Në Jerusalem zbulohet monedha e rrallë e bronzit e shekullit II

Arkeologët izraelitë kanë zbuluar një monedhë të rrallë bronzi në Jerusalem, që daton nga revolta e shekullit II të hebrenjve të provincës romake të Judeas kundër Perandorisë Romake.

Autoriteti i Antikiteteve në Izrael (IAA) njoftoi se monedha ishte zbuluar pas gërmimeve në një park në rrëzë të malit të Tempullit, Harem al-Sharif.

Vendi i shenjtë i Jerusalemit është nderuar nga hebrenjtë sepse përmban rrënojat e tempullit të tyre biblik dhe nga myslimanët sepse besojnë se profeti i tyre, Muhamed u ngjit në parajsë nga ai mal.

Atje romakët ndërtuan një tempull të perëndisë Jupiter, pasi shkatërruan tempullin hebre në vitin 70 pas Krishtit dhe para se myslimanët të ndërtonin xhaminë al-Aksa dhe Dome.

Revolta hebraike, e udhëhequr nga rabini, Simon Bar Kokhba, shpërtheu rreth gjashtë dekada pas shkatërrimit të tempullit biblik hebre dhe zgjati deri në pesë vjet. / KultPlus.com

Llixhat e Treganit në Elbasan, një tjetër destinacion për të pushuar në Shqipëri


llixhat e Treganit janë një ndër destinacionet turistike të Elbasanit, të cilat tërheqin shumë vizitorë.

Me ftesën për të pushuar në destinacionet vendase, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla promovoi sot llixhat e Treganit, të cilat njihen edhe për efektet e tyre kurative.

“Mirëmëngjes. Ju ftoj të vizitoni Treganin në Elbasan, ujërat termale të së cilës kanë vlera të larta terapeutike ku dhe trajtohen sëmundje të shumta të rrugëve të frymëmarrjes, stomakut, lëkurës. Llixhat e Elbasanit kanë edhe vlera për trajtime kozmetike dhe janë shfrytëzuar që nga periudha e lashtë romake”, tha Balla.

Ai u bëri apel shqiptarëve që të pushojnë në Shqipëri dhe të blejnë dhe konsumojnë mallra “Made in Albania”.

Tregani njihet me Llixhat të cilat janë burime të njohura dhe të përdorura që nga koha e periudhës romake. Kjo zonë njihet jo vetëm nga pikëpamja turistike por edhe kurative./ATSH/ KultPlus.com

55 vite martesë, koronavirusi ndan çiftin shqiptar që “mishëroi ëndrrën amerikane”

Një fund i dhimbshëm ishte ai i një gruaje shqiptare, që humbi jetën në SHBA pas problemeve shëndetësore që pati pas infektimit me koronavirus.

72-vjeçarja shqiptare, ishte emigrante në Nju Jork, historinë e së cilës e ka rrëfyer në CNN e bija e saj.

Nagjija Gjidija dhe bashkëshorti u larguan nga Ballkani në vitet 1970 dhe emigruan në Shtetet e Bashkuara, ku vajza e tyre, Liria, thotë se ata “mishëruan ëndrrën amerikane”.

Çifti Gjidija pati 4 fëmijë, ndërsa nëntorin e vitit të kaluar shënuan edhe 55-vjetorin e martesës. Më 1 prill 2020 fatkeqësisht Nagjija humbi jetën nga një arrest kardiak pasi ishte diagnostikuar me koronavirus.

“Ne ishim drita e jetës së saj, siç ishte ajo drita e jetëve tona. Por ajo nuk donte askënd tjetër më shumë se tim atë”, tregon Liria. “Nuk kalonin kurrë asnjë ditë larg njëri-tjetrit”. / KultPlus.com

Dita ndërkombëtare e infermierëve, Rama: Ata na mësuan se hero të bën sakrifica

Mirënjohja e falënderimet për infermierët, këto ditë kanë qenë të pafundme, por nuk mund të mungojnë as në ditën e tyre ndërkombëtare. Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur të postojë një pikturë, të një fëmije i cili mban në duar “super- heroinën” e re të kohërave moderne, infermieren.  

Përmes këtij shkrimi Rama shprehet se kurrë s’ka qenë kaq ndërkombëtare dita e tyre.

“Mirëmëngjes! Kurrë s’ ka qenë kaq ndërkombëtare dita e tyre! Infermierët që kemi parë me sy të trishtuar, me vragat në fytyrë prej turneve të gjata si luftëtarët e pamposhtur me Covid-19, na mësuan se hero të bën sakrifica. Mirënjohje çdo infermieri në Shqipëri”, shkruan Rama.

Një mesazh falënderimi ka pasur edhe ministrja e Shëndetësisë, Oferta Manastirliu.

“Si ditën e parë të epidemisë, sot e gjithë ditën, infermierët e palodhur të dy spitaleve COVID janë në vijën e parë të betejës me koronavirusin. Kam një falënderim të përzemërt për secilin prej tyre, por edhe për çdo infermier të shërbimit shëndetësor, nga urgjenca kombëtare, në qendrat shëndetësore, poliklinikat e specialiteteve dhe spitalet nga veriu në jug, që shërbejnë me përkushtim çdo ditë të vitit. Infermierët zemra e sistemit tonë shëndetësor”, shkruan Manastirliu. / KultPlus.com

Kitara e Kurt Cobain vlerësohet 1 milion dollarë në ankand

Kitara e përdorur nga Kurt Cobain gjatë regjistrimit të koncertit të famshëm “Unplugged” nga Nirvana, në 1993, do të ofrohet në ankand gjatë një shitje të organizuar më 19 dhe 20 qershor në Los Angeles, me një vlerë fillestare prej një milion dollarësh.

