Ozzy Osbourne, në një periudhë të rëndë shëndetësore

Njëri ndër figurat më ikonike të hard rock, Ozzy Osbourne është duke e kaluar një periudhë të rëndë shëndetësore.

Këngëtari anuloi turneun e tij në Amerikën e Veriut për t’iu nënshtruar trajtimit të sëmundjes së tij.  Këngëtari planifikon të udhëtojë për në Zvicër për të adresuar problemet shëndetësore, përfshirë këtu edhe diagnozën e fundit të Parkinsonit.

Në një deklaratë në faqen e tij të internetit ai thotë se ky vendim do ta ndihmojë atë “të vazhdojë të shërohet nga probleme të ndryshme shëndetësore me të cilat është përballur gjatë vitit të kaluar”.

“Unë jam aq mirënjohës që të gjithë kanë qenë të durueshëm sepse kam pasur një vit mjaft të tmerrshëm. Fatkeqësisht, nuk do të arrij të shkoj në Zvicër për trajtim deri në prill dhe trajtimi zgjat gjashtë deri në tetë javë. Nuk dua të filloj një turne dhe më pas të anuloj shfaqjet në minutën e fundit, pasi kjo nuk është e drejtë për fansat” ka shkruar Osbourne.

Ai është shtruar në spital shpesh në muajt e fundit. Në tetor 2018 u trajtua për një infeksion staph, dhe më pas pësoi grip dhe bronkit në fillim të vitit 2019.

Ai gjithashtu u diagnostikua me “formën e butë” të sëmundjes së Parkinsonit, të cilën e zbuloi në janar. “Kam marrë një mpirje poshtë këtij krahu për operacionin, këmbët vazhdojnë të më ftohen,” tha ai.

Gruaja e Osbourne, Sharon, më parë kishte dhënë detaje për trajtimin e burrit të  saj:

“Ne kemi arritur në një pikë në këtë vend ku nuk mund të shkojmë më tej sepse kemi marrë të gjitha përgjigjet që mund të marrim këtu. Kështu që në prill, ne do të shkojmë te një profesionist në Zvicër. Ai do merret me marrjen e sistemit imunitar”

Albumi i ri i Osbourne, Ordinary Man, u publikua këtë javë, në bashkëpunim me Elton John, Post Malone, Travis Scott dhe Slash. / KultPlus.com

Rrëfimi rrëqethës i Edita Tahirit: Nënën e kisha nga Shqipëria, u mbyll kufiri një vit pasi u martua dhe kurrë më se pa familjen e saj

E njohur si një grua shumë e fortë, e cila ka pas mbi supe edhe pozita shtetërore, si asnjëherë më parë ndanë dhimbjen e familjes së saj me lexuesit e KultPlus.  Edita Tahiri, duke qenë vajzë e një gruaje nga Shqipëria, përgjatë jetës së saj ka bartur shumë mall e dhimbje. Ajo ka kujtuar të gjitha momentet e asaj kohe, prej periudhës kur është martuar nëna e saj nga Kukësi në Prizren, e deri te vdekja e saj. Ajo mbylli sytë përgjithmonë pa parë asnjë familjar të saj, në një periudhë 50 vjeçare. Edita Tahiri tregon edhe për përpjekjen e familjes së saj që të shihnin dajallarët në kufirin mes ish Jugosllavisë dhe Shqipërisë, dhe për pasojat e atij takimi. Kjo intervistë përpos që ngërthen emocionin e një familje, ngërthen edhe rrethanat e asaj kohe, që për e ditët sotme duken të paimagjinueshme.  

Ardianë Pajaziti

Gjatë luftës së Dytë Botërore, dy burra, njëri nga Prizreni dhe tjetri nga Kukësi linin kokën për njëri tjetrin. Miqësia e tyre ishte shumë e sinqertë, dhe që të dy, për të mos shkëputur miqësinë me njëri tjetrin propozuan që të iniciojnë një martesë me të rinjtë e të dy familjeve.

Fadilja nga familja Elezi, u propozua që të jetë nuse e ardhshme e familjes Tahiri në Prizren, e cila në vitin 1943 la familjen e saj në Kukës për të vazhduar jetën e saj në Prizren.

Dhe në shikim të parë u duk se ishte bërë një vendim i duhur, por vetëm një vit pas martesës së Fadiles, pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, kufiri mes Kosovës dhe Shqipërisë u mbyll, por përderisa kufiri mbyllej, plagët në zemrën e Fadiles hapeshin, mundësia për të parë familjen e saj kishte mbetur vetëm në ëndrra, mall dhe lutje.

Dhe pikërisht kjo grua me emrin Fadile që vuajti për familjen e saj matanë kufirit, ishte nëna e Edita Tahirit, e cila kujton me detaje jetën e nënës së saj, larg familjes.  

Nëna ime vdiq pa e parë asnjë nga familja e saj

“Pas martesës së nënës sime, vetëm një vit ishte kufiri i hapur, kurse në vitin 1944 u mbyll, nëna ime vdiq pa e parë asnjë nga familja e saj”, kujton Tahiri jetën e nënës së saj, por jo vetëm të nënës, pasi që malli i saj dalëngadalë po shtresohej edhe në pesë fëmijët e saj, të cilëve, dita ditës, Shqipëria po u idealizohej në shpirtrat e tyre.

“Nëna ime ka ëndërruar për Shqipërinë, ka vajtuar dhe ka pas mall. As ne, por as dajallarët nuk patën mundësi të vinin. Jetonim me mall e me ëndrra”, tregon Tahiri për KultPlus, e cila, përderisa kthen kohën prapa, shpalosë jetën e nënës së saj.  

Por Fadilja kishte krijuar një rreth të saj në qytetin e Prizrenit, nuk ishte e vetmja grua nga Shqipëria që ishte martuar në Kosovë, dhe të njëjtat, për të hequr mallin e familjeve të tyre, ato kishin krijuar një lidhje të ngushtë me njëra tjetrën, sikur të ishin të një familje. “Mbaj mend që të gjitha këto gra i kemi thirr teze, i dinim për teze, sepse e shihnim afërsinë e nënës me këto zonja”, tregon Edita.

Dhe vitet shkonin një nga një, dhe malli i nënës së Edita Tahirit nuk shuhej, ajo përgjatë viteve, kontaktin e vetëm me familjen e mbante me letra të rralla, me ndonjë telefonatë poashtu të rrallë, por telefonata e rregullt ishte ajo e datëlindjes së saj.

Nëna ime e kishte datëlindjen më 14 mars, për çdo datëlindje merrnim telefonatë nga dajallarët

 “Nëna ime kishte lindur më 14 mars, datë që shënohet në Shqipëri si dita e verës, dhe gjithmonë për datëlindjen e saj, fillimisht merrnim një telegram që na njoftonte për kohën e saktë se kur do ta prisnim telefonatën, dhe në atë mënyrë nëna ime merrte urimet e datëlindjes prej matanë kufirit, që shkonte e bëhej gjithnjë më i rëndë”, tregon Tahiri për emocionet e asaj kohe.

“Nëna ime shkruante vet, shpesh herë kemi gjetë letrat e saj mbi tavolinë, që i niste ti shkruante, por si duket prej mërzisë, i ngelnin mbi tavolinë për disa ditë, ka ndodhë shpesh që ato letra i kam vazhduar dhe përfunduar unë”, thotë Edita Tahiri e cila shpjegon se ato letra që shkëmbeheshin kanë pas kode, ku të rriturit i deshifronin, kurse ne fëmijët i lexonim si letra të zakonshme.  “Vetëm mbaj mend që ato letra ishin të jashtëzakonshme, kishin një stil të shkrimit, kishin ngrohtësi, nuk di se si u kanë tingëlluar letrat tona dajallarëve të mi, por letrat e tyre na kanë lënë shumë mbresa”, shpjegon detajet e komunikimit Edita Tahiri.

Babain ma burgosën për patriotizëm, nëna ime për pesë vite humbi koloritin

Edita tregonte për familjen e saj që kishte një mall të madh brenda kulmit, por sikur nuk u mjaftonte vetëm kjo ndarje, familja Tahiri kishte edhe një problem tjetër për kohën në të cilën jetonin. Babai i saj, i shquar për patriotizëm dhe kundërshtar i pushtetit të atëhershëm kishte bërë që familja e saj më shumë të identifikohej si familje patriotike, se sa për faktin që kishin nënën nga Shqipëria.

 “Babai u arrestua dhe mbajti një dënim të gjatë në burg, për pesë vite nuk e kemi parë. Mbaj në mend se kur nëna na përcillte për në shkollë, na porosite gjithmonë të jemi krenarë për babanë, nuk arrinim të kuptonim shumë nga fjalët e saj, vetëm e dinim se shumë insistonte që mos ta ulnim kokën, se babai jonë po vuante dënim për punë të mira dhe jo për punë të liga”, tregon Edita.

Dhe përderisa kishin mbet pa kryefamiljarin e shtëpisë, Fadilja me pesë fëmijë po përballej vet me situatën. Si një grua elegante, mban mend Edita që në trupin e saj ishte ndërruar ngjyra e veshjes, dhe për ato pesë vjet, ajo ishte veshur vetëm me rrobe me ngjyrë të mbylltë.

Po koloriti ishte zhdukur edhe në raport me familjarët, gjyshi i Editës, për të mbrojtur fëmijët e tjerë nga sistemi i atëhershëm, ishte distancuar nga familja e Editës, si familje e shënjuar për patriotizëm, në mënyrë që ti shpëtonte djemtë e tjerë.

“Kjo krijoi një pakënaqësi te ne fëmijët, edhe pse nëna jonë nuk na ushqente me atë frymë, po ne e ndjemë atë largësi, dhe jo vetëm gjyshi, po shumica e familjeve nuk na e hapën derën, ishin katër ose pesë familje që nuk hoqën dorë prej neve në atë kohë”, rrëfen Edita, e cila më pas kujton lirimin e babait të saj nga burgu, dhe me ardhjen e tij u kthye edhe koloriti në zemrat dhe në veshjen e nënës, ku sipas Edita Tahirit, jo më kot nëna e saj kishte lindur më 14 mars, sepse ajo dinte të sillte pranverë në zemrat e tyre.

Nëna ime shoqërohej me gratë e pakta nga Shqipëria, të cilat kishin fatin e njëjtë me nënën time

Dhe kjo ishte Fadilja, gruaja që nuk shihte familjen e saj, rriste fëmijët e saj me një përkujdesje shumë të madhe, punonte në Prizren dhe shoqërohej me gratë e pakta të Shqipërisë, që kishin fatin e njëjtë me Fadilen.

