Plazhet e Strugës dhe Ohrit këtë sezon do të duhet të përshtaten me masat për mbajtjen e distancës, nëse duan të punojnë. Edhe pse ende priten rekomandimet e Qeverisë, kompetentët vlerësojnë që koncesionerët duhet ngadalë të përgatiten. Nëse në një plazh verën e kaluar kanë ardhur deri në 100 persona, tani do të vijnë 50 ose 30 pushues. Një pjesë e koncesionerëve thonë që kjo nuk do të ketë leverdi ekonomike.
“Mendoj që asnjëri nuk do t’i plotësoj kriteret. Sepse nuk do të paguhet kurse futemi në harxhime të mëdha. Thjesht mund të sigurojmë mjete për dezinfektim, të dezinfektohen shazllonet dhe pajisja. Të kemi distancë sociale mes njerëzve dhe asgjë më shumë” – tha Ilija Xheparoski- ish koncesioner.
Nga Qendra e shëndetit publik në Ohër tashmë kanë njoftim se si do të organizoheshin plazhet këtë sezon.
“Nëse qëndrojnë ulur dy apo tre persona, patjetër të mbajnë maskë. Maska mbrojtëse është e obligueshme të paktën për momentin. Si do të jetë në periudhën verore, do të shohim. Do të respektohen të gjitha masat dhe rekomandimet për mbrojtjen e notuesve nga rrezitja e deri në hyrjen në ujë. Nëse deri më tani rregulli ishte që në 4 metër katror duhet të jetë një pushues, supozoj që kjo do të jetë më gjerë. Besoj që edhe distanca e shazlloneve dhe peshqirëve do të jetë më e madhe” – u shpreh Sasho Toçkov- Qendra e shëndetit publik, Ohër.
Në disa vende turistike në botë tashmë janë vendosur pengesa të tejdukshme të plastikës mes mysafirëve në plazhe dhe kafene. Pritet që këtë ta rregullojnë koncesionerët e plazheve. Në disa vende evropiane, vizita e plazheve mund të përkufizohet edhe sipas moshës, që të evitohet kontakti me kategoritë më të moshuara të njerëzve dhe personat e prekur me sëmundje kronike.
Ndryshe, nga Kryqi i kuq i Ohrit thonë që edhe puna e shpëtimtarëve këtë verë duhet të përshtatet. Ata do të kenë rol t’i vizitojnë notuesit se si duhet të sillen, por edhe t’i denoncojnë parregullsitë pranë institucioneve kompetente.
Data e lindjes dhe e vdekjes se Irnerius-it, nuk janë të sigurta, por në dokumente figuron në vetëm mes viteve 1112-1125. Në burimet e ndryshme nga literatura juridike mesjetare supozohet se IRNERIUS Bononiensis ka jetuar në vitet 1150 – 1125.
Gjithashtu, edhe për emrin, origjinën, kushtet, rrethanat dhe mënyrën e jetesës së tij afrohen informacione të mangta. Sipas nënshkrimeve që janë gjetur nëpër dokumente të ndryshme të asaj periudhe, Irnerius-i, e quante veten në italishte Guarnerius, respektivisht Garnerius, nganjëherë gjendet edhe me emrin Warnerius. Emri i Irnerius duket t’ju është vënë tek pas vdekjes. Ndërsa, sa i përket origjinës së tij, ka autor të atillë, që pretendojnë Irneriusin ta shpallin me një prejardhje gjermane, krejt me arsyetimin se ai quhej Wernerius. Sidoqoftë, emra të tillë janë gjetur tek shumë italianë veriorë nga familjet italiane. Por Irnerius-i, gjithnjë veten e ka konsideruar si Bolonjas. Bolonja në këtë kohë kishte rreth 60.000 – 70.000 banorë dhe ishte i radhitur si qyteti i pestë apo i gjashtë evropian nga madhësia pas Kordobës, Parisit, Venedikut, Florences dhe Milanos.
Në vitet 1112 dhe 1113 në një dokument të Gjykatës (Placitum) përmendet si ndihmës-gjykate (Causidicus) për palët në konflikt, respektivisht si këshilltar i gjykatës vendimmarrëse për territorin e Konteshes Mathilde nga Tuszien. Ndërmjet viteve 1116 – 1118 emri i tij paraqitet edhe në 11 dokumente tjera, ndër to në 9 dokumente perandorake, si gjyqtar (iudex) i Heinrihut të V-të. Ky ishte titulli më i lartë që mund të arrihej nga një person me përgatitje profesionale juridike (legis peritus). Për këtë performancë arriti të gëzonte një reputacion të lartë prestigjioz.
Sipas Kronikës së Milanos e Landulphus de Sancto Paulo, Irnerius kishte mbajtur krahun e Perandorit për statusin e tij autokratik, me qëllim të ndikimit të tij për përfitimin e bindjes tek qytetarët e Romës (urbs regia), që zgjedhja e Papës Gelasius II të shpallet e pavlefshme dhe të zëvendësohej me Gregorin e VIII. Për shkak të këtij aktiviteti Irnerius në vitin 1119 ishte ftuar nga Papa Gelaisus II, i cili me atë rast i kishte shpallur atij ekskomunikimin (përjashtimin fetar). Për konsekuencat e tilla të mëtutjeshme si pasojë e këtij përjashtimi fetar të Irneriusi-t, si dhe për vendin se ku i kishte kaluar vitet e fundit të jetës nuk janë ruajtur të dhëna të dokumentuara. Për here të fundi ai është përmendur në një dokument të datës 10 dhjetor 1125 në afërsi të Mantuas si ndihmës gjyqësor në një procedurë të arbitrazhit.
Në Lectura super Digesto veteri të Odofredusit të ri (1265), Irnerius-i (njëqind vjet pas vdekjes) do të shpallej si themelues i shkollës për studimet juridike të Bolonjës dhe atyre mesjetare në përgjithësi. Nga të dhënat e ruajtura është vërtetuar se ai fillimisht kishte pozitën e magister in artibus, ndërsa më vonë ishte pavarësuar (per se) dhe kishte filluar t’i studioj librat juridike të Justinianit (Kodeksi), të sjellura në Bolonjë nëpërmjet Ravenes nga Roma e shkatërruar. Në bazë të këtyre librave ai kishte filluar edhe të ligjëroj në lëndët juridike (scientia). Në literaturën juridike ai quhet edhe “Shkëndija e së drejtës”.
Në Kroniken Ursperger dokumentohet se në vitet 1229/30, Irnerius-i në kërkesë të Konteshës Matilde e kishte ripërtrirë librin libri legum, i cili ishte lënë në harresë deri atëherë, e kishte përplotësuar me ca fjalë.Kjo në literaturen e mëvonshme do të merret si themelimi i shkollës juridike, ku edhe do të vlerësohet lartë edhe kontributi i Konteshës Matilde.
Në literaturen e re të historisë së të drejtës është konstatuar se Corpus iuris civilis në kohën e Irnerius-it është përpunuar në formë të glosave (summae). Metoda e studimit të Glosave ishte ndjekur sipas metodës së shkollës së vjetër dialektike të Skolastikes (së pari në aspektin teologji) duke u vazhduar me definicione dhe distinkcione (përcaktime dhe ndryshime). Në glosa sqaroheshin konceptet dhe përmabjtjet e normave juridike.
Fakti se ai do të ishte i pari i cili Irnerius-i, i cili merrej me interpretimin e Corpus iuris-in, e sidomos me Pandektet në një pjesë të literatures juridike është mohuar. Gjithashtu, është vërtetuar shkencërisht, se pa të drejtë edhe Quastiones de iuris subtilitatibus, Tractatus de aequitate, Summe Trecentis dhe Formularium tabellionum i janë llogaritur si vepra të Irnerius-it. Gjithashtu, ka edhe paqartësi në lidhje me faktin se “quattuor doctores” Bulgarius, Martinus Gosia, Jacobus dhe Hugo de Porta Ravennate a mund të konsiderohen nxënës të tij.
Ndërsa, krahas Irnerius-it, në një vend të Moralia Regum e Rudolphus Niger (v. 1200) përmendet roli i Pepo-s, si ringjallës i studimeve të së drejtës romake.
