Për shkak të zhvillimeve të shpejta të virusit vdekjeprurës në Itali, stilisti me famë botërore, Giorgio Armani, ka anulluar shfaqjen e tij të ditës së sotme.
Ai ka menduar të “luajë sigurt”, për të mbrojtur stafin e tij nga koronavirusi i cili deri tani e ka çuar në 2 numrin e viktimave në Itali. Armani ka vendosur që sfilata me veshjet e tij për femra të mbahet në një teatër, brenda dyerve të mbyllura.
Stilisti nuk do të lejojë as shtypin dhe as blerës për punimet e tij, për t’u ruajtur në maksimum nga rreziku i infektimit nga koronavirusi. Italia është bënë në alarm dhe qindra persona po mbahen në mbikqyrje, ndërsa numri i të infektuarve deri tani ka shkuar në 50./KultPlus.com
Rezarta Reimann, shqiptarja kandidate për këshillat bashkiakë në Gjermani
Shqiptarja Rezarta Reimann, kandidate për këshillin bashkiak në Schwabach, qytet në afërsi të Nurnbergut, Gjermani. E specializuar për biologji, ajo është angazhuar në veprimtari komunitare dhe ka realizuar disa projekte në fushën e komunikimit e bashkëpunimit ndërkulturor dhe ndërfetar, transmeton albinfo.ch.
Ajo është shqiptarja e parë në Gjermani që ka mbajtur postin e këshilltares bashkiake, ndërsa tani kandidon sërish me SPD-në.
Në 15 mars në qytetin e Schwabach zhvillohen zgjedhjet bashkiake me mandat 6 vjeçar.
Thuhet se Rezarta Reiman është lindur dhe rritur në Shqipëri. Në vitin 1998 jo ka shkuar në Gjermani ku ka mbaruar doktoraturën për biologji në Universitetin e Jena-s. Ajo punon në organizatën humanitare gjermane AWO (ArbeiterWohlfahrt) ndërsa në qytetin Schwabach angazhohet në mënyrë vullnetare.
Po ashtu, duhet theksuar se Reiman ka punuar si mësuese e biologjisë në Schwabach dhe si pedagoge e didaktikës në biologji në Universitetin e Erlangen-Nuremberg. Ajo ka shkruar disa artikuj mbi çështjet bioetike dhe zhvillimin e tyre në shoqërinë shqiptare. /Albinfo.ch.
Agron Shujaku dhe Ledian Shala do të prezantohen me një koncert duet pianistik, në të cilin do të prezantohen vepra të njohura klasike nga kompozitorë të famshëm, shkruan KultPlus.
Mozart, Ravel, Brahms dhe Kusuma janë kompozitorët, veprat e të cilëve do të prezantohen në këtë koncert që do të mbahet më 26 shkurt, prej orës 19:00 në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë./KultPlus.com
Revista e njohur britanike “Telegraph” shkruan për modelen shqiptare, e cila ka nënshkruar kontratë me markën prestigjioze Prada.
Revista e njohur britanike Telegraph shkruan për modelen shqiptare 22-vjeçare Sihana Shalaj, e cila ka spikatur në sfilatën e markës prestigjoze Prada, transmeton albinfo.ch.
Thuhet se ylli më i ri i pistës së Prada-s, tani e quajtur si mbretëresha e Kosovës, po i habit të gjithë për mënyrën e pamjes karizmatike të saj, shkruan revista Telegraph.
Ajo është një fytyrë e re, e rezervuar, nervoze, e paparë ndonjëherë, shkruhet për modelen shqiptare, Sihana Shalaj.
Kjo revistë shkruan se shfaqja e sezonit pranverë – verë 2020 në Javën e Modës në Milano ishte shumë e veçantë, dhe pa dyshim që këtë veçanti e dha modelja Sihana Shalaj, një 22-vjeçare me origjinë nga Kosova që kaloi një pjesë të fëmijërisë së saj të hershme në një kamp refugjatësh në Shqipëri pas shpërthimit të luftës më 1998.
Sihana është një emër premtues në fushën e modës dhe tashmë ajo ka nënshkruar një kontratë me kompaninë e njohur Prada në Britaninë e Madhe.
Falë pamjes së saj të pazakontë dhe stilit të veçantë androgjen, ajo bëri hyrjen në skenën prestigjoze duke i habitur të gjithë me pamjen dhe prezantimin e saj të veshjeve. /Albinfo.ch.
Ndër masat për të kontrolluar përhapjen e koronavirusit nga autoritetet italiane është edhe mbyllja e Duomo në Milano.
Ky është një vendim “parandalues”, i vlefshëm deri më 25 shkurt “në pritje të dispozitave të mëtejshme dhe më të hollësishme nga autoritetet kompetente”.
