Vera shijohet me sy, hundë dhe gojë

Shijimi i një vere është i ndarë kryesisht në tre faza: vëzhgimi, vlerësimi i aromës dhe shijimi. Secili prej këtyre elementeve ka pak vlerë i marrë më vete, por bëhet thelbësor në tërësi.

Një shijues i mirë, në të vërtetë, nuk e kufizon veten në përshkrimin e ngjyrës, aromave dhe shijes së një vere por, duke gjykuar gotën që po shijon si një e tërë, ai arrin të japë një vlerësim të përgjithshëm të asaj vere të caktuar: vlerën e saj, por mbi të gjitha potencialin e saj.

Dhe bazuar në këtë ai cakton një rezultat që i lejon kujtdo, qoftë edhe me më pak përvojë, të kuptojë nëse ajo verë është e vlefshme apo jo.

Çarë vlerësohet me sy?

Ngjyra na lejon të kuptojmë nëse një verë është bërë me një varietet specifik rrushi ose me një teknikë të caktuar përpunimi. Një shijues i vëmendshëm mund të marrë një ide në lidhje me përmbajtjen e alkoolit në atë verë dhe për moshën e saj.

Çfarë vlerësohet me hundë?

Shijuesit i kushtojnë më shumë se 60 përqind të kohës analizimit të aromave të verës. Me hundë mund të kapni notat më tipike të rrushit, të ashtuquajturat aroma parësore. Por edhe ndjesitë e aromave që vijnë për shkak të fermentimit, që është shndërrimi i mushtit në verë ose të ashtuquajturat aromat dytësore. Apo gjurmët që vjetërimi i mundshëm në dru lë tek vera, të ashtuquajturat aroma terciare. Për të vlerësuar më mirë aromat e një vere, kërkohet shumë përvojë dhe pakëz imagjinatë.

Çfarë vlerësohet me gojë?

Nëse hunda lejon shijuesin të përshkruajë aromat e një vere, vetëm pasi ta keni shijuar, mund të plotësohet kuadri. Me shijimin gjykohet mbi të gjitha ekuilibri i një verë, ose marrëdhënia e saktë midis ndjesive të freskëta, të përfaqësuara në thelb nga aciditeti i saj dhe butësia për shkak të pranisë së alkoolit.

Më pas struktura e verës dhe qëndrueshmëria e saj, domethënë numri i sekondave që shija e verës mbetet në gojë. /bota.al / KultPlus.com

Vajza e dërgon Kurtin në ‘Botën e Çudirave’ (FOTO)

Mbrëmë në Teatrin ‘Dodona’ është dhënë shfaqja ‘Liza në botën e çudirave’, ku ndër mysafirët e shumtë që ishin prezent në këtë shfaqje, ishte edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, shkruan KultPlus.

Këtë e bëri të ditur vetë kryeministri përmes një postimi në llogarinë e tij personale në Facebook, ku shprehi lavdatat e tij për shfaqjen, aktorët dhe kënaqësinë që përjetoi gjatë shfaqjes.

Bashkangjitur gjeni postimin e plotë të Kurtit.

Mbrëmë Lea, mua e Ritën, na dërgoi në teatrin “Dodona” për të parë shfaqjen “Liza në botën e çudirave” të Lewis Caroll, dramatizuar nga Arzana Kraja e me regji të Melihate Qenës.

Kur perdet e teatrit ranë ne u futëm në botën e tij. Duke e ndjekur nga pas lepuroshin e shfaqjes, çuditeshim bashkë me Lizën. Hera herës provonim t’i ndihmonim asaj në matematikë e në gjetjen e kryeqytetit të Kosovës. Viheshim në siklet nga trysnia mbi Lizën, por edhe gëzoheshim kur ajo triumfonte.

Njëmend mungojnë kushtet në këtë teatër, por aty ka aq shumë dashuri për të e pasion në të.

Aktorët tanë e bëjnë dhe shfaqin maksimumin e tyre në çdo paraqitje skenike, kurse ne duhet që së paku ta japim ndihmën institucionale. Si prind e di rëndësinë e teatrit, prandaj nuk do e lëmë në harresë.

Nuk ka emancipim pa teatër. / KultPlus.com

‘FemArt’ vjen me edicionin e tetë këtë vit, bën thirrje për aplikim

Sivjet për herë të 8 me radhë organizohet festivali i parë me karakter feminist në Kosovë, ‘Femart’, duke filluar nga data 15 deri më 20 maj, shkruan KultPlus.

Motoja e festivalit për këtë vit, do të jetë ‘Çka nëse gratë do të kishin më shumë fuqi?!’, dhe pritet që ky festival do të bashkojë të gjitha komunitetet nga mbarë bota në një vend për të prezantuar artin e tyre.

FemArt festivali, sot përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se është hapur aplikimi dhe fton të gjithë të interesuarat që dëshirojnë të jenë pjesëmarrëse në këtë ngjarje 6-ditore, të aplikojnë.

Më poshtë gjeni të plotë thirrjen dhe mënyrën e aplikimit.

”Thirrje për Aplikim

FemArt – Festivali Ndërkombëtar i Artisteve dhe Aktivisteve – Edicioni i 8-të – Çka nëse gratë do të kishin më shumë fuqi?!
15 – 20 MAJ 2020, Prishtinë, KOSOVË

Qendra për Art dhe Komunitet – Artpolis organizon festivalin FemArt për të 8-ën herë radhazi në Prishtinë, Kosovë nga data 15 – 20 Maj, 2020 ( 6 ditë). FemArt është festivali i parë dhe i vetëm feminist në Kosovë, njëherësh edhe më i madhi në rajonin e Ballkanit që vazhdon të bashkojë artistë dhe aktivistë nga e gjithë bota në zemër të Kosovës për shtatë vite.

Për çdo vit ne angazhojmë mbi dyqind gra artiste dhe aktiviste nga e gjithë bota që shfaqin punën e tyre kreative përmes shfaqjeve teatrale, filmave, dokumentarëve, leximeve skenike, arteve vizuale, ekspozitave, performancave në rrugë, koncerteve, promovime librash, ligjëratave, poezive, punëtorive, panele diskutimesh, konferenca dhe prezantime, murale dhe shumë forma të tjera arti.

Festivali është një platformë për inicimin dhe prezantimin e ideve dhe krijimeve që sjellin përpara konceptet feministe dhe zhvillimet e tyre në Kosovë duke u angazhuar për të drejtat e barabarta të grave si dhe urë lidhëse për ndërtimin e paqes në rajon. Programi do të përzgjidhet nga një grup i artisteve dhe aktivisteve të cilat kanë përvojë në fusha të ndryshme të artit dhe të drejtave të njeriut.

E vërteta është se gratë kanë luftuar me shekuj të dëgjohen, shkruajnë libra, krijojnë art dhe të sfidojnë kufizimet e shumta në jetën e grave. Por arritjet e tyre në mënyrë të përsëritur janë përjashtuar nga historia. Prandaj këtë vit dëshirojmë ta sfidojmë audiencën tonë me pyetjen “Çka nëse gratë do të kishin më shumë fuqi?!” duke synuar promovimin dhe adresimin e nevojës së grave në proceset e vendimmarrjes qoftë në jetën personale ashtu edhe në atë profesionale.

Programi i festivalit do të përfshijë tema të tilla si të drejtat e njeriut, të drejtat e grave dhe feminizmin, të drejtat e shëndetit seksual dhe riprodhues, drejtësinë tranzicionale, ndërtimin e paqes dhe pajtimin, të drejtat e LGBTQI, fuqizimin e grave, dhunën ndaj grave, dhuna në baza gjinore, tregimet e suksesesshme në shkëmbimet globale dhe rajonale e shumë të tjera.

Nëse jeni të interesuara që të prezantoni punën tuaj artistike në ndonjërën nga disiplinat e lartëpërmendura, Aplikoni dhe bëhu pjesë e FemArt – Festivali Ndërkombëtar i artisteve dhe aktivisteve “Çka nëse gratë do të kishin më shumë fuqi?!” – Edicioni i 8-të. Thirrja për aplikim do të jetë e hapur deri më 20 Mars 2020, ju lutem vini re se VETËM KANDIDATËT E PRANUAR DO TË KONTAKTOHEN.

