A do ta ndryshojë botën pandemia covid-19?

Murtaja, Gripi Spanjoll, dhe sëmundje të tjera epidemike e kanë transformuar rrënjësisht mënyrën se si jetojnë njerëzit.

Po, nëse ajo është e ngjashme me pandemitë e dikurshme. Epidemitë dhe sëmundjet virale, kanë diktuar rregullisht rrjedhën e civilizimit njerëzor, duke vrarë miliona njerëz, dhe duke shkatërruar ekonominë. Por kur secila prej pandemive zhduket, ajo lë pas ndryshime të thella kulturore, politike dhe shoqërore që kanë zgjatur shumë kohë më pas.

Epidemitë më të mëdha në historinë njerëzore, që përfshijnë Epideminë Atheniane, Murtajën dhe Gripin Spanjoll, e kanë shndërruan kujdesin shëndetësor, ekonominë, fenë, mënyrën e socializimit dhe mënyrën e punës. “Pas një pandemie, gjërat nuk janë asnjëherë të njëjta si më parë”- thotë dr.Liam Foks, ish-sekretar i mbrojtjes i Britanisë së Madhe, që i ka studiuar në detaje këto epidemic, në kuadër të një libri që po shkruan. “Dhe shpërthimi epidemik aktual, nuk do të jetë një përjashtim”- shton ai.

Kur ndodhi pandemia e parë?

Pandemia më e hershme e dokumentuar, ka ndodhur gjatë Luftës Peloponeziane në vitin 430 Para Krishtit. Sot besohet se ajo ishte një formë e etheve tifoide. Epidemia goditi në fillim Libinë, Etiopinë dhe Egjiptin përpara se të mbërthente qytetin e Athinës, që në atë kohë ishte e rrethuar nga ushtria e rivales së saj, Spartës.

Tukididi kronikoi në detaje gjendjen e mjerueshme të Athinës në atë kohë, duke përshkruar plagët e të sëmurëve, lëkurën e tyre të kuqe, grykët dhe gjuhët e përgjakura, dhe skenat apokaliptike brenda mureve të qytetit, ku “njerëzit në agoni binin mbi njëri-tjetrin nëpër rrugë”.

Epidemia do të luante një rol përcaktues në humbjen e Athinës përballë Spartës, dhe ndjenja e dëshpërimit, çoi në një rritje të degradimit moral në mesin e popullatës.

Gjatë shumë pandemive, njerëzit gjejnë strehë tek seksi dhe pirja masive e alkoolit, si dhe në rritjen e ndjenjës fetare. Kështu Murtaja Justiniane e vitit 541 Pas Krishtit, nxiti ngritjen e shpejtë të Krishterimit në të gjithë pellgun e Mesdheut.

Po çfarë e shkaktoi Murtajën Justiniane?

Yersinia pestis, një bakter i përhapur nga pleshtat tek minjtë, i njëjti fajtor që fshihet pas njërës prej pandemive më të këqija në historinë e njerëzimit:Vdekjës së Zezë. Pasi mbërriti në Siçili përmes nga një anije tregtare në vitin 1347, Vdekja e Zezë u përhap në mbarë Evropën dhe vrau rreth 200 milionë njerëz, ose deri në 60 për qind të popullsisë së botës në atë kohë.

Njerëzit pësuan një vdekje të tmerrshme, të sfilitur nga dhimbje të tmerrshme, të vjella dhe nga plagë të shumta të mbushura me qelb dhe me gjak në sqetullat dhe ijët e tyre. Gjithsesi kur kjo sëmundje preku Evropën, ajo i detyroi autoritetet të krijojnë masa shëndetësore që zbatohen ende sot.

Venecia e shekullit XIV, urdhëroi periudha të izolimit të të sëmurëve, të quajtur “Quaranta Giorni” “ose siç u njoh globalisht “karantinë ” – për të përshkruar 40 ditët e izolimit të imponuara ndaj pasagjerëve në anijet që bëheshin gati të ankorohehin në port. Inspektimet mjekësore u bënë një praktike e zakonshme, ndërsa në gjithë Evropën u ndërtuan spitale për të kuruar të sëmurët.

Çfarë ndikimi tjetër pati ajo pandemi?

Trashëgimia më e madhe socioekonomike e Vdekjes së Zezë, ishte roli i saj në dhënien fund të feudalizmit. Feudalizmi, ishte një sistem mesjetar që fuqizoi shumë fisnikët e pasur, të cilët lejuan përdorimin e tokës së tyre nga fshatarët, në këmbim të punës së këtyre të fundit:pra me qira, paga, dhe kushte të tjera të përcaktuara nga zotërit e tokës.

Pasi shfarosi një pjsë të madhe të njerëzve që punonin në këto toka, Vdekja e Zezë shkaktoi një mungesë të madhe të krahut të punës. Kjo u dha fshatarëve mundësinë që të negocionin kushtet e reja të punës, çka i dha fund skllavërisë, dhe i hapi rrugën kapitalizmit modern.

Po epidemitë e tjera?

Në vitin 1802, një shpërthim epidemik i etheve të verdha në koloninë Franceze të Shën Domingut (Haiti i sotëm), shkaktoi një zinxhir ngjarjesh që çuan në një shtrirje të madhe të saj në Shtetet e Bashkuara. Epidemia, e shkaktuar nga një virus që transferohej tek njerëzit nga mushkonjat, vrau rreth 50.000 ushtarë franceze që përpiqeshin të kontrollonin Haitin, duke e detyruar Francën që të tërhiqej prej andej.

Humbja e kësaj kolonie të rëndësishme të Karaibeve, ishte aq shumë e dëmshme në aspektin ekonomik për Francën, sa që Napoleon Bonaparti i shiti 2.1 milionë km2 territor francez në Amerikën e Veriut, që shtrihej nga Nju Orleansi në Kanada, presidentit amerikan Tomas Xheferson për vetëm 15 milionë dollarë. Ajo mund të ketë qenë epidemia me më shumë pasoja në historinë e Amerikës, derisa shpërtheu Gripi Spanjoll në vitin 1918.

Çfarë ishte Gripi Spanjoll?

Ishte një shtam virulent i virusit të gripit H1N1, që mund ta ketë pasur origjinën e vërtetë në një fermë shpendësh në Kansas të SHBA-së. Dhe një nga viktimat e saj të para, ishte pikërisht një ushtar amerikan në një bazë ushtarake në Kansas. Në dallim nga epidemitë me origjinë bakteriale të së kaluarës, Gripi Spanjoll ishte një virus, që u bë më vdekjeprurës kur u bashkua me materiale gjenetike nga një virus që infektonte zogjtë.

Duke u përhapur si zjarr i madh në mesin e ushtarëve në llogoret e Francës dhe Belgjikës, dhe më pas në mbarë globin, pandemia ndikoi në rrjedhën e Luftës së Parë Botërore dhe kontriboi me siguri për shpërthimin e të dytës, thotë historiania Laura Spinej, autore e një libër mbi Gripin Spanjoll.

Virusi vrau afërsisht 50 milionë njerëz në të gjithë botën, përfshirë 675.000 amerikanë. Në mesin e viktimave, ishin një numër delegatësh amerikanë në Konferencën e Paqes në Paris në vitin 1919. Shumë nga ata ishin kundër detyrimit të Gjermanisë, për t’i paguar fitimtarëve shuma të mëdha parash në formën e dëmshpërblimeve.

Në mungesë të amerikanëve, delegatët e tjerë i miratuan masat ndëshkuese, dhe poshtërimi që i shkaktuan gjermanëve, ishte një nga faktorët kryesorë në ngjitjen në pushtet të Adolf Hitlerit. Ashtu si Vdekja e Zezë, edhe Gripi Spanjoll, e revolucionarizoi sistemin e shëndetit publik, duke nxitur lindjen e disiplinave të reja mjekësore të epidemiologjisë dhe virologjisë.

