Vdiq pa e ditur se kishte zbuluar Amerikën

Më 20 maj të vitit 1506, në Spanjë vdiq në moshën 55 vjeçare, detari italian Kristofor Kolombi, nismëtari i kolonizimit të Hemisferës Perëndimore, pa e ditur se kishte zbuluar një Botë të re.

Ai ishte hulumtues dhe tregtar i cili kaloi i pari Oqeanin Atlantik dhe zbuloi Amerikën në vitin 1492 nën flamurin e Kastilës, Spanjë. Ai mendonte se Toka është relativisht e vogël dhe se mundet me anije të arrihet deri në Lindje të Largët duke lundruar në drejtim të perëndimit.

Vlerësimi i tij i gabuar rreth madhësisë së Tokës, shkaktoi edhe në llogaritjen e rezervave ushqimore dhe të pijeve për një rrugë kaq të gjatë, vlerësim i cili ka mundur të shkaktojë edhe dështimin e ekspeditës së tij, por për fat të mirë, në rrugë e “pengoi” e papritura për atë kohë, kontinenti i panjohur, Amerika.

Prapë se prapë Kolombi vdiq duke menduar se ka zbuluar rrugën për në Indi dhe jo kontinentin e ri, Amerikën, kur më vonë e vërtetoi Ameriko Vespuçi, sipas të cilit edhe e mori emrin ky kontinent. / KultPlus.com

Një prej pyetjeve në ‘Who wants to be a millionaire?’ në Britani është edhe për Kosovën

Kush do të bëhet Milioner? është një lojë kuizi i diturisë në të cilin kandidati apo konkurruesi u përgjigjet pyetjeve, përgjigjet jepen në 4 opcione prej të cilave vetëm njëra është e saktë.

Qëllimi kryesor i lojës është të zbulohet kandidati i cili do ta shfaq diturin e vet dhe të fitoj premin prej 50.000 € duke iu përgjigjur sakt 15 pyetjeve. gjatë rrugetimit të premis kandidati mund ti shfrytëzoj tre ndihma50:50, telefonoi mikut dhe pyete audiencën.

E në emisionin me të ri të këtij formati në një nga pyetjeve në “Who wants to be a millionaire?” në ITV në Britani është edhe për Kosovën – raporton Syri.net Kosova.

Me sakt pyetja është se ku ka lindur këngëtarja me fame botërore Rita Ora – nga alternativat në përgjigje është edhe Kosova me çka garuesja e tha si përgjigje përfundimtare.

E po nuk kishte se si të ndodhte ndryshe sepse Rita Ora ka lindur në Prishtinë.

“Kush do të bëhet Milioner” emision i parë ishte transmetuar me 4 shtator 1998 ne ITV ne UK.Shikueshmeria e show-ut në UK është realizuar në mars 1999 kur 19.2 milion njerëz ishin duke shikuar dramën e shpalosur.

Deri me sot, formati ka fituar 65 shpërblime globale, duke përfshirë BAFTA, një Emmy dhe 7 çmime Nacionale Televizive në UK. / KultPlus.com

Kolegji Universum organizon – Ditë informuese për diplomë finlandeze


Kolegji Universum në bashkëpunim me Universitetin Partner nga Finlanda Kajaani University of Applied Sciences organizon Ditë Informuese për Diplomë Finlandeze.

Eventi do te mbahet te enjten me 21 Maj, ora 15:00. Për pjesëmarrje apliko këtu http://tiny.cc/66wdoz dhe ne email do te pranoni linkun per qasje ne Google Meet.Ky bashkëpunim mundëson që studentët kosovar ti fillojnë studimet në Kolegjin Universum dhe ti vazhdojnë në Finlandë në Kajaani University of Applied Sciences me BURSË TË PLOTË dhe përfitojnë 600-800 euro në muaj për shpenzime të jeteses. Përveç studimeve, përfitimi kryesor i studentëve të këtij programi është praktika profesionale në Finlandë e cila zgjatë 5 muajdhe përmban30 ECTS. 

Studentët do të pajisen me diplomë të dyfishtë në Biznes Menaxhment në Kolegjin Universum dhe Administrim Biznesi në Kajaani University of Applied Sciences. 

Regjistrimet për studime në këtë program kanë filluar. Regjistrimi bëhet përmes këtij linku http://tiny.cc/b62loz

Pse të zgjedhni Finlandën? Finlanda, vendi i vlerësuar me sistemin më të mirë të edukimit në botë është një nga destinacionet më të preferuara për studentët nga e gjithë bota. Kajaani University of Applied Sciences është një nga universitetet më ndërkombëtare dhe më cilësore në Finlandë. 

Për më shumë info kontakto Kolegjin Universum në [email protected] apo na ndiqni në rrjete sociale në facebook & instagram.

(Shkrim i sponsorizuar nga Kolegji Universum)

Mes magjisë historike dhe turistike të Butrintit, aty ku shekujt flasin

Asnjë vizitor vendas apo i huaj nuk mund ti shpëtojë magjepsjes nga bukuritë dhe qetësia që të ofron parku kombëtar i Butrintit, 20 km larg Sarandës, ku rrethimet natyrore plotësojnë aq bukur rrënojat antike të tij.

I konsideruar si një nga destinacionet që vizitohet nga adhurues të historisë së lashtë, ky park ofron një numër të konsiderueshëm vendesh arkeologjike dhe konsiderohet si një “mikrobotë e historisë shqiptare”.

Në pritje të turistëve të parë për ta vizituar pas situatës së krijuar nga COVID-19, Agjencia Telegrafike Shqiptare sjell një fotogaleri me pamje nga qyteti antik i Butrinti, ku zakonisht në këtë stinë gjallërohej nga turistët e shumtë vendas e të huaj, që vinin edhe me kroçera në Sarandë.

Kryetari i bashkisë së Sarandës, Ardian Gurma, deklaron se “vetëm vitin e kaluar parku i Butrintit u vizitua nga 230 mijë turistë, pjesa më e madhe e të cilëve të huaj”.

Ky park ofron përveç historisë dhe bukuri natyrore të cilat kanë veçantinë e tyre në çdo stinë, pasi në këtë park shtrihet deti, i cili mbart bukuritë natyrore, historinë dhe rrënojat arkeologjike me vlera të mëdha për trashëgiminë tonë.

Butrinti është i lidhur ngushtë me mitologjinë greke, trashëgimia e tij historike është shkruar nga Dionisi i Halikarnasit, historian dhe shkrimtar i famshëm me origjinë greke në Romë. Ai na tregon për Enean, luftëtarin trojan, për babain e Romulit dhe Remit, për Andromakën, për Hektorin dhe për Trojën. Ky është një prej teksteve të para të shkruar të historisë ku përmendet Butrinti, që ndoshta mund të jetë themeluar nga luftëtarët e dëbuar trojanë.

Arkeologjia e këtij qyteti antik, evidenton trashëgiminë që kanë lënë kultura të ndryshme në të kaluarën: grekët, romakët, bizantinët, venedikasit, turqit, francezët dhe osmanët, të cilët panë te Butrinti një zonë strategjike për të zgjeruar influencën e tyre. Mbretër, pushtues, princër, mendimtarë, arkeologë dhe historianë kanë gjetur në rrënojat e qytetit një simetri të historisë së njerëzimit. Një trashëgimi e njerëzimit, ky është Butrinti. Madhështia e këtij vendi kishte mbetur e fshehur deri në vitin 1927.

Zbulimet e para arkeologjike filluan me Misionin Arkeologjik Italian. Kjo sipërmarrje filloi gërmimet në atë që do të ishte një prej qyteteve më antike të Shqipërisë. Punimet filluan në vitin 1928. Ndonëse punimet arkeologjike asnjëherë nuk kanë përfunduar, mendohet se ajo që shohim sot mund të jetë me shumë mundësi vetëm një e pesta e asaj që ndodhet nëntokë.

Butrinti sot është një kompleks arkitektonik me 15 zona të periudhave të ndryshme, nga shekulli IV para Krishtit deri në shekullin XVI pas Krishtit. Rëndësia historike e Butrintit është e jashtëzakonshme dhe të jesh në gjendje që të ecësh është një privilegj: statuja me gurë të bardhë nga epoka e August Oktavianit, Agripas, Antiohs, Serapisit, Livia Drusilas ngriheshin dikur këtu, si dhe vendi i lindjes së shumë qytetarëve të shquar në kohë të ndryshme apo gjeneralëve romakë gjatë epokës së ndritur të perandorisë kur qyteti quhej “Colonia Augusta Buthrotum” (Kolonia Augustiane Butrinti).

Përveç shkëlqimit të tij historik, Butrinti është një parajsë për 800 lloje bimësh, 246 lloje zogjsh, 105 lloje peshqish dhe 39 lloje gjitarësh. /atsh / KultPlus.com

27 vjet nga përqafimi i fundit i “Romeos dhe Xhulietes” nga Sarajeva

E hëna shënoi përvjetorin e 27-të vdekjes tragjike të “Romeos dhe Xhulietës” nga Sarajeva, serbit nga Bosnja Boshko Brkiq dhe të dashurës së tij myslimane Admira Ismiq, të cilët vdiqën së bashku gjersa po përpiqeshin të iknin nga qyteti i rrethuar për të nisur një jetë të re, diku ne paqe dhe pa ndarje etnike.

Ata u vranë nga një snajper më 18 maj të vitit 1993, duke vrapuar nëpër ‘tokën e askujt’ në vijën e parë të betejës, ku qyteti ndahej në dy pjesë, njëra anë ishte qendra e Sarajevës e mbajtur nga Qeveria, ndërsa pjesa tjetër ishte lagjja Grbavica që po mbahej nga serbët.

Boshko u vra i pari, por Admira nuk e la dhe i ndenji pranë. U shtri afër trupit të vdekur të të dashurit dhe e përqafoi. Pastaj snajperisti e vrau edhe atë.

Me ditë trupat e tyre të pajetë e të përqafuar mbetën në atë “tokën e askujt”, afër urës Vrbanja, gjersa paqeruajtësit e OKB-së po negocionin me të dy palët për armëpushim të shkurtër për t’i marrë trupat.

Paqeruajtësit i morën dhe i dërguan në paralagjen e Lukavicas që po mbahej nga serbët, ku edhe u varrosën.

Pasi mbaroi lufta, të dy familjet u pajtuan që t’i zhvendosin eshtrat dhe t’i rivarrosin në varrezat “Lion” në Sarajevë, ku më në fund u lanë të prehen në paqe afër njëri-tjetrit.

Kush i vrau ende mbetet mister, por tregimi i tyre u raportua së pari nga korrespondenti i atëhershëm i Reutersit, Kurt Schork, i cili edhe i quajti Romeo dhe Xhulieta. Schork pas shtatë viteve u vra duke raportuar nga Sierra Leone.

Para se të vdiste, ai kërkoi që nëse i ndodh diçka, dëshiron të varroset afër heronjve të tij në Sarajevë. Pasi që u kremua, gjysma e hirit të tij u vendos te varrezat e familjes në Washington ku kishte jetuar, ndërsa gjysma tjetër afër varrit të Boshkos dhe Admiras.

Boshko dhe Admira u takuan në Sarajevë në vitin 1984.

Prindërit e Boskos e paralajmëruan të birin që te ikte nga qyteti në vitin 1992. Ai refuzoi sepse dëshironte të rrinte me Admiran. \ N1

Gazeta e njohur gjermane shkruan për shembjen e teatrit: Një krim moral

Gazeta e njohur gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, shkruan se shembja e teatrit në Shqipëri është një skandal.

“Një krim moral,” e titullon ajo shkrimin.

Ndërsa në artikull flitet edhe për një marrëveshje që bier erë korrupsion

Shkrimi

Lopata e ekskavatorit godet me forcë fasadën e Teatrit Kombëtar në Tiranë. Kulla mbi hyrjen kryesore të godinës shembet brenda një kohe të shkurtër. Një projektor ndriçon godinën sepse është akoma errësirë kur vihet në jetë- duke u gdhirë e diela- plani i këshillit të qytetit për prishjen e teatrit, i cili ka nevojë urgjente për rinovim. Plani zbatohet pa paralajmërim. Pavarësisht protestave masive.

