Miratohet projekti për restaurimin e banesës ku u mbajt Konferenca e Labinotit

Këshilli Kombëtar i Restaurimeve ka miratuar sot projektin e restaurimit të banesës ku u mbajt Konferenca e Labinotit, në Labinot-Mal të Elbasanit.

Projekti i hartuar nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore parashikon ndërhyrje konservuese dhe restauruese në elementët konstruktivë të ndërtesës, që kanë përfunduar me sukses.

Kjo godinë është ndërtim i shek. XX dhe është shpallur Monument Kulture i Kategorisë së Parë për vlerat historike që mbart, pasi këtu është mbajtur Konferenca e Labinotit, në datat 17-22 mars 1943.

Konferenca e Labinotit është konferenca e parë, e cila vendosi për krijimin e Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare, ku në bazë të vendimit u krijua më vonë edhe Shtabi i Përgjithshëm UNÇL, si dhe ndikoi në zgjerimin e Luftës Nacionalçlirimtare.

Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore mirëpret çdo bashkëpunim dhe mbështetje që kontribuon në ruajtjen e trashëgimisë sonë kulturore. /atsh / KultPlus.com

‘Pa bashkim nuk ka fuqi, pa Kosovë nuk ka Shqipëri’

Sot në 12 vjetorin e pavarësisë së Kosovës, KultPlus ju sjell këngën ”Pa Kosovë nuk ka Shqipëri”, të interpretuar nga zëri i fuqishëm i Kastriot Tushës.

Bashkangjitur gjeni videon dhe tekstin e këngës.

https://www.youtube.com/watch?v=ue8bZm3nkgo

Moj Shqipëri, djep i lirisë
Nana jonë djep i trimërisë,
Vorri i të hujve, votra jonë,
Ty të paqim përgjithmonë

2x
Pa bashkim, nuk ka fuqi
Pa Kosovë nuk ka Shqipëri,
Pa Shqipëri, Kosovë nuk ka,
Bashkë të dyjat ngrejnë kala

Moj Shqipëri, shqiponja nanë,
Kosova jote u plagos ranë,

2x
Qaje qiellin flakë e gjamë,
Fluturo qoje në kamë!

2x
Pa bashkim, nuk ka fuqi
Pa Kosovë nuk ka Shqipëri,
Pa Shqipëri, Kosovë nuk ka,
Bashkë të dyjat ngrejnë kala / KultPlus.com

Moj Shqipëri, djep i lirisë
Nana jonë djep i trimërisë,
Vorri i të hujve, votra jonë,
Ty të paqim përgjithmonë

2x
Pa bashkim, nuk ka fuqi
Pa Kosovë nuk ka Shqipëri,
Pa Shqipëri, Kosovë nuk ka,
Bashkë të dyjat ngrejnë kala

Moj Shqipëri, shqiponja nanë,
Kosova jote u plagos ranë,

2x
Qaje qiellin flakë e gjamë,
Fluturo qoje në kamë!

2x
Pa bashkim, nuk ka fuqi
Pa Kosovë nuk ka Shqipëri,
Pa Shqipëri, Kosovë nuk ka,
Bashkë të dyjat ngrejnë kala / KultPlus.com

Ushtari i vjetër

Frederik Rreshpja lindi në Shkodër në vitin 1940, ishte poet lirik, eseist e publicist, shkruan KultPlus.

Penda e tij la gjurmë të mëdha në historinë e letërsisë shqipe, e sidomos në poezinë shqipe.

Sot bëhen 14 vite prej kur Rreshpja u nda nga jeta, e për të nderuar figurën e tij, KultPlus ju sjell njërën nga poezitë më të mira të Rreshpes.

Ushtari i vjetër

Pash fëmijët në rrugë. Të qeshur,
të bukur dhe delikatë si vazot e çmuara,
ku nënat fshehin ëndrrat e tyre.

Më panë dhe u trishtuan. E kuptuan,
që unë nuk kam qenë kurrë fëmijë… / KultPlus.com

Muzicientët më të mirë të Kosovës në një orkestër, “BigBand” mrekulloi të pranishmit

Fotografitë: Nok Selmani

Ngjyrat e lehta me nuanca neoni, vinin në pah 18 instrumentistët që ishin vendosur në skenën e sallës së Kino Armata në Prishtinë, ku kryetari i Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti, po me këta instrumentistë kishte përzgjedhë të shënonte 12-të vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, shkruan KultPlus.

I pari i komunës, para të pranishmëve është shprehur të jetë i lumtur për prezantimin e një orkestre më të re të Prishtinës, të emëruar “BigBand”, që sipas Ahmetit, është ribashkim, apo themelim i orkestrës më të re në kryeqytet, me muzicientët më të mirë që ka Kosova.

Pasi qe dritat e ngrohta u thelluan, dora e dirigjentit Armend Xhaferi e filloi veprën e parë të këtij koncerti të titulluar “Mercy Mercy Mercy”, dhe pas duartrokitjeve të pandalura, filloi edhe vepra e dytë e koncertit “Cute” me solistin Fatlind Ferati në bass.

Intensiteti i orkestrës veç sa rritej me veprat në vazhdim, ndërsa duartrokitjet e publikut nuk mungonin pas çdo përfundimi!

Tingujt drithërues të baterive të Nesim Maxhunit, me veprën “Karavan” bashkë më Ilir Bajrin në piano, e Visar Kuçin në kitarë, ndezën skenën e Kino Armatës duke bërë publikun të brohorasë e duartrokasë pothuajse gjatë tërë kohës.

Kënga e fundit “Sing Sing Sing” e përmbylli këtë koncert të mbrëmjes, duke u ngritur i gjithë publiku në këmbë. 

Armend Xhaferi, dirigjenti i orkestrës u shpreh se vetëm 3 javë kanë pasur prova për këtë koncert, dhe se ia arritën të përmbushin planifikimin e programit. Ai falënderoi shumë edhe Komunën e Prishtinës për këtë mbështetje, që pikërisht me këtë band të prezantohen në shënimin e përvjetorot të 12-të.  

Edhe bateristi Nesim Maxhuni u shpreh mjaft i kënaqur nga koncerti, dhe i njëjti u shpreh se shpreson që kjo orkestër do të ketë sukses edhe më të madh.

“Është diçka e re që është ndërtuar, por shpresoj që me punë dhe përkushtim, do të rritet kjo orkestër edhe më shumë dhe do të mburremi me emrin e BigBand”, ka thënë Maxhuni.

Edhe muzicientët e tjerë Ilir Bajri, Visar Kuçi e të tjerë u shprehën të kënaqur nga ky koncert duke shpresuar për suksese më të mëdha në të ardhmen, kurse në këtë mbrëmje, janë prezantuar me këtë përbërje:

Seksioni / Saksofon

Dukagjin Muhaxheri – Alto Saksofon 1
Kushtrim Rexhepi – Alto Saksofon 2
Arian Randobrava – Tenor Saksofon 1
Dardan Gjinolli – Tenor Saksofon 2
Ermal Rodi – Bariton Saksofon

Seksioni / Trumpet

Avni Krasniqi – Trumpet 1
Ardit Pira – Trumpet 2
Krenare Zariqi – Trumpet 3
Anda Krelani – Trumpet 4

Seksioni / Trombon

Betim Krasniqi – Trombon 1
Rejhan Rexha – Trombon 2
Donat Krasniqi – Trombon 3
Fatbardh Dubovci – Trombon 4

Seksioni / Ritmi

Ilir Bajri – Piano
Visar Kuçi – Gitarë
Fatlind Ferati – Bass
Nesim Maxhuni – Bateri
Armend Xhaferi – Gitarë & Dirigjent./KultPlus.com

Me filmin e Skënderbeut filloi ‘Java e filmit shqiptar’ në Kino Abc

Sonte në Kinemanë ABC u shfaq filmi ‘Skënderbeu’, i cili për publikun shqiptar po shfaqej për herë të parë i restauruar dhe i përpunuar në laboratorët e Italisë, shkruan KultPlus.