Ai nxiti ndërkohë disa shtete të Evropës Perëndimore, që të vënë në zbatim sisteme universale të kujdesit shëndetësor, të cilat janë në fuqi edhe sot. “Gripi Spanjoll, ndryshoi shumë popullatat njerëzore”- thotë Spinej. /Bota.al /KultPlus.com

94 vjet më parë lindi Miles Davis, artisti që bëri histori në muzikën xhaz

Miles Davis ka qenë kompozitor i shquar i muzikës xhaz. Ai është konsideruar si një nga figurat me më së shumti ndikim në historinë e xhazit në shekullin 20, shkruan KultPlus.

Vitet 50 kanë qenë shumë të suksesshme për të. Me albumin “Kind of blue”, ai arriti t’i shesë 5 milionë kopje në ShBA.

Davis ndihmoi në ngjalljen e popullaritetit të muzikës xhaz. /KultPlus.com

Gjermania zgjat distancimin social deri në fund të qershorit

Gjermania planifikon të shtrijë distancën sociale deri më 29 qershor, raporton gazeta Bild sipas një projekt-dokument që ende duhet të aprovohet nga shtetet federale.

I pyetur për raportin, një zëdhënës i qeverisë gjermane tha se bisedimet ishin në vazhdim.

Bild tha se takimet në vendet publike do të kufizoheshin në maksimum 10 persona ose anëtarë të dy familjeve. /KultPlus.com

Gjoka: Të pengosh lexuesin të shkojë tek libri kudo do të ishte kriminale, në Shqipëri është luks

Studiuesi Behar Gjoka rrëfen periudhën e pandemisë. Ai ndalet veçanërisht tek dëmi që është duke i shkaktuar shoqërisë sonë mbyllja e Bibliotekës Kombëtare. Sipas tij, në Shqipëri është e zakonshme të qenit të pa bibliotekë, edhe ky është mjerimi më i madh!

Për studiuesin e letërsisë shqipe dhe shkrimtarin Behar Gjoka njerëzimi provoi diçka të pazakontë, sepse Covid 19 erdhi si një befasi dhe armik i padukshëm, që shoqërinë njerëzore dhe institucionet i gjeti të papërgatitur. Megjithatë,  Gjoka na tregon se gjatë këtyre dy muajve në karantinë s’ka hequr dorë nga libri.

“Unë me librin jam marrë edhe këtë periudhë, por jo me të njëjtin intensitet si më parë, prandaj do të thoja që kam lexuar, kam shkruar, pra jam përpjekur, që mos të harroj se libri është një bashkudhëtar. Natyrisht që institucioni i librit edhe bibliotekat janë ato, që e dimensionojnë në një formë tjetër”, rrëfen Gjoka.
Sa i përket faktit, që Biblioteka Kombëtare vazhdon të jetë e mbyllur pas pandemisë, studiuesi i cili prej 40 vitesh është frekuentues i rregullt i këtij institucioni mendon se:
“Shqipëria ka kohë që është rast përjashtim. Në 30 vjet fshiu nga ekzistenca libraritë edhe bibliotekat. Ka edhe një tentativë shou për të bërë biblioteka lagjeje. Apo ka edhe përpjekje që “Shqipëria lexon”, “Tirana Lexon”, e lexon ministrja, ndërkohë që institucioni që konfirmon lexuesin është biblioteka. Biblioteka mund të ketë aq pak lexues, sepse kemi punuar që të ketë pak, saqë distancat fizike janë krejtësisht të mundshme”, shprehet studiuesi.

Problemin më të madh, Gjoka e sheh tek fakti, që askujt si bën përshtypje mbyllja e Bibliotekës.

“Këtu ka një problem. Ne kemi kaluar nga një pandemi në tjetrën, nga e djegies, e lagies, tek tërmeti etj. Edhe çfarë ndodh? Ndodh që ne na duket gjë e zakonshme, që jemi pa bibliotekë. Ky është mjerimi më i madh, të justifikosh këtë ekzistencë, edhe të rrekesh duke thënë, se libri nuk mund të dalë, sepse jemi etj., etj. Këtu mund të them se administrata shqiptare ka 1000 probleme, por e librit s’ka qenë kështu, ka ditur të komunikojë me lexuesin. Do të thoja se mungojnë bibliotekat e qytetit, ato universitare etj., mungojnë si funksione. Në këtë rast është luks të flasësh për bibliotekën, sepse jemi përballë situatës së shembjes. Jemi tek situata që të flasësh për normalitet është luks. Të pengosh lexuesin që të shkojë tek libri, do të ishte kriminale, këtu është luks. Askush s’thotë përse është mbyllur? Nëse do të urdhëronte dikush: Mbylle, s’do ta bëja. Por do të kërkoja zbatimin e distancës”.

Ai mendon se, duke mbyllur tempullin e dijes, ke mbyllur tempulli i lirisë.

“Të mbyllësh tempullin e dijes, do të thotë që të mbyllësh tempullin e lirisë, që të krijon mundësinë për të thënë, se ky vend ka pas të djeshme, të tashme dhe do të ketë edhe të nesërme. Nuk është mbyllja e një biblioteke e njëjtë me mbylljen e një restoranti. Biblioteka nuk është restorant”.

Biblioteka Kombëtare prej datës 11 mars të 2020-s qëndron e mbyllur për lexuesit. Ndërsa, këto ditë janë kthyer në punë vetëm punonjësit e administratës. /Shqiptarja /KultPlus.com

Heidegger: Fati juaj nuk mund të ndryshohet, por mund të sfidohet

Martin Heidegger lindi në Messkirch, në një familje të borgjezisë së ulët e në gjendje të mirë ekonomike, gjë që i mundësoi shkollim solid në universitetin e Freiburg-ut ku kreu teologjine dhe filozofinë, ndoqi mësime të matematikës, të shkencave natyrore si dhe histori, shkruan KultPlus.

Emërohet profesor dhe më 1927 shkruan veprën kryesore « Qenia dhe koha » (Sein und Zeit). Gjatë vitit 1933, kyqet në krahun e social-nacionalistëve mirëpo pas disa muajsh tërhiqet dhe për shkak të kësaj, i ndalohen tekstet dhe mësimdhënia.

Nga kjo kohë, ai do të kthehet në univerzitet vetëm pas luftës, më saktësisht, në vitin 1950/51. Heidegger është themeluesi i egzistencializmit e filozofia e tij, i ka themelet e veta në çështjen e qenies e këtu nën « qenie » nuk bëhet fjalë për njeriun si që mendohej gjer vonë por për të qenunit – jam – egzistencë, që edhe është epiqendra e persiatjeve dhe platformës filozofike të tij.

Kur flet për fatin, filozofi gjerman thotë: “Fati juaj nuk mund të ndryshohet, por mund të sfidohet”. /KultPlus.com

Andrea Bocelli: E kam kaluar koronavirusin

Tenori i njohur Andrea Bocelli ka deklaruar ditën e sotme para gazetarëve se ai ka qënë i infektuar me Covid-19.

Ai deklaroi se në 10 mars kishte bërë tamponin ku me pas kishte rezultuar pozitiv por Bocelli shpjegoi se nuk kishte pasur ndojnë problem të veçantë, vetëm pak ethe.

Më tej ai shtoi se e infektuar kishte qenë dhe gruaja e tij.

Ndërsa sot ai ishte në spitalin Cisanello në Pisa për të dhuruar plazmën për qëllime studimi.

Kujtojmë që Bocelli dha koncertin e tij më të bukur të kësaj kohe në sheshin e  boshatisur të ‘Duomos’  në Milano.

Ky koncert u transmetua live në të gjithë botën dhe ishte një përpjekje për të dërguar “dashuri”, shërim dhe shpresë’ në Itali në mes të krizës COVID-19. /KultPlus.com

​Flamuri evropian mbush 34 vjet

Komuniteti evropian më 26 maj të vitit 1986, miraton flamurin evropian, simbol i Bashkimit Evropian, por edhe i identitetit në kuptim më të gjerë.

