Viktor Hygoi, shuarja e një zemre që ndezi diellin flakatar të humanizmit.
Sot 135 vite më parë, më 22 maj 1885 ndali trokun e vet të drobitur nga vitet dhe dhimbjet, zemra 83-vjeçare, e Viktor Hygoit, babait të romantizmit dhe atit të kombit francez, dalëzotësit të paepur të të nëpërkëmburve, të varfërve, të gjithë atyre që i kishte ndëshkuar më shumë se fati, koha.
Bota e humanizmit me vdekjen e Viktor Hygo, ndahet me një emblem, me një shëmbëlltyrë të pashembullt dhe vetanake në udhëprirjen e njerëzimit përnga barazia, toleranca, drejtësia dhe besimi.
Karroca e të varfërve me kurmin e tretur së gjalli të Hygoi u vendos për një natë nën Harkun e Triumfit dhe u shoqërua nga 12 poetë. Dy milion persona asistuan në ceremoninë e lamtumirës. Franca dhe bota mbarë do të ishte dëshmitare e një prej akteve më solemne të mirënjohjes, e denjë për zotër dhe etër. Ai ishte ati i shpirtrave të shërbyer prej njerëzores. Nga çdo cep i Francës kishin ardhur atë ditë për tu ndarë me zërin e zemrave të tyre. Ajo ishte dhe mbeti për shumë kohë një nga ceremonitë e lamtumirës më madhështorja që njerëzimi kishte parë.
Viktor Hygoi iku për të mbetur jo vetëm në bibliotekë, në mëndje dhe në përjetime, por edhe në të tashmen, si i gjithkohëshëm.
Të 50.000 frangat që kishte kapital ai e la me amanet për të varfëritë. I tillë ishte ai. E tillë, pikëlluese dhe e pazëvendësueshme ishte humbja e tij. Me ikjen ai la kryeveprën monumentale, la personazhet, Zhan Valzhanin, Anzholrasin, Gavroshin, Mirielin, Guinplenin, Kazimodon, Esmeraldën, të cilët gjallojnë në frymimin e përgjithmonshëm të penës së tij humaniste, shpirtit të tij të madh, zemrës që troket atëditë e sot në kalldrëmet e fateve të krisura, që zvarget hekakeqe edhe tash mbas 135 vitesh në baltën që përlyen ndërgjegjen e kohërave, për të qenë përherë një zë denoncues, një ndëshkim, një fshikull, një akuzë. / Albert Vataj / KultPlus.com
Një gjyshe duhet t’i fshijë fotografitë e nipërve dhe mbesave të saj, të cilat i postoi në Facebook dhe Pinterest pa lejen e prindërve të tyre, ka vendosur një gjykatë në Holandë.
Gjyshja përfundoi në gjykatë, pasi vajza e saj e paditi atë. Gjykatësi vendosi që çështja ishte brenda rregullave të Rregullores së Përgjithshme të BE-së për Mbrojtjen e të Dhënave.
Rasti shkoi në gjykatë pasi gjyshja refuzoi t’i fshinte fotografitë e nipërve dhe mbesave të saj, të cilat i kishte publikuar në rrjete sociale, transmeton Gazeta Express.
Nëna e fëmijëve i kishte kërkuar asaj disa herë që t’i fshinte fotografitë, por ajo nuk e kishte bërë. Rregullorja e BE-së zakonisht nuk aplikohet për të dhënat “shumë personale” ose “shtëpiake”.
Por, pavarësisht kësaj, rasti nuk u përjashtua për shkak se postimi i fotografive në rrjete sociale i bëri ato të gatshme në një audiencë më të gjerë, thuhet sipas vendimit të gjykatës.
“Nuk mund të përjashtohet fakti se fotografitë e vendosura në Facebook mund t’iu bien në dorë palëve të treta”, tha vendimi. Gjyshja duhet t’i fshijë fotografitë ose të paguajë dënim 50 euro në ditë, nëse nuk i fshinë. /KultPlus.com
Filmi i metrazhit të shkurtër ‘Schauerfilm’ me skenar dhe regji të Lorena Sopit, ka fituar ‘Çmimin e art’ (Gold Award) në Festivalin European Screen Awards, përcjellë KultPlus.
Filmi njëzetë minutësh me elemente të zhanrit fantastik trajton zhdukjet e çuditshme të studentëve në një shkollë të vjetër formë labirinthi misterioz, rreth së cilës thuren tregime të çuditshme.
‘Schauerfilm’ që mban titullin e përdorur si parashenjë për ekspresionizmin gjerman në vitet e tridhjeta në kinematografi, është shpallur fitues në kategorinë e filmit të shkurtër evropian në edicionin e shtatë të festivalit European Screen Awards i cili është dashur të mbahet nga data 15 – 21 maj 2020, në Jakarta të Indonezisë, por i cili është mbajtur online për shkak të pandemisë COVIT19.
Është ky çmimi i katërt për këtë film nga 11 festivale ndërkombëtare në të cilat është shfaqur deri më tani. Ditët në vijim, filmi do të shfaqet në Fantastic Film Festival në Barcelonë, festival i cili poashtu do të mbahet online, kurse gjatë muajit qershor do të shaqet në New Directors – New Films Festival dhe në Dublin Independent Film Festival.
Filmi ‘Schauerfilm’ është prodhim i kompanisë AS Film Production nga Prishtina.
Në rolet kryesore të këtij filmi paraqiten: Agron Shala, Afrim Muçaj, Beslidhje Bytyqi, Ylber Bardhi, Kreshnik Malushi, Flutura Mustafa, etj.
Drejtor fotografie është: Besnik Hasolli. Zëri: Gëzim Rama. Skenograf: Uran Duli, Kompozitor: Mendi Mengjiqi. Regjisore: Lorena Sopi. / KultPlus.com
Ishte data 22 maj e vitit 2017 kur alpinistja Uta Ibrahimi arriti Majën Everest. Kjo ditë ishte historike për vendin tonë, ndërsa për Utën një ëndërr e realizuar që i shërbej për shumë gjëra, e në veçanti e ka shtyrë atë të bëhet inspirim për të rinjtë e sidomos për fëmijët, shkruan KultPlus.com
Historia e alpinistes së Kosovës, Uta Ibrahimi, me të gjitha sukseset e saj është përmbledhur tashmë edhe në një libër.
“Uta e Maleve” është libri i cili flet për guximin e saj dhe sot në këtë datë të shënuar ajo mban librin në duar, duke u ndjerë krenare e duke i motivuar njerëzit që të ecin përpara.
Përmes një postimi në Facebook, Uta ka përshkruar momentin e ngjitjes në Majën Everest dhe ka falënderuar të gjithë ata që e kanë ndihmuar në rrugëtimin e saj.
KultPlus ju sjell të plotë postimin e saj:
22 Maj 2017, në ora 0505, e ngjita majën ma të naltë të Botës, Majën Everest 8848metra.
Kur ka dal djelli edhe rrezet ma kanë shkri akullin në fytyrë, mu ka dok që krejt bota po më përqafon në qat moment. M’ka dhan energji me vazhdu me shku te posht edhe nja 15 orë të tjera, pa ushqim e pa ujë.
Çdo ditë pas asaj dite, s’ka qenë ma si përpara. Çdo ditë ka qenë ma e bukur e me shumë sfida!
Prej asaj dite, e kam marr përsipër një punë shumë të dashur për mu e me shumë nevojë për vendin tem …me i inspiru të rinjtë, e sidomos fëmijët <3
Këtë herë bashk me ekipen ma të dashur në botë, e kemi botu librën pë ngjitjen në Everest.
Libri ‘ Uta e Maleve’ / ‘Uta and the Mountains’ është botuar në dy gjuhët, shqipe dhe angleze, e pritet me u botu edhe në shumë gjuhë të tjera nëpër botë, e që do ta ndihmojmë vendin tonë të vogël me zemra të mëdhaja me ec përpara.
