Vizatim fytyre në KultPlus Caffe Gallery, Latra Gashi do të prezantojë punën artistike

Të shtunën, prej orës 12:00, në KultPlus Caffe Gallery do të organizohet një prezantim për fëmijët dhe të rinjtë, ku do të ndërlidhet kreativiteti i të rinjve në fushën e artit, shkruan KultPlus.

Në këtë prezantim artistik, procesi i vizatimit të fytyrës do të bëhet nga Latra Gashi, një talente e kësaj fushe, e cila tashmë e disa vite është duke e dëshmuar punën e saj në këtë fushë.

Të interesuarit mund ta shohin nga afër punën e Latrës, e cila do të demonstrojë punën e saj te një numër i vogël i fëmijëve.

Kjo ngjarje kulturore mbështetet nga Komuna e Prishtinës, përkatësisht Drejtoria për Kulturë./ KultPlus.com  

5 mësimdhënës e 16 nxënës të shkollës “Dardania” të infektuar me Covid-19

Dita-ditës numri i të infektuarve me Covid-19, në vendin tonë po shënon rritje.

Së fundi, 5 mësimdhënës dhe 16 nxënës të shkollës “Dardania”, të Prishtinës kanë rezultuar pozitivë me Covid-19, shkruan IndeksOnline.

Shkolla prej ditës së sotme do të kalojë nga Skenari A, në Skenarin C, mësimi në distancë.

Njoftimi i plotë:

N J O F T I M 30/10/2020 (E premte)

Të nderuar prindër, nxënës dhe mësimdhënës,Në vazhdën e hulumtimit aktiv dhe mbikqyrjes së situatës epidemiologjike, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, ka bërë testimin e mësimdhënësve/nxënësve në SHFMU“Dardania’’ Prishtinë më 29.10.2020.Nga 16 mësimdhënës të testuar, 5 mësimdhënës janë të konfirmuar dhe 16 nxënës të konfirmuar me SARS-CoV-2. Me këtë rast, ju njoftojmë se shkolla prej ditës së sotme duhet të kalojë nga Skenari A (prezencë fizike në shkollë) në skenarin C (mësimi në distancë).Për çdo ndryshim të situatës epidemiologjike do t’ju njoftojmë në kohë reale.Andaj, Task- Forca merr vendim që të zbatohet rekomandimi i Ministrisë së shëndetësisë dhe të kalohet nga skenari A në Skenarin C.Datë:30/10/2020Në vazhdën e hulumtimit aktiv dhe mbikqyrjes së situatës epidemiologjike, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, ka bërë testimin e mësimdhënësve/nxënësve në SHFMU“Dardania’’ Prishtinë më 29.10.2020Nga 16 mësimdhënës të testuar, katër (4) prej tyre rezultojnë pozitiv, si dhe nga 43 nxënës 7 prej tyre rezultojnë pozitiv në SARS-CoV-2 më datë 30.10.2020 SHFMU “Dardania”-Prishtinë ka afërsisht 2150 nxënës,75 mësimdhënës,10 staf Teknik dhe 10 staf administrative.Prej datës 13-29 tetor, në total janë 5 mësimdhënës të konfirmuar dhe 16 nxënës të konfirmuar me SARS-CoV-2Masat e ndërmarra:- Mësimdhënëit/nxënësit e konfirmuar pozitiv janë udhëzuar në vetëizolim- Është njoftuar Drejtoria e shkollës në fjalë- Është njoftuar DKA Rekomandohet:- Shkolla duhet të kalojnë nga Skenari A në skenarin C- Të vazhdohet me aplikimin e masave higjieno-sanitare në shkollë – Të respektohen kriteret dhe rekomandimet nga MSH, IKSHPK, dhe Protokoli i Reagimit të MASHPër çdo ndryshim të situatës epidemiologjike do t’ju njohtojmë në kohe reale.Task forca merr vendim që të zbatohet rekomandimi i Ministrisë se shëndetësisë të kalohet nga skenari A në Skenarin CIu dëshirojmë shëndet dhe shërim sa më të shpejtë mësimdhënësve dhe nxënësve! E tejkalofshim sa më lehtë këtë situatë!

Inva Mula me zërin e dridhur: Rroftë Avni Mula, rroftë arti shqiptar

Sopranoja e njohur Inva Mula ka folur shumë shkurt dhe me zërin e dridhur në ceremoninë e nderimin të të atit, kompozitorit të njohur Avni Mula i cili u nda nga jeta një natë më parë.

“Këtu filloi arti i lirisë. Rroftë arti, rroftë Avni Mula, rroftë arti shqiptar”, u shpreh Inva Mula.

Mula u nda nga jeta në moshën 92-vjeçare dhe la pas një kontribut të madh në artin shqiptar. Në ceremoninë për homazhet në nder të tij morën pjesë politikanë, artistë dhe figura të tjera të njohura./mv.abcnews.al/ KultPlus.com

Ministrja Dumoshi i dha lamtumirën e fundit kolosit muzikor Avni Mula

Ka vdekur në moshën 92-vjeçare kompozitori i shquar shqiptar Avni Mula.

Me nderimin më të lartë për veprën e tij, në emër të Qeverisë së Republikë së Kosovës dhe kryeministrit Avdullah Hoti, ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi ishte për homazhe në Universitetin e Arteve në Tiranë ku i dha lamtumirën e fundit kolosit muzikor, Avni Mulës.

“Kënga e tij qe frymëzim i atdhedashurisë ndër breza, përbashkim andej e këndej kufirit andaj humbja e tij është humbje për familjen dhe për artin në përgjithësi, kudo ku ka shqiptarë. I përjetshëm kujtimi për këtë mjeshtër brilant!”, ka shkruar Dumoshi. / KultPlus.com

Bashkësia Islame e Kosovës reagon ndaj sulmit në Francë, e quan terrorist

Bashkësia Islame e Kosovës ka reaguar pas sulmit të djeshëm terrorist në Nice të Francës, që la të vdekur tre persona dhe disa të plagosur.

Përmes një postimi në faqen zyrtare, BIK’u ka thënë se sulmi i djeshëm është akt i neveritshëm, terrorist, që ka për qëllim frikësimin dhe atakimin e vlerave humane e njerëzore.

Sipas BIK, marrja e jetës së njeriut si dhe atakimi i objekteve fetare, janë veprim që bien ndesh me parimet e feve dhe mësimet e pejgamberëve.

“Fetë nuk kanë për qëllim përplasjet, dhunë e tmerret por kanë për qëllim udhëzimin dhe fisnikërimin e popujve dhe shoqërive tona”, thuhet në postimin e BIK’ut.

Postimi i plotë:

Sulmi i djeshëm në Nice të Francës është akt i neveritshëm, terrorist, që ka për qëllim frikësimin dhe atakimin e vlerave humane e njerëzore. Bashkëndjejmë dhimbjen me familjarët e viktimave dhe popullin francez. Marrja e jetës së njeriut si dhe atakimi i objekteve fetare, janë veprim që bien ndesh me parimet e feve dhe mësimet e pejgamberëve.
Fetë nuk kanë për qëllim përplasjet, dhunë e tmerret por kanë për qëllim udhëzimin dhe fisnikërimin e popujve dhe shoqërive tona.
Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës. / KultPlus.com

Muzeu i Bankës së Shqipërisë, funksione të integruara numizmatike, historike dhe edukative

I vendosur brenda ndërtesës simbol të sheshit kryesor të kryeqytetit, selisë 82-vjeçare të Bankës Qendrore, Muzeu i Bankës së Shqipërisë u inaugurua më 30 tetor 2015, me funksione të integruara numizmatike, historike dhe edukative.