Flamuri evropian përbëhet nga 12 yje të arta në një rreth me sfond blu.

Yjet simbolizojnë idealet e bashkimit, solidaritetit dhe harmonisë mes popujve të Evropës. Numri i yjeve nuk lidhet me numrin e shteteve anëtare të BE-së, edhe pse rrethi është simbol uniteti. /KultPlus.com

Shqipëria dhe Kosova prezantohen si një destinacion turistik i përbashkët për të gjithë të huajt

Shqipëria dhe Kosova prezantohen si një destinacion turistik i përbashkët, për të gjithë të huajt që duan të dinë diçka më tepër për historinë, kulturën, bukuritë natyrore dhe vendet atraktive, ku mund të argëtohen dhe të pushojnë.

Ministri i Mjedisit dhe Turizmit, Blendi Klosi publikoi sot pamje të atraksioneve turistike të të dy vendeve duke ftuar turistët ti shijojnë ato.

“Nëse keni shpirtin e eksperiencës, nëse ju pëlqen të zbuloni kulturat e lashta dhe dëshironi të gjeni veten në mes të një natyre përrallore e ende të pazbuluar, të shijoni një ushqim të mrekullueshëm, duam t’u mirëpresim në një natyrë të paprekur e të egër prej 39 635 km2”, thuhet në videon e publikuar nga ministri Klosi.

”Vendet tona”, thuhet më tej në video, “nuk kanë industri të mëdha dhe nuk ka asnjë McDonald. Është mallkim, apo bekim?”

“Harrojeni rregullin, lëreni pas ritmin e qyteteve të zhurmshme, shmangni radhët e gjata të turistëve, ejani të përjetoni vendet unike që ofrojnë vendet tona”, është ftesa për aventurierët./atsh/ KultPlus.com

Restaurohet banesa e familjes Bullari në Berat, monument kulture kategoria e parë

Në lagjen “Goricë” në Berat ka nisur puna për restaurimin e fasadës së banesës së familjes Bullari monument kulture kategoria e parë.

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Berat bën të ditur se trajtimi i suvasë dhe elementëve drusorë nga specialistët janë një element i rëndësishëm për këto banesa si dhe streha e çatisë, e cila ka një konfigurim me tavan dërrase me hark të suvatuar”.

“Aktualisht po punohet për trajtimin e fasadës pasi pamja e saj me kalimin e kohës ka pësuar dëmtime dhe ka nevojë për ndërhyrje”, – shprehet DRTK.

Në vitin 1961 Berati u shpall zyrtarisht qytet muze. Sot Berati trashëgon 210 objekte muzeale, nga të cilat 150 janë objekte në këmbë. Prej tyre 60 janë monumente të kategorisë së parë dhe të tjerat të kategorisë së dytë./atsh / KultPlus.com

Kolegji Universum trajnoi stafin në kuadër të Projektit E-viva

Sot Kolegji Universum trajnoi stafin për nivelin e pestë të validimit të kualifikimeve sipas EQF ( European Qualification Framework). Validimi i kompetencave të studentëve të Kolegjit Universum është njëra prej objektivave kryesore të Projektit E-VIVA.

Duke sjellur risi në fushën e arsimit në Kosovë, projekti synon të evidentojë kompetencat më themelore për ekonominë e shërbimeve dhe do të kontribuojë në transparencë më të lartë të tyre, për studentët, mësimdhënësit dhe punëdhënësit. Projekti është i financuar nga programi ERASMUS + i Bashkimit Evropian dhe synon të kontribuojë në avancimin e mëtutjeshëm të mënyrave të reja të të mësuarit në universitete.

Objektivat specifikë të projektit e-VIVA janë:
• Identifikimi dhe analizimi i qasjeve për aftësi dhe vërtetim i provave për të nxitur përshkueshmërinë midis arsimit të lartë dhe praktikës profesionale;
• Zhvillimi dhe rafinimi i sistemeve gjithëpërfshirëse të vlerësimit dhe vlerësimit të bazuar në TIK;
• Pasurimi i sistemeve ekzistuese të vërtetimit dhe certifikimit;
• Zhvillimi dhe aplikimi i një programi të pasur të zhvillimit dhe vlefshmërisë së kompetencave për aftësi dhe kompetenca të lidhura me shërbimin;
• Aplikimi i sistemit të vlerësimit dhe evidencimit e-VIVA;
• Vendosja e një bashkëpunimi të qëndrueshëm ndërmjet grupeve të synuara përkatëse dhe palëve të interesuara.

Për më shumë informata rreth projekteve ndërkombëtare të Kolegjit Universum kontakto +383 44 144 062 ose [email protected] apo ndiqni faqen në facebook & instagram.  

(Shkrim i sponsorizuar nga Kolegji Universum)

5 librat që Bill Gates ju rekomandon për këtë sezon ‘të veçantë’ veror

Bill Gates sapo ka publikuar ​​listën e tij vjetore të pesë librave për të lexuar këtë verë, duke shpresuar se disa nga të preferuarat e tij mund t’i ndihmojnë lexuesit të përballen me pandeminë.

“Shumica e bisedave dhe takimeve të mia këto ditë kanë të bëjnë me Covid-19 dhe se si ne mund ta frenojmë baticën,” shkruan Gates në uebfaqen e tij, Gates Notes. Ai dhe gruaja e tij, Melinda, kanë drejtuar fondacionin e tyre për të angazhuar rreth 300 milion dollarë për të luftuar koronavirusin. “Por shpesh jam pyetur për ato që lexoj dhe shikoj.”

Këtu janë pesë rekomandimet e Bill Gates për leximin e veror:

Zgjedhja, nga Dr Edith Eva Eger: Në libër, personazhi kryesor përshkruhet në përpjekjen e saj për t’u shëruar pas traumës së saj të papërshkrueshme dhe kërkimin e mënyrave për të menaxhuar vuajtjet e të gjitha llojeve.

Cloud Atlas, nga David Mitchell: Romani i Mitchell, i cili pason gjashtë personazhe të ndryshëm, duke përfshirë një redaktues në Londër në vitet 2000 dhe një muzikant të ri në Belgjikë të viteve 1930, kërkon të gjejë të përbashkëta midis njerëzve përgjatë kohës dhe hapësirës.

Ride of a Lifetime, by Bob Iger: Iger merr lexuesit përmes udhëtimit të tij si drejtuesi i Disney nga 2006 deri në fillim të vitit 2020, gjatë viteve më transformuese të Disney.

Gripi i Madh, nga John M. Barry: Ky bestseller i New York Times është rekomandimi i Gates për ata që duan të kuptojnë Covid-19 përmes lentës së pandemisë së gripit të 1918 dhe të mësojnë disa mësime për udhëheqjen.

Good Economy for Hard Times, nga Abhijit V. Banerjee dhe Esther Duflo: Në librin e tyre për vitin 2019, ekonomistët fitues të Çmimit Nobel trajtojnë debate politike mbi vendet e pasura, përfshirë Shtetet e Bashkuara. / Forbes/ KultPlus.com

Tue bubrrue ndër kujtime

Poezi nga Rozafa Shpuza

Sa qesh’ fëmijë
s’mujta kurrsesi me e kuptue
pse gjyshja vente në gjoks nji copë sapun ermirë…
E mbështillte sapunin si ferishten në djep
dhe e fuste mes cicave të mëdha,
pa dashtë me ia ditë për brohorimat e grave
që parakalonin me kazma ndër duer.
Sa qesh’ fëmijë
admiroja kostumin e zi të martesës
që im atë e veshte në çdo festë a mort,
tue mendue se ai kostum mbartte magji
e prandaj ruhej me aq kujdes
në raftin ku t’i shponte hundët naftalina.
Sa qesh’ fëmijë
imagjinoja se tana fustanet e grave
janë prej basme me lule dalëboje
si i vetëm fustan veror i nanës
që lahej, terej e hekurosej përditë…

Si t’ia baj me tanë këto kujtime, malli jem,
tash që fotografitë bardhezi
më janë shkapërnda mbi prehën… / KultPlus.com

Kthehet nga Kanadaja në vendlindje për të mbrojtur ambientin dhe bjeshkët

Shpresa Loshajn aktivste dhe përkrahëse e komunitetit shqiptar në Kanada, kohët e fundit është kthyer në Kosovë.

