Në komunikimin e radhës, ministrja shqiptare e Arsimit, Besa Shahini ka adresuar një sërë pyetjesh të ardhura këto kohë nga maturantët.
Për sa i përket përmbajtjes së provimit të sivjetshëm të maturës, Shahini njofton se duke filluar nga data 4 maj do të ketë komunikime të përditshme nga ana e Rezana Vrapi, drejtore e Qendrës së Shërbimeve Arsimore (QSHA) mbi elemente dhe detaje të ndryshme të këtij provimi.
Ndërkohë, ajo shprehet se “paralelisht, platforma akademi.al ka xhiruar pyetje dhe zgjidhje të detyrave për provimet kryesore në matematikë dhe shkenca, të cilat do t’i transmetojnë në RTSH. Kështu që, jam e bindur që sivjet do të jeni më të përgatitur se kurrë më parë për të bërë provimin e maturës”.
Në video-mesazh, Shahini cek edhe një element të rëndësishëm përsa i përket rikthimit në shkollë më 18 maj të maturantëve, duke sqaruar se:
“Kthimi në shkollë nuk është i detyrueshëm. Ne po i hapim shkollat për maturantët ekskluzivisht për shkak se ju keni kërkuar që të keni konsultime me mësuesit tuaj përpara se të bëni provimin e maturës. Ndaj, nëse ndiheni që mund të bëni provimin e maturës pa e bërë këtë konsultim, ju mund të qëndroni në shtëpi gjatë kësaj kohe, të punoni individualisht, por duhet të njoftoni drejtorin e shkollës para 11 majit, në mënyrë që të planifikojmë uljen e nxënësve nëpër klasa dhe distancimin social për ata që shkojnë në shkollë”, tha ajo.
Ndërkohë, pyetjes së “nëse do të ketë mbrëmje të maturës sivjet”, ajo përgjigjet “Për fat të keq, jo. Mbrëmjet e maturës nuk do të lejohen. Janë festa që nuk mundësojnë distancimin social mes nxënësve, kështu që sivjet ato duhet të anulohen dhe të gjejmë forma të tjera për të festuar”. /TCH/
“Zakonisht kur dikush e përmend fjalën ‘shkencë’, menjëherë në trurin tonë paraqitet një burrë i vjetër, i racës së bardhë, me një mantel të bardhë laboratori”.
“Por, ky në fakt nuk është pasqyrimi i njerëzve që merren me shkencë”, thotë Ferdiana Hoti, një shkencëtare e re nga Gjilani, e cila është kandidate për doktoraturë në Universitetin e Antwerpit në Belgjikë, si dhe në Qendrën Shkencore Belge për Energji Nukleare. Në fokus të studimeve të saj janë aspektet e komunikimit, në rastet me rreziqe nukleare.
“Shkencëtarët janë vajza, janë gra, janë burra e djem, të rinj e të vjetër, të racave të ndryshme e të profesioneve të ndryshme. Ka shkencëtarë me mantel të bardhë, e ka nga ata që gjithë ditën e kalojnë para kompjuterit, duke bërë analiza statistikore”, thotë ajo, për Radion Evropa e Lirë.
Sipas saj, shkollimi fillor dhe i mesëm në Kosovë, nuk i ka ofruar njohuri praktike, në fushën e shkencës dhe teknologjisë.
Shumë më ndryshe është në Belgjikë, ku sipas saj, përparësitë janë të shumta.
“Janë kushtet financiare dhe pajisjet më të reja, të cilat të ndihmojnë të bësh hulumtime, ashtu sic duhet. Gjatë doktoraturës këtu të jepet e gjithë ndihma financiare për të përfunduar hulumtimet, të cilat do të të nevojiten gjatë studimeve. Varësisht prej idesë që ke, mund ta gjesh shumë lehtë përkrahjen nga departamente të ndryshme për pajisjeve teknologjike, apo edhe mund t’i blesh ato”, thotë Hoti.
Vlerësimi i pavërejtshëm i PISA-s Edhe më shumë se 20 vjet që nga përfundimi i luftës në Kosovë, sistemi arsimor vuan nga cilësia e dobët, për të ngritur kuadro profesionale.
Cilësia e dobët në arsim, pakënaqësitë e mësimdhënësve sa i përket pagave dhe ndërhyrjet politike në institucionet e pavarura arsimore, janë vetëm disa nga problemet, me të cilat përballet sektori i arsimit në Kosovë, thonë ekspertët.
“Rezultatet e fundit të PISA [Programi për vlerësimin ndërkombëtar të nxënësve] krahasuar me ato të vitit 2005, tregojnë se jemi në krizë. Është zhgënjyese, sepse Kosova nuk ka vizion dhe nuk di çfarë të bëjë për të ndryshuar gjendjen në arsim në një periudhe 10-vjeçare”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, Halim Hyseni, nga Qendra për Avancimin e Performancës së Sistemit të Arsimit.
Në fakt, Kosova u përball më vlerësimin e dobët të PISA-s dy herë me rradhë, për ngecjet që ka shënuar ndër vite në arsim. Ajo që nuk ka rënë shumë në sy te ky vlerësim, është fakti se Kosova kishte një përparësi të vecantë në raport me vendet tjera – në shkencë vajzat kishin tejkaluar djemtë, për gjashtë pikë në shkallën e vlerësimit.
“Në të gjitha vendet djemtë i kaluan vajzat në matematikë për pesë pikë, por në Kosovë vajzat shënuan rezultatet të ngjashme me djemtë në matematikë. Në shkencë vajzat i tejkaluan djemtë mesatarisht me dy pikë në nivel të të gjitha vendeve, por në Kosovë vajzat i tejkaluan djemtë në shkencë me gjashtë pikë”, thotë hulumtimi i PISA-s.
Në muajin shkurt të këtij viti në Kosovë “Rrjeti i Grave në Arsim të Lartë dhe Shkencë”, një organizatë që ka për synim përkrahjen vajzave dhe grave në zhvillimin e karrierës së tyre akademike, shkencore dhe udhëheqëse, mbajti konferencën “Këmbëngulësia e Grave në Arsimin e Lartë dhe Shkencë”.
Njëra ndër gjinekologet e para në Kosovë, Emine Gashi, në fjalimin e saj porositi vajzat dhe gratë “të mos zbrapsen dhe heqin dorë nga qëllimet e tyre pavarësisht pengesave”. Kjo organizatë po angazhohet në promovimin e mundësive të barabarta në hulumtime shkencore.
Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit, nuk është përgjigjur në pyetjen e Radios Evropa e Lirë lidhur me investimet e kësaj ministrie për krijimin e mundësive të barabarta dhe për të fuqizuar pjesëmarrjen e grave në shkencë.
“Në Kosovë ende mungon përfshirja e barazisë gjinore në proceset edukative” Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) është një organizatë joqeveritare, e cila merret me qeverisjen demokratike dhe zhvillimin e qendrueshëm. Një ndër projektet e saj është edhe avokimi i drejtpërdrejtë tek akterët kyç të fushës së barazisë gjinore në institucionet shtetërore. Por, kjo organizatë në fokus ka edhe fuqizimin e grave në shkencë.
Dora Musa, zyrtare në këtë organizatë thotë për Radion Evropa e Lirë se në Kosovë ende mungon përfshirja e barazisë gjinore në proceset edukative dhe plan-programet e shkollave.
Kjo organizatë këtë fakt e ka vërejtur gjatë zbatimit të një projekti në shkollat e Kosovës për vetëdijësimin mbi barazinë gjinore.
