Qeveria italiane përmes ministrit të Sporteve Vincenzo Spadafora ka deklaruar se më datë 25 maj do të hapen të gjitha palestrat e pishinat në të gjithë territorin kombëtar.
Pishinat e palestrat do të respektojnë një protokoll të caktuar distancimi për të garantuar sigurinë e shëndetit publik,
Në palestra distanca mes personave që stërviten do të jetë 2 metra e do të pezullohen kurset sportive në kontakt fizik. Në pishina çdo notar e praktikues noti do të ketë në dispozicion një sipërfaqe 7 metra katrorë.
Dhomat e zhveshjes, dushet, instrumentet e palestrës do të pozicionohen në mënyrë që të garantojnë distancimin publik e po ashtu dhe ambientet e pritjes.
Për klintelën e palestrave e të pishinave rekomandohen prenotimi i parakohshëm i frekuentimin e menaxherët e pakestrave duhet të disponojnë një listë me të paktën 14 ditë të programuara.
Hyrja në palestra do të lejohet pas matjes së temperaturës trupore e veshjet personale duhen pozicionuar në dollapët përkatës ose të mbyllura në çantat personale. /KultPlus.com
Një grup aktorësh dhe regjisorësh të kryesuar nga të mëdhenjtë e skenës së artit shqiptar, Robert Ndrenika, Luftar Paja, Viktor Zhusti, Artan Imami, Spiro Duni, Leka Bungo, Altin Basha, Arben Derhemi etj., i janë drejtuar dje pasdite me një peticion Presidentit të Republikës, Ilir Meta, Kryeministrit Edi Rama, kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe kryetares së Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, për t’iu përsëritur edhe njëherë vullnetin e tyre pro ndërtimit të një Teatri të ri Kombëtar, në vendin ku ndodhet godina e vjetër.
Dhjetra aktorët dhe regjisorët e kanë firmosur peticionin, i cili në fakt është peticioni i tretë që i drejtohet krerëve të shtetit për çështjen e Teatrit Kombëtar që nga viti 2018, ku deklarojnë se ndërtimin e Teatrit të Ri e konsiderojnë të mbyllur me sukses në emër të interesit kombëtar dhe u bëjnë thirrje atyre që t’i lënë lojërat politike sepse pikërisht nga këto lojëra komuniteti i artistëve ka mbetur edhe sot pa Teatër.
“Me këtë peticion ne kërkojmë që politika e të gjitha anëve, të mos na bëjë as ne, as projektin e Teatrit të ri Kombëtar, pjesë të lojës apo çorbës së saj. Ne Ju drejtohemi me kërkesën publike që të ndaloni menjëherë politizimin e mëtejshëm të kësaj çështjeje! Ju lutemi na mirëkuptoni, por durimi ynë ka sosur dhe nuk përballojmë dot më as edhe një kokërr loti krokodili në mexhelis për teatrin tonë! 50 vjet në atë ndërtesë-karantinë dhe të harruar nga politika na dalin e na teprojnë! Ne dhe brezat e aktorëve e regjisorëve pas nesh meritojmë një Teatër dinjitoz, që të na shërbejë jo vetëm neve, por edhe publikut teatërdashës”, shprehen artistët në peticionin drejtuar Metës, Ramës, Bashës dhe Kryemadhit.
Ndërkaq, për grupimin e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, artistët shprehen se disa i kanë miq, po disa të tjerë as nuk i njohin kush janë, por u bëjnë thirrje të ndahen nga politikanët sepse Teatri Kombëtar nuk është “Astiri” dhe as “tokë e xanun”.
Grupi firmëtar shprehet se peticioni po vazhdon të nënshkruhet edhe nga shumë artistë në këto momente, të cilët mbështesin planet për Teatrin e Ri Kombëtar.
Ja teksti i plotë i peticionit:
Ne aktorët, regjisorët dhe përfaqësuesit e artit skenik shqiptar, detyrohemi sot të rimerremi me një debat të shterruar plotësisht, të cilin nga ana jonë e konsiderojmë të mbyllur me sukses në emër të interesit kombëtar dhe të interesit të komunitetit tonë! Me anë të këtij peticioni publik, nuk duam të flasim më për nevojën e lashtë që komuniteti ynë ka për një Teatër të ri Kombëtar, modern dhe bashkëkohor, i cili duhet të ndërtohet pa asnjë diskutim në truallin e kompleksit ekzistues, sepse ai truall ka qenë, është dhe duhet të mbetet trualli material e shpirtëror i komunitetit tonë në breza.
Me këtë peticion ne kërkojmë që politika e të gjitha anëve, të mos na bëjë as ne, as projektin e Teatrit të ri Kombëtar, pjesë të lojës apo çorbës së saj. Ne Ju drejtohemi me kërkesën publike që të ndaloni menjëherë politizimin e mëtejshëm të kësaj çështjeje! Ne duam të ndajmë me Ju dhe publikun shqiptar, bindjen tonë se kushdo që do të përpiqet ta përdorë më tej emrin dhe skenën e Teatrit Kombëtar për teatro të natyrave të ndryshme, pa asnjë lidhje me teatrin tonë, nuk do as të mirën e kulturës shqiptare, as të mirën e Teatrit Kombëtar dhe as të mirën tonë jo dhe jo!
Ju lutemi na mirëkuptoni, por durimi ynë ka sosur dhe nuk përballojmë dot më as edhe një kokërr loti krokodili në mexhelis për teatrin tonë! 50 vjet në atë ndërtesë-karantinë dhe të harruar nga politika na dalin e na teprojnë! Ne dhe brezat e aktorëve e regjisorëve pas nesh meritojmë një Teatër dinjitoz, që të na shërbejë jo vetëm neve, por edhe publikut teatërdashës, që nuk mund të vazhdojë të ndjekë edhe për 50 vjet të tjera teatrin politik me Teatrin Kombëtar, në vend të shfaqjeve tona.
Ndaj, të nderuar zotërinj, kërkojmë nga Ju të mos përziheni më me nevojën urgjente që ka komuniteti ynë për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar! Sepse boll dekada janë djegur duke pritur që të merreni vesh Ju me njëri-tjetrin për zgjidhjen e këtij halli jetik për ne. Keni boll punë të tjera edhe më të mëdha, prandaj me konsideratën më të lartë, ne Ju kërkojmë të mos kërkoni tek Teatri Kombëtar as punë dhe as masha për këtë punë!
Kryeministri Rama le të merret me Armikun e Padukshëm, Lulzim Basha le të merret me Ramën, Presidenti Meta le të merret me Kushtetutën, ndërsa ne të mos merremi më nëpër këmbë me ose pa dashjen Tuaj!
Sa për ata pak kolegë dhe “kolegë” që mendojnë se kanë marrë përsipër të mbrojnë godinën, shumicën e të cilëve nuk i njohim kush janë apo disa i kemi edhe miq (pavarësisht se nuk e gjejmë dot mbi çfarë karriere skenike kanë monopolizuar dhe devijuar totalisht kauzën tonë), ne kemi lutjen publike që të ndahen nga politikanët! Sepse Teatri Kombëtar nuk është “Astiri” dhe skena kombëtare nuk është “tokë e xanun”!
Historia e Teatrit Kombëtar nuk shkruhet tek dera e godinës, po në qendër të skenës!
Duke ju uruar suksese në punën Tuaj dhe shëndet në familjet Tuaja, urojmë që të mos e konsideroni këtë thirrje publike si një letër më shumë pa përgjigje.
Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, edhe mëngjesin e kësaj të shtune vijoi qëndresën tek Teatri Kombëtar, ku i bëri thirrje SPAK-ut që të hap sytë e të nis hetimet për këtë skandal. Kryemadhi, përfaqësues të tjerë të LSI-së por dhe aktivistë të shumtë kanë kaluar natën jashtë në sheshin para Teatrit Kombëtar në solidaritet me Alencën për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar. Në fjalën e saj para gazetarëve, kryetarja e LSI-së, tha se Teatri Kombëtar do i rezistojë kufomave politike.
”Nuk duhet të lejojmë dhunimin e kësaj godine. Ajo që dua të theksoj është që kjo qëndresë do të vazhdojë, do të jetë e përnatshme. Ata janë njerëz që kanë frikë të përballen me të vërtetën, siç bënë me mbledhjen e Këshillit Bashkiak, me vendimin e paligjshëm që e morën feshurazi. Për këtë çështje, SPAK duhet të nxjerrë para drejtësisë njerëzit e kësaj aferre. Rama ka rënuar ekonominë e këtij vendi. Kjo godinë i rezistoi tërmeteve dhe do i rezistojë edhe kufomave politike. Pavarësisht se ne ishim një grup modest që qëndruam gjithë natën, ishte një gjendje e qetë dhe nuk patëm asnjë problem. Nuk kanë tentuar që të na largonin, kanë pasur besimin se ne do të largoheshim vetë. Punonjësit e bashkisë ishin në gatishmëri, dhe rreth orës 4 ose 5 të mëngjesit, ata u larguan. Nuk do të jemi vetëm ne dhe PD-ja në shesh, do të jenë të gjithë faktorët politikë dhe jo politikë, do ketë artistë, aktorë”.
Referuar çështjes së Unazës së Re, Kryemadhi shtoi se ajo protestë nuk dështoi, pasi nga 960 godina janë prishur vetëm 16 dhe më pas kanë marrë dëmshpërblimin. ”Kauza e Unazës së Re nuk dështoi, Bashkia e Tiranës dhe Drejtoria e Përgjithshme e Rrugës, njollosi me kryqin nazist 960 godina dhe sot janë prishur vetëm 16 godina dhe kanë marrë dëmshpërblimin. Disa familje që kanë qenë të pa legalizuara kanë fituar në shkallë të parë, por për shkak të pandemisë, ka në radhë të gjatë. Ne jemi duke ndjekur edhe çështjen e korrupsion 30 milionë euro për çështjen e Unazës së Re. Kjo është një histori korrupsioni që një rrugë 2 km donin ta bënin me 30 milionë euro. Faza e parë e kësaj proteste ka qenë me sukses”. /KultPlus.com
“Mona” është romani më i ri i shkrimtarit dhe historianit Jusuf Buxhovi, shkruan KultPlus.
Proza mbetet në kuadër të orbitrit tematik nga romanët e fundit “Dosja B” dhe “Dushkaja”. Vepra fokuson dramën e një Koloneli, ish ushtarak i armatës jugosllave, që mbahet i mbyllur për vite të tëra i rrethuar nga forcat ndërkombëtare diku në një ambient të izoluar të Rekës së Keqe nga dyshimi se ato që flet në një gjendje thuajse të çrregullt mendore, të shumtën kërcënime bashkëluftëtarëve të dikurshëm nga lufta e fundit, kthehen në vrasje.
Pra, bëhet fjalë për një konstrukt thuajse absurd për të cilin Mona, një gazetare hulumtuese, alarmon opinionin ndërkombëtar. Me këtë rast, një gazetë e njohur amerikane, kritike ndaj partneritetit të faktorit ndërkombëtar në Kosovës me struktura të caktura kriminale, të cillat me anën e tyre etablohen në politike, nis një hulumtim rreth mbylljes (izolimit të paligjshëm të Kolonelit të sëmurë) dhe vdekjes së tij, që dyshohet se ishte vrasje me paramendim.
