European Film Promotion (EFP) që është rrjet i 37 institucioneve evropiane të promovimit të filmit, ka përzgjedhur 20 producent nga 20 vende të ndryshme evropiane për platformën e rrjetëzimit dhe promovimit të profilit të lartë ‘Producers on the Move’, përcjellë KultPlus.
“Të jesh njëri ndër 20 të zgjedhurit në programin prestigjioz ‘producers on the move’ është nder i veçantë për mua. Mbi të gjitha kjo është një njohje ndërkombëtare për punën dhe sukseset tona ndër vite”, tha Yll Uka producenti i përzgjedhur nga Kosova.
Disa nga filmat ku Yll Uka ishte producent janë: ‘Exil’-i nga Visar Morina, ‘Cirku Fluturues’ nga Fatos Berisha, ‘Nëntor i Ftohtë’ nga Ismet Sijarina, ‘Rooftop Story’ nga Gazmend Nela dhe filmi aktualisht në postproduksion ‘Zgjoi’ nga Blerta Basholli.
Programi i rrjetit i EFP ‘Producers on the Move’ do të zhvillohet ashtu siç ishte planifikuar fillimisht nga 11 deri në 15 maj, 2020, dhe pavarësisht nga Festivalit të Filmit në Kanë i cili është shtyrë për shkak të pandemisë koronavirus. 20 producentët e ardhshëm evropianë të përzgjedhur do të takohen përmes internetit këtë vit dhe do të prezantojnë projektet e tyre në takime dhe seanca të rrumbullakëta. Bisedat me ekspertë do të përmbyllin programin dixhital që zgjat pesë ditë. / KultPlus.com
Nazmie Hoxha lindi më 25 tetor 1952 në Gjonaj të Hasit të Prizrenit dhe vdiq më 5 maj 2007 në Prishtinë.
Nazmie Hoxha ishte këngëtare e popullarizuar e muzikës popullore shqiptare në vitet 1970-2000. Si fëmijë i pëlqente interpretimi dhe me hyrjen në shkollën e mjekësisë, si pjesë e aktiviteteve të lira fillon ta realizojë edhe dëshirën fëminore për të interpretuar. Aty futet në Shoqërinë Kulturo Artistike të qytetit dhe fillon karrierën e saj. Me këngën “Ylli i bardhë, djalë i dashur”, Nazmia paraqitet para publikut në një koncert në Prishtinë.
Nga këtu, muzikantët e kohës e shihnin si këngëtare me perspektiv dhe më këtë i hapen dyer e inxhizimit të këngëve të saja në RTP. Këngët e para të transmetuara në mjetet mediatike pos këngës së përmendur ishin dhe “Qetësia e lartë mbretëron mbi ne”, “Sa më shpejt ma vure këmbën”. Me kalimin kohës bënë inxhizimin e këngëve edhe me shoqëri të tjera artistike në Kosovë si b.f. me shoqërinë “Emin Duraku” të Zhurit, “Kastrioti” të Ferizajit por edhe si soliste e RTP-së. Nga viti 1972 është si pjesëmarrëse e rregullt e festivaleve të organizuara në nivel të Kosovës. Po ashtu Nazmia merr pjesë në shfaqjet e ndryshme të organizuara jashtë vendit nga shoqatat e ndryshme kulturore të Kosovës.
Më 8 mars 2003, stacioni televizi RTV 21, transmeton një intervistë biografike të Nazmijes dhënë Florim Kelmendit për programin e rregullt të natës së shtunë, programit “Në orët e vona”.
Ndër këngët më të njohur të saj kanë qenë Si dukat i vogel je dhe Oj zogo dhe disa të tjera. Nazmia vdiq më 5 maj 2007 në orën 19, ajo u varros në Prishtinë. /KultPlus.com
Si pasojë e shpërthimit të pandemisë COVID-19 edhe në Kosovë janë mbyllur të gjitha shkollat. Një gjë e tillë ka detyruar Ministrinë e Arsimit që të organizojë mësimin online. MASHT-it në një nismë të tillë i është vënë në ndihmë edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Nga Ambasada e SHBA’së në Prishtinë thonë se suksesi i rinisë kosovare është prioriteti kryesor dhe sipas tyre për një gjë të tillë duhet edukim.
“Suksesi i rinisë kosovare është top prioritet i yni dhe edukimi është çelësi”, thuhet në një reagim në faqen zyrtare të Ambasadës në tëitter.
Tutje kanë treguar se janë duke bashkëpunuar me Ministrinë e Arsimit dhe të gjithë përkrahësit e tjerë për të vazhduar me mësimin online.
“Ambasda është bëra bashkë me Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë e Inovacionit dhe mbështetësve tjerë për të vazhduar mësimin online”, thuhet ndër të tjera./Express/ KultPlus.com
Në Azi maskat mbrojtëse kanë qenë prej kohësh pjesë e jetës së përditshme, por jo në Gjermani. Aty tashmë është një përvojë e re për qytetarët që i mbajnë ato në hapësirat publike, shkruan KultPlus.
Pas shpërthimit të virusit korona, gjermanët shihen kudo me maska mbrojtëse duke mbuluar fytyrat. Maska është bërë e detyrueshme për hyrje në dyqan apo për përdorim të transportit publik.
Qysh prej shpërthimit të virusit, maskat janë shfaqur në mbarë botën, e madje të njëjtat janë krijuar në mënyra të ndryshme, disa maska janë edhe artistike, pra unike.
This mask at the Venice carnival recalls models worn by doctors during pest outbreaks
Duke u rikthyer në retrospektivë, mijëra vjet më parë, në Bibël, Adami dhe Eva u dëbuan nga Parajsa ashtu lakuriq; tani shtrohet pyetja: a është maska një metaforë për pafajësinë e humbur?
Maskat për fytyrë u krijuan fillimisht në kafaze teli, ku përdoreshin nga punëtorët e industrive të rënda. Kjo fotografi e vitit 1948 tregon fëmijët e veshur me maska për t’u mbrojtur nga rrezatimi në qytetin e shkatërruar të Hiroshimës.