Vendimi për mbylljen e Kompleksit Monumental u mor mbrëmjen e së dielës.
“Exil” është bashkëprodhim në mes të Komplizen Film Gjermani, Ikonë Studio Kosovë dhe Frakas nga Belgjika i financuar nga: Minister of State for Culture and Media, Film- und Medienstiftung NRW, German Federal Film Fund, Belgium Film Tax Shelter, Medienboard Berlin Brandenburg, Qendra Kinematografike e Kosovës, Eurimages, German Federal Film Board.
Film “Exil” sjell një kastë briliante të aktorëve, si: Sanrda Hüller, Mišel Matieviq, Astrit Kabashi, Valentina Dubovci, Flonja Kodheli, Getuart Hajrizaj, Ameli Kabashi.
KultPlus ju sjell trailerin e këtij filmi./KultPlus.com
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë e ka krahasuar të mbijetuaren e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë Vasfije Krasniqi Goodman me aktivisten amerikane të drejtave të njeriut Rosa Parks.
Përmes një publikimi në Facebook, Ambasada Amerikane tha se edhe në Kosovë ka njerëz që kanë bërë ndryshimin sikurse Rosa Parks në Amerikë.
“Vasfije Krasniqi Goodman vendosi ta kundërshtojë stigmën e padrejtë me të cilën përballen të mbijetuarat e dhunës seksuale të luftës. Ajo mbrojti veten dhe të gjitha të mbijetuarat e tjera të dhunës seksuale gjatë kohës së luftës”.
Kujtojmë se Rosa Parks ishte një aktiviste e të drejtave të njeriut e cila është emëruar nga Kongresi Amerikan si “zonja e parë e të drejtave civile”.
Më 1 dhjetor të vitit 1955 në Montgomery të Alabamas, ajo refuzoi urdhrin e një shoferi të autobusi që ta lirojë ulësen e saj nga “seksioni me ngjyre” për një pasagjer të bardhë, pasi që ishte plotësuar seksioni ku uleshin vetëm të bardhët.
Hapja zyrtare e festivalit ndërkombëtarë të filmit në Berlin është bërë më 20, kurse filmi që ka për kooproduksion edhe Kosovën, premierën evropiane do ta ketë më 24 shkurt, në kinemanë “Zoo Palast 1”, shkruan KultPlus.
Bëhet fjalë për filmin me skenar dhe
regji të Visar Morinës, dhe në Evropë po vjen pas premierës botërore në
Sundance Film Festival, poashtu festival tejet prestigjioz.
Është hera e parë që një film nga
Kosova është selektuar zyrtarisht në Berlinale, edhe pse, aktorë kosovarë tashmë
kanë shkelur tepihun e kuq dhe kanë përjetuar emocionet e këtij festivali, duke
qenë pjesë e filmave shqiptarë.
Filmi rrëfen tregimin e Xhaferit,
një inxhinier i kimisë me origjinë nga Kosova, i cili ndjehet i diskriminuar
dhe i ngacmuar në vendin e punës, gjë që e zhytë atë në krizë të identitetit.
“Exile” është bashkëprodhim në mes të Komplizen Film Gjermani, Ikonë Studio Kosovë dhe Frakas nga Belgjika i financuar nga: Minister of State for Culture and Media, Film- und Medienstiftung NRW, German Federal Film Fund, Belgium Film Tax Shelter, Medienboard Berlin Brandenburg, Qendra Kinematografike e Kosovës, Eurimages, German Federal Film Board./KultPlus.com
Prej atij që kam qenë atëherë nuk ka mbetur më asgjë: ende jo burrë, isha një fëmijë. E dija prej kohësh, por gjithçka ndodhi në fund të dimrit, një mbrëmje e një mëngjes. Ishim bashkë, thuajse të fshehur, në një dhomë që shihte për nga shëtitorja. Atë natë, Silvia më tha se duhej të largohesha, ose do të largohej ajo – nuk kishim ç’të bënim më bashkë. Iu përgjërova që ta provonim sërish; isha shtrirë përkrah saj dhe e përqafoja. Ajo më tha: – E për çfarë? – Flisnim me zë të ulët, në errësirë. Pastaj, Silvian e kapiti gjumi, ndërsa unë e mbajta njërin gju ngjitur me të sajin, deri në mëngjes.
Mëngjesi u shfaq siç qe shfaqur gjithmonë, dhe bënte shumë ftohtë; Silvias i kishin rënë balluket përmbi sy dhe nuk lëvizte. Unë shihja kohën teksa kalonte në gjysmëhije, e dija se kalonte dhe vraponte, dhe se jashtë kishte rënë mjegulla. E gjithë koha që kisha kaluar me Silvian në atë dhomë, ishte si një ditë-natë e vetme, e cila po mbaronte tani në mëngjes. Atëherë e kuptova se nuk do dilnim kurrë së bashku në mjegullën e freskët. Do bëja mirë të vishesha e të ikja pa e zgjuar. Por, tani kisha në mendje ta pyesja edhe për diçka tjetër. Prita, duke u përpjekur të merrja një sy gjumë.