Nxjerrja e kësaj të vërtete trishtuese kalon nëpër dy vija paralele: atë të hulumtimit të gazetarit amerikan me rastin, duke kaluar nëpër ngjarjet gjatë dhe pasluftës kur edhe do të ndodhin vrasej dhe krime të ndryshe të shumtën me motive poltike të pasqaruara, dhe të Monës, që shpallet e çmendur, ku paraqiten situatat e një trilleri politik të pasluftës, ku Koloneli, në njërën anë kremtohet si idealist dhe në tjetrën si vrasës dhe tradhtarë. Rrëfimi ka pikënisje kohën prej gjashtë orësh të bartjes thuajse zvarrë të kufomës së Kolonelit nëpër Dushkajë për t’u gjuajtur në një gropë ku mrizojnë bagëtia. Ndonëse këto dy linja mbesin të hapura, ato megjithatë sjellin përfytyrimin trishtues të një vrasjeje të paralajmëruar me motive politike prej nga gazetarit amerikan sikur i tumiret dyshimi i Monës së shpallur të çmendur, se Dushkaja po kthehet në një laborator për eksperimentimin e një virusi të ri nga ideologjia dhe religjioni, për nevojat e rendit të ri botëror, për nga ka burimin edhe klithma e saj absurde para atyre që ajo i merr për vrasës: Oh, Amerikë! /KultPlus.com
Kur izolimi ka thyer zinxhirin e mënyrës së bartjes së virusit, me lehtësimin e masave njerëzit janë bërë pjesëmarrës në një eksperiment vëzhgimi, kanë bërë të ditur një grup shkencëtarësh. Sipas tyre, lirimi i masave të izolimit në këtë fazë eksperimentale mund të shkaktojë një valë të dytë masive të infektimeve.
Mirëpo, dalja nga izolimi kërkon një qasje të matur dhe të sigurt. Distanca sociale dhe fizike si dhe puna nga shtëpia do të jenë veçori të jetës së njeriut, deri në kohën e gjetjes së një vaksine.
“Duhet të heqim masat që mund të konsiderohen si të sigurta dhe pastaj t’i monitorojmë me shumë kujdes”, ka thënë Mike Tildesley, mjek i përfshirë në studimin e Universitetit të Warwickut.
“Në këtë aspekt, teksa po kalojmë fazën e të mësuarit, ne jemi sikur derrat nga Guinea. Por, derisa të vazhdojë kjo fazë, duhet të përmirësojmë mënyrën e të kuptuarit tonë se sa të efektshme janë këto masa”, ka shtuar mjeku Tildesley.
Veçanërisht për shkollat, këto masa të kujdesit dhe mësimi i nxjerrë prej tyre do të jenë shumë të rëndësishme.
“Gjithçka duhet të jetë graduale. Por, natyrisht se prindërit dhe mësuesit janë shumë të shqetësuar”, ka sqaruar ai.
Hapja e dyqaneve, puna nga shtëpia
Në aspektin afatshkurtër, heqja e çfarëdo mase të distancës, me gjasë do ta nxiste pikun e infektimeve në çdo shtet që ka tentuar t’i shmanget kësaj. Studimi i prirë nga profesori Matt Keeling, ka zbuluar disa masa lehtësuese që mund të nisin të përdoren. E ato janë: Hapja e dyqaneve joesenciale dhe bizneseve, në të cilat mund të funksionojë distanca fizike, puna nga shtëpia për një të ardhme të pacaktuar dhe mbrojtja e të moshuarve, që veçse dihet se janë cak i disa sëmundjeve.
Sipas shkencëtarëve, nëse ka shenja të rritjes së numrit të infeksioneve, masat e izolimit duhet të rivendosen menjëherë.
“Me izolime e kemi bllokuar ndërveprimin, por edhe bartjen. Pasi kemi hequr masat, krijuam një lidhje të këtij rrjeti. Ky është mekanizmi me të cilin po përhapet virusi”, ka thënë Dnaiela De Angelis, profesoreshë në Universitetin e Cambridges. “Duhet të shikojmë për mënyrat e lidhjes mes njerëzve para se të rritet numri i të infektuarve”, ka thënë ajo.
Azra Ghani nga Imperial College në Londër ka thënë se maksimumi i kontaktit mes njerëzve do të duhej të ishte 20 deri në 30 për qind.
“Vaksina është mënyra e vetme për t’i shpëtuar virusit”, ka thënë Ghani. “Në të njëjtën kohë, njerëzit duhet të adaptohen në mënyrat e reja të të jetuarit”, ka shtuar ajo.
“Jeta e përditshme”
Nëse tërë kjo do të ishte eksperiment i vërtetë, Ghani ka thënë se shkencëtarët do ta kishin në kontroll të plotë.
“Do të rregullonin krejt gjërat, ama kjo është jeta e përditshme. Ka të bëjë me jetët e njerëzve dhe përfshin sjelljet e tyre”, ka thënë Ghani.
“Duhet të ekzistojë një baraspeshë midis rrezikut nga sëmundja dhe jeta e përditshme. Këtë mund ta arrijmë vetëm nëse njerëzit sillen me përgjegjësi të lartë sociale”, ka thënë ajo. /KultPlus.com
1. – Mjerimi i shqiptarëve ka qenë në tërë kohërat të kapej pas individëve dhe jo pas ideve… Historia e Shqipërisë është e mbushur fund e krye me prova të tilla të përngjashme. Të përpiqemi me të gjitha forcat tona të shërojmë shqiptarët nga dashuria për individët. Ata duhet të mësojnë të duan Shqipërinë – jo t’i bëjnë qejfin këtij apo atij shqiptari.
2- Dëshira për hakmarrje është susta më e fuqishme e shpirtit shqiptar.
3- Një e thënë latine e Kohës së Mesme, e ndryshuar pak: Homo homini lupus – Njeriu për njeriun është ujk. Femina feminae lupior – Gruaja për gruan është më ujke. Albanus Albano lupissimus – Shqiptari për shqiptarin është fare ujk (ujk e shkuar ujkut).
4- Shqiptari e ka zakon që kundërshton para se të marrë vesh.
5- Shqipëria është një vend i bekuar me njëmijë bukurira, shkelur nga turmë e cila ushqen njëfarë urrejtje ndaj bukurisë.
6- Në qoftë se Shqipëria – fjalë fatale – vdes, ahere mundet, pa shpifje, të shkruajmë këto fjalë në gur të varrit të saj: U ngjall nga idealistët, u ruajt nga rastet, u vra nga politikanët…
7- Kombi (iliro-shqiptar) i Diokletianit, i filozofit Julian, i Justinianit, është një komb i cili kishte një qytetari të tij kur stërgjyshërit e frëngjve dhe të anglezëve visheshin me lëkura bualli dhe rronin të futur në shpellat.
8- Shqiptarët janë tolerantë për besimet e tjera dhe ndoshta, ky është i vetmi vend në Evropë ku nuk ka pasur luftëra fetare. /KultPlus.com
Para luftës së fundit në Kosovë kanë ekzistuar plot grupe të njohura në estradën shqipe të rock&rollit dhe zhanreve tjera, shkruan KultPlus.
Një nga grupet më të famshme ka qenë grupi TRIX si një ndër grupet e para të rock and rollit shqiptar që u formua në vitin 1974, vit ky në të cilin u formuan edhe disa rok grupe të tjera të njohura si Grupet MAK nga Mitrovica dhe TNT nga Mitrovica, grupi LUNIAZËT nga Prizreni, shkruan KultPlus.
Grupi Trix i cili u formua në pranverë të vitit 1974 në fillim përbëhej nga tre anëtarë: Veli Sahiti, Muhamet Bislimi, si dhe Nuredin Azemi. Po në këtë vit u bënë edhe ca ndryshime, në grup inkuadrohen edhe dy anëtarë, Hil Prenk Palaj (Daullist) si dhe Gjergj Prenk Palaj (Harmonike goje).
Sonte po ju risjellim një nga hitet më të mëdha të këtij grupi muzikor, bashkangjitur gjeni edhe tekstin e këngës. /KultPlus.com
Këto janë hapat e para, drejt rikthimit të normalitetit… Duken tentativa të vështira, të guximshme e hera-herës me risk, por së bashku, do të jetë më e lehtë ta rishohim me pozitivitet realitetin. Të mos harrojmë kujdesin dhe shpresën për të ardhmen…
Maratonisti Mo Farah stërvitet në Londër
Bebet që humbën nënat pas sulmit terrorist në Kabul
Ushqimi i familjeve të varfra në Bangkok
Emigrantët flenë përdhe në Kali, Kolumbi
Dy peshkatarë anglezë pas lehtësimit të masave
Një vajzë artiste nga Opera e Pekinit
Akrobati stërvitet në Malaga, Spanjë
Stërvitja e kuajve në Dublin, Irlandë
Vajzat festojnë diplomimin në Nju Orlins
Punonjësit e një fabrike celularësh në Indi
Besimtarët falen nga makinat në Teheran
Një zonë e mbyllur në karantinë në Malajzi
Lule për viktimat e një aksidenti sërfi në Hollandë
Një shitës ushqimesh gjatë karantinës në Delhi
Sektori turistik në Gjermani kërkon vëmendje. /konica.al /KultPlus.com
7 gjërat për të mbajtur sekret, sipas filozofisë indiane, ndihmojnë jo për të fshehur, por për të mbrojtur privatësinë tuaj. Qetësia emocionale. Thjesht kopshti juaj i brendshëm.
Heshtja është një mjet i fuqishëm, por duhet të jeni të vetëdijshëm. Dhe është shpesh një mjet themelor. Shpesh ne nuk jemi të vetëdijshëm për të. Eshtë kujdestari i emocioneve tona më të fshehta, brishtësive tona.
7 gjëra për të mbajtur sekret, duke praktikuar heshtjen
Prandaj ekziston nevoja për heshtje. Për atë gjendje, atë muzikë, tanimë të harruar, e aftë për të shoqëruar qeniet njerëzore drejt vetë-zbulimit.
Kjo është ajo që mëson tradita mijëvjeçare indiane, e cila i sugjeron njeriut bashkëkohor të rizbulojë vlerën e heshtjes, rëndësinë e mbajtjes së të paktën 7 gjërave sekrete. Për t’u larguar nga shumë zëra që çdo ditë e dominojnë atë.
Telefonat inteligjentë, televizorët, llafet, gjithçka tani është zhurmë. Dhe gjithçka kontribuon në stresin e njerëzve, neurotizmin, paaftësinë për të menduar. Për të reflektuar, dëgjoni veten tuaj. Mbroni intimitetin tuaj.
Sipas të urtëve indianë, ka 7 gjëra që duhen mbajtur sekret. Që mund të kuptohen, lexohen dhe respektohen kur bie heshtja.