Ju du pafund, njerëz të mirë që keni qenë motivi jem që unë me arrit mi realizu andrrat e mia, e që më vonë na u ban endërrat tona <3
“Nga sytë e femrave rrjedh dhe filozofia ime: Ato ndriçojnë ende zjarrin e vërtetë të Prometeut. Janë libri, arti, akademia, që tregojnë, mbajnë dhe ushqejnë botën.” – William Shakespeare
“Te gratë çdo gjë është zemër, edhe koka.” – Jean Paul Richter
“Si grua nuk kam vend. Si grua nuk dua asnjë vend. Si grua, vendi im është e gjithë bota.” – Virginia Woolf
“Për burrin dashuria është një pjesë e jetës, për gruan është e gjithë ekzistenca.” – George Byron
“Forca e grave rrjedh nga diçka që as psikologjia s’e shpjegon dot. Burrat mund të analizohen, gratë vetëm të adhurohen.” – Oscar Wilde
“Nuk i duhet besuar një gruaje që tregon moshën e saj të vërtetë. Nëse e bën këtë, atëherë është në gjendje të thotë gjithçka.” – Oscar Wilde
“Gratë, njësoj si dhe ëndrrat, nuk janë asnjëherë ashtu siç i do ti.” – Luigi Pirandello
“Femrat nuk janë mjaftueshëm të barabarta me meshkujt, kështu që duhet të bëhemi të domosdoshme. Por, në fund të fundit, kemi armën më të fortë në dorë, jemi femra.” – Maria Callas
“Gruaja është si një paketë çaji, nuk mund të thuash sa e fortë është deri në momentin që vihet ujë të nxehtë.” – Eleanor Roosevelt
Sajtet e njohura historike në vend, si parku arkeologjik i Apolonisë dhe vendvarrimi i Skënderbeut në Lezhë janë rihapur pas izolimit dymujor, por vizitorët ende nuk janë kthyer. Situata duket e vështirë, së paku deri në hapjen e kufijve.
Vendvarrimi i heroit kombëtar Gjergj Kastriotit në qytetin e Lezhës, hapi dyert këtë javë, por këtij sajti të njohur historik i mungojnë vizitorët. Paulin Zefi, përgjegjës i trashëgimisë kulturore “Duke qenë se Tirana nuk është kthyer zonë e gjelbër, as Shkodra jo nuk ka lëvizje. Po kështu shkollat janë të mbyllura, pasi numri më i madh i vizitorëve përbëhet nga nxënësit dhe studentët është e pamundur … Po kështu ndikon mbyllja e kufijve”.
Sipas Përgjegjësit të Trashëgimisë Kulturore në 2019-tën memoriali i Skënderbeut është vizituar nga rreth 30 mijë vizitorë. Ndërsa pritshmëritë këtë vit janë të ulëta. “Fluksi zakonisht nis në Maj e deri në Shtator, por për shkak të situatës kam frike se nuk do kemi as 1/3 e vizitorëve krahasuar me vitet e kaluara”.
E njëjta situatë paraqitet edhe në kalanë mesjetare të qytetit të Lezhës si dhe muzeun etnografik. Që nga 18 Maji Parku Arkeologjik i Apolonisë në Fier, është i hapur për vizitorët. Specialisti i këtij parku, Admir Xhelaj shprehet se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar ka pasur një fluks të madh vizitorësh vendas e huaj.
“Numri gjatë këtyre dy ditëve ka qenë minimal por presim me lehtësimin e masave dhe hapjen e kufijve muajin tjeter që të shtohen vizitorët” tha ai.
Sa i përket hapjes së mozaikut arkeologu thotë se vendimi do të merret nëse do të shtohen vizitorët. “Ne këtë vit kishim menduar të hapim e mozaikët në sektorin G, pranë Manastirit por kjo do shihet në bazë të vizitueshmërisë”. Xhelaj gjithashtu shprehet se janë marrë të gjitha masat anti-covid, jo vetëm në muze por edhe në ambientet e jashtme. /Shqiptarja.com / KultPlus.com
Në këtë kohe pandemie, Kolegji Universum ofron online dhe falas – Program për përgatitje të Testit të Matures. Programi përfshin të gjitha lëndet, pas plotësimit maturantët mund të shohin rezultatet e përgjigjeve të sakta dhe të gabuara.
Pas lansimit të programit maturantët kanë shprehur interesim të jashtëzakonshëm, mijëra maturantë tashmë i kanë filluar përgatitjet për test të maturës.
A e dini se? Ju mund ti filloni studimet në Kolegji Universum dhe ti vazhdoni në Kajaani University of Applied Sciences në Finlandë me BURSË 100%! Merr diplomë të dyfishtë finlandeze. Regjistrohu për informata http://tiny.cc/wqpxoz Për çdo pyetje apo paqartësi kontaktoni Kolegjin Universum në [email protected], 044 144 062 apo na ndiqni në rrjete sociale në facebook & instagram.
Rita Ora ka duartrokitur punëtorët shëndetësorë të Britanisë dhe luftën e tyre kundër koronavirusit.
Rita edhe më parë ka qenë në përkrahje të Shërbimit Kombëtarë Shëndetësorë në Britani e ku e kishte duartrokitur punën e tyrë në vijat e para të frontit kundër COVID-19.
E në këtë luftë në javët e para në Britani kishte marrë pjesë edhe nëna e Ritës, Vera, e cila kishte shërbyer si psikologe për të prekurit nga virusi.
Sonte ajo ka postuar në InstaStory një video ku duartroket përsëri punën e punëtorëve shëndetësorë në Britani kundër pandemisë. /GazetaExpress/ KultPlus.com
“La France” ka botuar, të premten e 5 nëntorit 1943, në faqen n°3, një shkrim në lidhje me deklaratën e Winston Churchill-it për Shqipërinë dhe luftëtarët e saj, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:
Një deklaratë e z. Churchill për Shqipërinë
Në përgjigje të një pyetjeje të parashtruar nga një deputet i Dhomës së Komunave, dje, z. Churchill mbajti një fjalim në shenjë nderimi për mijëra luftëtarë shqiptarë që luftojnë në male për lirinë dhe pavarësinë e vendit të tyre.
Nga përvoja e të gjitha vendeve të pushtuara, tha ai, ata kanë mësuar se pavarësia e pretenduar dhe e ofruar nga Gjermania është veçse një mashtrim. Disa javë më parë, pushtimi fashist, të cilin ata refuzuan ta pranojnë për katër vjet, u zëvendësua me atë gjerman. Gjermanët përdorën të gjitha metodat e tyre të zakonshme, me të cilat ata përpiqen të nënshtrojnë të gjithë popujt luftëtarë. Ata kanë bombarduar fshatrat shqiptare, kanë vrarë gra dhe fëmijë shqiptarë. Por luftëtarët shqiptarë vazhdojnë të ngacmojnë armikun dhe të sulmojnë linjat e tij të komunikimit.
Oficerët ndërlidhës britanikë që gjenden me luftëtarët u bëjnë një homazh të madh për cilësitë e tyre luftarake. Ne presim që shqiptarët të luajnë rolin e tyre në përputhje me traditat e tyre të lashta të luftës në ngjarjet e ardhshme ushtarake në zonën e Mesdheut.
“Politika e qeverisë britanike mbetet ashtu siç është përcaktuar nga Ministri i Punëve të Jashtme në deklaratën e tij të 18 dhjetorit 1942: domethënë, ne duam ta shohim Shqipërinë të çliruar nga zgjedha e fuqive të Boshtit dhe të pavarur.
Sigurisht, çështja e kufijve do të shqyrtohet gjatë zgjidhjes së paqes.”
22 Maji është shpallur nga Kombet e Bashkuara si Dita Ndërkombëtare e Diversitetit Biologjik, ose Dita Botërore e Biodiversitetit, me qëllim rritjen e ndërgjegjes dhe të kuptimit më të thellë të çështjeve lidhur me biodiversitetin.
Për herë të parë kjo ditë është përkujtuar nga Komiteti i dytë i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara më 29 Dhjetor 1993, që shënon dhe datën e hyrjes në fuqi të Konventës së Diversitetit Biologjik.
22 Maji si Dita Ndërkombëtare e Biodiversitetit ka temë kryesore globale integrimin e biodiversitetit dhe i kushtohet mbështetjes së njerëzve dhe jetesës së komuniteteve. / KultPlus.com
Ka vdekur në moshën 48 vjeçare shkrimtari boshnjak me prejardhje shqiptare, Bekim Sejranoviq.
Ndarjen e tij nga kjo botë e konfirmoi për mediat e huaja, miku i ngushtë i tij, Damir Uzunoviq, drejtor i një shtëpie botuese në Sarajevë, njofton Klan Kosova.
Shkaqet e vdekjes së shkrimtarit dhe përkthyesit të letërsisë, ende nuk janë bërë të ditura por mësohet se ai vuante nga një sëmundje.
Bekim Sejranoviq lindi më 1972 në Berqko, ku dhe kishte mbaruar shtatë klasë të shkollës fillore.
Që nga viti 1985 ai ka ndjekur Shkollën e Mesme Detare në Rijeka, me gradën shkencore detare.