I konceptuar si një ndërthurje midis muzeales dhe didaktikes, midis të prekshmes dhe virtuales, midis prehistorikes dhe teknologjisë, Muzeu i Bankës së Shqipërisë,

synon të informojë publikun mbi të gjitha aspektet e parasë, si dhe fijet e dukshme dhe të padukshme me të cilat ajo ndikon, mbi të gjitha, jetën tonë të përditshme.

Në katin e parë të tij, ekspozita e përhershme prezanton koleksione të monedhave dhe kartëmonedhave, që kanë qarkulluar në territoret e vendit tonë në këta dy mijë vjet. Ato janë pjesë e koleksionit numizmatik të Bankës së Shqipërisë dhe janë përzgjedhur e studiuar me një kujdes të veçantë përmes një bashkëpunimi të gjatë me arkeologë, numizmatë, historianë e etnografë të mirënjohur të vendit.

Falë edhe mbështetjes së Akademisë së Studimeve Albanologjike dhe Ministrisë së Kulturës, koleksioni i këtij Muzeu prezanton objekte unikale dhe mbresëlënëse, si 4 sëpata bronzi, pjesë e Thesarit të Torovicës, të cilat i përkasin shekullit X p.e.s dhe dëshmojnë mbi këmbimin paramonetar në territoret historike të vendit, por edhe thesare të tjera monedhash antike.

Kati i dytë i Muzeut prezanton historinë e institucionit të bankës qendrore në Shqipëri, rolin e saj në ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe garantimin e stabilitetit financiar të vendit. Me një fokus të veçantë për edukimin financiar të publikut, Muzeu ynë vjen i pajisur me hapësira edukative me informacion dedikuar fëmijëve dhe të rinjve. Ndërkohë, ekspozita e përkohshme e vendosur në këto ambiente e njeh publikun me serinë e re të kartëmonedhave shqiptare të qarkullimit. /atsh/ KultPlus.com

“Shkule nga vetja krenarinë, nuk qe njeriu ai që krijoi guximin”

Më 30 tetor të vitit 1885 do të lindte një shkrimtar amerikan, poet dhe kritik i cili do të bënte bujë për letërsinë moderne të shekullit të 20-të.

Nga ajo që ka mbetur pas nga Ezra Pound është krijimtaria e tij e bujshme.

KultPlus ua sjell një poezi nga Pound:

Këngë Pizane

Ajo që ti e do me të vërtetë mbetet,
teprica është skorie
Ajo që ti e do me të vërtetë s’ka për t’u shkulur,
Ajo që ti e do me të vërtetë është trashëgimia e vërtetë
Bota kujt i përket, mua, atyre
apo askujt?
E para erdhi e dukshmja, pastaj i prekshmi
Elize, edhe pse është në banesat e ferrit,
Ajo që ti e do me të vërtetë është trashëgimia e vërtetë
Milingona është një centaur në botën e tij të dragonjve.
Shkule nga vetja krenarinë, nuk qe njeriu ai
Që krijoi guximin ose rregullin ose hijeshinë
Shkule nga vetja fodullëkun, shkule, të them
Mëso nga bota e gjelbërt se cili është vendi yt
Në masën e shpikjeve ose në aftësinë e vërtetë të krijuesit,
Shkule nga vetja fodullëkun,
Paquin shkule!
Kaska e gjelbër fitoi mbi elegancën tënde.
“Sundoje veten dhe të tjerët do të të durojnë”
Shkule nga vetja fodullëkun,
Je një qen i rrahur nën breshër,
Një laraskë fryhet në një gulç dielli
Gjysmë e zezë, gjysmë e bardhë
As ia dallon dot krahun nga bishti
Shkule nga vetja fodullëkun
Sa të mjera janë ligësitë e tua
Të ushqyera me mashtrime
Shkule nga vetja fodullëkun,
Lakmues në të shkatërruar, koprac në mëshirë
Shkule nga vetja fodullëkun,
Shkule, të them.
Por të kesh bërë, në vend që të mos bëje asgjë
Ky nuk është fodullëk. Të kesh, trokitur me maturi
Që një Tarallak ta hapte
Të kesh korrur nga era një traditë të gjallë
Ose nga një sy i bukur antik flakën e padhunuar
Ky s’është fodullëk.
Këtu gabimi është në atë se s’shtë bërë, në mosbesimin që u mëdyshe./KultPlus.com

Sot mbahet ceremonia përmbyllëse e projektit Pen for Culture

ProPlus ka përfunduar me sukses tri punëtori me të rijnë prej 13 deri 18 vjeç, të cilët kanë mare njohuri në fusha të ndryshme të kulturës.

Punëtoria me pikturë e udhëhequr nga Zake Prelvukaj, ajo me ese nga Vjosa Sadriu Hamiti dhe punëtoria me fotografi me Hazir Rekën janë realizuar në kuadër të projektit “Pen for Culture” që është mbështetë nga Ambasada Amerikane në Kosovë.

Ceremonia përmbyllëse do të shënohet me ndarjen e mirënjohjeve për të rinjtë pjesëmarrës, mirënjohje që do të ndahen nga Ardianë Pajaziti, udhëheqëse e këtij projekti. Ceremonia mbahet sot, më 30 tetor, në ora 16:00, në KultPlus Caffe Gallery. / KultPlus.com

Qeveria miraton propozimin që muaji nëntor të quhet Muaji i Anton Çetës

Viti 2020 shënon 100 vjetorin e lindjes dhe 25 vjetorin e vdekjes së prof. Anton Çetës, intelektualit të ndritur, mbledhësit të shquar të folklorit, shkrimtarit të njohur e pajtuesit të palodhur të gjaqeve.

Njëkohësisht, viti 2020 shënon 30 vjetorin e pajtimit të gjaqeve, kthesës historike mbarë popullore në Kosovë e jashtë saj, që i kontribuoi zhdukjes së hasmërive dhe shërimit të shoqërisë shqiptare e pajtimit mes njerëzve.

Me propozimin e Vlora Dumoshit si Ministre e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, sot Qeveria e Kosovës miratoi propozimin që muaji nëntor të quhet Muaji i Anton Çetës, të themelohet çmimi “Anton Çeta”, dhe të shënohet muaji si i tillë me një varg aktivitetesh si vijon:

– Përurimi i veprave te Anton Çetës;

– Përurimi i Kullës se Fazli Buqollit ne Raushiq; Investim i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit

– Këndi i Anton Çetës – Ekspozitë në Muzeun Kombëtar të Kosovës;

– Emisione Televizive- RTK

Shfaqja e emisioneve dhe dokumentarëve të vjetra dhe punimi i një dokumentari të ri;

– Simpozium shkencor në Prishtinë dhe Tiranë;

– Ekspozitë e fotografive në Prishtinë dhe Tiranë;

– Themelimi i Çmimit “Anton Çeta”. / KultPlus.com

Qeveria e Kosovës miraton propozimin e Dumoshit për shpërndarjen e fondit të rimëkëmbjes

Qeveria e Kosovës, sot në mbledhjen e qeverisë ka miratuar propozimin e Ministres së Kulturës, Rinisë dhe Sportit Vlora Dumoshi për Planin e veprimit dhe kriteret për shpërndarjen e fondit të rimëkëmbjes.

