Më 20 shkurt 1991 populli shqiptar e rrëzoi në sheshin “Skënderbej” statujën e madhe të diktatorit paranojak komunist, për ta ruajtur mandej, të pacënueshëm, në mijëra statueta të vogla brenda parzmit.
Prandaj s’kemi pse habitemi edhe tash, pas afro 30 vitesh, për nivelin dhe cilësinë e përçudshme të Lirisë shoqërore dhe lirive tona individuale. Diktatori Enver Hoxha e zombifikoi shoqërinë. Procesi i dezombifikimit të njeriut shqiptar, po rezulton mision i pamundur. Ka zënë rrënjë sindroma e mazokizmit (ëmbësia e papërballueshme e dhunës).
Shoqëria shqiptare ka nevojë për terapi intensive psikologjike e psikoanalitike, si minimum, për nja 10 vjet, derisa ta nxjerrë jashtë parzmit statuetën e diktatorit, që e ndryn në fshehtësi e xhelozi thellë vetes. Ndarja me të dhe me ngjashmëritë e Statujës (dhe statuetave) të diktatori, – ja pra ku qëndron problemi i thellë dhe enigma e vështirë e botës së ngallmuar shqiptare!/KultPlus.com
Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, priti sot në takim Drejtoreshën për Kulturë në Komunën e Prishtinës Blerta Basholli.
Drejtoresha Basholli, në këtë takim njoftues
fillimisht uroi Ministren Dumoshi për marrjen e detyrës duke i uruar që punën e
mirë që e ka bërë në Komunën e Prishtinës si Drejtoreshë për Kulturë në
qeverisjen e kaluar lokale, ta vazhdojë edhe në Ministrisë të cilën tash po e
drejton.
Në takim u diskutuan dy pika kryesore si të
rëndësisë më të veçantë, e para Bienalja Manifesta e cila i bën nderë
Prishtinës që të jetë nikoqire në vitin 2022, për të cilën Ministrja Dumoshi
shprehu gatishmërinë e saj dhe të Ministrisë, për bashkëpunimin sa më të mirë
rreth kësaj ngjarje të rëndësishme kulturore që pritet të ndodhë në Prishtinë
dhe e dyta trashëgimia kulturore e objekteve të rëndësisë së veçantë për
kryeqytetin.
Ministrja Dumoshi theksoi se ngjarjet
kulturore në Prishtinë e edhe në qytetet e tjera të Kosovës, përveç se e
pasurojnë jetën kulturore e sociale e ndihmojnë Kosovën që të futet në
kalendarët kulturorë të Evropës e botës.
Ministrja Dumoshi dhe Drejtoresha Basholli, u dakorduan edhe për takime të tjera në të cilat edhe më në detaje do të shqyrtohen mundësitë për punën e përbashkët për kulturën në përgjithësi. / KultPlus.com
Shembja e një ndërtese në Dallas të Teksasit nuk ka shkuar siç ishte planifikuar. Dështimi madje bëri që ndërtesa të kthehej në atraksion për qytetarët.
Objekti ishte mbushur me eksplozivë të dielën në mëngjes, por një pjesë e ndërtesës 11 katëshe nuk u shemb duke mbetur vetëm e lakuar.
“Ndërtesa ra në mënyrën si ishte supozuar. Ndodhi që të ndalej pikërisht aty”, ka thënë Josh Stevens, menaxher në një kompani për demolime.
Videoja e shembjes u bë virale dhe njerëzit nisën ta quanin “Ndërtesa e shtrirë e Dallasit”, shkruan “NYTimes”, transmeton Koha.net.
Pjesa e mbetur e objektit është kthyer në atraksion të vendit duke nxitur turistët të shkrepin fotografi sikurse të objektit të famshëm të Pisas në Itali.
Tashmë ka shumë banorë në Dallas që duan që ndërtesa të mbetet e tillë. Madje aty ka nisur një peticion online për të ruajtur objektin si të tillë dhe për ta futur në UNESCO. / KultPlus.com
Kthimi i lumit Drin në një atraksion turistik, përmes organizimit të sporteve ujore është nisma më e fundit e bashkisë Lezhë, e cila ka promovuar në vijimësi aktivitetet sportive.
Pas kajakëve në lumin Drin të Lezhës ka mbërritur edhe “dragon boat”, një sport i ri që vjen në bashkëpunim të ngushtë me Canoa Club Sile në Itali.
Iniciativa vjen nga Drejtoria e Sporteve në Bashkinë e Lezhës, ndërkohë që tashmë është formuar edhe grupi prej 22 sportistësh që ka në dispozicion mjetet lundruese për realizimin e stërvitjes.
Në startin e këtij sporti të ri ishte i pranishëm edhe kryetari i Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu, i cili deklaroi se do të mbështesë maksimalisht “dragon boat”, ashtu si edhe sportet e tjera që në Lezhë po zhvillohen mirë dhe kanë nevojë për mbështetje.
Ndreu foli për rëndësinë që ka kthimi i lumit Drin në një atraksion turistik dhe imazh pozitiv për këtë sektor dhe sportet ujore janë një mundësi e mirë për të bashkërenduar të gjitha këto iniciativa të bashkisë.
“Bashkia e Lezhës ka në plan të mbështesë shumë sportet, pasi ka përpjekje pozitive që duhet të jetësohen dhe të kenë përkrahje financiare duke adresuar fonde përkatëse për ta bërë sportin sa më gjithëpërfshirës dhe të jetë sa më afër të rinjve. Tashmë po nxiten sporte si volejboll, boks, mundje, basketboll, judo dhe të tjerë që tashmë kanë traditë në Lezhë, por edhe projekte të reja si ky i sotmi që do të kenë mbështetjen tonë”, tha Ndreu.
Ne, shtoi ai, “duhet të mendojmë gjithashtu që lumin e Lezhës ta integrojmë edhe në funksion të turizmit krahas mundësisë për të nxitur sportin”. “Ndaj shumë shpejt me financim të bashkisë do të tjetërsohet e gjithë pamja e lumit dhe në bashkëpunim me GIZ do të hartojmë një projekt për bllokimin e kalimit nëpër lum të mbetjeve dhe brenda verës që vjen do të kemi gati projektin për ndërtimin e urave panoramike dhe elementë të tjerë që do ta bëjnë edhe më atraktiv lumin e Lezhës”, theksoi ai.
Drejtoresha e Sportit në bashkinë Lezhë, Mimoza Shtjefni, bëri të ditur se është siguruar mbështetja për zhvillimin e këtij sporti, si dhe janë përzgjedhur të rinjtë e parë që do të bëjnë pjesë në ekipin që do të nisë stërvitjen.
Sipas saj, “kjo është një mundësi për t’i dhënë lumit më shumë jetë dhe për të ndikuar pozitivisht në imazhin e Lezhës turistike”.