Pas diplomimit, ai studioi për një vit në Fakultetin e Studimeve Detare në Rijeka, por më pas vendosi të studiojë letërsi kroate dhe krahasuese në Fakultetin Filozofik në Rijeka.
Ai u transferua në Oslo në 1993 dhe mori gradën master në letërsinë sllave të Jugut nga Fakulteti i Historisë dhe Filozofisë në 1999.
Nga viti 2001 deri në 2006, ai punoi si pedagog në fakultetin e përmendur dhe dha mësim për letërsi dhe gjuhë sllave të Jugut.
Që nga viti 2000, ai ka punuar si përkthyes i gjykatës dhe përkthyes letrar.
Shkrimtari boshnjak me prejardhje shqiptare kishte qenë pjesë edhe e festivaleve të ndryshme kulturo-artistike, një ndër të cilat ishte mbajtur më 2013-ën edhe në qendrën e kulturës ”Rexhep Mitrovica” në Mitrovicë.
Sejranoviq në festivalin ”Do You Read Me”, ishte shfaqur para publikut duke lexuar pjesë nga romani i tij ”Sandalet”, i cili përbëhet prej disa tregimesh të shkurta. / Klan Kosova / KultPlus.com
Në një video të publikuar në YouTube, kreu i Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike, Joseph Stalin është filmuar në takimin përmbyllës së Kongresit të 19-të të Partive Komuniste të Bashkimit Sovjetik, më14 tetor 1952. I plakur dhe i thinjur, këtu, lideri komunist dhe diktatori i kampit socialist, Stalin, 74 vjeç flet për bashkëpunimin dhe idealet e partive komuniste në botë.
Ky ishte i fundit fjalim i tij drejtuar liderëve komunistë të botës, pasi që vetëm pesë muaj më pas, më 6 mars 1953 Stalini do të vdiste.
Ajo që tërheq vëmendje për publikun shqiptar, është që teksa Stalini mban fjalimin, mbrapa krahut të tij të majtë, shihet lideri komunist shqiptar Enver Hoxha, që me kufje në vesh dëgjon ato çfarë thotë Stalini.
Dy ditë më pas, më 16 tetor 1952, Hoxha do të bëhej 44 vjeç. Diktatori shqiptar Enver Hoxha do të shquhej për admirimin e tij të vendosur për Stalinin. Ai do të refuzonte të dënonte krimet e Stalinit pas vdekjes së këtij të fundit, duke mbetur besnik i stalinizmit deri në vdekje.
Hoxha kishte iniciuar ngritjen e një shtatoreje të Stalinit në qendër të Tiranës, e cila ishte porositur në Rusi, që në të gjallë të diktatorit rus dhe qe vendosur aty.
Diktatura e vendosur nga Enver Hoxha në Shqipëri, është cilësuar si diktatura më e egër e tipit stalinist në gjithë botën komunist.
Legjenda e karatesë në Kroaci. Kështu e ka vlerësuar sajti “sportklub.hr”, karateistin shqiptar Enver Idrizi.
Idrizi ka garuar për Kroacinë, ndërsa ishte kampion i Evropës në vitet 1993 e 1995. Po ashtu ka dy medalje të argjendta evropiane e një të argjendtë botërore.
Idrizi 53-vjeçar aktualisht jeton në Gjermani, por gradualisht po kthehet në Kroaci, ku ka kaluar një pjesë të jetës. Ai është nga Shkupi.
“Pasi kam përfunduar karrierën është dashur të shkoj në Gjermani që të punoj për familjen. Më parë ka pasur dallim në financa, por sot do të theksoja se nuk ka ndonjë dallim në mes të Kroacisë dhe Gjermanisë. Në vitet e fundit gradualisht po kthehem në Kroaci, atje jam rritur dhe kam miq. Pak do të aktivizohem edhe në karate, do të marr ndonjë klub dhe do ta ushtrojë. Mendoj se mund të jap kontribut të madh. Mendoj se kam kontribuar në krijimin e shtetit të Kroacisë dhe mendoj se shumë nuk e dinë sa mund të kontribuoj për fëmijët që të jenë kampionë të vërtetë të karatesë”, ka thënë Idrizi.
Ai ka folur për të kaluarën, ndërsa ka thënë se flamurin e Kroacisë e ka prezantuar në mënyrën më të mirë.
“Më duhet të flas hapur. Mua më keni dhënë që të mbrojë një flamur kroat, ndonëse jam shqiptar, ndërsa e kam prezantuar në mënyrën më të mirë që kam mundur. Shumë kroatë që ishin me mua më kanë thënë se jam më i madh se Papa. Kemi pasur telashe që nga vitin 1912 në Kosovë, nuk kam pasur as vend as nënë e baba. Më pas kam parë këtë popull, kemi shumë gjëra të përbashkëta dhe kam ndier se është shtëpia ime dhe kam përqafuar Kroacinë. Unë kam thënë vetëm dy fjali – Kroaci, faleminderit që më ke dhënë flamurin tënd për ta ngritur. Por unë jam shqiptar, nuk mund të them se jam kroat”, ka shtuar Idrizi.
Në vitin1998, Idrizi kishte garuar në Evropianin në Beograd. Sipas sportklub.hr, ai ishte duartrokitur nga të pranishmit.
“Është e vërtetë, nuk e kisha të qartë se çka po ndodhë. Kur kanë shpërthyer duartrokitjet, unë jam kthyer, kam menduar se po vjen ndonjë prej presidentëve. Kur kam përfunduar luftën, gjysma e publikut ka dalë nga salla. Ishte një kombinim i hatashëm. Unë, shqiptar, hyjë me flamur të Kroacisë. Kam menduar se do të më shajnë nëntën, që do të thërrasin ‘Ustash’ , ndërsa isha i gatshëm edhe për rrahje me publikun. Por kur kam hyrë të gjithë janë ngritur në këmbë, të gjithë kanë dashur të më dërgojnë në drekë pas luftës. Nuk e kam ditur nëse jam në Kroaci apo në Kosovë”.
Idrizi ka shkuar tutje duke thënë se ka ndërruar rregullat e karatesë, ndërsa lëvdata ka marrë edhe nga kryetari i Federatës së Karatesë së Kroacisë, Davor Cipek.
“Unë i kam ndërruar rregullat e karatesë. Karateja ishte sport shumë statik, kur kam filluar të luftojë në mënyrë tjetër, kur kam vallëzuar, të gjithë kanë parë diçka të re. Teknikat e mia me këmbë ishin diçka e re, ata nuk kanë mundur të besojnë që të kthehesh për 360 shkallë dhe të godasësh kampionin e botës. Kjo ka qenë aftësia ime që e kam nga Zoti””, ka thënë Idrizi. Koha.net / KultPlus.com
Tërë shprehja e muzikës sot, nënshtruar ndaj asaj që po quhet – Ego Trip – mund të përmblidhet në dy vargjet e këngës “Seven Rings” të Ariana Grande:
“You like my hair (Të pëlqejnë flokët e mia)
Gee thanks just bought it” (Uf falemnderit, sapo i bleva)
Dhe kjo shaka, kjo ironi, ky rebelim ndaj flokëve, trupit, natyrës e njeriut në këto rreshta, që del prapa sipërfaqësores, në të vërtetë janë fjalët ekzakte që i kemi përdorur me shokët, në vitet tetëdhjetë. Filluar videot muzikore të muzikës Pop, pasurimi gjigant dhe global i disa artistëve e bënin shumë të afërt mendimin se në kohë të shkurtë “këta njerëz edhe do të blejnë flokët e tyre”. Si që e kishte blerë Michael Jackson një ishull të tërë. Nuk është fjala se ne e dinim çka do të këndonte Grande, por tek izolimi brenda një asgjëje, pavleftësie, siç edhe e saktëson rebelimi në këto vargje, asaj që ishte imagjinatë në vitet tetëdhjetë, sot është gati se tërë muzika bashkëkohore. Në të vërtetë kjo është identike me izolimin e shprehjes globale në muzikë brenda vetëm një motivi.
Në këtë, shikuar në mënyrë kritike, është një dilemë në lidhje me krijimtarinë e Dua Lipës. Aftësia e saj, të të qenit e mirënjohur si “true visionary of Pop music”, potenciali i saj si dhe arritja e saj, a janë këto, Dua Lipa, në zonën e duhur të shprehjes së saj?
Ka shumë xhirime të Duas në mini koncerte ku ajo është – genuine rebel -. Arrin shprehje më të gjalla dhe më anarkike të muzikës se sa vetë Clash, dhe është karakter me të vërtetë Punk.