Vendimi i pakthyeshëm

Për më shumë se dy vjet, Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, një grup profesionistësh të teatrit, pushtuan Teatrin Kombëtar në Tiranë për të parandaluar prishjen dhe privatizimin e hapësirës publike në qendër të kryeqytetit. Që në korrik të vitit të shkuar pati një përplasje të rëndë mes policisë dhe protestuesve. Vetëm disa ditë më parë, këshilli bashkiak miratoi vendimin që ndërtesa historike të hapë rrugën për një ndërtesë të re. Komisionerja e BE, Mariya Habriel paralajmëroi kundër ‘vendimeve të pakthyeshme’ dhe bëri thirrje për dialog.

Marrëveshja bie era korrupsion

Disa muaj më parë, ata donin t’i ‘dhuronin’ një investitori 8 mijë metra katror ku është vendosur teatri. Në këmbim, ai do të ndërtonte një teatër të ri, dukshëm më të vogël, përveç kësaj parashikoheshin ndërtesa të larta dhe një qendër tregtare. Por marrëveshja bie era korrupsion. Ajo pengohej nga protesta e mbrojtësve të teatrit. Erion Veliaj, kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe anëtar i Partisë Socialiste të kryeministrit Edi Rama, bëri lëshime. Ai premtoi se qyteti do e ndërmarrë vetë përsipër ndërtimin e ri. Projekti 30 milionë euro do të financohet përmes një kredie. Sidoqoftë, kundërshtarët vazhduan të mbrojnë idenë e një referendumi dhe rinovimin e ndërtesës ekzistuese historike.

Mëngjesin pas shembjes së papritur pati përleshje të dhunshme mes qytetarëve dhe policisë si dhe arrestime të shumta. Anëtarët e partive opozitare, Partisë Demokratike të Lulzim Bashës dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim të Monika Kryemadhit, ishin mes protestuesve. Ata janë aleatë me mbrojtësit e teatrit. Në kundërshtim me prishjen, opozita shpalli me zemërim ‘protesta popullore’ në muajt e ardhshëm. Presidenti Ilir Meta, që është afër opozitës, i sheh veprimet e këshillit bashkiak si një krim kushtetues dhe moral. Kryeministri Rama, nga ana tjetër, e quajti mbështetjen e opozitës si një papërgjegjshmëri në kohën e ‘luftës’ kundër pandemisë. Pretendimi se qeveria po përdor kufizimet e rrepta të lëvizjes për të krijuar fakte në rastin e Teatrit Kombëtar, duket se është i vërtetë.

Në krah me opozitën

Por sa e sinqertë është pjesëmarrja e partive opozitare jashtëparlamentare në fatin e teatrit? Ky konflikt gjithashtu duket se është bërë një tjetër shesh beteje mes kryeministrit Edi Rama dhe opozitës. Kjo e fundit ka hequr tashmë dorë nga mandatet e saj parlamentare pothuajse në shkurt të vitit 2019, gjë që çoi përkohësisht në pamundësi të parlamentit në marrjen e vendimeve. Në çdo rast, qeveria përdori aleancën me opozitën për të nënvlerësuar protestat, duke thënë se kërkesat e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit ishin të motivuara politikisht. Opozita e luajti kaosin e krijuar rreth teatrit sepse dëshiron prej kohësh që të provokojë një krizë qeveritare.

Deri në vitin 2018, Teatri Kombëtar ishte ende i mbrojtur, kryebashkiaku Veliaj mohon që ka pasur ndonjëherë këtë status. Shoqata për mbrojtjen e monumenteve, ‘Europa Nostra’ e rendit godinën mes ndërtesave kulturore më të rrezikuara në Europë- siç është e qartë tani, me të drejtë. Në vitin 1939, teatri u ndërtua nën pushtimin fashist sipas planeve të arkitektit Giulio Berte me stil futuristik italian. Ajo i mbijetoi Luftës së Dytë Botërore dhe diktaturës dyzetvjeçare komuniste. Edhe kjo e fundit e keqpërdori në mënyrë të përsëritur, për shembull si sallë gjyqi në të cilën akuzoheshin kundërshtarët e regjimit komunist. Pjesë e kësaj historie janë ndryshimet e shumta të emrit: Savoia, Kosova, Teatri Popullor, Teatri Kombëtar.

Lufta pasiononte për të ruajtur ndërtesën dëshmon ndjenjat për një godinë, që nuk janë kryesisht të motivuara estetikisht. Përkundrazi, godina është gdhendur në kujtesën kolektive të shumë shqiptarëve. Prishja nënkupton humbjen e një pjese të identitetit kulturor.

Kundër diktaturës

Protestuesit nuk u ngushëlluan as nga planet impresive për një godinë të re, me një skenë të hapur në çati, të projektuar nga arkitekti danez, Bjarne Ingels. Ata mendojnë se ky është fillimi i instalimit të një diktature. Teatri është bërë simbol i rezistencës ndaj arbitraritetit të perceptuar të qeverisë. Konflikti është po ashtu një simptomë e një ndarje të thellë të Shqipërisë përgjatë vijave partiake. Kastriot Çipi, regjisor dhe anëtar i Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, i tha gazetës se rënia e teatrit e ka bërë të qartë situatën e rëndë kushtetuese në vend. “Është koha për një debat mbi ndryshimet kushtetuese,” thotë ai, duke bërë thirrje për reformë themelore elektorale. “Tani e tutje nuk jemi duke protestuar më për Teatrin Kombëtar, por kundër diktaturës”

Rrëzoni qeverinë

Kryetari Veliaj, që ka dhënë urdhrin për shembjen, mbajti një fjalim me tone pajtimi. Ai tha se dëshironte të shtrëngonte duart me ata që kanë mbetur zemërthyer. Tirana u përket të gjithëve dhe ka vend për të gjithë, tha ai. “Poshtë qeveria, thërrisnin protestuesit te rrënojat e Teatrit të tyre Kombëtar. Ndjesia se Tirana u përket të gjithëve duket se i takon të shkuarës tani pas këtij aksioni ‘natën me mjegull’.

Dirigjenti Llapaj: Shqipëria ka nevojë për ndihmën e Kosovës për tu çliruar nga okupimi i bastardëve

Dirigjenti i njohur shqiptar Bujar Llapaj ka reaguar pas debateve të shumta pas rrënimit të objektit të Teatrit Kombëtar në Tiranë, duke iu referuar debatit të fundit mes Rron Gjinovcit nga Kosova dhe kryeministrit të Republikës së Shqipërisë Edi Rama, shkruan KultPlus.

Pikërisht mbi këtë debat, Llapaj ka shkruar se më herët Kosova kishte nevojën për ndihmën e Shqipërisë për tu çliruar nga okupimi serb, kurse tani Shqipëria ka nevojë për ndihmën e Kosovës.

KultPlus ju sjell reagimin e plotë të dirigjentit shqiptar.

Në vitet ’90 Kosova kishte nevojë për ndihmën e Shqipërisë për tu çliruar nga okupimi serb, tani Shqipëria ka nevojë për ndihmën e Kosovës për tu çliruar nga okupimi i bastardëve të rilindur!

KultPlus sjell edhe një pjesë nga debati i Rron Gjinovcit me kryeministrin Rama, debat që ka nxitë këtë reagim të dirigjentit Llapaj/ KultPlus.com

Shqipëtar

Poezi nga Andon Zako Çajupi

Shqipërin’ e mori turku,
i vu zjarr!
Shqipëtar, mos rri, po duku,
shqipëtar!

Mjaft punove për të tjerë,
o fatkeq!
Kujto vendin tek ke lerë
dhe tek heq.

Të ka bërë perëndia
luftëtar,
si s’të lodhi robëria,
shqipëtar!

Erdhi dita të ngresh kokë,
të kërkosh
lirinë, bashkë me shokë
të lëftosh!

Mos bëni si keni bërë
gjer më dje,
por të lëftoni të tërë
për Atdhè.

Pesëqind vjet kemi rruar
me pahir,
Lidhurë me këmn’ e duar
me zinxhir!…

Myslyman’ e të krishterë
jemi keq!
Të ngrihemi që të tërë,
djem e pleq!

Pamuk: Shkruaj sepse jam i mërzitur me ju

Shkrimtari turk, Orhan Pamuk, njëherit fitues i nobelit për letërsi, jep një përgjigje të pazakontë, kur është pyetur se pse shkruan.

Unë shkruaj sepse kam dëshirë të shkruaj. Shkruaj sepse nuk mund të bëj si të tjerët, një punë norma­le. Shkruaj që libra si të mitë të jenë të shkruar dhe që t’i lexoj. Shkruaj sepse jam tepër i mërzitur me të gjithë ju, me tërë botën. Shkruaj sepse më pëlqen të rri mbyllur në një dhomë, gjatë gjithë ditës. Shkruaj sepse nuk mund ta duroj ndryshe realitetin, përveçse duke e ndryshuar. Shkruaj që mbarë bota ta dijë çfarë lloj jete kemi jetuar dhe jetojmë, unë, të tjerët, ne të gjithë, në Stamboll, në Turqi.

Shkruaj sepse e dua erën e letrës dhe të bojës. Shkruaj sepse ky është një zakon dhe një pasion. Shkruaj sepse kam frikë të jem i harrueshëm. Shkruaj sepse më pëlqen fama dhe interesi që kjo më sjell. Shkruaj për të qenë vetëm.

Shkruaj me shpresën të kuptoj përse jam aq i mërzitur me ju të gjithë.

Shkruaj sepse më pëlqen të më lexojnë. Shkruaj sepse besoj si një fëmijë në pavdekësinë e bibliotekave dhe në vendin që do të zënë aty librat e mi. Shkruaj sepse jeta, bota, gjithçka, është pabesueshmërisht e bukur dhe mahnitëse. Shkruaj sepse është argëtuese të përkthesh në fjalë tërë këtë bukuri dhe pasuri të jetës. Shkruaj jo për të rrëfyer histori, por për të ndërtuar histori. Shkruaj për t’i shpëtuar ndjenjës së pamundësisë së kapjes së një vendi që e dëshirojmë, sikurse në ëndrra. Shkruaj sepse nuk arrij të jem i lumtur, çfarëdo që të bëj. Shkruaj për të qenë i lumtur.

Henri Fantin-Latour, ai që krijoi simfoni në pikturë nëpërmjet idilikës së luleve

Ai nuk pikturoi vetëm lule, por ata mbetën për të më të preferuarat dhe për kritikën më përfaqësueset. Bukuri e luleve të Henri Fantin-Latour është një bukuri që tejkalon perceptimin klasik të së bukurës, asaj të sipërfaqshme. Ai bëri pranverë në çdo stinë e të jetës së tij artistike. Ribëri natyrën duke e sjellë përmes luleve si përmes formës më delikate dhe më shprehëse.

Besoi në këtë tharm se do të krijonte një botë idilike, të cilën ai kishte po kaq nevojë të përjetësonte nga shpirti i tij, sa ç’ta përjetojmë ne nëpërmjet asaj ëndje që e ribën atë forcë shpirtërore, e ringre atë gjendje në lartësinë prej eteri të perceptimit estetik. Ai nuk ka qasje të imitojë natyrën, por të rikonceptojë atë sipas ndjimit të shpirtit, ta ribëjë botën e luleve nëpërmjet mënyrës se si sytë dhe zemra e tij e sheh dhe e ndjen botën e tyre delikate dhe mahnitëse. Sfondi që ai zgjedh, objektet shoqëruese shpesh, vendvendosja në vazo, etj., nuk janë gjetje të rastësishme, të atyshme e kalimtare, ato janë e harmonishmja e këtij këtij muzikaliteti, e gjalla e kësaj loje me ribërjen e natyrës, e zhvendosjes së e saj kudo ku njeriu ndodhet, si me qëllimsi të nevojës që ne kemi për të jetuar kudo me natyrën, me lulet si shembullin më tipik dhe përfaqësimin më të dinjitetshëm të shpërthimit së dehjes që stina, natyra kredhin.

