Kim Filbi, anglezi i privilegjuar që u bë tradhëtar i kombit

Anglezët mund të krenohen në mënyrë të arsyeshme për arritjet reale dhe të qëndrueshme në 3 fusha të veçanta të përpjekjes njerëzore:fjalorët e anglishtes, rrobaqepësi, dhe në tradhëti kombëtare. Tradhtia është një dukuri po aq e vjetër sa edhe historia.

Por tradhtitë seriale të së ashtuquajturës “Peshëshja e Kembrixhit” para, gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore janë unike, dhe padyshim poshtëruese për krenarinë kombëtare të britanikëve. Pesë të rinj, anëtarë të privilegjuar dhe të arsimuar të elitës britanike, vendosën për një arsye

ose tjetrën të bëhen spiunë ose agjentë të dyfishtë për llogari të Rusisë Sovjetike: Gai Barxhes, Donald Maklin, Xhon Keirkros, Entoni Blënt dhe natyrisht, tradhtari më i madh i të gjithë atyre, Kim Filbi.

Rasti i Blënt është shumë intrigues në vetvete. Ai ishte jo vetëm një agjent i dyfishtë sovjetik, por u ngjit në majën e establishmentit britanik:u bë kreu i Institutit Kërtold, dhe mori titullin Kalorës. Në një farë mënyre, Blënt është një shembulli i përsosur i hipokrizisë angleze.

Siç shprehet Hamleti “dikush mund të të buqeshë pafundësisht, dhe prapë të jetë i lig”. Nga ana tjetër, Harold Adrian Rasëll Filbi (Shkolla Uestminster and Kolegji Triniti, Kembrixh), i njohur më së shumti me pseudonimin e tij “Kim”, ishte pa dyshim se një nga agjentët më të suksesshëm të dyfishtë që ka parë ndonjëherë historia.

Detajet mbi dëmet që ai shkaktoi në 3 dekadat e tradhtisë së tij nga vitet 1930 deri në vitet 1960, kanë hyrë tashmë në analet e historisë së spiunazhit. Por njeriu dhe miti Filbi, duket se bëhet gjithnjë e më i madh në kujtesën popullore të inteligjencës britanike.

Ka diçka në lidhje me natyrën e tij, dhe mënyrën se si arriti t’ua hidhte të gjithëve, që është tërësisht bindëse, dhe që shkon përtej një spiunazhi të thjeshtë. Rasti i Kim Filbit, duket se na tregon diçka të thellë mbi veten dhe vendin tonë, dhe nga e cila siç duket nuk kemi ende të ngopur.

Investigimi i ri i Ben Mekintajër mbi rastin e super-spiunit, përbën një kontribut jashtëzakonisht tërheqës mbi rastin “Filbi”. Mekinjatër zgjedh ta analizojë Filbin dhe aktivitetet e tij përmes thjerrëzave të një miqësie; miqësisë së ngushtë me bashkëpunëtorin e tij operativ në MI6, Nikolas Eliott (1916-1994).

Eliott dhe Filbi, e nisën bashkë jetën e tyre si spiunë, dhe e kryen atë profesion për dekada. Eliot ka pretenduar gjithnjë pafajësi për atë çka bëri miku i tij. Por, si për ironi, ai ishte i pranishëm në momentin e dezertimit të Filbit në Moskë, dhe në fakt mund ta ketë organizuar atë. Më pak fjalë, historia e spiunazhit të Filbit ndjek këtë trajektore.

Ai u rekrutua zyrtarisht si agjent rus nga Arnold Dojç në vitin 1934. Filbi ishte në atë kohë vetëm 22-vjeç. Motivi i të riut Filbi aso kohe ishte dukshëm ideologjik. Ai besonte absolutisht në kauzën e komunizmit, si e vetmja mënyrë përmes së cilës mund të luftohej fashizmi.

Si gazetar, ai punoi fshehurazi për shërbimin sovjetik të sigurisë NKVD gjatë Luftës Civile Spanjolle (çuditërisht, u dekorua edhe nga Francisko Franko). Problemi me këtë pozicion intelektual, ishte se për çdo qenie njerëzore të ndjeshme, ai qe moralisht i paqëndrueshëm me shpalljen e paktit nazisto-sovjetik të vitit 1939, që e ndau Poloninë.

Njëkohësisht, peshorja dukej se po zhbalancohej në sytë e simpatizantëve komunistë britanikë:Rusia e Stalinit, nuk ishte shteti utopik i punëtorëve që ëndërrohej. Kjo do thotë se edhe nxitja ideologjike për të tradhtuar vendin tënd, nuk është aq vendimtare.

Kur shohim veprimtaritë e spiunëve të Kembrixhit pas vitit 1939, besojmë se duhej të ekzistonin motive të tjera. Dhe këtu besoj se qëndron edhe “çelësi” i interesit të qëndrueshëm të Filbit mbi Bashkimin Sovjetik. Atëherë pse tradhëtoi ai? Si mundi të duronte presionet e mëdha e të paimagjinueshme të një jete të dyfishtë gjatë viteve 1933-1963, kur më në fund dezertoi në Bashkimin Sovjetik? Ky është misteri që gjendet në zemër të dosjes ‘Kim Filbi’. Ai pati një aktivitet të zbehtë klandestin pas Paktit Molotov-Ribentrop.

Por sapo u rekrutua në Shërbimin e Inteligjencës Sekrete Britanike (SIS) në vitin 1940, Filbi u kontaktua sërish nga rezidenti i shërbimit sekret sovjetik në Londër, duke e rifilluar jetën e tij si një agjent i dyfishtë. Kim dha informacione të dobishëm gjatë dhe menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore.

Por periudha e tij më me vlerë për rusët, filloi kur ai u dërgua në Uashington në vitin 1949 për të shërbyer si sekretar i parë i ambasadës britanike atje. Në kryeqytetin e SHBA-së, ai ishte në gjendje të furnizonte sovjetikët me materiale të çmuara në lidhje me aftësitë bërthamore të Amerikës, si dhe mbi aktivitetet e CIA-s.

E megjithatë ajo ishte periudha kur rrezikoi më shumë. Miqësia e Filbit me tradhtarët e tjerë Gai Barxhes dhe Donald Maklin (rekrutimin e të cilëve ishte ai qe e kishte nisur), e vendosi atë në një qendër të vëmendjes, kur dy këta të fundit dezertuan në Rusi në vitin 1951.

Gjithsesi, edhe pse u ngritën dyshime dhe Filbi u mor disa herë në pyetje, konsensusi në SIS ishte se Kim nuk mund të punonte për palën tjetër. Por, presioni ishte i tillë sa që ai u detyrua të jepte dorëheqjen. Ndoshta suksesi i tij si një agjent i dyfishtë, erdhi në tetor 1955 kur Ministri i Jashtëm britanik Harold Makmilan, e shfajësoi atë, duke deklaruar në Dhomën e Komunëve: “Unë nuk kam asnjë arsye të besoj se zoti Filbi ka tradhtuar në çdo kohë interesat e vendit të tij”. Vetë Kim mbajti një konferencë shtypi, duke pretenduar se ai “nuk kishte qenë kurrë komunist”.

Filbi iu kthye zanatit të vjetër të gazetarit, duke përfunduar në Beirut të Libanit si korrespodent për “The Observer” dhe “The Economist”.

Përvoja dhe mbulimi i tij si gazetar, u cilësuan shumë joshëse nga SIS, dhe ai u ri-rekrutua në shërbimin sekret. Një ndihmë të madhe, i dha një nga miqtë e tij më të vjetër në shërbim, Nikolas Ellot. Filbi rifilloi punë. Por deri atëherë, një seri dezertimsh në Bashkimin Sovjetik, po tregonin gjithnjë e më shumë se Filbi ishte “njeriu i tretë”, kryetradhtari në gjirin e shërbimit sekret britanik.

Alkoolizmi i Filbit, nisi të tërhiqte akoma më shumë vëmendjen mbi të. Nikolas Eliot u dërgua për ta marrë në pyetje Filbin, dhe për t’i nxjerrë një rrëfim. Eliot i ofroi imunitet, në këmbim të të gjitha detajeve të aktiviteteve të tij spiunazhi për rusët. Por Filbi heshti, dhe teksa Eliot priste që të kishte edhe një takim tjetër më të, ai u arratis duke u fshehur në bordin e avioni rus mallrash që shkonte në Odesa të Ukrainës.

Ishte viti 1963. Jeta e tij e dyfishtë mbaroi. Libri është gjithnjë e më intrigues, pasi mbart një dëshmi nga Xhon Lë Kare. Në fund të viteve 1980, ai pati një seri takimesh konfidenciale me Eliot, gjatë të cilave mori shënime të bollshme, të cilat i vuri në dispozicion të Mekintajër për këtë libër.

Ai arriti në përfundimin se arratia e Filbit, nuk ishte aspak një dështim i SIS. Në fakt, vetë shërbimi sekret britanik dëshironte që Filbi të dezertonte. Për të gjithë palët e interesuara, ishte më mirë që Filbi të ikte në Moskë sesa të gjykohej në Londër, pasi gjyqi mbi tradhëtinë e tij që nga viti 1941, do të ishte një poshtërim shumë i madh kombëtar.

Nga ana tjetër nga Moska, dëshmitë e Filbit mund të hidheshin poshtë si propagandë ruse. Thënë shkurt, Filbi ia hodhi paq pas tradhtisë së tij për kaq shumë vite, sepse kolegët e tij, burra të rangut social dhe arsimimit të tij, nuk mund ta besonin se një anglez i llojit të tij – stereotipisht “simpatik” dhe popullor – do të ëndërronte ndonjëherë të ishte një agjent i dyfishtë për rusët e pacivilizuar.

Gjithsesi mbetet ende kumbuese pyetja ”Përse e bëri?”. Mekintajër jep shpjegime të ndryshme nga ata që e njihnin Filbin:megalomaninë e tij të theksuar, maninë për t’ua hedhur gjithmonë të tjerëve, ose faktin e përzishëm se kur bëhesh pjesë e një loje të rrezikshme, nuk del më dot prej saj.

Supozimi im në rastin e Filbit – që natyrisht s’mund të provohet – është se ai ishte një shembull i dukurie të vjetër, kur ndonjëherë mund të jetë po aq e lehtë ta urresh, po aq sa edhe ta duash vendin tënd. Nëse do të ishit një idealist i privilegjuar i krahut të majtë në vitet 1930, Britania me arrogancën e saj perandorake të shoqëruar me shumë vetë-kënaqësi, mund t’i dukej shumëkujt një vend tepër i çuditshëm.

Filbi e lë të kuptohet këtë gjë në një intervistë për një gazette, pasi dezertoi në vitin 1963. Ai theksoi se “e donte Anglinë”, duke pretenduar se e ndjente veten “tërësisht dhe në mënyrë të pakthyeshme anglez, dhe se Anglia ishte ndoshta copëza më pjellore e Tokës në gjithë historinë e ideve njerëzore”.

I pyetur se përse e kishte tradhtuar në mënyrë sistematike këtë komb, ai tha se kishte ndier një “përbuzje njerëzore për disa fenomene bashkëkohore, që e penguan Anglinë të ishte vetvetja”.