Kur u zgjua, Silvia më dhuroi një buzëqeshje. Filluam të flisnim. Ajo tha: – Është bukur të jesh i sinqertë si ne. – Oh Silvia, – i pëshpërita – çfarë do të bëj kur të dal që këtej? Ku të shkoj? – Për këtë doja ta pyesja. Ajo qeshi sërish, lumturisht, pa e lëvizur kokën nga jastëku. – Budalla, – më tha – do shkosh ku të duash ti. A nuk është bukur të jesh i lirë? Do të njohësh shumë vajza, do bësh ç’të duash. Diçka, për të cilën të kam zili. Tani mëngjesi mbushte dhomën dhe veçse shtrati kishte ruajtur pak ngrohtësi. Silvia priste e duruar. – Ti je si një prostitutë, – i thashë, – dhe gjithmonë ke qenë e tillë. Silvia nuk i hapi sytë. – Ndihesh më mirë tani që e the? – më tha.
Atëherë u mbështeta sikur ajo të mos ishte aty, vështroja tavanin dhe qaja në heshtje. Lotët më mbushnin sytë dhe më rridhnin poshtë faqeve. Nuk ia vlente që ajo ta dinte këtë. Ka kaluar shumë kohë, dhe tani e di se ato lot të heshtur qenë e vetmja burrëri që tregova me Silvian; e di se qaja jo për të, por sepse kisha parashikuar fatin tim. Prej atij që isha atëherë nuk ka mbetur më asgjë. Mbeti vetëm se e kisha kuptuar kush do të isha në të ardhmen.
Pastaj, Silvia më tha: – Tani mjaft. Duhet të ngrihem. U ngritëm bashkë, të dy. Nuk e pashë teksa vishej. U ngrita shpejt në këmbë, në dritare, shihja lulet që çelnin. Pas mjegullës fshihej dielli, ai diell që kishte përshkuar kaq herë dhomën. Edhe Silvia u vesh shpejt, dhe më pyeti nëse do t’i merrja me vete gjërat e mia. I thashë se më parë doja të bëja një kafe, dhe ndeza furnelën. Silvia, e ulur në cepin e shtratit, nisi të bënte thonjtë. Më parë i kishte bërë gjithmonë në tavolinë. Dukej e menduar dhe flokët i binin vazhdimisht mbi sy. Atëherë bënte një lëvizje me kokë dhe çlirohej prej tyre. Unë u vërdallosa nëpër dhomë të mblidhja gjërat e mia. Bëra një grumbull mbi karrige, kur për një çast Silvia u ngrit dhe vrapoi të hiqte kafenë që po derdhej.
Pastaj nxorra valixhen dhe futa teshat. Ndërkaq, brenda përpiqesha të mblidhja të gjitha kujtimet e këqija që kisha me Silvian – kotësitë, gjendjet e mërzitshme, fjalët acaruese, rrudhat. Këto po merrja nga dhoma e saj. Ajo çfarë lija ishte një mjegull. Kur mbarova, kafeja ishte gati. E pimë në këmbë, pranë furnelës. Silvia diç tha, se do të shkonte tek një tip për të folur për një punë. Pas pak, lashë filxhanin dhe u largova me valixhen. Jashtë mjegulla dhe dielli të qorronin sytë.
Unë u ktheva Për të parë një lot që mund të bjerë kudo Nuk u ktheva Për të hyrë në një buzëqeshje Nuk u ktheva Për të provuar se kam ditur gjithcka As për të hequr një kokrrizë pluhuri Që rëndon pezull mbi hapsirën e moskuptimit Unë nuk u ktheva Për të ndier tingujt dhe frymëmarrjen e emocionit Nuk do të kthehesha Për të marrë çka më takonte Nuk u ktheva te ditët që lashë Se e dija që ishte e pamundur Nuk do të kthehesha Për të provuar po atë gjë Që kanë jetuar të tjerët
Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe Shoqata e të Burgosurve Politikë e Kosovës, me 26 shkurt hapin ekspozitën ‘Kujtesa e Kosovës: Portrete të Adem Demaçit në pikturë dhe fotografi’.
‘Kujtesa e Kosovës: Portrete të Adem Demaçit në pikturë dhe fotografi’ do të hapet me rastin e shënimit të 84-Vjetorit të lindjes së Adem Demaçit.
Do të ekspozohen: piktura e fotografi të figurës së shquar shqiptare – Adem Demaçi.
