Skandalet e fundit në Francë kanë tronditur gjithë botën, duke bërë kështu që edhe liderët e vendit tonë të reagojnë e të shprehin mendimet e tyre në lidhje me këto krime, shkruan KultPlus.
E para e kuvendit, Vjosa Osmani ka reaguar përmes një statusi në rrjetin social Twitter, ku është shprehur se krime të tilla duhet të dënohen dhe se liria e shprehjes e toleranca fetare janë vlera të cilat duhet t’i shohim tek lulëzojnë në gjithë botën.
‘Liria e shprehjes dhe toleranca fetare janë vlera që ne i ushqejmë, kultivojmë dhe duam t’i shohim të lulëzojnë në të gjithë botën. Krimet skandaloze në Francë shkojnë kundër këtyre vlerave pa kompromis dhe ne të gjithë duhet t’i dënojmë ato. Terrorizmi dështon kur të gjithë qëndrojmë të bashkuar kundër tij’, ka shkruar Osmani. / KultPlus.com
Pak kohë më parë këngëtarja shqiptare, Ava Max publikoi këngën ‘OMG What’s happening’, këngë kjo, videoklipin e së cilës e ka lansuar sot, shkruan Kultplus.
Kënga është e pesta në radhë të albumit të saj të fundit, ndërkaq, videoklipi është cilësuar tejet i veçantë nga mediet ndërkombëtare. Xhirimet e janë kryer në shkretëtirat e Amerikës, teksa regjisore e klipit është Hannah Lux Davis.
Aktualisht, “Heaven and Hell” është albumi i tretë më i dëgjuar i vitit në platformën Spotify, i publikuar nga një artiste femër. / KultPlus.com
Legjenda e muzikës, Elton John, ka folur publikisht me Dua Lipën gjatë një videoje live në Instagram ku nuk ka ngurruar të lavdëronte publikisht Duan për albumin e saj më të ri, “Future Nostalgia”.
Ai e cilësoi si albumin më të mirë të këtij viti dhe ndër të tjera zbuloi dhe këngën e tij të preferuar.
“Ndërkohë që ti po më interviston…Unë dua të të them se ke bërë një nga albumet më të mira të këtij viti, ‘Future Nostalgia’.
Njerëzit donin diçka argëtuese dhe çdo këngë e albumit është fantastike. Ne nuk ndalim së dëgjuari. Djemtë e mi e pëlqejnë shumë, David gjithashtu e adhuron”, u shpreh Elton John.
Ai shtoi se në albumin e saj, Dua ka tre hite dhe se ‘Levitating’ është e preferuara e tij. / KultPlus.com
Filmi ‘Zana’ i cili tashmë suksesin në arenën ndërkombëtarë veçse e ka dëshmuar, tashmë do të ketë edhe premierën në Festivalin e Filmit ”Eastern Neighbours’ në Holandë, shkruan KultPlus.
Festivali prestigjioz pritet të mbahet online duke filluar nga 4 nëntori i këtij viti.
Për të gjithë ata që jetojnë në Holandë, biletat mund t’i sigurojnë në linkun e bashkangjitur më poshtë.
Filmi trajton një temë shumë të ndjeshme, ku personazhi kryesor i luajtur nga Adriana Matoshi, e përhumbur nga e kaluara e saj e shtypur prej kohësh dhe e trysnuar nga familja për të kërkuar trajtim nga shëruesit mistikë për infertilitetin e saj, një grua kosovare që përpiqet të pajtojë pritjet e mëmësisë me një trashëgimi të brutalitetit të kohës së luftës. / KultPlus.com
Në Kosovë situata epidemiologjike po tregon sinjale të përkeqësimit, pasi të enjten (29 tetor) janë konfirmuar 284 të infektuar me koronavirusin e ri. E nëse vendi vazhdon me këtë trend, Kosovën sipas mikrobiologut, Lul Raka mund ta pres një dimër i vështirë.
