Edicioni i 13-të i festivalit “Hyjnesha në Fron” do të mbahet online

Përderisa shumica e organizimeve botërore tanimë kanë filluar rrugëtimin digjital, të njëjtën për këtë vit do ta bëj edhe Festivali ndërkombëtar i filmit “Hyjnesha në Fron”, duke filluar më 30 tetori e deri më 2 nëntor, shkruan KultPlus.

Organizatorët e festivalit të filmit me karakter garues “Hyjnesha në Fron”, kanë paralajmëruar se edicioni i 13-të do t’i vie publikut virtualisht, për t’i falur momente tejet të mira përgjatë gjithë edicionit.

“Festivali i filmit internacional “Hyjnesha në Fron”, këtë vit mbanë edicionin e 13-të. Për shkak të situatës që gjendemi të gjithë, ky edicion do të mbahet Online, në platformën e Youtube, Facebook dhe Web Faqes tonë”, thuhet në njoftim.

Përgjatë 4 ditëve sa do të zgjas Festivali, audienca do të ketë rastin të shoh filma të dëshmuar në skenën kinematografike nga regjisorë vendor e ndërkombëtar.

Vitin e kaluar nga ky festival janë ndarë çmime të ndryshme për rolin kryesor, aktorët, skenarin, regjinë dhe filmin më të mirë, çmimi special “Hyjnesha në Fron”, filmi më i mirë i metrazhit të shkurtë,  çmimi special për filmin me metrazh të shkurtë, dokumentari më i mirë dhe çmimi special për të./KultPlus.com

Shpend Ahmeti pas takimit me Zemajn: Nuk jemi të interesuar për karantinë

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka deklaruar sot se nuk do të tolerohet askush që nuk respekton masat anti-COVID. Ai tha se qytetarët duhet të respektojnë masat, në mënyrë që të mos ketë masa shtesë.

Pas takimit me ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj, Ahmeti në një konferencë për media tha se duhet bashkëpunim ndërmjet institucioneve dhe qytetarëve, që të mos merren masa restriktive.

“Jemi në komunikim të vazhdueshëm me ministrin Zemaj. Do të punojmë bashkë të mos ketë restrikcione shtesë, po mundohemi mos me pasë, nuk varet nga komuna dhe ministria, por nga qytetarët. Nuk jemi të interesuar të bëjmë karantina, me e reduktua orarin, por kjo ndodh vetëm nëse jemi na bashkëpunim me qytetarët dhe respektohen masat”, ka deklaruar Ahmeti.

“Dje kam ngritur një alarm, sepse para një muaji kemi pasur një krizë më të madhe kur tjerët vende nuk e kanë pasur. Krejt Evropa është duke shku kah mbyllja, kurse ne kemi pasur nën 100 raste në 1 milion banorë”, tha Ahmeti.

Ahmeti tha se numri i rasteve në Prishtinë është më i madh se në qytetet tjera sepse në kryeqytet po bëhen më shumë testime.

“Jemi të brengosur për shtimin e rasteve, ju lusim të punojmë bashkë, të mos na detyrojnë të bëhemi më inspektorë se inspektorët. Nëse kafiteritë duhet të mbyllën në 23:30, do të mbyllen në 23:30. Te kafet e rakisë brenda nuk ka njerëz, por në rrugë rrinë rreth 200 veta. Numri i rasteve në Prishtinë është më i madh, sepse ka më shumë testime”, ka thënë Ahmeti. / Gazeta express/ KultPlus.com

Ekspozita në kujtim të fëmijëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë vjen edhe online

Veshmbathjet, lodrat e gjësende të ndryshme, janë ato që kanë mbetur pas nga 1024 fëmijë të vrarë dhe 109 të zhdukur në luftën e fundit në Kosovë, të cilëve iu këputën ëndrrat e shpresat.

Ekspozita “Na ishte njëherë që kurrë mos qoftë” e cila u hap në muajin maj të vitit të kaluar nën organizimin e Fondit për të Drejtën Humanitare, tashmë vjen në formatin online, duke i mundësuar publikut të kenë më afër rrëfimet e ndarjes së qenieve më të pafajshme nga jeta, shkruan KultPlus.