MKRS pasi e ka analizuar gjendjen e tre sektorëve ka përgatitur metoda konkrete dhe kritere specifike për zbatimin e këtij vendimi për të siguruar ndarje korrekte dhe racionale të mjeteve financiare në përputhje me nevojat në terren.

 Ndarja e mjeteve financiare do të bazohet në tri masa specifike në mënyrë që secilit sektor t’i ofrohet mbështetje relevante.

 Masa 1 i referohet punës në praktikë për të rinjtë të cilët do të kenë mundësinë të angazhohen në sektorin publik dhe privat duke u kompensuar me 170 € në muaj.

Masa 2 i referohet mbështetjes direkte financiare për klubet e sportit që janë të regjistruara në federatat përkatëse sportive.

Masa 3 i referohet mbështetjes financiare për organizatat kulturore, krijuesve të pavarur dhe hulumtuesve të kulturës, rinisë dhe sportit.

 Në momentin e parë që do të transferohen mjetet financiare, MKRS do të fillojë me zbatimin e këtij plani. Vendime të mira dhe shumë të rëndësishme për qytetarët, në veçanti për kulturën, sportin dhe të rinjtë e Kosovës. / KultPlus.com

“Love”, kënga e thirrjes së amerikanëve për votime

Para 12 vjetësh ishte videoja që shfaqte yje e Will.I.Am-it – “Yes We Can” – ajo që u bë jehona përcjellëse e garës historike të Barack Obamas për presidencë.

Tani, më pak se një javë para zgjedhjeve, artist, që ka fituar gjashtë çmime “Grammy”, është duke i përdorur edhe një herë aftësitë e tij, kësaj radhe për ta fuqizuar kandidatin demokrat për president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden.

Grupi i Will.I.Am-it, “Black Eyed Peas”, i ka bashkuar forcat me fituesen e çmimit “Oscar”, Jennifer Hudson, për ta realizuar “The LOVE”, një ripërpunim ky i hitit global të grupit nga viti 2003, “Where is the Love”.

“The LOVE” përmban jehona stilistike të njohura të videos së 2008-s “Yes We Can Video”, dhe përdor pjesë të fjalimit në Konventën Kombëtare Demokratike të Joe Bidenit në strofat hyrëse dhe përmbyllëse të këngës, transmeton KOHA.

“Amerika është vërtet e zhytur në krizë për shkak të keqmenaxhimit apo të them mosmenaxhimit me pandeminë Covid. Për një vend që ka sistemin më të mirë shëndetësor në botë jemi më së keqi, kur llogariten rastet e infektuara dhe vdekjet. Vështirësitë ekonomike dhe familjare janë gjithashtu enorme. Do të duhen vite të tëra që të rregullohet kjo katrahurë”, ka thënë Will. I. Am.

Projekti paraqet edhe një sërë aktivistësh, përfshirë edhe anëtarët e familjes së George Floydit dhe Jacob Blakeit. Videoja nis me vetë Bidenin duke cituar fjalët e ikonës së të drejtave të njeriut, Ella Baker, “Jepuni dritë dhe njerëzit do ta gjejnë rrugën”.

Në një vit racizmi në SHBA, videoja tashmë ka gjeneruar gati 30 milionë shikime ani pse është publikuar javën e kaluar. Si Biden ashtu edhe ish-zonja e parë e SHBA-së, Michelle Obama, e kanë shpërndarë me ndjekësit e tyre në Twitter, me qëllim që t’i mobilizojnë votuesit para 3 nëntorit. / KultPlus.com

Hidrocentrali diellor i pari në botë ndodhet në Alpet e Zvicrës

Hidrocentrali i parë diellor lundrues në lartësinë më të lartë në botë tani po funksionon – në Alpet Zvicerane. Sipas ekspertëve të fushës, kjo teknologji mund të bëhet një pjesë kryesore e industrisë fotovoltaike në të gjithë botën.

“Ideja filloi mbi një kafe,” kujton Guillaume Fuchs. “Ne po pyesnim se si liqenet e rezervuarëve mund të përdoren për të prodhuar më shumë energji. Kjo ishte në 2013, dhe kishte tashmë disa projekte në lëvizje për termocentrale lundruese. Por në atë pikë, nuk kishte asnjë në një mjedis alpin “.

Takohemi në Bourg-St-Pierre, një fshat në Canton Valais në rrugën për në Qafën e Madhe St-Bernard, midis Zvicrës dhe Italisë. Një shtetas i dyfishtë francez-zviceran, Fuchs u kualifikua si inxhinier mekanik dhe punoi në industrinë e automjeteve përpara se të hynte në fushën e energjisë së rinovueshme, transmeton tutje albinfo.ch.

“Unë doja një punë në një sektor më të qëndrueshëm,” thotë ai. Ai tani punon për Romande Energie, furnizuesi kryesor i energjisë elektrike në Zvicrën që flet frëngjisht.

Ne udhëtojmë disa kilometra në jug, në një luginë që gradualisht ka filluar të marrë një shkëlqim vjeshte. Pas disa minutash kemi mbërritur në Lac des Toules, një rezervuar i bërë nga njeriu, i përdorur për prodhimin hidroelektrik në një lartësi prej 1,810 metrash (5,938 ft). Kjo është ajo ku Fuchs zhvilloi projektin e tij, instalimin e parë notues fotovoltaik në Alpe, shkruan Swiissinfo.ch.

“Këtu gjeni kushte mjaft ekstreme: ka erë, akull, dëborë dhe temperatura që variojnë nga -25 ° C [-13 ° F] deri + 30 ° C”, thotë ai. “Unë isha me fat që të punoja me njerëz që nuk folin për problemet por për zgjidhjet”.

Më shumë energji elektrike

Impianti diellor në Lac des Toules përbëhet nga 1,400 panele, të vendosura në 36 struktura lundruese të bëra prej alumini dhe plastike polietileni të ankoruara në fund të liqenit. Prodhimi aktual tejkalon 800,000 kilovat orë (kWh) në vit, që është ekuivalenti i konsumit për rreth 220 familje.

Përkundër një investimi të konsiderueshëm paraprak prej 2.35 milion CHF (2.6 milion dollarë) – më shumë se sa do të kushtonte një instalim i ngjashëm në tokë të thatë, falë kostove shtesë të lidhura me gomone dhe spiranca – një instalim fotovoltaik në një liqen të bërë nga njeriu në një lartësi lartësia ka disa përparësi.

“Atmosfera është pak më e hollë dhe rrezet UV janë më intensive,” shpjegon Fuchs. “Panelet janë në të vërtetë më efektive në temperatura të ulëta, dhe ne madje mund të përdorim dritën e reflektuar nga bora.”

Përdorimi i paneleve të dyanshme, të cilat janë të pajisura me qeliza fotovoltaike si përpara ashtu edhe prapa, do të thotë që ata gjithashtu mund të përdorin dritën e reflektuar nga sipërfaqja e ujit, e cila shton rendimentin elektrik.