Picture from 1948 showing children wearing masks to protect themselves from irradiation in the devastated city of Hiroshima
Por gjermanët nuk përdornin maska as atëherë, kur në vitin 1958 pllakosi një pandemi e madhe, gripi aziatik, i cili mori shumë jetë. Në vitin 2003 rregullat higjienike u bënë më të rrepta, gjatë pandemisë SARS. Autoritetet këshilluan njerëzit që t’i lajnë duart shpesh, gjithashtu banjat publike u pajisën me dezinfektues, e megjithatë nuk mbaheshin maska për të mbuluar fytyrën. /bm /KultPlus.com
Giulio Cesare Croce(1550-1609) ishte një shkrimtar italian, aktor dhe producent. Djali i një kovaçi dhe vetë një farkëtar, pas vdekjes së babait të tij, xhaxhai i tij ja vazhdoi edukimin kulturor. Ai u largua gradualisht nga biznesi familjar për të ndjekur pasionin e tij.
Ai kishte pak trajnime zyrtare ose mësues dhe prandaj mund të konsiderohet një nga autorët më të suksesshëm të vetë-mësuar në letërsinë italiane. Për shkak të zgjedhjeve të tij, ai kurrë nuk ishte plotësisht pjesë e grupeve letrare të kohës së tij.
Në fakt, ai ishte kryesisht një tregimtar tregues dhe me shumë mundësi shkruante për kënaqësinë e tij personale.
Giulio Cesare Croce (1550-1609) ishte një shkrimtar italian, aktor dhe producent.
KultPlus ju sjell disa nga thëniet e njohura të Giulio Cesare Crose:
“Kush të lëvdon ballafaqas, të kafshon pas shpine.”
“Kush dëshiron të ndjekë virtytet duhet të dëbojë veset.”
“Kush mban verë të mirë në shtëpi, ka gjithnjë bocëra tek dera.”
“Ai që nuk mban dot lëkurën e vet është një dele e gjorë.”
Prodhuesi i njohur i veshmbathjeve sportive, Nike, do t’i dhurojë 30,000 palë këpucë për punëtorët shëndetësorë që ndodhen në vijën e frontit gjatë luftës kundër koronavirusit në Shtetet e Bashkuara. Këpucët janë të dizajnuara enkas për këta punëtorë.
Këpucët e llojit “Air Zoom Pulse”, të hedhura në treg fillimisht në nëntor të vitit të kaluar, janë modeli i parë që është dizajnuar për punëtorët shëndetësor, thuhet në deklaratën e kësaj kompanie.
Dizajnerët e kompanisë shkuan në një spital të fëmijëve në Oregon për ta studiuar punën e mjekëve dhe infermierëve. Ata i morën parasysh sfidat në punë, përfshirë orarin e gjatë dhe nevojën për rehati të këmbëve gjatë ndërrimeve të gjata, shkruan “CNN”, transmeton Gazeta Express.
Kompania “Nike” bashkëpunoi me organizatën jofitimprurëse “Good360”, e cila merret me shpërndarje efikase të donacioneve, për t’i shpërndarë më lehtë këpucët për punëtorët shëndetësorë në Chicago, Los Angeles, Memphis dhe New York.
U njoftua se punëtorët shëndetësorë në New York dhe në Los Angeles do të pajisen gjithashtu edhe me 95,000 palë çorapë futbolli, të cilat ofrojnë ngjeshje të butë të këmbëve./ KultPlus.com
Italianët u rikthyen nëpër rrugë teksa vendi hoqi një nga bllokadat më të ashpra në Evropë duke kaluar në “fazën 2” të krizës së koronavirusit.
Në Venecia rrugët e zbrazura ishin më parë simboli i krizës në Evropë, ndërsa tani sheshi Shën Mark ishte përsëri plot me njerëz dhe tregtarë.
Trenat dhe stacionet ishin mbushur përsëri në metronë e Milanos ndërsa më shumë se 4 milionë punëtorë italianë ishin kthyer në fabrika e kantire ndërtimi. Të tjerë stërviteshin në park dhe vizitonin të afërmit për herë të parë prej javësh.
Qeveria italiane tha se qeveritë vendore janë përgjegjëse për zbatimin e distancimit social në transportin publik, por në disa pamje dukej qartë se kjo ishte më e thjeshtë të thuhej sesa të bëhej.
Në disa rajone të Gjermanisë fëmijët u rikthyen sot në shkolla, duke iu dhënë prioritet më të rritur në përgatitje të provimeve.
Edhe në Portugali u ngrit gjendja e emergjencës duke lejuar hapjen e dyqaneve të vogla, e shoqërur kjo me gjobë €350 kush nuk mban maskë. Spanja lejoi kthimin e klientëve në disa dyqane specifike si floktoret, vetëm me takime në orar.
Ministri italian i shëndetësisë Roberto Speranza nxiti banorët të jenë të kujdesshëm në këtë fazë. “Loja ende nuk është fituar dhe përgjegjësia individuale është thlebësore në fazën e dytë”, tha ai. /KultPlus.com
Një vit më parë, Sadije Agolli, bashkëshortja, lexuesja e parë, redaktorja edhe shoqja besnike e ditëve të vështira të Dritëro Agollit, tregoi për punën që ishte duke bërë për botimin e një libri me kujtime.
Në këto ditë libri me kujtime nga miq, kolegë edhe të njohur gjatë karrierës letrare të Agollit ka marrë jetë, nën titullin, “Ky është Dritëroi im”. Në një promovim modest në Bibliotekën e Paqes Globale artistët Bujar Asqeriu dhe Kilt Roshi rrëfyen njohjen e tyre me shkrimtarin, jo vetëm në letërsi, por edhe si skenarist në kinematografi.
“Kam pas fatin që ta takoj nga afër, ti jap dorën edhe të përqafohem me të. Në një aktivitet i kisha dhuruar një kasetë me poezi të Ali Asllanit. Prej tij pashë, se të mëdhenjtë flasin mirë për të mëdhenjtë. Dritëroi kishte dashuri për njerëzit, për tokën, për çdo gjë, edhe gjatë gjithë krijimtarisë së tij, përcolli këtë dashuri, prandaj edhe njerëzit i ishin mirënjohës”, tregon aktori Bujar Asqeriu, i cili ka luajt në filmin me skenar të Agollit, “Njeriu i mirë” rolin e Telos.
