Organizata Studentore, Studim Kritikë Veprim përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se nesër në ora 11:00 do të protestohet para Ministrisë së Arsimit.
Nga kjo organizatë studentore kanë kërkuar që t’i bashkohen në protestë edhe studentë tjerë të UP’së teksa kanë sqaruar se po protestojnë si kundërshtim për emërimet e fundit në Këshill Drejtues.
“Nesër prej orës 11:00 duke respektuar rekomandimet e Institutit të Shëndetit Publik dhe duke ruajtur distancën sociale, ftojmë studentët e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” të na bashkohen në protestë kundër vendimit të padrejtë të Ministrisë së Arsimit për emërimin e tre personave në Këshillin Drejtues, dy prej të cilëve janë shërbyes të kolegjeve private. Si organizata studentore para disa ditësh kemi bërë thirrje që ky vendim të zhbëhet por sot ministrja ka refuzuar një gjë të tillë. Andaj ne jemi të detyruar të protestojmë kundër këtij vendimi e kësaj qasje. MAShT fokus parësor duhet të ketë ngritjen e Universitetit të Prishtinës dhe jo minimin e brendshëm të tij nga influencat e kolegjeve private”, thuhet në njoftim.
“Vendimi për emërimin e punonjësve të kolegjeve private në Këshillin Drejtues të UP-së, është cënim i autonomisë së UP-së, është i papranueshëm dhe e vë në rrezik cilësinë e arsimit të lartë në vendin tonë. Për neve si e tillë do të jetë një çështje që do t’i shkojmë deri në fund, siç i kemi shkuar rastit të ish rektorit Ibrahim Gashi, ish prorektores Teuta Pustina dhe rasteve të tjera të profesorëve që janë shkarkuar për arsye të ndryshme. Universiteti është yni, ne nuk do të heqim dorë nga ai, siç nuk kanë hequr dorë as prindërit e gjyshërit tanë që nga viti 1968 e deri më sot. Shihemi nesër në aksionin protestues”, thuhet në njoftim./Express/
Ka zgjatur pak më shumë se 2 orë protesta e thirrur në Tiranë nga “Aleanca për mbrojtjen e Teatrit”.
Por Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit paralajmëroi një tjetër protestë, të mërkurën në orën 17:30.
Në mbyllje të tubimit të kësaj të hënë, Robert Budina, njoftoi se protestat do të vazhdojnë. “Ata që deshën ti bënin varrin teatrit kombëtar do të kenë varrin politik në këtë teatër”, tha Budina.
Edmond Budina: Teatri rron, Teatri nuk vdes. Shqipëria nuk e ul kokën. Shqipëria nuk e duron dot diktaturën. Ne jemi këtu për të treguar këtë që në Shqipëri nuk do vendosët më kurrë diktatura. E kuptoni sesa e tmerrshme është kjo që ndodhi. Në 17 maj të 1945 u themelua teatri profesionist dhe në 17 maj, mafia në bashkëpunim me pushtetin e shembën teatrin, kriminelët! E kuptoni si punojnë. Edhe me simbolikat, për të na ulur kokën. Ne do rrimë edhe 200 vjet për të mbrojtur teatrin dhe kulturën tonë.
Nuk është e thjeshtë dhe të gjithë njerëzit që kanë protestuar do ngelen përherë njerëz të nderuar dhe jo si ata që duan ti bëjnë varrin kulturës. Ata që deshin ti bënin varrin teatrit kombëtar, ata do të kenë varrin e tyre politik në këtë teatër. Varri i tyre do të jetë këtu.
Budina bëri thirrje për bashkim të të gjithë shqiptarëve, pavarësisht ndasive politike.
Edmond Budina: Këtu na kanë futur edhe sabotatorë, ndaj duhet të jemi të bashkuar. Këtu me ne janë të gjithë qytetarët që e duan Shqipërinë dhe kulturën e tyre. Ata që provokojnë duan të na përçajnë. Çdo politikan në këtë shesh është i mirëpritur, qofshin këta socialistë që duan vendin e tyre. Ne duam bashkimin e kombit. Ne duam, paqe dhe qetësi. Ne kemi nevojë për zhvillim. Nuk kemi nevojë për disa njerëz që na ndyjnë.
Sot është dita Ndërkombëtare Muzeut dhe fatkeqësisht ende nuk e bëmë një muze të denjë, me vlera historike meritore që trajton dhe rikujton ato që kemi përjetuar si shqiptarë të Kosovës, nën trysnitë për gjenocid, spastrim etnik dhe eksod.
Muzeu është ndërtuar si një simbol në shoqërinë perëndimore që nga Rilindja. Ky simbol është kompleks dhe shumë-shtresor, duke vepruar si shenjë e dominimit dhe çlirimit, të të mësuarit dhe kohës së lirë. Si vende për ekspozitë, përmes koleksioneve, shfaqjeve dhe ndërtesave, muzetë ndërmjetësojnë shumë nga vlerat bazë të shoqërisë. Por këto janë subjekt i kontestimit, dhe muzeu mund të shihet gjithashtu si një vend për politikën kulturore.
Në shoqëritë post-koloniale, muzetë kanë ndryshuar rrënjësisht, duke u reinventuar nën trysninë e shumë forcave, të cilat përfshijnë role dhe funksione të reja për muzetë, racionalizëm ekonomik dhe lëvizje drejt një aksesi më të madh demokratik. Kuptimi i Muzeut analizon dhe shqyrton marrëdhëniet midis muzeve dhe publikut të tyre. ‘Muzetë’ janë kuptuar shumë gjerësisht, për të përfshirë galeritë e artit, vendet historike dhe shtëpitë historike.
‘Marrëdhëniet me publikun’ gjithashtu kuptohen shumë gjerësisht, duke përfshirë ndërveprimet me artefaktet, ekspozitat dhe arkitekturën, të cilat mund të analizohen nga një sërë perspektivash teorike. Këto përfshijnë studimet e kulturës materiale, komunikimin masiv dhe studimet mediatike, si dhe teoritë e të mësuarit dhe studimet kulturore. Analiza e marrëdhënieve të muzeut me publikun e saj e zhvendos theksin nga muzeu si tekst në studime të bazuara në marrëdhëniet e trupave dhe vendeve, identiteteve dhe komuniteteve.
Rëndësia historike dhe kulturore e Muzeut të munguar të luftës
Kosova ka histori që duhet dokumentuar. Por, deri tash kësaj historie lufte e sakrifice, rezistence, dhimbjeje e rezilience, humbjeje e shkatërrimi, masakrave e gjenocidi nuk iu kushtua një institucion që tregon se çka ka përjetuar populli ynë. Kur vetë shqiptarët nuk po i kujtuakan, si t’i kujtojnë të tjerët. Ose nëse shqiptarët i paskan harruar, pse mos i harrojnë edhe të tjerët.
Fatkeqësisht, sot në Prishtinë ende nuk ka së paku një muze të denjë, i cili do të tregonte aparteidin dhe terrorin që regjimi i Beogradit e ka kryer ndaj shqiptarëve të Kosovës gjatë shekullit që e lamë pas, po sidomos gjatë viteve 90-ta. Gjatë gjenocidit serb në Kosovë, u vranë mijra njerëz, mbi 6000 të zhdukur në rrethana të paqarta, ende mbi 1600 persona të pagjetur, rreth 20 000 gra të dhunuara.
Sot qeveria serbe mohon krimet e kryera në Kosovë, ndërkohë qytetarët mbajnë vetëm kujtimet e përvojat individuale e brenda familjes. Si rrjedhojë, sikurse çdo vend i botës që tregon historinë e vet, edhe populli shqiptar i Kosovës ka nevojë të lë gjurmë të historisë së vet në një institucion siç është muzeu historik. Por, në rastin tonë kjo nuk mjafton. Populli jonë ende ka plagët e freskëta pasi që shumë krime mbeten të paevidentuara, prandaj është e rëndësishme të krijohet qendra për hulumtimin e krimeve të luftës. / KultPlus.com
“The New York Times” i ka dedikuar një artikull heronjve që janë përballur me vështirësitë e krijuara nga COVID-19 e mbi të gjitha atyre që i kanë shërbyer komunitetit çdo ditë duke u përballur me rrezikun e inferktimit. Mes historive nju jorkeze është edhe ajo e dy vëllezërve Rrahami.
Duke u rritur në Kosovë, Genc Rrahami ëndërronte për që kur të rritej do të jetonte në New York City.
“Mendoja që në SHBA ka shumë para”, tregonte një ditë Genci. “Dhe se unë do të punoja pa u lodhur dhe të hapja një biznes, dhe të krijoja një të ardhme të bukur me një familje të bukur”.
Genci arriti në Manhattan dy vjet më parë dhe gjërat kishin filluar të rregulloheshin. Vëllai i tij më i madh, Genti, punon super dhe e ndihmoi të gjente një punë si “doormen”, portier, në lagjen Greenëich Village.
Në muajin shkurt, ëndrra e Gencit për të hapur biznesin e tij u plotësua kur vëllezërit Rrahmani hapën “G’s Café”, një kafene në Upper East Side.