“Krahasuar me një instalim të të njëjtave dimensione poshtë në luginë, ne prodhojmë rreth 50% më shumë energji elektrike deri këtu,” tregon ai.

Rezistent ndaj borës dhe akullit

Duke filluar punën në dhjetor 2019, termocentrali diellor në Alpe kaloi me sukses dimrin e tij të parë, thotë Fuchs. Problemi me akullin, i cili mund të jetë i trashë deri në 60 cm në liqen, u zgjidh duke përdorur nota, të cilat ngrenë strukturën sa herë që sipërfaqja e ujit ngrihet. Kur liqeni zbrazet tërësisht në fund të Marsit, platformat pushojnë në fund, i cili është rrafshuar.

Struktura mund të mbajë deri në 50 cm dëborë. Nëse reshjet e borës janë më të mëdha, bora rrëshqet nga panelet posa dielli të fillojë të shkëlqejë.

“Pjesa e prapme e panelit është ajo që prodhon energji elektrike,” shpjegon Fuchs. “Kështu që ata ngrohen dhe bora thjesht rrëshqet. Pasi bëmë disa prova, arritëm në përfundimin se një pjerrësi prej 37 ° në panele do të ishte e mjaftueshme për të hiqni borën, pa cenuar efikasitetin e qelizave fotovoltaike “.

E ardhmja e energjisë diellore

Instalimi i parë lundrues diellor u ndërtua në 2007 në Japoni, dhe u pasua nga projekte në vende të tjera, duke përfshirë Francën, Italinë, Korenë e Jugut, Spanjën dhe Shtetet e Bashkuara. Aktualisht, më shumë se njëqind impiante lundruese po operojnë në të gjithë botën dhe kapaciteti është rritur që nga viti 2014.

Panelet mund të vendosen në të gjitha llojet e trupave të ujit, nga industriale (minierat e papërdorura) në detin e hapur. Instalimi më i madh në botë i këtij lloji tani është në provincën Anhui, Kinë, ndërsa më i madhi në Evropë është në Piolenc, në jug të Francës (me 47,000 panele fotovoltaike).

Sipas lojtarëve në sektor, stacionet lundruese janë me të vërtetë e ardhmja e energjisë diellore sepse uji ftoh panelet, duke rritur rendimentin e tyre. Për më tepër, ata zgjidhin çështjen e përdorimit të tokës sepse nuk i heqin hapësirë ​​bujqësisë ose ndërtimit.

Ky lloj i energjisë diellore ka të ngjarë të zgjerohet në shumë pjesë të botës, sipas një raporti nga Instituti i Kërkimit të Energjisë Diellore të Singaporit dhe Banka Botërore. / KultPlus.com

Meta: Thellësisht i pikëlluar për vdekjen e Avni Mulës, kolosit të muzikës dhe artit shqiptar

Presidenti Ilir Meta ka shprehur mëngjesin e sotëm ngushëllimet e tij për vdekjen e kompozitorit Avni Mula.

Në një postim në mediat sociale, Presidenti shprehet se Mula ishte një personalitet i jashtëzakonshëm, një intelektual i spikatur dhe një figurë e dashur dhe respektuar nga të gjithë.

“Thellësisht i pikëlluar për ndarjen nga jeta të një prej kolosëve të muzikës dhe artit shqiptar, Avni Mula, personalitet i jashtëzakonshëm, intelektual i spikatur, model i përhershëm qytetarie, figurë e dashur dhe e respektuar nga të gjithë!”, shkruan Meta.

Më tej kreu shtetit shton se ikja e muzikantit është një humbje e madhe dhe i shpreh ngushëllimet familjarëve.

“Humbje e madhe që le pas shumë dhimbje! Në këto momente të vështira, jam pranë Invës, familjes së dashur Mula dhe komunitetit të artistëve! Ngushëllimet më të ndjera dhe i paharruar kujtimi i Tij! Lamtumirë Mjeshtër! U prehsh në paqen e merituar!”, përfundon Meta.

Lajmin për vdekjen e tij e dha Inva Mula, vajza e tij. Avni Mula ishte nderuar me titullin Artisti i Popullit dhe Nderi i Kombit. / KultPlus.com

Dua Lipa publikon këngën e re “Fever” me këngëtaren belge

Këngëtarja e njohur shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, ka lansuar këngën e re, të titulluar “Fever”.

“Fever” vjen si bashkëpunim i saj me këngëtaren belge Angele.

Kënga më e re e Lipës është publikuar në të gjitha platformat online të muzikës, ndërsa në Youtube ende nuk është publikuar videoklipi i saj.

Xhirimet e kryera në Londër, pritet të sjellin së shpejti edhe videon e tyre në këngë.

Teksti i këngës është gjysmë i kënduar në gjuhën angleze e gjysma në atë franceze. / KultPlus.com

Dumoshi për Avni Mulën: Artist i përmasave botërore por që vendit të tij të vogël i fali veprën e madhe muzikore

Ka ndërruar jetë mbrëmë kompozitori dhe baritoni i mirënjohur shqiptar, Avni Mula.

Lajmi u bë i ditur nga vajza e kompozitori, sopranoja e njohur Inva Mula, e cila përmes një statusi në rrjetin social Facebook njoftoi për vdekjen e të atit, duke iu referuar: Gjigandi jonë fluturoi në Valsin e Përjetësisë.

Për vdekjen e kompozitorit, sot ka shprehur ngushëllime edhe Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi.

Dumoshi e vlerëson lart artistin Mula dhe krijimtarinë e tij që sipas saj me dekada me radhë ka sjellë vepra të mëdha që do ti rezistojnë kohës e stileve.

 “Me pikëllim të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të Avni Mulës, babait e familjarit tuaj dhe artistit tonë të madh. Artisti i popullit e Nderi i Kombit Avni Mula qe tenor, mësues e pedagog, qe artist i përmasave botërore por që vendit të tij të vogël i fali veprën e madhe muzikore e cila do t’i rezistojë kohës e stileve”, shkruan Dumoshi e cila tutje shprehet se baritoni dhe kompozitori i njohur Avni Mula do të vlerësohet dhe nderohet për krijimtarinë e tij që me dekada me radhë ka sjellë jo vetëm në skenën operistike, por dhe në atë të këngës në festivale të ndryshme.

“Mjeshtri i madh Avni Mula ndërtoi pjesën më të madhe të jetës së tij artistike në Teatrin e Operës dhe Baletit të Shqipërisë por gjurma e tij muzikale do të mbesë e paprekur dhe përgjithmonë e nderuar kudo ku ka shqiptarë. Gjetsh dritën e përtejme në Valsin e Përjetësisë mjeshtër i madh!”. / KultPlus.com

Manastirliu: Armiku i vërtetë sot nuk janë njerëzit, është virusi

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu u shpreh sot se “kjo nuk është kohë për të qenë të përçarë”, ndërsa shtoi se “po harxhojmë shumë energji duke kërkuar lart e poshtë armiq imagjinarë, ndërkohë që armiku i vërtetë sot nuk janë njerëzit, armiku është virusi”.