“Filmin e parë e kam luajt tek “I teti në bronx”me skenar të Agollit edhe regji të Viktor Gjikës. Sa kohë ndenja unë në sheshxhirim, ai nuk u shkëput asnjë sekondë nga grupi i xhirimit. Jo për të bërë vrenjtje, por thjesht për të ndihmuar njerëzit. Ishte një skenar i politizuar, por me ndërhyrjet që bënte ai, filmi u shkarkua në këtë drejtim”, rrëfen Roshi.
Misioni Diplomatik për Paqe edhe Prosperitet në mbyllje të aktivitetit ndau titullin e lartë Misionar i Paqes Globale si dhe “Ambasadori i Artë Richard Holbrooke” (Golden Ambassador Richard Holbrooke) (pas vdekjes), të cilën profesor Fatos Klosi ia dorëzoi artistes Marjana Kondi, për shkak se familjarët e Agollit në këto ditë të vështira për shkak të COVID 19 gjenden në Vlorë. /Shqiptarja.com/ KultPlus.com
Nga një gjysh duke luajtur me skateboard, tek disa vajza të vogla që vrapojnë nëpër livadhe, konkurisi më i madh i fotografisë në botë “CEWE Photo Aëard”, ka publikuar 20 pamjet më mahnitëse në planet.
Kjo ide është parë si një mënyrë shumë e mirë nga organizatorët e konkursit, për të relaksuar njerëzit në këtë kohë pandemie.
Nga Hungarian në Tanzani, fotografë nga e gjithë bota fiksuan momente të jetës së përditshme.
Shpesh shumë fenomene të cilat për ne mund të kalojnë pa na rënë në sy. Për fotografët ai mund të jetë momenti që ndoshta do t’i ndryshojë jetën. Për më shumë ju ftojmë të ndiqni fotot e mëposhtme. /KultPlus.com
“Ditari i karantinës”, si shtojcë, do të bëhet pjesë e romanit “Shënimet Gjon Nikollë Kazazit” të autorit Jusuf Buxhovi, botuar në vitin 1982 me shumë botime dhe i përkthyer në disa gjuhë botërore, përcjellë KultPlus.
Ç’është e vërteta, kjo nuk është “ndërhyrja” e parë që i është bërë veprës. Buxhovi ka bërë disa ndryshime gjuhësore dhe stilistike në botimin e vitit 1990. Ndërsa në vitin 2016 bëri disa plotësime në vetë konceptin e veprës, me ç’rast, mbijetimi në rrethanat e murtajës dhe përpjekjet për ta luftuar atë me anën e grrithjes, ndërlidhen me aspektet e “metastazimeve” të përvojave jetësore dhe filozofike nga dijet e vjetra, të cilat rikthehen në rrethana të situatave me qenë ose mos me qenë, siç ishte murtaja, involvimi imagjinar i së cilës kthehet në një metaforë të së keqes.
Botimi më i ri, që doli nga fundi i vitit të kaluar nga botuesi “Pena”, shfaqet me idiomat e shumta të gegnishtes, si pjesë e pasurisë së gjuhës shqipe, me të cilat karakterizohet e folmja e Gjakovës, Rekës së Keqe dhe e Malësisë së Gjakovës. Me rikthimin e paskajores, pjesores dhe i disa nazaleve është synuar që personazhet, me anën e të folmes autentike, të pasqyrojnë karakteret tipike të kohës dhe të rrethanave dhe veçmas psikologjinë e një bote autentike, ku naracioni ekzistencial nuk shfaqet vetëm si formë e thjeshtë e mbijetimit, por si refleks i një kozmogomie universale.
“Ditari i karantinës”, pjesë të së cilës prej disa ditëve po qarkullojnë në media, do të shfaqen si shtojcë-variant, ku ruhen në tërësi personazhet, ngjarjet e murtajës në versionin e parë të vitit 1982, por që “korniza autentike”, ajo e ngjarjeve të vitit 1747, përfshin reflektimet e kohës sonë me dramat dhe tragjeditë, që po e përcjellin atë në format më autentike si formë e “përsëritjes së të njejtës”, që Shopenhaueri e sheh si “mallkim të njerëzimit”.
Ndonëse autori e din se historia nuk përsëritët, megjithatë, me këtë rast, me anën e narracionit imagjinativ, synon ta tregojë se kjo është e mundshme madje, ngaqë te qenia njerëzore, lufta midis së mirës dhe së keqes, është pjesë e natyrës së tij, që nuk e ka zgjidhur as mitologjia, as filozofia, as religjioni, e aq më pak politika, e cila kërkon ta kthejë në kredo të sjelljes së saj fund e krye mashtrimtare… / KultPlus.com
Liliana Çavolli u shqua si artiste e rrallë, e cila pushtoi majat e muzikës zbavitëse, por shkëlqeu edhe në zhanre të tjera. Liliana u lind në Prizren më 5 maj të vitit 1942 nga nënë Miseretja-aktore dhe këngëtare dhe babai Isak Cavolli, mësues.
Po në Shkup Liliana pati paraqitjen e parë në radio pa e ditur se ky ishte hapi i saj i parë në karrierë. Nëna e Lilianës ishte këngëtare dhe një mëngjes e mori si shoqëruese në një paraqitje në radio. Fati përsëri e këtheu në Prizren ku Liliana filloi të hedh shtat si vajzë por edhe si këngëtare. Njëkohësisht ndoqi mësimet e solokëndimit në shkollë të mesme të muzikës dhe u anëtarësua në SH.K.A. “Agimi”. Talenti, zëri dhe puna në Prizren bënë që Liliana të shquhet shpejt si emër premtues.
