Stacioni Policor nё Pejё, ёshtё njoftuar se nё Bjeshkёt e Rugovёs ka humbur njё familje katёranёtarëshe.
Njёsitet relevante tё Drejtorisё Rajonale tё Policisё në Pejё dhe njësitet e Policisё Kufitare menjёherё janё angazhuar pёr gjetjen e familjes nё fjalё.
Ndёrsa në kërkim janё angazhuar vullnetarisht edhe dy qytetarё tё cilёt kanё pasur njohuri të mira pёr Bjeshkёt e Rugovёs.
Familja ёshtё gjetur nga qytetarët Idriz KURTBOGAJ dhe Liridon DEMAJ. Të cilët sot janë pritur në takim nga drejtori i Drejtorisё Rajonale tё Policisё nё Pejё, kolonel Sami Shabanaj, me ç’rast i ka falënderuar për kontributin si dhe u ka ndarë letёrfalënderim./ KultPlus.com
Ulëset e teatrit Oda u mbushën me praninë e audiencës të cilët u bashkuan për të dëgjuar rrugëtimin artistik dhe pikëpamjet e aktoreve serbe Mirjana Karanoviq dha Jasna Gjuriqiq në kuadër të edicionit të tretë të Kosovo Theater Showcase, shkruan KultPlus.
Me një karrierë të bujshme dhe të njohur në Ballkan, aktoret filluan diskutimin e tyre nën moderimin e gazetarit Agron Bajrami nën organizimin e Qendrës Multimedia.
Mirjana Karanoviq është njëra ndër aktoret më të famshme të teatrit dhe kinematografisë post-jugosllave, aktiviste e njohur për të drejtat e njeriut dhe kritikuese e luftërave në Jugosllavi. Në anën tjetër Jasna Gjuriqiq është aktore e njohur serbe e cila në vitin 2010 fitoi çmimin për aktoren më të mirë në festivalin e filmit në Locarno, Zvicër.
Rrëfimin e saj së pari e shpalosi Mirjana Karanoviq, e cila theksoj se tanimë vizionet e saj janë ndërtuar mbi një bazë reale dhe jo me gjëra të paarritshme. Në anën tjetër kur ajo flet për aktrimin, nuk mund ta quaj atë “punë”.
“Është nevojë e madhe e brendshme që unë të shprehem në skenë dhe në 10 vitet e fundit jam fokusuar më shumë në krijimtarinë time, në atë se çfarë do të lë pas si gjurmë, si një udhërrëfyes për disa”, tha Mirjana.
Aktorja Karanoviq sheh ndryshime në fushën e teatrit, përderisa më parë ai ka qenë institucioni kulturor që ka trajtuar temat e mëdha sociale dhe kundërshtime ndaj sistemit, sot e tëra përqendrohet në tema subjektive.
“Sot shfaqja teatrore është shumë intime për shkak se ekziston trendi i fuqishëm që gjithçka të shkoj sipërfaqësisht. Temat e rëndësishme mbulohen me pëlhurat e maskuara, të cilat janë plotë lecka të vogla”, shton Mirjana Karanoviq.
Mirëpo, pavarësisht këtij roli të evoluar, ajo beson se themeli i teatrit kurrë nuk do të zhduket.
“Kishte periudha të tmerrshme në historinë njerëzore, luftëra, shkatërrime, murtaja, kolera. Por, teatri në të gjitha këto mbijetoj dhe mendoj që nuk do të zhduket kurrë sepse është një gjë e gjallë”, thekson aktorja që kaloj shumë vite në teatër.
Në anën tjetër ajo është kundër ekskluzivitetit dhe banalitetit që sot janë aktuale nëpër botë. Pikërisht formulimi i pyetjeve të pavenda dhe mos interesimi për art të mirëfilltë është arsyeja pse ajo qysh moti nuk pranon të intervistohet.
Tutje, Karanoviq tregon se do të filloj me xhirimin e filmit të dytë që ka autorësinë e saj, e për të cilin ndjehet e lumtur. Ndërkaq për planet e së ardhmes, ajo mendon se njerëzit shumë shpesh vetëm duhet të ndjehen mirë dhe të ëndërrojnë pa vepruar. Mirëpo, për të mbetet e rëndësishme të dihet se çka ëndërrojmë, sa është reale dhe si do të realizohet ajo.
“Planifikimi i të ardhmes nuk përfshinë gjithmonë njerëzit e mençur, por atë e bëjnë të tjerë që gënjejnë duke thënë se po punojnë për të mirën e përgjithshme dhe për një të ardhme fenomenale, vetëm nëse shkoni pas tyre. Jemi të robëruar brenda vizioneve, “profetëve” të rrejshëm, me vizione sipërfaqësore”, shprehet aktorja Mirjana, e cila ka dyshime se si do të duket e ardhmja.
Mirëpo, në mes të konfuzioneve për të ardhmen dhe jetesës në të tashmen, hapësira e saj e lirë mbetet arti, përkatësisht teatri.
“Është hapësirë e lirisë edhe para se të hyj në të, sepse unë bëj zgjedhje, me kë dhe çfarë do të punoj prandaj në këtë hapësirë fizike hyj e shtendosur nëse duhej apo nuk duhej. Ajo që i kam thënë vetes është se s’do të bëj gjëra për dikë tjetër, gjithmonë di pse bëj diçka”, shprehet Mirjana Karanoviq.
Përgjatë karrierës, ajo thotë se është ndjerë krenare, e turpëruar, ka rënë dhe është ngritur mirëpo, kur rikthehet pas dhe e sheh gjithë rrugëtimin, e vetmja gjë të cilën do ta ndërronte mbetet mësimi i dy gjuhëve të huaja. Ndërkaq, ajo nuk është e penduar as pse ka jetësuar role si viktimë e regjimit serb, për të cilën ka marrë shumë kritika dhe sharje nga populli i saj.
“Ata që urrejnë bëjnë zhurmë dhe për këtë ju mendoni se çfarë po ndodh në xhungël. Por, janë vetëm disa majmunë që kërcejnë në degë. Do të më pëlqente të mos ekzistonin ato njolla, vula, etiketime që ia bëjmë dikujt në ballë por s’mund ta ndërroj”, shprehet ajo për fyerjet që ka marrë ndër vite.
Në anë tjetër, aktorja Jasna Gjuriqiq nis rrëfimin e saj duke thënë se ka filluar të aktroj në vitet e 90-ta, atëherë kur kishte lindur vajzën e saj dhe rrugëdalja e vetme për të kishte qenë skena.