Ekspozita e cila tanimë na shfaqet edhe virtualisht, është kuruar nga Blerta Hoçia, ndërkaq është mbështetur nga National Endoëment for Democracy, Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport si dhe Komuna e Prishtinës.

Në hyrjen e ekspozitës virtuale pas historikut të luftës së Kosovës dhe pasojave që la pas, shfaqen në një mur të bardhë lista të gjata emrash të fëmijëve që humbja e tyre ka bërë familjet të vuajnë dhe të ndjejnë dhimbje të pakrahasueshme, e sidomos nga drejtësia e paardhur që vazhdon.

I vetmi faj që kishin këta 1024 fëmijë të vrarë dhe 109 të zhdukur, ishte përkatësia e tyre nacionale. Për okupatorin serb nuk pati rëndësi frika në sytë e tyre, dridhjet trupore dhe shpesh edhe aktrimi i tyre kinse janë të vdekur. Vetëm pse ishin shqiptarë, atyre iu ndal loja, iu morr fëmijëria dhe u bënë engjëjt e Kosovës, të cilët pëherë do të kujtohen me mall.

Në ekspozitë shfaqen fotografi, fustane, pantallona, këpucë, mjetet e lojës dhe gjësendet e tjera të tyre. Një ndër to janë edhe këpucët e Shqipronit, i cili bashkë me familjen e tij ishte detyruar të marrë rrugën për në Shqipëri. Të ndalur në fshatin Nagavc më 2 prill 1999, kur ra terri, u strehuan në bodrumin e një shtëpie të zbrazët.  Atëherë edhe do të fillonin bombardimet, ku nga shpërthimi i fuqishëm një pjesë e shtëpisë u shemb, duke rënë mbi familjen e cila mbeti e vdekur me 14 persona, 12 prej të cilëve fëmijë. Këpucët e Shqipronit ishin aty dhe kishin mbetur të palidhura në njërën këmbë, e që sot shfaqen po me të njëjtën pamje në ekspozitë.

2 prilli do të ishte edhe fatkeqësia e familjes Berisha. Adelina, Njomëza, Shkurtesa, Lezija dhe Elhamja ishin 5 motrat të cilat bashkë me prindër dhe kushërinj u nisën në Shqipëri, për t’u ndalur edhe ata në fshatin Nagavc, atëherë kur bombardimet filluan. Nga bombardimet vdiqën të pesë motrat, ndërkaq familja e ruan djepin në të cilin ishte përkundur pafajësia fëmijërore e vajzave.

Një rrëfim të prekshëm ka edhe Redoni, i cili ende pa i mbushur dy vite u dëbua nga shtëpia e tyre në Suharekë më 26 mars të vitit 1999, për t’u strehuar në picerinë Kalabria. Redoni ishte aty bashkë me motrat e tij, Herolindën, Majlindën, vëllain Altinin dhe familjarë të tjerë. Nga sulmi i forcave serbe mbetën të vrarë 45 persona, në mesin e tyre edhe Redoni me motra e vëlla. Ajo çka mbetet pas nga Redoni janë këpucët e tij, të cilat i kishte pasur dhuratë.

Në të njëjtin vend ishte strehuar edhe  vëllai i Redonit, Altini i cili ishte nxënës i klasës së katërt. Gjatë sulmit, ai mbeti i plagosur teksa nëna e tij e porositi të bënte kinse është i vdekur në mënyrë që të shpëtonte. Pavarësisht pse ishte shumë i vogël, ai kishte kuptuar rrethanat dhe nuk kishte lëvizur fare. Ndërkaq teksa policia po barte trupat, ata e dalluan që Altini ishte gjallë, me këtë rast nuk kursyen ta vrajnë një fëmijë të pafajshëm. Edhe 20 vite pas luftës, trupi i tij mbetet i pagjetur. Ajo që ka mbetur pas nga nxënësi i cili nuk kishte mundur të dal as në klasë të pestë është çanta e tij, në të cilën kishte vendosur librat e fletoret e tij.