Historia e së drejtës e pranon faktin se shkencat juridike janë të lidhura me kohën kur kishte jetuar e Irnerius-it, e cila konsiderohet edhe si koha e glosave, ku edhe kanë filluar të zhvillohen aspektet e metodave të interpretimit dhe ato shkencore. Nga të dhënat e ruajtura vërtetohet se një pjesë e madhe e sqarimit nëpërmjet glosave (komentimeve), allegatione (pohimet) dhe Solution contrarium (zgjidhjet e kundërta) në constitutione dhe leges për rastet bazike (casus legum) referonin zgjidhje meritore.
Që nga kjo periudhë kur jetonte Irnerius-i, populli e kishte mbartur plotësisht tek pushteti perandorak legjitimitetin për nxjerren e ligjeve. Pra, në këtë periudhë populli (desuetudo populi) më nuk luante kurrfarë roli në nxjerrjen e ligjeve.
Në fund të këtij artikulli të shkurtër, i cili i’u kushtua jetës dhe veprës së juristit të famshëm nga Bolonja, Irnerius, do të vlerësoja lartë kontributin e tij prej juristi, i cili themeloi shkollën e parë juridike mesjetare (në Universitetin e Bolonjes), duke e shpjeguar të drejtën klasike romake, por gjithashtu nuk duhet prejudikuar faktin se a ishte glosatori i parë apo jo, meqenëse, ai me bashkëpunëtorët (glosatorët) e vet, juristët e gjeneratës së tij si psh.: Azo dhe Accursius (glossa ordinaria ose glossa ordinaria Accursius 1250), si dhe Johannes Bassianus, u çmuan për ruajtjen dhe rigjallërimin e teksteve juridike klasike romake (littera vulgata/bologniensis) si dhe në gjetjen e zgjidhjeve për krijimin e kutures së komentimit, për situatat e paqarta, kur konstatohej se ekzsitojnë boshllëqe të dispozitave ligjore, e që ishin të nevojshme për zgjidhjen e problemeve, për shkak të progresit të arritur në zhvillimin e përgjithshëm shoqëror të asaj kohe që nuk ishte i njohur deri atëherë. Kontributi i tij duhet të vlerësohet edhe për faktin, se deri në atë periudhë të vlente dhe studiohej e drejta kanonike (kishtare). Duke ju falenderuar Irnerius-it dhe glosatorëve tjerë të asaj kohe, Bolonja arriti të fitoi monopolin e studimeve juridike dhe e kufizoi mundësin e studimeve të tilla për qytetet jo mbretërore.
Më vonë paraqiten edhe postglosatorët (consiliatores), si psh.: Baldus de Ubaldis dhe Bartolus de Saxoferrato, të cilët e vazhduan rrugën e qartësimit edhe më të drejtë dhe precizë të ligjeve dhe normave juridike të trashëguara nga e drejta romake.
Në përmbyllje të këtij artikulli do të shtoj edhe faktin se në universitetet gjermane për herë të parë në vitin 1388 ka filluar të studiohet e drejta romake në Universitetin e Kölnit (Universität zu Köln).
Literatura: Mbi juristët gjerman dhe europian të periudhës kohore mbi nëntëqind vjeçare.
Gerd Kleinheyer, Jan Schröder (Hrsg.): Deutsche und Europäische Juristen aus neun Jahrhunderten: Eine biographische Einführung in die Geschichte der Rechtswissenschaft. 5. Auflage. C. F. Müller, Heidelberg 2008
Hans Hattenhauer: Europäische Rechtsgeschichte, 4. Auflage, durchgesehene und erweiterte Auflage, CF Müller Verlag Heidelberg, 2004
Susanne Hähnchen: Rechtsgeschichte: Von der Römischen Antike bis zur Neuzeit, 4., Auflage, völlig neue bearbeitete und erweiterte Auflage, CF Müller Verlag Heidelberg, 2012
Hermann Lange: Römisches Recht im Mittelalter. Bd. 1: Die Glossatoren. Beck, München 1997
*Emrin e tij në shenjë përkujtimi prej juristit të famshëm sot e mban rruga Via Irnerio në Bolonjë dhe një projekt digjitalizimi të dorëshkrimeve ligjore: Progetto Irnerio./KultPlus.com
Friedrich Schiller lindi më 10 nëntor të vitit 1759 në Marbach am Neckar dhe vdiq më 9 maj të vitit 1805 në Weimar (lexo: Vaimar) ishte poet, dramaturg dhe historian aleman dhe gjerman i shquar, shkruan KultPlus.
Njihet pranë Goethe (Gëtes) si autori më i shquar i klasikes gjermane. Shumë pjesë teatrale të tijat i përkasin repertorit standard të teatrit të gjuhës gjermane. Baladat e tij radhiten tek më të dashurat e poemave gjermane.
Thënie nga Friedrich Schiller:
Kur alkooli hyn, gjëra të çuditshme dalin.
Atë që refuzon në një minutë, as përjetësia s’do të ta kthejë.
Shpirtrat e mëdhenj dinë të vuajnë në heshtje.
Edhe e bukura duhet të vdesë.
Çdo gjë e re, qoftë edhe lumturia, na tremb.
Kush mendohet shumë, pak bën.
As hyjnitë nuk mund të luftojnë kundër idiotësisë.
Historiani është një profet që sheh nga e shkuara.
Kush nuk guxon asgjë, asgjë të mos shpresojë.
As njeriu më i mirë nuk mund të gjejë paqe, nëse kjo nuk i bie përshtat fqinjit të keq. /KultPlus.com
Vapa m’zuni te rranxa e qytetit në shkamb që sos me pallat në maje. Vetmia shkallave guri ngreh hap mbas hapi korpin me avull përpjetë e nuk mbaron kurr.
Qentë mbas dyerve gërvishtin drunin e ciasin për t’i lirue dikush kërcllatjesh telash të ndryshkun në shtrat. Në mende të pangjashme përlyhen linjat e ndeme për m’u terë n’ballkone kryq e tërthoraz.
Shì në maje, te pallati i lashtë, vetoi ndër rreze faculeta e bardhë në krye të saj e krisi nji hap grueje n’shkamb me jehonë në parzmin tim.
Çka është gjithë ky entuziazëm e çjerrë, si nëpër mitingje t’partisë në komunizëm?
Nuk është hera e parë. E kam përjetu njëjtë këtë flakërim iluzionesh në fushatë të Shpend Ahmetit para se ta fitonte Prishtinën? Sot askush nuk e humb asnjë rast për ta sha e mallku të shkretin për keqmenaxhim e korrupsion e për t’këqijat që paska ba.
Veç po du me kujtu që shpendi qëllimet e veta i ka mbrri. I ka mbrri jo me program të qartë e progresiv për qytetin por tu na e ba krytë shoshë e tu i fitu votat me parullën “hajde ta hjekim Isën”. Çka mendojmë sot për Shpendin, atij bash palla nuk i han.
Të njëjtin skenar fund e krye po e përjetoj tash me Vetëvendosjen, së cilës gjithashtu i mungon vizioni e programi i qartë i udheheqjes dhe fitoren e gëzoj në bazë të parullës, “hajde pe hjekim Hashimin”.
Raportin mes politikanit dhe popullit duhet me sqaru njëherë e mirë ëe këtë vend, se jemi tu ja huqë sa jemi t’mëdhenjtë.
Nuk kam pa ndonjë rast në botë ku punëdhënësi bon tifo e çjerrët për punëtorin, shërbëtorin e vet. Politikanët si farë e fëlliqtë që janë me shumicë, janë punëtoret e popullit, rrogën e marrin prej pareve të popullit, puna e tyre e vetme është me çu përpara vendin dhe vetëm kaq. Pa duartrokitje mundësisht.
Detyrë e popullit është me ju nejt gati shërbëtorëve te vet me monitorim e me ndëshkim e jo me çjerrje e entuziazëm hala bile pa pas rast me e pa një element pozitiv të punës së tyre e cila veç zhagitet e mungesa e konstruktivitetit e efikasitetit vërehet prej aeroplanit, ndërsa buxheti i harxhuar për paga e për pjesëmarrje në komisione të bon me kap krytë, edhe në kohë të pandemisë.
