Perandoritë letrare të veprave të Ismail Kadaresë

Nga: Ndriçim Kulla

Raporti sundimtar-skllav në qenien e shkrimtarit që jeton nën diktaturë nuk është i njëjtë me raportin sundimtar-skllav në qenien e shkrimtarit që jeton në një vend të lirë. Shkrimtari që jeton nën diktaturë duhet të shtiret sikur i bindet një tirani që nuk është brenda tij, tiranit të vendit të tij. Shkrimtari që jeton në një vend të lirë nuk e ka këtë detyrim. “I vetmi tiran që unë pranoj në këtë botë  është zëri i brendshëm”, ka thënë Mahatma Gandi. I tillë duket se është edhe tirani në qenien e shkrimtarit për të cilin flet Kadare. Pavarësisht se shkrimtari i madh mund të jetojë në një vend ku ka një tiran, i cili mendon se i binden të gjithë, duke përfshirë edhe shkrimtarin e madh, në fakt ky i fundit bën sikur i bindet tiranit të jashtëm, diktatorit në botën reale, por vetveten e tij të dyzuar e ndjen vetëm skllav të tiranit brenda qenies së tij. Por, ai është gjithmonë i përgjuar dhe i rrezikuar, sepse ky qëndrim përbën krim të rëndë shtetëror, jo vetëm faj letrar. Shkrimtari i madh që jeton nën diktaturë rrezikon të shkelë në fushë të minuar, kur zgjeron hapësirën gjeografike të veprës së tij letrare. Çdo qytet apo krahinë e shkelur jashtë kufijve të shtetit, në shtete e kontinente të tjera shihet me dyshim nga zyrat shtetërore që mbikëqyrin veprën e tij, si një akt tradhtie e mundshme ndaj regjimit. Si shumë po endet nëpër botë ky shkrimtar me imagjinatën e tij, nuk i mjaftojnë viset tona, qytetet, fshatrat me kooperativat bujqësore, minierat, pyjet ku masat punonjëse të ndërtojnë të ardhmen e lumtur nën udhëheqjen e Partisë dhe të shokut Enver?

Në kapitullin e librit “Ftesë në studio”, ku Kadare flet për gjeografinë e veprës së shkrimtarëve të mëdhenj, na sjell shembuj të ndryshëm për   perandoritë letrare, të krijuara nga shkrimtarët e mëdhenj. Për Balzakun, ai thotë: “Perandoria e Balzakut, ndonëse e ngritur mu në Paris, zonës më të shfrytëzuar në botë nga letërsia, vazhdon të jetë përherë mahnitëse. E ngushtë për nga kufijtë, një mbretëri në pamje të parë monotone, tamam mbretëri apartamentesh, sallonesh, zonjash në tryezën e tualetit të të cilave ka përherë nga një kambial, me karrocat që venë e vijnë nga ballot në zyrat e policisë, ose në pensione pikëllimtare, kjo është një mbretëri pa qiell e sidomos pa mister. Ajo i ngjan kështu një ngrehine pa bodrume. Por kur zhytesh pastaj në të, e kupton se edhe qielli, edhe ferri gjenden aty, të tretura në jetën e përditshme”.

index
index
PALLATI_I_ENDRRAVE_2015-02
atlasi-i-shkruar-i-kadarese

<►>

Nuk mund të mos vihet re se bota e Balzakut është në një farë mënyrë e ngjashme me botën e qytetit të Gjirokastrës, që ka përshkruar Kadare te “Breznia e Hankonatëve”. Nga një anë të vjen mirë, por nga një anë të vjen keq që Kadare nuk u josh që të përzgjidhte botën e ngushtë të Gjirokastrës për ta bërë perandorinë e tij letrare. Kjo solli që letërsisë shqipe t’i mungojnë shumë kryevepra, por të tjera me siguri do t’i kishin munguar nëse shkrimtari do të kufizohej në botën e ngushtë të vendlindjes së tij. Për Servantesin Kadare thotë: “Universi i Servantesit ngjan i ngushtë, një lloj principate, ose më saktë krahine, me një copëz koloni në Afrikën Veriore dhe me pak det. Por kjo s’është veçse njëra pamje. Në trurin e çakërdisur të Don Kishotit dyzohet një botë tjetër dhe ne e braktisim herë pas here Mançën e thatë, për t’u lëshuar lirisht bashkë me mendjen e krisur të heroit në hapësirat e pafundme të çmendurisë”. Është e qartë që Kadare mendon se perandoritë e shkrimtarëve ndryshojnë nga perandoritë e tjera të ngritura mbi faqen e dheut dhe që mund të quhen të tilla vetëm nëse kanë një shtrirje të madhe në hapësirë. Historia na thotë se ai sundues që vepron në kufijtë vetëm të një qyteti, mund të krijojë e shumta një qytet-shtet, si ato të Greqisë së vjetër. Por në botën e letërsisë, siç thotë shpesh Kadare, ka ligje të tjera që sundojnë dhe këtu Balzaku është perandor edhe brenda kufijve të një qyteti. Po ashtu, edhe Servantesi brenda kufijve të një krahine. Kadare ka mendimin se në botën e letërsisë, ndarja e hapësirave gjeografike është bërë në mënyrë shumë më të butë se në botën e vërtetë, ku për to janë bërë shumë luftëra. Ai shkruan: “E kështu me radhë Gëte, Prusti, Suifti, Kafka, Tolstoi. Të gjithë rresht e kanë ndarë midis tyre pjesën më të madhe të globit tokësor, qetësisht, pa kurrfarë traktatesh dhe fisnikërisht, pa kacafytje e pa zhurmë”. Kjo që thotë Kadare është e vërtetë, por a ka ndodhur vërtet kështu nga mirësjellja?

Domethënë, a e kanë ndarë shkrimtarët e mëdhenj botën kaq urtë e butë, pa “dhunë”? Apo edhe ata si të gjithë konkuistadorët janë kacafytur egërsisht me njëri-tjetrin, shkrimtarë të gjallë e të vdekur të të gjitha kohërave, për të zënë territore?

Vetë Kadare e ve në dyshim që ky proces të jetë kryer në paqe, kur thotë pak më poshtë se: “Ndryshe nga pushtuesit, shkrimtarët mendohen shumë përpara se të zgjerojnë kufijtë. Ata i dinë mirë rreziqet, ndaj lidhur me këtë, çdo shkrimtar është në njëfarë mënyre një Napoleon në dimrin rus”. Vetëm kjo vërejtje që ka bërë Kadare si kalimthi është një ide që duhet të ndriçonte studiuesit për të shkruar shumë e shumë studime për gjeografinë e veprës letrare të shkrimtarëve të mëdhenj. Kadare nuk e shpjegon se çfarë frike kanë shkrimtarët për të marshuar në hapësira më të gjera gjeografike, por vetë fakti që ai e krahason këtë proces me fushatën e Napoleonit në Rusi do të thotë se bëhet fjalë për një luftë të egër kundër një armiku të dyfishtë, njeriut dhe natyrës. Se për fushatën e Napoleonit në Rusi është thënë se më tepër se armiku i gjallë, kundërshtari i tij Kutuzovi, e mundi gjenerali “Dimër”, domethënë dimri i tmerrshëm rus. Sidoqoftë, duhet pasur parasysh se kjo luftë për të cilën flet Kadare zhvillohet sipas rregullave të letërsisë, të artit dhe nuk ka lidhje me dhunën e rëndomtë të luftërave që ka bërë njerëzimi. Megjithatë, Kadare insiston te krahasimi me luftën, duke thënë më poshtë: “Në qoftë se do ta përfytyronim universin letrar të një shkrimtari si një pushtim, poezia fare mirë mund të krahasohej me hedhje desantësh ose zbuluesish të parë. Është proza ajo, që ashtu si këmbësorët, e shtron një vend”.

Që të pushtohet një territor nga këndvështrimi letrar, duhet që ai të përshkruhet nga shkrimtari, duke nisur që nga njerëzit deri te peizazhet, qytetet, lumenjtë etj., duhet që atje, ashtu siç vendosen garnizonet ushtarake në një territor të pushtuar, të vendosen ngjarjet, personazhet dhe përshkrimet. Por, në botën e letërsisë klima është kapriçioze dhe shkrimtari që kuturis të hyjë thellë në hapësira të gjera, mund të ndeshë në “dimrin rus”, ashtu si Napoleoni. E thënë ndryshe, shpata e tij, që në këtë rast është pena, me të cilën ai ndihet aq i sigurt në disa vise, në të tjerat mund të mos jetë aq mrekullibërëse në dorën e tij, ose edhe më keq, mund të mos prodhojë asgjë me vlerë. Kadare ka një mendim interesant se shkrimtarët e vendeve dhe letërsive të vogla kuturisin në hapësira të gjera gjeografike më shumë se ata të vendeve të mëdha: “Mund të mendohet se shkrimtarët, vendet e të cilëve janë të vogla e kanë të vetvetishme ose të përligjur ndjenjën e kapërcimit të kufijve, me fjalë të tjera, ndjenjën e pushtimit. Ndonëse ngjan sikur ka njëfarë harmonie brenda këtij mendimi, thelbi i tij mbetet i pavërtetuar”.

Në fakt, mund të sillen shembuj të rëndësishëm, që janë në favor të tezës së Kadaresë dhe i pari ndër ta është Shekspiri. Anglia e kohës kur jetoi Shekspiri nuk shihej si një vend i madh (në atë kohë Skocia akoma nuk ishte bashkuar me Anglinë). Pothuajse gjatë gjithë jetës së Shekspirit, Anglia do të jetonte me rrezikun e pushtimit spanjoll. Dhe para se Anglia të krijonte perandorinë e saj, atë e krijoi shkrimtari më i madh i saj, si një perandori letrare. Shekspiri doli nga Anglia dhe shkoi në Danimarkë, Francë, Itali, Ballkan, Egjipt etj. Në kohën e Shekspirit, dy Amerikat nuk ishin populluar akoma me evropianë në atë masë, sa ai të vendoste ngjarjet e ndonjë drame të tij atje. Një tjetër shkrimtar i madh, këtë herë i një vendi të madh, siç ishte Volteri, jo vetëm që i ra kryq e tërthor Evropës, por pasi shkoi në Afrikë, Arabi, Turqi, Iran, hyri thellë në Rusi dhe si të mos mjaftonin këto, kapërceu edhe Oqeanin Atlantik për të shkuar në dy Amerikat. Volteri ishte me siguri i pari nga raca e shkrimtarëve që kuturisi të pushtonte botën, si të thuash, pra të ndërtonte një gjeografi globale. Nuk do të ishin të shumtë, ata që provuan ta bëjnë këtë gjë pas tij. Mes shkrimtarëve të mëdhenj, botëpushtuesit janë të paktë. Ashtu si në historinë e botës reale ku Cezari është i madh, por nuk është Aleksandër, që kuturis të pushtojë botën i vetëm, edhe në botën e letërsisë ka shumë shkrimtarë të mëdhenj që guxuan të bëjnë shumë gjëra, por iu shmangën sfidës së pushtimit të botës. Në botën reale, një prijës i madh që të mund të kuturiste të pushtonte botën, duhet t’i përkiste një vendi të madh, të rëndësishëm.

Në botën e letërsisë kjo gjë nuk është e domosdoshme. Lexuesi, kur është duke lexuar librat e një shkrimtari të madh, ndër idetë e tjera që krijon, është edhe ajo për të cilën Kadare thotë: “E ndonëse gjer më sot nuk janë botuar harta me zotërimet e tyre, ato janë në ndërgjegjen e të gjithëve. Është e vërtetë edhe se çdo njeri që lexon veprën e një shkrimtari të madh, hap pas hapi vizaton në mendjen e tij hartën gjeografike të shtrirjes së ngjarjeve të  veprës së këtij shkrimtari dhe të përshkrimeve të tij. Por, lexuesit nuk mund të mos pyesin se përse mungojnë harta të tilla? Me të vërtetë nuk u ka shkuar ndërmend kritikëve letrarë të botës që të bëjnë të tilla, kur edhe ata si lexuesit nuk mund të mos kenë menduar për to spontanisht? Sigurisht që jo. Por, kritikët e mençur kanë menduar që t’i shmangin këto harta, se lexuesve mund t’u duket më pak i madh një shkrimtar me famë botërore, kur të shohin se sa pak shtrirje ka në hartë vepra e tij. Kadare shkruan për veten: “Për vite me radhë nuk e kam menduar asnjëherë gjeografinë brenda së cilës vërtitesha. Kjo ndoshta vinte nga fillimet poetike dhe dihet se një nga gjërat e para që mjegullon poezia është saktësia e hartës gjeografike”.