Kjo ekspozitë në njërën anë shpreh dhimbjen dhe mallin që ndjejmë për këta engjëj të lirisë së Kosovës por, në anën tjetër është një përkujtim ndaj shtetit tonë dhe arenës ndërkombëtare për drejtësinë e pa ardhur./KultPlus.com

Shteti mbledh 2 milionë euro nga dënimet e qytetarëve për maska

Në bazë të ligjit antiCOVID-19, policia ka shqiptuar rreth 55 mijë gjoba për personat që shkelën masat kundër përhapjes së koronavirusit.

Policia e Kosovës ka filluar me shqiptimin e gjobave që nga 26 gushti, ku deri më sot janë dhënë saktësisht 54,934 gjoba.

Personat që nuk kanë bartur maskën janë dënuar me nga 35 euro, kështu parasheh ligji antiCOVID-19.

Nëse llogaritet numri total i gjobave të shqiptuara me shumën prej 35 eurosh i bie që Policia e Kosovës ka arritur të mbledh 1 milion e 922 mijë e 690 euro nga dënimet e shqiptuara, deri më tani.

Si edhe në shumë vende të botës bartja e maskës në publik vazhdon të mbetet obligative edhe në vendin tonë. /Gazeta Express/ KultPlus.com

Osmani kujton Ukë Bytyçin: Liria e vendit e paplotë derisa vrasjet politike do të jenë të pazbardhura

Ishte 27 tetori i vitit 2002 kur veprimtari atdhetar e politik, Ukë Bytyçi u vra nga një dorë tinëzare dhe ende e paidenftikueshme, në ditën e parë të shpalljes së tij kryetar i Komunës së Suharekës, shkruan KultPlus.

Në ditën e fitores së postit të tij si kryetar, përderisa ishte duke festuar bashkë me qytetarë, u vra pabesisht bashkë me dy përcjellësit e tij Bafti Bajramin e Bajram Bytyçin. Mirëpo, vrasja e tij nuk do të thoshte vetëm humbje e një politikani por, të një njeri të vyer që kishte punuar ndër vite për Kosovën.

Këtë personalitet e ka kujtuar edhe kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani nëpërmjet një postimi në facebook, duke e quajtur bashkëmendimtar e bashkëveprimtar të ish-presidentit Rugova.

“Së bashku me përcjellësit e tij, Bafti Bajramin e Bajram Bytyçin, ai u vra pikërisht sepse po i promovonte idealet për të cilat u sakrifikuan breza të tërë atdhetarësh: jetën e lirë e shtetin e konsoliduar, në të cilin respektohen liritë dhe të drejtat njerëzore, përfshirë edhe të drejtën e votës së lirë e të manifestimit paqësor, të cilat konsiderohen fundament i shtetësisë”, ka shkruar Osmani duke theksuar se liria e vendit do të mbetet e pa plotë pa zbardhjen e këtyre rasteve.

Tutje Osmani ka thënë se Ukë Bytyçi nëpërmjet guximit, vendosmërisë, urtisë dhe fjalës së tij u bë njeri i besueshëm për gjithë Kosovën.

Bytyçi i cili kishte lindur në fshatin Semetisht të Suharekës në vitin 1955, kishte qenë student i Fakultetit të Bujqësisë në Universitetin e Prishtinës. Ai kishte marrë pjesë edhe në protestat studentore të vitit 1981. Karrierën e tij e vazhdoj në lëminë e bujqësisë për disa vite, ndërkaq ai nuk la anash as politikën, duke u angazhuar në Lidhjen Demokratike të Kosovës që nga viti 1989, ndërkaq në vitin 1992 u shpall kryetar i kësaj partie në Komunën e tij.

Në vitin 1992 ishte ndër themeluesit e parë të celulave të para Ushtarake për Çlirimin e Kosovës për çka edhe u burgos më 5 Tetor të vitit 1993 nga policia serbo-sllave dhe u dënua me 5 vite burgim. Pas përfundimit të dënimit, pa asnjë ditë vonesë e vazhdoi aktivitetin aty ku i kishte mbetur. Me daljen e UÇK-së, ai u kyç që nga dita e parë dhe me disa bashkëpunëtorë të tij formoi Zonën Operative të Pashtrikut si ushtar, pastaj si epror i cili qëndroi deri në Çlirimin e Suharekës më 13 Qershor 1999 .