Ju lutem klikoni këtu për të aplikuar: http://femart-ks.com/

Nëse keni ndonjë pyetje ose shqetësim në lidhje me aplikimin tuaj, mund të na kontaktoni në postën e-mail: [email protected] ose në 038 221 512

Nëse dëshironi të mësoni më shumë rreth festivalit FemArt na ndjekni në: website – http://femart-ks.com/ Facebook – facebook.com/FemartPrishtina/ KultPlus.com

‘Hyjneshat’ e Arjeta Miftarit nisin rrugëtimin për në Amerikë

Xhemile Hysenaj

Skulptorja Arjeta Miftari, e cila rrugëtimin e saj artistik po e bën me ‘Hyjneshat’, të cilat i ka shfaqur edhe në shumë vende të tjera në botë, tashmë pritet të hap ekspozitën e saj edhe në Amerikë, shkruan KultPlus

Miftari e cila tashmë në qarqet kulturore po konsiderohet edhe si ‘Ambasadore e kulturës’, do t’i paraqesë Hyjneshat para artdashësve amerikanë, në qytetin e Iowa-s të Amerikës.

Arjeta Miftari tregoi për KultPlus se për të realizuar ëktë ekspozitë i është dashur pothuajse një vit kohë, ku qëllimi nuk është vetëm të paraqesë Kosovën në hapësirat e asaj ekspozite por edhe të prezantojë trashëgiminë kulturore përmes skulpturave në të cilat është bërë nnjë gërshetim i modernes dhe tradicionales.

”Ndjehem shumë e privilegjuar që më është dhënë mundësia të paraqesë Kosovën në një shtet si Amerika”, ka thënë ajo për KultPlus.

Arjeta Miftari hulumton e gërmon për të realizuar sa më mirë Hyjneshat, e për t’i përjetësuar ato para botës së artit.

Ekspozita do të hapet më 27 shkurt të këtij viti dhe pritet të qëndroj e hapur për një javë rresht.

Vlen të përmendet që për herë të fundit Hyjneshat janë paraqitur në Dubai në nëntorin e vitit të kaluar, në kuadër të ‘Vitit të Tolerancës 2019’ në mesin e 35 shteteve të ndryshme të botës. / KultPlus.com

Ribashkimi i ‘Friends’ po bëhet

Ribashkimi i “Friends” është përfolur gjatë, mirëpo zërave u ka ardhur fundi pasiqë një episod i ri po vjen.

Aktorët: Jennifer Aniston, Courteney Cox, Lisa Kudrow, Matthew Perry, David Schwimmer dhe Matt LeBlanc – që të gjithë e kanë shpërndarë në Instagram në të njëjtën kohë lajmin e gëzuar.

Që të gjithë postuan të njëjtë fotografi të vjetër që ishte publikuar në vitet e nëntëdhjeta nga revista Rolling Stone.

“Po ndodh”, është përshkrimi i shkurtër që kanë zgjedhur, ndërsa e kanë etiketuar edhe HBO Max për të treguar se ku do të transmetohet seriali.

Falë Netflixit, seriali që është transmetuar gjatë viteve 1994 – 2004, ka siguruar fansa të gjeneratave të reja, ndërsa tash do të emetohet në HBO Max pasi ky shërbim i ka siguruar të drejtat.

Është raportuar se do të jetë një episod special njëorësh, në të cilën gjashtë aktorët do të shfaqen për herë të parë bashkë në ekran pas 16 vitesh. / KultPlus.com

Një natë nga netët pa gjumë

Poezi nga Ali Podrimja

Zgjohu Kosovë!

Zgjohu nëna ime e dashur,
balli dhe emri im i shkelur,
zgjohu,oj!A po e ndien vajin tim?
A po sheh si ti kam ngulur sytë
mu në zemer,mu në shpirt,
si t`i kam hedhur duart rreth belit
per të përqafuar unë, ashti yt?
Zgjohu,Kosovë!

Nga degët e mia të thyera kush po dahet,
këtë cater kush po e le?
Ç`janë keto gjurmë gjaku që po shtohen
nëper fytyren tende,
këto varre e murana qe po sillen vërdallë
rrethë shtëpisë sime?…
Zgjohu, Kosovë!Zgjohu, nëna ime e dashur,
balli dhe emri im i shkelur,
Zgjohu, Kosovë!…

Sonte vëtem mbeta e
në derë të oborrit askush s`po me troket,
askush më, thua vdekur jam e harruar
Në keto troje e suka gjaku.

Thua më është shkrimbur hisja
e mbyllur dera e konakut…..
Zgjohu, Kosovë, flakë e hershme e ashtit tim
t`pelcitur.
Bota në ty le të kallet! / KultPlus.com

A mund të jetojmë në një botë pa rregulla?

Nga Nick Chater

“Jam në fund të të 20-ave dhe ndihem gjithnjë e më i frustruar nga rregullat. Nga tabelat e pafundme që më thonë “të qëndroj në të djathtë” mbi shkallët lëvizëse, apo “ndalimin e lëvizjes me skeitbord” në vende publike, deri tek të gjitha ato rregullat e pashkruara shoqërore, siç është pritshmëria që unë duhet të rri me këmbë në tokë, të blej një shtëpi dhe të krijoj familje. A na duhen vërtet gjithë këto rregulla, pse duhet t’i ndjekim ato, dhe çfarë do të ndodhte nëse të gjithë i injorojmë ato?” Uilli, 28 vjeç, Londër.

Të gjithë e ndiejmë praninë shtypëse të rregullave, të shkruara dhe të pashkruara qofshin. Hapësirat publike, organizatat, festat, madje edhe marrëdhëniet dhe bisedat rastësore, janë plot me rregulla që diktojnë çdo veprimin tonë. Ne shprehemi kundër rregullave që ndrydhin lirinë tonë, dhe themi shpesh se ato janë “atje t’u thyer””.

Por si një shkencëtar i sjelljes njerëzore, besoj se problemi në përgjithësi nuk janë në fakt rregullat, normat dhe zakonet. Por ato që janë të justifikuara. Dhe këtu puna më e vështirë është përcaktimi i diferencës midis të dyjave. Një vend i mirë për t’ja filluar, është ta imagjinoni jetën në një botë pa rregulla.

Në fakt rregullat janë thelbi i sportit, lojrave dhe enigmave, edhe kur qëllimi i tyre supozohet të jetë vetëm argëtues. Për shembull më gjeni një tifoz futbolli, që nuk është tërbuar të paktën njëherë kundër rregullit të pozicionit jashtë loje, që anulon vazhdimisht golat.

Por futbolli pa rregulla nuk do të ishte i tillë, por një veprimtari krejtësisht pa formë dhe pa kuptim. Në fakt, një lojë pa rregulla nuk është aspak lojë. Shumica e normave në jetën e përditshme, kryejnë saktësisht të njëjtin funksion si rregullat e lojërave – duke na thënë se çfarë munden dhe çfarë nuk munden të bëjmë.

Fjalët e mirësjelljes “Të lutem!” dhe “Faleminderit!” që duken kaq të bezdisshme për fëmijët e vegjël, janë në fakt arbitrare. Por fakti që kemi disa etiketa të tilla sociale, është pjesë e asaj që i bën bashkëveprimet tona sociale të vijojnë pa probleme.

Edhe rregullat në lidhje me ngarjen e makinës në krahun e majtë apo të djathtë, ndalesa para semaforit më dritën e kuqe, moshedhja e mbeturinave në rrugë e kështu me radhë, i përkasin të njëjtës kategori. Ata janë ”tullat” që e ndërtojnë një shoqërie harmonike.

Sigurisht, prej kohësh ka një “oreks” tek disa njerëz për një shoqëri më pak të zyrtarizuar, për një shoqëri pa qeveri, për një botë ku prioritet ka liria individuale:pra një anarki. Por problemi me anarkinë, është se ajo është natyrshëm e paqëndrueshme.

Njerëzit krijojnë vazhdimisht dhe spontanisht rregulla të reja që rregullojnë sjelljen, komunikimin dhe shkëmbimin ekonomik, dhe ata e bëjnë këtë gjë po aq shpejt sa zhbëhen rregullat e vjetra. Ekonomistja politike Elinor Ostrom, bashkë-fituese e Çmimin Nobel për ekonomi në vitin 2009, vëren të njëjtin fenomen të krijimit spontan të rregullave, kur njerëzit kishin kolektivisht nevojë të menaxhonin burimet e përbashkëta, si tokën e përbashkët, hapësirat e peshkimit, apo ujin për vaditje.

Ajo zbuloi se njerëzit krijojnë kolektivisht rregulla, le të themi se sa bagëti mund të mbarështojë një person, kush do të marrë sa ujë, dhe çfarë duhet bërë kur burimi është i kufizuar; kush monitoron kë, dhe cilat rregulla zgjidhin mosmarrëveshjet. Këto rregulla, nuk janë shpikur vetëm nga sundimtarët, dhe nuk imponoheshin nga lart poshtë.

Përkundrazi, ato shpesh lindin nga nevojat e ndërveprimeve shoqërore dhe ekonomike. Nxitja për të hedhur poshtë rregullat e pakuptimta ose thjesht të padrejta, është plotësisht e justifikuar. Por pa disa rregulla – dhe disa prirje që ne t’i respektojmë ato – shoqëria do të rrëshqasë shpejt në një “pandemonium”, anarki.