“Do të jetë dimër i rëndë. Do ta kalojmë. Bashkë i kemi kalua edhe disa dimra tjerë. Urojmë që ta kalojmë me sa më pak viktima”, ka deklaruar Raka.
Raka i ftuar në ‘Frontal’ tel Arsim Lani është shprehur se mbyllja totale e vendit mbetet opsioni i fundit. Megjithatë, Raka ka thënë se cilido subjekt afarist, qoftë kafieri që nuk i respekton masat anti-Covid, duhet të mbyllet, transmeton KultPlus.
Ai po ashtu tregon edhe për rastet kur një komunë apo zonë e caktuar paraqet rrezik të përhapjes së Covid-19.
“Kushdo që nuk i respekton masat, duhet të mbyllet. Bordi ka propozuar që të ketë adresim të problemit në mënyrë propercionale. Grupi i parë, nëse janë më pas se 200 raste në 100 mijë banorë brenda një jave atëherë është kategori e gjelbër. Në këtë rast rritet puna e inspektoratit e akterëve të tjerë. Pra rritet mbikëqyrja. Në zonën e portokalltë është nëse brenda një jave janë mbi 200 raste në 100 mijë banorë. Në zonën e portokalltë është Prishtina. Mendojmë se adresimi i masave të parandalimit duhet të jetë proporcional. Ne kemi propozu që nëse ka përhapje të madhe në komunitet të mbyllen shkollat ku ka raste”, thotë Raka.
Raka është shprehur se rastet e fundit kanë qenë raste të pritshme. Thotë se këtë situatë ekspertët e kanë paralajmëruar qysh para gjashtë muajve. Thotë se mbyllja totale mbetet opsioni i fundit.
“Ecuria ka shku shumë ma mirë se që e kemi parashikua tek shkollat. Sistemi i tre ngjyrëshit ka shkuar shumë mirë. Përkeqësimi i motit e rritë numrin e rasteve, dhe elementi i tretë është sezoni i gripit. Rritja është e dukshme ditëve të fundit. Rreziku më i madh i përhapjes së Covidit është në kafiteri”, ka deklaruar Raka.
“Ditëve të fundit e kemi pa që edhe në Kosovë që përveç kafiterive, kemi pa që numër të konsiderueshëm të infektimeve me Covid ka pasur edhe në administratë”, ka deklaruar tutje Lul Raka. / KultPlus.com
“Kori i botës” në Hamburg bashkon njerëz dhe këngë nga të gjitha rajonet e botës. Identiteti, shtëpia dhe shpresa, janë temat kryesore në këtë event.
Në Elb-Filharmoninë e Hamburgut, në koncertin e mbajtur thuajse në çdo vit, mes të cilash kishte edhe vlera kulturore shqiptare, edhe në këtë vit Hava Bekteshi do të përfaqësojë në mënyrën më të mirë kulturën shqiptare përmes çiftelisë në Elb-Filharmoninë e Hamburgut në Gjermani, e cila pritet të mbahet shumë shpejt, transmeton KultPlus.
Duhet theksuar se Hava Bekteshi është femra shqiptare e suksesshme, e cila jeton në Hamburg të Gjermanisë, ku përtej profesionit të saj si ekonomiste, ajo tashmë është bërë e njohur për publikun gjerman dhe shqiptar edhe përmes instrumentit të saj, çiftelisë.