Ukë Bytyçi do të kujtohet përherë për veprimtarinë e tij atdhetare. /KultPlus.com

Riatdhesimi i fëmijëve shqiptarë nga Siria në fokus të medias ndërkombëtare

Riatdhesimi i fëmijëve shqiptarë nga Siria ka tërhequr vëmendjen e medias ndërkombëtare.

Pas negociatave humanitare me të gjitha palët e përfshira, katër fëmijë dhe një grua në gjendje jo të mirë shëndetësore, u evakuuan nga kampi Al-Howl dhe do të kthehen sot në Shqipëri.

Associated Press

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama i tha agjencisë Associated Press në një intervistë telefonike nga Bejruti, se kthimi i këtyre pesë personave ishte kryer pas negociatave 12-mujore dhe se qeveria e tij shpresonte, gjithashtu, të siguronte riatdhesimin e shtetasve të tjerë shqiptarë, të mbetur në Siri në rrethana të ngjashme.

Fëmijët dhe gruaja  u dërguan dje në Bejrut, ku Rama darkoi me ta dhe duhet të fluturojnë drejt Tiranës të martën.

“Ka qenë punë e ndërlikuar njëvjeçare”, tha Rama.

“Jemi duke u përpjekur të sjellim çdo shqiptar sërish në shtëpi”, shtoi ai.

Rama tha se organizatat humanitare dhe fetare, zyrtarët ushtarakë dhe konsulli i nderit i Shqipërisë në Bejrut, Mark Ghraib, luajtën një rol të madh në përpjekjen e riatdhesimit.

AFP

Katër fëmijë shqiptarë kanë lënë kampin Al-Howl, që pret familje të xhihadistëve në Sirinë Veriore, ku më pas edhe do të riatdhesohen, sipas zëdhënëses së Gjysmëhënës së Kuqe siriane

“Fëmijët u larguan nga Qamichli në Damask, pastaj nga Damasku në drejtim të kufirit libanez dhe nga Libani ata do të shkojnë në Shqipëri”, shpjegoi zëdhënësja, Rahaf Abboud.

“Operacioni u zhvillua me kërkesë të qeverisë shqiptare”, shtoi ajo.

”Një delegacion zyrtar shqiptar vizitoi të enjten e kaluar Sirinë Verilindore, ku u takua me zyrtarë kurdë”, tha Departamenti i Punëve të jashtme të Administratës gjysmautonome kurde në Facebook.

Kryeministri shqiptar Edi Rama u nis drejt Bejrutit për të marrë pjesë në riatdhesimin e planifikuar për të martën.

“Ne jemi në proces të riatdhesimit të katër fëmijëve shqiptarë nga kampi i ferrit Al-Howl, falë një operacioni shumë të ndërlikuar dhe pas më shumë se një viti përpjekjesh”, shkroi ai në faqen e tij në Facebook.

Administrata gjysmautonome kurde vazhdon të kërkojë riatdhesimin e grave dhe fëmijëve të huaj, por vendet perëndimore po lëvizin ngadalë me dosjet.

Star Tribune

Gazeta amerikane ”Star Tribune” citon fjalët e kryeministrit Rama, i cili thotë se ”ka qenë një punë e ndërlikuar njëvjeçare”.

“Ka qenë një punë e ndërlikuar e vitit,” tha Rama.

Ai nuk pranoi të jepte detaje mbi negociatat, në mënyrë që të mos rrezikonte përpjekjet për të siguruar kthimin e familjeve të luftëtarëve të tjerë shqiptarë në Siri.

Ai shtoi se gruaja përdor një karrocë si rezultat i dëmtimeve dhe do të kërkojë operacion të menjëhershëm dhe të vështirë sapo të kthehet në Shqipëri. Të pesë jetonin në kampin e refugjatëve Al Hawl, në veri të Sirisë.

Disa qindra burra shqiptarë u bashkuan me Shtetin Islamik dhe grupe të tjera që luftonin në Siri dhe Irak në fillim të viteve 2010. Shumë u vranë dhe gratë dhe fëmijët e tyre ndodhen në kampet siriane.

Al Arabyia

Që para rënies në mars 2019 të të vetëshpallurit “kalifat” të ISIS-it në Siri, forcat kurde kanë menaxhuar disa kampe që strehojnë mijëra civilë në verilindje të vendit që u larguan nga luftimet, shkruan media e njohur e botës arabe Al Arabyia.