Ekspozita do të hapet në Hollin e ekspozitave të Bibliotekës, më 26 shkurt 2020, në orën 11:00.
Adem Demaçi u rrit në një familje të varfër të Prishtinës. Babai, Zeqiri, i vdiq shumë herët nga tuberkulozi. Demaçi nuk i kishte mbushur as plot tetë vjet. Gjithë barra e familjes ra mbi të vëllanë e tij të madh, Maliqin, i cili, si gazetashitës, ia doli me shumë vështirësi të siguronte kashatën e gojës për familjen .
Në vitet ’50 Demaçi shkroi në revistën letrare “Jeta e re” drejtuar nga Esad Mekuli, dhe më 1958 shkroi romanin e tij të parë Gjarpijt e gjakut që trajton temën e gjakmarrjes në viset shqiptare të Shqipërisë dhe Kosovës.
Adem Demaçi ka qenë veprimtar i çështjes kombëtare dhe shkrimtar shqiptar nga Kosova. Më 2010 mori titullin Hero i Kosovës. / KultPlus.com
Andras Riedlmayer ka kataloguar shkatërrimin që nacionalistët serbë i kanë bërë nëpër tërë Ballkanin.
Riedlmayer, bibliograf në Librarinë e Arteve të
Bukura në Harvard, ka kaluar vite e vite duke e dokumentuar këtë shkatërrim, që
më pasë atë ta paraqesë para botës.
Riedlmayer ka dëshmuar në nëntë gjykime ndërkombëtare, meqë shkatërrimi i trashëgimisë kulturore përbën në vete armë të fortë në kohëra luftërash, por edhe krim ndaj njerëzimit.
Së fundmi, në një tekst nga Harvard, përmenden të bëmat e Andras. Agimi, një shqiptar i Kosovës i cili ka punuar si përkthyes për Andras, shihet në këtë tekst në një fotografi, duke mbajtur në dorë tekste fetare në një xhami në Carralevë së cilës iu vu flaka në vitin 1999, nga ushtarët e Serbisë.
Në këtë rrugëtim fisnik nga Riedlmayer, ai ka gjetur dhe dokumentuar edhe për djegien e Bajrakli Xhamisë së shekullit të 15-të në Pejë, e cila poashtu u dëmtua në qershorin e vitit 1999, përcjellë KultPlus.
Puna e Riedlmayer po konsiderohet e mrekullueshme për faktin se është dokumentim i mahnitshëm i trashëgimisë kulturore të dëmtuar e prishur e shkatërruar në Ballkan nga forcat serbe, si një mënyrë për ta vendosur këtë shkatërrim në hartë, si diçka që ka ndodhur e mbi të cilën duhet reflektuar.
Inspirim për Riedlmayer ishte djegia e Bibliotekës në Sarajevë, kur në gusht të vitit 1992 rreth 2 milionë libra u shkatërruan nga forcat serbe, si pjesë e Luftës në Bosnjë. / KultPlus.com
Nga Visar Zhiti. Atjoni ishte djali i vetëm i Visar Zhitit, një ndër shkrimtarët e njohur që u persekutua dhe u burgos nga diktatura komuniste.
Bir, i vogli im, i bukuri, degë e gjelbër krahu yt, që më futet në ëndrra, rritu sa më parë dhe qofsh fëmijë përherë… e di ç’do të bëhem kur të rritem?… bëhu ç’të duash, biri im, por i dashur patjetër siç je, i bukur, i bukur siç je! Ç’të të them, unë do mundohem të hap rrugën të gjesh vetveten, pa të të ngacmuar, por dhe ti mos ngacmo kënd. Apo është e pamundur, duhen ditur të gjitha, por nuk duhen bërë të gjitha. Bëj vetëm mirë, bir, kjo është e mundur. Pa shkelur mbi të tjerët dhe mos lër të të shkelin. Edhe përsosmëria jote është e mundur, si gdhëndja, hiq të tepërtat dhe jeta është e vetmja pasuri, shërben për ëndrrën dhe ëndrra për jetën, ndoshta janë e njëjta gjë. Po, kur të ecësh, bir, lër gjurmë që t’u ngjajnë atyre vizatimeve të zemrave që bën ti, ec dhe ec dhe shto zemrat… Dhe vizatoje ëndrrën tënde. Bir, rritmë dhe mua, gëzimin tim sidomos, mendjen dhe shpirtin, se ti je dhe ati im njëkohësisht dhe unë lutem fshehurazi për ty, pa më parë, në shqipen e vjetër “At’jon…”, ashtu siç ke dhe emrin. Deti, bir. Më josh, është siç ka qenë, që kur u krijua bota, i natyrshëm, po ato dallgë, po ajo mërmërimë e përjetëshme, seç të thonë, dëgjoje, është një kumt ujrash i pambarim, ashtu qofsh dhe ti në shpirt, i madh, pafund. Nja dy peshkatarë zbritën nga varka afër dhe sollën peshkun e porsazënë. E shisnin. U grumbulluan njerëz. Një peshk lëvrinte ende mbi rërë, ishte gjallë dhe ti, bir, i kërkove mamit që të ta blinte. Shpejt lekët, ma, s’kishe durim, hape çantën. Dhe me ta marrë peshkun e gjallë, me gojën të çarë e të përgjakur nga grepi, vrapove drejt dallgëve dhe e hodhe në det. E pe tek ikte i lirë, pastaj u ktheve nga ne i qetësuar. Unë pashë time shoqe në sy. Ajo më puthi lotët, që nuk i fsheha dot. Fati i atij peshku… i ngjashëm me… mbase … e jo vetëm…
Maska dhe masa të tjera shtesë janë parë në një ceremoni të përvitshme të dasmave në Filipine.