Këto karakteristika e bënë ardhjen më të lehtë të saj në Radio Prishtinë. Këtu fillon një kapitull tjetër shumë i rëndësishëm për jetën dhe karrierën artistike të Liliana Cavollit. Zëri, si dhuratë nga natyra, dhe dashuria për këngën ishin adutet kryesore të Lilianës që e bënë të admiruar. Por nuk ka munguar edhe mbështetja dhe mirëkuptimi nga kolegët dhe kompozitorët si: Skënder Gjinali, Musa Piperku, Severin Kajtazi, Gjergj Kaqinari, Isak Mucolli etj. ndaj të cilëve Liliana është shumë mirënjohëse.
Ajo ishte në skenë për më shumë se 5 dekada, me këngën e saj të lehtë qytetare. Lili, siç e njihnin miqtë kishte punuar edhe në redaksinë e muzikës në Radio Prishtinë, ndërsa pa luftës ajo ka qenë autore dhe moderatore e emisionin “Evergreen” në Radio Kosova.
Lililana Çavolli ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e muzikës shqiptare. /KultPlus.com
Sot është një nga lagjet më luksoze të Manhatanit, por në fund të viteve 1800, në “Lower East Side” kushtet e jetesës, sidomos për emigrantët e rinj që mbërrinin në Nju Jork, ishin të mjerueshme.
Në fotot e shpërndara nga “History Channel” tregohet gjendja e tmerrshme e godinave ku detyroheshin të jetonin qytetarët më të rinj të Nju Jorkut, asokohe një prej porteve më të mëdha hyrëse të emigrantëve në Shtetet e Bashkuara.
Apartamentet e projektuar për një familje të vetme, ndaheshin në pjesë më të vogla, për të futur sa më shumë njerëz që të ishte e mundur. Për të përballuar rritjen e numrit të popullsisë, ndërtesat pritëse ndërtoheshin me materiale të lira dhe shumica e godinave nuk kishin as ajrosje, duke bërë që sëmundje të ndryshme të përhapeshin shpejt mes njerëzve që jetonin aty.
Jacob Riis, i cili emigroi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 1870, punoi për policinë e qytetit për të zbuluar kushtet e tmerrshme të jetesës mes emigrantëve. Por vetëm përmes fotografive, dëshmia e tij nisi të ngjallte reagim.
Në vitin 1890, Riis përmblodhi të gjitha fotografitë në një libër të quajtur “Si jeton gjysma tjetër”. Vepra e tij tërhoqi vëmendjen e Theodore Roosevelt, në atë kohë shefi i Policisë së Nju Jorkut, duke e frymëzuar për të punuar për përmirësimin e kushteve të jetesës së emigrantëve dhe banorëve të lagjeve të varfra. /KultPlus.com
Nisën mbrëmë aktivitet kulturore online në kuadër të Javës së Europës 2020.
Delegacioni i Bashkimit Europian ka përgatitur një sërë shfaqjesh të cilat filluan mbrëmë në orën 19.00 nën moton “Më të fortë së bashku” me performancën e artistes suedeze AMWIN.
Muzika e saj përshkruhet si një miks eklektik i pop-it, elektronikes dhe hip-hop-it. Ajo përkundrazi e cilëson atë si një fantazi mjaft të çuditshme të populluar nga njerëz të çuditshëm dhe monstra të lavdishme.
Çdo mbrëmje në faqen në Facebook të Bashkimit Europian në Shqipëri do të performojnë artistët e mirënjohur si: Diodato, AMWIN, Ramona Tullumani, Stelios Kerasidis, Andrra, Eno Peçi, dhe shumë më tepër kanë përgatitur shfaqje muzikore ekskluzive për Javën e Europës në Shqipëri.
Në Ditën e Europës, të shtunën 9 maj, Ambasadorit të BE-së Luigi Soreca do t’i bashkohet artisti shqiptar Alban Skenderaj në një koncert unik akustik për të shënuar 70-vjetorin e Deklaratës Schuman. Një paraqitje e veçantë e Al Bano-s do të mbyllë Javën e Europës 2020, të dielën 10 maj.
15 shfaqjet muzikore që do të prezantohen në internet gjatë Javës e Europës 2020 janë realizuar nga Delegacioni Europian në bashkëpunim me ambasadat e shteteve anëtare, kanë si qëllim që t’u sjellin njerëzve më shumë, solidaritet, forcë dhe rezistencë. / atsh/ KultPlus.com
Cila të jetë vallë arsyeja që dashuria na shpërfaqet shumë herë më e pasur sesa tërë përvoja njerëzore dhe një gllabërim i ëmbël për tërë ata që kanë rënë në kurthin e saj? Sepse bëhemi ajo çka dashurojmë, duke mbetur në të njëjtën kohë vetvetja.
Kjo është arsyeja përse herëpashershëm ndjejmë dëshirën e zjarrtë që ta falenderojmë me të tërë të qenëshmen tonë njeriun që dashurojmë; porse, në fund, dashur pa dashur vërejmë se si kjo nuk mjafton aspak.
E vetmja mënyrë është të falenderojmë me tërë thelbin dhe thellësinë e vetvetes tonë. Dashuria e shndërron mirënjohjen në një përkushtim dhe vlerësim të vetvetes dhe, në të njëjtën kohë, në një besim pa kushte ndaj tjetrit. Kjo është edhe forma se si dashuria e dëndëson fuqimisht të fshehtën e saj…
Seneka (Lucius Annaeus Seneka), i quajtur zakonisht Seneka Filozofi, është një nga personalitetet më komplekse dhe më interesante të lashtësisë.
Jeta e tij qe e jashtëzakonshme për nga ngjarjet dhe personazhet që e shoqëruan, për nga shtrirja dhe larmia e veprimtarisë mendore që ai zhvilloi, për nga armiqësia e dhunshme që e ndoqi gjatë gjithë jetës me një forcë të papërfytyrueshme. Seneka qe një mendimtar, që guxoi i pari të lidhte filozofinë me politikën, gjë kjo që përbën një nga ndihmesat e tij më të thella në mendimin modern.
Në vijim, do të mund të njiheni me 23 nga thëniet më të mençura të Senekës, të cilat mbeten aktuale dhe duket se do të mbeten gjithnjë kështu..