Shtjefni bëri të ditur se sfidat konsiderohen të tejkaluara edhe për faktin se, që në momentin e prezantimit të kësaj iniciative, që në fakt është e re edhe në Shqipëri, ka patur interesim maksimal të të rinjve.
Besojmë, tha ajo, se brenda vitit do të kemi arritur ndërtimin e plotë të skuadrës. Ajo shtoi se do të lobohet fort që ky lloj sporti të futet masivisht në shkolla, duke u bërë pjesë e Federatës së Sportit Shkollor dhe në fund të vitit shkollor të mund të bëhet edhe kampionati ndërmjet shkollave. / atsh / KultPlus.com
Para 74 vitesh, mizorisht, në emër të ideologjisë së çmendur komuniste, është pushkatuar frati i ditur, njeriu i vlerave të mëdha kulturore e shpirtërore, iluministi i madh – shkrimtari At Anton Harapi. Ernest Koliqi thoshte për të se, ai ishte “nji ndër njerëzit mâ të kulturuem të Shqipnís.”
Harapi shkroi tekste në prozë dhe u shqua veçmas në publicistikë, duke u lanë shqiptarëve një vepër shumë të pasur e me vlera të tejkohshme. Ai mbajti ligjërata monumentale për çështje shoqërore, për naltimin e ndërgjegjes, dhe kështu krijoi monumentin e bashkimit shpirtëror dhe kulturor të shqiptarëve.
Vepra e tij, edhe sot, është ushqyese për kombin e tij, të cilin e këshilloi se: “çdo ndërtese i vihen themelet në dhé”, që domethënë se, pa kulturë e pa traditë, asnjë komb s’ mund të shkojë përpara dhe të hyjë në rrugën e qytetërimit.
Anton Harapi (Shkodër, 5 janar 1888 – Tiranë, 20 shkurt 1946) qe frat françeskan, mësues, mendimtar, shkrimtar dhe politikan shqiptar.
Leu në Shirokë, lokalitet afër liqenit, më 5 janar 1888 i biri i Loros dhe
i Çile Koliqit i pagëzuar me emrin Gaspër. Qysh në moshë të re bashkë me të
vëllanë, Markun, qenë të thirrur nga rruga e kishtarisë. Hyri në kolegjin e
jezuitëve ku kreu mësimet fillore dhe la vëllanë që ndjeu thirrjen nga petku
jezuit, Gaspri më tej nxuri klasët e gjimnazit të ulët në kolegjin e
françeskanëve.
Rezultatet e larta në shkollë i mundësuan të vijojë klasët e epërta në
Salzburg, e mandej Schwaz e Villach të Tirolit të Austrisë, dhe vijoi studimet
teologjike në Romë. Mbi mbrujtjen e tij Dom K. Prennushi na ofron këto radhë
vlerësimi:
“… mendje dialektike, qi shkruen kryeartikuj, nder cillt disa janë
kryvepra. Dija e thell, arsytimi i lidhun, analizimi i holl, stili i peshuem,
dallojn gjith shkrimet e tija. Mund të jetë i thatë, i ftoht, por ai asht i
drejt e i pafajshem”.
Më 1910 kthehet në atdhe dhe shugurohet meshtar duke përmbushur kushtet e
mbrame të Urdhrit Françeskan. Gjatë tetorit të vitit 1912 deri në prill 1913
kur Shkodra qe e rrethuar nga trupat malaziase e serbe, i përkushtohet
shërbesave fetare dhe njerëzore në kishën “Zoja Rruzare” në Arrën e Madhe në
Shkodër, ku ishte edhe Kuvendi Françeskan. Gjatë kohës së takimeve që i
paraprinë pavarësisë së Shqipërisë kërkohet nga nëpunësit e Ministrisë së
Jashtme të Perandorisë Austro-Hungareze si përkthyes gjatë bisedimeve që u
zhvilluan mes kontit L. von Berthold dhe Ismail Kemal bej Vlorës, në mungesë
morën sivëllaun e tij françeskan P. David Pepën.
Më 1916 në Dukagjin ra kolera, P. Antoni vajti si shërbetor pranë tyre, për
t’i ngushëlluar dhe ndihmuar drejtpërdrejt nga ana profilaksike kundër kolerës.
Dy vitet e fundme të Luftës së Parë Botërore e gjeti famullitar në Grudë të
Malcís së Madhe. Organizon menjëherë tre bajrakët Hot, Grudë e Triepsh dhe ua
uli parinë në Shkodër që t’i dorëzonin memorandumin e përgatitur nga ai vetë në
vitin 1918, komandantit francez në Shkodër. Në bashkëpunim me L. Gurakuqin dhe
P. Gjergj Fishtën, harton peticionin e nënshkruar nga paria e 200 përfaqësuesve
të tre bajrakëve të lartpërmendur, drejtuar përkatësisht Konferencës së Paqes
në Paris, ministrave të Jashtëm të ShBA-së, Anglisë, Francës dhe Italisë. Në
përkrahje të negociatave diplomatike, përfaqësuesit e Grudës, Hotit e Triepshit
në Shkodër, organizuan demostratën te Ura e Maxharrit, duke brohoritur:
“Hot e Grudë ishin betue
Pa gjak malet mos me i l’shue…”
Në mars-prill të 1923 merr pjesë si përfaqësues i françeskanëve me të
rinjtë E. Koliqi dhe Z. Harapi, të shoqërisë “Rozafa” dhe “Bogdani”
gjegjësisht, në takimin që formoi grupimin “Ora e Maleve”, qe bashkëpunëtor dhe
nismëtar i botimit të fletores me të njëjtin emër, që rregullisht filloi të
nxirrte grupi në fjalë.
“Kur kam nxjerrë “Orën e Maleve”, përveç kolegut tim Dom Lazër Shantojës,
nuk kam pas asnji njeri që të më përkrahë e të më japë ndihmë. Po, edhe miku im
Nush Topalli, më ka pague shpenzimet për botimin e tre numrave të parë”,
dëshmon nxënësi i tij P. Zef Pllumi.
Emërohet drejtor i kolegjit françeskan më 1923. Mbasi përkrahte Gurakuqin
në pjesëmarrjen e tij tek Lëvizja e qershorit, me fitoren e Legalitetit më dt.
24 dhjetor 1924 arrestohet dhe burgoset për do kohë. I tërhequr nga politika,
vazhdoi të japë mësim në liceun “Illyricum” (ku më vonë u emërua drejtor) dhe
mësimdhënës në Shkollën Normale Femrore të Motrave Stigmatine po në Shkodër. Në
harkun kohor të viteve 1930-1936 është drejtor i “Hyllit të Dritës”, siç kishte
shkruar gazetave “Posta e Shqypnisë” dhe më tej tek “Zani i Shna Ndout” ku për
shtatë vite mbuloi rubrikën me mendime filozofike popullore “Thana e thasha”.