Kurgjo pra, duket sheshit që jemi zero në të kuptuarit e raportit të qartë mes detyrave tona si popull me udhëheqësit që na përfaqësojnë.
Zaten në mungesë të thellë të kulturimit në shume sfera, të mos edukimit e emancipimit në përgjithësi, kemi qenë e po vazhdojmë të mbetemi rob të topalujtjeve të të gjithë politikanëve grykës e të pafytyrë që manipulimin e mashtrimin e kanë të lindur dhe që e kanë shndërru në profesionin ma të pagum.
Asnjani prej tyre besomëni, nuk është aty për ju e për interesa të juaja, hiq bash asnjani. Secili prej tyre ka agjendë të vetën, raporte kogja të mira me koleget e vet të sojit të vet, e populli është vegël, është instrument që ai e përdor për plane dhe arritje të veta personale, sepse populli në masë të madhe e lëshon në autopilot, sepse shumica edhe sikur të jene në gjendje të mendojnë për vetën, nuk e kuptojnë rrolin e vet në shoqëri.
E kuptoj, është ma kollaj me pa gjithë ditën e lume televizor e me leju me ta pastru trunin i madh e i vogël. Është ma e lehtë me vazhdu me jetu në mjerim dhe i pavetëdijshëm për detyrimet dhe përgjegjësitë si qytetar, si patriot e si dikush qe shqetësohet vërtetë për të ardhmen e vendit. Të të njëjtit vend ku gjuhet bërlloku prej katit të shtatë, shkelmohet kafsha e pambrojtur, ngacmohen femrat rrugës e diplomat blihet me pare, ku mungon dëshira për të mendu e vepru ndryshe, në kuptimin e të qenit përgjegjës për vetën, rrethin e për ambientin.
Gjendja e katandisun e vendit është për fajin e mungesës se vullnetit të qytetarit e jo të politikaneve.
Që demokracinë në sensin e përfaqësimit të drejtë të popullit në politikë e vendimmarrje e ka marr lumi, kjo vërehet edhe hiq pa pas haber prej këtyre punëve. Që politikanët kinse demokrat i mbrojnë interesat e grupeve të vogla të interesit pra ata që i financojnë, kjo tashmë është e ditur, që ata në momentin që ulen në karrigat e tyre i thonë bye bye transparencës e pergjegjësidhënjes, dëshmitar të ngjarjeve të tilla kemi qenë mijera e mijëra herë. Pronto.
Nuk kam pa asnjëherë askënd të protestoj kundër rrënimit e dështimeve të turpshme në sistemin e arsimit, për barazinë gjinore e kundër dhunës sistematike që u bëhet grave në këtë vend, dhunë fizike psikike e institucionale. Nuk kam pa asnjëherë askënd të protestoj për të rritur ndihmat e familjeve skamnore e zvogëlimin e papunësisë. Nuk kam pa kurrë të kërkojnë përgjegjësi për të gjitha këto, nga përgjegjësit, pra nga politik bërësit.
Asociacioni i gazetarëve të Kosovës në vazhdimësi raporton për shkeljen e së drejtës kushtetuese të qytetarëve dhe gazetarëve që monitorojnë punën e kuvendit në qasjen e dokumenteve zyrtare, raporteve të auditimit prokurimit dhe raporteve fiskale. Po hajt bre se nuk është hiq interesant çka thojnë a nuk thojnë ata pak gazetar të hajrit që kan mbetë në Kosovë.
Raportet e instituteve vendore e ndërkombëtare që masin transparencën e deputeteve e të ministrive, në raportet e tyre publikojnë shifra alarmante që tregojnë se llogaridhënia është nën çdo nivel për një shtet demokratik, po hajt bre se kush ka vakt mu marr tash me ato far dokumente të komplikume me do gragika me do ngjyra e do përqindje që kush vesh nuk i merr.
Populli nuk ka vakt, e as durim me pa aty ku duhet e me i bo pyetjet e duhura.
Nuk ka vakt me protestu për faktin që të dhënat më së paku të hapura për publikun janë ato të prokurimit publik të ndjekura nga të dhënat buxhetore e operative, nuk ka vakt me protestu që 72% e ministrive nuk i publikojnë raportet e tyre buxhetore vjetore ne webfaqe.
Nuk ka vakt me protestu për mungesën e publikimit të raporteve të auditimit të aktiviteteve të komitetit parlamentar. Nuk ka vakt me protestu për shkelje të vazhdueshme që i bahen kushtetutës e të drejtave themelore të lirive të njeriut.
Jo nuk ka, e besoj, sepse ma parë duhet mu çjerrë e me qit xixa t’kuqe prej syve tu tregu çka i tha shpendi albinit e Hashimi fistekut në filan debatin në televizor.
Politikanët tashmë e njohin mirë apatinë e popullit ndaj kërkimit të përgjegjësisë prej tyre dhe ndëshkimeve, prandaj manipulojnë me të cdo ditë, me vite, deri sa të ia zhdukin çdo gjurmë të identitetit dhe qëllimeve të tij.
Nuk kemi sens të komunitetit, nuk dijmë ta mbrojmë vetën e njëri tjetrin, nuk dimë ti mbrojmë fëmijët tanë, tregohemi indiferent ndaj gjithë asaj që ndodhë jashtë mureve të shtëpive tona, e statuset urryese e çjerrëse ne fb i konsiderojmë detyra të kryera qytetareske në shërbim të shtetit.
Një popull i tanë me një vetëdije kaq të ulët të përgjegjësisë qytetare në një shoqëri demokratike meriton çmimin që po e paguajmë çdo ditë, një vend të shkretë një shtet të kapur e mafioz, i zhytur në korrupsion deri në thelb që po ua lëmë fëmijëve tanë.
Kur bëhet shërbëtori zot në shtëpinë tande, mundesh me pyet? Përgjigjja shkencë raketore nuk është, përkundrazi është shumë e thjeshtë. Atëherë kur ti bën tifo për të hala pa ia nisë mire punës, atëherë kur çjerrësh prej adhurimit për të pa arsye konkrete, atëherë kur nuk e kupton që përgjegjësi e jotja është me kërku llogari për punët në shtëpi, atëherë kur ti e ngatërron rrolin tënd me të shërbëtorit dhe ia lëpinë duart saherë ai ta këtë mirësinë të ta hedhë ndonjë kocke të mbetur prej drekës që e ke paguar ti. /KultPlus.com
Bazilika e Tepes (nga turqishtja, kodër) në qytetin e Elbasanit ndodhet në ullishtat e kodrës me të njëjtin emër, mbi urën e Zaranikës në perëndim të qytetit të Elbasanit.
Një material i publikuar nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Korçë flet këtë herë për bazilikën, që shtrihet në një sipërfaqe prej 600 metra katror. Është një bazilikë palokristiane e orientuar me apsidë nga lindja dhe ndërtimi i saj ka kaluar në disa faza.
Muret e saj ruhen në një lartësi të vogël mbi sipërfaqen e tokës, më së shumti si themele, dhe hera herës ka edhe pjesë muri që mungojnë. Planimetria e bazilikës në fazën e parë ishte e ndërtuar me tre nefe të formuar me dy arkada të vendosura mbi pilastra.
Nefi qëndror me përmasa 16.35 x 5.30 m është dhe më i gjerë se dy nefet e tjera. Nefet anësore janë më të ngushtë dhe kanë këto përmasa 16.35 x 2.15 m. Nefi qëndror përfundon me një absidë gjysmë rrethore. Bazilika në fazën e parë ishte një ndërtim i varfër, shtruar me dhe të ngjeshur. Kjo fazë datohet në shek. IV e.s. Në secilin prej nefeve hyhej nga një derë nga narteksi i ngushtë dhe të gjatë sa tre nefat, në anët veriore dhe jugore të të cilit janë dy dhoma të vogla me përmasa 4 x 3.2 m, të të njëjtës kohë më bazilikën e parë. Në një fazë të dytë, shek.V bazilika do të pësojë një sërë transformimesh për t’ia përshtatur më mirë përdorimit si kishë qimiteriale e Skampis-it, funksion që mund ta ketë pasur që në fillim, kjo nisur nga fakti se ishte larg qytetit.