Kitara gjysmë akustike, që do të shitet nga “Julien’s Auctions” është një model i rrallë, D-18E, i bërë nga fabrikuesi amerikan i instrumentave, Martin, në vetëm 302 kopje dhe i përket vitit 1959.

Koncerti “Unplugged”, i regjistruar në Nju Jork më 18 nëntor 1993, korrespondon me kulmin e Nirvana-s, grupi më i shquar i rrokut i viteve ’90.

Performanca skenike u zhvillua më pak se gjashtë muaj para vetëvrasjes, më 5 prill 1994, të Kurt Cobain-it, që vuante nga depresioni dhe varësia nga heroina.

Kitara më e shtrenjtë në histori është një Fender Stratocaster, i quajtur “Black Strat”, i përdorur nga kitaristi i grupit britanik Pink Floyd, David Gilmour./ atsh/ KultPlus.com

Me e dashtë lirinë e Nanës

Shkruan: Sibel Halimi

Tutna me shkru veç për gratë
se s`du asnjiherë me ju hi n`hak
Kurrë njoftë lirinë s`ia kemi
Veç kemi dërdëllitë
e kemi ba nanën
plagë të përvujtun
e kemi shtri për toke
e kemi naltësu në vargje
ia kemi rritë dashninë,
madhështinë
prej rolit s`kemi mujtë me nxjerrë
Kauzën ja kemi kriju, por zanin kurrë digju
Se kjo shoqni ka zanë n`thu
Nanën kauzë politike tu e ba
Liria e saj nuk asht dogma e jote – as e jemja
Është veç ajo, liria e saj

Publikohet videoklipi i “Fall from the sky” nga Arilena Ara (VIDEO)

Tashmë është publikuar edhe videoklipi i këngës “Fall from the sky” kënduar nga Arlilena Ara, shkruan KultPlus.

Me ketë këngë Arliena Ara do ta përfaqësonte Shqipërinë në Eurovizionin 2020.

Kjo këngë është zgjedhur për përfaqësimin e Shqipërisë në Eurovizionin 2020 pas një gare shumë të ngushtë. / KultPlus.com

https://youtu.be/vXpCWFIY6YE?t=4

Bajrami thotë se testi i maturës do të mbahet në shkolla, përjashton mundësinë e anulimit

Ministrja në detyrë e Arsimit, Hykmete Bajrami, ka treguar edhe për formën e mbajtjes së provimit të maturës.

Ajo ka hedhur poshtë mundësinë që i njëjti të anulohet apo të mbahet në distancë.

Sipas saj, anulimi i tij nuk është opsion i MASHTI-t, pasi konsideron se nuk është as në favor të nxënësve.

“Anulimin e testit të maturës nuk e kemi opsion dhe nuk është as në favor të nxënësve sepse do t’iu shkaktojë probleme për regjistrim në fakultet”, ka thënë ajo.

Ajo ka thënë se me Komisionin e Maturës është diskutuar për formën e testit të maturës në kushte pandemie.

Sipas saj, është menduar që testi të mos përmbajë më shumë se 100 pyetje dhe të njëjta të jenë në katër lëndë.

Bajrami thotë si kohë e mundshme e mbajtjes së këtij testi është java e parë e korrikut.

“Mendojmë që testi të mos jetë sikurse viteve tjera, në vend se të ketë 200 pyetje do të përmbajë 100 pyetje, do të përmbajë katër lëndë, gjuhë shqipe, matematike, anglisht dhe lëndë zgjedhore. Nuk do të ndahet në dy pjesë por do të mbahet brenda një ditë diku 150 minuta. Koha tentative, ende nuk kemi ndonjë datë të saktë, kemi menduar në javën e parë të muajit korrik. Kemi parë peticionet dhe kemi parë thirrjet por kemi konsultuar ekspertet më të mirë dhe kemi konsideruar që më mirë është të mbahet”, ka thënë ajo.

Sipas saj, mbajtja e testimit në distancë është i pamundur.

“Meqenëse është java e parë e korrikut nxënësit kanë kohë të mjaftueshme të përgatitën. Ka më shumë se një muaj që kemi kërkuar nga hartuesit e testit të maturës dhe pritshmërisë që të mos përfshihen pyetje nga njësitë mësimore që janë zhvilluar në distancë. Testi do të mbahet fizikisht në shkolla”, ka thënë ajo.

Zemra e shokut

Poezi nga Lasgush Poradeci

Të kam shok nga koh’ e vjetër,
Shok prej zemre edhe prej gjaku,
Shok të ri eme besë plaku,
Nuku kam, nuku ke tjetër.

Se ç’do gas e mall të shkretë,
M’i ke thënë emër me emër,
Une i mbylla mun në zemër,
Gjer sa zemra të mos jetë.

Se ti mban në kraharuar,
Shentërinë e një dhurate,
Mban në fund të zemrës sate,
Ç’të kam thënë i llaftaruar.

Ish e bardhë e nuku ishte,
Dredhëri zemra bujare,
Bënte botën ziliqare,
Zemër e bukur shokërishte. / KultPlus.com

Filmi i Kosovës “In Between” fiton çmimin kryesor të filmit të shkurtë në festivalin GoEast në Wiesbaden

Filmi i Kosovës, “In Between” ka arritur ta marrë çmimin e parë të për filmin e shkurtë në festivalin GoEast në Wiesbaden, shkruan KultPlus

Filmi “In Between” është me regji nga Samir Karahoda e me producent Eroll Bilibani.

Kosova ka arritur edhe një sukses tjetër. Filmi “Zana” nga Antoneta Kastrati ka fituar një çmim tjetër për televizonin 3sat.