Në një bisedë të shkurtër për gazetën “Diaspora Shqiptare” ajo tregon se “Para një kohe mbështetur edhe nga një grup ambientalistësh kam themeluar organizatën joqeveritare “Pishtarët” me qëllim të mbrojtjes së ambientit dhe kulturës. Puna ime ka filluar në komunën e Deçanit’’, prej nga ajo vjen.

Ka disa vite që në qytetin ku ajo ka lindur, Deçan, janë  ndërtuar disa hidrocentrale jolegjitime që prodhojnë rrymë dhe dëmtojë ambientin, pikërisht në bjeshkët ku është rritur ajo. Nostalgjia për fëmijërinë dhe rininë e hershme në ato bjeshkë, si dhe neglizhimi i institucioneve të Kosovës ndaj shkatërrimit të Lumbardhit të Deçanit, është një ndër arsyet që e kanë shtyrë atë për ta marrë iniciativën që të kthehet në Kosovë dhe të themelojë organizatën joqeveritare “Pishtarët”.

Përmes organizatës së saj ajo i drejtohet pikërisht qeverisë, duke i shkruar dhe komunikuar drejtëpërdrejt edhe me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe kryetaren e Kuvendit Vjosa Osmani. Ajo në letrat që ua ka drejtuar të lartëpërmendurve kërkon llogari për premtimet e dhëna gjatë fushatës zgjedhore: “Që të kthehesha nga Kanadaja, dhe të fokusohem në këtë çështje jam frymëzuar edhe nga premtimet që ju dhatë perosnalisht dhe në emër të partive që përfaqesonit në debatet për zgjedhjet e kaluara si psh në Jeta në Kosovë në shtator të vitit të kaluar. Siç ju kujtohet, pyetja ime për të gjithë kandidatët për kryeministër/e, gjithashtu edhe per ju, ka qenë se a do t’ia ndalin punën e hirocentraleve në Deçan që po prodhojnë rrymë illegalisht dhe pa licencë. Të dytë më keni dhënë përgjigje shumë të qartë dhe bindëse se “PO”, do t’i ndalni hidrocentralet që prodhojnë rrymë pa licencë. Pas zgjedhjeve të 6 tetorit u bë e ditur se partitë tuaja, Lëvizja Vetëvendosje! Dhe Lidhja Demokratike e Kosovëa do të formojnë qeverinë e re. Ky fakt, dhe premtimet e tuaja, e bënë të ditur që edhe per kompanine që po shkel ligjet e Kosovës, ishin ditët e numëruara, por ajo nuk po shihet të ndodh ende”, përfundon letrën e saj.

Shpresa Loshaj është diplomuar për Studimet Ndërkombëtare në Simon Fraser University në Vancouver, dhe ka vazhduar për Master of Arts në për Politikën Publike dhe Administrimin në Carleton University në Ottawa. Aty edhe është punësuar nga qeveria federale kanadeze në Ministrinë e Shëndetësisë. Më vonë ka kaluar në Ministrinë e Inovacionit dhe Zhvillimit Ekononik si këshilltare e politikave të pronësisë intelektuale, punë të cilën e ka ndërprerë për shkak të kthimit të saj në Kosovë.

E pyetur se sa ka ndikuar puna dhe angazhimi në Kanada për shoqatën në mbrojtje të bjeshkës, buzë së cilës ajo është rritur, ajo thekson: “Unë jam rritë në Bjeshkët e Deçanit, dhe mbrojtja e natyrës ka qenë gjithmonë e rëndësishme. Si fëmijë e mbaj mend nënën kur shprehte brengosje kur dëgjonte që është prerë ndonjë lis. Që nga atëherë e kam kuptuar që nuk duhet të dëmtohet natyra, dhe mund të them se vetëdijësimin për mbrojte të ambienit e kam prej nënës. Dihet se jeta në Kanada ma ka ngritur nivelin e vetëdijes se ne jo vetëm që nuk duhet të dëmtojme natyrën, por edhe duhet ta mbrojmë nga të tjerët. Më kujtohen protestat kur British Columbia donte të ndërtonte një autostradë e quajtur “Sea to sky” nga Vancouveri në Whistler. Aty kam parë njerëz të shtrirë në tokë para mjeteve punuese sepse nuk donin t’i lejonin që rruga të kalonte përmes një pjese të rëndësishme ekologjike. Në atë kohë më është fiksuar se si ata njerëz ishin të gatshëm të jepnin edhe jetën për ta mbrojtur tokën dhe vendin e tyre, në një vend paqësor siç është Kanadaja. E kam kuptuar se sfidat për ta mbrojtur vendin nuk mbarojnë në luftë. Dhe mbrojtja e vendit nuk duhet ndalet kurrë, sepse interesat që e dëmtojnë vendin jane gjithmonë në lëvizje”.

“Shkollimi dhe përvojat profesionale më kanë përgatitur se si t’i qasem problemit, ku të kërkojmë zgjidhje dhe llogaridhënie. Pra, pasioni për drejtësi sociale bashkë me përvojën profesionale më kanë përgatitur që të ballafaqohem me problemet që po kalon Deçani me hidrocentralet e jashtëligjshme. Edhe pse puna e hidrocentraleve në Deçan është një lëmsh pa  fund, ku thonë që ka interesa të shumta që nuk do të lejojnë zbardhjen e këtyre problemeve, unë shpresoj se do të kemi sukses dhe të gjejmë zgjidhje sepse kemi sjellë një energji të re, e të organizuar që nuk jemi vetëm duke e ngritur zërin për shkatërrimet e natyrës, por jemi duke i identifikuar si erdhën problemet dhe duke kërkuar adresim dhe llogaridhënie nga qeveria dhe akterët tjerë përgjegjës. Edhe pse zbatimi i ligjit në Bjeshkët e Deçanit varet shumë edhe nga vullneti i mirë politik, e që deri më tani nuk është ushtruar konkretisht dhe në mënyrë konsistente, ne nuk do të heqim dorë duke kërkuar drejtësi sepse për mua, shkelja ligjore në Lumbardhin e Deçanit është e njëjtë sikur të shkelësh mbi sakrificat tona për një ditë që Kosova të ketë ligjet e veta”.

Që Kosova ka nevojë për një energji të re që mbron ambientin dhe vendin e vet me pasion dhe pa frikë është dëshmuar shumë shpejtë sepse vetëm në ditët e para të themelimit të shoqatës kanë marrë disa kërkesa nga qytetarët nga anë të ndryshme të Kosovës që të ndihmojnë të adresojnë edhe problemet në vendet nga ata vijnë. “Fatkeqësisht, në Kosovë ka aktivistë që janë zhgënjyer sepse me vite të tëra nuk kanë parë ndryshim, gjithashtu, në një vend aq të politizuar siç është bërë Kosova, nuk është e lehtë të mbrosh parimet tua, sepse shumëçka varet nga politika. E për këtë e rëndësishme të ketë bashkëpunim në mes të eskpertëve dhe aktiviteteve të disasporës dhe ata lokal”.