Nuk kishte qenë momenti i duhur. Gjashtë javë pasi ishte hapjes me ceremoni, “G’s Café” u mbyll për shkak të pandemisë. Kurse sa i përket punës së tij normale, në vend që të hapte e mbyllte dyert e të ndalonte taksitë, Genci papritmas përpiqej të shmangte infeksionin, ndërsa me maskë e me doreza, pastronte banakun, organizonte plehrat, dhe administronte përmbytjen me pako nga kompania Amazon.
Kjo nuk ishte puna që mendonte se do të kryente kur filloi; kjo nuk ishte jeta që kishte ëndërruar. Mirëpo, shpejt, e gjeti një mënyrë për t’u shquar edhe në këtë situatë. Punëtorë të tjerë ndërtesash që cilësuar “esencialë” (thelbësorë) që nga muaji mars do t’i përgjigjeshin gjithashtu kushtrimit.
Ndërkohë që qyteti vetëizolohej, portierët, hamallët, hidraulikët e punonjësit e tjerë të mirëmbajtjes kanë mbajtur gjallë mijëra pallate banimi në New York, ku ngujohen banorët e tyre. Nga qiellgërvishtësit me doreza të bardha, në Avenunë e Pestë, te pallatet kooperativë të shtresës së mesme në Queens, te komplekset e strehimit publik, pallatet e mëdha të banimit kanë nevojë për ta më shumë se kurrë. Kështu që ata vijuan të punojnë, në vijën e parë të frontit të qyteteve të tyre vertikale në miniaturë.
Disa punonjës të stafit të pallateve të banimit u habitën dhe u zhgënjyen kur morën vesh se u ishte dhënë statusi “esencial”, kurse të tjerë u janë përveshur përgjegjësive shtesë, pavarësisht nga kërcënimi i sëmundjes dhe i humbjes së punës. Pastaj, janë edhe ata si Genci, që shkojnë përtej detyrës, duke dëshmuar talente të panjohura, aftësi, dhe interesa për të ndihmuar njujorkezët e tjerë që të mbijetojnë.
Disa superë që jetojnë në ndërtesat që mirëmbajnë kanë larguar që aty gratë dhe fëmijët. Ka pasur edhe që kanë vdekur nga virusi.
Sipas sindikatës (unionit) së tyre, SEIU 32BJ, deri në 12 maj, mbi 230 nga 35,000 anëtarët e seksionit të pallateve të banimit kanë dalë pozitivë, ndërsa 39 janë konfirmuar që kanë vdekur nga Covid-19.
… Disa punonjës të ndërtesave do të kishin preferuar pushimin nga puna. “Po të më kishin thënë, ‘dëgjo po të heqim nga puna, do marrësh asistencën dhe do të të mbeten përfitimet sociale’ do ta kisha pranuar në sekondë”, thotë Joseph Gramble, baba i divorcuar i dy adoleshentëve që punon si portier në 1225 Park Avenue. … Mirëpo, ajo që tremb në mënyrë të kuptueshme disa portierë, ka frymëzuar disa të tjerë që të hidhen në veprim.
Genc dhe Genti Rrahmani, për shembull, kanë rihapur “G’s Café” në javët e fundit dhe të martën e të enjten, kanë nisur një ritual të ri. I mbushin karrelat-shporta të ushqimeve me qindra kafe dhe ëmbëlsira nga dyqani i tyre dhe ia u çojnë personelit të emergjencës, aty afër, duke ua dhuruar falas. Kjo përpjekje është sponsorizuar pjesërisht me donacione nga “Metropolitan Building Managers of New York”, një grup superash e menaxherësh të ndërtesave.
Një ditë nga këto, ishin duke u çuar mëngjesin infermierëve dhe mjekëve në Spitalin Mount Sinai Kravis të Fëmijëve. Bashkë me ushqimet u dhuruan edhe një thes me lodra për pacientët e tyre të vegjël.
“Nuk e bëjmë për para”, thotë Genci. “E bëj për veten time, për kënaqësinë e zemrës sime. Sepse e dimë se çfarë do të thotë të jesh një punëtor thelbësor — dhe këta njerëz janë duke punuar për të gjithë ne. Jo vetëm për mua apo për ty, por për këdo”. /illyria/ KultPlus.com
“Ajo që i jep vlerë udhëtimit është frika. Është fakt që, në një moment të caktuar, kur jemi shumë larg prej vendit tonë (një gazetë franceze fiton vlerë të paparashikueshme dhe ato mbremje kur, nëpër kafene, provon t’u afrohesh njerëzve, për t’i prekur me bërryla), mbërthehemi nga një frikë e paqartë dhe një dëshirë instiktive për t’u kthyer nën mbrojtjen e shprehive të vjetra. Kjo është dobia më e madhe nga të udhëtuarit.
Në atë çast, na kapin ethe, por gjithashtu bëhemi të depërtueshëm, ashtu që prekja më e vogël na shkakton të dridhura deri në thellësitë e qënies sonë. Arrijmë matanë një ujëvare drite dhe ja: përjetësia.
Kjo është arsyeja pse nuk duhet thënë se udhëtojmë nga kënaqësia; nuk ka kënaqësi nga udhëtimi, e shoh më tepër si një mundësi të një sprove shpirtërore. Nëse e kuptojmë gjykuar nga kultura këtë sprovë – ajo e përjetësisë – të ndjesisë sonë më të afërt, atëherë udhëtojmë për kulturë.
Kënaqësia na largon aq shumë prej vetes në të njejtën mënyrë sikurse e bën çmenduria; apo në përdorimin paskalian të fjalës, na largon prej zotit. Udhëtimi, që është i ngjashëm me shkencën me të madhe skalitëse, na kthen prapa tek vetvetja.
– Bertrand Russell, “Pushtimi i lumturisë”
“Përse propaganda është shumë më tepër e suksesshme atëherë kur ajo e nxit urrejtjen se sa atëherë kur ajo tenton të nxisë ndjenjat miqësore? Arsyeja duket e qartë përderisa zemra njerëzore ashtu siç e ka bërë civilizimi modern, është shumë më e prirur drejt urrejtjes se sa drejt miqësisë.
Dhe është e prirur drejt urrejtjes sepse është e pakënaqur, sepse ajo e ndjen thellësisht, madje ndoshta edhe në mënyrë të pavetdijshme, që në njëfarë mënyre e ka humbur kuptimin e jetës, dhe që ndoshta të tjetër dhe jo vetë ne, i kanë siguruar gjërat e mira të cilat natyra i ofron për kënaqësinë e njeriut.”
– Fyodor Dostoyevsky, “Krim dhe Ndëshkim”
“Arratia ka boll poshtërim dhe mundim, ndërsa juve ju duhet jetë e qetë, e përcaktuar mirë, me ajër. Edhe në i’a mbathshi, përsëri do ktheheni. Nuk bëni dot pa ne!
Do ju mbajmë nja tre muaj prapa hekurave dhe pastaj vetë do vini për ta pranuar fajësinë. Jam i bindur që edhe punën e vuajtjes do ta keni menduar; tani fjalën time s’e beson, atëherë do ta besoni, vetë keni për të ardhur në këto përfundime.
Se vuajtja, Rodion Romanoviç, është gjë e madhe. Mos më shihni mua që jam kështu i dhjamur, asaj unë nuk i’a kam nevojën, ama fort mirë e di, mos guxoni të qeshni, në vuajtje fshihet ideja!”
Momente tensioni janë krijuar në protestën e artistëve të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit sot në Tiranë.
Në një moment janë dëgjuar dy shpërthime. Më pas në ajër janë ngritur re tymi. Pavarësisht se fillimisht pati një tension mes qytetarëve që po protestojnë, artistët kanë bërë thirrje për qetësi duke e quajtur incidentin si provokim.
Ndërkohë një person është nxjerrë jashtë turmës nga disa të tjerë. Nuk dihet nëse ky person ka qenë ai që hodhi kapsollat, por ndërkohë nuk njihen edhe persona që e kanë shoqëruar jashtë turmës me xhup në kokë./tch/ KultPlus.com
Pas rreth 12 javësh pezullim të procesit mësimor, maturantët janë rikthyer në shkollë për të vijuar me fazën përgatitore për provimet e Maturës Shtetërore.
Nga vëzhgimi i kryer mëngjesin e sotëm nga A2 CNN në disa prej gjimnazeve të qytetit të Durrësit vihet re kujdesi i shtuar i higjienës dhe masave mbrojtëse kundër përhapjes së virusit Covid-19.
Ata mbeten skeptikë për kohën e shkurtër që kanë në dispozicion për t’u përgatitur për provimet që përmbyllin ciklin katërvjeçar të arsimit të mesëm.
Drejtuesit e gjimnazeve pohojnë se mësimi online u ka dhënë mundësinë për të marrë njohuritë e duhura, ndërsa sa i takon masave mbrojtëse pohojnë se janë prioritet i këtyre ditëve që kanë mbetur për të frekuentuar ambientet e shkollave.