Lajmin e ka bërë të ditur zv.Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit në detyrë, Yll Rugova, përmes një statusi në Facebook, shkruan KultPlus.com

Fragment nga kryevepra “Këshilla për jetën”

“Ashtu sikurse kafsha, e cila në të gjitha rrethanat ku gjendet, qëndron e kufizuar brenda rrethit të vogël që natyra pakthyeshmërisht ka përvijuar rreth qenies së saj, edhe masa e lumturisë së mundshme të njeriut është e përcaktuar a priori nga individualiteti, ndërsa qëndrimi i tij i natyrshëm ndaj kënaqësive të larta, mbetet i përcaktuar një herë e përgjithmonë nga gjerësia e tij shpirtërore.

Nëse dikush është shpirtngushtë, të gjitha përkujdesjet e mundshme, të gjitha përpjekjet që mund të bëhen nga jashtë, gjithë çfarë do të guxojë njeriu dhe fati për të, nuk do të mund ta ndihmojnë kurrë të kapërcejë masën e zakonshme të një kënaqësie ose të një lumturie akoma kafshërore.

Njeriu do të mbetet i lidhur ndaj kënaqësive seksuale, ndaj jetës familjare, ndaj shoqërisë së keqe dhe argëtimeve vulgare. As studimi, megjithë hapsirat e tij, nuk do të mjaftojnë për ta zgjeruar këtë rreth, sepse kënaqësitë më të larta, më të shumëllojshme, më të qëndrueshme janë ato të shpirtit, sado që gënjejmë veten për të kundërtën kur jemi të rinj, ato varen kryesisht nga forca intelektuale.

Nga kjo duket qartë se lumturia jonë varet nga ajo se çka jemi, nga individualiteti ynë. Ndërsa në shumicën e rasteve, vlerësojmë vetëm fatin, për atë çka kemi dhe çfarë paraqesim. Kush është i pasur në brendinë e vet, nuk do të ketë nevojë të kërkojë shumë nga fati, ndërsa torollaku dhe teveqeli do të mbeten të tillë deri në fund.”

– Arthur Schopenhauer, “Këshilla për jetën”

Alexander Dumas: Gratë kurrë nuk janë më të forta se sa pas mposhtjes

“Unë nuk jam krenar por jam i lumtur, dhe lumturia mendoj që vërbon më shumë se krenaria.”

“Të gjitha përgjithësimet janë të rrezikshme, madje edhe ky.”

“Gratë kurrë nuk janë më forta se sa pas mposhtjes.”

“Dashuria e vërtetë, një burrë gjithmonë e bënë më të mirë, pavarësisht se cila grua e inspiron atë.”

“Dashuria është më vetiakja nga të gjitha pasionet.”

“Unë jam i fortë ndaj çdo gjëje, përveç ndaj vdekjes së atyre që i dua. Ai që vdes fiton; ai që i sheh të tjerët duke vdekur humbet.”

“Dashuria e pastër dhe dyshimi nuk mund të rrojnë bashkë; përmes derës që e dyta hyn, e para del.”

“Zoti është plotë mëshirë për të gjithë. Ai fillimisht është një baba para se të bëhet një gjykatës.”

“Zinxhirët e martesës janë aq të rëndë sa që nevojiten dy persona për ti bartuar ata. Ndonjëherë edhe tre.”

“Kurrë mos i besoni një armiku që ju bënë dhurata.”

– Alexandre Dumas

Dua Lipa gjithnjë kishte menduar se të shkruash këngë të lumtura nuk është ‘cool’

Këngëtarja 24-vjeçare me famë botërore, Dua Lipa, e cila aktualisht është në lidhje romantike me modelin, Anwar Hadid, ka treguar së fundmi se me albumin e ri, “Future Nostalgia”, ka zbuluar që gjëja më e mirë për të bërë është të jetë e sinqertë në tekstet e këngëve të saj.

Lipa ka treguar se më në fund e ka kuptuar që prapa teksteve që ajo i shkruan, nuk do të thotë se gjithmonë duhet të preken tema pikëlluese.

E pyetur në një intervistë të fundit se çfarë ka mësuar gjatë realizimit të albumit të saj të dytë muzikor, këngëtarja me prejardhje kosovare ka thënë: “Kam mësuar të mos kem frikë nga ndjenjat e mia. Ky album është shumë më i lumtur se incizimi i parë. Për një kohë të gjatë ndjeja sikur mund të shkruaja vetëm këngë të cilat ishin pikëlluese, apo e kishin një kuptim më trishtë prapa tyre. Mendoja se të shkruash tekste të lumtura të muzikës pop nuk do të ishte shumë ‘cool’. Por, mu desh të larohesha nga ky mentalitet dhe të krijoja diçka që ishte e sinqertë por më bënë të lumtur gjithashtu. Mendoj se largimi nga zona ime e rehatisë dhe fakti se po shkruaja mbi eksperiencat e mia personale, më ka bërë shumë të lumtur.”

Edhe pse Lipa mendon se është e frikshme të shkruash tekste kaq të sinqerta, ajo është mësuar ta konsiderojë sinqeritetin e saj si “fuqi” dhe diçka për të cilën duhet të ndihet krenare.

“Unë shkruaj nga eksperiencat e mia personale dhe nganjëherë është e frikshme t’i ndash ato me publikun e gjerë. Por, kam mësuar se nuk duhet të kesh frikë nga ndjenjat dhe ndarja e emocioneve dhe cenueshmërisë tënde me të tjerët. Kjo gjë nuk më bënë të dobët, por më jep më shumë fuqi,” ka deklaruar tutje Lipa.

Ylli i hitit “New Rules” zakonisht e shkruan një këngë për një ditë, por njëra prej hiteve të albumit “Future Nostalgia” i kishte marrë pak më shumë kohë për ta finalizuar.