Përdorimi prej tij i termave “anglez” dhe “Angli” – dhe jo “Britani” – është shumë domëthënës, dhe një gjuhë e sinqertë e shtresës së tij. Filbi e quan atë “përbuzje humane”. Por unë mendoj se “përbuzja” në vetvete, shpjegon thuajse gjithçka. /bota.al /KultPlus.com

Kohë të mira, kohë të këqija

Nga: Led Zeppelin

në ditët e rinisë sime
m’ tregonin se çka do të thotë me qenë burrë,
derisa e arrita atë moshë
u përpoqa t’i bëj gjërat sa më mirë
por sado u mundova
në rrugën time u bllokova

në jetën time kam pasur
kohë të mira dhe të këqija,
gruaja më pat lënë dhe qe larguar nga shtëpia
për njëfarë burri me sy t’kaftë
por s’më intereson ajo punë tashmë

16 vjeç kur isha në një vajzë të ëmbël u dashurova,
asaj iu deshën vetëm ca ditë që të shpëtonte prej meje
m’u betua se do t’jetë e imja dhe do të më donte deri n’fund t’jetës,
por kur i pëshpërita në vesh, oh, e humba edhe si mike

e di si është me qenë krejt vetëm,
s’më plas fare çka thonë fqinjët tash,
do të të dua ty
çdo ditë e më shumë,
mund t’i ndjesh rrahjet e forta të zemrës sime,
kuptoje, vogëlushe e ëmbël,
kurrë s’do të jemi pjesë të ndara /bm /KultPlus.com

Aktori Anthony Hopkins: Fama është një “kafshë” e rrezikshme

Fundvitin e shkuar mbushi 83-vjeç, por mbetet po aq i zënë me punë sa dikur. I lindur në Margam të Uellsit në vitin 1937, Anthony Hopkins u punësua në Teatrin Kombëtar Mbretëror në Londër nga Laurence Olivier në vitin 1965. Më pas pati një karrierë brilante në kinematografi. I nominuar plot 4 herë, Hopkins fitoi çmimin “Oscar” për rolin e tij në filmin e vitit 1992 “Heshtja e qengjave”. Ai bisedoi me ne mbi kurthet e famës, kolegët arrogantë, muzikën, dhe hobet e tij të tjera.

Sir Anthony, si reagoni kur njerëzit ju quajnë një legjendë e gjallë e kinemasë?

Ndihem realisht në siklet, dhe u them që të më drejtohen thjesht Toni. Unë nuk jam një legjendë. Jam thjesht një djalë që kam pasur shumë fat në jetë.

Në rregull, fakti që mbeteni modest edhe pas më shumë se 60 viteve karrierë, ju bën akoma më shumë një legjendë. Tek e fundit ju jeni Hannibal Lecter, një nga personazhet më ikonikë të kinemasë botërore…

Jam dakord, por nuk jam një legjendë. Mua më duhet ende të laj dhëmbët në mëngjes, dhe të vesh pantallonat ashtu si çdokush tjetër në këtë botë. Fama është një kafshë e rrezikshme. Që në minutën e parën kur ti fillon të mendosh se je më i veçantë nga të tjerët, ke marrë fund.

Ju jeni ende shumë të zënë me punë, dhe nuk qëndroni larg filmave që operojnë me teknologji të reja, si për shembull “Transformers 5”. Si arrini t’i përshtateni kësaj bote të re të teknologjisë, kur duhet të aktroni përpara makinave dhe ekraneve të gjelbërta?

Oh, ne aktorët aktrojmë kudo. Nuk ka asgjë problem. Ti e mëson pjesën tënde të tekstit, dhe pastaj fillojnë xhirimet. Nuk është aq shumë ndryshe se sa gjithçka tjetër që kam bërë. Gjithçka ka të bëjë me instiktin.

Çfarë ju motivon të vazhdoni të aktroni në këto kohë? Nuk më duket se keni ende nevojë të punoni…

Mua realisht më pëlqen. Aktrimi më mban jashtë telasheve, dhe e mban aktiv trurin tim. Nuk mund të rri ulur në shtëpi, duke mos bërë asgjë në jetën time. Do të vdisja. Këtë e di me siguri.

Dhe tashmë jeni 83-vjeç…

Po dhe mund të gjej ende punë. Për sa kohë që kjo ndodh, unë do të vazhdoj që të punoj. S’ka asgjë më të mirë që mund të bëj, sesa të qëndroj para një kamere dhe të aktroj. Është një nga dhuntitë më të mëdha që më është dhënë ndonjëherë. Dhe ndjehem shumë mirë.

Në të kaluarën jeni shprehur se kur mbaronit së xhiruari një film, kishit frikë se nuk do të thirreshit më për ndonjë rol tjetër. A ka ndryshuar qasja juaj?

Po, tani ndihem pak më i relaksuar. Por m’u desh shumë kohë. Le të jemi të sinqertë, nuk më kanë mbetur edhe shumë vite për të jetuar.

A duhet që aktorët të qëndrojnë të “uritur”, pra shumë kërkues ndaj vetes?

Po, dhe mendoj se kjo gjë është thelbësore për karrierën e tyre. Në të kundërt, ata bëhen të vetëkënaqur, dhe sinqerisht besoj se kjo ndikon negativisht në punën e tyre. Aktorët “e uritur”, dëshirojnë të arrijnë gjëra të mëdha. Unë dua ende të arrij gjëra të mëdha.

Nga ana tjetër, sot çdo minutë e ditës sonë është e planifikuar, kështu që është edhe më e rëndësishme ta shijosh jetën, të ndalesh dhe të shohësh përreth, dhe të mos kesh shumë pritshmëri të mëdha. Dhe unë mundem ta bëj këtë gjë.

A është ky sekreti juaj i suksesit?

Mundet. Unë s’kam pasur asnjëherë shumë pritshmëri për jetën time. Dhe doli të ishte krejt e kundërta. Nuk mund të ankohem. Unë nuk besoj tek arroganca. Nuk është në natyrën time.

A ka shumë aktorë të rinj arrogantë sot?

Shumë herë ndjej që ka. Por atëherë unë u dukem të tjerëve si një plak zevzek, dhe unë s’dua që të perceptohem si i tillë. Kam njohur shumë aktorë dhe aktore të reja shumë profesionistë, por kam takuar edhe disa që nuk po silleshin ashtu siç do të duhej.

Dhe çfarë bëni ju kur ndodh dicka e tillë?

Unë shoh dhe vëzhgoj për njëfarë kohe, dhe pastaj flas. I pyes nëse ata janë të kënaqur kur vijnë në punë, dhe kur aktrojnë në atë mënyrë. I pyes nëse do të donin të trajtoheshin ashtu si i trajtojnë të tjerët, dhe nuk po flas vetëm për aktorët, por për gjithë stafin. Të gjithë meritojnë të trajtohen me dinjitet dhe drejtësi, ashtu si profesionistët e tjerë.

Ju nuk jeni vetëm aktor, pasi pikturoni dhe kompozoni. Çfarë do të thotë për ju muzika?

Oh, është shumë e rendësishme për mua. Më pëlqejnë kompozitorët George Gershëin, Chopin, Franz Liszt. Sot nuk ka më si muzika e tyre. Dhe kjo gjë më trishton. Unë mendoj se ajo lloj muzike i përket një bote tjetër. Dhe kur kompozoj, ndjej mrekullinë e të qenit gjallë, i lumtur, dhe përpiqem gjithmonë të shijoj çdo moment të saj. Më pëlqen që gjithçka ngadalësohet, gjë

që është një ndjenjë e mirë për një burrë të moshuar si unë. Është si një zë i brendshëm që më thotë se gjithçka është në rregull, se jeta në këtë moment është e paqtë.

Ju më impresiononi si një person që nuk ndalet së mësuari, është e vërtetë?

Po, dhe do t’ju them arsyen përse. Ne mund të kemi akses në pjesë të trurit tone, të cilat nuk shqetësohemi t’i përdorim dhe aq shumë. Ju i dëgjoni njerëzit që ankohen shumë se gjithçka është e vështirë, se asgjë nuk është më e lehtë. Ky është një gabim i madh. Unë mendoj se është pozitive që gjërat janë të vështira, dhe që nuk ka një zgjidhje të thjeshtë për çdo problem.

Pse?

Unë u them aktorëve:Mësoni tekstin tuaj, mësojeni atë pa pushim. Ata më thonë që është e mërzitshme. Dhe unë u them atyre, që vetëm nëse vazhdojnë të mësojnë vazhdimisht tekstin,

do ta kuptojnë vërtet thelbin e vërtetë të dijes. Gjërat nuk vijnë asnjëherë lehtë në këtë jetë, nuk ka në çdo rast rregullim të shpejtë të gjërave. Nëse e vështirëson veten, shpërblimi do të jetë edhe më i madh pasi të kuptosh diçka. Duhet disiplinë…

Si e mësuat ju disiplinën?

Nuk jam ndjerë kurrë shumë i zgjuar në shkollë. Pastaj zbulova aktrimin, dhe e kuptova që nëse mësoja, qëndroja i disiplinuar dhe kujdesesha për shëndetin tim, mund të kisha sukses. Kam punuar shumë gjatë gjithë jetës sime, dhe akoma e bëj diçka të tillë.

Cila ka qenë periudha më e vështirë e jetës tuaj?

Ajo kur pija shumë alkool. Për pak sa më vrau. Por ndalova së piri. Jeta është e vështirë. Problemet e personalitetit mund të jenë të vështira. Kam mësuar një proces, për t’i kapërcyer problemet pa konsumuar alkool.

Dhe cili është ai?

Mundohem të mos e marr më gjithçka aq seriozisht. Kjo e bën më të lehtë jetën time. Gjithashtu, unë jam në një moshë kur t’i humbet kohë pas kohe miqtë e tu më të ngushtë, dhe kjo të bën tëa kuptosh se vdekshmëria është diçka e vërtetë. / Sette – Bota.al /KultPlus.com

Kopshtet dhe çerdhet në Korçë gati për t’u rihapur më 1 qershor

Bashkia e Korçës njofton se, ka kryer dezinfektimin e ambienteve të brendshme dhe të jashtme të kopshteve dhe çerdheve si dhe ka marrë të gjitha masave higjieno-sanitare, sipas protokollit kundër COVID-19, duke siguruar rihapjen në 1 qershor.Gjatë një takimi në bashkinë e Korçës me drejtuesit e sistemit parashkollor për të diskutuar mbi rregullat që do të zbatohen, u parashtruan masat përkatëse që konsistojnë në:Hartimin e një grafiku për sjelljen e marrjen e fëmijëve në këto institucione.

Prindërit duhet ta respektojnë me përpikëri.Në hyrje e në dalje të institucionit do të vendoset një higjienizues për duart në trajtë solucioni me përmbajtje aktive të alkoolit 60%. Ai duhet të jetë gjatë gjithë kohës i pranishëm në mënyrë që fëmijët të pastrojnë duart kur të vijnë dhe kur të ikin.Fëmija do të shoqërohet nga një prind i cili do të qëndrojë jashtë ambienteve të institucionit dhe pret në distancë 1/5 metra nga prindërit e tjerë për ta dorëzuar fëmijën tek personeli i çerdhes/kopshtit.

Gjithashtu fëmija do të pritet dhe shoqërohet nga një edukatore e cila e merr fëmijën në hyrje të kopshtit. Në momentin që fëmija hyn në institucion çdo ditë, do i matet temperatura me termometër digjital. Do i pastrohen duart me solucion higjienizues në momentin që hyn në kopësht.Ndërsa rekomandohet që fëmija të shoqërohet nga prindi jo gjyshërit.Nëse fëmija shfaq temperaturë njoftohet prindi për ta marrë menjëherë, përcakton protokolli i masave. /Atsh /KultPlus.com

Infermierja shqiptare që po mahnit shëndetësinë britanike

Çdo të enjtë në orën 20 të mbrëmjës, e tërë Britania ndalon dhe që nga Kryeministri e dëri tek fëmijët e vëgjël bashkë më prindërit, ndërpresin gjithçka dhë dalin në rrugë për të duartrokitur punonjësit e shëndetësisë në shenjë mirënjohje.

Por media britanike dhe ndërkombëtarë ka fiksuar një infermiere shqiptare, pikërisht Nevila Selmanin, e cila po shndërrohet në modelin mediatik të kësaj shëndetësie, punonjësit e së cilës, edhe ata ua kthejnë mirënjohjen e tyre për respektin e publikut britanik.