Shtrohet me mozaik dhe bëhet ndarja e rregullt e ambienti të altarit nga naosi me një ikonostas të ngurtë që në ditët e sotme ruhet i fragmentuar. Ky ndryshim strukturor i kishës erdhi për arsye se dy varre me qemere prej tullash u bënë pjesë e nefit verior. Dy personat mendohet se janë dinjitarë të komunitetit fetar të Skampis-it.
Njëri prej varreve ka dhe një mbishkrim emrin e njërit prej peshkopëve, Stefan. Këto ndryshime bëhen në një kohë kur Skampis-i pati një zhvillim të mirë ekonomik dhe një nivel të lartë ndërtimor e artistik, gjë të cilën na e dëshmon brendia e sallës qëndrore. Dyshemeja e kishës në këtë periudhë ndahet nga rruga me pllaka guri shtufi të holla në katër panele mozaiku, dy nga dy simetrikë kryesisht me motive bimore dhe gjeometrike.
Mozaikët dallohen për një nivel të mirë realizimi. Teserat e tyre janë prej mermeri të bardha, gëlqerori në ngjyrë vjollcë, të bardhë e të zezë dhe tullash të kuqe. Në anën perëndimore të bazilikës, në një kohë më të vonë, pranë nartekstit shtohet një ekzonarteks i hapur me arkada mbi pilastra me përmasa 15 x 6.5 m. Muret e tij, si gjithë monumenti, ruhen pak dhe është i shtruar me pllaka guri gëlqeror. Nga prezenca e tre varreve, mendohet të ketë shërbyer si ambient suplementar për varrim. Secili varr mbante të varrosur nga dy persona. Më rrënimin e kishës nga tërmeti i vitit 518, kisha nuk rindërtohet më, sepse Skampis-i mendohet të ketë pasur katedralen e tij, atë të Shën Pjetrit. /KultPlus.com
9 Maji, e njohur si Dita e Evropës çdo vit është shënuar me lloj-lloj aktivitetesh dhe mesazhe që artistët shqiptarë kanë dashur t’i përçojnë, shkruan KultPlus.
Artistët kosovarë, duke qenë se Kosova ngeli vend i izoluar në mes të Evropës, çdoherë kanë shfaqur tendencën që përmes veprave artistike t’ia bëjnë me dije Evropës se populli shqiptar është evropian dhe si i tillë duhet të jetë i barabartë me popujt e tjerë të kontinentit.
Artistja e njohur Blerta Syla-Surroi ka publikuar sot në rrjetin social Facebok një punim të sajin mjaft interesant të vitit 2005 të titulluar “Nusja”, në të cilën ajo shfaqet e veshur si nuse me vello teksa mban flamurin e Evropës të varur poshtë.
Për KultPlus artistja tregon se si u frymëzua për ta realizuar këtë punim, i cili ishte pjesë e ekspozitës kolektive “Arti modern i kohës” në Galerinë e Arteve të Kosovës.
Ajo thotë se ndiente nevojën e të shprehurit nëpërmjet artit për të ardhmen e Kosovës.
“Si qytetare e këtij vendi dhe si artiste ndjeja nevojë të shprehesha nëpërmjet artit për të ardhmen e Kosovës”, thekson ajo duke vazhduar:
“Ideja apo dëshira ka qenë e thjeshtë. Të jemi shtet i pavarur dhe të jemi pjesë e integrimeve evropiane. Pra, të lidhim ‘martesë’ me BE-në. Ishte pyetje dhe preokupim i përhershëm e ardhmja e Kosovës. Kështu më lindi ideja e krijimit të këtij punimi, në të cilin dëshiroja ta gërshetoja traditën dhe modernen”.
Megjithatë, pasi kanë kaluar 15 vjet nga punimi i Syla-Surroit, Kosova vazhdon të mbetet e izoluar, megjithëse populli kosovar konsiderohet si më pro evropiani në rajon.
“Imagjinoni ku jemi sot 15 vjet më vonë dhe ende presim ‘mësit’ politik”, shprehet ajo për këtë paradoks.
Shumë artistë shqiptarë tashmë kanë ‘pushtuar’ skenat evropiane dhe botërore, duke dëshmuar se nga një popull siç jemi ne mund të dalin emra të shquar qoftë në art, kulturë, sport apo shkencë. Andaj porta e BE-së duhet të hapet për popullin shqiptar. /KultPlus.com
Këngëtari i njohur Little Richard ka ndërruar jetë sot në moshën 87-vjecare, ka bërë të ditur djali tij shkruan BBC, përcjellë KultPlus.
Ende nuk dihet shkaku i vdekjes së këngëtarit, i cili ndër vite ka qenë mjaft popullorë me këngët e njohura si “Good golly miss molly”, të cilat e mbajtën në majat e top listave.
“Tutti frutti” po ashtu ka qenë një këngë mjaft e njohur e tij.
Artistët tjerë sot mbetën të pikëlluar me ikjen Little Richardit, të cilin e cilësuan si “gjigant”.
Epoka e artë e Little Richard ishte gjatë viteve ’50 kur ai eksperimentonte me veshjet, dhe i krijoi këngët me zërin e tij të veçantë dhe unik. /bm /KultPlus.com
Dy ditë më parë, intelektuali dhe artisti, Maks Velo, ndërroi jetë. Mësohet se shtëpia e Velos do të merret në mbrojtje nga shteti dhe shpallet “pasuri kulturore”.
Lajmin e bëri të ditur, Ministria e Kulturës, e cila tha se në respekt të figurës dhe kontributit të dhënë përmes artit, profesionalizmit, dëshmisë dhe mendimit të lirë, Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore vedosi të shpallë “Monument Kulture të Kategorisë II”, banesën e intelektualit, piktorit, arkitektit dhe shkrimtarit, Maks Velo, në Rrugën “Hoxha Tahsin”.
“Në bashkëpunim edhe me pronarët e banesës, të cilët duhet të resektojnë të drejtat dhe detyrimet, që përcakton Ligji nr.27/2018 “Për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë”, i hapet udhë muzealizimit të shtëpisë së Maks Velos, që garanton ruajtjen të pacenuar të trashëgimisë intelektuale dhe artistike e tij”, thuhet në vendimin e Ministrise se Kultures.
Tashmë janë institucionet përkatëse të trashëgimisë kulturore, nën varësinë e Ministrisë së Kulturës, që do të kujdesen dhe do të përcaktojnë masat që duhen marrë, për vënien në mbrojtje të këtij objekti. Maks Velo u nda nga jeta në datën 7 maj 2020, në moshën 85-vjeçare. /KultPlus.com
Kryeparlamentarja e Kosovës Vjosa Osmani përmes një postimi në Facebook ka uruar ditën e Evropës, duke theksuar se Kosova orientim të qartë strategjik e ka anëtarsimin në Bashkimin Evropian, shkruan KultPlus.
Postimi i Osmanit:
Sot në ditën e Evropës rikthejmë në kujtesë edhe një herë se sa e rëndësishme dhe produktive është paqja mes popujve e shteteve dhe orientimi drejt një të ardhmeje të përbashkët evropiane. Duke promovuar fillimisht bashkëpunimin tregtar e pastaj edhe diversitetin kulturor e etnik, Bashkimi Evropian u shndërrua në projektin që jetësoi zhvillimin ekonomik, krijoi mirëqenie për qytetarin dhe u shndërrua në entitetin që u bë sinonim i paqes dhe i stabilitetit në botë. Andaj, Kosova orientim të qartë strategjik e ka anëtarsimin në Bashkimin Evropian.