“Më kanë mësuar në shkollë se gjithçka duhesh ta thuash në skenë, përmes rolit ta tregosh qëndrimin tënd. Skena teatrore për mua është një hapësirë tejet serioze sikurse filmi, ndërkaq aktori është një qenie e përgjegjshme që skenën duhet ta trajtoj si hapësirë publike për të kumtuar diçka”, thotë Jasna Gjuriq.
Tutje Jasna shprehet se ndjehet e shqetësuar nga fakti se që nga shpërbërja e Jugosllavisë aktorët detyrohen të punojnë punë jashtë artit, nëpërmjet politikës apo hapjes së ndonjë biznesi, në tentim të mbulimit financiar.
Mirëpo, pavarësisht vështirësive materiale që ka ky profesion, në fund të fundit arti mbetet vendtakimi i popujve. Andaj për aktoren Gjuriq, vizita e vendeve të ndryshme duke jetësuar role mbetet një kujtim shumë i mirë.
“Te publiku shoh vetëm një gëzim të madh sepse më duket që gjithsecili jemi të vegjël. Në brendi mërzitemi shpejt dhe na duhet një energji, njerëz e fytyra të reja. Jemi fqinj të parë dhe kjo më duket e mrekullueshme”, shprehet Jasna Gjuriq.
E ardhmja për aktoren serbe mbetet diçka që duhet ta ndërtoj gjithsecili, të ndryshoj diçka mirëpo, kjo nuk do të thotë të ndikoj mbi tërë shoqërinë.
“Ajo që ia kam vënë vetes detyrë qe 5 vite është ta jetoj momentin. Jeta me projeksionet e vetes në të ardhmen sjell vetëm të këqija dhe ta komplikon jetën”, shprehet Jasna.
Për të më e rëndësishme mbetet e sotmja, sesa e nesërmja.
Në fund publiku pati rastin t’i bëj pyetje dy aktoreve serbe. Diskutimi është organizuar përbrenda projektit Reconnection 2.0 i cili menaxhohet e financohet nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ndërsa implementohet nga Qendra Multimedia (Prishtinë) dhe Heartefact Fund (Beograd)./KultPlus.com
Për herë të parë, bregdeti i Darëzezës në Fier do të shndërrohet në një “pistë” hipizmi.
Drejtoresha e Turizmit në bashkinë e Fierit, Adriana Mile, tha sot për ATSH-në se, “të shtunën do të zhvillohen dy gara, të cilave do ti bashkohen rreth 30 kalorës nga Shqipëria, Kosova e Mali i Zi”.
“Iniciatorët e kësaj gare janë disa të rinj fierakë, të cilët prej janarit të këtij viti çdo ditë për hobi bëjnë shëtitje me kuaj pothuaj në bregdet. Gara do zhvillohet në bregdetin e Darëzezës dhe Pishporos për shkak të gjatësisë të pandërprerë, prej 10 km”, thekson Mile.
Sipas saj, të rinjtë kanë bërë edhe gara amatore me kuaj me njëri-tjetrin.
Të rinjtë janë lidhur me Shoqatën Kombëtare të Hipizmit dhe me shoqatat e Kosovës dhe Malit të Zi dhe kanë menduar të organizojnë këtë garë që do të zhvillohet të shtunën.
“Do bëhen dy gara, një garë shpejtësie ku marrin pjesë 15 kalorës që do të zgjasë 1 minutë dhe gara tjetër është në orën 11:00 dhe zgjat shumë. Gara e gjatë e rezistencës është e gjatë 10 km, vajtje ardhje nga Darëzeza në Pishporo dhe nga Pishporo deri tek grykëderdhjen e Vjosës ku kufizohet Fieri me Vlorën”, bën të ditur Mile.
Në këtë garë, vijon ajo, marrin pjesë 30 kalërues nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, ndërsa në fund të garës do të jepen edhe çmime.
Ndërsa ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, tha sot se “bregdetit të Darëzezë i shtohet një produkt turistik i ri”.
Hipizmi është prej shekujsh një sport i preferuar për adhuruesit e tij, i cili sjell emocione dhe adrenalinë të papërshkrueshme. Mund të ushtrohet nga të gjithë grupmoshat. Ky sport vë në lëvizje të gjithë pjesët e trupit si dhe mendjen në të njëjtën kohë. / KultPlus.com
Përderisa jeni duke shëtitur në qendrën e qytetit të Prizrenit, këto ditë krejt rastësisht keni pasur rastin të shihni po këtë qytet të minimizuar në pikturat e Besim Danjollit përmes të cilave secili mund të bëjë një “udhëtim” në Prizrenin e viteve 50-ta, shkruan KultPlus.
Pikturat të cilat po ekspozoheshin në qendër të qytetit, tërhoqën edhe vëmendjen time, ku e mrekulluar nga ngjyrat e bukuria e tyre, u ndala për t’i soditur nga afër. Por fati tjetër ishte prezenca e piktorit i cili pa hezitim, teksa unë po tregoja interesimin tim për një intervistë së bashku, nisi të më rrëfej për secilën pikturë e historinë që fshihet pas saj.
Qyteti i këtyre pikturave na shpaloste objekte kulturo-historike pa të cilat Prizreni po rrezikon të mbetet dita ditës. Pikërisht këto shkatërrime e ndryshime të qytetit, e kanë shtyrë artistin që përmes pikturës ta ruajë të freskët çdo cep të Prizrenit të vjetër dhe vetë trashëgimin e qytetit, që dikur kishte një qetësi të thellë shpirtërore.
Me ngjyra të ndezura e një freski të jashtëzakonshme, Danjolli na shpalos rrëfime për secilën lagje të vjetër e për jetën e asaj kohe për të cilën ka jo pak nostalgji.
Siç na tregoi vetë piktori, takimi i tij i parë me artin e pikturës ndodhi qysh në klasë të tretë në fillore ku bashkë me nënën e tij arriti të realizojë katër “deneze” me lule e nga ku Danjolli mbeti i mahnitur nga ngjyrat e ndezura e kontrastet të cilat duket se i ka trashëguar nga e ëma. Por, ishte mosha 5 vjeçare kur Danjolli realizoi portretin e shokut të tij dhe udhëtimi në botën e artit vazhdoi rrjedhimisht.