Edhe pse kishin kaluar afro 40 vjet prej kohës kur ishte martuar Fadilja në Prizren, dhe që nuk kishte parë njeri të gjallë nga familja e saj, lëvizjet mes Kosovës dhe Shqipërisë kishin nisë të merrnin frymë, por familjes nga Prizreni dhe asaj nga Kukësi nuk i jepej një leje e tillë, familja e Prizrenit ishte e papërshtatshme për shkak se kryefamiljarin kishin atdhetarë, kurse ajo nga Kukësi njësoj vepronte kundër regjimit të Enver Hoxhës.

Dhe përderisa merrnin vesh se ky bëri një vizitë andej e këtej kufirit, këto familje vazhdonin të qëndronin të ndara.

Në vitin 1980 mora ftesë të vizitoja Shqipërinë si studente, ishte një lajm i madh për familjen tonë

Por dielli shkëlqeu një mëngjes edhe në familjen Tahiri, njërit prej fëmijëve të familjes Tahiri dukej se po i binte një përgjegjësi e madhe. Edita Tahiri ishte vajza që do të lidhte këto ura këndej e andej kufirit, pasi që në vitin 1980, asaj i ishte dhënë mundësia të shkonte bashkë me studentët  e Fakultetit Teknik në Shqipëri, që kishin për qëllim një vizitë në Shqipëri.

Ato ditë, në familjen Tahiri ishte një mpirje e vërtetë. Gëzimi, shqetësimi, emocioni i madh kishte mbërthyer këtë familje, që për herë të parë po dërgonte një anëtar në familjen e dajallarëve.

Edita Tahiri kujton nënën e saj përgjatë atyre ditëve, dhe e përshkruan si një grua shumë të gëzuar, e cila vazhdimisht përgatiste shumë dhurata që nëpërmjet Editës ti dërgonte te familja e saj. Po, përpos dhuratave, Fadilja asnjë fjalë nuk ia tha Editës që të ishte në një formë edhe porosia e saj për familjen në Kukës. “Ndoshta dëshironte të më kursente edhe nga kjo përgjegjësi”, kujton Edita Tahiri atë periudhë, që tregon se ishte një ndjesi e përzier, edhe e gëzuar edhe e shqetësuar, sepse po takonte për herë të parë familjen e nënës së saj, por në të njëjtën kohë po përfaqësonte edhe familjen Tahiri.

“Në vitin 1980 kam shkuar në Shqipëri me studentë të Fakultetit Teknik, isha e para që do të takoja familjen e nënës, një përgjegjësi e madhe për mua, shqetësim e gëzim në të njëjtën kohë”, kujton Tahiri, e cila shpjegon se para se të nisej për Shqipëri, nëna e saj e kishte shndërruar shtëpinë e saj në Prizren në një hapësirë të dhuratave, pasi që mundohej secilit ti dërgonte diçka nëpërmjet vajzës së saj.

Një familje e huaj në shikim të parë, por familje gjaku në anën tjetër. Emocionet e atij viti, Tahiri thotë se e kanë përcjellë për tërë jetën dhe se nuk do ti harrojë asnjëherë.

Mbaj mend se në Shqipëri, kishin një nivel të lartë të kulturës

“Mikpritja ishte e jashtëzakonshme, edhe pse me kushte të vështira, mbaj mend se ata kishin një nivel të lartë të kulturës, më la shumë përshtypje ajo mënyra se ngrinin dollitë, ato ritualet e mëngjesit, të tavolinës…, pastaj, diskutimet, diskutimet më lanë shumë përshtypje”, tregon Edita për takimin e saj të parë me dajallarët, por e njëjta shpjegon edhe faktin se bisedat edhe pse ishin të ngrohta, ishin biseda të përgjithshme dhe jo me një temë të rëndësishme.

“Ata nuk guxonin të shpreheshin lirshëm, bisedonin tema të parëndësishme. Mbaj në mend se vetëm rrugës për në hotel , dajtë më tregonin si fshehtas për jetën e vështirë që e bënin”, kujton Edita, duke plotësuar se dajtë e saj kishin hequr shumë edhe për faktin se ishin kundërshtues të sistemit të Enver Hoxhës, dhe të njëjtit edhe ishin internuar.

Po kthimi i Edita Tahirit në Prizren, pas asaj vizite në Shqipëri nuk ishte interesant vetëm për familjen Tahiri, mysafirë të shumtë ia kishin mësyrë shtëpisë së kësaj familje, që vinin të dëgjonin ndonjë rrëfim për atë shtet, që pothuajse të gjithë e shihnin si një vend të ëndrrave.

Kur u ktheva në Kosovë, u tregova Shqipërinë që e ëndërroja, jo atë Shqipëri që pashë më sytë e mi

“Unë u tregova Shqipërinë që e ëndërroja e jo atë Shqipëri që pashë me sytë e mi. Nuk dëshiroja të ju prishja ëndrrat, sepse të gjithë e idealizonin atë vend. Edhe nënës njësoj i thashë, se Shqipëria ishte e bukur, se jetën e kishin në rregull, se ishin të sistemuar dhe shumë gjëra të bukura. Por nëna ime shpesh më bënte pyetje, dhe insistonte të dinte më shumë për familjen e saj. Ajo interesohej se çfarë bënte ajo familje prej mëngjesit deri në orët e vona të mbrëmjes. Atëherë, më kujtohet se e pata pyet nëse ishte e sigurt të dëgjonte krejt ato që i kisha parë. Dhe, pas miratimit të saj, u ulëm një ditë, kur ishim vetëm ne dyja, dhe e luta që fillimisht të më premtonte se askujt nuk do ti tregonte, sepse pata vendosë që Shqipëria e syve të mi, të mbetej vetëm në mendjen time.  Pas premtimit të saj,  u rrëfeva, për varfërinë e madhe, për mungesën e shprehjes së lirë, për kushtet e rënda dhe për të gjitha gjërat që kisha parë. Mbaj mend, edhe përkundër faktit se nëna ime njihej për një grua të fortë, pat shpërthyer në lot, dhe u dërmua e tëra. Pas asaj bisede,  e di që nëna u pat lënduar shumë dhe iu desh kohë që të rimëkëmbej. Por di edhe faktin tjetër, se unë u pata shndërruar në personin më të afërt me të, në sytë dhe dashurinë e saj, unë u shndërrova në vajzën e familjes që kisha sjellë lajme për familjen e saj, dhe e ndjeja se më trajtonte në mënyrë më të veçantë”, tregon Tahiri.

Jeta vazhdonte me ritmin e njëjtë, ndarja për këto dy familje vetëm sa bëhej më e rëndë, përderisa familje të tjera bënin vizita të rralla. Dhe pikërisht nga disa që kishin shkuar e kthyer nga Shqipëria, erdhën në familjen Tahiri për t’iu treguar një mundësi takimi.

Në vitin 1984 dolëm te kufiri mes ish Jugosllavisë dhe Shqipërisë, këndej kufirit ishim rreshtuar ne pesë fëmijët dhe të dy prindërit, kurse andej ishte gjyshja me gjashtë dajallarët

“’Po ka raste që familjet po dalin te kufiri dhe po takohen me njëri tjetrin’, kjo ishte informata që na e dhanë. Ishte viti 1984. Mbaj mend se menjëherë u organizuam dhe njoftuam familjen e dajve për këtë takim, caktuam ditën dhe orën dhe pritnim, deri në ditën e takimit ishte një distancë sa një shekull, nëna ime më në fund do të shihte familjen e saj”, tregon Edita, por përderisa kujton këtë moment, asaj i rrjedhin lotët, duke e kujtuar si një ndër momentet më të vështira të jetës së saj. 

 “Ai moment na ka copëtuar shpirtin, krejt familja ia mësymë kufirit mes Kosovës dhe Shqipërisë, këndej kufirit ishim rreshtuar ne pesë fëmijët dhe të dy prindërit, kurse andej ishte gjyshja me gjashtë dajtë. Distanca ishte e madhe, mund të shihnim njëri tjetrin vetëm figurë, dhe për t’ia dëgjuar zërin njëri tjetrit, mbaj mend se gjyshja e pyeti kufitarin e Shqipërisë se si ishte, dhe ne e kuptuam se atë bisedë na adresonte neve, dhe ne më pas vepruam njësoj dhe pyetëm kufitarët e ish Jugosllavisë, ky ishte komunikimi, ishte e vetmja mundësi të dëgjonim zërat këndej e andej kufirit. Bënim kinse po bisedonim me kufitarët, e në fakt qëllimi ishte që të dëgjonim zërin e njëri tjetrit. Ishte një moment shumë i shkurtë. Ishte  një bisedë më shumë lot se sa bisedë, ky ishte i vetmi rast që nëna ime pa nënën dhe vëllezërit  e saj, ishte shumë tragjike, unë kisha parë nëpër filma, por se kisha menduar se do ta përjetoja edhe vetë një skenë të tillë”, thotë Tahiri, e cila shton se në atë takim distance nuk ishte i pranishëm edhe gjyshi. “Më vonë e kuptuam se ai nuk kishte pas zemër të vinte te kufiri e ta shihte vajzën e tij vetëm prej asaj distance. Ai e kishte dashur shumë nënën time, por e di që edhe nëna ime e ka adhuruar babain e saj”, shpjegon Edita.

Vajza e brishtë e asaj kohe, tashti një grua e rryer edhe në politikë e udhëheqje, kujton se pas atij takimi te kufiri, nëna e saj nuk u përmbajt. Edita Tahiri mendon se ajo periudhë ishte ndoshta periudha më e mërzitur e jetës së saj.

Edita Tahiri kujton detajin më të trishtë të historisë së nënës së saj, se si me martesën e saj u mbyll kufiri, dhe me vdekjen e saj u hap

“Çdo mëngjes zgjohej me ëndrra, e pash atë, e pash këtë në ëndërr. Ëndërronte sikur nisej për Shqipëri, por që kurrë nuk arrinte, por njëjtë shihte në ëndërr që edhe dajallarët tentonin të vinin këndej, por që asnjëherë as në ëndërr nuk arrinte ti takonte. Ëndrrat e saj ishin vetëm nisje, asnjëherë arritje në destinacion”, tregon Edita Tahiri, dhe kujton detajin më të trishtë të historisë së nënës së saj, se si me martesën e saj u mbyll kufiri, dhe me vdekjen e saj u hap. Fadilja mbylli sytë përgjithmonë në vitin 1989, përderisa babai i Editës kishte vdekur dy vite më herët. Dhe pikërisht në vitin 1990 u hap kufiri mes Kosovës dhe Shqipërisë, por Fadilja nuk ishte më ta përjetonte këtë hapje të portave.