“Nëse sfidojmë shkencën, komunitetin e mjekëve dhe të ekspertëve të shëndetit, i bëjmë një shërbim pandemisë duke rritur mosbesimin mes qytetarëve, dhe bashkë me të, edhe përhapjen e infeksionit”, tha Manastirliu.

Ministrja tha se “duke rendur në kërkim të fajtorëve pa faj dhe mbushur kokën e njerëzve me të pavërteta, i bëjmë një dëm shëndetit publik”.

“Kjo është një kohë kur ne politikanët duhet të heshtim dhe ekspertët duhet të flasin.
Unë dëgjoj vetëm këshillat e ekspertëve dhe profesionistëve dhe do t’ju lutesha të gjithëve, që të bëjnë të njëjtën gjë. Sot është koha për solidaritet dhe bashkëpunim, sepse askush nuk është i tepërt në luftën kundër COVID-19. Jam e sigurt që bashkë ia dalim”, tha Manastirliu. /atsh/ KultPlus.com

Nina Mula: Dashuria për Avniun, muzikën dhe gjuhën shqipe

Një pjesë nga intervista e realizuar në Tiranë në vitin 2000 e cila u botua më vonë me rastin e koncertit të sopranos Inva Mula, në New York

-A mund të na tregoni si u njohët me Avni Mulën, i cili do të bëhej partneri juaj në skenë e në jetë?
-Në vitin 1952, në konservatorin tonë erdhën një grup studentësh shqiptarë. Mes tyre ishte dhe Avni Mula. Në një koncert të madh, i cili edhe u filmua në disa dokumentarë, Avniu këndoi këngën e Simon Gjonit “Luleborë,” e cila u pëlqye shumë nga të gjithë. Djali i pashëm, elegant, i talentuar nga Shqipëria u bë i njohur në të gjitha rrethet brenda një periudhe të shkurtër. Jo vetëm Avniu , por edhe Shqipëria u bë e njohur prej tij, sepse ajo ishte vendlindja e tij. Një ditë pata rastin ta takoja edhe unë djalin që e mbanin në gojë pedagogë e studentë. Pata rastin të interpretoja me Avninë në dy pjesë, në “Palacio” të Leon Cavalos dhe në “Eugjen Onjegin” të Çajkovskit. Ne këndonim rusisht. Unë fillova ta ndihmoj në transhqiptimin e rusishtes. Miqësia jonë filloi e nuk vonoi të shndërrohej në dashuri. Vendosëm të martoheshim gjatë një rrëshqitjeje me slita. S’ishte një dasmë e kushtueshme, por ishte shumë romantike dhe e bukur. Edhe sot e kujtoj deri në detajet më të vogla atë natë të paharrueshme të jetës sonë.

-Ju hytë përsëri në një ambient të ri e krejt të panjohur. Si e përjetuat këtë ndryshim? Si u pritët nga miqtë e shokët e Avniut?

-Si çifti Mula shkuam në një udhëtim në Republikat Balltike. Aty u njoha me gjithë grupin e studentëve shqiptarë. Njoha Gjon (Xhon) Athanasin, Ibrahim Tukiçin, Zoica Haxhon, Milushe Bebeziqin, Ganimete Vendreshën, Agron Aliajn, Petrit Vorpsin. Shumë shpejt e gjeta veten pjesë përbërëse të këtij grupi. Ata më deshën po aq sa ç’i desha dhe unë. Kënga e parë që mësova pa ditur asnjë fjalë shqip qe “Dashnor t’u bana.”

-Zgjedhje me vend, pa dyshim. Ju dhe Avniu kishit si gjuhë të nënës dy gjuhë krejt të ndryshme nga njëra tjetra. A solli ky diferencim pengesa në fillimin e jetës bashkëshortore?

-Me Avniun s’patëm asnjëherë probleme gjuhe. Gjuha muzikore ishte gjuha më e rëndësishme për ne e për fat të mirë atë e zotëronim të dy në të njëjtën shkallë. Në Festivalin e fundit të Rinisë në Moskë, Avniu fitoi çmimin e dytë. Mua nuk më kujtohet përse nuk konkurrova, por ai konkurs ishte suksesi i parë muzikor për familjen tonë të re.

-Kur erdhët në Shqipëri për herë të parë? Si iu duk vendlindja e bashkëshortit?

-Ne u nisëm për në Shqipëri me vapor më 15 shtator 1957. Në të njëjtin vapor udhëtonte edhe Ansambli i Këngëve dhe Valleve. Pra ishim në një shoqëri të njohur e të mrekullueshme. Porti i Durrësit ishte i vogël dhe tepër i varfër, por unë s’pata kohë të hidhërohesha nga ky zbulim. Disa nga shokët tanë dolën me shpejtësi, para se të zbrisnim unë dhe Avniu dhe filluan të këndonin këngë dasme. Ia nisën me “E bukur na ka dal’ nusja.” Unë nuk i kuptoja fjalët, por ndjeja bukurinë e muzikës e ngrohtësinë e zërave të tyre. Ata më dhuruan edhe një tufë me lule. Në port kishte dalë për të na pritur edhe motra e madhe e Avniut. Ajo na mori në shtëpinë e saj, në Tiranë, se ne s’kishim vendbanim. Në mëngjes u nisëm për në Shkodër. Shtëpia e Mulave ndodhej në lagjen Zdrale. Ende s’e di pse quhej pisllëk. Atje çdo gjë ishte shumë e pastër. Në portën e shtëpisë na priste nëna e Avniut, një grua zonjë, të cilën e desha shumë. Me të s’patëm asnjëherë kontradikta, megjithëse u përkisnim kulturave e brezave të ndryshëm. Ajo më trajtoi gjithnjë mjaft mirë, edhe pse isha e huaj.
-Kur u kthyet në Tiranë?

-Në kryeqytet u kthyem shpejt, sepse filloi sezoni. Zumë vend në Hotel “Vjosa.” Jeta në hotel ishte e vështirë e me shumë mungesa, por ne u zhytëm në punë e s’kishim kohë të shihnim vështirësitë e banimit. Punonim me të gjitha energjitë tona për veprën “Jolanda” të Çajkovskit. Jolanda ishte përkthyer e unë duhet ta interpretoja në gjuhën shqipe. Tani ishte radha e Avniut për të më ndihmuar në shqiptim. Punoja shumë, por prapë ndihesha e shqetësuar. Një shoqja ime ruse, balerina e njohur dhe e famshme Biroska, më dërgoi një dhuratë të vogël. Ishte një elefant metalik. Ja, ky që sheh edhe sot në apartamentin tonë. Biroska kishte gdhendur aty dhe datën e premierës, 18-1-1958. Në traditën tonë elefanti është fatsjellës.
-A u vërtetua supersticioni në rastin tuaj?

-Oh, plotësisht!. Shfaqja qe sukses i plotë. E për mua suksesi ishte i dyfishtë; muzikor e gjuhësor. Interpretova një opera të njohur të vendit tim, por në një gjuhë që ende s’e njihja e s’e flisja lirshëm.

-A e mësuat shpejt shqipen? Ç ‘vështirësi hasët në përvetësimin e saj?