Ky pasion që me kohë u shndërrua në profesion, e bëri piktorin që në letrën e bardhë të vendosë qytete të ndryshme, portrete e gjithçka tjetër që linte mbresë te ai. Por vendlindjen, krejt pavëmendshëm ai kishte harruar ta ngjyrosë me brushën e tij. Një vërejtje nga shoku i tij për këtë “moskujdes” e ngacmoi mendjen dhe shpirtin e Danjollit i cili iu kthye rrënjëve për ta jetësuar vendlindjen në mënyrën më të mirë, atë të viteve 50-ta.
Ngjyrat e ndezura në pikturat e tij tregojnë për gjallërinë e popullatës dhe jetës në këtë qytet.
“Përmes pikturave mundohem të paraqes një qytet plot gjallëri, plot civilizim e që në emër të zhvillimit urban janë degraduar shumë pjesë të qytetit të cilat kanë pasur dhe ende kanë një vlerë shpirtërore poashtu edhe ekonomike në pikëpamjen e turizmit. E disa nga objektet mund të përtërihen në mënyrë që të plotësohen vlerat e qytetit”, vlerëson Danjolli për KultPlus.
Në disa nga pikturat e Danjollit, pasqyrohet edhe jeta e përbashkët e grupeve etnike e fetare në Prizren, të cilat piktori i sheh pasuri të përbashkët të qytetit.
“Paraqitja e etnive të ndryshme të cilat kanë jetuar dhe jetojnë ende sot, unë i shoh si pasuri të përbashkët dhe si shpirt kozmopolit të qytetit të cilat në periudha të ndryshme kanë tentuar të reduktojnë me procese të ndryshme presioni, për “pastrim etnik” dhe përcaktim të kulturës, e që ka rezultuar me represione të ndryshme”, thotë Danjolli.
Qyteti që e frymëzon kaq shumë, dita ditës po shkatërrohet me apo pa dashje, e kjo veç sa po e shtynë edhe më shumë piktorin që këto vlera ti “konservojë” në pikturat e tij.
“E dhimbshme është të shkatërrohen vlerat shumë-shekullore!”
Shumë nga objektet e shkatërruara sot, janë të përfshira në pikturat e Danjollit, e dhimbja e tij për këto objekte që sot nuk janë, përmbushet kur të paktën i takon në veprat e artit.
“Janë aq shumë, jo vetëm objekte, por edhe sheshe dhe tregje, si dhe rendi i dyqaneve dhe shtëpive të cilat janë tretur. Ura e Arastes (ura e dytë e gurit), hanet gjatë bregut të lumit, pastaj restaurimi i keq i hamamit si dhe restaurimi i hamamit të dytë dhe sahat kullës, etj.
Në gjithë koleksionin e tij të pasur është e vështirë të zgjedhësh më të mirën, por për piktorin pamja ku shihet kalaja, xhamia e Sinan Pashës, Kisha Ortodokse Shqiptare, hanet, hambari i drithërave, ura e gurit dhe shtëpitë pranë lumit, është një prej pikturave me një rëndësi të veçantë për vetë faktin se brenda vetes ngërthen histori e objekte tejet të rëndësishme.
Krejt për fund, Danjolli ka treguar që interesimi për këto piktura të cilat janë edhe në shitje, është shumë i madh, por që ai i drejtohet me një kërkesë edhe institucioneve përkatëse për krijimin e një bagazhi të piktorëve në një galeri të artit të cilën deri më tani nuk e kanë. / KultPlus.com
ProPlus ka përfunduar me sukses tri punëtori me të rijnë prej 13 deri 18 vjeç, të cilët kanë mare njohuri në fusha të ndryshme të kulturës.
Punëtoria me pikturë e udhëhequr nga Zake Prelvukaj, ajo me ese nga Vjosa Sadriu Hamiti dhe punëtoria me fotografi me Hazir Rekën janë realizuar në kuadër të projektit “Pen for Culture” që është mbështetë nga Ambasada Amerikane në Kosovë.
Ceremonia përmbyllëse do të shënohet me ndarjen e mirënjohjeve për të rinjtë pjesëmarrës, mirënjohje që do të ndahen nga Ardianë Pajaziti, udhëheqëse e këtij projekti. Ceremonia mbahet më 30 tetor, në ora 16:00, në KultPlus Caffe Gallery. / KultPlus.com
Botuesi i Harry Potter, Bloomsbury, ka raportuar gjysmën e parë të vitit më fitimprurëse në më shumë se një dekadë, pasi izolimet e pranverës çuan në një bum shitjeje librash.
Kompania dërgoi stafin në shtëpi ndërsa kriza e koronavirusit detyroi industrinë e botimit të mbyllej, por ka parë një ndryshim domethënës fati ndërsa pandemia vazhdoi.
“Është një surprizë e vërtetë sepse ne kishim një parashikim shumë të zymtë në fillim të pandemisë, si edhe kushdo tjetër, në mars, kur 100 për qind e klientëve tanë u mbyllën në të gjithë botën”, thonë drejtuesit e shtëpisë botuese.
Por më pas, vijojnë ata, ne zbuluam se fillimisht njerëzit u ngujuan pas televizionit dhe më pas u raportua një rritje e leximit. Njerëzit vetë zbuluan se mund të hiqnin mendjen nga pandemia duke u zhytur në libra dhe shitjet u rritën shumë.
Fitimet u rritën me 60 për qind në gjashtë muajt që përfunduan në gusht, fitimi më i lartë ky që nga 2008. Dhe vetëm shitja e librave të Harry Potterit, sipas botuesit, është rritur me 8 për qind nga mesi i korrikut deri në fund të shtatorit. Në total, shitja e librave online dhe të ardhurat nga leximi online, kanë siguruar shumë fitime në këtë periudhë. / rtk / KultPlus.com
Në KultPlus Caffe Gallery në Prishtinë, PEN Qendra e Kosovës përkujton shkrimtarin, teorikun letrar dhe kritikun e ndjerë shqiptar Hasan Mekuli.
Përkujtimi mbahet të enjten, më 29 tetor, me fillim në orën 17.00.
Për veprën e Hasan Mekulit do të flasin Prof. Dr. Sali Bashota dhe Prof. Dr. Osman Gashi.
Mbrëmjen e udhëheq Prof. Dr. Ibrahim Berisha.
Përkujtimi për Hasan Mekulin është mbrëmja e pestë e PEN Qendrës së Kosovës që mbahet në kuadrin e projektit “Ora e Shkrimtarit” që përkrahet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
PEN Qendra ka paraparë edhe pesë mbrëmje përkujtimore për shkrimtarët e ndjerë që do të mbahen gjatë javëve në vijim./ KultPlus.com
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave nënshkroi sot një marrëveshje bashkëpunimi me Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë, përmes së cilës synohet lehtësimi i studimeve të studentëve në fushën e shkencave albanologjike, si një interes institucional dhe kombëtar.