A ka qenë me të vërtetë kështu? Apo pas poetit të ri, që akoma endej në hapësira të mjegulluara, fshihej një shkrimtar i ardhshëm botëpushtues, një sfidë kjo, nga e cila ishin druajtur shumë shkrimtarë të mëdhenj në të shkuarën? Koha do të tregonte se ishte kjo e dyta.

Megjithatë, lexuesi i cili njihet me përshkrimet gjeografike të Kadaresë, nëpërmjet librave të tij, pa e ditur se cilët nga vendet që përshkruan shkrimtari i ka shkelur me këmbë dhe i ka shëtitur gjerë e gjatë para se t’i përshkruajë, në qoftë se ky lexues është njohës i këtyre viseve, e ka të vështirë ta dallojë se shkrimtari nuk i ka shkelur të gjitha viset që përshkruan në librat e tij. Këtë gjë kam pasur rastin që ta kuptoj vetë gjatë bisedës së rastësishme që pata me një kritik letrar amerikano-latin për Kadarenë, gjatë udhëtimit tim të parë në Panairin e Ndërkombëtar të Librit në Frankfurt, në 1999-ën. Amerikano-latini i cili ishte njohës i mirë i veprës së Kadaresë, më tha se Kadareja ishte njeri me fat që diktatori komunist Enver Hoxha krijoi marrëdhënie të mira me Turqinë, se kështu shkrimtari mundi të vizitonte shpesh dhe ta njihte mirë Turqinë, vendin ku gjendej ish-kryeqyteti perandorak otoman, i cili shfaqet aq shumë në librat e Kadaresë. Pa këtë mundësi që pati Kadareja për të njohur ish-perandorinë otomane në qendrën e saj, me siguri që Kadare nuk do të ishte në gjendje t’i shkruante ato vepra të tij të mrekullueshme për perandorinë otomane, përfundoi amerikano-latini.

Ai u habit shumë kur unë i thashë se Kadare, para vitit 1990, pra në kohën kur shkroi atë pjesë të veprës për të cilën fliste tjetri, nuk e kishte vizituar Turqinë, përveçse njëherë për pak ditë. Është e sigurt, i thashë unë se Kadare ka qëndruar për shumë më tepër ditë në Kinë dhe në Vietnam se në Turqi. Amerikano-latini u habit shumë dhe më tha se nëse ishte vërtet kështu, atëherë ky ishte një rast krejt i veçantë në letërsinë botërore që meritonte studime të veçanta nga ekspertët. Unë e miratova idenë e tij dhe shtova se shpresoja që të kishte studime të tilla, pse jo edhe nga studiuesit turq. Por megjithatë, deri më sot nuk ka pasur studime të tilla as nga studiuesit shqiptarë, e jo më nga ata turq.

Në fakt, të njëjtën ndjenjë si amerikano-latini pata edhe unë kur pas vitit 1990 bëra një vizitë për herë të parë në Stamboll, ish-kryeqytetin e Perandorisë Osmane. Natyrisht që Stambolli i sotëm ndryshon shumë nga ai i periudhës osmane, megjithëse duhet thënë se shumë e shumë gjëra janë ruajtur që nga ajo kohë. Unë kisha me vete një guidë të Stambollit osman, ku tregohej se si kishte qenë qyteti në atë kohë me fotografi dhe me harta urbanistike. Nëpërmjet asaj që shikoja në qytet si dhe me ndihmën e guidës së hollësishme, u zhyta në të shkuarën dhe befas bëra një zbulim të çuditshëm. Kadare ka thënë një gjë, e cila duket qartë edhe nga leximi, se kur përshkruan kryeqytetin osman te “Nëpunësi i Pallatit të Ëndrrave” ka dashur të përshkruajë qendrën e kryeqytetit të shtetit komunist shqiptar, Tiranën, në itinerarin nga shtëpia e tij, te selia e Komitetit Qendror të PPSH. Kadare shkruan: “Rrugës për në shtëpinë botuese, u ktheva te hotel ‘Tirana’ për të pirë një kafe. Shpirtin e kisha të qetë, por me një qetësi të frikshme, të ngrirë si kristal. Nga qelqnaja e kafesë së hotelit dukej krejt sheshi ‘Skënderbe’. Ngrehinat e ministrive. Banka e Shtetit. Minareja e xhamisë dhe Kulla e Orës, gjysmë në mjegull. Gati pa dashur, si rastësisht, duart e mia nisën të shfletonin dorëshkrimin. Lërë, i thosha vetes, mos e trazo këtë vdekje të kristaltë… Por duart nuk më bindeshin. Dhe atëherë e kuptova se ai shfletim s’qe aspak i rastit. Sytë e mi u ndalën diku nga faqja e dyqindtë a treqindtë, aty ku niste ‘Nëpunësi i Pallatit të Ëndrrave’. E lexova ngadalë faqen e parë. Ndonëse kryeqyteti që përmendej në të duhet të ishte i perandorisë otomane, dukej fare qartë se ai qytet i përbindshëm, bashkë me Pallatin e tmerrshëm të Ëndrrave, nuk ishte veçse Tirana. Ja ministritë, ja Banka e Shtetit. Ja më në fund xhamia dhe Kulla e Orës në mjegull. Dhe më tutje ndërtesa masive e Komitetit Qendror… Dhe atje ishin mekanizmat, dosjet, skenarët e komploteve, gjithë delirët e kësaj bote plot ankth, ku fati më kishte dënuar të jetoja.

Unë në Stamboll bëra zbulimin e kundërt, se Kadare  kishte përshkruar saktë edhe kryeqytetin osman në thelbin e tij totalitar. Sigurisht që atje nuk ishte Tabir Saraji i vërtetë, por disa pallatet e institucioneve perandorake të kohës otomane kishin hijen e Tabir Sarajit dhe imazhi i tij ishte i shpërndarë nga pak te të gjitha ato. Se në fund të fundit, Tabir Saraji në vizionin e Kadaresë është sinteza e shtetit totalitar osman. Përshtypja ime gjatë vizitës në Stamboll se po bëja të njëjtin rrugëtim si ai që përshkruan Kadare se po bënte Ebu Qerimi, ditën e parë që po shkonte në Tabir Saraj ishte shumë e fortë: Rruga gjer në Tabir Saraj ishte më e gjatë se ç’e kishte menduar dhe veç kësaj, në këtë sqotë mund të rrëshqitje mbi kalldrëm. Po kalonte përpara Bankës Qendrore. Më tutje dukeshin karroca të shumta të mbuluara me brymë përpara një ngrehine tjetër masive, që kushedi ç’ministrie ishte… Ra një orë diku nga e majta, me një tingull të bronztë, si në punë të vet, larg në mjegull… Larg iu duk se dalloi njërin krah të Tabir Sarajit. Kur u afrua dhe pak, e kuptoi se nuk kishte gabuar. Ishte vërtet ai, me kupolat e zbehta, të lyera me një ngjyrë, që dikur duhej të kishte qenë e kaltër, ose, së paku, ngjyrë gurkali, dhe që tani mezi dallohej nga sqota. Kjo ishte një nga pjesët anësore të tij, kurse hyrja duhej të ishte nga rruga tjetër. Ebu Qerimi i erdhi rrotull një sheshi gjysmë të shkretë, ku ngrihej një xhami me minare çuditërisht të hollë. Hyrja ishte vërtet nga rruga tjetër.

Kështu m’u duk se gjendesha paralelisht edhe në qytetin e përshkruar nga Kadareja te “Pashallëqet e mëdha” (“Kamarja e turpit”), “Nëpunësi i Pallatit të ëndrrave” (“Pallati i ëndrrave”), “Komisioni i festës”, “Qorrferma ni” etj. Në linja të përgjithshme mund të thuhet se kishte një ngjashmëri të çuditshme mes kryeqytetit osman real dhe atij të përshkruar nga Kadare. Ndoshta shkrimtari me gjenialitetin e tij kishte kapur thelbin e ngjashëm që gjendet në çdo kryeqytet totalitar. Një gjë e ngjashme ka ndodhur edhe me romanin e parë të Kadaresë, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, një pjesë e ngjarjeve të të cilit zhvillohen në Itali, një vend ky i cili shkrimtari në kohën që e shkroi romanin nuk e kishte vizituar ende. Një vend ku shkrimtari nuk ka qenë kurrë gjatë jetës së tij, Arabia Saudite, ka hyrë në gjeografinë e veprës së tij me një përshkrim shumë të ndjerë të Saharasë, që vlen aq sa një libër i tërë mbi një udhëtim në këtë shkretëtirë gjigande. Kadare shkruan për këtë në librin “Autobiografia e popullit tim në vargje”: “Ishte një natë e errët, fund tetori. Aeroplani ynë kishte dy-tri orë që ishte ngritur nga aeroporti i Karaçit dhe i duheshin akoma dy-tri orë për t’u ulur në aeroportin më të afërt, atë të Kajros. Dhjetë kilometra poshtë nesh, e ftohtë, e vdekur, nën një hënë si prej kauçuku, shtrihej shkretëtira arabike. S’kishte gjë më të pikëlluar se ajo zbrazëti rëre, sipër së cilës pasqyrimi i hënës zhvendosej ngadalë si një sy pa jetë”.

Prej këtij udhëtimi ka lindur edhe një poezi e mrekullueshme, me titullin “Sahara”, për të cilën duket e pamundur që të jetë shkruar nga një njeri, i cili nuk e ka shkelur kurrë me këmbë këtë shkretëtirë:

Perandori e madhe e tharë,

Dikur pjellore, plot blerim.  

Po ç’ dhimbje ke provuar vallë,

Kur parandjeve shterpësinë?

Kur zvogëlohej trupi i kafshëve

 Dhe shtat i drurëve mbi dhe.

 T’ u thanë në qiell vetëtimat 

Si bobokuqet në shëndre.

Njëri pas tjetrit vdisnin shirat.

Dhe iknin retë me karvane.

Si ura që pas ikjes shemben,

 Me rrapëllimë ylberet ranë.

Dhe gjithçka iku.

Të braktisën lumenj e zogj e flokë bore.

E vetme mbete më në fund

Në menopauzën madhështore

Marrë nga libri i autorit “Atlasi i Shkruar i Kadaresë” /KultPlus.com

Malli për heronjtë

Poezi nga Dritëro Agolli

S’ka heronj, heronjtë i përzumë,
me lavdi përditë i nanuritëm,
dhe me lajka dalëngadalë i vumë,
një nga një në prehje dhe në gjumë.

S’ka heronj, heronjtë u mërzitën,
prisnin ëndrrat, ëndrrat u vonuan,
duke pritur heshtën e dremitën,
dhe ne nina-nana u kënduam.

Ç’digjeni nga malli për heronjtë?
Kushedi kur kthehen nga kjo anë.
Ç’i kërkoni? Pritja është e kotë,
S’ka heronj, tani ka pelihvanë.

Ahmeti: Ne teatrin e kemi shkatërruar moti me bager të përditshëm

Kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti ka publikuar një shkrim në Facebook pas rrënimit të godinës së Teatrit Kombëtar, shkruan KultPlus.

Më poshtë shkrimi i plotë i Ahmetit:

Në ditën e rrënimit të godinës së Teatrit në Tiranë, kur i hapa rrjetet sociale, murret e telefonit ishin të mbushura me reagime të njerëzve të tronditur nga rrënimi i këtij “institucioni” kulturor.

I madh, i vogël, i ri, i vjetër, burra e gra, djem e vajza të trishtuar nga bageri. Në dy ditët në vijim u kyqa në debatet televizive për këtë temë këndej e andej kufirit, por natyrisht pa e thënë asnjë fjalë, sepse nuk mendoj se më takon mua të flas për një godinë në Tiranë.

Nuk përfitova shumë nga debatet. Ndoshta pse pritja më shumë. Por, në fakt, e kuptova që për mua nuk ishte primare kjo temë kur mendoj për teatrin.