Me talentin e saj, Hava ka arritur të depërtojë mjaft mirë, me paraqitjen muzikore në Filarmoninë e famshme të Hamburgut (Elbphilarmonie), duke u bërë shqiptarja e parë, e cila ka futur instrumentin tonë në Filarmoni. /albinfo/ KultPlus.com
U vonova nënë e avionin s’munda ta kap dot Aerportit si fëmi i erdha rrotull unë duke qarë Dhe qiellit sy përlotur i bërtita me zë të fortë A ka një zog mbi krahë këtu të më marrë
U vonova nënë ti me shpirtin tënd po lufton Ora e jetës pa mëshir mbrapsht filloi rrotullimin Në shtratin e vdekjes me sy fëmijët kërkon Dhimbja po ta fik buzëqeshjen e gëzimin
Të lam nuse të re nënë kur shkuam ne a`therë Me gërshetin e gjatë një nga një na përcolle Me nallanet e drunjta kur u ndam atë pranverë Një trëndafil të bardh për secilin nga ne mbolle
Sa vite shkuan nënë, e ti thoje s’mund të vij atje Në tokën tënde bijë, je zonjë vetëm atje ke vlerë Por mua sot pran vetes, pran shpirtit nuk më ke Dhe as unë s’do të kem për të gjithë vitet e tjerë
U vonova nënë e gjallë dot s’të gjeta ty o zot E putha me lot shtratin e qava mbi rrobat e tua Ah nënë se c’ndjeva me fjalë une s’mundem dot Pse t’lam vetem nënë pse shkuam n’dhe të huaj
U vonova nënë duart sti putha, s`të mbajta erë Kam mbetur si një lis erës e stuhis atje rrëzuar Ah nënë të lutem zgjohu e sërish në krah më merr Të ndihem fëmijë e vogël, si dikur prej teje llastuar
U vonova nënë e n’shtëpin e fundit s’të përcolla Veten mallkova pse në jetë u takuam ne aq rrall Kujtimet e dhimbjen mes tufës me lule unë ta solla E mes lotësh të lutem falmë ma bëj hallall. / KultPlus.com
Është opinioni i përbashkët dhe i shpërndarë në Hollywood, që pas moshës 50 vjeçare fillon rënia e çdo aktori. Rolet më të mira nuk të ofrohen më, regjisorët dhe producentët nuk janë më aq shumë entuziastë për idenë e të pasurit në shesh xhirim.
Por, Julia Roberts sot, 28 tetor, mbush 53 vjeç dhe është dëshmi e gjallë që mosha është thjesht një numër.
“Kam edhe unë pasqyrë, por nuk jam e fiksuar me idenë e bukurisë me çdo kusht. Dikush ka thënë se deri në moshën 40 vjeçare, vishe jetën tënde me fytyrën tënde, më pas fillo t’i veshësh jetën tënde fytyrës, gjë që do të më çojë të kem një fytyrë të lezetshme, sepse jam e lumtur me jetën time”, është shprehur ajo.
Julia Fiona Roberts mbetet një nga aktoret me buzëqeshjen më magjepsëse të Hollywood, një nga gratë më të fuqishme të showbiz-it dhe ndoshta një nga kandidatet për çmimet e ardhshme Oscar. / KultPlus.com
Kofi Anann ishte sekretari i shtatë i Kombeve të Bashkuara përgjatë viteve 1997-2006, i cili pati një rol kyç për t’i dhënë zë krimeve që po ndodhnin në Kosovë përgjatë luftës së fundit, shkruan KultPlus.
Ai tërhoqi vëmendjen ndërkombëtare nëpërmjet vizitës së tij dhe pastaj shpalosjes së gjendjes reale të Kosovës dhe ashtu siç ai e quajti, të mos përsëritet historia e njëjtë sikurse në Bosnjë.
Mirëpo, ai shkoj edhe më tej. Kosova dhe lufta e saj zuri vend edhe në librin e tij autobiografik “Një jetë në luftë dhe paqe”.
Ndërkaq të njohura janë edhe thëniet e tij, që KultPlus ua sjell disa prej tyre:
Ne mund të kemi fe të ndryshme, lëkurë me ngjyra të ndryshme, por të gjithë i përkasim një race njerëzore.
Kur gratë lulëzojnë, e gjithë shoqëria përfitojnë dhe brezave pasardhës iu jepet një fillim më i mirë në jetë.
Të jetosh është të zgjedhësh. Por për të zgjedhur mirë, duhet të dish kush je dhe për çfarë qëndron, ku do të shkosh dhe pse dëshiron të arrish atje
Barazia gjinore është më shumë se një qëllim në vetvete. Është një parakusht për të zvogëluar sfidën e varfërisë, promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm dhe ndërtimin e qeverisjes së mirë.