Masat shtesë kanë ardhur shkaku i kërcënimit nga koronavirusi.
Qyteti Bacolod në Filipine në ceremoninë e sivjetme ka grumbulluar 220 çifte që puthjen e kurorëzimit e bënë duke mbajtur maskat./koha.net/ KultPlus.com
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka postuar në llogarinë e tij personale në Instagram, fotografi ku shihet duke ecur në këmbë e duke shijuar pamjen e natyrën, shkruan KultPlus.
“Sot lëviza në këmbë nëpër qytet dhe shkova në zyrë pa makinë. Ambienti është jeta. Prandaj, le ta ruajmë. Sa herë është e mundur duhet ta shmangim lëvizjen me automjet.”, është shprehur ai në mbishkrimin e fotografive. / KultPlus.com
21 vjet më parë, përfundoi Konferenca e Rambujesë e cila kishte filluar më 6 shkurt të vitit 1999, shkruan KultPlus.
Marrëveshja e Rambujesë ishte një marrëveshje e propozuar për paqe mes Republikës Federale të Jugosllavisë dhe një delegacionit të shqiptarëve të Kosovës.
Marrëveshja u hartua nga Organizata e Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) dhe zgjodhi Kalanë e Rambujesë si vend ku u mbajt negociatat. Faktikisht Jugosllavia e refuzoi atë dhe NATO e përdori këtë si justifimin për ndërhyrjen në Luftën e Kosovës.
Refuzimi i Beogradit u bazua në argumentin se marrëveshja përmbante dispozita për autonominë e Kosovës që shkoi më tej se qeveria serbe / jugosllave e shihte si të arsyeshme.
Problemi më i madh për të dyja palët ishte se shqiptarët nuk ishin të gatshëm të pranonin një zgjidhje që do ta mbante Kosovën si pjesë të Serbisë, ndërsa serbët nuk donin të shihnin statusin para vitit 1990 dhe ata kundërshtoheshin pa asnjë dyshim ndaj ndonjë roli ndërkombëtar në qeverisjen e krahinës, duke përfshirë ofrimin e një mase për ndershpëtim, në të cilën trupa paqeruajtëse të OKB-së do të përdoreshin në vend të trupave të NATO-s.[1] Negociatat u bënë kështu disi si një lojë e karrigeve muzikore, ku secila palë përpiqej të shmangte fajësimin për prishjen e bisedimeve.
Për të shtuar në farsën, vendet e Grupit të Kontaktit të NATO-s ishin të dëshpëruar për të mos pasur nevojë të bënin mirë kërcënimi i forcës – Greqia dhe Italia u kundërshtuan me këtë ide. Rrjedhimisht, kur bisedimet nuk arritën të arrijnë një marrëveshje deri në afatin fillestar të 19 shkurtit, ato u shtynë me një muaj tjetër. / KultPlus.com
Qindra sportistë e qytetarë vendas dhe të huaj iu bashkuan sot maratonës së vrapimit “Një hap për Durrësin”, që u zhvillua sot në qytetin bregdetar, ndërsa të ardhurat e grumbulluara nga kjo maratonë do të shkojnë për rikonstruksionin e një shkolle të dëmtuar nga tërmeti.
Maratona “Një hap për Durrësin”, një aktivitet që nuk ishte vetëm sportiv e sensibilizues për një jetë aktive, por edhe një solidarizim për të ndihmuar të prekurit nga tërmeti startoi pranë sheshit “Liria”. Në të morën pjesë qindra sportistë e qytetarë nga Durrësi, nga i gjithë vendi, nga Kosova, por edhe të huaj.
Ky marshim sensibilizues i organizuar nga atletja durrsake, Deborah Keçi dhe mbështetur nga bashkia e Durrësit kishte një itinerar prej 5 km.