Me filmin ‘Skënderbeu’, u hap edhe ‘Java e filmit shqiptar’ e cila pritet të vazhdojë për tre ditë me radhë, ku në natën e dytën më pas do të shfaqet ‘Nëntori i dytë’, i regjisorit të famshëm Viktor Gjika, i cili është restauruar e përpunuar në Amerikë, ndërsa natën e tretë dhe të fundit do të shfaqet filmi ‘Tomka dhe shokët e tij’.

‘Skënderbeu’ u shfaq para një publiku modest, të cilët duket se e pritën mjaft mirë filmin tashmë të përpunuar në zërim, ngjyra, video-efekte etj.

‘Skënderbeu’ është një film histoik mbi jetën e heroit kombëtar Gjergj Kastrioti. Në film trajtohet mënyra sesi Gjergj Kastrioti bashkon princërit shqiptarë duke u martuar me Donikën dhe kështu duke organizuar besëlidhjen e Lezhës. Por, përballet edhe me tradhëtinë e nipit të tij, Hamza Kastrioti. Filmi paraqet skena masive të betejave historike dhe rrethimit të Krujës. Ky film njëherit është edhe filmi i barë artistik i cili është realizuar në bashkëpunim shqiptaro-sovjetik.

‘Skënderbeu’ është shpërblyer me ‘Palmën e artë’ në festivalin ndërkombëtar të filmit në Kanë. Filmi daton nga viti 1953.

Java e filmit shqiptar organizohet nga Kosovafilmi, mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe Arkivi i Filmit Shqiptar./ KultPlus.com

‘E pashë kufomën para se ta nxirrnim, kufoma ishte aq e bukur sa më shkoi mendja ta puthja aty në vend’

Nën hije

Besa Kalaja

Në çastet më të turbullta të jetës së saj qëlloi që në vend të kishte një luftë. Luftë as e madhe, as e vogël nga këndvështrimi ynë. Nga këndvështrimi i saj nuk e dimë pasi ajo kurrë nuk foli qartë për luftën, edhe pse ne ia drejtonim pyetjet në formën: Kur ju vdiq djali në vendin tuaj kishte një luftë? Besoni që ai vdiq pasi nuk iu dha ndihma e duhur? Mos dyshoni që ai qëllimisht u mbyt?

Asnjë përgjigje.

Maria kishte dhjetë ditë që kishte ardhur. Kishte edhe një ekip, që në fakt ende s’e kishte sepse misionin e nisi me ditë të tëra vonesë, çfarëdo që i bie ajo. Ma do mendja që të gjithë të intervistuarit e thanë që këtu ka pasur një luftë, më tha ajo. Luftë që besohet të ketë qenë e tmerrshme. Mbarë për një fillim besoj, morëm ca fakte, na mbetet të ndërtojmë të vërteta, të vërteta luftërash.

Pas një sëmundje të gjatë dhe pa diagnozë, ai shkoi. Kishte kohë që e deshi më shumë jetën tjetër, asgjë nuk e mbante më këtej. Në shtratin e dergjjes nana ia lexonte librin me poezi. Për çdo ditë po të njëjtin libër, të vetmin. Sikur mendonte që ky ritual përsëritës ishte një fije për mbajtjen e tij në jetë. Nuk ishte. Fëmija i vetëm i vdiq sot paradite.

Duhet ta marrim trupin e pajetë, mjeku i tha. Autopsinë nuk mund të kryejmë në këso kohe. E kuptoi mu në atë sekondë sa e pavend e absurde ishte fjalia. Krejt këtë nuk ia tha pa një dhimbje të madhe në shpirt, pasi ajo e pa që i ishin skuqur sytë. Me gjasë kishte qarë.

Të vdekurin e mbështollën. E larguan nga dhoma. Aty mbeti kujtimi i tij dhe fytyra e trishtuar e nënës. Për herë të parë shikoi në oborr. Bari ishte harlisur, qentë po loznin. Qielli ishte errësuar. Shiu nuk ishte larg. Dhimbja ia kishte errësuar shikimin.

Zonjë, trupin duhet varrosur, ia tërhoqi vërejtjen ai. E pa që ishte e përhumbur, prandaj me lehtësi e tërhoqi nga krahu dhe aty në qoshe të dhomës boshe po mbante duhmën e djalit të saj, e pyeti se a i kishte kushtet për ta varrosur.

„Jo“, i tha kjo.

„Si t’ia bëjmë?“ – u ngrys mjeku.

„Nuk e di“, tha ajo, „dhe as nuk dua ta di më. Aq më bën a varroset apo jo.“

Unë do t’i ndërmarr të gjitha masat dhe do ta varros, por, e dini, besoj që edhe unë njëjtë si ju jam i rrezikuar. Nuk po me shohin në sy për të mirë, zonjë.

E vendosën, djali duhej të varrosej në kodrën që ishte afër spitalit dhe mundësisht të bëhej në mbrëmje.

Katër veta po e bartnin kufomën në krah. Meqë djali ishte i zhvilluar dhe zakonisht thuhet se kur vdes njeriu bëhet edhe më i rëndë, i bëri ata që nën hundë ta shanin atë.

Mbase të mos i kishin premtuar mjekut, do ta rrokullisnin kufomën në moçalishtën që ishte krijuar afër spitalit.

Shi kishte rënë gjatë gjithë kohës. Nuk e kishte ndërmend të ndalej. Kjo e bënte edhe më të vështirë bartjen e kufomës. Varrmihësve këmbët po u rrëshqisnin. E menduan disa herë që kufomën ta hidhnin. Zvonko insistonte për të kundërtën pasi mjeku, miku i tij i fëmijërisë, i ishte lutur të mos e bënte një gjë të tillë. Ai e dinte që shumica do ta mundnin për këtë, prandaj ishte kujdesur që ta merrte një armë me vete.

Hej Zvonko, ia bëri Dragani ky djali që po e bartim kishte qenë i bukur e i formuar. E pashë kufomën para se ta nxirrnim. Mjeku e mbështolli me një basmë të bardhë sepse tha kështu i mbështjellin të vdekurit ata. Zvonko, i tha Dragani, kufoma ishte aq e bukur sa më shkoi mendja ta puthja aty në vend, ta mbaja në shpatulla, ta përkëdhelja. Kisha dhe një inat. Pse ky më i bukur se unë. Pata dëshirë të shfrenuar t’ia përdhosë kufomën siç bëri Akili i madh me kufomën e Hektorit. Hektorit të fisëm e të bukur.

Zvonko u rrënqeth, sigurisht Dragani në mendimet e tij më djallëzore do ta tredhte djalin e vdekur.