Gjatë vitit 1936 do të dërgohej në Korçë i kërkuar nga intelektualët e atij
qyteti tek P. Fishta, si i njohur që ishte në shkallë kombëtare për shprehinë e
tij të zhdërvjellët për një kuvend mbi vlerat, parimet, kulturën e krishterë
dhe atdhetarisë. Më 1937 kreu shërbimin e fundit famullitar në Bajzë.
Pushtimi
italian
Me pushtimin e italianëve paria e Shkodrës ngarkon Gjon Marka Gjonin që të
shkonte të bisedonte me kontin Çiano më 12 prill 1939, ku si pjesëmarrës dhe
përkthyes qe Patër Antoni. Bisedime të cilat nuk kaluan pa tension mes parisë
së Shkodrës dhe pritësve italian. Si njëri nga krerët e dërgatës së
asambleistëve të Shkodrës i kërkon Asamblesë Kushtetuese të Tiranës “Pavarsín e
Shqipnís, flamurin, gjuhën, shkollat…”. Në prill të 1940 bëhet pjesë e
Institutit Mbretnuer të Shkencave dhe më 1941 u zgjodh Provinciali i Urdhrit
Françeskan në Shqipëri.
Kapitullimi
i Italisë dhe mbushja e boshllëkut
Me kapitullimin e Italisë Mehdi bej Frashëri i paraqet propozimin për t’u
bërë përfaqësues i katolikëve në Këshillin e Naltë të Regjencës që do mbushte
boshllëkun qeverisës të lënë. Fillimisht nuk pranon duke qenë e papërputhshme
me të qenët e tij klerik, ngase një zyrë e tillë mund ta çonte në firmosjen e
dënimeve me vdekje[12] dhe se nuk mund të pranonte pa lejen e eprorëve. Për
këtë arsye Asamblea i bëri një telegram Selisë së Shenjtë duke i kërkuar që t’i
jepte leje Át Harapit që të marrë pjesë në këtë Këshill të përkohshëm. Selia e
Shenjtë ia dha lejen Patër Antonit që të merrte pjesë dhe të ishte anëtar i
Këshillit të Regjencës, por me kushtin e paravendosur nga frati që mos të
nënshkruante asnjë vendim vdekjeje.
Me 13 shtator 1943 emërohet anëtar i Këshillit të Regjencës, ku ka qëndruar
deri në fund të vitit 1944. Patër Anton Harapi në fjalimin e tij me rastin e
betimit si anëtar i Këshillit të Naltë, do t’u shprehte kështu:
“Më rrenë mendja se nuk ka zog shqiptari, qi të mendojë se unë e mora ketë
barrë për kulltuk, për interesë a për ndonji intrigë. Mundet veç me drashtë
ndokush mos qe ndonji maní e emja qi më shtyni deri këtu. Edhe un po u a
vërtetoj fjalën dhe po u thom se po: manija e Shqipnís, po, qe ajo qi më vuni
dilemën: a me anarkista për të ba gjak, ase me hjekun dorë prej çashtjes kombtare.
Dhe mbassi shpirti nuk m’a tha të baj as njenën, as tjetrën, qeshë i shtërnguem
të zgjedhi njenën dysh: a të baj nji marrí tue e pranue ketë zyrë, ase të
tregoj nji dobsí tue u largue. Vendova ma mirë të baj nji marrí: ase sikurse
thonë ata shqiptarë qi duen të ruhen të pastër – desha të komprometohem”.
I plotfuqishmi i Rajhut në Evropën Juglindore, Herman Nojbaher shkruan te
Kujtimet e tij me vlerësim të madh për personin e P. Antonit. Ishte fundi i
qershorit të 1944 kur Nojbaher i hipi avionit për të fluturuar drejt Beogradit
dhe Át Antoni që i thotë se “nuk mund ta duronte më politikën” dhe vajti me të.
Pas disa javësh qëndrim në Vjenë e Tirol, kthehet në Shqipëri.
Nga gjyqi, në këmbë nga e majta: Lef Nosi, At Anton Harapi dhe Maliq bej
Bushati.
Dënimi
me vdekje
Me marrjen e kryeqytetit nga ana e komunistëve, frati bashkë me mikun dhe
kolegun e tij në Regjencë, L. Nosin shkojnë në Shkodër dhe bujnë për do ditë në
Kuvendin Françeskan të qytetit. Iu ngjitën Dukagjinit dhe mbas pak ditësh në
Kir, më 5 dhjetor të 1944 vendosen në Plan të Pultit. Prenkë Ndou, kryetari i
këshillit dhe bajraktari i fshatit e strehon tek një vejushë në Lumaj, një vend
ku ishin vetëm dy shtëpi.
Më 6 ose 8 qershor 1945 arrestohet kur ishte duke u lutur, ngase qe diktuar
prej objekteve që patën pa grupi i kontrollit.
Padër
Harapi në gjyq
Me vendim të datës 19 shkurt 1946 të Gjykatës speciale në Tiranë, P. Antoni
është shpallur si kriminel lufte dhe armik i popullit, sabotator i pushtetit. U
dënua me pushkatim dhe u ekzekutua të nesërmen. Nuk dihet vendi ku iu varros
trupi.
Át Anton Harapi në burgjet e diktaturës, nga Pjerin Sheldija
Vepra
I nxitur siç qe kleri për mbledhjen e folklorit dhe vendosjen në hulli të
trashëgimisë së urtisë zakonore në krejt gjerësinë e vet, edhe P. Antoni gjatë
kohës kur shërbeu si famullitar në Grudë mori shënime rreth ndodhive, të cilat
u botuan tek e përkohshmja françeskane “Hylli i Dritës” ndër vitet 1933-’35 me
titullin Urtí e burrní nder banorë të Cemit. Prej mbrujtjes me edukatë
austriake që përftoi, i jepte shumë rëndësi të posaçme pedagogjisë, dhe prejse
tekstet apostafat për këtë lëmë nuk qenë shqipëruar ende, atëherë më 1925 boton
përkthimin e “Edukata a se mirërritja e fëmivet” të Anton Herget. Ligjëratat e
mbajtura në gjashtë konferenca në Korçë botohen po ashtu si libërth më 1936 me
titullin “Vlerë shpirtërore” dhe u ribotua më 1942[1]. Rikthehet me prozën e
tij psikologjike më 1939 me “Valë mbi valë”, ku përshkruhet rrugëtimi i tij
drejt Grudës. Emri i tij përmendet në historinë e letërsisë shqipe tek vëllimi
“Shkrimtarë shqiptarë” të 1941 të përpiluar nga Resuli e Gurakuqi.