Dhe nisë një epokë e re për Editën, si një grua ambicioze, ajo zgjidhet anëtare e kryesisë së LDK-së, por para se të merrte pozitën, duke e pas parasysh se rrugëtimi i saj do të kërkonte shumë angazhim, ajo bëri një kërkesë. “Nuk e nisi punën pa shkuar njëherë në Shqipëri, dua të takoj familjen e nënës sime”, ishte kushti i Edita Tahirit, e cila shkoi dhe qëndroi atje për tre javë. Gjyshen e kishte ende gjallë, përderisa nëna e saj kishte shkuar me mallin e saj.

Në vitin 1990 shkova përsëri në Shqipëri, takova gjyshen, takimi te kufiri e kishte lënë me pasoja

“Qëndrova për tre javë atje, takova gjyshen, dajallarët dhe tezet e mia. Por mbaj në mend që për aq kohë sa qëndrova, gjyshja ime vazhdimisht e mbante dorën në fytyrë. Fillimisht mendova se është punë shprehie, por më pas mu zgjua kureshtja. Pyeta njërin nga dajallarët e mi, se pse gjyshja mban dorën e saj vazhdimisht në fytyrë. ‘Nuk dëshiron të ja shohësh fytyrën, gjysmën e fytyrës e ka të paralizuar. Atë vit që kemi dalë te kufiri, prej dhimbjes së madhe që pa Fadilen, ajo pësoi paralizë në tërë trupin, me kohë, trupi ju lëshua, por gjysma e fytyrës jo’ më tregoi daja, për atë takim kufiri që nënën time kishte rrënuar emocionalisht, kurse gjyshen e kishte gjymtuar edhe në trup”, tregon Edita Tahiri, e cila kujton se gjyshja jetoi edhe tetë vite pas hapjes së kufirit me Kosovës dhe Shqipërisë.

Krejt këtë mall pesëdhjetëvjeçar, dy familjet e shuan me vajtje ardhjet, deri në normalizim të raporteve, ku Edita Tahiri tregon se tashmë shkojnë e vijnë, sa herë që u jepet mundësia këtyre dy familjeve.

Tashti, kur Edita Tahiri ka punuar shumë në politikë e udhëheqje, si një mbesë Shqipërie, në intervistën e dhënë për KultPlus thotë se ajo ndihet e të dy anëve. Por ajoi tregon se festat i feston me flamur të Shqipërisë, dhe në të njëjtën kohë, ka pak zili për ata që jetojnë në Shqipëri, sepse ai vend sikur e ngroh pak më shumë, dhe një ditë, kur të vjen koha e memoareve, Edita Tahiri mendon të zhvendoset jo andej kufirit, por në vendin ku e ndjen si vendin e saj./KultPlus.com

‘Additions’, me 25 shkurt hapet në Prishtinë

Me 25 shkurt, në Prishtinë do të hapet ekspozita dhe intervenimi artistik ‘Additions’

Duke vështruar për një moment nga natyra dhe mënyra se si ajo vepron, vërejmë se ekzistojnë disa vendbanime të padukshme dhe po ashtu të përkohshme e të përhershme. Ato i shtohen një objekti kryesor, dhe ndoshta kjo është arsyeja pse nuk vihen re menjëherë. Në rastin e foleve – këto vendbanime të zogjve- intervenimi është i një delikatese të tepruar.
Sipas filozofit francez Gaston Bachelard “një folé – dhe këtë e kuptojmë menjëherë – është diçka e përkohshme, dhe megjithatë na bën të ëndërrojmë për sigurinë. Pse kjo pasiguri qartësisht e dukshme nuk e ndërpret këtë lloj ëndërrimi?“ Vetë fjala folé sugjeron diçka të ngrohtë, të mbrojtur e të sigurt, diçka e mbrojtur dhe e sigurt mendohet se duhet të jetë edhe e fshehur mirë. Të gjitha karakteristika këto që përmbushen në konceptin e folesë. Ajo është aty, e arritshme lehtë por në të njëjtën kohë edhe e padukshme për syrin e pavëmendshëm. Pra foletë mbeten diçka që i shtohen një hapësire tjetër pa u vënë re, nën të njëjtën frymë të padukshmërisë me të cilën janë shndërruar edhe hapësirat e qyteteve.

Kjo ekspozitë shfaqet në formën e intervenimit në hapësirë, përkatësisht në hapësira të cilat janë vend banime ose vende biznesi. Hapësira këto, që si ndodh shpesh në qytetet tona, janë shtesa të vogla apo të mëdha që iu bashkëngjiten atyre ekzistuese, në një makth vendbanimesh të mbijetesës reale apo të pangopësisë ndërtuese. Me kalimin e kohës këto hapësira, me fizionominë e të përkohshmes janë asimiluar aq mirë nga qyteti sa janë bërë të padukshme dhe pakthyeshmërisht të përhershme.
Intervenimi ynë konsiston në identifikimin e atyre hapësirave që janë dukshëm të tepërta. Këto vende do të shndërrohen, në kohëzgjatjen e ndërhyrjes, në hapësira ekspozuese duke u dhënë mundësi artistëve të rezidencës si në këtë por edhe në edicionet e ardhshme të hulumtojnë ato pjesë të qytetit të shtuar. A nuk perceptohet vetë jetesa ne të si e tepërt, e ngarkuar dhe pa frymëmarrje?
Punët e artistëve të rinj/reja që vendosen në foletë – shtesa, trajtojnë pikërisht këto tema dhe mbi të gjitha ato mund të shihen si një manifest i të drejtës për të ekzistuar, ku e përkohshmja dhe e përhershmja flenë në prehër të luftës për mbijetesë. Ato bashkëveprojnë brenda një vendbanimi të sajuar për pak kohë i cili shpërthen prej tensionit të kundërshtimit dhe rezultat këtij shpërthimi është një big bang ndërtesash, shtesash pa leje dhe hapësirash publike të përvetësuara.

Ekspozita/Intervenimi artistik

|25 shkurt – 01 mars |Prishtinë
Artistët/et

– Renea Begolli
– Endrit Jashanica
– Arrita Katona
– Blertë Hashani

|27 shkurt | Fushë Kosovë
Artistët/et

– Zana Begolli
– Blend Bytyqi

PËR INFRARED

Rezidenca e Artit INFRARED është zhvilluar duke u bazuar në natyrën e rrezes Infrared e cila në përgjithësi është e padukshme për syrin e njeriut, por që mund të ndjehet si nxehtësi dhe mund të shihet vetëm nën rrethana të caktuara me pajisje të veçanta. Në të njëjtën vijë të mendimit, metodologjia e Rezidencës së Artit INFRARED ka për qëllim që të identifikoj çështje të ndryshme që lidhen me komunitetin dhe të drejtat e njeriut duke përdorur pajisje “të veçanta” siç është arti për të prekur dhe trajtuar çështje të tilla. INFRARED përmes rezidencave artistike ka për qëllim që të krijoj një dialog publik mbi çështje të caktuara duke kontribuar në ngritjen e nivelit të mendimit kritik të artistëve të rinj se si të shfrytëzojnë artin si mjet për vepruar.

Llesi, qenushja plot aventura që mahniti fëmijët e botës

Shumë gjenerata në Kosovë e kujtojnë Llesin (Lassie) – qenushin e famshëm me të cilin jemi rritur plot prej nesh me anë të ekranit televiziv.

Në fakt, Llesi ishte një qenushe – karakter fiktiv, krijuar nga Eric Knight në vitin 1940, ndërsa seriali i njohur televiziv që e pamë të gjithë u dha prej vitit 1954 deri në vitin 1973, në versionin origjinal.

Sezonat e serialit e përcjellin Llesin dhe aventurat e tij, bashkë me pjesën tjetër të familjes.

Llesi është xhiruar në 591 episoda, në 19 sezona, ndërsa secili episod ka zgjatur 26 minuta.

Llesi është luajtur nga qenusha të ndryshëm të racës Rough Collie – qenushe që vijnë nga Skocia dhe nga Uellsi.

Zakonisht Llesi do të dilte në ndihmë të njerëzve në secilin episod, për ta shpëtuar sidomos jetën e pronarit të tij. Për më tepër, Llesi konsiderohet si një prej qenusheve më të bukura ndonjëherë. Llesi në kulturën popullore ka ndihmuar shumë edhe në kuptimin e marrëdhënieve mes qenusheve dhe pronarëve të tyre, sidomos në Amerikën e viteve 50-të kur kafshët nuk çmoheshin aq shumë.

Më vonë Llesi është kthyer edhe në film të animuar, shkruan KultPlus.

Llesi përkujdesej për familjen, dhe sado që qenushi në jetën e përditshme ishte mashkull në film zakonisht Llesi paraqitej si femër – grua. Të gjitha qenushet Llesi janë pasardhës të Llesit origjinal që vdiq në vitin 1958.

Në Amerikë, në kohën kur Llesi shfaqej, konsideroj si ‘nëna perfekte’ në ideologjinë e asaj kohe.

Emri i Llesit të parë ishte Pal. / KultPlus.com

Musine Kokalari, shkrimtarja e parë në historinë e letrave shqipe

“Unë nuk kam nevojë të jem komuniste të dua vendin tim. E dua vendin tim edhe pse nuk jam komuniste. Unë e dua përparimin e tij. Ju mburreni se keni fituar luftën, dhe tani ju jeni fituesi që doni të shuani ata që ju i quani kundërshtarë politikë. Unë mendoj ndryshe nga ju, por unë e dua vendin tim. Ju jeni duke më ndëshkuar për idealet e mia”!

1. Jetëshkrimi
Musine Kokalari lindi më 10 shkurt të vitit 1917, në Adana, të Turqisë. Në vitin 1921, familja e saj kthehet në Shqipëri, në Gjirokastër, ku Musineja kreu shkollën fillore. Nëntë vjet më pas, Kokalarët vendosen në Tiranë.