Shiu s’kishte të ndalur.

Këmbët u rrëshqisnin. Terreni ishte bërë shumë i vështirë. Dragani tha se, edhe pse po i lante shiu atij po i vinte era sikurse një qeni të ngordhur. Shokët e fajësonin Zvonkon për gjendjen. Ai insistonte se ishte e tmerrshme ta varrosnin pa kurrfarë adeti. Milenko të cilit nuk i ishte dëgjuar zëri gjatë tërë natës provokoi duke i thënë Zvonkos se kishin harruar ta thërrisnin një hoxhë.

Hoxha do të vinte apo edhe ai do të kundërshtonte? Jeta është e ëmbël edhe për një hoxhë, apo jo Zvonko? As ai nuk do që të vritet si qeni në rrush. Përveç Zvonkos që i kishte rënë në kokë për këtë djalë vërtet askush nuk do ta varroste në këso kushte. Cili ishte motivi për ta varrosur armikun? Askush s’e mori vesh.

Kur me në fund mbërritën në kodër, i lëshoi fuqia. Bashkë më të ra arkivoli. U thye. Pa bërë shumë zhurmë e rregulluan disi. Filluan hapjen e varrit pa e ditur që kjo ishte puna më e vështirë e asaj nate. Balta po ngjitej për lopate. Djemtë e lutën disa herë Zvonkon ta linin kufomën aty sepse me gjithë ato kufoma që ishin bërë këtë pranverë kush do të merrte vesh për këtë.

Zvonko nuk po dorëzohej. Nuk i mjaftonte vetëm lopata, gropën e hapte edhe me duar. Aty në gropë po ulërinte Dragani. Hektor i bukur, na varrose, ë? Ti qëndron lart e ne jemi poshtë. Në varrin tënd. Për besë Zvonko ai po qesh me ne, i tha. Shikoje bukuroshin se si i ka dalë shpatulla nga basma dhe qesh me ne. Me ne të vdekurit.

S’mund të bëj asgjë, tha Dragani. Gjithçka rreth nesh është shkretuar. Nuk po punojnë më as shtëpitë publike. Kemi frikë po thonë. Nënën ua q… Ato kanë frikë. Nuk kanë frikë të shkojnë me ata si po u thonë forcat speciale e po kanë frikë nga ne. Lekë nuk kemi vëllaçko, për këtë nuk na ofrohen. Për këtë Zvonko, pasi jam mbushur, desha ta përkëdhelja këtë djalin e bukur të cilin ti e do më shumë se mua. Shih sa lart qëndron prej nesh. Mospërfillës.
Ai mbi dhe ne nën të. Është dashur të ishte e kundërta. Unë nuk jam idiot. E di që jemi kurthuar këtu dhe pjesërisht për këtë e kemi fajin vetë. Gjithë kohën po na thonë varrosni tanët mos të mbesin mbi dhe po, xhanëm, çfarë na u desh ky tani. Dragani ishte ndezur, nuk ndalej së foluri.

Me vete kishte një shishe me ujë që të tjerëve iu duk si një thesar në mes të shkretëtirës. Na jep pak ujë, e luti Ivani. E tërhoqi për mënge dhe i tha se gjatë tërë natës ishte treguar i keq me Zvonkon. Ai ia krisi një të qeshure histerike, ndërsa hapi krahun e palltos dhe i tregoi shishen me raki. Do të çmendesha, vëlla, do të çmendesha po të mos ishte kjo, tha me gjysmë zëri e buza po i dridhej. Ende nuk po mund të besoj që nuk na vranë sonte. Dragani mori frymë thellë dhe u hesht.

Zvonko shikoi gropën e madhe. I kujtoi gropën e fëmijërisë në të cilën fshihej për të qenë më afër qiellit. Nga aty nuk mund të shihte asgjë tjetër veç se atë, qiellin, nga një perspektivë krejt tjetër. Ndihej i shkallmuar dhe i vetmuar aty, por në gropë ishte bota e tij. U tremb, mendja i kishte shkuar më larg se ç’duhej, tek vetja.

U ul në baltë. Djersët po i shkonin ballit. Iu kujtua që mjeku i kishte dhënë një letër. Ivani ia futi dorën në xhep me rrëmbim. Për një moment ky u tremb, sepse mendoi që po ia merrte armën. Në letër ke emrin e djalit, vendose në varr, i tha Ivani.

Zvonko u kthjell për një moment. Futi dorën në xhep. Letra ishte aty, por emri ishte fshirë. S’i t’ia bëjmë Ivan? – tha ai. Aq jam i lodhur sa nuk më kujtohet si e kishte emrin, ani pse e shënova me dorën time. Si nuk më shkoi mendja se mund të më fshihej. Çfarë të bëj tash?

Përfundoje cigaren, i tha Ivani. Ivani s’e kuptoi që Zvonko tashmë ishte mundur nga lodhja.

Gjithmonë e kam vuajtur faktin se autoriteti i ushtruar mbi mua ka qenë nga dikush që ka qenë fare idiot. Thua Ivan që kjo është arsyeja që unë jam ky që jam. I druajtur. Të betohem që nëse i teket Draganit të ma marrë revolen, mund ta bëjë për dy sekonda. Kurrë në jetë, Ivan, se kam shkelur as edhe një buburrec. Kam ethe tani, po më shkojnë mornica trupit. Mund ta bësh për mua t’ia marrësh atij një pikë raki. Nuk dua të vdes pa e shijuar vetëm pak. Lutu të mos vdes Ivan, lutu. Dua t’ia mësoj shijen jetës së vështirë. Tani që erdha në grupin tuaj, grupin e varrmihësve dua t’ia ndiej erën jetës së vështirë. Gishtat e mi, duart e mija nuk kanë prekur kurrë dhe. Tani dua ta rrotulloj të tërin vet, t’i gjej viktimat e tjera, t’i varros. Mjaft i keni përdhosur duke i hedhur në moçalishtë, Ivan. Sa mund të kenë qenë më thuaj, 10, 20, 100? Më thuaj, Ivan. Ty ta kam besën, të përbehem në Zot më thuaj, Ivan?

Zvonko kishte të ftohtë, po vdiste nga të ftohtët. Donte të ikte. Por ishin larg, shumë larg. Se kuptonte më ç’iu desh kjo kodër kur mund ta linin në moçalishtë, aty në ujë.

Me gjasë tani i vdekuri është ngrohur, e unë po ngrij, po ngrij si kryq dreqi në fund të janarit – tha ai. S’mund të jemi vëzhgues pasivë– i tha Ivanit. Ti je i arsyeshëm. Ne duhet t’i gjejmë viktimat e tjera dhe t’i varrosim, (duke i kërcitur dhëmbët), dua ta bëj këtë sa më shpejt. Që sonte në mbrëmje. Të marr një fletore, të bëj një plan.

Nën hijen e blirit, në kodrën prej nga shihej i tërë qyteti, e varrosën. Një djalë në të njëzetat e hershme e mbuloi dheu, e kjo të shemb shpirtin. Ai dhe do të qëndrojë me shekuj mbi të. Veç, mos e dhëntë Zoti që dheu të rrëshqasë. Me gjasë nuk do të ndodhë një gjë e tillë, ishin kujdesur që ta varrosin afër blirit që kishte lëshuar rrënjë. Sa mund të jenë të gjata rrënjët e një bliri për besë nuk e di, kurrë kush nuk interesohet për to. Sa mospërfillës që jemi, cektësia jonë tregohet edhe në këtë rast. Mjaftohemi me aromën dhe pamjen e tij të këndshme. Rrënjët çfarë na duhen? Me siguri për të na i ruajtur varret.