Në fakt, shumë sociologë e shohin tendencën e njeriut për të krijuar dhe zbatuar rregullat e vendosura, si themelin e jetës shoqërore dhe ekonomike. Marrëdhënia jonë me rregullat, duket se është unike tek njerëzit. Shumë kafshë sillen në mënyra ritualiste.

Për shembull, vallet e çuditshme dhe komplekse të miqësisë të llojeve të ndryshme të zogjve. Por ato modele janë të lidhura në gjenet e tyre, dhe jo të shpikura nga brezat e kaluara të shpendëve.

Dhe ndërsa njerëzit vendosin dhe i ruajnë rregullat, duke ndëshkuar shkeljet e tyre, shimpanzetë – të afërmit tanë më të afërt – nuk e bëjnë këtë gjë. Ato mund të hakmerren kur vidhet ushqimi i tyre, por nuk e ndëshkojnë vjedhjen e ushqimit në përgjithësi.

Ndërkohë tek njerëzit, rregullat zënë vend që herët. Eksperimentet tregojnë se fëmijët, deri në moshën 3-vjeçarë, mund të mësohen plotësisht me rregulla arbitrare për të luajtur një lojë. Jo vetëm kaq, por kur një “kukull” e kontrolluar nga një eksperimentues, futet në skenë dhe nis të shkelë rregullat, fëmijët do ta kritikojnë atë, duke protestuar me komente të tilla si “Po bën gabim!”.

Ato madje do të përpiqen ta mësojnë kukullën të sillet më mirë. Në fakt, megjithë protestat tona për të kundërtën, rregullat duken të skalitura në ADN-në tonë. Aftësia e specieve tona për të hartuar dhe zbatuar rregulla arbitrare, është thelbësore për suksesin tonë si specie.

Nëse secili prej nesh duhej të justifikonte secilin rregull (pse e ngasim makinën në të majtë në disa vende, dhe në të djathtë tek të tjerat; pse themi të lutem dhe faleminderit), mendjet tona do të futeshin në ngërç. Përkundrazi, ne jemi në gjendje të mësojmë sisteme tejet të ndërlikuara të normave gjuhësore dhe shoqërore, pa bërë shumë pyetje.

Por ne duhet të jemi të kujdesshëm, pasi këtu qëndron edhe rreziku i tiranisë. Njerëzit kanë një sens të fuqishëm që duan të zbatojnë dhe nganjëherë shtypin modele sjelljeje. Dhe ndërsa zhvendosja nga “kjo është ajo që bëjmë të gjithë” në “kjo është ajo që të gjithë ne duhet të bëjmë” është një gabim i njohur etik, dhe është thellësisht i ngulitur në psikologjinë njerëzore.

Ekziston rreziku që rregullat të krijojnë momentin e tyre:njerëzit mund të bëhen aq të fiksuar në lidhje me rregullat arbitrare të veshjes, kufizimet dietike apo trajtimin e duhur të të shenjtës, sa të ndërmarrin ndëshkimet më ekstreme për t’i ruajtur ato.

Ideologët politikë dhe fanatikët fetarë, propagandojnë shpesh ndëshkime të tilla. Për ta rregullat thjesht shtohen dhe zgjerohen, në mënyrë që liria jonë individuale të kufizohet gjithnjë e më shumë. Kufizimet e planifikimit, rregulloret e sigurisë dhe vlerësimet e rrezikut, mund të duket se grumbullohen pafund, dhe mund të zgjasin shtrirjen e tyre përtej çdo qëllimi fillestar.

Rruga për në “ferr” nuk është thjesht e shtruar me qëllime të mira, por është e rregulluar me rregulla që i vënë në zbatim ato qëllime të mira, pavarësisht nga pasojat.

Individët dhe shoqëritë, përballen me një betejë të vazhdueshme mbi rregullat – dhe ne duhet të jemi të kujdesshëm mbi qëllimin e tyre. Rregullat, ashtu si policimi i mirë, mbështeten në pëlqimin tonë. Dhe ato që nuk kanë pëlqimin tonë, mund të bëhen instrumenti i tiranisë.

Prandaj, ndoshta këshilla më e mirë është të ndjekim kryesisht rregullat, por gjithmonë të pyesim pse duhet ta bëjmë këtë.” /bbc/ KultPlus.com

Emocionuese: Motrat 98 dhe 101 vjeçare ribashkohen pas 47 vjetësh

Kishin kujtuar se kanë vdekur, por pas 47 vjetësh janë ritakuar përsëri dy motra nga Cambodian në Azi.

Njëra 98 vjeçare e tjetra 101, kishin menduar se kanë vdekur pas regjimit të vitit 1975, kur Khmer Rouge mori pushtetin duke mbyllur spitale, biblioteka, duke ndaluar praktikën fetare, e mbi të gjitha, duke vrarë njerëz, raporton BBC.

Bun Sen 98 vjeçare, ka takuar edhe vëllain e tyre 92 vjeçar, të cilin po ashtu e kishte menduar të vdekur, derisa motra tjetër ishte në dijeni se ai është gjallë.

Dy motrat, për herë të fundit ishin parë në vitin 1973, dy vjet para se ta merrte pushtetin Pol Pot, me qeveri komuniste.

Rreth 2 milionë njerëz besohet të kenë vdekur gjatë regjimit të Khmer Rouge.

Shumë familje janë ndarë, shumë fëmijë i kanë larguar prej prindërve e shumë të tjerë ende s’dinë për fatin e njëri tjetrit. / KultPlus.com

Pas 60 viteve Teatri i Operas dhe Baletit me pamje të re, artistët rikthehen në ambientet e reja

Pas 60-të vitesh nga krijimi i tij Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit në Shqipëri ka tashmë një pamje të re për artistët dhe artdashësit kryeqytetas.

Ky institucion është kthyer në një tempull të muzikës lirike, baletit klasik me kushte moderne dhe i krahasueshëm me skenat europiane.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, vizitoi nga afër ambientet e reja të TKOB-it, ku theksoi se “jemi shumë të vetëdijshëm që mund të jetë një proces rehabilitimi edhe i juaji këtu në ambientet e reja, mund të jenë disa gjëra që mund të mungojnë apo mund të përmirësojmë edhe për të shkuar përtej polemikave dhe kritikave ju e dini që ne kemi qenë gjithnjë këtu për ti gjetur dhe zgjidhur”.

Drejtoresha e TKOB-it, Zana Çela u shpreh se “ju falënderoj shumë për durimin tuaj gjatë këtij harku trevjeçar, dhatë maksimumin tuaj ne nuk bëmë ndonjë pakt apo plan me të njëjtin ritëm, por secili nga e ndjeu vetë edhe ne bëmë atë që nuk u ndje, që teatri ishte në rikonstruksion”.

Teatri Kombëtar të Operas dhe Baletit është transformuar si nga akomodimi ashtu dhe garancia e parametrave teknikë e profesionalë të akustikës cilësisë së zërit dhe me një skenë moderne në qendër, falë investimit të Qeverisë shqiptare.

Salla e Teatrit të Operas dhe Baletit ka filluar të shfrytëzohet që nga shtatori i vitit 1966 dhe që në fillim janë hasur problemet që lidheshin me akustikën si: intensiteti i ndryshëm i përhapjes së valëve zanore në mënyrë jo të njëtrajtshme në pika të ndryshme (dhe veçanërisht në llozhën qeveritare) dhe dëgjimi i dobët dhe pa kolorit. Për këtë u bënë ndërhyrjet e para në akustikë në vitin 1975.

Gjendja e përgjithshme e ndërtesës shfaqej e rënduar dhe e amortizuar në kohë. Gjatë viteve, në objekt është ndërhyrë pjesërisht në rifiniturë dhe në mirëmbajtje. Ndërhyrje rrënjësore në strukturë nuk ka patur asnjëherë që prej kohës së ndërtimit të tij.

Në imazhin e ri të TKOB ka më tepër hapësira për shfaqje, për personelin dhe publikun./atsh/ KultPlus.com

Shoqata ‘Iliria’ dhe fotografë të ‘Blick Photographie’ vizituan Ansamblin ‘Shota’

Sot kryetarja e shoqatës shqiptare ‘Iliria’ nga Sain Julien en Genevois- Francë, znj. Luljete Hoxha- Deda me bashkëshortin e saj z. Shaip Deda, të shoqëruar nga tre anëtarë të Asociacionit të gazetarëve dhe fotografëve ‘Blick Photographie’ nga ky qytet afër kufirit Francë- Zvicër kanë vizituar sot Ansamblin ‘Shota’

Bëhet e ditur se qëllimi i kësaj vizite ishte realizimi i një sesioni fotografish, të cilat pritet të prezantohen në kuadër të muajit të kulturës shqiptare në Francë, që fillon në Prill të këtij viti.