Henri Fantin-Latour ishte një piktor francez i njohur më së miri për interpretimet e tij delikate dhe të një tejpërshkueshmërie ndjesore të së bukurës së luleve, vëzhgimit shpirtërorë të asaj delikatese që pjesëmerr në jetën tonë. Megjithëse i lidhur me Impressionistët dhe Édouard Manet në veçanti, Fantin-Latour mbeti një piktor tradicional akademik gjatë gjithë karrierës së tij. Lindur më 14 Janar 1836 në Grenoble, Francë, ai vazhdoi të studiojë në École des Beaux-Arts dhe të kopjojë piktura të mjeshtrave të Vjetër në Luvër. Punimet e Fantin-Latour janë në koleksionet e Institutit të Artit të Chicikagos, Muzeut të Hermitation në Shën Petersburg, Muzeut Metropolitik të Artit në New York, Musée d’Orsay në Paris, Rijksmuseum në Amsterdam dhe Galerisë Tate në Londër, ndër të tjera. Ai vdiq në 25 gusht 1904 në Buré, Francë.
Si i ri, Henri Fantin-Latour mori mësime për vizatim nga babai i tij, i cili ishte një artist. Ai tërhoqi vëmendjen në Angli, ku jetësimet artistike, vazhdueshme u shitën aq mirë sa ato ishin “praktikisht të panjohura në Francë gjatë jetës së tij”. Përveç pikturave të tij realiste, Fantin-Latour krijoi litografi imagjinative të frymëzuar nga muzika e disa prej kompozitorëve të mëdhenj klasikë.

Në vitin 1875, Henri Fantin-Latour u martua me piktoren, Victoria Dubourg, me të cilën ai kaloi verën duke shijuar pasuritë e vendit dhe në praninë e të familjes së gruas së tij në Buré, Orne në Normandinë e Poshtme, ku vdiq në 25 gusht 1904. Prehet në Varrezat Montparnasse, Paris, Francë
Marcel Proust përmend punën e Fantin-Latour në “Kërkimi të kohës së humbur”, si vijon: “Shumë duar të grave të reja do të ishin të paafta për të bërë atë që unë shoh atje,” tha Princi, duke treguar ngjyrosjet e papërfunduara të Mme de Villeparisis. Dhe ai e pyeti nëse ajo kishte parë pikturën me lule nga Fantin-Latour e cila ishte ekspozuar së fundmi.
Ekspozita e tij e parë kryesore e galerisë në Mbretërinë e Bashkuar u zhvillua në Muzeun Boëes në Prill 2011. Musée du Luksemburg prezantoi një ekspozitë retrospektive të veprës së tij në 2016-7 me titull “À fleur de peau”.
Megjithatë lulet e Henri Fantin-Latour mbeten një prej simfonive më të bukura dhe më dehëse të tablosë. Përmes sajë ne nuk njohim vetëm botën e magjishme të luleve, por edhe shpirtin e piktorit, atë brendi të ndezur ndijimesh kaq delikate, sa ç’mund t’i shërbejë në shndërrimin e luleve në monument. /Albert Vataj /KultPlus.com

Visar Morina po sfidohet edhe në teatër, premiera në Munih të Gjermanisë

Emri i regjisorit Visar Morina tashmë është i njohur për mbarë publikun evropian. Revista e njohur “Variety” e renditi Morinën si njërin ndër dhjetë artistët më të talentuar që duhet të shihet gjatë vitit 2020, shkruan KultPlus.

Me filmin “Exil” Morina u shfaq edhe në Berlinale, aty ku u prit me duartrokitje të shumta dhe ku gëzoi një interes të madh nga gazetarët dhe kritikët filmik.

Puna e regjisorit shqiptar do të vazhdojë tutje me një projekt të ri. Tani bëhet fjalë për shfaqje teatrore.

Në profilin e tij në Facebook, Morina ka bërë të ditur se do të sjellë një shfaqje të re kah fundi i këtij viti.

“Isha në teatër për herë të parë në moshën 17-vjecare. Kështu rashë në kontakt me veprat e Brehtit, dhe së fundi me regjinë. Disa vjet më vonë, kur bëra praktikën, prita me shumë gëzim xhirimin tim”, shkruan ai duke treguar për shfaqjen e re.

“Në skenën e Munihut për herë të parë do të luhet në skenë shfaqja ime. Ajo mban titullin “Flüstern in stehenden Zügen“, premiera e së cilës do të dalë në fund të vitit”, thekson ai. /KultPlus.com

U dëmtua nga tërmeti i 26 nëntorit, nis puna për pastrimin e kullës C në kalanë e Durrësit

 Në një nga kullat fortifikuese të kalasë së Durrësit, kulla C, ka filluar puna për pastrimin e saj, pas dëmtimit të shkaktuar nga tërmeti i 26 nëntorit.

CHwB Albania bën të ditur se “hap pas hapi, punimet e pastrimit rreth fragmenteve të Kullës C në Durrës kanë filluar. Dhe historia ka shumë për të na ofruar. Një prej pjesëve të gjetura gjatë punimeve është verifikuar nga prof. Gjerak Karaiskaj dhe prof. Pirro Thomo se përmban një vulë të perandorit Anastas, duke lidhur direkt pjesë të murit me periudhën e mbretërimit të Anastasit (491-518)”.

“Stabilizimi emergjent i kullës C është një nga hapat e parë në rikuperimin e saj pas tërmetit. Kemi një rrugë të gjatë përpara nesh, dhe shumë pyetje për t’iu përgjigjur. Ne premtojmë që përveçse të stabilizojmë këtë strukturë të vlefshme, të mbledhim sa më shumë histori për sundimtarët, perandorët, njerëzit që ndërtuan kullën, njerëzit që jetojnë rreth saj, pikëpamjet tuaja për mënyrën si duhet të ruhet kjo kullë dhe si t’i lidhim ato në një interpretim për t’i mbajtur të gjithë atje ta shijojnë për orë të tëra”, thekson CHwB Albania.

Ky projekt mbështetet nga ambasada e Suedisë në Tiranë në partneritet me Institutin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore.

Kalaja është e lashtë sa vetë qyteti i Durrësit. Gjatë shekujve ajo është prishur dhe rindërtuar disa herë. Muret rrethuese të Durrësit në pjesën e tyre kryesore i përkasin periudhës së perandorit Anastas (491-518) me origjinë nga ky qytet dhe përbëhen nga dy pjesë kryesore: Akropoli ose Kështjella e sipërme dhe Kështjella e poshtme. Riparime të mureve janë kryer që prej tërmetit shkatërrimtar të vitit 1273.

Muret mesjetare aktualisht rreth 4,6 metra në lartësi dhe tri hyrjet e disa prej kullave të fortifikimit janë ruajtur në gati një të tretën e gjatësisë fillestare të qytetit kala.

Lëkundjet e tërmetit të rëna në 26 nëntor nuk kanë kursyer as monumentet e kulturës, të cilat datojnë prej shekujsh. / Atsh / KultPlus.com

Si e ndihmoi Kadareja Kosovën në rrugë letrare dhe politike

Nga: Mehmet Kraja

Atëherë kur situata në Kosovë ishte ndër më të nderat, Ismail Kadare kërkonte ta shkrinte ngricën shekullore mes popujve të Ballkanit.

Ai do të thoshte të vetën, do të mbante anën e Kosovës, duke u bërë zëri i saj nëpër diplomacitë e botës, në mënyrë letrare apo të drejtpërdrejtë. Si dëshmi e asaj kohe, vjen për herë të parë si libër më vete romani i Kadaresë, “Krushqit janë të ngrirë”.

Shtëpia Botuese “Onufri”, sapo ka hedhur në qarkullim romanin që shkrimtari i madh ia dedikon Kosovës. Kjo vepër, dëshmia e parë dhe tepër e rrallë e masakrës serbe në Prishtinë, në pranverë të vitit 1981, u shkrua fill pas saj në vitet 1981-1983.

Ndër të tjera, ajo pati si qëllim njohjen e publikut shqiptar, dhe sidomos atij botëror, me terrorin e ushtruar në Kosovë. Për fat të keq, pavarësisht nga ky synim, vepra u prit fare ftohtë nga Shqipëria zyrtare, gjë që shpjegon botimin e saj tepër të vonë, më 1986, në përmbledhjen e tregimeve “Koha e shkrimeve”.

Vepra nuk u botua asnjëherë si libër më vete. Përkthimi i saj më pas, në shumë vende të Europës, hodhi dritë mbi të vërtetën e tragjedisë së Kosovës. I botuar nga “Onufri”, libri vjen me një parathënie nga akademik Mehmet Kraja: “Kadareja dhe Kosova”.

1.Edhe ndonjë vit, Kosova do të mund të shënonte një jubile, nga ata jubiletë e rëndësishëm që përbëjnë historinë e saj më të re: tridhjetëvjetorin e mbështetjes këmbëngulëse, të fortë dhe pa rezervë të Ismail Kadaresë.

Pavarësisht nëse kjo mbështetje ka qenë letrare ose politike, ajo përbën një ngjarje në këtë histori, sepse pësimet dhe synimet e Kosovës, përfshirë edhe arritjet e saj të viteve më të vona, përmes zërit të Kadaresë, janë kthyer dhe shndërruar në zë të ndërgjegjes kombëtare, në një zë që bashkëndien dhe flet për brengën më të madhe shqiptare. Por nuk është vetëm kjo.

Zëri i Kadaresë në mbështetje të Kosovës ka qenë dhe vazhdon të mbetet multifunksional: ai ka krijuar kontekst politik ndërkombëtar, ka arritur të depërtojë nëpër kancelaritë e ftohta diplomatike dhe, që është po kaq me rëndësi, ka qenë frymëzim për shumë gjenerata intelektualësh, mësuesish, studentësh, nxënësish, pra për një masë të gjerë njerëzish në Kosovë, përfshirë edhe ata që, në aktin final të kësaj historie, u vunë në radhët e para të luftës për çlirimin e Kosovës.

Në këtë pikë, Kadareja ka bërë më shumë se të gjitha institucionet së bashku të shtetit shqiptar. Në një kohë të ndjeshme të strukturimit të vetëdijes së kosovarëve, ai u hapi rrugë lidhjeve të tyre mbiideologjike dhe tejideologjike me shtetin amë, duke anashkaluar dhe minimizuar rolin e kufizimeve dhe të dasive botëkuptimore (madje edhe rajonale dhe krahinore), për krijimin e një tërësie kompakte nacionale.

Zëri i tij, pavarësisht nëse vinte nga vokacioni letrar ose nga diskursi politik, për kosovarët ka qenë zë integrues. Edhe ata që në Kosovë e konsideronin Kadarenë si kundërshtar politik, që nga komunistët projugosllavë, tek autonomistët e deri tek ideatorët e lëvizjeve më të vona politike, që të gjithë me radhë “i mbanin veshët në krah” (dhe akoma vazhdojnë t’i mbajnë) për të kapur sa më shpejt dhe për të dëgjuar sa më qartë mesazhet e tij. Në këtë angazhim të gjerë dhe gjithëpërfshirës për Kosovën, Kadareja është shfaqur i tërësishëm dhe i përplotë- sueshëm. Bashkësisë ndërkombëtare dhe opinionit botëror i ka folur dhe vazhdon t’i flasë me një gjuhë të qartë konotative, ndërkohë që me kosovarët herë pas here ka ditur të jetë kritik, madje i ashpër, duke kërkuar prej tyre që të përballen me sfidat dhe të jenë në nivel të çastit historik të Kosovës.

Sado që kritikat e Kadaresë te disa politikanë lokalë ndonjëherë krijonin shqetësim dhe pakënaqësi, në opinion ato pranoheshin gjerësisht, si mesazhe fort të vyera dhe udhërrë- fyese, shpesh edhe si kredo e angazhimit dhe e reagimit politik ndaj zhvillimeve aktuale. Edhe sot, shestimet e Kadaresë për modelet e shoqërisë shqiptare, përkundër faktit se mund të mos lidhen drejtpërdrejt me Kosovën, kanë jehonë të madhe në opinionin kosovar dhe janë kontribut i vyer për profilizimin botëkuptimor të shoqërisë kosovare, si shoqëri me vlera perëndimore.