-Shqipen e mësova relativisht shpejt. E mësova më shumë përmes interpretimit të operave të ndryshme. S’di për çfarë arsye, por në Shqipëri edhe “Berberi i Seviljes,” “La Boheme,” “Peshkatarët e Perlave,” “Rigoleto” etj s’lejoheshin të interpretoheshin në gjuhët origjinale.

-Ndoshta më mirë për ju. U shtrënguat që në fillim të interpretonit shqip.

-Po , është e vërtetë.

-Në vitet ’50 në Shqipëri kishte mjaft rusë që punonin e banonin në vendin tonë. Gjuha ruse dëgjohej në rrugë, në restorante, radio, etj. Rusisht flisnin edhe shumë të huaj të ardhur nga vende të tjera komuniste. Kishe mundësi të shpreheshe në gjuhën amëtare kudo ku shkoje, apo jo?

-Kisha raste të shumta të flisja rusisht, por unë jetoja tani në Shqipëri e doja të flisja gjuhën e vendit. E quaj veten me fat që interpretova që në fillim në gjuhën shqipe veprat e kompozitorëve të njohur e të dashur për mua. Qe një përgatitje e duhur për të interpretuar edhe në operetën shqiptare “Lulja e Kujtimit” të kompozitorit Kristo Kono. Gjithsesi me Avniun vendosëm të flisnim shqip edhe kur ishim vetëm, në mënyrë që ta mësoja shpejt. Kështu unë flisja shqip në skenë dhe në shtëpi. Unë e mësova edhe shkodranishten për bukuri. Edhe sot e kësaj dite kur dal në pazar shitëset më ftojnë: “Eja shkodrane, bliji zarzavatet tek unë!”

-Pse zgjodhët dialektin e Shkodrës? Apo sepse burri dhe familja e tij vinin prej atij qyteti? Unë ndoshta do të zgjidhja “tironçen” dialektin e qytetit ku jetoja e punoja.

-Të mësosh gjuhë të huaja më duket se duhet talent. Të shqiptosh mirë, duhet të kesh vesh. Mua më pëlqente shkodranishtja me zanoret më të mbyllura, shumë afër belkantos, prandaj më duket se zgjodha këtë dialekt për të folur. Më duket se edhe shënimet që u lija fëmijëve për të kryer detyra të ndryshme, ua lija në gjuhën shqipe, si p.sh. “zbuloni kosin,” “futini ushqimet në frigorifer,” etj. Kur kthehesha i gjeja të korrigjuara fjalët e shkruara me gabime drejtshkrimore. Ishte një shkollë e mirë për mua. Mësova edhe ta shkruaja shqipen pa gabime.

-Pak vite pas ardhjes suaj në Shqipëri marrëdhëniet e ngushta të Shqipërisë me Bashkimin Sovjetik u acaruan e më vonë u ndërprenë plotësisht. Si e përjetuat ju prishjen e miqësisë me vendin tuaj të lindjes?

-Në vitet ‘60, kur po prisheshin marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik, unë ndodhesha në atdheun tim, në qytetin e lindjes, ku po përgatitej një koncert i madh. Më vjen një letër nga Avniu, në të cilën më shkruante të kthehesha sa më shpejt. Nuk kuptoja dot arsyen e këtij nxitimi. Bisedova me vëllain e vogël dhe ai më shpjegoi situatën. Më këshilloi të mendohesha mirë e më tha se nëse dëshiroja mund të qëndroja aty e të mos kthehesha më në Shqipëri. Ishte një ngjarje tronditëse. Unë e lashë koncertin e u ktheva me vaporin e parë që udhëtonte nga Odesa për në Shqipëri. Atje ishte Avniu, aty ishte familja ime, atdheu i fëmijëve të mi e tashmë edhe atdheu im.

-A jeni penduar ndonjëherë për zgjedhjen tuaj?

-Jo!. Edhe sikur ta rijetoja jetën time përsëri, atë zgjedhje do bëja sërishmi pa më të voglin hezitim. Më rëndoi ndarja me vëllezërit e motrën, po unë s’mund të jetoja pa fëmijët e Avniun. Kur u ktheva në Shqipëri fillova të punoj për sezonin e ri. Më dërguan bashkë me disa artistë të tjerë në Republikën Çekosllovake. Interpretuam pjesë operistike në Pragë, Bërno, Luhashevicë, etj. Ky ishte turneu ynë i parë operistik. Lavdërime, vlerësime nga kritikë e artdashës të shumtë. Disa madje shprehnin një lloj habie. “S’e dinim se opera e Tiranës ishte kaq e mirë,” ishte një refren që dëgjohej ngado. Disa herë kënduam edhe shqip dhe suksesi qe i njëjtë.

-U kujtohet vënia në skenë e operës “Lulja e Kujtimit”?

-Pa tjetër. Provat i filluam menjëherë pas kthimit nga Çekosllovakia. Unë isha e emocionuar të interpretoja në një opera të kompozuar nga një shqiptar. Dhamë shfaqje në Tiranë e pastaj edhe në Korçë, në vendlindjen e autorit. Më mbahet mend mjaft mirë se pas kthimit nga Korça marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik u prishën përfundimisht. Në fillim mendova se kjo shkëputje do të ishte e përkohshme. U dëshpërova dhe u bëra pesimiste. S’kishte asnjë mundësi për të vizituar vendin e lindjes e për të parë e takuar vëllezërit e motrat e mia, nipërit e mbesat e shumta. Edhe letrat ishin tepër të rralla, por gjithsesi ishte një gëzim i madh sa herë arrinin në shtëpinë tonë. Unë isha shumë e lidhur me familjen, me operën, me kolektivin. Unë s’mund të shkoja ndërmend të shkatërroja familjen. Vuaja vetë shpirtërisht, por pa u ankuar tek askush.

-Pas koncertit në Çekosllovaki a patët raste të tjera të jepnit koncerte jashtë vendit?

Pas prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik mua s’më nxorën më jashtë shtetit për koncerte.

-Kështu sukseset tuaja u kufizuan vetëm brenda vendit.
-Jo vetëm u ndërprenë vajtjet jashtë shtetit, por më 1966 u hoqën nga repertori i operas të gjitha veprat e huaja. Interpretimet e mia u kufizuan shumë. Ky ishte dëshpërimi im i dytë. Më vonë na detyruan të shkonim të jepnim koncerte në qytete e fshatra. Opera, ushqimi ynë kryesor, mori fund. Të gjitha veprat u hoqën. Tani duhet të interpretonim këngë e pjesë që shoqëroheshin me fizarmonikë, jo me orkestër. Avniu hoqi dorë nga opera dhe iu kushtua kompozimit gjithnjë e më seriozisht.

-Si e keni ndjerë veten gjatë këtyre pesë dekadave të qëndrimit në Shqipëri.

-Mirë, shumë mirë. Shqiptarët i respektojnë të huajt. E kam ndjerë gjithnjë në qenien time respektin e përkujdesjen e tyre. Kudo më jepnin pa radhë, më zgjidhnin perimet apo frutat më të mira. Kur jetonim me tallona, më jepnin diçka më shumë dhe më pyesnin cilën pjesë të mishit të therur preferoja.

-Ju ishit soprano e pas disa vitesh u bëtë edhe mëmë. Si mundët t’i pajtonit dy detyrat e rëndësishme të jetës suaj?