Kjo dilemë, kjo pyetje, nuk është për shkak të ndonjë defekti në krijimtarinë e saj, as në ndonjë dështim, dhe as në ndonjë dobësi. Në të vërtetë është në dobësinë e Pop muzikës – në temporalitetin e saj, në përkohëshmërinë dhe në sipërfaqësoren e saj. Derisa Dua Lipa, edhe në tërë atë që ka krijuar deri më sot e po ashtu edhe në atë që zbulon potenciali i saj është krejtësisht zotëruese e një shprehjeje më të thellë, më origjinale, më të mençur dhe më të arritur. Kjo pyetje nuk ka të bëjë me klishenë e ashtuquajtur “komercializëm”, në të vërtetë sa i përket komercializmit, qoftë edhe Clash si anarkistët më të mëdhenj kanë kaluar në komerciale qoftë edhe me këngët e tyre si “God Save the Queeen” dhe “ London Calling”. Pyetja këtu ka të bëjë me universalen dhe të papërsëritshmen, të veçantën e Dua Lipës, në atë që mundet dhe në atë që është.
Sa i përket muzikës Pop, ka pasur një debat tejet të rëndësishëm për trendin e shprehjes globale lidhur me këngën “Take me to Church” të artistit Hozier, sidomos lidhur me çmendurinë e konsumit të saj enorm, gjigant dhe global. Pyetja, dilema rreth kësaj kënge ka qenë, dhe vazhdon të jetë aktuale: nëse konsumi i saj enorm është i barasvlershëm me vlerën e kësaj kënge. A është vlerë kjo këngë? A është arritje?
Në njërën anë qëndron pyetja/dilema për përhapjen konsumin enorm të kësaj kënge.
Dhe në anën tjetër është varfëria e ndjenjës, në përsëritjen dhe mbylljen e shprehjes dhe kuptimit njerëzor në një qark tejet të ngushtë dhe të pa thellësi.
Në të vërtetë, shumë pak më vonë, ishte përhapur mendimi se këngëtari shumë i njohur Kanye West, permes këngës “4 minutes” së bashku me Rihanna, do ta bënin shumë të njohur ‘plakun’ i cili ka zbuluar vetë Popin, Rock-un dhe globalizimin e këtyre muzikave, e që është Paul McCartney, anëtarë i bendit më të madh të të gjitha kohëve – The Beatles. Është pikërisht përsëritja e të njëjtës shprehje, lindja e saj pa një memorie, një kujtesë dhe një përvojë të muzikës, së paku, që krijon thënie të çmendurisë gjigante si kjo për Kanye West dhe Paul McCartney të The Beatles. Përsëritja e të njëtës shprehje, në fund të fundit.
Në të vërtetë debati lidhur me Take me to Church, është nëse ky konsum enorm është – kalkulim biznesi, apo nëse është rrjedhë e natyrshme e ecurisë së muzikës Pop. Gjë që duke qenë se gjithnjë i flet të rinjve ajo gjithnjë do të flet për të njëjtën, sepse e njëjta është hera e parë për çdo gjeneratë. (Sa i përket dyshimit në në dilemën lidhur me Take me to Church, kjo këngë mund të krahasohet me këngë të shumta të këtij lloji: heroik/stoik. Shembull mund të jetë kënga shumë e njohur “Hercules” e Aaron Neville).
përfundim
“staring at the sun, staring at the sea (ngulur sytë në diell, ngulur sytë në det)
Staring at the Sun, staring at the sea (ngulur sytë në diell, ngulur sytë në det)
Killing an Arab” (të vrasësh një arab)
Ky është refreni i këngës së The Cure në vitin 1980, Killing an Arab. Është shtjellim i novelës së Albert Kamy – I huaji, dhe po e njëjta përmbajtje e kësaj kënge është huazuar nga kjo novelë – nga mërzia një person vret një arab, pa asnjë motiv. Çka ka të bëjë kjo me “gee thanks just bought it (blerë flokët) e Ariana Grandes? Dhe çka ka të bëjë kjo me Dua Lipën? Dhe me Pop muzikën? Dhe me shpërfaqjen e vetëdijes sonë, që prej viteve tetëdhjetë (siç u cek në fillim të punimit) e deri më sot me Grande-në? Të qenit i mbyllur në qark të hiçit. Në të vërtetë këto japin mundësitë e muzikës, por edhe të shprehjes, asaj që njihet si unike, si që është çdo njeri. Brutaliteti i “killing an Arab” në të vërtetë është përdredhja dhe ironia e jetës, nën ankthin ekzistencial.
Po të njëjtin ankth ekzistencial e vuan edhe Ariana Grande në këngën “Seven Rings”, duke kënduar lehtë se “sapo i ka blerë floktë e saj”. Në të vërtetë në atë që ajo këndon është urrejtja e vetë asaj ndaj të qenit e vënë në automatizëm të përsëritjes së të njëjtës. Të pamundësisë së daljes jashtë saj, dhe të qenit e detyruar të jetoj jetë të panjohur për veten e saj. Të panjohur deri në shndërrim të natyrës së vete. Deri në “vrasje të arabit” nën automatizimin brenda një motivi të vetëm të jetës./KultPlus.com
Gazeta e përditshme franceze “Liberation” i ka kushtuar një reportazh të gjatë shembjes së teatrit kombëtar në Shqipëri.
Në artikull ky vendim cilsohet si i pafalshëm, ndërsa u jepet një rëndësi edhe protestave popullore.
SHKRIMI
Të Dielën, autoritetet zgjodhën të shkatërrojnë Teatrin e vjetër në Tiranë, në mes të natës dhe në mes të një pandemie. E pafalshme për mijëra shqiptarë, të cilët protestuan përsëri të mërkurën, kundër rritjes së pandalshme të diktaturës në Shqipëri. Në një atmosferë të rëndë, të shtyrë prej zemërimit dhe trishtimit, me qindra shqiptarë, shpesh me parulla, nga të gjitha rrugët, u bashkuan në qendër të Tiranës.
Vendoset një flamur i verdhë në vendin përpara gërmadhave ku në të mund të lexoni: “Skena e krimit”. Pas tij, prania e madhe e policisë nuk arrin të fshehë rrënojat e Teatrit Kombëtar. Pamjet e shkatërrimit të monumentit në orën 4.30 të së dielës tronditën shumë shqiptarë. “Teatri ishte diçka që na bashkoi, vajton Xhemali, një biolog i ri, në prag të lotëve. Ishte art! Aktorët flijuan jetën e tyre për të na emancipuar. Larg njohjes së kësaj pune, institucionet e përçmojnë atë plotësisht. Në rrënoja, ka copa kostumesh ose postera të prezantimeve të shfaqjeve të fundit”.
Dëshmitare e gjyqeve të para të krijuara nga diktatura staliniste që përjetoi Shqipëria deri në vitin 1991, skena e teatrit nxiti jetën kulturore për më shumë se shtatëdhjetë vjet. Për shkak të mungesës së investimeve, ndërtesa, e inaguruar në 1939 gjatë pushtimit të Italisë nga Musolini, u la në gjendje të braktisur deri në kalbje. Për gati dy vjet e gjysmë, Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit është përpjekur çdo natë të ngjallë ndërgjegjen për të parandaluar shkatërrimin e tij. Organizata “Europa Nostra”, që lufton për ruajtjen e trashëgimisë kulturore të kontinentit, së fundmi e kishte vendosur atë në krye të listës së monumenteve të kërcënuara. Ndërsa bashkia bën thirrje për pajtim dhe përpiqet të qetësojë lojën, duke paraqitur projektin për një teatër të ri të zhvilluar nga agjensia daneze e “harkut”, Bjarke Ingels, demonstruesit po bërtasin për maskaradë. Ata tregojnë për aferë dhe mungesë transparence.
Nga tribuna e protestave, regjisori Robert Budina kërkon drejtësi. “Ata e shkatërruan atë vetëm kur i gjetëm paratë në Europë për restaurimin, falas, ndërsa projekti i tyre do t’u kushtojë shqiptarëve 30 milion euro”, tha ai.
Ata kanë një plan tjetër, jo për të ndërtuar një teatër të ri, por kulla. Ky është qëllimi i qeverisë”. Përtej lidhjes sentimentale ose vlerës arkitektonike të ndërtesës, shumë demonstrues erdhën për të shprehur shqetësimet e tyre për politikën e kryeministrit socialist, Edi Rama. Vështirë sot të imagjinosh që ky artist dhe politikan, pat ngjallur shpresën e rinisë kur u zgjodh kryetar i vendit në vitin 2013.
