Grupi Replikë si një grup i aktivistëve të pavarur kosovarë të cilët refuzojnë të heshtin ndaj padrejtësive politike e shoqërore në Kosovë, sot ka ndërmarrë një aksion simbolik, shkruan KultPlus
Ata në Ditën Ndërkombëtare Kundër Homofobisë, Bifobisë dhe Transfobisë kanë vendosur pankarta me mbishkrimin: Mundesh me konë edhe shqiptaredhedylber.
“Aktiviteti ka për qëllim të rikthesojë faktin se edhe shqiptarët janë pjesë e komunitetit LGBTIQ+”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e tyre.
Këtu keni njoftimin e plotë:
“Sot, më 17 maj, në Ditën Ndërkombëtare Kundër Homofobisë, Bifobisë dhe Transfobisë, ne, grupet e aktivistëve/eve të pavarur Replikë dhe Dylberizm, kemi ndërmarrë një aksion rrugor duke vendosur në vende të ndryshme të Prishtinës pankarta me mbishkrimin: Mundesh me konë #EdheShqiptarEdheDylber
Aktiviteti ka për qëllim të rikthesojë faktin se edhe shqiptarët janë pjesë e komunitetit LGBTIQ+.
Për vite të tëra, shqiptarët besojnë fuqishëm se janë popull heteroseksual e veç me dy gjini. Nëse dikush nuk identifikohet brenda këtyre binareve, atëherë konsiderohen si “jo shqiptarë”. Është koha që këto mite të rrejshme e të dëmshme të zhduken, dhe të zëvendësohen me pranimin e faktit të thjeshtë që: munesh me konë Edhe Shqiptar edhe Dylber.
Shqiptarët LGBTIQ+ kanë qenë dhë do të jenë gjithmonë pjesë e shoqërisë shqiptare. Këngët e vjetra për dashurinë mes burrave shqiptarë, arshikëve dhe dylberëve, na tregojnë që homoseksualizmi nuk është diçka e re në kulturën tonë. Burrneshat shqiptare na tregojnë që gjinia jo gjithmonë është fikse: burrë/mashkull apo grua/femër, por që është konstrukt i normave në të cilat jetojmë. Këngët dhe legjendat e vjetra shqiptare për kalimin e Ylberit na tregojnë që ndryshimi i gjinisë/seksit nuk është çrregullim mendor, por është një rrugëtim i bukur për të jetuar jetën plotësisht si vetja.
Këto pankarta të vendosura nëpër rrugët kryesore të Prishtinës, janë përkujtim për neve si shoqëri, se qytetarët LGBTIQ+ meritojnë respektin dhe trajtimin e barabartë si çdo qytetar tjetër, çdo ditë, në çdo qytet, në çdo fshat, në çdo familje”.
Kryeministri i Kosovës në detyrë, Albin Kurti, ka shprehur keqardhjen e tij për shembjen e Teatrit Kombëtar në Tiranë, shkruan KultPlus.
Kurti përmes një postimi në Facebook, ka krahasuar gjendjen e kulturës mes Kosovës dhe Shqipërisë si dhe ka thënë se arkiva e popullit duhet të mbesë e e paprekur.
“Kur ndodhin humbje, ngjarjen sa edhe vetë humbja, e shënon në histori rezistenca”, ka shkruar Kurti ndër të tjera në Facebook.
Këtu keni statusin e plotë:
“Ne duhet të jemi mbrojtësit e çdo cepi të kulturës sonë. Një pjesë e saj na është vjedhur nga pushtuesi serb – 1.200 artefakte kulturore të Kosovës. Një pjesë tjetër na është shtypur e ndrydhur nga diktatura e ideologji, na është sulmuar nga akademitë e fqinjëve, na është shitur e rrënuar prej paditurisë zyrtare a korrupsionit institucional.
Arkiva e një populli, kujtesa e tij, duhet të mbahet e paprekur nga regjimet. Kultura është krijuar nëpër historitë e regjimeve, por në thelb të saj është krijimtaria dhe aderimi i një populli.
Kur shembet një monument kulture, kjo nuk ndodh si pasojë e një gjykimi të pjesshëm, që vjen prej shijes së veçantë të dikujt, por prej interesave të përkohshëm që lidhen me përfitimet e disave.
I përshëndes dhe i mbështes tërë artistët dhe qytetarët e Tiranës që e mbrojtën kaq gjatë Teatrin Kombëtar. Kur ndodhin humbje, ngjarjen sa edhe vetë humbja, e shënon në histori rezistenca. Në rezistencë mësojmë, e meqë nuk i harrojmë ato mësime, ata që sot përfitojnë, nesër humbin, kurse ata që humbin fitojnë”.
Kur shqiptarët shembin trashëgiminë e kulturën kombëtare
Kur zyrtarët serbë të Prishtinës me 1957 urdhëruan shembjen e Kishës së Shna’ Ndout në qendër të kryeqytetit, punëtorë shqiptar nuk pranuan ta bënin këtë shëmti. Dolën punëtorët serbë dhe të etnive të tjera që e shemben kishën e Stakajve. Në Shqipëri ndodhi e kundërta, shqiptarët i shembën të gjitha kishat katolike, ose i shndërruan në depo e shtëpi kooperativistësh për argëtim të vulgut. Nuk pati rezistencë ndaj këtij vandalizmi komunistësh pro serb. Kur një oligark në Prishtinë kërkoi të shembej Teatri Kombëtar i Kososovës dhe mbi rrënojat e tij të ndërtohej një ndërtesë shumëkatëshe, brenda të cilit do të ishte edhe Teatri Kombëtar, shqiptarët e Kosovës e refuzuan propozimin e oligarkut. Në Shqipëri ndodhi e kundërta: klika qeverisëse e pranoi diktatin e oligarkëve, sot në mëngjes u shemb Teatrin Kombëtar para artistëve që përloteshin, të pafuqishëm t’u kundërviheshin policeve. Opinioni nga transmetimet televizive, shihte tmerr dhe nuk u besonte syve. Tirana po shpërfytyrohet në mënyrë të frikshme. Ç’ lloj shqiptarësh janë këta?
Shqiptarët e Prishtinës nuk pranuan ta shembin kishen e Shna’Ndout, nuk e shemben as Teatrin Kombetar. Pamje nga kisha e rrënuar me 1957.
Hodha nji sy në faqen e parë dhe lexova: Më shkrepi ta shkruej jetën time. Ky mendim më leu tue i pa fotografitë e ndryshme që të përfytyrojnë xha Simonin qysh në kohën e fëmijnisë. Përse të mos e shkruej?
Jeta ime për të tjerët, ndoshta nuk, nuk e vlen asnji dysh, por për mue ka rëndësi, se asht imja, se mund të përshkohet nëpër faza të ndryshme interesante dhe dikur, tue i këndue në këto fletë gëzimet ose hidhërimet e mia, do të kënaqem ose do të pezmatohem. Sikurse pëson ndryshime trupi i njeriut tue u lakue nëpër rrathët e moshës, pa dyshim, ashtu ndodh edhe me jetën.
Mbasandej kapërceva disa faqe e këndova: Mbasandej kush mund të pretendojë se nuk ka në mes të meshkujve djem e burra të bukur? Mos kujton ndokush se nuk ka bukuri mashkullore? Sikur të mundesh me folë femna me atë liri gjuhe që kanë meshkujt, kushedi se sa poezi do të vargëzonte për me e përshkue bukurinë e shokut të vet jo gjini.