Ngacmimet seksuale si formë e kontrollit të hapësirave publike
Me qenë vajzë e grua pashmangshmërisht do mbetesh e detyruar të përballesh me fenomenin e ngacmimeve seksuale. Prej fazës së hershme të pubertetit fillon të përballesh me disa zëra irritues, përçmues, fyes e denigrues që lëshohen në drejtimin tënd, duke ta cenuar integritetin e duke ta mohuar të drejtën elementare për tu ndjerë e lirë e e sigurt në hapësirat publike, të drejtën tënde që të ka takuar prej lindjes e që fatkeqsisht normat mbizoteruese sociale tentojnë mos me të leju me e mësu që ekziston, të drejtën tënde për të cilën historikisht është luftuar e vazhdon të luftohet edhe sot.
Ngulfatesh duke jetuar në një shoqëri që ka mendësi patriarkale. Thyhesh shkaku i pengesave të panumerta që ta vështirësojnë rrugëtimin tënd, pengesa këto të mbështetura në parime shtypëse, diskriminuese, seksiste, raciste, homofobike e përjashtuese që i riprodhon në vazhdimësi patriarkaliteti, i dukshëm e i padukshëm. Gjatë fazave të ndryshme të jetës, vëren se si një kategori sociale ngritet padrejtësisht në piedestalen më të lartë, e vëren se si pushteti e autoriteti që kjo kategori e gëzon po krijon ndarje hiearkike rigjide mes gjinive e racave, dhe jo vetëm. Kupton se si ky pushtet prodhon dije e rrjedhimisht legjitimon padrejtësi gjeneratë pas gjenerate.
Ngacmohesh seksualisht në rrugë, në shkollë, në universitet, në punë e në çdo hapësirë tjetër ku pretendohet që duhet të ju takoj vetëm burrave. Ngacmohesh prej djemve e burrave të cilët pretendojnë që e kanë “prej natyres” me ngacmu e kapacitetet e tyre kognitive pavarsisht ngritjes intelektuale, nuk vihen në funksion për të pranuar një të vërtetë ndryshe. Pavarësisht faktit që ngacmimet seksuale na janë bërë pjesë e përditshmërisë e shpesh si zgjidhje momentale bëhet injorimi i tyre, kjo në asnjë mënyra nuk e legjitimon ngacmimin e ngacumesin nuk e zhveshë nga përgjegjësia e barra e fajit që ka. Ndër të tjerash, të menduarit në mënyrë kritike për këtë fenomen na ka mundësuar të dalim nga orbita e mbyllur të cilën pa vullnetin tonë e ka ushqyer brenda nesh shoqëria, për vite me radhë. Të zhveshura nga këto bindje thellësisht patriarkale e tradicionale, kuptojmë që trupat, veshjet e sjelljet tona nuk janë në asnjë mënyrë faktor që ndikojnë në ngacmimet që ne i përjetojmë thuajse në çdo vend e çdo ditë.
Ngacmohesh e të krijohet ambient i parehatshëm e kërcënues, por në Kosovë krijojnë mekanizma të atillë të cilët pamundësojnë ndjekjen e rrugëve ligjore që i dënojnë kyesit e kësaj vepre penale. Këto tentime nuk vijnë prej mungesës së plotë të ligjit, po prej disa personave që nuk kanë arritë me dal prej kutisë brenda së cilës i ka vendosur shoqëria, e institucionet demokratike i kanë shndërruar në institucione patriarkale. Patriarkalitetin e institucionalizuar e hasim në shumë institucione publike e private, e hasim madje edhe në ato institucione të themeluara mbi parime të iluminizmit e emancipimit shoqëror. Pavarsisht parimeve në të cilat këto institucione arsimore janë të ngritura, nuk përjashtohet fakti që ndër të tjerash edhe në kampuset universitare ndodhin ngacmime seksuale, madje nga persona të cilët gëzojnë pushtet, autoritet e prestigj për shkak të pozitave të larta udhëheqëse e titujve akademik që mbajnë. Tentohet të të bëhet e pamundur rrëfimi që ambientet universitare nuk janë të rehatshme e të sigurta për ty për shkak se drafti ligjor për ngacmimet seksuale brenda Universitetit nuk aprovohet, nuk aprovohet e tentohet vazhdimi i traditës së ndrydhjes së përvojave të hidhura të ngacmimeve që i përjetojmë në objektet e universitetit. Shkaku i keqpërdorimit të pushteti e politikave diskriminuese, si studente ta vështirsojnë adresimin e ngacmimeve që të janë bërë gjatë viteve të studimit. Ta vështirsojnë shkaku i kërcënime që lidhen me shkatërrimin e të ardhmës tënde. Ta vështirësojnë rrëfimin e lirshëm se si ndjehesh e kërcënuar sa herë që shkon në konsultime e profesori e mbyll deren e kabinetit, sa herë që gjatë diskutimit me x profesorin ndjehesh jo rehat shkaku i shprehjes së fantazive të shfrenuara seksuale mes rreshtave për trupin tënd, shkaku i shakave, pyetjeve provokuese, epiteteve ofenduese etj.
Pavarsisht tendencës së vazhdueshme për mohimin e këtij fenomeni brenda kampuseve universitare, ky fenomen është prezent e madje mjaft i përhapur. Manifestimi i raporteve të pabarabarta të pushtetit profesor-studente, nuk do të ndikoj më aq fuqishëm që zëri i shumë studenteve kur flasin për këtë fenomen të mos dëgjohet. Bashkëndjenja që studentet ndër vite kanë pasur për njëra-tjetrën, është kthyer në motërzim ku njëzëri do vazhdojnë të dërgojnë përpara kauza tejet domëthënëse e parimore rreth mekanizmave që e luftojnë këtë fenomen.
Ndikimi i pushteti do mbetët nën hije krahas vullnetit të pashoq që studentet e shoqëria civile e kanë për të punuar drejt dënimit të ngacmuesve seksuale në kampuset universitare, dhe jo vetëm.
Komuniteti i muzeve në mbarë botën shënon sot Ditën Ndërkombëtare të Muzeut.
Me këtë rast, në Muzeun Kombëtar të Kosovës, është nënshkruar edhe një memorandum bashkëpunimi mes MKRS-së dhe Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, të cilët i nënshkruan ministrja Dumoshi e rektori Dema.
Ndër të tjera, Muzeu Kombëtar i Kosovës ka përgatitur një dokumentar të shkurtër për historikun e muzeve në Kosovë. / KultPlus.com
”Pasioni i fjalëve,pasioni i poezisë,pasioni i çdo gjëje që lëviz,që gjallëron, çdo gjë që ia organizon gjuhës një festim gjigant. Ja pra disa fjalë, për ta celebruar siç e meriton, veprën e Skënder Sherifit në të gjitha variantet e saj!
Tmerrësisht emocionues, ky vullnet i autorit, për të thënë gjithçka, për t’i hallakatur, me një gjallëri e guxim të rrallë, Jetët tona të përgjumura dhe monotonisht të qeta. Poezia e Sherifit, e ka ngjyrën e fabrikës së tij, me një stil të të shkruarit unik e personal, dhe me një Univers tepër origjinal. Tekstet e tij, nuk i përngjajnë askujt tjetër ! Janë tëbrumosura me një humanitettë rrallë. Urgjenca ekstreme e tij, për t’i shprehur të gjitha gjërat e mundshmetë kësaj bote, dhe për t’i kundërshtuar pastaj me mjeshtërinë e tij, krijon te lexuesi mrekulli të vërteta. Autori e çon artin e tij Klasik e Barok deri në pafundësinë e mundshme.
Ky festival poetik, ekstatik dhe ngacmues, e lufton frontalisht arsyen tonë të ftohtë. Fjalët e tij teleskopohen në traditën puro Rabelezjane ( e autorit francez klasik të mirënjohur : François Rabelais ) dhe disa vargje të mprehta, sikur Thikat kirurgjikale na zhytin në një Mendim tepër të thellë. “ Mezi shpëtova nga një komë e rëndë dhe e gjatë, në mesin e të çmendurve ! ” Pasuri emadhedhe thirrje solemne e autorit, në revolucionin e ideve dhe të rebelizmit poetik të përjetshëm.
Skënderi e rishkruan historinë në mënyrën e vet, një histori me plot referenca, dhe që tregon një kulturë të përgjithshme të jashtëzakonshme. Të duket se këto tekste, i ka konceptuar, në një gjendje speciale, hipnotike. Sepse poezia e tij, në një dehje sublime dhe të lumtur, nuk fal asgjë dhe askënd! Por e celebron jetën dhe poezinë, si art suprem i kësaj bote njerëzore!”, thuhet në recensionin e Jacques Izorad për librin e Sherifit.
Skënder Sherifi, shkrimtar e poet i njohur, konsiderohet si përfaqësues i denjë i shkrimtarëve shqiptarë që zhvillojnë karrierën e tyre jashtë atdheut. Në një klimë të gjallë intelektuale mes kulturës franceze dhe belge, ai hyri me një autoritet të pabesueshëm.