Marrëveshja u nënshkrua nga Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave, Ardit Bido dhe nga Dekani i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë Sabri Laçi, në vazhdën e bashkëpunimit midis dy palëve në fushën e kërkimit shkencor dhe botimeve, nëpërmjet qasjes së lirë në fondet arkivore dhe botimeve të përbashkëta të lidhura me to. Të pranishëm ishin edhe zv/dekani Andi Pinari si dhe profesoresha Valentina Duka, shefe e departamentit të Historisë.
Në fjalën e tij, Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave, Ardit Bido tha se kjo marrëveshje u mundëson të gjithë studentëve në nivel bachelor dhe master që të mund të marrin dokumente falas, një mënyrë kjo për të nxitur studime në fushën albanologjike dhe në fushën historike.
“Studentët për të bërë një temë bachelor dhe master, tashmë përmes kësaj marrëveshjeje, me një autorizim nga departamenti, duke përcaktuar pedagogun përkatës udhëheqës, do të mundet që për një sasi të caktuar që do të konsiderohet rast pas rasti për çdo temë, të marrin dokumentacionin falas në Arkivin Qendror Shtetëror” tha Bido.
Nga ana e tij, Prof. Sabri Laçi duke falënderuar Drejtorin e Përgjithshëm të Arkivave tha se kjo marrëveshje është në rrugën e duhur pasi dhe nga bashkëpunimet e mëparshme me Arkivin Qendror Shtetëror marrëdhëniet kanë qenë shumë të mira, duke e konsideruar një nga partnerët më të rëndësishëm të Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë.
“Departamenti i Historisë në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë ka qenë në lartësinë e duhur për sa i përket punës kërkimore shkencore dhe mbështetja e arkivit në këtë rast është për tu shënuar. Sigurisht ne kemi dhe partnerë të tjerë dhe jemi në vazhdën e zgjerimit të partnerëve kombëtar dhe ndërkombëtar, sa i përket zgjerimit të hapësirave të punës kërkimore shkencore, për student, për staf, për të gjithë kërkuesit shkencor që dëshirojnë të kontribuojnë në studimin dhe rishikimin e historisë së Shqipërisë dhe më gjerë”, u shpreh Laçi.
Qëllimi dhe targeti kryesor i bashkëpunimeve të këtilla janë studentët, të cilëve u krijohen lehtësi në jetën e tyre akademike, duke ua bërë më të lehtë qasjen deri tek informacioni dhe fondi historik që disponon DPA. Me këtë, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave merr përsipër të mbështesë Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë me burimet arkivore në formë digjitale deri në 20 mijë imazhe në vit pa pagesë. Përveç kësaj, DPA dhe FHF angazhohen në organizimin e konferencave, simpoziumeve, tryezave dhe kongreseve shkencore, në fushat e interesit të përbashkët si dhe për promovimin e përbashkët të personaliteteve dhe momenteve kyçe të historisë kombëtare. / KultPlus.com
Kishin mbetur vetëm edhe 3 ditë deri në nisjen e edicionit të 39-të të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. Por, gjithçka mori tjetër kahe pasi koronvirusi u bë shkaktar që të anulohet ky edicion.
Kjo vjen si pasojë që një pjesë e drejtuesve të Seminarit kanë rezultuar pozitivë me Covid-19 dhe një pjesë tjetër janë në vetizolim duke pritur rezultatet e testeve.
Këshilli Drejtues në pajtim me bashkëdrejtorinë e Tiranës ka marrë vendim që edicioni i Seminarit të 39-të për Gjuhën, Letërsisë dhe Kulturën Shqiptare të shtyhet për një kohë të pacaktuar.
Edhë pse organizatorët insistuan në vazhdimësi përkundër vështirësive të shkaktuara nga pandemia e virusit korona, shkëputja ndodhi.
“Situata e përmirësuar në Kosovë në muajin shtator dhe në fillim të tetorit na dha kurajo se do të mund ta mbajmë edicionin duke respektuar masat mbrojtëse ndaj pandemisë. Në këtë kuadër, kemi bërë përpjekje maksimale që edicioni i sivjetëm të mbahet me çdo kusht, sepse kemi qenë të bindur se studiuesit e albanologjisë kanë nevojë që t’i shpalosin të arriturat e tyre shkencore edhe gjatë këtij viti të rëndë. Prandaj, kemi finalizuar programin dhe kemi bërë të gjitha përgatitjet logjistike për ta filluar edicionin e sivjetëm në datat e publikuara më parë, por zhvillimet e fundit e kanë bërë të pamundur një gjë të tillë”, thonë organizatorët. / KultPlus.com
Tabloidi britanik “The Sun” ka publikuar listën e artistëve nën 30 vjeç të cilët kanë mbledhur më shumë të ardhura gjatë vitit 2020.
Lista kryesohet nga Ed Sheeran me një pasuri marramendëse prej 210 milionë paund në bankë. Sheeran ndiqet nga Harry Styles dhe Emma Vatson.
Në këtë listë janë renditur dhe dy artistet shqiptare me famë botërore. Dua Lipa gjendet në vendin e 12-të, është 25 vjeçe dhe ka një pasuri prej 22 milionë paund. Ndërsa 29-vjeçarja Rita Ora renditet në vendin e 14-të bashkë me Stormzy me një pasuri prej 20 milionë paund.
Lista e plotë
Ed Sheeran, 29, (£210m) Harry Styles, 26, (£74m) Emma Watson, 30, (£58m) Niall Horan, 27, (£55m) Little Mix (£54.3m) Louis Tomlinson (£47m) Liam Payne, 27, (£46m) Cara Delevingne,28, (£42m) Zayn Malik, 27, (£38m) Sam Smith, 28, (£35.5m) Aaron Taylor-Johnson, 30, (£24m) Dua Lipa, 25, (£22m) Daisy Ridley, 28, (£20.3m) Stormzy, 27, (£20m) and Rita Ora, 29, (£20m)
John Boyega, 28, (£17m) George Ezra,27, (£13m) KSI aka Olajide Olatunji, 28, (£12m) NEW ENTRY Sophie Turner, 24, (£10.5m) Nicholas Hoult, 30, (8.5m) Dev Patel, 30, (£7.8m) Sam Faiers, 29, (£7.3m) Joey Essex, 30, (£6.75m)
Tom Holland, 24, (£6.4m) Tommy Mallett, 28, (£6m) Saoirse Ronan, 26, (£5.7m) NEW ENTRY Maisie Williams,23, (£5.4m) Jodie Comer, 27, (£4.9m) NEW ENTRY Olivia and Alex Bowen, 26 and 29, (£4.5m) Molly-Mae Hague and Tommy Fury, both 21, (£4m) NEW ENTRY. / KultPlus.com
Rave po vazhdon me performancat unike, kësaj radhe ka të ftuar Elise.