Dhuna ndaj grave është një ndër shkeljet më të turpshme të të drejtave njerëzore dhe është ndoshta më e përhapura. Nuk njeh kufij të gjeografisë, kulturës apo pasurisë. Për sa kohë që vazhdon, ne nuk mund të pretendojmë të bëjmë përparim real drejt barazisë, zhvillimit dhe paqes.
Edukimi është një e drejtë njerëzore me një fuqi të jashtëzakonshme për t’u transformuar. Mbi bazën e saj mbështeten gurët themelet e lirisë, demokracisë dhe zhvillimit të qëndrueshëm njerëzor./KultPlus.com
Numri i koalave në të gjithë shtetin australian Uellsi i Ri i Jugut, është në rënie të qëndrueshme për shkak të stresit në sistemin e tyre imunitar të shkaktuar nga shkatërrimi i habitatit dhe zjarret, sipas një studimi të ri.
“Pastrimi masiv i tokës, humbja e habitatit nga zjarret dhe valët e nxehtësisë, çuan që sistemi imunitar i koalës të mbingarkohej nga një presion shtesë”, theksoi autor i studimit, Edward Narayan, transmeton atsh.
“Të dhënat tregojnë se koala po operon në kufirin e sipërm të pragut fiziologjik për të përballuar ndryshimet mjedisore”, theksoi ai.
Ai zbuluan se popullatat kanë rënë në mënyrë të vazhdueshme kryesisht për shkak të sëmundjeve, më e zakonshmja prej të cilave është klamidia, ndaj së cilës ato janë bërë më të ndjeshme për shkak të “ekspozimit të zgjatur ndaj faktorëve stresues”.
Studimi, i botuar të mërkurën në revistën ”PLOS ONE”, paralajmëronte se trauma dhe sëmundjet mjedisore po e shtynin koalën “në prag të zhdukjes”. / DPA / KultPlus.com
Fondi Evropian për Ballkanin (EFB) ka nisur iniciativën “Pema e Miqësisë” e cila do të përfshijë mbjelljen e 400 pemëve në të gjitha kryeqytetet e Ballkanit Perëndimor. Ideja pas saj është që të kompensohet dëmi nga emetimet e CO2 të cilat ndodhën për shkak të udhëtimeve në 2019. Qëllimi i këtij veprimi është të tregoj se duke marrë përgjegjësi individuale, mund të bëhet një ndryshim në nivelin lokal dhe rajonal.
Pemët do të mbillen njëkohësisht, më 30 Tetor, në Beograd, Shkup, Prishtinë, Tiranë, Podgoricë dhe Sarajevë, me partnerë të shumtë lokalë që kanë treguar gatishmërinë për mbështetje vullnetare dhe logjistike.
“Kjo ngjarje ka për qëllim që të rrisë ndërgjegjësimin e qytetarëve të rajonit të Ballkanit në lidhje me pasojat e veprimeve të tyre individuale në ndotjen e mjedisit. Ne jemi shumë të kënaqur që kemi vendosur bashkëpunim me partnerët relevantë të nivelit lokal në promovimin e kësaj çështjeje”, shpjegoi Aleksandra Tomanić, Drejtore Ekzekutive e EFB.
“Rrethanat e vazhdueshme të lidhura me pandeminë na kanë parandaluar që të përfshijmë qytetarë në këtë aktivitet, siç ishte planifikuar fillimisht, por mesazhi kryesor mbetet, domethënë rëndësia e vendimeve të çdo individi, siç është zgjedhja e një mjeti transporti të ndërgjegjshëm për mjedisin, për për të ndihmuar veten dhe të tjerët ”, shtoi Katarina Tadić, Menaxhere e Programit EFB.