Vepra letrare e Kadaresë, shkrimet dhe analizat publicistike, intervistat dhe deklaratat, pse jo edhe mesazhet gojore, kanë luajtur rol emancipues për Kosovën dhe kosovarët. Dashuria e tij për Kosovën, angazhimi i sinqertë intelektual, qëndrimi i paluhatshëm parimor, kanë bërë që Kadareja të bëhet pjesë e identitetit kosovar. Idetë dhe mendimtaria e Kadaresë, përfshirë edhe vlerat e veprës së tij, tashmë qëndrojnë në themelet e shtetit të ri të Kosovës, si identitet i tij i qëndrueshëm, shpirtëror dhe botëkuptimor.

2. Imazhi më i hershëm i Kadaresë për Kosovën është ravijë- zuar në poezinë “Kosova”, e shkruar në vitin tashmë të largët 1966. Kadaresë i rastis të kalojë në avion mbi Kosovën dhe, në këtë fluturim të shpejtë, ai kap një pamje të tokës së zymtë, e cila shfaqet dhe zhduket “midis zgavrave dhe humnerave të reve”. Kosova, për Kadarenë asaj kohe, është tokë disi e largët, e cila rri matanë reve të rënda dhe gjëmimeve të rrufeve, ndërkohë që pikat e shiut në xhamin e avionit janë lotët që akoma prekin vetëm jashtësinë, jo vetëm pse ato janë disi të përtejme, të paarritshme, por ngase flasin diçka që poeti nuk e thotë dot. Megjithatë, ligjërimi i pikave të shiut në xhamin e avionit përçon një mesazh të tejkohshëm brenge, sepse ato janë sinjalet më të afërta të një trishtimi dhe zymtësie gjithëpërfshirëse, të krijuar nëpër një qiell të mbushur me gjëmime dhe vetëtima të pareshtura, të cilat mbulojnë tokënenigmë të kësaj bote të largët dhe të panjohur.

Poeti e personifikon imazhin: një vetëtimë që çan midis reve, edhe përkundër faktit se është e frikshme dhe përcëlluese, sikur ndalet për një çast dhe ia bën me dorë poetit. Është kjo një përshëndetje miqësore, disi përkëdhelëse e një bote të sertë, e cila i ka gjuhë të komunikimit krismat dhe flakën. Dhe, pikërisht, nga ky çast duket se midis asaj bote dhe poetit do të vendoset një lidhje dhe referencë e gjithmonshme: poeti do të mbajë me vete përjetësisht brengën për Kosovën, kurse ajo do t’i dhurojë atij, po ashtu, miqësinë e përjetshme.

Por, mbi të gjitha, imazhi i Kadaresë për Kosovën, i ndërtuar në këtë poezi, shpreh edhe një situatë (politikisht dhe historikisht) konotative: në vitin 1966 vështrimi mbi Kosovën ishte i shpejtë, fluturues, ngarendës, ikës, pothuajse i pavërejtshëm, siç është vetë fluturimi i avionit nëpër një qiell të mbuluar me re. Imazhi është i shkurtër. Ai krijohet nga një pamje e paqartë, e rrëmujshme dhe e dhembshme në veten e saj, por që është disi e jashtme, e pamundshme që të futet brenda. Pikat e shiut ndalen në xham dhe thonë diçka që nuk shpjegohet. Vetëtimat, diku matanë, çajnë qiellin midis reve të rënda. Kaq. Poeti ikën me avion dhe poshtë mbetet Kosova, e vetmuar në trishtimin dhe dhembjen e saj. Shqipëria, e mbyllur në kuvli, nga largësia, sheh imazhe të mjegullta dhe merr mesazhe të turbullta.

Pra, në pikëvështrimin letrar të Kadaresë, Kosova tashmë i kishte të gjitha parakushtet që të shfaqej e dyzuar, ndërmjet një realiteti të vrazhdë dhe dramatik, më një anë, dhe mitit e legjendës, më anën tjetër. Tragjedia e saj ka një fillesë të largët, në kohën e “Mundjes së ballkanasve nga turqit në Fushën e Kosovës më 1389”, pra në një mesjetë të errët, kur njerëzimi ishte i prirur që ngjarjet dhe zhvillimet tragjike, pa ndonjë vështirësi, i kthente në mite dhe legjenda, sepse nuk gjente një shpjegim racional për to. Kosova, e sotme dhe e gjithmonshme, i ka të gjitha parakushtet të shfaqet dhe të rishfaqet disi përgjysmë e dukshme dhe përgjysmë e hijezuar. Edhe e sotmja e saj është e kapërthurur në këtë dikotomi.

Madje, për Kadarenë, të gjitha zhvillimet që ndodhin në Kosovë, përveç që shfaqen të dyzuara ndërmjet mitit dhe realitetit, edhe mesazhet largvajtëse i kanë dykuptimshe: Kosova është si një teatër i tragjedive antike, ku vdekja merr kuptimin e vërtetë jo në çastin kur ndodh, por diku në vazhdimësinë e saj, pasi të jetë “eksploruar” mesazhi i saj i tejkohshëm. Ky diskurs letrar i Kadaresë për Kosovën i ka shpjegimet e veta. “Realizmi magjik” këtu nuk është trill letrar, është imanencë, është mënyrë e vetme e komunikimit me realitetin. Në dy romanet e tij për Kosovën, “Krushqit janë të ngrirë” dhe “Tri këngë zie për Kosovën”, Kadareja nuk bën çmitizimin e ngjarjeve, si në ndonjë rast tjetër, por ndjek një logjikë të brendshme të zhvillimeve, duke ia vënë realitetit “irracional” kornizën mitike. Kjo është shkathtësi e shkrimit dhe e observimit, nuk është shmangie. Përmes kësaj kornize mitike ai nuk u shmanget realitetit dhe mesazheve të drejtpërdrejta që përçon ai. Ai vetëm sa i kthen në materie letrare zhvillimet dramatike, të cilat kanë konotacione thellësisht historike dhe politike.

3. Në vjeshtën e vitit 1980, Kadareja do të vizitojë Kosovën, me rastin e botimit të parë të kompletit të veprave të tij, në dhjetë vëllime. Me këtë rast, atij iu bë një pritje institucionale dhe pati takime të shumta me lexues dhe intelektualë kosovarë. Disa muaj më vonë, në pranverën e vitit 1981, do të ndodhin demonstratat e përgjakshme në Prishtinë, të cilat në esencë do të ndryshojnë rrjedhën e të gjitha ngjarjeve të mëpastajme. Për afro njëzet vjet të tjera, Kadareja nuk do ta shkelë më Kosovën. Demonstratat ishin një pretekst që Kosova të vihej në shënjestër të një agresioni serb dhe jugosllav, të paparë deri atëherë. Krahas agresionit politik, ushtarak dhe policor, mbi Kosovën u derdh një propagandë e shfrenuar shoviniste, e cila synonte të ndryshonte jo vetëm rrjedhën e atëhershme të ngjarjeve, por edhe historinë që nga themelet.

Synim ishte që miti serb për Kosovën, i ndërtuar në kohën e romantizmit nacional serb të shekullit XIX, të bëhej mbështetja kryesore për ristrukturimin politik të krahinës, deri atëherë me autonomi të gjerë, duke e zhbërë atë deri në atë shkallë, sa elementi etnik shqiptar të quhej i papërfillshëm. Trysnia politike, ushtarake dhe policore mbi Kosovën ishte e jashtëzakonshme. Përmes të të ashtuquajturit diferencim politik, inteligjencia e Kosovës u vu përballë shantazheve, denigrimeve dhe përndjekjeve, deri te burgosja dhe përjashtimi nga jeta publike. Kadareja doli në mbrojtje të Kosovës dhe të inteligjencies së saj. Jehona ishte e madhe, qoftë në Kosovë, qoftë në Jugosllavinë e atëhershme. Kundërreagimi i pushtetit ishte i menjëhershëm: veprat e tij u hoqën nga programet shkollore dhe, për një dhjetëvjeçar, ato nuk u ribotuan më në Kosovë. Por shkrimtari Kadare nuk mund të kufizohej vetëm në një reagim politik.

Më 1982-n ai shkroi romanin “Krushqit janë të ngrirë”, një sintezë letrare e zhvillimeve dramatike të Kosovës të vitit 1981, duke vënë në sfond të rrëfimit romanor rindërtimin e një miti ndryshe për Kosovën, i cili nuk do të përçonte mesazhe urrejtjeje ndërmjet popujve të Ballkanit, por bashkëjetesën e tyre në një hapësirë të përbashkët. Legjendën shqiptare dhe ballkanike të krushqve të ngrirë, ashtu siç ndodh zakonisht në romanet e tij, ai e kontekstualizon në një kohë të re, zhvillimet e së cilës kanë marrëdhënie të pashkëputshme dhe disi të natyrshme me kohën mitike. Legjendat derivojnë mesazhe të gjithëkohshme. Ato nuk vdesin bashkë me kohën e tyre, por riinkarnohen sapo të shfaqen rrethanat e përshtatshme për këtë. Kadareja nuk merret në mënyrë eksplicite me legjendën. Ajo futet në roman nga prapavija, nga kujtesa dhe shtresimet e kohës së largët, mitike dhe historike.

Dy popujt e armiqësuar për vdekje në Kosovë, shqiptarët dhe serbët, edhe përkundër faktit se kanë bërë jetë të ndarë dhe janë shikuar me njëri-tjetrin përmes tytës së pushkës, në marrëdhëniet e tyre domosdo që ndonjëherë do të kenë ndjekur edhe ligjshmëritë e natyrës dhe të jetës njerëzore. Dashuria e dy të rinjve, me përkatësi të ndryshme etnike, do të ishte zhvillimi më normal në rrethanat e një jete të përbashkët, sado kontradiktore të kenë qenë marrëdhëniet mes popujve. E tillë është dashuria e Shpend Brezftohtit dhe Mladenka Markoviçit, të cilët në vitin 1981, të përfshirë nga inercia e ngjarjeve, gjenden në dy anë të ndryshme të “vijës së zjarrit”.

Shpendi merr pjesë në demonstrata, vritet nga forcat policore serbe dhe i bëhet diku një varr pa gjurmë dhe pa nishan. Shkrimtari akuzon në emër të dashurisë, të ndjenjës më njerëzore, për një lidhje dhe afri, për një miqësi dhe krushqi të mbetur në tentativë, e cila rrënohet dhe këputet në mes, për shkak të ringjalljes së miteve të errësirës. Faqet e fundit të romanit, të cilat i kushtohen Shpend Brezftohtit, ndonëse të kursyera në sasi, vijnë si një katarsis “sui generis” dhe, ngjashëm me tragjeditë antike greke, sugjerojnë pavdekësinë e legjendave dhe miteve, bashkë me këtë edhe të akteve të papërmbyllura të një tragjedie.

4. Gjatë qëndrimit sado të shkurtër në Kosovë, në vjeshtën e vitit 1980, Kadareja kishte marrë me vete imazhe dhe mbresa, të cilat nuk do t’i shlyheshin aq shpejt. Ai e kishte njohur ambientin kosovar. Në mënyrë të veçantë atë të Prishtinës. E kishte parë nga afër si funksiononte ky komunitet i shqiptarëve, çfarë synonte dhe cilat ishin preokupimet e tij. Kishte pasur takime dhe njohje me njerëz të ndryshëm, veçmas me të tillë që i përkisnin shtresës intelektuale.

Ndonjë vit më vonë, ndërsa mund të ketë dëgjuar dhe lexuar se çfarë ndodhte me këta njerëz, tashmë miq të tij; si ishin përfshirë ata në një proces të egër të diferencimit politik; pra, në një rrethanë të këtillë, Kadareja do të ketë ndërtuar pa ndonjë vështirësi të madhe konstruktin rrëfimor të romanit “Krushqit janë të ngrirë”. Në të vërtetë, romani është mbështetje e përballjes së suksesshme dhe jashtëzakonisht dinjitoze të inteligjencies kosovare me aparaturën e egër represive të pushtetit dhe, në këtë pikë, romani përfshin një dimension më të gjerë të konfliktit të përjetshëm të shtetit represiv me atë shtresë të popullsisë, e cila ndryshe quhet ndërgjegje njerëzore. Në Kosovën e vitit 1981, kjo përplasje ishte e ashpër dhe gjithëpërfshirëse.