Në vitin 1937, Musineja mbaroi shkollën e mesme “Nëna Mbretëreshë”. “Muza” është pseudonimi letrar i përdorur nga Musine Kokalari në shtypin e këtyre viteve. Studimet në Universitetin e Romës, në Itali, i kreu shkëlqyeshëm në vitin 1941. Teza e disternacionit të saj ishte “Naim Frashëri”, një studim pak i njohur, ndonse i çmuar në literaturën naimjane.
Në vitin 1939, botoi librin e parë “Siç më thotë nëna plakë”, një rrëfim mbi jetën, doket e zakonet e qytetit të Gjirokastrës. Më 1942 punoi te shkolla “Nëna Mbretëreshë’.
Edhe pse e diplomuar në Itali, ajo nuk u pajtua me pushtimin italian të Shqipërisë. Në vitin 1943, themeloi Partinë Socialdemokrate. Aktiviteti i saj politik dëshmon se në krahun e rezistencës kundër pushtimit të vendit dhe të regjimit fashist, nuk e ishin vetëm komunistët por dhe forca të tjera të majta brenda vendit.

Një vit më vonë, nën drejtimin e saj, doli numri i parë i gazetës “Zëri i Lirisë”. Në vitin 1944, botoi librin e dytë “Rreth vatrës”. Më 12 nëntor 1944 vëllezërit e saj, Muntaz e Vesim Kokalari, u pushkatuan pa gjyq bashkë me 60 intelektualë e njerëz të shquar. Gogo Nushi në Pleniumin e Beratit do ta pranonte se ishin pushkatuar pa pasur asnjë faj. Më 16 nëntor 1944 Musinenë e arrestuan, e mbajtën 17 ditë në burg. Në janar të vitit 1945, u botua libri i tretë “Sa u tund jeta”. Më 23 janar të vitit 1946, Musine Kokalari u arrestua për së dyti nga forcat e Mbrojtjes së Popullit, gjyqi e dënoi me 20 vjet heqje lirie. Në vitin 1961, e internuan në Rrëshen, punoi në ndërtim, doli në pension me gjysmë page.
Në vitin 1981, sëmuret nga kanceri. Dy vjet më pas, më 13 gusht 1983, ndahet përgjithmonë nga jeta.

2. Kredo intelektuale

Si intelektuale antikomuniste e paepur mbetet ikona e opozitës shqiptare në kohën e diktaturës. Në gjyq me guxim qytetar e njerëzor të pazakontë ajo e ka formuluar kështu kredon e saj:
“Unë nuk kam nevojë të jem komuniste të dua vendin tim. E dua vendin tim edhe pse nuk jam komuniste. Unë e dua përparimin e tij. Ju mburreni se keni fituar luftën, dhe tani ju jeni fituesi që doni të shuani ata që ju i quani kundërshtarë politikë. Unë mendoj ndryshe nga ju, por unë e dua vendin tim. Ju jeni duke më ndëshkuar për idealet e mia!” /KultPlus.com

“Ne nuk jemi ata çfarë na ka ndodhur, ne jemi ata që zgjedhim të bëhemi”

Carl Jung ka lindur më 26 korrik. U bë i njohur si psikiatër, dhe arriti të ketë ndikim të madh gjatë shekullit 20, shkruan KultPlus.

Preokopimet e Jungut lidhen me psikiatrinë dhe psikanalizën, madje ai njihet dendur si themeltar i psikologjisë analitike.

Ndikim i tij qe i madh në fushën e psikiatrisë, antropologjisë, arkeologjisë, letërsisë e filozofisë.

Ndër konceptet kryesore të psikologjisë analitike është individualizmi – që ai e konsideroi si shumë të rëndësishëm.

Më poshtë janë disa nga thëniet e tij më të njohura që lidhen me kolektivitetin e kompleksin psikologjik.

1. “Nuk ka recetë për të jetuar, e cila mund t’i përshtatet të gjitha rasteve.”

2. “Besimi, shpresa, dashuria dhe mendjehollësia janë arritjet më të larta të përpjekjes njerëzore.

3. “Edhe një jetë e lumtur nuk mund të jetë pa pasur brenda edhe një pjesë të errësirës.”

4. “Privilegji i një jete të gjatë është të bëheni ata që jeni me të vërtetë. “

5. “Gjithçka varet nga mënyra sesi i shikoni gjërat dhe jo se si janë ato në vetvete. “

6. “Vetmia nuk vjen nga ajo nëse nuk ke njerëz përreth.”

7. “Zemra jote e di përgjigjjen.”

8. “Ju nuk mund të ndryshoni asgjë nëse nuk e pranoni atë gjë ”

9. “Ne nuk jemi ata çfarë na ka ndodhur, ne jemi ata që zgjedhim të bëhemi”.

10 . “Ai i cili shikon jashtë, ëndërron; ai që shikon brenda, zgjohet”. /KultPlus.com

Miratohet projekti për restaurimin e Kalasë së Prezës që u dëmtua nga tërmeti

Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale ka miratuar projektin e restaurimit të Kalasë së Prezës në kushte të emergjencës, pas tërmetit të 26 nëntorit.

Projekti i hartuar nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore parashikon ndërhyrje konservuese dhe restauruese në elementët konstruktivë të kullës së sahatit në kala.

Kalaja e Prezës është ndërtuar mbi një shkëmb i cili zgjatet duke u ulur në drejtim të veri-jugut. Ana lindore e kalasë është e mbrojtur nga vetë terreni, kurse ana perëndimore përbën një territor të sheshtë, prandaj dhe fortifikimi është përqendruar pikërisht në këtë pjesë e cila përforcohet nëpër qoshe me katër kulla që kanë planimetri rrethore.

Kalaja e Prezës është një kala tipike mesjetare. Lulëzimin më të madh e ka pasur në shekullin XV, por të dhëna të ndryshme i kanë shtyrë të mendojnë specialistët, se duhet të jetë ndërtuar që andej nga shekulli XIII – XIV. Kalaja ka planimetri katërkëndore me brinjë 80 x 50 m.

Kalaja e Prezës u dëmtua nga tërmeti i 26 nëntori 2019 e cila do t’i nënshtrohet rikonstruksionit pas miratimit të projektit për Rindërtim në fazë emergjente.

Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore mirëpret çdo bashkëpunim dhe mbështetje që kontribuon në ruajtjen e trashëgimisë sonë kulturore. /KultPlus.com

Më jepni një moment në jetë

Nga: Whitney Houston

Çdo ditë që jetoj,
Dua të bëhem dikush
Të jap më të mirën time,
Unë jam e vetmja,
Por jo vetëm
Dita ime më e mirë
është ende e panjohur.

Unë e kam thyer zemrën time
Për çdo arritje

Për të shijuar të ëmblën
Por jam përballur me dhembjen
Jam ngritur dhe kam rënë
Përmes të gjitha këtyre
Kjo mbetet shumë

Unë e dua vetëm një moment në jetë,
Kur jam më shumë, se çfarë mendoj që jam
Kur të gjitha ëndrrat e mia, janë një hap larg zemrës sime
Dhe të gjitha përgjigjet varen nga unë

Më jep një moment në jetë
Kur përballem me fatin tim

Dhe në atë moment
Do të ndihem
Do të ndihem e përjetshme
Unë kam jetuar të bëhem
Më e mira
Unë i dua të gjitha
Nuk ka kohë për pak

Unë i kam hedhur planet
Tani t’ia lë mundësisë
Këtu në duart e mia
Unë e dua vetëm një moment në jetë,
Kur jam më shumë, se çfarë mendoj që jam
Kur të gjitha ëndrrat e mia, janë një hap larg zemrës sime
Dhe të gjitha përgjigjet janë tek unë
Më jep vetëm një moment
Kur përballem me fatin tim

Dhe në atë moment
Unë do të ndihem
Do të ndihem

Ti je fituese për tërë jetën
Nëse e shfrytëzoni atë moment në jetë
Bërë të ndriçojë
Më jepni vetëm një moment
Kur jam më shumë se çfarë mendoj që jam
Kur të gjitha ëndrrat e mia janë një hap larg zemrës sime
Dhe të gjitha përgjigjet varen nga unë
Më jepni vetëm një moment në jetë
Kur përballem me fatin tim
Dhe në atë moment të jetës sime
Do të jem
Do të jem
Do të jem e lirë
Do të jem, do të jem e lirë

Përktheu: Agrina Sadiku /KultPlus.com

Jeta e trazuar e ikonës së Hollivudit, Judy Garland

Judy Garland ishte ikona e shkëlqyer e vjetër e Hollivudit. Pasi luajti në filmin “The Wizard of Oz” në 1939, aktorja adoleshente u fundos në famën e keqe. Ndërsa Dorothy preku zemrat amerikane në kërkimin e saj për lumturinë “Mbi Ylberin”, aktorja më pas nuk arriti të  gjejë më veten kurrë.

Pas skenave të filmave të saj hit, jeta e Garland u dëmtua nga një varësi e përjetshme ndaj drogës. Garland u torturua nga drejtuesit e studios duke manipuluar çdo lëvizje – nga uria e saj në një dietë kafeje dhe cigaresh deri në shtyrjen e saj për të abortuar fëmijën e saj të parë.

Sidoqoftë, Garland u mësua në një moshë shumë të re se shfaqja duhet të vazhdojë – dhe kështu ndodhi, edhe nëse kjo shpesh nënkuptonte dozimin e vetes me amfetamina për të qëndruar zgjuar dhe për të mbuluar plagët e vetëshkaktuara në kyçet e saj.

Edhe pse seria e saj televizive mbaroi, Garland ishte ende në kërkesë si një argëtuese, duke luajtur koncerte nëpër botë. Por jeta e saj personale ishte shumë e trazuar. Pas shumë ndarjeve, në vitin 1965,  Garland u dorëzua edhe mbi kujdestarinë e fëmijëve.

Ajo u rimartua shpejt – këtë herë me aktorin Mark Herron. Por ai bashkim zgjati vetëm disa muaj, ku më  pas edhe u ndanë . Çifti u divorcua zyrtarisht në vitin 1967, në të njëjtin vit Garland bëri një rikthim të vlerësuar në mënyrë kritike në Broadway për At Home në Pallat.

Vitin tjetër, Garland shkoi në Londër. Ajo ishte në telashe personale dhe financiare. Gjatë shfaqjeve, në klubin e natës në Talk of the Town, Garland nuk ishte në gjendje të mirë në skenë.