Elisa gjatë viteve të fundit përveç arkitekturës ka eksploruar strukturën e tingujve ndër format e tjera të artit. Duke u rritur në Prishtinë, e rrethuar nga mbetjet konkrete të arkitekturës ish-Jugosllave, ka ndikuar thellë në shijen e saj të muzikës.
Duke përdorur tingullin si një formë e shprehjes mbi bukurinë që gjen në emocionet më të thella, ajo do të shfaqë një anë të saj në ngjarjen e ardhshme të Rave.
“Mos mungoni as kësaj radhe”, thonë organizatorët. / KultPlus.com
Edhe këtë vit, për festën e Halloween më 31 Tetor, Cineplexx organizon event të veçantë, ku do të shfaqen 3 super-filma horror me çmim special prej 3 EUR.
Cineplexx do të jetë një destinacion fantatstik për ditën e Halloween. Me një çmim special të biletave (3,00 Eur) dhe dekorime të frikshme në korridor, kinemaja do të jetë vend perfekt për fansat e filmave horror dhe festës së Halloween në përgjithësi.
Këtë event, Cineplexx ka vendosur të risjellë në shfaqje 3 filma horror, 2 prej të cilëve u shfaqën më herët gjatë vitit, ndërsa super-horrori spanjoll, 32 Malasana Street, do ta ketë premierën këtë javë.
Këta janë 3 filmat të cilët do të mund ti shihni në Cineplexx këtë Halloween:
1. 32 Malasana Street
Filmi flet për një familje e cila shpërngulet në një shtëpi të re për të jetuar ëndrrën e një qyteti të madh. Por asgjë nuk është si ata mendojnë, sepse në atë shtëpi, ëndërrat shëndërrohen në ankthe.
2. The Invisible Man
Kur ish i dashuri abuzues i Cecilias vetëvritet dhe i lë asaj të gjithë pasurinë e tij, ajo nis të dyshojë se vdekja e tij është një rreng. Ndodhi të rastësishme e vdekjeprurëse bëjnë që Cecilia të përpiqet të provojë se ajo po përndiqet nga një person që askush nuk mund ta shikojë. The Invisible Man mbetet një nga filmat më të mirë dhe më të suksesshëm horror të vitit 2020.
3.Fantasy Island
Një përshtatje e serialit të famshëm horror të viteve 70, rreth një resorti magjik në ishull. Filmi flet për një grup të rinjsh të cilët shkojnë për pushim në një resort në ishull, por pushimi i tyre shëndërrohet në një makth.
Ky event do të fillojë të shtunën, më 31 Tetor nga ora 18:00, ndërsa biletat për këtë event mund ti bleni çdo ditë prej orës 15:00 në kinema, ose përmes aplikacionit që tashmë është i lansuar dhe gjindet për shkarkim në të dy platformat, IOS dhe Android. Listën e plotë të orareve të filmave për këtë event por edhe për ditën në vijim, mund ta gjeni në faqen e Cineplexx (fjalën Cineplexx e lidhni me këtë linkun këtu: https://www.cineplexx-ks.eu/filma/programi-i-filmave/ )
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë ditës së sotme ka dekoruar me Medalje Presidenciale të Meritave shkrimtarët, Milazim Krasniqi dhe Sali Bashota.
Thaçi në një postim në “Facebook” po ashtu bëri të ditur se këtë medalje e ndau edhe për shkrimtarin e shquar Avdullah Konushevci pas vdekjes së tij.
Sipas Thaçit, të dekoruarit me punë dhe përkushtim të pandalshëm i ka dhënë frymë të re studimeve albanologjike dhe vlera kombëtare letërsisë shqipe. / KultPlus.com
Bazuar në Vendimin nr 3672/2020, të datës 28.10.2020 të Jurisë Profesionale për vlerësimin e dramave në konkursin e Dramës Origjinale Shqipe “Katarina Josipi” për vitin 2020, sipas konkursit të shpallur publik, Departamenti i Kulturës njofton për shpalljen e fituesve, si më poshtë:
Çmimi i parë për Dramë Origjinale Shqipe “Katarina Josipi” për vitin 2020 i ndahet dramës “Cari i Carave”, shifra: Sui Generis;
Çmimi i dytë për Dramë Origjinale Shqipe “Katarina Josipi” për vitin 2020 i ndahet dramës – “ Shtëpia e të humburve “, shifra: Zgjim James-i riu;
Çmimi i tretë për Dramë Origjinale Shqipe “Katarina Josipi” për vitin 2020 i ndahet dramës – “ Era”, shifra: 8.
Meqë mënyra e konkurrimit ka qenë konfidenciale, identifikimi i aplikuesve ka qenë përmes shifrave, andaj kërkohet që laureatët e çmimeve, sipas shifrave të lartshënuara të lajmërohen sa më parë në Departamentin e Kulturës, në mënyrë që të identifikohen si fitues. / KultPlus.com
Sot janë bërë 39 vjet nga koha kur u inaugura Muzeu Historik Kombëtar në Tiranë.
Për ngritjen e këtij muzeu u mblodh një ekip me specialistët më të mirë të vendit, të fushave të historisë, gjuhësisë, arkeologjisë, etnografisë, hartografisë, arkitekturës e artit.
Për këtë muze u punua në mënyrë të organizuar, sipas seksioneve përkatëse, për gati 3 vjet, deri në hapjen e tij. Grupi i punës është drejtuar nga personalitete të shquara si: Gani Strazimiri, Koço Miho, Besim Daja, Skënder Luarasi, Valentina Pistoli, Sami Pashallari, Ilia Papanikolla, Robert Kota, Latif Lazimi, Guri Pani, Maksim Mitrojorgji, Magdalena Furxhiu, Odhise Paskali, Kristaq Rama, Shaban Hadëri, Foto Stamo, Fatmir Haxhiu, Guri Madhi, Ndreçi Plasari, Stefanaq Pollo, Kristo Frashëri, Aleks Buda, Selami Pulaha, Skënder Anamali, Emin Riza, Selim Islami, Burhan Çiraku, Kleanthi Dede, Ballkize Haxhihyseni, Taqi Miho, Iljaz Goga, Rrok Zojzi, Abaz Dojaka, Ramadan Sokoli, Enver Faja, Nina Shehu, Vilson Kilica, Fatmir Haxhiu, Myrteza Fushekati, Met Deliu, Aleksander Meksi e shumë të tjerë.