Me një arsimim të plotë, ai paraqet një sërë krijimesh rreth natyrës njerëzore me një force të tillë, saqë vargu i tij, së fundi, mbizotëron përkrah shkrimtarëve të tjerë më mbresëlënës të kohës. / KultPlus.com
Profesori i parë që më ka folur kundër komunizmit ka qenë Edi Rama. Duke ardhur nga një qytet i dhunuar keqas në vitet e rregjimit, isha mësuar me përshpëritjet nën zë apo në rrethe intime, por kurrë nuk kisha hasur një figurë që, e mveshur me petkun dhe autoritetin e mësuesit të artikulonte aq hapur mendimin ndryshe.
Lidhja ime me Edi Ramën i ka rrënjët tek ky frymëzim antikonformist, tek guximi i fjalës, por edhe i veprimit qysh në protestat e para në Institutin e Arteve deri te lëvizja studentore.
Shumë vite na ndajnë nga ajo kohë e shumë gjëra kanë ndodhur në jetët e seicilit prej nesh. Ka patur momente afrimi e momente largimi, ka patur indiferencë, entuziazëm e shpresë siç ka patur dyshime e mospajtime në distancë.
Kjo ngjan si një histori e rëndomtë marrëdhënieje mes një ish studenti e një ish profesori, por ja që ish profesori ka ngjitur shkallët e pushtetit e sot është kryeministri i Shqipërisë e pikërisht sot ka konsumuar një akt brutal e të pabesë: ka shembur godinën e Teatrit Kombëtar e ka dhunuar njerëzit që për më shumë se dy vite i kishin dalë në mbrojtje. Në fakt kjo është vetëm pika që bëri të derdhet vazoja.
Atëherë në djall ish profesori me gjithë kujtimet e shkollës.
Edi Rama është sot fytyra e dhunshme e pushtetit.
Është i pushtetshmi që nëpërkëmb të ndryshmin e manipulon të dobëtin.
Është pazarxhiu që tregton me të mirën publike.
Është gaztori që tallet mbi viktimën që sapo ka dhunuar.
Është artisti, ah po artisti. Këtu më duhet më shumë se një rrjesht.
Edi Rama pa dyshim ka lënë gjurmë në artin shqiptar. Nuk ështe artisti i dështuar që etiketojnë shpesh herë kundërshtarët e tij. Pa dyshim është ndër ato që rinovuan elementët e shprehjes artistike në vitet 90. Është ndër ata që krijuan modelin e artistit të angazhuar e antagonist me pushtetin. Pa dyshim ka edhe kontributin e vet në hapjen e skenës së mbyllur shqiptare ndaj dialogut me artin bashkëkohor ndërkombëtar si kur ishte ministër kulture apo edhe kur u zgjodh kryetar bashkie në Tiranë. Por pikërisht atëherë zë fill tek ai edhe fara e një arti që bëhet spektakël i pushtetit dhe i një pushteti që manipulon artin.
Me intensitet të ndyshëm, por gjithmonë e më tepër, në këto vitet e fundit, pushteti dhe estetika e pushtetit janë ndërthurur në një simbiozë sa problematike aq edhe të frikshme.
Estetika si dukje, si fasadë e zbukuruar, si shkëlqim i jashtëm i një të brendshmeje që kalbet nga e pavërteta, brutaliteti dhe vulgariteti është sot vepra më evidente e politikanit-artist Edi Rama.
Nuk është Edi Rama artisti i vizatimeve surreale me ngjyra në dokumente zyrtare, apo i qeramikave të abstraguara, por Edi Rama videoartisti i videove marramëndëse me dron për propagandë në facebook, manipuluesi i portreteve të vogëlushëve të vuajtur që presin udhëheqësin t’i bëjë me shtëpi, regjisori i selfie-reality-shoë që rreshton në skenë figurantët për të luajtur spektaklin e tij të pushtetit, por edhe me keq, projektuesi i një shoqërie ku elementet përbërës janë si ngjyrat në tavolocën e piktorit që, nën vizionin e trillit të tij, vendos si t’i shpërndajë, kur t’i ekzaltojë e kur t’i fshijë mbi telajon e realitetit ku vepron.
Ky është artisti i banalitetit uluritës por edhe i një derive të rrezikshme për demokracinë e brishtë shqiptare që duhet ta njohin e, nëse duan, ta ekpozojnë galeritë dhe bienalet e artit nëpër botë, por që për fat të keq, e konsumojnë vetëm qytetarët shqiptarë, ata qytetarë të cilëve ai u shitet si udhëheqës, si kujdestar i trupit dhe i shpirtit, si baba që në fund të fundit i rreh se i do.
Ish profesori dhe artisti Edi Rama ka një vend tashmë në memorien time e aty besoj do të rrijë gjatë.
I pushtetshmi ekstravagant Edi Rama ka sot një kundërrshtar publik me shumë.
Nën kujdesin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, edhe në Kosovë, sot është shënuar Dita Ndërkombëtare e Muzeve.
Në aktivitetin kryesor që është organizuar në Muzeun Kombëtar të Kosovës, morën pjesë personalitete të shumta nga fusha e kulturës, e trashëgimisë si dhe nga ajo akademike, ndër ta, ministrja Vlora Dumoshi, rektori i UP-së, Marjan Dema, zëvendësministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Yll Rugova e drejtues të institucioneve.
Me këtë rast, në Muzeun Kombëtar të Kosovës, është nënshkruar edhe një memorandum bashkëpunimi mes MKRS-së dhe Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, të cilët i nënshkruan ministrja Dumoshi e rektori Dema.
Qëllimi i memorandumit është rithemelimi i Muzeut të Historisë së Natyrës në Kosovë, institucion ky i cili ka funksionuar nga 1951 deri më 2001.
Sipas memorandumit, MKRS-ja ka për obligim të ndërtojë infrastrukturën adekuate për Muzeun në fjalë, me gjithë hapësirat përcjellëse, financimin dhe ndihmesën e mbledhjes së fondeve për eksponatet dhe koleksionin e Muzeut, mbështetjen e vazhdueshme të Muzeut si institucion kulturor publik.
Ndërsa, UP-ja, konkretisht Fakulteti i Shkencave Matematiko-Natyrore, ka për obligim ndihmën në aspektin shkencor dhe teknik të hulumtimeve dhe ekspozitave për Muzeun e Historisë së Natyrës, pasurimin e koleksionit të Muzeut të Historisë së Natyrës, konservimin, kërkimin, mbledhjen dhe përhapjen e diturisë mbi natyrën në Kosovë, vënien në dispozicion të kuadrit profesional për Muzeun.
Në fjalën e saj, ministrja Dumoshi, e vlerësoi se institucioni i muzeut është një thesar i pasur i vendit dhe i rëndësishëm në spektrin kombëtar e ndërkombëtar.
“Sot në Ditën Ndërkombëtare të Muzeve ju siguroj që ta keni mbështetjen time, të vazhdoni angazhimet e juaja dhe punën e juaj të palodhshme në cilësinë e profesionistëve të kësaj lëmie. Ruajtja dhe promovimi i vlerave të trashëgimisë kulturore të vendit tonë është qëllimi ynë parësor dhe i përbashkët. Ne sot do të nënshkruajmë marrëveshjen e bashkëpunimit me Universitetin e Prishtinës me qëllim të rithemelimit të Muzeut të Historisë së Natyrës, në funksion primar si muze dhe si qendër edukimi mbi historinë e natyrës”, tha ministrja.
Ministrja po ashtu u shpreh se shtojnë angazhimin në renovimin dhe funksionalizimin e muzeve tjera, e si prioritet përmendi Muzeun Etnologjik “Emin Gjiku” dhe tha se do të mbështesin edhe muzetë nëpër qytete tjera të Kosovës.
“Ne sot në këtë ditë, po e japim një lajm të mirë, sepse jemi në finalizim me Komunën e Prizrenit për hapjen e Muzeut të Filigranit”, veçoi ministrja Dumoshi, duke u zotuar se do të mbështeten muzetë në Kosovë me qëllim të pasurimit të fondit muzeal dhe ngritjen e kapaciteteve të punonjësve sipas nevojës dhe kërkesës.
Ndërsa rektori Dema tha se është kënaqësi që po nënshkruhet ky memorandum pasi që Muzeu i Historisë së Natyrës do të ketë një rëndësi të madhe jo vetëm për komunitetin po edhe për Universitetin e Prishtinës për shkak rolit edukativ që do të ketë muzeu.
“Muzeu do ta ketë karakterin hulumtues shkencor sepse Universiteti i Prishtinës ka potenciale të mëdha në organizimin e ekspozitave, në ndihmën në ekspertizë që UP-ja do t’ia jep këtij muzeu në organizime të përbashkëta në shumë fusha me çka edhe do të plotësohet edhe një vakum që ka ekzistuar dhe me këtë shfrytëzoj rastin ta falënderoj ministren për projektin në fjalë, i cili është i katërti apo i pesti me Universitetin e Prishtinës”, u shpreh ndër të tjera rektori.
Në fund u shfaq një video-dokumentar i cili tregonte për historikun e muzeve në Kosovë.