I vunë një kryq varrit dhe me kaq përfundoi kjo punë.

……….

Nën blirin që i bënte hije varrit pa emër, nën marramendjen e aromës së këndshme të tij, ne filluam një bisedë. Mbase më seriozja prej kur Maria ka ardhur këtu. Më ishte bërë pjesë e familjes, ani pse shpesh nuk pajtoheshim. Ja, për shembull, si në këtë bisedë që qëlloi të ishte e fundit nga bisedat e gjata që i kemi zhvilluar.

Erdhi fundi, ne po zhvendosemi, më tha ajo.

Si erdhi fundi, çfarë po mendon? – e pyeta unë.

Misioni ka përfunduar, ajo.

Cili mision? Ku ka përfunduar? Këtu apo atje prej nga vjen ti? – unë.

Këtu përfundoi – më tha.

I thashë nëse e kishin kuptuar të vërtetën për ne.

Të vërtetat – ma preu ajo në shumës.

Kemi luftëra të tjera para nesh. Na duhen edhe ca për ta argumentuar tezën tonë – fliste e sigurt ajo.

Cilën tezë? – i thashë unë.

Që lufta është çështje perspektive, ja ku po ta them – ajo.

Edhe Lufta e Dytë Botërore ishte çështje perspektive? –unë.

Ma merr mendja që po – ajo.

Sheh gjëkundi shenja të saj ti? Unë kam udhëtuar në gjithë Evropën dhe nuk pashë gjë, veç hamendësime.

Po të gjitha këto vrasje, tërë kjo dhimbje a nuk mjafton? – unë.

Si pa të keq, u shkëput nga biseda e u përfshi në urgjencat e momentit.

Disponimi më ka rënë për toke, më tha. Më nuk e di çfarë të mendoj. Me të gjithë këta njerëz që kam punë këtyre ditëve kam marramendje. Shumicën prej fakteve jam duke i harruar. Ndihmë nuk pres prej askujt. Nuk kam para për t’i paguar, nuk kam as për vete dhe nuk e di si do t’ia dal. Presionin prej familjes e kam të madh. Po më thonë të gjej një punë për të qenë Maria. Njerëzit e vdekur askujt asgjë nuk i kanë sjellë.

Gjatë gjithë kohës Maria më pati përkrah. As kjo distancë minimale nuk mjaftoi për ta kuptuar që plagët e luftës më përkisnin edhe mua. Isha tepër e lodhur t’ia vë fajin vetes, ta gjykoja si të paaftë për të transmetuar dhimbjen. Me sa duket distanca në mes nesh s’kishte fare lidhje me hapësirën. Ne thjeshtë s’ndanim të njëjtën kohë.

Këtë e gjeta në shënimet e Marisë:

Nuk dyshove kurrë që djalin ta mbytën?

Jo – përgjigja e saj me gjysmë zëri.

Ishte i pashëm, një ushtar i mirë do të bëhej. Se mendove që për këtë ai më nuk është në këtë botë?

Jo – ajo, shkurt.

E kishe të vetmin mbase e menduan të të mundonin me këtë?

Jo – ajo.

Këto janë shënimet për gruan që humbi djalin e saj të vetëm në spital, në atë që mendohej se ishte luftë dhe e cila ishte në vlugun e saj.

Mendoni se ju bëtë punën tuaj në mënyrë profesionale?

Ishte luftë – ai.

E çka ka të bëjë kjo me ju? – Ti nuk je ushtar, je mjek.

Isha mjek në kohë lufte.

Shënim: Djali vdiq në spital, është ndër të vdekurit e thjeshtë, jo viktimë lufte.

Shënim: Në këto hapësira nuk ka pasur luftëra ashtu siç pretendohet. Ndërhyrjet nga të gjitha palët edhe ato ndërkombëtare krijuan bindje te popujt e këtij rajoni që këtu kishte pasur luftë.

Unë me ekipin po zhvendosemi në hapësira të reja. Atje ku mendohet që janë zhvilluar luftime. Jam pa gjumë dhe e turbulluar./

Tregimi “Nën hije”, është përzgjedhur në mesin e tregimeve më të mira të konkursit “Biber”, që këtë vit shënoi edicionin e tretë, që ka karakter garues në nivel rajonal./ KultPlus.com

Kulla në Ankara ndriçohet me ngjyrat e flamurit të Kosovës

Me rastin e 12 vjetorit të pavarsisë së Kosovës, në kullën në kryeqytetin e Turqisë, Ankara, është ndriçuar sot me ngjyrat e flamurit të Kosovës.

Kështu është bërë e ditur në një postim të publikuar në Facebook nga ambasada turke në Kosovë.

“Me rastin e 12-të vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, simboli i kryeqytetit të #Ankara-së, Atakule, u ndriçua sot me ngjyrat e flamurit të Kosovës. Faleminderit Atakule”, thuhet në njoftimin e tyre.

‘Me T’Njofshëm’ vijnë me videoklipin e ri

‘Me t`njofshëm’ e ka lansuar sot videoklipin e radhës.

Kënga ‘Nije’ prej sot ka edhe videoklipin, me regji nga Matko Bulent.

‘Me t`njofshëm’ është grup i zhanrit punk nga Kosova, pjesë e të cilit janë Lis Balaj, Liburn Jupolli, Timur Ibar, Timur Xhabiri dhe Almir Fazlijevic.

Grupi debutoi me album në vitin 2011-të. / KultPlus.com

‘O sot ka festë Kosova, gëzim i madh në zemrat tona’

Në këtë ditë mjaft të rëndësishme për Kosovë, sigurisht se duhet kujtuar edhe sakrificat e së kaluarës, e përmes artit të tilla sakrifica ndonjëherë kujtohen më së miri.

Këngëtarët si Ilir Shaqiri, shembull, kanë sjellë në jetë këngë të cilat tregojnë për guximin e luftëtarëve kosovarë, si në UÇK e poashtu edhe më vonë.

Kënga “Pavarësia” e Ilir Shaqirit është një himn për lirinë e vendit, prandaj edhe sot duhet ta kujtojmë e dëgjojmë këtë këngë që zgjon ndjenja patriotizmi, por edhe krenarie. / KultPlus.com

‘Lotë e gjak deri tek ti Pavarësi’

Poezi nga Nezir Kraki

Pavarësi 

N’fillim donim veç jetë,
Pastaj fjalë t’lirë e mendim,
Më vonë kërkuam liri,
…n’fund luftuam për largim.

Largim pas një shekulli t’zi,
Lotë e gjak deri tek ti Pavarësi.
Por sot s’di çka je, sot dyshoj n’ty,
Nëse ende je mendim, largim e liri,
Atëherë, mos prano gjymtim,
…mos u kthe n’varësi!

Paris, 17 shkurt 2020 / KultPlus.com

‘Shpia e Agës’ dekorohet me katër çmime nga ‘Aswan International Women Film Festival’

‘’Shpia e Agës’’ prej momentit kur për herë të parë është dhënë premierë, nuk ka ndalur së korruri sukses në vend e në botë, shkruan KultPlus.