Unë jam rrit në Teatër. Prit! Spo du me thonë që kam shku në teatër si intelektual. unë jam rrit në teatër, sepse prindi jem ka qenë aktor teatri për më shumë se 30 vite. Në moshën 11 vjeçare e kam dit Koprracin e Molierit përmendsh, jo se kam qenë inteligjent që kam lexuar libra të Molierit në atë moshë, por se prindi im e mësonte tekstin në shtëpi. Unë ja lexoja dialogun e aktorëve tjerë e babi ushtronte.

Kam qenë në çdo premierë në fëmijëri dhe pas çdo premiere e shfaqje kam shku në backstage me fol me aktorët. I kam njoft personalisht secilin aktor të teatrit dhe i kam dit cka kanë qef e cka jo. Më kujtohet kur në moshën 14 vjecare, pas nje premiere babi dhe Sabri Fejzullahu mu kishin afru edhe me pysnin, he cka po mendon. Thojsha vet me veti cka mundet me ju interesu mendimi i nje 14 vjecari. Por kur ju thosha super ishte, e shihja gezimin ne syte e tyre. E kam njoft mire edhe Beqen i cili sigurohej qe une me pas ulesen kur metsha pa bilete.

Ka pas shfaqje në Teatrin e Prishtinës që është shfaq mbi 400 herë, ku në më shumë se 90 përqind salla ka qenë plotë. A mundeni me paramendu, 400 shfaqje të njejta, me salla plotë, e ku njerëzit edhe herën e 385 keshin e kajnë ndoshta edhe më shumë se herën e parë. Kam pa qindra prova, qindra të përlame, regjisorë që më dukeshin të çmendur kur insistonin për një detaj të vogël. Aktorë që humbnin kontrollin kur nuk e arrinin atë që dëshironin.

Ama, kur shihja publikun tu e ndje shfaqjen i harroja krejt. Nuk muj me ja u përshkru ftyrën e prindit tem kur një regjisor i ofronte një rol. Shkëlqim, lumturi e pastër. Pasonte diskutimi disaditor për rolin, shfaqjen etj.

Me fjalë tjera e di qysh frymon një artist, një aktor, një njeri i teatrit që ja kushton jetën me i argëtu të tjerët. Baba jem i ka përjetu edhe këtë kohë, e edhe kohën e pasluftës.

E tash, paramendone një aktor si baba jem. Në mbledhjen komemorative që u mbajt në vitin 2011 kur ai ndërroi jetë, familja ma besoi fjalimin. Aty e kam thonë një send që po ja u thom edhe juve. Baba jem ka qenë njeri që me pas kthy 100 herë në jetë prapë ish bo aktor. nuk e kuptoni dashurinë për një profesion (ose më mire thirrje) derisa nuk rini gjatë me një artist. Kur e kam pyt babën tem për këshillë cka me studiu: me ka thon, krejt djali jem ama bash krejt, vec aktor mos u bo.

Nuk mu ka hjek asnjehere prej mendjes. Qysh mujti me thonë një send te tillë. Cfare tradhetie ndaj profesionit te vet. Por ne fakt ajo nuk ka qene tradheti ndaj profesionit, por mos tradheti ndaj meje.

Prindi jem nuk ësh;t rast unik. Secili që është artist e ka artist në afërsi e dijnë për cka po flas. A e din cka duheni me i bo një aktori si puna e babes tem për me fol ashtu. E besomni nuk po flas për rrogen e paret. por flas per respektin, dashurinë dhe thjeshtë Sa ja kemi dit dhe sa ja dijmë vlerën artit e kulturës.

Kqyrni shfaqjet sot, super talente, djem e vajza te reja që e lojne krejt jeten ne skene, e qe menzi e kalojne muajin. Sallat rrallë mbushen, e kur mbeshteten artistet, zakonisht ska buxhet per ta mbuluar krejt projektin. KUr mbeshtesim artiste gjate pandemise, ka me shume reagime se per milionat e humbur në korrupcion. Filmat tonë kanë suksese nëpër botë me buxhete minimale, dhe kur të vlerësohen andej kufirit mandej i shohim si suksese edhe te na dhe fillojmë ti lëvdërojmë.

Prandaj miq te nderuar, ne teatrin e kemi shkaterruar moti, me bager te perditshem, ja kemi hjek tullat një nga një dhe tashmë e kemi lënë të thatë, ndoshta edhe me themele të dëmtuara.

Sepse, ende nuk e kemi kuptuar se Teatri edhe pse godinë fizike (nuk e kam qellim ta uli rëndësinë), ajo nuk i ka tullat apo blloqet fizike. Tullat janë aktorët, regjisorët e producentët. Biletashitësit e bufeja e teatrit. publiku i teatrit, suflerat e punëtorët teknik.

E ne, këto blloqe e tulla i kemi nëpërkëmbë e poshtnu moti, duke i anashkalu, duke mos i respektu duke i shti me ja marr inati profesionit të vet për të ciilin jetojnë.

E me tulla të dobëta, godina fare lehtë rrëzohet. /KultPlus.com

‘Për të qenë i lirë, njeriu duhet të ndjekë rrugën e arsyes dhe t’i mbajë nën kontroll ndjenjat’

Ki guxim t’i shërbesh arsyes tënde! Këtë ka kërkuar Immanuel Kant (1724-1804). Filozofi i famshëm e përkufizoi Iluminizmin si “daljen e njeriut nga papjekuria e vetvetes”. Për të qenë i lirë, njeriu duhet të ndjekë rrugën e arsyes dhe t’i mbajë nën kontroll ndjenjat dhe instiktet.

Gottfried Wilhelm Leibniz

Iluministi i hershëm, Leibniz (1646-1716) konsiderohet shpesh si dijetari i fundit universal. Që para Kantit ai formuloi një maksimë të rëndësishme të iluminizmit: Çdo njeri i ka aftësitë për një jetë dinjitoze. Sipas tij, të gjitha virtytet e njeriut mund të zbeheshin, – vetëm arsyeja jo.

Johann Gottfried Herder

Filozofi dhe shkrimtari studioi në Kënigsberg, ka qenë edhe nxënës i Kantit. Herder (1744-1803) në librin “Ide mbi filozofinë e historisë së njerëzimit” ai e sheh zhvillimin e njeriut si një maturim organik drejt humanizmit. Ai kujton se parimi i tolerancës duhet të vlejë për të gjithë popujt dhe kulturat.

Gotthold Ephraim Lessing

Toleranca, Liria dhe Vetëdija e re e qytetarisë – këto mendime janë filli i kuq në dramat dhe shkrimet teorike të Lesingut (1729-1781). Në shkrimet e tij filozofike ai kritikon dogmatizmin dhe angazhohet për trajtimin e barabartë të besimeve fetare.

Nathan i Urti

Këto ide Lesingu vazhdon t’i shtjellojë edhe në dramën “Nathan, i urti”, në një kohë kur iu ndalua të publikonte teoritë e tij. Kjo pjesë teatrale ende vihet në skenë (në foto me aktorin Klaus Maria Brandauer Vjenë 2004), sepse tema e tolerancës fetare ende sot është aktuale.

Moses Mendelssohn

Drama “Nathan i urti” është njëkohësisht një homazh për mikun e ngushtë të Lesingut, Moses Mendelssohn (1729-1786). Iluministi hebre e frymëzoi Lesingun për figurën e Nathanit, dhe luftoi për tolerancën fetare.

Theodor W. Adorno

Si mundi të ndodhte, që megjithë iluminizimin, “mbiu fara e barbarisë së re” – fashizmi? Me këtë çështje merret Theodor Adorno (1902-1969) në vitet 40-të, në kohën e emigracionit në Amerikë së bashku me Max Horkheimer. Së bashku ata shkruan “Dialektika e zhvillimit.”

Adorno e Horkheimer

Morali, kultura dhe shkenca përcaktohet nga formalizmi i pastër i “arsyes së instrumentalizuar”. Sidomos Horkheimer (1895-1973 majtas) thekson se me këtë individi rrezikon vetveten. Adorno dhe Horkheimer trajtojnë rënien pre të individit ndaj ideologjive totalitare.

Jürgen Habermas

Filozofi dhe sociologu i lindur në Dyseldorf Jürgen Habermas (1929) bën pjesë tek intelektualët më të njohur të së tashmes. Ai e vazhdoi më tej Teorinë Kritike; sipas tij ndërveprimet komunikative krijojnë bazën e shoqërisë. Këto janë të orientuara drejt arsyes. /KultPlus.com

‘Yllin nga qielli do ta zbres edhe ty, ty do të ta fal’

“Marigona” është njëri nga grupet më të njohura në muzikën shqiptare, që për vite të tëra kanë përcjellë shumë gjenerata me këngët e tyre, shkruan KultPlus.

Grupi është formuar në Mitrovicë në vitin 1991 me formacionin e parë: Vullnet Sefaja, Edon Ramadani, Teoman Ukça, Labinot Krasniqi.

Stili i “Marigonës” është i veçantë. Gërshetimi i teksteve kuptimplota me vokalin unik të Vullnet Sefasë, ka bërë që ndër vite ata të sjellin shumë hite që edhe sot e kësaj dite këndohen e rikëndohen.

Disa nga këngët e tyre më të njohura janë: “Sonte”, “Pa ty”, “Mitrovcia”, “Ajshe”, “Dea”, “Tash shko”, “Fundi vjen”, etj…

Sonte po e risjellim një prej këngëve të tyre të hershme që titullohet “Do të vijë në mëngjes”, ku spikat teksti i bukur romantik, melodia dhe zëri i Sefasë. Më poshtë bashkë me këngën po e japim edhe tekstin. /KultPlus.com

Do të vi një natë, në dritaren tënde
të të vështroj, kur ti je në ëndërr
do të vi atëherë, kur të jesh në gjumë
të t’shikoj si fle, se të dua shumë.

Do të vi në agim, nga gjumi të të zgjoj
të marr në përqafim, dhe kurrë mos të lëshoj
do vi në mëngjes, të të sjell ty dashurinë
të t’shikoj si buzëqesh, ta shijoj ty lumturinë.

Refreni:

Yllin nga qielli do ta zbres
edhe ty, ty do të ta fal
të shikoj, të shikoj se si buzëqesh
edhe hënës atë dritë do të ja marr.

Do të vi një natë, në dritaren tënde
të të vështroj, kur ti je në ëndërr
do të vi atëherë, kur të jesh në gjumë
të t’shikoj si fle, se të dua shumë. /KultPlus.com

Ernest Koliqi, atdhetari që hapi 200 shkolla shqipe në Kosovën e robëruar

Ernest Koliqi ka qenë njëri ndër personalitetet e njohura të letërsisë e kulturës shqiptare në përgjithësi.

Një kontribut të veçantë i ka dhënë arsimimit në Kosovë, në vitin 1941, kur forcat italo-shqiptare kishin depërtuar në vendin tonë dhe kishin dëbuar forcat ushtarake e policore të Mbretërinë famëkeqe jugosllave, e cila gjatë tërë kohës së sundimit nga vitit 1913 e deri në vitin 1941 nuk kishte lejuar asnjë shkollë shqipe por as edhe një libër në gjuhën shqipe.

Ata shqiptarë që mësonin ilegalisht gjuhën e tyre ndiqeshin e dënoheshin nga regjimi deri më 20 vjet burg.

Dërgimi në Kosovë i më shumë se 200 mësuesve, hapja për herë të parë e qindra shkollave shqipe në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi, ishte dhurata më e madhe që mund t i jepej një kombi të ndarë padrejtësisht dhe të persekutuar mizorisht vetëm për shkak të përkatësisë së tij kombëtare e fetare.

Pavarësisht se Koliqi i mbeti besnik Italisë, nuk mund të thuhet se ka qenë besnik i fashizmit, me faktin se ai gjatë asaj kohe ka ndihmuar, aq sa ka pasur mundësi edhe intelektualët shqiptarë, të cilët regjimi i trajtonte si armiq.

Pas çlirimit nga Italia, Koliqi u anatemua se bashkëpunëtor i regjimit italo-shqiptar dhe vepra e tij nuk u vlerësua. Megjithatë, Koliqi me punën dhe veprën e tij, me kontributin që i ka dhënë letërsisë, kulturës, albanologjisë, sidomos hapjes së shkollave shqipe në Kosovë e më gjerë, është një kontribut madhor, që nuk e zbeh aspak përkatësia e tij partiake në një kohë të caktuar. Koliqi meriton ta ketë një përmendore në qendër të Prizrenit apo të Prishtinës. ( A. Q.)