“Qëllimi ynë është që përmes fotografisë, të shpalosim vlerat tona kombëtare, artistike dhe kulturore”, u shpreh znj. Deda.

E cila poashtu tregoi se ky grup ka qarkulluar gjithandej nëpër Kosovë, për të marrë imazhe karakteristike, dhe sipas tyre, Ansambli ‘Shota’ ishte i pashmangshëm.

Fotografët francezë: Chloe Conin, Malika Mihoobi dhe Loic Xavier janë angazhuar nga kjo shoqatë. Ata realizuan fotografi të Trupës Artistike të Ansamblit, me kostumeve popullore të të gjitha trevave shqiptare, që janë në fondusin e Ansamblit.

Përveç këtij qëllimi, drejtuesit e shoqatës “Iliria” u interesuan për mundësinë e organizimit të një vizite të Ansamblit ‘Shota’, në qytetin e Saint Julien-it, gjatë muajve Tetor-Nëntor 2020. / KultPlus.com

‘U bëra e fortë dhe mësova se si t’ia dal vetë’

Por pastaj kalova aq shumë netë, duke menduar se si ma bëre padrejtë, dhe u bëra e fortë, dhe mësova se si t’ia dal vetë

“Unë do të mbijetoj “është një këngë hit e realizuar për herë të parë nga këngëtarja amerikane Gloria Gaynor në vitin 1978. Ishte shkruar nga Freddie Perren dhe Dino Fekaris.

Kjo këngë u shit në 14 milion kopje në të gjithë botën dhe u këndua në 20 gjuhë të ndryshme.

Në fillim isha e frikësuar
Isha e shtangur
Duke menduar se nuk mund të jetoja kurrë
Pa ty në krahun tim
Por pastaj kalova aq shumë netë
Duke menduar se si ma bëre padrejtë
Dhe u bëra e fortë
Dhe mësova se si t’ia dal vetë
 
Dhe tani je kthyer papritmas
Unë vetëm hyra për të parë atë
vështrim të trishtuar në fytyrën tënde
Duhet të kisha ndërruar celesin e deres sime
Duhet të të kisha detyruar të lije ti çelësin tënd
Sikur ta kisha ditur për vetëm një sekondë
se ti do të ktheheshe të më shqetësoje

Shko tani, shko, dil nga dera
Vetëm kthehu prapa
Sepse nuk je më i mirëpritur
A nuk ishe ti ai?
Që provove të më lëndoje me lamtumirë?

A mos mendove që do të shkatërrohesha
A mos mendove se do të shtrihesha dhe do të vdisja
Oh jo, jo unë
Unë do të mbijetoj!
Oh dhe për aq kohë sa di si të dua
E di që do të qëndroj gjallë

Unë kam tërë jetën për të jetuar
Kam gjithë dashurinë time për të dhënë
Dhe do të mbijetoj
Unë do të mbijetoj
  
Mora gjithë forcën që kisha
Për të mos u copëtuar
Duke u munduar që t’i kap pjesët
e zemrës sime të thyer

Dhe kalova oh aq shumë netë
Thjesht më vjen keq për veten time
Dikur qaja
Por tani e mbaj kokën lart
 
Dhe ti më sheh tani
Si një person të ri
Unë nuk jam më ai person i lidhur me zinxhirë
Akoma e dashuruar në ty
 
Dhe tani mendon se mund të vish
dhe pret që unë të jem e lirë
Por tani po e ruaj gjithë dashurinë time
Për dikë që më do mua.

(Përktheu Agrina Sadiku) / KultPlus.com

‘Gjithçka që jam apo shpresoj se do të jem, ia kam borxh nënës time engjëllore’

Dashuria e vetme e pastër dhe e sinqertë në këtë botë, është ajo ndaj nënës. Prandaj KultPlus ju sjell disa thënie që figura të mëdha përgjatë historisë, kanë thënë për dashurinë e nënës.

“Gjëja më me rëndësi që babai mund të bëjë për fëmijën është ta dashurojë nënën e tyre!” – Theodore Hesburgh

“Gjithçka që jam apo shpresoj se do të jem, ia kam borxh nënës time engjëllore!” – Abraham Lincoln

“Dashuria e nënës është paqja. Nuk ka nevojë të fitohet, nuk ka nevojë të meritohet!” – Erich Fromm

“Nëna është emri i Zotit në buzët dhe zemrat e fëmijëve të vegjël!” – ëilliam Makepeace Thackeray

“Jeta fillon duke u zgjuar dhe dashuruar fytyrën e nënës!” – George Eliot

“Kemi lindur nga dashuria; dashuria është nëna jonë!” – Rumi

“I lumtur është djali besimi i të cilit te nëna mbetet i pandryshuar!” – Louisa May Alcott

“Nuk keni nevojë të meritoni dashurinë e nënës; keni nevojë të meritoni dashurinë e babait!” – Robert Frost

“Dashuria e nënës është karburanti që lejon një person të thjeshtë për të arritur të pamundurën!” – Marion C. Garretty

“Burri e do të dashurën më së shumti, gruan më së miri, e nënën më së gjati!” – Proverb irlandez

“Në veshët e një fëmije, fjala “nënë” është magjike në të gjitha gjuhët!” – Arlene Benedict

“Ka mijëra gra, por vetëm një nënë!” – Proverb bolivian

“Kur je nënë, nuk je kurrë vetëm në mendimet e tua. Një nënë gjithmonë duhet të mendojë dy herë. Një për vete dhe një për fëmijën e saj!” – Sophia Loren

“Në momentin që lind një fëmijë, lind edhe nëna. Ajo nuk ekzistonte më parë – gruaja ekzistonte, por kurrë nëna. Nëna është qenie e re!” – Osho

“Nëna mban duart e fëmijës për pak… e zemrat përgjithmonë!” – Anonim

“Nëna: çdo dashuri fillon dhe përfundon atje!” – Robert Broëning

“Fati i ardhshëm i një fëmije, është gjithmonë rezultat i punës së nënës së tij!” – Napoleon Bonaparte

“Zemra e nënës është një humnerë e thellë, në fund të së cilës gjithmonë do të gjesh falje.” – Honore de Balzac

“Nëna është drita e shtëpisë!” – Proverb shqiptar

“Pa diell nuk ka lule, pa dashuri nuk ka fat, pa grua nuk ka dashuri, pa nënë nuk ka poetë, as heroj!” – Maxim Gorky

“Është veç një fëmijë i bukur në botë dhe çdo nënë e ka atë!” –Proverb kinez

“Mjekët më thanë se kurrë nuk do të mund të ecja përsëri, por nëna ime ishte e sigurt se do të ecja përsëri. E, dhe unë besova nënën time!” – ëillma Rudolph

“Zoti nuk mund të ishte kudo, prandaj i krijoi nënat!” – Proverb hebraik

“Disa nëna puthin, të tjera janë më të rrepta, por dashuria është gjithmonë e njëjtë. Përveç kësaj, shumica e nënave puthin dhe qortojnë në të njëjtën kohë!” – Perl S. Back

“Nuk e kuptoni se sa ju do nëna juaj , derisa të zbuloni në sirtar të gjitha pikturat dhe kartat që i keni dhënë!” – Pam Brown

“Nëna e mirë nuk pyet a dëshiron, por jep!” – Prover anglez

“Nëna: banka që depozituam të gjitha dhimbjet dhe shqetësimet tona.” – Thomas De Witt Talmage

“Lotët e nënës janë fuqia më e madhe hidroelektrike në botë!” – George Bernard Shaw

“Dashuria e nënës nuk vjetrohet kurrë!” – Seneka

“Kur je një nënë e mirë, gjithçka falet!” – Emile Zola

“Nëna është gjithçka – ajo është ngushëllimi ynë në pikëllimin, shpresa jonë në mjerimin tonë dhe fuqia jonë në dëshpërim; është burimi i dashurisë, mëshirës, dhembshurisë dhe faljes. Ai që humbet nënën e vet humb një shpirt të pastër që e bekon dhe e mbron vazhdimisht!” – Khalil Gibran

“Fëmijët janë spirancat që mbajnë nënën gjallë!” – Sofokliu

“Duart e nënës janë bërë nga brishtësia dhe fëmijët flen rehat në to!” – Victor Hugo

“Sa herë lind fëmija, lind edhe nëna!” – Gilbert Parker

“Amësia ka efekte humane. Gjithçka reduktohet te thelbësorja!” – Meryl Streep

“Amësia: Çdo dashuri lind dhe përfundon aty!” – Robert Brownin

Babai më thoshte: “Rri i përulur, dhe duhet të punosh më shumë se secili”. Nëna më thoshte: “Bëhu vetja”. Ajo gjithmonë më mësonte se veç Zoti mund të më gjykojë!” – Nate Robinson