“Normalisht unë e shkruaj një këngë për një ditë, por ‘Love Again’ më ka marrë pak më shumë koha për ta përfunduar. Të gjitha këngët tjera të albumit janë shkruar brenda një dite, dhe pastaj kanë marrë kohë për t’u incizuar dhe finalizuar deri në elementin e fundit,” ka shpjeguar këngëtarja në intervistën e saj për revistën “GQ”.

Hapen shkollat në Zvicër – fëmijët të entuziazmuar, prindërit në ankth

Mijëra fëmijë në Zvicër të hënën janë kthyer në shkollë, shumë prej tyre të entuziazmuar për ribashkimin me shokët e klasës pas pothuajse dy muajsh shkaku i koronavirusit, megjithëse disa prindër kishin dyshime, raporton Reuters.

Fëmijët e shkollës së Gjenevës “La Tour” duhej të adaptoheshin me ritualet e reja, me prindërit që i lëshonin në një distancë. Klasat gjysmë të mbushura për të reduktuar grumbullimin dhe tavolinat në një distancë prej 2 metrave, transmeton KOHA.

“Vërtet dua të fillojë shkolla sërish sepse më pëlqen dhe gjithashtu më pëlqen shumë edhe mësuesi”, shprehet Heloise, një gjashtë vjeçar në këtë shkollë. Kurse, Yunyi, 7 vjeçar, gjithashtu tha se është i entuziazmuar, derisa u ankua se ishte mërzitur në shtëpi.

Zvicra raportohet se deri më tani ka 30 mijë të infektuar me Covid-19, derisa ka shënuar 1500 viktima.

Me rënien e numrit të të infektuarve, Berni, është duke filluar fazën e lehtësimit të masave, me shkollat, dyqanet, muzetë dhe restorantet që hapen këtë javë.

Diane Jolidon, nëna e Heloise, është shprehur se ishte e vështirë të ishe edhe prind edhe mësuese në shtëpi, përderisa edhe punonte.

“Ishte mjaft e komplikuar dhe ne jemi të lumtur që ata po kthehen (në shkollë)”, është shprehur ajo.

Por, disa prindër shprehnin dyshimet e tyre dhe ishin të shqetësuar për shëndetin e fëmijëve të tyre. E disa të tjerë kanë vendosur për mësimin në shtëpi.

Hieianh, nënë e dy fëmijëve, tha se është e frikësuar për flasin e saj që ka probleme me gjakun.

“Sigurisht se do të donim t’i dërgonim fëmijët tanë në shkollë pasi është e tmerrshme të qëndrosh gjithë ditën në shtëpi. Jam shumë konfuze në këto momente”, thotë ajo.

Kurse Linda Bapst, thotë se djali i saj 3-vjeçar, që u kthye në çerdhe ditën e hënë, ishte në ankth sepse kishte për të hyrë në ndërtesë vetëm për herë të parë.

Aktivitetet në kopsht të preferuara për këtë periudhë të pandemisë

Në kohë të këtilla kur duket se e gjithë bota është duke jetuar në pasiguri, është mirë të fillojmë të kthehemi prapa te rrënjët tona.

Meqenëse shumica e njerëzve po qëndrojnë në karantinë, duke punuar nga shtëpia dhe duke jetuar në kushte jo të zakonshme, është mirë që ta shfrytëzojmë këtë kohë të lirë për të investuar në ndërtimin e diçkaje nga fillimi.

Hanna Sarangan, shefe e kuzhinës dhe këshilltare në biznesin e ushqimit, së fundmi ka deklaruar se “rritja e ushqimit në shtëpi është aftësi bazë e mbijetesës”, dhe koha nëpër të cilën po kalojmë aktualisht na e kujton një gjë të tillë, më shumë se kurrë.

Sarangan rekomandon ta shfrytëzojmë kohën në izolim duke filluar ngadalë me mbjelljen e farave të bimëve të ndryshme, të cilat më pasi mund t’i përdorim në gatim.

Nëse kurrë më parë nuk keni mbjellë ushqime, atëherë preferohet të filloni nga ato më bazike.

Shumica e përbërësve të cilët i përdorim në baza ditore, mund të rriten pa pasur nevojë për hapësira të mëdha të kopshtit.

Këto janë disa ushqime të zakonshme të cilat mund t’i mbillni në një gotë ose vazo të vogël me ujë, e të cilat iu ndihmojnë t’i ulni shpenzimet nëpër dyqane.

1. Lakra kineze e njohur si “Bok Choy”

2. Lakra e thjeshtë

3. Karotat

4. Selino

5. Kopra

6. Hudhrat

7. Qepa e gjelbër

8. Preshi

9. Sallata jeshile

10. Borziloku

Tani është koha e përkryer t’i shtrirë kufijtë dhe imagjinatat tona, duke provuar eksperimente të reja dhe duke ndërtuar diçka që na bënë të ndihemi krenarë me veten.

Rritja e dashurisë për kopshtarinë është një veprim që do t’ju ushqejë për një jetë të tërë.

Gjeniu që ishte gjithnjë në kërkim të rinisë

Gjeniu i artit të pakufishëm, Salvador Dali lindi në 11 maj vitin 1904 në Figueras të Katalonjës. Shumë herët shpalosi talentin për të vizatuar, çka bëri të pranohej në Shkollën e Arteve të Bukura në Madrid, prej së cilës u dëbua për rebelim.