Kush mundet me më sigurue se nuk ka me mija femna që tue kundrue mbas kafazit të dritares ose nëpërmjet të perces së hollë, nuk shprazin nga goja mija e mija tubëza vjeshash për ata që u kalojnë pranë, pa ditë se kanë plagosë randë disa zemra të strukura brenda do krijesave të dënueme me burgim të përjetshëm?
Oh, sa e sa sy vajzash, nga plasat e dyerve ose nga birat e kafazeve, ndjekin e përcjellin kalimtarë të rinj me rrafje të forta të zemrave që s’kanë liri e të drejtë shfrimi e dashunimi, megjithëqe natyra edhe ato, sikurse meshkujt dhe ndoshta më shumë se ata, i ka pajtue me ndjesitë e dashunisë. Pak ma andej, mbasi shfletova disa fletë, ndesha në këtë pjesë interesante: S’di se cfarë lidhje mund të mbetet në mes të dy bashkëshortëve kur futet ndërmjet tyne mënia në trajtë shamjeje e rrafjeje?
Grueja që poshtnohet me shamje të randa dhe rrifet, o duhet të jetë lopë që ti meritojë, ose të ketë interes apo frikë nga burri që nuk e këput atë lihej që i ka bashkue dikur formalisht e jo shpirtnisht, sepse jeta e përbashkët, në rasa e në kushte të tilla, bahet e padurueshme. Për ta shmangë cdo mosmarrveshje, për të pasë harmoni të vazhdueshme dhe për të ba nji familje të lumtun , ata që do të martohen përpara se ta bashkojnë fatin e jetës lypet të jenë njoftë, t’i kenë pajtue karakteret dhe ta kenë dashunue njeni-tjetrin. Përndryshe, s’bajnë tjetër vecse krijojnë nji ferr për me e torturue veten dhe për t’i përcëllue në flakët e tij edhe fëmijët që do t’u lejnë. /KultPlus.com
Kufizimet e lëvizjes përreth botës kanë bërë që praktikat tona të ndryshme, e që janë të dëmshme për insektet, të ndalen për një kohë, me këtë duke e krijuar një botë më miqësore për bletët.
Derisa njerëzit janë të mbyllur në shtëpi këtë pranverë, kafshët po përballen me më pak pengesa nga njerëzit, nga trafiku dhe ndotja. Në Izrael, derrat e egër kanë hyrë në qytetin Haifa, ndërsa delfinët po notojnë në Bosfor, ngushticë në Turqi që zakonisht është shteg i ngjeshur i transportit ujor.
Një kafshë e cila mund të përjetojë ringjallje tepër të nevojshme është edhe bleta e egër, thonë shkencëtarët. Numri i bletëve në tërë botën është duke përjetuar zvogëlim shumë të madh, për shkak humbjes së mjedisit të përshtatshëm, ndotjes dhe përdorimit të pesticideve, pos tjerash.
Një botë pa bletë do të dukej shumë ndryshe, dhe do të ndryshonte jetët tona jashtëzakonisht. Bletët janë polenizuesit kryesorë të planetit tonë, dhe fertilizojnë një të tretën e tërë ushqimit tonë dhe 80% të luleve, shkruan BBC, transmeton KultPlus.
Njëri nga ndikimet më të mëdha që kanë pasur mbylljet e ekonomive ka qenë zvogëlimi i dukshëm i ndotjes së ajrit.
Në një botë me ajër më pak të ndotur, bletët mund të bëjnë udhëtime më të vogla por më produktive të polenizimit.
Më pak gazra nga automjetet ua lehtëson bletëve të gjejnë ushqim, ngase ndotja e ajrit e zvogëlon fuqinë dhe kohëzgjatjen e aromës së luleve, sipas një studimi të vitit 2016. Ndotësit i zbërthejnë molekulat e aromës së lëshuar nga bimët, duke ua vështirësuar bletëve detektimin e ushqimit.
Andaj, kushtet e jetesës për bletët në këto kohëra janë duke u përmirësuar dhe shkencëtarët shpresojnë se vetëdijesimi i rritur mund të ndihmojë në ruajtjen e këtyre kafshëve. Por, si me të gjitha ndryshimet mjedisore që po i shohim gjate kufizimeve të pandemisë, çfarëdo përfitimi afatgjatë për bletët do të varet nga ndryshimet që do t’i bëjmë kur të hiqen kufizimet. Për disa gjëra, ndryshimet nuk do të jenë të vështira që të vazhdohen. Por për të mbajtur trafikun në numër të ulët, ndryshimet duhet të jenë shumë më sistematike. / KultPlus.com
”Sot ka qenë një ditë kur na u desh të merrnim një vendim të drejtë, por jashtëzakonisht të vështirë. Them vendim i drejtë sepse diskutimi për një teatër të ri ka qenë një diskutim prej 70 vitesh, që në momentin kur periudha e përkohshme e atyre pak viteve të luftës mbaroi, për të hapur një diskutim tjetër, çfarë do të kemi si ndërtesë permanente të Teatrit Kombëtar. Ajo ndërtesë u sajua ndër vite si për gjyqet popullore të asaj kohe, por pastaj edhe për funksione të tjera, pastaj edhe kinema, pastaj sërish teatër, pastaj bingo e sërish teatër, një ndërtesë jashtëzakonisht e amortizuar. E filluam këtë diskutim, pra këtë round të fundit të diskutimeve të këtyre tre viteve, kur propozuam një teatër të ri me transferimin e administratës së re në Bashkinë e Tiranës.
Kishim një projekt për Pazar të Ri, Bulevard të Ri, për një Breg të ri të Lumit, për një pjesë të re të Liqenit, për një Shesh të ri, një Kala të re dhe sigurisht, edhe për një Teatër të Ri, bashkë me shumë shkolla, rrugë e investime të reja, që i kanë hije Tiranës për 100 vitet e fundit. Pati një diskutim shumë të gjatë. Kam qenë në 12 takime në hotelet kryesore të qendrës, ku jemi takuar non-stop edhe me ata që kanë qenë kundër gjithçkaje, që në fund fare ishin një pakicë, edhe me ata që kanë pasur kundërshtime mbi pjesë të ndryshme të proçesit. Fillimisht nuk u preferua një teatër që të kishte kullë sipër dhe ai ra si variant.
Qeveria dhe Bashkia u tërhoqën, bënë një hap pas; pastaj u kërkua që të kishte një mundësi për ta financuar duke u siguruar që nuk preket fare toka e teatrit, pavarësisht se një investim privat në tokë të Bashkisë do të ngushtohej. Bëmë prapë një hap pas, edhe qeveria edhe bashkia, që asnjë centimetër të mos i prekej Teatrit Kombëtar. Më pas kishte edhe një pjesë tjetër, që kërkonte që kjo të mos bëhej as nga privati, dhe kur artistët kërkuan më shumë sesa privati mund të ofronte, ne thamë do shkojmë me artistët. Nëse ata kërkojnë impiante, kërkojnë skena që rrotullohen dhe nën vete, që ndoshta kushtojnë më shumë se ç’mund të paguajë privati me plan biznesin e vet, atëherë do i themi jo privatit, do i themi po publikes, dhe do e financojmë vetë projektin e ri.
Gjatë gjithë këtij procesi, këtyre 12 takimeve të hapura, por edhe qindra takime individuale që unë si kryetar bashkie kam bërë me pjesën më të madhe të komunitetit të artistëve, ne sigurisht kemi moderuar qëndrimet tona, por në një negociatë nuk mund të marrësh gjithçka. Ne nuk mund ta kemi teatrin edhe pa kullë, edhe në tokë të vet, edhe pa bërë asnjë investim tjetër privat, edhe pastaj me paratë tona, por edhe të ruajmë të vjetrin. Në një qendër të Tiranës, ku janë të gjitha institucionet e rëndësishme dhe jo në periferi si Bregu i Lumit apo fshatrat e Tiranës, ku ne mund të kemi toka të lira.