Edhe pse pandemia e shndërroi Britanine ne “te semurin e Evropes”, britanikët nuk e fshehin, përkundrazi me miliona dalin nëpër rrugë dhe duartorkasin në shenjë mirënjohje për mjekët dhe infemieret dhe për atë që ata po bëjnë në kushte shpesh mjaft të vështira për të përballuar me një kosto të madhe personale dhe me vetëmohim, Covid-in.

Media britanike, por edhe ajo ndërkombëtare ka fiksuar fotografinë e infermieres shqiptare Nevila Selmani, e cila po shndërrohet praktikisht në simbolin e këtij institcioni britanik, në kthimin mbrpasht të respektit dhe mirënjohjes ndaj britanikëve.

Fotot e Nevila Selmanit, dhe ekspresioni i saj fotozhenik, e fiksuar nga fotografët dhe paparacët britanik, shprehin më së miri botën e brendshme dhe mirësinë në formën më të arrirë artistike të asaj që shëndetësia britanike përfaqëson.

Fotot e saj kanë bërë xhiron e botës  ku nga mbulimi i BBC, ITV-s, SKY NEWS, gazetave , The Telegraph, The Guardian, tabloidet The Daily Mail, The Sun, agjensia e madhe e lajmeve Reuters dhe deri ne Kine, tek China Daily. /KultPlus.com

Gjyshja 126 vjeçare me 400 pasardhës mposht koronavirusin

Një grua me më shumë se 100 vjet, me 13 fëmijë dhe rreth 400 nipër dhe mbesa u bë personi më i vjetër në botë që e mposhti koronavirusin në provincën Kahramanmaraş të Turqisë.

Eşe Gebelek, e cila ka 126 vjet sipas të dhënave zyrtare, por që vetë nuk ka asnjë ide për moshën e saj të vërtetë, u shërua nga koronavirusi pas një trajtimi dyjavësh në spital.

“Ata u kujdesën për mua, më trajtuan mirë”, tha Gebelek, duke falënderuar mjekët dhe infermierët në spital.

Hamdullah Gelebek, fëmija më i vogël i “Granny Eşe”, tha se ushqimi organik është sekreti i nënës së tij për një jetë të gjatë, shkruan Hurriyet.

“Ajo ka parë edhe fëmijët e nipërve dhe mbesave të saj. Ajo zyrtarisht ka 83 nipër e mbesa. Megjithatë, nëse numëroni edhe fëmijët e tyre, numri do të ishte rreth 400. ”

“Ajo kaloi një javë në njësinë e kujdesit intensiv dhe një javë tjetër në dhomën e spitalit. Pasi u larguam nga spitali, ne e mbajtëm të izoluar për dy javë të tjera. Tani ajo është mirë”, tha Meyrem Gelebek, një nga nuset e Eşe Gebelek.

“Falë qumështit, kosit dhe djathit që ajo ka ngrënë tërë jetën e saj, ajo nuk ka probleme të tjera shëndetësore”, shtoi ajo.

Para Eşe Gebelek, një grua 113 vjeçare në provincën verilindore të Spanjës të Gironas ishte personi më i vjetër që mundi virusin, sipas të dhënave zyrtare.

Supertalentja shqiptare mahnit jurinë me lëvizjet e saj në “Das Super Talent Germany”

Padyshim që shpeshherë pasioni dhe ëndrrat lindin bashkë me ne,siç është edhe rasti i Keisi Bardha, akrobatja shqiptare e cila vetëm 8 vjeçe është bërë pjesë e një shfaqje mjaft të njohur në Gjermani sic është Das Super Talent, transmeton albinfo.ch.

Në Gjermani, voglushja 8-vjeçare Kejsi Bardha, në shfaqejn e saj, bëri bujë në mediat gjermane, për lëvizjet e veçanta të saj.

Mamaja e saj Manjola Bardhi është mjaft krenare për të, pasi vetëm në një vit, ajo ka arritur të prekë një skenë të madhe në një vend të huaj:

Mori tre po-të, por nuk arriti të kalojë në finale në fakt, sepse gara ishte shumë e fortë, por për ne ishte një medalje shumë e mirë kjo për t’u përfaqsuar më pas, për t’u njohur pak. Të vish në një vend të huaj, ku nuk të njeh mirë, dhe direkt në një skenë të madhe sic është super Talent, Sara(juria) I tha bravo. Kishim pak muaj që kishim ardhur dhe me shumë vështirësi nga gjjuha arritëm të dalim në skenën e madhe’ thotë ajo.

Ndërsa Kejsi tregon ndër të tjera, për shfaqjet e saj në Shqipëri dhe emocionet që ka përjetuar gjatë performancës së saj.

Por Manjola Bardhi shprehet e zhgënjyer nga mundësitë që i ofron Shqipëria, fëmijëvë të talentuar si Kejsi, ndërsa ka shpresa se në Gjermani talenti i saj do të vlerësohet më shumë.  /Albinfo.ch / KultPlus.com

Ministrja Bajrami: Çerdhet dhe shkollat nuk do të hapen

Të vegjlit dhe nxënësit edhe për një kohë të pacaktuar do të qëndrojnë në shtëpi. Ata do të vazhdojnë të ndjekin mësimin online nga shtëpia ndërsa për të vegjlit do të kujdesën akoma prindërit e tyre.

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik (IKShPK) nuk kanë vlerësuar pozitivisht hapjen e çerdheve dhe shkollave.

Ministrja e Arsimit, Hykmete Bajrami në një përgjigje për Gazetën Insajderi ka treguar se mbrëmë ka mbajtur një takim me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia dhe kryetarin e IKShPK-së, Naser Ramadanin ku është propozuar që mos të hapen ende çerdhet dhe shkollat.

“Kemi presion edhe nga prindërit se kur do të hapen çerdhet dhe shkollat andaj edhe mbrëmë kemi mbajt një takim me ministrin e shëndetësisë dhe me Institutin e Shëndetësisë, mirëpo nuk kemi marr ndonjë përgjigje pozitive ata janë kundër hapjes së shkollave dhe çerdheve për shkak se afërsia është shumë me njëri-tjetrin, kujdestaret e çerdheve duhet të kenë kujdes ndaj tyre t’i ushqejnë ata kështu që në këtë aspekt jemi shumë skeptik, për shkak të mbajtjes së distancës dhe mbajtjes së masakve, kështu që nuk kam ndonjë përgjigje se kur do të hapen”, ka thënë Bajrami për Insajderin.

Bajrami ka bërë të ditur se ministri Vitia ka propozuar që të bëhet një vlerësim për gjendjen me COVID-19 në vend dhe se a mund të kalohet në fazën e tretë.

“Mirëpo gjatë takimit me propozim të ministrit Vitia dhe Naser Ramadanit kemi vendos për të pritur deri me 29 maj sepse prej 25 deri 29 duhet bërë një vlerësim për gjendjen nëse mund të kalojmë në fazën e tretë apo të bëjmë hapa prapa”, ka treguar Bajrami.

Gazeta Insajderi ka provuar të marr një përgjigje edhe nga instituti i shëndetit mirëpo kanë qenë të pacasshëm.

Hapjen e çerdheve e ka kërkuar edhe i pari i Prishtinës, Shpend Ahmeti.

“Sugjeroj që çerdhet të jenë të parat që hapen, jo që ka dallim të madh të shkollave por meqenëse njerëzit punojnë ka filluar hapja e kompanive. Po ashtu,  siç kanë vendos edhe shtetet skandinave të Evropës, njëherë janë hapur  klasat 1-5 ku edhe mundësia e përhapjes së virusit është më e vogël, ku na jep kohë që ngadalë të rihapim krejt Kosovën”, ka thënë Ahmeti.

Përpos cerdheve në Kosovë janë mbyllur edhe shkollat.

Nxënësit kosovarë që nga 23 marsi i këtij viti, mësimet nuk po i ndjekin në bankat shkollore mirëpo përmes televizionit. Kjo masë është ndërmarrë nga MASHTI për shkak të gjendjes me coronavirus në Kosovë, në mënyrë që nxënësit të mos humbin nga procesi mësimor.

E vazhdimi i mësimit në distancë është paraparë të zgjasë deri në përfundim të këtij viti shkollor.

Viti shkollor 2019/2020 për nxënësit e klasave 9,10 dhe 11 përfundon më 11 qershor 2020, kurse për nxënësit nga klasa e 1-8 përfundon dy javë më vonë më 26 qershor 2020.

Për maturantët ky vit shkollor përfundon më 20 maj 2020, ndërkaq MASHTI dje ka njoftuar se provimi shtetëror i Maturës do të mbahet në javën e parë të muajit korrik 2020.

Provimi i Maturës Shtetërore 2020 do të mbahet brenda një dite për të gjitha lëndët dhe për të gjithë maturantët. Testi do të ketë gjithsej 100 kërkesa (pyetje, detyra), nga 25 kërkesa për secilën nga katër lëndët e përfshira dhe do të zgjasë 150 minuta. /Insajderi.org / KultPlus.com

Premtimi i sekretarit amerikan të shtetit z.Cordell Hull, për shqipërinë dhe luftëtarët e saj guximtarë

Nga Aurenc Bebja

“La France” ka botuar, të shtunën e 12 dhjetorit 1942, në faqen n°3, një shkrim në lidhje me premtimin askokohe të Sekretarit amerikan të Shtetit për Shqipërinë dhe luftëtarët e saj guximtarë, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Uashington, 11 dhjetor. — Z. Cordell Hull i ka premtuar popullit të Shqipërisë që Shtetet e Bashkuara do t’i vijnë në ndihmë dhe do ta dëbojnë pushtuesin nga toka e tij.

Pasi tha se Amerika e njihte qëndrimin heroik të popullit shqiptar dhe të luftëtarëve të saj, ai deklaroi :

Qeveria dhe populli i Shteteve të Bashkuara po mendojnë ditën kur një ndihmë efektive do të mund t’u jepet këtyre njerëzve guximtarë që po dëbojnë pushtuesin nga shtëpitë e tyre. — (sipas Reuter-it.)

https://www.darsiani.com/la-gazette/la-france-1942-premtimi-i-sekretarit-amerikan-te-shtetit-z-cordell-hull-per-shqiperine-dhe-luftetaret-e-saj-guximtare/ / KultPlus.com

Paralajmërohet bashkimi i grupit legjendar “Van Halen”

Sammy Hagar, dikur lider i grupit “Van Halen”, ka paralajmëruar bashkimin e anëtarëve kryesorë të bendit.

Hagar, i cili nuk ka luajtur me bendin që prej vitit 2004, është pyetur nga revista “Rolling Stone” rreth së ardhmes së bendit, pas deklaratës së këngëtarit David Lee Roth se grupi kishte marrë fund.

“‘Van Halen’ me shumë gjasa do të jetë në turne gjatë vitit të ardhshëm”, ka thënë Hagar.

Në fund të vitit 2019 u raportua se bashkëthemeluesi i grupit dhe kitaristi kryesor Eddie Van Halen po luftonte me kancerin qe disa vjet, por Hager ka thënë se shëndeti i ish-shokut të bendit është përmirësuar.

“Eddie kishte probleme shëndetësore, por kam dëgjuar se është këndellur. Lutem për atë djalë që e dua fort”, ka shtuar ai.

Hagar iu bashkua grupit në vitin 1986 me “5150” pasi Rothi u largua në kërkim të suksesit si i vetmuar, por këtë sukses kurrë nuk e pa me sy. Ai vazhdoi me grupin përgjatë viteve ’80 e ’90, shkruan KOHA. Së bashku incizuan tre albume si pjesë e Van Halen. Ai u largua në vitin 1996, kur Eddie ktheu Rothin për realizimin e pakos me hitet e grupit.