1- Mos u merrni me thashetheme:
Marrja me thashetheme është energji e çuar dëm, është të flasësh pa kuptim konstruktiv, të shpërqendroheshnga vetja dhe nga rruga jote. Një fjalë e urtë e lashtë indiane thotë: para se të flasësh për një person, ec tre herë drejt Hënës me këpucët e tij.
Thashethemet krijojnë gjithashtu një pengesë të padukshme, por konkrete të negativitetit. Dhe kjo është ajo që duhet të shmanget më së shumti.
2- Mbajini sekret projektet tuaja:
Filozofia indiane, në të dytën nga 7 këshillat për të mbajtur sekrete, na fton në maturi. Ajo na paralajmëron për atë energji negative gjithmonë të përgjumur, veçanërisht në kohët tona: Zilinë. Frustrimin e të tjerëve.
Kur zbuloni qëllimet dhe ëndrrat tuaja, ju hiqni energjinë e tyre dhe ju e humbni atë fuqi krijuese të aftë për t’i bërë ato konkrete.
3- Gëzohuni brenda jush për sukseset tuaja:
Të gëzosh për diçka, është e bukur dhe e drejtë, por duhet të bëhet me hir, pa bujë, pa u dukur.
Shpesh botës së jashtme nuk i bëhet për sukseset e të tjerëve, në të vërtetë ato bëhen burim zilie dhe xhelozie. Të mos e harrojmë asnjëherë këtë!
Filozofia Lindore: Mbroni emocionet më të bukura.
4- Mos fol për të gjitha emocionet e tua me këdo:
Ju duhet të mbroni emocionet tuaja. Emocionet që lulëzojnë brenda kopshtit tuaj të fshehtë duhet të trajtohen me kujdes. Pak janë në gjendje t’i kuptojnë ato dhe, mbi të gjitha, t’i respektojnë.
Biseda me këdo që ju del para në lidhje me emocionet dhe veten tuaj, heq magjinë, i banalizon emocionet.
5- Mos u mburrni për veprimet tuaja të bamirësisë:
E pesta nga 7 gjërat për të mbajtur të fshehta sipas filozofisë indiane, këshillon të mos tregoni bujarinë tuaj. Të bësh këtë do të thotë të anulosh fisnikërinë e gjestit vetëmohues, i cili konsiston në anulimin e egos për t’u dhënë të tjerëve, pa dashur asgjë në këmbim.
Dhe për këtë arsye nuk duhet ta bëni publike, në mënyrë që të mos tradhtohet vlera e gjestit.
6- Mos flisni më kot për njohuritë tuaja shpirtërore:
Lidhja me hyjnoren është një veprim individual, një moment intimiteti që duhet jetuar me veten, pa e bërë atë publik ose, më keq akoma, një objekt mashtrimi.
7- Mos u ankoni gjithmonë:
E fundit nga 7 gjërat që duhet të mbrohen në intimitetin e dikujt, ka të bëjë me mospëlqimet. Ankimi nuk i zgjidh problemet, përkundrazi i acaron ato. Ai demonstron paaftësinë tuaj për të përballuar pengesat dhe rrugën tuaj në jetë.
Ajo që secili prej nesh ka para nuk mund të shmanget.
Nuk është aq e vështirë, besojmë, t’i përmbahemi mençurisë së këtyre mësimeve të filozofisë indiane. Qetësia shpesh shkon krah për krah me diskrecionin. /KultPlus.com
‘Pëshpëritja e agonisë’ libri më i ri poetik i poetit, Sali Bashota, shpërfaq një dimension të ri të realitetit ekzistues, ballafaqimin me të panjohurën. Spektri emocional, psikologjik, por edhe filozofik i këtyre poezive, risemantizon frikën, ëndërrimin, dhimbjen, vetminë e poetit (njeriut) në momente e rrethana të veçanta ekzistenciale. Prania e pandemisë së coronavirusit apo i njohur edhe si COVID-19, përbën shtratin ideor, tematik të këtyre poezive që aktin e frymëzimit e nisin si një pëshpëritje agonike, një lloj pakti në mes instiktit njerëzor dhe atij poetik. Jeta, vdekja, lumturia, dhimbja, ëndrra, zgjimi, formojnë procedeun krijues të këtyre poezive që përsëritet vazhdimisht, si një paralelizëm shprehës me gjendjen momentale, ekzistuese të poetit.
Ky libër poetik, ashtu siç e potencon edhe vetë autori, është një përpjekje për të vënë një komunikim poetik për fatin e gjërave që kanë ndodhur dhe që mund të ndodhin, duke e sinjalizuar kështu realitetin krijues si një procedim artistik të realitetit ekzistues.
Poeti dhe akti i ngujimit
‘Pëshpëritja e agonisë’ konstituohet si esencë e një vetëdijeje personale, që në qendër të poetikës së vet ka perceptimin si aktualitet dhe kujtesën si replikë ndaj këtij aktualiteti. Diskursi poetik i këtyre poezive, ndonëse parimisht artikulohet si impuls personal, ka trajtë impersonale. Ankthet e poetit nuk janë vetëm të vetat, por ankthe globale që gjuhës poetike i japin shenja universale.
‘Mos e prekë derën me dorë’, ‘Dy metra larg vdekjes’, ‘Frika është dhimbje’, ‘Secili e ngujon frikën e vet’, ‘Baladë për panikun’, janë disa nga poezitë ku gjendja e poetit transferohet në gjendjen e lexuesit: Edhe frika ime/ Edhe frika jote/Edhe frika e atij tjetrit/Edhe frika e këtij këtu/Edhe frika e atyre atje/Edhe frika e këtyre këtu/Njësoj te pragu i shtëpisë. Nëse tek përmbledhjet e tjera me poezi, poeti Bashota, lirikën e vet e ndërton si grishje të një konfigurimi të brendshëm shpirtëror, duke bërë një sistemim konkret të poezisë nëpër kapituj, varësisht prej tematikës, ideve e mesazheve përçuese, tek ky libër poetik, duket sikur poezia nuk e duron sistemimin. Kjo, pasiqë poezia e këtij libri ndjek dhe respekton rrjedhën e ndjenjave dhe si e tillë, nuk ka sistemim rendor, por emocional, momental.
Akti poetik vjen si një realitet i ri, si pjesë e aktit të ngujimit i cili në këto rrethana arrin të konceptohet si i dyfishtë. Si, vetizolim, aludim në rikthimin drejt procesit krijues dhe izolim të domosdoshëm, të obliguar, si pasojë e gjendjes aktuale: Së pari buka e gojës/ Pastaj uji i pijshëm/ Tabletat e bardha të gjumit/ Pak ofshamë shpirti/ Dhe vetmia e ngujuar. Është pikërisht kjo fazë ngujuese, karantinimi që grish frymëzimin poetik si një pëshpëritje agonie. Kjo situatë faktike/fiksionale përfshin tërë procesin poetik që lëkundet herë mes realitetit ekzistues dhe herë mes paradoksit, agonisë e absurdit: Çdo ditë si zakonisht/ Frika vjen nga njeriu për njeriun/ Për të shpëtuar nga njeriu.
Linja dramatike e këtyre poezive zhvillohet në përballje me realitetin, përballje kjo që lë shenja konkrete në kredon krijuese të poetit që duke shkuar drejt identifikimit të vetvetes, shpalos intencën e domosdoshme, ruajtjen e ekzistencës. Sa më shumë që poeti përthithet nga vala e mendimeve, aq më shumë vihet në pah synimi për ta kërkuar qëllimin e jetës edhe pse në ndërkohë, etiketohet kudo prania e vdekjes: Të gjitha stacionet televizive/ Në rend të ditës e kanë vdekjen.
Në këtë realitet ekzistues, poeti e ndërton introspektivën e vet poetike në të cilën fillon të thuret emocioni si shkak i një përceptimi simbolik-autobiografik.
Poeti dhe vetmia
Vetmia vazhdon të mbetet një prej kryetemave të letërsisë edhe sot. Duke u nisur nga pohimi i poetes, May Sarton se vetmia është varfëria e vetvetes, vetmia është pasuri e vetvetes, që njëkohësisht përfshin tërë konceptin dhe filozofinë e vetmisë, mund të arrijmë në një konkretizim specifik që synon drejt dy trajtave esenciale, asaj nostalgjike dhe ekzistenciale. Është e rëndësishme të rikujtojmë që si trajtë nostalgjike, vetmia përcakton një domosdo psikologjike të krijuesit për të reflektuar lirshëm rreth konceptit të vet artistik. Kjo, sigurisht e bën të qartë shprehjen e Sartonit për vetminë si pasuri e vetvetes. Në anën tjetër, vetmia që ndërlidhet me trajtën ekzistenciale anon tek vetmia e dilemave të mëdha, pasiqë i tërë koncepti i saj ndërtohet mbi dilemat e jetës, vdekjes dhe ato drejtuar vetvetes. Natyrisht, në këtë kosh dilemash, afiniteti për të rënë në fokusin e mendimit pesimist është i kuptueshëm. Këtu zë fill edhe pohimi tjetër i Sartonit për vetminë si varfëri e vetvetes.
Libri poetik, ‘Pëshpëritja e agonisë’, ndërtohet në bazë të këtyre trajtave të vetmisë, por duke iu referuar kontekstit dhe qëllimit real e poetik, më shumë identifikohet vetmia ekzistenciale. Në një pyetje të mëhershme intervistuese se pse shkruan, poeti Bashota përgjigjet se shkruan për ta mundur vetminë dhe dhimbjen dhe njëkohësisht për t’i qetësuar shqetësimet në raport me situatat e padurueshme. Sigurisht që këtë gjendje të poetit, më së miri mund ta shohim tek ky libër poetik. Vetmia si një makro temë e këtyre poezive, pasi të gjitha poezitë janë shkruar nën ndikimin e saj, nga trajta personale kalon në atë universale dhe aq sa individuale, po aq është edhe kolektive. Është dëshira për ta kuptuar mallin, lutjen, shpirtin, lumturinë, dashurinë dhe njëkohësisht të vërtetën e jetës dhe të vdekjes: Nuk kumbon asgjë/ Më shumë se vetmia/ Në zënkat midis jetës dhe vdekjes.
Poeti arrin ta ndërtojë metaforën e vetmisë, prandaj mund të themi lirisht që ky libër mund të quhet edhe libër i vetmisë, i shkruar në peizazhin e vetmisë si dedikim ndaj miqve të vetmisë. Poezitë ‘Kështu është përafërsisht vetmia’ dhe ‘Rregullat e vetmisë’janë poezi që ndërtohen e frymojnë me ndjenjën e mallit. Përshkrimi i poetit është i gjallë, me nota të theksuara melankolie: Kështu është përafërsisht vetmia/ Veshur me këmishë të bardhë/ Ca trëndafila të kuq mbi supe/ Një pëshpëritje deri në fund të mërzitjes. Kjo gjendjee brishtë shpërfaq tonalitetin e të dyja poezive, si formë shprehëse, si meditim shpirti e ikje në iluzionin e kohës, ku e kaluara dhe e tashmja takohen në caqet e njëra-tjetrës. Në këtë dimension kohor, fillojnë të rishkruhen rregullat e vetmisë: Sot mos ia zgjatë dorën askujt/ Nesër mos e hapë derën me dorë/ Pasnesër bëje një sy gjumë/ Pastaj rrëmbeje para duarsh vetëbesimin, drejt një përfundimi sa pikëllues aq edhe domethënës: Kështu është përafërsisht vetmia/ Një ditë sa një qind vjet.