Më i madhi është al-Howl, i cili gjithashtu strehon gratë e luftëtarëve të huaj të ISIS dhe fëmijëve të tyre.

“Ky operacion hap rrugën për një operacion të dytë për të riatdhesuar fëmijët e tjerë që ende e gjejnë veten në kampin Al Howl”, tha kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, pak para se të nisej për në kryeqytetin libanez.

Policia shqiptare thotë se të paktën 40 fëmijë shqiptarë janë në Al Howl, përfshirë disa jetimë.

The Independent

Gazeta e njohur britanike ”The Independent” veçon kryeministrin Rama kur thotë se “së pari, jemi të përkushtuar ndaj kujdesit për fëmijët dhe gratë, që nuk përfshihen në akte terroriste”.

Ai shtoi se shtetasit shqiptarë që morën pjesë në luftime do të përballen me ndjekje penale, nëse arrestohen dhe riatdhesohen.

“Jemi duke u përpjekur të sjellim çdo shqiptar sërish në shtëpi”, shtoi ai.

The Washington Post

Duke cituar kryeministrin Rama, gazeta amerikane ”The Washington Post” thotë se ”kthimi i këtyre pesë personave ishte kryer pas negociatave 12-mujore” dhe se ”qeveria e tij shpresonte, gjithashtu, të siguronte riatdhesimin e shtetasve të tjerë shqiptarë, të mbetur në Siri në rrethana të ngjashme”./ atsh/ KultPlus.com

Sot në Prishtinë fillon edicioni i tretë i Kosovo Theater Showcase

Sot në ora 20:00 në teatrin ODA në Prishtinë, shfaqja “Balava”, prodhuar nga Heartefact Fund në Beograd hapë edicionin e tretë të Kosovo Theater Showcase, përcjellë KultPlus.

Për pesë ditë me radhë, në kuadër të Kosovo Theater Showcase do të organizohen shfaqje të prodhuara nga teatrot lokale dhe ato të rajonit [Qendra Multimedia, Teatri Kombëtar i Kosovës, Teatri i Qytetit të Gjilanit, Teatri “Adriana” i qytetit të Ferizajt, Teatri “Metropol” në Tiranë, Integra në Prishtinë si dhe Heartefact Fund në Beograd].

Përgjatë pesë ditëve do të organizohen edhe ngjarje të tjera me qëllim rrjetëzimin e profesionistëve vendorë të teatrit me mysafirët e Showcase-it të cilët janë punëtorë ndërkombëtarë teatrorë (regjisorë, përzgjedhës festivalesh, aktorë etj.) Poashtu, do të organizohen dy panele diskutimi:

Njëri më 28 tetor duke filluar nga ora 11:00 në Teatrin ODA në Prishtinë, mes aktoreve të njohura serbe Mirjana Karanovic dhe Jasna Duricic. Tjetri më 30 tetor duke filluar nga ora 10:00 në Teatrin ODA, ku do të flitet për gjendjen e teatrove para, gjatë dhe pas pandemisë si dhe do të prezantohet raporti i hulumtimit në lidhje me gjendjen e teatrove lokale në Kosovë. Në këtë diskutim do të na bashkohen Vlora Dumoshi, Ministre e Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit, Florent Mehmeti, drejtor ekzekutiv në Teatrin ODA dhe Erson Zymberi, drejtor i Teatrit të Qytetit të Gjilanit. Diskutimi do të moderohet nga Shaban Maxharraj, gazetar për kulturë dhe autor i hulumtimit. / KultPlus.com

Sot, Dita Botërore e Trashëgimisë Audiovizuale

Dita Botërore e Trashëgimisë Audiovizuale shënohet çdo 27 tetor.

Kjo datë u zgjodh nga UNESCO në vitin 2005 me qëllim ngritjen e vetëdijes për rëndësinë e ruajtjes së dokumenteve audiovizuale.

Dokumentet audiovizuale; si filmat, programet e radios dhe televizionit, janë trashëgimi e përbashkët dhe përfshijnë xhirimet e para të shekullit 20 dhe 21.