Tash së fundi, ‘Shpia e Agës’ ka marrur katër katër çmime nga ‘Aswan International Women Film Festival’, në Egjipt.

Ka marrur çmimin për filmin më të mirë dhe regjinë më të mirë, Rozafa Çelaj është shpërblyer me çmimin për aktorën më të mirë dhe çmimin e ‘Filmit më të mirë’, nga Asociacioni Egjiptian i Kritikëve të filmit.

Në rolet kryesore në këtë film janë: Arti Lokaj, Rozafa Çelaj, Adriana Matoshi, Shengyl Ismaili, Melihate Qena, Basri Lushtaku, Rebeka Qena, Molikë Maxhuni, Egla Ceno etj. 

Filmi “Shpia e Agës” është bashkë-prodhim në mes Kosovës, Kroacisë, Francës, dhe Shqipërisë me shtëpitë prodhuese N’ART FILMS mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, bashkëprodhuesit ëOOF FILMS nga Kroacia; Sacrebleu productions nga Franca; si dhe Ska-Ndal Productions dhe SY13 Films nga Shqipëria mbështetur Qendra Kombëtare e Kinematografisë. / KultPlus.com

Me valle e muzikë, festohet 12 vjetori i pavarësisë në sheshin e Prishtinës

Kosova sot shënoi 12 vjetorin e pavarësisë, KultPlus ishte në sheshin e Prishtinës për të parë nga afër dhe për të intervistuar qytetarët të cilët të lumtur festonin këtë 12 vjetor.

“Ma me rëndësi se Kosova për popullin tonë nuk ka, Kosova është jeta jonë”, ishin fjalët e bacës Abdyl, i cili me lotë në sy e me një qese në dorë, ishte nisur nga Ribari i Madh, Goleshi, për të mbërritur në kohë e për ta festuar përvjetorin e pavarësisë së Kosovës, shkruan KultPlus.

Ai kishte ndërruar disa taksi, e kombi për të arritur në Prishtinë dhe për ta përjetuar edhe njëherë lumturinë që e kishte përjetuar edhe para 12 viteve.

“Po vetëm një shtet e kemi! Ju nuk e dini se çfarë kemi hequr ne nga serbët, edhe fëmijët m’i kanë marrë, e si të mos e festojmë këtë ditë të madhe”, ishte shprehur Abdyl Rama.

Ai edhe vitin e kaluar kishte ardhur nga Sarajeva për ta festuar, por tashmë ky vit ishte më ndryshe për të, me qeverinë e re ai shpreson për më të mirën e këtij vendi.

“Do të bëhet mirë për juve, rininë e Kosovës, ju jeni ardhmëria jonë”, u shpreh ai.

E me fytyrë të ngallëzyer, niset për në sheshet e Prishtinës, për të festuar deri në mbrëmje 12-vjetorin e Kosovës.

Nderkaq,  në  sheshet e Prishtinës mbretëronte atmosferë  e madhe festive. Dielli i fortë  rrezonte  mbi fytyrat e lumtura të  qytetarëve të  Kosovës,  zhurma e daulleve degjohej anë e kënd, e flamujt valviteshin mbi qiellin e kaltër, ndërsa vallja kosovare nuk mungonte në  asnjë  cep.

KultPlus kishte ndalur edhe një  qytetar tjetër, Hajdin Hysenin. Me entuziazëm e me një  flamur të  vogël në dorë , ai shihej duke u nisur drejt atmosferës në  sheshin “Zahir Pajaziti”.  Hajdini u shpreh se ky vit e ka gjetur më të lumtur  Kosovën.

“Qeveria e re do të  ndryshojë  Kosovën sepse  së  pari i kanë  vendos  më  shumë  flamujt e Kosovës! Tash jemi të  gëzushëm,  jemi shumë  mirë  dhe do të  bëhet edhe më  mirë ” – thotë  qytetari Hyseni.

E ky 12 vjetor i pavarësisë  së  Kosovës,  si duket po ua mbush shpirtërat me gëzim të  gjithëve që luftuan ta shohin në këtë ditë Kosovën e tyre. / KultPlus.com

Albin Kurti uron 12-vjetorin e Pavarësisë, bën thirrje për punë e ditë më të mira

Kryeministri i Kosovës, ka postuar një video në llogarinë e tij personale në Facebook, ku ka uruar qytetarët e Kosovës për 12 vjetorin e pavarësisë së Kosovës, shkruan KultPlus.

Më poshtë mund të lexoni fjalimin e plotë të Kurtit.

”Urime Pavarësia e Republikës sonë. Viti I 12-të i saj. Pavarësia është përpjekja jonë e vazhdueshme për të cilën puna nuk përfundon asnjëherë. Ajo është ideali përbashkues I brezave para nesh dhe vijon të jetë sfida përpara nesh. Sot Kosova është një hap prapa popullit të vet. Ajo nuk është në ditët e saj më të mira, por populli ka shpresa më të mëdha se kurrë më parë. Shpresa e popullit është detyra jonë. Ne, të gjithë, kemi mospajtimet e dallimet tona, por si qeveri është koha të marrim vendime. Nuk do t’ju shmangemi përgjegjësive, por do t’ju bëjmë ballë atyre. Këto vendime do ta lartësojnë Kosovën në nivel me popullin e saj.  Sepse, detyra e qeverisë është të jetë një hap me popullin, për çfarë i takon dhe e meriton ai. Fisnike e madhështore. E panënshtrueshme dhe e vendosur. Potenciali I polullit të Kosovës ishte shumë më para se kapaciteti I qeverive të deritanishme. Tani do të kemi qeveri e cila do t’I realizojë kërkessat e qytetarëve të saj. Të rinjt tanë tregojnë më shumë suksese jashtë se këtu. Kjo sigurisht që është e dhimbshme, por është edhe shpresëdhënëse. E dhimbshme sepse ajo nuk po zhvillohet këtu, e shpresëdhënëse se do të mund të zhvillohet edhe këtu.

Më lejoni që t’ua uroj edhe njëherë këtë ditë të rëndësishme për vendin tonë. Të bëhemi bashkë e të punojmë për ditë më të mira. Zhvillim ekonomik, pra punësim. Rend e ligj e siguri, pra drejtësi. Arsim dhe shëndetësi, pra mirëqenie. Politika sociale, pra barazi. Politikë e jashte, pra dinjitet. Integrim evropian, pra përparim. Infrastrukturë dhe energji, pra stabilitet. Kulturë dhe sport, pra gëzim, dhe mërgata jonë, pra bashkëpunim. Këto janë prioritetet tona. Gëzofshi përherë me më të dashurit tuaj!  Secili, të gjithë, bashkë!” / KultPlus.com

Dua Lipa uron 12 vjetorin e pavarësisë së Kosovës: Nji komb nji flamur

Artistë shqiptar e tejet të suksesshëm në botë, por që vendin e tyre nuk e harrojnë kurrë. Një ndër ta është edhe këngëtarja Dua Lipa e cila shpesh ka bërë krenarë shqiptarët, shkruan KultPlus.

Sot, në një ditë kaq të rëndësishme për Kosovën, siç është 12 vjetori i Pavarësisë, Dua Lipa nuk ka harruar të uroj shtetin e saj.