“Në momentin kur kishte shumë paqe në Qiell, por zërat nga Toka mund të dëgjoheshin dhe fëmija me ngut pyeti: “Zot, po të largohem tani, më thuaj emrin e engjëllit tim”. “Ju thjesht do ta quani atë, ‘Nënë”! – Anonim

“Nëna kupton atë që nuk e thotë fëmija!” – Proverb hebraik

“Dashuria e nënës të çliron!” – Maya Angelou

“Kurrë nuk e dija se sa shumë dashuri mund të mbante zemra ime, derisa dikush më quajti: “Nënë”!” – Anonim

“Pas çdo gjëje, ka një histori, por pas çdo historie tuajën gjithmonë është historia e nënës, sepse te e saj fillon e jotja!” – Mitch Albom

“Dora që përkund djepin është ajo që rrotullon fatin e njerëzve, sepse ajo dhe vetëm ajo e drejton jetën kah horizontet e ndritura ose të errëta!” – Haki Stërmilli

“Nëna është personi i vetëm në botë që të do para se të të shohë!” – Johann Heinrich Pestalozzi / KultPlus.com

Tradita e karnavaleve rikthehet në Gjirokastër pas 60 vjetësh (FOTO)

Tradita e karnavaleve në Gjirokastër, e ndërprerë në vitet e diktaturës u rikthye për herë të parë pas 60 vjetësh në qytetin e gurtë.

Nxënësit e shkollave, qytetarë gjirokastritë, por edhe nga qytete të tjera të vendit parakaluan në zonën muzeale me madhështi me kostumet e tyre shumëngjyrëshe duke sjellë një atmosferë fantastike që tërhoqi vëmendjen e të gjithëve.

Bashkia e Gjirokastrës thekson se “kjo festë është një ritual i hershëm, që njerëzit e organizonin në këmbim të stinëve. Paraardhësit tanë e kthenin në gëzim, rit, këngë, ngjyra, maska, kostume dhe festë, ikjen e dimrit dhe ardhjen e pranverës”.

“Meritë, falënderime dhe mirënjohje nxënësve të 10 shkollave të bashkisë. Sot Gjirokastra nuk solli thjesht një festë, por ringjalli një traditë të hershme që në Gjirokastër ka një emër të veçantë Dita e Prosopullave”, – tha bashkia.

Kryetari i bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Golemi, tha se “rikthyem në Gjirokastër një aktivitet që mungonte prej dekadash. Këtej e tutje do ta zhvillojmë vit pas viti për t’i paraprirë ndërrimit të stinëve dhe rigjallërimit të natyrës. Faleminderit të gjithëve që u bëtë pjesë e festimeve në këtë ditë të parë. Festa vazhdon edhe sot në mbrëmje dhe ditën e nesërme. Mos mungoni”.

Kjo festë do të zgjasë edhe nesër, ku qytetarët do të shijojnë ushqimin, pijet, zbavitjet, muzikën dhe argëtimin që do përmbyllet me djegien simbolike të një dordoleci prej kashte në qendër të qytetit.

Në pikëpamjen fetare karnavalet janë ditët e fundit para fillimit të kreshmës së Pashkëve. Kjo dukuri me kalimin e viteve mori karakter laik dhe u shndërrua në një festë popullore, ku për një ditë të vetme njerëzit veshin një maskë dhe realizojnë një përmbysje të përkohshme e statusit dhe hierarkive sociale./atsh/ KultPlus.com

Mrekullia e koreografisë së Eno Peçit nëpërmjet videos, vjenezët e vlerësuan si një prurje të re (VIDEO)

Nën moton “Mbretëresha e natës” mbrëmjen e së enjtes është prezantuar “Opernball”, evenimenti më i madh artistik i kryeqytetit austriak, koreografi që i është besuar koreografit shqiptar Eno Peçi, shkruan KultPlus.

Ricardo Leitner ka shkruar për këtë koreografi, i cili ka specifikuar se prej se i përcjellë prezantime të tilla, një koreografi që shfrytëzon në këtë mënyrë hapësirën, nuk e ka parë në jetë, dhe sipas tij, ai punën e Peçit e ka vlerësuar si një punë të mrekullueshme, dhe si një risi në koreografinë vjenezë, pasi që, sipas tij, koreografët e tjerë kanë përsëritur njëri tjetrin, por Eno Peçi solli diçka të re.

Kjo shfaqje ka pas audiencë mbi 5 mijë mysafirë VIP nga të gjitha fushat jetësore në Austri.

Eno ka zgjedhur edhe vet që të performojë në këtë mbrëmje  me valsin “Abendblätter” të Zhak Offenbach, ku kanë qenë të përfshirë shumë balerinë. Për më shumë, shikojeni videon e kësaj performance më të madhen në Vjenë, e që i është besuar koreografit shqiptar Eno Peci./KultPlus.com

Gjuha shqype

Poezi nga Gjergj Fishta

Porsi kanga e zogut t’verës,
qi vallzon n’blerim të prillit;
porsi i ambli flladi i erës,
qi lmon gjit e drandofillit;
porsi vala e bregut t’detit,
porsi gjâma e rrfès zhgjetare,
porsi ushtima e nji tërmetit,
ngjashtu â’ gjuha e jonë shqyptare.

Ah! po; â’ e ambël fjala e sajë,
porsi gjumi m’nji kërthi,
porsi drita plot uzdajë,
porsi gazi i pamashtri;
edhè ndihet tue kumbue;
porsi fleta e Kerubinit,
ka’i bien qiellvet tue flutrue
n’t’zjarrtat valle t’amëshimit.

Pra, mallkue njai bir Shqyptari,
qi këtë gjuhë të Perëndis’,
trashigim, që na la i Pari,
trashigim s’ia len ai fmis;
edhe atij iu thaftë, po, goja,
që përbuzë këtë gjuhë hyjnore;
qi n’gjuhë t’huej, kur s’asht nevoja,
flet e t’veten e lèn mbas dore.

Në gjuhë shqype nanat tona
qi prej djepit na kanë thânun,
se asht një Zot, qi do ta dona;
njatë, qi jetën na ka dhânun;
edhe shqyp na thanë se Zoti
për shqyptarë Shqypninë e fali,
se sa t’enden stina e moti,
do ta gzojn kta djalë mbas djali.

Shqyp na vete, po pik’ mâ para,
n’agim t’jetës kur kemi shkue,
tue ndjekë flutra nëpër ara,
shqyp mâ s’pari kemi kndue:
kemi kndue, po armët besnike,
qi flakue kanë n’dorë t’shqyptarëvet,
kah kanë dekë kta për dhè të’t’Parvet.

Në këtë gjuhë edhe njai Leka,
qi’i rruzllim mbretnin s’i a, xûni,
në këtë gjuhë edhe Kastriota
u pat folë njatyne ushtrive,
qi sa t’drisë e diellit rrota,
kanë me kênë ndera e trimnive.

Pra, shqyptarë çdo fès qi t’jini,
gegë e toskë, malci e qyteta,
gjuhën t’uej kurr mos ta lini,
mos ta lini sa t’jetë jeta,
por për tê gjithmonë punoni;
pse, sa t’mbani gjuhën t’uej,
fisi juej, vendi e zakoni
kanë me u mbajtë larg kambës s’huej,

Nper gjuhë shqype bota mbarë
ka me ju njohtë se ç’fis ju kini,
ka me ju njohtë për shqyptarë;
trimi n’za, sikurse jini.

Prandaj, pra, n’e doni fisin,
mali, bregu edhe Malcija
prej njaj goje sod t’brohrisim:
Me gjuhë t’veten rrnoftë Shqypnia! / KultPlus.com

‘Liza në botën e çudirave’ solli edhe njëherë magjinë e Arzana Krajës

Ishte një emocion më i veçantë në mbrëmjen e së premtes në Teatrin “Dodona” të Prishtinës, ku po prezantohej prova gjeneralë e shfaqjes “Liza në botën e çudirave”, shfaqje kjo që ishte punuar me dramatizim të Arzana Krajës, e cila vdiq qysh në nëntorin e kaluar, por këtë projekt e kishte lënë të përfunduar për këtë teatër, qysh në muajin shtator.

Meli Qena ka bërë regjinë e kësaj shfaqje, e cila bashkë me Arzanën patën aplikuar për këtë projekt vitin e kaluar, por premiera e kësaj shfaqje erdhi pa praninë e Arzanës.

Familjarë të Arzanës kishin zënë vendet e tyre në sallën e këtij teatri, për të parë nga afër emocionin e kësaj shfaqje, dhe për të ndjerë nga afër edhe njëherë mjeshtërinë e familjares së tyre.