Muzetë historikë kombëtarë janë ndër përçuesit më të rëndësishëm të interpretimit zyrtar të historisë së një vendi, krahas dhe me sistemin kombëtar të arsimimit të tij. Ata luajnë një rol të rëndësishëm në mbrojtjen e identitetit për kombin si dhe për përcjelljen e këtij vetimazhi tek vizitorët dhe në botën e jashtme. Por muzetë dallojnë nga ajo çka jep historia e shkruar, pasi për një muze gjuha e të shprehurit janë objektet muzeore të ekspozuara, shoqëruar me të dhënat për to.
Muzeu Historik Kombëtar është muzeu më i madh në Shqipëri dhe një nga më të rëndësishmit. Në mjediset e muzeut gjenden rreth 5000 objekte, të cilat i përkasin një periudhe relativisht të gjatë kohore duke filluar nga mijëvjeçari IV para Krishtit dhe deri në gjysmën e dytë të shekullit XX. / KultPlus.com
Ishte 134 vite më parë, atëherë kur më 28 tetor 1886 Statuja e Lirisë iu dedikua zyrtarisht qytetit të Nju Jorkut, gjatë një ceremonie të kryesuar nga Presidenti Grover Cleveland në ishullin Bedloe.
Statuja e Lirisë e projektuar nga skulptori francez Frédéric Auguste Bartholdi dhe i frymëzuar nga profesori francez i drejtësisë Édouard René Lefèbvre de Laboulaye, u quajt fillimisht “Liberty Enlightening the World” (Liria duke ndriçuar botën) dhe ishte menduar si një dhuratë nga Franca në Shtetet e Bashkuara.
Statuja u prodhua në Francë, u paketua dhe u dërgua jashtë shtetit para se të mblidhej në piedestalin e Ishullit Bedloe, zyrtarisht u quajt ishulli “Liberty” në 1956 me vendim të Kongresit.
Statuja është një përfaqësim i lirisë, gjegjësisht të një perëndeshe romake. Madje në të majtë të saj është një pllakë e shkruar me 4 korrik 1776, me numra romakë. Një prangë dhe zinxhir i thyer i qëndrojnë në këmbë, të cilat janë të pozicionuara për të treguar hapin përpara.
Figura gjigande femërore u bë shpejt një ikonë e lirisë dhe e Shteteve të Bashkuara, një roje e heshtur për emigrantët që mbërrinin me anije në ishull. Është një nga 10 sinonimet e kombit amerikan, së bashku me Monumentin e Uashingtonit, Shtëpinë e Bardhë dhe ndërtesën e Kapitolit të SHBA, ndër të tjera./KultPlus.com
Pandemia ka mbyllur prapë për vizitorë Muzeun Etnologjik. Kësaj radhe një gjë e tillë nuk ndodh shkaku i ndonjë vendimi shtetëror, por një nga punonjësit ka rezultuar pozitiv në testin për COVID -19. Kësisoj për dy javët në vazhdim ajo që njihet si “shtëpia e familjes”, që i takon shekullit XIX, nuk do të jetë e qasshme për vizitorë. Lajmi është bërë i ditur të martën nga punonjësit e Muzeut Etnologjik.
“Meqë në stafin e Muzeut Etnologjik kemi tanimë rast aktiv me COVID-19, sipas rekomandimit të IKSHP-së, hapësirat tona do të qëndrojnë të mbyllura derisa të përfundojë periudha e izolimit dyjavor”, shkruhet në njoftimin e stafit të Muzeut. Ky institucion ishte i mbyllur më 13 mars, sikurse krejt institucionet kulturore të vendit shkaku i pandemisë. Ishte rihapur më 18 maj në Ditën Ndërkombëtare të Muzeve.
Por janë bërë tre vjet prej kur vetëm një prej dy ndërtesave të Muzeut është në dispozicion të vizitorëve. Në fund të tetorit të vitit 2017, shtëpia e shekullit XIX, në kuadër të kompleksit “Eminxhiku”, ishte shndërruar në vendpunishte. Në fund të dhjetorit të atij viti ishte ndërprerë puna për të mos nisur më.
Ministria e Kulturës, qysh prej qershorit të këtij viti, është në kërkim të një kompanie që do ta vazhdojë punën për t’i dhënë formë shtëpisë që tash është veç “skelet”.
Prej ndërprerjes së punës – pasi u konstatua se nevojitej një projekt i ri meqë zhveshja e mureve kishte nxjerrë në pah gjendjen reale të ndërtesës – Ministria e Kulturës vazhdimisht ka pretenduar se punimet do të nisnin së shpejti. Në vjeshtën e kaluar zyrtarët ministrorë kishin thënë se në pranverë do të nisë puna. Por kjo nuk ka ndodhur për t’u paralajmëruar këtë vjeshtë. Sipas dosjes së tenderit, kanë aplikuar gjithsej nëntë kompani. Çmimi më i lartë ishte 89 mijë euro, kurse më i ulëti ai me 33 mijë euro. MKRS-ja është përcaktuar që punimet t’i kryejë “Albi Company” me seli në Rahovec, për 52 mijë e 308 euro. Oferta më e lirë ishte ajo e kompanisë “Tosi N” nga Peja, me 33 mijë euro. Por Ministria e Kulturës ofertën e kësaj kompanie e ka shpallur të papërgjegjshme për shkak të një vargu kriteresh, e midis tjerash, edhe për çmimin e ofruar për kryerjen e punës.
“Oferta juaj në përputhje me nenin 61.4 është konsideruar si ofertë abnormalisht e ulët”, shkruhet në përgjigjen që MKRS-ja ia ka kthyer kësaj kompanie. Sipas dosjes së tenderit, e njëjta kompani është ankuar në ditën e 11-të të shtatorit, por MKRS-ja ankesën e ka vlerësuar si të pabazuar në ditën e 23-të të po atij muaji./ Koha.net/ KultPlus.com
Sukseset e talentes nga Kosova nuk kanë të ndalur. Dua Lipa tanimë është nominuar për çmimet “Artistja femër e preferuar” dhe “Kënga e preferuar” në American Music Award, shkruan KultPlus.
Është hera e tretë me radhë prej kur ylli botëror i pop muzikës merr pjesë në organizimin e madh amerikan të ndarjes së çmimeve në fushën muzikore.