Në qendër të rrëfimit të tij Kadareja vendos një galeri personazhesh imagjinare, por që, disa prej tyre, krijojnë ngjashmëri të qartë me personat realë. Çifti Teuta dhe Martin Shkreli asociativisht përfshijnë çiftin Sahadete dhe Esad Mekuli. Përmes mbiemrit, gjithashtu korrespondojnë edhe me mikun e Kadaresë, Azem Shkrelin, i cili, atëbotë, kishte qenë organizatori kryesor i vizitave të Kadaresë në Kosovë. Mirë- po, ashtu siç ndodh rëndom në letërsi, imanenca e rrëfimit romanor e çon autorin në shqyrtime dhe përplotësime imagjinative. Teuta Shkreli është kirurge në spitalin e Prishtinës.

Ajo, në procesin e diferencimit, akuzohet për përfshirje në tri çështje, të cilat lidhen drejtpërdrejt me demonstratat: Kush e shtoi numrin e shtretërve në spital, në repartin e kirurgjisë, një natë përpara demonstratave? Kush i angazhoi autoambulancat për bartjen e të plagosurve? Kush e zhduku librin e të vdekurve?

Ky është, si të thuash, rrafshi dokumentar i romanit. Por Kadareja, i cili shquhet për imagjinatë shpërthyese, nuk mund ta linte rrëfimin vetëm në suaza të ndodhive reale. Përballë çiftit Shkreli dhe personazheve të tjera të kësaj kategorie, ai vendos kundërpeshën e tyre, njerëzit e Sigurimit, të UDB-së, të cilët situatën e krijuar në Kosovë e shohin si mundësi për ringjalljen e kohëve të errëta, në radhë të parë, të periudhës së Rankoviçit.

Fitorja morale e Teuta Shkrelit mund ta ngazëllejë lexuesin, por në këndvështrimin e shkrimtarit ajo nuk i davarit retë e errëta mbi Kosovën e viteve të ardhshme. Mitet dhe legjendat vrastare, nga studimet etnografike të Martin Shkrelit, tashmë kanë dalë në dritë të diellit dhe kanë marrë forcën e shfaqjes reale. Mbyllja e romanit është rrëqethëse: Si te Skorsa, Kadareja zbret në varrin pa gjurmë të Shpend Brezftohtit dhe që andej sjell imazhin e një vdekjeje që gllabëron dhe tret trupin e një viktime të pafajshme. Kjo vdekje duket sikur pret në pusi kohë të reja dhe viktima të reja.

5. Me këtë roman, Kadareja i jep Kosovës një mbështetje të fortë letrare, krahas mbështetjes politike. Mbështetja e tij letrare është esenciale: Kosova, në njërën nga situatat e saj më të rënda, bëhet subjekt i veprës të tij.

Botimi i romanit në Tiranë, atëbotë, do të sjellë në Kosovë dy kumte diametralisht të kundërta: do të shkaktojë mirënjohje entuziaste te komuniteti letrar dhe intelektual i Kosovës, më një anë dhe, më anën tjetër, do të shtojë urrejtjen për Kadarenë te strukturat represive të pushtetit të atëhershëm serb dhe jugosllav. Ajo që i xhindoste më shumë këto struktura ishte mesazhi i veprës së tij thellësisht human, i cili shkonte në rrjedhë të kundërt me mësymjet shoviniste mbi Kosovën. Kosova, atëbotë, kishte nevojë pikërisht për një mesazh të këtillë. /KultPlus.com

Mark Twein: Një njeri nuk mund të ndihet rehat pa pranimin e vetes së tij

Mund ta njihni Mark Tweinin nga disa prej librave të tij popullorë, si Aventurat e Hakëlberri Finit apo Aventurat e Tom Sojerit. Ai ishte shkrimtar, por edhe humorist, satirist dhe lektor.

Tueini njihet mirë për shumë prej thënieve të tij shpesh herë të mbushura me humor. Ja disa prej këshillave që ai ka lënë.

1. Pranoje vetveten

“Një njeri nuk mund të ndihet rehat pa pranimin e vetes së tij”

Nëse nuk e pranon veten tënde, apo sjelljen dhe veprimet e tu, atëherë me siguri do të vish vërdallë gjithë ditën me një ndjesi parehatie. Nëse, nga ana tjetër, e miraton veten tënde, atëherë do të kesh prirjen të jesh i relaksuar si dhe të fitosh lirinë e brendshme për të bërë më shumë prej atyre gjërave që i do me të vërtetë.

Tani, kjo gjë ka potencialin të shndërrohet në një pengesë të madhe sa i përket zhvillimit personal. Mund të kesh gjithë mjetet e nevojshëm për t’u rritur personalisht, por në një farë mënyre ndien një si rezistencë të brendshme. Nuk shkon dot atje kudo.

Ato që ndesh mund të jenë barrierat e suksesit. Ti ngre barriera në mendjen tënde, për gjëra që mund ose nuk mund t’i meritosh. Apo barriera që të tregojnë se cfarë je i aftë të bësh.

Ato mund të të thonë se në të vërtetë nuk je lloji i personit që mund të bësh atë gjë për të cilën po përpiqesh. Ose, edhe nëse bën ndonjë farë përparimi në drejtimin ku je nisur, mund të fillosh të sabotosh vetveten. Për ta mbajtur veten në një vend që është i njohur për ty.

Kështu që, ke nevojë t’i japësh miratimin vetvetes dhe të lejosh që të jesh personi që dëshiron të jesh. Mos kërko miratim nga të tjerët. Vetëm nga vetja jote. Për ta shembur atë barrierë të brendshme apo për të hequr dorë nga ajo tendencë sabotuese. Nuk është e lehtë kjo dhe mund të kërkojë kohë.

3. Limitet e tua mund t’i kesh vetëm në mendje

“Mosha është një çështje e mendjes mbi rëndësinë. Nëse nuk e vret mendjen, atëherë nuk ka rëndësi”

Shumë kufizime i kemi thjeshtë në mendjen tonë. Për shembull, mendojmë që njerëzit nuk do të miratojnë sepse jemi shumë të gjatë, shumë të moshuar apo shumë qerosë.

Por këto janë gjëra që kryesisht kanë rëndësi atëherë kur ti MENDON se kanë rëndësi. Sepse nis të shqetësohesh për atë që njerëzit mund të mendojnë. Dhe njerëzit shfrytëzojnë pikërisht këtë gjë dhe mund të reagojnë në mënyra negative. Ose ti mund të interpretosh cdo gjë që ata bëjnë si një reagim negativ, për arsye se ke kaq shumë frikë prej një reagimi negativ, apo sepse je kaq shumë i fokusuar brenda vetes.

Ndërkohë që, nëse ti nuk e vret shumë mendjen, edhe njerëzit do të kenë prirjen të mos e vrasin kaq shumë mendjen. Dhe nëse nuk e vret mendjen, nuk do të lejosh këtë pjesë të vetes tënde të shndërrohet në një pengesë në jetën tënde.

4. Çelu dhe argëtohu

“Humori është bekimi më i madh i njerëzimit”
“Asgjë nuk mund t’i rezistojë sulmit të të qeshurës”

Humori dhe e qeshura janë mjete të mrekullueshme. Ato mund ta shndërrojnë çdo situatë serioze në dicka për të qeshur. Ato mund ta përmirësojnë gjendjen shpirtërore pothuajse kudo.

Dhe një gjendje shpirtërore më e mirë është zakonisht një hapësirë më e mirë për të punuar, për arsye se tashmë trupi dhe mendja jote nuk janë të mbushur me emocione negativë.

Kur je më i çelur dhe i relaksuar, atëherë zgjidhja për një situatë është shpesh herë më e lehtë për t’u gjetur dhe zbatuar.

5. Largoje zemërimin

“Zemërimi është një acid që i bën më shumë dëm enës ku ndodhet se sa cdo gjëje mbi të cilën derdhet”

Në pjesën më të madhe të kohës, zemërimi është i pakuptimtë. Mund të bëjë që situatat të dalin jashtë kontrolli. Dhe nga një këndvështrim egoist, ai është shpesh herë më i dëmshëm për të zemëruarin se sa për personin me të cilin ky është i zemëruar.

Kështu që, edhe pse ndihesh i zemëruar me dikë për ditë të tëra, kupto që më shumë po dëmton veten tënde. Personi tjetër mund të mos jetë as i vetëdijshëm që ti je i zemëruar me të. Kështu që, ose fol me personin dhe zgjidhe konfliktin, ose hiq dorë nga zemërimi sa më shpejtë të jetë e mundur.

6. Çliroje veten nga pretendimet

“Mos hajde vërdallë duke thënë që bota të ka borxh të jetuarit. Bota nuk të ka borxh asgjë. Ajo ka qenë aty para se ti të lindje”

Kur je i vogël, nëna dhe babai mund të të japin shumë gjëra. Ndërkohë që rritesh, mund të ndihesh sikur bota e ka për detyrë të të japë atë që ti dëshiron, apo që të ka borxh diçka. Ky lloj mendimi mund të shkaktojë shumë zhgënjim dhe zemërim në jetën tënde.

Sepse bota mund të mos të ta japë atë që ti pret prej saj. Nga ana tjetër, mund të jetë në të njëjtën kohë diçka çliruese. Sepse mund të kuptosh që je ti që duhet t’i japësh formë jetës tënde, drejt asaj që dëshiron.

Nuk je më fëmijë, që pret prindërt apo botën t’i japë diçka. Tashmë je në vendin e shoferit. Dhe mund të shkosh, pak a shumë, ku të duash.

7. Nëse merr një udhë të ndryshme, përgatitu për reagimet

“Një njeri që ka një ide të re, është një i fiksuar, deri kur ideja rezulton e suksesshme”.

Mendoj se kjo gjë ka shumë lidhje me vetëpërmirësimin. Nëse fillon të ndryshosh, apo të bësh diçka të ndryshme nga ajo që bën zakonisht, njerëzit mund të kenë reagime të ndryshëm. Disa mund të jenë të lumtur për ty. Të tjerë bëhen indiferentë. Të tjerët mund të jenë të çuditur, dhe reagojnë në mënyra negative apo shkurajuese.

Shumë prej reagimeve me shumë gjasa nuk kanë të bëjnë me ty, por me personat që i shprehin këta mendime dhe për jetët e tyre. Mënyra si ata ndihen për veten shprehet në fjalët që përdorin dhe gjykimet që bëjnë.

Dhe nuk është problem. Mendoj se ka shumë gjasa që ata nuk do të reagojnë aq negativisht sa ti e imagjinon. Ose ndoshta, shumë shpejt ata do të kthehen të fokusohen tek sfidat e tyre.

Kështu që, ajo që njerëzit mund të thonë dhe mendojnë, si dhe lejimi i këtyre që të të sprapsë, mund të jenë thjeshtë fantazi dhe barriera që ti vetë i ndërton në mendjen tënde.

Mund të zbulosh se, kur më në fund e kapërcen atë pragun e brendshëm që vetë e ke krijuar, atëherë njerëzit që ke përreth nuk do të të qortojnë apo të rendin me “cfurk” në dorë pas teje. Me shumë gjasë, thjeshtë do të të pranojnë.

7. Ruaje fokusin të qëndrueshëm në atë që dëshiron

“Largoji mendimet prej telasheve të tua… përmes veshëve, përmes thembrave, apo çfarëdolloj gjëje tjetër që mundesh”.

Ajo mbi të cilën ti e fokuson mendjen përcakton se si do të shkojnë gjërat. Mund të fokusohesh në problemet e tua dhe të zhytesh në vuajtje dhe një mentalitet viktime.

Ose mund të fokusohesh në anën pozitive të një situate, në atë që mund të mësosh prej një situate, apo thjeshtë ta fokusosh mendjen në diçka krejt tjetër.