Kjo është arsyeja pse sapo na u transferua prona, menjëherë kërkuam, siç kërkojmë tipikisht për çdo pronë që na transferohet, që kjo të verifikohet nga Instituti i Ndërtimit. Instituti i Ndërtimit e vlerësoi në vitin 2018, si një ndërtesë të amortizuar dhe të rrezikshme, siç u pa nga rënia e lehtë që iu bë sot, me të prekurat e para. E verifikuan sërish për herë të dytë dhe Instituti i Ndërtimit sërish tha: Kjo është një ndërtesë e rrezikshme.
E vërtetuam me Institutin e Monumentit të Kulturës, i cili tha: Kjo ndërtesë nuk ka qenë kurrë monument kulture, madje në 2007, ata që e përdorën më shumë politikisht këto dy vite e gjysmë këtë betejë, e hoqën edhe si mundësi për ta futur ndonjëherë në listat e monumenteve të kulturës, duke e konsideruar diçka krejt të pavlerë. Pasi mbaruam gjithë këto diskutime, në momentin që u bëmë pronarët e parë të kësaj ndërtese, nëse diçka do i ndodhte secilit prej atyre që okuponte atë pronë publike në mënyrë të padrejtë, pa letra, pa dokumente, thjesht duke hyrë aty, duke bujtur gjatë ditëve të protestës këto 2.5 vjet, do të rrezikonte jetën, dhe përgjegjës do ishte pronari i asaj prone, që ka lejuar të tjerët të futen aty.
Në momentin që Instituti i Ndërtimit dha këtë mendim, njoftuam mbledhje të Këshillit Bashkiak, siç janë bërë të gjitha mbledhjet kolegjiale këto kohë, online, dhe morëm vendimin për të bërë këtë prishje, siç e ka rekomanduar Instituti i Ndërtimit. Pasi u verifikuam që jo vetëm ndërtesa nuk ishte e mbrojtur, siç pretendojnë disa, por ndërtesa s’kishte qenë kurrë në këtë listë dhe është insistuar sidomos për të mos e futur nga ata që e përdorën politikisht këtë betejë.
Teatri i vjetër iku, tani përgatitemi për teatrin e ri. Por teksa përgatitemi për teatrin e ri, duhet të nxjerrim disa mësime. Një ndër mësimet që duhet të nxjerrim është se duhet të bashkëpunojmë; duhet të bashkëpunojmë ta përmirësojmë këtë ide. Kemi disa ide shumë të mira që e kanë pasuruar projektin nga artistët, por unë besoj se mund të bëjmë akoma më mirë.
Sot dua t’i shtrij dorën kujtdo që nuk ishte dakord me ne në këtë betejë; kujtdo që ndoshta, edhe pse s’e ka ekspertizën inxhinierike, edhe pse s’e ka ekspertizën ligjore për të kuptuar si funksionojnë këto procese, apo ndoshta as njohurinë bazë që, jo vetëm që nuk ishte kurrë monument, por që në 2018 ishte i rrezikuar, dhe siç u pa sot pas prishjes, ishte i gjithë populit, tallash, teneqe. Nuk pamë një kollonë betoni, një armaturë, një gram çelik. Ajo ndërtesë ishte realisht e rrezikshme dhe nuk mund të jetë ndërtesa për të çuar fëmijët e këtij qyteti në 100 vitet e ardhshme. Nuk mund të vazhdohet të shkohet me batanije në dimër apo me peshqirë, qull në djersë në verë. Na duhet një teatër modern. Ndaj, dua t’ia shtrij dorën kujtdo, që për një arsye apo për një tjetër, sot zemrën e ka të thyer dhe ndihet i trishtuar, se një betejë që i mori kohë, energji, doli pa fryt.
Dua t’ju them që nuk është kështu. Tirana është shtëpia jonë e përbashkët. Ne mund te kemi opinione të ndryshme, por nuk mund të kemi fakte të ndryshme. Detyra e bashkisë është që të vendosë mbi faktet, mbi institutet, mbi inxhinierët, mbi urbanistët, mbi arkitektët, mbi ligjet e këtij vendi, që thonë çfarë është apo nuk është monument kulture. Në momentin që ky vendim është marrë, ka ardhur koha që të shohim përtej kësaj dite. Ka ardhur koha që të përqafojmë njëri-tjetrin, të mos lëmë partitë të na përçajnë, të mos lëmë partitë të sulin shqiptar me shqiptar, vëllezër dhe motra kundër njëri-tjetrit. Ky nuk është momenti për t’u përçarë, por për t’u bashkuar! Besomëni! Partitë politike fërkojnë duart kur shohin sesi ne përçahemi.
Dhe për çfarë? Për të pasur një teatër të ri modern për fëmijët tanë dhe gjeneratat e reja të këtij qyteti. Ndaj, vëllezër dhe motra, çfarë iku, iku. Ka ardhur koha të bëhemi bashkë. Kemi qenë të mërzitur kur mbaroi këndi i lodrave, po sa shumë jemi gëzuar duke çuar fëmijët te ai kënd. Edhe atëherë u përfshinë OJF, por ja ku jemi sot. Ishin disa njerëz aktivistë shumë të mërzitur, kur ne liruam pjesën e dytë të Liqenit; atëherë Amnisty International u përfshi, një tjetër OJF e rëndësishme, por siç u kuptua, ishte vendimi i drejtë. Edhe romët morën shtëpitë e tyre dhe ne fituam pjesën e dytë të Liqenit.
Shihni Bulevardin e Ri, që do të jetë damari ri ekonomik i Tiranës, shihni sherrin që patëm për Pazarin e Ri, për sheshin Skënderbej, që në 1913, na u deshën 104 vjet për të mbaruar një shesh. Kur ne shqiptarët bëhemi bashkë, ne bëjmë gjëra të mrekullueshme. Ne po punojmë momentalisht edhe te Kalaja e re, do të shtojmë edhe njëherë kaq Kalanë, një tjetër projekt i kontestuar. Nuk mbaj mend kur kemi bërë një punë të madhe në Tiranë e të mos jetë e kontestuar, e debatuar, mos të jenë të përfshirë lloj-lloj politikanësh që na kanë përçarë këto 30 vite. Mendojnë vetëm çfarë votash do kapitalizojnë kur fusin shqiptarët në sherr dhe pastaj siç e patë, shkojnë në makinat e tyre luksoze, në vilat e tyre dhe ne vazhdojmë dhe theremi dhe shajmë njëri-tjetrin.
Nuk shkon. Ajo që na ka hije është që tani ne të bashkëpunojmë. Nuk ka rëndësi nëse kemi qenë në anë të ndryshme të kësaj barrikade deri më sot, por unë sot, me zemër në dorë, dua t’ju shtrij dorën, t’ju hap krahët dhe dua që të bashkëpunojmë sesi ne këtë projekt mund ta bëjmë akoma më të mirë seç e kemi sot. Në finale do harrohet zhurma siç u harrua te Pazari i Ri, te Kalaja, te Sheshi, te Lumi, te Bulevardi, te Liqeni dhe te Lodrat. Në finale do të triumfojë produkti. Kemi mundësinë sot të kalojmë në një produkt cilësor, të denjë për Tiranën e këtyre 100 viteve që vijnë.