Premtimet për të luftuar korrupsionin dhe pabarazinë nuk u mbajtën, dhe qindra mijë shqiptarë janë larguar nga vendi vitet e fundit. Reforma e pafund e sistemit të drejtësisë, e kërkuar nga Bashkimi Evropian, nuk frymëzon besim tek qytetarët për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Zgjedhjet e fundit lokale panë që Partia Socialiste garonte vetëm, pa kundërshtarë dhe opozitë.
Më keq, ky vend, pro-evropian, aspirues i afërt i anëtarësimit në BE, është akuzuar se u shërben interesave të “oligarkëve” të industrisë së ndërtimit dhe për zhytjen në autoritarizëm.
Ndërsa Shqipëria nuk regjistron as 1.000 raste të Covid-19, Kryeministri ka aplikuar ligje pothuajse drakoniane, vetëm me lejen e policisë mund të bëhet pazar dhe vendosej shtetrrethim pas orë 13. Në fundjavën e shkatërrimit të teatrit, trafiku i makinave ishte i ndaluar në Tiranë.
A janë kapërcyer linjat e kuqe të demokracisë? Po, thotë Ida Obiqi, 31 vjeç, pa hezituar. “Ne nuk jemi këtu vetëm për artin, por për të rezistuar“, thotë gruaja e re, në mënyrë tragjike. Diktatura nuk është vetëm komunizmi që kemi pësuar.
Diktatura mund të ndodhë në të gjitha vendet, madje edhe ato pluraliste, nëse ka autokraci në krye të shtetit. Kjo është arsyeja pse ne sot bërtasim “Poshtë diktatura”. Për intelektualin, viktimë e konjukturave të regjimit diktatorial të kaluar, Fatos Lubonja: “Ky shkatërrim për shumë shqiptarë është goditje shumë e fortë, jo vetëm kundër kujtesës historike por edhe kundër dinjitetit dhe lirive tona”.
Kjo përbuzje e palodhshme e klasës politike na detyron të organizojmë “shoqërinë civile” me qëllim lirimin e Shtetit nga kapja e krimit të organizuar e të krijojmë kushtet e pluralizmit politik dhe të Shtetit të së drejtës”.
Në një deklaratë televizive Rama përgjigjet se “demokracia nuk është imponim i pakicës me shantazhe, kërcënime e dhunë”.
Në këtë akt të ri të demokracisë shqiptare në rënie, kriza ekonomike e krijuar nga pandemia, do të mbysë me thellë shpresën e ndryshimit.
Zef Pllumi qe frat françeskan, publicist e shkrimtar. Me prirje përgatitore për kah historia para se të ndërmerrte kalvarin, me të arritur lirinë merr ndër duar frerët kulturorë të trashëgimisë françeskane.
I pagëzuar Prenkë, lindi më 28 gusht 1924, i biri i Gjergj Tomës dhe Luke Mrisë, u lind nga e ëma në një zabel në tëbanin e tyne në bjeshkë. Malësorët që kishin rënë me kohë në ultësirë venin të veronin në bjeshkë për t’iu shmangur verës pranë zonave bregdetare të pabonifikuara. Fisi i Prenkës kishte tëbanin në Qafë të Tëthores së Bogës, mes Shkrelit dhe Shalës – bajrak ky i fundit ku ishte nip. Xhaxhai i Prenkës, Pashko Toma, ishte i pari i shtëpisë dhe burrë i shquar në ato male si plak, kuvendar e bukëdhanës. Gjatë fëminisë takoi P. Gjergj Fishtën dhe P. Anton Harapin që i kishin ardhur miq te tëbani i tyre ndër bjeshkë. Shtati dhe prania imponuese e të parit dhe çehrja prej asketi e të dytit lanë mbresat të cilat i përcjell te libri autobiografik “Saga e fëmijnisë”. Gjatë atij takimi xhaxhai u thotë fretënve se djaloçi kishte shprehur dëshirën të bëhej frat. Dëshirë kjo e ftilluar në librin e lartpërmendur, që kishte marrë shkas prej një takimi të mëparshëm me P. Bona Gjeçajn. Me atë rast P. Harapi i jep një medaljon të Shën Françeskut që mbante në qafë, duke i thënë që ta ruante me shumë kujdes në mënyrë që kur të shkonte në Kolegjin Françeskan të paraqitte atë medaljon.
Më poshtë po sjellim këtë thënie të Zef Pllumit që është aktuale gjithmonë:
“Ky popull, edhe me i shtie opangën në gojë, s’bërtet” /KultPlus.com
O moj Shqypni, e mjera Shqypni, Kush te ka qitë me krye n’hi? Ti ke pas kenë një zojë e randë, Burrat e dheut të thirrshin nanë. Ke pasë shumë t’mira e begati, Me varza t’bukura e me djelm t’ri, Gja e vend shumë, ara e bashtina, Me armë të bardha, me pushkë ltina, Me burra trima, me gra të dlira; Ti ndër gjith shoqet ke kenë ma e mira. Kur kriste pushka si me shkrep moti, Zogu i shqyptarit gjithmonë i zoti Ka kenë për luftë e n’luftë ka dekun E dhunë mbrapa kurr s’i mbetun. Kur ka lidhë besën burri i Shqypnisë, I ka shti dridhën gjithë Rumelisë; Ndër lufta t’rrebta gjithëkund ka ra, Me faqe t’bardhë gjithmonë asht da.
Por sot, Shqypni, pa m’thuej si je? Po sikur lisi i rrxuem përdhe, Shkon bota sipri, me kambë, të shklet E nji fjalë t’ambël askush s’ta flet. Si mal me borë, si fushë me lule Ke pas qenë veshun, sot je me crule, E s’të ka mbetun as em’n as besë; Vet e ke prishun për faqe t’zezë. Shqyptar’, me vllazën jeni tuj u vra, Ndër nji qind ceta jeni shpërnda; Ca thone kam fè ca thonë kam din; Njeni:”jam turk”, tjetri:”latin” Do thonë: “Jam grek”, “shkje”-disa tjerë, Por jemi vllazën t’gjith more t’mjerë! Priftnit e hoxhët ju kanë hutue, Për me ju damun me ju vorfnue! Vjen njeri i huej e ju rri n’votër, Me ju turpnue me grue e motër, E për sa pare qi do t’fitoni, Besën e t’parëve t’gjith e harroni, Baheni robt e njerit t’huej, Qi nuk ka gjuhën dhe gjakun tuej. Qani ju shpata e ju dyfeqe, Shqiptari u zu si zog ndër leqe! Qani ju trima bashkë me ne, Se ra Shqypnia me faqe n’dhe! E s’i ka mbetun as bukë as mish, As zjarm në votër, as dritë, as pishë; As gjak në faqe, as nder ndër shokë, Por asht rrëxue e bamun trokë! Mblidhniu ju varza, mblidhniu ju gra, M’ata sy t’bukur q’dini me qa, Eni t’vajtojmë Shqypninë e mjerë, Qi mbet’ e shkretë pa em’n, pa nder; Ka mbet e vejë si grue pa burrë, Ka mbet si nanë, qi s’pat djalë kurrë! Kujt i ban zemra m’e e lan’ me dekë Kët farë trimneshe, qi sot asht mekë? Këtë nanë të dashtun a do ta lamë, Qi njeri i huej ta shklasë me kambë? Nuk, nuk! Këtë marrè askush s’e do Këtë faqe t’zezë gjithkush e dro! Para se t’hupet kështu Shqypnia, Me pushkë n’dorë le t’desë trimnia! Coniu, shqyptarë, prej gjumit çoniu, Të gjithë si vllazën n’nji besë shtërngoniu, E mos shikoni kisha e xhamia: Feja e shqyptarit asht shqyptaria! Qysh prej Tivarit deri n’Prevezë, Gjithkund lshon dielli vap’edhe rrezë, Asht tok’ e jona, prind na e kanë lanë Kush mos na e preki, se desim t’tanë Të desim si burrat që vdiqnë motit Edhe mos marrohna përpara zotit.
Autorit të Metamorfozës i pëlqente të praktikonte nudizmin, edhe pse kjo ndodhte në raste të rralla. I kalonte pushimet e tij në një hotel në natyrë që quhej “Burimi i të rinjve”, por kishte pak siklet për t’u zhveshur i tëri, dhe i kishin vënë pseudonimin “njeriu me rroba banje”.
Agatha Christie (1890-1976)
Librat e saj kanë shitur miliona kopje, por nuk i ka shkruar ajo. Në fakt ajo vuante nga disgrafia, një çrregullim për të mësuar shkrimin e dorës, që e bënte kaligrafinë e saj të palexueshme dhe prandaj ishte e detyruar t’ia diktonte dikujt tjetër romanet e saj.