1. Tragjedia në jetë nuk është të mos arrish objektivin. Tragjedia është të mos kesh një objektiv për të arritur.
2. Gjithçka që ti dëshiron, ndodhet në anën tjetër të murit të frikës.
3. Sa më shumë flet për gjëra negative në jetën tënde, aq më shumë i afron ato. Fol për fitore, jo për humbje.
4. Zjarri është prova e floririt. Vështirësitë janë prova e njerëzve të fortë.
5. Një prej cilësive më të bukura të miqësisë së vërtetë është të kuptosh dhe të të kuptojnë.
6. Eshtë rrugë e vështirë ajo, që të shpie në lartësitë e madhështisë.
7. Lumturia e vërtetë është… të shijosh të tashmen, pa varësinë plot ankth prej të nesërmes.
8. Asnjë njeri nuk ka qenë ndonjëherë rastësisht i mençur.
9. Shpata nuk vret asnjëherë askënd; ajo është një mjet në duart e vrasësit.
10. Nëse nuk e di në cilin port po shkon, atëherë asnjë erë nuk është e favorshme.
11. Për babëzinë, e gjithë natyra është shumë pak.
12. E gjithë mizoria buron prej dobësië.
13. Sa më pak e meritojmë fatin e mirë, aq më shumë shpresojmë për të.
14. Ne jemi më shpesh të trembur, se sa të lënduar; dhe ne vuajmë më shumë nga imagjinata, se sa nga realiteti.
15. Nuk është se, për shkak se gjërat janë të vështira, ne nuk guxojmë; është për shkak se ne nuk guxojmë, që gjërat janë të vështira.
16. I shkon më shumë një burri që të qeshë me jetën, se sa të qahet prej saj.
17. Zemërimi është si ato rrënojat që shemben dhe përplasen me gjithçka që gjejnë poshtë.
18. Ne shpesh herë duam një gjë dhe lutemi për një tjetër, duke mos ua thënë të vërtetën as Perëndive.
19. Dita të cilës i trembemi si dita jonë e fundit, është në fakt lindja e përjetësisë.
20. Nuk ka asgjë në botë që të admirohet aq shumë, sa një burrë që di si të përballojë palumturinë me kurajë.
21. Për shumë njerëz, rritja e pasurisë nuk u jep fund telasheve të tyre, vetëm sa ua ndryshon.
22. Vdekja është dëshira e disave, çlirimi i të shumtëve, dhe fundi i të gjithëve.
23. Edhe pas një të korre të keqe, duhet të ketë sërish mbjellje.
Thënie për politikën nga politikanë të shquar botëror
1- “Politika përbëhet nga dy fjalë, ‘poli’, e cila është fjalë greke dhe do të thotë ‘shumë’ dhe ‘tik’, një lloj insekti gjakpirës” Gore Vidal”. /Xhon Adams
2- “Një politikan profesional është një njeri i çnderuar profesionalisht. Për të kapur një post sa më të lartë, atij i duhet të bëjë aq shumë kompromise dhe të pësojë aq shumë poshtërime, saqë në fund nuk ka ndonjë ndryshim të madh me një prostitutë”/H.L. Mencken
3- “Nëse ju, zotëri, duke hyrë në këtë shtëpi (Shtëpia e Bardhë), jeni po aq i lumtur sa unë që po dal, atëherë ju jeni njeriu më i lumtur në botë”. /Xhejms Buhanan-Abraham Linkolnit
4- “Një nga gjërat që politika më ka mësuar mua është se burrat nuk janë të një seksi të arsyetuar apo të arsyeshëm”./Margaret Theçër
5- “Brenda pak muajve të parë të presidencës unë zbulova se, të jesh president, është si të shkosh kaluar mbi një tigër. Njeriu që e nget, duhet ta vazhdojë ta ngasë, ose ndryshe gëlltitet”. /Harri S. Truman
6- “Mënyra më e mirë për ta mbajtur fjalën është të mos e japësh atë”/Napoleoni
7- “Politikani është ai person me politikën e të cilit nuk jeni dakord; nëse jeni dakord me të, ai është burrë shteti”. /Dejvid Llojd Xhorxh
8- “Politikanët janë gjithandej të njëjtë. Ata premtojnë të ndërtojnë një urë edhe aty ku nuk ka lumë”. /Nikita Hrushov
9- Nuk ka më komunist se ish-komunisti që lufton komunizmin./Valsav Havel
10- Çdo qeveri degjeneron kur iu besohet vetëm sundimtarëve të popullit. Populli është i vetmi rrëzues i tyre./ Tomas Xhefërson
11- “Nëse tani nuk mund t’u japim fund ndryshimeve tona, të paktën mund të ndihmojmë ta bëjmë botën më të sigurt për diversitet”. /Xhon F. Kenedi
12- “Konservatori është ai që i zë rrugën historisë duke i bërtitur “Ndal!”./Uilliam F. Baklej, i riu
13- “Nëse jemi të fortë, forca jonë do të flasë vetë. Nëse jemi të dobët, fjalët nuk të ndihmojnë dot”. /Xhon F. Kenedi
14- “Unë kurrë nuk do të kërkoj, kurrë nuk do të refuzoj, madje kurrë nuk do të jap dorëheqjen nga një post”. /Xhorxh Uashington
15- “Një nga lukset e jetës së një politikani është se e shikon veten, ashtu siç e shikojnë atë të tjerët”./Xho Klark
16- “Liberali është ai që është aq tolerant, sa mund të mos mbajë as anën e tij në një grindje”./ Robert Frost
17- “Politikani e ndan njerëzimin në dy klasa: Në vegla dhe në armiq”./Fridih Niçe
18- “Arti i të qenit burrë shteti është të parashikojë të pashmangshmen dhe të përshpejtojë shfaqjen e saj”./Talejrand
19- “Përderisa një politikan nuk e beson kurrë atë që thotë, ai befasohet kur të tjerët e befasojnë”. /Sharl de Gol
20- Rreziku i luftës lind atëherë kur një komb bëhet pafundësisht më i fuqishëm se konkurruesi i mundshëm i tij/Richard Nikson
21- Terrori i vërtetë është sikur të zgjohesh në mëngjes dhe të gjesh që kombi yt drejtohet nga klasa tënde e shkollës së mesme./ Neli MakKlung
22- “Kurrë mos u tërhiq, kurrë mos jep shpjegime, kurrë mos kërko ndjesë: Çoji gjërat deri në fund dhe lëri ata të bërtasin vetë“. /Neli MakKlung