Ato ndihmojnë për të mbrojtur identitetin kulturor të njerëzve; por thesaret e panumërta të dokumentarëve janë zhdukur që nga shpikja e teknologjisë së imazheve dhe zërit që ndihmon njerëzit nëpër botë për të shfaqur më mirë eksperiencat e tyre, kreativitetin dhe njohuritë.

Të gjitha trashëgimitë audiovizuale në botë janë të rrezikuara shkruhet në uebsajtin zyrtar të Kombeve të Bashkuara, me rastin e shënimit të kësaj dite. / KultPlus.com

Pogradeci bën bashkë artistë nga Shqipëria dhe trojet shqipfolëse

15 fotografë nga Shqipëria dhe trojet shqipfolëse, si Maqedonia e Veriut dhe Kosova u bënë pjesë e edicionit të katërt të ekspozitës “Dita e fotografisë”. Në Galerinë e Artit, të Pogradecit u ekspozuan 32 foto me tematikë peizazhin.

Mjeshtri i fotografisë Ardian Fezollari së bashku me të tjerë emra të njohur fotografësh nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Kosova çelën ekspozitën e fotografisë me peizazhe nga trojet shqiptare.

“Besoj se kjo ekspozitë është një promocion i mirëfilltë i gjithë bukurive shqiptare në të gjithë trevat tina si Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veriut dhe Mali i Zi. Vetë pjesëmarrja e fotografëve e dëshmon këtë që them”, tha mjeshtri i fotografisë, Ardian Fezollari.

Qyteti liqenor i Pogradecit me peizazhet e veta mahnitëse, sipas fotografit Osman Demiri e shton frymëzimin për të realizuar të tilla shkrepje profesionale.

“Pogradeci është i njohur si qytet i bukur, i peizazhit të bukur. Ka liqenin të bukur prandaj dhe tërheq fotograf që merren me peizazhin. Kjo është edhe arsyeja kryesore që hapet një ekspozitë e tillë”, u shpreh fotografi nga Gostivari i Maqedonisë së Veriut, Osman Demiri.

Ekspozita në Pogradec do të qëndrojë e hapur për disa ditë/Shqiptarja / KultPlus.com

Një arsye më shumë për të mos e hequr maskën, rikthehet ndotja ekstreme e ajrit në Prishtinë

Ndryshimi i temperaturave ka sjellë ndryshim të cilësisë së ajrit në kryeqytet.

Edhe mëngjesin e ditës së sotme, cilësia e ajrit ka qenë e dëmshme.

Në Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë është i instaluar një monitorues i cilësisë së ajrit për ta matur ndotjen në ajrin e Prishtinës.

Matjet që i bën ky monitorues publikohen çdo një orë në rrjetin social Twitter të Ambasadës amerikane në Prishtinë.

Nga publikimi i këtij monitoruesi në katër orët e fundit ajri vazhdon të jetë i ndotur dhe i pashëndetshëm./GazetaExpress/ KultPlus.com

“Delegacioni” pjesë e Festivalit të Filmit Evropian në Calgary

Filmi “The delegation” (Delegacioni) me regji të Bujar Alimanit edhe me skenar të Artan Minarollit gjatë muajit nëntor do të jetë pjesë e Edicionit Online të 9-të të Festivalit Filmit Evropian në Calgary.

Në këtë festival çdo nëntor prezantohen filmat evropianë nën moton e argëtimit dhe multikulturalizëmit brenda magjisë së kinemasë. Me anëtarësimin e më shumë vendeve evropiane çdo vit, ky festival është bërë i mundur përmes përpjekjeve të një grupi njerëzish entuziastë në 2012, kur u zhvillua edicioni i parë. Shumica e prodhimeve janë nominuar për çmime ndërkombëtare. Filmat shfaqen në gjuhët e tyre përkatëse me titra anglisht. Këtë vit, festivali do të zhvillohet online.