“Zakonisht, temat e barazisë gjinore preken pak, për mos të thënë fare, nga arsimtarët dhe profesorët e lëndëve siç është Edukata Qytetare. Ky fakt limiton njohuritë e gjeneratave të reja në çështjet gjinore. Në kuadër të aktiviteteve të mbajtura në shkolla, kemi vëzhguar një gatishmëri nga ana e drejtorëve dhe mësimdhënësve për të ligjëruar mbi barazinë gjinore, por ndër vite është bërë pak në këtë drejtim”.
“Ajo çfarë kemi kuptuar gjatë kontakteve me nxënësit është se ata kanë dëshirë të madhe që jo vetëm të dëgjojnë për barazinë gjinore gjatë një ore ligjërimi në kuadër të një lënde, por të kenë lëndë të veçantë për çështjet gjinore. Sidoqoftë, për t’u arritur kjo duhet përfshirje e institucioneve qendrore të sektorit publik, respektivisht Ministrisë së Arsimit. Për fat të keq nuk kemi parë një vullnet të tillë”, thotë Musa.
Deri atëherë, shkencëtarja e re, Ferdiana, ka një porosi për të gjitha ato vajza dhe gra, kudo ku janë…
“Po deshët të merreni me shkencë, merruni me shkencë, eksploroni kurreshtjen”./rel/
Avokati i Popullit ka dalë me një deklaratë me rastin e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, në të cilën thuhet se gjatë vitit 2020 në Kosovë ka raste në rritje të kërcënimeve, sulmeve fizike, cenimit të sigurisë dhe pengimit të ushtrimit të lirë të profesionit.
“Përkundër rasteve kur policia dhe prokuroria kanë kryer punën e tyre në identifikimin e kryesve të veprave kundrejt gazetarëve dhe i kanë proceduar tutje në organet e sistemit të drejtësisë, Avokati i Popullit tërheq vëmendjen tek pandëshkueshmëria e rasteve kur gazetarët sulmohen, kërcënohen apo u pamundësohet kryerja e punës, gjë që ndikon në ambient të pasigurt për punën e mediave dhe tërthorazi e hap rrugën edhe për vetcensurën e gazetarëve dhe mediave”.
“Në këtë frymë, Avokati i Popullit bën thirrje për rrjedhë të lirë të mendimit, fjalës dhe informacionit dhe për reflektim e mendjehapësi përballë mendimeve të shprehura ndryshe, duke i konsideruar ato vlerë thelbësore të demokracisë, si sistem të cilin Kosova e ka përqafuar si shtet”, thuhet në deklaratë.
Deklarata e plotë e Avokatit të Popullit për Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit:
Sot, kur shënohet Dita Botërore e Lirisë së Shtypit, vendoset në fokus mirënjohja për gazetarët dhe punën e tyre, ashtu siç vlerësohet zëshëm roli i jashtëzakonshëm i mediave në shoqëritë demokratike. Veçmas, në rrethanat që po na përcjellin këtë vit, me sfida të shumëfishuara, në pothuajse të gjitha segmentet e jetës, gazetaria e besueshme, që ndërtohet mbi standarde profesionale dhe etike është jetike për proceset në vend.
Në përballjet e vazhdueshme që gazetaria ka përgjatë procesit të zhvillimit të vet, respektimi i lirisë së medias dhe pluralizmit medial, janë dimension i pazëvendësueshëm edhe për të drejtat dhe liritë tjera të garantuara. Pavarësia dhe profesionalizmi në gazetari, e sigurojnë transparencën dhe përgjegjësinë mbi çështje të interesit të përgjithshëm dhe në të njëjtën kohë sensibilizojnë qytetarin për aktivizëm dhe bashkëpjesëmarrje në proceset shoqërore, ekonomike, kulturore e politike.
Natyra e punës di t’i bëj gazetarët/et shënjestër të kërcënimeve apo sulmeve, gjë që e vështirëson funksionimin efektiv të medias në shpërndarjen e informacionit. Sulmet verbale a fizike ndaj gazetarëve, kërcënimet përmes rrjeteve sociale a në çfarëdo forme tjetër, cenojnë të drejtat kushtetuese për lirinë e mediave dhe lirinë e shprehjes dhe alarmojnë për brishtësinë e funksionimit të demokracisë dhe sundimit të ligjit në vend. Autoritetet kanë obligimin kushtetues të garantojnë mbrojtjen dhe sigurinë e nevojshme për gazetarët, në përmbushjen e rolit të tyre, ashtu siç detyrohen për mosndërhyrje në punën e mediave, për transparencë dhe për lejim të qasjes në informacion dhe dokumente zyrtare, si komponenta thelbësore të realizmit të lirisë së medias, respektivisht lirisë së shprehjes dhe informimit.
Në këtë kontekst, Avokati i Popullit i konsideron shqetësuese rastet në rritje gjatë vitit 2020 të kërcënimeve, sulmeve fizike, cenimit të sigurisë dhe pengimit të ushtrimit të lirë të profesionit. Përkundër rasteve kur policia dhe prokuroria kanë kryer punën e tyre në identifikimin e kryesve të veprave kundrejt gazetarëve dhe i kanë proceduar tutje në organet e sistemit të drejtësisë, Avokati i Popullit tërheq vëmendjen tek pandëshkueshmëria e rasteve kur gazetarët sulmohen, kërcënohen apo u pamundësohet kryerja e punës, gjë që ndikon në ambient të pasigurt për punën e mediave dhe tërthorazi e hap rrugën edhe për vetcensurën e gazetarëve dhe mediave. Gjithashtu, vështirësitë e vazhdueshme të gazetarëve për qasje në informacion dhe dokumente zyrtare, paraqesin shqetësim konsistent, përgjatë viteve.
Duke e pasur parasysh ridefinimin e medias në epokën e internetit dhe rrjeteve sociale dhe me mundësinë e secilit për t’u shndërruar në burim informate, Avokati i Popullit shfaq brengosjen për kërcënimet e linçimet publike për deklarime e për shprehje mendimi dhe i konsideron se këto paraqesin kërcënim për gëzimin e lirisë së shprehjes, brenda kufijve të garantuar të saj. Diskursi publik i zhvilluar veçmas muajve të fundit, e ka vështirësuar kultivimin e një kulture demokratike të ndërtimit të mendimit dhe ideve, nëpërmjet të cilave forcohet bazamenti i mbrojtjes dhe respektimit të drejtave dhe lirive tjera të garantuara.
Në këtë frymë, Avokati i Popullit bën thirrje për rrjedhë të lirë të mendimit, fjalës dhe informacionit dhe për reflektim e mendjehapësi përballë mendimeve të shprehura ndryshe, duke i konsideruar ato vlerë thelbësore të demokracisë, si sistem të cilin Kosova e ka përqafuar si shtet.
Kanë kaluar disa javë që kur pandemia covid-19 preku edhe Shqipërinë, andaj që nga atëherë e deri më tani janë marrë masa të ndryshme nga qeveria.
Mirëpo tani me lehtësimin e këyte masave edhe qytetarët kanë filluar t’i kthehen normalitetit.
Në një fotografi të bërë nga Arben Bici, shihen një numër i madh qytetarësh në qytetin e Tiranës.
Orari i qarkullimit në Shqipëri është i ndarë, ku deri në orën 10:00 mundësi qarkullimi kishin pensionistët ndërsa duke filluar nga ora 11:00 deri në orën 17:30 kanë të drejtë qarkullimi prindërit me fëmijë nën moshën 14 vjeçare.
Ndërsa Edi Rama po ashtu njofton se në ditët në vijim do të ketë ende lehtësim të masave.