Poeti dhe malli
Duke qenë libër i shkruar në rrethana e momente specifike, ‘Pëshpëritja e agonisë’, ndjenjën e mallit e ndërton në bazë të reminishencës poetike. Poeti kthehet në rrugëtimin e tij të zakonshëm, të para coronavirusit, përmes copëza kujtimesh që i mjaftojnë për ta shpërfaqur mallin për jetën, miqtë e familjarët që nuk mund t’i takojë. Këtu, theks të veçantë kanë poezitë dedikuese në të cilat malli i poetit është gjithnjë i vendosur mes dëshirës e shpresës, frikës e dhimbjes. Poezia, ‘Letër motrës në Vincenco të Italisë’, është ndër poezitë më të veçanta të këtij libri, që siç e tregon edhe titulli, poeti ia dedikon motrës së vet, Afërditës i kapluar nga malli, por edhe frika për të. E tërë poezia ka si metaforë dhimbjen për motrën që jeton në Itali, e izoluar sikurse edhe vet poeti. Duke e përshkallëzuar fjalën mos, poeti mallin e brendshëm e shfaq si shenjë kujdesi ndaj motrës, por njëkohësisht edhe ndaj lexuesit: As lotët në fytyrë/ Mos i fshijë me bërrylat e asnjërës dorë/ Askush nuk iu beson më/ Gjymtyrëve të trupit Afërditë, drejt lutjes sublime: Provo ta shtrydhësh dhimbjen/ Deri në fund të mallit.
Në këtë rrugëtim malli, poeti ndjen mall për trotuarët e Prishtinës, për hapësirën e Fakultetit të Filologjisë, për Amaron e takimeve me miq, për nipërit e mbesat, për kënaqësinë e prekjes, për ecjen e pakufizuar në vetëm një orë e gjysmë liri. Kjo kartë e identitetit të botës, që kufizon hapësirën e qarkullimit të lirë e që artikulon mallin, si ndjenjë të veçantë nostalgjike, shpalos edhe ironinë si kritikë ndaj sistemit social dhe atij politik. Ky thumb ironik, bëhet i shpërfaqshëm sidomos tani, që jemi në kohën e vënies së maskave në fytyrë: Të maskuarit para epokës së virusit/ Nuk kanë nevojë për to, për të vazhduar me po të njëjtin thumb: Secili mund ta bëjë një varr për frikën/ Edhe ata që luajnë me lirinë e popullit. Dhe krejt në fund, ironia sintetizohet në të vërtetën e pashmangshme: fundi mund të jetë i njëjtë për të gjithë.
‘Pëshpëritja e agonisë’, synimin subjektiv të së vërtetës e identifikon me vetëdijen personale. Duke u ndërlidhur me poezinë e Shkrelit, ‘Çka mësova unë’, poezia ‘Zhgënjimi i syve’, vë në pah përvojën vetanake të poetit Bashota dhe mësimin e përhershëm, pas së përkohshmës: Me pa adhurimin e ecjes/ Me pa edhe fshehtësinë e zemërimit/ Mos me u mërzitë si dikur. Natyrisht, vargje këto që shpalosin simbolikën që edhe në rrethana të tilla ekzistenciale, jeta t’i servon mësimet më të vlefshme.
‘Pëshpëritja e agonisë’, vjen si reflektim personal, për të marrë trajtë impersonale, e shkruar si formë e një përjetimi të veçantë artistik. Megjithë shpërfaqjet e shumta dramatike shpirtërore dhe tonalitetit të frikës e dhimbjes, poeti, librin e vet poetik nuk e identifikon si artikulim pesimist, por si besim e shpresë në jetë dhe veçanërisht në ndjenjën më sublime të saj, dashurinë: Lexuesi im/ Të paktën bëhu i lumtur/ Vjen dita e dashurisë/ Për t’ia zgjatur jetën prekjes.
Identiteti poetik, personal dhe autorial i këtyre poezive tregon se poeti nuk e ka shkëputur referencën e mëhershme poetike, me shenja konceptuale, sikurse jeta, dashuria, ëndrra dhe lutja, por që këtë frymëzim poetik e funksionalizon si ligjërim artistik, ky synon të zbërthehet esencialja, e domosdoshmja. Krijimi i një poezie të tillë që si parim ka idealitetin estetik, shpërfaq stilin krijues të poetit, për të cilin, gjendja shpirtërore/vetanake është sinteza kryesore e procedimit poetik.
‘Pëshpëritja e agonisë’, artikulon gjuhën e pasur, thellësinë meditative, vargun e matur, drejt një rrëfimi sa poetik, po aq njerëzor, duke e ftuar lexuesin në botën e përjetshme poetike, në të cilen realiteti fiton çdoherë kuptime të reja. /KultPlus.com
Pavlina Nikaj ishte një këngëtare shqiptare. Së bashku me Anita Take dhe Pjetër Gjergji, ajo konsiderohet pionierja e interpretimit të muzikës së lehtë në Shqipëri.
Pavlina Nikaj ka lindur në qytetin e Korçës, më 15 maj 1931. Për herë të parë ka kënduar në vitin 1945 në korin e sindikatave në Korçë, më vonë në Radio-Korça. Në vitin 1950 u caktua këngëtare profesioniste pranë Ansamblit të Ushtrisë, ndërsa në vitin 1957 kaloi këngëtare profesioniste në Teatrin e Estradës së Tiranës, ku këndoi afro 20 vjet. Me një zë altoje, të qartë, të purpurt, të fuqishëm dhe shumë emocional, filloi të interpretojë me shumë sukses këngë të lehta të kompozitorëve shqiptarë dhe të huaj. Po kështu, ajo ka në repertorin e saj shumë këngë korçare, patriotike, partizane etj. Në fillimet e punës së saj ka punuar në Ansamblin e Ushtrisë Popullore dhe, më pas, me krijimin e Estradës së Tiranës, ajo u inkuadrua pranë këtij teatri. Shumë kompozitorë filluan të shkruajnë këngë të reja me destinacion zërin e saj. Së bashku me Anita Taken, formuan duetin e papërsëritshëm “Nikaj-Take”. Ka marrë pjesë në shumë aktivitete artistike, koncerte, festivale, spektakle, festa popullore etj. Me këngët dhe interpretimet e bëra, ajo ka merituar plotësisht simpatinë dhe duartrokitjet e publikut. Në repertorin e saj shënohen këngë, që kanë mbetur në fondin e artë të muzikës së lehtë shqiptare, si: “Udhët e lumturisë”, “S’të harroj”, “Kënga ime të kushtohet ty”, “Një lule”, “Kujtim i shtrenjtë”, “Ç’po dremit liqeni i kaltër”, “Midis gushës ke një pikë”, “Autobusi”, “Kujtimet e studentit”, “Shtëpia e pushimit”, “La Paloma”, “Me duar të arta”, “Gaz zemra ime”, “Trëndafil mos u zemëro” etj.
Ajo është e njohur dhe me një aktivitet të gjerë në lëvrimin e këngës popullore vlonjate. Dalja e saj e fundit në skenë është recitali i vitit 1986 në Teatrin e Estradës së Tiranës, me regjisor Kosta Kamberin. Pavlina Nikaj është dekoruar nga Presidenti i Republikës me urdhrin “Naim Frashëri”, i argjendtë në vitin 2005, ndërsa në vitin 2005 u nderua me titullin “Qytetare Nderi” e Tiranës. /KultPlus.com
Krahas kurseve përgatitore për Testin e Maturës Kombëtare, të cilat po mbahen online që nga fillimi i muajit maj, Kolegji AAB sot ka lansuar edhe një platformë testuese për maturantët.
Kjo platformë përmes testeve online nga lëndët kryesore, ka për qëllim që t’ u shërbejë maturantëve të përgatiten sa më mirë për testimin që pritet të mbahet në muajin qershor. Maturantët kanë mundësinë që të sprovojnë veten duke u bazuar në modelet e testeve të mëhershme në lëndët kryesore që do t’ u nënshtrohen në provim.
Platforma është e thjeshtë për t’ u përdorur dhe mundëson qasje nga secila pajisje (telefon, ipad, kompjuter).
Përveç kësaj duke pasur parasysh trendet e përdorimit të rrjeteve sociale nga të rinjtë, në platformë maturantët mund të qasen direkt përmes profilit të tij/saj në facebook, duke klikuar në linkun: https://graduate.aab-edu.net/
Kolegji AAB është insittucioni i parë i cili ka filluar që më shumë se një dekadë ta japë kontributin e tij në përgatitjen e maturantëve për testin e maturës. Përmes Shkollës Përgatitore të Testit të Maturës të organizuar nga Kolegji AAB, dhjetëra mijëra maturantë nga të gjitha komunat e Kosovës, kanë ndjekur këtë program që ka ndikuar në rezultatin pozitiv të tyre.
E rëndësishme është që të gjitha këto kurse përgatitore, ofrohen falas për të gjithë përdoruesit duke ndihmuar ata edhe në orientimin e tyre në karrierë.
Platforma për testimin e njohurive për maturante e-MaturaAAB pritet të jetë edhe një ndihmesë e madhe për maturantët, andaj përdoreni dhe përfitoni nga ajo.
Një gruaje 102-vjeçare, e cila dikur ka punuar me Winston Churchill, mjekët i dhanë vetëm dy orë jetë pasi u infektua me koronavirus. Por, vetëm disa ditë më vonë ajo ishte në shtrat duke ngrënë ushqimin e saj të preferuar.
Catherine Grace u shtrua në spitalin Pinderfields në Wakefield, pasi rezultoi pozitive për koronavirusim dy javë më parë dhe të hënën e kaluar mjekët i thanë familjes së saj që të prisnin për më të keqen.
Për këtë arsye, kushërira e saj nuk po u besonte veshëve kur një nga mjekët e spitalit e mori në telefon dy ditë më pas dhe i tha që Grace ndodhej në gjendje të qëndrueshme shëndetësore.
E moshuara doli nga spitali më 5 maj e shoqëruar nga duartrokitjet e shumta të mjekëve që u kujdesëm për të për ditë me radhe.