Në vitin 1929, gjatë një udhëtimi në Paris, ai u bashkua me grupin surrealist, të drejtuar nga Luis Buñuel, më pas iu kushtua pikturës dhe mori pjesë në ekspozita surrealiste në Francë dhe Shtetet e Bashkuara. Në 1939, Salvador Dali u përjashtua nga grupi surrealist nga udhëheqësi i tij, Andre Breton, pas mosmarrëveshjeve të shumta.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Dali dhe gruaja e tij, Gala, u vendosën në Shtetet e Bashkuara, deri në vitin 1948, ku krijimtaria e Dali është veçanërisht e çmuar në të gjitha fushat letrare, kinematografike dhe të pikturës. Në fakt, Salvador Dali është prodhimtar dhe gjatë gjithë jetës së tij do të përpiqet në forma të ndryshme artistike, si letërsia përmes shkrimit të kujtimeve, tablove dhe kostumeve të shfaqjeve, krijimit të bizhuterive…

Temat e preferuara krijuese janë ëndrrat, misticizmin etj. I njohur mbi të gjitha për çuditshmërinë e tij, ai dinte të fliste për të dhe artin e tij anembanë botës, madje duke rrezikuar ta hidhte atë edhe në sfond.

Disa nga pikturat e Salvador Dalisë bazohen në vijën bregdetare të qytetit Cadaques në Spanjën verilindore. Qielli, deti, shkëmbinjtë e Cadaques ishin shumë të dashur për Dalin, sepse aty kalonte kohën gjatë pushimeve me familjen. Madje, një herë u shpreh se ai kishte formësuar personalitetin e tij. Nëse hidhni një vështrim në pikturat e Dali dhe mandej vizitoni Cadaques, patjetër do të ndiheni sikur keni qenë në një nga pikturat e tij. Ishte shumë krijues dhe imagjinar, gjithmonë kërkonte mënyra të reja për të provokuar dhe përtërirë.

Ishte gjithmonë në kërkim të risisë! Një nga shpikjet e famshme të tij ishte “telefon-karavidhe”, absurde, por njerëzit e vlerësonin, pasi shprehej ndryshe nga zakonisht. Një tjetër veçanti e tij ishte “buzë-sofa”, po ashtu logoja e markës “Chupa Chups” u hartua nga Salvador Dali në vitin 1969.

“Surrealizmi, jam unë”, – u shpreh Salvador Dali, kur u prezantua në Nju Jork për të përcaktuar punën e tij. Personazh i çuditshëm, narcisit dhe megalomanit, ai është sigurisht një nga piktorët më të famshëm spanjollë të shekullit të 20-të. Dali pretendonte një teknikë shumë klasike, duke i qëndruar besnik pikturës së vajit për pothuajse të gjithë punën e tij. Krijimtaria e tij është shumë e detajuar, me vizatime përgatitore shumë të kujdesshme dhe një ekzekutim shumë të përpiktë, shpesh e parë me lupë.

Disa vepra të vogla japin dëshmi për një talent të vërtetë miniaturë, si portreti i parë i Galas, portret i Galas me dy kotëleta qengji të balancuara në shpatull etj. Në veprat e Dalisë përvijohen dy linja me tendencë thelbësore, nga njëra anë artisti interesohet gjithmonë e më shumë mbi dukuritë shkencore dhe teorinë e atomit, aq sa zhvillon konceptin e “pikturës atomike”, nga ana tjetër lindin vepra që trajtojnë tema fetare, si “Madona e Port Lligat”.

Dali ishte një piktor gjenial, njëkohësisht një njeri me një ego gjigante. Kishte një dëshirë për vëmendje, sa gjatë një periudhe qëndrimi në Nju Jork, kur shëtiste, mbante me vete një zilkë, të cilën e tringëllinte sa herë vërente se kalimtarët nuk po i kushtonin vëmendje të mjaftueshme. I pëlqente madhështia, të ishte i adhuruar dhe i njohur në mbarë botën, një megaloman i deklaruar, njëherazi një artist i papërsëritshëm me një stil krejtësisht të tijin.

Salvador Dali la pas një galeri prej afro 1500 pikturash, që sot e kësaj dite nxisin debate për nga tematika, stili dhe mesazhi që ato përcjellin. /konica.al/ KultPlus.com

Von der Leyen: Pa gratë nuk funksionon asgjë

Ursula von der Leyen është presidentja e parë femër në historinë e Komisionit Europian.

”Ajo është gjithashtu nënë e shtatë fëmijëve dhe me profesionin mjeke”, shkruan gazeta italiane ”Corriere della Sera”.

Në Gjermani ajo ka qënë ministre e Familjes dhe Punës si dhe ministre e Mbrojtjes.

Kabineti i saj është i përbërë në mënyrë të barabartë nga burra dhe gra. Barazia gjinore është pjesë e pikave të axhendës së saj politike. Por, ndryshimi gjithashtu duhet të fillojë nga ato që ndodhin në një familje.

”Kohët kanë ndryshuar. Ne duhet të përfitojmë nga kjo mundësi e krizës të ndajmë rolet në një mënyrë të re”, theksoi ajo.

Presidentja ka qënë ndër të ftuarat e emisionit ”ExtraMamme”, duke diskutuar mbi temat e marrëdhënieve, punës dhe kujdesit, politikës dhe dhuës, të cilat përfaqësojnë temat kryesore të ndryshimit shoqëror që kalon shoqëria në kohën e Covid 19.