Ju dua shumë! Ndonjëherë kjo detyrë kërkon të marrësh vendime shumë të vështira. Ndoshta, vendimi më i vështirë i jetës time për të zbatuar vendimin në fakt të Këshillit Bashkiak, por ndonjëherë gjëja e drejtë do të gjykohet me gjakftohtësi më vonë. Kemi marrë një vendim të drejtë miqtë e mi! Na priftë e mbara dhe mezi pres që ditët që kemi përpara t’i kalojmë duke bashkëpunuar, duke u përqafuar, duke u vllazëruar dhe jo duke u përçarë. Tirana është një shtëpi e madhe dhe ka vend për të gjithë.
Ju falenderoj të gjithëve nga zemra dhe pavarësisht si i kemi opinionet, kemi shumë rrugë për të bërë që Tirana të shkëlqejë akoma më shumë.”- tha Veliaj. / KultPlus.com
Shoqata Sindikale e Teatrit Kombëtar të Kosovës, denon fuqishëm aktin e shëmbjes të godinës së Teatrit Kombëtar të Shqipërisë, nga pushteti sot në Tiranë (ende pa u gdhirë) dhe dhunën e përdorur kundër artistëve e aktivistëve, mbrojtës të këtij monumenti.
Skena të tilla, të rikthejnë në kujtesë ngjarjet e shekullit të kaluar, kur sistemet diktatoriale orvateshin të mbijetonin duke përdorur shfrenueshëm aparatin e dhunës mbi popujt liridashës, të cilat akte janë të papranueshme të ndodhin në shekullin e 21, në një vend që pretendon të aderoj në Bashkimin Evropian, union ky i përbër nga shtetet me demokracitë më të përparuara të botës.
Akti i goditjes dhe zvarritjes në ërresirë i artistëve: Edmond Budina, Neritan Liçaj, Robert Budina, Mehdi Malka etj, të krijon imazhin surreal të skenave të dhunshme në produksionet filmike, ku simulimi i dhunës përdoret për ta vetëdijesu publikun nga pasojat që ajo ka, por përdorimi i sajë si mjet sot mbi artistët dhe tempullin ku ata shpërfaqnin artin e tyre, është jasht ç’do realiteti të pranueshëm njerëzor dhe qytetrues.
Fatkeqësisht e ter kjo dhunë, u përdor për shëmbjen e një vepre shpirtërore dhe historike, një vepre të marrë nën mbrojtje nga organizatat më prestigjioze që merrën më ruajtjën e trashëgimisë kulturore në kontinent, si Europa Nostra.
Paradoksalisht para pak vitësh drejtuesit e pushtetit në Shqipëri, më arsyetimin e rikthimit të kujtesës historike, transferuan disa bunker nga kodrat për rreth në qënder të Tiranës, ndërkohë që në emer të ” ngritjes së modernës ” të njëjtit pushtetarë që sollën reliktet e diktaturës pranë sajë, shbën simbolin e frymimit kulturor dhe historik të artit skenik shqipëtar.
Shëmbja e ndërtesës së Teatrit Kombëtar të Shqipërisë është sulm mbi trashëgimin, kulturën dhe historinë materiale të vendit e ku në mungesë edhe të sajë, shqipëtaret do të vazhdojnë ta pasqyrojnë historinë e tyre nëpermjet burimeve tjeta dytësore.
Sot më shëmbjen e kësaj godine u rrënua një simbol i papërseritshem historik, por u ringrit shpirti liridashës i një vendi, i cili u ushqy pa rreshtur për dy vjet më radhë, nga qëndrestarët e kësaj kauze. / KultPlus.com
Sot, kur kulturës shqiptare i është hequr një monument me vlera të mëdha, i gjithë komuniteti i artistëve dhe jo vetëm, po përjetojnë një dhimbje të madhe, shkruan KultPlus.
KultPlus ju sjell një thënie shumë të njohur të Arthur Miller, që flet për magjinë e pakrahasueshme që ka teatri.
‘Teatri është kaq pafundësisht mahnitës, është kaq shumë i ngjashëm me jetën’ / KultPlus.com
Sot, pas katastrofës, miq nuk ka cfarë them, ndaj mos më pyesni! Teatri dukej i lëshuar qysh para disaditësh! Mirupafshim! Te na rrojë retorika hipokrite!
A thua se politika është tërheqje litari, kala dibrançe, a shtyrje me muskuj. Me vjen keq veç Tiranës sonë që i shkatërruan vlerat në mënyrë kriminale, pa ligj, edhe për ata njerëz të sinqertë të pamanipuluar dhe aspak hipokritë që e kaluara jonë arkitekturale ju dhemb! Hija e teatrit do ju ndjeki
Unë pres nga opozita të deklarojë që ; në momentin që do të ketë fuqi, do ta ringrejë ndërtesën po aty, siç ka qenë, moderne e ultramodern nga brenda! Duke e hequr çibanin që po i ze vendin!
Që do e përballi këtë çështje juridikisht sapo Shqipëria të jetë me sistem drejtësie, jo ta braktisi sikurse bëri me reformën e pushtetit lokal, me ligjin për arsimin e lartë, jo sikurse la fushatën zgjedhore në 2017 -ën, sikur la në baltë betejën për zgjedhje të drejta në universitete!
Vija e kuqe kundër arbitraritetit nuk mund të ishte ruajtja e ndërtesës të Teatrit! Janë diskutimet që po bëhen nja një kilometër më larg ku po braktisen zgjedhjet e lira, të drejtpërdrejta, reale me lista të hapura! Kush na bërtet se shteti i sotëm është diktaturë!!! Që nuk duhet njohur? Nga ana tjetër negocion si midis të barabartësh për kodin zgjedhor pa zgjedhje dhe pa zgjedhës??? Cfarë hipokrizie politike!!!
Aty është vija e kuqe! Mos i ngatërroni vijat ! Merrni njerën për tjetrën! Po nuk bëri këto premtime, atëhere më mirë të heshti! Qendrojmë në fatin tonë ! Secili në punë të vet! / KultPlus.com
Dora ime shpërdan heshtjen, nji heshtje të rrasun si njimbasnjishmënia e trungjeve të shtyllave në tempull. Ajo e di se kjo heshtje ndrit si hanë lirike në nji qiell prej guri. (Qielli asht i dhimbshëm. Ai na mëson dashuninë. Retë janë letrat e tij të parat. ) Dora në letër shpërdan heshtjen, dita largohet dhe nata hyn si sallë e vjetër teatri, që mërdhet në orët e shurdhëta të mëngjesit. Kurse mbi pullazet e shtëpive deri te vetulla ime naltohet nji oxhak i pamatë, pingul, që shqisat e mia ma përkthejnë të pjerrët, eshtnat në ramje, mushknitë në pluhun. Në këtë orë teatri hap. Karrigat hanë pluhnin me nofulla pa dhambë. Nxehtësia njerëzore asht tjetërkund. Në skenë heshtja, me gjeste foshnjore, zhveshet lakuriq. Veshi fillon të shofë. (Sepse çdo lule qiellit të vet i përngjet. ) Kadifja bahet qiell vertikal. Kandilat e vemendshëm na mësojnë se heshtja nuk asht gjithnji e ftoftë. Në fundin e sallës nji heshtje tjetër po lén. E imja. / KultPlus.com
Qeveria e Shqipërisë në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës, në një akt të paprecedent, sot herët në mëngjes ka shembur godinën historike të Teatrit Kombëtar Shqiptar. Aksioni banditesk është shoqëruar me dhunë ndaj artistëve dhe aktivistëve qe po e mbronin teatrin tash e gati 3 vite.
Me dhjetëra aktivistë e artistë janë arrestuar dhe dërguar në stacion policor në orët e hershme të mëngjesit, duke përfshi këtu edhe gazetarë. Në mars 2020, ndërtesa e Teatrit Kombëtar të Tiranës u listua ndër shtatë objektet më të rrezikuara në Evropë nga Europa Nostra – një ndër organizatat më të mëdha për ruajtjen e trashëgimisë kulturore në Evropë.
Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ka thirrë protestë sot në Tiranë dhe me qindra qytetarë tashmë janë mbledhur në zonën rreth Teatrit.
Në shenjë solidariteti me përpjekjen e tyre gati tre vjeçare, sot në ora 17:00 para Teatrit Kombëtar të Kosovës të gjithë ata që janë të prekur nga kjo ngjarje, do të mblidhen për shprehur indinjatën e tyre në raport me shembjen e Teatrit në Shqipëri.
‘Ftojmë të gjithë/a ata/o që ndajnë të njëjtat bindje, të na bashkohen sot para Teatrit Kombëtar të Kosovës, duke respektuar rekomandimet e IKSHPK dhe vendimet e Ministrisë së Shëndetësisë për parandalimin e përhapjes së COVID – 19. Ju lutemi të jeni të pajisur me maska e dorëza si dhe të mbani distancën prej së paku 2 metrash nga pjesëmarrësit/et tjerë/a në aksionin simbolik. Për të mbajtur distancën e rekomanduar ju lutemi të pozicionoheni tek pikat e vendosura në sheshin para Teatrit.’, thuhet në njoftimin për media. / KultPlus.com
Sot në orët e hershme të mëngjesit është shembur ndërtesa e Teatrit Kombëtar në Tiranë, duke ngjallur edhe më shumë debat mes komunitetit të artistëve të cilët kanë shprehur dhimbje të mëdha për këtë gjë që konsiderohet si një humbje e madhe e kulturës shqiptare, shkruan KultPlus.
Për të u zolidarizuar për shembjen e Teatrit, që nga komuniteti i artistëve konsiderohet një tragjedi, Teatri Kombëtar i Kosovës ka anuluar shfaqjen që ka qenë e planifikuar të shfaq sonte.
Lajmi është bërë i ditur në faqen zyrtare të Teatrit Kombëtar në Facebook.
Bashkangjitur gjeni postimin e plotë.
‘Me rastin e shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar në Tiranë, sot anulojmë shfaqjen e Teatrit Kombëtar të Kosovës “Skenderbeu ose Dashuri dhe Liri”, që ishte planifkuar të jepet sonte online / livestream në faqet e të gjitha teatrove të Kosovës, pjesëmarrëse në kalendarin e përbashkët për muajin maj. Teatri ka ekzituar para nesh dhe do të ekzistojë përgjithmonë.’ / KultPlus.com
Në punën time modeste, paleografinë e greqishtes dhe historinë e librit, të cilën kryej prej vitesh, shpesh më vjen e natyrshme pyetja: “Cilat mund të kenë qenë arsyet që nuk kemi trashëguar numër të madh dëshmish të shkrimit në gjuhën shqipe?” Aq sa e natyrshme është pyetja, po aq e natyrshme është edhe përgjigja: sepse nevojat praktike nuk e diktonin, dhe ligji nuk e mbronte ekzistencën e shqipes.
Po të marrim të mirëqenë hipotezën se shqipja (në format e veta arkaike) është shkruar herët, dhe po të lëmë mënjanë teoritë konspirative, përgjithësisht këto janë shkaqet kryesore që kanë sjellë mosruajtjen jo vetëm të cilitdo monumenti tjetër të shkrimit shqip, veç të njohurave, por edhe të një numri të pallogaritshëm monumentesh të shkruara, qoftë në pergamenë apo letër, qoftë mbishkrime në gur, metal, dru, etj.
Pa u futur në hollësi shkencore (të cilat po i lë mënjanë për të mos u stërzgjatur në shembuj dhe analiza), ca rregulla të botës mesjetare, Humanizmit Europian, Rilindjes dhe epokës moderne janë të njohura: një tekst i panevojshëm, si fillim, nuk justifikon ekzistencën dhe, nëse ekziston, nuk është e domosdoshme të ruhet. E vështirë të dimë sot se sa kopje të “Mesharit” të Buzukut kanë qarkulluar në gjuhën shqipe. Por dimë se Reforma e Kishës Katolike (ose Kundër-Reforma) përcaktoi heqjen nga qarkullimi dhe asgjësimin e teksteve biblike dhe liturgjike në gjuhë të paautorizuara apo gjuhë të cilat nuk ofronin garanci për ruajtjen e paprekshmërisë së doktrinës.
Thënë me fjalë të tjera, gjuhët minore, mes tyre dhe shqipja, nuk përmbushnin kushte gjuhësore për të shprehur njësoj si latinishtja doktrinën e krishtere, nuk ekzistonin filologë të këtyre gjuhëve, të cilët do të garantonin qëndrim dogmatik pa shkarje në herezi apo apostazi. Kjo, vetvetiu, dekurajon lëvrimin e mëtejshëm të shqipes brenda arealit kishtar katolik.
Po aq, pjesa tjetër shqipfolëse, e ndodhur nën administrimin e Kishës së Lindjes, me qendër Konstandinopojën, nuk ka prodhuar tekste për përdorim fetar në gjuhën shqipe. Arsyeja është e thjeshtë: çdo gjuhë tjetër veç zyrtares krijon hapësirë për skizmë apo herezi. Nga sa dimë deri sot, në arealin ortodoks që ndodhej nën Patriarkanën e Konstandinopojës, hasim raste sporadike të përdorimit të shqipes si gjuhë liturgjike, dhe këto jo më herët se shek. XVIII.
Në të dy rastet, qëllimi është i justifikuar teologjikisht, ndaj mbi këto baza merret vendimi. Askush nuk ka qëllim në vetvete të zhdukë një gjuhë (të paktën kjo nuk mund të vërtetohet me metodat shkencore ende në veprim). Autoriteti suprem shpirtëror ka vepruar duke përmbushur detyrimin parësor të fronit që mban: kujdeset për grigjën.
E më pas, po të përmendim arsimin, gjërat janë më të thjeshta: gjuhët minore nuk mbanin dot barrën e shkencave të natyrës dhe të shkencave humane. Po ashtu, gjuhët e traditës dominonin dhe u braktisën vonë (rastet janë të pakta, por tema doktoratash në latinishte vazhdojnë ende të shkruhen në Europë).
Si përfundim, askush nuk deshi të padrejtësonte shqipen. Askush nuk mendoi për vjetërsinë e një monumenti të shkruar, teksa nuk e ruajti atë, qoftë në nivel qendror qeverisës, qoftë në nivel individual. Madje, as vetë prijësit tanë fisnikë, që na lanë trashëgim emrat arbërorë, nuk duket se kishin ndonjë parapëlqim të shquar për gjuhën amtare. Pasi as tradita ekzistonte, as ligjet parashikonin gjë.
Bëra këtë meditim të mësipërm për të mbërritur në një paralelizëm: pavarësisht formatit të tyre tejet të ndryshëm, monumentet e shkruara dhe monumentet e trashëgimisë kulturore të paluajtshme nuk ndryshojnë në karakter. Ndërtesat që nuk janë historike, por përmbajnë vlera për historinë e Qytetit, qoftë emocionale sot, qoftë edhe arkitekturore dhe monumentale nesër, nuk sjellin asgjë, përpos harresës, kur trajtohen si të panevojshme dhe ligjërisht të pa mbrojtura.