Boris Johsnon dhe e fejuara e tij Carrie Symonds e kanë quajtur djalin e tyre Wilfred Lawrie Nicholas, kjo në nder të dy mjekëve që u kujdesën për kryeministrin britanik gjatë kohës që ai ishte i shtruar në spital i sëmurë me Covid-19, shkruan euronews.
Johnson u bë baba më 29 prill, dy ditë pasi iu kthye zyrtarisht zyrës pas rreth një muaji i sëmurë.
Emrin e djalit e njoftoi e fejuara, Carrie Symonds, në Instagram të shtunën.
Symonds, 32 vjeçe, shpjegoi se Wilfred dhe Lawrie ishin emrat e gjyshërve të saj dhe Borisit, ndërsa Nicholas ishte për nder të mjekëve Nick Price dhe Nick Hart.
Dy mjekët i shërbyen kryeministrit në spitalin St. Thomas, kur ai u shtrua në gjendje të rëndë.
Personalisht Johnson, 55-vjeç, i falënderoi më 12 prill përmes një mesazhi të bërë publik ku shprehej se do t’ua dinte për nder gjithë jetës.
Symonds, ish-drejtuese e marrëdhënieve me publikun, pati gjithashtu simptoma të Covid-19, por u riaftësua më lehtë.
Nuk mund ta imagjinoj se çfarë ndjenje është të sjellësh një jetë të re në këtë botë. Unë as nuk mund të filloj të kuptoj se sa e pabesueshme dhe e mahnitshme është të rritësh një jetë brenda vetes dhe të lindni një qenie njerëzore. Është bekimi më i madh dhe një privilegj të jesh në gjendje ta bësh këtë.
Nënësia është me të vërtetë një përvojë tërheqëse, konsumuese dhe në të njëjtën kohë edhe rraskapitëse. Sapo ai njeri i vogël, ai shpirt i bukur dhe i brishtë arrin në këtë botë, çdo pjesë e jetës suaj fillon të gravitohet rreth tij. Gjithçka që keni bërë dikur bëhet dytësore. Gjithçka për të cilën jeni kujdesur dikur nuk është më përparësia juaj numër një.
Ju nuk jeni më i njëjti person që keni qenë më parë. Ju keni krijuar një jetë dhe e keni sjellë në këtë botë. Tani është përgjegjësia juaj të drejtoni këtë qenie të vogël njerëzore dhe t’i ndihmoni ata të gjejnë vendin e tyre në këtë botë.
Dhe unë mund ta shoh lumturinë tuaj në sytë tuaj, por gjithashtu mund të shoh që ju jeni e rraskapitur.
Je e lodhur, e dashur mama.
Por ajo që më shqetëson më shumë është fakti që keni frikë ta pranoni këtë vetë. Ju ndjeheni keq për këtë. Ju duhet dëshpërimisht një pushim, por ju mendoni se duke thënë këtë me zë të lartë, kjo ju bën një nënë të keqe. Edhe më keq, ju bën të dyshoni në dashurinë tuaj për fëmijën tuaj.
Epo, më lër të të them diçka.
Nuk është egoiste të bëjmë pushim. Ju jo vetëm që e meritoni, por edhe keni nevojë për të.
Pra, është mirë të bëni pauzë. Është në rregull të marrësh ca kohë për vete. Unë e di që ju jeni një grua superhero dhe ju mund të bëni pothuajse gjithçka, por mos harroni … Ju jeni gjithashtu një qenie njerëzore e bërë nga mishi dhe gjaku. Ju duhet të kujdeseni për veten tuaj. Duhet të gjesh kohë të ulesh dhe të bësh një bisedë të mirë me veten tënde.
Jepini vetes një pushim nga ai faji për të mos qenë nëna më e mirë e të gjitha kohërave. Ju nuk mund ti menaxhoni të gjitha edhe pa u çmendur.
Jepini vetes pushim nga të menduarit se gjithçka duhet të jetë perfekte. Përsosmëria nuk ekziston. Është thjesht një iluzion. Përqendrohuni në ato që kanë rëndësi.
Jepini vetes pushim nga vrapimi për të bërë gjithçka dhe sepse jeni nëna. Bisedoni me partnerin tuaj dhe njoftojeni atë që nuk mund të vazhdoni të jetoni kështu. Bëjeni atë të vetëdijshëm se ju jeni në këtë punë së bashku. Ju jeni të barabartë.
Jepini vetes pushim nga ndjenja e dështimit. Ju jeni duke bërë gjithçka që mundeni. Ju meritoni të keni një kohë të qetë vetëm për veten tuaj.
Jepini vetes pushim nga refuzimi për të bërë pushim. Ti e meriton. Ju duhet ajo. Përndryshe, ju do të goditeni nën presion. Dhe kjo nuk është mënyra si mendohet ta jetosh jetën tënde. Kjo nuk është diçka që duhet të shohin fëmijët tuaj.
Nënësia është një bekim, por është gjithashtu një nga rolet më sfiduese që do të keni në jetë. Do të mendonit se mund ta kontrollonit. Por e vërteta është, ju nuk mund të përgatiteni gjithmonë për gjithçka që do të përballeni në jetë.
Gjeni kohë për veten tuaj, ushqeni shpirtin tuaj, punoni në çështjet tuaja mendore, kujdesuni për trupin tuaj dhe bëhuni një model për fëmijët tuaj. Bëhu personi që e ke admiruar gjithmonë.
Bëni një pushim para se ta bëni veten të pushoni përgjithmonë, mama.
Mëso ta duash dhe ta respektosh veten./filozofia.al/ KultPlus.com
Më 3 maj të vitit 1877, në Janinë, nën kryesinë e Abdyl bej Frashërit, u formua Komiteti i Janinës.
Qëllimi i komitetit ishte mbrojtja e tokave shqiptare nga rreziku i copëtimit nga shtetet fqinje.
Komiteti i Janinës vendosi lidhje edhe me qarqet politike që vepronin në viset e tjera të atdheut, me të cilat shqyrtoi çështjen e përgatitjes së kryengritjes së armatosur. Në të njëjtën kohë ai ra në kontakt me oficerët shqiptarë që shërbenin në garnizonet osmane të vendit dhe që treguan gatishmëri për të marrë pjesë në kryengritjen e armatosur. Pas kësaj, shqetësimi kryesor i Komitetit u përqendrua në aspektin diplomatik të çështjes shqiptare.
Udhëheqësit e Komitetit të Janinës ishin të ndërgjegjshëm se qeveria greke nuk do të hiqte dorë aq lehtë nga qëndrimi i saj i vjetër, nuk ishte e prirur që të pranonte kërkesën e shqiptarëve për të përfshirë në shtetin e tyre krejt Shqipërinë e Jugut deri në Prevezë, sepse ishte pushtuar nga lakmia për të aneksuar krejt vilajetin e Janinës, deri te lumi Seman. Megjithatë ata shpresonin se përballë gjendjes kritike që ishte krijuar për Greqinë nga përparimi i ushtrive ruse, Athina mund të hiqte dorë nga platforma që kishte parashtruar vitin e kaluar dhe do ta shikonte me një sy realist propozimin e shqiptarëve. / KultPlus.com
Me rastin e 4 vjetorit të anëtarësimit të Federatës së Futbollit të Kosovës në UEFA, datë kur edhe ka shënuar ndërkombëtarizimin e sportit më të popullarizuar në Kosovë, futbollit, dua t’i uroj të gjithë futbollistët në rend të parë, pastaj drejtuesit e të gjitha klubeve, stafin teknik e profesional të tyre, gjyqtarët e futbollit, drejtuesit e FFK-së dhe të gjithë tifozët e futbolldashësit në Kosovë.