18 maji është Dita Ndërkombëtare e Muzeve, që koordinohet nga Këshilli Ndërkombëtar i Muzeve (ICOM), pjesë e të cilit është edhe Republika e Kosovës, dhe çdo vit Kosova e shënon këtë ditë. / KultPlus.com
Ekspozita Ndërkombëtare e Artit, nga kuratorja Cecilia Alemani, e cila pritej të zhvillohej në vitin 2021, është shtyer për në vitin 2020. Pritet të zgjasë shtatë muaj dhe do të mbahet nga data 23 prill deri më 27 nëntor të vitit 2020, njofton KultPlus.
Vendimi për të shtyrë Biennalen deri në 2021 ka ardhur si pasojë e faktorit kohë, pasiqë konsiderohet e pamundur që të bëhet një organizim i tillë në një periudhë që nuk dihet saktë se si do të zhvillohet tutje.
Situata aktuale, deri më tani, ka paragjykuar përfundimisht realizimin e ekspozitës në tërësi, duke rrezikuar realizimin, transportin dhe praninë e punimeve dhe rrjedhimisht cilësinë e vetë ekspozitës.
‘Prandaj, pas konsultimit me Kuratorin Hashim Sarkis dhe duke marrë në konsideratë problemet, arkitektët e ftuar, vendet pjesëmarrëse, institucionet, ngjarjet e kolateralit po përballen, duke falënderuar të gjithë ata për përpjekjet e tyre të deritanishme, La Biennale ka vendosur të shtyjë datën e hapjes’, thuhet në komunikatën për media.
Të gjitha ngjarjet e tjera mbeten të konfirmuara: Festivali i 77-të Ndërkombëtar i Filmit në Venecia me regji nga Alberto Barbera nga 2 deri në 12 Shtator; Festivali i 48-të Ndërkombëtar i Teatrit me regji nga Antonio Latella nga 14 deri në 24 Shtator; Festivali i 64-të Ndërkombëtar i Muzikës Bashkëkohore me regji nga Ivan Fedele, nga 25 shtatori deri më 4 tetor; Festivali i 14-të Ndërkombëtar i Vallëzimit Bashkëkohor me regji nga Marie Chouinard nga 13 deri në 25 Tetor.
‘Me respektin maksimal për punën e bërë nga të gjithë ne, investimet e bëra nga pjesëmarrësit, dhe duke marrë parasysh vështirësitë që të gjitha vendet, institucionet, universitetet, studiot arkitekturore janë përmbushur së bashku me pasigurinë e dërgesave, kufizimeve personale të udhëtimit dhe Covid- 19 masa mbrojtëse që janë duke u miratuar, ne kemi vendosur t’i dëgjojmë ata, shumica, të cilët kërkuan që Bienaale di Architettura të shtyhej. Kam marrë shumë mesazhe që kërkojnë një shtyrje të vitit 2021. Tani planifikojmë të hapim Arkitettura e 17-të të Bienalës në maj 2021 dhe t’i lejojmë asaj një jetë më të gjatë deri në nëntor, siç ishte para pandemisë. Sidoqoftë, Arkitektura do të jetë në Venedik këtë vjeshtë duke organizuar disa ngjarje duke mbajtur në qendër të skenës pyetjen, më relevante se kurrë, për “Si do të jetojmë së bashku?”, ka deklaruar Roberto Cicutto.
‘Jam thellësisht e prekur nga këmbëngulja e të gjithë pjesëmarrësve gjatë tre viteve të fundit muaj’, deklaroi kuratori Hashim Sarkis.
‘Shpresoj që data e re e hapjes do t’i lejojë ata së pari për të kapur frymën e tyre, dhe pastaj për të përfunduar punën e tyre me kohën dhe fuqinë e saj me të vërtetë e meriton. Ne nuk e planifikuam atë në këtë mënyrë. As pyetjen që unë bëra “Si do të jetojmë së bashku? ” as pasuria e mënyrave si përgjigje ndaj saj, nuk kishin për qëllim adresimin e krizës së tyre po jetojmë, por ja ku jemi. Ne jemi në një farë mënyre me fat sepse jemi të pajisur mirë për të përvetësuar implikimet e menjëhershme dhe afatgjata të krizës në Bienalen e 17-të. Tema na siguron gjithashtu mundësinë për t’iu përgjigjur pandemisë në të menjëhershme. Kjo është arsyeja pse ne do të kthehemi në Venecia në muajt e ardhshëm për një seri të aktivitete kushtuar Arkitekturës.’, shprehet tutje ai. / KultPlus.com
Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka zhvilluar një takim me Këshillin Kombëtar për parandalimin dhe sanksionimin e dhunës dhe dukurive në sport ku ka pranuar edhe raportin tremujor të Këshillit.
Kryetari i Këshillit, prokurori Besim Kelmendi, e njoftoi ministren Dumoshi për punën e Këshillit, takimet dhe aktivitetet e ndërmarra për parandalimin dhe sanksionimin e dhunës në sport në vendin tonë, transmeton Klan Kosova.
“Kemi zhvilluar takime të shumta me grupe të ndryshme të tifozëve në komunat e Kosovës si dhe takime me informuese me gjyqtarë dhe delegatë të ndeshjeve për pasojat ligjore kur shkelet ligji për parandalimin dhe sanksionimin e dhunës dhe dukurive negative në ngjarjet sportive. Kemi arritur të pajtojmë shumë grupe mes njëra-tjetrës dhe i kemi njoftuar me pasojat ligjore që presin individët dhe klubet për dhunën e treguar”, u shpreh Kelmendi, duke e informuar ministren edhe për aktivitetet informuese e ndërgjegjësuese që ka ndërmarrë Këshilli.
Në takim u bisedua edhe për fenomenin e kurdisjeve ku Këshilli ka ndërmarrë hapat e nevojshëm dhe ka parandaluar këtë gjë në sportin e Kosovës. Gjithashtu, anëtarët e Këshillit kërkuan nga ministrja Dumoshi që MKRS-ja të miratojë plotësim-ndryshimin e rregullores e cila do të përcaktojë kush do të iniciojë procedurat penale për aktet e dhunës në sport.
Nga ana e saj, ministrja Dumoshi tha se e vlerëson lart punën e Këshillit pasi që ka ndikuar në uljen e nivelit të dhunës në sport në Republikën e Kosovës përmes veprimeve konkrete efikase.
“Sporti është një storie suksesi në vendin duke për shkak të rezultateve dhe reprezentimin e vendit tonë në arenën ndërkombëtare duke ndikuar në përmirësimin e imazhit të vendit tonë. Këto suksese në sport patjetër që pasqyrojnë edhe aspektin organizimit korrekt dhe sjelljen sportive të tifozëve në sportin tonë”, tha ministrja.
Po ashtu, ministrja tha se shumë shpejt do të miratohet edhe rregullorja e cila do të specifikojë aspektet sqaruese për t’i dhënë kompetencat e nevojshme për procedurat që duhet ndjekur ndaj atyre që shfaqin dhunë në sport.
Kreu i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj në një komunikim live shpjegoi se pse duhet një teatër të ri dhe pse u shemb i vjetri në vend të rikonstrukturimit.“Po e bëjmë live meqë jemi dhe në rrjetet socale, që mesazhi të shkojë te të gjithë. Ka qenë një fundjavë shumë e vështirë, Ka nisur një gjueti shtrigash, një lincim publik, por dua tju them që merrni zemër, nqs këto do ishin vendime të lehta do i kishte bërë ai që ishte para meje.
Është një moment i ngjashëm me atë të Astirit. Ka qenë për të gjithë e vështirë , sepse nuk është mirë kur zgjohesh në mëngjes dhe gjen mallkimet të të vdesë djali, nuk është e lehtë.
Them se keta që kanë këtë fjalor nuk kanë shkelur kurrë në teatër. I kuptoj hienat politike dhe lojën e tyre. 8930 m katror sipërfaqja e TK të së ri. pra kjo është 3 fish me atë që ishte, për zonën artistike, 4 auditore, njëri prej tyre i madh me 650 vende, një black box me 150 vend, një tjetër me 350 vende, dhe një të hapur në tarracë. Skena do jetë më e madhja që kemi sot në Republikë, ambiente ndihmëse për aktorët mbi 500 m katror. Do kemi ambiente për përgatitjen e artistëve para se të hyjnë në skenë.
Do ketë një zonë publike, 450 m katror, ambient pritje, do ketë funksione kateringu. ndërkohë pjesa më e madhe e atij të vjetrit kishte 8 lokale ku pihej kafe e raki. Do ketë një depo, ku çdo gjë do vendoset aty, që mos të ndahemi në 20 copa, hapësiara për teknikën , administratën.
Kjo është skeda teknike e TK së ri.
Sa për pyetjet se pse nuk u rikonstrukturua po ju them se Teatri i vjetër nuk mund të rikonstrukturohej për të qenë një teatër bashkëkohor. Siç e patë aty doli tallash, dhe nuk kishte si të zgjerohej më shumë, nuk ekziston më ajo teknologji përvecse në Afrikë që ta restauronim me tallash. Nuk gjetëm një gram beton apo çelik që të mbante. 97 nga 98 aktorë plus 60 vota në këshillin bashkiak donin një teatër të ri”, tha Veliaj, raporton Tch, transmeton Klan Kosova.