Gjithë rrugëtimi i gjatë i ndërtesës së Teatrit Kombëtar, që kur u përurua më 8 gusht 1939, deri sot, mund të mos jetë shembull i ngjashëm me zonat arkeologjike, të cilat datojnë që në paleolit, por në domethënie është po aq i rëndësishëm sa edhe pjesët e mbetura të Tiranës historike që ka përreth: xhamisë së Et’hem beut, Kullës së Sahatit, mbetjeve të Kalasë së Tiranës, apo Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” dhe ndërtesave qeveritare. Bashkë me çdonjërën prej tyre, po aq sa ato, Teatri është simbol i qytetit.
Gjithmonë e më shpesh përsërisim keqardhjen për humbjen e Pazarit të Vjetër të Tiranës (pavarësisht se, të nesërmen e çlirimit të Tiranës, Pazari ishte shkatërruar me gjithsej, e s’kishte mbetur shenjë e traditës). Keqardhja, pastaj, shkon në skajin verior të Pazarit, kur në vitet ’60 u shkatërrua bazilika ortodokse, natyrshëm kapton Sheshin “Skënderbej” dhe shtrihet tek i dikurshmi Bar-Restorant “Kursal”. Me rend kronologjik, i vjen radha Bashkisë së vjetër dhe hamamit pas saj… Është krejtësisht e lehtë të shtrihemi kështu, me mendje, në gjithë kryeqytetin, duke kujtuar ndërtesa, të cilat pavarësisht në kanë pasur apo jo statusin “monument”, sot nuk ekzistojnë dhe krijojnë boshllëk të ndjeshëm në historinë e Tiranës dhe në historinë kolektive të banorëve të saj, të vjetër e të rinj, vendas a ardhacakë. (Këtu, për të pafundmen herë, më kujtohet ekspozita e pagëzuar “muze” në sqetull të Ministrisë së Punëve të Brendshme, e cila vazhdon të shitet si vlerë dhe tërheqje turistike prej autoriteteve qendrore dhe lokale, e ndodhur mu nën hundë të Teatrit, ndërmarrje që çuditërisht folka më shumë se Teatri!!!)
Nëse në ekzistencën e një kombi, gjuha është elementi i pazëvendësueshëm që ruan thelbin e bashkimit kombëtar, Qyteti është elementi meta-gjuhësor që bart identitetin e shoqërisë ndër breza dhe shekuj, duke folur përmes formës trepërmasore të tij. Fatkeqësisht, Tirana është shndërruar në një qytet memec dhe analfabet njëherazi, pa gjuhë që artikulon, pa kod gjuhësor; është shndërruar në një qytet pa imazh, është kthyer në një qytet fotografish, të cilin, për ta kuptuar, duhen hapur koleksionet e vjetra fotografike, kryesisht të rrugëtarëve a pushtuesve, e pastaj të fotografëve vendas të gjysmës së parë të shek. XX.
Pse-në ndoshta na e thotë, ashtu, me gjuhën e vet cinike (duke pasur parasysh shkollën përkatëse filozofike, jo kuptimin modern të fjalës), Andistheni, filozofi grek i viteve 445-360 para Krishtit: Τὰς πόλεις ἀπόλλυσθαι, ὅταν μὴ δύνωνται τοὺς φαύλους ἀπὸ τῶν σπουδαίων διακρίνειν (Qytetet shkatërrohen atëherë kur [ato] nuk shquajnë dot të mirët nga të ligjtë).
Shpesh, dhe jo vetëm lidhur me sa më sipër, më kujtohet zgjidhja e romanit “Dosja H.” i shkrimtarit Ismail Kadare: pllakat e gramofonit, ku studiuesit e huaj kishin regjistruar gjenezën e epit, faktet që vërtetonin katërçipërisht lidhjen e shqipes, shqiptarëve dhe Homerit, u shkatërruan nga ushtritë serbe dhe, kësisoj lidhja humbi përgjithmonë. Formulën e kemi gati, gjithsesi: fajin e ka serbi a greku! / KultPlus.com
Cikli i sesioneve live nga muzikantë të dalluar të vendin në kuadër të programit “Rri n’shpi me neve” do vazhdojë t’i shoqërojë shikuesit çdo mbrëmje për katër javë rresht.
Performanca nga “Ethno Fusion”, “No Name”, “String String”, Arbër Salihu, Taulant Mehmeti, Malda Susuri e shumë të tjerë, do i mbushin mbrëmjet me tinguj.
Nga e hëna në të premten, teksa mbani distancën dëgjoni muzikë live nga disa prej muzikantëve më të dalluar kosovarë. / KultPlus.com
“Waterloo” e grupit muzikor Abba është cilësuar si kënga më e bukur e të gjitha kohërave në Eurovizion nga shikuesit e BBC-së.
Katërshja nga Suedia e fitoi kompeticionin më të rëndësishëm të muzikës europiane me këtë këngë në 1974 në Brighton. Kënga, e cila kryesoi për shumë javë listat në Mbretërinë e Bashkuar, i hapi rrugën drejt famës grupit, që arriti të shiste afro 6 milionë kopje të saj.
Të Premten, korporata njoftoi listën e shkurtër për programin që përfshinte këngët klasike të Eurovision nga Verka Serduchka, Loreen, Alexander Rybak, Netta, si dhe Bucks Fizz, Conchita Ëurst
Por ishin Agnetha, Anni-Frid, Benny dhe Bjorn ata që përfundimisht triumfuan, me metaforën e tyre muzikore në lidhje me gëzimet e dorëzimit të dashurisë. / KultPlus.com
Teatri shkoi sepse gjendej në vendin e gabuar, jo sepse ishte në godinen e gabuar. E morrën bandat parapolitike që karrieren e pushtetin i kanë hipotekë pranë rrjeteve më të rrezikshme kriminale që ka Evropa sot.
Edi Rama ka shumë borxhe ndaj mafias sepse falë saj erdhi dhe qëndroi me dhunë e vjedhje në pushtet. Borxhi më së lehti kthehet me tokë sidomos kur parcela gjendet në zemër të kryeqytetit. Bota mbarë e di tashmë që ky njeri është në fazen finale të vetshkatërrimit pasi i dështuan të gjitha idetë politike dhe iu demaskuan të gjitha lidhjet dhe varësitë kriminale. Dhe tash që Evropa e bota kanë halle tjera, momenti është ideal për vjedhje e tjetërsime masive të pasurive publike.
Por populli shqiptar nuk duhet ta pranojë shkatërrimin as shembjen e Shqipërisë sepse Shqipëria s’eshte e bandave as e feudëve skllavopronarë që e kanë kthyer atë vend në një kartel gjigand, të izoluar nga bota.
Populli shqiptar duhet të revoltohet sot sepse me këtë turrje olikarko-diktatoriale nesër s’do ketë më as të drejta themelore për shprehje e mendim. E vetmja shpresë do mbetet ikja nga ai vend në pronësi të oligarkëve të modelit rus të viteve 1990.
Populli duhet ta shpëtojë Shqipërinë nga skizoftenia politike e një lideri të çmendur nga megalomania.
Mos prisni gjë nga Evropa as nga Amerika sepse bota ka ndryshuar dhe asnjëra s’janë më të forta sesa fuqia dhe vullneti i një populli që kërkon dinjitet.
Mos i shikoni me indiferencë devijimet diktatoriale sepse nesër kjo çorodi do e kap secilin, secilin që nuk pranon t’i shërbejë kartelit kriminal.
Mos pranoni qëndrimin në kafazin çnjerëzues ku liria dhe dinjiteti nuk vlejnë asgjë, ku siguria është ëndërr dhe shpresa inekzistente.
Në prag të sezonit veror dhe me një turizëm global në pikëpyetje për shkak të pandemisë, ne parashikojmë një të ardhme të suksesshme për turizmin shqiptar, shkruan Sara Perico e vadoinalbania.it, një operator turistik që promovon Shqipërinë në Itali dhe që kryesisht është i përqendruar në turizmin kulturor, natyralist dhe mjedisor.
