPlus.com

Foto e papublikuar e funeralit të Ismail Qemalit

Imazhi i karrocës që ecën e shoqëruar nga xhandarmëria italiane patriotë shqiptarë, ku flamuri kuq e zi duket i trishtuar mbi arkivolin me trupin e pajetë të Ismail Qemalit, është fokusuar në kameran e Kel Marubit.

Në 100 vjetorin e ndarjes nga jeta të firmëtarit të pavarësisë së Shqipërisë, Muzeu Marubi e bën publike këtë foto me shënimin :Sot 100 vite më parë, një moment nga ceremonia mortore e patriotit Ismail Qemali (1844-1919), kryefirmëtar i Pavarësisë, ndër kontribuesit më të mëdhenj në formimin e shtetit shqiptar. Ismail Qemali ndërroi jetë në Peruxhia ku ndodhej i ftuar, me ftesë të qeverisë italiane..

I shoqëruar nga tre djem të tij: Et’hemi, Qazimi dhe Qamili dhe nga përfaqësues të Ministrisë së Jashtme italiane, më 8 shkurt 1919, trupi i Ismail Qemalit u dërgua me tren në Brindizi nga ku, në bordin e torpedinieres “Alpino”, u shoqërua në Vlorë. Më 12 shkurt, nën një ceremoni madhështore, trupi i tij, i vendosur mbi shtratin e topit dhe i mbështjellë me Flamurin Kombëtar, u shoqërua në Kaninë, ku u varros në oborrin e Teqesë, në varrezat e familjes Vlora. «…

Nëse masim madhështinë e një personaliteti politik me dashurinë e popullit të thjeshtë,duhet të pohojmë se asnjë nuk i afrohet Ismail Qemal Vlorës. Në ceremoninë e përmotshme… as fshatar as qytetar nuk qëndroi në shtëpi. Tërë faqet e maleve dhe brigjeve, që qëndronin gjatë udhëtimit, ishin mbushur me njerëz. Ishte një apotezë madhështore e të gjithë popullit, pa dallim, dhe një kurorë që Ai e fitoi me punën e tij të madhe në shërbim të vendit të tij, derisa dha frymën e fundit”, shkruante në kujtimet e saj Safa Vlora./ Gazeta Shqip/ KultPlus.com

Veseli ua rritë pagat mjekëve, mësuesve e policëve, ndërsa ua ulë politikanëve

Kërkesa e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli për uljen e koeficientit të pagës së tij nga 11 në 9, ka sjellë ndryshime drastike në sistemin e pagave.

Ky ndryshim si parim kryesor do të shkaktojë një zvogëlim të pagave për politikanët dhe të emëruarit e tyre, por rritje për kategoritë tjera publike; mjekët, mësuesit, policët, etj.

Një burim i lajmi.net brenda Komisionit për Administratë Publike që tash e disa ditë po punon në Ligjin për Pagat, ka shpjeguar në detaje se çfarë efekti ka pasur kërkesa e Veselit për ulje të pagës së tij.

Kjo kërkesë ka ndikuar që të bëhen ndryshime të rëndësishme në ligj.

Fillimisht, ajo e ka bërë jo funksional vendimin e qeverisë për rritjen e pagave të tyre, duke kursyer një vlerë prej 7 milionë euro.

Me ndryshimet që po ndodhin, duke u zvogëluar pagat enorme të ndërmarrjeve publike buxhetit të shtetit i kursehen edhe 38 milionë euro në tri vitet e ardhshme.

“Në ndërmarrjet publike nuk do të ketë më paga super të larta dhe rritje me vendim nga vet ata. Paga më e lartë në ndërmarrje publike do të jetë rreth 1.600 euro”, ka thënë ky burim i lajmi.net.

Me këto kursime, pritet të ketë rritje në sektorët tjerë të rëndësishëm në vend, e të cilët tash e disa ditë janë duke mbajtur greva apo kanë paralajmëruar të tilla.

Sipas kësaj logjike në shëndetësi, specialisti do të marrë pagë prej 1458, rritje të pagës për 70%. Mjeku i përgjithshëm do të marrë pagë 812 euro apo 50% rritje. Infermierët do të kenë rritje në pagat e tyre për rreth 50 euro.

Mësimdhënësit, varësisht, koeficienti do t’ju rritet për 0.20%. Shërbyesve civil që kanë koeficient nën 2.7, iu rritet paga për 50 euro.

Policia nga 391 euro pagën do ta kenë, bazuar me këto ndryshime, 528 euro. Shto kësaj edhe shtesat që ata marrin, diku paga e tyre do të shkojë deri në 728 euro. Ligji për Pagat do të jetë së shpejti në seancë për miratim. /ekonomiaonline/ KultPlus.com

Margariti nga Vlora: Ismail Qemali, shtetari që kuptoi se pa ndriçimin e mendjes nuk ka Shqipëri të përparuar

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti mori pjesë në ceremoninë përkujtimore në nder të 100-vjetorit të vdekjes së Ismail Qemalit në Vlorë dhe vendosi një kurorë me lule në emër të qeverisë shqiptare në monumentin e plakut të urtë.

“Janë të shumtë liderët që udhëheqin, por shumë të rrallë ata që shkruajnë historinë. Dhe ende me te rralle ata qe si Ismail Qemali, që e përmbysin historinë për ta rishkruar” u shpreh Ministrja e Kulturës, Elva Margariti nga Vlora.

Homazhe në nder të burrit të madh të kombit shqiptar u mbajtën nga Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, kryetari i bashkisë, Vlorë, Dritan Leli, deputetë, e qytetarë.