Jetësimi i vlerave që i ka mishëruar Bashkimi Evropian në themelet e tij janë sot po aq të rëndësishme sikurse edhe 70 vjet më parë. Por, mbajtja e popullit më pro-evropian, popullit të Kosovës, të izoluar është në kundërshtim me po këto vlera. Çdo skenar i pranuar për ndryshim kufijsh të vendeve që aspirojnë integrimin në BE është poashtu në kundërshtim me këto vlera. Shpresojmë që sot, 70 vite pas, e përherë në BE të mbizotërojnë mendjet e ndritura, sikurse ajo e Robert Schuman dhe të punohet për paqe, stabilitet e solidaritet e të bashkohemi kundër atyre që promovojnë urrejtje, ndarje e diskriminim. /KultPlus.com
Pak a shumë të gjithë artistët dhe jo vetëm, janë të kapur përdhunshëm nga një egoizëm i pashërueshme dhe këtë ata e shprehin kryesisht nëpërmjet asaj që krijojnë dhe impaktit në publik.
Në një cak të udhëtimit të tyre ata e kuptojnë se gjithçka që bëjnë, e bëjnë për kënaqësinë e tyre dhe vetëm për të. Një ndër më tipikët e muzikës klasike është gjermani, Felix Mendelssohn. Burimi i fuqisë krijuese ishte vetë ai zjarr i egos së tij të pashërueshme, zjarr i cili e dogji, por ai do të ringrihej si një Feniks nga hiri i tij.
Mendelssohn gjatë gjithë jetës, krijoi dhe interpretoi vetëm për kënaqësinë e tij, vetëm nga zemra e tij, dhe kurrë për hir të kënaqësisë së publikut ose kritikëve. Shijet e tij muzikore në thelb ishin konservatore, kundrarrymë dhe kundërkohë, tipizim që bëri atë të largohej nga bashkëkohësit muzikorë më famshmë, si Franz Liszt, Richard Wagner, Charles-Valentin Alkan dhe Hector Berlioz. Konservatori i Leipzig, të cilën ai e themeloi, u bë një bastion i këtij këndvështrimi antidikal (kundërmashtrues).
Pas një periudhe të gjatë denigrimi për shkak të ndryshimit të shijeve muzikore dhe antisemitizmit, në fund të shekullit XIX dhe fillimit të shekujve XX, origjinaliteti i tij krijues është rivlerësuar. Ai tani konsiderohet ndër kompozitorët më të njohur të epokës Romantike.
Kompozitori, pianisti dhe dirigjenti gjerman Felix Mendelssohn u lind më 3 shkurt 1809 në një familje hebreje. Vdiq i ri më 4 nëntor 1847 i përndjekur nga shëndeti i keq. Koncertin e tij të parë publik ai e realizoi kur ishte vetëm 9 vjeç.
Pas njohjes së virtuozitetit të tij në moshën 12-vjeçare, Gëte e krahasoi atë me Mozart duke cituar: “Ajo që mund të bëjë ky njeri i vogël në ekzekutim dhe lojën interpretuese, mrekullisë i vë të tjera caqe, dhe unë nuk mund ta besoja se ishte e mundur që kjo të ndodhte nga një djalosh në një moshë kaq të re.” Kur ishte 20 vjeç, Mendelssohn organizoi dhe performoi një pjesë të harruar të Johann Bach, dorëshkrimi i të cilit, gjyshja e tij ia kishte dhënë katër vite më parë. Performanca ishte një sukses befasues, u bë i dobishëm në ringjalljen e muzikës së Bach në të gjithë Evropën, dhe katalizoi karrierën e Mendelssohn dhe udhëtimet e tij të shumta nëpër kontinent.
Ai dha gjithashtu një kontribut të vlertë si dirigjent i periudhës së hershme Romantike. Kompozimet e Mendelssohn përfshijnë simfoni, koncerto, muzikë piano dhe muzikë dhome. Punimet e tij më të njohura përfshijnë muzikën e tij të ndryshtë dhe të rastësishme ku citohen, “Simfoninë italiane”, “Simfoninë skoceze”, “Oratorio Elijah”, “Përmbysja e Hebrides”.
Melodia për karolinën e Krishtlindjes “Hark! Herald Angels Sing” është gjithashtu vepër e tij. Këngët pa fjalë të Mendelssohn janë kompozimet më të famshme solo në piano.
Mendelssohn përgjatë gjithë jetës së tij vuajti nga shëndeti i dobët. Në vitet e fundit të jetës, ndoshta i rënduar nga problemet nervore dhe nga puna e tepërt situata do të agravohej. Një turne i fundit në Angli e dërmoi duke e lënë të lodhur dhe të sëmurë. Vdekja e motrës së tij, Fanny, më 14 maj 1847, e përkeqësoi mëtejshëm gjendjen e tij. Më pak se gjashtë muaj më vonë, më 4 nëntor, në moshën 38-vjeçare, Mendelssohn vdiq në Leipzig. Mendelssohn e kishte përshkruar diku, kohë më parë vdekjen, në një letër drejtuar një të huaji, si një vend “ku shpresohet të ketë akoma muzikë, por nuk ka më pikëllim apo ndarje”. /albertvataj/ KultPlus.com
Lul Raka, mikrobiologu kosovar, veprimtaria e të cilit kohë më parë zinte vend në Afrikë, ku përballej me luftën kundër Ebolës, sot është shpallur fitues i çmimit ‘Evropian i vitit’, për vitin 2020, shkruan KultPlus.
Lajmin e ka bërë të ditur zyra e BE-së në Kosovë, përmes transmetimit live në Facebook. / KultPlus.com
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka postuar një foto në faqen e saj në Facebook ku shihen disa persona të grumbulluar në një hapësirë.
IKSHPK-ja thotë se kjo situatë është e patolerueshme, duke theksuar se virusi është ende në mesin tonë dhe rreziku vazhdon të jetë ende i lartë.
“Kjo situatë si në foto është e pa tolerueshme. Mbrëmë detektuam një rast pozitiv në Prishtinë. Ky rast nuk është për tu festuar, por për tu brengosur. Kështu ka filluar më 13 mars”, thotë IKSHPK, që shton se një rast i vetëm ka qenë në Stubëll, Klinë, Malishevë, Dumnicë, Wuhan, e Codogno.
E krejt janë raste të vetme që kanë arritur në mbi 4.000.000 në botë dhe po vazhdon akoma, thotë IKSHPK.
“Vazhdoni të mbani distancën fizike dhe mbajtjen e maskave. Virusi akoma gjendet në mesin tonë. Lehtësimi i lëvizjes nuk nënkupton mosrespektimin e rekomandimeve të Institutit Kombëtar dhe Ministrisë së Shëndetësisë. Lehtësimi i masave është bërë për të na bërë më të përgjegjshëm. Sakrificën tonë për të ruajtur shëndetin ta konsiderojmë si vlerë sublime duke vazhduar me mbajtjen e distancës fizike dhe mbajtjen e maskave në vendet publike. Ju lutemi për kujdes të shtuar deri në shuarjen e plotë të COVID-19”, thotë IKSHPK.
IKSHPK ka bërë thirrje te institucionet e rendit që të kenë angazhim të shtuar gjatë ditëve në vijim.
“Ju lutemi të keni kujdes sepse akoma ekziston rrezik i përhapjes në vendet ku ka grumbullim të madh të njerëzve. Virusi nuk ka këmbë, andaj mos ia jepni këmbët e juaja sepse do të rrezikoni të gjithë e më së shumti të afërmit tuaj. Luten institucionet për mbajtjen e rendit dhe inspektoratet për angazhim të shtuar gjatë ditëve në vijim”, thotë IKSHPK. / KultPlus.com
Berberi i shashtrisur shikon bulldozerin që i afrohet dyqanit të tij si një dinozaur, nuk mund të bëjë asgjë, veç t’i mbyll sytë. Atëhere i kujtohen ato ditë kur tërë mahalla, tërë qyteti u patën mbyllë, madje krejt dynjaja. Kishte sulmuar një virus. Atëhere e mbylli dyqanin se myshterija nuk i vinin më, madje as myshterija e tij më i rregullt, kryetari i komunës që kishte dalur një ditë nëpër rrugë, si i marrë, dhe bërtiste “Ç’ju duhet të shkoni te berberi, ku dreqin jeni tu shku, kthehuni në shpi. Po ku dreqin doni të shkoni më atë frizurë, me atë fytyrë të rruar në milimetër me briskun e porositur në Stamboll, me flokët e prera në 2 !!!?? Baret, restaurantet, shkollat janë të mbyllur. Nuk do të ketë as ditëlindje, as dasma, as varrime.”