Me marrjen e pushtetit nga partizanët dhe pushkatimin e tij, vepra e një personi që mbante etiketën e kuislingut nuk pau dritën e botimit në Shqipëri gjatë kohëzgjatjes së atij regjimi. Komiteti “Shqipëria e Lirë” thërret si përgjegjës për kulturën P. Daniel Gjeçajn dhe i jep detyrë të botojë publicistikën e P. Antonit, gjë që arrihet më 1959 me vëllimin nën titullin “Andrra e Prêtashit” në Romë 1959, më tej u ribotua edhe publicistika që rrëfente e përshkruante udhëtimin për në Grudë me titullin “Valë mbi valë” më 1994. / KultPlus.com
Objekti i Fakultetit të Arteve shihet që po merr një pamje tjetër, dhe një ndërhyrje e tillë ka nxitë reagime te qytetarët e Kosovës, shkruan KultPlus.
Gurët e këtij
objekti, që kanë qenë edhe si pjesë identifikuese e këtij objekti janë duke u
mbuluar me stiropor, dhe ky investim shihet të jetë një humbje e
origjinalitetit të këtij objekti.
Agim Selimi,
drejtor i Fakultetit të Arteve ka shpjeguar për KultPlus në lidhje me këtë ndërhyrje,
dhe sipas tij, ky investim është duke u bërë prej Bankës Botërore.
“Është investim
i Bankës Botërore, njëjtë është investuar edhe në Shkollën e Muzikës dhe në disa
objekte të tjera të fakulteteve”, ka thënë Selimi.
Ai shpjegon
se kjo ndërhyrje është duke u bërë për ruajtjen e energjisë në objekt, ku janë
edhe duke u mbuluar gurët e këtij objekti.
“Por faza
tjetër është që do të jetë një lloj imitimi i këtyre gurëve”, ka thënë Agim
Selimi, i cili shpjegon se ai nuk është pyetur për këtë ndërhyrje, sepse një
vendim i tillë është marë më herët, jo në
kohën prej se e udhëheqë këtë fakultet.
Selimi ka shtuar se nuk e di kohën se kur do të përfundoj ky intervenim, dhe sipas tij, puna brenda këtij objekti është duke u zhvilluar normalisht, sepse punët janë duke u kryer vetëm në pjesën e jashtme./KultPlus.com
Pёr nder tё 12 vjetorit tё Pavarësisë sё Kosovёs, nё vend dhe jashtë tij u shënuan aktivitete tё shumta kulturore, përcjellë KultPlus.
Me kёtё rast Kёshilli i pakicёs
Kombёtare Shqiptare tё qytetit tё Zagrebit dhe Ambasada e Republikёs sё Kosovёs
nё Kroaci, organizuan koncert artistik me sopranon Elbenita Kajtazi, shoqëruar
në piano nga Alberta Troni.
Koncerti u mbajt nё Muzej Mimara në Zagreb. Ky koncert ju dedikua
pёrvjetorit tё shpalljes sё Pavarёsisё sё Kosovёs, ku sopranoja e njohur
Elbenita Kajtazi e cila pёr vite me radhë ka prekur dhe kënduar nё operat dhe skenat
e njohura europiane dhe botёrore, dhe aktualisht ёshtё pjesё rezidente e
ansamblit tё Operёs Shtetёrore tё Hamburgut nё bashkёpunim me pianistёn dhe profesoreshёn
e mirёnjohur Alberta Troni, sollën njё program tё bukur artistik, nё njё
koncert tё veçantë dhe mbresёlёnёs për publiku artdashës nё Zagreb.
Programi i koncertit ishte i larmishёm me vepra vokale dhe
instrumentale si arie te njohura nga W. A. Mozart, G. Puccini, R. Strauss, J.
Massenet, si dhe vepra solo pёr piano nga F. Chopin dhe F. Liszt.
Koncerti u përmbyll me Agimet Shqiptare nga Avni Mula. / KultPlus.com
Larry Tesler, një ikonë e hershme e kompjuterikes, ka vdekur në moshën 74-vjeçare.
Ai nisi të punonte në Silicon Valley në fillim të viteve të 60-a, në një kohë kur kompjuterët ishin të paqasshëm për shumicën e popullatës.
Falë inovacioneve të tij – që përfshinin komandat “cut” (shkëput), “copy” (kopjo) dhe “paste” (barte) – kompjuteri u bë më i thjeshtë për t’u mësuar e për t’u përdorur.
Komandat e tij u inkorporuan në softuerin e kompjuterit “Lisa” më 1983 dhe në Macintoshin që u lansua një vit më pas, shkruan BBC.
Tesler ishte lindur në Bronx të New Yorkut më 1945. Ai kishte studiuar në Stanford University në Kaliforni.
Pas diplomimit, ai specializoi në hartimin e ndërfaqes për përdorues – për të bërë më të përshtatshme për përdoruesit sistemet kompjuterike.
Ka punuar në shumë kompani të mëdha gjatë karrierës së tij, përfshirë Applen ku kaloi 17 vjet. Pas largimit nga Apple, Tesler hapi kompani të veten dhe punoi edhe për Amazonin e Yahoon.
Në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, kanë filluar disa punime në fasadën e tij.
Pjesa e poshtme e objektit e cila ka qenë me gurë , është duke u mbuluar me stiropor.
Ky veprim ka ngjallur reagim tek qytetarët të cilët e cilësojnë si veprim të shëmtuar, duke ia humbë origjinalitetin e objektit e me këtë edhe historinë e tij.
Ndryshe, veprim i ngjashëm është bërë edhe në Fakultetin Teknik, ku objekti është mbuluar nga materiali i njëjtë.
Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren në zbatim të mandatit ligjor, ka mbajtur takim koordinues me institucionet dhe akterët nga niveli lokal dhe ai qendror të cilët kanë përgjegjësi ligjore, për ruajtjen dhe mbrojtjen trashëgimisë kulturore në Komunën e Prizrenit.
Kjo ftesë vjen pas rastit të fundit të përfshirjes nga zjarri ditë më parë të njërit prej aseteve të trashëgimisë kulturore në Prizren.
Duke marrë parasysh situatën e krijuar, pas zjarrit të paraqitur më 08.02.2020, me ç’rast është djegur Ndërtesa Austriake, e cila gjendej në kuadër të ish-Fabrikës së Barnave “Farmakos”, njëkohësisht edhe në kuadër të Kompleksit të Nënkalasë, Pantelisë dhe Potokmahallës (Ansambël në Listën e Trashëgimisë Kulturore nën Mbrojtje të përkohshme), QRTK në Prizren ka dërguar ekipet profesionale në vend të ngjarjes, dhe ka hartuar një raport së bashku me rekomandimet për hapat e mëtutjeshëm. Si rrjedhojë e rekomandimeve, është mbajtur takimi koordinues.