Ajo ditë e anëtarësimit më kujtohet edhe sot. Ka qenë e mbushur me përplot emocion gëzimi i përzier me lot nga të gjithë ne që e kemi përcjellë për së afërmi këtë ngjarje. Në këtë ditë të rëndësishme për futbollin e Kosovës, dua që ta kujtoj në shenjë mirënjohje dhe falënderimi kontribuuesin më të madh në këtij anëtarësimi, ish-kryetarin e FFK-së, legjendën dhe krenarinë e futbollit të Kosovës, Fadil Vokrrin, i cili ka dhënë angazhimin e tij maksimal për finalizimin e ëndrrës së gjeneratave të tëra në Kosovë, duke rezultuar me pranimin e Kosovës në familjen e madhe ndërkombëtare të futbollit.
Andaj, shembulli i angazhimit të të paharruarit, Fadil Vokrri, ka qenë frymëzim për breza të tërë, me dekada, qoftë kur ka qenë si futbollist, kur jemi identifikuar dhe ngushëlluar me të, por edhe më pas si drejtues i FFK-së, që ka rezultuar në ndërkombëtarizimin e futbollit të vendit tonë. Duke kujtuar Vokrrin, ua uroj këtë ditë të shënuar të gjithëve që aktivisht merren me futboll ose e duan suksesin dhe rezultatet e futbollit në vendin tonë dhe jashtë saj.
Shembulli i Fadilit le të jetë një lloj inkurajimi dhe nxitje për ta avancuar më tutje futbollin në Kosovë. Të lëvizim përpara në suksese e rezultate të reja ashtu që tërë atë sakrificë që është bërë, kur futboll në Kosovë është luajtur dhe janë zhvilluar gara edhe nën okupim e nën kushte të vështira. Mbesin imazhe të paharruara ato të okupimit, ku në fushat dhe terrenet tërë baltë dhe pa asnjë infrastrukturë është luajtur futboll e futbollistët pas përfundimit të ndeshjeve kanë mësyrë përroskat e vijat e ujit që kanë qenë afër për të shpëlarë fytyrën e hequr djersët pas lojës. Këto tregojnë për shpirtin dhe vullnetin e madh të cilin ka populli ynë që kurrë nuk do të shuhet. / KultPlus.com
Një klub historik dhe një legjendë e rap do të bëhen bashkë.
AC Milan njofton në faqen zyrtare se mbrëmjen e sotme së bashku me Jay-Z do të organizojnë një koncert vitual me qëllim mbledhjen e fondeve për punonjësit e shëndetësisë, të cilët rrezikojnë çdo ditë jetë e tyre, duke luftuar me virusin famëkeq Covid-19.
Paratë e mbledhura në këtë faqe në internet do të shkojnë për organizatën “Relief Direct” dhe “Fondazione Milan”.
Reperi, por edhe biznesmeni, Jay-Z është në krye të Roc Nation, një kompani që menaxhon karrierën e shumë artistëve, por edhe të futbollistëve si Jerome Boateng (Bayern Munich), Romelu Lukaku (Inter Milan) apo edhe Kevin De Bruyne (Manchester City).
Kështu, reperi amerikan do të bëjë pjesë këtij koncerti emra shumë të njohur të muzikës, si DJ Khaled, Alicia Keys dhe Jonas Brothers që do të performojnë live. Koncerti do të transmetohet në faqen AC Milan në rrjetet sociale. Gjithashtu futbollistë si Thierry Henry apo Kaka do të jenë pjesë e koncertit. / KultPlus.com
Këngëtarja e njohur shqiptare, Shahindere Bërlajolli, ka ndërruar jetë sot në moshën 74 vjeçare, duke lënë pas vetes një reportazh shumë të gjerë muzikor, shkruan KultPlus.
Zëri dhe mënyra e të kënduarit autokton e bën këtë këngëtare një ikonë të vërtetë të muzikës popullore kosovare. Zëri i saj u dëgjua shumë larg, çdokund nëpër botë, ngado që ajo këndonte trofetë ishin pjesë e saj.
Repertori i Shahindere Bërlajollit numëron 280 këngë, shumica e të cilave janë të regjistruara në Radio Prishtinë dhe në vende të tjera regjistruese.
KultPlus ju sjell këngën e njohur ‘Oh moj shamikuqe’ të interpretuar nga zëri i këndshëm i Shahinere Bërlajollit.
Bashkangjitur gjeni videon dhe tekstin e këngës.
Oh moj shamikuqe Oh moj shamiverdhë Dil në dritare moj cuco Të folim njiherë
Në dritare s’un dal djalë Me ty jam hidhnu Shami të kërkova djalo Shami s’më ke pru
Dje isha në pazar e miro Pse s’me çove fjalë Ta blejsha shaminë o Shevdeli behar
Shevdeli behar e miro Hana në midis M’i thotë baba cucës Kemi dalun fis
Nuk jemi ne fis bre djalo Jemi katundar Kulmin tand të shtëpise o Unë e kam parë
Shkova ta pyes nanën o A vij të të marr Po si nuk ta di e miro Emrin unë ti
Shkova ta pyes babën o A vij të të marr x2
Keshtu djalë të mirë oj bijo Asnjiherë s’kam parë x2 / KultPlus.com
Petrus Gonsalvus lindi në 1537 në Ishullin Kanarie të Tenerife (më i madhi nga shtatë ishujt Kanarie të Spanjës). Në moshë të re, Gonsalvus, konsiderohej një kuriozitet i çuditshëm.
‘Njeriu i egër’ ishte i mbuluar me qime dhe mbahej, në një kafaz hekuri. Për ushqim, i jepej mishi i pa gatuar dhe ushqim kafshësh. Ai iu dërgua Mbretit Henry II i Francës, si “dhuratë” në kurorëzimin e tij në 1547
Për fat të mirë, mbreti Henry II nuk e pa Gonsalvus, si një monstër që duhej të mbahej në një kafaz. Mbreti vuri re sjelljen e qetë të Gonsalvus dhe vendosi të bëjë një eksperiment. Ai do të përpiqej ta edukonte dhe ta shndërronte në një zotëri. Mbreti e lejoi atë, të mbante emrin e tij të lindjes, Pedro González (por vetëm në formën e tij latine, Petrus Gonsalvus). Djalit iu dhanë rroba dhe ushqime të gatuara. Ai u mësua të fliste, të lexonte dhe të shkruante, jo vetëm në një, por në tre gjuhë, duke u arsimuar si fisnik. Ai arriti ta impresiononte Oborrin mbretëror, duke ia ngritur statusin e tij shoqëror. (Fatkeqësisht, shumica ende e shihnin më pak se njeri.)
Pasi mentori dhe mbrojtësi i Gonsalvus, Mbreti Henry II, u vra më 10 korrik 1559, Gonsalvus u bë pronë e vejushës së mbretit, Catherine de Medici, e cila u bë sundimtare dhe vendosi të kryejë eksperimentin e saj me Gonsalvus. Ajo ishte kurioze, se çfarë do të ndodhte nëse ‘bisha’ e saj martohej me një grua të bukur. A do të krijonin ata “kafshë” të vogla? Ajo gjeti një grua për Gonsalvus, një vajzë të re që gjithashtu quhej Katerina, e bija e një shërbëtori të oborrit mbretëror.
Petrus Gonsalvus dhe Katerina patën shtatë fëmijë. Katër nga shtatë fëmijëve linden me sindromën e babait të tyre, hipertrikoza. Kjo e kënaqi mjaft mbretëreshen, e cila ia kishte arritur të krijonte një ‘familje të egër’.