Garland u martua me ish-menaxherin e klubit Mickey Deans në mars 1969. Megjithatë, vetëm disa muaj më vonë, më 22 qershor të vitit 1969, ajo vdiq në Londër nga ajo që u raportua të ishte një mbidozë aksidentale.

Garland kaloi jetën e saj duke kërkuar Oz dhe duke ëndërruar për një vend diku mbi-ylberin, ku bota ishte me shkëlqim dhe teknik. Për fat të keq, rruga e verdhë me tulla përmes Hollivudit nuk e çoi më kurrë atje./KultPlus.com

Arilena zbulon detaje nga “Eurovizioni”

 

Pas fitores së Festivalit të Këngës në RTSH, Arilena Ara do të përfaqësojë Shqipërinë në “Eurovizion”.

Në një intervistë ajo ka zbuluar disa detaje nga performanca që do të ketë në skenën e madhe.

Arilena tha se menjëherë pas fitores është nisur për në Los Angelos për të përpunuar versionin Anglisht të këngës “Shaj”, e cila tashmë është gati.

“Në Los Angelos udhëtuam për të punuar për albumin tim të parë në anglisht, por pas fitores surprizë realisht për mua më duhet të punoja me ripërpunimin e këngës.

Kënga do dalë shumë shpejt, por dua të them që meqenëse kënga u ndërtua në fillim në variantin anglisht, me një demo dhe me një tekst minimalist anglisht, ka një frymë shumë të ndryshme, shumë më e bukur nga Shaj. Është në të njëjtin karakter dhe mezi po pres ta ndaj me ju sepse është një ndjesi tjetër, një fuqi tjetër, emocion tjetër”,  ka thënë këngtarja.

E pyetur për performancën, veshjen dhe detaje të tjera, Arilena tha se gjithçka është menduar dhe mezi po pret të ngjitet në skenë.

“Nuk mund të mos themi që kemi një ide për performancën, megjithatë nuk dua të flas shumë por do them vetëm një gjë, do jem edhe në ajër edhe në tokë, kaq!”, ka përfunduar Arilena. / KultPlus.com

Vasfije Krasniqi, e zhgënjyer se shtëpia ku u përdhunua s’u kthye në muze

Shtëpia në të cilën Vasfije Krasniqi – Goodman ishte përdhunuar nga serbët gjatë kohës së luftës, ka filluar të rrënohet. Pronari i parcelës, përveç që nuk e ka lejuar ekipin ta xhironte vendin, ai madje ka thënë se në atë shtëpi nuk ka ndodhur asgjë. Derisa për KTV-në, Vasfije Krasniqi ka thënë që së bashku me familjarët kanë dashur që ajo shtëpi të kthehej në muze.

Në përvjetorin e 12-të të Pavarësisë së Kosovës, monumenti New Born ka marrë pamje të re, duke i përkujtuar të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës.

Por, pak më larg nga kryeqyteti, në Babimoc të Obiliqit shtëpia në të cilën u përdhunua Vasfije Krasniqi ka filluar të rrënohet nga pronari i ri.

Një person i cili është paraqitur si pronar i asaj parcele, përveçqë nuk e ka lejuar ekipin e televizionit të xhironte aty, ai e ka mohuar se shtëpia të cilën edhe ka filluar ta rrënonte është vendi që është keqtrajtuar Vasfija. Ai megjithatë ka pranuar se shtëpinë e ka blerë nga një serb. / KultPlus.com

Albumi i ri nga Adele po vjen në shtator

Adele po sjell më në fund një album me këngë të reja.

Këngëtarja e mirënjohur, Adele po planifikon ta lansojë albumin e ri në shtator.

Lajmin e konfirmoi ajo gjatë vikendit ku po performonte në dasmën e mikes së saj.

Derisa po fliste në skenë, artistja e mirënjohur u shpreh “prisni albumin tim në shtator”

Muajin e kaluar, menaxheri i Adele konfirmoi se ajo do ta publikojë këngën e radhës këtë vit.

Albumi i fundit i artistes britanike është ai me titullin “25”, album ky shumë i suksesshëm që u shpall edhe ‘albumi i vitit’ në Grammy 2017. / KultPlus.com

https://twitter.com/PopCrave/status/1229104775888867329?ref_src=twsrc%5Etfw%7Ctwcamp%5Etweetembed%7Ctwterm%5E1229104775888867329&ref_url=https%3A%2F%2Fpublish.twitter.com%2F%3Fquery%3Dhttps%253A%252F%252Ftwitter.com%252FPopCrave%252Fstatus%252F1229104775888867329%26widget%3DTweet

Libër me ilustrime për Sabiha Kasimatin, pasardhësja: Duhet të njihet në nivel europian, si shkencëtare

“Kundër rrymës”, një histori për Sabiha Kasimatin, miken e peshqve është libri i ri me ilustrime që u promovua në Tiranë. Historia e jetës së biologes dhe iktiologes tregohet përmes ilustrimeve nga perspektiva e peshqve, të cilët Sabiha Kasimati i studioi, duke synuar që fëmijët edhe të rinjtë e sotëm të ndërgjegjësohen për regjimin socialist edhe terrorin e ushtruar mbi intelektualët e kohës. Bashkautorët Vytene Muschik dhe Lina Itagaki rrëfejnë punën për realizimin e këtij botimi.

“Çdo gjë filloi rreth një vit më parë. Në një projekt që po punonin në Autoritetin e Dosjeve të Sigurimit bashkë me kolegen, gazetaren Fatmira Nikolli, mësova për herë të parë emrin e saj. U befasova me punën e saj. Ishin dhjetë shkencëtarë edhe një grua. Kur shkuam në Korçë, pamë liceun francez të asaj kohe, ku ka qenë vetëm një grua Sabiha Kasimati. Më pas folëm për ekzekutimin në vitin 1951, ku u ekzekutuan 22 intelektualë edhe ishte vetëm një grua, Sabiha Kasimati. Më pas kur studiova fatin e saj, faktet, arrita të kujtoj se është shumë e rëndësishme që të flasim për të kur diskutojmë për diktaturën në Shqipëri. Për të krijuar këtë histori, dialogët, punuam një grup me lituanin dhe Shqipërinë. Në fund autori në Lituani, Marius Marcinkevicius, na ndihmoi me tekstin edhe i erdhi një ide shumë e mirë, që dialogët të shihen nga pikëpamja e peshqve. Kishte shumë rëndësi që ky libër të bazohej në fakte të vërteta, por edhe të përdornim fantazinë tonë, për të krijuar dialogët, që mund të ndodhnin në atë atmosferë”, shprehet autorja Vytene Muschik.

 “Në fillim nuk kishim asgjë veç fjalëve… Kur krijon një libër me ilustrime duhet që të krijosh edhe strukturën bazë. Ishin thjeshtë skica, e më pas nisa që të rivizatoj me laps edhe letër, edhe duke mbushur me ngjyra përmes kompjuterit. Është libri im i pestë që mbështetet mbi ngjarje historike, edhe kur punojë për këtë e zhvendos veten në kohë, duke pas parasysh edhe veshjen, mjetet që ka përdor edhe vet Sabihaja në atë kohë…”,  thotë autorja Lina Itagaki.

Ndërsa, historiani Uran Butka pasi sjell edhe një herë në vëmendje, vlerat intelektuale  të shkencëtares Sabiha Kasimati, ndalet tek libri me kujtime i Nexhmie Hoxhës, në të cilin ajo nuk flet për pushkatimin e shkencëtares.

“Zotëronte disa gjuhë të perëndimit edhe të Lindjes, në mënyrë të veçantë frëngjishten. Kujtohet dhe sot i vajza e parë liceistë. Në vitin 1936 nisi studimet e larta, shteti i akordoi bursë në Fakultetin e Torinos. Nexhmia në kujtimet e saj flet për Sabiha Kasimatin si një pedagoge, por nuk thotë asgjë, sesi përfundoi, edhe për faktin që ngriti dorën në plenumin e komitetit qendror për pushkatimin e saj”, shprehet studiuesi edhe historiani Uran Butka.

Pas shpërthimit që ndodhi më 19 shkurt të vitit 1951 në Ambasadën e ish-Bashkimit Sovjetik në Tiranë, edhe pse nuk kishte asnjë të plagosur autoritetet e asaj kohe fajësuan 22 intelektualë të rinj që punonin në Tiranë, duke përfshirë mes tyre edhe të vetmen grua Sabiha Kasimatin. Përpos kësaj, pasardhësja Ina Kasimati bën apel, që vlerat e Sabiha Kasimatit, të njihen edhe si shkencëtare në nivel europian.

“Në dorë kemi një libër dedikuar Sabiha Kasimatit për ta parë edhe një këndvështrim, jo vetëm për studiues edhe intelektualë, por edhe për të rinjtë, që duan që të kuptojnë atë kohë. Sot po bëhen hapa të mira në njohjen edhe pranimin më shumë të figurës së Sabiha Kasimatit, si shkencëtare, sepse njihej si e vetmja grua e pushkatuar, e para grua që ndoqi mësimet në lice. E njohin si emër, por jo për vlerën e punës së saj. Ne ndihemi shumë mirë, që një nga vlerat e saj sot ka marrë një dritë më shumë. Por sigurisht, që jo vetëm si familjare, por edhe si biologe, mendoj se vlera e saj duhet që të ketë dritë më shumë, ende është i pazbuluar botimi i saj “Peshqit e Shqipërisë”. Para se të pushkatohej, libri ka dalë në botim edhe kjo është e dokumentuar. Është e rëndësishme që figura e saj të njihet edhe në nivel europian”, shprehet pasardhësja Ina Kasimati.

Botimi i librit “Kundër rrymës” u mundësua nga “Konard Adenauer” në kuadër të Ditëve të Kujtesës” në këtë edicion të pestë të organizuar nga Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë./ Shqiptarja.com / KultPlus.com

“Cirku fluturues” së shpejti në kinematë e Kosovës

Filmi debutues i metrazhit të gjatë me skenar dhe regji të Fatos Berishës do të prezantohet me premierë kosovare, shkruan KultPlus.

Është bërë e ditur se premiera e këtij filmi fillimisht do të jepet në Cineplexx të Prishtinës, më datën  12 mars, për të vazhduar më tej edhe në kinema të tjera.