Si vendosi Shpresa të kthehej në Kosovë? “Se a do të kthehesha në Kosovë gjithmonë ka qenë e ditur, por nuk e kam ditur kur do të kem mundësinë e parë. Unë ndihem e integruar dhe pjesë e shoqërisë kanadeze, dhe në të njejtën kohë, si unë nuk dua që vetëm të ndihem kosovare në zemër, dua edhe ta jetoj në të mirën e Kosovës. Unë isha 19 vjeçe kur u largova  nga Kosova, dhe tani së fundi fillova të mendoj: gjysma jetës në Kosovë, gjysma në Kanada, fillova të mendoja çdo të thotë për lidhjen time me Kosovën, dhe të marrë me seriozisht se si mund të kontribuojë në Kosovë më shumë. Më parë pata filluar të bashkëpunoja me Rrjetin e Diasporës “Germin” në Prishtinë që bën lidhjen në mes të profesionistëve të diasporës me vendlindjen, ndërsa profesionalizmi i tyre më shtyu të vazhdoja të marrë pjesë në projekte të ndryshme dhe e pashë që ndjenja e identitetit tim kosovar po merrte më shumë kuptim për mua. Përkrahje kisha edhe nga organizata gazetareske BIRN që më ndihmuan të testoja aktivizmin tim para se të kthehem për më gjatë. Duke e parë se perspektiva e diasporës po luan rol të rëndësishëm në ndërtimin e Kosovës, dhe fakti se nganjëherë duhet të jesh në vendngjarje që të kesh ndikimin e duhur, në fund të vitit 2019 mora leje personale njëvjeçare nga puna dhe vendosa të kthehem në Kosovë. Ishte vendim që e mendova gjatë, por cdo ditë e më shumë ndihem më e sigurtë dhe me fat që kam rastin të jetoj në fshatin ku jam rritë dhe kontribuoj për një Kosovë që të gjithë qytetarët jetojnë me dinjitet.

Në këtë projekt Shpresa me bashkëpunëtorët e saj kanë përkrahjen e shumë shoqatave, mediave dhe “cka është më motivuese kemi marrë shumë mesazhe nga diaspora që na përgëzojnë për iniciativën dhe janë të gatshëm të kontribuojnë me njohuritë dhe përvojat e tyre. Kjo e siguron Kosovën se në çdo anë të botës ka pishtarë të drejtësisë që do të mbrojnë Kosovën sa herë të jetë nevoja”. Unë i inkurajoj të gjithë të interesuarit të na bashkohen në faqen tonë në Facebook “Pishtarët” që po rritet përditë. Suksesi i Shoqatës “Pishtarët” do t’i jepte kuptim të plotë kthimit të Shpresës në vendlindje. / KultPlus.com

Shteti i parë në Europë pa COVID-19

Pasi e deklaroi të fituar betejën me koronavirusin e ri, Mali i Zi bëhet gati të mirëpresë vizitorë sërish.

Në një lëvizje që konsiderohet si jetësore për turizmin e shtetit në Adriatik, kryeministri njoftoi se në qershor do të rihapte kufijtë për ato shtete që raportojnë jo më shumë se 25 raste infektimesh për 100 mijë persona.

Mes tyre janë Shqipëria, Kroacia, Sllovenia, Greqia dhe Gjermania. 68 ditë pasi raportoi rastin e parë me COVID-19, Mali i Zi u bë vendi i parë në Europë që u çlirua nga virusi, duke e mbyllur kapitullin e errët me vetëm 324 raste të konfirmuara dhe 9 viktima. Pacienti i fundit me COVID-19, u shërua në fundjavë.

 “68 ditë pas rastit të parë më koronavirus në Malin e Zi nuk ka më të infektuar. Ne e fituam betejën kundër këtij virusi të pamëshirshëm dhe Mali i Zi bëhet shteti i parë në Europë i çliruar prej tij. Suksesi duhet ndarë mes shtetit, institucioneve të tij dhe çdo individi në vend”, deklaroi kryeministri malazez Dusko Markovic.

Shteti me 620 mijë banorë, i varur kryesisht nga turizmi, mbylli kufijtë, aeroporte e shkolla në muajin mars, por mes të dhënave pozitive lidhur me krizën ka nisur zbutjen e masave që prej 30 marsit. Për të parandaluar përhapjen Mali i Zi publikoi listën me emrat dhe adresat e personave në vetë-izolim, diçka që nxiti kritika nga grupe për të drejtat e njeriut dhe mbajti të izoluar një rajon të tërë për disa javë.

Gjithashtu republika çeke hapi të martën kufijtë më Austrinë dhe Gjermaninë, edhe pse turizmi i huaj mbetet i kufizuar. Udhëtarët duhet të tregojnë provat se nuk janë të prekur nga COVID-19, në të kundërtën, përballen me dy javë karantine. Nga e mërkura, do të lejohen kalimet edhe me Sllovakinë, por vizitorët nga se cila anë e kufirit do të duhet të kthehen brenda 48 orësh./A2CNN / KultPlus.com

Vdes xhezeri legjendar, Jimmy Cobb

Bateristi legjendar i xhezit, Jimmy Cobb, ka vdekur në moshën 91 vjeç.

Cobb vdiq këtë të shtunë në Manhattan pas një beteje të gjatë me kancerin në mushkëri, dhe vdekjen e tij e ka konfirmuar për NPr bashkëshortja e vet, Eleana Tee Cobb.

Cobb ishte anëtari i vetëm i gjallë i grupit “First Great Sextet” të një prej xhezerëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave, Miles Davis.

Gjatë kësaj kohe, grupi prej gjashtë vjetësh kishin incizuar albumin ikonik të Davis, “Kind of Blue” më 1959, që konsiderohet një prej veprave më me ndikim në histori të këtij zhanri. / KultPlus.com

Angazhimi politik i Xhafer Devës në shpëtimin e hebrenjve

Në librin e Harvey Sarner “Rescue in Albania”, Londër 1997 (Shpëtimi në Shqipëri), shpalosen të dhëna dhe kujtime interesante nga strehimi i hebrenjëve në Shqipëri, veçanërisht për rolin e madh të Ministrit të Brendshëm të asaj kohe, Xhafer Devës, në kohën e dyndjeve dhe vrasjeve masive të hebrenjëve gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Me përfaqësim politik në krahun e kundërt të hebrenjëve, por jo edhe në qëndrimet e tij politike, Deva në histografinë shqiptare njihet shumë pak për këtë kontribut, krahas shumë figurave të tjera, që bazuar në rrethana të kohës, kanë bërë që vendi ynë të jetë ndër vendet e rralla të t’i strehojë popullin hebre, mbi premisat e një rreshtimi të drejtë historik dhe vlerave kombëtare, si ajo e “Besës”.

“Lista e hebrejve” ishte një kërkesë e nazistëve për bashkësitë hebreje, ndër tjerash edhe për atë në Shqipëri në vitin 1943, pa shumë arsyeje të detajuara, duke ngjallur frikën për grumbullimin masiv drejt kampeve të përqendrimit. Kjo doli të jetë e vërtetë, pasi që një vit më vonë, nazistët kërkuan zyrtarisht listat dhe tubimin e hebrejve rreth një vendi. Përfaqësues të komunitetit hebre në Shqipëri, të alarmuar nga këto lista, filluan takime me institucionalistës e kohës. Në atë vit, do të takoheshin Mateo Matalia dhe Rafael Jakoel nga komuniteti hebre, me Mehdi Frashërin, i cili pa shfaqur pozicionim të qartë, i rekomandoi ata që të takoheshin me Ministrin e Brendshëm, i njohur si antisemitist, Xhafer Devën.

Pavarësisht kësaj dhe frikës së prosupozuar, ata u takuan me Devën. Nga rrjedhojat e mëvonshme, ky takim përbën përplasjen e parë direkte që ndonjë zyrtar shtetëror shqiptar, refuzon aq haptazi kërkesën e nazistëve lidhur me çështjen e hebrenjve, duke u pozicionuar kundër listave grumbulluese.

Deva argumentoi tek gjermanët për sovranitetin shtetëror, vijat e kuqe që një shtet nuk duhet të t’i shkeli, në këtë rast, si ndërhyrje në punët e brendshme të Shqipërisë.