Të afërmit e gjyshes u shprehën: Në një farë pike ne na thanë se Grace nuk do t’ia dilte të mbijetonte, pastaj na thanë që mund të kishte vetëm dy orë të tjera jetë. Por pastaj na thanë se ishte mirë. /KultPlus.com
Në lidhjet familjare, dashuria në të vërtetë shqiptohet “K.O.H.Ë – Dieter F. Uchtdorf
Njeriu duhet sjellë ndjeshëm dhe sjellshëm me fëmijët. Jeta familjare është lidhja më e mirë. Fëmijët janë gjykatësit tanë më të mirë. – Otto von Bizmark
Pasardhësit njeriu nuk mund t’i ndryshojë, por mund të përcaktojë çfarë do të ndodhë me pasardhësit. – François de la Rachefoucauld
Çdo gjeneratë përqesh baballarët, përqeshë gjyshërit dhe admiron stërgjyshërit. – William Somerset Maugham
Gjithmonë kisha frikë të mos bëhem si babai im. Tani jam, dhe nuk është aspak keq. – Manfred Krug
Vetëm te nipërit është njeriu gati që përafërsisht t’i kuptoj fëmijët. – Erich Kärstner
Të bëhesh baba nuk është vështirë, të jesh baba nga ana tjetër shumë. – Wilhelm Busch
Nëna është personi i vetëm në botë i cili të do para se të të shohë. – Johann Heinrich Pestalozzi
Vetëm kur njeriu e sheh si janë bërë nipërit e kupton si i ka edukuar fëmijët. – Erich Maria Remarque
Për një baba të cilit i vdes fëmija, vdes e ardhmja. Për një fëmijë të cilit i vdes babai, vdes e kaluara. – Berthold Aurbach
Në fund të jetës suaj, nuk do të pendoheni që nuk keni kaluar edhe një test, që nuk keni fituar edhe një aktgjykim, ose që nuk keni realizuar edhe një marrëveshje. Ju do të pendoheni për kohën që nuk e keni kaluar me burrin, shokun, fëmijën, prindin. – Barbara Bush
Koha me familje është kohë e shenjtë dhe duhet mbrojtur e respektuar. – Boyd K. Packer
Dëgjoni me vëmendje çdo gjë që do t‘u thotë fëmija juaj, pavarësisht çka. Nëse nuk dëgjoni me padurim gjërat e vogla kur ata janë të vegjël, ata nuk do tua tregojnë gjërat e mëdha kur do të rriten, sepse për ata e gjithë kjo ka qenë gjë e madhe. – Catherine M. Wallace
Familja është gjëja më e rëndësishme në botë. – Princesha Diana
Për ne familje do të thotë vendosja e duarve rreth njëri tjetrit dhe të qenit aty. – Barbara Bush
Disa nga diskutimet më të rëndësishme që kam pasur ndonjëherë kanë ndodhur tek familja ime në tavolinën e darkës. – Bob Ehrlich
Familja është zbukurim, nuk është pronë. Nëse e shohim si lule, atëherë sikur që kënaqemi me të, kemi dhe përgjegjësi për të pavarësisht se cili është roli ynë. – Skender Mustafi
Kur je në dyshim, i përzgjidh fëmijët. Do të ketë mjaftë kohë më vonë për të zgjedhur punën. – Anna Quindlen
Fëmijët nuk do t’u mbajnë mend për gjërat materiale që u keni ofruar, por për ndjenjat që u keni dhuruar atyre. Richard L. Evans
Lumturia vie nga shërbimi bujar. Dhe shtëpi të lumtura janë vetëm ato ku ka përpjekje të përditshme për të bërë flijime për lumturinë e njëri tjetrit. – Harold B. Lee
Familja: sikur degët në një dru, ne të gjithë rritemi në drejtime të ndryshme megjithatë rrënjët qëndrojnë si një. – Autor i panjohur (nga anglishtja)
Nëse dëshironi që fëmijët tuaj të bëhen të mirë, shpenzoni dy herë më shumë kohë me ata dhe gjysmë më pakë para. – Abigail Van Buren /KultPlus.com
Këngëtarja e re Nora Arvena po spikat me talentin e saj. Ajo po merr pjesë në “The Voice Kids” ku ka arritur ta bind jurinë për të kaluar fazën, shkruan KultPlus.
Trajneri i saj Sasha është i lumtur për të. Ai thotë se Nora e lë pa fjalë me entuziazmin dhe talentin e saj.
Vajza e re, në një video të publikuar në rrjetin social Facebook, shihet duke interpretuar këngën e njohur “Xhamadani vija vija”. /KultPlus.com
[H]idhërohem me mentalitetin e rrezikshëm të shumicës e të kabinetit, të cilët i kujtojnë si armiq të gjithë kundërshtarët e tyre. Në vazhdofshim me këtë mentalitet, atëherë do ta quani për detyrë t’i shtypni e t’i shfarosni kundërshtarët si armiq e t’i ndaloni me armë të marrin fuqinë e qeverisë në dorë. Përfundimi do të jetë që asnjë parti do të mos jetë e mundur të rrëzohet nga fuqija pa kryengritje dhe gjakdërdhje. (…)
Bisedimi i rreptë që u bë një orë më parë për një pushim të shkurtër sa për të ngrënë bukë, na tregoi një aspekt komiko-tragjik të shumicës. Meqenëse pakica ngulte këmbë që ka uri, vetëm për të kundërshtuar pakicën, shumica deklaronte solemnisht që s’kish uri e që mund të rrinte këtu tërë natën pa ngrënë. Që shumica s’kish të drejtë e që gënjente veten, u provua në restorant, ku të parët që u vërvitën për të ngrënë ishin deputetët e shumicës. /KultPlus.com
Romët në Beograd përmes Shtëpisë së tyre Botuese “Romani Emanicipacia” në mbështetje të Qendrës Evropiane për Studime Rome, kanë zgjedhur që atmosferën e Pandemisë ta lehtësojnë duke botuar tre libra me poezi të autorëve të huaj, në mesin e të cilëve edhe një libër me poezi të poetit kosovar Lulzim Tafa, shkruan KultPlus.
Libri është titulluar “Bersa e Roslipeimaske” (“Vite drite”) dhe përmban rreth shtatëdhjetë poezi, ndërsa fillon me pozinë kushtuar poetit rom, Kujtim Paçaku.
Recensentët e librit e kanë vlerësuar Tafën si poet të jashtëzakonshëm, poezitë e të cilit lexohen me një frymë. “Ai është një poet i lehtë dhe aspak i komplikuar për t’ u lexuar, por që shpërndan mesazhe të fuqishme”, shkruan ndër të tjera në parathënien e librit, shkrimtari dhe studiuesi i njohur rom, Bajram Haliti.
Libri do të promovohet në Beograd dhe Prishtinë, pas heqjes së masve të pandemisë Covid-19. /KultPlus.com
Drejtori i Teatrit Kombëtar, Hervin Çuli, deklaroi sot se “godina e Teatrit Kombëtar ka humbur çdo gjë nga identiteti i saj”.
Në një intervistë televizive Çuli u shpreh se “çështja e teatrit nuk është një diskutim që bëhet prej dy vitesh, por prej 6 vitesh”. “Që në momentin e parë që kam qenë drejtori i Teatrit kam bërë publik shqetësimin tim që Teatri është jashtë kushteve funksionale si për aktorët, edhe për spektatorët”, tha ai.
“Më vjen keq për çdo copëz jete që kam kaluar në institucionin e teatrit ku kam punuar prej 24 vitesh nuk po arrij ta kuptoj se çfarë do të thotë ky debat për një godinë që e ka mbaruar misionin e saj dhe nga brenda është shndërruar në një godinë të arnuar, sepse ka pasur ndërhyrje këto 30 vite edhe më parë në teatër që jo vetëm nuk kanë përmirësuar cilësinë, por e kanë shkatërruar atë”, – nënvizoi Çuli.
Drejtori Çuli u shpreh se “këtu nuk iu drejtohem turmave patologjike se është e turpshme”.
“Ka njerëz që s’kanë asnjë lidhje me Teatrin Kombëtar, përveç Neritan Liçajt që është aktori i teatrit. Individët e tjerë nuk kanë ardhur ndonjëherë si spektatorë në teatër dhe për axhendat e tyre politike ulërasin me të madhe për diçka që nuk ia kanë idenë. Kjo është një godinë që ka humbur edhe nëse do kishte minimumin e vlerave historike brenda institucionit, por ajo ka humbur çdo gjë nga identiteti i saj“, – u shpreh Çuli.
I pyetur nëse mund të bëhet një restaurim i godinës ai tha se është e pamundur. “Teatri nga brenda është arnuar aq keq, saqë është e pamundur që ta kthesh me rikonstruksion në identitetit. Teatri Kombëtar nga brenda nuk e ka më funksionin e një gjëje që duhet konservuar”, u shpreh Çuli.
“Ky teatër ka edhe një arsye tjetër për të mos u rikonstruktuar, është i vetmi teatër në botë që në parametrat e tij bashkëkohorë, nuk mund t’i qëndrojë dot mizaskenave artistike të kohës. Është i vetmi Teatër Kombëtar në botë që ka xhepa skenikë nga gjysmë metri, ku aktorët përplasin kokën me njëri-tjetrin”, – tha ndër të tjera drejtori i Teatrit Kombëtar.
Duke iu përgjigjur pyetjes se pse shumica e aktorëve nuk e kuptojnë si ai pjesën se teatri ka dalë jashtë funksionit, përse nuk mendojnë dhe ata si ju, por dalin dhe bëjnë rezistencë për këtë situatë, Çuli theksoi se “ju siguroj se 90% e komunitetit artistik e ka kuptuar më në fund se kjo është një histori, që ka hyrë në një axhendë politike dhe nuk ka lidhje me një inspirim idealist”. /Atsh /KultPlus.com
(Camaj, 32 vjeçar, e shkroi këtë shënim mbi Kosovën sipas kërkesës së Mustafa Krujës.)
Çashtja kosovare mundet me u vrejtë, në të vërtetë dhe ashtu si vrehet, në pikpamje të ndryshme, mun dhe nga vetë shqiptarët nacjonalista. Qe, p.sh. emigracjoni këtu në Prendim qenka i damë dysh për sa i përket çashtjes kosovare: “luftë dhe alarmim pse mbaroi Kosova!” bertitka nji pjesë. Nësa pjesa tjetër qenka e mendimit që mos të bahet fort zhurmë rreth kësaj çashtje, por të pritet nji moment ma i pershtatun ase ma aktual për të ba ndonji veprim diplomatik. Pak a shum dhe në Shqipni nacjonalistat ndahen po në dy opinjone. Gjithkush asht kureshtar me dijtë, por ma tepër se askush jugosllavët, se çka mendon qeverija e soçme shqiptare mbi ket çashtje. Mbas mendimit tem ata të Tiranës nuk kanë qëndrim të caktuem në ket mes, pse ata, si në çdo gja tjetër, janë të mvarun prej rusëve. Asht e vërtetë se rusët machiavelista nacjonalizmin shqiptar e shfrytzojnë ndër rasa të ndryshme si mjet presjoni kundra Jugosllavis, por rusët në kurrnji rasë nuk kanë me qenë në favor të shqiptarëve të Kosovës. Çka mendojnë jugosllavët? Si partija komuniste jugosllave ashtu dhe çdo rrymë tjetër mbrenda këtij shteti qi ka në program nji pushtet jugosllav, qofshin kta dhe kroatë ase sllovenë, nuk e lëshon Kosovën pa gjak e luftë. Kosovarët ket gja e dijnë shum mirë, prandej çdo intelektual dhe njeri që mendon realisht ndër shqiptarët nën Jugosllavi e ka humbë shpresën në fuqin fizike dhe u mbetet me shpresue se ishalla ka me ardhë nji ditë kur fuqitë e mëdha, për interesa të veta, kanë me urdhnue jugosllavët që të rrinë në caqet e veta e t’i lanë shqiptarët me jetue si donë ata. Me ket mendim bashkohem dhe unë, megjithse asht mjaft fatalist. Kosovarët shqiptarë bajnë detyrën e vet: mundohen me ruejtë ata çka kanë me të gjitha forcat e veta. Masa e intelektualve të rij, pergjithsisht, lot nji politikë “bashkimi dhe vllaznimi”, gja që nuk asht aspak bindëse për kurrnji grup etnik në Jugosllavin e soçme! Asht interesant me u gjete në qytetin e Prishtinës në kohë të mbrames kur populli del në shëtitore: nuk mundesh me e gjetë nji grup të përziem serbë e shqiptarë, por fare janë të ndamë dyshë, në nji anë serbët e në nji anë shqiptarët. Udhëheqsija e partis, përkundra asht nji klikë krejtsisht e izolueme e perzieme me dy kombësinat pa dallim. Por, për t’iau paraqitë gjendjen kosovare ase shqiptare në Jugosllavi, duhet hjedhë nji sy fakteve historike ç’prej 1945 deri në sod, tue vu në dukje shkurtimisht dhe shkaqet.