Oskar Uaild (1854-1900)
Autori i “Dorian Greit” shprehu diversitetin e tij që fëmijë, kur atij i pëlqente të vishej si femër. Në kolegj nuk praktikonte sportet tipike mashkullore, por merrej me zbukurimin e dhomës së tij me lule.
Xhorxh Bajroni (1788-1824)
Ishte një nga rebelët më të mëdhenj të fillimshekullit të 19. Atij i atribuohen një numër i madh të dashurash, 250 vetëm në një vit, vitin kur vizitoi Venecian. Për të kujtuar femrat që kishte zënë, mbante disa prej qimeve pubike të secilës në një zarf me emrin e vajzës. Lord Bajroni i donte edhe kafshët. Në shtëpinë e tij kishte kuaj, pallua, shpendë të ndryshëm si papagall apo rakun, një dhelpër, një shqiponjë dhe një korb.
Xhejms Xhojs (1882-1941
Kishte një pasion të vërtetë për të pasmet e femrave. Por jo vetëm, i pëlqente të ishte i frustruar dhe i nënshtruar. Këtë e dëshmojnë disa letra nga e dashura Nora Barnacle, që më vonë ishte dhe partnerja e tij. Autori i Uliksit kishte edhe një frikë të madhe ndaj bubullimave, ishte katolik i devotshëm, dhe thoshte se bubullimat janë shprehje e zemërimit të perëndisë.
Xhek London (1876-1916)
Djalë i jashtëligjshëm, kishte një njerkë të alkoolizuar që kur ishte fëmijë e çonte në një pijetore për të blerë birra me kovë. Kështu që i vogli Xhek filloi të pinte që 5 vjeç. Dhe nuk u ndal kurrë. Që në moshën 14-vjeçare pinte si një i rritur. Pas një aksidenti humbi dhëmbët e tij të përparme. Njihej për racizmin e thellë sidomos ndaj aziatikëve.
Leon Tolstoi (1828-1910)
Si fëmijë ashtu edhe adoleshent ishte një student indiferent. Rininë e tij e kalonte mes femrave, bixhozit, alkoolit dhe dueleve. Natën e dasmës detyroi gruan të lexonte ditarin e tij ku ishin shkruar të gjithë aventurat e tij erotike. Këto ndodhën para konvertimit të Tolstoit, që nga ai moment hoqi dorë nga alkooli, duhani, seksi.
Edgar Allan Poe (1809-1849)
Kishte frikë nga errësira dhe e mësoi matematikën duke llogaritur moshën e të vdekurve nga lapidarët e varreve. Ishte i gjithë faji i profesorëve të tij që në shkollën fillore i çonin fëmijët në varreza në fillim të çdo viti shkollor. I jepnin një lopatë të vogël dhe e përdornin për të gërmuar varrin e shokëve të tyre që do vdisnin para përfundimit të shkollës. Kur ishte pa para, ai hiqej si gazetar, duke shpikur artikuj të rreme.
J.R.R Tolkien (1892-1973)
Autori i “Zotit të Unazave” ishte para së gjithash një studiues gjuhësh: mes gjuhëve antike dhe moderne dinte 12 dhe shpiku 14. Profesor i Oksfordit, ishte publikisht i njohur si një shofer i keq, aq sa gruaja e tij refuzonte të hipte në makinë me të kur ecte në qytet. Kishte gërhitje shumë të fortë dhe ndonjëherë gruaja e bindte të flinte në banjë.
Uilliam Shekspir (1564-1616)
Dramaturgu anglez ishte i fiksuar pas parasë. Merrte shumë para borxh nga miqtë e tij, mashtronte departamentin e taksave dhe ishte shumë i ashpër në kërkesat ekonomike të punës së tij. Ishte një bashkëshort i pabesë. Të shumta kanë qenë lidhjet e tij jashtëmartesore.
Me vendosjen e një pëlhure në hyrje të zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, grupi i aktivistëve “Replikë” ka protestuar për izolimin e kosovarëve si pasojë e mosliberalizimit të vizave.
“Bashkimi Evropian tash e një kohë është duke e larguar nga agjenda çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën, edhe pse janë plotësuar të gjitha kriteret nga ana e Kosovës. Bashkimi Evropian përmes këtyre veprimeve po tregon qasje ksenofobike ndaj Kosovës dhe qytetarëve të saj, duke i diskriminuar dhe privuar nga lëvizja e lirë pa ndonjë arsye logjike dhe demokratike”, thuhet në njoftimin e “Replikës” për këtë aksion simbolik.
Vendosjen e kësaj pëlhure në hyrje të zyrës së BE-së në Kosovë, “Replikë” ka thënë se e ka bërë që zyrtarët e këtij institucioni të bashkëndjejnë e të reflektojnë për qytetarët e Kosovës, “të cilët padrejtësisht jemi të izoluar dhe të pabarabartë me personat e tjerë të kontinentit të Evropës”.
“Krejt bota është izoluar për shkak të pandemisë, kosovarët jemi të izoluar për shkak të BE-së. E para quhet virus, ndërsa e dyta ksenofobi”, është shkruar në pëlhurë.
Kur vijnë poetët në “Symphony” Zgjohen kujtimet për mallin e miqve Si fjala e bukur Si ëndrra e lumtur Si dashuria Kur vijnë poetët në “Symphony” Poezia pëshpërit me afshin e vet Sa herë mëngjesi Ngjan me tungjatjetën Sa herë mesdita Ngjan me mirëseardhjen Sa herë mbrëmja Ngjan me mikpritjen Kur vijnë poetët në “Symphony” Secili e di nga vjen frymëzimi Edhe në çastin e ndarjes Për t’u takuar prapë të nesërmen Siç takohen përshëndetjet e përmalluara Kur vijnë poetët në “Symphony” Prapë të njëjta janë Të gjitha ëndrrat e dashurisë Veshur me këmishë ngjyrë ylberi Secila më e bukur se tjetra Zbresin rrugicave të përqafimit Derisa t’i lagë shiu i Prishtinës Dhe e panjohura humb gjurmët e saj Kur vijnë poetët në “Symphony” Me vete e marrin edhe dashurinë Nëse imazhi i parë Është si nata me yje Nëse imazhi i dytë Është si shikimi i përflakur Nëse imazhi i tretë Është si kënaqësia e syve Derisa të tjerët e pinë me fund Vetminë e ngujuar të shpirtrave Kur vijnë poetët në “Symphony” Tingujt e simfonisë së nëntë të Bethovenit Zgjohen bashkë me zjarrminë e vargjeve Aty ku qejfi pagëzohet siç duan shpirtrat Kur vijnë poetët në “Symphony”
Themeluesi i Facebookut, Mark Zuckerberg, ka deklaruar për BBC-në se do të heq çdo përmbajtje që do të shkaktojë “dëm të menjëhershëm” ndaj përdoruesve.
“Edhe nëse ndonjë prej tyre nuk do të qojë te dëmi i menjëhershëm fizik, nuk duam që keqinformimet të jenë përmbajtja që po bëhet virale”, ka thënë Zuckerberg.
Është hequr edhe deklarimi i presidentit të Brazilit, Jair Balsonar, se shkencëtarët kanë dëshmuar se ka një ilaç për koronvirusin.
Kjo sipas tij është hequr pasi thotë se nuk ishte e sigurt.
Ai po ashtu ka thënë se Facebook ka larguar përmbajtjet nga grupet që thonë se rrjetet digjitale 5G janë shkaku i përhapjes së virusit dhe në disa raste edhe kanë inkurajuar të dëmtojnë antenat.
Facebooku së fundi ka larguar përmbajtjet e teoricienit të konspiracioneve David Icke, për shkelje të vazhdueshme të rregulloreve në postim keqinformues.
Icke ka thënë se rrjeti telefonik 5G ka lidhje me përhapjen e virusit dhe në një video tjetër ka thënë se një grup i hebrenjve është prapa virusit.
Sociologu polak Zygmunt Bauman shprehet se është skeptik për mënyrën se si njerëzit protestojnë përmes medieve sociale, për të ashtuquajturin “aktivizim kolltuku”, dhe mendoj që interneti po na dembelos me argëtim çmimlirë.
Çështja e identitetit ka ndryshuar nga diçka me të cilën ju keni lindur në një detyrë: ju duhet të krijoni komunitetin tuaj. Por komunitetet nuk krijohen, dhe ju ose keni një komunitet ose jo. Ajo që mund të krijojnë mediet sociale është zëvendësues. Dallimi mes një komuniteti dhe një rrjeti është se ju i përkisni një komuniteti, por një rrjet iu përket ju. Ju ndiheni në kontroll. Ju mund të shtoni miq nëse doni, ose mund t’i shuani nëse doni. Ju jeni në kontroll të njerëzve të rëndësishëm me të cilët lidheni.