“Cirku fluturues” është një komedi e zezë e bazuar në një ngjarje të vërtetë të fundit të viteve të ’90-ta e një grupi aktorësh nga Kosova, të cilët gjatë kohës së luftës në mënyrë ilegale kalojnë kufirin e Malit të Zi dhe të Shqipërisë për të marrë pjesë në një festival të teatrit në Tiranë. “Cirku fluturues” bazohet në një ngjarje të vërtetë, të përjetuar nga vetë regjisori. Në këtë film me rolet e tyre paraqiten aktorët: Armend Smajli, Tristan Halilaj, Afrim Muçaj, Shpëtim Selmani dhe Velibor Topic,  ndërsa në rolet dytësore: Luan Jaha, Shkumbin Istrefi, Armond Morina, Vedat Bajrami, Refet Abazi, Rita Gjeka, Romir Zalla, Fisnik Ademi, Rita Gjeka, Esela Pysqyli, Doresa Rexha, Maylinda Kasumovic, Krist Lleshi etj.

Producente e filmit është Vjosa Berisha, kurse bashkëproducentë janë: Kristijan Burovski, Tomi Salkovski, Valon Bajgora, Agon Uka dhe Fatos Berisha. Pjesa tjetër e ekipit përbëhet nga drejtori i fotografisë Almir Ðikoli, montazheri Vladimir Pavlovski, disenjatori i setit Arben Shala, kompozitori Ognen Anastasovski, si dhe kostumografja Desantila Lika.

Filmi “Cirku fluturues” ka pasur premierën botërore në njërin prej festivaleve më të rëndësishme ndërkombëtare të filmit, në Tallin të Estonisë. /KultPlus.com

Akademiku i njohur britanik, prindërve: Mos i impononi besimet fetare në fëmijët tuaj

Shkrim autorial nga akademiku i Universitetit të Oxfordit, biologu dhe autori britanik: Richard Dawkins. Javën e kaluar në gazetën Islington Gazette u raportua se këshilli i qeverisë lokale të qytetit të vogël të Londrës, Islington, ka ndaluar prodhimet e derrit nga drekat e shkollave fillore. Lajmi për një ndalesë të menjëhershme është mohuar, dhe e vërteta nuk dihet.

Vërtet do të mund të argumentohej mirë për një ndalesë, mbi baza njerëzore. Ka fakte bindëse, në fund të fundit, se derrat kanë shkallë të inteligjencës dhe të vetëdijes të krahasueshme me kafshët tona shtëpiake shumë të dashura. Por asnjë konsideratë e tillë njerëzore nuk është përmendur për këtë.

Këshilltari Joe Calouri, anëtari ekzekutiv i Këshillit për fëmijë dhe familje, u citua në Gazettë se ka thënë: Duke mos pasur mish derri në mënyrë e shkollave tona, mund t’i mbajmë të ulëta shpenzimet dhe të reduktojmë harxhimin e ushqimit, duke maksimizuar buxhetin e shkollës për dreka në rrethana ekonomike sfiduese.

Argumenti kryesor u qartësua nga një zëdhënës tjetër nga këshilli, siç u citua në Gazetë dhe recitua në The Independent, një nga gazetat nacionale më të respektuara në Britani:

“Fëmijët e vegjël, disa katër vjeçare, të përkatësive të ndryshme fetare dhe etnike mund të mos e dinë cili ushqim përmban mish derri, ose mund të mos jenë të vetëdijshëm për rëndësinë e shmangies nga ai për shkak të kulturës ose besimeve të tyre”.

Cilado që të jetë e vërteta mbi lajmin origjinal mbi vetë ndalesën, ka diçka në atë citim që do të duhej të kërcente dhe të të godiste në fytyrë. Besimet e “tyre”? “Besimet e një katër vjeçari? A nuk i ka rënë ndërmend këtij zëdhënësi që fëmijët që janë shumë të vegjël për të qenë të vetëdijshëm për rëndësinë e besimeve të “tyre” poashtu mund të jenë shumë të vegjël t’i kenë ato besime në radhë të parë?

Si mund të jenë “besimet” e një katër vjeçareje të rëndësishme për të nëse ajo as e di cilat janë besimet e saj?

A do të flisnit ndonjëherë për besimet politike të një katër vjeçari? Hannah është një katër vjeçare socialiste, Marku një konservator.

Kush do të ëndërronte të thotë diçka të tillë? Çfarë do të thonit po të lexonit një artikull demografik po të thoshte diçka kështu: “Një në tre fëmijë të lindur sot është një fëmijë Kantian neo-platonist. Nëse trendi i shkallës së lindjeve vazhdon, Pozitivistët Ekzistencialistë do të tejkalohen më 2030”.

S’kanë rëndësi emrat e pakuptimtë të shkollave të filozofisë së mendimit që i shpika.

Qëllimisht zgjodha emra surrealë që të mos shpërqendroj nga poenta kryesore. Feja është përjashtimi i vetëm që bëjmë nga rregulli: mos etiketoni fëmijët sipas opinioneve të prindërve të tyre.

Dhe nëse dëshironi të bëni përjashtim për opinionet që i quajmë fetare, dhe të pretendoni së është më pak e pavend të flisni për “fëmijët e krishterë” ose “fëmijët myslimanë”, më mirë të kesh një argument të mirë nën mëngë.

Si mund të duket një argument i tillë? Së pari, disa thonë se etiketimi i fëmijëve si myslimane, le të themi, ose katolike, nuk është më keq se ta etiketosh si franceze ose suedeze. Por ky nuk është krahasim i mirë. Shtetësia e një vendi, na pëlqeu ose jo, ka implikime legale.

Vendi yt të jep pasaportë, je i lejuar të votosh në zgjedhje, gjithashtu mund të të listojë të shkosh në luftë. Por nëse ti e di cilës kombësi i takon dikush kjo nuk të tregon asgjë për mendimet e tij për diçka.

Personi francez mund të jetë i majtë, i djathtë, pacifist ose dashamirës i luftës, pro ose kundër abortit, vegjetarianizmit, Windoësit, Macintoshit ose Linuxit.

Për dallim nga etiketimet kombëtare, etiketimet fetare bartin një bagazh të opinionit personal. Katolikët besojnë se Jezusi u lind nga një nënë e virgjër i cili nuk u nda nga jeta kurrë por vetëm u ngrit në qiell me gjithë trup.

Mormonët besojnë se Jezusi ka vizituar Amerikën dhe se amerikanët vendor migruan nga Izraeli. Nuk është mirë të barazosh një etiketim mataforik rreth qafës së një fëmije, që thotë, “ky fëmijë beson se Jezusi është ringjallur”, me “Grupi i Gjakut AB”. Minimalisht shkon kundër idealit që mbajnë të gjithë edukatorët e ndershëm, se fëmijët duhet të mësohen si të mendojnë.

E dyta, do të ketë njerëz që do të thonë, duke lënë doktrinën fetare anash, ne do të duhej të konsiderojmë se një fëmijë i takon një tradite kulturore si prindërit e tij. Familjet hebreje bazohen në një kalendar të festave dhe ritualeve, që dallon nga ai i të krishterëve, myslimanëve, hindusëve.

Është e arsyeshme që fëmijët do të marrin pjesë në drekat tradicionale në mbrëmjet e së premtes, do të ndihmojnë të bëjnë tortën Diwali në ditën e kërkuar. E kuptoj këtë, dhe do të ishte për keqardhje të shohim tradita të lashta të caktuara të shuhen (edhe pse do të vendosja kufirin kur bëhet fjalë për agjërimin e fëmijëve ose synetinë).

Shumë nga miqtë e mi hebrenjë (gati të gjithë janë ateistë) nuk shohin gjë të keqe në festimin e festivaleve tradicionale, dhe unë e shijoj shërbimin “Carole” në një katedrale.

Por vërtet ka një dallim të rëndësishëm mes përfshirjes së fëmijëve tuaj në tradita të dëmshme, dhe imponimit në ta opinione të pabazuara në fakte mbi natyrën e jetës ose kozmosit. Tradita është në rregull kur është fjala për këngë, letërsi, stilet e veshjes ose arkitekturë.

Por tradita është një bazë e tmerrshme për etikë, ose besime mbi origjinën e Universit ose evolucionin e jetës.

Indoktrinimi i opinioneve tuaja në mendjet vulnerable të fëmijëve është mjaftueshëm keq. Ndoshta më i keq është supozimi defatist, i pranuar universalisht nga shoqëria në përgjithësi, duke përfshirë shoqërinë sekulare, se fëmijët trashëgojnë besimet e prindërve dhe gjuha duhet të reflektojë këtë.

Njerëzit fetarë po edhe jofetarë kanë marrë nocionin se fëmijët duhet të etiketohen me njërin emër fetar ose tjetrin.

Madje etiketim përjetë: kur hyn në një spital, ose bashkohesh shërbimit ushtarak, duhet të përmbushën zbrazëtirën ku duhet të tregosh cilës fe i takon (që mund të jetë “none”).
Rregullisht lexojmë projeksione demografike si, “Nga ky dhe ky vit Franca do të jetë 50% myslimane”.

Një parashikim i tillë mund të bëhet vetëm nëse bazohemi në supozimin se fëmijët e lindur nga një çift mysliman janë fëmijë të vegjël myslimanë që do të rriten të rrisin myslimanët e tyre të vegjël në vazhdim.

Nga gjykatat e divorcit mund të kërkohet të vendosin nëse një fëmijë i një martese të prishur duhet “të rritet si katolik” ose “të rritet si protestant”. Askush ndonjëherë nuk e ka pyetur një gjykatë divorci të jap verdikt nëse fëmija duhet “ të rritet si futbollist”; “Të rritet si ornitolog”; “të rritet si liberal” ose “të rritet si konservator”; “të rritet si Macintosh” ose “të rritet si Windows”.

Feministët me sukses kanë ngritur vetëdijen tonë mbi gjuhën e njëanshme mbi gjininë. Sot askush nuk flet për “one man one vote” ose “the rights of man”. Përdorimi i “man” në një kontekst të tillë provokon indinjatë të menjëhershme. Edhe ata që përdorin gjuhë seksiste e dinë që po e përdorin, madje mund ta bëjnë qëllimisht për të shkaktuar indinjatë. Poenta është se vetëdija jona është ngritur.

Gjuha jonë ka ndryshuar sepse jemi bërë të vetëdijshëm mbi supozimet e fshehta që më parë nuk u kemi kushtuar rëndësi.