Por dramatizimi i Arzana Krajës dhe regjia e Meli Qenës, kishin sjell një mrekulli brenda mureve të këtij teatri, pasi që aktorët e kësaj shfaqje, me lojën e tyre sollën aq emocion, sa zërat e fëmijëve , bashkë me ata të prindërve, dëgjoheshin pothuajse gjatë gjithë kohës.

Edhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti, bashkë me bashkëshorten e tij, kishin sjell vajzën e tyre që për aq kohë sa zgjati shfaqja, u argëtuan me lojën e aktorëve.

Shfaqja ‘Liza në botën e çudirave’ trajton temën e një vajze e cila një ditë shikon një lepur të bardhë dhe bëhet kurioze, duke ndjekur lepurin, ajo bie në botën magjike të mrekullive ku takon krijesa nga më çuditshmet, kjo botë magjike futi thellë edhe fëmijët që ishin prezent. Liza një vajzë me imagjinatë tejet të zhvilluar ngjallte një entuziazëm të pashoq tek fëmijët që ishin të pranishëm në këtë shfaqje.

Ajo çfarë e bëri edhe më interesante këtë shfaqje ishte mesazhi që ajo përçonte. T’i duam prindërit tanë dhe t’i respektojmë ashtu siç janë, pa u shkaktuar telashe, sepse në fund jemi ata të cilët duam t’i kemi gjithmonë afër dhe të mos jemi asnjëherë larg tyre.

Me këtë lloj porosie përfundon edhe shfaqja, duke u lënë fëmijëve prezent një mesazh shumë të fortë.

Aktorët që luajtën në këtë shfaqje ishin: Njomza Tmava, Allmir Suhodolli, Avni Hoti, Roza Berisha Fejzullahu, Avdi Azemi, Faik Gashi. Shfaqja ështe edhe libër i cili është shkruar nga Leëis Caroll, dhe pritet të shfaqet këtë të shtunë prej orës 12:00 dhe 13:00 në teatrin Dodona. / KultPlus.com

Dhjetë filozofët që kanë vuajtur nga çrregullime psiqike

Ata që shtrojnë pyetje të vështira, të tilla si: “pse gjendemi këtu?”, “ prej nga e nxjerrim moralin?” dhe “çfarë realisht do të thotë të jesh përtokë?”, i kanë dhënë njerëzimit njohuri të mahnitshme filozofike, si dhe udhëzime etike.

Për fat të keq, reflektimi me tepri mbi këto çështje mund të çojë ndonjëherë në dalldi trurin e filozofëve, duke nxjerrë në pah presionin  më shumë se sa duhet!

Pastaj përsëri, ndoshta është paksa një çmenduri e vogël ajo që i çon filozofët e mëdhenj drejt përpjekjeve për të kërkuar përgjigje mbi këto çështje.

William James

Mjeku, psikologu dhe filozofi William James, është i mirënjohur për punën e tij mbi filozofinë e fesë dhe atë të pragmatizmit, duke kërkuar të zbulojë sesi duhet të veprojë dikush, kur nuk ka njohuri të së vërtetës përfundimtare. Ashtu si vëllezërit e motrat e tij (njëri prej të cilëve ishte romancieri i madh Henry James), ai vuajti nga sëmundje të ndryshme në rininë e tij, si fizike ashtu edhe mendore. Sëmundja e tij mendore, e njohur në atë kohë si “krizë nervore”, përfshinte periudha të veçanta dhe të rënda depresive të cilat zgjasnin për muaj më radhë, dhe gjatë të cilave ai mendonte të vetëvritej. Pavarësisht nga këto shqetësime, James botoi gjatë gjithë jetës së tij dhe vdiq nga një krizë në zemër në të gjashtëdhjetat e tij.

John Stuart Mill

Një nga figurat kyçe të rrymës së utilitarizmit, John Stuart Mill qe një fëmijë i paracaktuar të bëhej dikushi, ndaj dhe babai i tij kërkoi qëllimisht ta edukonte që në moshë të re me filozofi. Mësimet intensive të babait të tij, shkaktuan në fund efektet e veta negative, dhe në moshën 20-vjeçare ai u godit nga një ezaurim nervor dhe depresioni, që sçi e shpjegoi më vonë i vinte për shkak të privimit nga një fëmijëri e vërtetë. Mill u shërua dhe vazhdoi studimet universitare përmes një burse, që përfshinte publikimin e librit të tij “Mbi lirinë” – një vepër thellësisht e rëndësishme filozofike, dhe një nga tekstet themelore të liberalizmit.

Soren Kierkegaard

I konsideruar si gjyshi i ekzistencializmit, apo ndoshta ekzistencialisti i parë, Soren Kierkegaard ishte thellësisht kritik ndaj filozofëve idealistë të kohës së tij si Hegelit dhe Schellingut. Ai kishte në fokus jetën si një “individ i vetëm”, duke vënë theksin tek zgjedhjet personale dhe realitetin njerëzor. Ai e cilësoi depresionin si një dështim, duke u shprehur se personi në depresion ka patur gjithmonë “një mundësi të barabartë ose ndoshta më të madhe të gjendjes së kundërt”. Kjo pikëpamje është edhe më prekëse, kur e kupton se vetë Kierkegaardi, dhe shumë prej anëtarëve të familjes së tij, vuanin nga simptomat e depresionit të thellë. Kierkegaard citohet të ketë thënë: “Depresioni im është mësuesi më besnik që kam njohur…”!

Michel Foucault

Michel Foucault u angazhua në studime kritike mbi institucione të tilla sociale si psikiatria dhe burgjet, ndërsa shkrimet e tij mbi diskursin dhe pushtetin qenë thellësisht me ndikim gjatë pjesës së dytë të shekullit të XX-të dhe më gjerë. Rëndësia e tij në filozofi dhe nëpër një shumëllojshmëri disiplinash akademike, është shënjuar nga fakti se ai është një nga dijetarët që citohen më shpesh në shkencat humane. Autori i teksteve të tilla si “Çmenduria dhe Qytetërimi”, ndikimi i tij i shquar në lëvizjen anti-psikiatrike është i dukshëm – sidomos duke pasur parasysh faktin se ai mori një diplomë në psikologji dhe ndoshta më e rëndësishmja, vuajti mundimet e depresionit akut, që madje e çuan në përpjekje për vrarë veten.

Paul Feyerabend

Paul Feyerabend punoi mbi 30 vjet në Universitetit të Kalifornisë, duke punuar në fushën e filozofisë së shkencës. Ai pati një qasje anarkike ndaj shkencës, duke hedhur poshtë urtësinë e përbashkët se mund të ketë rregulla universale metodologjike. Vepra e tij më e famshme, “Kundër metodës”, provokoi reagime të forta dhe ai u mor me polemika, duke u përballur njëkohësisht edhe me depresionin e tij të madh, që i detyrohej kryesisht intensitetit të madh të punës të tij. Në fakt, në autobiografinë e tij ai i referua atij si “depresioni besnik”, duke e krahasuar sëmundjen e tij me një kafshë shtëpiake.

Sokrati

I njohur zakonisht si themeluesi i traditës filozofike perëndimore, Sokrati nuk ishte i rezervuar të fliste në lidhje me atë që sot ne tani mund ta përshkruajmë si sëmundja e tij mendore. Ky sinqeritet vinte pa dyshim nga bindja e tij e hapur se çmenduria, kur frymëzohet nga perënditë, mund t’i japë njeriut bekimet e tij më të mëdha – si dashuria, poezia dhe vetë filozofia. Sokrati u mbështet në “shenjën e tij demoniake” ose zërin e pavarur në kokën e tij, për ta paralajmëruar kur qe duke bërë një gabim. Ishte ky zë që e mbajti atë larg hyrjes në politikë.

David Hume

Martin Heidegger

Martin Heidegger e përqendroi filozofinë e tij mbi konceptin e “qenies” me librin e tij “Qenia dhe Koha”, që konsiderohet si një nga veprat filozofike më me ndikim të shekullit të XX-të. Anëtarësimi i tij i Partisë Naziste dhe mbështetja për Hitlerin, e bën veprën dhe jetën e tij të diskutueshme. Ai u ndalua ta japë mësim pas një seance denazifikimi të vitit 1945. Ai pësoi një ezaurim nervor, dhe ndërsa mund të jetë e sjellshme të besohet se kjo ndodhi për shkak të fajit të tij për bashkëpunimin me nazistët, por është më e mundur që turbullimi i tij i brendshëm, të jetë ushqyer nga perspektiva e humbjes së karrierës universitare që ai kishte munduar të ndërtonte.