Mund të jetë normale të “zhytesh” në probleme dhe të notosh në një det negativiteti. Por kjo është një zgjedhje. Si dhe një zakon i të menduarit. Mundesh që ta kesh refleks të zhytesh në probleme, në vend që ta rifokusosh mendjen në diçka më të dobishme. Por mund të zhvillosh edhe zakonin e të mësuarit që të marrësh gjithnjë e më shumë kontrollin se ku e vendos fokusin.

8. Mos u fokuso aq shumë për ta bërë veten të ndihesh mirë

“Mënyra më e mirë për të ngritur humorin tënd është të përpiqesh të ngresh humorin e dikujt tjetër”.

Mund të jetë një këshillë jo shumë e besueshme. Por, një prej mënyrave më të mira që të ndihesh mirë me vetveten është të bësh dikë tjetër të ndihet mirë, apo ta ndihmosh në një farë mënyre.

Kjo është një mënyrë shumë e mirë për t’i parë gjërat, për të krijuar një spirale pozitiviteti dhe shkëmbimi vlerash mes njerëzve.

Ti ndihmon dikë dhe të dy ndiheni mirë. Personi që ndihmove ndihet i prirur të të ndihmojë më vonë, përderisa njerëzit kanë prirjen të jenë reciprokë. E kështu të dy ndiheni më mirë dhe ndihmoni njëri-tjetrin.

Këto ndjenja pozitive janë ngjitëse tek të tjerët e kështu mund të përfundosh duke i bërë dhe ata të ndihen më mirë. E kështu ndihma që more mund të të frymëzojë të shkosh e të ndihmosh dikë tjetër. Kështu spiralja e pozitivitetit vazhdon.

9. Bëj atë që do të bësh

“Pas 20 vjetësh do të jesh më i zhgënjyer me gjërat që nuk ke bërë, se sa prej gjërave që ke bërë. Kështu që, “hiqe litarin”.

Lundro larg prej portit të sigurtë. Kap erën për velat e anijes tënde. Eksploro. Endërro. Zbulo”.

Këshillë e mrekullueshme. Dhe kësaj vërtetë që nuk ke shumë për t’i shtuar. Ndoshta duhet shkruajtur dhe mbajtur si kujtesë e përditshme… për atë që je në gjendje të bësh në jetën tënde.

“Njerëzit nuk e kuptojnë se tërë jeta mund të ndryshohet vetëm nga një libër”

Thënie nga Malcolm X

malcolm x
  1. Bëhu paqësorë, bëhu i sjellshëm, iu nënshtro ligjit, respekto secilin; por nëse ndokush vë dorë mbi ty, e dërgo tek varrezat.
  2. Nuk ka gjë më të mirë se mjerimi. Çdo humbje, çdo thyerje zemre, çdo humbje, përmban farën e vetë, mësimin e vetë në atë si të përmirësoni përmbushjen herën tjetër.
  3. Njeriu i cili nuk ngrihet për asgjë do të dështojë për çdo gjë.
  4. Jam për të vërtetën, pavarësisht kush e thotë atë. Jam për drejtësi, pavarësisht kush është për ose kundër.
  5. Askush nuk mund të u japë lirinë. Askush nuk mund të u japë barazinë ose drejtësinë ose çfarëdo qoftë. Nëse je burrë, e merr atë.
  6. Nëse nuk ke asnjë kritik nuk do të kesh asnjë sukses.
  7. Unë as nuk e quaj dhunë kur është në vetëmbrojtje; E quaj inteligjencë.
  8. Besoj në njerëzit dhe se të gjithë njerëzit duhet të respektohen si të tillë, pavarësisht ngjyrës.
  9. E ardhmja u takon atyre që përgatiten për të sot.
  10. Nuk je gati për të vdekur për të, largoje fjalën “liri” nga fjalori yt.
  11. Më tregoni një kapitalist, do ju tregoj një thithës
  12. Jo-dhuna është në rregull përderisa funksionon.
  13. Nuk mund ta ligjësosh vullnetin e mirë – ai vije përmes edukimit.
  14. Amerika është vendi i parë… që në të vërtetë mund të ketë revolucion pa gjak.
  15. Historia dëshmon që njeriu i bardhë është dreq.
  16. Kam bërë shumë gjëra si musliman për të cilat më vije keq tani.
  17. E gjitha që kisha kundër hebrenjve ishte se aq shumë hebrenj në të vërtetë ishin hipokritë në deklaratat e tyre të të qenit miq të njerëzve të zi amerikanë.
  18. Amerika a bardhë është në pakicë.
  19. Nëse fletëvotimet nuk funksionojnë, plumbat do të funksionojnë.
  20. Historia nuk është urrejtje.
  21. Edukimi është pasaporta ynë për të ardhmen, për atë e nesërmja u takon njerëzve të cilët përgatiten për atë sot.
  22. Nganjëherë duhesh kapur pushkën për të lëshuar pushkën.
  23. Njerëzit nuk e kuptojnë si e tërë jeta e njeriut mund të ndryshohet nga vetëm një libër.
  24. Nuk mund të e ndash paqen prej lirisë meqë askush nuk mund të jetojë në paqe përveç nëse e ka lirinë.
  25. Islami i vërtetë më mësoi se nevojiten të gjithë përbërësit ose karakteristikat religjioze, politike, ekonomike, psikologjike e racore për të bërë Familjen Njerëzore dhe Shoqërinë Njerëzore të plotë.
  26. Fuqia asnjëherë nuk merr një hap prapa përveç përballë fuqisë.
  27. E vërteta është një anë e të shtypurve
  28. Të ngecurit nuk është dështim.
  29. Nuk ka asgjë në librin tonë, Kur’anin, që na mëson të vuajmë në paqë. Religjioni ynë na mëson të jemi inteligjentë. – “Porosi për Grass Roots,” fjalim, Nëntor 1963, Detroit (publikuar tek Fjalimet e Malcolm X, ch. 1, 1965). /KultPlus.com

Honore de Balzac: Një bashkëshort i mirë nuk bie asnjëherë të fle i pari në darkë dhe as zgjohet i fundit në mëngjes

“Askush nuk e dashuron një femër thjesht se është e bukur apo e shëmtuar, budallaqe apo inteligjente. Ne dashurojmë sepse thjesht dashurojmë”.

“Një ditë ke për të kuptuar se ka më shumë vlerë lumturia e dikujt tjetër, sesa lumturia jote”.

“Një bashkëshort i mirë nuk bie asnjëherë të fle i pari në darkë dhe as zgjohet i fundit në mëngjes”.

“Sa më shumë dikush të gjykojë të tjerët, aq më pak dashuron ai person”.

“Është e thjeshtë të ulesh dhe të presësh lajme. Vështirësia qëndron tek fakti se duhet të çohësh dhe të realizosh veprime”.

“Një nënë që është nënë e zonja në rolin e saj, nuk është asnjëherë e lirë”.

“Dashuria është një lojë, ku gjithmonë do të jetë dikush që do të mashtrojë”.

“Vetmia është e këndshme, por secili ka nevojë për dikë që t’ia thotë këtë gjë”.

“Gjithë lumturia varet nga kurajoja dhe puna”.

“Është absurde të mendosh se si dikush nuk mund ta dojë një femër përgjatë gjithë jetës. Është njësoj si të mendosh se një artist i mirë ka nevojë për disa violina që të ekzekutojë një melodi”.

– Honore de Balzac

‘Në qoftë se e bën një vajzë për të qeshur, ti i ke dhënë asaj gjithçka’

Nga: Marilyn Monroe

Përktheu: Roland Gjoza

Jam e mirë, por nuk jam engjëll
bëj mëkate, por
nuk jam djall. Jam një vajzë e vogël
në një qytet të madh
që përpiqet të gjejë
një djalë
që do ta dashurojë

* * *

Jam një vajzë e zgjuar që puth,

por nuk bie
në dashuri
dëgjoj,

por nuk besoj
largohem

para se dashuria të më lërë

* * *

Në qoftë se e bën një vajzë për të qeshur
Ti i ke dhënë asaj gjithçka

* * *

Dashnor i vërtetë është një burrë
që mund të shkaktojë të dridhura
edhe kur të puth në ballë, edhe kur qesh bukur
brenda syve të tu,
edhe kur shfaqet
si yll
në hapësirën tënde pa yll

* * *

Është më mirë të jesh e palumtur vetëm
Se sa e palumtur me të tjerë

* * *

Ne mund t’i provojmë të gjitha në jetë
përpara se të bëhemi të moshuara.
Frika është marrëzi. Të tjerat
janë keqardhje. /KultPlus.com

circa 1954: American film actress Marilyn Monroe (Norma Jean Mortenson or Norma Jean Baker, 1926 – 1962). (Photo by Baron/Getty Images)

Shkaku i koronavirusit pezullohet panairi i librit “Prishtina 2020”

Panairi i 22-të i librit “Prishtina 2020” është pezulluar si rrjedhojë e gjendjes e masave kufizuese të marra nga qeveria për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

Këtë e ka bërë të ditur në rrjetet sociale Shoqata e Botuesve të Kosovës. Po shpresohet që të organizohet panairi në vjeshtë, nëse lejojnë kushtet.

“Si rrjedhojë e gjendjes së krijuar me pandeminë COVID-19 dhe vendimeve të Qeverisë së Kosovës me ç’rast nuk lejohen organizimet e panaireve, pezullohet panairi i 22-të i librit ‘Prishtina 2020’. Panairi planifikohej të mbaje, si gjithnjë, në javën e parë të muajit qershor. Nuk është anuluar tërësisht panairi, me shpresën se do të piqen kushtet që ngjarje kryesore e veprimtarisë së librit në Kosovë mund të mbahet në vjeshtë”, është njoftuar nga Shoqata e Botuesve të Kosovës.

Tradita kulturore e letrare si identitet

Recension nga Lulzim Gajtani

Vepra e autorit Kujtim Shala, me titull “Identiteti i pa/zbuluar”, është vepër studimore në kuadër të fushës së studimeve letrare shqipe.
Kjo vepër kerkon prova identitare përmes kërkimeve historike e letrare të kombit tonë shqiptar.
Sipas Shalës, çdo vepër letrare është edhe identitare, prandaj kërkon që kjo vepër e tij, përpos si vepër kërkimore, letrare, të lexohet edhe si vepër identitare.
Shala i takon atij mendimi se identiteti fitohet, nuk është i lindur, pra identiteti i njeriut, i nacionit e i letërsisë formohet e trashëgohet, identiteti nuk është biologjik, por është kulturor.
Një nga elementet kyqe të një nacioni e që përmban në vete identitet, padyshim se është gjuha, ajo tregon autenticitet, kulturë dhe ka rol të rëndësishëm në psikën e një populli.
Por, çfarë roli ka gjuha në letërsi? A është e mjaftueshme gjuha që një vepër letrare të konsiderohet si pjesë e një letërsie të caktuar kombëtare? Këto janë pyetje tejet thelbësore  të cilat i shtron e edhe i jep përgjigje ky libër, por jo medoemos përgjigje definitive, sepse problemi i identitetit është kërkim i vazhdueshëm dhe diskutimi për të nuk shterohet.