Gjatë këtij takimi palët pjesëmarrëse konfirmuan gadishmërinë për bashkëpunim dhe u dakorduan me rekomandimet e Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren.
Palët u pajtuan për hapat e mëtutjeshme të bashkërenditura:
Institucionet kompetente të Komunës së Prizrenit do të ndërmarrin veprimet e duhura në ditët në vijim duke e bërë pastrimin e lokacionit, me qëllim të ofrimit të kushteve për të bërë incizimin e gjendjes aktuale si dhe do të merren masat për sigurimin e parcelës, me qëllim të mënjanimit të hyrjes së pakontrolluar në vend të ngjarjes.
Pas pastrimit të terrenit dhe krijimit të kushteve të përshtatshme për punë, bashkëpunëtorët profesional të QRTK-së në Prizren, do të angazhohen për hartimin planit të gjendjes ekzistuese, si dhe hartimit të projektit të rikonstruimit të ndërtesës, duke u bazuar në të dhënat arkivore.
Po ashtu si vazhdimësi e këtyre përpjekjeve, palët janë dakorduar që edhe në të ardhmen të vazhdojnë bashkëpunimin e tyre për realizimin e objektivave të përbashkëta për mbrojtjen e aseteve të trashëgimisë kulturore në Komunën e Prizrenit dhe më gjërë. / KultPlus.com
Këngëtarja 37-vjeçare ka treguar se mënyra e saj më e mirë për tu përballur me “negativitetin” e personave në mediat sociale, është t’iu kundërpërgjigjet me sjellje pozitive. Ajo, po ashtu tha se i vjen keq për njerëzit që flasin keq për të tjerët, derisa zakonisht vuajnë nga komplekset personale dhe të jenë vetvetja.
Ylli i hitit “Because of You” i bëri këto deklarata, teksa po e citonte një mesazh të personalitetit televiziv, Valerie Bertinelli, e cila ishte quajtur e “trashë” në sektorin e komenteve të një postimi të saj të fundit në Instagram, transmeton Koha.net.
Këtyre komenteve, Bertinelli iu kishte përgjigjur: “Wow. Dikush gjithmonë kujdeset që të ma kujtoj t’i sistemoj edhe më shumë mendimet e mia negative. Faleminderit që po ma kujtoni se jam shumë më shumë se trupi im. Ju uroj një ditë të bekuar”.
Clarkson e ka lavdëruar Bertinellin për mënyrën se si ka reaguar, duke thënë: “Fuqia e vërtetë është ta njohësh projeksionin e negativitetit të të tjerëve dhe t’i kundërpërgjigjesh me qasje pozitive, inteligjencë dhe energji të bukur e cila ju buron nga shpirti. Njerëzit e pamëshirë flasin keq për të tjerët sepse kanë frikë të jenë vetvetja.”
Kelly Clarkson shpesh e përdorë rrjetin social Twitter për t’i mbështetur mikeshat dhe koleget e saj të famshme, siç kishte bërë muajin e kaluar duke i qëndruar pranë këngëtares Pink, pasi ajo kishte deklaruar se po ndihet çuditshëm rreth plakjes dhe se planifikon ta pres këtë proces në mënyrë natyrale, dhe pa ndihmën e operacioneve kozmetike. / KultPlus.com
Nexhmije Pagarusha konsiderohet si legjenda e gjallë e muzikës shqiptare e cila ndër vite ka krijuar këngët më të njohura shqipe.
Ajo ishte pjesëmarrëse e koncerteve në Kosovë, Shqipëri, Bullgari, Gjermani, Izrael, Bosnje e plot shtete tjera. Karrierën muzikore e përfundoi në vitin 1984, pas një koncerti në Sarajevë.
Këtu po i sjellim disa nga këngët më të famshme të cilat ndër vite vazhdojnë të dëgjohen dhe të mbesin të pavdekshme për gjithë publikun. Sot Nexhmije Pagarusha mbetet ndër vokalet më të arritura shqipe, edhepse ka kohë që nuk është aktive në muzikë.
“Baresha” është kënga më e njohur që ka sjellur emocione të fuqishme dhe që vazhdon të dëgjohet me ndjenja krenarie. Zëri i jashtëzakonshëm i Bilbilit të Këngës Shqipe përcillet me pamjet me të bukura të natyrës së Kosovës.
Nexhmije Pagarusha është e njohur edhe për këngët e saj pa karakter patriotik. Njëra nga to është “E dehur jam”, një baladë dashurie e cila ka qenë dhe vazhdon të mbetet ndër më të preferuarat e publikut. E njëjta është ripërpunuar dhe kënduar nga shumë artistë.
Duhet përmendur se Nexhmija, kjo grua e rrallë dhe legjendë e artit e kulturës shqipe, pos si këngëtare është njohur edhe si aktore në disa filma dhe shfaqje teatrore. Megjithatë, ajo kulmoi në këngë dhe ishte e magjishme në notat e larta muzikore. /KultPlus.com
“Kronikë në gur”, “Breznia e Hankonatëve”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Çështjet e marrëzisë”, “Ditë kafenesh”, “Princesha Argjiro”, “Aeroporti” – janë vetëm disa nga veprat e Kadaresë në të cilat pasqyrohet në mënyrë mahnitëse Gjirokastra e Kadaresë, shkruan KultPlus.
Këto vepra e kanë bërë të njohur shkrimtarin, madje disa e njohin Gjirokastrën
si vendi antik i Kadaresë. Kadareja e mbart vendlindjen e tij kudo me vete.
Tek sa ecën në rrugicat intime me kalldrëm nuk mund të mos vësh re
Kalanë e Gjirokastrës, që imponuese vështron mbi qytetin e gurtë.
KultPlus ka shkëputur disa nga fragmentet nga disa prej veprave të
tij, se si ai e përshkruan në mënyrë mahnitëse qytetin ku ai kishte lindur:
“Ky ishte një qytet i pjerrët, ndoshta më i pjerrëti në botë, që i
kishte thyer të gjitha ligjet e arkitekturës dhe të urbanistikës. Nga shkaku i
pjerrësisë së madhe ndodhte që në nivelin e çatisë së njërës shtëpi gjendeshin
themelet e tjetrës, dhe me siguri ky ishte i vetmi vend në botë ku njeriu, po
të rrëzohej në anë të rrugës, në vend që të binte në hendek, mund të binte mbi
çatinë e ndonjë shtëpie të lartë. Shumë gjëra këtu ishin të pabesueshme dhe
shumëçka ishte si në ëndrra.” (Kronikë në gur)
Ndërsa, ngjarja e poemës së Ismail Kadaresë “Princesha
Argjiro”- zhvillohet në kështjellën e qytetit të Gjirokastrës.