Berberi mbante sytë të mbyllur fort edhe veshët tani i kishte mbyllur, me duar, nuk donte të dëgjonte zhurmën e bulldozerit, rënkallën e dyqanit i cili qëndronte i vetëm midis ndërtimeve të larta, jo larg një harkut të triumfit kiç, ca statuja mbi kalë, dhe dy-tre muze të stilit neo-klasik, të shëmtuar, që as një dekor filmi nuk do të ja kishte zili. Nga dyqani mund ta shihte edhe anijen mbi lumë, e nuk dinte të thoshte, nuk kishte shumë shkollë, por myshterinjtë i kishte profesorë, arkitektë, historianë, të vendit dhe të huaj, por nuk dinte të thoshte se a ishte anije të kohës greko-romake, apo të vikingjeve, ndoshta ishte ndonjë model imitim të atyre të Kristofor Kolombus, Santa Maria? Santa Barbara? dreqi e marrtë, Santa diçka, e punë e madhe emri, ajo ia kishte fshehur pamjen, se nga dyqani më nuk mund të shihte pjesën e bukur të qytetit, të cilës i përkiste edhe ai para dhjetë viteve para se të bëheshin ndryshimet e qytetit, një ëndërr megalomane e ca krerëve të shtetit. Memzi e shihte kalanë.
Por asnjëhere nuk e linte pa e kaluar rrugën e gurtë, të dal në anën tjetër, ta shikoj dyqanin, nga ura, çatinë nga andej, dhe të ulej të pi një kafe në Hanin e vjetër, ku oborri ishte parajsa vetë, dimër verë.
Edhe babai i tij e kishte mbyllur dyqanin gati 50 vjet para tij. Kishte shkruar mbi një karton: “Nuk punon berberi- Lija”. I kishte treguar, kur ishte rritur, se shkonte në shtëpi të atyre që e thërrisnin, për të prerë flokë, të ndreq mjekrën, dhe të bëj syneti. Por pranonte të shkoj vetëm te ata që i njihte personalisht, nga më herët, edhe të cilët kishin bërë be që nuk ishte të sëmurë në familjen e tyre, dhe atëhere kur bëjshe be, fjala jote nuk lëvizte më. Ishin familje zengine dhe e paguanin mirë, por ai shkonte edhe te fukaratë e aty nuk pranonte asnjë pare, madje as kafe me pi nuk donte, madje ndonjëhere i linte dy tri monedha, fëmijve, se fukaraja është shumë më krenar se zengini, zaten ajo është krejt pasuria e tij.
Pas tre, apo katër muaj, nuk i kujtohej mirë, kishte pritur myshterinjtë e parë, ata më besnikët, më pedantët. Ata te të cilët kishte shkuar, gjatë mbylljes në shpi, në çdo kohë, se në mesin e tyre kishte asi të dashuruar në vete që para se të bien në gjumë e shikojnë vetën edhe njëhere në pasqyre e tmerrohen nga pamja, e shpejt e thërasin berberin “do të paguaj me napoleona!!!”, kishte edhe baba që kishin frikë se djali i tyre nuk ishte burrë, se e kishin parë duke luajtur me kukulla me kusherirën, e atëhere e thërrisinin para se të shkonte hoxha në xhami për faljen e sabahit, e duhej nxjerr fëmijën nga krevati, t’i uleshin pizhamat teposhtë, e ai gjysëm i fjetur nuk shihte se çka po ndodh me të, vetëm dhimbja e fortë e kthjellte dhe ai bërtiste e i mshonte grushta berberit. Hahaha i kujtohej kur e kishte prerë, me qëllim, një maskara, edepsëz, dinsëz, që e kishte përzënë nga shpija pa e paguar por nuk kishte guxuar t’i jepte një shkelm edhe pse sa mundte thoshte “oh kam me ta dhënë një që nuk ke me mujt me u ul dhjetë ditë” por vërtetë kur e kishte parë vetën me atë mjekër, e që i përgjante një rilindasit, ishte zbutur pak, se dora në zemër, nuk e dinte, nuk mundte të thotë se nuk i kishte rrëshqitur dora, këto janë gabime që ndodhin, dhe babai, berberi, ia dinte punët e pista dhe i kishte myshterinjë prej kryetarit të komunës deri te kryeshefin e xhendarmërisë, hajt se kalon, e lyej plagën me një melhem.
Bulldozeri afrohej, momenti i rrëzimit të dyqanit afrohej. Bulldozeri u ndal, berberi pa dyqanin e tij për tokë, si një kafshë, më saktësisht si një kau. U shtang. Mbeti pa frymë. I fërkonte duart duke kukatur, bënte ca hapa te para, e kthehej te vendi. E përnjëhere filloj të ecte rrugëve si i marrë duke bërtitur: “Po ku do të shkoni te berberi? Po pse të shkoni te berberi? Do të mbyllen më së pari dyqanet e berberave dhe parukeritë. Po pse të ndreqeni, pse t’i preni flokët, pse ta ndreqni mjekrrën, pse të bëni frizura, do të mbyllen baret, kafet, restaurantet. Do të mbyllen shkollat.
Nuk do të ketë ditëlindje, as dasma as varrime. Dy javë, … ka thënë Luli, Luli i vocërr, Luli i madh, dy javë,… Hahhahhahha, hahahhaha” / KultPlus.com
S’ka gjuhë që s’mund të përkthejë, por ka poetë që s’dinë të përkthejnë, ashtu siç ka poetë që s’dinë të bëjnë poezi. Po a ka gjuhë më pak poetike se frëngjishtja që i ka të gjitha fjalët oksitone? Po mos ka qenë pengesë kjo gjuhë që të nxjerrë poetë aq të mëdhenj? Po a ka gjuhë më pak poetike se anglishtja, me gjithë ato fjalë monosilabike? Po mos ka qenë pengesë kjo gjuhë për ata poetë të mëdhenj të Anglisë?
Ku pyet poeti! Dhe ca më pak s’pyet poeti shqiptar! Se shqipja ka mundësira të pakufishme për të krijuar dhe për të përkthyer. Ajo ka fjalë të shkurtra, të gjata, oksitone, paraoksitone, proparaoksitone, ç’të duash ka! Nga mundësitë që krijon gjuha shqipe ua kalon shumë gjuhërave të botës dhe mund të krahësohet me gjermanishten. Prandaj s’ka faj gjuha, po ku është poeti?
(Marrë nga profili i Marie Poradeci) / KultPlus.com
Kolonizatorë dhe sundues të Altlantikut, portugezët kanë trashëguar në breza urtësi që lidhen fuqishëm me tematika si peshkimi, paraja, premtimet, shpenzimet, respekti e këshillat.
Mos i jep asnjëherë këshilla atij që të kërkon vetëm lekë.
Askush nuk vlen më shumë se tjetri nëse nuk prodhon më shumë se tjetri.
Dembelia nuk ka rritur kurrë fëmijë të mirë.
Ilaçi i nesërm nuk do ta shërojë sëmundjen e sotme.
I sigurti vdiq, i kujdesshmi i shkon në mort.
Kush ka katër dhe shpenzon pesë, nuk ka nevojë për kuletë.
Kush nuk ka bukë, të mos mbajë qen.
Ligji punon ashtu siç dëshiron paraja.
Më së shumti premtojnë ata të cilët s’kanë ç’ka të japin.
Mëso duke qarë dhe do të fitosh duke qeshur.
Më shumë të hidhëron premtimi mashtrues, sesa një refuzim mohues.
Mos i zër besë një dere me shumë çelësa.
Ndershmëria dhe interesi i përfitimit nuk hyjnë në një thes.
Fjala e thënë, rasti i humbur dhe koha e ikur në jetë nuk ndodh t’i kthehen pronarit.
Pasurimi i pamerituar sjell djallin në shtëpi.
Qeni leh keq, kur leh nga frika.