Le të ngrisim vetëdijen të gjithë, dhe vetëdijen e shoqërisë, mbi etiketimin fetar të fëmijëve. Le të largohemi nga këto etiketime fetare njashtu siç kemi mësuar mbi gjuhën seksiste. “Fëmijë katolik”, “fëmijë mysliman”, “fëmijë hindus”, “fëmijë mormon” – të gjitha frazat e tilla duhet të na bëjnë të rrëqethemi.

Kurdo që dëgjon dikë duke folur për një “fëmijë katolik”, ndalini aty ku janë. A do të flisnit për një “fëmijë postmodernist” ose “fëmijë i të drejtave të Shtetit”? Ajo që ke dashur të thuash është “fëmijë i prindërve katolikë”. Dhe e njëjta për “fëmijë mysliman” , etj.

Nëse, kur keni lexuar citimin e zëdhënësit të Këshillit të Isnlington, asgjë nuk ka kërcyer dhe goditur në fytyrë, ju lutëm lexojeni përsëri. A iu është ngritur vetëdija tani? / KultPlus.com

Ansambli “Shota” shpalosi mbrëmë sakrificën e shqiptarëve për liri

Xhemile Hysenaj

Ditën që lamë pas, Kosova festoi 12 vjetorin e pavarësisë, ku u manifestua në mënyra të ndryshme, kush me muzikë, me valle, me filma e me shfaqje teatrale duke shpalosur kështu rrugëtimin e shtetit tonë qysh nga koha e luftës e deri në ditët e sotme, shkruan KultPlus.

Për të festuar këtë ditë të madhe të shtetit tonë, Ansmabli i këngëve dhe valleve ‘Shota’, interpretoi para një publiku të madh në Teatrin Kombëtar të Kosovës, një interpretim ky që entuziazmoi publikun jashtë mase.

Ansambli ‘Shota’ kishte përgatitur këngë e valle shqiptare, të cilat nuk kishte se si të mos ngjallnin ndjenja krenarie e patriotike tek të gjithë ata që ishin të pranishëm. Filloi me ‘Lulet e Marsit’, për të vazhduar më pas edhe me pika muzikore nga Mirvete Bajrami, Liridon Sadriu, Sokol Latifi, Donika Rushiti e Riza Bytyqi, të cilët i kënduan Drenicës, Vraninës, Prekazit e atdheut në përgjithësi. Këngë këto që shpalosnin sakrificën e shqiptarëve e luftën për liri ndër vite.

Ndërsa vallet ishin të ndryshme, performuan valle dibrane e valle me motive të Hasit, gratë me xhubleta shqiptare, burrat me tirq, ku përmes lëvizjeve të tyre dukej sikur i vallëzonin kombit e i flisnin publikut me një gjuhë që vetëm shqiptarët do ta ndjenin e kuptonin.

Nuk ka shumë kohë që ikona e muzikës shqiptare Nexhmije Pagarusha, ka ndërruar jetë. Ansambli i këngëve dhe i valleve ‘Shota’ ka bashkëpunuar shumë herë me Pagarushën, figurë të cilën e nderuan edhe gjatë homazheve që u mbajtën në Teatrin Kombëtar të Kosovës. E për ta nderuar figurën e saj edhe një herë, ‘Shota’ këndoi këngën ‘Nji lule qi m’ka çel” të Nexhmijës.

Pas përfundimit të koncertit i cili u pasua me duartrokitje të zgjatura, Ylber Asllanaj, udhëheqësi artistik i Ansamblit, tregoi për KultPlus se ishte mjaft i kënaqur me performancën e ‘Shotës’ për këtë 12 vjetor të pavarësisë së Kosovës edhe pse deklaroi se mungesa e një salle adekuate për Ansamblin është mesë e nevojshme pasiqë një mungesë e tillë u shkakton ngarkesa shtesë për realizimin e performancave të caktuara.

”Ishte një performancë mjaft e suksesshme, ‘Shota’ është mjaft profesionale në punën e vet. Suksesi u vërejt edhe tek reagimi i publikut”, potencoi ai për KultPlus.

Ansambli ‘Shota’ është gjithmonë i pranishëm në koncerte e manifestime të ndryshme, qofshin ato shtetërore, kombëtare apo fetare, duke lënë gjithmonë mbresa të mëdha tek publiku. Edhe mbrëmë emocionet e publikut ishin tejet të pranishme, ata me duartrokitje e brohoritje që nuk u ndalën për minuta të tërë, përcollën ‘Shotën’ pas përfundimit të performancës së tyre.

Koncerti i mbrëmshëm ishte nën organizmin e Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit, e cila për nder të 12 vjetorit të pavarësisë së Kosovës kishte përgatitur edhe shumë aktivitete tjera që përfshinin muzeun, galeritë e filmin. / KultPlus.com

Shfaqja muzikore mbi jetën e Bob Marleyt, inskenohet vitin e ardhshëm në Londër

Një mjuzikëll i ri i inspiruar nga jeta dhe muzika e legjendës së zhanrit reggae, Bob Marley, do të debutojë në Londër vitin e ardhshëm.

Shfaqja muzikore me titull “Get Up, Stand Up!” do të debutojë në skenën e teatrit “Lyric Theatre” nga 6 shkurti i vitit 2021, pikërisht në ditën kur muzikanti i ndjerë do ta shënonte ditëlindjen e 76-të, transmeton Koha.net.

Historia e ngritjes së Marleyt drejt suksesit po inskenohet nga dyshja e shpërblyer me çmim “Olivier”, Lee Hall dhe regjisori Dominic Cooke, ndërsa aktori dhe dramaturgu Arinzé Kene do ta luaj rolin e Marleyt në këtë projekt.

Duke e përshkruar mjuzikllin i cili to t’i përfshijë hitet klasike të këngëtarit si, “Three Little Birds” dhe “No Woman No Cry”, Kene tha: “Ndihem i nderuar që do të kem mundësi ta portretizoj këtë rol. Për mua, jo vetëm që është kënaqësi e veçantë ta shpërndaj mesazhin e Bob Marleyt edhe më shumë, por mundësia për ta portretizuar atë për një kohë, është një ëndërr e kamotshme e imja e shndërruar në realitet. Jam rritur me muzikën dhe këshillat e tij, dhe lirisht mund të them se Marley ka qenë një shembull për mua që nga fëmijëria. Ndjej sikur e kam brenda në AND. E dua atë vërtetë shumë”.

Edhe anëtarët e familjes së këngëtarit legjendar, përfshirë këtu vajzën e tij Cedella Marley, e kanë mirëpritur realizimin e këtij mjuziklli duke deklaruar se janë të lumtur që do ta sjellin historinë e tij te gjeneratat e reja.

Biletat për shfaqjen “Get Up, Stand Up!” do të dalin në shitje nga 21 prilli i këtij viti. / KultPlus.com

Ministrja Dumoshi takoi tenorin me famë ndërkombëtare, Ramë Lahaj

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, priti sot në takim tenorin me renome ndërkombëtare Ramë Lahaj, i cili vizitoi ministren për t’i uruar marrjen e detyrës dhe Ditën e Pavarësisë së Kosovës.

Ministrja e falënderoi tenorin Lahaj për kontributin dhe angazhimin e tij në fushën e kulturës në përgjithësi, e sidomos për promovimin e kulturës shqiptare nëpër botë si dhe forcimin e imazhit të Kosovës nëpër ngjarje kulturore kudo që merr pjesë.

Po ashtu, ministrja Dumoshi, e informoi për planet dhe programin që pritet të realizohet në fushën e kulturës, duke përmendur edhe projektet infrastrukturore fizike të kulturës ku veçoi objektin e Operës dhe Baletit “Ibrahim Rugova” i cili është në fazën e vlerësimit të hartimit të tij dhe komisioni vlerësues do të themelohet shumë shpejt.

Ndërkaq, nga ana e tij, Lahaj tha se është e nevojshme krijimi i hapësirave për artistët që të kenë ku të performojnë dhe mbështetja e kulturës do të jetë inkurajim që artistët e rinj të krijojnë edhe më shumë. / KultPlus.com

Djali pa nanë si nata pa hanë

Poezi nga Ndre Mjedja

Pra ‘i djalë i vorfen kuej nuk i dhimet,
Kur, si mue t’shkretin, t’a mlojn mjerimet?
Tepër shpejt bora, tuj ra n’ vorfunim,
Njatë qi per mue ish’ diell n’ agim.

Emnin e kandshëm m’i a ndie kot prita
Njasajë qi n’ kobe do t’ m’ ishte drita:
Kuej nuk i dhimem, askush s’ m’ kujton,
Sado qi zemra vec gjak m’ pikon.

Kur, un i mjeri, rrijshe tu shpija,
Me nanë, me motër, ah! sa dashtnija
Vlote n’ kët zemër, qi sot s’ka gzim,
Vetëm pse nana m’ la n’ kët vorfnim.

C’ at ditë qi e bora, mue s’ m’ knaqë natyra,
Ndër gzime t’ shekllit nuk m’ qeshet ftyra;
Kurr s’ m’ hiqet mendjet kur nana m’ tha:
T’ laca me Zotin! – e diq e m’ la.

Ah! se fort m’ dote, se fort m’ pat gzue,
Sa gjallë, e mjera, rrite me mue!
Por qe, se unë nanën sot ma s’ e kam;
Un nafakpremi, c’ se i vorfën jam!

Kur, n’ agim t’ ditve, m’ra me shtegtue,
Si dola shpijet, tuj u largue,
E kqyra s’mramit e aq m’ përmalloi,
Sa dysh mue zemrën, dysh m’a coptoi.

E kush kalote at ditë bri meje,
At ditë qi dhima m’ kish xjerrë mendt kreje,
Thote përajshëm: Paska metë shkret!
Zot, njitja doren, maje ti ngiet!

C’ at ditë, si zogu, larg fluturova,
E n’ dhe t’ panjoftun treta, u largova;
S’ desht kush me m’kqyrun, s’ diejta kue’ i flas,
Nji dorë ndimtare c’ at herë s’ m’ u qas.

E kur vetmija mue m’ lodhte natën,
Un n’ gjuj u ulshëm, thojshëm uratën;
Kujtojshëm nanën para Tenzot,
E syt m’ u mushshin gjithherë me lot.

Ah! po, kujtimet e asajë dite
Uratë e kandshme ti m’ i përsrite:
O nanë e dashtun, a thue t’ thrras kot,
C’ se fusha e mali me za t’ em lot?

Ah! po, se dhima zemret nuk m’ shkepet,
C’ se gjithkund nanën me e lypun m’ nepet;
Do t’ m’ mysë mjerimi, s’kam si gjallnoj,
Pse deka e nanës zemren m’ a imtoj.