”Në janar ishim bërë tashmë gati për sezonin, të karikuar dhe plot entuziazëm.
Programi ynë i tureve dhe ekskursioneve ishte i mbushur me propozime, njëri më interesant se tjetri dhe, gjithashtu, kishim gati edhe një gamë të gjerë hotelesh e apartamentesh për pushime.
Një punë përzgjedhëse e shkëlqyer e strukturave dhe burimeve, e bëre me kujdes dhe përpikmëri për të ofruar më të mirën, sepse ky është misioni dhe qëllimi ynë kryesor.
Ky vit, përsërisnim gjithmonë me vete, do të jetë vit i mrekullueshëm për Shqipërinë, do të jetë viti i suksesit, viti i ngritjes së pandalshme, vit në të cilin Shqipëria do t’i bashkohet përfundimisht destinacioneve më të parapëlqyera mesdhetare.
Ne ishim aq të lumtur dhe plot energji, me panaire, katalogë, bashkëpunime, sa nuk u ndalëm për asnjë çast.
Në fund të shtatorit, ne mbyllëm turneun e fundit në grup të sezonit dhe para mesit të tetorit kishim filluar të planifikonim për vitin 2020.
Dhe shifrat na dhanë shpejt të drejtë; shumë vizita në faqen e internetit dhe në janar kërkesat për kuotat ishin kaq shumë, saqë mezi arrinim t’i ndiqnim. Edhe konfirmimet e para erdhën shumë herët dhe shumë më të shumta se vitin e kaluar.
Me pak fjalë, parashikohej një sukses i paparë.
Pastaj erdhi ai, ashtu krejt papritur, si një tornado. Ky COVID-19 na zuri të gjithëve në befasi, si në nivel njerëzor, ashtu edhe në atë professional.
Në pak javë, ai u bë protagonisti i maktheve tona më të këqija, na hodhi në një det trishtimi, frike, zemërimi, pasigurie, dëshpërimi dhe melankolie.
Edhe ne u tronditëm, do të ishte marrëzi ta mohonim atë.
Datat e para të udhëtimeve tona me nisje të garantuar u anuluan, grupet private që duhej të nisnin në prill u shtynë në një datë të pacaktuar dhe kërkesat u ndërprenë befas për javë të tëra.
Dhe kështu, i gjithë sektori i turizmit, që është ndër më të dëmtuarit në botë dhe në të gjitha nivelet, nga agjencia më e vogël lokale e udhëtimeve deri te kompanitë e mëdha të menaxhimit të ushtëtimeve ndërkombëtare, të gjithë do të vuajnë për një kohë të gjatë.
Por, ajo që nuk ka munguar kurrë është shpresa që na mban gjithmonë në një nivel të lartë entuziazmi dhe dëshire për të filluar nga e para.
Na duket vetja si në vijën e nisjes, me një këmbë te frenat dhe tjetrën te gazi, gati për t’u nisur!
Të ushqyer nga shpresa se Shqipëria e ka përballuar mirë pandeminë, pjesërisht falë faktit që ka pak zona me dendësi të lartë të popullsisë, falë gatishmërisë vendimmarrëse të qeverisë dhe pjesërisht, kjo duhet pranuar, falë edhe pjesëmarrjes bashkëpunuese të popullatës.
Por çfarë do të ndodhë pas një, dy apo tre muajsh, këtë ne nuk e dimë.
Si do të shkojë kjo verë 2020, që tashmë e kemi në prag, kjo është një e panjohur e vërtetë.
Ajo që dimë është se, sido që të shkojë, viti 2020 është dhe do të mbetet viti i suksesit të madh të turizmit në Shqipëri, viti i shumë kërkesave, viti i hyrjes në mesin e destinacioneve më të kërkuara, viti i marrjes së shpërblimit!
Fakti që ky sukses u mbyt pjesërisht nga forca madhore, nuk do të thotë se nuk është një sukses, nuk do të thotë se kemi humbur gjithçka, nuk do të thotë se dëshira për të vizituar këtë vend të bukur është zvogëluar, përkundrazi, besoj se pas rimëkëmbjes Shqipëria do të dalë fitimtare, sepse gjatë kësaj periudhe të vështirë ka treguar se është në gjendje të përballojë situatat e urgjencës në një mënyrë pragmatike dhe vendimtare dhe ka treguar vazhdimisht se ka një zemër të mrekullueshme.
Pra, sido që të shkojë, tashmë Shqipëria është një histori suksesi! /atsh/ KultPlus.com
Në 100 vjetorin e saj të dytë të shpalljes Kryeqytet, Tirana ka hedhur sot themelet për t’i dhënë komunitetit të artistëve, aktorëve, regjisorëve, por edhe qytetarëve artdashës, një shtëpi të re arti dhe kulture, Teatrin e Ri Kombëtar.
E konceptuar të jetë edhe si zemra kulturore e Tiranës dhe e gjithë Shqipërisë dhe e dedikuar vetëm për art, projekti i Teatrit të Ri është krijuar nga një prej studiove më të mëdha ndërkombëtare të arkitekturës në botë, “Bjarke Ingels Group” me qendër në Danimarkë. Godina e re ofron një arkitekturë me dizajn modern dhe krijon një hapësirë unike në qytetin e Tiranës, me të gjitha kushtet e nevojshme për realizimin e shfaqjeve teatrore.
Hapësira në nivelin zero (kati përdhes) krijon një vend për argëtim joformal, ose për performancë të planifikuar publike.
Teatri i ri do të ketë të dedikuar disa ambiente të posaçme për shfaqjet dhe aktorët.
Për herë të parë, gjithashtu për artistët do të ketë një hapësirë që do përdoret si sallë ndërrimi, një sallë provash, tualete dhe dushe si dhe një dhomë të gjelbër.
Në shërbim të shfaqjeve të ndryshme artistike do ketë një dhomë instrumentesh muzikore, një depo materialesh skenike, një depo dekori, sallë teknikësh, etj. /shqiptarja/ KultPlus.com
Ndrenika tha për TVT se nuk ka firmosur asnjë një peticion, por kishte shprehur vullnetin për ngritjen e një teatri të ri, transmeton KultPlus.
“S’është për shembjen e Teatrit, e ke gabim. Unë kam vënë një firmë se dua të ndërtohet një teatër i ri bashkëkohor,(në vend të atij që është) mirë mbase gjejnë një vend më të mirë e ta bëjnë atje, si të doni”, tha ai.
Ndërkohë, edhe aktori Viktor Zhusti thotë për TvT se në këtë situate, me shume se kurrë, e nevojshme dhe e domosdoshme është qetësia dhe mirëkuptimi dhe se vetëm dialogu mund te sjelle zgjidhje te arsyeshme.
“Deklarata, peticione, intervista, kërcënime, nga çdo pale që të vijnë, janë benzinë e hedhur, është një zjarr që vetëm shkatërron. Sikur palët politike, të çdo drejtimi, të tërhiqen dhe presin, jam i bindur qe vetë artistët, do dalin nga istikami, do hedhin armët që kanë drejtuar kundër njeri-tjetrit, do shtrijnë e shtrëngojnë dorën, pasi kanë intelektin, qytetarinë dhe e njohin gjuhën e nevojshme të mirkuptimit midis tyre.”, pohoi Zhusti.
Zhusti vijon më tej në mesazhin e tij se pergjigjet flake per flake, ndarjet në grupime, etiketimet “te shitur”, postimi i video-intervistave janë kompromentuese, te sforcuara, dhe artificial dhe nuk ndihmojnë askënd, as vete çështjen.