“E Bukura dhe Bisha” e 9-të fëmijët e tyre shëtiteshin në vendet dhe qytetet evropiane, duke i vendosur më në fund në Parma, Itali, si pronë e Dukës Ranuçio Farnese. Duka porositi disa piktura të familjes së çuditshme, por asnjë për tre fëmijët normal, pasi ata nuk konsideroheshin kuriozitete. Fatkeqësisht, katër nga shtatë fëmijët e tyre të prekur nga gjendja e babait të tyre u shfrytëzuan nga duka dhe u dërguan si ‘dhurata’, duke u bërë ‘kafshë shtëpiake’ të klasës së sipërme (të zotëroje një ‘çudi’ të tillë ishte një shenjë e statusit fisnik të dikujt).
Martesa e Petrus dhe Katherine zgjati për më shumë se 40 vjet, deri në vdekje. Katerina vdiq në 1623 dhe Petrus disa vjet më herët. Nuk ka të dhëna për vdekjen e tij, ndoshta sepse ai nuk konsiderohej një qenie njerëzore e denjë për varrosje të kishtare, dhe për këtë arsye vdekja e tij nuk është regjistruar.
Petrus përmendet për herë të fundit në vitin 1617 në pagëzimin e nipit të tij, dhe ai besohet se ka vdekur diku rreth vitit 1618. Historia e familjes u përhap gjithandej, duke u bërë frymëzim për një nga historitë më të njohura të dashurisë në letërsi, dhe më pas, në kinemane moderne./ Përgatiti Sokol Neçaj / KultPlus.com
Deri në moshën 90 vjeç, shumica e njerëzve e kanë përjetuar pjesën më të madhe të eksperiencave që kanë pasur në listë.
Por Nora Barton, 96 vjeç, do të plotësojë së shpejti ëndrrën e saj dhe do të këndojë në sallën e ‘London Palladium’, duke u bërë kështu pjesëmarrësja më e moshuar Britain’s Got Talent, transmeton KultPlus.
Ajo do të performojë këngën ‘The Loveliest Night Of The Year’. Kjo këngë është pjesë e kolonës zanore të filmit ‘The Great Caruso’ të vitit 1951.
Nora do të këndojë së bashku me të bijën, Pam Dimbleby, 65 vjeç, e cila do ta shoqërojë në piano. / KultPlus.com
Në këtë 3 Maj të Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, protestohet duke shpërndarë te institucionet e mediat faqe të botimeve protestuese të gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja, të dëbuar e mbyllur para 18 viteve, ku është shkruar:
Gazeta Rilindja e drejtë e shkelur (kryetitull në ballinën e para 15 viteve – 3 Maj 2005).
Rilindja në Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit ka këtë mesazh: Në Kosovë nuk ka liri shtypi derisa ka gazetë të mbyllur e të dëbuar padrejtësisht nga autoritetet.
A e shihni ku e kani ngujuar gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja – Alarm nga bunkeri – Arkivi i Rilindjes pasuri kombëtare që po shkatërrohet.
Shpërdajmë edhe foto nga protestat e gazetarëve e punëtorëve të tjerë të Rilindjes, që në këtë 3 Maj nuk dalin në protestë në sheshe duke respektuar masat e ballafaqimit me pandeminë.
Me dëbimin dhe mbylljen detyrimisht të gazetës tradicionale e historike Rilindja është bërë shkelja më e rëndë dhe e pashembullt e të drejtës dhe lirisë së shtypit në gjithë botën e lirë e demokratike, dhe çuditërisht kjo ka ndodhur në Kosovën me administrim ndërkombëtar dhe me institucionet e veta.
Para 18 viteve, në 21 Shkurt 2002, gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja, u dëbua dhunshëm nga shtepia e saj-Pallati me emrin e saj dhe detyrimisht u mbyll nga administrata e UNMIK-ut.
Gjithë çka kishte brenda kateve të Pallatit gazeta historike, përfshirë Arkivin – pasuri kombëtare e pazëvendësueshme dhe e pakompensueshme, e hodhën e ngujuan në bodrumin-bunker të errët, me lagështi e vërshima uji, e për këtë edhe për kulturocid është një nga tre paditë që ka bërë Rilindja në Gjykatë.
Para 15 viteve, pas komunikimeve me gazetën Rilindja, Qeveria e Kosovës në mbledhjen e 15 Shkurtit 2005 mori vendim për ndërprerjen e punimeve që po zhvilloheshin në pronën e uzurpuar – anulimin e kontratës për renovim të Pallatit të Rilindjes “për shkak të paqartësive juridike në lidhje me pronësinë dhe menaxhimin e objektit”, ndërsa për ta shndërruar në ndërtesë qeveritare i rifilloi para 12 viteve – në 7 Nëntor 2008 duke siguruar për zgjidhjen e ligjshme që do bëhet edhe për gazetën tradicionale të Kosovës edhe për punëtorët e saj, por që ende nuk u bë.
Gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja ka nisë të dalë në Prizren para 75 vitesh, në 12 Shkurt 1945, në frymën e Konferencës së Bujanit e me angazhimin e intelektualëve më të shquar të asaj kohe, me shkronja plumbi që u sollën me arka nga Tirana.
Në monografinë “Rilindja 60 vjet” shkruan se “shkronja për Rilindjen dërgoi Tirana pasi në Shtypshkronjën e Rilindjes në Prizren nuk kishte shkronja të mjaftueshme të derdhura në plumb për shkrim në gjuhën shqipe”.
Duke mos u ndalur, duke dalë gazetë e rezistëncës edhe me emrin “Bujku”, edhe kur e ndaloi regjimi okupues i Beogradit në 7 Korrik 1990, duke dalë me numra të kohëpaskohëshëm edhe pasi e dëboi e mbylli UNMIK-u në 21 Shkurt 2002, gazeta tradicionale Rilindja u bë edhe histori e Kosovës deri në shpalljen e Pavarësisë në 17 Shkurtin historik 2008 e njohjet ndërkombëtare.
Gazeta Rilindja pas dëbimit doli me rreth 40 numra të jashtëzakonshëm protestues, të shtypur, të cilët i ka përmbyllur në 30 Dhjetor 2008 me paralajmërimin në ballinë: DUKE BESUAR NË SUNDIMIN E LIGJIT NË SHTETIN E KOSOVËS PRESIM QË NGA NUMRI I ARDHSHËM RILINDJA TË DALË PËRDITË.
Pas 10 vitesh, gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja në ndërrim motesh – në mbrëmjen e 31 Dhjetorit 2018 të pritjes së 2019-tës, ridoli simbolikisht (botim digjital) për protestë dhe me kërkesën e përsëritur për t’u rikthyer e përditshme – për privatizim, sipas shembullit të gazetave në rajon e në botë që kishin status të njëjtë ndërmarrje shoqërore e që janë pzivatizuar e vazhdojnë të dalin.
Kërkesa për privatizim-ridalje të gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja i është bërë edhe Agjencisë Kosovare të Privatizimit. Në arsyetimin e kërkesës theksohet se emri dhe tradita e gazetës Rilindja është një vlerë shumë e madhe, e krijuar gjatë mëse shtatë dekadave, është pasuri me vlerë më të madhe se e çdo pallati, dhe kjo duhet të vlerësohet edhe në procesin e privatizimit.
“Dhe, ai që do ta blejë gazetën Rilindja dhe natyrisht do e nxjerrë këtë të përditshme historike dhe tradicionale të Kosovës do jetë pronar i një pasurie të madhe mediale kombëtare, do të jetë trashëgimtar i ligjshëm i firmës-emrit, traditës. Rilindja ishte, është dhe mbetet edhe si një shenjë identiteti”, theksohet në kërkesën drejtuar Agjencisë Kosovare të Privatizimit në 12 Shkurt 2014.