Eventi startoi përpara pallatit të kulturës “Aleksandër Moisiu” ku u zhvillua ceremonia e hapjes dhe nisi gara që përshkoi bulevardin dhe disa rrugë kryesore të Durrësit për të përfunduar sërish në sheshin “Liria”, ku u zhvillua edhe ceremonia e ndarjes së medaljeve të fituesve si dhe një koncert live për qytetarët.
“Një Hap për Durrësin” ishte një vrapim sensibilizues dhe jo një garë e mirëfilltë. Mesazhi që përcolli kjo maratonë vrapimi ishte se “më shumë se çdo here tjetër kishte shumë pak rëndësi nëse ecën apo vrapon, nëse arrin i pari apo i fundit, për sa kohë bëhemi bashkë dhe hedhim një hap përpara”, tha kryetari i bashkisë së Durrësit, Zhyljen Varfaj.
Fituesit e kësaj maratone ishin Elsuida Loca për femra dhe Haxhi Berisha për meshkuj. Në këtë event morën pjesë personalitete të ndryshme si nënkryetari i Bashkisë së Durrësit Florian Tahiri, zv/ministri i arsimit, Olti Rrumbullaku, rektorja e Universitetit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit, Kseanela Sotirofski, drejtoresha e zyrës vendore arsimore, Jonida Matohiti, drejtori i autoritetit portual, Pirro Vengu, atletja kampione Luiza Gega, kreu i sindikatës së futbollistëve, Andi Lila, të cilët u kanë dhënë edhe medaljet fituesve të kësaj maratone. /atsh/ KultPlus.com
Qamili i Vogël do të mbetet përherë në historinë e muzikës popullore qytetare të trevave shqiptare.
Sot KultPlus ju sjell këngën e tij ‘I vujtun jam në jetë”. Këngë kjo që i këndon vuajtjes qe dashuria i sjell.
Qamili i Vogël i takoi plejadës së parë të këngëtarëve popullorë kosovarë të pasluftës , siç janë : Zyhra Mula, Meserete Çavolli, Mazllom Mejzini, Nexhmije Pagarusha, Ismet Peja, Hivzi Vokshi, Xhejlani Broçi, Adem Ejupi , Lilijana Çavolli, Muhamet Shala, Shahindere Bërlajolli, Qerimane Imami, Myrvete Fetahu, Gonxhe Gashi, Lajde Berisha, Behixhe Pakashtica , Anton Tomi , Gonxhe Manaku , Ismet Veseli, Rexhep Zajazi e shumë të tjerë.
Bashkangjitur gjeni videon dhe tekstin e këngës.
I vu’jtun jam në këtë jetë Sa të rrnoj e të vdes. Sevdaja m’u ka pjek
Si bylbylit o në pranverë Bylbyli këndon n’Çabrat Vajzë mos qaj me lot.
Del sy zeza mos rri O në dhomë Ngo bylbylin si O këndon! Male dhe fusha jeshil Ç’u bona harabë.
Mjaft durova sa i mal me borë O se la pa të shti në dorë! Me t’shti n’dorë mori syzezë Mjaft moj më ke përvlu’. Qe shtat vjet n’zemër m’ke ndezë E t’lutem me m’u afru’. / KultPlus.com
Simona mendon se marrëdhënia me prindin nuk matet nga dashuria e përçuar, por nga ndikimi që ka ai në formimin e fëmijës. E pranon që e ëma, ndoshta pa dashje, me indiferentizmin dhe moskuptimin e saj, e ndihmoi që ta shndërronte atë në gruan simbol të Francës së viteve ’50-’70.
Marrëdhëniet nënë-bijë janë jo pak të komplikuara. Ato mund të bëhen shoqe, por fare mirë mund të shihen si armike. Vajza mund të shohë te nëna mbështetjen e munguar, ndërsa ajo mund të shohë dështimin e vet në sytë e vajzës. Por gjithë kjo situatë të thërret për reflektim, kur njëra prej të dyjave ndodhet në shtratin e vdekjes.
Me një sfond thellësisht ekzistencialist, rrymë të cilën e lëvroi dhe e zhvilloi së bashku me Jean Paul Sartre, Simone De Beauvoir botoi librin autobiografik “Një vdekje shumë e ëmbël”, pak ditë pas vdekjes së të ëmës duke bërë një përsiatje në marrëdhënien e tyre.
Dy janë temat e mëdha të këtij romani të shkurtër: vdekja si raport që njeriu krijon me fundin e tij dhe ndikimi i mamasë në formimin e vajzës sipas këndvështrimit në të njëjtën kohë ekzistencialist dhe feminist të De Beauvoir. Në këtë rast është mamaja e Simonës që lëngon në shtratin e spitalit, por që përpiqet të gjejë kuptim edhe në ditët e fundit të jetës së saj. Ajo e pranon fundin, por nuk heq dorë nga jeta deri në momentin fatal.