23- “Çdo grua, që kupton problemet e drejtimit të një shtëpie, do ta ketë më të lehtë të kuptojë problemet e drejtimit të një shteti”./Margaret Theçër
24- “I pavaruri është ai që kërkon të nxjerrë politikën jashtë politikës”./Adlai Stivenson
25- “Në politikë është e nevojshme të tradhtosh ose vendin, ose elektoratin tënd. Unë parapëlqej të tradhtoj elektoratin“./Shark de Gol
26- “Supozohet se politika është profesioni i dytë më i vjetër pas prostitucionit. Unë kam kuptuar që ai ka shumë ngjashmëri me profesionin e parë më të vjetër”./Ronald Regan
27- “Shtetet e mëdhenj kanë vepruar gjithnjë si gangsterë, ndërsa shtetet e vogla si prostituta”./Stenlej Kabrik
28- “Ndëshkimi më i rëndë për të vendosur të angazhohesh në politikë, është të urdhërohesh nga dikush, që është inferiori juaj”./ Platoni
29- Në politikë nuk ka miqësi të përjetshme, por interesa të përjetshme./Sharl De Gol
30- “Bota është një vend i rrezikshëm për të jetuar, jo për shkak të njerëzve që veprojnë si djalli, por për shkak të njerëzve që nuk bëjnë asgjë për këtë”. /Albert Ajnshtajn
31- “Nuk mund të ketë ndonjë krizë javën që vjen. Kalendari im është mbushur plot”. /Henri Kisinger./ KultPlus.com
Nënshkruhet memorandum bashkëpunimi midis Akademisë së Shkencave, Qendrës për Studim dhe Publikime për arbëreshët dhe Ministrisë së Diasporës.
Nënshkrimi i këtij memorandumi u krye nga kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akademik Skënder Gjinushi, drejtoresha ekzekutive e Qendrës së Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët, prof. Diana Kastrati si dhe nga ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko.
Ky memorandum synon koordinimin e studimeve për kulturën dhe historinë e komunitetit arbëresh, bashkëpunimin ndërinstitucional që parashikon realizimin e studimeve të përbashkëta mbi historinë dhe kulturën e komunitetit arbëresh, organizimin e aktiviteteve studimore si dhe krijimin e grupeve të punës për aplikimin në projekte të përbashkëta.
Pikë me rëndësi është edhe mbështetja e studiuesve të rinj, të cilët do të realizojnë studime dhe publikime për këtë komunitet.
Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët, e krijuar së fundmi, është institucioni i parë në historinë e shtetit shqiptar që ka fokus ekskluziv studimet e specializuara që ngërthejnë gjithë universin kulturor, historik, letrar, social dhe antropologjik të komunitetit arbëresh, si një trashëgimi unikale kulturore në mbarë botën. /atsh/ KultPlus.com
Ikona e muzikës pop, Madonna ofroi 1 milion dollarë në konferencën globale të koronavirusit që synon zhvillimin e një vaksine, konfirmoi Komisioni Europian.
“Sapo mora lajmin që Madonna do të ofrojë 1 milionë dollarë në përgjigjen globale të koronavirusit”, deklaroi presidentja e komisionit, Ursula von der Leyen, transmeton KultPlus.
“Këto para do të llogariten në 7,4 miliardë eurot e përgjithshme të mbledhura”, konfirmoi një zyrtar i BE-së. / KultPlus.com
Prishtinë, sa herë ajrit tand u enda, kambësor i vonë , në rruginat me shenja lufte , e vraga t’ndukta nën harresë Mbrujtun andrrat n’sy vocërrakësh qi rrëfimet e babës nuk i besojnë madje kjeshin me to siç kjesh nana me t’ritë e saj t’harruem , me gazin e saj me dashninë e saj t’cilat lufta i fshiu prej qënies gjallë. Kosovë ( Dardani a nanë, çka due vetë i thirri ) Në sa rranjë lisash shënjove kryqa e hana gjysmake? Vijëzime kujtese përmbi eshna pa Zot, N’tokë pa Zot n’dheun e TenZot. Prishtinë zemër e trandun Sa kthime odiseje t’duhen drejt vetes? E sa Uliksa me shpresa djerrun kanë me mujt nji ditë me ia mbrri Itakës t’etun si unë për ty , si biri për nanë , Prishtinë motër Kosovë o nanë… / KultPlus.com
Kryetari i Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti, i cili përgjatë kohës së pandemisë ka qëndruar shumë afër qytetarëve, si duket ka ironizuar me reagimin e panelistëve, por edhe të qytetarëve, të cilët japin mendime për fusha të ndryshme., shkruan KultPlus.
Ai ka shkruar në rrjetin social facebook se përgjatë vetëm tre ditëve, nga të njëjtit ndërrohen shumë profesione.
Ky është statusi i plotë i Ahmetit.
Të hënën eksperta kushtetues, të marten ekonomista, e të merkuren psikiatra. Të njejtit njerëz. Vend i mundësive./KultPlus.com
Sonte KultPlus ju sjell këngën ‘More e kam pasë një jaran të vjetër’ të intepretuar nga zëri i paharrueshëm i Qamilit të Vogël, këngë kjo që i ështe kushtuar Ymer Rizës, shkruan KultPlus.
Qamili i Vogël ka një bagazh të madh në skenën muzikore, duke mbetur kështu njëri ndër zërat më të paharrueshëm të skenës sonë muzikore.
Qamili i Vogël i takoi plejadës së parë të këngëtarëve popullorë kosovarë të pasluftës , siç janë : Zyhra Mula, Meserete Çavolli, Mazllom Mejzini, Nexhmije Pagarusha, Ismet Peja, Hivzi Vokshi, Xhejlani Broçi, Adem Ejupi , Lilijana Çavolli, Muhamet Shala, Shahindere Bërlajolli, Qerimane Imami, Myrvete Fetahu, Gonxhe Gashi, Lajde Berisha, Behixhe Pakashtica , Anton Tomi , Gonxhe Manaku , Ismet Veseli, Rexhep Zajazi e shumë të tjerë.