Këtu janë disa vargje të poemës se si e ka përshkruar Kadareja,
qytetin e tij:
Sot bëhen 4 vite
prej vdekjes së filozofit të njohur italian si dhe shkrimtarit Umberto Eco.
Vepra e tij “Emri i Trëndafilit” e bëri të njohur në mbarë botën.
I lindur në 1932 në
Alessandri, Itali, Eco arriti një vlerësim në mbarë botën për punën e tij në
semiotikë – studimin e simboleve dhe mënyrën e përdorimit të tyre si dhe për
veprat e tij të gjera të shkruara. Si akademik, ai shkroi për semiotikën,
estetikën mesjetare, gjuhësinë dhe filozofinë.
“Unë gjithmonë
e kam menduar veten time si një studiues, i cili, në një moment të caktuar,
filloi të shkruaj romane në fundjavë … gjatë verës,” tha Umberto Eco.
Por ishte proza
letrare e tij që e bëri të njohur anë e mbanë botës.
Vepra “Emri i Trëndafilit”: , misteri i tij historik i vrasjes në 1980, ishte romani i tij më i popullarizuar, me të cilin bëri bujë duke shitur më shumë se 10 milion kopje. Kjo vepër u bë më vonë një film ku interpretonte Sean Connery. Ai shkroi edhe disa romane tjera. Puna e tij e fundit, Numri Zero, u botua në 2015. Eco gjithashtu ishte edhe autor i librave të disa fëmijëve.
Eco shërbeu si
profesor i Nortonit në Universitetin e Harvardit nga 1992 deri në 1993, dhe dha
mësim në semotikë në Universitetin e Bolonjës.
Ai vdiq në moshën 84 vjet në shtëpinë e tij. /KultPlus.com
“Ju jeni ata
çfarë mbani”, tha artisti dikur. Ai ishte i rrethuar gjithmonë nga një rrëmujë
e madhe, duke e ditur që edhe sendet e lodhshme dhe të perëndishme të njerëzve
të tjerë mund të kishin një interes artistik.
Ai grumbulloi
gjithçka, që nga gazetat e vjetra, copëza letre mbështjellëse, zarfe të
përdorura, deri tek paketat e duhanit, biletat e autobusëve dhe peceta letre.
Kur grumbujt e letrave të tij mbushnin tavolinën, ai do t’i kapte ato të gjitha
dhe do t’i largonte përkohësisht nga vendi.
Në kohën kur vdiq
në 1973, në moshën 91-vjeçare, ai kishte grumbulluar mijëra copa të ndryshme
letre, të cilat dolën edhe në ekran në Royal Academy në Londër si pjesë e një
ekspozite kushtuar pasionit të tij për letrën. Treqind vepra arti dhe gjëra nga
koleksioni i tij, tregonin për vizionit e tij si artist.
Studiot e
artistëve të tjerë ishin rrallë aq kaotike sa ato të Picassos. Villa e tij në
Kanë, ishte e mbushur me sende – letra, kuti dhe kavanoza me bojë që ishin në
çdo hapësirë të dhomës madje edhe në karrige.
“Ai ishte shumë i vetëdijshëm për mbajtjen dhe
regjistrimin e gjërave, kështu që unë mendoj se kjo ishte pjesë e përcaktimit
të vetes së tij”, tha bashkëkuratorja e ekspozitës Picasso dhe Paper.
Në vitin 1914,
paketimet e duhanit dhe gazeta ishin ndër materialet që ai përdori për të
krijuar kolazhet e tij. Ai kishte një marrëdhënie midis materialit dhe objektit
që përfaqësonte në pikturën e tij.
Femmes
à leur Picasso (1937-38) ishte një kolazh i krijuar me letër muri të prera.
Për shumë artistë,
letra ishte thjesht një bazë mbi të cilën hartoheshin idetë përpara se t’i
paraqesësh ato përfundimisht. Për Picasson, letra nuk ishte vetëm për hartim,
as thjesht një mjet për t’i dhënë fund. Me Femme à leur (1937-8) ai demonstroi
sesa efektiv mund të ishte kolazhi në një shkallë të madhe.
Gjërat që Picasso la pas dokumentojnë ekzistencën e tij si artist i rrallë. Ato janë mendimet, gjysmë mendimet dhe shpërqendrimet nga të cilat bënë që të të rriten idetë e tij dhe kështu këto ide të shndërrohen në vepra të mëdha. /KultPlus.com
Në një kafiteri hynë dy persona dhe iu afruan banakut. “Pesë kafe ju lutem. Dy për ne dhe tre kafe të varura”. Pasi paguan, morën dy kafet e tyre dhe u larguan. Pyeta kamerierin. “Si është puna me këto kafet e varura?” “Prisni dhe do të shihni”, mora përgjigjen. Pak më vonë hynë dy vajza, të cilat kërkuan secila nga një kafe, paguan dhe ikën. Porosia e radhës ishte nga tri gra për shtatë kafe – tri për to dhe katër kafe të varura.’ Mbeta kurreshtar… cili është kuptimi i kafeve të varura. Papritur, një burrë i veshur me rroba të arnuara, i cili dukej si i pastrehë, iu afrua banakut dhe pyeti: “A keni një kafe të varur?” “Po, kemi zotëri”. Pasi i shërbyen atij kafenë … mora përgjigjen time për këto “kafetë e varura” të famshme. Njerëzit paguajnë paraprakisht për një kafe, që do të shërbehet për këdo që nuk mund të paguajë një pije të ngrohtë. Është gjithashtu e mundur të porosisni jo vetëm “kafe të varura”, por edhe ndonjë sanduiç ose vakt të plotë me kosto të ulët.
Kjo traditë filloi në Napoli. Çuditërisht kjo ide u përhap në të gjithë qytetet e vogla dhe të mëdha të botës. A nuk do të ishte ide e mirë sikur të gjithë të fillonim ta praktikonim këtë traditë nëpër fshatra, qytete të vogla dhe të mëdha ku jetojmë.
Baba, ne ikëm,… Shtëpinë e braktisëm… Një kohë arixhinjsh jeton gjithë bota, Dhe foton tënde nga muret e zbritëm, Si dryn një palë lot vendosëm tek porta…
Ikëm, or ikëm, vendlindjen e vramë, Në metropole që mblidhen si punë e iriqve, (E ke parasysh kur e vjelin një pemë Dhe mblidhet e ngjishet si në vargjet e fiqve?!)
U ngjeshëm këtej nëpër halle të reja, E humbëm dhe barin, dhe gjumin, dhe këngën, Gjithçka e gatshme në dyqane luksoze,.. Dyqan psikologu, që të kallais dhe zemrën…
Ne ikëm dhe varrin ta kyçëm në një video, Të dielën të takojmë në xhamin vizual, Me mend i vemë lulet, dy lotë, një cigare, Jetojmë me simbole,…në një botë me manual.