“Përse vdekja e nënës më kishte tronditur aq shumë? Qëkur isha larguar përfundimisht nga shtëpia e prindërve, ajo s’më kishte ngjallur ndonjë ndjenjë të madhe. ‘Mendo për vete’ më thoshte duke pandehur se përpiqesha të mos derdhja lot”
Në anën tjetër, paraqitet edhe marrëdhënia e nënës me bijën intelektuale. Në këtë roman, Simone De Beauvoir thotë se vdekjen e babait e përjetoi me shumë stoicizëm, ndërsa vdekja e nënës e dërgon në shtigje të pashkelura. Kjo, edhe pse marrëdhëniet e tyre ishin ftohur që në moshë të re. Por Simona mendon se marrëdhënia me prindin nuk matet nga dashuria e përçuar, por nga ndikimi që ka ai në formimin e fëmijës. E pranon që e ëma, ndoshta pa dashje, me indiferentizmin dhe moskuptimin e saj, e ndihmoi që ta shndërronte atë në gruan simbol të Francës së viteve ’50-’70.
“Ajo na donte tmerrësisht, por njëkohësisht vetëm për vete dhe pikëllimi me të cilin ne i nënshtroheshim dashurisë së saj pasqyronte konfliktet që e brenin”
Në një prej eseve të tij mbi këtë libër, Mario Vargas Llosa (Nobel 2010) shkruan: “Simone de Beauvoir nuk kërkon të fshehë reagimin e saj natyror, torturën përballë agonisë së të ëmës; ajo kërkon të thellohet, të universalizojë këtë eksperiencë personale për ta bërë të prekshme për të gjithë. Dhe ia arrin. Ata që e akuzojnë për eksibicionizëm nuk kanë kuptuar se letërsia është, si përkufizim, një zanat imoral.”
Simone De Beauvoir është simboli i lëvizjes feministe në Francë gjatë viteve të pas Luftës së Dytë Botërore. Ajo ishte një grua e fortë, intelektuale, filozofe e dorës së parë që nuk nguroi të mbronte idetë e saj në rrugët e Parisit.
Vepra e saj monumentale është “Seksi i dytë”, e cila u kthye në lajtmotiv të lëvizjes feministe jo vetëm në Francë, por në mbarë botën. Romane të tjerë të saj janë “Mandarinët”, “E ftuara”, “Mikesha” apo “Gruaja e thyer” ndërsa romani “Një vdekje shumë e ëmbël” është ribotuar në gjuhën shqipe me përkthimin mjeshtëror të profesor Edmond Tupes./tiranapost/ KultPlus.com
Sanskritja është një nga gjuhët më të vjetra të gjetura në Tokë. Ky grup rregullash për të qënë një Njeri daton mijëra vite më parë, por që janë njësoj të vlefshme edhe sot e kësaj dite!
Më poshtë teksti i përkthyer:
. TI DO TE PAJISESH ME NJE TRUP.
Ti mund ta pëlqesh ose urresh atë, por ai do të jetë i yti gjatë gjithë kohës për këtë herë.
2. TI DO TE MESOSH LEKSIONE.
Ti je duke ndjekur me kohë të plotë një shkollë informale që quhet jetë. Çdo ditë në këtë shkollë, ti do të kesh mundësinë që të mësosh leksione të reja. Ti mund ti pëlqesh leksionet që merr ose të mendosh që ato janë të kota dhe të pavlera.
3. NUK KA GABIME, VETEM LEKSIONE.
Rritja është një proces të provuari dhe gabuari, eksperimentimi. Eksperimentet “e dështuara” janë po aq pjesë e këtij procesi aq sa edhe eksperimenti që së fundmi “funksionon”.
4. NJE LEKSION DO TE PERSERITET PER AQ KOHE DERI SA AI TE MESOHET.
Një leksion do të të paraqitet në forma nga më të ndryshmet deri sa ti ta mësosh atë. Atëhere ti mund të kalosh në leksionin tjetër.
5. TE MESUARIT LEKSIONE NUK MBARON NDONJEHERE.
Nuk ka asnjë pjesë të jetës që nuk përmban leksione. Nëse je gjallë, atëhere ka akoma leksione që duhen mësuar.
6. “ATJE” NUK ESHTE ME MIRE SE “KETU”.
Kur “atje-ja” jote shndërrohet në “këtu”, ti thjesht ke gjetur një tjetër “atje” që përsëri, duket më mirë sesa “këtu”.
7. TE TJERET JANE THJESHT PASQYRIME TE TUAT.
Ti nuk mund të duash ose urresh diçka te një personi tjetër përveçse ajo reflekton diçka që ti do ose urren te vetja jote.