”Gjatë emergjencës së koronavirusit, dy të tretat e fuqisë punëtore ishin gra. Por, edhe në shtëpi ato kanë qënë dominante. Punë të dyfishtë mes punëve të shtëpisë dhe kujdesit për fëmijët dhe të afërmit. Duhet të mendojmë më shumë për udhëheqjen femërore dhe rolet e grave në zgjedhjet politike kur do të na duhet të ndërtojmë rregullat e një shoqërie të re”, theksoi Von der Leyen. / atsh / KultPlus.com

Adelina Canolli, artistja e gjithanshme që arriti të fitojë çmime ndërkombëtare dhe të ekspozohet në galeritë evropiane

Bujar Meholli

Arti dhe kultura çdoherë kanë dëshmuar se mund t’i ndryshojnë shoqëritë dhe t’i afrojnë njerëzit me njëri-tjetrin me fuqinë që të flasin me gjuhën e secilit, shkruan KultPlus.

Piktura, si një nga format më të lashta artistike, ka qenë gjithmonë prezente në jetët njerëzore, duke përcjellë ngjarje dhe duke i përjetësuar ato.

Edhe në vendin tonë, artistët janë përpjekur të skicojnë ngjarje interesante, apo portrete të njerëzve të dalluar në njërën apo fushën tjetër.

Adelina Canolli është një artiste e talentuar e cila ka vite që e ushtron artin e pikturës. Portretet që i realizon ajo me teknikën laps në letër janë mirëpritur nga publiku. Në punimet e saj mund të shohim personalitete të njohura. Ajo është fituese e disa çmimeve ndërkombëtare me punimet e saj të cilat edhe janë ekspozuar në disa prej galerive evropiane.

Canolli thotë se pikturon atë që sheh dhe që i merr vëmendjen dhe që i duket interesante. Mes një rrugëtimi të gjatë dhe mjaft interesant nëpër Evropë, ajo thotë se jeton me artin dhe se çdo ditë përpiqet të mësojë diçka të re. Së fundmi ajo ka ndërmarrë një iniciativë bamirësie për familjet e prekura financiarisht nga pandemia, dhe i fton të gjithë artistët të kontribuojnë. Artistja Canolli po ashtu ka në plan ta realizojë një ekspozitë në Prishtinë.

1. KultPlus: Si ka filluar rrugëtimi juaj artistik dhe lidhjet e para me pikturën?

Është një rrugëtim shumë i gjatë, pothuajse gjithë jetën merrem me art. Që nga mosha 4 vjeçare kam filluar vizatimin, mandej kam filluar studimet për art në Leeds College of art and Desin (tani, Leeds Arts University ), mandej diplomova ne Becket University ku specializova në artet e bukura (Fine arts). Mbasi që unë kam pasion shumë për arkitekturën, vendosa t’i vazhdojë studimet në fushën e dizajnit ku magjistrova në Product design, Menagement, Communication and Leadership në Becket University. 

Lidhjet e para me pikturën kanë qenë kur isha shume e vogël siç e ceka dhe më lart. Nuk më kujtohet asnjë ditë e vetme që unë nuk kam qenë e lidhur me artin. 

2. KultPlus: Disa prej punimeve tuaja janë të punuara me laps në letër. Pse keni zgjedhur këtë teknikë dhe a keni provuar edhe teknika tjera në punimet tuaja?

Kam punime të shumta të punuara me laps në letër. Mediumi laps në letër është bazë për vizatimet e mia. Kam shume eksperiencë në këtë teknikë edhe pse çdo ditë mësoj gjëra të reja nga punime e mia. Kam provuar teknika të ndryshme që janë të shumta. Eksperimente me teknika të ndryshme kam bërë më së shumti  kur isha në studime. Meqenëse punoj shumë shpejt një kohë të gjatë kam punuar me ngjyra akrili. Tani më së shumti jam e përqendruar në laps, ngjyra druri dhe ngjyra vaji. Po ashtu përveç përqendrimit në hiperrealizëm, unë punoj vazhdimisht në lëvizjet tjera si në abstrakt dhe artin modern bashkëkohor. 

dav

3. KultPlus: Jeni fituese e disa çmimeve për art. A mund t’i ndani këto përvoja me lexuesit tanë? 

Jam fituese e çmimit ‘Highly Commended’ për Artisic Exellence of Work në UKCPS United Kingdom Coloured Pencil Society, ku mora pjesë me portretin e bashkëshortit tim të realizuar në ngjyra druri në letër që u mbajt në Menier Gallery, Londër. Kam qenë në listë të ngushtë (shortlist) në këtë garë për disa vite me radhë. 

Në vitin 2018 në ekspozitën Derwent konkurruan 1278 artistë me 3.299 punime nga 64 vende të botes dhe unë isha një nder 57 artistet që u pranuam për këtë ekspozitë e cila u mbajt në Mall Galleries të Londrës. Në vitin 2019, isha njëra nga 50 artistet që u përzgjodhëm të ishim pjesë e Artists Of The Year 2019. Në të njëjtin vit punimi im u përzgjodh në Biennial Ruth Borchard Self portrait Exhibition që u mbajt në Mall Galleries. Është një tregim shumë interesant i shkrimtares Ruth Borchard. Jua rekomandoj ta lexoni! Po ashtu ia vlen ta përmend që në vitin 2018 u mbajt ekspozita urbane më e madhe në botë që u realizua në Londër dhe dy punime të mia u përzgjodhën për ekspozitë tri herë radhazi. (Portreti Otto, dhe Mollat).

4. KultPlus: Kemi parë se shumica e punimeve tuaja janë portrete. A keni provuar të punoni edhe forma tjera, fjala vjen, peizazhe?

Asnjëherë nuk i jap vetes kufi se çka duhet dhe nuk duhet të vizatoj apo pikturoj. Lirinë më të madhe e gjen në art. Unë pikturoj dhe vizatoj gjithçka që shoh dhe pëlqej që më duket interesant ose për arsye të ndryshme. Është e vërtetë që shumica e punimeve të mia janë portrete mbasi që edhe marr shumë porosi për portrete. Për ndryshe kam punime tjera nga fashion deri te peizazhet, natyrë të vdekur (still life) dhe  dizajne industriale, interior design, urban design, grafik design. Jam shumë e gjithanshme në fushën e artit.