Ernest Koliqi u lind në Shkodër më 20 maj të vitit 1903. Ishte i biri i Shan Koliqit dhe i Ages së Cuk Simonit, nip Parrucejsh, familje shkodrane fort e kamur. Ndërsa nga babai kishte origjinën prej Lotajve të Shalës së Dukagjinit, të cilët kishin rënë në krahinën e Anamalit.

Pas mësimeve të para në Kolegjin Saverian të Jezuitëve, i ati e dërgoi për të studiuar në Itali më 1918. Së pari në kolegjin jezuit “Cesare Arici” në Breshia e pastaj në Bergamo. Bashkë me nxënës të tjerë hap gazetën “Noi giovani” (“Ne të rinjtë”), ku boton poezitë e para në italisht.

Kthehet në Shqipëri pasi që gjendja futet në hulli pas Kongresit të Lushnjës, nxë shqipen dhe falë njohjes me Luigj Gurakuqin njihet edhe me shumë intelektualë të kohës. Më 1921 mbahet një konkurs për himnin kombëtar, ku Ernesti merr pjesë me një poezi e cila fitoi çmimin e parë të dhënë nga juria e përbërë prej Gjergj Fishtës, Fan Nolit, Mit-hat Frashërit e Liugj. Gurakuqit

Në mars-prill merr pjesë si përfaqësues i shoqërisë kulturore “Rozafa” në një mbledhje me Harapin nga shoqëria “Bogdani” dhe P. A. Harapin në takimin që formoi grupimin “Ora e Maleve” nën dorën e Imzot Llazër Mjedës. Pas Revolucionit Demokratik të Qershorit, Luigj Gurakuqi e thërret në Tiranë dhe e emëron sekretar personal. Aderon në shoqërinë “Bashkimi” të themeluar prej patriotit Avni Rustemi. Më pas emërohet sekretar në Ministrinë e Brendshme, ku ministër ishte kolonel Rexhep Shala.

Me Triumfin e Legalitetit shtrëngohet të dalë në mërgim, doli në veri drejt Mbretërisë SKS, ku studion gjuhën dhe kundron letërsinë serbo-kroate. Qëndron për dy vjet në Tuzla të Bosnjës me shumë nga krerët e maleve. Më 1928 gjendet në Bari të Italisë mes Bahri Omarit, Sotir Pecit, Sheh Karbunarës dhe Kostë Paftalit. Në Zara të Dalmacisë botoi edhe përmbledhjen e parë me novela, në vitin 1929 ku ishte edhe miku i tij në ideale e në punë gjuhe, Mustafa Kruja. Kthehet në atdhe dhe nis punë si mësues në Shkollën Italiane Tregtare në Vlorë dhe mandej në Gjimnazin e Shkodrës (1930-’33) ku mes të tjerëve do t’iu jepte mësim Petro Markos dhe Liugj. Radit. Nis të verojë ndër bjeshkët e Dukagjinit ata vite ku përpos ndodhive shënonte edhe kangët e buta – siç i thonë në Dukagjin këngëve erotike – kujtime të cilat do t’i shkruante mbas ’70 me pseudonimin “Hilushi”. Ndërkohë miku i tij Mustafa Kruja i kërkon me mbledhë librat e bibliotekës së tij të cilat qenë shpërndarë ndër françeskanë e jezuitë mbas lëshuan Shqipërinë në dhjetorin e 1924.

Më 1933 jep dorëheqjen nga mësimdhënia për të nisur studimet universitare në Padova. Gjatë periudhës 1934- 1936 ishte pjesëtar i grupit botues të përkohshmes “Illyria”, ku botoi poemthin në prozë “Quattuor”. Në po të njëjtën të përkohshme, në vitin 1935 Migjeni botoi vjershën “Të lindet Njeriu” me nxitje të Koliqit. Më 1936 e emërojnë Lektor të Shqipes në katedrën e Albanologjisë të drejtuar nga gjuhëtari Carlo Tagliavini. Më 1937 doktoron po në Padova me tezën “Epica popolare albanese” (“Epika popullore shqipe”) falë mbledhjeve që kishte bërë P. B. Palaj, tezë doktorate e cila u vlerësua nga shumë albanologë si N. Jokli, M. Lambertz etj. Transferohet nga Padova në Romë tetorin e 1937 si lektor i shqipes. Më 1939 hapet në Universitetin Shtetëror të Romës Selia e Albanologjisë, ku Koliqi emërohet ordinar dhe qëndron i tillë derisa doli në pension. Ndërprerja e vetme disi e gjatë qe kur u emërua ministër Arsimi në vitet 1939-1941

Ministër Arsimi në qeverinë Vërlaci nën pushtimin italian

Pavarësisht rrethanave, Koliqi shfrytëzoi deri në skaj mundësitë që i jepte zyra e tij. Panë dritën e botimit tekste shkollore shqipe e libra më shumë se ç’qenë botuar prej vitit 1912 e deri atëherë: botimi i historisë së letërsisë në dy vëllime “Shkrimtarët shqiptarë” më, nën kujdesin e Namik Resulit e Karl Gurakuqit; vijoi botimi i përmbledhjeve të folklorit “Visaret e kombit” me v. IV prej H. Reçit, Spiro Çomorës e A. Palucës dhe shumë arsimtarëve të tjerë, duke e çuar deri në XIV vëllime – punim në aq pak kohë dhe me rëndësi për themelin e studimit të folklorit. Tok me Mustafa Krujën dhe Zef Valentinin thirri në Tiranë Kongresin Ndërkombëtar të Studimeve Shqiptare në vitin 1940 prej ku lindi Institutin i Studimeve Shqiptare me qendër në Tiranë, pararendës i Akademisë së Shkencave. Themeloi e drejtoi të përkohshmen “Shkëndija” në korrik të 1940, e cila qe palestër e mendimtarëve dhe shkrimtarëve të kohës. Në shtatorin e vitit 1941 nis mbi 200 arsimtarë normalistë drejt Kosovës. Në një letër dërguar më 16 tetor 1941 nga ministri i arsimit të Qeverisë së atëhershme shqiptare Ernest Koliqi konsullit shqiptar Nikollë Rrota në Vjenë thuhet se ka angazhuar N. Joklin si organizator të bibliotekave të Shqipërisë me një rrogë mujore prej 600 frangash ari. Përpjekje kjo, si shumë të tjera për ta shpëtuar studiuesin e shumë çmuar, që nuk dha rezultat

Më 1943 vajti në Romë të vazhdonte punën si ordinar në universitet dhe u emërua ambasador në Vatikan, i fundit para regjimit që do të vinte. Nga një telefonatë merr vesh për kapjen e Petro Markos nga ana e gjermanëve, të cilit i shpëton jetën. Më 6 nëntor 1946 krijohet partia Blloku Kombëtar Indipendent me bërthamën krijuese e drejtuese të përbërë nga vetë Koliqi, dr. Ismail Vërlaci, Gjon Marka Gjoni dhe Ndue Gjon Marku – duke i ndenjtur veprës së Mark Gjon Markut. Në mars të 1947 themelon dhe kujdeset të botojë të përkohshmen “L’Albanie Libre” që ndali më 1959, e më pas “Lajmëtari i të Mërguemit”.

Me dekret të Presidentit të Republikës së Italisë, më 2 shtator 1957, për njohje të prestigjit, Katedra e Gjuhës dhe e Letërsisë Shqipe e Universitetit të Romës, nderohet duke u bërë Institut i Studimeve Shqiptare dhe Koliqi u emëruar presidenti.

Themelon të përkohshmen “Shêjzat” (it. “Le Pleiadi”) që e drejtoi për 18 vjet, e përkohshmja kryesore letraro-kulturore e asokohe. Vijimësi e traditës publicistike që la n’atdhe me “Shkëndijat”, penat e hershme dhe ato të reja gjetën të satin log ku të kultivonin kulturën shqiptare në mërgim të pandotur nga ideologjia me të cilën përlyhej në atdhe. Ndihmon talente të shumë fushave të ikur nga ish-Jugosllavia duke iu dhënë hapsirë ndër faqet e revistës, ndër ta piktori L. Delija, shkrimtarët M. Camaj e F. Karakaçi dhe etnologu V. Malaj

“Shêjzat shërbyen si tribunë dhe dritare informimi mbi aktivitetet shkencore albanologjike në botë. Ato regjistruen në kroniken e tyne edhe ngjarje shoqnore që në të ardhmen do të vlejnë sadopak si dokumentacion historik e kultural për nji periudhë rreth njizet vjeçare”. Martin Camaj Më 4 Maj të 1969 i vdes bashkëshortja Vangjelija. Zhdukja e saj i shkaktoi një mungesë të pazëvëndësueshme e ndoshta shpejtoi edhe humbjen e tij. 1975 – Vdes në shtëpinë e tij në Romë më 15 Janar 1975 dhe u varros në qytetin e amshuar me datën 18 të atij muaji i nderuar nga i gjithë komuniteti shqiptar në mërgim, por i mohuar nga vendi i tij. Në ceremoninë e asaj dite kishin ardhur personalitete të ndryshëm, kolegë, shqiptarë, arbëreshë, miq të ardhur nga vende të ndryshme.

Vepra

Siç u përmend, qasjen e parë që pati me letrat e përshfaqi në revistën që hapën gjatë nxënjeve të para në Itali, të cilat i bëri në gjuhë italishte. Mbasi fitoi konkursin për himn kombëtar, Koliqi nxitet nga Gurakuqi të shkruaj atë që do të bëhej poemthi i tij i parë dramatik, “Kushtrimi i Skanderbegut” botuar në shtypshkronjën “Nikaj”, Tiranë më 1924 – e cila mbarështohej nga vëllau i Dom N. Nikajt. Gjatë mërgimit të parë ndërsa bluante ndjesitë e përftuara nga kurbeti dhe malli për vatrën familjare dhe klimën morale që e rrethonte shkruan me pseudonimin Borizani në të përkohshmen e Omer Nishanit. Nxjerr përmbledhjen e dymbëdhjetë novelave “Hija e Maleve”, botuar në Zara më 1929. Përmbledhja pasqyron suazën mjaftueshëm harmonike të mjedisit me taban patriarkal, mesdhetar e oriental ku kishte kaluar fëmininë – trung ky që përshkohej nga një shije e hollë perëndimizimi. Fryma qytetare gjithnjë në dialog me atë malësore dëshmon tharmin e formësimit të autorit përmes prozës psikologjike të stilizuar me ëndje, e selitur me themelet dokësore të shpirtit shqiptar.

Boton më 1932 vëllimin e parë të antologjisë “Poetët e mëdhenj të Italisë” me parathënie të Fishtës, një antologji me 280 faqe që u përdor menjëherë si tekst letërsie në gjimnazin klerik të Shkodrës dhe përmban katër poetët më të mëdhenj të Italisë: Danten, Petrarkën, Arioston, Tason. Vjershat e veta i përmbledh në vëllimin “Gjurmat e stinve” më 1933, ku paraqiten me një frymë krejt të re skenat e jetës shkodrane. Ndërsa, autodafeja e vendosur në krye të këtij libri vlerësohet si një ndër aktet më të rëndësishme në fushë të mendimit estetik shqiptar. 1935, Itali – Pas suksesit të vëllimit të parë me tregime, boton një libër me 16 novela me titull “Tregtar flamujsh” me lëndë të nxjerrë nga mënyra e jetesës së popullit tonë, sidomos të atij të qytetit të Shkodrës. Ngjarjet dhe problematikat sociale që prekin veprën gjithnjë i nënshtrohen një analize të thellë psikologjike. Boton vëllimin e dytë të antologjisë “Poetët e mëdhenj të Italisë” me parathënie nga Tagliavini. Ky vëllim përfshin vjersha të përkthyera të katër italianëve të tjerë: Parini, Monti, Foskolo, Manxoni. Personalisht çmonte Giosuè Carducci, Giovanni Pascoli, dhe Gabriele D’Annunzio-n. Edhe vëllimi i tretë ishte i përgatitur por nuk u botua. Tregtar flamujsh (1935) dhe Pasqyrat e Narçizit (1936), Koliqi sjell një botë krejt unike shpirtërore shqiptare, ndërsa gjuha e tij dhe stili i japin frymëmarrje të re letrave shqipe.