Në fshat nuk shkojmë, e kemi me vete, Tani ne gjithçka e mbajmë në një kuti, Kjo kutia baba e ka emrin kompjuter, Në xhamin e tij takon çdo njeri..
Në xhamin e tij gjen nuse, bën dasëm, Puth djemtë e vëllait në tjetër kontinent, Dhe nënën e qan nga mijra kilometra Kur e fusin në varr, me video koferencë.
Ne bashkë do bëhemi kur të vijmë aty poshtë, Këtu lart u ndamë për jetë e për mot, S’të shkruaj më shumë, se ti e di mirë, Qëllova i dobët dhe mbytem në lot.
Nuk dimë ku shkojmë, s’ka kohë të mendohesh, Nxitojmë nga që thjesht është në modë nxitimi, Një kohë arixhinjsh jeton sot gjithë bota, Ik edhe thur kanistra pikëllimi…
Më 24 shkurt, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, prej orës 12:00 do të bëhet hapja e ekspozitës “Ballafaqimi me të harruarën”.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 29 shkurt, 2019.
Me qëllim dokumentimin e shkeljeve të të drejtave të njeriut dhe inkurajimin e shprehjes së duhur të përkujtimit dhe respektit për të pagjeturit në Kosovë, Dardan Hoti, Rozafa Kelmendi dhe Fitim Selimi hapin ekspozitën “Ballafaqimi me të harruarën”.
Fotografitë dhe rrëfimet që do shfaqen përmes kësaj ekspozite janë një triptik që kanë në fokus një të mbijetuar, nëpërmjet rrëfimit, kujtimeve dhe lidhjeve emocionale të së cilit/cilës, portretizohet edhe personi i pagjetur.
Secila nga fotografitë, e ndarë në tri pjesë, përcjell tri narrativa të personit të fotografuar që lidhen me kujtimet, mungesën dhe jetën e tyre pas humbjes së personit të tyre të dashur.
Ekipi i ekspozitës:
Dardan Hoti Rozafa Kelmendi Fitim Selimi Aurela Kadriu Argjira Kukaj Shtypi: Night Design Studio
Kjo ekspozitë mbështetet nga forumZFD-Programi në Kosovë përmes fondeve të Ministrisë Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ).
Ekspozita mund të vizitohet: Ditëve të punës nga ora 07:00 – 20:00 ndërsa të shtunën nga ora 07:00 – 14:00. / KultPlus.com
Ekspozita me bazë në hulumtim ‘Fushata e Pajtimit të Gjaqeve 1990-1991’ do të jetë pjesë e programit të Bienalit Ndërkombëtar të 39, në Limerick të Irlandës, e kuruar nga Merve Elveren.
Bienali do të mbahet nga 4 shtator deri me 15 nëntor të këtij
viti.
Ekspozita ‘Fushata e Pajtimit të Gjaqeve 1990-1991’ u hap vitin e kaluar në Pejë ndërsa fokusohet në dokumentimin e periudhës së pajtimit të gjaqeve, ndër periudhat më të ndritura të historisë shqiptare.
Koncepti kuratorial i ekspozitës Fushata e Pajtimit të Gjaqeve 1990-1991 vë në qendër praktikat imateriale, dijen e cila është intimisht e lidhur me kujtesën, dhe si e tillë trajton një histori e cila ka lënë fare pak ose aspak objekte materiale, shkruan KultPlus.
Në ballë të ekspozitës janë kujtimet e njerëzve që kanë falur gjakun. Për ata falja ka pasur kuptim të rëndësishëm kulturor. Ata rikthyen nderin duke e rikuptimësuar atë, u ripozicionuan si të barabartë përbrenda bashkësive të tyre, dhe përfundimisht i shkarkuan familjet e tyre nga institucioni i gjakmarrjes, u ndien të lirë.
Kuratore e ekspozitës është Erëmirë Krasniqi.
Pajtimi i Gjaqeve nisi me iniciativën e Anton Çettës, por shpejt u bashkuan studentë e intelektualë të shumtë në Kosovë.
Lëvizja për pajtimin e gjaqeve mori përmasat e një lëvizjeje kombëtare, pasi asnjëherë në historinë e shqiptarëve nuk kishte ndodhur që faljet e gjaqeve të bëheshin në mënyrë aq masive në vende publike.
Bienali në Limerick ka nisur të mbahet në vitin 1977 dhe mbetet si një prej organizimeve artistike më të vjetra në Irlandë, me pjesëmarrjen e artistëve të njohur si Elizabeth Hatz, Inti Guerrero, Koyo Kouoh, Bassam El Baroni e artistë tjerë. / KultPlus.com
Unë e humbas kontrollin sepse je ti vogëlushe, po, e humbas tërësisht kontrollin kur ti më sodit ashtu. Seç ka diçka në sytë e tu që më flet sonte, nuk jam më fëmijë, jeta i hapi dyert për mua, një jetë krejt e re mbushur me emocione…
Kontrollin e humbas kur afër teje jam vogëlushe,
oh, mos më shih ashtu në atë mënyrë
sepse e kam vështirë të rezistoj,
kjo që reflekton në sytë e tu
a është vallë dashuri në shikim të parë?
Thjesht jeta dëshiron që ti ta dish,
krejt sekretet e saj t’i kuptosh
porsi një lule teksa e sheh që rritet…
Gjithçka është shkruar brenda zemrës tënde…
Ti dhe unë e kemi një ëndërr,
ta gjejmë një vend ku mund të fshihemi
dhe dashurinë njëri-tjetrit t’ia shfaqim.
Ti dhe unë jemi krijuar
njëri-tjetrin ta duam sot e përgjithmonë…
Koha qëndron dhe kalon edhe kur ditët e pafajshme shkrihen në net, unë të dua vogëlushe, do të të dua gjithmonë, betohem se do të jem këtu për ty deri në ditën kur do të ikë në amshim…
Unë e ti kemi një ëndërr, dashurinë tonë për ta gjetur në një vend ku jemi vetëm unë e ti ku nuk na sheh askush, jemi krijuar që ta duam njëri-tjetrin sot e përgjithmonë… /KultPlus.com
Muharrem Qena, një shpirt i veçantë që krijoi art në fusha të ndryshme, me zërin e tij na la disa këngë të cilat dëgjohen edhe sot.
Përtej këngëve, tekstet e tyre të cilat shpesh i shkroi ai vet kanë vlerën e tyre dhe tej emocionit janë edhe të thella dhe poetike.