Listës së të arriturave të saja tanimë iu kanë shtuar edhe nominimet si “Artistja femër e preferuar” dhe “Kënga e preferuar”.
Mirëpo, kjo nuk është e tëra me të cilën Dua do t’i gëzoj dashamirët e artit të saj. Nëpërmjet postimit Lipa ka bërë të ditur se në këtë ngjarje të madhe që do të mbahet më 22 nëntor, ka planifikuar diçka shumë speciale.
American Music Award nderojnë artistë në zhanre të shumta muzikore, duke përfshirë Pop / Rock, Alternative Rock, Country, Rap / Hip-Hop, Soul / R & B, Adult Contemporary, Contemporary Inspirational, Latin, EDM dhe Soundtrack, krahas çmimeve për Artistin e Ri të Viti, Bashkëpunimi i Vitit, Turneu i Vitit, Video e Vitit, Kënga dhe Artisti i Preferuar i Vitit./KultPlus.com
Në sallën ku dritat kishin kohë që ishin fikur, të pranishmit dalë nga dalë filluan t’i zinin vendet. Përballë vetes kishin dy karrige dhe ekranin e madh që shfaqte të dhëna për arsyen se pse mbrëmë Kino Armata kishte hapur dyert në kohë pandemie. Kompozitorët e vepra e të cilëve u bë më e zëshme në vitet dy mijë e tutje, ishte përmbledhur në botimin “Antologji e kompozitorëve Kosovarë (Kompozitorët e rinj 2000-2020), shkruan KultPlus.
Në prezantimin që i bëri botimit, Liburn Jupolli tha se e kishin parë të arsyeshme që të bënin hapat e parë në dokumentimin e trashëgimisë muzikore të vendit tonë. Sipas tij dekadat e fundit në Kosovë janë ndër dekadat më produktive në historinë e muzikës kosovare.
“Ne si shtëpi botuese dhe Qendra e Dokumentimit muzikor, e kemi marrë përsipër të bëjmë hapat e parë në dokumentimin e trashëgimisë tonë muzikore duke filluar prej kompozitorëve të rinjë. Në Kosovë dy dekadat e fundit, 2000-2020 janë ndër dekadat më produktive në historinë e muzikës kosovare me një zhvillim në drejtime të shumta si në infrastrukturë, prodhimtari vendore, artistike dhe eksport ndërkombëtar të kompozitorëve po ashtu edhe në zhvillim të strukturave arsimore të një varieteti të paparë më herët”, pohoi Jupolli.
Tutje ai ka folur për zhvillimin e muzikës ndër vite në Kosovë duke vënë theksin në shkollat dhe universitetet e muzikës që ekzistojnë në vendin tonë. Gjithashtu ai ka përmendur edhe disa nga festivalet vendore e ndërkombëtare që sipas tij vërtetojnë integritetin e gjeneratave të reja të kompozitorëve.
Ndërkaq historiania Rreze Kryeziu tha se ndonëse botimi i kësaj antologjie është i vonshëm, suksesi i saj është i jashtëzakonshëm për komunitetin artistik dhe për shoqërinë.
“Një sukses i jashtëzakonshëm dhe jo vetëm për komunitetin artistik por për gjithë shoqërinë kosovare. Gjëra të cilat vijnë pakëz vonë por fundja ato vijnë dhe ne e gjeneratat pas nesh do të mund të shërbehemi me botime të tilla”, deklaroi Kryeziu.
Ajo ka shtuar se duke qenë se viteve të fundit misioni i saj ka pasur dokumentimin e muzikës profesionale në Kosovë, çdo ngjarje, përfshirë edhe këtë libër që shpalosë trashëgiminë e denjë të një rruge të krijimit ajo do e mbështes.
“Unë si ligjëruese, muzikologe dhe ligjëruese e historisë së muzikës, për mision kryesor këto dhjetë vitet e fundit kam pas dokumentimin edhe hulumtimin e tërë asaj që është e lidhur në mënyrë direkte me muzikën profesionale në Kosovë. Kështu që çdo ngjarje e cila në një mënyrë është e lidhur me muzikën profesionale unë jam shumë e hapur dhe i mbështes, në këtë rast edhe këtë botim i cili përshinë një trashëgimi të denjë e cila ka filluar të rrugën e krijimit jo të lehtë për të gjithë pararendësit e muzikës artistike në vend”, ka theksuar historiania.
Dy dekadat e fundit shënojnë dekadat më të suksesshme të kompozimit të muzikës klasike në historinë e Kosovës. Përkundër çmimeve dhe performancave të veprave të kompozitorëve klasikë kosovarë në nivel botëror, puna e tyre mbetet e pa dokumentuar dhe jo e njohur për publikun e gjerë. Për këtë arsye përmbledhja e veprave muzikore në botimin ‘Antologji e kompozitorëve Kosovarë (Kompozitorët e rinj 2000-2020)’, synon që të kontribuoj në integritetin profesional të pothuajse 32 kompozitorëve të rinjë që janë pjesë e këtij botimi./ KultPlus.com
Në provincën e Potenzës ngrihet Shën Konstandin Shqiptari (San Costantino Albanese). Në këtë vend, të themeluar nga shqiptarët që kanë emigruar në Itali, ata ende jetojnë traditat e lashta gjuhësore, fetare dhe popullore të vendit të tyre të origjinës. Kështu nis dokumentari i vitit 1951 publikuar së fundmi nga arkivi i filmit në Bolonja. Një dokumentar i cili ilustron një nga ritualet më të zakonshme të komunitetit: martesën.
Një baba (me gajde) të ndihmuar nga djali i tij i vogël kujdeset për delet e kullotës. Gratë prashisin ndërsa një burrë mbjell. Zëri i fjalëve thotë se komuniteti përbëhet nga njësi familjare patriarkale të vetë-efiçente, të dedikuara për punë, ndershmëri dhe respekt për të moshuarit. Brenda një shtëpie: bariu kthehet duke njoftuar se po qarkullon zëri i një kërkese të ardhshme fejese për vajzën e tij. Gjyshja godet fëmijën që ka vënë duart në tenxhere. Në tryezë, diskutojnë propozimin e martesës. Në frontin e zjarrit, kujton gjyshin e tij (kujtime) kur ai u martua me gruan e tij e pyeti, duke sjellë, sipas traditës, një trung para derës së vajzës, duke ngulur sëpatë dhe duke pritur për babain e vajzës te marri vendim si një shenjë pranimit. Edhe tani pretendenti sjell trungun para derës: propozimi pranohet. Martesa festohet me një rite ortodokse bizantine. Ndërsa procesioni lë kishën, zëri tregon se si dhëndri ka pritur gjashtë vjet para se të martohej. Ne fillojmë vallet tradicionale, me zhurmën e gajleve. Së fundi, vajzat përshëndes nusen me një shami, e cila shkon me hipur dhëndrit në një gomar, për të kujtuar zakonin e lashtë të rrëmbimit. / Diasporashqiptare/ KultPlus.com
Universiteti i Harvardit njihet si një ndër universitetet më prestigjioze në botë, e pikërisht sot, ky universitet shënon 384 vjetorin e themelimit.