Rothi përsëri iu kthye bendit në vitin 2007, por basisti Michael Anthony u zëvendësua me djalin e Eddiet, Wolfgangun. Vitin e kaluar, Rothi kishte thënë se ishte përqendruar në koncertet e tij në Las Vegas. “Van Halen nuk do të kthehet ashtu siç jemi mësuar. Eddie (Van Halen) ka për të treguar për këtë, nuk është punë e imja të flas rreth kësaj çështjeje”, kishte thënë Rothi.

Në vitin 2018, Anthony konfirmoi se ishte në bisedime me menaxherin e Van Halen për një ribashkim të mundshëm.

“Kishte plane për verën e vitit 2019”, kishte thënë basisti Anthony. Ndërkaq, Hager beson se bendi ka shumë për të treguar. “Derisa të vdesin Edi ose Alex Van Halen, ata nuk do të marrin fund. Janë dy muzikantë të jashtëzakonshëm dhe jam i mendimit se grupi nuk do të jetë kurrë i marrë fund”.

Mjerimi i Kosovës në mesin e shekullit XX-të në Der Spiegel: 6 traktorë dhe 16 shtëpi me rrymë

Gazeta prestigjionze gjermane ‘Der Spiegel’ ka publikuar nje shkrim të vitit 1969 nga arkiva  për gjendjen politike dhe ekonomike të shqiptarëve në Kosovë gjatë luftës së dytë botërore.

Në këtë shkrim që e ka publikuar në profilin e tij në Facebook, publicisti Halil Matoshi thuhet se deri në vitin 1941 në Kosovë kishte vetëm gjashtë traktorë, 16 vendbanime të elektrizuara, 49 mjekë, ndërsa 10,000 shqiptarë vuanin nga tifoja, 15,000 nga mikoza, 90,000 nga malaria dhe çdo i dyti nga zgjeba.

Zgjeba e njohur si zhuga është sëmundje ngjitëse e lëkurës që shfaqet zakonisht midis gishtave, në bark, në kurriz, në kofshë etj. me puçrra me ujë e me kore, të cilat kruhen shumë

Edhe pse shqiptarët luftuan krahë për krahë me popujt tjerë kundër nazi-fashizmit, Tito nuk ua dha statusin e Republikës në Jugosllavi. Plani për t’i bërë shqiptarët bashkë në një Republikë, si pjesë e federatës së sllavëve të jugut, dështoi pas kundërshtimit të Stalinit. Që atëherë Shqipëria staliniste e më vonë maoiste, përdorë shqiptarët e Kosovës si levë kundër Beogradit.

Pas LDB mbi 40 mijë nacionalistë shqiptarë, ranë viktimë e aksioneve të Titos.

Vetëm çdo i 16-ti shqiptar ka një vend pune. Të ardhurat për kokë banori janë 42 DM në muaj.

Në Beograd punojnë si pastrues të rrugëve, ngarkues qymyri, shitës kikirikash, po aq shqiptarë, sa punojnë në ndërmarrjet industriale të Kosovës.

Shefi i policisë sekrete jugosllave Udba Aleksandar Rankovic vazhdon të tiranizojë shqiptarët. Vetëm më 1965 Udba kreu 41 vrasje në Kosovë, 25 të tjera në fillim të vitit 1966. Udba themeloi dhe toleroi organizata të paligjshme (nën emrat si “Shqiptarët për Liri” dhe “Revolucionarët Maoist”), më pas i arrestoi anëtarët e tyre./GazetaExpress/ KultPlus.com

Mbi lumturinë

Shkruan: Sead Zimeri

Mbi lumturinë

Lumturia formohet në paradoks. Paradoksi i saj është që nuk mund të bëhesh i lumtur nëse lumturinë e bën qëllim, apo cak për ta arritur.

Një konceptim i tillë tregon për një keqkuptim për lumturinë, sepse përmban një koncept absurd që e lidhë lumturinë vetëm me atë që e bën qëllim të arritjes. Këtu lumturia kuptohet si ndonjë arritje e ndonjë angazhimi personal për t’u bërë i lumtur. Lumturia kuptohet në analogji me profesionet tjera. Për shembull, vetëm ai që edukohet është i edukuar, vetëm ai që studjon të bëhet mjek bëhet mjek, etj. Të tjerët që nuk kanë studiuar mjekësinë nuk bëhen mjekë. Kur punohet për një qëllim të caktuar zakonisht qëllimi arrihet. I lumtur pra mund të bëhet vetëm ai që punon të bëhet i lumtur, ai apo ajo që kërkon lumturinë.

Por ndërkohë edhe ata që kërkojnë atë edhe ata që nuk kërkojnë atë nuk janë të lumtur. Sikur që studenti i mjekësisë nuk është mjek edhe studenti i lumturisë nuk është i lumtur; sa më afër qëllimit aq më i lumtur. Lumturia pra është përherë diku tjetër: ku ne jemi ajo nuk është; ku ajo është ne nuk jemi. Dallimi është që disa do të bëhen të lumtur e disa të tjerë do të vazhdojnë të jetojnë pa lumturi.

E kupton pra që kjo qasje është absurde, sepse lumturia nuk mund të konceptualizohet në analogji me arritjet dhe profesionet tjera. Ajo nuk është as koncept moral: për shembull ne e kemi obligim që vazhdimisht ta përmirësojmë veten, por kjo nuk nënkupton që përmirësimi i vazhdueshëm do të na bëjë njerëz të përkryer; përkryerja nuk është qëllim që duhet të arrihet por është vetëm ide rregulluese. Ne angazhohemi që të bëhemi njerëz më të mirë, por nuk mund të angazhohesh që të bëhemi njerëz më të lumtur.

Nuk ekziston as teknikë, as metodologji, as shkollë dhe as zanat që ta mundëson arritjen e lumturisë, pikërisht sepse lumturia nuk është diçka që mund të arrihet. Askush nuk të jep diplomë për lumturi.

Por edhe nuk kemi të drejtë t’i këshillojmë të tjerët që të bëhen të lumtur, pikërisht sepse një këshillë e tillë ngre spektrin dhe nënkupton konceptimin paraprak absurd të lumturisë. Pra “be happy” është këshilla më idiotike që mund të ta japë apo t’ia japësh dikujt.

Nëse dëshiron ta ndihmosh dikë të bëhet i lumtur duhet ta ndihmosh që ajo të gjejë atë “profesion”, atë zanat, apo atë prirje dhe pasion për jetë që e bën atë të HAPUR ndaj lumturisë.

Lumturia është përherë efekt anësor që vjen si rezultat i angazhimit tonë në aktivitete tjera ku lumturia nuk është qëllim. Lumturia është shpërblim që marrim për atë që jemi, për gjetjen e vetes në një mes të pafundmë të vetjeve tjera.

Gjetja e vetes është proces i gjatë por zakonisht bëhet në punë, në angazhim për të i ndihmuar të tjerëve: kjo ndihmë nuk është vetëm materiale, por edhe shpirtërore: një fjalë e bukur, një buzëqeshje, një puthje a përkëdhelje.

Jo rastësisht shumica e filozofëve kanë bërë lidhje direkte mes lumturisë dhe veprës së mirë, sepse vepra e mirë shkakton një kënaqësi dhe përmbushje që nuk ekziston në mungesë të saj.

Dikush (psikopati) mbase mund të ndjehet i kënaqur edhe kur bën vepra të liga, por është e pamundur të konceptualizohet që lumturia mund të rezultojë duke i bërë të gjithë të tjerët përreth teje më pak të lumtur, apo aspak të lumtur. Prandaj, sidomos për Aristotelin, lumturia nuk mund të ndahet nga morali. Njeriu konsistent i pamoralshëm nuk mund të jetë njeri i lumtur.

Lumturia është shënjuesi që jeta yte ka një kuptim për ty, që ke gjetur një mënyrë për të ekzistuar në botë që të jep kënaqësi dhe të bën të ndjehesh komod në lëkurën tënde.

Pasi që lumturia ka të bëjë me punën dhe mënyrën e jetës tënde, nëse megjithatë nuk je i lumtur atëherë arsyen duhet ta kërkosh jo tek tjetrit por tek vetja: çka je duke bërë që të privon nga lumturia? Të lumtur nuk të bën askush tjetër pos vetes tënde: lumturia varet nga mënyra se si ti ekziston në botë, si i shfrytëzon aftësitë dhe mundësitë tua, dhe sa e ruan ambientin ku ekziston! / KultPlus.com

Nuk ka shqiptar më idealist e atdhetar se Imzot Nikollë Kaçorri

Nga Pjeter Logoreci

Këto ditë po rishikoja me andje një video nga zhvillimi i ceremonisë solemne për riatdhesimin e rivarrimin e eshtrave të ushtarakut student, patriotit Shahin Toçi, sargu i të cilit u prit në aeroportin e Rinasit me 26 mars 2011, me shumë nderime, ashtu siç e meritonte ky djalë trim që i qëndroj besnik deri në flijim flamurit tonë kombëtare.

Pamje emocionuese. Dhjetra qytetarë pjesmarrës valvitnin ndër duar flamurë kombëtarë. Pranë tapetit të kuq, Garda Kombëtare ishte e rreshtuar në qëndrim nderimi, ndërsa ministra e personalitete të shtetit të veshur me uniforma shumëngjyrëshe prisnin që ti bënin homazh këtij trimi liridashës. Një ndjenjë zemërimi e keqardhje më pushtoj ndërsa mendova se, (pothuajse para një muaji) me 9 shkurt 2011, edhe unë po zbrisja po në këtë aereoport, nga avioni i linjës Vjenë – Rinas, po me të njëjtin qëllim: për të riatdhesuar pas 94 vjetësh eshtrat e Imzot NIKOLL KAÇORRIT – ARKITEKTIT TË PAMVARSISË E TË SHTETIT SHQIPTARË, por me një ndryshim të madh, se atë ditë “te zezë për ndjenjën kombëtare”, sargun me eshtrat e titanit nuk e priste asnjë personalitet, ministër, gjeneral, zv/ministër apo drejtor drejtorie. Për habi të gjithëve aty, as edhe një klerik i lartë shqiptar apo i huaj që shërben në vendin tonë. Sytë mu mbushën me lot dhe tërë qenien time ma pushtoj një ndjenjë keqardhje dhe turpi.

Me ditë të tëra isha përpjekur të lajmëroj, për ardhjen e eshtrave të Imzot Kaçorrit, përsonat përgjegjës të shtetit, që nga instiutcionet më të larta, Kryeministrinë, Ministritë, Kryesinë e Kuvendit, deputetët e Durrësit, hierarkinë e lartë kishtare të dioqezës së Tiranë –Durrësit, si me telefon ashtu me postë elektronike. Asnjë reagim. Kjo keqdashje më bëri të mendoj që veprimi im nuk i sillte politikanëve e shtetarëve ndonjë përfitim ekonomik (për të cilin do të vinte pa mëdyshje e gjithë politika), por ishte vetëm një veprim moral e atdhetar për të cilin, aty ndodheshin vetëm njerëzit e thjeshtë të ardhur në grupe nga Durrësi e Lura.

Çfarë paradoksi. Një burrë i madh, etalon i atdhetarisë e lirisë, një prift katolik i cili kishte deklaruar me gojën e tij…” …për mua së pari atdheu mandej kisha…”, nuk u vlerësua, ose u la në harresë me dashje, ashtu sikurse, ai, u la në harresë për 94 vjet në dhe të huaj. Përse duhej që, atdhetari Nikollë Kaçorri, të shihej në petkun e priftit katolik, që të pasojë një sjellje të tillë? Apo kaq e madhe ishte propaganda aziatokomuniste kundër këtij atdhetari sa që njërzit vazhdonin ta shihnin si “klerik reaksionar”….???