Përveç rëndësisë simbolike dhe motivuese të kësaj ngjarje, organizatorët kanë vendosur që të rrisin ndërgjegjësimin edhe për ndotjen gjithnjë e më të zakonshme të ajrit në vendet e rajonit:
“Vitin e kaluar, qytetet në rajon kanë pushtuar në mënyrë të përsëritur listat e qyteteve më të ndotura në botë, dhe për këtë arsye është e rëndësishme të ndërmerren hapa të përbashkët dhe konkretë drejt parandalimit të përsëritjes së kësaj. Mbjellja e pemëve është një nga hapat më të thjeshtë dhe më të rëndësishëm në këtë drejtim”, theksoi Tadić.
Një rëndësi e veçantë e aksionit “Pema e Miqësisë” është lidhja dhe veprimi i përbashkët rajonal nga organizatat që merren me aktivizëm, me shumë përvojë pune në komunitetet lokale: Për Sarajevën e Pastër dhe të Bukur nga Sarajeva, Instituti i Menaxhimit të Territorit dhe Mjedisit nga Tirana, Sbunker/truAktiv nga Prishtina, Smog Alarm, Air Care dhe Treebank nga Shkupi Shkupi, OZON nga Podgorica dhe E Drejta për Qytetin, Pyjet Këndojnë dhe Rrugë për Çiklistët nga Beogradi.
Në Prishtinë, më 31 tetor nga ora 11:00 do të mbjellën 60 pemë në lokacione të ndryshme të qytetit nga aktivistët e komunitetit truAktiv, kështu duke ndikuar në ndërgjegjësimin e njerëzve të cilët jetojnë në Prishtinë dhe Kosovë për mbrojtjen e ambientit dhe pasojat e veprimeve të tyre individuale dhe ndotjes të ajrit. / KultPlus.com
Edhe pas vdekjes, këngëtarja Whitney Houston vazhdon të bëjë histori, pasi, për herë të tretë, një nga albumet e saj merr një disk diamanti.
Këtë herë bëhet fjalë për diskun ”Whitney”.
Kujtojmë se statusi i një disku diamanti barazohet në milionat e albumeve të shitura.
I njëjti status u mor nga Whitney Houston në vitin 1985 dhe me albumin ”Bodyguard”.
Kjo është hera e parë që një artiste afro-amerikane arrin një rekord të tillë.
Houston, e cila vdiq tragjikisht në 2012 në moshën 48-vjeçare, ka kaluar gjithashtu një tjetër rekord historik: mbi një miliard shikime në YouTube për këngën ”I Will Always Love You” të vitit 1992. /atsh/ KultPlus.com
Nesër do të organizohet hapja e ekspozitës “Dhuna nuk fshehet mrena mureve” nga Rrjeti i Grave të Kosovës përpara Teatrit Kombëtar të Kosovës, duke filluar nga ora 10:00 e deri më 16:00, shkruan KultPlus.
Ekspozita do të sjell rrëfime reale të grave dhe burrave të cilët ishin viktimë të dhunës në familje, duke pasur synim vetëdijesimin e qytetarëve për ndalim të këtij fenomeni negativ të shoqërisë. Në të njëjtën kohë kjo ekspozitë do të njoftoj publikun e gjerë se në rast të përballjes me dhunë ku duhet të mbështeten dhe si të kërkojnë ndihmën institucionale.
Ekspozita vjen me një emërtim simbolik “Dhuna nuk fshehet mrena mureve” me qëllim të ndërrimit të mentalitetit se ajo çfarë ndodh në një familje duhet të qëndroj përbrenda mureve të tyre. Në këtë formë synohet zëvendësimi i saj me ndihmë e mbrojtje ndaj çdo viktime, pa i lënë ato në neglizhencë.
Përgjatë kohës së pandemisë rastet e dhunës në familje janë rritur, ku në periudhën kohore mars-qershor në Kosovë janë raportuar rreth 40% më shumë raste në Policinë e Kosovës, ndërkaq ky numër mund të jetë më i madh edhe nga ata të cilët nuk e raportuan dhunuesin.