Edhe në këtë Ditë Botërore të Lirisë së Shtypit e ritheksojmë sqarimin për opinionin: Ndonjë portal që ka “huazuar” emrin, apo edhe logon, nuk është as nuk mund të jetë gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja, e cila mund të ridalë dhe do ridalë vetëm në një proces të ligjshëm privatizimi, ku të gjithë punëtorët e saj realizojnë të drejtat e tyre, duke qenë edhe pjesë e këtij procesi. / KultPlus.com
Sot, mora lajmin e trishtë për ndarjen nga jeta të këngëtares së mirënjohur, Shahindere Bërlajolli Stafaj. Jam e prekur thellësisht nga kjo humbje e madhe për familjen, miqtë e dashamirët, në këto ditë të vështira.
Shahindere Bërlajolli – Stafaj, me zërin e saj unik, i dha muzikës tonë perla të cilat do t’i kujtojmë përherë me nostalgji. Repertori i saj i pasur gjysmë-shekullor, është vlerë për këngën dhe lirikën shqipe.
Me dashuri do t’i kujtojmë përherë këngët e saj origjinale popullore “Në zabel të erdha”, “Miriban”, “Kush ma i pari bani”, “O bylbyl me pika-pika”, “Një lule në Gostivar”, “Gajdexhiu”, “Baresha e dashnume”, “Lules” etj. Me këto këngë u rritëm gjenerata të tëra. Opusi i saj muzikor do të mbesë përherë thesar autokton i muzikës burimore shqiptare.
Me nderimin më të madh për kontributin dhe trashëgiminë e pavdekshme muzikore te saj, shpreh ngushëllimet më të ndjera familjes, miqve dhe artdashësve. / KultPlus.com
Më 3 maj, shënohet Dita Botërore e Lirisë së Shtypit. Kjo ditë njihet e tillë që nga viti 1993 nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara.
Në një deklaratë të ministrave të Jashtëm të BE theksohet rëndësia e mediave të lira sidomos tani në krizën e Coronës. Motoja e këtij viti e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit është ‘Gazetari pa frikë e pa privilegjim’
Kjo moto bën të qartë, se sa rëndësishme është marrja e masave për të siguruar gazetarinë e pavarur si kusht për një demokraci funksionale, deklaruan ministrat e Jashtëm të BE në deklaratën e tyre për Ditën Botërore të Shtypit.
Shtypja e gazetarëve vërehet sidomos në Kinë, ku Partia Komuniste lejon vetëm interpretimin e saj për pandeminë dhe kritikët zhduken papritur, tha Mihr. Në Europë si shembull negativ merret Hungaria, ku ligjet e jashtëzakonshme që vendosi kryeministri Orban, mund të çojnë në burg edhe gazetarët. / KultPlus.com
Shpendi i unazuar në arkipelagun Bijagos në Guinea-Bissaun e largët në Afrikën Perëndimore është fotografuar gjatë vrojtimit tepër interesant të regjistruar për inventarizimin e shpendëve folezues në zonën e peizazhit të mbrojtur Vjosë-Nartë.
Ky shpend është individ i gjelëzës gushëkuqe (Calidris ferruginea) që është unazuar në mars të vitit 2018 në arkipelagun Bijagos në Gine-Bisonë e largët në Afrikën Perëndimore.
Ky vrojtim është cilësuar tepër interesant edhe nga kërkuesit që kanë unazuar shpendin të cilët konfirmuan se është rasti i parë që një shpend i unazuar në arkipelagun Bijagos vrojtohet në Shqipëri. Gjithashtu ky vrojtim jep të dhëna të rëndësishme mbi ekologjinë e shtegtimit të këtij lloji.
Gjelëza gushëkuqe, folezon në Siberi dhe dimëron në zonën tropikale dhe subtropikale të Indo-Malajzisë, Australisë dhe Afrikës Tropikale. Ky individ përshkon mbi 20 000 km çdo vit, nga vendi i folezimit drejt vendeve të dimërimit dhe anasjelltas.
Në vendin tonë, ashtu sikurse në të gjithë Palearktikun (përveç zonave të folezimit) ky lloj haset gjatë periudhës së shtegtimit.
Me qindra ekzemplarë të këtij lloji kanë ndaluar pothuajse çdo ditë gjatë kësaj periudhe në zonën e Peizazhit të Mbrojtur Vjosë-Nartë. Krahas kësaj, mbi 100 000 shpendë shtegtarë kanë ndaluar deri më tani, vetëm këtë vit, në këtë zonë që prej fillimit të sezonit të shtegtimit dhe ky numër pritet të disafishohet gjatë gjithë periudhës së mbetur të 2020-ës.
Këto shifra faktojnë rëndësinë e madhe që ka Vjosë-Narta në korridorin e shtegtimit të Adriatikut, duke përbërë një prej zonave më të rëndësishme të tij. Vjosë-Narta është një ndër mrekullitë e rralla që gëzon Shqipëria. Urojmë dhe shpresojmë që të gjithë të ndërgjegjësohemi për këtë, dhe ta ruajmë ashtu sikurse natyra e ka krijuar. Cenimi i kësaj zone do të përbënte një prej mëkateve më të mëdha që mund t’i bëhet jo vetëm natyrës së vendit tonë, por të gjithë Europës dhe më gjerë.
Inventarizimi i shpendëve folezues po realizohet nga PPNEA dhe AdZM Vlorë me mbështetjen e CEPF, në kuadër të projektit “Toka e Kështjellave dhe Shqiponjave”/atsh/ KultPlus.com
Këngëtarja e njohur shqiptare, Shahindere Bërlajolli, ka ndërruar jetë sot në moshën 74 vjeçare, duke lënë pas vetes një reportazh shumë të gjerë muzikor, shkruan KultPlus.
Zëri dhe mënyra e të kënduarit autokton e bën këtë këngëtare një ikonë të vërtetë të muzikës popullore kosovare. Zëri i saj u dëgjua shumë larg, çdokund nëpër botë, ngado që ajo këndonte trofetë ishin pjesë e saj.
Repertori i Shahindere Bërlajollit numëron 280 këngë, shumica e të cilave janë të regjistruara në Radio Prishtinë dhe në vende të tjera regjistruese.
KultPlus ju sjell këngën e njohur ‘O bilbil me pika’ të interpretuar nga zëri i këndshëm i Shahinere Bërlajollit. / KultPlus.com
“Le Matin” ka botuar, të dielën e 18 dhjetorit 1904, në faqen n°4, një shkrim në lidhje me botimin e fjalorit “shqip – greqisht” të dijetarit dhe atdhetarit të njohur shqiptar, Kostandin Kristoforidhit, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :
Greqia dhe Shqipëria
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
“Një dijetar shqiptar, Kostandin Kristoforidhi, i lindur në Elbasan, vdiq në vitin 1895, i cili kishte studiuar në gjimnazin grek të Janinës, ndërmori gjatë jetës së tij dhe përfundoi një fjalor shqip-greqisht, një vepër absolutisht të plotë, të cilën për fat të keq ai nuk mundi ta botonte, pasi vdekja e befasoi atë në mes të punëve të tij të shumta.
Dhe tani ëndrra e Kristoforidhit, i cili pati punuar me guxim për bashkimin e Shqipërisë dhe Greqisë, u realizua sot, dhe vepra e tij kombëtare, rezultati i njëzet viteve të punës së palodhur, shfaqet në dritë në formën e një vëllimi të bukur prej pesëqind faqesh.