Familjarë të Imzot Kaçorrit dhe qytetarë durrsakë pranë sargut të tij në Rinas

M.q.s me 29 maj është 103 vjetori i vdekjes së tij, në nderim e respekt të aktivitetit të tij në të mirë të Shqipërisë, dëshëroj të sjell me poshtë për lexuesit një dokument origjinal që kam gjetur në Arkivën e Ministrisë së Jashtme të Austrisë në Vjenë, ku çdo njeri (edhe ato më skeptiket), mund të kuptojë e të bindet për punën e madhe që Imzot Nikollë Kaçorri bëri në dobi të atdheut të robëruar nga hordhitë aziatike osmane. Dokumenti mban datën 12 nëntor 1912 dhe është një letër e shkruar dhe formuluar nga Imzot Kaçorri, e cila i drejtohet Perandorit Franz Josef të parë në Vjenë, për ta vënë në dijeni që; shqiptarët nuk e durojnë më robërinë. Ato duan tashmë pamvarsinë, të drejtën e shkollave, kulturës, traditave e gjuhës së tyre. Ato kërkojnë nëpërmes kësaj letre, mbështetjen e perandorisë më të madhe të kohës për të mos lejuar coptëzimin e Shqipërisë nga vendet fqinje në Ballkan.

v

Madhnisë të Tii

Franz Josefit I

Përandorit e Mbretit të Austro – Magjarisë në Vienë

Shum të vështira e të rrezikshëme jan këto dit per ne Shqyptarët e per nanën t´on Shqypninë qi të kater shtetet e Ballkanve po rrâin me e perpië a me e coptue. Na me sâ fuqië kena mundohena edhe Përendisë i lutena qi Mbretnia jon të muisi këta anmiq e të na prui prej sish. Por per fat të keq gjasat nuk po na duken fort të mira, e po shohim se shum vende të kater vilajeteve të Shqypnisë, Kosovë, Manastir, Shkodër e Janinë gjinden nden kambë të hueja.

Per këtë shkak po marrim lejen m´u sjelle kah Madhnia Jote si Përandorit të nji Përandorisë të madhe, qi asht ma e afermia e jon e ka piesë në Ballkan me Bosnie – Herzegovinë, e me Ju lutun qi në çeshtjet të Ballkanve të merret para syshë edhe Shqypnia në mënyrë qi kufit e sajë mos të bërkiten e mos të shtyhen prej kerkui e qi Shqypnia kështu e pâ bërkame e e pâ vogluëme të ketë nji Automië të plotë nden Mbretninë Otomane.

Por në kioftë se per fat të zië qillon, qi kio Mbretnië nuk ka me muit ma mbas luftesë të sotshme me sundue në kurrfar mënyre Shqypninë, na nga thelbi i zembrës i lutena Madhnisë s´ate qi Shqypnia prej kater vilajetesh permendun sipri me tre milion e sâ Shqyptarë të bahet nji Mbretnië në vehte sikurse të tjerat shtete të Ballkanve, në daç perse Shqyptarët jan nji kambë ma i vjetri ner këta, me nji gjuhe e me zakone fare të veçanta, e gjaku i tyne nuk mundet me paitue kurrsesi me çdo gjak të kombëve qi jan rreth e rrotull; në daç perse nuk do t´ishte e drejtë humbja as voglimi i nji kombi Shqyptarë, i cilli nuk âsht aspak ma i poshtem se kombët e tjera të Ballkanve si per numer, ashtu per mendë, si per vjeften morale, me të cillën, sado qi per nji kohe shekuish shum të gjatë kje rrahun në çdo krah e në çdo mënyrë prej shum e shum tallazeshë politike qindroi në kombësië të vet e në zakone të veta, por si nji shkambë i fort në mjedis detit; e kjarishtë e diftoin edhe theroritë e mëdhaja qi Shqyptarëtë hoçën per rain, gjytetërimin, e perparimin e Kombit të vet në këtë kohe të mrame të Tyrqëvet të Rie: në daç edhe perse na duket se nji Mbretnië Shqyptare mban peshën jo vetem të Ballkanve, por edhe të gjith shteteve t´Europës, e

sidomos në muit m´u bâa, mbas dishirit t´on, nji mbretnië e pa anë (neutre), sikurse Belgji e Svizzera.

Prej gjith këtyne shkaqeve e arsynave na e pështesim të tanë shpresën t´one në ma të madhen mirsine e Madhnisë Tande per të cillën na e gjith kombi Shqyptarë ka per të Jau ditun per nderë per gjithmonë.

Me shpresë të madhe qi të lutunat t´ona kam me e bërkâ zembrën e Madhnueshme të Madhnisë Tande kemi nderjen ma të madhen me vuë këtu duërt t´ona e m´u permendun.

Shqypnië, 12 Nanduër 1912

Te Detyrushmit Sherbëtorë te Madhnisë s´ate

Firmat Nikollë Kaçorri Prift

Mustafa Asim Kruja
Reaçep Mitrovica
Fuad Toptani
Abdi Toptani
Murad Toptani
Salih Gjuka Ipek
Bedri Pejani

Letër e formuluar dhe e shkruar nga Imzot Kaçorri drejtuar Perandorit Franz Josef në Vjenë (faqe e parë)

Letra është e shkruar në tri faqe. Ajo është e firmosur nga drejtuesit kryesorë të komitetit të pergjithëshëm kryengritës së Shqipërisë së mesme: Nikoll Kaçorri, Fuad Toptani, Murad Toptani, Abdi Toptani, Mustafa Kruja, Rexhep Mitrovica, Salih Gjuka, Bedri Pejani, Mustafa Kruja.

Faqja e tretë e letrës me firmat e drejtuesve të komitetit të përgjithshëm të Shqipërisë së mesme

Letra i është dorëzuar Konsullit Austriak në Durrës Rudnay, i cili së bashku me letren dërgon në ministrinë e jashtme në Vjenë, përsonalisht për ministrin e jashtëm Leopold Grafen Berchtold (me shenimin “ shumë konfidenciale”), një përshkrim për gjëndjen e vështirë dhe

shpërthyese, të krijuar në zonën e Shqipërisë së mesme. Në shënimin e tij Rudnay shkruan: mbasi unë pashë qëndrimin e palëkundur të popullit, i cili pretendon që të bëhet një kongres për shkëputjen e vendit nga perandoria dhe kërkon përjashtimin e të deleguarve të huaj nga Mutesarifi në kongres, po ashtu dhe pasi dëgjova pretendimet e orthodokseve të cilët kërkojnë një pushtues të huaj që të mos sundohen më nga shumica musulmane, vendosa me inisiativen time të marr përsipër, me kërkesat më të pranueshme për ne, këte letër që sollën të deleguarit.

Letra e konsullit Rudnay për ministrinë e jashtme në Vjenë

Në një bisedë që pata me famullitarin e Durrësit Don Nikoll Kaçorrin dhe Murad Bey Toptanin i theksova atyre që Monarkia mbron interesat e Shqipërisë pa e pushtuar atë, e dëshëron që shqiptarët në këto kohë të vështira të bashkohen me njëri tjetrin. Gjatë bisedës i tregova atyre edhe motivet kryesore të mbështetjes tonë. Gjatë ditës kam marrë nga Don Kaçorri, në mirëbesim, letrën me kërkesa për Madhërinë e tij, ku sipas këshillës sime u hoqën disa pika të pakuptimta. Murad Topatani, të cilit i detyrohesha ti ktheja një vizitë më konfidoi më vonë që delegatët trembën se kongresi do të dështojë, e kanë vëndosur menjëherë ti dërgojnë madhërisë së tij këtë kërkesë. Sapo i hodha një sy letrës, pashë që të gjithë delegatët kishin pranuar, ato çfarë kishim diskutuar me Don Kaçorrin. Aty kërkohet autonomi e vendit, por nën sundimin turk, e po qe se kjo është e pa mundur, atëherë të kërkohet Pamvarësi dhe Neutralitet. Unë jam munduar që letra të stilizohej në mëndyrë që të kishte hapsira për ndryshimet e mundëshme (për të përjashtuar ndikimin e fuqive të tjera), pa cenuar angazhimin tonë. Pas dorëzimit të kësaj letre, kam bërë marveshje, që unë nuk do të përdori ndikimin tim në Kongres dhe nuk do të marr përsipër asnjë ndërhyrje aty. Gjithashtu kam konfirmuar që për sa kohë të zgjasë Kongresi dhe ndikimi turk në vend, do pranoj të bisedoj apo veproj vetëm në mënyrë konfidenciale. Nga delegatët të cilët kanë nënshkruar këtë dokument, vetëm Mithat Frashëri ka nënshkruar menjëherë, por edhe të tjerët nuk kanë vonuar ta nënshkruajnë. Së fundi dëshëroj të ju bëj të ditur shkelqësisë tuaj, që zotërijtë presin të marrin nga ju një pergjigje të pranueshme. Si gjithmonë me lejen tuaj, arrita të ndikoj sadopak pozitivisht në Kongres. Edhe një herë dëshëroj të Ju bëj të ditur se kam vendosur, nqs Kongresi i Shqiptarve do të pengohet, të kërkoj nga Elita e shqipëtarve një dokument, i cili nuk do na sjellë detyrime anës tonë, që do të mund ta përdorim në situata të vështira që mund të krijohen.

Kuptohet qartë se interesat tona kombëtare, ato të Dom Nikollës, përputheshin me ato të Austro-Hungarisë, e cila kërkonte që influenca e saj të shtrihej në tërë Ballkanin. Kjo ishte arsyja që konsulli Rudnay mbante kontakte të ngushta me atdhetarët shqiptarë, të cilët morën përsipër misionin që të njoftojnë fuqitë e mëdha se populli shqiptar do ti merrte armët në dorë për ti dalë zot territoreve të veta. Dera e Dom Nikollë Kaçorrit ishte kurdoherë e hapur për atdhetarët. Aty bëheshin mbledhjet e komitetit e ndërmerrëshin vendime të rëndësishme për lëvizjen popullore.

Dëshëroj të mbyllë shkrimin tim me shprehjen e Mustafa Krujës: Shqipëria për Dom Nikollë Kaçorrin, Atdheu, lirija e saj ishte ideali i tij…. Dom Nikollë Kaçorri ishte shqiptar me plot gojën…e deri më sot, s´më ka rënë të këndoj gjikund ndonjë rresht që ta përmendi sado për keq emrin e tij, megjithëse ka qënë përkrah Ismail Qemalit në Vlorë, edhe nënkryetar i denjë i së parës qeveri shqiptare, i zgjedhur prej atij kuvendi kombëtar, që shpalli pamvarsinë e atdheut, dhe që mundi të krahasohet për rëndësinë e tij historike, vetëm me Kuvendin e Lezhës…. gati pesë shekuj më parë.

Dua Lipa pas anulimit të “Sunny Hill”: Shihemi në 2021-tën

Këngëtarja Dua Lipa ka reaguar pas anulimit të festivalit “Sunny Hill”.

“E mërzitshme që s’do të mund të festojmë këtë verë por, shihemi në 2021-tën”, ka shkruar ajo në rrjetin social Instagram.

Edicioni i këtij festivali parashihej të mbahej në gushtin e këtij viti, por për shkaqe të pandemisë COVID-19, ai është shtyrë nga organizatorët për në vitin 2021.

“Me zemër të thyer duhet të konfirmojmë që Festivali Sunny Hill 2020 nuk do të mbahet këtë gusht, për shkak të krizës globale të paprecedent, të shkaktuar nga COVID-19”, u tha mbrëmë në njoftimin e organizatorëve.

“Sunny Hill Festival” ka sjellë në Kosovë në edicionet e shkuara yje botërore si Miley Cyrus, Gashi, Calvin Harris e Dua Lipa.

Hakërrim

Poezi nga Ali Asllani

Që nga Korça gjer te Shkodra mbretëron një errësirë,
nëpër fusha, nëpër kodra, vërshëllen një egërsirë!
Pra, o burra, hani, pini, hani, pini or’ e ças,
Për çakallin, nat’ e errët, është ras’ e deli ras’!