Kjo ekspozitë që është hapur edhe në vitin 2019 në Sheshin “Skënderbe”, përkrahet nga Bashkimi Evropian (BE) përmes UN Women (Women#EVAW) dhe Agjencioni Austriak për Zhvillim (ADA). / KultPlus.com
“Dritë…për nesër” titullohej koncerti homazh i organizuar mbrëmjen e djeshme nga bashkia e Tiranës për viktimat e shkaktuara nga pandemia COVID-19 në Shqipëri.
E ftuar e veçantë në këtë koncert ishte sopranoja e mirënjohur Linda Kazani, por dhe emra të tjerë të muzikës operistike, si sopranot Marina Kurti, Elira Hoxha e Anita Kerhani, si dhe dy baritonët Artur Vera dhe Erjon Sherri, të shoqëruar nga kori dhe orkestra e këtij Universiteti.
Sheshi përpara Universitetit të Arteve u ndriçua nga qirinjtë në nder të të gjithë atyre që kanë humbur jetën nga sëmundja që ka prekur mbarë globin.
Që në muajin mars, kur u shënua rasti i parë me COVID-19 në vendin tonë, deri ditën e sotme e kanë humbur betejën me virusin vdekjeprurës 493 persona. /atsh/ KultPlus.com
Ministrja për Kulturë, Rini dhe Sport, Vlora Dumoshi sot ka qenë në qytetin e Ferizajt bashkë me zëvendësministrat Halil Matoshi e Qazim Rrahmani dhe është pritur nga kryetari i kësaj komune Agim Aliu. Me këtë rast është përuruar kompleksi i fushave të tenisit dhe është vënë gurthemeli i Pallatit të Kulturës, shkruan KultPlus.
Nëpërmjet një postimi në profilin e saj në facebook, ministrja Dumoshi ka bërë të ditur se fushat e tenisit janë një investim në vlerë prej 100 mijë eurove.
Tutje ajo ka treguar se Pallati i Kulturës që sot ju vu gurthemeli, është i pari i këtij lloji në Kosovë.
“Bashkë me Kryetarin dhe aktorët e Teatrit të Ferizajt vëmë edhe gurthemelin e vendit ku po ngrihet Pallati i Kulturës, i pari i këtij lloji në Kosovë për nga kapaciteti dhe shtrirja e veprimtarive, gjithashtu i përkrahur financiarisht nga MKRS”, ka shkruar Dumoshi.
Ajo ka bërë të ditur se në Pallatin e Kulturës do të zënë vend qendra rinore, teatri dhe biblioteka e këtij qyteti.
Qëndrimin në Ferizaj, Vlora Dumoshi e ka vazhduar duke vizituar palestrën sportive “Bill Klinton”, për shqyrtim të nevojave dhe përmirësimeve të duhura./KultPlus.com
Si kurrë më parë, njerëzimi ka njohur përdorimin masiv të maskave, për shkak të përhapjes së pandemisë. Por vetë akti i përdorimit të tyre mund të sjellë pasoja negative për ambientin.
Sipas një studimi të shërbimit shëndetësor belg, maskave kirurgjikale që përdorim zakonisht në çdo cep të botës i duhen rreth 450 vjet për t’u dekompozuar. Një periudhë e gjatë për një sasi edhe më të madhe maskash, miliarda çdo ditë, që rrezikon të ndotë edhe më shumë oqeanet e planetit.
Sasia i shtohet rreth 8 milionë tonelatave plastike që përfundojnë në det çdo ditë dhe që po asfikson gjallesat e detit, por në mënyrë indirekte mund të përfundojë edhe në tavolinat tona. \ A2news/ KultPlus.com
Dy instrumentistë shqiptarë mbrëmjen e kaluar ishin protagonistë të një koncerti të organizuar në Sanntiago de Compostela (Spanjë).
Violinisti Florian Vlashi dhe Maniola Camuset – Trebicka kishin përzgjedhur Sonatë nga M. del Adalid si dhe një sërë veprash nga J. De Monasterio, E Osterbeger dhe E. Granados. Violinisti shqiptar ia kushtoi koncertin të atit regjisor, përkthyes dhe shkrimtar Gjergj Vlashi, i cili ndërroi jetë tre javë më parë në Durrës.