Në profilin e saj në Instagram, para fansave nga e gjithë bota, Dua Lipa ka uruara të gjithë shqiptarët për 12 vjetorin e shpalljes së pavarësisë.

“12 YEARS INDEPENDENCE 💙 #njikombnjiflamur”, ka shkruar ajo duke i bashkangjitur edhe dy fotografi më dy flamujt, atë të Shqipërisë dhe atë të Kosovës. / KultPlus.com

https://www.facebook.com/dualipaofficial/photos/pcb.2757482357670997/2757482251004341/?type=3&theater

Hapet ekspozita arkeologjike e autorit Tomor Kastrati

Muzeu Kombëtar i Kosovës organizoi hapjen e ekspozitës me tematikë arkeologjike “Trashëgimia Arkeologjike Adriatiko-Mediteriane në Kosovë” të autorit Tomor Kastrati.

Tematika pasqyron karakterin e përbashkët kulturor të bartësve të ndryshëm nder breza dhe vende, të manifestuar në trashëgiminë materiale në forma të caktuara si stoli, armë, monedha, fortifikime, enë dhurimesh të cilat janë ruajtur dhe promovohen në kuadër të trashëgimisë arkeologjike të Kosovës.

Për vizitorët ofrohen dy paraqitje që i takojnë një tërësie:, artefakte tredimensionale nga fondi ekzistues dhe fotografi arkivore te disa objekteve që në një apo mënyrë tjetër janë marrë dhe nuk janë kthyer më.

Drejtori i Muzeut të Kosovës, Ajet Leci tha se kjo ekspozitë është e veçantë pasi na kujton kohën e lashtë.

“Ekspozita organizohet në ditëlindjen e 12 të Pavarësisë së Kosovës dhe ka një  rëndësi të veçantë se na kujton kohën tonë të lashtë nga koha e neolitit dhe mesjetë falë sakrificave  të brezave nga pavarësia e Shqipërisë 1912 deri në çlirimin e Kosovës 1999 ne sot jemi të lirë”, tha ai.

Autori Tomor Kastrati tha se qëllimi i kësaj ekspozite ka qenë të informojnë opinionin dhe studiuesit me disa informacione interesante  të trashëgimisë arkeologjike

“Ekspozita  arkeologjike trashëgimia është në këtë pjesë jo të plotë e përfaqësuar këtu. kemi paraqitur disa artefakte që j kemi në dispozicion dhe disa qe mungojnë i kemi paraqitur në formë të fotografive. Qëllimi ka qenë t’i njoftojmë opinionin dhe studiuesit me disa informacione interesante të kësaj trashëgimie arkeologjike. Shpresojmë në të ardhmen ta plotësojmë”, tha ai.

Eksponatet e prezantuara i përkasin periudhave te ndryshme kohore që nga Neoliti e deri në Mesjetë dhe janë përzgjedhur nga lokalitete përfaqësuese. / ekonomiaonline /KultPlus.com

Sabile Keçmezi – Basha, laureate e Çmimit për Vepër Jetësore “Azem Shkreli”

Për nder të 12-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit sot mbajti ceremoninë e ndarjes së çmimeve për letërsi për vepër jetësore dhe çmimet tjera vjetore për vitin 2019, shkruan KultPlus.

Ceremonia u mbajt në kabinetin e ministres Vlora Dumoshi.

Juria profesionale e cila ka bërë vlerësimin ka vendosur që çmimet t’u ndahen si vijon:

1.      Çmimi Kombëtar Letrar për vepër jetësore “Azem Shkreli” ju nda Sabile Keçmezi – Basha;

2.      Çmimi për veprën më të mirë në prozë “Anton Pashku” shkoi për Rrahman Paçarizin për veprën “Shtatë udhë” dhe Albina Idrizin për veprën “Përsëri mars”;

3.      Çmimi për veprën më të mirë në poezi “Ali Podrimja” ju nda Xhevdet Bajraj për vëllimin “Kur qajnë hardhitë” dhe Nexhat Rexha për vëllimin “Duke kërkuar hijen tënde”;

4.      Çmimi për veprën më të mirë në kritikë letrare dhe eseistikë “Ibrahim Rugova” shkoi për Berat Daka (Armagedoni) për studimin “Dramat e Qosjes”;

5.      Çmimi për veprën më të mirë të përkthyer në gjuhën shqipe dhe anasjelltas “Pjetër Bogdani” shkoi për Isa Memishi për përkthimin e romanit“Guaska” të Mustafa Halifas; dhe

6.      Çmimi për veprën më të mirë për fëmijë e të rinj “Vehbi Kikaj” ju nda Januz Fetahaj për veprën “Libri i përrallave të gjyshit”.

Gjatë kësaj ceremonia, ministrja Vlora Dumoshi u zotua që do të punojë më shumë që letërsinë tonë ta çojnë përpara.

“Do të punojmë më shumë dhe do qëndrojmë prapa si Ministri e Kulturës që letërsinë tonë ta çojmë përpara sepse nuk ka më të bukur sesa letërsia jonë”, tha Dumoshi/ KultPlus.com

Rita Ora me ”Shine Ya Light” uron në gjuhën shqipe 12 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

Këngëtarja kosovare me famë botërore, Rita Ora ka uruar 12 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, shkruan KultPlus.

Ajo ka shpërndarë këngën “Shine Ya Light”, videoklipin e secilës e kishte xhiruar në Kosovë.

Poshtë videos ajo uron përvjetorin e Pavarësisë së Kosovës në gjuhën angleze dhe atë shqipe: Urime 12 vjetorin Kosova jonë, shkruan Rita Ora. / KultPlus.com

https://www.facebook.com/RitaOra/videos/632080034236329/

“Kosova në arkivin e shtetit shqiptar”, ekspozita që solli rrugëtimin e Kosovës deri te ardhja e pavarësisë

Në 12-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës dhe Arkivi i Shqipërisë organizuan ekspozitën “Kosova në arkivin e shtetit shqiptar”.

Në këtë ekspozitë u shfaqën dokumente origjinale që nga periudha e vitit 1912, dokumente me pjesëmarrës nga Kuvendi i Vlorës , të dhëna të personaliteteve të ndryshme shqiptare dhe të dhëna për komunitetin Kombëtar për mbrojtjen e Kosovës.

Bedri Zyberaj, kryeshef ekzekutiv i Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, tha se dikur arkivat kanë qenë të paqasshme për qytetarët.

“Gëzuar 17 shkurti dita e Pavarësisë së Kosovës. Arkivat dikur kanë qenë institucione pak sa mistike të paqasshsme për qytetarin e thjesht, por me kalimin e kohës, ato tani i nënshtrohen një koncepti të ri, më i hapur”.

Zyberaj shtoi se në të ardhmen planifikojnë që këto dokumente t’i botojnë.

“Në të ardhmen planifikojmë këto dokumente t’i bëjmë botime të ofrohen kushte që qytetarët të kenë qasje në këto të dhëna”, theksoi ai.

Elsa Saka, përfaqësuese nga Arkivi i Shqipërisë, tha se është e lumtur që kanë sjellë nga arkivi i shtetit një shekull të ruajtës së memories së përbashkët kombëtare, transmeton Klan Kosova.