Hani, pini dhe rrëmbeni, mbushni xhepe, mbushni arka,
të pabrek’ ju gjeti dreka, milionier’ ju gjeti darka!
Hani, pini e rrëmbeni, mbushni arka, mbushni xhepe,
gjersa populli bujar t’ju përgjigjet: peqe, lepe!

Ai rron për zotrinë tuaj, pun’ e tija, djers’ e ballit,
ësht’ kafshit për gojën tuaj. Rroftë goja e çakallit!
Shyqyr zotit, s’ka më mirë, lumturi dhe bukuri,
dhe kur vjen e ju qan hallin, varni buz’ edhe turi!

Hani, pini dhe rrëmbeni, është koha e çakenjvet;
hani, pini e rrëmbeni, ësht’ bot e maskarenjve;
Hani, pini, vidhni, mblidhni gjith’ aksione, monopole,
ekselenca dhe shkëlqesa, tuti quanti come vuole!

Nënshkrim i zotris suaj nëpër banka vlen milion,
ju shkëlqen në kraharuar dekorata “Grand Cordon”!
Dhe kërkoni me ballhapur (!) komb i varfër t’ju thërres’
gjith me emrin tingëllonjës: Ekselenca e Shkëlqes’
dhe të quheni përhera luftëtar’ e patriot’,
në ka zot dhe do duroj’, posht ky zot, ky palo zot!

Grand Kordon i zotris’sate, që në gji të kan’ vendosur,
ësht’ pështyma e gjakosur e atdheut të veremosur;
dhe kolltuku ku ke hipur, duke hequr nderin zvarr’,
ësht’ trikëmbshi që përdita varet kombi në litar!
Dhe zotrote kullurdise, diç, u bëre e pandeh,
kundër burrit të vërtetë zë e vjell e zë e leh!

E na tunde, na lëkunde, nëpër salla shkon e shkunde,
mbasi dora e armikut ty me shok’ të heq për hunde.
Rroftë miku yt i huaj, që për dita los e qesh,
të gradoi katër shkallë, pse i the dy fjal’ në vesh!

Koha dridhet e përdridhet, do vij’ dita që do zgjidhet
dhe nga trasta pem’ e kalbur doemos jasht’ do hidhet!
Koha dridhet e përdridhet, prej gradimit katër shkallë
nuk do mbetet gjë në dorë veç se vul’ e zezë në ballë!

Mirpo ju që s’keni pasur as nevoj’ as gjë të keqe,
më përpara nga të gjithë, ju i thatë armikut: “Peqe!”
Që të zinit një kolltuk, aq u ulët u përkulët,
sa në pragun e armikut vajtët si kopil u ngulët!
As ju hahet, as ju pihet, vetëm titulli ju kihet…
Teksa fshat’ i varfër digjet… kryekurva nis e krihet!

Sidomos ju dredharakë, ju me zemra aq të nxira,
ju dinakë, ju shushunja, ju gjahtar’ në errësira!
Ç’na pa syri, ç’na pa syri!… Hunda juaj ku nuk hyri:
te i miri, te i ligu, te spiuni më i ndyri!

Dallavera nëpër zyra, dallavera në pazar,
dallavera me të huaj, dallavera me shqiptar’
Vetëm, vetëm dallavera, dhe në dëm të këtij vendi
që ju rriti, që ju ngriti, që ju ngopi, që ju dendi!

Nëse kombi vete mbarë, nesër ju veproni ndryshe,
dylli bëhet si të duash, kukuvajk’ dhe dallëndyshe…
kukuvajka gjith, me lajka, nesër silleni bujar,
nënë dorë e nënë maska, shkoni jepni një kapar!

Dhe kujtoni tash e tutje me të tilla dallavera
kukuvajka do përtypi zog e zoga si përhera…
Ja, ja grushti do të bjeri përmbi krye të zuzarve,
koha është e maskarenjve, po Atdheu i shqipëtarve!

Edhe ju të robëruar, rob në dor’ të metelikut,
fshini sofrat e kujtdoj’, puthni këmbën e armikut!
Që ta kesh armikun mik e pandehni mençuri,
mjafton bërja pasanik, pasanik dhe “bej” i ri,
dhe u bëtë pasanik, me pallate, me vetura,
kurse burrat më fisnikë, japin shpirtin në tortura!

Vendi qenka sofr’ e qorrit, vlen për goj’ e për lëfytë,
bëni sikur veni vetull’, shoku-shokut kreni sytë…
Dhe për një kërkoni pesë, po më mir’ njëzet e pesë.
Le të rrojë batakçiu dhe i miri le të vdesë!

Po një dit’ që nis e vrëret do mbaroj’ me bubullimë,
ky i sotmi zër’ i errët, bëhet vetëtimë
dhe i bije rrufeja pasuris’ dhe, kësi lloj,
nuk ju mbetet gjë në dorë, vetëm një kafshit’ për goj’!

A e dini që fitimi brenda katër vjet mizor’
nuk ësht’ yti, nuk ësht’ imi, është i kombit arbror,
ësht’ i syrit në lot mëkuar, ësht’ i vendit djegur, pjekur,
Ju do thoni si të doni… po e drejta dërmon hekur!

Ahmeti kërkon hapjen e çerdheve, kafeneve dhe mbylljen e karantinës në QS

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ka kërkuar që sa më shpejt të hapen çerdhet dhe kafeteritë të fillojnë punën e plotë. Ai ka kërkuar që të mbyllet karantina në Qendrën e Studentëve.

Ai në një intervistë për Ekonomia Online, ka thënë se sugjerimi i tij është që çerdhet të hapen të parat. Sipas tij, nuk ka më kuptim që të që ta mbajmë ekonominë të mbyllur për shkak të vetëm dhjetë rasteve, sepse numri i të infektuarve nuk i arsyeton më këto masa, transmeton Klan Kosova.

“Sugjeroj që çerdhet të jenë të parat që hapen, jo që ka dallim të madh të shkollave por meqenëse njerëzit punojnë ka filluar hapja e kompanive. Po ashtu,  siç kanë vendos edhe shtetet skandinave të Evropës, njëherë janë hapur  klasat 1-5 ku edhe mundësia e përhapjes së virusit është më e vogël, ku na jep kohë që ngadalë të rihapim krejt Kosovën”, tha ai.

Kryetari Ahmeti ka thënë se tashmë duhet të mbyllet edhe karantina në Qendrën e Studentëve sepse më nuk ka nevojë për një karantinim të tillë.

“Kam kërkuar që nuk ka kuptim ta mbajmë QS në karantinë. Një pjesë e madhe e qytetarëve po dalin si shkak të arsyeve të ndryshme. Tash duhet t’i kthehemi masat që kemi pasur në fillim, dikush kur vjen ta ketë vetizolimin e detyruar, ta nënshkruaj një formular që të qëndrosh i vetëizoluar në shtëpi për aq periudhë sa thonë mjekët. Nuk ka nevojë për një karantinë të tillë”, tha Ahmeti.

Kryetari Ahmeti gjithashtu ka thënë se është shumë e nevojshme që kafenetë të hapen sa më para për shërbim të plotë.

“Janë dy gjëra të cilat duhet t’i kuptojmë, nuk mjafton me thënë hape për take aëay sepse nuk e kanë qarkullimin e njëjtë si gjithmonë. Kur i ke masat ku qytetarët nga 2 orë me dal atëherë nuk ka myshteri si duhet. Pa hapjen e tyre më të plotë nuk do ta ketë efektin e njëjtë sa i përket qëndrueshmërisë ekonomike”, tha ai.

Ahmeti është shprehur se nuk ka më kuptim që ta mbajmë ekonominë të mbyllur për shkak të vetëm dhjetë rasteve, sepse numri i të infektuarve nuk i arsyeton më këto masa.

“Kam kërkuar që masat të lehtësohen në tempo më të shpejt për shkak se mendoj numri i të infektuarve nuk arsyeton më këto masa. Për më shumë është çështja se në pjesë të madhe nuk po respektohen nga qytetarët dhe është bërë vështirë implementimi i tyre, siç është orari i lëvizjes ku më shumë njerëz po dalin”.

“Të bëjmë menaxhimin më të fokusuar, t’i mbrojmë njerëzit e moshuar, ata që janë më sëmundje kronike e të filloj hapja graduale e çerdheve dhe klasave të para, kurse fokusin ta kemi që nëse dikush është i infektuar ta izolojmë. Kemi 10 raste aktive, nuk ka kuptim që krejt ekonominë ta mbajmë mbyllur për shkak të dhjetë rasteve”, ka thënë i pari i Prishtinës.

Ai ka thënë se Komuna e Prishtinës ka punuar në parandalimin e përhapjes së Coronavirusit dhe tu ndihmojë qytetarëve edhe ekonomikisht.

“Ne kemi pasur rolin që të zbatojmë vendimet e nivelit qendror dhe natyrisht të plotësojmë hendeqe aty ku janë. Në momentin kur dikush  testohet edhe nëse del pozitiv ose negativ, ne e kemi marrë detyrën që t’i ndihmojmë atyre në vetizolim”.

“Sigurohemi që nuk dalin, nuk infektojnë tjerë. Ideja ka qenë që ta ndalim përhapjen e sëmundjes, t’i dalim  në ndihmë atyre që kanë nevojë qoftë një aspektin ekonomik e shëndetësor dhe të bëhemi gati për pjesën e pasojave ekonomike”, shtoi Ahmeti.

Kundërshtari i Tom Cruise në “Mission Impossible” tërhiqet nga filmi i ri

Pandemia e koronavirusit ka shkaktuar ndaljen e tërësishme të filmave dhe tani ka shtyrë ata edhe në vonesa, gjë kjo që po ndikon së fundi edhe në ndërrimin e aktorëve.

Një vështirësi të tillë e ka përjetuar trilogjia e filmave “Mission Impossible”, në krye me aktorin e njohur Tom Cruise. Studioja filmike që qëndron prapa projektit kishte planifikuar realizimin e “Mission Impossible 7” dhe atij “8”, por situata është vështirësuar kur aktori Nicolas Hoult vendosi që të tërhiqej nga roli i kundërshtarit të Cruises në këta filma.

Revista amerikane “Variety” ka raportuar se Hoult, i cili ishte zgjedhur për të luajtur kundërshtarin e agjentit Ethan Hunt, është detyruar të largohet nga filmi aksion, për shkak të angazhimeve në filmin “The Great”, shkruan KOHA. Regjisori Christopher McQuarrie ka njoftuar se Hoult do të zëvendësohet me Esai Moralesin, i cili njihet më së miri për rolin e Deathstroke në filmin “Titans”.

Xhirimet e “Mission Impossible 7” u ndalën në muajin mars, kur edhe filloi përhapja e koronavirusit në botë. Ishte parashikuar që filmi të jepej premierë më 23 korrik të vitit 2021, por afati është shtyrë për 19 nëntor të vitit të ardhshëm. E pjesa e tetë e filmit do të fillojë të xhirohet më 2 nëntor të vitit 2022. McQuarrie, i cili e realizoi skenarin e pjesës së filmit “Ghost Protocol” dhe ishte regjisor i pjesëve tjera “Rouge Nation” e “Fallout”, ka treguar për vendimin që misioni i ardhshëm i Cruises të ndahej në dy pjesë.

“Kur po realizonim pjesën ‘Fallout’, i thashë Tomit: ‘Dua që këtë film ta bëj si udhëtim emocional për Ethan Huntin’. Donim që filmin ta ndiente krejt ekipi”, kishte thënë McQuarrie. Në intervistën për të promovuar filmin “Fallout”, McQuarrie kishte pranuar se së bashku me aktorin Cruise po mendonin për pjesën e shtatë të filmit.