Bashkëpunoi me revistat “Hylli i Dritës” e françeskanëve, “Leka” e jezuitëve, “Përpjekja shqiptare” e Branko Merxhanit , “Minerva”, “Besa” etj. Poezitë më të mira të këtij vëllimi janë ato të shkruara në formë të tingëllimit (sonetit).

Nis të botojë nga viti 1954 deri më 1961, studimin krahasues “Dy shkollat letrare shkodrane – e Etënve jezuitë dhe e Etënve françeskanë”. Në këtë studim të tij vërehet përpjekja për të hartuar një histori të mirëfilltë të letërsisë shqiptare, jashtë ngjyrimeve ideologjike. Në Firenze boton vëllimin “Poesia popolare albanese”(“Poezia popullore shqiptare”) ku spikat si studiues i merituar i traditave artistike dhe folkloristike të atdheut të tij. 1959 – Boton vëllimin “Kangjelet e Rilindjes” (“I canti della Rinascita”) me përkthimin në italisht, kushtuar arbëreshëve të Italisë, ku i nxit ata të ruajnë gjuhën e zakonet e të kenë besim në pavdekësinë e fisit. 1960 – Boton romanin “Shija e bukës së mbrûme” për të cilin Koliqi vetë shprehet: “Ky tregim parashtron edhe përpiqet imtësisht të hulumtojë dramin shpirtnuer të nji të riut shqiptar flakrue jashta atdheut nga pasojat e së dytës luftë botnore.” (Paraqitje në “Shija e bukës së mbrûme”, Shkodër, 1996) Boton studimin “Gabriele D’Annunzio e gli Albanesi” (“Gabriel D’Anuncio dhe Shqiptarët”). 1963 – Boton “Antologia della lirica albanese” (“Antologjia e lirikës shqiptare”) ku për herë të parë paraqiten në një gjuhë evropiane përkthimet e lirikat më të mira të autorëve shqiptarë të vjetër e të rinj ku theksohen autorët kosovarë me qëllim që të njihen më mirë. Riboton “Shtatë Pasqyrat e Narçizit” (që e kishte botuar së pari në fletoren Gazeta Shqiptare të Bari-t më 1936) ku paraqiten shtatë copa proze poetike që përshkruajnë gjendjen shpirtërore të shkrimtarit. 1965 – Del në dritë “Albania”, një monografi italisht, botuar në “Enciclopedia dei popoli d’Europa”, Milano ku paraqet një pasqyrë të gjërë mbi Shqipërinë si në pikëpamjen gjeografike, ashtu edhe letrare e historike. 1970 – Riboton poemthin “Simfonia e Shqipeve” (që e kishte botuar për herë të parë në fletoren “Gazeta Shqiptare” të Bari-t më 1936), që është si një testament poetik që nënvizon trashëgiminë kombëtare, lashtësinë dhe traditat e popullit. Kjo vepër ka për argument lartësimin e kohës së kaluar të fisit tonë. 1972 – Botohet vëllimi “Saggi di Letteratura Albanese”, Firenze. Një përmbledhje e mirë shkrimesh e konferencash përpunuar gjatë disa vjetëve. 1973 – Vazhdon të përkthejë në italisht pjesë nga Lahuta e Malcís, këngët II-III-IV-V (punë kjo e nisur që në vitin 1961 kur përktheu këngën XXVI; më 1971 këngët XII-XIII-XIV dhe XV)./medialmk/ KultPlus.com

Opozita thërret në interpelancë Edi Ramën për Teatrin

Rudina Hajdari dhe Ralf Gjoni kanë thirrur në interpelancë kryeministrin Edi Rama për çështjen e Teatrit Kombëtar.

Mësohet se kjo seancë do të zhvillohet javën e ardhshme, e cila do të jetë e fundit në sallë pa praninë e mediave, ndërsa më pas do të rikthehet normaliteti, shkruan A2 CNN.

Godina e Teatrit Kombëtar në Tiranë u shemb në orët e para të së dielës duke ngjallur reagime të shumta dhe protesta nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit e cila është mbështetur edhe nga opozita, si dhe presidenti Ilir Meta.

Instituti i ri për krime lufte, në shërbim të kujtesës kolektive


Qeveria e Kosovës në detyrë po synon të themelojë Institutin e ri për hetimin e krimeve të luftës të kryera gjatë luftës në Kosovë, përfshirë edhe krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidin.

Zyrtarët e qeverisë në detyrë theksojnë që Instituti do të shërbejë për krijimin e dosjes që do t’i shërbejë kujtesës kolektive dhe sipas tyre, tashmë është koha e fundit që të bëhet diçka lidhur me këtë çështje.

Një institut i ngjashëm në Kosovë, ishte themeluar në vitin 2011, pra, 12 vjet pas luftës. Por, me vendimin e Qeverisë së Kosovës, ai është mbyllur në vitin 2018, ndërkohë që në Ministrinë e Drejtësisë është formuar Divizioni për Drejtësi Tranzicionale, i cili është dashur të vazhdojë punën e institutit. Ish-drejtuesit e Institutit thonë se ai nuk ka pasur mbështetjen e nevojshme të institucioneve shtetërore.

Krijimi i kujtesës kolektive

Ministrja në detyrë e Drejtësisë. Albulena Haxhiu, më 13 maj ka formuar Grupin punues, i cili deri në muajin shtator do të duhej të përgatisë analizën për formimin e institutit të ri.

Mbledhja e parë e këtij grupi punues do të mbahet të mërkurën dhe në të do të marrin pjesë përfaqësuesit e institucioneve të ndryshme relevante të Kosovës, përfaqësuesit e organizatave joqeveritare, si dhe ekspertët ndërkombëtarë.

Kryesuesja e Grupit punues, Furtuna Sheremeti, këshilltare e kryeministrit të Kosovës në detyrë, Albin Kurti, thotë për Radion Evropa e Lirë që puna nuk do të nis nga zeroja dhe nuk bëhet fjalë për anulimin e punës së deritashme të institutit paraprak. Sipas saj, do të përmblidhet puna e deritashme e institutit apo organizatave joqeveritare dhe të shkohet më tutje.

Ajo thotë që qëllimi i Institutit është krijimi i kujtesës kolektive, ndërkaq si pjesë të punës së institutit e sheh edhe padinë ndaj Serbisë për gjenocid.

“Kosova ka nevojë të hatashme për një institut ë tillë, i cili do të mund të adresonte, më në fund, se çfarë ka ndodhur në Kosovë. E dyta, do të mund të dokumentonte në mënyrë të përbashkët, të përgjithshme, për krejt Kosovën, jo vetëm atë se sa vrasje kanë ndodhur, por edhe sa persona janë përdhunuar, kush është torturuar, si dhe në fund, do të mund të adresonte gjithashtu edhe dëmet që janë shkaktuar, shtetit si tërësi, personave, ekonomisë”, tha Sheremeti.

“Plani dhe ideja e institutit është që të merret me krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë. Kur të fillojnë hulumtimet që të shihet se çfarë krime janë kryer në Kosovë, do të përfshihen të gjitha krimet që janë kryer gjatë asaj kohe. A do të mund t’i përfshijmë të gjitha krimet dhe a do të mund t’i dokumentojmë të gjitha krimet, tash 20 vjet pas luftës, kjo është diçka që mbetet të shihet kur të dalim në terren”, shtoi ajo.Sheremeti, e cila është duke doktoruar në Belgjikë në temën për matjen e dëmeve të shkaktuara nga krimet e luftës, thekson që Grupi punues do ta bëjë analizën dhe do të shqyrtojë se cila është mënyra më e mirë për themelimin e një instituti të tillë, i cili duhet të ketë një bazë mjaft të fuqishme.

“Në momentin që bazat i vendosim të forta, atëherë besoj që puna e institutit, i cili do të themelohet më vonë, do të jetë shumë më e lehtë. Unë mendoj që një institut i mirëfilltë duhet të ketë një bazë të fortë, e cila lidhet me një buxhet të caktuar që do të mund të siguronte një punë të vazhdueshme për njerëzit që do të ishin pjesë e institutit, një buxhet që do të mund të siguronte hulumtues në terren më vonë. Instituti duhet të formohet me ligj, të ketë linjë të vete buxhetore, të ketë brenda vetes persona që janë ekspertë të fushës dhe gjithashtu të ketë lidhje me Akademinë, me univesitetin, me shoqërinë civile”.

“Ne kemi organizata civile, të cilat e kanë mbajtur frontin në përballje me të kaluarën në Kosovë. Krejt çka është dokumentuar në Kosovë, në mënyrë objektive, është dokumentuar prej organizatave të shoqërisë civile, fatkeqësisht”, theksoi Sheremeti.

Ballafaqimi me të kaluarën

Instituti i mëhershëm për hulumtimin e krimeve të luftës, të cilin gjithashtu e pati formuar Qeveria e Kosovës, gjatë punës së tij, ka publikuar tetë libra për vrasjet, për personat e pagjetur, për gjenocidin serb, si dhe për shkatërrimin e monumenteve dhe pronave të shqiptarëve.

Ish-drejtuesi i atij instituti, Ismet Salihu, profesori i të Drejtës Penale, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë ka theksuar që me mbylljen e institutit, me vendimin e kryeministrit të atëhershëm Ramush Haradinaj, është bërë dëm i madh. Mbyllja e institutit, sipas tij, ishte bërë “me qëllimin e reformimit të administratës së gjyqësorit”.

Salihu thekson që për përballjen me të kaluarën dhe pajtimin ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve, duhet të bëhen të ditura krimet e luftës dhe për këtë arsye është i domosdoshëm formimi i institutit.

“Sfidat kanë qenë të shumta. Në vitin e parë nuk kemi pasur as zyre. Vetëm në vitin 2012 e kemi marrë një objekt ku kemi qene shtatë persona të punësuar. Por, nuk kemi patur mbështetje të duhur, për shkak se nuk na është mundësuar që të bëjmë hulumtime në terren“​.

Por, përkundër kësaj, ky institut ka bërë punë relativisht të mirë. Ka bërë hulumtimin e krimeve të vrasjes, për të zhdukurit, për shkatërrimin e arkivave, shkatërrimet e trashëgimisë kulturore. Kemi bërë edhe botimin për krimin e Reçakut, krimet që kanë ndodhur në Qendrën Klinike Universitare. Në përgjithësi kemi bërë hulumtive për këto krime, të cilat janë botuar si libra në gjuhën shqipe dhe angleze, si dhe kemi organizuar disa ekspozita për krimet e luftës”, tha Salihu.

Ai shtoi që ironia ishte edhe më e madhe, sepse përkundër punës që ishte bërë, qeveria kishte vendosur që institutit të mos i paguhej më qiraja në objektin ku ishte vendosur, për shkak se ishte objekt privat. Sipas tij, hapësirat e reja të punës ishin disa kontejnerë, të cilët nuk ishin të përshtatshëm për punë, por megjithatë puna vazhdoi deri në vendimin e qeverisë për transformimin e këtij instituti në Divizon për Drejtësi Tranzicionale.

Megjithatë, Sheremeti konsideron që problemi i institutit të mëparshëm ishte baza e dobët dhe formimi i tij përmes vendimeve pa strategji operacionale.

Ajo thekson që për formimin e sërishëm të institutit mbase do të duhet më shumë kohë, por sipas saj, do të bëhën përpjekje që të vendoset bazë sa më e fuqishme, me këshilla edhe të ekspertëve vendosrë dhe të huaj.

Familjet e vikimave, të lodhura

Sheremeti thotë se është sfidë e madhe që të punohet në këtë drejtim 20 vjet pas përfundimit të luftës, para së gjithash për shkak se familjet e viktimave, sipas saj, janë të lodhura.

“Sistemi ynë , për 20 vjet, i ka maltretuar këta njerëz. Këtu po i përfshijë edhe menxhimin e situatës më herët nga UNMIK-u, nga EULEX-i. Unë kam pasur rastin kur viktimat më kanë thënë ‘ma kanë humbur dosjen tri herë dhe kanë ardhur sërish që të mi bëjnë pyetjet e njëjta’. Pra, është tepër e vështirë, por në anën tjetër, nuk është e pamundshme”.

“Është momenti i fundit tash që të bëjme diçka, sepse nëse nuk bëjmë, gjeneratat janë duke vdekur. Memorja primare është duke vdekur dhe kujtimet e luftës janë duke mbetur vetëm si rezultat i asaj që prindërit u kanë treguar fëmijëve. Ka për të qenë shumë e vështirë, por e kemi obligim dhe realisht, i kemi borgj vetes së pari dhe gjithë viktimave të luftës , që t’iu jepet mundësia që t’i mbyllin plagët”, u shpreh Sheremeti.