Numri i kufizuar i shikuesve në sallë për shkak të protokollit të pandemisë, nuk i pengoi artistët që të interpretojnë një koncert të dytë në të njëjtën mbrëmje, duke iu përgjigjur kërkesave të publikut.
Mes shikuesve nuk mungoi ambasadori i Shqipërisë në Spanjë, Gazmend Barbullushi.
Pianistja Manjola Camuse Trebicka prej vitesh e zhvillon karrierën e saj artistike në Paris. Violinisti Florian Vlashi që nga viti 1992 është instrumentist në Orkestrën Simfonike të Galicisë (Spanjë), si dhe organizon në Durrës “Bienalen Netët e Muzikës Klasike”./atsh/ KultPlus.com
Festivali Ndërkombëtar i Monodramës në Kosovë “MonoAKT” ka përfunduar mbrëmë me sukses edicionin e XII, shkruan KultPlus.
“MonoAKT” është ndër festivalet e veçanta dhe shumë të suksesshme ndërkombëtare që në përmbajtjen e vet ka tri Festivale: MonoAKT, MonoStripi dhe MonoAKT+.
Juria ndërkombëtare në natën solemne ndau edhe çmimet tradicionale të festivalit.
“MonoStripi” më i mirë u nda për Flaka Latifi dhe “MonoPerformanca” më e mirë shkoi për Donika Zeqiri.
Në konkurrencën kryesore të MonoAKT ndahen dy çmime kryesore të Festivalit MonoAKT:
– Aktorja\Aktori më i mirë i Festivalit MonoAKT: Polya Yardanova, Gabrovo, Bullgari (Ëndërra e Natashës)
– Monodrama më e mirë, Grand Pri e Festivalit MonoAKT fiton shfaqja nga Teatri Nacional i Podgoricës, Mali i Zi, “Orët e fundit të jetës së Njegoshit” interpretuar nga aktori i mirënjohur Slobo Marunoviq.
Këshilli Artistik pos mirënjohjeve për bashkëpunëtor ndau edhe dy Çmime për Vepër Jetësore për artistët eminent: Xhevat Qorraj dhe Miho Gjini dhe “Post Mortum” u nda për doajenin e teatrit Adem Mikullovci. / KultPlus.com
Kosova ka një historik më të hershëm me riatdhesimet nga Siria dhe kampi famëkeq i Al Holit. Më herët, Gjykata Themelore e Prishtinës ka marrë në pyetje 11 gra të riatdhesuara, ndërsa për to është kryer dhe një hetim i gjatë për terrorizëm, madje janë marrë dhe masa.
Avokatja Fehmije Gashi Bytyqi tha për Euronews Albania se 32 gratë dhe fëmijët e mbërritur nga Siria në Kosovë në 2019 kanë qenë në hetim që nga viti 2014 me akuzat e terrorizimit.
Ajo shpjegoi se në Kosovë, nisur nga numri i madhe i shtetasve që po shkonin në Siri për të luftuar, në 2015 u sanksionua me ligj dënimi për këdo merr pjesë në luftëtar të vendeve të tjera.
Shumica e këtyre grave, shpjegoi avokatja, ata kanë ardhur në gjendje të rënduar psikologjike dhe shpirtërore dhe kanë pohuar se kanë shkuar në Siri, pasi për shkak të zakonit u është dashur të bëjnë çfarë u thonë burrat e tyre.
“Kontakti i parë me klienten time ka qenë jo i lehtë, ka ardhur nga një ambient lufte, me 4 fëmijë.
Kam qenë e detyruar t’i shpjegoj se nëse shpreh pendim, do të kalojë me një dënim më lehtë, është betuar para gjykatës se nuk do të bënte më kurrë atë gjë.
Shumica e grave të kthyera deklaruan se kanë shkuar pasi ato do të bënin gjithçka që bënin burrat.