“Sapo u publikua filmi, Tomi erdhi dhe më tregoi se çfarë donte të bënte më tutje. Në fakt, premierën në Paris e shikuam së bashku dhe u mahnitëm me kritikat. Tomi u kthye kah unë dhe më tha: ‘Mund ta bëjmë një edhe më të mirë’”, kishte thënë regjisori për gazetën britanike “The Sun”.

Pandemia ua shtoi pasurinë miliardërve amerikanë Bezos, Zuckerberg e Gates

Një raport i ri i grupit Americans for Tax Fairness (ATF) dhe i Institutit të Studimeve Politike thuhet se pasuria e më të pasurve në SHBA është rritur me $434 miliardë ose me 15 përqind, gjatë izolimit të koronavirusit, nga mesi i marsit deri në mesin e majit. Pasuria e tyre totale ishte rritur nga $2.948 miliardë në $3.382 miliardë.

Pesë më të pasurit e SHBA, Jeff Bezos, Bill Gates, Mark Zuckerberg, Warren Buffett e Larry Ellison—shënuan një rritje totale të pasurisë prej $75.5 miliardë.

Në muajin mars në revistën Forbes raportoheshin 614 miliarderë, ndërsa dy muaj më vonë numri i tyre ishte 630, duke përfshirë dhe muzikantin Kanye West që kishte arritur pasurinë $1.3 miliardë. Pronari i Tesla-s Elon Musk ishte mes atyre që kishin rritur më shumë pasurinë gjatë kësaj periudhe, në $36 miliardë.

Raporti shtonte se gjatë të njëjtës periudhë, rreth 38 milionë amerikanë kishin humbur vendet e tyre të punës. “Pandemia ka zbuluar pasojat e rënda të rritjes së diferencës së pasurisë dhe rritja e numrit të miliarderëve është simboli i kësaj pabarazie,” tha kreu i ATF, Frank Clemente.

50 shprehje frymëzuese që do ta motivojnë secilin

“Suksesi nuk është përfundimtar, dështimi nuk është fatal, guximi për të vazhduar përpara ka rëndësi.” – Winston Churchill

Më mirë të dështosh me origjinalitet, se sa të kesh sukses me imitim.” – Herman Melville

Rruga te suksesi dhe rruga drejt dështimit janë pothuajse gjithnjë e njëjta.” – Colin Davis

Suksesi zakonisht u shkon atyre që janë duke e kërkuar.” – Henry Thoreau

Mundësitë nuk ndodhin, ne i krijojmë.” – Chris Grosser

Mos ki frikë të heqësh dorë nga e mira për të shkuar drejt një të mire më të madhe.” – John Rockefeller

Kam zbuluar se sa më shumë punoj, aq më shumë fat kam.” – Thomas Jefferson

Ka dy tipe njerëzish që do të thonë se nuk mund të bësh diferencën në botë: ata që kanë frikë të provojnë dhe ata që kanë frikë nga suksesi jot.” – Ray Goforth

Njerëzit e suksesshëm bëjnë atë që njerëzit e pasuksesshëm nuk bëjnë. Mos uro që të ishte më e lehtë, uro që ti të ishe më i mirë.” – Jim Rohn

Mos u bëj një njeri suksesi, bëhu një njeri vlerash.” – Albert Einstein

Kurrë mos iu ndaj bindjeve të nderit dhe qëllimit të mirë.” – Wiston Churchill

Boll ndoqe paratë, ndiq pasionin.” – Tony Hsieh

Sukses do të thotë të kalosh nga dështimi në dështim pa e humbur entuziazmin.” – Winston Churchill

“Kreditet e suksesit tim ia jap këshillës më të mirë.” – GK Chesterton

Do të të jap një formulë për suksesin? Është e thjeshtë. Dyfisho normën e dështimit. Po mendon për dështimin si armik të suksesit. Por nuk është e gjitha. Mund të dekurajohesh nga dështimi ose të mësosh nga ai, kështu që vazhdo dhe bëj gabimet e tua. Bëj ç’të jetë e mundur. Kështu e gjen suksesin.” – Thomas Uatson

Nëse nuk do të rrezikosh të zakonshmen, duhet të përshtatesh me të.” – Jim Rohn

Ata që janë aq të çmendur sa mendojnë se do ndryshojnë botën, ata e bëjnë.” –Anonim

Bëj çdo ditë një gjë që të frikëson.” – Anonim

Progresi i vetëm është të dalësh nga zona e rehatisë.” – Muchael Bobak

Njerëzit që kanë sukses kanë vrull. Sa më shumë arrijnë, aq më shumë duan të arrijnë, dhe aq më shumë e gjejnë mënyrën për të arritur suksesin.” –Tony Robbins

Mos lër frikën e humbjes të jetë më e madhe se dëshira për të fituar.” – Robert Kuyoaski

Sukseset më të mëdha nuk ndodhin brenda natës, kërkojnë kohë.” – Steve Jobs

“Testi i vërtetë nuk është si të shmangësh dështimin, sepse s’do mundesh, por si ta përballosh atë.” – Barack Obama

I vetmi limit për arritjet e së nesërmes, janë dyshimet e së tashmes.” – Franklin Roosvelt

Karakteri nuk zhvillohet me thjeshtësi, por nëpërmjet përvojës së vuajtjeve dhe gjykimit. Forcohet shpirti, rritet ambicia dhe arrihet suksesi.” – Helen Keller

E vetmja mënyrë për të filluar është të heqësh dorë nga të folurit dhe të fillosh ta bësh.” – Walt Disney

Luftëtari i suksesshëm është një njeri mesatar por i fokusuar.” – Bruce Lee

Nuk ka sekrete për suksesin. Është rezultat i përgatitje, punës së shumtë dhe mësimit nga dështimi.” – Colin Powell

Suksesi duhet të jetë i lidhur me veprimin. Njerëzit e suksesshëm vazhdojnë të lëvizin. Ata bëjnë gabime por nuk heqin dorë.” – Conrad Hilton

“Nëse me të vërtetë do të bësh diçka do ta gjesh mënyrën. Nëse jo do të gjesh justifikim.” – Jim Rohn

Nuk mund të të jap formulën e suksesit, por të jap formulën e dështimit që është t’i kënaqësh të gjithë.” – Herbert Suope

Suksesi nuk është çelësi i lumturisë. Lumturia është çelësi i suksesit. Nëse e do atë që  bën atëherë do jesh i suksesshëm.” – Albert Schveitzer

Suksesi nuk është thjeshtë të arrish në jetën tënde. Por edhe të inspirosh të tjerët t’ia arrijnë”– I panjohur

Rrëzohu 7 herë e ngrihu 8 herë.” – Proverb japoneze

Disa njerëz ëndërrojnë për suksesin, ndërsa të tjerët zgjohen dhe punojnë për të.” – I panjohur

Nëse e ëndërron mund ta arrish.” – Walt Disney

Ndryshimi mes asaj që je dhe asaj që do është ajo çfarë bën.” – I panjohur

“Një njeri i suksesshëm është ai që ngre një ndërtesë me tullat që hodhën në drejtim të tij.” – David Brinkley

Për të patur sukses, dëshira për sukses duhet të jetë më e madhe se frika nga humbja.” – Bill Cobsy

Për të pasur sukses, në fillim duhet të kemi besim se ne mundemi.” – Niko Kazanzaqis

Shumë nga dështimet në jetë ndodhin nga njerëz që u dorëzuan duke mos ditur se sa pranë suksesit ishin.” – Thomas Edison

Mos u huto nga kritikat. Kujto që shumë njerëz kanë ecur vetëm për shkak të atyre që e kafshuan.” – Zig Ziglar

Sekreti i suksesit është ta bësh gjënë e zakonshme në mënyrën më të mirë të mundshme” – Jon Rockefeller

E di që je në rrugën e suksesit nëse bën punën tënde, dhe nuk pret të paguhesh për të.” – Oprah Winfrey

“Ekziston një forcë e madhe brenda çdo njeriu, që kur lëshohet, mund të bëjë çdo dëshirë, çdo ëndërr realitet.” – Anthony Robbins

Sekreti i suksesit është të dish atë që askush nuk e di.” – Aristotel Onasssis

Dështova në mënyrën time për të pasur sukses.” – Thomas Edison

Asgjë të vlefshme që bëra nuk ishte aksidentalisht, as shpikjet e mia nuk erdhën aksidentalisht. Jo, kur kam vendosur se çfarë rezultati dua, punoj për të deri kur të vijë.” – Thomas Edison

I vetmi vend ku suksesi vjen përpara punës është vetëm në fjalor.” – Vidal Sassoon

Vazhdo të ecësh, shanset janë të pengohesh, ndoshta kur nuk e pret. Por nuk kam dëgjuar për një njeri të suksesshëm që të rrëzohet dhe të qëndrojë ulur.” – Charles Kettering

Melodi e këputun

Poezi nga Millosh Gergj Nikolla- Migjeni.

Melodi e këputun – lot i kjartë nga syni
i një grues së dashun…
andje e përplasun,
xhevahir i tretun,
një andërr e shkelun,
buzë e paputhun
në melodinë e këputun.
Nga vaji i heshtun shkunden supat e zhveshun,
verbojnë nga zbardhimi…
e ther, ther hidhnimi
për çastet e rrëshqitun,
për fatin e ikun,
për gëzimin e humbun
në melodinë e këputun.
Brrylat ndër gjujë të mpshtetun, ftyrë në shplakë e fundosun:
Qan grueja e pikllueme
me zemër të piskueme
(një kitarë e gjymtun,
za kange i mbytun
në buzë nga dhimb’ e puthun
në melodinë e këputun).
Hesht njeriu pran grues që qan e turpnueme…
syni i venitet
në të loti vërvitet,
diçka nxjerr nga xhepi
grues ia le – dhe së shpejti
e len gruen e humbun
në melodinë e këputun.
Por kur vjen ndoj tjetër, epshi kapërthehet,
gjaqet turbullohen,
përzihen, përvlohen,
çohen peshë, tërbohen
… e vetëm ndëgjohen
ahtët e molisun
në melodinë e grisun./ KultPlus.com

Loja kompjuterike “Solitaire” mbush 30 vjet

Loja kompjuterike “Solitaire” ka mbushur 30 vjet të premten. Microsofti po e feston këtë përvjetor me 35 milion njerëz në muaj që janë aktivë në lojë, e me më shumë se 100 milionë lojë të luajtura në ditë.

“Solitaire” fillimisht ishte pjesë e Windows 3.0 më 1990, e dizajnuar për t’i mësuar përdoruesit si të përdorin miun. Bartja virtuale e kartave dhe vendosja e tyre bazuar në renditjen e caktuar, mësoi bazën e opsionit ‘drag and drop’ në Windows, e që përdoret akoma në shumë pjesë të sistemit operativ.

Fillimisht ajo njihej si “Windows Solitaire”. Mbetet një prej lojërave më të luajtura në botë pasi ishte shpërndarë në të gjitha versionet e Windowsit për më shumë se dy dekada. Kjo nënkupton se ajo është shpërndarë në më shumë se një miliard kompjuterë dhe u ndal së qeni pjesë e dedikuar e Windowsit me lansimin e versionit “Windows 8” më 2012.

Microsofti e ka shpërndarë lojën në 65 gjuhë e ajo luhet në më shumë se 200 tregje. Përditësimin e madh të saj e mori më 2012, kur u nda nga “Windows 8” për të qenë aplikacion i vetëm. Më 2015, u kthye si pjesë e “Windows 10”. /KultPlus.com

Qielli i errët “ngjyroset” rozë në Nju-Jork (VIDEO)

Një pamje e çuditshme u shfaq në New York teksa qielli u “ngjyrosë” me rozë të ndritshme.

Videoja e filmuar nga një banore e Niagara, Brandi Maureen, tregon qiellin e ndezur me ngjyra të harmonizuara, në atë vjollcë dhe rozë.