Sipas të dhënave të publikuara nga Fondi për të Drejtën Humanitare, gjatë luftës në Kosovë, në vitin 1998 – 1999, janë vrarë mbi 13.500 persona, 76 për qind e të cilëve besohet se kanë qenë civil.

Edhe më tej është duke u hulumuar fati i rreth 1.600 personave të pagjetur.

Megjithatë, puna për frmimin e institutit të ri do të varet edhe nga situata aktuale politike në Kosovë. Qeveria e Albin Kurtit, që nga 25 marsi është në detyrë, pas votimit të mosbesimit ndaj kësaj qeverie nga ana e Kuvendit të Kosovës, me kërkesën e partnerit të koalicionit, Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Deri në fund të muajit maj, pritet që Gjykata Kushtetuese të sjellë vendimin për dekretin e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, përmes të cilit e ka caktuar Avdullah Hotin nga Lidhja Demokratike e Kosovës për mandatar të ri të qeverisë.

Kurti konsideron që formimi i qeverisë së re, pas votimit të mosbesimit ndaj qeverisë së tij, është jokushtetues dhe se zgjedhjet e reja të parakohshme janë zgjidhja e vetme./REL/

Sot është ditëlindja e Ernest Koliqit, bashkëthemeluesit të tregimit modern shqiptar

Kontributi i Koliqit në fushën e kritikës letrare dhe të historisë së letërsisë është i lidhur me emrin si titullar i katedrës së gjuhës dhe letërsisë shqipe në Romë, me themelimin e Institutit të Studimeve Shqiptare më 1940 në Tiranë, dhe me shndërrimin e katedrës së gjuhës dhe letërsisë në “Institutin e Studimeve Shqiptare” në Romë. 

Më 20 maj të vitit 1903 lindi në Shkodër, Ernest Koliqi, mësues, poet, romancier, eseist, përkthyes, gazetar, dramaturg, botues dhe pedagog. Cilësohet bashkë me Mitrush Kutelin, si bashkëthemelues i tregimit modern shqiptar, ndërkohë si Ministër Arsimi ka meritën për dërgimin e 200 mësuesve në trojet shqiptare jashtë kufijve shtetërorë të Shqipërisë.

Koliqi i përkiste shkolle italiane të formimit letrar. Ishte themelues dhe drejtues i tri revistave kulturore: “Ora e maleve”, “Shkëndija” dhe “Shêjzat”. Ai ushtroi edhe profesionin e mësuesit dhe profesorit më shumë se tridhjetë vjet në Padovë dhe Romë të Italisë.

Kontributi i Koliqit në fushën e kritikës letrare dhe të historisë së letërsisë është i lidhur me emrin si titullar i katedrës së gjuhës dhe letërsisë shqipe në Romë, me themelimin e Institutit të Studimeve Shqiptare më 1940 në Tiranë, dhe me shndërrimin e katedrës së gjuhës dhe letërsisë në “Institutin e Studimeve Shqiptare” në Romë.

Me një veprimtari të shkurtër në politikë si Ministër i Arsimit, Koliqi iu përkushtua zgjerimit dhe përhapjes së shkollave shqipe në trevat shqiptare dhe botimeve të shumta në shqip. Veprat e tij më të njohura janë: “Kushtrimi i Skanderbegut”, “Hija e maleve”, “Tregtar flamujsh”, “Pasqyrat e Narcizit”, “Kangjelat e Rilindjes”.

Më 1939 hapet në Universitetin Shtetëror të Romës Selia e Albanologjisë, ku Koliqi emërohet ordinar dhe qëndron i tillë derisa doli në pension. Ndërprerja e vetme disi e gjatë qe kur u emërua ministër Arsimi në vitet 1939-’41.

Koliqi  vdiq në Romë më 15 janar 1975. /KultPlus.com

Punë vetëm 4 ditë të javës, ideja e Zelandës së Re për të rimëkëmbur turizmin

Kryeministrja e Zelandës së Re Jacinda Ardern ka propozuar që njerëzit në vend të punojnë katër ditë në javë, në përpjekje për të ndihmuar turizmin nga pasojat e ekonomisë.

Ardern ishte në përfundim të një udhëtimi në Rotorua në momentin kur vendosi që të bënte një “live” në Facebook për të komunikuar me qytetarët.

Ajo u shpreh se kishte vizituar North Island për të folur me këshillin lokal dhe operatorët turistikë lidhur me impaktin që pati Covid-19 dhe çfarë mund të bëhet në vazhdim.

Kryeministrja u shpreh se u hodhën për diskutim një numër idesh për të ndihmuar qytetarët e vendit gjatë pandemisë dhe të shfrytëzohet sa më shumë turizmi lokal. Më tej ajo përmendi që njerëzit kanë sygjeruar që do të ishte mirë sikur të kishin pak më shumë kohë për të udhëtuar.

“Kam dëgjuar shumë njerëz që sygjerojnë që të kemi 4 ditë pune në javë. Kjo në të vërtetë mbetet mes punonjësve dhe punëdhënësve,” shton Jacinda Ardern.

Ardern shtoi se do t’i inkurajojë punonjësit që ta mendojnë si opsion nëse kanë mundësinë për ta bërë. /KultPlus.com

Lorde e ka konfirmuar lajmin se po punon rreth albumit të radhës

Këngëtarja 23-vjeçare e cila u bë e famshme shumë shpejtë, Lorde, emri i vërtetë i së cilës është Ella Marija Lani Yelich-O’Connor, në tetor të vitit të kaluar e kishte shtyrë lansimin e albumit të saj të tretë muzikor, pas vdekjes së qenit të saj të dashur, Pearl.

Por gjatë kësaj jave, këngëtarja e zbuloi lajmin se shumë shpejt do të lansojë muzikë të re, transmeton Koha.

Në një letër drejtuar fansave të saj besnik, Lorde ka shpjeguar: “Kam filluar të shkoj në studion incizuese në dhjetor të vitit të kaluar, vetëm sa për ta kaluar kohën e lirë dhe për ta mbajtur veten të angazhuar me aktivitete, por befasisht, kam arritur të realizojë këngë vërtetë të mira. Këngë të lumtura dhe lozonjare. Dhe me kalimin e kohës e kam vënë re që kreativiteti im muzikor vetëm sa po rritej.”

Pavarësisht pandemisë aktuale të koronavisurit, ylli i hitit “Royals” ka vazhduar të punojë intensivisht me Jack Antonoffin, në albumin e ardhshëm i cili vjen pas atij të vitit 2017, “Melodrama”.

Sidoqoftë, Lorde i ka paralajmëruar adhuruesit se këngët e reja do të marrin pak kohë për t’u finalizuar, dhe për të qenë të gatshme për t’i ndarë më botën, kjo ngase dëshiron ta krijojë një album i cili do t’i bëjë ballë kohës.

Ndër të tjera, këngëtarja e cila i ngacmoi fansat duke thënë se këngët e reja janë tejet të mira, tregoi se është shumë e emocionuar që do të kthehet në rrugë, pasi kishte pasur nevojë të largohet nga turnetë për një kohë. / KultPlus.com

Kulla e Inglizit e shek. XIX, dëshmi e periudhës së aristokracisë mesjetare në Shkodër

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti ka publikuar sot një foto nga “Kulla e Inglizit”, një ndërtesë e shek. XIX, e cila është një dëshmi e periudhës së aristokracisë mesjetare në Shkodër.

“Diversiteti kulturor në monumentet e kulturës, vjen sot i ilustruar nga arkiva e një prej muzeve tanë, Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi”, tha Margariti.

“Kulla e Inglizit, një ndërtesë e shek. XIX, e rikonstruktuar nga lordi anglez Padget kur u vendos në Shkodër. Brendësia u përshtat në përngjasim të kishave e të kapelave protestante. Kulla e Sahatit do të shërbente për të rrahur kambanat në orarin e liturgjisë, por pas ndërhyrjes së autoriteteve osmane, ndërtesa u përdor vetëm si banesë”, ka theksuar ministrja Margariti.

“Në 1949 aty u vendos Muzeu i qytetit, i ashtuquajturi ‘Muze Popullor’”, ka shtuar Margariti

Foto e publikuar është realizuar nga Kel Marubi, Vila Pagot, (pa vit) e marrë nga arkiva e Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi”.

Kulla apo Sahati i Inglizit siç njihet gjerësisht, ku në periudhën e regjimit komunist qe vendosur Muzeu Historik i Shkodrës, është një ndërtesë me pamjen e një kështjelle të periudhës së aristokracisë mesjetare në Europë e ndërtuar nga lordi anglez Paget në çerekun e fundit të shek. XIX.

Nga pikëpamja ndërtimore përbëhet nga 16 dhoma aristokratike të mëdha. Më e madhja e ndërtuar me stil oriental.

Porta e oborrit është me dimensione jo të vogla e ndërtuar prej druri nga mjeshtërit shqiptarë. Dyert kanë stil të veçantë, të gdhendura me ornamente dhe me stemën e Anglisë. /atsh/ KultPlus.com

Reflektim mbi aktivizmin rinor në Kosovë

Nga Ndriçim Çekaj

“Ju duhet të jeni ndryshimi që dëshironi të shihni në botë” – Ishte kjo thënie e Mahatma Gandit që më zgjoi një dëshirë për të shkruar disa rreshta për aktivizmin rinor dhe punën vullnetare të shumë të rinjve të Kosovës, në mesin e të cilëve për vite më radhë isha edhe unë.

Tashmë ka kaluar një kohë prej kur jam larguar nga aktivitetet rinore, e ndjej të nevojshme të bëj një reflektim në këtë veprimtari modeste, e cila filloi në vitet e para të gjimnazit, dhe disi përfundoi në ‘25-tat e mia. Kjo periudhë gati dhjetëvjeçare, tanimë është pjesë e pashkëputshme e kujtimeve të jetës sime, e cila ka ndikuar edhe formimin tim, qoftë në zhvillimin e njohurive, qoftë në aspektin social e njerëzor.

Megjithatë, duke mos e bërë shkrimin të duket se është shkruar në veten e parë, ne nuk do të flasim shumë mbi përvojat personale të aktivizmit rinor, por do të flasim për anët e shumta pozitive që sjellë ky vullnetarizëm i të rinjve. Do të ndalesha pak më gjatë.

Kemi dëgjuar shpesh duke thënë se disa gjëra nuk t’i mëson shkolla. Në parim kjo na duket absurde, sepse në shkollë pavarësisht cikleve shkollore, atje shkohet për të mësuar gjithçka që ne nuk e dimë. Por ja që kjo shprehje ka shumë bazë në realitet, sepse më të vertetë, secili i ri kur angazhohet sadopak në aktivitete të çfarëdolloj natyre, e në këtë rast në aktivitete rinore, i sheh se ato janë një plotësim shumë i madh i asaj që i mungon shkollave tona, e që është nxitja e zhvillimit shoqëror, përmes aktiviteteve të lira.

Pavarësisht, përkrahjes që na ofron familja, shkolla apo shoqëria, me kalimin e kohës na shfaqet një dëshirë tjetër, dhe kjo padyshim është shtytja kryesore për angazhimin e përditshëm.

Një i ri, i cili aktivizohet në grupe rinore, struktura, qofshin ato lokale apo qendrore, klube debati, shoqata, OJQ rinore, me qëllim që të shtyj kauza të caktuara për të mirën e përgjithshme të të rinjve, ai apo ajo qysh në fillimet e punës së tij/saj, do të ndërtojë profilin e tij, i cili me kalimin e kohës pavarësisht sfidave, do të dijë sesi t’ju qaset problemeve.

Përveç ndërtimit të profilit, tek një i ri aktivist, do të gjejmë një mendje kritike, e cila nuk dorëzohet lehtë ndaj presioneve dhe joshjeve politike, apo të ndonjë dukurie negative në shoqëri.

Një çështje tjetër dhe shumë e rëndesishme është njohja me përvoja dhe raste te ndryshme, si brenda ashtu edhe jashtë shtetit. Përmes rrjetëzimit rinor, të rinjtë çdoherë e më shumë do të takojnë moshatarët e tyre me probleme e nevoja të ndryshme që i hasin në qytete, në qendra të mëdha, në fshatëra të thëlla rurale, të cilëve shpesh ju bie rasti të kenë bashkëpunime në tema dhe ngjarje të ndryshme që janë në interesin e tyre të përbashkët.