Kjo vepër kërkimet për identitet nuk i bën vetëm brenda letërsisë apo veprave letrare, kërkimet bëhen edhe në fushat tjera, siç janë historia, tradita, religjioni e politika, sepse të gjitha këto fenomene pashmangshëm ndikojnë edhe tek autorët e veprat e tyre letrare.
Nuk mund të mendohet e kuptohet vepra e Fishtës e Bogdanit nëse nuk kemi njohuri për religjionin, vepra e Barletit nëse nuk e njohim historinë, apo ajo e Sami Frashërit nëse nuk kemi parasysh politikën e historinë.
Barleti e provon fenomenin e ligjërimit të autentikes në gjuhë të tjetrit[1], ai merr temën e lavdishme autentike shqiptare dhe e shkruan atë në një gjuhë të huaj, siç është ajo latine. Pra, një temë autentike e shkruan me një gjuhë universale. Pas kësaj  autori shtron pyetjen, se a e mbajnë temat Barletin autor tonin, apo gjuha e bën autor të latinitetit?[2] Barleti bëhet i yni për shkak të frymës së veprës së tij, dhe kjo na tregon se identiteti nuk vetëmjaftohet me gjuhën, identiteti është edhe frymë e ndjesi, e padyshim se vepra e Barletit përmban në vete identitet letrar e historik shqiptar.
Kur jemi tek gjuha, Shala krahason veprën e Barletit me atë të Bogdanit, si dhe flet për funksionin e gjuhës në veprat e tyre.
Ai konstaton se, për dallim nga Barleti, Pjetër Bogdani në veprën e tij Çeta e Profetëve, përmban tema universale fetare. Bogdani temën e ka universale, kurse gjuha është autentike shqipe.
Bogdani ishte klerik fetar, e veprimtar politik, vepra e tij si tekst apo shkrim, bashkë me veprën e tij politike shënjojnë identitet. Kujtim Shala citon Ibrahim Rugovën, ku thotë se vepra e Bogdanit është trashëgimi, e dihet se trashëgimia e lënë, përmban në vete identitet.
Ne kapitullin Poetikë e identitet, flitet për raportin mes letërsisë shqipe dhe asaj perëndimore. Gjinitë letrare si epi, tregimi, romani e kështu me radhë janë forma që e bashkojnë letërsinë tonë me atë evropiane, po ashtu edhe humanistët shqiptarë që shkruanin në gjuhën latine, por me frymë e tema autentike shqiptare, sikurse Marin Barleti e Frang Bardhi, i dhanë letërsisë tonë elemente të identitetit evropian
Për t’i identifikuar këto dy letërsi, autori merr si argument biblën, si njërën nga pikat themelore të letërsisë evropiane, por edhe të letërsisë shqipe.
Temat biblike, zunë vend të rëndësishëm në letërsinë tonë, me autorë si Pjetër Bogdani, Pjetër Budi, Gjon Buzuku, Jul Variboba, Gjergj Fishta e edhe plot autorë të tjerë.
Temat biblike i lidhin veprat tona me ato evropiane, ato tema janë universale, e identitet fitojnë kur përballen me jetën e koloritin autentik shqiptar.
Por përveç me kulturën evropiane, kjo vepër tregon edhe raportet mes orientit dhe traditës sonë letrare e kulturore. Letërsia shqipe ndikohet edhe prej lindjes, si p.sh Naim e Sami Frashëri, apo edhe e gjithë Letërsia e Bejtexhinjve, me autorë si Hasan Zyko Kamberi, Muhamet Kyçyku e Sulejman Naibi. Forma që ka mbizotëruar në atë periudhë ka qenë divani, kjo ishte  formë poetike e lindjes, me tematika universale, por që nga bejtexhinjtë shqiptarë, është shkruar në gjuhën shqipe. Ndikimet letërsia jonë nuk i ka vetëm nga Evropa, e jo vetëm letërsia, por edhe si kulturë e mënyrë jetese, populli shqiptar është i ndikuar nga kultura evropiane, edhe nga ajo e lindjes. Shala në pjesën e parë të këtij libri flet edhe për Krist Malokin, me pyetjen që e shtron ai Oriental apo Oksidental?. Këto dy kultura janë vlera identitare, po rilindasit kishin një projekt properëndimor, sepse politkisht ishte e domosdoshme, por vetë ata e edhe populli shqiptar kishin më shume se një identitet dhe kjo vërehet edhe në letërsinë tonë.
Poetika e Naimit dallon nga ajo e Fishtës, tek të dy mbizotërojnë elemente të kulturave të ndryshme, te njëri dominon kultura orientale, kurse tek tjetri ajo e frymës së krishterë, por ajo që i bashkon është tema atdhetare.
Në pjesën e parë të këtij libri merren autorë e fenomene që kanë ndikuar në formimin e identitetit, si në letërsi ashtu edhe në psikologjinë e popullit tonë, autori përmend Kanunin e Lekë Dukagjinit, ku për të thotë se është njëra nga provat më të forta shenjuese të identitetit tonë. Nderi, besa e gjaku, janë shtyllat e kanunit, dhe si te tilla bëhen  shenja autentike e identitare të popullit shqiptar.
Për ta identifikuar identitetin në letërsinë shqipe, merren autorët e traditës, prej Barletit e deri tek Sabri Hamiti e Zenjullah Rrahmani. Secili prej fenomeneve e autorëve që trajtohen në këtë libër shënjojnë vepra identitare që i shtojnë letërsisë shqipe vlerë.
Kanuni, Kangët e Kreshnikëve, përrallat, sipas Shalës janë kryvepra gege, që me autenticitetin e tyre mitologjik e social, japin shenja të forta identiteti, sepse ato burojnë nga vetë populli.

Kur jemi tek dialekti gegë, Shala e konsideron At Zef Pllumin si “Gegën e fundit”, apo edhe si “Françeskanin e fundit”. Zef Pllumi me veprën e tij Rrno vetëm për me tregue, përdor kujtesën si dëshmi, ai ishte dëshmitar i një sistemi totalitar që tentoi ta shkatërrojë traditën letrare shqiptare, dhe me të vërtetë Zef Pllumi jetoi për me tregue, ai me veprën e tij u bë provë jete, vepra e tij sipash Kujtim Shalës mund të konsiderohet si vepër e epokës. Vepra përmban në vete dy dëshmi, njëra kulturore e tjetra historike, dëshmia e parë është dëshmi gjuhe, kurse e dyta dëshmi jete. Zef Pllumi ashtu si Fishta e shumë të tjerë, i takonin shkollës Françeskane të Shkodrës, tek françeskanët mbizotëronte binomi Atme e fe, ky binom u bë edhe identitet i veprave letrare Françeskane.
Vepra monumentale e Fishtës, epi Lahuta e Malcis, përmban pikërisht këto dy vlera, si shenja identitare kulturore, epi i Fishtës sipas Kujtim Shalës, ka frymë krishtere, por ka edhe elemente të shumta kulturore, historike e kombëtare shqiptare, që natyrisht përmbajnë identitet.
Periudhë tjetër identitare  e letërsisë tonë ishte, periudha e Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Në mesin e atyre veprave letrare, e kemi një vepër me autor Sami Frashërin, që idetë rilindase provon që t’i vendos në një traktat, me emër Shqipëria çka qenë, ç’është e ç’do të bëhetë? Kjo vepër përmban vlera identitare historike, kulturore e ideologjike.
Autorët si Barleti, Bogdani, Fishta, Zef Pllumi, Lasgushi, Koliqi, Migjeni, Mjedja, M. Kokolari, Sabri Hamiti, Zenjullah Rrahmani e plot autorë të traditës kulturore shqipe, Shala i konsideron si shënjues të letërsisë identitare shqipe.
Problemi i identitetit, është fenomen që diskutohet edhe në ditët e sotme, sepse identieti nuk fillon e mbaron me epoka të caktuara, identiteti është kulturë, dhe si kultura edhe ky zhvillohet e merr trajta të ndryshme. Identitetin, Kujtim Shala e sheh si formim, por më shumë si pikëpyetje, ai me të drejtë shtron disa pyetje që kanë të bëjnë me identitetin, pyetje që duhet diskutuar, sepse sipas tij përmes pyetjeve mund të hapet apo të mësohet për identitetin. Pyetjet që ai i shtron e nuk jep përgjigje, por vetëm i shtron për hir të diskutimit kanë të bëjnë kryekëput me identitetin kulturor të vendit e edhe të njeriut.
Disa nga ato pikëpyetje që ai  shtron e i ka lënë të hapura në veprën e tij janë:

Kush janë Kosovarët?
Evropianë të vjetër apo të rinj?
Sa maten me Katedralen e me xhamitë?
A lejon gjuha shqipe të jesh kosovarë?
A të bëjnë vendi e shteti kosovar?[3]


Krejt në fund mund të themi që kjo vepër e Kujtim Shalës, është vepër që provon të argumentojë idenitetin përmes letërsisë e kulturës shqipe. Letërsia siç thotë ai, është shoqëruese e jetës shqiptare me gjitha elemenet e saj, historike, kulturore e politike.

(Punimi është paraqitur në lëndën Letërsi aktuale shqipe, në studimet master, Dega e Letërsisë Shqipe, Fakulteti i Filologjisë, Prishtinë). /KultPlus.com


[1] Shala, Kujtim, Identiteti i pa/zbuluar, Prishtinë, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, f.20

[2] Po aty, f.21

[3]  Shala, Kujtim, Identiteti i pa/zbuluar, Prishtinë, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, f.85

Agata Çetta vjen me ide kreative, paraqet artefaktet kulturore në artikuj të ndryshëm

Qendrim Badalli

Agata Çetta ka ardhur ditëve të fundit me një ide shumë kreative për publikimin e ekspozitës virtuale “Riatdhesimi” ku ka dizajnuar artikuj të ndryshëm me artefaktet kulturore të Kosovës, shkruan KultPlus.

Ajo në një prononcim për KultPlus, fillimisht foli për ekspozitën dhe më pas edhe për atë se si i ka ardhur ideja.

“Javën e kaluar e kam publikuar ekspozitën virtuale “Riatdhesimi” në kuadër të pogramit të Muzeut të Kosovës me rastin e shënimit të ditës ndërkombëtare të muzeve, që ka pasë si qëllim thirrjen e gjerë publike në lidhje me çështjen e kthimit te artefakteve te trashegimise kulturore te Kosoves te cilat mbahen ende ne Beograd. Ideja për dizajnimin e artikujve të ndryshëm me artefaktet e Kosovës ka ardhë natyrshëm, është thjeshtë një ndrrim i mediumit”, ka thënë Cetta.

Tutje, për KultPlus, ajo ka treguar për idenë që t’i paraqes artefaktet kulturore të Kosovës në artikuj të ndryshëm.

“Punimet që i kam prezentuar në ekspozitë janë unike dhe kjo ka qenë një shtytje që unë t’i paraqes këto artefakte edhe në artikuj të përditshëm që të jenë më afër artdashësve dhe poashtu përmes tyre të përhapen vlerat kulturore të Kosovës. Mundohem që artefaktet të jenë reprezentative për periudhen kur janë krijuar dhe për temën që trajtojnë.Kam dizajnuar artikuj që përdoren kryesisht, por jo vetëm, nga moshat e reja”.

Për fund z.Cetta, ka folur për qëllimin si dhe ka shprehur urimin e saj për trashëgimin kulturore.

“Qëllimi ka qenë të ndikohet më shumë kjo grupmoshë e popullatës duke kombinuar trashegiminë kulturore me kontekstin modern. Shpresoj që kjo iniciative të pëlqehet dhe të vazhdohet prezantimi i vlerave të trashegimise kulturore”.

Linku ku ndodhen produktet:

https://teespring.com/stores/kosovo-cultural-heritage?fbclid=IwAR1sSSXDJG8jlhcXonwzW28jWBBPrluisv3MhQ9y_9cmXYcFyGUrmHZagW8

Mozaiku i Dersnikut
Okarina

Kundërshtohen emërimet e reja në UP, studentët kërkojnë anulimin e zgjedhjeve

Disa nga organizatat e studentëve të Universitetit të Prishtinës, të mbështetur nga shoqëria civile, kanë mbajtur sot një protestë para Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Nëpërmjet kësaj proteste ata kanë kërkuar anulimin e vendimit të ministres në detyrë të Arsimit, Hykmete Bajrami, për emërimin e tre anëtarëve të këshillit drejtues, si dhe anulimin e mbajtjes së zgjedhjeve në këtë institucion të lartë arsimorë.

Me anë të kësaj proteste, përveç që shprehën pakënaqësi, ata gjithashtu kërkuan nga Ministrja Bajrami, që të tërheq vendimet ose të dorëhiqet nga pozita.

“Yllka Brada Bridal” bën diferencën, sjell koleksionin e munguar deri tani në Kosovë (FOTO)


Jeta Zymberi

Të bësh diferencën nuk është e lehtë, por shpirtrat artistik dinë të befasojnë gjithmonë. Linja e re “Yllka Brada Bridal” që është destinuar ekskluzivisht për nuset, ka sjell një koleksion që shpërfaq një nuse ndryshe nga ato që jemi mësuar t’i shohim tek ne, shkruan KultPlus.