Si pasojë njerëzit ndihen pak më mirë, sepse vetmia, braktisja, është frika e madhe e epokës sonë individualiste. Por është shumë e lehtë të shtosh ose të shuash miq në internet që njerëzit nuk ia dalin të përvetësojnë aftësitë reale sociale, të cilat iu duhen kur dilni në rrugë, kur shkoni në vendin e punës, kur gjeni shumicë njerëzish me të cilët keni nevojë të komunikoni me delikatesë. Dialogu i vërtetë nuk është të bisedosh me njerëz që besojnë të njëjtat gjëra si ju. Media sociale nuk na mëson të dialogojmë, sepse është shumë e lehtë të shmangësh kundërshtimin… Por shumë njerëz i përdorin mediet sociale jo të bashkohen, jo të zgjerojnë horizontin, përkundrazi, t’i gjejnë vetes një zonë rehatie ku të vetmet tinguj që ata dëgjojnë janë jehonat e zërit të tyre, ku të vetmet sende që shikojnë janë pasqyrime të fytyrës së tyre. Mediet sociale janë të dobishme, ato ofrojnë kënaqësi, por janë një kurth.
I lindur në Poloni më 1925, Bauman është Profesor Emeritus i Sociologjisë. Vepra e tij ka marrë një radhë çmimesh ndërkombëtare, mes të cilave çmimin spanjoll Asturias, më 2010.
Ai e ka paraqitur këndvështrimin e tij pesimist për botën në libra si “Does the Richness of the Few Benefit Us All?” (A përfitojmë të gjithë nga pasuria e një pakice?), 2014, ku mbron idenë që bota po paguan një çmim të lartë për revolucionin neoliberal që filloi në vitet 1980 dhe që pasuria nuk ka zbritur poshtë te pjesa tjetër e shoqërisë.
Në librin Moral Blindness (Verbëria morale), botuar vitin e kaluar, së bashku me Leonidas Donskis paralajmërojnë për humbjen e komunitetit në botën tonë gjithnjë e më shumë individualiste.
Thanë që tanë një famije ishte infektuar në katundin poshtë katundit tonë, kush s’u mërzit për atë punë, thanë se një bijë e kishte sjellë virusin, ishte mërzitë, dy muaj pa ardhë te nana. Edhe unë jam mërzitë, por unë si Doruntina, bijë e largët, e vëllai im Konstantini nuk kishte dhënë besën se vjen me më marrë, por si të vijë, me kufij të mbyllur!
Nanë ta uruam ditëlindjen, krejt fëmijët e tu, përmes kamerës, çka me bë, ky është shekulli XXI, kur nuk mund të gjinden vaksina kundër virusave, që i sulmojnë edhe telefonat me të cilët të thirrëm, pra ti nuk ke faj që don me i pa zogjtë e tu përnime, rreth vete kur i frynë qirinjtë, a të tregova se edhe zogjtë e mi shkuan, ndejtën ma shumë se katërdhjetë ditë, bashkë, ditë e natë, në shtëpinë që e shndërruam në fole, e ku mbroheshim nga sëmundja. Të kujtohet se si e festuat bashkë biri im dhe ti ditëlindjen jubilare, gjyshe e nip, aty te bahçja? A po, a ja kanë nisur të pjeken qershitë ? Do të vijmë, se dredhëzat nuk i shijova në këtë behar, se i dua vetëm kur i blej në pazar, e atë hala nuk e kanë çelë. Edhe kajsia e babës pati lule plot, por atë e ruaj veç për lulet e saj si japonezët qershitë e tyre, se pemë kurrë nuk bën.
Zogjtë e mi shkuan, iu kam lexuar shumë Preverin “Për ta bërë portretin e një zogu », duhet të fshish hekurat e kafazit, por zogjtë e artistit tonë fluturojnë nga një pemë në tjetrën, kanë ngjyra plot, ikni, ikni, s’po mundem më t’i duroj, as t’i shoh, as në fotografitë që i bën ai, pa retush, siç nuk po e duroj më qetësinë.
Thesit të miellit i erdha në fund, raftet u zbrazën nga makaronat dhe orizi. Tomël dhe vezë po vazhdon me më pru katundari që kam kojshi. Më tepruan edhe dy sapuna. Vërtet, ku u zhduk Luli? Sigurisht ai mban syrin te mikroskopi i tij, se e di që armiku i padukshëm nuk është zhdukur. Luli ka zgjedhur tërë jetën e tij të luftojë me armiq, sa i çuditshëm ky njeri, edhe na kemi dushman, plot, siç e thotë kafja kur të ma lexojnë fallin. Boll na tha të rrijmë në shpi, edhe ai tash le të dalë ta shijojë lirinë që na ka munguar kaq shumë, jo këta muaj, por tanë jetën e shqiptarit, den baba den, ama le ta shijojë si zotni, jo si këta që vozisin si të çmendur në rrugët e katundit tonë, hourrah, u hoq karantina po, po edhe të çmendurit fluturojnë, se kanë dëgjuar se janë lehtësuar masat, e sa e lehtë po ju duket vetja, hajt të fluturojmë…
Pranverë që nuk do të harrohet, por vera si do të jetë, jemi bërë sy e vesh për ndonjë lajm të mirë, do të vijnë kurbetçarët, të heqim mallin, e të flasim për këtë që na gjetë, duke i përzier çajat? E në det, a do të shkojmë, a do t’i hapin çadrat? Breaking news: Sot është hapur galeria kombëtare, dje është rrënuar teatri kombëtar. Qafën e thefshit, po vazhdoj të shikoj “Fluturimi mbi folenë e qyqes.” / KultPlus.com
Vepra “ Në kërkim të fëmijës së humbur”, shfaq një natyrë të dyfishtë në rrafshin formal, pasi që projektohet mes zhanrit të tregimit dhe romanit. Ky status zhanror bënë të mundur leximin e tekstit në tërësi si një roman fragmentar, por jo klasik. Të projektuara si rrëfime nga e kaluara, njëzetë e tetë tregimet përbërëse mund të lexohen edhe ndaras, pasi që përshkruajnë personazhe të njejtë në çaste e situata të ndryshme të periudhës së fëmijërisë. Këto tregime përmbledhin ide dhe tipare të poetikës postmoderniste: erudicionin, strukturën, rikthimin në të kaluarën, intertekstin, kodimin e dyfishtë, frikën dhe ironinë, të dhëna në trajtë të një kolazhi, montazhi idesh e ndjenjash ekspresive autoriale. Duke i shfaqur këto njohuri e elemente postmoderne, Dibra merr rolin e udhërrëfyesit drejt një rrjeti të madh referencash tekstuale e kontekstuale. Element karakterizues i poetikës së tij mbetet gjetja e të veçantës në të zakonshmen, përditshmërisë dhe ndërlidhjen e saj me zbavitjen dhe motivimin e lexuesit semantik e semiotik.
Titulli i kësaj proze autobiografike, ndërtohet në baza filozofike e referenciale, për t’u kthyer më pas në të sinqertën, realen, fëmijëroren. Kërkimit të fëmijës së humbur, lumturisë, pafajësisë, pa përmbushjes shpirtërore, i prin vetë autori duke krahasuar të kaluarën e të sotmen, të vërtetën e gënjeshtrën. Në qendër të rrëfimit vihet Ridvani i vogël- Ridi, i cili merr rolin e narratorit- personazh, përballë Ridvanit në moshë madhore- artistit. Nëpërmjet kujtesës, shkrimtari rrëfen ndodhi nga e kaluara, që zënë shkas të rrëfehen nga një veprim që ndodh në kohën e tashme.
1.1 Në kërkim të vetvetes
Si motocitate e çelës interpretimi, në fillim të librit funksionalizohen tekste nga Franc Kafka e Marsel Prusti. Përveç aprovimit e njohjes së krijimtarisë së dy autorëve, mes fjalive të zgjedhura theksohet se : shpirti fëmijëror nuk shuhet asnjëherë, dhe mbi të gjitha më e rëndësishme është aftësia e të pasqyruarit, edhe nëse tema e trajtuar nuk është komplekse. Madje vet titulli “ Në kërkim të fëmijës së humbur”, vjen si jehonë e veprës -“ Në kërkim të kohës së humbur”.