Kur jemi tek përfitimet e aktivizimit rinor, përmes punës vullnetare, gjithsesi që duhet cekur efektin e madh që ka kjo punë, e cila ndikon në përmirësimin e socializimit, në rritjen e ndjeshmërisë ndaj shumë fenomeneve negative që hasin të rinjtë, tek pranimi i njëri-tjetrit ashtu siç janë, tek rritja e rrethit shoqëror dhe gatishmëria shumë më e madhe për bashkëpunim, qoftë edhe në rrethana më të vështira. Duke u bazuar në këto dhe në argumente të tjera, e them me bindje se të qenurit aktiv në moshën e rinisë është një shkollë më vete e lidershipit, që kalitë dhe përgatitë të rinjtë për shtigje të tjera të jetës, si në punë, në profesion, në menaxhimin e problemeve, në vendimmarrje, pra përvojën që ata e fitojnë më herët do ta kenë si referencë për përgatijen profesionale për të ardhmen.

Në Kosovë ka një potencial të madh të të rinjve që janë aktiv, këtë e them edhe nga përvoja ime gjatë takimeve që i kam pasur me të rinjtë. Gati në secilën Komunë të Kosovës, sot mund të themi se ekziston një strukturë sado e vogël e të rinjve që avokojnë për përmirësimin e pozitës së bashkëmoshatarëve të tyre në shoqëri, disa merren me fushën e arsimit, disa të tjerë me rritjen e buxhetit për rini, disa lobojnë për ndarjen e bursave, për hapësira reakrative, disa merren me aktivitete humanitare, e disa avokojnë për ndërtimin e infrastukturës fizike dhe ligjore për të rinjtë etj, dhe këtë fakt e cilësojmë si lajm të mire, padyshim.

Mirëpo, lajmi i mirë do të plotësohej edhe më shumë, sikur institucionet e Kosovës ta kenë vëmendjen shumë më të madhe tek rinia, sepse sot kjo përkrahje mungon në masë të madhe. Rinia jonë përbën pjesën më vitale të shoqërisë kosovare si për nga aspekti i pjesëmarrjes së saj në shoqëri, ashtu edhe nga aspekti i potencialit të saj strategjik në zhvillimin e gjithmbarshëm të vendit. Është e nevojshme që këtij potenciali rinor, t’i ofrohen kushte dhe mundësi për të qenë pjesë aktive dhe kontributëdhënëse në të gjitha fushat e zhvillimeve në vend. Pra, të rinjtë e Kosovës kanë nevojë për përkrahje më të madhe për t’i stimuluar sa më shumë që ata të angazhohen drejtë hapjes së horizonteve te reja, përmes programeve inovative, punës praktike, trajnimeve profesionale, përmes thirrjeve më të shpeshta për aplikim në projekte, mbështetje financiare për talentët e veçantë, shkëmbime përvojash me të rinjtë e vendeve të tjera. Këto dhe shumë tema tjera, do të duhej të ishin prioritare për secilin institucion, qoftë ai komunal, ashtu edhe në nivel qendror.

Përveç mungesës së mbështetjes, të rinjtë aktivistë ballafaqohen edhe me një problem tjetër në Kosovë, e që është “peshkimi politik”. Kështu po e quaj një tendencë të udhëheqësve padallim, të cilët tentojnë t’i fusin nën kontrollin e tyre politik të gjithë aktivistët e rinisë kudo në Kosovë, varësisht se cilat subjekte qeverisin me komunën ose shtetin në tërësi. Pra, kemi të bëjmë me një formë të trajtimit të aktivistëve rinor, të njejtë me forumet rinore partiake. Kjo qasje është e dëmshme dhe zbeh entuziazmin e të rinjve për punë vullnetare, sepse jo çdo i ri është i gatshëm të bëhet pjesë e një subjekti politik ose t’i shërbejë atij në çfarëdo forme, në këmbim të përkrahjes institucionale. Ani pse vlerësojmë se angazhimi politik i të rinjve është i mirëpritur në secilën kohë, por mendojmë se kjo duhet të ndodhë, pasi të arrihet në një shkallë profesionalizimi intelektual tek secili i ri.

Nëse flasim për kushtet insfrastrukturës fizike për zhvillimin e aktiviteteve rinore, është evidente se në shumë komuna janë ndërtuar qendra rinore dhe kulturore, por kjo nuk mjafton. Lidhur me aspektin e legjislacionit, që merret me fushën e rinisë në Kosovë, është në fuqi Ligji për Fuqizimin dhe Pjesëmarrjen e Rinisë, i miratuar vite më parë, dhe ky ligj përmes udhëzimeve administrative ka rregulluar disa aspekte si: punën vullnetare; edukimin joformal; licensimin e qendrave rinore dhe themelimin e strukturave të përfaqësimit të të rinjve në nivel vendi.

Tani pas shumë viteve, vlerësojmë se është shumë e nevojshme të adresohet ndryshimi i këtij ligji dhe të plotësohet me nevojat e kohës, dhe një prej ndryshimeve të nevojshme është që ligji të jetë sa më praktik, që të mos krijojë dykuptimësi në zbatimin e tij në terren.

Po ashtu, diçka shumë esenciale është të definohen qartë përgjegjësitë e strukturave rinore. Përmes fuqizimit të tyre, të ndërtohen mekanizma llogaridhënëse brenda tyre, si dhe të lehtësohet mënyra e financimit nga institucionet.

Kjo temë ka qenë në plan programet e disa qeverive më radhë, por që agjendat e mëdha politike kanë ndikuar që këto çeshtje gjithmonë të mbesin në plan të dytë dhe të tretë. Kjo duhet të ndryshojë tash e tutje, në fund të inkurajojë secilin të ri, që të angazhohet në aktivitete rinore vullnetare, sepse pavarësisht që nuk ka ndonjë përfitim material, e mira e kësaj është kontributi për të mirën e përgjithshme dhe pse jo edhe zhvillimi e avansimi personal mbi bazën meritore të angazhimt publik. / KultPlus.com

KPM kërkon të lirohen mediat nga pagesa vjetore për licencë

Komisioni i Pavarur për Media, ka kërkuar nga Ministria e Financave dhe Transfereve, që të lirojë mediat nga pagesa e taksës për licencë për vitin 2020, për shkak se siç thotë ky komision, është krijuar vështirësi e gjendjes financiare si rezultat i pandemisë COVID-19.

KPM vlerëson se kjo formë e mbështetjes së mediave është inkurajim për vazhdimin e punës së mediave.

“Komisioni i Pavarur për Media, sipas nenit 141 të Kushtetutës, është autoriteti i vetëm përgjegjës për Kosovën, për rregullimin, menaxhimin dhe caktimin e resurseve të spektrit të frekuencave të transmetimit, dhënien e licencave dhe mbledhjen e tarifave vjetore për shfrytëzimin e frekuencave transmetuese”, thuhet ndër tjera në letrën e KPM-së drejtuar MFT.

Në bazë të Ligjit për KPM, neni 26, të licencuarit e KPM-së janë të obliguar që të paguajnë tarifën vjetore për licencë.

KPM thotë se ka përcjellë raportimin e mediave në kohë pandemie dhe ka parë vështirësitë financiare të tyre gjatë kësaj kohe.

“KPM vlerëson lartë punën e mediave, në veçanti punën e tyre që nuk ka qenë aspak e lehtë gjatë kësaj periudhe”, thuhet tutje. / KultPlus.com

18 artistët e konfirmuar për Eurovision 2021, mes tyre një shqiptar

Para pak ditësh, u mbajt online ‘Eurovizioni’ i këtij viti, edhe pse u vendos të mos shpallej fitues, për shkak se u realizua në formë solidariteti ndaj artistëve të përzgjedhur për këtë vit. Megjithatë shumë shtete kanë vendosur të kenë po të njëjtin përfaqësues edhe vitin e ardhshëm.

Të konfirmuar janë artistët nga këto 18 shtete: Australia, Austria, Azebejxhani, Belgjika, Bullgaria, Republika Çeke, Gjeorgjia, Greqia, Izraeli, Letonia, Malta, Rumania, San Marino, Sllovenia, Spanja, Zvicra, Holanda dhe Ukraina.

Tek Zvicra vlen të theksohet se do të shkojë shqiptari Gjon’s Tears i cili ishte përfaqësuesi i këtij viti. Ndërsa, sa i përket Arilenës nuk dihet akoma nëse do të marr pjesë, meqenëse RTSH nuk e ka vendosur një gjë të tillë deri në këtë moment. / KultPlus.com

Në këtë shtet ofrohen pushime falas për mjekët dhe infermierët e angazhuar në luftë me Covid-19

Oferta vjen nga zona e Val di Sole, në Trentino Alto Adige të Italisë, si shenjë mirënjohje ndaj mjekëve dhe infermierëve që punuan gjatë pandemisë.

Ideja vjen nga operatorët turistikë dhe drejtuesit e strukturave pritëse.

“Të gjithë bënë pjesën e tyre, është momenti për t’i shpërblyer. Pas një periudhe me ngarkesë të madhe stresi dhe larg familjeve, sapo emergjenca të ketë kaluar, mund të shijojnë pushimin në vende që frymëzojnë paqe dhe relaks, në male, për të kuruar dhe rigjeneruar trupin dhe shpirtin”, thuhet në deklaratën e operatorëve turistikë.

Më konkretisht oferta parashikon qëndrimin për tre netë në një nga hotelet e Val di Sole trentina, deri në momentin e ezaurimit të vendeve. Për të marrë pjesë në këtë nismë, mjafton që të dërgohet një letër nga spitalet Covid, për të mundësuar programimin. / KultPlus.com

MKRS aktualisht ka 18 projekte në realizim në Komunën e Prizrenit

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, në kuadër të vizitës së sotme në Komunën e Prizrenit, e shoqëruar edhe nga Ministrja e Administrimit të Pushtetit Lokal, Emilia Rexhepi, kanë zhvilluar një takim me kryetarin Mytaher Haskuka, ku kanë bashkëbiseduar për projektet që do të investohen në këtë komunë nga ana e MKRS-së.

Ministrja Dumoshi dhe kryetari Haskuka nënshkruan edhe një memorandum bashkëpunimi mes MKRS-së dhe Komunës së Prizrenit. Qëllimi i tij është Ndërtimi i Shtëpisë së Kulturës në fshatin Manastiricë të kësaj komune, në vlerën financiare prej 300 mijë euro, projekt ky i cili do të implementohet në vitet 2020-2022.

Me këtë rast, ministrja Dumoshi u shpreh se shumë projekte janë në plan për Prizrenin dhe lavdëroi këtë qytet për diversitetin dhe trashëgiminë kulturore që ka.

“Sot jam e lumtur që nënshkruam këtë memorandum i cili është shumë i rëndësishëm për atë pjesë. Prizreni është qyteti më i bukur dhe tregon diversitetin kulturor. Ministria e Kulturës ka diku 18 projekte të cilat janë duke u realizuar”, u shpreh ndër të tjera ministrja.

Po ashtu, Ministrja Dumoshi veçoi projektin e Muzeut të Filigranit dhe paralajmëroi edhe për një sallë sportive.

“Ne jemi në përfundim të marrëveshjes me komunën për Muzeun e Filigranit. Është këtu edhe ministrja që ka bërë një punë të jashtëzakonshme për Prizrenin. Do të shohim që të fusim në buxhetin e vitit 2021 të fusim edhe një sallë sportive”, tha ministrja, duke premtuar edhe mbështetje për festivalet që mbahen në Prizren.

Ndërkaq, kryetari i Prizrenit Mytaher Haskuka tha se MKRS-ja ka shumë projekte në Prizren.

“Me ministren diskutuan e për shumë projekte që po realizohen në këtë komunë. Ne kemi shumë projekte me MKRS-në. Sot e kemi projektin ndërtimi i Shtëpisë së Kulturës në fshatin Manastiricë, janë realisht projekte të rëndësishme nëpër fshatra. Pos kësaj marrëveshje e diskutuam për mbarëvajtjen e projekteve të tjera, pas kësaj do të dalim në teren ku do të zhvillohen projekte. E falënderoj zonjën Dumoshi për mbështetjen”, tha Haskuka. / KultPlus.com

John Cleese do të publikojë libër me këshilla se si të jeni kreativ

Komediani dhe shkrimtari i njohur, John Cleese, është bazuar në eksperiencat e karrierës së tij, për të ndarë këshilla me publikun e gjerë rreth mënyrës së si mund të bëheni më kreativ.