“Drita duket si një vjollcë e errët, por është rozë”, ka thënë Maureen.

“Ne sapo erdhëm në Rochester, New York, dhe qielli në një zonë të veçantë është rozë”, u shpreh ajo.

“Nuk kam parë ndonjëherë një gjë të tillë, nuk e dimë se çfarë po ndodh”, shtoi banorja.

Siç shihet edhe në pamjet, qielli i errët në këto ditë pranvere, shndërrohet në pamje të mrekullueshme. /KultPlus.com

Ministria e Arsimit vendos për hapjen e konkursit për bursa për studentët

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka marrë vendim për hapjen e konkursit për ndarjen e bursave për vitin akademik 2019/2020 për studentët e Institucioneve Publike të Arsimit të Lartë, gati tre muaj pas dorëzimit të peticionit me rreth tetë mijë nënshkrime.

Në një njoftim në Facebook, ministrja Hykmete Bajrami, ka thënë se “këto bursa ofrojnë një përkrahje të nevojshme financiare për studentët elitarë, prandaj edhe janë në shërbim të avancimit të cilësisë së arsimit të lartë në Republikën e Kosovës”.

“Shpallja e këtij konkursi do të ofrojë përgjigje lidhur me interesimet e shumta të studentëve lidhur me konkursin për bursa të shpallur nga MAShTI në vitin 2019 i cili konkurs ishte përcjellë me polemika dhe protesta dhe i cili ishte anuluar përmes vendimit të datës 08.11.2019. Duke pasur parasysh situatën e krijuar me pandeminë COVID-19, Ministrja ka vendosur që të drejtë aplikimi për bursë kanë studentët e të gjitha fushave të cilët i plotësojnë kriteret e përcaktuara përmes udhëzimit administrativ 14/2017 për ndarjen e bursave”, thuhet në njoftim.

Hapja e konkursit do të bëhet ditëve në vijim dhe studentët do të informohen për afatet dhe kriteret e aplikimit, ka thënë MASHTI.

Shuma e bursës që e ndan MASHTI, sipas një vendimi të nxjerrë në vitin 2018, është 880 euro.

Muharrem Qena, artisti i pesë kaheve

Nga: Sinan Gashi

Njeriu që është i tëri talent në vend si mish e kockë, i tëri përkushtim në vend se lakmi, i tëri sakrificë artistike në vend se pushtet, është pa mëdyshje Muharrem Qena.

I nisur një rruge të re jetësore e artistike, të parespektueshme për fillimin, aktori i lindur dhe ambiciozi i pashoq, që ta shpreh mendimin e idetë e veta të ngritura në mesazhe artistike, është i riu nga Mitrovica i viteve 1930, i cili përherë, derisa ia mundësoi shëndeti e mosha, nuk rreshti së dëshmuari se do, se mundet dhe se di ta begatojë jetën e njeriut, atë begati ideore e shijojë që e kishte në qenjen e vet.

Ai nisi rrugën e re, atë të aktorit, atë të artit teatral, që në vendlindje për të bërë shfaqje teatrale, duke tubuar rreth vetes grup entuziastësh dhe duke dëshmuar se ky është një art i ri dhe tejet i nevojshëm edhe për ne në Kosovë. Pas një kohe, ai nisë shkollimin profesional për aktor teatri e filmi në Beograd, për ta ndërprerë vetëm sa mësoi nismat e zanatit, kur dhe do kthehet në Prishtinë, për t’ia vënë themelet teatrit të parë profesionist në Kosovë. Me një grup shokësh tashti të ndjerë, ai krijon adhurimin e shikuesve, të cilët përditë e më shumë aktualizojnë këtë lloj arti. Edhe pse në kushte të rënda dhe nën një përcjellje të regjimit sllav, i cili kontrollonte temat e dramave, ata detyrimisht nisën me drama të përkthyera nga gjuhët e huaja, por që mundësisht të anonin kah vlerat njerëzore e univerzale. Madje edhe regjisorët ishin nga të huajt. Regjisori i parë që inskenoi dramën “Besa” të Sami Frashërit, por edhe shumë pjesë të tjera nga dramaturgjia botërore, ishte Muharrem Qena.

Kronologji e një jete të begatë

Vitet kronologjike të jetë – krijimtarisë së Muharrem Qenës, mund të radhiten këso forme: Më 1930 është i lindur në Mitrovicë, ku kreu shkollën fillore, kurse të mesmen në Prishtinë. Në vitin 1947 pranohet student në shkollën e lartë të filmit në Beograd. Në kohën zgjatore 1948-1955 ai është në Teatrin Popullor Krahinor të Prishtinës, edhe si aktor edhe si regjisor. Ai kreu njëkohësisht edhe punën e dramaturgut, për shumicën e dramave të interpretuara, që ishte një intervenim i domosdoshëm për përshtatjen e teksteve të dramave të huaja për kërkesën tonë të mesazheve kombëtare.

Në vitet 1955 dhe 1956 ai kthehet regjisor në Teatrin e atëhershëm profesional Popullor të Mitrovicës, pra për dy sezona. Shfaqjet kulmojnë veçanërisht në rolet kryesore të dy aktorëve talentë të përhershëm: Muharrem Qenës dhe Melihate Ajetit – Qena. Pastaj, pasi mbyllet ky institucion, kthehet në Teatrin e Prishtinës, ku përgatiten edhe dramat: “Besa” e Sami Frashërit, pastaj “Nuk martohem me pare” e Murteza Pezës, “Mërgimtarët”, melodramë e maqedonasit Anton Parov, “Hani në rrugën kryesore” e Anton Çehovit, “Zhorzh d’Andoli” e Molierit, “Zonja me kamielje” e Aleksandër Dyma – Birit, e mjaft të tjera. Këto ishin në Prishtinë dhe në Mitrovicë. Ai nga viti 1972 deri 1973 punon në Prizren, për teatrin e atëhershëm profesionist. I përgatit nja dy vepra dramatike. Në detyrën e regjisorit punoi edhe në Teatrin e Gjakovës, ku realizoi “Fisheku në pajë” të dramaturgut shkodran Fadil Kraja, e cila edhe ishte realizim për përpunimin e këtij teatri si profesionist. Kishte punuar një kohë edhe në teatrin e Shkupit, si regjisor mysafir.

Vepra që mbeti antologjike dhe që fitoi të gjitha shpërblimet e një festivale, ishte “Erveheja”, e dramatizuar sipas veprës së bejtexhiut Muhamet Kyçykut – Çamit. Edhe pse në pllakatë shkruante se është dramatizuar nga Ahmet Qirezi, gjithsesi ishte intervenimi thelbësor i Muharrem Qenës, i cili me përvojën regjisoriale që kishte, i dinte mangësitë dhe domosdoshmëritë e tekstit në raste.

Në festivalin e teatrove profesioniste të ish-Jugosllavisë, në Novi Sad, në një konkurencë të fortë, të gjitha shpërblimet e mundshme i ishin dhënë kësaj shfaqjeje, edhe për regji, edhe për aktrim, edhe për muzikë, edhe për skenografi. Aktivitetin profesional e përmbylli në TV, atëherë të Pristhinës, si regjisor në redaksinë e dramës, ku përgatiti seriale për fëmijë, dramën “Miu në xhep” të Hivzi Sulejmanit dhe një sërë programesh kulturo-artistike, dokumentare e zbavitëse, kryesisht për programet festivale për vitin e ri.

Muharremi si aktor filmi

Prirja e tij aktoreske, manifestohet natyrshëm dhe tepër me talent jo vetëm në dërrasat e teatrit, por edhe në film. Roli i parë ishte ai i ballistit, në filmin “Kapiten Lleshi”, film në temë nga LNÇ-ja. Më pastaj, në filmat e autorëve të Kosovës, aktivizohet në “Proka” të Isa Qosjes. “Njeriu prej dheu”, “Lepuri me pesë këmbë” të Ismail Ymerit, e disa të tjerë. Edhe pse në role episodike në raste, ai në çdo rast jep shenjat e një aktori të përkushtuar, i cili zbulon talentin dhe përshtatjen natyrshëm me karakterin e personazheve të ndryshëm, natyrisht nga filmi në film. Futet thellë në botën e rolit, për të dhënë me bindshmëri karakterin e tij dhe ngjizjen reale në raport me personazhet e tjerë dhe rrjedhën e ngjarjes në tërësi.

Muzika, një dhunti tjetër natyrore

I binte kitarës që në rini, duke emituar melodi të adhuruara të kohës, nga muzika jonë si dhe ajo e huaja. Po ashtu, gjatë ekzekutimit, edhe nxirrte tinguj që ishin origjinalë, që, më vonë, pasi ua shtonte tekstin, bëhej këngë e lehtë fort e adhuruar nga dëgjuesit. Edhe zëri melodik dhe fort karakteristik, që vështirë të emetohej nga dikush tjetër, bëri që disa nga ato këngë të mbesin hite. Tashti, këto ditë, u bë përurimi i më se njëzet këngëve të tija në një CD, në nis e me “Kaçurrelen” edhe sot aktuale, pastaj me “Shokut”, “Pa ty”, “Lamtumirë, “Kënga e çobanit”, e mjaft të tjera. Ajo që dëshmon përkushtimin edhe këtu, madje, është interpretimi i disa këngëve edhe në dy a tri variante, si me “Kaçurrelja” apo “Lamtumirë”. Ishte edhe koautor në disa nga këto këngë, por kanë ngelur disa interpretime të tjera që nuk janë përfshirë në këtë botim CD-je.

Muharrem Qena dhe Katarina Josipi në një skenë drame

Muharrem Qena në vitin 1982, në Prishtinë, botoi dramën e vetme titulluar “Bashkëshortët”, e cila që nga titulli na fut në problemin me bashkëkohore dhe më aktual, atë të jetës bashkëshortore në shoqërinë shqiptare, paksa të vonuar. Muharremi, me përvojën e madhe të dramaturgut të veprave të përkthyera për teatër, mandej me përvojën e shumtë të inskenimeve të veprave të huaja dhe asosh origjinale, diti me saktësi se çka kërkon drama si zhanër, duke hedhë edhe talent prej artisti, në digresionet e rënjet e katarakteve emocionale në jetën e bashkëshortëve, për ta mbajtur lexuesin, përkatësisht shikuesin, në ankth deri në fund të përmylljes. Ai po ashtu kishte shkruar tekstin për operetën “Hoxha me tri fletë”, që në bashkëpunim me kompozitorin Rexho Mulliqi mendonin ta realizonin, por vdekja e atij e la përgjysëm projektin. Sido që të jetë, disa nga tekstet e këngëve të interpretuara nga ai dhe këto vepra të botuara, dëshmojnë edhe këtë kahje të dhuntisë krijuese.

Muharrem Qena duke e kënduar “Kaçurrelen” e famshme

Në përmbyllje

Ngase tani ai është në moshë të shtyrë dhe i pamundshëm për të krijuar në çfarëdo lëmie të dëshmuar artistike, mund të themi si rezyme, se Muharrem Qena, aktori, regjisori, këngëtari, dramaturgu, shkrimtari, dha këtë rezultat tashti shifror: Në 200 shfaqje ishte regjisor, në dhjetë drama aktor, luajti në pesë filma, interpretoi më se njëzet këngë të lehta dhe shkroi një dramë e një operetë.

Neve, gjeneratave të tanishme, na la mesazhin se dinte shumë nga sfera e artit, po jeta është e shkurtër për të shkuar deri në fund për të gjitha. Ajo që ishte kulminantja e forcës së tij, përgatiti për aktor dhjetra talentë, që u mungonte shkolla profesionale por kishin talentin. Kështu edhe erdhëm në ditët tona, të shkollave profesionale aktoreske, për teatër, film e regji. /KultPlus.com