Bashkangjitur gjeni videon dhe tekstin e këngës. / KultPlus.com
More e kam pasë nji jaran të vjetër Sevdali, shoq si gjindet tjetër. Me sharkijen o plakë Zemrën ma digj’te flakë, hej, hej Zemrën ma digj’te flakë. More ata gishta prej qelibari O tuj lodru’ fort t’ushtojke zani Vallen o sevdali. Zemrën ma ke shkri, hej, hej Zemrën o ma ke shkri! Ani moj sharkia me dymbëdhet tela More s’ka kush t’bjen ty si hera tjera! Mallin o me na hjekë O se pa ty o kem mbetë, hej, hej Mjeshtri o ty t’ka vdekë. Ani unë këtë kangë po ta qes Ymer Riza qe ta ndin more te gjithë shoqnia , Mallin o me na hjekë , Se pa ty o kem mbet. / KultPlus.com
Koha është të duhemi, të kesh besim në mua kur të them: Trime, të kem besim në ty kur më thua: Trim. Për kokën time kryeneçe shumë kurthe ngrite, shumë e pushkët mbushi babai yt, fisi yt, një mijë e një të zeza kurdise ku do t’ma zije pritën.
E nën një kulm banonim, nga frëngjia me ditë më peshove, me ditë lexoja Shekspirin në hijen e Kullës, se mos do të takoj te kroni i shpresave.
Ma ruaj syrin, dashuria ime, ma ruaj shpinën nga dielli, nga acari! Kam frikë se ma therin syrin cubat e territ, kam frikë se më vrasin pas shpine të pabesët.
Dashuria ime, ma zgjat dorën ta kapërcejmë këtë ujë të madh, i huaj s’jam as vij nga tokë e vdekshme. Në fund të livadhit të kositur a po sheh: ai kali i bardhë është yni tash e përgjithmonë. Më shikon drejt në sy, lëri zënkat, fjalët, sharjet.
Unë do të sjell Lulen nga zemra e bjeshkës, do ta ndez llambën në kullë, do ta hedh farën në tokën e re. Kur të desha, çoje dashuri pas shtatë katundeve e të rënat të forta i kishe. Kur më deshe, çoja dashuri me një grua të marrë e mëhalla jehonte nga shpifjet.
Na iku jeta, trime, si s’menduam pak edhe për vete. Koha është të duhemi. /KultPlus.com
Kushtue atdhetarit Shtjefen Ivezaj në përvjetorin e Muzeut të Malsisë në Tuz.
Mbas udhëtimit prej nji ore nga Shkodra, në territorin e Malit të Zi, u ndala para nji porte të vjeter, mbas të cilës hapej nji oborr i madh, ku përmjedis, zgjatej shtegu qi të drejtonte tek nji banesë e thjeshtë katundi, me pak kambë shkallë, e që rrethohej nga do fusha të gjana ku tek tuk shihej ndoj shtëpi a vilë tjetër.
Porsi pemët qi rriten përpjetë tuj kërkue diellin, njashtu në mes të oborrit, nji mbajtës disa metra i naltë, qi ja kalonte edhe kulmit të shtëpisë, mbante flamurin kuq e zi që naltohej sikur kërkonte frymëmarrje, tuj u tundë pa pra edhe pse ishte ditë gushti. Mu lidhën fjalët e ashtu i heshtun, ndava mendjen të shijoj pamjen që mu hap përpara… Pasi përshkova ngadalë oborrin, trokita në derën e shtëpisë, mbas së cilës lehja e mprehtë e një qenit sikur i zgjoj banorët.
Mbas pak çastesh dera u hap, e ftyra e nji grueje të moshueme malsore, me krye të mbluem, mu shfaq përpara. Ishte Gjystja, e zoja e shtëpisë, grueja sokoleshë që mbante mbi durimin e saj të gjithë mundin e të hjekunit të asaj çka vizitorin aty e mahnitë. Mbasi na vendoj në një nga dhomat muze, grueja, mori ndër duer nji telefon të viteve 60 dhe thirri të shoqin, Shtjefnin, i cili nuk ndodhej aty. Si aparati i telefonit ashtu tavolina mbajtëse e blloku ku mbaheshin numrat, ishin objekte të vjetra, pjesë e muzeut. Shumë kisha ndigjue e lexue për Muzeun Etnografik të Malsisë, kishte qëllue me pa edhe foto apo ndonji copë filmi dokumetar, nga ku mora shkak për me ba këtë vizitë krejt të veçantë. Me të zotin e shtëpisë ose ideatorin dhe krijusesin e këtij Muzeut, Shtjefen Ivezaj, ishim miq virtual, njohë e komunikue disa herë nëpërmjet internetit. Qysh në kontaktin e parë, më befasoj interesi i Shtjefnit për fotografinë dhe objektet historike. Më vonë, i ftuem prej tij për me vizitue Muzeun, pata mundësi me pa nga afër objektet e koleksioneve të tij të vlefshme. Shtjefen Ivezaj, asht biri i një familje të njohun nga Malsia e Madhe.
Ai ka lindur me 30 gusht 1937, në Pikalë / Tuz të Malit të Zi, në kryeqytetin e së cilit (Podgoricë), ka krye dhe arsimin e mesëm në gjuhën serbokroate. Ai asht babai i tre femijëve, dy djelm e një vajzë. Për të përballue jetesën, Shtjefni, punoj për disa vite në zanatin e tornitorit, por që në vitin 1954 arriti të realizojë deshirën e tij për tu ba fotograf profesionist, tuj punue gjatë karrierës së tij, në të gjitha zonat e ish Jugosllavisë nga ku flet gjuhët: shqip, serbisht, kroatisht, boshnjake e malazeze. Si rezultat i punës krijuese dhe talentit të tij, në vjetin 1966, Shtjefni krijoi laboratorin e parë profesional të fotografisë në Malsi – Tuz. Edhe pse pat shumë pasoja e probleme nga autoritetet malazeze, Shtjefni, për tu përshtatun në treg, por edhe për ti shërbye komunitetit shqiptar, stampoi disa fotografi kartolina, me temë nga historia kombëtare, të cilat shiteshin për turistë si dhe për të urue festat tradicionale shqiptare.