Por, ndale vajin, jeto pa drojë,
Mendo se drita prap do t’ agojë,
Kur ndër Qiell t’ epra Zoti tash t’ thrret:
Rrethue me lule, nana aty t’ pret.

Ora e parë e mësimit sot iu kushtua Pavarësisë së Kosovës

Për nder të 17 shkurtit – Ditës së Pavarësisë së Kosovës, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), ka vendosur që në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme sot (18 shkurt 2020), ora e parë e mësimit t’i kushtohet historikut të pavarësisë.

Në këtë orë është folur për sakrificën e popullit shqiptar dhe kontributin e bashkësisë ndërkombëtare për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Kujtojmë se MAShTI ua ka uruar festën nxënësve, mësimdhënësve, prindërve dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës. / KultPlus.com

Miss Germany 2020 Leonie Charlotte von Hase, nën kreacionet e Flora Suldashit

Është mbajt finalja e garës së vajzave më të bukura të Gjermanisë “Miss Germany 2020”, dhe fituese ka dalë të jetë Leonie Charlotte von Hase , shkruan KultPlus.

Këtë vit kjo garë ka marë një kthesë të madhe, pasi që, vajza që është kurorëzuar me këtë titull është një 35 vjeçe, që hapë një portë të re për vajzat që synojnë këtë titull edhe në një moshë më të madhe.

Por veshja e këtyre vajzave nuk është një risi, kreatorja shqiptare tash e sa vite kujdeset për dukjen e vajzave që synojnë më të bukurën e këtij shteti, edhe këtë vit Flora Suldashi ka bërë kreacionet e kësaj gare, ku treshja më e mirë, pikërisht në momentin e kurorëzimit ishte e prezantuar me veshjet e Flora Suldashit./KultPlus.com

Mikelanxhelo Buonaroti më i shquari arkitekt, piktor, skulptor dhe poet i Rilindjes italiane

Mikelanxhelo Buonaroti (Michelangelo Buonarroti) (Caprese, 6 mars 1475 – Romë, 18 shkurt 1564) ishte një skulptor, piktor, arkitekt dhe poet italian. Protagonist i Rilindjes italiane, i vlerësuar që në kohën e tij si një nga artistët më të mëdhenj të të gjitha kohërave.

Qe në tërësi një artist sa gjenial po aq dhe i trazuar. Emri i tij është i lidhur me një sërë veprash që janë futur në historinë e artit, disa prej të cilave të njohura në gjithë botën si ndër më të rëndësishmet e artit perëndimor: Davidi, Pietà-ja vatikanase, Kupola e Shën Pjetrit si dhe cikli i afreskëve në Cappella Sistina konsiderohen maja të pakapërcyeshme të gjenisë krijuese.

Studimi i veprave të tij formoi gjeneratat pasuese, duke i dhënë jetë një shkolle që bëri art “alla sua maniera” (që do të thotë “sipas mënyrës së tij”) dhe që mori emrin manierizëm.

****  Mikelanxheloja i tregoi një piktori një tablo që e kishte bërë duke marrë fragmente nga veprat e të tjerëve dhe i tha:

– Vështroni mirë e me gjykim të ftohtë. Po të marrë secili pjesën e tij, nuk do të mbetet veçse pëlhura.

**** Mikelanxhelo kishte përfunduar Davidin e tij madhështor, të cilin po e çonte në qendër të qytetit dhe po udhëzonte njerëzit për ta vendosur në vendin e caktuar. Aty pranë kaloi Pier Soderini, i cili ishte shumë i dëgjuar i asaj kohe në fushën e artit. Ai u ndal për ta vështruar veprën madhore të Mikelanxhelos. Pasi e pa skulpturën lart në podium, i vajti pranë autorit dhe i tha:

-Hunda e shtatores duket tepër e madhe në raport me komponentët e tjerë anatomik të imazhit të jetësuar të Davidit, nënshtruesit Golias së frikshëm. Atëherë Mikelanxhelo pa e prishur terezinë dhe duke shfaqur një lloj bindjeje për “vërejtjen” e bërë nga kolegu, rrëmbeu fshehurazi një grusht pluhur mermeri te këmbët e statujës dhe menjëherë mori daltën dhe bëri sikur po e gdhendte me kujdes duke derdhur nga pluhuri i marrë. Pastaj i hodhi sytë poshtë nga Soderini dhe i tha:

– Vështrojeni mirë tani, duket më mirë apo jo?

– Po, tha preraz ai. Më pëlqen më shumë kështu, – i tha Soderini – i dhe me të vërtetë jetë, plotësoi ai.

**** Një ditë Mikelanxhoja shkoi te Papa JuIi II. Roja e ndaloi duke i thënë se Papa nuk mund ta priste. Mikelanxhelo u fye rëndë dhe me përbuzje iu përgjigj:

– I thoni Papës se do të vijë një ditë që ai do të kërkojë të më takojë, por nuk do të mundet. Dhe menjëherë u largua nga Roma.

**** Një herë, kur skulptori i dëgjuar bëri statujën e Kupidit, vendosi t’i heqë asaj një krah dhe ta fusë veprën e tij në dhe, në një vend ku bëheshin gërmime arkeologjike. Kur u gjend shtatorja shumë e bukur e Kupidit, të gjithë qenë të bindur se ishte fjala për një vepër të lashtësisë. Atëherë Mikelanxhelo duke qeshur, nxori krahun e këputur dhe zbuloi lojën e tij.

**** Kur Mikelanxheloja pa djalin e bukur të një piktori, i tha:

– Babai yt ka arritur të bëjë më mirë figura të gjalla se sa të pikturuara.

**** Mikelanxhelo e admironte shumë artin e lashtësisë. Në vitet e fundit të jetës, kur u verbua, shkonte te këmbët e skulpturave të lashtësisë, i prekte me duar, i përkëdhelte konturet dhe derdhte lot nga mallëngjimi.

**** Mikelanxhelo kishte bërë një tablo të bukur për Andrea Donin, njeri shumë dorështrënguar. Kur ia dërgoi tablonë e shoqëroi me një letër, me anën e së cilës i kërkonte 70 dukatë për veprën. Doni dërgoi vetëm 40 dukatë. Mikelanxhelo ia ktheu paratë, duke i thënë se tashmë donte 100 dukatë.

Donfi, duke psherëtirë, i nxorri me pikëllim 70 dukatë dhe ia dërgoi. Mirëpo Mikelanxhelo iu përgjigj se tashti kërkonte 140 dukatë dhe asnjë më pak. Andrea Donfi që ishte dashuruar shumë pas tablosë u detyrua nga frika t’i dërgojë të 140 dukatët, sepse kishte frikë se mos artisti e ngrinte përsëri çmimin e veprës së tij.

**** Kur Mikelanxhelo bëri statujën e famshme të Moisiut, pasi e mbaroi e soditi gjatë dhe u kënaq aq shumë me veprën e tij sa thirri:

– Po fol de, pse nuk flet. /Alber Vataj /KultPlus.com

Nis shitja e biletave për festivalin “Berlinale 2020”, Kosova përfaqësohet me filmin “Exil”

Adhurues të shumtë të filmit qëndruan në radhë të gjata të hënën e 17 shkurtit, vetëm për të pasur mundësinë t’i blejnë biletat për edicionin e sivjetmë të festivalit të filmit “Berlinale”. Disa prej tyre madje kishin qëndruar jashtë gjatë gjithë natës, në mënyrë që të ishin ndër të parët në radhë.

Disa prej të pranishmëve, ishin ndjekës të rregullt të festivalit ndër vite, andaj edhe po i kryenin rutinat e tyre të zakonshme të kampimit jashtë kabinës ku shiten biletat, në sheshin “Potsdamer Platz” të Berlinit.

Biletat janë në dispozicionin e publikut vetëm për disa ditë, para se të nis shfaqja e filmave si dhe një person ka të drejtë t’i blejë maksimumi 2 bileta për mbrëmje. Ndërsa çmimet e tyre ndryshojnë sipas kategorive të filmit, transmeton Koha.net.

Edicioni i 70-të i “Berlinales” është i pari në 18 vjetët e fundit, që nuk do të udhëhiqet nga ish-drejtori i festivalit, Dieter Kosslick. Me këtë rast, disa prej ndjekësve të rregullt të festivalit kishin shprehur pakënaqësitë e tyre rreth programit të filmave që do të shfaqen sivjet, duke i cilësuar si “shumë të errët”, pikërisht për këtë kohë kur njerëzit veçse janë të ngarkuar çdo ditë me çështje të komplikuara të cilët shfaqen nëpër televizione.

Hapja zyrtare e festivalit ndërkombëtarë të filmit në Berlin, do të mbahet nga 20 shkurti deri më 1 mars, me ç’rast do të shfaqen gjithsej 342 filma, në mesin e tyre edhe një film kosovar. “Exil” nga Visar Morina do ta ketë premierën evropiane në kuadër të kësaj ngjarjeje prestigjioze kinematografike, duke u shfaqur për publikun më 24 shkurt në kinemanë “Zoo Palast 1”, në kuadër të programit Panorama. Ndërsa, vetëm 18 filma do të konkurrojnë për çmimet kryesore të “Berlinales”, atë “Ariu i Artë” dhe “Ariu i Argjend”. / KultPlus.com

Jeff Bezos i zoton 10 miliardë dollarë për luftimin e ndryshimeve klimatike

Pronari i “Amazon”, Jeff Bezos i ka zotuar dhjetë miliardë dollarë, për të ndihmuar në luftën kundër ndryshimeve klimatike.

Bezos, që vlerësohet të jetë njeriu më i pasur i botës, ka thënë se paratë do të përdoren për financimin e punës së shkencëtarëve, aktivistëve si dhe grupeve tjera.

“Dua që të punoj bashkë me tjerët, për t’i fuqizuar mënyrat e njohura si dhe për të hulumtuar mënyra të reja për ta luftuar ndikimin shkatërrimtar të ndryshimeve klimatike”.

Përmes llogarisë së tij në “Instagram”, Bezos ka thënë paratë e këtij fondi do të fillojnë të shpërndahen gjatë verës, raporton BBC, transmeton Koha.net.

Bezos vlerësohet se ka një pasuri neto në shumë prej më shumë se 130 miliard dollarësh, kështu që zotimi përfaqëson gati tetë për qind të pasurisë së tij. / KultPlus.com