Bujar Asqeriu, një ndër artistët që në fillim shkëmbeu debate të ashpra me ministren e atëhershme të kulturës Mirela Kumbaro, sot mendon se zgjidhja e vetme është vota e qytetarëve. “Referendumi është zgjidhja e vetme e kësaj pune, se është një situatë shume sensitive, dhe çështja duhet të hedhur me referendum”, tha Asqeriu.
Për studiuesin Aurel Plasari, teatri Kombëtar është një pasuri që nuk u përket vetëm artistëve, por gjithë shqiptarëve. “Është monument kulture, është i qytetarëve, është i kulturës shqiptare, dakord, unë nuk e di që është monument aktorial, ka në ligje monument aktorial? Ai është monument kulture, histori shqiptare dhe kaq. Ka njerëz që luftojnë që e mbrojnë, ka të tjerë që duan ta prishin për llogari të tyre”.
Ndërsa Atalanta Pasko, vajza e Mitrush Kutelit, e cila reagoi ashpër ndaj fjalimit në parlament të deputetes socialiste Elisa Spiropali, thotë për TVT se mbrojtja e teatrit është mbrojtje kujtesës sonë historike. Artistët dhe shoqëria civile vijojnë të mbrojnë godinën e Teatrit Kombëtar duke kërkuar që ai të mos shembet, pasi tashmë Organizata Europa Nostra ka marrë përsipër ta restaurojë atë. /konica/ KultPlus.com
Forcat policore shqiptare janë përplasur me protestuesit në Tiranë në orët e para të së dieles, gjatë shembjes së objektit të Teatrit Kombëtar.
Përleshja ka nisur kur një i ri ka tentuar që ta kalojë kordonin policor, raporton Top Channel, transmeton KultPlus.com
Policia ka ndërhyrë menjëherë duke e mos lejuar që kordoni të kalohet nga protestuesit dhe aktivistët.
Gjatë përleshjes me policinë, protestuesit bënin thirrje ‘poshtë diktatura’, në konfrontimin verbal me policinë.
Ndaj shembjes së Teatrit Kombëtar po protestojnë ish-deputetë dhe mbështetës të Lëvizjes Socialiste.
Shembja e objektit kishte nisur në orët e para të mëngjesit të së dieles. Disa aktorë që protestonin për ruajtjen e objektit, janë shoqëruar në polici.
Sipas medieve shqiptare, në polici janë shoqëruar aktori Neritan Liçaj, aktorja Juli Emiri dhe regjisori Robert Budina.
Për shembjen e Teatrit Kombëtar është dashur edhe ndërhyrja e policisë.
Rreth incidenteve ka reaguar edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Rama e ka postuar një video në facebook, teksa ka shkruar se protestuesit që protestonin për ruajtjen e godinës “nuk e duan zhvillimin e kryeqytetit”.
Sipas Ramës, protestuesit janë të njëjtën persona që kanë protestuar edhe për projekte të tjera madhore. / KultPlus.com
Pak javë pasi festoi ditëlindjen e 113-të, ajo gjeti veten nën kujdes të mjekëve në shtëpinë e kujdesit ku qëndron në Spanjën verilindore, duke vuajtur nga koronavirusi.
Tani Maria Branyas – e shëruar plotësisht dhe që besohet të jetë më e moshuara që i ka mbijetuar virusit – po kërkon një rend të ri botëror.
“Duhet të bëhet gjithçka nga fillimi dhe ndryshe”, ka thënë Branyas, duke përshkruar se një transformim është borxh ndaj atyre që kanë vdekur nga virusi. “Duke parë moshën time, me gjasë nuk do të jem aty. Por më besoni, një rend i ri botëror është i domosdoshëm”.
Lajmi se Branyas, spanjollja më e moshuar e gjallë, i ka mbijetuar koronavirusit “pushtoi” botën javën e kaluar, duke ofruar pak buzëqeshje për një nga vendet më të prekura të botës. Në Spanjë, deri tash virusi ka marrë jetën e më shumë se 27 mijë persona.
COVID-19 kishte shpërthyer në qytetin Olot ku jeton Branya në fund të muajit mars. Stafi i shtëpisë së kujdesit kishte vazhduar të kujdesej për banuesit. Virusi ka marrë jetën e 17 nga 133 personat që jetonin në këtë shtëpi. Branya ka tejkaluar edhe gripin spanjoll të 1918-së, dy luftëra botërore e luftën civile në Spanjë. Ajo tejkaloi edhe koronavirusin, por ka thënë se u mërzit shumë pasi, sipas saj, u prek pjesa e harruar e shoqërisë.
“Pandemia ka treguar se njerëzit më të moshuar janë pjesa e harruar e shoqërisë sonë”, ka thënë ajo në një intervistë për “Observer”. “Ata luftuan gjithë jetën e tyre, sakrifikuan kohë e ëndrra për kualitetin e jetës së sotme. Nuk e kanë merituar të largoheshin nga kjo botë në këtë mënyrë”. / KultPlus.com
Poezi nga Amelia Rosselli Përktheu: Astrit Lulushi
Ka diçka si dhimbje në këtë dhomë, Kapërcyer, por pesha e objekteve ndjehet, Duke nënkuptuar rëndesë dhe humbje. Ka diçka si të kuqe në pemë, Por baza e llambës është portokalli Blerë në vende që nuk dua t’i kujtoj Sepse edhe ato peshojnë. Uria e tjetrit s’mund të kuptohet Burimet janë stilizuar Saktë për ato që duan Ndryshimin e fatit të burrave të ndarë nga zhurmat.. / KultPlus.com
Komediani i njohur, Fred Willard vdiq të premten në mbrëmje, në moshën 86 vjeçare.
Vajza e tij, Hope e konfirmoi lajmin për TMZ. “Babai im ndërroi jetë shumë paqësisht mbrëmë në moshën 86 vjeçare.
Ai vazhdonte të lëvizte, punonte dhe na bënte të lumtur.”, tha ajo. Fredi kishte një karrierë të gjatë, që i ka bërë njerëzit për të qeshur, qoftë në TV apo film. Ai ishte bërë i njohur në fund të viteve ’70 me paraqitjet në: ‘Mary Hartman, Mary Hartman,’ ‘Fernwood 2 Night,’ ‘America 2-Night’, etj. Ai ishte shfaqur në komeditë: ‘Sister, Sister,’ ‘Roseanne’, ‘Access America’, ‘The Simpsons’ etj.
Ai ka luajtur edhe në ‘The Weird Al Show’, ‘Maybe It’s Me’ and a number of mockumentaries — including ‘The History of White People in America’, This Is Spinal Tap’, ‘Waiting for Guffman’, ‘Best in Show’, ‘A Mighty Wind’, ‘For Your Consideration’, etj. / KultPlus.com
Ndonëse Vlora që prej 4 majit është kthyer në zonë të gjelbër, përsëri aktet normative për të parandaluar përhapjen e Covid-19 nuk lejojnë frekuentimin masiv të plazheve.
Megjithatë shumë njerëz zgjodhën të marrin rreze dielli e të lahen, ku nuk munguan syresh qytetarë që u lanë me maska e doreza.
Sipas tyre tashmë është koha e që të ketë lehtësim të masave për të shfrytëzuar në maksimum vijën bregdetare.
Ndërsa në qytetin tjetër bregdetar, në Durrës, situata është ndryshe. Masat janë me strikte dhe rigoroze, pasi Durrësi vazhdon të jetë ende në hartën e zonave të kuqe./liberale.al/ KultPlus.com