5. KultPlus: Si e shihni artin, respektivisht pikturën në ditët e sotme. A ka pësuar rënie arti i pikturës?

Nuk mendoj që ka rënie. Çdo ditë e më shumë është më lehtë për t’u realizuar një pikturë. Po ashtu galeritë ku shiten pikurat janë të shumta. Sidomos këtu në Angli. 

Njerëzit gjithmonë dëshirojnë të shohin gjera te reja në art dhe unë mendoj se kjo është në një nivel të mirë. Pritjet janë gjithnjë e më të mëdha për risi në art nga komuniteti i artistëve po ashtu edhe nga publiku. 

6. KultPlus: Sa luajnë rol rrjetet sociale për artistët. A janë ato mënyrë e mirë për t’i shpërfaq krijimet artistike? 

Asnjëherë nuk ka qenë më mirë. Rrjetet sociale janë thjeshtë online ‘gallery’ ku artistët ekspozojnë artin e tyre.  Ke mundësi edhe për të zbuluar punime të ndryshme nga artistë të ndryshëm anë e mbanë botës. Po ashtu edhe tani në kohë pandemie shumë galeri dhe muze nga vende të ndryshime kanë mundësuar online tours. 

7. KultPlus: Cilat janë planet tuaja në të ardhmen? 

Po gjithnjë kam plane. Këtë vit do të marrë pjesë në një garë të madhe për art. Më vjen keq nuk mundem të zbulojë dhe më duhet t’i përmbahem rregullave të garës. 

Sa i përket kohës së pandemisë kam ndërmarrë një iniciativë për bamirësi për familjet e prekura financiarisht nga pandemia.

Bëhet fjalë për ankand të punimeve të ndryshime nga artist profesional dhe artist jo profesional ku të gjitha të ardhurat nga shitjet do të shkojnë për bamirësi. 

Do ta shfrytëzoja rastin që t’ju bëjë thirrje të gjithë artistëve shqiptarë në Kosovë dhe jashtë Kosovës që t’i bashkëngjiten kësaj iniciative. Këtu janë të përfshira arti dy dimensional, tre dimensional dhe fotografia.  Po ashtu ju bëjë thirrje gjithë publikut brenda dhe jashtë Kosovës që të blejnë punimet në mënyrë që të grumbullojmë sa më shumë ndihma. Të gjitha këto punime kanë hashtagun #artipërtëmirën.

Për më shumë informata dhe për artistët ky është linku ku ata mund t’i ngarkojnë fotografitë e punimeve te tyre. 

https://www.facebook.com/brightgiving/

8. KultPlus: A keni planifikuar ta mbani ndonjë ekspozitë? 

Po kam plane që ta realizojë një ekspozitë të përhershme në Prishtinë në një objekt ku ka qasje publiku. Është diçka nga e cila do të përfitonte vendi ynë. /KultPlus.com

“Bijat e mija, martesa nuk është mision, ekzistenca juaj, po”

Bijat e mija, jini egoiste të ndyra!
Merrni atë çfarë është e juaja!
Mëmësia nuk është mision.
As martesa, jo.
Ekzistenca juaj, po.
Jini egoiste kur ju kërkojnë të hiqni dorë në emër të familjes.
Mos u ngrini nga tavolina nëse një burrë nuk e ka bërë përpara jush.
Ndani hapësirat e nevojshme për ato që ju pëlqejnë: kinema, teatër, pasionet tuaja.
Jini egoiste kur ju kërkojnë të jeni “gjithçkaja” e tyre. Qofshin ata fëmijët, partnerët apo miqtë.
Mbani diçka për vete. Diçka sekrete. Të mbrojtur e të paarritshëm.
Jini egoiste. Mos ndani çdo gjë. Ka vende që duhet t’ju përkasin vetëm juve në mënyrë ekskluzive, që mund tu riktheheni kur gjërat nuk shkojnë mirë.
Jini aq egoiste sa të jeni të pavarura ekonomikisht.
Një llogari bankare vetëm tuajën, sepse të përziesh paratë me dashurinë bëhet lëmsh puna. Dhe nuk i dihet kurrë.
Jini egoiste kur tjetri ju ofendon sepse nuk jeni kthyer ende në shpi apo pse darka nuk është gati. Durim. Mos e lini pa bërë atë që po bënit. Nëse jeni aty, do të thotë që ajo hapësirë meriton kohën tuaj.
Jini egoiste kur puna, karriera janë të rëndësishme dhe vijnë përpara gjithçkaje. Për burrat kështu është, e dhënë e njohur dhe e pranuar kjo. E pse nuk duhet të jetë edhe për ju?
Jini egoiste. Mos bëni dashuri nëse nuk doni. Mos u shtirni. Jeni të sinqerta.
Kini etje për kënaqësinë, jeni egoiste siç është një burrë.
Mendoni për vete. Përpara se gjithash, për vete. Bijat e mija.
Për trupin tuaj. Për dëshirat tuaja. Për shpirtin tuaj.
Mbrojtja e të drejtave tuaja është një nevojë deri sa të kemi të njëjtën peshë që kanë dhe burrat që keni përkrah.
Të drejta që shkojnë përtej familjes, një fëmijë apo një dashurie.
Ato janë kaq personale dhe ju përkasin vetëm juve dhe askujt tjetër.
E pamundur ti dhunoni, rreziku është mungesa e lumturisë e kamufluar nga lumturia. Sakrifica e kamufluar në dashuri.
Jini aq egoiste të ndyra sa që të shpëtoni.
Dhe s’ka rëndësi se sa do t’ju kritikojnë, do t’ju bëjnë të ndiheni në faj, do t’ju thërrasin tek hapësira e rolit. Mbase tek ai i gruas. Mbase tek ai i nënës.
Por ju, mos dyshoni tek vetja.
Zgjidhni gjithnjë të jeni gruaja që ju dëshironi.
Jini egoiste të ndyra.
Kjo është trashëgimia ime si nënë, për ju! / KultPlus.com