Përkundër interpretimit të këtij takimi dhe aludimit në variacione të tjera, një gjë është shumë e sigurt si epilog i tij, shpëtimi i hebrejnëve edhe në nivelin institucional, krahas atij shoqëror/popullor. Edhe ngjarjet e mëvonshme do të tregonin se linja e Devës ishte e vërtetë.

Ky është rasti i parë të ketë ndodhur nga një shtet, pra, ai shqiptar, që mosdorëzimi i hebrejve tek autoritetet naziste nga ana e institucioneve si dhe strehimi (shpëtimi) nga ana e popullit, të këtë linjë paralele.

Xhafer Deva ishte ndër intelektualët më të mëdhenj të kohës, njohës i mbi 10 gjuhëve të huaja, bankier në Egjipt, duke studiuar edhe pylltarinë në Vjenë. Më një rol kyç në bashkimin e trojeve shqiptare, përfshi edhe Pazarin e Ri (Novi Pazar), Deva mbetet veprimtari me rol thelbësor në Lidhjen e Dytë të Prizrenit, 1943.

Pas luftë së dytë botërore, më 1950, Xhafer Deva do të paraqiste idenë e tij për përgatitjen ushtarake, në krijimin e bataljoneve shqiptare, si përgatitje ndaj rrezikut të luftërave ballkanike. Në letrën dërguar kryetarit të Komiteti Kombëtar “Shqipëria e Lirë, Rexhep Krasniqit, qytetin e Tropojes e shihte si përbashkim të aradheve ushtarake, si lehtësi relievi për të hyrë në Rrafshin e Dukagjinit, e më pastaj në tërë zonat e Kosovës.

Kishte bashkëpunëtorë të shumtë, veprimtar të shquar, si Rexhep Mitrovica, Rexhep Krasniqi, Ernest Koliqi, Eqrem Çabej si dhe Marie Shllaku. Vlen tw përmendet që ishte edhe bashkëpunëtor i strukturave shtetërore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Histografia komuniste, si dominuese në përpilimin e teksteve historike, përfshi edhe ndikimin e saj në Kosovë, figurën e Xhafër Devës do ta sakatoste nga subjektiviteti dhe njëanshmëria, siç vazhdon ta bëjë ende.

Vdiq nё vitin 1978 më 25 maj, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. / KultPlus.com

Tulipani shqiptar merr status të veçantë mbrojtje, rritet në zonën e Kukësit

Tulipani shqiptar që rritet në zonën e Kukësit do të gëzojë një status të veçantë mbrojtje. Vendimi është marrë nga këshilli bashkiak, ku shënohet hapi i parë i mbrojtjes së tulipanit shqiptar, që ka për qëllim nxitjen e studimeve por edhe rritjen e turizmit. “Tulipa albanica” është një lloj tulipani endemik që rritet vetëm në Shqipëri.

Tulipani shqiptar, një ekzemplar i rrallë i bimëve endemike dhe i certifikuar ndërkombëtarisht, do të ketë statusin e mbrojtjes së veçantë. Tulipani rritet në zonën e Kukësit, ndaj bashkia dhe ekspertët e mjedisit kanë ndërmarrë nismën për ta mbrojtur.

Arben Palushi, ekspert i mjedisit shprehet se “mbrojtja një e bime kryesore si “Tulipa albanica” mbron habitatin. Ideja që ne mbrojmë habitate është më e forte se ideja e mbrojtjes së një specie të caktuar, d.m.th. shpallet habitati si zonë në mbrojtje të natyrës direkte”.

Besnik Hallaçi, drejtor i AKZM Kukës shprehet se “përveç rëndësisë shkencore është edhe bazë e mirë gjenetike edhe për të vazhduar me kultivimin pasi dihet se tregtia e tulipanëve është edhe joshje në gjithë botën, por shohim edhe mundësinë e rritjes së turizmit”.

Nënkryetari i Bashkisë Kukës, Vexhi Halili u shpreh për angazhimin e këtij institucioni në mbrojtjen e vlerave të tilla si një mundësi për turizmin elitar.

“Kjo bimë unikale do të rrisë interesin dhe do të stimulojë turizmin elitar”, tha ai.

Ndërsa Endri Haxhiraj drejtues i Institutit të Politikave Mjedisore bëri të ditur se Këshilli Bashkiak i Kukësit ka marrë vendimin për mbrojtjen dhe administrimin e përkohshëm të habitatit të tulipanit shqiptar.

“Ne do ta monitorojmë situatën në terren dhe do të lobojmë në ministrinë e mjedisit që mbrojtja të kalojë në nivel kombëtar” tha Endri Haxhiraj.

Tulipani i Kukësit është zbuluar në vitin 2003 në zonën e Kolsh-Surroit, në vendin e quajtur Polla e Zezë, nga biologu Besnik Hallaçi. Deri atëherë njiheshin rreth 113 lloje tulipanësh, ndërsa tulipani shqiptar me emrin shkencor “Tulipa Albanica” renditet i 114-ti/Shqiptarja / KultPlus.com

“Sot kanë dalë ca zuzarë, që u lindën shqiptarë, e punojnë natë e ditë që të mbetemi pa dritë”

Faik Konica, studiues dhe kontribuues i çështjes e historisë kombëtare, i gjuhës shqipe, botues, publicist dhe diplomat shqiptar kishte lindur më 15 mars të vitit 1875 në Konicë, ndërsa vdiq më 14 dhjetor të vitit 1942 në Uashington të SHBA-së.

Ky “njeri me kulturë të lartë” (Noli), “enciklopedi shëtitëse” (G. Apolineri), eseist i shkëlqyer, stilist i përkryer, themelues teorik dhe praktik i kritikës letrare shqiptare, veprimtar politik me orientim perëndimor, siç ishte kultura e popullit që i takonte, poliglot, solli një model të ri në mendësinë shqiptare.

Prozator dhe poet, publicist dhe estetist, kritik letrar dhe përkthyes, ai me veprën e tij të shumanshme pasuroi dhe ngriti në lartësi të reja fjalën shqipe dhe mendimin letrar shqiptar.

Njeri me dituri të madhe, dhe dhunti artistike, mjeshtër i hollë i gjuhës shqipe, Konica ka hyrë në historinë e kulturës sonë kombëtare jo vetëm si erudit e stilist i përkryer, por edhe si shkrimtar me vlera të shquara ideoartistike.

Duke qenë i tillë, fjala e tij është e pavdekshme dhe thëniet e tij duket sikur janë shkruar sot.

KultPlus ju sjell disa nga thëniet më të njohura të Konicës:

-Sot kanë dalë ca zuzarë, që u lindën shqiptarë, e punojnë natë e ditë që të mbetemi pa dritë. Është turp që prej kësi krimbash të mundohet një komb trimash”.

-Në qoftë se Shqipëria do të vdiste ndonjëherë, atëherë në epitafin e saj do të duhej të shkruhej: ‘Shqipëria lindi nga Zoti, shpëtoi nga rastësia, vdiq nga politikanët.’

-Sa lehtë përdorë njeriu fjalë të mëdha për të fshehur nën ‘to intriga e për të shfrytëzuar zemërime të veçanta.

-Njerëzit e paditur, në shumicë, rrojnë më tepër se të diturit, se këtyre u punon nat’ e ditë mëndja e ashtu u prishet më shpejt organizmi.

-Instinkti kombëtar është konkluzioni që një popull nxjerr nga shumë shekuj përvojë. Ky instinkt nuk të gabon asnjëherë.

-Rinia është e çiltër dhe çiltërsia është armiku i natyrshëm i sharlatanëve.

– Njeriu fillimisht i sheh gjërat ashtu siç janë, dhe më pas u jep pamjen e asaj çka ai do dëshironte të ishin (Albania 4, 1906).