Halil Matoshi ka reaguar mbi rrënimin e objektit të Teatrit Kombëtar të Tiranës, duke iu referuar edhe historikut të këtij objekti, duke përfshirë edhe një periudhë të caktuar kur ky objekt ishte emëruar edhe me emrin “Kosova”, shkruan KultPlus. Po sjellim të plotë reagimin e tij.
Teatri Kombëtar i Tiranës âsht quejt nga atdhetarët shqiptarë më 1943, “Kosova”
Teatri Kombëtar që e shembi n’pikë të natës Edi Rama në Tiranë ishte projektu nga ingjinieri dhe arkitekti Giulio Berté. Kurse nga 1943 – maj 1945, e mbante emnin “Kosova” kur partizanët komunistë ia ndërruen emnin në ‘Teatri popullor’. Ndërtesa ishte e vetmja futuriste në Sheshin Skënderbej dhe ishte projekti i nisun në janar 1938 e përfundumr në shtator të 1939. Projekt i porositun nga Mbretnia Shqiptare e Ahmet Zogut po në janar 1938, si pjesë e planit rregullues të qendrës së Tiranës. Ishte ndërtu nga firma “Pater”. Nashta veç hatri i Kosovës âsht dashtë me u rujtë, si pjesë e identitetit të saj shqiptar!? Hapi i parë për thymjen e rezistencës për mbrojtje të ni identiteti etnik ose kulturor të ni populli, âsht fshimja e kujtesës!/ KultPlus.com
Në Teatrin Kombëtar të Kosovës, i kam takuar të gjithë liderët politikë, në përfundim të tubimeve përkujtimore apo partiake, por asnjëherë të vetme në një shfaqje teatrore. Asnjëherë.
Ashtu sic në Teatrin Kombëtar të Shqipërisë, liderët partiakë nuk kishin shkuar asnjëherë, të shijonin shfaqjet, të vlerësonin kushtet në të cilat punonin aktorët dhe stafi i teatrit dhe as të konstatonin gjendjen e godinës! Ashtu sic asnjëherë, as andej dhe as këtej, nuk kishin pyetur për gjendjen e aktorëve?
Pse liderët partiakë, zgjodhën një godinë kulture, të zhvillonin “betejën e madhe”?! Cila është rëndësia e “fitores së madhe” mbi një godinë kulture? Është impakti që sjell arti.
Nuk dua të flas për godinën e Teatrit Kombëtar. Dhe as nuk e mar të drejtën ta gjykojë vendimin. Mbrojtja e godinës është kompetencë dhe përgjegjësi e bashkisë. Dua të flas për aktorët, viktimat e mendësisë së tyre, që në vend të mbrojtjes së dinjitetit, u rreshtuan në mbrojtje të interesave të partive politike. Si produkt i politikës, ne nuk e jetojmë jetën, por e shtyjmë jetën. Është pikërisht politika, fajtore për gjendjen e padinjitetshme të artistëve. Aktorët, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, nuk protestuan kundër politikës, por iu bashkangjitën politikës. Servilizmi që shfaqin ndaj politikës, është i pamoralshëm dhe jonjerëzor. Nuk ka gjë më të pshtirë se kur artistët e teatrit mbrojnë artistët e politikës. Është e pafjalë, renditja me vetëdëshirë e artistëve në mbrojtje të interesave partiake, në dëm të tyre.
Ne nuk meritojmë të mbajmë emrin e profesionit që ushtrojmë. Të qenit artist, është nder dhe privilegj. Ndërsa ne, me lehtësi të papërballueshme, e përdhosim emrin që mbajmë, në këmbim të shijimit të jetës që na e ofron politika, për shërbime. Suksesi që ofron arti mund të jetë i varfër, por shijon. Fundja, arti është përcaktimi ynë. Në atë përcaktim, duhet të rrojmë me dinjitet.
Mund të kriojmë edhe pa godinë, por edhe në godinë luksoze. Por, nuk mund të kriojmë pa njëri tjetrin. Krijimi na siguron pavdekshmëri. Politika na siguron pavdekshmëri, në marri./KultPlus.com
Nëse koha nuk shfrytëzohet në gjëra të dobishme, atëherë ajo është e destinuar të na shkatërrojë. Gjatë kësaj periudhe të pandemisë, njerëzit e kanë shfrytëzuar kohën në mënyra të ndryshme. Për shumëkënd, kjo periudhë ka shërbyer për njohjen e vetvetes, dikush ka zhvilluar artin e dikush tjetër ka zbuluar dhunti të reja tek vetja. Kështu, regjisorja Arlinda Morina e njohur me emrin Liki, e cila karakterizohet për energjinë dhe dashurinë ndaj artit, për herë të dytë ka dëshmuar se me jetën duhet luftuar dhe koha duhet shfrytëzuar për gjëra të dobishme.Pas ballafaqimit të saj me sëmundjen e Leukemisë, ndaj secilës asnjëherë nuk u dorëzuar, por e kaloi këtë sfidë duke ndarë imazhe e thënie motivuese me njerëzit, për të izolimi për shkak të pandemisë ishte më i lehtë dhe vetëm sa i dha mundësi edhe më shumë të shfaq një tjetër talent të saj, atë të fotografisë.
Aktoret më të dashura për publikun, kanë zënë vend në fokusin e Arlindës, aty ku ajo gjeti forcë për të kaluar këtë periudhë. Adriana Matoshi, Shengyl Ismaili, Arta Muçaj, Anisa Ismaili, Xhejlane Tërbunja, Rina Krasniqi, Zana Hoxha, Aurita Agushi e Rajmonda Ahmeti janë vetëm disa nga fytyrat që janë bërë pjesë e kësaj serie të fotografive që ka një qëllim tejet human e për të cilin Arlinda ka folur më gjerësisht në një intervistë për KultPlus.
KultPlus: Si pasojë e virusit Covid-19, njerëzit janë izoluar nëpër shtëpitë e tyre që disa muaj, fillimisht na trego sa ishte e vështirë kjo periudhë për ju si artiste?
Arlinda Morina: Mbyllja për mua nuk ishte problem, se tamam unë hoqa maskën që kisha për shkak të sëmundjes (Leukemia Plasma Cell) e vendoset ju të gjithë (pak shaka), përndryshe unë isha e mësuar me izolimin dhe kreativitetin tim e kam zhvilluar edhe në mbylljen time të mëhershme por edhe tani. Për artistët mbyllja sjell ide, akumulon dhe kur del jashtë shpërthen si një bombë me plot artë.
KultPlus: Njerëzit janë munduar që përmes një forme apo tjetrën të sjellin diçka përmes së cilës përmbushin vetën dhe kënaqin të tjerët, e padyshim ky është arti, ju keni zgjedhur artin e fotografisë për ta kaluar sa më lehtë këtë periudhë izolimi, jeni marrë edhe më herët me fotografinë apo ky është “efekti i karantinës”?
Arlinda Morina: Unë përgjithësisht jam marrë me skenar, regji filmi e teatër, fotografin e kam pasur edhe lëndë në fakultet dhe gjithmonë e kam dashtë por nuk i kam kushtuar kohë, kësaj radhe këtë dashuri timen e vura në funksion. Fotografitë janë realizuar me telefon iPhone 6+ dhe më vonë ja bashkova edhe një teleobjektivë. Me siguri fotografët profesionistë qeshin me këto fotografi, por qëllimi im nuk është të bëhem fotografe, thjeshtë kam gjetur një formë për të kaluar kohën time të daljes 90 minutshe me diçka nga perspektiva ime subjektive dhe objektivi im i vogël kinezë. Efekti i karantinës e ka nxjerrë një fotografe amatore.
KultPlus: Ju keni zgjedhur të fokusoni artistet tona, si e keni bërë përzgjedhjen e atyre që doni t’i fotografoni, apo janë kryesisht njerëzit që ju rrethojnë në përditshmëri?
Arlinda Morina: Përzgjedhja ka ardhur nga shpirti sepse kisha nevojë të zgjedhë aktore të suksesshme dhe interesante që të marrë energjinë e tyre sepse në si qenie jemi sociale dhe kemi nevojë për energji, e unë zgjodha aktoret gra që të marrë energjinë sensuale, artistike, ekzotike e deri të vuajtjet shpirtërore të tyre. Takimet i kam mbajtur në distancë dhe kam fotografuar me teleobjektivë ku distanca është e largët.
KultPlus: Cili është mesazhi që doni të përcjellni përmes këtyre fotografive, apo janë thjesht fotografi të çastit?
Arlinda Morina: Gratë gjithmonë përçojnë mesazhe të forta. Fuqia e tyre, bukuria, dashuria, josha dhe vuajtjet fisnike janë disa nga mesazhet që përçohen edhe përmes këtyre fotografive. Kjo seri e fotografive do të vazhdojë, do të ketë ende artiste të cilat do t’i zbuloj në ditët në vijim.
KultPlus: A keni menduar të hapni ndonjë ekspozitë apo diçka të tillë me këto fotografi?
Arlinda Morina: Këto fotografi në vete përmbajnë një qëllim human. Ideja është të organizoj një ankand dhe fotografitë të dalin në shitje. Të gjitha fitimet do të dhurohen për fëmijët që luftojnë me sëmundjen e Leukemisë.