-Kur linda vajzën e parë, Adelinën, kërkova një dado, por ishte e pamundur të gjendej dikush që të punonte në orët e vona të pasdites e deri natën vonë, kur mbaronin shfaqjet tona. Kështu fëmijët tanë, Adelina në fillim e Inva më pas, u rritën skenave të operas dhe të teatrove , ku ne shkonim për turne të ndryshme.

-Çfarë kujtoni më me dhimbje nga periudha hoxhiste?

-Një merak më ka mbetur nga ajo kohë, dalja në pension në moshën 45 vjeçare, tamam atëherë kur isha në kulmin e arritjeve të mia. Po socializmi kështu e kishte. Mbushje moshën, dilje në pension…/illyriapress.com/ KultPlus.com

Kur Avni Mula i këndonte Valësit të Lumturisë (VIDEO)

Pak minuta më parë, Inva Mula përmes një statusi në rrjetin social Facebok njoftoi për vdekjen e babait të saj, Avni Mula, i cili njëherit edhe ishte ndër kompozitorët më të shquar shqiptar, shkruan KultPlus.

‘Gjigandi jonë fluturoi në Valsin e Perjetësisë!
Për një përshendetje me dorë në zemër, homazhet kryen nesër, 30 tetor, ora 11:00-13:00 në hollin e Universitetit të Arteve, Tiranë.
Avni Mula 04.01.1928 – 29.10.2020
‘, shkruante Inva Mula.

Ai ishte një nga figurat më të rëndësishme të historisë së teatrit operistik shqiptar. Një kontribut të veçantë ai e ka dhënë edhe në fushën e kompozicionit.

Është e njohur kënga e tij “Valsi i lumturisë”, të cilën KultPlus e sjell sonte.

https://www.youtube.com/watch?v=RZcOcSsNJog&ab_channel=jusa

Ndër interpretimet e spikatura në karrierën e tij mund të përmëndim ato në operat Mrika, Skënderbeu, Pranvera, Lulja e kujtimit, Heroina, Komisari, Jolanda, Berberi i Seviljes, La Traviata, Rigoleto, Kavaleria Rustikana, Karmen, Peshkatarët e perlave, La Boheme, Le nozze di Figaro, Simfonia IX e Bethovenit etj. / KultPlus.com

Inva Mula: Gjigandi jonë fluturoi në Valsin e Përjetësisë

Pak minuta më parë, Inva Mula përmes një statusi në rrjetin social Facebok njoftoi për vdekjen e babait të saj, Avni Mula, i cili njëherit edhe ishte ndër kompozitorët më të shquar shqiptar, shkruan KultPlus.

‘Gjigandi jonë fluturoi në Valsin e Perjetësisë!
Për një përshendetje me dorë në zemër, homazhet kryen nesër, 30 tetor, ora 11:00-13:00 në hollin e Universitetit të Arteve, Tiranë.
Avni Mula 04.01.1928 – 29.10.2020
‘, shkruante Inva Mula. / KultPlus.com

Vdes kompozitori dhe baritoni i shquar shqiptar, Avni Mula

Ka ndërruar jetë kompozitori dhe baritoni i mirënjohur shqiptar, Avni Mula.

Lajmi u bë i ditur nga vajza e kompozitori, sopranoja e njohur Inva Mula, e cila përmes një statusi në rrjetin social Facebook njoftoi për vdekjen e të atit, duke iu referuar: Gjigandi jonë fluturoi në Valsin e Përjetësisë.

‘Për një përshendetje me dorë në zemër, homazhet kryen nesër, 30 tetor, ora 11:00-13:00 në hollin e Universitetit të Arteve, Tiranë.
Avni Mula 04.01.1928 – 29.10.2020
‘, ka shkruar tutje Inva. / KultPlus.com

Ai ishte një nga figurat më të rëndësishme të historisë së teatrit operistik shqiptar. Një kontribut të veçantë ai e ka dhënë edhe në fushën e kompozicionit. Është e njohur kënga e tij “Valsi I lumturisë”.

Ndër interpretimet e spikatura në karrierën e tij mund të përmëndim ato në operat Mrika, Skënderbeu, Pranvera, Lulja e kujtimit, Heroina, Komisari, Jolanda, Berberi i Seviljes, La Traviata, Rigoleto, Kavaleria Rustikana, Karmen, Peshkatarët e perlave, La Boheme, Le nozze di Figaro, Simfonia IX e Bethovenit etj. / KultPlus.com

Giovanni Mele, prifti që përçoi me dashuri gjuhën e kulturën arbëreshe

Pa i ndarë kurrë nga njera-tjetra dashurinë për zotin dhe kulturën e vendit të origjinës Imzot Giovanni Mele, mbetet një nga figurat më të rëndësishme arbëreshe.

I lindur në fshatin arbëresh Acquaformoza (Firmoza) në tetor të 1885-s ai studioi në Cassano, më vonë në Kolegjin Grek në Romë.

Gjatë viteve të rinisë dhe formimit teologjik ishte mjaft i zellshëm, shumë i vëmendshëm dhe i vendosur për jetën e kushtuar Zotit, Kishës, njeriut dhe shugurohet meshtar më 7 qershor 1908. Gjatë viteve 1908 – 1913 ishte famullitar në Civita (Çifti), pastaj në Ungër (Lungro) në vitet 1913 – 1919.

Emërohet ipeshkëv – epark më 10 mars 1919. Gjatë shërbimit të tij të gjatë dhe besnik baritor, dallohej në zell, përkushtim dhe kujdes atëror.

Në qarkoren e tij të parë baritore ai kishte kërkuar prej klerit ndihmë dhe bashkëpunim për udhëheqjen sa më të mirë të eparkisë.

Në vitin 1922, pasi kishte vizituar të gjitha famullitë, shkroi “Letrën baritore”, ku kishte theksuar sidomos dy gjëra: ruajtjen dhe kultivimin e traditës dhe të ritit grek-bizantin (lindor) dhe gjuhën arbërishte-shqipe.

Në vitin 1925 ka filluar botimin e Fletushkës ipeshkvore të Ungrës. Më vonë, në vitin 1940, organizohet në Grottaferrata Sinodi ndërdioqezan, ipeshkvia e Ungrës, Horës së Arbëreshëve (Piana degli Albanesi) në Sicili dhe Abacia e Grottaferratës.

Imzot Giovanni Mele ishte pjesëmarrës aktiv në Koncilin e Dytë të Vatikanit. Atë Vinçenc Matrangola e kishte definuar si “Njeri të qëlluar të Provanisë së Zotit, i fesë së gjallë dhe të dashurisë së krishterë”.

Ai ishte edhe shkrimtar, poet, njeri i kulturës dhe krijimtarisë. Poezitë e tija janë të shkruara në gjuhën shqipe dhe italishte, si uratë, kërkim i Zotit, shërbim ndaj Kishës dhe njeriut, me plot fe dhe përkushtim.

Mbi të gjitha Imzot Giovanni Mele ishte njeri i thjesht dhe shumë i përvujt. Në 80 vjetorin e lindjes së tij, ai ndër të tjera kishte thënë kështu: “Bëra atë që ma ka mundësuar dobësia ime dhe hiri i Zotit”.