Ta kesh mjekun e keq, është më keq se vetë sëmundja.
A do të jetë hija e drejtë në qoftë se druri është i shtrembër?
Ankimi i varfanjakut arrin deri në kupë të qiellit, por jo edhe në veshë të njerëzve.
Ji pluhur aty ku shkel nëna jote, parajsa ndodhet nën këmbët e saj.
Këshilla që jepet para botës është sharje.
Këshilloje të marrin dhe do të të llogarisë si armikun e tij.
Kush s’di dhe nuk e di që s’di, është budalla: mos iu afro; kush nuk di dhe e di që s’di, është i paditur: mësoje; kush di dhe nuk di që di, është i fjetur: zgjoje; kush di dhe e di që di, është i mençur: dëgjoje.
Më parë mendo daljen, pastaj hyrjen.
Në dashuri s’ka këshilltar.
Nëna e një të vrari edhe fle, por nuk fle nëna e vrasësit.
Nëse më mashtron një herë, atëherë ti je fajtor, por nëse më mashtron edhe për herë të dytë, atëherë vetë jam fajtor.
Njeriu i ngjan pemës, njerëzit e rrethojnë sa është e mbuluar me fruta, por, posa t’i bien frutat, njerëzit shpërndahen të gjejnë një pemë më të mirë.
Njeriu që nuk interesohet të mësojë prejardhjen e prindërve dhe të farefisit të vet, i përngjan një majmuni të humbur në xhungël.
Njeriu që nuk ka qënë kurrë i sëmurë, nuk mund të jetë mjek i mirë.
Proverbi për të folurit është si kripa për gjellën.
Pushimin shtyje për nesër, jo punën.
Bëj sikur je i ditur, por mëso edhe si të dukesh injorant.
Kam me tepri mollë e dardha, por zemra më lakmon ftoin.
Ka fjalë të cilat edhe me shumë mjaltë, nuk mund t’i përpish.
Kërkon gomarin dhe është mbi të i hipur.
Më mirë të humbasësh një sy se emrin e mirë.
Pasuria zbulon cilësitë e këqia që fsheh varfëria.
Peshqit zihen me grep, ndërsa njerëzit me fjalë.
Po të ishte dituria në mjekër, të gjithë cjepërit do të ishin profetë.
S’fillohet agjërimi me bakllava në dorë. /shkollaesuksesit/ KultPlus.com
Banka e Shqipërisë ka publikuar sot, foto të 2 monedhave numizmatike prej argjendi, në përkujtim të Ditës së Europës.
Në vitin 2001, për të nderuar përpjekjet dhe aspiratat e vendit tonë në rrugën drejt familjes së përbashkët evropiane, Banka e Shqipërisë ka prodhuar 2 monedha numizmatike prej argjendi, me temën “Integrimi i Shqipërisë në Europë”.
Dita e Europës, e mbajtur çdo vit më 9 Maj, është caktuar nga Bashkimi Europian për të festuar paqen, prosperitetin dhe unitetin e arritur brenda Europës.
Data shënon përvjetorin e deklaratës historike të Schuman-it. Në vitin 1950, në një fjalim të mbajtur në Paris, Robert Schuman, ministri i Jashtëm francez, shpalosi idenë e tij për një formë të re bashkëpunimi politik në Europë, e cila do të shmangte luftën mes kombeve të saj. Vizioni i tij ishte krijimi i një institucioni europian që do të bashkonte dhe menaxhonte prodhimin e qymyrit dhe çelikut.
Traktati që krijoi një organizëm të tillë (Komunitetin Evropian të Qymyrit dhe Çelikut) u nënshkrua vetëm një vit më vonë, më 18 prill 1951, në Paris. Propozimi i Schuman-it konsiderohet të jetë gjeneza e atij që ne sot e njohim si Bashkimi Europian. / atsh/ KultPlus.com
Tre libra Harry Potter të botimit të parë priten të nxirren në ankand këtë muaj me një çmim fillestar prej 18,000 paundë.
Një mësuese ishte ajo që i zbuloi librat, pasi ishin hedhur në këndin e librave të dhuruar në shkollën e saj në Buckinghamshire, transmeton KultPlus.
Ata përfshijnë një kopertinë të rrallë të botimit të parë të librit ‘Harry Potter dhe guri filozofik’.
3 librat e zbuluar janë pjesë të 500 botimeve të para të shtypura në botë. Ankandi do të mbahet online nga firma ‘Hansons Auctioneers’ në 21 maj. / KultPlus.com
A m’premton? Ditën qi të mos më duesh ma, ma thuej…. Çastin kur të mos e ndish me m’puth ma thuej… Flokun e parë qi t’mos e krehsh për mue ma thuej… edhe buzët e kuqe alli, kur ti lyesh për tjetërkend a kjoftë për inat tem’ Ma thuej…
A m’premton qi kur t’ikësh, për së dyti s’ke me u kthy? se zemna e vogel sa nji guralec s’duron dy t’vrame…
Të premten, në orën 12.00, në Vatikan, Papës iu dorëzua Çmimi Karli i Madh. Ishin të pranishëm kryetari i Parlamentit Europian, Martin Schultz; kryetari i Këshillit Evropian Donald Tusk dhe kryetari i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, kancelarja gjermane, Angela Merkel e shumë personalitete tjera.
Çmimi, me të cilin qyteti Aachen nderon çdo vit personalitete të dalluara për rolin e tyre në mbrojtje të vlerave, iu dorëzua Papës Françesku për angazhimin e tij në ndërtimin e Europës së paqes, themeluar mbi vlerat e përbashkëta, me porta të hapura për popujt e kontinentet e tjera. Kohët e fundit patën jehonë të thellë fjalët fuqimisht kritike, shqiptuar nga Ati i Shenjtë Bergoglio për kushtet në të cilat jetojnë refugjatët, në Kontinentin e vjetër.
Me këtë rast, Papa Françesku u drejtoi të pranishmëve këtë fjalim, sa akademik, aq edhe programatik, që prek problemet kyçe të Evropës:
Miq të Ndritur,
ju uroj nga zemra mirëseardhjen e ju falënderoj për praninë tuaj. U shpreh mirënjohjen time posaçërisht zotërinjve Marcel Philipp, Jürgen Linden, Martin Schultz, Jean-Claude Juncker e Donald Tusk për fjalët e mira. Dëshiroj ta kujtoj përsëri dëshirën time për t’ia dhuruar Europës këtë çmim të rëndësishëm, me të cilin nderohem: prandaj nuk po bëjmë një gjest kremtues, por po shfrytëzojmë rastin për t’i uruar së bashku Kontinentit të dashur një hov të ri e të guximshëm.
Fryma krijuese, gjenia, aftësia për t’u ringritur përsëri në këmbë e për të dalë nga kufizimet e veta, janë pjesë e pandarë e shpirtit të Europës. Në shekullin e kaluar ajo i dha njerëzimit dëshminë se gjithçka mund të fillohej nga e para: pas viteve të ndeshjeve tragjike, të cilat arritën kulmin me luftën më të tmerrshme që mbahet mend, zu fill, për hir të Zotit, një risi e pashembullt në histori. Hiri i gërmadhave nuk mundi ta shuajë shpresën, as kërkimin e tjetrit, që ndezën në zemrën e Etërve themelues, projektin evropian. Ata hodhën themelet e kështjellës së paqes, një ndërtese të ngritur nga Shtete, të cilat nuk u bashkuan me detyrim, por zgjodhën lirisht rrugën e së mirës, duke hequr dorë një herë e përgjithmonë nga ndeshja. Evropa, pas shumë përçarjesh, gjeti, më në fund, vetveten e nisi të ndërtojë shtëpinë e vet.