Edhe pse këto gra janë akuzuar për terrorizëm, shteti i Kosovës me aq sa ka pasur mundësi u ka dhënë ndihmë dhe është shembull për çdo shtet në botë”, u shpreh avokatja. / Gazeta express/ KultPlus.com
Gjashtëmbëdhjetë shtete dhe mbretëri evropiane më 29 tetor të vitit 1863 formojnë Kryqin e Kuq Ndërkombëtar.
Deri në mes të shekullit të 19-të nuk kishte asnjë sistem të organizuar për kujdesin e viktimave të luftës ose të plagosurve në fushë-betejë.
Në qershor 1859, biznesmeni zviceran Henry Dunant udhëtoi për në Itali, në atë kohë e pushtuar nga Franca. Kur mbërriti në qytetin Solferino, ai pa nga afër pasojat e një beteje franko – austriake, ku në një ditë të vetme, rreth 40-mijë ushtarë në të dy anët u vranë ose u plagosën dhe trupat ishin lënë në fushë pa asnjë kujdes a ndihmë.
Henry Dunant braktisi plotësisht qëllimin origjinal të udhëtimit të tij dhe për disa ditë iu përkushtua organizimit të trajtimit dhe kujdesit për të plagosurit.
Kur u kthye në shtëpinë e tij në Gjenevë, ai vendosi të shkruajë një libër “Kujtesë e Solferinos” dhe u dërgoi kopje të librit figurave kryesore politike dhe ushtarake në të gjithë Evropën. Dhe kështu u përhap ideja e krijimit të Kryqit të Kuq ndërkombëtar, që u themelua këtë ditë, 157 vjet më parë. / KultPlus.com
Në KultPlus Caffe Gallery në Prishtinë, PEN Qendra e Kosovës përkujton shkrimtarin, teorikun letrar dhe kritikun e ndjerë shqiptar Hasan Mekuli.
Përkujtimi mbahet sot, më 29 tetor, me fillim në orën 17.00.
Për veprën e Hasan Mekulit do të flasin Prof. Dr. Sali Bashota dhe Prof. Dr. Osman Gashi.
Mbrëmjen e udhëheq Prof. Dr. Ibrahim Berisha.
Përkujtimi për Hasan Mekulin është mbrëmja e pestë e PEN Qendrës së Kosovës që mbahet në kuadrin e projektit “Ora e Shkrimtarit” që përkrahet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
PEN Qendra ka paraparë edhe pesë mbrëmje përkujtimore për shkrimtarët e ndjerë që do të mbahen gjatë javëve në vijim./ KultPlus.com
Martesa mes një ulqinakeje dhe një afrikani të ardhur në Ulqin kishte bërë që ata të sjellin në jetë Rizo Shurdhën.
Ai kishte lindur më 12 janar 1922 dhe i përkiste komunitetit afro-shqiptar në Ulqin, atëherë pjesë e Mbretërisë së Jugosllavisë. Skllavët afrikanë ishin sjellë nga kapitenët e flotës së Ulqinit në shekullin e 18-të, teksa një shekull më pas ata fituan lirinë e tyre dhe filluan të integrohen në bashkësinë lokale.
Babai i tij Saidi, ishte një pasardhës i drejtpërdrejtë i afrikanëve të parë që u vendosën në Ulqin ndërkaq, nëna e tij, Fatima ishte një vendase.
Rizo Shurdha në rininë e tij ishte marrë me boks dhe kishte punuar si kamerier në Dubrovnik. Ai më pas shkoi në Beograd, ku mësoi zanatin e fotografisë. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, ai u bashkua me Partizanët Jugosllavë. Pas luftës, ai u kthye në Ulqin, ku hapi studion e parë fotografike në qytet, e cila për një kohë të gjatë ishte e vetmja. Në vitin 1976 ai luajti në filmin “Jagoš dhe Uglješa”. Ai u martua me një malazez nga Ulqini me emrin Nada Račić, me të cilin kishte dy fëmijë.
Ai vdiq më 11 shkurt 2003 në vendlindjen e tij dhe ishte një nga përfaqësuesit e fundit zezakë në qytet./KultPlus.com