Kaloi në amshim më 25 qershor 1979. Pasardhësi i tij, imzot Giovanni Stamati, në varrimin e Mons. Giovanni Mele tha: “Imzot Giovanni Mele ishte Njeri i Zotit, Kishës, popullit Arbëresh…, duke ndihmuar që me një zë dhe zemër të lavdërohet Hyji”. /diasporashqiptare/ KultPlus.com

Shkencëtarët: Mbroni natyrën ose përballuni me pandemi më vdekjeprurëse se Covid-19

Bota është futur në një “epokë pandemish” dhe nëse shkatërrimi i natyrës nuk ndalet, më shumë të tilla do të përhapen shpejt duke vrarë akoma më shumë njerëz. Kjo sipas një raporti të ri të përgatitur nga shkencëtarë të lartë që veç impaktit në njerëz, pasojat do t’i ndjejë edhe ekonomia globale.

Përhapja e sëmundjeve si Covid-19, gripi i shpendëve apo HIV-i ka ardhur nga kafshët e egra dhe është nxitur nga dëmtimi i tokave ku jetojnë këto specie, duke i sjellë njerëzit akoma më afër me to, sipas ekspertëve.

Në raport thuhet ndër të tjera: Rreziku nga pandemitë po rritet me shpejtësi të madhe. Më shumë se 5 sëmundje të reja rrezikojnë njerëzit çdo vit, dhe secila prej tyre ka potencial që të kthehet në pandemi. Vlerësohet se janë më shumë se 500,000 viruse të panjohura në gjitarë dhe zogj që mund të infektojnë njerëzit.

Peter Daszak, kryetari i grupit të thirrur nga Platforma Ndërqeveritare e Politikës së Shkencës për Biodiversitetin dhe Shërbimet e Ekosistemit, u shpreh:

“Nuk ka mister të madh rreth shkakut të pandemisë së koronavirusit, apo të çdo pandemie moderne. Të njëjtat aktivitete të njerëzve që mund të shkaktojnë ndryshimet klimaterike dhe humbje të biodiversitetit, mund të rrisin rrezikun e pandemive me impaktin që kanë në mjedis.

Ndryshimet në mënyrën sesi ne e përdorim tokën: zgjerimi dhe intensifikimi i agrikulturës, dhe tregtia e paligjshme,…dhe rritja e kontaktit mes njerëzve dhe jetës së egër, bagëtive e patogjenëve. Kjo është rruga drejt pandemive. Është e mundur që të shpëtojmë nga epoka e pandemive, por për këtë duhet ndryshim në mënyrën sesi përgjigjemi. Nga marrja e masave dhe zhvillimi i vaksinave, të kalojmë në parandalim të sëmundjeve.”

Ndërsa, Andy Jones, profesor i shëndetit publik nga Universiteti i Anglisë Lindore, tha:“Humbja e biodiversitetit, ndryshimi i klimës, tregtia ndërkombëtare dhe rritja e pakontrolluar e popullsisë po krijojnë kushte që e bëjnë të paevitueshme një pandemi tjetër globale. Nëse nuk ndërmerren veprime urgjente, pyetja nuk është nëse do të shohim një pandemi tjetër si Covid, por thjesht kur do të ndodhë?” /abcnews.al/ KultPlus.com

Nesër në Teatrin ‘ODA’ mbahet panel diskutimi mbi teatrot e Kosovës para, gjatë dhe pas pandemisë

Në ambientet e Teatrit ‘ODA’ do të mbahet një panel diskutimi nesër duke filluar nga ora 10:00, fokusi i të cilit do të jetë nga një raport i shkruar kohët e fundit që hedh dritë mbi situatën artistike, financiare dhe administrative të teatrove të qytetit në dekadën e fundit.

Ku poashtu do të shpalosen të dhëna në lidhje me teatrot që mbledhin punën e tyre së bashku me arritjet e raportit. Detajet rreth funksionimit të tyre shpalosen së bashku me rekomandimet e drejtuesit të teatrit.

Pas prezantimit të raportit, folësit do të ndajnë pikëpamjet e tyre mbi kinematë gjatë pandemisë. Përfaqësuesit e teatrove publike dhe atyre të pavarura së bashku me ata nga Ministria e Kulturës do të ndajnë mendimet e tyre.

Ndërkaq, pjesë e panelit do të jenë Vlora Dumoshi, Florent Mehmeti dhe Erson Zymberi nën moderimin e Shaban Maxharrajt. / KultPlus.com

Shkolla ta mëson jetën, feja vdekjen

Nga Nezik Kraki

Pa asnjë tentim apo dëshirë për polemikë, thellësisht mendoj që dallimi në mes shkollës dhe fesë është bazik:Shkolla mëson dhe aftëson për jetën (vullnet)

-Feja mëson dhe përgatit për vdekjen (frikë)
-Tash, cila i duhet më shumë një rë riu, jeta apo vdekja, ëndrra për më mirë në Tokë apo frika nga zjarri i ferrit në Qiell? Shembulli i një qytetari të suksesshëm dhe të dobishëm në shoqëri apo shembulli i një të stagnuari që projekt jetësor e ka “vdekjen e suksesshme”?

Kam respekt për secilën fe edhe pse ato i krijoi njeriu për kontrollin e njeriut. Zoti nuk ka pasë kurrë ambicie politike apo kontrolluese. Poashtu, mendoj se fetë e kanë ndihmuar në disa momente njerëzimin të organizohej apo të qytetërohej por asnjëherë s’e kanë lejuar njeriun të çlirohej.

Sot jemi në hall si t’ia dalim që të jetojmë normalisht, në shoqëri e rreth me individë të përgjegjshëm dhe të lirë. Nuk kemi kohë ta studiojmë vdekjen se ferrin e kemi këtu dhe këtë ferr duhet ta përmirësojmë.

Nuk më duhen asgjë personat e sjellshëm pas vdekjes. I dua të sjellshëm dhe të suksesshëm para vdekjes. Dua fëmijë të urtë e të suksesshëm tash, që jeta e tyre të nisë me ëndrra që mund të realizohen. Dua fëmijë që do ta përmirësojnë ferrin në tokë dhe do përpiqen për jetë të susksesshme, jo fëmijë që veç do konstatojnë mangësitë e kësaj bote duke shpresuar në “vdekje të suksesshme”.

Çka i duhet njohuria frikësuese e zjarrit dhe e denimeve hyjnore një të riu sot? A janë familja dhe shkolla ata që duhet t’ia mësojnë atij bazat e sjelljes në shoqëri?

Atëherë, një i ri që ka familje dhe/ose shkollë ku edukohet, nuk ka nevojë për mësim përmes frikës as për mësim për vdekjen. Jam i idesë se edhe njohuritë rreth feve duhet të mësohen në shkolla, por si njohuri jo si praktikë. Dhe kur secili të jetë 18 vjeç e sipër atëherë le te çmenden nëse duan.

Ndërkohë, në pritje të vdekjes, a na lejoni të jetojmë ju lutëm dhe ta tregojmë veten në këtë jetë? Dhe, mos i flisni fëmijëve për vdekjen as për gjëra që njeriu kurrë s’i kuptoi.

…Sepse vdekja kurrë s’mund të jetë projekt jetësor.
Zoti ju paftë! / KultPlus.com

https://www.facebook.com/nkraki/posts/10224751807962198