8. AJO ÇKA BEN TI ME JETEN TENDE VARET NGA TI.
Ti i ke të gjitha mjetet dhe burimet që të duhen; ajo çka bën ti me to varet nga ti. Zgjedhja është e jotja.
9. PERGJIGJET GJENDEN BRENDA TEJE.
Përgjigjet për pyetjet e jetës ndodhen brenda teje. Gjithçka që ty të nevojitet është të shikosh, të dëgjosh dhe të besosh./bota.al/ KultPlus.com
Ditëve të fundit u demantua lajmi se Xhamajka e ka njohur shtetin e Kosovës, informacion ky për të cilin presidenti i Kosovës Hashim Thaqi, deklaroi ta ketë marrë nga Ambasadorja e Kosovës në Amerikë, Vlora Çitaku, shkruan KultPlus.
Politikanë e qytetarë të thjeshtë reaguan ndaj këtij lajmi në mënyra të ndryshme, duke kërkuar ndëshkimin e personave përgjegjës për këtë lajm të rremë.
Çitaku ka thyer heshtjen përmes nja statusi në llogarinë e saj personale në Facebook, ku ka sqaruar më në detaje situatën.
Ndër të tjera, Çitaku ka potencuar se të gjitha do të sqarohen me kohë.
Më poshtë mund të lexoni statusin e plotë të Çitakut.
”Zëvendës Kryeministri i Kosovës, z.Haki Abazi qenka marrë pak me mua. Më paska quajtur mua dhe Ambasadën në SHBA instrumente në shërbim të Presidentit, e jo të Kosovës.
Nuk është hera e parë që z.Abazi merret me mua dhe shpif kundër meje. Nuk e kam kuptuar ende pse. Nuk i jam përgjigjur më herët sepse z.Abazi nuk ka mbajtur post publik dhe nuk ka pasur përgjegjësi publike.
Jam përmbajtur nga deklarimi publik lidhur me kaosin e shkaktuar rreth njohjes nga Xhamajka sepse shumë palë të tjera janë të përfshira. Palë që ndodhen jashtë Kosovës. Do të ishte jo diplomatike, jo korrekte, dhe anti-kombëtare që unë sot, për ta mbrojtur veten, të zbuloj emra dhe detaje.
Çdo gjë do të sqarohet me kohë. Zv Kryeministrit i them publikisht, meqë asnjëherë, si zv Kryeministër, nuk më ka kontaktuar që ta sqarojë situatën në fjalë, nëse nuk dëshiron të kontaktoi me mua, atëherë le ta kontaktojë Ministrinë e Punëve të Jashtme.
Për më tepër, është e ditur botërisht që unë jam emëruar Ambasadore përmes çelësit politik, njësoj si shumë Ambasadorë tjerë. Kjo nuk është shkelje apo diçka e jashtëzakonshme. Në fakt, është e rregulluar me ligj. Si Ambasadore, unë i kam shërbyer Kosovës. Kam punuar me nder tërë jetën time. E tillë do të vazhdoj të jem.
Nuk do të lejojë që puna dhe mundi i kolegëve të mi të njolloset e të përbaltet. Është e frikshme kur institucionet baltosen për inate politike e personale.
Jam shumë krenare me punën e kolegëve të mi dhe asnjëherë nuk do të dorëzohem para shantazhit publik.
E kam thënë edhe më herët, të jem Ambasadore e Kosovës në Washington DC është nderi i jetës sime.” / KultPlus.com
Shkollat shqipe duket se kanë shtrirje në shumë vende të botës, me qëllim të ruajtjes së gjuhës shqipe dhe vlerat kulturore.
Duke filluar nga dita e djeshme, fëmijët e Diasporës shqiptare në Kebek të Kanadasë do të kenë mundësinë të marrin mësime të gjuhës dhe kulturës shqiptare në shkollën shqipe ‘Nënë Tereza’, e cila mbështetet nga Bashkësia Shqiptare e Kebekut në Montréal, transmeton KultPlus.
Kujtojmë se Bashkësia Shqiptare e Montrealit filloi punën e saj zyrtarisht më 7 korrik 2001. Në këto 19 vjet zyrtarët e kësaj shkolle thonë se pati shumë momente festash, gëzimesh, hidhërimesh, por mbi të gjitha duhet nënvizuar puna që është bërë me shkollën shqipe ‘Nënë Tereza’. Ajo është thelbi i ruajtjes dhe zhvillimit të vlerave dhe kulturës shqiptare, të cilat pasqyrohen më së miri në gjuhën tonë të bukur shqipe.
Kontributi i personave që kanë dhënë kohën e tyre që nga dita e parë për t’i shërbyer kësaj kauze kuptimplotë dhe hyjnore është për t’u vlerësuar për mundin e tyre./albinfo/ KultPlus.com