REVOLUCJONI KOMUNIST NË KOSOVË
Revolucjoni komunist në Kosovë ka qenë krejtësisht specifik, shikue nga Titoja me shokë qyshë atëherë nën prizmin nacjonal. Në të vërtetë ky revolucjon ka realizue këto masa:
I. Hakmarrje e serbëve, malazezve e maqedonasve kundra shqiptarëve që u përpoqën të bajnë Shqipnin e madhe. Ket gja ata e kryen me dorën e shqiptarëve. ( shi. Albanski jugoslovenski – V. Dedjer).
II. Shtypja e beglerëve, tregtarve dhe shtëpijave të para shqiptare dhe marrja e tokave të tyne për t’iau shpërndá kryesisht malazezve, tue qenë këta i vetmi element që mund t’u bajnë ball shqiptarëve, dhe tepricën tjerëve fshatarëve shqiptarë të vorfën, me qëllim me i afrue dhe me i zbutë tue ba me harrue skenat e përgjakshme. Nga shpërndamja e tokave shqiptarët nuk kanë përfitue për këto arsye:
A) Fryma konservatore “po na i dau shkau tokat e parisë shqiptare e nesër njisoj kanë me na i marrë pse iau ka lanë baba”.
Fryma e kolektivizimit komunist në kundërshtim me individualizmin e fshatarit tonë (gja analoge dhe në Malsin e Shkodrës, ku as dy % nuk kanë përfitue nga reforma agrare).
C)Kosovari psikologjikisht e ka ndie vehten plotsisht të mujtun tue ra për së dytit në robni, prandej nuk ka pasë zemër të kërkojë përfitim prej beneficeve të revolucjonit si elementi ma i vorfën në Jugosllavi. Karakteristikë kryesore në mardhanjet e shqiptarëve e të qeverisë jugosllave asht mosbesimi reciprok.
Fakte vërtetuese: moskujdesi i qeverisë që në Kosovë e Metohi të ngrihen fabrika, elektrane ase të hapen udhë të reja si në Krahinat e tjera jugosllave.. Nga ana tjetër ky vend asht i mbushun me landë të para që nuk përpunohen në vend, por trasportohen në Serbi, gja kjo krejt në kundërshtim me parimin Marxisto – leninist. Mos të harrohet dhe se Kosmeti asht zyrtarisht Krahinë autonome prandej duhet të kishte nji autonomi ekonomike. Mosindustrializimi i ketij vendi ka shkaktue “pecallben” tek shqiptarët d.m.th. shperndamjen e shqiptarëve neper tanë shtetin për të gjetë punë, sidomos në kohën e dimnit. (Në dimnin e vjetit 1956 vetëm në Beograd ka pasë ma se 14.000 puntorë krahi shqiptarë tue perfshi edhe spataxhit. U dokumentue me nji reportazhë pregatitë nga disa studenta shqiptarë në Beograd nergut për revistën e ilustrueme ZANI I RINIS. Ky artikull qe censurue dhe ndalue.)
Nga të gjithë këta na dalin disa pyetje: a thue jugosllavët ase ma pikërisht komiteti qendruer i partis komuniste jugosllave parashef se do t’a humbi Kosovën nji ditë, prandej nuk derdh kapital në te, por e shfrytzon? A thue Kosmeti nuk asht vend strategjik ushtarakisht i përshtatun per zhvillim industrijal, dhe se në në rasën e ndoj lufte ata kishin me e humbë për së shpejti? Kjo e fundit ka ma ngjasë sepse ata në të vërtetë krejt industrin e randë, sidomos industrin ushtarake, e kanë perqendrue në krahinat malore të Bosnes, mirë e mprojtun nga Lindja e nga Prendimi. Por asgjamangut kjo nuk e justifikon moskujdesin për Kosmet, pse në të njajtin pozicjon strategjik gjindet edhe Maqedonija e cila ka përfitue ma tepër se çdo krahinë tjetër jugosllave në ngritjen dhe përparimin industrijal dhe ekonomik. Sod rrallë mundesh me gjetë maqedonas nëpër vende ase republika tjera tue kërkue punë, si para lufte. Partija komuniste jugosllave e ka shpëtue ket popull, i cili u gjinte në kapërcyell mes dy kombsive që dojshin me e pervetsue: serbët e bullgarët luftojnë tash dheta vjet rreth këtij vendi të vorfën për t’a asimilue tue shtypë çdo individualitet të tij me mënyrna shovene. Maqedonasit sod e ndiejnë vehten të lirë kombtarisht: kanë gjuhën e vet, kulturën e vet (letërsin, universitetin dhe folklorën e vet me kangët e bukura). E pra ky popull dhe qeveri maqedone sjellet me shqiptarë ma keq se çdo grup tjetër etnik nën shtetin jugosllav. Psikologjikisht asht fare e kuptueshme nji gja e tillë: ata tue qenë hala të ligësht dronë edhe hijen e vet. Mbasi ra fjala dhe mbi antagonizmin dhe shovenizmin mes këtyne kombësive ballkanike, due të shprehi nji ide dhe deshirë qi i rrin në zemër çdo intelektualit të ri ballkanas: zhdukja e anmiqsinave dhe idenave mes kombsivet tona. E vetmja mënyrë dhe rrugdalje asht nji konfederacjon ballkanik, që nji ditë, natyrisht në kushte tjera shoqnore dhe ekonomike, do të vijë. Do të vijë atëherë kur Ballkani të industrijalizohet ase ma mirë atëherë kur bujqt tue punue tokën me mjete moderne kanë me prodhue për vehte mjaft bereqet dhe kanë me e ndie nevojën e hapsis për të shpërnda prodhimet e veta. Por sod Ballkani asht nji vend mizerje, ku njerzit ase kombet, tue pasë barkun thatë, kujtojnë se ia ka fajin ai i vogli që asht gjallë, prandej bahet bishë karshi të ligshtit.Masa e re ka fillue t’interesohet shum për mjeshtrina të ndryshme vetëm tash në kohët e fundit. Nësa kora e vjetër vazhdon të qindrojë n’at lëvozhgën e vet që asht fanatizmi fetar dhe nacjonal, rinija shkon tue humbë fare dhe ndjenjat fetare, kështu që sod shumica e intelektualve të rij o asht injorante dhe indiferente ndaj fés ose ateiste. Puntorija e minierave (puntorija hamalle) e sidomos ajo e Trepçes 80 % asht shqiptare. Tash së fundit në Trepçë kanë shkue dhe tre inxhinjera shqiptarë, shokë të mij nga Universiteti. Përsa i përket lanjes mbas dore të Kosmetit në lamën e industrijalizimit elaborues nuk dij çka me thanë. Nga nji qëndrim i tillë i jugosllavëve, mund të na dalin vetvetiu dy pyetje: a thue këta do t’a parashofin se nji ditë kanë me humbë ket krahinë, prandej nuk derdhin kapital në te dhe vetëm mendojnë t’a shfrytzojnë? A thue Kosmeti nuk asht vend strategjik ushtarakisht i përshtatun për zhvillimin industrijal dhe në rasën e ndonji lufte ata kishin me e humbë për së shpejti? Kjo e fundit kishte me qenë ma e arsyeshme po mos të bante kontrast pozicjoni i Maqedonis që, megjithse në rasë lufte kishte me ra e para, ka përparuema tepër se çdo krahinë tjetër jugosllave në ngritjen dhe përparimin industrijal dhe ekonomik. Megjithkte maqedonasit janë diskriminatort ma të mdhaj karshi shqiptarëve të cilët hjekun të zit e ullinit nën ta. Mun maqedonasit me ne janë tregue shum brutalë dhe të parët kanë fillue me i tëbue shqiptarët për Turki. Në lidhje me qindrimin ekonomik që mbajnë jugosllavët me shqiptarët ase me Kosovë unë kam ket mendim: nuk donë që Kosmeti të përparojë fort, kështu që të mbesë gjithmonë i mvarun prej tyne. Nga ana tjetër as nji Kosmet “xhungla” nuk u intereson per shumë arsyena që kuptohen kollaj.
GJENDJA SHOQNORE E SHQIPTARËVE NË KOSMET
Asht shum e natyrshme që nji shoqni, e cila mbrenda 15 vjet ka kalue nëpër nji luftë dhe nëpër nji revolucjon të hatashëm, të ketë pësue ndryshime shum të mëdha. Thanja e ndonji definicjonit në ket mes nga unë nuk kishte me qenë me vend, mbasi, tue qenë me mish e me shpirt për gjeneracjonin e ri, sigurisht do të jepsha diçka shum subjektive. Shqiptarët e rij e të vjetër në Jugosllavi i bashkon, përgjithësisht, nji mendim i përbashkët: lirija kombtare. Të parët janë militanta, të dytët nuk donë kompromise dhe e evitojnë “shkan” në çdo mënyrë. Te të dy palët asht nji tendencë e aqikët: donë me qenë ata vetëm zota të Kosovës, prandej jam i bindun se nuk kishin me ra dakord as me shqiptarët e Shqipnis së nesërme. Për sa i perket dallimit të mbrendshëm po paraqes nji mendim superficial të serbëve të Kosovës. Këta intimisht mes tyne shqiptarët i ndajnë në tri kategori : “arnauti” shqiptarët katundarë të tipit të vjetër, me plis të bardhë në krye, gadi me e perpijë serbin në të parën rasë; “šiptari” janë shqiptarët me pantallona e xhaketa, mësuesa, nënpunsa etj.; “albanci” shqiptarët e ardhun prej Shqipnis e të ngulun në Kosovë. Ky asht nji dallim populluer e shum superficial, por shum interesant kur merret para syshë se prej kuj asht bâ.