I themeluar para gati afro 4 shekujsh në Kembrixh, Harvardi është institucioni i parë amerikan i arsimit të lartë, që u themelua nga teologu protestant Xhon Harvard.
Meqë themeluesi ishte teolog, në fillim qëllimi i këtij institucioni ishte edukimi dhe arsimimi i klerikëve. Në fillim ky institucion arsimor mbante emrin Kolegj, por në vitin 1639 e mori emrin Harvard, në nderim të themeluesit të tij i cili një pjesë të pasurisë dhe bibliotekën e tij të pasur ia fali këtij univerisiteti.
Kurse në vitin 1879 u themelua edhe kolegji për vajza, që u quajt edhe si “Aneks i Harvardit”.
E ndër shqiptarët e parë që studiuan në Harvard, konisderohen të jenë Fan Noli e Kostandin Tashko.
Ndërsa sot, në këtë universitet studiojnë mijëra studentë nga e gjithë bota në studimet themelore, master e doktoraturë. Aktualisht, Harvardi bën pjesë në një nga tetë universitetet prestigjioze të Ivy Leauge. / KultPlus.com
Më 27 tetor të vitit 1940, Benito Musolini, në praninë e autoriteteve më të larta zyrtare të qytetit inauguroi në Romë Monumentin e Skënderbeut. Monumenti u vendos në atë që dikur quhej sheshi “Raudusculana”, emri i një porte antike të mureve Serviane. Por në 4 korrik të 1940, për të kujtuar aneksimin e Shqipërisë nga Mbretëria italiane (më 16 prill 1939) vendoset që ky shesh të ndryshoi emër, dhe u quajt “Albania”, emër ky që figuron edhe sot me emërtimin origjinal : “Piazza Albania”.
Sipas të dhënave, Monumenti i Skënderbeut u realizua nga skulptori fiorentin Romano Romanelli mw 1938, i cili ishte oficer, pwrveccse skulptor e piktor. Vepra është realizuar mbi një grup bronzi i rëndë 35 kuintalë. Monumenti e paraqet heroin tonë kombëtar mbi kalin e tij të pandashëm, veshur nën armaturën e hekurt, me përkrenaren e shpatën gati për luftim.
Monumenti i Heroit tonë Kombëtar, ishte menduar të vihej në Tiranë pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste, por përfundoi në “Sheshin Albania” në Romë. Mbishkrimi në piedestalin e monumentit është vendosur me nismën e Arbëreshëve, më 1968, me rastin e 500-vjetori të vdekjes së heroit tonë kombëtar./ KultPlus.com
Arfi Vladi i ka reaguar ndaj komenteve të Ibrahim Kelmendit, ku ka shkruar se ata që më njohin e dijnë që nuk përkulem as për 500 mijë dollarë, e lemë ashtu siç ka thënë Klemendi.
Tutje Vladi ka thënë se ai është një artist që jeton me këtë profesion dhe paraja nuk mund ta tundoj. Sipas tij ai ka ditur ta ndaj kombin, familjen dhe sedrën nga familja.
Më poshtë mund të lexoni reagimin e tij të plotë:
Me falni por shpifja qenka e rende… I dashur Ibrahim Kelmendi. Kjo eshte vila ime e dyte ne Tirane ku jam une duke vadit lulet, e mbaruar ne 1986. Ateher nuk kishin lindur kenget e luftes.Ne vitin 1984 jame kthyer nga Amerika me 110 mije Dollare. Ju thoni qe ju paskam lyp 500 dollar dhe me paske dhene 1000.
Ata qe me njohin e dine se me me ra hunda per toke nuk perkulem as per 500 mije….
Une jame artist dhe jetoj me kte profesjon. Parja nuk me tundon.Kam dit ta ndaje kombin, familjen dhe sedren nga paraja. Kurse per Ad….dhe ate tjetrin qe thot Hamiti me duket me paska paguar 12 mije marka ta vertetetojne ne gjyq…edhe njeher ju krkoj falje ndjekesve.Mirkuptim./ KultPlus.com
Albert Camus nuk e harroi Louis Germain-in, mësuesin që kishte parë potencialin tek fëmija i rritur në varfëri nga nëna e tij analfabete Catherine, e cila kishte barrën kryesor të familjes pas vdekjes së babait të Albertit Lucien-it në Betejën e Marne (6–10 shtator 1914) në Luftën e parë Botërore.
Në vitin 1957 Camus u bë fituesi i dytë më i ri i çmimit Nobel në Letërsi “për prodhimin e tij të rëndësishëm letrar, i cili me seriozitet të kthjellët ndriçon problemet e ndërgjegjes njerëzore në kohën tonë”.
Në banketin e Nobelit në sallën e qytetit në Stokholm, vendosi stilolapsin mbi letër, duke i shkruar nga zemra njeriut që do ta frymëzonte atë .
19 nëntor 1957
I dashur zotëri Germain,
E lë zhurmën përreth meje të qetësohet pak para se të flas me ty nga zemra. Sapo më është dhënë një nder shumë i madh, të cilin as nuk e kam kërkuar.
Por kur dëgjova lajmin, mendimi im i parë, pas nënës sime, ishte për ty. Pa ju, pa dorën e dashur që ju zgjatët tek fëmija i vogël e i varfër që isha, pa mësimin dhe shembullin tuaj, asgjë nga të gjitha këto nuk do të kishin ndodhur.
Unë nuk i bëj shumë këto lloj nderime. Por të paktën kjo më jep mundësinë të ju tregoj se çfarë keni qenë dhe jeni akoma për mua, dhe t’ju siguroj se përpjekjet tuaja, puna juaj dhe zemra bujare që keni vënë në të ende jetojnë në një nga fëmijët tuaj të vegjël të shkollës, i cili, pavarësisht viteve, nuk ka ndalur kurrë së qeni nxënësi juaj mirënjohës. Të përqafoj me gjithë zemër.