Reagon Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve: Të mbrohen gjurmët e Nënës Terezë

Pas ndryshimeve të bëra në sheshin e Shkupit “Maqedonia”, me ç’rast janë mbuluar gjurmët e shtëpisë së Nënës Terezë, ndërsa me parkun e vendosur para pllakës përkujtimore praktikisht është mbyllur rruga që të vendosen lule edhe te pllaka, Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve, përkatësisht Departamenti për Mbrojtjen e Trashëgimisë së Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Terezë, shpreh indinjatë dhe habi të thellë për këtë veprim të papërgjegjshëm të Qytetit të Shkupit.

“Në kohën që gjithë bota mburret me emrin dhe veprën e Nënës Terezë dhe ajo është bërë identiteti dhe letërnjoftimi i vendit tonë, të mbulohen gjurmët e shtëpisë së saj dhe të pengohet mundësia e vendosjes së luleve në pllakën përkujtimore nuk ka si lexohet ndryshe, pos si një veprim i papërgjegjshëm dhe i dëmshëm për Qytetin tonë, por edhe për gjithë vendin tonë”, thuhet në komunikatë.

Ata tutje kërkojnë nga Qyteti i Shkupit që sa më shpejt ta korrigjojë këtë lëshim, t’i rikthejë themelet e shtëpisë së Nënës Terezë, ndërsa në të mirë të marrëdhënieve të mira ndëretnike, është koha e fundit që teksti në pllakën përkujtimore të bëhet edhe në gjuhën shqipe.

“Me shpresë se nuk do të ketë nevojë për reagime në instanca më të larta vendore dhe ndërkombëtare dhe në forma të tjera”, thotë Skender Asani, drejtor i këtij departamenti. / Koha.mk / KultPlus.com

90 vjetori i lindjes së Luçie Milotit, bilbili me zë kristalor

 

Kujtojmë sot, në ditën e lindjes (11 Maj 1930), “Artisten e Merituar” dhe “Mjeshtren e Madhe” – Luçie Miloti, që preku skenën që në moshën 12- vjeçare.

Kudo ku ka performuar është shquar për një zë të mrekullueshëm, të kristaltë dhe me një tingëllim krejt të veçantë.

Në repertorin e saj artistik numërohen rreth 500 këngë, të cilat këngëtarja i ka performuar në mbarë vendin dhe në skenat e huaja.

Luçie Miloti, gjatë karrierës së saj artistike, ka marrë pjesë në festivale kombëtare dhe ndërkombëtare, në fillim si soliste e Filarmonisë Shqiptare dhe në vazhdim si soliste e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore.

 Është vlerësuar me çmime dhe është cilësuar si zëri i rrallë i Ballkanit, “Bilbili me zë kristalor”. Ajo është një fenomen i rrallë, që do të jetojë gjatë në kujtesën e brezave, që e duan dhe e adhurojnë këngën popullore”. / KultPlus.com


Pas Iftarit, DOKU n’ballkon me pa filmin e Lendita Zeqirajt

Këtë të mërkurë, me datën 13 maj, Dokufest do ta shfaqë filmin ‘Ballkoni’ të regjisores kosovare Lendita Zeqiraj në lagjen Bazhdarana. Filmi do të fillojë në orën 20.30 dhe do të projektohet tek parku i lagjes.

“Ne ju ftojmë të rrini n’shpi dhe ta shikoni filmin prej ballkonit”, thuhet në njoftim.

Shfaqja e filmit është pjesë e programit DOKU N’BALLKON, që ka për qëllim t’u përkujtojë qytetarëve të Prizrenit që në këtë kohë pandemie të kujdesen për shëndetin e tyre duke mbajtë distancën sociale.

Aktiviteti organizohet në bashkëpunim me Drejtorinë Komunale për Kulturë, Rini dhe Sport, Komuna Prizren. / KultPlus.com

Një grua e pavarur mund të dashurojë, por ajo do të shkëlqejë njësoj si me ty, si pa ty

Gratë e pavarura dhe që e dinë vlerën e tyre, janë kaq pak të vlerësuara, dhe shihen si të ftohta në shpirt. Sepse ajo s’ta ka nevojën ty për asgjë. Ajo mund të të dojë, por kaq, të do për atë që je, të do sepse të sheh si të denjë për të ndërtuar jetën së bashku, por mos harro, një grua e tillë, do vazhdojë të jetë e pavarur, do shkëlqejë si me ty e si pa ty.

Mund të jesh edhe ti një nga ata burra, që të tmerron pavarësia e një gruaje, sepse ndaj një gruaje të tillë s’do mund të sillesh si me një pronë tënden, që ta urdhërosh, që ta bësh të ta ketë nevojën ty, qoftë edhe për gjënë më të vogël, ta trajtosh si të duash pa frikën se ajo mund të largohet nga ti, apo edhe ta ndalosh të bëjë punën që do, apo të merret me hobin e saj.

Pra, një grua e tillë që e di se sa shumë vlen ajo, nuk të jep këto “privilegje”, të cilat shumë burra i duan. Dhe nëse ti e detyron të bëjë zgjedhje mes teje dhe diçkaje, ajo nuk zgjedh kurrë personin që e detyron të zgjedhë./supergrate.net/ KultPlus.com