GJENDJA KULTURORE
Suksesi ma i madh asht në lamën e arsimit dhe të kulturës. Poqese shkon njeriu në vend, shef gjith këto shkolla, sidomos t’ulta, mbetet i habitun. Gjaja që të ban ma tepër përshtypje asht zelli i arsimtarëve që me nji rrogë shum të vogël punojnë natë e ditë me nji vetmohim të çuditshëm. Prandej nuk duhet të na habisin qëndrimi i sllavëve që nuk na donë as na kanë dashtë kurr të mirën e që përpiqen me çdo mënyrë me i paksue. Mjerisht ata janë kujtue se shkolla në shqiptarë asht ba dhe nji symbol ase, ma mirë me thanë, nji mjet për me shprehë ndjesitë kombtare. Kisha me thanë (dhe nuk jam i vetëm në ket gjykim) se Beogradi gjindet para nji problemi shum të madh se si me e ndalë ket zhvillim që ata e quejnë “anormal”. Ai proçesi i shtërngimit, që filloi me shpalljen e turqve në Kosmet dhe mandej me emigrimin e tyne, me gjyqet e trillueme “irredentistash” dhe “kominformbyroistash”, nuk ka mbarue ende. Njerzija shqiptare tash së fundit ka fillue me u lodhë, pse ju e dini se jeta me pushkë në faqe gjithnji mund t’i merzitet çdo idealistit. Ket gjendje shpirtnore e kam provue dhe unë, sidomos kur më mbyllën derën e çdo bashkpunimit me revista shqipe ase mundsin e botimeve në vehte. Organet (UDB, komitetet e partive etj.) që merren me demaskimin e elementave “të rrezikshëm” dijnë me i lujtë kaq mjeshtrisht spilcat dhe intrigat sa që nuk e din se kah të erdh e keqja. Me shum mjeshtri ia dalin dhe me shtij grindje, mosbesim mes intelektualve shqiptarë, të cilët tash në kohët e fundit kanë fillue me zanë mend pak, sidomos me mbylljen e Institutit albanologjik në Prishtinë dhe me gjyqet e trillueme. Tue lanë në njanën anë shkollat pse aktiviteti i tyne asht tashma shum i njoftun, Kosova ka përparue shum në pikpamje kulturore shqiptare nëpërmjet të theatrave dhe grupeve folkloristike. Kemi theatrin shqiptar profesjonal të Prishtinës, i quejtun “theatri i krahinës autonome Kosmet” i cili jep shfaqje në gjuhën shqipe nëpër tanë Kosmetin dhe Maqedonin. Tri herë bile kanë qenë dhe në Beograd theatrat profesjonalë të Shkupit, Mitrovicës e Pejës. Në Prizrend dhe në të tana qytetet e tjera ku gjindet shkolla e mesme në gjuhën shqipe funkcjonojnë grupet artistike, ku jepen shfaqje theatrale e folkloritike (kërcime popullore shqiptare, kangë me melodinat e bukura kosovare). Deri në vitin 1954 Kosova ka pasë dhe grupin artistik ase folkloristik, që mandej u shkri në ate të Serbis. Kërcimet e bukura të Kosovës shqiptare (kërcimi i Rrugovës rreth nuses me shpata, Shota – kërcimi i djalit dhe i vajzës me ritmin e gjallë e lirik) kanë ba për vehte të tanë publikun jugosllav dhe kanë fitue rekordin si në Jugosllavi ashtu dhe në Europë dhe Azi. Më ka pasë ba përshtypje të hatashme në sallën “Kolarçev” të Beogradit kur duelën në skenë shqiptarët me veshjen e bukur të malsorëve të Rrugovës dhe me shpata të hjekun filluen dyluftimin për nusen. Në kërcim i ndiqte vetëm tupani, kështu që kur lëshoshin kambën për tokë u dridhte krejt salla. Ishte e para herë që u jepte nji shfaqje e tillë në Beograd me 1949 (tetuer), prandej publiku u entuziazmue për së tepërmi. Koreografët deri tash vonë nuk kanë ba asnji ndryshim, por i kanë lanë ashtu si kanë qenë origjinale. Folklora deri tash ishte nji mjet që qeverija e perdorte për njofjen dhe afrimin e popujve “jugosllav” mes tyne. Mirëpo nji gja e tillë ne na ka vleftë shum pse gjeneracjoni i ri jugosllav asht në evolucjon e sipër dhe vjen kadalë kadalë tue ndrrue mendimin e etënve mbi shqiptarë. Unë kam pasë shum shokë e miq mocatarë të mij e që sot janë doktora, inzhinjera etj. që simpatizojnë dhe flasin e pohojnë se populli shqiptar asht elementi ma i shtypun në Ballkan. Por asgjamangut unë jam plotësisht i bindun se çdo qeveri që të vijë në Beograd ka me luftue deri në pikën e fundit për Kosovë. Tash së fundit janë gjetë dhe disa minjera të reja me metale shum të kushtueshme dhe krejt fusha e Kosovës asht e vendosun mbi qymyr gurit; po e lamë Trepçën dhe pyjet e Kosovës që shfrytzohen gazep. Unë jam i mendimit se popujt e Ballkanit janë shum afër pse kanë dhe nji influencë kulture e histori të përbashkët, por mjerisht sod për sod jemi të shtrënguem dhe na me qenë shovena. Në këto kushte zhvillimi njerzit nuk munden me mendue ndryshej.Fitorja ma e madhja në pikpamje të kulturës ka qenë Instituti albanologjik i Prishtinës. Qe hapë në vjetin 1953 me ndihmën e Millovan Gjilasit. Ky burrë i ka pasë dashtë fort shqiptarët, shum kush thotë bile se dhe ai asht vetë me origjinë shqiptare. Mbasi kishte ra prej pozite, jam njoftë me te në bibliotekën kryesore të Beligradit po bahen 15 muej. Në bisedë e sipër më pyeti si shkon Instituti i Prishtinës. Fill mbas kësaj pyetje nuk mujta me ndejë pa ia shprehë simpatin e shqiptarëve për te. Shtova se ndër ne flitet se ai asht origjinë shqiptare e se në Malsi kemi plot njerz me emnin Gila. “Unë jam Vasojeviq” m’u pergjegj e “sigurisht kam gjak shqiptari në vehte së pakut nepermjet grave që ia kemi grabitë njani tjetrit.” Dhe filloi me qeshë. Më foli dhe mbi historin e Vasojeviqve e malësorve, pse ai asht njeri me kulturë të madhe. Si fëmijë kishte ruejtë baktit me çobajt e Kelmendit dhe në fund më foli kundra politikanëve që ndajnë popujt. Instituti posa ka pasë fillue punën: u mblodh mbrenda nji kohe të shkurtën nji mori kangësh e prrallash, që më duket i kanë hjedhë të gjitha në kosh. Kur ishte tue u organizue, ka ra shpesh dhe biseda mbi ju. Kryetarit Elhami Nimanit i kam folë shpesh për ju. “Sa të fillojmë botimin e anualit” më pat thanë “do të ta grishim të marri pjesë.” Edhe ndër komunista kosovarë keni një simpati shum të madhe, pse këta (shumica) para së gjithash janë shqiptarë. Por Instituti në fjalë, në të vërtetën mbaroi edhe për mend të shqiptarëve e, mbasi nga fillimi prej shumkuj në Beograd nuk qe pa me sy të mirë, gjetën shkaqe me e mbyllë, aq ma tepër kur u dinte nga të gjithë se asht hapë me ndihmën e Gjilasit. Tash qendrat ma të nalta mbi studimet shqiptare janë grupi albanologjik i Beogradit me tre profesora: V. Dancetoviq, Idriz Ajeti, Anton Çeta; me tre vetë në specializim mbas laurës, Dragan Micoviç, Enver Gjergjeku e Abdullah Zajmi; me afër 70 nxanës gadi të githë shqiptarë. Ky asht grupi ase kathedra ma e fortë albanologjike jashta vendit. Bariqi, si u kam shkrue, asht kryetar i Institutit Balkanologjik në Sarajevë dhe 80 % të studimeve që dalin në anualin që asht në shtyp janë mbi shqiptarë. /KultPlus.com
Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund të përballen me “dimrin më të errët” të kohëve të fundit, nëse nuk përmirësojnë kundërpërgjigjen ndaj pandemisë.
Alarmi u lëshua nga një shkencëtar, i cili u hoq nga posti i tij qeveritar pasi ngriti shqetësime për parapërgatitjen jo të duhur të institucioneve për të përballuar emergjencën koronavirus. Disa orë pasi presidenti, Donald Trump, vërshoi me kritika kundër shkencëtarit në Twitter, Rick Bright dëshmoi përpara një paneli të Dhomës së Përfaqësuesve lidhur me shpërthimin e pandemisë në SHBA.
“Nëse ne dështojmë të përmirësojmë kundërpërgjigjen tonë të bazuar në shkencë, kam frikë se pandemia do të përkeqësohet dhe të zgjatet në kohë. Me shumë gjasë do të ketë një shpërthim të ri tëCovid-19 këtë vjeshtë. Do të sjellë më shumë sfida se gripi sezonal. Pa një planifikim më të mirë, 2020 mund të sjellë dimrin më të errët të historisë moderne”, u shpreh Rick Bright, këshilltar në Institutin e Shëndetësisë Kombëtare në SHBA.
Bright u largua muajin e kaluar nga agjencia përgjegjëse për zhvillimin e vaksinës dhe ilaçeve që luftojnë koronavirusin. Ai kritikoi shtysën e Trump për të rihapur ekonominë amerikane sa më parë, duke nënvizuar se administrata nuk ka një plantë mirëkoordinuar dhe të plotë. Gjithashtu, shtoi se mënyra më e mirë për të tejkaluar këtë emergjencë është ndjekja e këshillave të shkencëtarëve. /KultPlus.com
Nganjëherë është mirë me kërku ndihmë prej të afërmve, shokëve, fqinjeve, shoqatave. Me parë e cekem se emigrimi ndikon në familje.Ndrrimet e mëdha shkaktojne strese dhe te marrin energji. Malli per kusherit dhe vendëlindjen te shkaktojne lodhje dhe plogështi. Prinderit mund te ndihen te pa përkrahur dhe te vetmuar kur pergjegjesine edukative s munde ta ndajne me të tjerët. Rutina e zakonshme, ritmi ditore të ndihmon p.sh.familja shkon me fjetë ne kohen e caktuar, koha e ushqimit është e njejt, detyrat e fëmijeve në kohën e njejt. Kur anëtarët e familjes mësohen në ritmin e zakonshëm. Kur jeta është e organizuar dhe situata konfliktuoze në familje ka më pak,të gjithë ndihen më mirë. Më herët i kemi cek nevojat e fëmise për gjum.Të rriturve u nevoitet rreth 8 orë gjumë nate.Gjithashtu edhe fiskultura ndihmon që prinderit te ndihen më mirë.Eshtë mirë që cdo prindë te kene disa orë të lira për vetveten, së paku një hërë në javë
Kur na duhet ndihmë jashtë shtepisë,–prej shoqerisë Utoriteteve instutucionale.Shpesh bisedat me interes te njejte me te tjeret mund te ju ndihmojne. Ne lagjen ku banon me siguri ka kopshte per femije apo vendtakime per familje ku mund te shkosh per pak kohe apo ta lesh femijen..Gjithashtu edhe shoqatat e juaja ne gjuhe amtare munden te organizojnë veprimtari për prindër dhe femijë. Kur jeni ne situatë të vështire kerkoni ndihmë prej autoriteteve për ceshtje sociale si p.sh. ndihmëse për punet e shtepisë,punët për familje dhe femijë.Nësë jeni familje me shumë fëmijë apo me një prindë ndihmesa dhe përkrahja prej shoqerisë është shumë e dobishme.