Adam Smith

Autor i “Pasuria e Kombeve”, vepra e parë e ekonomisë moderne, Adam Smith qe një figurë e rëndësishme në Iluminizmit Skocez, dhe njihet si babai i kapitalizmit. Megjithatë, ekzistenca e tij nuk përbëhet vetëm nga përkushtimi ndaj punës shkencore. Ai filloi të vuajë nga çrregullime mendore kur ishte duke studiuar në Oksford, dhe që tanimë mendohet të ishin simptomat e një ezaurimi nervor. Gjatë jetës së tij ai njihej se flite me vete dhe vuante nga sëmundje imagjinare, si dhe mungesa kronike e vëmendjes, që shkaktoi incidente të tilla si ecja për 15 milje jashtë qytetit, i veshur vetëm me këmishën e natës.

Friedrich Nietzsche

Siç e deklaroi vetë dikur, nëse e vështroni për një kohë të gjatë humnerës edhe ajo ju vështron juve. Shqetësimi që Friedrich Nietzsche kishte me vullnetin për pushtet dhe vdekjen e Zotit, mund të kenë qenë ato që e çuan drejt çmendurisë. Një histori e përsëritur shpesh, tregon gjunjëzimin e tij përballë një kali që ishte duke u fshikulluar me kamxhik nga i zoti, dhe në fund të shekullit të XIX-të, ai filloi të dërgojë letra të çuditshme ku detajonte vuajtjet imagjinare.

Ndërsa ideja e një mendje kureshtare të shkatërruar nga vetë studimet e tij është tërheqëse, mjekët e diagnostikuan asokohe me sifilis terciar, dhe diagnozat e mëvonshme përfshinin sëmundje maniako-depresive me psikozë periodike dhe çmenduri frontotemporale. Ndikimi i tij është ende i fortë shkollën postmoderniste nihiliste dhe ekzistencialiste të filozofisë./filozofia.al/ KultPlus.com

Gratë që ndryshuan botën

Gratë shpesh përballen me pengesa të shumta në jetën e përditshme, si edhe në tregun e punës. Shumica e grave në mbarë botën hasin pengesa të mëdha, si rezultat i problemeve që ka pasur dhe ka shoqëria, me termin barazi gjinore.

Është e rëndësishme këtu, të kujtojmë gratë me mendje brilante, të cilat, i thyen këto rregulla dhe krijuan disa nga objektet më të domosdoshme në jetën e përditshme dhe jo vetëm.

Shiringat, pelenat, makina larëse e enëve, madje dhe wifi, mbajnë emrin e një gruaje. Le të zbulojmë më poshtë, shpikjet më të rëndësishme nga gratë.

Shiringa: Një infermiere amerikane me emrin Letitia Mumford Geer, është personi që ka krijuar pistonin e parë të shiringës, i cili më pas u prodhua në masë në vitin 1899. Ky krijim i lejoi mjekët që të bënin injeksionet me një dorë dhe padyshim ka qenë një nga zbulimet më të mëdha në fushën e shëndetit. Gjithsesi nga shiringa e parë, deri tek shiringa që njohim ne sot ka shumë ndryshime.

Pelenat: Marion Donovan ka krijuar pelenat e para. Ideja i lindi pas përfundimit të luftës së dytë botërore, kohë kur ajo i ishte dedikuar plotësisht familjes së saj. Me një makinë qepëse dhe disa perde dushi, ajo ia arriti të krijonte prototipin e parë të pelenave që njohim ne sot. Ndër të tjera ajo krijoi edhe ngjitëset plastike të pelenave, të cilat zëvendësuan kapëset e tyre.

Makina larëse: Në vitin 1886, Josephine Cochrane do të ndërtonte makinën e parë larëse. Disa vite më vonë ajo do të tërhiqte vëmendjen e sipërmarrësve, mirëpo shpikja do të fitonte vlerë vetëm në vitin 1950, kohë kur u bë e aksesueshme edhe për konsumatorët.

Xhami i padukshëm: Katharine Burr Blodgett ishte gruaja e parë që mori titullin Doktore Shkencash në fizikë nga Universiteti i Cambridge në vitin 1926. Disa vite më vonë, ajo shpiku një xham me efekt reflektimi të vogël. Ky xham ndihmoi në përmirësimin e kamerave, si dhe u përdor edhe në mikroskopë të ndryshëm. Shpikja e saj u përdor madje edhe për të xhiruar filma.

Wireless: Aktorja dhe shkencëtarja Hedy Lamarr në bashkëpunim me mikun e saj George Antheil, arriti të krijonte prototipin e parë të valëve wifi. Ideja e saj është përdorur për të vënë në punë telekomandat e televizorit e deri në shpëtimin e njerëzve gjatë luftës, duke ndryshuar frekuencat e radios. Duhet thënë se, Lamarr, ka hedhur hapat e para të sistemit Wireless që njohim sot: ndaj, gjithë komoditetin e internetit pa kabllo, duhet falënderoni një grua!/konica.al/ KultPlus.com

Arkeologët dyshojnë se kanë zbuluar varrin e Romulit

Arkeologët prezantuan sot zbulimin e mahnitshëm, sipas tyre, të një faltoreje nëntokësore nga shekulli VI para Krishtit, që mund të ketë qenë varri i mbretit të parë të Romës antike, transmeton KultPlus.

Faltorja i është kushtuar Romulus, i cili, sipas legjendës, themeloi Romën me binjakun e tij, Remus, më 21 prill 753 para Krishtit, dhe u bë sundimtari i saj i vetëm, pasi vrau vëllain e tij.

”Ajo përbëhet nga një sarkofag guri me gjatësi 1,4 metra, me një strukturë rrethore pranë saj, që supozohet të jetë një altar”, tha në një deklaratë Parku Arkeologjik i Colosseumit.

Ajo u gjet nën hyrjen e Curia Iulia, selia e Senatit në kohën e Jul Çezarit, nën një shkallë të ndërtuar në vitet ’30 gjatë rinovimeve të epokës fashiste të forumit.

”Vendndodhja e faltores brenda Forumit Romak përkon me vendin ku, sipas teksteve antike, u varros Romulus”, shtohej në deklaratë.

”Ajo hedh dritë mbi historinë e Romës”, tha drejtoresha e parkut, Alfonsina Russo.

“Vendndodhja e zbulimit… e bën shumë të mundshme që mund të ishte ajo që romakët e lashtë e konsideronin varrin e Romulusit”, shtoi ajo.

Monumenti u zbulua fillimisht në 1899, por u harrua shpejt, pasi domethënia e tij nuk u kuptua. /atsh/ KultPlus.com

Komuniteti serb në Kanada proteston për ngritjen e flamujve kosovarë në festimin 12 vjetorit të pavarësisë së Kosovës

Në 12 vjetorin e pavarësisë së Kosovës komuniteti i shqiptarëve në Kanadë, në ceremoninë e ngritjes së flamurit të Kosovës, hasën në protestimin e komunitetit serb, shkruan KultPlus.

Përpos protestave të cilat komuniteti serb i kishte paralajmëruar disa ditë para ceremonisë së 12 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, ky komunitet ka nxitur urrejtje edhe në rrjete sociale drejtuar komunitetit shqiptar në Kanadë.

Zv.Drejtoresha e komunitetit të shqiptarëve në Manitoba të Kanadasë Albiana Bugujevci, tregon për KultPlus se komuniteti serb atje protestojnë edhe për vendimin e njohjes së Kosovës nga ky shtet, poashtu edhe për lirinë dhe të drejtat e shqiptarëve të Kanadasë.

Mirëpo edhe pas reagimeve të shumta nga komuniteti serb, shqiptarët arritën të ngritnin flamurin kosovar, ku me c’rast Bugujevci mbajti një fjalim ku ndër të tjera edhe informonte kandadezët për historinë e kosovarëve.

Në vijim KultPlus ju sjell fjalimin e plotë të Bugujevcit.

”Për të gjithë ju që nuk jeni në dijeni për historinë e Kosovës, ju informoj se Kosova është cliruar nga okupimi serb para dy dekadave, mirëpo pavarësia e Kosovës erdhi në vitin 2008, ku Kosova u njoh nga shumë shtete të botës, përfshirë edhe Kanadanë.

Në si komunitet jemi shumë falenderues ndaj qytetit të Manitobas dhe ndaj Kanadasë për të drejtat që na i kanë pranuar dhe një mirënjohje të madhe për vlerat kanadeze të cilat ngjasojnë shumë me atë shqiptare.

Këtë vit, 17 shkurti shënon 12 vjetorin e pavarësisë së Kosovës dhe është një nder dhe privilegj të ngrisim flamurin e Kosovës për herë të parë në këtë qytet që është shtëpia e qindra shqiptarëve nga Kosova.

Shumica nga ne këtu jemi të mbijetuarit e luftës së fundit të Kosovës, ku më shumë se 1000 kosovarë kanë gjetur strehim në ëinnipeg të Kanadasë. Një nga gamiljet që ka ardhur në Kanadë gjatë luftës, është familja Alimheaj të cilët janë të pranishëm këtu dhe vlen të përmendet historia e tyre e dhimbshme. Ata humbën tre familjarë, disa nga fqinjët dhe ishin dëshmitarë të shumë vrasjeve brutale që ndodhën gjatë luftës.