Kjo “familje popujsh”(1), që më pas u bë lavdërueshëm më e gjerë, kohët e fundit duket se po i ndjen më pak të vetat muret e shtëpisë së përbashkët, të ngritura nganjëherë duke u larguar nga projekti i ndritur arkitektuar nga Etërit. Ajo atmosferë risie, ajo dëshirë e zjarrtë për të ndërtuar bashkimin, duket sikur vijojnë të shuhen: ne, bijtë e kësaj ëndrre, tundohemi t’i nënshtrohemi egoizmit tonë, duke shikuar leverdinë e duke menduar të ngremë gjerdhe të veçanta. Gjithsesi jam i bindur se dorëzimi para vështirësive e kapitja nuk kanë të bëjnë me shpirtin e Evropës e se edhe vështirësitë mund të bëhen nxitëse të fuqishme të unitetit”. (2)
Në Parlamentin europian ia lejova vetes ta quaja Europën gjyshe. U thashë Eurodeputetëve se në të katër anët thellohet përshtypja e një Europe të lodhur, të plakur, shterpë, pa gjallëri, ku idealet e mëdha që e frymëzuan, e kanë humbur tashmë forcën e tyre tërheqëse; një Europe në rënie, që duket sikur e ka humbur aftësinë e saj krijuese. Një Europe, që tundohet më shumë për të siguruar e për të sunduar hapësira, sesa për të përftuar procese përfshirëse e shndërruese; një Europe, e cila po rrëmon llogore, në vend që të parapëlqejë aksione që nxisin gjallërimin e shoqërisë; gjallërim i aftë për t’i përfshirë e për t’i vënë në lëvizje të gjithë aktorët shoqërorë (grupe e individë) në kërkim të rrugëzgjidhjeve të reja për problemet aktuale, që sjellin fryte në ngjarje të rëndësishme historike: një Europe që, larg mbrojtjes së hapësirave, bëhet nënë e lind procese (krh Esort, ap. Evangelii Gaudium, 223).
Ç’të gjeti kështu, Europë humanistike, paladine e të drejtave të njeriut, e demokracisë, e lirisë? Ç’të gjeti Europë, tokë poetësh, filozofësh, artistësh, muzikantësh, letrarësh? Ç’të gjeti kështu, Europë, nënë popujsh e kombesh, nënë burrash trima e grash të dëlira, që ditën ta mbrojnë dinjitetin e vëllezërve e të japin edhe jetën për të?
Shkrimtari Elie Wiesel, që shpëtoi i gjallë nga kampet naziste të shfarosjes, thoshte se sot është themelore të realizohet “transfuzioni i kujtesës”. Është e nevojshme “të kujtojmë”, të largohemi për një çast nga e sotmja, për të dëgjuar zërat e paraardhësve. Kujtesa jo vetëm që do të ndihmojë të mos biem më të njëjtat gabime të së kaluarës (khs. Nxitje. Ap. Evangelii gaudium, 108), por do të na krijojë mundësinë t’i shfrytëzojmë fitoret, të cilat i ndihmuan popujt tanë t’i kapërcejnë me guxim udhëkryqet e historisë, që u dolën përpara. Transfuzioni i kujtesës na çliron nga prirja aktuale, shpesh më tërheqëse, për të ndërtuar me nxitim mbi rërën lëvizëse të rezultateve të menjëhershme, që mund të prodhojnë një rentë politike të lehtë, të shpejtë e jetëshkurtër, por që nuk mund ta sigurojnë zhvillimin e gjithanshëm njerëzor” (ibid, 224).
Për këtë qellim na bën mirë t’i kujtojmë Etërit themelues të Europës. Ata ditën të kërkojnë udhë alternative, inovative, në rrethana të vështira, në një kontinent të plagosur rëndë nga lufta. Ata u trimëruan jo vetëm ta ëndërrojnë idenë e Europës, por edhe guxuan t’i ndryshonin rrënjësisht modelet, që shkaktonin dhunë e rrënim. Guxuan të kërkojnë rrugëzgjidhje të shumanëshme për problemet, që pak nga pak po bëheshin të përbashkëta.
Robert Schuman, në atë që shumëkush e shikon si akt i lindjes së Bashkësisë së parë evropiane, pati thënë: “Europa nuk bëhet me një goditje të vetme, as përmes ndërtimit në tërësi; ajo do të bëhet përmes realizimeve konkrete, krijuese të solidaritetit të vërtetë”.(3) Pikërisht tani, në këtë botën tonë të copëtuar e të plagosur, duhet të rikthehemi tek ky solidaritet konkret, tek e njëjta bujari konkrete, që pasoi luftën e dytë botërore, sepse – pati vijuar Schuman – “paqja botërore nuk mund të mbrohet, pa përpjekje krijuese, në lartësinë e rreziqeve, që e kërcënojnë”.(4) Projekteve të Etërve themelues, kasnecë të paqes e profetë të ardhmërisë, nuk u ka kaluar koha; na frymëzojnë, sot më shumë se kurrë, për të ndërtuar ura e për të shembur mure. Duket sikur na drejtojnë një ftesë të ngutshme që të mos kënaqemi me ndërhyrje kozmetike e as me kompromise dredharake për të korrigjuar ndonjë traktat, por për të vënë trimërisht baza të reja, të rrënjosura thellë; siç pohonte Alcide De Gasperi “të gjithë njëlloj, të nxitur nga shqetësimi për të mirën e përbashkët të atdheut tonë europian, Atdheut tonë Europës” të nisim pa frikë “një punë konstruktive, që kërkon të gjitha përpjekjet tona durimtare e gjithë bashkëpunimin tonë afatgjatë.” (5)
Ky transfuzion i kujtesës na krijon mundësi të frymëzohemi nga e kaluara, për të përballuar me guxim kuadrin e ndërlikuar shumëpolar të ditëve tona, duke pranuar me vendosmëri sfidën për ta “rishikuar” idenë e Europës. Një Europe, të aftë për të nxjerrë në dritë humanizmin e ri, të bazuar mbi tri aftësi: aftësinë për të integruar, aftësinë për të dialoguar dhe aftësinë për të krijuar. /drita.info/ KultPlus.com
Deklarata e 9 majit e vitit 1950 është koha kur u hodh hapi i parë drejt krijimit të asaj që sot njihet si Bashkimi Evropian.
Ministri i Jashtëm i Francës, Robert Schuman, lexoi për shtypin ndërkombëtar një deklaratë ku i bënte thirrje Francës, Gjermanisë dhe vendeve të tjera evropiane për t`i bashkuar prodhimet e tyre të qymyrit dhe çelikut, që do të ishte themeli i parë konkret për një federatë të ardhshme evropiane.
Vendet të cilave u drejtohej thirrja kishin dalë të rrënuara materialisht dhe moralisht nga konfliktet me njëra tjetrën. Ajo që propozonte Schuman ishte krijimi i një institucioni evropian mbi kombëtar, i cili do të administronte industrinë e prodhimit të qymyrit dhe çelikut, sektor i cili në atë kohë ishte baza e fuqisë ushtarake.
Vite më vonë, në Samitin e Milanos në 1985, krerët e BE-së vendosën që data 9 maj të shpallej dhe festohej si Dita e Evropës.
Kjo ditë tashmë ka vite që festohet edhe në Kosovë, ku për nder të saj, do të organizohen aktivitete të ndryshme nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë. / KultPlus.com
Ju dhe macja juaj mund të ndihmoni të shpëtoni kinematë! “Festivali i Filmit të Maceve në karantinë” do të grumbullojë para për rreth 100 kinema në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanada: kontributorët mund të shkojnë në uebsajtet e tyre apo në Rowhousecinema.com dhe të blejnë një biletë, e cila i lejon që të shikojnë një film nga shtëpia me 19 qershor.
Madje mund të bëhen pjesë e konkursit duke ngarkuar video të maces së tyre. Pjesëmarrësit mund të fitojnë dhe një çmim me para në përmbyllje të këtij festivali kaq të veçantë filmi, transmeton KultPlus.
Ndërkohë, Larry King, Ellen Burstyn, Marion Ross dhe Tommy Chong janë mes figurave publike që marrin pjesë në rubrikën “Njoftime nga Karantina”, një seri videosh online në YouTube që nisi muajin e kaluar, që tregojnë se si të moshuarit po e përballojnë krizën e COVID-19.
Ata nxisin ndjekësit të kontrollojnë të dashurit e moshuar përmes video-konferencave, duke regjistruar bisedat se si po ia kalojnë në karantinë. / KultPlus.com