– Të verbrit do të mbeten të verbër in sœcula sœculorum (gjer në fund të botës); edhe sikur t’u shtini perona në sy, ata prapë nuk do shohin kurrgjë. (Albania 1, 1897)

– Grekët kanë një armë të frikshme: pabesinë (Albania 2, 1897).

– E vërteta nuk ka nevojë për stil gjarpërues e të yndyrshëm të shkrimeve akademike. (Albania 2, 1897).

– Ka qenie tek të cilat ndjenja e humorit nuk e ka forcën e duhur (Albania 2, 1897).

– Fisnikëria dhe thjeshtësia mund të jenë cilësi kudo gjetkë, kurse në poezi janë antipasta të dëmshme. Çka i kërkohet poetit, poetit të vërtetë, është të shkaktojë një dridhmë të re, të flasë një gjuhë që të tjerë nuk e kanë folur, të ngacmojë ndijime që të tjerë nuk i kanë. (Albania 2, 1897).

– Bijtë e shqipes nuk merren vesh me bijtë e gjarprit (Albania 2, 1897).

– Gazetarët janë njerëz spiritualë dhe të dashur (Albania 5, 1897).

– Xhelat je se të pëlqen të jesh (Albania 8, 1897).

– Një i mbushur me mllef e mëri, në mendjen e tij anemike, rrokullis mendime të tmerrshme (Albania 9, 1898).

– Nga lartësia e piedestalit ku zuzarët kapardisen me poza gjysmë-perëndish, ne do t’i asgjësojmë me një të goditur. A bon entendeur, salut! (Kush të dojë, le ta kuptojë) (Albania 9, 1898).

– Drejtësia i takon fushës së ëndrrave; vetëm forca mbisundon (Albania 11, 1898).

– Politika e vërtetë qëndron në kapjen e drejtimit të një evolucioni të caktuar dhe në përpjekjen për të ndihmuar në përshpejtimin e fundit të tij (Albania 11, 1898).

– Një shkrimtar duhet gjykuar më shumë nga cilësia se sa nga sasia (Albania 11, 1898).

– Popujt që ushqehen me perime e produkte qumështi kanë përgjithësisht zakone shumë të buta. (Albania 11, 1898).

– Një popull që është i paaftë të afirmojë vitalitetin e vet, është në rrugë të pashmangshme tatëpjete (Albania 16, 15-30 korrik 1898).

– Ka mënyra të ndryshme për t’i shërbyer një vendi dhe gjithkush i shërben në mënyrën që i përshtatet më mirë karakterit të tij. (Albania 16, 15-30 korrik 1898).

– Të përpiqemi me të gjitha forcat tona të shërojmë shqiptarët nga dashuria për individët. Ata duhet të mësojnë të duan Shqipërinë – jo për t’i bërë qejfin këtij apo atij shqiptari (Albania 16, 15-30 korrik 1898).

– Sharjet e kundërshtarit të nderojnë (Albania 16,15-31 korrik 1889).

– Ka njerëz që shiten tek një qeveri për të pështyrë gënjeshtra. (Albania 16,15-31 korrik 1898).

– Ai që i bën vërejtje dikujt si i edukuar keq, tregon nga ana e tij një edukim të paktën po aq të keq. (Albania 16,15-31 korrik 1898).

– Mund të jesh njeri vulgar e të thuash do gjëra të arsyeshme (Albania 16,15-31 korrik 1898).

– Më mirë të jesh një i egër i ndershëm, se sa një i qytetëruar i poshtër (Albania 16,15-31 korrik 1898).

– Të gjitha vendet kanë tradhtarët e tyre të ndyrë (Albania 24, 15-28 shkurt 1898).

– Lëvdata shpesh e ka brenda prapamendimin. (Albania 26, suplement 4, 5-30 prill 1899).

– Pakorrigjueshmëria e një alkooliku është simptoma më e njohur e një çrregullimi mendor (Albania, 15-30 qershor 1899).

–  Ka shpesh personazhe vlera e të cilëve, zmadhuar nga larg, shfaqet më e vogël tek shihet nga afër. (Albania, 10 shtator 1900).

– Nuk mund të gjykohet për tokën para se të mbjellësh ( domethënë: toka e mirë njihet kur hedh farën (Albania, 31 maj 1901).

– Shumë broçkulla edhe u falen politikanëve, por pa kaluar kufijtë (Albania 20 qershor 1901).

– Sa më shumë të mbahen fjalime parlamentare aq më i paktë është zotimi (Albania 20 qershor 1901).

– Historia nuk është veçse një rifillim i përjetshëm (Albania, 10 korrik 1901). / KultPlus.com

Dr. Dre: Rrjetet sociale shkatërruan mistikën e artistit

Duke folur gjatë një interviste së bashku me mikun dhe partnerin e tij të biznesit Jimmy Iovine, producenti i famshëm dhe themeluesi i N.W.A. Dr. Dre, foli për famën në epokën e mediave sociale dhe tregoi pse nuk është adhurues i tyre, shkruan revista NME.

“Kur filloi fama ime, me siguri do t’i urreja mediat sociale nëse do të ekzistonin atëherë”, tha Dr. Dre për revistën GQ. “Shkatërrohet një lloj mistike. Më pëlqen pritja. Nuk kam nevoj që çdokush të dijë secilën minutë ku jam dhe çka bëj. Apo çka do të bëj. Ka ekzistuar një misticizëm që vinte me muzikën dhe pritja se çka do të ndodhë ishte argëtuese”.

Ndërsa miku i tij Iovine tha: “Mendoj se tani fama është më e rëndësishme se që ka qenë, pëlqimet në faqet e rrjeteve sociale etj. Ndërsa përpara, muzika e re dhe puna kanë qenë marketingu i vetëm”.

Gjatë intervistës, Dr. Dre dhe Iovine diskutuan për planet e nisjes së shkollës së tyre të mesme private.

Muajin e kaluar albumi debutues i Dr. Dre “The Cronic”, i publikuar në vitin 1992, u publikua në të gjitha platformat për dëgjim online, transmeton Koha. / KultPlus.com

Një 6-vjeçar zbulon një pllakë balte 3 500-vjeçare

Një 6-vjeçar, gjatë një shëtitjeje me prindërit e tij, në jug të Izraelit, zbuloi një pllakë balte 3 500-vjeçare, të përshkruar nga arkeologët si unike.

“Familja po shëtiste pranë fshatit Re’im në jug të Izraelit në mars, kur djali vuri re një pllakë të vogël argjile katrore me gdhendje të dy personave mbi të”, njoftoi Autoriteti Izraelit i Antikitetit.

Familja më pas ia dorëzoi artefaktin autoriteteve.

Pllaka tregon një ushtar të veshur me një fund me rrip, i cili shtyn një skllav të zhveshur, krahët e të cilit janë të lidhura pas shpinës, që sipas autoriteteve, artisti ka dashur të tregojë poshtërimin e skllavit.

Autoritetet izraelite thanë se zbulimi do të ndihmonte për gërmimet në qytetin e vjetër mijëvjeçar Yerza. / atsh/ KultPlus.com

Ksamili, parajsa e rivierës shqiptare që nuk duhet humbur as këtë vit (FOTO)

Një parajsë në brigjet e rivierës shqiptare. Kështu e cilësojnë mediet e huaja Ksamilin, që ndodhet 12 km larg Sarandës dhe që pret çdo vit në ishujt e tij, mijëra turistë vendas e të huaj.

Ksamili me plazhet e tij po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e medieve dhe portaleve të huaja, të cilat e rendisin ndër destinacionet që duhen vizituar çdo verë.

Shumë prej tyre i kanë konsideruar plazhet e Ksamilit si më të bukurit në Europë.

Tërheqja kryesore e Ksamilit është e përfaqësuar nga plazhet e tij të kristalta për mijëra turistë që duan të gëzojnë detin e bukur, një tipar pothuajse i të gjitha plazheve në Vendin e Shqiponjave, ku rëra është e mirë dhe e pastër, ndërsa deti ofron një pamje të plotë të jetës marine me qartësinë e tij.