Historitë që rimerren nga fëmijëria përmes kujtesës, shfaqin ndikimin e raporteve të Ridvanit të vogël me babain në veçanti, nënën, e shokët e tij të lagjes, në formimin e tij. Gjithë dialogjet në mes fëmijëve e të rriturve në të kaluarën zhvillohen në dialektin gegë, kurse kur rrëfen autori në të tashmen zë vend gjuha standarde dhe mendimi më racional. Jo rastësisht, si kujtim i parë radhitet tregimi “Manastiri i Parmës”. Ky tregim hedh në dritë, dëshirën më të madhe të Ridit të vogël, leximin. Pavarësisht moshës, ai magjepset me leximin e librave me tematikë më komplekse, jo përrallave e tregimeve të shkurtra. Libra të cilët heroi i tij i fëmijërisë-babai, i mbante të kyçur. Përmes lojrave, leximeve, pyetjeve e përgjigjeve shfaqet bota e brendshme e personazheve. Në këtë periudhë të bukur jetësore personazhin kryesor e shoqëron shoku i tij i ngushtë, Ili. Si karaktere janë të kundërt, në njërën anë është Ridi që lexon shumë, rri i heshtur e ndonjëherë shfaq frikë, kurse në anën tjetër Ili tip dominues, problematik e trim. Ridvani- artist e shkrimtar shfaq pëlqimin e tij të vazhdueshëm për Stendalin, Sartrin e klasikët francezë.
Tregimi “Vajzat” zhvillohet në ambientet shkollore, dhe paraqet raportin e dy gjinive me njëra-tjetrën dhe botën përreth. Dy nxënës të shkollës fillore, Ili e Ridi, fantazinë e tyre e përmbushin tinëz, në hapësirat shkollore ku qëndronin vajzat. Pikërisht në kohët moderne, ishte magjia e internetit ajo që e riktheu autorin tashmë të rritur, në këtë kujtim të së kaluarës. “ Tre të marrët”, është tregimi i katërt me rradhë. Xhema, Qerameti dhe një tjetër mbajnë këtë emërtim, ata jetonin në rrugicën në të cilën jetonte Ridi. Këta të fundit vijnë në kujtesën e Dibrës, kur ai fillon të hartoj një tekst rreth postmodernizmit. A thua postmodernizmi përmban aq shumë kaos, shumë lloj-llojshmëri figurash e termash në vete, sa të krahasohet me të marrët ?! .
“Lakuriqët e natës”, tregim në të cilin rrëfehen lojërat e shumta mes fëmijëve : Ilit, Letës, Gonit, Dorit, Vinit, dhe Bertit që veçohej si fëmija nga kryeqyteti. Po në këtë tregim shfaqet një referencë vizuale, e nxitur nga frika dhe kureshtja e fëmijëve për të ditur sa më shumë për pamjen e lakuriqëve. Fotografia e lakuriqëve ishte grisur prej Lutit, nga një revistë e babait të tij. Këtë kujtim nga e kaluara e risjell një ndodhi që i ngjan autorit në Itali, ku do të takonte një grua, e që sipas tij kishte qenë motra e Ilit, Leta.
“Shpija e shtrigave”, trajton rolin e shoqërisë në përcaktimin e emërtimit të tjetrit në bazë të sjelljes e karakterit, në këtë rast tri vajzave. Vajza të bukura, por jo të zakonshme. Shtrigat, të emërtuara kështu me bazë popullore e përrallore si të këqija, nuk arrijnë të përceptohen në vërtetësinë e tyre nga mendja e fëmijëve. Realisht ato janë vajza të lazdruara, që sipas Ilit “bajnë dashni pa ken t’martume”[1]. Autori në moshën madhore, thekson se kjo histori i kujtohet gjithnjë kur në një rreth shoqëror ka pranë një femër të bukur.
“Arrat e Fanit”, është tregim që dënon lakminë ndaj gjërave të të tjerëve: siç është fati, pasuria, fama e lavdia. “ Edhe historinë me arrat e Fanit ndodh ta kujtoj shpeshherë. Domethënë sa herë pëlqej e lakmoj gjërat e tjetërkujt : fatin, pasurinë, lavdinë, gruan, shtëpinë..”[2], shkruan autori. Lojrat e përditshme, mësimet, shokët e përjetimet e paharruara fëmijërore, përshkruhen nga Dibra si :“Kohëra të mrekullueshme e të humbura përgjithmonë”. Në tregimin “ Shenjat e mëkatit” rrëfehet eksperienca e larjes së Ilit e Ridit në liqe pa leje të prindërve. Shenjat e ujit, e veshjet e pathara që do të zbuloheshin nga nëna, lexuesin model bashkë me autorin e drejtojnë kah Umberto Eko e raporti i shenjave dhe anti-shenjave.
“ Në kamp”, është tregim që si emërtim ngjall shumë polemika në mendjen e Ridit. Fillimisht fjala “kamp”, atij i kujton një libër historie që kishte lexuar më parë. Përpos kësaj vizualisht paraqitet edhe një pamje\fotografi, e një kampi nazist përqendrimi. Në atë kamp veror, si i përzgjedhur nga një familje e pastër politiksht, Ridi nuk arrin të ambientohet fare. Gjëja e vetme normale aty, ishin librat, të cilat Ridi i lexonte pa leje shumicën e kohës. Nga ai vend, ai kujton pikturat e artin, e jo gjërat e thjeshta, bukën e menzën. E veçantë e këtij tregimi është ndërlidhja e filmit me letërsinë. Historia e shikimit dhe rrëfimit të filmave, vazhdon edhe në tregimin “ Filmi i parë ”. Madje në këtë tregim, autori krahason rrëfimet e Ilit me romanet postmoderne, ai ia turbullonte mendjen : “ Kësisoj ma turbullonte mendjen e ma ndizte kureshtjen Ili. Me heronj e situata që plekseshin më keq se te romanet postmoderne”[3].
Tregimet vijuese, të plotësuara me imazhe e fotografi, përmbajnë edhe mesazhe didaktike, mësimin e biçikletës, notit, shahut, vlefshmërisë së parasë , e karakterit human. “ Mica të bardha e të zeza”– është tregim që hedh në pah virtyte njerëzore e bestytëni, nëpërmjet personazheve të babait e nënës, të cilët kujdeseshin për të braktisurit, lypësit, jetimët, të dobëtit, e gjithçkaje që ndihej e mënjanuar. Tregimi “ Tri vjersha me nga tri strofa”, shfaq entuziazmin dhe shpirtin poetik të Ridvan Dibrës që në fëmijëri. Nëpërmjet redaktimit të vjershave të tij të para, sistemi komunist ndryshoi përmbajtjen e thelbin e tyre , për hir të së quajturës “për të mirën nacionale”.
Shpërfaqja e sistemit totalitar jepet më fuqishëm në tregimin “ Me dorën e majtë”. Ky tregim i rrëfyer si gjithnjë nga perspektiva e narratorit- autor, shfaq vështirësitë e tij si fëmijë majtak. Regjimi shkon deri në atë pikë sa ia ndalon atij shkrimin me dorën e majtë. Kjo ironi e thumbim për pushtetin jepet e ndërlidhur si element postmodern, së bashku me mbajtjen aktive të lexuesit. Tregimi i fundit “ Gjyshja ”, përveç linjës së zhvillimit të një ideje të caktuar shfaq edhe një vetëdije letrare për postmodernizmin. Madje Dibra konstaton se “ me pak intertekstualitet e intermedialitet- siç e lypin adetet postmoderne-, mund të sajoj një profil të mahnitshëm gjysheje”..
Vepra “ Në kërkim të fëmijës së humbur”, e strukturuar si prozë autobiografike, arrin të përmbledh shumë elemente postmoderne në vete, pa humbur asnjëherë afërsinë me lexuesin dhe entuziazmin për rrëfimin e ngjarjeve fiksionale si të vërteta ose anasjelltas. Gjithnjë duke u ndihmuar nga rikthimi në të kaluarën, përkatësisht fëmijërinë, pjesën më të lumtur të jetës. Ridvan Dibra nëpërmjet autoportretit e psikanalizës që i bënë vetvetes, kërkon lumturinë e pafajësinë fëmijërore, përmbushjen e sinqeritetin, kohën e artë që nuk kthehet kurrë më.
(Punimi është paraqitur në lëndën Letërsi aktuale shqipe, në studimet master në Degën e Letërsi Shqipe, Fakulteti i Filologjisë, Prishtinë). /KultPlus.com
[1] Ridvan, Dibra, Në kërkim të fëmijës së humbur, Onufri, Tiranë,2010, fq.57