“Jam e emocionuar që në këtë datë të shënuar për Kosovën dhe Shqipërinë ndodhem para jush bashkëpunimin me arkivat e Kosovës është përhershëm e lumtur që nga arkivi i shtetit kemi sjellë një shekull të ruajtës se memories tonë të përbashkët. Të gjitha këto materiale mund t’i keni akses edhe nga Kosova nga faqja jonë online”, tha ajo

Ndërsa, drejtori i Muzeut të Kosovës, Ajet Leci, tha se kjo ekspozitë është domethënëse pasi paraqet rrugëtimin deri te ardhja e pavarësisë se Kosovës.

“Kjo ekspozitë paraqet rrugëtimi tonë të përbashkët për të ardhur nga deri të 17 shkurti i vitit 2008 kjo ekspozite domethënëse qe secili dokument ka rëndësi të veçantë për rrugëtimin tonë në kohë të ndryshme”, tha ai. / KultPlus.com

‘Edhe baltën që ma ke, fort ta dua o atdhe’

Grupi “TNT” i formuar në Mitrovicë në vitin 1974 është njëri nga grupet e para të muzikës rok në Kosovë.

Ata sollën një frymë të re në muzikën shqipe, me tekstet të gërshetuara me zërin unik të vokalistit Ferki Shala, shkruan KultPlus.

“TNT” si grup u identifikua me muzikën e zhanrit pop-rok, duke kombinuar nganjëherë edhe muzikën popullore.

Në repertuarin e tyre, “TNT” numëron një numër të madh këngësh të cilat kanë mbetur të popullarizuara sot e kësaj dite, dhe të kënduara edhe nga artistët e tjerë shqiptarë.

Formacioni i parë i grupit kishte në përbërje Ferki Shalën si vokalist, Murat Shabanin bateristë, Urim Koshin saksafonist, dhe Nexhat Maculën sintisajzerist.

Disa nga këngët më të famshme të tyre janë: “E mallkoj”, “Moj bjondinë”, “200 ditë”, ”Le të qeshin sytë e tu “Këto ura”, e të tjera…

KultPlus, jua sjell këngën “Këto ura” të këtij grupi, që është ndër më të famshmet, e cila u këndua e rikëndua nga shumë artistë tjerë.

Bashkangjitur gjeni videon dhe tekstin e këngës. /KultPlus.com

Këto ura

I ëmbli o atdhe, o atdhe
Në zemër ty të kem, veç ty të kem
Se pa ty s’jeton njeri
oo në kafaz nuk ka liri
Se pa ty s’jeton njeri
o në kafaz nuk ka liri

Këto rrugë e këto ura
Këta fëmijë e këta burra o atdhe
Edhe baltën që ma ke
Fort ta dua o atdhe

Valvitu o flamur, o flamur
Në zemër ty të kem, veq ty të kem
Se pa ty s’jeton njeri
o në kafaz nuk ka liri
Se pa ty s’jeton njeri
o në kafaz nuk ka liri

Kur shoh shqipen si valon
Zemra ime veç kendon, o veç këndon
Rritu i lumtur në liri o atdhe ti dashuri

Këto rrugë e këto ura
Këta fëmijë e këta burra o atdhe
Edhe baltën që ma ke
Fort ta dua o atdhe.

RrGK bën nderime te varri i Nexhmije Pagarushës për 17 shkurt

Anëtaret e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK) sot më 17 shkurt me rastin e përvjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, bëri homazhe te varri i ikonës kosovare Nexhmije Pagarusha.

Në shenjë nderimi dhe respekti për jetën dhe veprën e Pagarushës, si një grua e fuqishme, anëtaret e RrGK-së vendosën lule te varri i saj në fshatin Pagarushë.

Kujtojmë se në vitin 2015 RrGK për Pagarushën ndau mirënjohje për “Guximin dhe veprat të cilat kanë motivuar dhe fuqizuar vajzat dhe gratë në Kosovë”.

Vepra e saj mbetet frymëzuese sot e përgjithmonë. / KultPlus.com

Osmani: Sot na duhet patriotizëm institucional, të zotohemi që do ta mbrojmë çdo pëllëmbë të Kosovës

Kuvendi i Republikës së Kosovës mbajti seancë solemne për Ditën e Pavarësisë.

Të pranishëm janë udhëheqësit shtetërorë, përfaqësues të familjes Jashari, familjes Rugova dhe të ftuar ndërkombëtarë e vendës.

Seanca ka nisur me intonimin e himnit të shtetit. 

E pranishme në këtë seancë nuk është Lista Serbe.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se sot flamuj të vegjël e zemra të mëdha valëviten në të gjitha komunat e Kosovës.

Ajo ka thënë se sot Republika e Kosovës ka moshën e fëmijëve të pavarësisë të cilët sot ishin të pranishëm në seancë.

“Sot Kosova jonë jo vetëm që frymon e lirë por edhe po krijon imazhin e ri duke i ofruar vlera edhe botës. Xhudistët e kanë skalitur emrin e Kosovës në qindra piedestale. Ata na kanë bërë të qajmë nga gëzimi e të qeshim nga lumturia. Artistët janë duke na bërë të njohur në botë, kanë bërë që shteti i Kosovës të duhet nga të gjithë. Sukseset e studentëve në botë kanë dhënë shpresën që ky vend të shkëlqejë”, ka thënë ajo.

Ajo ka kujtuar brezat që punuan për lirinë e vendit dhe pavarësinë.

Osmani e ka kujtuar edhe ish-presidentin Ibrahim Rugova derisa e ka quajtur ikonë të shtetit.

“Kujtojmë heronjtë tanë që sakrifikuan gjithçka, kujtojmë familjen Jashari që u sakrifikua e u bë dritë për ne dhe gjithë brezat që vijnë. Kujtojmë të gjithë dëshmorët dhe heronjtë. Mendojmë çdo ditë e çdo natë bashkë me nënat e të pagjeturve. Kujtojmë të gjithë martirët”, ka thënë ajo.

Osmani thotë se rrugëtimin deri në pavarësi e bënë bashkë me miqtë ndërkombëtarë.

“Ne sot i lusim ata që të qëndrojnë bashkë me ne e pranë nesh në jetësimin e vullnetit të qytetarëve, në zhvillimin ekonomik e integrimin evropian. U jemi mirënjohës SHBA-së me të cilët ruajmë miqësi të hershme e të përhershme”, ka thënë ajo.

E para e Kuvendit ka thënë se pavarësia e Kosovës e ka vulosur fatin e vendeve të rajonit.

“Qytetarët sot ëndërrojnë për zhvillim ekonomik. Së bashku me institucionet e vendit duhet t’i përmbushim dëshirat e tyre. Sot Kosova është e vendosur më shumë se kurrë që të integrohet në bashkësinë e popujve evropian. Ne do ta thellojmë përpjekjen për shtetndërtim, prandaj sot na duhet një patriotizëm institucional. Sot duhet të zotohemi që ta forcojmë shtetin e Kosovës, të zotohemi që do të mbrojmë çdo pëllëmbë të Kosovës dhe të dëshmojmë që 17 shkurti është i pakthyeshëm e i pacenueshëm”, ka thënë ajo.