Edhe pse është e dhimbshme, ne duhet të flasim për të kaluarën, të ndajmë atë me miqte tanë kanadez dhe të kujtojmë se sa e vështirë ka qenë për ne të bëhemi shtet e të gëzojmë lirinë e plotë.

Para dy dekadave, pas shumë vuajtjeve e humbjeve, populli i Kosovës gëzoi lirinë, pa intervenimin e Trupave të Natos, dhe filloi një kapitull të ri drejt lirisë.

21 vjetori i përfundimit të luftës në Kosovë, shënon një kapitull të ri në jetën e shumicës prej ne këtu të cilët morrëm rrugën për në Kanadë, për një vend më të sigurt, vend ky që për ne është bërë një shtëpi e sigurisë dhe paqes.

Pra, sot, në këtë përvjetor të pavarësisë së Kosovës, ne shfrytëzojmë rastin të shprehim mirënjohjen për Kanadën dhe kanadezët të cilët hapën dyert dhe zemrën e tyre për ne, atëherë kur ne më së shumti kishim nevojë.

Komuniteti ynë i vogël e vlerëson shumë atë që qeveria ka bërë dhe sakrificën e zemërgjerësinë që populli kanadezë e ka bërë për ne.

Në si komunitet për të festuar 21 vjetorin e ‘Operacionit Parasol’ (operacion ky i cili ndihmoi në prurjen e refugjatëve në Kanada), do të dhurojmë gjak për të ndihmuar në shpëtimin e jetës së shumë njerëzve të cilët kanë nevojë për të. Ndoshta kështu do të mund të kthenim të mirat që ky popull ka bërë për ne.

Gëzuar Dardani, Rroftë Kosova”, është shprehur Bugujevci para të pranishmëve.

Ndër të tjera për KultPlus. Bugujevci është shprehur e zhgënjyer që komuniteti serb vazhdon të nxit urrejtje ndaj komuniteti shqiptar edhe pas kaq vitesh. / KultPlus.com

Edona Reshitaj sjell ‘Zonjat e Kangës’

Të mërkurën e 26 shkurtit të këtij viti, Edona Reshitaj do të prezantojë Koncert/Recitalin “Zonjat e Kangës”.

Ky koncert i dedikohet figurave më të spikatura femërore të muzikës shqipe mbarshqiptare të cilat kanë dhënë kontribute të jashtëzakonshme në muzikën shqipe.

Përmes këtij koncerti i cili do të shoqërohet me një repertuar të larmishëm te këngëve nga Zonjat e muzikës, me përpunime dhe aranzhmane të veçanta, do të gërshetohen me finesë tradicionalja në ritmet e muzikes jazz, duke  gërshetuar me finesë “të vjetrën” me “modernen” dhe duke shkrirë folklorin dhe tradicionalen në ritmet e Jazz-it.

Kitara, Kontrabasi, Pijanoja, Bateritë, Trumpeta, Klarineti dhe Saxafoni, do të lundrojnë nëpër ujrat e pastërta të melosit tone.

“Zonjat e Kanges”, është projekt, ku qëllimi kryesor është:

Të nderojë Zonjat e Kanges, për gjithë punën, mundin, sakrificën dhe rolin e rëndësishëm që kanë pasur në muzikën shqipe, duke na lënë një trashëgimi të çmuar kulturore.

Të jetë një dhuratë e bukur pikërisht për ditën e gruas, atë të 8 Marsit, duke potencuar rolin e femrës si grua, si nënë, si artiste apo thënë shkurt si një qenie të jashtëzakonshme njerëzore.

Të inkuadrojë të rinjët në njohjen e këtyre këngëve dhe nxitjen e dashurisë për to.

Të kontribuojë në përkrahjen e çasjeve të reja nga gjenerata e re e artistëve

Muzikantët nga Kosova dhe Shqiperia: Visar Kuci – Kitarë, Nesim Maxhuni – Bateri, Roni Gjura – Kontrabas, Ermal Rodi  Klarinetë/Saksofon Tenor, Fatjon Miftaraj – Piano, Art Lokaj- Kitare elektrike, Dukagjin Muhaxheri- Saksofon, Rajkard Bardhi- Trumpete

Mysafirë specialë, aktoret e mirënjohura: Ilire Vinca, Rebeka Qena, Shengyl Ismaili, Semira Latifi, Qendresa Kajtazi, Edona Sopaj, Rabije Kryeziu, Kaltrine Zeneli dhe Daniela Markaj.

Përpunimin e këngeve e bëri Edona Reshitaj. Aranzhmanin e këngëve e bëri Visar Kuçi. Përpunimin e zërave në kor i bëri Trimor Dhomi. Fotografitë Arton Humolli, Dizajnin Besart Sllamniku. Kostumet Yllka Brada.

Ky koncert do të mbahet ne Teatrin Kombëtar të Kosovës, në Prishtinë, prej orës 20:00h. / KultPlus.com

QRTK: Filluan punimet restauruese në ndërtesën e familjes së Xhemajli Herenit

Drejtori i Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, Samir Hoxha i shoqëruar nga zyrtar të këtij institucioni sot ka vizituar punimet të cilat po zhvillohen në ndërtesën e familjes së Xhemajli Herenit, me ç’rast është njoftuar për së afërmi mbi ecurinë punimeve restauruese që po zbatohen në këtë ndërtesë, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

“Ky projekt po implementohet në kuadër të masave preventive – interevenimet emergjente, të cilat po zhvillohen nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në zbatim të planifikimeve të Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren”, thuhet në komunikatë.

Tutje thuhet se shtëpia e Xhemajli Herenit gjendet në pjesën perëndimore të qytetit të Prizrenit, në Lagjen e Terzive, në zonën e dytë mbrojtëse.

“Kjo ndërtesë është si një shembull mjaft reprezentativ i shtëpisë së hapur me çardak dhe paraqet karakteristika të arkitekturës së banimit në qytetin e Prizrenit që nga shek. XIX –të e cila është ruajtur deri më sot. Forma, organizimi funksional, elementet origjinale të ruajtura nga gjendja fillestare, si dhe marrëdhënia e vendosjes së shtëpisë në relacion me rrugën dhe oborrin, paraqesin elementet kyçe nëpërmjet të cilave ky monument sot interpreton ndërlidhjen e ngushtë ndërmjet kulturës së banimit të trashëguar ndër shekuj”, thuhet në komunikatë.

Hoxha ka premtuar angazhim për ruajtjen e trashëgimisë kulturore në Prizren.

“Me gjithë sfidat e shumta të cilat paraqiten në mbrojtjen dhe ruajtjen e aseteve të trashëgimisë kulturore në Prizren në asnjë rrethanë nuk do të mungojë angazhimi dhe përkushtimi institucional dhe profesional i Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, që fusha e trashëgimisë kulturore të jetë ndër prioritetet më të larta të këtij institucioni”, është shprehur Hoxha gjatë kësaj vizite. / KultPlus.com

Busti i Adem Jasharit vendoset në Elbasan

Në Elbasan po vijon puna për ngritjen e bustit të heroit kombëtar, Adem Jashari.

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla u shpreh sot se “kjo vepër do të jetë gati në 14 mars, përkrah bustit të Gjergj Kastriot Skënderbeut”.

“Vijon puna për bustin madhështor të heroit kombëtar Adem Jashari. Ditën e Verës, më 14 mars, do të jetë gati përkrah bustit të Gjergj Kastriot Skënderbeut”, tha Balla.

Busti i heroit kombëtar Adem Jashari i gdhendur në shkëmb është tashmë drejt përfundimit, ndërsa më herët Balla ftoi popullin e Kosovës që Ditën e Verës me 14 Mars, t’i bashkohen inaugurimit të bustit të Adem Jasharit në Elbasan. /atsh/ KultPlus.com

Aurela Gaçe publikon ‘Veten dua gjallë’, i këndon fatit tragjik të gruas së dhunuar

Ditë më parë, këngëtarja shqiptare Aurela Gaçe, ka bërë të ditur se do të publikojë këngën e saj më të re, e cila mban titullin ‘Veten dua gjallë’, shkruan KultPlus.

Gratë e dhunuara e të keqtrajtuara në shoqërinë tonë, kanë qenë temë aktuale kohëve të fundit, duke bërë kështu që edhe kënga e Aurelës të trajtojë një temë të tillë e të dhimbshme, ku trajtohet ky fat tragjik i gruas.

Kujtojmë se ky është projekti i parë i këngëtares për këtë vit, projekti i fundit u publikua në gushtin e vitit të kaluar. / KultPlus.com