Botimi i këtij fjalori mund të konsiderohet një ngjarje akoma dhe më e jashtëzakonshmepër arsye se kundërshtarët e idesë greko-shqiptare, të mërzitur se nuk arritën të blejnë atë që konsiderohet me të drejtë një thesar kombëtar, pavarësisht arit që i kishin ofruar autorit, u nxituantë shpallnin se grekët, duke dëshiruar që gjuha shqipe të zhdukej me kalimin e kohës, kishin djegur dorëshkrimin e Kristoforidhit.
Sot është kënaqësi që Greqia i ofron kombit fisnik shqiptar veprën e çmuar të Kristoforidhit,duke paguar kështu një borxh në kujtim të atij që kishte bindjen e palëkundshme që, nga përhapja e gjerë e letërsisë greke në mesin e popullit shqiptar, ky i fundit do të arrinte të formonte gjuhën e vet, ta ngrejë atë, ta fisnikërojë dhe ta bëjë të denjë për përpjekjet e tij civilizuese dhe mendimet e tij fisnike.” / KultPlus.com
Ndërsa udhëtimet drejt disa prej destinacioneve më të preferuara në juglindje të detit Mesdhe nuk janë më të sigurta, njerëzit kërkojnë një alternativë më të mirë dhe shumica vendosin të vizitojnë Shqipërinë dhe ne e mbështesim shumë këtë ide, shkruan faqja e njohur polake e udhëtimeve turistike, www.mywanderlust.pl.
Bregdeti shqiptar është i mrekullueshëm dhe plazhi i Kasmili është tashmë një thesar i njohur në botë, por ky vend ka shumë më shumë për të ofruar. Aty ndodhen disa nga vendet më të bukura të Ballkanit.
Qytete të bukura prej guri, peizazhe të mrekullueshme natyrore, male fantastike dhe një kryeqytet të këndshëm. Nëse vizitoni Shqipërinë, mund t’i shihni të gjitha këto.
Tirana
Kryeqyteti, Tirana është jashtëzakonisht i lezetshëm dhe i këndshëm.
Tirana nuk është qyteti më i bukur dhe nuk do të gjeni shumë monumente historike. Por, atmosfera që ka, është një nga më të mirat,.
Pika kryesore turistike e Tiranës është një piramidë e madhe betoni, një strukturë mjaft intriguese që tashmë shërben si qendër transmetuese e stacionit televiziv vendas dhe vendi ku rinia del më së shumti.
Dhe kështu është Tirana, e çuditshme, por magjepsëse. Edhe shumëngjyrëshe.
Edhe pse boja zbehet dalëngadalë nga ndërtesat dhe ngjyrat veniten, përshtypja e përgjithshme është ende e shkëlqyer.
Tirana dhe veçanërisht Blloku, është shtëpia e një prej kulturave më të mira të kafeneve dhe kjo është një arsye e mirë për të kaluar ca kohë atje.
Berati
Nuk mund të kërkosh prezantim më të mirë sesa Berati, pasi ai është në listën e UNESCO-s.
Qyteti shpesh quhet “qyteti i një mbi një dritareve” dhe e ka këtë titull për një arsye.
Shtëpi të shumta, të bukura me grumbull dritaresh të mëdha mbi njëra-tjetrën, duke formuar një pamje të veçantë.
Është veçanërisht i bukur kur shihet nga shëtitorja ose nga përtej lumit.
Gjithashtu, ia vlen të ngjiteni në kështjellë pasi pamjet e Beratit dhe rrethinave janë vërtet spektakolare dhe vetë kjo zonë është shumë e bukur.
Gjirokastra
Ndërsa Berati quhet qyteti i një mbi një dritareve, Gjirokastra ka titullin e qytetit të 1 000 shkallëve.
Shëtitja përreth mund të jetë pak e lodhshme, pasi rrugët bëhen mjaft të pjerrëta, por pamjet nga kështjella dhe avioni i braktisur, që duket aq i rastësishëm, janë shpërblimi i shkëlqyeshëm për përpjekjen.
Vetë Gjirokastra është një qytet i bukur me gurë, që duket se koha ka ndaluar.
Ashtu si edhe Berati, Gjirokastra është pjesë e Listës së Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.
Ksamili
Një thesar i vërtetë në bregdetin shqiptar. Ksamili konsiderohet te jetë një nga plazhet më të bukura në Shqipëri. Uji i kaltër, plazhet me rërë dhe ishujt përreth, e bëjnë Ksamilin të duket si parajsë.
Butrinti
Vetëm pesë kilometra larg nga Ksamili, gjendet Butrinti, një tjetër vend i mbrojtur nga UNESCO.
Ky vend antik, që daton në shekullin e VIII para Krishtit, është magjepsës dhe me kaq shumë objekte nga e kaluara, saqë për disa orë do ju mbajë të zënë.
Mund të popullohet me turistë nga Korfuzi, por nuk është e vështirë të shpëtosh nga turmat.
Nëse ju pëlqen historia, do e dashuroni këtë vend.
Saranda
Fillimisht duket si një rezort turistik jo tërheqës, me asgjë përveç ndërtimeve, por Saranda është shumë më interesante nga çfarë duket.
Nëse jeni në kërkim të një destinacioni me shumë gjallëri, kjo është pergjigjja për ju.
Por, qyteti është shumë më tepër sesa thjesht një vend në të cilin mund të kalosh bukur. Në Sarandë ndodhen disa monumente, duke përfshirë dhe rrënoja antike që gjenden në mes të qytetit.
Gjithashtu Saranda shërben si bazë perfekte për të vizituar zonën, ku përfshihet Ksamili, Butrinti, Gjirokastra dhe Syri i Kaltër.
Pogradec
Liqeni i Ohrit është një nga vendet më të bukura në Ballkan.
Ndërsa shumë turistë shkojnë në qytetin e Ohrit në Maqedoni, Pogradeci në anën shqiptare të kufirit është gjithashtu një vend i mrekullueshëm për t’u vizituar.
Me male madhështore në sfond, liqeni këtu duket shumë bukur. Restorantet janë një mundësi e shkëlqyer për drekë me pamje mahnitëse.
Nëse dilni për shëtitje përgjatë plazhit, që është një nga aktivitetet kryesore në Pogradec, sigurisht që do të ecni nëpër disa bunkerë që gjenden përreth.
Liqeni i Komanit
Disa e quajnë si më të bukurin në botë dhe duke qenë se jemi pak skeptike për tituj të tillë, ky vend me të vërtetë duket i mahnitshëm në foto.
Me gjithë shkëmbinjtë dhe ujëvarat duket i ngjashëm me fiordet norvegjeze.
Valbona dhe Thethi
Këto janë dy nga fshatrat malorë më të rëndësishëm dhe më të bukur në Shqipëri, të gjendura në të dy anët e Alpeve Shqiptare.
Kruja
Kruja është e përsosur për udhëtim njëditor nga Tirana.
Kështjella atje, ndodhet në një vend vërtet mbresëlënës, e rrethuar nga male, por arsyeja kryesore pse mund të dëshironi të vizitoni Krujën është pazari.
Konsiderohet të jetë më i miri në Shqipëri për suvenire.
Kruja është gjithashtu vendlindja e heroit kombëtar, Skënderbeut. /atsh/ KultPlus.com
Ishte vetëm 13 vjeçare kur për herë të parë debutoi në festivalin e asaj kohe “Mikrofoni është juaji”, event i cili mbahej në Pejë dhe talenti i Shahinderes do të dilte në pah.