Pas përfundimit të fjalës së kryeparlamentarës, Kuvendi i Kosovës ka mbyllur punimet. / Koha.net / KultPlus.com

Unë, biri yt Kosovë

Poezi nga Ali Podrimja

Unë biri yt, Kosovë, t’i njoh dëshirat e heshtura, 
t’i njoh ëndrrat, erërat e fjetura me shekuj, 
t’i njoh vuajtjet, gëzimet, vdekjet, 
t’i njoh lindjet e bardha, caqet e tua të kallura;
ta di gjakun që të vlon në gji, 
dallgën kur të rrahë netëve të pagjumta, 
e të shpërthejë do si vullkan, 
më mirë se kushdo tjetër të njoh, Kosovë, 
Unë, biri yt.


Kurti për herë të parë bën homazhe te varri i Rugovës, vlerëson përpjekjet e tij për liri dhe pavarësi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe kryetarja e Kuvendit Vjosa Osmani kanë bërë homazhe te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se e vlerëson përpjekjet profesionale dhe insistuese të ish-presidentit Ibrahim Rugova për pavarësinë e Kosovës.

“Sot teksa shënojmë dhe festojmë përvjetorin e 12 të pavarësisë kujtojmë presidentin e parë të Kosovës të zgjedhur me votë popullore me 24 maj. Një dekadë më vonë në Kuvendin e Kosovës Rugova zgjidhet president i Kosovës kësaj radhë në Kosovën e çliruar. Në një ditë si kjo vlerësojmë përpjekjen insistuese dhe profesionale, angazhimin politik për lirinë dhe pavarësinë”, ka thënë ai.

Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, ka thënë se ishin për të bërë nderime te varri i ish-presidentit Rugova dhe për të ndërruar kontributin e tij.

Është kjo hera e parë që kryeministri Kurti bën homazhe të varri i Rugovës. Refuzimin e Kurtit për të shkuar të varri i Rugovës, eksponentë të LDK-së e kishin përmendur si një prej arsyeve për dështimin e negociatave për koalicion parazgjedhor. / KultPlus.com

Rushiti: Është momenti i fundit që shoqëria jonë t’i tejkalojë paragjykimet ndaj të mbijetuarve të dhunës seksuale

Çdo 17 shkurt monumenti ‘NEWBORN’ tradicionalisht ia përçon një mesazh gjithë botës nga Kosova në Ditën e Pavarësisë së saj, duke e ndryshuar dukjen, e ndonjëherë edhe formën, shkruan KultPlus.

Natyra e mesazhit të përçuar duhet ta përfshijë medoemos Kosovën si pjesë të pandashme të rruzullit, duke prekur çështje që shqetësojnë si vendin tonë, ashtu edhe botën që bashkëndajmë.

Deri më tash ‘NEWBORN’ ka shprehur vizualisht mirënjohje botës për ndihmën e dhënë ndaj Kosovës për ta kapërcyer shtypjen, ka nxitur lirinë e shprehjes, ka bërë thirrje kundër izolimit dhe ndërtimit të mureve në vend të urave, si dhe e ka ngritur vetëdijesimin për çështje mjedisore dhe për ngrohjen globale.

Sivjet ‘NEWBORN’ synon ta prekë një çështje fort të ndjeshme dhe shpesh të lënë mbas dore: viktimat e përdhunimit gjatë konfliktit dhe gjithë mundin e tyre për t’i kapërcyer vuajtjen dhe poshtërimin e përjetuar.

Nuk ka pothuajse asnjë komb a shtet, gjatë gjithë historisë së njerëzimit, që të mos jetë përballë me këtë çështje të paktën një herë. Sot që konfliktet përndizen nëpër vende të ndryshme, viktimat e tyre kryesisht femra vazhdimisht përdhunohen, ose pas konfliktit i vuajnë paragjykimet dhe vështirësitë e të pranuarit në shoqëri.

Drejtoresha e Qendrës për Rehabilitim të Viktimave të Torturës së Luftës, Feride Rushiti  ka realizuar sot një fotografi TEK monumenti NEWBORN i cili këtë vit ju dedikohet viktimave të abuzimit seksual.

Në publikimin e kësaj fotografia, Rushiti ka përçuar edhe një mesazh. Ajo kërkon që ky të jetë momenti i fundit që shoqëria jonë t’i tejkalojë paragjykimet dhe cilësimet e padrejta karshi kësaj kategorie shoqërore.



KultPlus ju sjell postimin e plotë të Feride Rushitit:

#NEWBORN2020 – Lindja e një të ardhme për të mbijetuarat e dhunës seksuale nga koha e luftës në Kosovë.
Sot, 12 vjet më parë u jetësua ëndrra e kamotshme e shqiptarëve të Kosovës për shtet të pavarur. Ky rrugëtim shumëshekullor, përveçse i mundimshëm ishte po aq i dhimbshëm. Shumë vuajtje e sakrifica na shoqëruan përgjatë çlirimit. Monumenti #NEWBORN, i cili simbolizon lindjen e shtetit te #Kosovës, e që njëherësh është edhe lindje e shpresës për një jetë të re, këtë vit i dedikohet një kategorie të veçantë shoqërore –
#tëMbijetuarvetëDhunësSeksuale nga koha e luftës. Përfundimi i luftës në Kosovë dhe shpallja e Pavarësisë, thuajse vetëm për këtë kategori të ndjeshme shoqërore nuk shënoi fillimin e një jete të re, në fakt përfundimi i luftës për to/ta solli fillimin e një vuajtje të re, asaj të nëpërkëmbjes , përbuzjes e fajësimit për diçka që më së paku do të mund të fajësoheshin.
Është momenti i fundit që shoqëria jonë t’i tejkalojë paragjykimet dhe cilësimet e padrejta karshi kësaj kategorie shoqërore.
Kësisoj, NEËBORN tërësisht ju dedikohet #viktimave – të mbijetuara të dhunës seksuale të luftës!
#BëhuZëriIM
#BeMyVoice
Vasfije Krasniqi Goodman
Shyrete Tahiri Sulimani
KRCT – Kosova Rehabilitation Centre for Torture Victims
QPDG – Qendra për Promovimin e Drejtave të Grave
Medica Gjakova
Medica Kosova
Rally For Her Justice
#justiceforall.”

Vizualisht, këtë vit ‘NEWBORN’ është ngjyrosur kryesisht në të zezë, duke përfaqësuar shkatërrimin dhe zbrazëtinë që lë mbrapa secila luftë. Germa “Ë” është mbuluar me elemente shprese e lirie në forma të ndryshme lulesh, zogjsh e fluturash, që përfaqësojnë karakterin e brishtë, por megjithatë të rimëkëmbshëm të të gjitha viktimave që mbijetojnë dhe i jetësojnë përpjekjet së bashku, ndërsa format depërtojnë përtej W-së (War [Lufta], Women [Gratë], World [Bota]).

Shpërthimi i pozitivitetit dhe i shpresës shtrihet te germat e afërta E dhe B, duke u përhapur edhe nëpër germat e tjera për ta përfaqësuar të vërtetën e ngadaltë, por të pashmangshme se e mira do të ngadhënjejë.

Secila prej germave të zeza përmban edhe rrëfime të shkurta prekëse ose fjali të mbledhura nga viktima anembanë botës, në shqip e anglisht. Këto copëza janë botuar më parë, duke përshkruar përjetime të tmerrshme dhe kujtime të hidhëta. / KultPlus.com