Rëra e bardhë, deti kristal tërheq çdo vit turistët vendas e të huaj, për të kaluar pushimet verore.

I mbipopulluar kryesisht në muajt korrik, gusht, Ksamili ofron një pamjeje mbresëlënëse me ishujt e vegjël shkëmborë me një bimësi të egër të dendur.

Në një lartësi nga 7.5 deri në 15 metra mbi nivelin e detit këta ishuj janë vendosur pranë njeri-tjetrit të mbuluar me një vegjetacion tipik mesdhetar mjaft të zhvilluar.

Këta ishujt e bëjnë Ksamilin aq të veçantë e të dëshirueshëm nga turistët e sidomos nga të rinjtë. Me varka të ndryshme që ndodhen në Ksamil ju mund të vizitoni ishujt që preferoni për të bërë një shëtitje dhe për tu larë në detin e kristaltë.

Agjencia Telegrafike Shqiptare sjell një fotogaleri me pamje nga Ksamili në këto ditë pranvere, ku temperaturat kanë filluar të rriten dhe bën që qytetarët të presin me padurim nisjen e sezonit turistik, që këtë vit do të jetë me masa të larta sigurie për shkak të pandemisë COVID-19 që ka prekur vendin tonë dhe pothuajse shumicën e vendeve në botë.

Turizmi në plazhet e Ksamilit po rritet çdo vit. Fshati është i mbushur me restorante që shërbejnë kuzhinë shqiptare, ku vendin kryesor e zënë pjatat me produkte të zonës si prodhimet e detit, por edhe ato të tokës.

Në Ksamil ka shumë njësi akomoduese, hotele apo edhe apartamente me qira, që dikur mbusheshin nga shqiptarët, ndërsa vitet e fundit gjithnjë e më shumë nga të huajt nga vende të ndryshme.

Tërheqja kryesore e Ksamilit është e përfaqësuar nga plazhet e tij të kristalta për mijëra turistë që duan të gëzojnë detin e bukur, një tipar pothuajse i të gjitha plazheve në Shqipëri, ku rëra është e mirë dhe e pastër, ndërsa deti ofron një pamje të plotë të jetës marine me qartësinë e tij./ATSH / KultPlus.com

“Unhinged”, filmi i parë që do të shfaqet në kinematë e SHBA-së pas pandemisë

“Unhinged”, triler për mllefin në trafik me aktorin Russell Crowe, do të jetë filmi i parë i madh që do të shfaqet në kinema që nga kufizimet për shkak pandemisë së koronavirusit, ka shkruar revista NME të hënën.

Duke u shfaqur disa muaj më herët se që është planifikuar, filmi i cili është një triler psikologjik dhe që paraqet mllefin që shkakton trafiku, do të arrijë në kinematë e SHBA-së më 1 korrik.

Ky lajm vjen pasi që pothuajse një milion punonjës në industrinë e filmit dhe TV-së kanë humbur vendet e punës në Hollywood pas mbylljes së produksioneve për shkak të përhapjes së virusit.

Karantinat kanë rritur kërkesën për filma dhe programe televizive në mesin e shikuesve të mbyllur në shtëpi dhe ekspertët parashikojnë se transmetuesit do të kenë mungesë të programeve dhe filmave deri në fund të vitit.

Netflixi tashmë ka vazhduar produksionin në vendet si Koreja Jugore dhe Islanda. Qyteti Los Angeles, i cili konsiderohet si kryeqyteti i filmit dhe programeve televizive, ka krijuar grupe pune për të vlerësuar se kur mund të vazhdojë puna në këtë industri, transmeton Koha. / KultPlus.com

Mos ma kujto

Poezi nga Dritëro Agolli

E shkuara ka çaste dhe orë të hidhura, mos ma kujto
për shembull, më pe me duar të lidhura, mos ma kujto!

Për shembull, më pe në rruge të pire, mos ma kujto,
Të pirë e të humbur, të sharë e të grirë, mos ma kujto!

Për shembull, më rrahën dy-tre vagabondë, mos ma kujto,
Tek shihja një grerëz tek rrinte mbi gonxhe, mos ma kujto!

Për shembull, pësova diku një disfate, mos ma kujto,
Dhe gjumi s’më zinte me ditë e me natë, mos ma kujto!

Për shembull, më pe duke ecur e qarë, mos ma kujto,
Mbështetur pas murit me zemër të vrarë, mos ma kujto!

Për shembull, me pe duke ngrënë e genjyer, mos ma kujto,
Të prishur, të shturur, të rënë e të thyer, mos ma kujto!

Për shembull, në shtrat s’u bëra për burrë, mos ma kujto,
I turpshëm i drodha si qengj nën lëkurë, mos ma kujto!

E shkuara ka orë dhe çaste të hidhura, mos ma kujto,
Ka drojtje dhe heshtje kur lipsen të thirrura, mos ma kujto!

Fishta: Pa studju kurr për politikë, çdo kopuk don me u shitë Bismark

Shkrimi i mëposhtëm është shkruar nga Gjergj Fishta në vitin 1913. Edhe pse kanë kaluar 105 vite, është aktual edhe sot për realitetin shqiptar. Shkrimi me titullin “Shqiptarët presin çfarë u jep Europa” flet për politikanët që mendojnë për interesat e tyre personale e jo të shqiptarëve. Tekstin e Fishtës mund ta lexoni të plotë më poshtë.

“Në Shkodër si një herë në herë, rrena, pluhun, balt, kuaj e ka tana, muzikë, peca e… Rrnoftë Shqipnia! – por punë pa të cilat Shqipnia nuk mundet me dalë në dritë pak e aspak. Njerëzit janë tuj ndejë hijeve pa punë, tuj pritë me gojë hapët, si zogj pëllumbash, pale se shka po u bjen nana-vida Europë. Por, për një herë prit zot veç… mizat, sepse me ç’andra po shihen vonë a vonë do t’ju bien gja në skjep.
E pra atdhetarët e shkretë plasën, plasën tuj folë për atdhe e tuj punu për vehte. Por ç’dobi! Për Shqipni s’po ka punë e për atdhetarë s’po ka pare. Pazari i Shkodrës asht ba klub me pi kafe e me ca llafe… politiket. Oh, po! Për politikë mos pyet. Këtu politikë sa të duash. Pa pasë studju kurr për politikë, çdo kopuk don me u shitë Bismark, pa i pasë ndie kurrë emnin strategjisë, çdo tuberkuloz i keq, ba prej sëmundjet që mos me u gjetë qen që ndigjon me e hanger, flet mor ti shok për punë luftet sikur të ishte Wellingtoni apo Napoleoni, e kaq e zgjat sa ta ban kryet për voe. Por me ba me pasë rrezik me ndejë me ndonjë asish që i asht mbushë mendja se asht i mendshëm, atëherë nuk i gjen maje vehtes; kaq dijen, filozofinë, e politikën e madhe e pështyn për goje; ta ban botën fele fele me ba se asht tuj nda ndonjë shalqi Stajket; i ngatrron i shkatrron krajlat shoq me shoq me të thanë mendja se atëherë po, kërcet lufta e po bahet nami; por kur fundi veç në i kriset zorra e tij prej së thatit se kurrkush s’lot vendit.
E tuj kenë se këtu rregullohet politika jo mbas interesash të atdheut por mbas interesash së gjithsecilit, çdo punë që ndodh kaq dredhet e shpërdredhet, e shtohet e zvogëlohet e zbukurohet sa nuk mundesh ma me e dijtë se shka asht rrenë e shka asht e drejtë.
Prandaj këtu tek e përkohëshmja e jonë këtë herë nuk po vëmë lajme Shkodret tuj drashtë fort se po shkruejmë rrena, çka nuk asht në natyrë të të përkohëshmes tonë”. /Telegrafi /KultPlus.com