Prej momentit të parë ajo i fitoi zemrat e publikut dhe u bë e preferuara e publikut pejan, ndërsa më pas sukseset e saj nuk kishin të ndalur në Kosovë dhe jashtë saj. Ajo u bë artistja e vetme profesionale në moshën adoleshente. Ishte vetëm 13 vjeçare, por kishte një zë prej bilbili dhe shumë origjinal popullor.
Ajo përfaqësoi vendin edhe jashtë dhe duke sjellë çmimet më artistike. Ndër vite karriera e kësaj ikone kosovare rritej dhe zhvillohej edhe më shumë me pjesëmarrjet e saj e me këngët origjinale. Zëri dhe mënyra e të kënduarit autokton e bën këtë këngëtare një ikonë të vërtetë të muzikës popullore kosovare. Zëri i saj u dëgjua shumë larg, çdokund nëpër botë, ngado që ajo këndonte trofetë ishin pjesë e saj.
Repertori i Shahindere Bërlajollit numëron 280 këngë, shumica e të cilave janë të regjistruara në Radio Prishtinë dhe në vende të tjera regjistruese. Gjatë karrierës së saj 55 vjeçare Shahinderja do të bëhet letërnjoftim me këngët e saj shumë të dëgjuara, zëri i saj unik do dallohej menjëherë që sot e kësaj dite. Publiku i këndon edhe në ditët e sotme këngët e saj me shumë dashuri dhe nostalgji janë: “Në zabel të erdha”, “Miriban”, “Kush ma i pari bani”, “Gajdexhiu”, “Baresha e dashnume”, “Lules”, “Hajde dalim moj goce”, “O bylbyl me pika-pika”, “Një lule në Gostivar” dhe shumë këngë të tjera. / KultPlus.com
Gjithë burrat janë gënjeshtarë, të paqëndrueshëm, fallco, llafazanë, hipokritë, sedertarë dhe të poshtër. Gjithë gratë janë të pabesa, artificiale, vanitoze, kurioze dhe të shthurura. Bota është një gjiriz i pafund ku foka me forma nga më të çuditshmet hiqen zvarrë mes malesh prej lluce.
Por ka në botë një gjë të shenjtë dhe sublime e cila është bashkimi i dy prej këtyre qenieve kaq mëkatare e të frikshme. Jemi zhgënjyer shpesh në dashuri, jemi plagosur e ndjerë shumë herë fatkeqë; por ama gjithmonë kemi dashuruar. E, kur ka ardhur koha të ndodhemi buze varrit, kemi kthyer kokën pas dhe i kemi themi vetes: “Kam vuajtur shumë herë, shpesh jam zhgënjyer, por megjithatë kam dashuruar. Jam unë ai që kam jetuar jetën time e jo një krijese e rreme krijuar prej sedrës dhe mërzitjes sime ” …
… Më shumë se një lirik, frymëzimi i tij është i një moralisti të kthjellët, që heton kontradiktat, të pakalueshme dhe shkatërrimtare të qenies njerëzore. Tek Alfred dë Mysé dëshpërimi dhe ndjenja e tragjikes, e kanë burimin kryesisht nga ndjesia e zbrazëtisë së ekzistencës, por edhe nga marramenthi i kotësisë së jetës, pafuqia e gjuhës në komunikim, në njëfarë mënyre, për të kapur botën.
Cili është Alfred dë Mysé
Alfred dë Mysé lindi në Paris më 11 dhjetor 1810 – vdiqë po në Paris më 2 maj 1857. Ishte poet dhe prozator romantik francez. Lindi në një familje të pasur dhe të kultivuar. Duke filluar nga 1828 frekuanton *Cenacle-n romantik të Charles Nodier (1780-1844), pra pas studimeve së pari, të drejtësisë e më tej të mjekësisë por që kurrë nuk i kreu.
Më dhjetor të 1830 pësoi me komedinë e parë në prozë, “Nata venedikase”. Nga këtu, fillon të shkruaj “teatër për fotele”, do të thotë, drama të thurura për lexim e jo për paraqitje në skenike.
Më 1833 takon shkrimtaren George Sand (1804-1876), me të cilën qëndron në Itali. Dashuria e tij e pafat me shkrimtaren George Sand e inspiroi për këngët më të mira dhe më impresionuese lirike “Nata”, “Letra për Lamartinin”. Vepra të tjera: “Rrëfime nga Spanja dhe Italia”, “Me dashurinë nuk luhet” dhe të tjera. “Rrëfimi i fëmijës së shekullit” lindi po në këtë kontekst, në vitin 1836, një vepër midis trillimit dhe autobiografisë. Në të vërtetë, nëse pasioni që ndiente për Xhorxh Send nuk është i vetmi motivim, burimi kryesor i “Rrëfimi i fëmijës së shekullit”, është katalizatori për shkrimin e këtij teksti unik dhe të dhimbshëm. Ka shkruar po ashtu edhe “Kontesha Gamiani”, “S’bëhet shaka me dashurinë”, “Nata veneciane”, etj. “Rrëfimi i një fëmije të shekullit karakterizohet” nga një aspiratë e dyfishtë, një tension ndërmjet individit dhe epokës së tij.
Ai analizon me pesimizëm, nisur edhe nga eksperienca personale, vështirësitë e sinqeritetit, të dashurisë, të nderit dhe të angazhimit politik. Vdiq më 2 maj 1857. /KultPlus.com
Qendra historike e Vlorës ka marrë shkëlqimin multidimensional të një pike referimi historiko-kulturor dhe me impakt në zhvillimin ekonomik dhe turistik të qytetit bregdetar.
Kryeministri Edi Rama ka publikuar mbrëmjen e sotme foto nga transformimi I këtij investimi në Vlorë.
“S’është 3D jo. Është zemra e VLORËS”, shprehet Rama duke publikuar foto nga Qendra historike e qytetit bregdetar, një zonë e cila ruan ende gjurmë të ndërtimeve të fundit të shekullit të 19‐të dhe fillimit të shekullit të 20‐të.
Brenda kufijve të zonës ku dhe është investuar, ndodhen disa monumente kulture të kategorisë së parë si edhe rruga më e rëndësishme e qytetit për nga vlerat arkitektonike‐historike që mbart: rruga “Justin Godard”.
Investimet e realizuara nga qeveria përfshinë restaurimin e 68 banesave, mes të cilave, Shtëpinë e Marigosë, Xhaminë e Tabakëve, Rrugën e Hebrenjve, Sheshin e Sahatit dhe Shtëpinë e Qeverisë.
Në zonën qendrore të Vlorës, me një sërë objektesh të trashëgimisë kulturore, e shndërrojnë këtë qytet jo vetëm në perlë të bukurisë turistike, por edhe të historisë dhe kulturës.
Numri i personave të shëruar nga koronavirusi i ri (COVID-19) në mbarë botën ka tejkaluar shifrën 1 milion, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas faqes së internetit “Worldometer”, e cila përpilon të dhënat në lidhje me rastet dhe vdekjet e shënuara nga COVID-19, nga koronavirusi në mbarë botën janë shëruar 1.000.355 persona.
Vendet me numrin më të madh të rasteve të shëruara në botë janë SHBA-ja me 147.411, Spanja me 132.929, Gjermania me 120.400, Kina me 77.610, Irani me 73.791, Italia me 71.252 dhe Franca me 48.228.
Ndërsa në Turqi deri më tani nga COVID-19 janë shëruar 44.022 persona.
Virusi i cili për herë të parë u shfaq në qytetin Wuhan të Kinës, u përhap në mbarë botën duke u shndërruar në pandemi.
Në të gjithë botën, numri i rasteve me COVID-19 ka shkuar në 3.220.268, ndërsa 228.224 njerëz kanë humbur jetën për shkak të virusit. /KultPlus.com