Me kalimin e kohës, kartolinat e para me flamurin shqiptar (pa yll), me heroin kombëtar Gjergj Kastriotin Skanderbegun apo Dedë Gjon Lulin, do të baheshin të njohtuna në të gjitha trojet shqiptare e në diasporë. Krahas artit të fotografisë, atij, ju rrit dëshira për të koleksionue aparate fotografike, libra, fotografi, vegla muzikore e bujqësore, objekte kulturore, orendi shtëpijake, të gjitha këto nga trevat dhe kultura shqiptare, për ti shndërrue të gjitha ambientet e shtëpisë së tij, qysh nga 1 maji 2002, në një galeri qi sot asht Muzeu Etnografik i Malsisë. Shtëpija e familjes së Shtjefen Ivezajt ose Muzeu Etnografik i Malsisë, gjindet në fshatin Lekaj të komunës së Tuzit në Malin e Zi. Në përbamje të Muzeut, në fillim ishin: Fototeka, Biblioteka me libra të rinj dhe të vjeter, si dhe Koleksioni i Filatelisë. Edhe pse me mundësi të pakta financiare, Shtjefni, ju përkushtue mbajtjes dhe dokumentimit të kulturës, të një ndër popujve më të vjeter në Ballkan, atij shqiptar. Koleksioni i parë, ai i pullave postare, e ka zanafillën në vitin 1947, ndërsa ai i etnografisë qysh nga viti 1966. Ndikim shumë negativ dhe humbje të mëdha në ekonomine e tij private, i shkaktoi Shtjefnit, kriza monetare e Dinarit, por edhe futja në përdorim e monedhës europjane, duke detyruar atdhetarin Ivezaj, qi për mbijetesë, të shesë pjesë nga trojet e familjes dhe aktivitetin e tij si fotograf në Tuz. Ivezaj, me koleksionet e tija fotografike dhe etnografike, ka marrë pjesë në disa ekspozita në Mal të Zi e Kosovë.
Po ashtu, nën kujdesin e dashamirëve, ndërhyrjen e disa sponsorëve apo të komunës, Muzeu ka festuar disa përvjetorë. Në maj 2006, 4 vjetorin e themelimit, të organizuar nga Prof. Xhoana Përkaj; në maj 2007, 5 vjetorin të organizuar nga këngëtari i njohur Lindon Camaj; po ashtu dhe 8 vjetorin të organizuem nga Sytki Ndrecaj n/Prefekti i Malsisë së Madhe, aktivitete të cilat u pasqyruen gjërësisht në mediat lokale e kombëtare. Për punën dhe përkushtimin e tij në ruajtjen e traditës dhe të vlerave shqiptare, Shtjefen Ivezaj asht nderue me shumë: Medalje, Mirënjohje, Diploma e Falenderime nga përsonalitete të ndryshme si dhe ka titullin Ambasador i Paqës. Janë të shumtë dhe të ndryshëm personat që interesohen dhe vizitojnë Muzeun e Etnografik të Malsisë: etnografë, studentë, gazetarë, arkeologë, shkrimtarë, studjues, nga trojet shqiptare por edhe shumë të huaj. Personalisht, vizita në Muzeun e Malsisë, më la përshtypje të pashlyeshme. Natyra e shumëllojshme e qindra objekteve, ku secili ka historinë e vet, më emocionoj shumë.
Veçanërisht befasuese ishte vendosja e orendive jetësore që familja përdor çdo ditë, në mënyrë funksionale dhe pa “damtue” pamjen e ambientit rrethues. Magja ku Gjystja gatoi bukën e drekës, vatra, saçi dhe çerepi, enët prej dheut apo mjetet e të ngrënit, më kthyen shumë mbrapa në kohë. Po ashtu e admirueshme asht vendodhja e shtratit bashkëshortor në mes të koleksioneve me objekte të ndryshme mekanike. Por, në mes të qindra objekteve me vlerë, më mbeti në mendje aparati fotografik me të cilin Shtjefni kishte punue, të cilin, në pa mundësi ekonomike për ta blerë të ri, e kishte krijue vetë me pjesë të mbledhuna nga aparatura të vjetra. Flamuri kombëtar si dhe figurat e atdhetarëve më të randësishme të kombit si: Nënë Tereza, Gjergj Kastrioti Skanderbeg, Dedë Gjon Luli, Luigj Gurakuqi, Ismail Qemali, etj, paraqiten në të gjithë ambientet e shtëpisë Muze. Një herë një gazetar i TVsë shqiptare, i mrekulluem nga sa kishte parë, ishte shprehë: “…Ky asht Muzeu ma i çuditshëm në botë, se asht i vetmi Muze që nuk ka buxhetin e vet, nuk ka makinen e vet, nuk ka kamera sigurie, nuk ka administratë, nuk ka rojen e natës.”
Mbas vizitës së Muzeut, i ulur nën hije pranë çoshkut të shtëpisë, po admiroja pasionin dhe sakrificën e Shtjefnit për ta krijue këtë pasuni kombëtare. Sigurisht, sikur eksponatet “të flisnin” për historinë malazeze, Muzeu do të kishte pamje tjetër dhe familja Ivezaj nuk do të jetonte në varfëri, me një pension mujor 90 euro. I kënaqun dhe krenar nga sa pashë, vlerësoj pakufi përpjekjet e atdhetarit Shtjefen Ivezaj: … përballë keqdashjes së shtetit e politikës malazeze, përballë keqdashjes së disa banorëve të krahinës, për shpenzimet e mëdha nga arka private e familjes, humbjen e hapsinave jetsore të shtëpisë dhe prishjen e qetësisë e rehatisë përsonale e familjare. Sot, në moshen 82 vjeçare, burri shtatvogël por energjik Shtjefen Ivezaj, shijon frutet e pasionit të tij, të një pune kolosale dhe i gëzohet pa masë vizitave e lavdrimeve të turistët që vijnë të shohin Muzeun.