Ditën e martesës, vajzat e projektojnë në detaje, shijet janë të ndryshme e veçantia nuk duhet të mungojë asnjëherë në ditën e tyre më të veçantë.
Disenjatorja Yllka Brada duke dashur të sjell një nuse plot elegancë, thjeshtësi dhe me elemente ekstravagante në vete, po shpalos këto ditë koleksionin e saj më të ri i cili ishte i munguar deri më tani në Kosovë.
Në një intervistë për KultPlus, Brada ka treguar që ky koleksion vjen si bashkëdyzim i ideve të saj me ato të shoqërisë.

“Kosovës i ka munguar një linjë e tillë e sidomos një nuse e tillë. Unë personalisht do t’i vishja me kënaqësi të gjitha këto veshje. Fillimisht e kam bërë një hulumtim duke i pyetur shoqet se çka do të donin të vishnin në ditën e tyre më të veçantë? Idetë që mi kanë dërguar, kanë qenë shumë në përputhje me idetë dhe skicat e mia, kështu kam vazhduar punën për të sjell këto veshje.”

Kryesisht, koleksionet e fustaneve të bardhë janë më ekstravagantë dhe të ngarkuar, por Yllka pikërisht këtë e ka thyer përmes këtij koleksioni.

“Unë jam e tillë. E dua elegancën dhe thjeshtësinë, por gjithmonë kam dëshirë të prek pak me ndonjë detaj më ekstravagant diku në veshje. Andaj ky koleksion është ajo që unë e dua dhe e punoj më dëshirë.”

Duke qenë një qasje ndryshe, ky koleksion ka hasur në pëlqime të shumta, nuset moderne nuk po mungojnë.

“Fotot e koleksionit jam duke i prezantuar gradualisht. Ende nuk është prezantuar i tërë koleksioni, por deri këtu kam marrë shumë pëlqime dhe lëvdata prej shtresës së klientëve që edhe e pëlqejnë këtë stil.”

Këtë koleksion e veçon diferenca, thjeshtësia dhe prerjet e veçanta.

“Unë mendoj që vendit tim i është dashur një “nuse” e tillë. Ka shumë vajza moderne të cilat dëshirojnë ta vejnë kurorë me një palë pantallona të gjerë ose korsetë me pendla, apo edhe ndonjë fustan jo të gjatë, ka të tilla që dëshirojnë të martohen në bregdete dhe unë kam krijuar edhe vello plazhi.”
Bashkë me koleksionin, Brada na sjell edhe një mesazh për të gjitha vajzat që pritet të bëhen nuse.

“Koleksion e kam sjell në këtë kohë jo krejt rastësisht. Mendoj se është adekuat për dasma private dhe intime…, ku një çift mund të realizojë foto më artistike, një drekë apo aheng familjarë e ku nusja edhe me thjeshtësi mund të shkëlqejë.”

Koleksioni përmban gjithsej 10 veshje dhe tashmë gjendet në atelienë e Yllkës.

“Të interesuarit mund të caktojnë termin e të vijë t’i shohin nga afër fustanet dhe unë do të merrem me secilin klient veç e veç, do t’i studioj ata dhe eventin që do ta mbajnë si dhe ridizajnojmë dhe krijojmë diçka enkas për ta”, thotë Brada.

Përmes fotosesioneve, Brada do të vazhdojë të sjell edhe më tutje veshje të reja për të dyja gjinitë. / KultPlus.com

Sot bëhen 27 vjet nga përqafimi i fundit i “Romeos dhe Xhulietes” nga Sarajeva

Ai ishte një serb 15 vjeçar, ajo 16 vjeçare myslimane. Bosko Brkic dhe Admira Ismic u takuan në një festë të Vitit të Ri në Sarajevë. Ata ishin bashkë për nëntë vjet, derisa u vranë në maj të vitit 1993.

Në tentimin e tyre pa sukses për tu larguar nga Sarajeva, çifti provoi të kalonte nëpër urën Vrabna, e njohur si vendi ku u vranë në vitin 1993 dy studente, Suada Dilibegovic dhe Olga Sucic, nga një snajper.

Historia e ‘Romeos dhe Xhulietës’ nga Sarajeva është një tregim i durimit, forcës dhe emocionit.
Kur nëna e Boskos e kishte pyetur Admirën se kush do ta ndante atë nga i dashuri i saj, ajo tha – “Vetëm plumbat”. Gjeneratat e reja mund të mësojnë se çifti pati ndjenja, pati jetë mes vete, patën momente gëzimi deri në vrasjen e tyre.

Historia është e njohur sidomos për qytetarët e Bosnjës, shkruan KultPlus.

Babai i Admirës, Zijo, ka disa fjalë për këtë dashuri e cila përfundoi në plumba të armikut.
“Vdekja e tyre është e pabesueshme, nuk e besoj as sot, të rinj të etur për jetë që u shuan nga vdekja, të gjitha planet e dëshirat u zhdukën me një të shtënë. Kjo është dëshmia se dashuria nuk mund të triumfojë, nuk mund të fitojë mbi njerëzit që nuk besojnë në të”.

Për dyshen është realizuar edhe një dokumentar, në vitin 1994, me titull “Romeo dhe Xhulieta në Sarajevë”. Nëna e Boskos, Rada, nuk është kthyer më kurrë në Sarajevë, sepse ajo nuk mund të ecë nëpër rrugët e njëjta ku ka ecur djali i saj.

Ka shumë më shumë informacion mbi dashurinë e cila bashkoi dy familje të frikësuara nga Bosnja e viteve 90-të.
Tanja shoqja e ngushtë e Admirës, tregon se ajo ishte e buzëqeshur, e lumtur.

“Ishim të ndryshme. Ajo interesohej në gjëra të cilat mua më dukeshin të çuditshme. Ka qenë një vajzë jo e zakonshme, ka ditur të rregullojë vetura të prishura dhe të voziste biçikletën”.

“Ndërsa Bosko ishte ndryshe. Më i relaksuar, më i qetë. Ai kishte sharmin që nuk e sheh në shumë njerëz” tregon Tanja.

Dyshja nderohen sot tek ura ku u pushkatuan gjatë 1335 ditëve të Sagës së Sarajevës. / KultPlus.com

Ja la emrin vajzës Republikë, u burgos dhe më pas u ekzekutua në Burgun e Dubravës nga forcat serbe

email sharing button
sharethis sharing button

Jeta Zymberi

Si popull, kosovarët në vitet e 90’ të gjithë kishin një dëshirë, Kosovën Republikë. Kjo dëshirë shumë prej tyre ju kushtoi me jetë, por kjo nuk kishte rëndësi përpara realizimit të qëllimit dhe dashurisë së madhe për atdheun, shkruan KultPlus.

Në vitin 1990, Kosova u shpall republikë dhe në vitin 1991 shtet i pavarur, mirëpo nuk arriti ta jetësonte pavarësinë e vet në rrethanat e pushtimit ushtarak serb që zgjati plot një dekadë (1989–1999). Në këto rrethana të okupimit serb, qytetarët ishin të mobilizuar dhe më të gatshëm se kurrë që të luftojnë për të drejtat e tyre në secilën mënyrë.

Po atë vit kur Kosova u shpall republikë, lindi edhe një vajzë në familjen Tahiri, këtë gëzim familjar, babai i saj Abdullah Tahiri, vendosi ta pagëzoj me emrin Republikë.

Ndonëse në rrethana të rënda dhe duke rrezikuar jetën ai nuk hoqi dorë nga vendimi i tij dhe përkundër mundësisë së madhe që të ndëshkohej me jetë nga regjimi serb gjë që nuk vonoi dhe ndodhi.

Siç tregon edhe Republika, tashmë 28 vjeçare,  në atë kohë nëse vetëm inicialet KR (Kosova Republikë) i përdorte dikush, mund të dënohej deri më 20 vite burg, por babi i saj rrezikoi dhe i vendosi një emër të tillë vajzës.

“Emri Republikë më bënë shumë krenare, më zgjon emocione për faktin që babi im më la këtë emër në një kohë kur populli shqiptar i Kosovës e shpalli Kosovën Republikë të pavarur nga Serbia. Këtë akt e kundërshtoi fuqishëm Serbia dhe mbar Jugosllavia që ndërmorën një fushatë të egër të burgosjes dhe dhunës ndaj shqiptarëve”, thotë Republika për KultPlus.

“Përkundër kundërshtimit të zyrtarëve shtetëror që të mos më regjistrojnë me këtë emër, babai im mori guximin dhe i vuri ata para aktit të kryer që të më regjistrojnë si Republikë. Baba im Abdullahu, ishte i bindur që Kosova do të bëhet Republikë sepse ai me shokët kishin punuar gjatë dhe ishin përgatitur edhe ushtarakisht që Kosovën ta çlirojnë nga Jugosllavia dhe Serbia si dhe ta bëjnë shtet të pavarur ashtu siç edhe u bë shumë shpejt”, thotë tutje ajo.

Në vitet në vazhdim shumë luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u arrestuan dhe po mbaheshin në burgun e Dubravës, në mesin e tyre edhe Abdullah Tahiri. Aty, paramilitarët serb provuan të gjitha format e torturave çnjerëzore. Të burgosurit, ekzekutoheshin, torturoheshin në forma të ndryshme të lidhur me pranga dhe kjo masakër konsiderohet nga më të mëdhatë në Kosovë nga regjimi serb.

Më datë 19 maj u bënë plot 20 vite nga masakra në Burgun e Dubravës, aty ku janë vrarë 160 të burgosur shqiptarë dhe janë plagosur më shumë se 300 të tjerë.

Në këtë masakër e cila zgjati deri më 24 maj, në mesin e të vrarëve ishte edhe Abdullah Tahiri, babai i vajzës që sot bart emrin Republikë.

Ai vdiq, por dëshira e tij jetësore të cilën e ‘skaliti’ edhe në vajzën e tij, u realizua disa vite më vonë dhe Republika sot ndihet krenare që bart këtë emër dhe që ëndrra e babait të saj është realizuar.

Republika, vajza e cila sot jeton në Malishevë të Gjilanit dhe studion psikologji, vazhdon të ketë emocione kur flet për emrin e saj të cilin thotë që e bart me shumë përgjegjësi e respekt.

Një respekt të veçantë ajo ka pasur edhe në shkollë.

“Kur e kam filluar shkollën shokët dhe shoqet më kanë pranuar shumë mirë me këtë emër dhe nuk kam pasur asnjë shqetësim. Përkundrazi jam ndie mirë dhe krenare që bart këtë emër domethënës që është synim i popullit për liri dhe pavarësi. Të gjitha zhvillimet në atë kohë kanë qenë në favor të emrit tim Republikë. Dalëngadalë erdhi dita kur edhe me luftë të armatosur Kosova u çlirua nga Serbia dhe u bë definitivisht Republikë e pavarur dhe sovrane me 27 shkurt 2008. Kështu u vërtetua praktikisht vizioni i babait tim Abdullahut që më la këtë emër për çka jam shumë e lumtur dhe e barti me krenari të veçantë”, thotë Republika për KultPlus.

Në vendin tonë ndodhë shpesh që emrat të shkurtohen apo të vendosin pseudonime, por tek Republika, përkundër emrit të gjatë, kjo nuk ka ndodhur. Të gjithë e thërrasin me emrin e plotë.

Një tjetër emocion për Republikën ishte edhe data 17 shkurt 2008 kur edhe u shpall Kosova e pavarur, me këtë rast u plotësua edhe ëndrra e të gjithë atyre që sakrifikuan për këtë ditë.

“Dita e shpalljes së pavarësisë është festë e të gjithë shqiptarëve por për mua festë e veçantë. Atë ditë e kam edhe ditëlindjen e gjyshes sime që përputhet me shpalljen e pavarësisë. Kjo ditë është realizim i ëndrrave tona për shtet të pavarur dhe sovran të cilin e arritëm me shumë përpjekje sakrifica dhe me gjakun e dëshmorëve”, u shpreh krejt për fund Republika. /KultPlus.com