 Ministrja e Kulturës Elva Margariti kujtoi se “Qeveria e Vlorës zëvendësoi Kanunin me ligjet e shtetit. Ismail Qemali ishte promotori i pare i parimit se organet shtetërore nuk mund të ndërhyjnë në fushën e drejtësisë. Qeveria e Vlorës ishte e para që kuptoi se pa ndriçimin e mendjes, pa dije e kulture nuk mund të kishte Shqipëri të përparuar dhe te begatë”.

Margariti shtoi se nuk mund të jetë kurrsesi dita në të cilën kujtojmë 100-vjetorin e vdekjes, por “dita që kujtojmë shekullin me të cilin Ismaili ka qenë përditë një vegim frymëzues brenda nesh”.

Në një ditë të rëndësishme të Vlorës Margariti uroi “Zoti i shqiptareve qoftë me të e të gjithë ata që kur e nderojnë atë mendojnë si ai, besojnë si ai dhe janë gati të veprojnë si ai”.

Përfaqësues të lartë të shtetit dhe qeverisë vizituan edhe Muzeun “Pavarësia” ku u njohën me dokumente të rëndësishme të periudhës së qeverisë së pavarësisë./ KultPlus.com

Dua Lipa lanson këngën e re “Swan Song”

Këngëtarja shqiptare Dua Lipa ka publikuar këngën e saj më të re të titulluar “Swan Song”.

Kjo këngë është shkruar për filmin më të ri aksion “Alita: Battle Angle”. Në këtë video Dua përballet me një robot të madh si dhe sheh reflektimin e Alitës në një pasqyrë si dhe fillon të kopjojë lëvizjet e saj të artit luftarak./ KultPlus.com

Posta francezë sjellë pullën postare me imazh të Skënderbeut

Posta  e Francës ka vënë në qarkullim një pullë postare të veçantë duke përdorur për të imazhin e Gjergj Kastriotit Skënderbeu, shkruan KultPlus.

Ky lajm e ka lumturuar edhe Ulpiana Lamën. Ajo këtë e ka ndarë edhe me miqtë e saj në Facebook.

“Posta franceze nxjerrë në përdorim pullën postare me imazhin e Gjergj Kastriotit (Skënderbeu). Iniciative fort e çmuar e Maison d’Albanie në një realizim te spikatur të piktorit Zamir Mati”, ka shkruar ajo./ KultPlus.com

Zvicra, për herë të tretë, shteti më i mirë në botë

Për herë të tretë me radhë, Zvicra konsiderohet si shteti më i mirë në botë. Zvicra mban pozicionin e saj të përgjithshëm në vendin e parë, sipas një raporti mbarëbotëror të më shumë se 20 mijë njerëzve, shkruajnë mediat zvicerane.

Për vitin 2019, Japonia tashmë ndodhet në vendin e dytë, derisa pasohet nga Kanadaja, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar që janë në pesë vendet e para.

Më pas në renditje janë Suedia, Australia, Shtetet e Bashkuara, Norvegjia dhe Franca.

Kjo renditje është bërë nga shërbimi dixhital i lajmeve “US News & World Report”, kompania e marketingut Y & R dhe Shkolla Wharton, një shkollë biznesi në Universitetin e Pensilvanisë, përcjell albinfo.ch.

Zvicra shihet si e shkëlqyer në shumë fusha në Raportin e Vendeve më të Mira, si biznesi, duke siguruar një cilësi të lartë të jetës dhe duke qenë një lider në inovacionin.

Të anketuarit në studimin e konsiderojnë Zvicrën vendin më të mirë në aspektin e stabilitetit ekonomik.

Me një histori neutraliteti që shtrihet nëpër shekuj, vendi ka katër gjuhë zyrtare, duke pasqyruar udhëkryqin e saj gjeografik. /KultPlus.com

Rona Nishliu, pjesë e jurisë në “Destination Eurovision” në Francë

Këngëtarja kosovare, Rona Nishliu do të jetë pjesë e jurisë së festivalit francez “Destination Eurovision”.

Franca këtë të shtunë do të zgjedh këngën përfaqesuese për Eurovision 2019, përmes garës kombëtare “Destination Eurovision”,  ndërsa pjesë e jurisë profesionale do të jetë edhe këngëtarja kosovare, Rona Nishliu, transmeton Magazina.al

Lajmin për Magazina.al, e ka konfirmuar edhe vet këngëtarja.

Në garë për të përfaqësuar Francën në Tel Aviv, janë shtatë këngëtare dhe një grup, ndërsa fituesi do të zgjedhet përmes votave të jurisë profesionale dhe publikut.

Kujtojmë që Rona Nishliu përfaqësoj Shqipërinë me këngën “Suus” në vitin 2012, e ku u radhit në vendin e 5-të, që mbetet rezultati më i mirë i Shqipërisë në Eurovision, po ashtu ajo në dhjetor ishte pjesë e jurisë edhe në “Festivalin e Këngës” në RTSH./Magazina.al/

Fëmija i talentuar

Poezi e shkruar nga Xhevdet Bajraj.

Djali gjashtëvjeçar vizaton thika
gra pa koka
burra të varur në ura
dhe trupat e larë në gjak nëpër rrugë

Unë nuk shoh asnjë arsye për t’u shqetësuar
ky djalë nesër do të jetë një kompozitor i madh
i muzikës funerale
shitës i automjeteve funerale dhe i luleve plastike
një xhelat
ose kryetar i sindikatës së xhelatëve
tonë

“Lëngu i trëndafilave”, KOHA, 2017