KultPlus: Cilat janë anët pozitive dhe ato negative që kanë ndikuar tek Arlinda gjatë kësaj kohë të pandemisë, na selekto disa prej tyre?
Arlinda Morina: Unë jam tip që kam pas periudha të mbylljes shpesh. Kjo është hera e katërt që e përjetoj mbylljen. Unë lirisht mund të them që jam vetë karantina. Kjo periudhë ka ndikuar në forma të ndryshme tek secili. Me të vërtetë ata që merren me artë e kanë pasur më të lehtë. E mira e gjithë kësaj ka qenë koha që na është ofruar e të cilën jemi munduar ta shfrytëzojmë sa më mirë, mbi të gjitha ta njohim veten sado pak. Ndërsa anët negative nuk po i përmendim fare duke uruar që gjithçka po përfundon shumë shpejtë.
KultPlus: Krejt për fund, cili është mësimi më i mirë që e keni marrë gjatë kësaj periudhe e që do ta ndaje me lexuesit e KultPlus?
Arlinda Morina: Duajeni sa më shumë familjen sepse ata vlejnë më shumë së çdo gjë në jetë! / KultPlus.com
Regjisori Edmond Budina, një ditë pas shembjes së Teatrit Kombëtar ndjehet si i kthyer në një skenë krimi, aty ku i kanë vrarë gjënë më të shtrenjtë.
“Ndjehem sot si një njeri që kthehet në skenën e krimit, ku i kanë vrarë mbase gjënë më të dashur që ka pasur në jetë. Është e dhimbshme të shikosh këto eskavatorë që gërryejnë dhe e fshehin atë që dy ditë më parë e thanë me gojën e tyre, që duhet të shpëtohet gardëroba, ekuizita… Të gjithë pasurinë e atij teatri u varrosën në ato rrënoja, revoltohesh nga ky xhest”,- tha ai.
Në një intervistë për gazetaren e News 24 Fatmira Nikolli, Budina thotë ndër të tjera se Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit nuk do ta lëjë me kaq këtë cështje.
“Këtu ka interesa të fshehta, interesa mafioze por nuk do i lëmë kështu. E di që vendin e kanë lënë pa Gjykatë Kushtetuese, por nuk e lëmë me kaq këtë cështje, do ta ndjekim cështjen ndërkombëtarisht. Do i drejtohemi Strasburgut, gjykatave ndërkombëtare, Komisionit Europian pasi duket tashëm që Shqipëria është bërë vend i pastrimit të parave të pista, dhe shqiptarët e ndershëm nuk e meritojnë këtë”. / BalkanWeb / KultPlus.com
Fred Willard, aktori komik stili improvizues i së cilit e ka mbajtur atë aktiv për më shumë se 50 vjet, duke luajtur në filma të tillë si, “This Is Spinal Tap”, “Best In Show” dhe “Anchorman”, ka vdekur në moshën 86-vjeçare.
Vajza e aktorit Willard, Hope Mulbarger, tha në një prononcim për media të shtunën, se babai i saj vdiq i qetë të premten mbrëma. Shkaktari i vdekjes së tij nuk është zbuluar për publikun e gjerë.
“Ai e ka jetuar jetën në maksimum, ka punuar gjatë gjithë kohës si dhe është kujdesur të na mbajë të lumtur deri në momentin e fundit të jetës së tij. E kemi dashur shumë atë dhe do të na mungojë përgjithmonë,” thuhej në deklaratën e Mulbargerit.
Willard rrallë ka pasur role protagoniste apo role të mëdha në filma dhe seri të ndryshme televizive. Por megjithatë, prezenca e tij në çfarëdo projekti ishte e dukshme për publikun, transmeton Koha.
Gjatë karrierës së tij, Fred Willard, ishte nominuar katër herë për çmim “Emmy” për rolet e tij në seritë: “What’s Hot, What’s Not”, “Everybody Loves Raymond”, “Modern Family” dhe “The Bold and the Beautiful”.
Vdekja e aktori vjen pothuajse dy vjet pas vdekjes së bashkëshortes së tij, Mary Willard, e cila ishte 71-vjeçare. Ajo ishte dramaturge dhe skenariste televizive, e cila po ashtu ishte nominuar katër herë për çmim “Emmy”.
Pas vdekjes së bashkëshortes, Willard kishte filluar të ketë dyshime nëse do t’i kthehej ekranit sërish. / KultPlus.com
Shtëpia botuese ‘Literatus’ nga Selaniku, këtyre ditëve botoi Antologjinë e tregimit ballkanik, në të cilën u përfshinë 68 autorë nga Shqipëria, Kosova Maqedonia e Veriut, Greqia, Kroacia, Bosnja e Hercegovina, Turqia, Sllovenia, Rumania, Mali i Zi dhe Serbia.
Autor i këtij projekti mjaft voluminoz (428 faqe) është Satvors G. Dajos, i cili është edhe autor i parathënies, ndërkaq për përkthimin e tregimeve u angazhuan 34 përkthyes.
Sa i përket shkrimtarëve shqiptarë, në këtë antologji nga Shqipëria janë prezantuar: Ernest Koliqi, Mitrush Kuteli, Migjeni, Ismail Kadare, Betim Muço, Ardian Vebiu dhe Virion Graçi. Nga Kosova Eqrem Basha, Mehmet Kraja, Gëzim Aliu, Adil Olluri dhe Albin Mehmeti, kurse nga Maqedonia e Veriut: Kim Mehmeti, Shazim Mehmeti dhe Shkëlzen Halimi.
Bëhet e ditur se Antologjia tashmë është shpërndarë në të gjitha libraritë e hapësirës greke. / KultPlus.com
Fatime Blakaj me të drejtë quhet “Nënë Tereza” e dytë shqiptare. Që nga viti 1992 së bashku më shoqatën austriake “Allianz für Kinder” (Aleanca për fëmijë), ka mundësuar shërimin e rreth 2800 fëmijëve, kryesisht shqiptarë nga Shqipëria dhe Kosova.
Sa herë takohemi apo dëgjohemi në celular në Austri, zonjën Fatime Blakaj gjithmonë e shoh të gëzuar dhe të lumtur. “Jam shumë e lumtur. Ata fëmijët që të pata treguar që i morëm para disa muajsh nga Kosova dhe Shqipëria, i kemi kthyer tek familjet e tyre, shëndosh e mirë. Tani, kemi marrë disa fëmijë të tjerë. Derisa po flisja me ty, në krahun tim e zuri gjumi Liorin, i cili është vetëm 9 muajsh. Gjatë gjithë kohës jam kujdesur për të. Nga 19 korriku është në Austri. Në trupin e tij të vogël janë kryer tri operacione jo të lehta. Urojmë që këto ditë të kthehet shëndosh e mirë në Kosovë dhe pranë familjes së tij”. Ishin këto fjalitë e para që mi thoshte zonja Blakaj, para se të më tregonte se si është vet me shëndet.
“Unë jam, mirë kur janë mirë fëmijët”
“Unë jam mirë kur shoh shëndetin e fëmijëve të përmirësuar dhe shërimin e tyre”, më tha pastaj ajo.
Fatime Blakaj që nga viti 1992 është pjesë e shoqatës “Allianz für Kinder ”(Aleanca për fëmijë) në Steyr të Austrisë. Kjo shoqatë që udhëhiqet nga drejtori Michael Schodremayr, dhe në stafin e saj janë të gjithë mjekë austriakë, vazhdon të bëjë një punë të jashtëzakonshme për shërimin e fëmijëve të vendeve të ndryshme, por më së shumti të Shqipërisë dhe të Kosovës. E një ndihmë të pakursyer për më shumë se 25 vite në këtë drejtim e ka dhënë edhe zonja Fatime Blakaj nga Istogu e cila jeton në Austri.
Humanistja Blakaj për afro tri dekada shërbim në këtë shoqatë, ka bërë qindra fluturime në Kosovë e Shqipëri. Me mijëra kilometra nëpër spitalet austriake ku qëndronin fëmijët për shërim. Shumë net pa gjumë. Në raste të shumta, fëmijët i qendrojnë për javë e muaj edhe në shtëpinë e saj. Përkujdeset për ta për të ngrënë dhe pirë, për veshmbathje dhe gjithçka tjetër. Në mungesë të prindërve, me fëmijët sillej si një nënë e dytë. U ofron përkujdesje e buzëqeshje, ngrohtësi dhe shpresë për shërim të shpejtë.
Edhe pse në pension, vazhdon të kontribuojë për shërimin e fëmijëve
Muaj më parë ajo ka dalë në pension. Por megjithatë dashuria, lidhjet e krijuara me fëmijët dhe humanizmi që e ka në shpirt, e bëjnë atë që të vazhdojë të jetë aktive dhe e gatshme për të kontribuuar në shërimin e fëmijëve në Austri.