Nganjëherë hallet,shqetesimet ,përvojat e kaluares ,pagjumesia ju ngarkojne mendjen,. Edhe oreksi për ushqim mund te ju humbas. Përqendrimi në punët e familjare ju behet me i veshtirë., e ardhmja mundë të ju duket e erret dhe pa shpresë,te gjitha punët e njerzit ju shkaktojne nervoza.Nëse keto ankesa dhe mendime ju zgjasin, do te ju pengojne ne kryrjen e punëve të përditeshme. Është e arsyeshme të kërkoni ndihmë të shërbimet mjeksore apo enti social.Duhet të thërrisni në telefonat e dedikuar për ndihmë. Mjeku mundë të ju ndihmoj me ilace për qetesim. Profesionalistet e tillë ju japin sherbime falas dhe kanë besushmëri të plotë në punën që e bëjnë. Në shumë qytete të Finlandës gjendën vendet për këshillim të emigranteve ku mundë të thirrni dhe te kërkoni keshillime për shumë gjëra.
Kerkesat dhe perkrahja e shoqerise Shoqerin e Finlandes e quajne shoqeri te mireqenjes, me kete nenkuptojme kur shoqeria ofron sherbime falas, si sherbimet shendetsore,shkollimi per femijet sherbimet e kujdesit mental, keshillimore per edukimin e femise. Atyre qe nuk kane mundesi te shkojne ne pune shoqeria e mireqenjes ju ndihmon me te holla. Ne shume vende te botes sherbime te tilla ka pak dhe njerzit jane te detyrur te mbijetojne vete ose te kerkojne ndihme prej familjes apo kusherive. Shoqeria Finlandeze me sheebimet e ndryshme perkujdeset per cdo individ dhe familje dhe pret qe njerzit dhe familjet te kerkojne perkrahje e ndihme ne kohen e duhur.Si me lartë e cekem, ndihmë mundë të kërkohet prej autoriteteve të ndryshme.Nëse ndihma kerkohet me vonesë problemet rriten dhe bëhen me te vështira për tu zgjidhë. Qellimi i kësaj fletushke është të ju ndimojë prindërve rreth edukimit te fëmisë ,që përinderit dhe femijët te kënaqen me familje në shoqerine e re. Nganjehere pa marre parasysh përpjekjet e prindërve për edukim ,problemeve s munde t ju ikim. Prindërit që prej vendit te tyre nuk jane balafaquar me marrjen e këshillave prej profesionistëve për qeshtje familjare ,kështu që ngurrojne të kerkojne keshilla dhe ndihmë prej të huajve. Disa mundë të kenë paragjykime apo përvoja të hidhura me autoritetet.Kontakti me zyrtaret duhet të mirret si rast i mire për me kërku ndihmë dhë këshilla kur gjindeni në situatë të veshtirë. Kur prindërit janë te gatshem me bisedu dhe janë te hapur në shoqeri atëherë bashkpunimi i autoriteteve dhe ndihmesa e tyre mundë te jetë me frytedhanese.Mbyllja ne vetevte dhe refuzimii bashkpunimit krijone te zyrtarët paragjykime.Nese prindërit jane trajtuar keq prej zyrtareve eshte mire te jeni ne kontakte shoqatat e tuaja . Pyetni dhe kërkoni ndihmë te, autoritete të cilët i njohin të drejtat e klienteve.Me butësi dhe duke biseduar gjindet zgjidhija më e mirë.
Pjesë e shkëputur nga fletushka: “Roli i prindërve në edukimin e femijëve”. /KultPlus.com
Poezi nga Emily Dickinson Shqipëroi: Natasha Lushaj
Pas dhimbjes së madhe, vjen e kotësisë ndjenja nervat ruajnë etiketën, si varret; zemra e palëvizshme pyet: kush, unë vuaja? Kur? Dje, pardje apo shekuj më parë? Këmbët, mekanikisht, vijnë vërdallë si të ishin prej druri prej dheu, prej ajri, ose s’di ç’tjetër por sigurisht të rritura veçmas prej teje, një kënaqësi kuarci, gur i fortë. Është çasti i plumbtë, i vetmi i kujtueshëm, nëse i mbijeton; përreth mban mend njerëz si prej bore. Të ther i ftohti, pastaj shtangesh habie, pastaj e lë të ndodhë.
AMHERST, MA – SEPTEMBER 4: A daguerrotype of Emily Dickinson at age 16, is displayed at the Emily Dickinson Museum in Amherst, Wednesday, Sept. 4, 2013. (Photo by Wendy Maeda/The Boston Globe via Getty Images)
Austria rihapi të gjitha kafenetë dhe restorantet të premten në mëngjes, duke ndërmarrë një hap të mëtejshëm drejt përfundimit të masave të bllokimit të që erdhën për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Vendi ishte një nga të parët në Evropë që solli masa bllokimi në fillim të vitit, së bashku me Italinë fqinje, një nga vendet më të prekura nga rajoni.
Mysafirët e parë filluan të arrijnë në orën 8 në njërën nga kafenetë të quajtur “Café Sperl”, një kafene tradicionale vjeneze në rrethin e 6-të të qytetit, raporton AP, transmeton Klan Kosova.
Austria deri më tani ka konfirmuar 16.055 raste me Covid-19 me 626 vdekje. /KultPlus.com
Thëniet më të mira të britanikëve. Ata kanë pasur një peshë të madhe në historinë e botës, ata vazhdojnë të jenë një prej kombeve më të zhvilluar dhe shtëpi e shumë mendimtarëve të mëdhenj. Të sigurtë se nga urtësia e britanikëve kemi shumë për të marrë, ne kemi mbledhur një koleksion me thëniet të cilat do t’i mbani mend gjatë.
Sa më i vjetër violinisti, aq më i ëmbël roni (që nxjerr violina e tij).
Sëmundja vjen dhe vrap dhe ikën me hap.
Tri gjëra nuk mund të kthehen kurrë mbrapsht: fjala e thënë, shgjeta e lëshuar dhe e kaluara.
Sinqeriteti është politika më e mirë.
Suksesi ka shumë baballarë, ndërsa dështimi është jetim.
Rasti i volitshëm krijon hanin.
Rregullat janë për të tjerët, përjashtimet për mua.
Rruga që çon në zemrën e burrit kalon nëpër stomakun e tij.
Pa mund u fitua, lehtë u shpenzua.
Parandjenja është një dritë në zemër.
Njerëzit pushojnë së menduari, kur pushojnë së lexuari.
Njerëzit që duan të të fusin frikën janë më frikacakët.
Njerëzit që lehtësisht nuk i besojnë njëri-tjetrit, nuk i besojnë vetes.
Një orë gjumë para mesnate vlen sa dy pas mesnate.
Nëse 100 vetë të thërrasin i mençur, edhe budalla të jesh, i beson.
Nëse nuk mendoni për të ardhmen do mbeteni pa të.
Ngul këmbë me duar të sigurta.
Njerëzit e mençur mësojnë nga gabimet e huaja, të marrët nga të vetat.
Ndize qiriun e atij tjetrit, por mos e fik tëndin.
Në errësirë duhet dritë, në fatkeqësi mend.
Nëse e do dikënd, lëre të shkojë; nëse kthehet është i yti, nëse s’kthehet, kurrë s’ka qenë i yti.
Morali i popujve varet nga respekti që kanë për gratë.
Mëkatet e vjetra lëshojnë hije të gjata.
Më mirë darkë me zarzavate – aty ku ka dashuri, se sa mish demi të pjekur – aty ku ka urrejtje.
Kush nuk ka vizituar Italinë, është gjithnjë koshient për inferioritetin e tij.
Kush thotë se ka mjaft kohë, vonohet.
Lypi një pupël skifterit e do të thotë: “S’kam veç ato që më duhen për fluturim.”
Mali nuk ka nevojë për mal, por njeriu për njeri.
Kur mjekët kanë mendime të ndryshme të sëmurët vdesin.
Kur perënditë duan të na dënojnë, na i plotësojnë të gjithë dëshirat.
Kur s’do ilaçin, duro dhimbjen..
Kush di pak, por atë pak që di, e di mirë, ai di shumë.
Kush do të grindet, e gjen rastin për çdo shteg.
Kush jeton në shtëpi me xhama, të mos gjuajë me gurë.
Kujdesu gjithmonë që pasqyra në të cilën shihesh mos të të bëjë të skuqesh.
Kur çekani është krejt çka ke, çdo gjë të ngjason em gozhdë.
Kur je i sëmurë ther kaun, kur je i shëndoshë të vjen keq edhe për vezën.
Kur krenari dëgjon të lavdërohet dikush tjetër, ndjehet i fyer.
Jeta duhet të jetë si matematika, ku gëzimet duhet të mblidhen dhe të shumëzohen, ndërsa hidhërimet të zbriten dhe të pjesëtohen.
Historia, tejet e shkëlqyeshme, ka jo pak pavërtetësi.
Histori mund të krijojë kushdo, por për ta shkruajtur e shkruan vetëm historiani i madh.
Inati të plak e qeshura të rinon.
Gënjeshtrat janë shumë pjellore, nga një lindin dhjetëra.
Gëzimi i tepruar dhe pikëllimi i tepruar kufizohen me çmenduritë.
Gruan, qenin dhe drurin e arrës, sa më shumë që t’i rrahësh, aq më të mirë bëhen.
Gjashtë orë gjumë – për burrin, shtatë – për gruan, tetë – për të marrin.
Gjithë tiranët dhe të ngjashmit kanë besuar në lirinë, por për vete.
Francezët janë më të mençur se ç ‘duken, spanjollët – e kundërta.
Gabimet e mjekëve mbulohen me dhe, kurse ato të njerëzve të pasur me para.
Edhe arsyet e mira duhet t’u hapin rrugë arsyeve më të mira.
Është e parëndësishme çfarë besimi-feje është njeriu i keq.
Dashurinë falja gruas, besimin falja nënës.
Dituria të bën të qeshësh, kurse pasuria të bën të vallëzosh.
Durimi është aftësia që të dëgjohet deri në fund njeriu i cili ka një mendim tjetër për të njëjtën çështje.
Ç’vlerë ka të nxitosh kur je në rrugë të shtrembër.
Artin e kanë kërcënuar dy përbindësha: artisti që nuk është mjeshtër, dhe mjeshtri – që nuk është artist. / KultPlus.com