A thu asht ma lehtë pa dhimbje A thu ma bukur pa lot A thu ti ke me u kthye Dhe prapë me qenë na të dy A thu me është fati i tillë A thu gjithmonë me vuajtje A thue ti dot më kthehesh Dhe prapë me qen na të dy
Çdo gjë kalon në jetë Atëherë dhe dielli kur të lind Mbas diellit prapë shi do t’ ketë Kështu asht me të vërtetë
Ndoshta të tillë e kam fatin Ndoshta gjithmonë me vuajtje Ndoshta ti kurrë s’do t’më kthehesh Edhe kjo ngjan në këtë jetë. /KultPlus.com
Libri me studime me titullin “Sali Bashota-Poet i Shpirtit”, me gjithsej 378 faqe, i cili u botua këto ditë nga Shtëpia Botuese “Artini”, i ka dy shenja të veçanta: botohet me rastin e 60-vjetorit të lindjes së poetit, studiuesit, profesorit Sali Bashota, nga autori Xhemail Ali Peci, me redaktor Qerim Kryeziun dhe recensentë: Fadil Grajçevci dhe Jahir Ahmeti, shkruan KultPlus.
Janë këta të katër
studentët të gjeneratës së studimeve të vitit 1984, kur Sali Bashota kishte filluar punën e
asistentit në Degën e Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe, në Fakultetin Filozofik (
tani Fakulteti i Filologjisë).
Autori i librit,
Xhemail Ali Peci, në fillim, në formë prologu, e paraqet parathënien, pastaj
bio-bibliografinë e autorit, si dhe esenë me titullin “Prishtina në poezinë e
Sali Bashotës”. Më tutje, libri sistemohet
në pesë kaptina kryesore dhe në disa nënkapituj të veçantë: poezia,
proza poetike, studime e kritikë letrare dhe publicistika, ndërsa në fund
trajtohet në formë epilogu parathënia
programatike në një studim të Bashotës që ka të bëjë me Shqipërinë Etnike, si
dhe jepet biografia e autorit të librit.
Vepra studimore e Xhemail Ali Pecit, është libri i katërt, i botuar deri më tani për krijimtarinë poetike e studimore të Bashotës.Më parë janë botuar librat: Grup autorësh, Sali Bashota preţuit de scriitorii români/Sali Bashota i vlerësuar nga shkrimtarët rumunë, Editura Limes, Bukuresht, (2012) , pastaj libri i Flamur Malokut, Polisemia e veprës (lexime empirike mbi poezinë e Sali Bashotës), Olymp, Prishtinë (2013) dhe nga Gëzim Arifi, Palimpsesti i ideve, Parnas, Prishtinë, (2013). /KultPlus.com
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, ka mbështetur nga viti 2015 deri më vitin 2018 nxitjen e dialogut në Shqipëri për të kaluarën e saj komuniste.
Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, ambasadori Bernd Borchardt u shpreh në konferencën “Emigracioni politik shqiptar 1944-1990” se, “Prezenca e OSBE-së e ka mbështetur dialogun për shkeljet e të drejtave të njeriut në të kaluarën prej shumë vitesh”.
“Pranimi dhe dënimi i krimeve të së shkuarës, mbart në vetvete një dimensionin transformues konsolidimi publik i të cilit sjell çlirimin e shoqërisë. Ekspozimi i gabimeve stigmatizon autorët e tyre, i nxjerr jashtë loje dhe i lë ata pas te një e kaluar e keqe. Një gjë e tillë përshpejton lëvizjen normative që është shumë e rëndësishme për këtë tranzicion çlirues”, tha Borchardt.1 nga 11
Sipas tij, “janë zhvilluar shumë studime rreth mënyrës se si armiqtë e luftës apo armiqtë politikë të së shkuarës mund të pajtohen pas luftës apo pas një shtypjeje të madhe, veçanërisht sa i përket Luftës së Dytë Botërore dhe shpërbërjes së diktaturave, qofshin ato komuniste apo të djathta dhe se si shoqëritë mund të pajtohen”.
“Përfundimet ende nuk kanë arritur të kenë karakterin e një paradigme mbizotëruese, por vërej një opinion të gjerë akademik, sipas të cilit, pa u marrë me të kaluarën, ndasitë në shoqëri do të qëndrojnë të thelluara dhe kthehen në hendeqe edhe më të vështira për t’u kaluar”, u shpreh Borchardt.
“Duke parë Shqipërinë e sotme unë vërej argumente të forta që e mbështesin këtë pikëpamje akademike: Shpesh dëgjojmë – dhe sa më i ndezur debati, aq më shpesh ndodh – fajësim pa kursim për ata që mendojnë ndryshe. Nuk dëgjojmë vetëm argumente kundër këndvështrimeve të tyre, gjë që do të ishte normale, por dëgjojmë përpjekje për t’u zhbërë figurën. Dëgjojmë refuzimin e dialogut me kundërshtarin politik. Dëgjojmë sulme ndaj atyre që përpiqen të vendosin faktet përballë miteve”, tha ai.
“E gjitha kjo më duket si mbetje nga modeli i sjelljes komuniste. Sikurse e përshkruajnë shkencëtarët, në pak vende polarizimi politik është kaq i thellë sa në Shqipëri dhe “përballja me të kaluarën”, me krimet e neveritshme të diktaturës komuniste, vetëm sa ka filluar” theksoi Borchardt.
“Dialogu rreth së kaluarës, për mua, është një akt i rëndësishëm për përparimin e lëvizjes normative të transformimit politik që përmenda më herët. Konferenca e sotme përbën një tjetër hap të rëndësishëm e të nevojshëm drejt të kësaj të vërtete. Vrasjet e njerëzve që përpiqeshin të largoheshin nga Shqipëria, ekzekutimi i atyre që kapeshin ndërsa përpiqeshin të largoheshin, eksodi i një pjese të mirë të elitës së para luftës në vitin 1944, largimi i detyruar i bashkëshortëve të huaj të shqiptarëve pas shkëputjes me Bashkimin Sovjetik – së bashku sollën kaq shumë dhimbje te njerëzit. Kjo vuajtje e meriton të theksohet këtu – dhe të jetë pjesë e përballjes me të kaluarën e keqe”, tha ai.
Ne, vijoi Borchardt, “Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, kemi mbështetur nga viti 2015 deri më vitin 2018 nxitjen e dialogut në Shqipëri për të kaluarën e saj komuniste. Po ashtu, kemi ndihmuar në zhvillimin e Autoritetit të Dosjeve të Ish-Sigurimit. Sot po punojmë me Fakultetin e Shkencave Sociale, Fakultetin e Drejtësisë dhe Fakultetin e Histori-Filologjisë të Universitetit të Tiranës për krijimin e një programi studimi të nivelit Master për Drejtësinë Tranzitore, në mënyrë që të krijojmë mbështetjen e duhur akademike në Shqipëri për këtë detyrë të vështirë. Jemi të lumtur që kontribuojmë në këtë dialog”. / atsh/ KultPlus.com