Të gjitha këto këshilla, ai i ka përmbledhur në një libër të ri, transmeton Koha.

Me titull “Creativity: A Short Cheerful Guide”, libri gjithashtu ju tregon si duhet ta përgatisni mendjen, si ta ndiqni një ide dhe çfarë të bëni nëse hasni në ndonjë pengesë gjatë procesit të kreativitetit.

“Shumë njerëz kanë shkruar për mënyrat se si mund të bëhemi kreativ, dhe pavarësisht se kanë qenë shumë të zgjuar, ata në fakt nuk janë treguar kreativ. Prandaj më pëlqen të mendoj se jam duke e shkruar këtë libër nga eksperiencat e mia,” citohet të ketë thënë 80-vjeçari Cleese.

Në librin cili do të publikohet nga shtëpia botuese “Hutchinson”, ylli i “Monty Python” thotë se ti mund të mësosh si të jesh më i mirë në të qenit kreativ.

Nigel Wilcockson, redaktor në shtëpinë botuese “Hutchinson”, citohet të ketë thënë: “Askush nuk di më shumë për kreativitetin sesa John Cleese. Bëhuni gati të mësoni nga këshillat e një mjeshtri.”

Libri “Creativity: A Short And Cheerful Guide” do të publikohet më 3 shtator. / KultPlus.com

Si të studioni me bursë të plotë në Finlandë?


Fillo studimet në Kolegjin Universum dhe vazhdoi në Kajaani University of Applied Sciences në Finlandë me BURSË 100%!

Kolegji Universum në bashkëpunim me Universitetin Partner nga Finlanda Kajaani University of Applied Sciences organizon Ditë Informuese për Diplomë Finlandeze.
Eventi do te mbahet neser me 21 Maj nga ora 15:00. Për pjesëmarrje apliko këtu http://tiny.cc/66wdoz dhe ne email do te pranoni linkun per qasje ne Google Meet.
Linku i eventit https://www.facebook.com/events/1117070462019193/Ky bashkëpunim mundëson që studentët kosovar ti fillojnë studimet në Kolegjin Universum dhe ti vazhdojnë në Finlandë në Kajaani University of Applied Sciences me BURSË TË PLOTËdhe përfitojnë 600-800 euro në muaj për shpenzime të jeteses. Përveç studimeve, përfitimi kryesor i studentëve të këtij programi është praktika profesionale në Finlandë e cila zgjatë 5 muajdhe përmban30 ECTS. 

Studentët do të pajisen me diplomë të dyfishtë në Biznes Menaxhment në Kolegjin Universum dhe Administrim Biznesi në Kajaani University of Applied Sciences. 
Regjistrimet për studime në këtë program kanë filluar. Regjistrimi bëhet përmes këtij linku http://tiny.cc/b62loz
Pse të zgjedhni Finlandën? Finlanda, vendi i vlerësuar me sistemin më të mirë të edukimit në botë është një nga destinacionet më të preferuara për studentët nga e gjithë bota. Kajaani University of Applied Sciences është një nga universitetet më ndërkombëtare dhe më cilësore në Finlandë. 

Për më shumë info kontakto Kolegjin Universum në [email protected] apo na ndiqni në rrjete sociale në facebook & instagram.

(Shkrim i sponsorizuar nga Kolegji Universum)

Ukraina, e gatshme të nisë fluturimet e dedikuara turistike drejt Shqipërisë më 2 qershor

Ukraina është e gatshme të nisë fluturimet e dedikuara turistike drejt Shqipërisë më 2 qershor.

Lajmin e bëri të ditur sot ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi i cili zhvilloi një videokonferencë me zv. ministrin e Jashtëm të Ukrainës, Vasyl Bodnar.

“Në videokonferencë me zv.ministrin e Jashtëm të Ukrainës, Vasyl Bodnar, i ngarkuar për bisedime dypalëshe për hapjen e kufijve për fluturime të dedikuara, charter, i cili shprehu gatishmërinë të nisë me vendin tonë, fluturimet e dedikuara turistike më 2 qershor”, tha Klosi.

Ditën e djeshme Klosi zhvilloi një videokonferencë me ministrat e Turizmit të rajonit, ku u diskutua mbi hapat që duhet të ndërmerren, në respekt të vendimeve të organeve të shëndetësisë, për hapjen e kufijve dhe lëvizjen e lirë të njerëzve./ atsh/ KultPlus.com

Ishte shqiptari më i kërkuar nga amerikanët, fliste 18 gjuhë

Në vitet ’20 në Shqipëri do të vinte një mision amerikan që do të angazhohej për të kapërcyer pasojat e Luftës së Parë Botërore.

Misionarët e Kryqit të Kuq Amerikan do të ofronin strehim, ushqim, vizita mjekësore e arsimim për popullatën shqiptare

Shqiptari i shumëkërkuar nga misionarët amerikanë në vitet ’20:

Ai është një xhevahir, flet 18 gjuhë dhe të gjitha në mënyrë të mençur!

Në misionin e tyre, ata do të asistoheshin nga shqiptarë të ndryshëm të cilët do të ofronin shërbimet e tyre për sigurinë fizike, transportin, përkthimin etj.

Gjatë qëndrimit të tyre në Shqipëri, misionarët amerikanë do të dokumentonin me foto punën e tyre e do të jepnin përshtypjet e tyre për vendin.

Aftësitë gjuhësore të shqiptarëve e sjellja e tyre do t’i impresiononte misionarët e huaj e për këtë qëllim ata do të bënin vlerësime pozitive.

Në listën e personazheve që misionarët i kanë cilësuar si të jashtëzakonshëm ishin edhe dy përkthyes.

Në arkivin e Librarisë së Kongresit Amerikan gjendet fotoja e përkthyesit kryesor që quhej Kolë.

Ai konsiderohej nga misionarët amerikanë si një burrë i ndershëm e i besueshëm.

Kola kishte punuar për 30 vite në konsullatën e Francës në Shkodër ndërsa në vitin 1920 i ishte bashkuar misionit të Kryqit të Kuq si përkthyes dhe si mesazher konfidencial.

“Të gjithë punonjësit e misionit amerikanë shprehen se ai është një “xhevahir” dhe ky është një kompliment i madh për një burrë që i vjen doresh” shkruhet në diçiturën që shoqëron foton.

Reputacioni i tij do të dilte edhe jashtë vendit, ku gazeta amerikane do të shkruanin për aftësitë e shqiptarit që fliste 18 gjuhë të ndryshme “në mënyrë të mençur”.

Artikulli i gazetës amerikane do të evidentonte faktin se Kola, me aftësitë e tij komunikative, arrinte të ishte ndërmjetës mes fiseve shqiptare të përfshira në konflikte të ndryshme të armatosura.

“Kola, përkthyesi kryesor i përfaqësuesve të misionit të Kryqit të Kuq Amerikan në Shqipëri ka te vendasit reputacionin e “gjuhës më të mençur” në Shqipëri.

Ai thuhet se flet 18 gjuhë dhe të gjitha në mënyrë të mençur.

Kjo është diçka të pazakontë në Shqipëri.

Kjo nënkupton se ai është i aftë të flasë me secilin prej fiseve të shumta të vendit, pa thënë ndonjë fjalë që mund të lerë mundësinë e keqkuptimin sikur po mban anë në përplasjet që kanë palët mes tyre.

Ai ka qenë një faktor i rëndësishëm për të mbajtur jashtë sherreve e grindjeve, misionin amerikan që shpërndan ndihma.

Kola është një nga ata pak banorë të Tiranës që nuk mban me vete armë zjarri” shkruhet në artikullin e gazetës së Minnesotas së datës 3 maj 1920.

Një personazh tjetër i jashtëzakonshëm për aftësitë komunikative që evidentohet në arkivën e misionit amerikan është edhe një djalë i vogël që fliste 5 gjuhë të ndryshme.

Në diçiturën që shoqëron foton, djali nga Tirana cilësohet si një “talent i ri dhe premtues” në fushën e gjuhësisë.

“Ky djalë shqiptar flet 5 gjuhë të ndryshme.

Ai është punësuar nga misionarët amerikanë si përkthyes dhe mesazher.

Ky djalë nuk ka shkuar kurrë në shkollë por i është dhënë mësim nga babai i tij, prefekti i Tiranës, i cili është diplomuar në Kolegjin Amerikan të Kostandinopojës”, është diçitura që shoqëron foton e djaloshit. / KultPlus.com

Muzetë e Vjenës rihapen, hyrja falas në disa prej tyre

Katër muze në Vjenë do t‘ua mundësojnë vizitorëve që për dy ditët e para hyrja të jetë falas.

Pas mbylljes për disa javë, muzetë e parë në Vjenë hapën dyert e tyre përsëri më 15 maj. Muzetë e tjerë do të hapen gjatë ditëve në vijim.

Ashtu sikur biznese të shumta në Austri, edhe shumë muze në Vjenë po provojnë mënyra të ndryshme për të joshur vizitorët dhe adhuruesit e kulturës dhe artit. Katër muze në Vjenë do t‘ua mundësojnë vizitorëve që për dy ditët e para hyrja të jetë falas.

Muzetë “Mozarthaus”, “Jüdisches Museum“, „Kunst Haus“ dhe „Haus der Musik“ më 31 maj do t’ i rihapin përsëri dyert e tyre për vizitorë. Në këtë ditë, të dielën dhe të hënën, pra më 1 qershor, të interesuarit mund të vizitojnë falas muzetë dhe ekspozitat e tyre të preferuara, shkruan oe24.at, përcjell Albinfo Austria.

Ndërkohë Muzeu “Leopold”, i cili do të hapet më 27 maj, ua ka mundësuar hyrjen falas 100 vizitorëve të parë, kurse më 28 maj blerësit e parë të biletave në internet do të marrin zbritje prej 50 për qind të çmimit të biletës së plotë.

Po ashtu, nga data 1 maj tashmë është hapur edhe kështjella e bukur në Laxenburg. / Albinfo.ch / KultPlus.com

MKRS shpall konkurs për projektet në fushën e Trashëgimisë Kulturore


Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka shpallur konkursin për projektet në fushën e trashëgimisë kulturore për vitin 2020, shkruan KultPlus.

Afati i fundit për dorëzimin e aplikacioneve: 15 ditë pune  dhe përfundon më datën 08 Qershor 2020.

Mbështetja financiare për projekte kulturore-artistike është paraparë deri në 200,000.00 Euro

Shuma minimale e mbështetjes financiare për OJQ-të që mund të aplikohet për çdo projekt është 2,000.00 Euro, ndërsa shuma maksimale për një projekt është  10,000.00 Euro.

Kush mund të aplikoj?

Të gjitha Organizatat e regjistruara si OJQ (sipas kërkesave të legjislacionit në fuqi për lirinë e asocimit në organizata jo-qeveritare në Republikën e Kosovës apo në shtetin ku është e koncentruar diaspora), si dhe Individët, programi i të cilëve është i fokusuar në fushën e Trashëgimisë Kulturore.

OJQ-të mund të aplikojnë më së shumti (1) projekte në kuadër të kësaj ftese publike.  Periudha e zbatimit të projektit është më së largu deri me 24 dhjetor 2020.

Për më shumë detaje: https://www.mkrs-ks.org/?page=1,114 / KultPlus.com

Greqia hap kufijtë për turistët më 15 qershor

Greqia po i jep fund mbylljes së shkaktuar prej koronavirusit, duke u hapur plotësisht në mes të muajit qershor.

Më konkretisht më 15 qershor, Greqia do të hapë kufijtë për turistët.

Deklarata u bë këtë të martë nga Kryeministri grek Kiryakos Mitsotakis duke folur gjatë një samiti të përbashkët me vende të tjera të Ballkanit.

“Në fillim të muajit qershor do të hapen kufijtë për udhëtimet e bizneseve, punëtorët sezonal dhe për pjesëtarët e familjeve që banojnë në vende të tjera. Ndërsa për turistët kufijtë do të hapen më 15 qershor”, u shpreh Mitsotakis.

Greqia humbi 165 persona nga koronavirusi, ndërsa në total u infektuan 2.840. / KultPlus.com