“Në “Allianz für Kinder” kushdo që hyn, nuk e ka të lehtë të ndahet. Unë jam mishëruar me këtë staf të mrekullueshëm por edhe me fëmijët që vijnë në Austri për shërim. Do të vazhdoj të kontribuoj për aq kohë sa mundem”, shprehet për “albinfo.at”, humanistja, Fatime Blakaj. Ajo shton se këto ditë një studente e informatikës nga Prishtina, e cila pas trajtimeve që kishte marrë në Spitalin e Salzburgut, është kthyer shëndosh e mirë në Kosovë. “Dita Ibrahimi është studente e informatikës në Prishtinë. Ajo vuante nga një sëmundje për të cilën nuk gjente shërim në Kosovë. Ia mundësuam të vinte për shërim në Austri. Operacioni i saj kushtonte 26 mijë euro, por me ndihmën time, bëmë që operimi të bëhet me 5 mijë euro. Pranvera është shëruar dhe vijon studimet në Prishtinë”.
Përfshirja e Kosovës në program, meritë e saj
Gjatë gjithë veprimtarisë së kësaj shoqate, deri më tash zonja Fatime se bashku me shoqatën kanë sjell në Austri afro 2800 fëmijë të moshave 0-13 vjeçe. Afër 400 fëmijë nga Afganistani, dhjetëra nga Moldavia dhe një numër i vogël nga Angola dhe Gaza, ndërsa të gjitha rastet tjera kanë qenë nga Shqipëria dhe Kosova. Derisa Shqipëria ka qenë në programin e shoqatës që nga fillimi, zonja Fatime thotë se përfshirja e Kosovës ka qenë pikërisht iniciativë e saj. Ajo ka arritur ta përfshijë Kosovën në program vetëm nga viti 2003. Ndërkohë, të gjitha shpenzimet për shërimin e fëmijëve bëhen falas dhe i merr përsipër vetë shoqata. “Ne përkujdesemi për gjithçka, që nga pranimi i fëmijës e deri të kthimi i tij tek familja”, nënvizon humanistja Blakaj.
Brenda vitit shoqata merr deri 100 fëmijë për shërim. Kompania ajrore “Austria Airlines” dhuron 100 bileta avioni për udhëtimin e këtyre fëmijëve, ndërsa nëse ndodh të marrin më shumë, atëherë duhet që vetë shoqata të gjejë donacione shtesë për të mbuluar shpenzimet. Shërimi i fëmijëve zgjatë me nga 1 – 3 muaj varësisht nga nevoja për shërim”, na thotë ajo.
Gjatë bisedës me të, zonja Blakaj na tregon edhe për rastin më të vështirë që ka përjetuar në gjithë këtë veprimtarinë humane të saj prej afro 30 vitesh. “Ndër rastet më të vështira do të veçoja atë me djalin nga Tirana, i cili kishte pirë acid dhe qëndroi për një kohë të gjatë në gjendje të rëndë. Ai sot është shumë mirë”, kujton ajo .
Të gjithë e thërrasin nënë
Zonja Blakaj është e lidhur aq shumë me fëmijët sa që të gjithë e thërrasin nënë. “Lidhemi aq shumë mes vete sa që qaj me lot kur ndahemi. Me gjithë shpirt i thërras djem dhe vajzat e mia, edhe ata më thërrasin nënë”, shprehet ajo për “albinfo.at”.
Sa herë që Fatimja viziton Kosovën dhe Shqipërinë ajo gëzohet kur takohet me fëmijët e shëruar të cilët përmes duarve të saj sot jetojnë të lumtur dhe të buzëqeshur. “A ka më lumturi për njeriun e kësaj toke se sa të shohësh ata djem e vajza sot të qeshur dhe të lumtur. Ka shumë prej tyre që para 20 viteve ishin fëmijë me probleme të mëdha shëndetësore. Kishte që nuk mundnin as të lëviznin, ishin në karroca, ndërsa tash kur i takoj qoftë në Kosovë apo Shqipëri, ata janë të rritur, të martuar, kanë krijuar familje dhe punojnë në profesione të ndryshme si: arkitektë, farmacistë etj”, na thotë e lumtur zonja Fatime.
Zonjës Blakaj nuk i bën përshtypje nëse interesohen mediat ndonjëherë të shkruajnë për punën humane të saj. Nuk i intereson se a kujtohen ndonjëherë shtetet shqiptare t`i japin të paktën një mirënjohje për kontributin e saj. Për të është i rëndësishëm vetëm shërimi i fëmijëve, rrugë kjo të cilën ajo është e vendosur për ta ndjekur deri në frymën e fundit të jetës së saj!
E mishëruar me punën që bën
Në “Allianz für Kinder” kushdo që hyn, nuk e ka të lehtë të ndahet. Unë jam mishëruar me këtë staf të mrekullueshëm por edhe me fëmijët që vijnë në Austri për shërim. Do të vazhdoj të kontribuoj për aq kohë sa mundem”.
Mirëqenia e fëmijëve “të saj” është më e rëndësishmja për Fatimen
“A ka më lumturi për njeriun e kësaj toke se sa të shohësh ata djem e vajza sot të qeshur dhe të lumtur. Ka shumë prej tyre që para 20 viteve ishin fëmijë me probleme të mëdha shëndetësore. Kishte që nuk mundnin as të lëviznin, ishin në karroca, ndërsa tash kur i takoj qoftë në Kosovë apo Shqipëri, ata janë të rritur, të martuar, kanë krijuar familje dhe punojnë në profesione të ndryshme…”
P:s: Artikulli fillimisht është botuar në revistën albinfo.at / KultPlus.com
Nga nesër, Galeria Kombëtare e Kosovës do të hapet për publikun.
Orari i vizitave do të jetë i njëjtë sikurse në të kaluarën, e martë-premte nga ora 10:00 deri në 18:00, e shtunë dhe diel nga 10:00 deri në 17:00 dhe e hënë e mbyllur.
Vizitorët do të udhëzohen nga kujdestari i sallës për numrin e personave që mund të hyjnë në sallë, i cili është 2-3 persona për sallë.
Dy ekspozitat e ndërprera për shkak të pandemisë të cilat do të hapen tani janë:
Salla 1: Burim Gashi / Heshtje e rëndë
Salla 2: World Press Photo Exhibition 2019. /KultPlus.com
Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka zhvilluar një takim me krerët e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi – kryetar dhe Eroll Salihu – sekretar, dhe ua ka kumtuar vendimin që kanë ndërmarrë institucionet për lejimin e aktiviteteve për vazhdimin e procesit stërvitor dhe të ndeshjeve të Federatës së Futbollit të Kosovës.
Në bazë të vendimit që ka lëshuar Ministria e Shëndetësisë, Federata e Futbollit të Kosovës duhet t’i përmbahet udhëzuesit të përkohshëm për aplikimin e masave për parandalimin dhe luftimin e COVID-19 në institucionet publike dhe private.
Ministrja Dumoshi ua sqaroi krerëve të FFK-së se fillimisht lejohet që të startojë me përgatitje dhe gara Superliga e Kosovës, e pas disa javëve ligat e tjera. Ministrja porositi kryetarin Ademi e sekretarin Salihu që në përgjegjësinë e organizimit dhe menaxhimit që kanë për futbollin në Kosovë, të ndërmarrin të gjitha masat që parashihen për pastrimin dhe dezinfektimin e hapësirave ku do të zhvillohen aktivitetet e futbollit.
“Ne si ministri do të përcjellim me seriozitetin më të madh dhe nga afër se si po menaxhohet organizimi i stërvitjeve dhe i garave në futboll në këtë kohë pandemie dhe nëse ka ndonjë parregullsi do të ndërmarrim masa konform sugjerimeve të institucioneve shëndetësore dhe nëse është e nevojshme do të ndërpresim prapë garat nëse nuk respektohen këto masa”, tha ndër të tjera ministrja Dumoshi.
Ministrja tha se ndeshjet duhet të zhvillohen pa shikues dhe të kihet kujdes maksimal që mos të jetë shkaktar sporti që edhe një person i vetëm të infektohet me COVID-19.
Nga ana tjetër, kryetari Ademi e ka falënderuar ministren Dumoshi për përkrahjen dhe mirëkuptimin e treguar sepse edhe ata si FFK kanë pasur kërkesa dhe afate të cilat i janë kërkuar nga UEFA se si do të vazhdojnë më tutje për zhvillimin e garave.
Ademi tha se me MKRS-në kanë pasur një bashkëpunim dhe transparencë. Ai e siguroi ministren Dumoshi se do të komunikojnë me secilin me stafin e secilit klub të Superligës dhe do t’ua kumtojnë vendimin dhe udhëzuesin si dhe do t’u shpërndahen materialet e nevojshme për pastrim e dezinfektim. Do t’u kërkohet klubeve që situatën ta kenë në kontroll në rend të parë mjekët e klubeve.
Ndër tjera, Ademi e ka njoftuar ministren edhe për hapat që kanë ndërmarrë FFK-ja për t’iu gjendur afër klubeve dhe sportistëve duke ua shpërndarë edhe mjetet e nevojshme financiare sipas rregullave që i parasheh UEFA.
Ndërsa, ministrja tha se shpreson që organizimi i futbollit në ditët në vijim do të shkojë sipas planit të paraparë dhe ky të jetë një sinjal dhe nismë që sporti t’i paraprijë rikthimit në normalitet në Republikën e Kosovës. / KultPlus.com