Ngjarjet në filmin “Delegacioni” zhvillohen në tetor të vitit 1990. Regjimi komunist kërkon të mbajë pushtetin, ndërsa, në Tiranë vjen një delegacion evropian për të parë nga afër mbarëvajtjen e reformave të qeverisë. Kusht ky, që Shqipëria të pranohet në OSBE. Leo, i dënuar me 15 vite burg, është bërë jashtëzakonisht i vlefshëm për pushtetin e kohës, sepse delegacioni udhëhiqet nga një shok i shkollës së vjetër të Leos. Ai duhet të bindë delegacionin se çdo gjë është në rregull, por ngjarjet marrin tjetër rrjedhë.

Vitin e kaluar “Delegacioni” ka qenë i nominuar nga Komisioni i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë për të përfaqësuar Shqipërinë në “Oskar” në kategorinë për “Filmin Artistik Ndërkombëtar më të mirë” në AMPAS./ Diasporashqiptare/ KultPlus.com

Misioni i NASA-s gjen ujë në hënë

Në hënë mund të ketë më shumë ujë sesa që është besuar më parë. Sipas kërkimeve, uji mund të shpërndahet drejtpërdrejt në sipërfaqen hënore, jo vetëm në pjesët e ftohta dhe të pandriçuara të hënës.

Dy studime janë publikuar në gazetën Nature Astronomy, dhe hulumtuesit kanë ndarë të gjeturat e tyre gjatë një konference të NASA-s të mbajtur të hënën.

Zbulimi përfaqëson një përparim të madh në misionin e eksplorimit të pjesës tjetër të sistemit diellor, si dhe dhënien e një kuptimi më të mirë të sipërfaqes hënore, shkruan CNN.

Pyetje të reja po ngrihen gjithashtu rreth asaj se si saktësisht uji mbërriti atje dhe si është në gjendje të mbijetojë në kushtet e vështira në Hënë.

“Ne konfirmuam ujin në sipërfaqen e Hënës për herë të parë me ndihmën e teleskopit SOFIA. Ne ende nuk e dimë nëse mund ta përdorim atë si një burim, por të mësosh rreth ujit në hënë është thelbësore për planet tona kërkimore,” njoftoi administratori i NASA-s, Jim Bridenstein.

Ai deklaroi se nuk dihet ende nëse mund të përdoret si burim. Detajet e zbulimit do të njoftohen në një konferencë shtypi që do të mbahet së shpejti./ KultPlus.com

Në një qytet në Itali nga muaji i ardhshëm shtëpitë do të shiten për 1 euro

Pandemia Covid-19 mund të ketë ndryshuar në mënyrë të pakthyeshme botën siç e njohim ne, por duket se ka disa gjëra në të cilat ende mund të mbështetemi.

Dhe disa qytete në Itali të cilat janë duke shitur shtëpi të braktisura me çmime të volitshme për të ndalur shpopullimin, është njëra nga to.

Qyteti piktoresk Salemi në Sicili është i fundit i cili po ofron prona për më pak se çmimi i një kafeje.

Gjatë muajit të ardhshëm, disa dhjetëra shtëpi të shkatërruara do të dalin në ankand me një çmim fillestar prej 1 €, ose pak më shumë se një dollar, shkruan BBC.

Kryetari i Salemit shpreson se kjo skemë do të sjellë frymë të re në qytet.

“Të gjitha ndërtesat i takojnë këshillit të qytetit i cili përshpejton shitjen dhe zvogëlon burokracinë”, ka thënë ai.

Ai tutje ka shtuar “para se të lansojmë skemën fillimisht duhet t’i rindërtojmë pjesët e vjetra ku shtëpitë janë të vendosura, të rregullojmë infrastrukturën, e gjërat tjera”.

“Tani qyteti është gati për hapin e radhës”./ KultPlus.com

“Social Theory and Health” publikon studimin e shqiptares Mirza Balaj

Hulumtimi më i fundit shkencor nga shqiptarja Mirza Balaj, PhD, i titulluar “Vetë-raportimi i shëndetit dhe trupi shoqëror” është botuar nga prestigjiozja “Social Theory & Health”, dedikuar shkrimeve rreth mjekësisë dhe shkencës sociale të një niveli të lartë.

Lajmi është postuar nga qendra kërkimore me të cilën Balaj bashkëpunon, “CHAIN – Centre for Global Health Inequalities Research”.

Në këtë artikull teorik, Balaj, shqyrton marrëdhëniet midis perceptimit shëndetësor dhe gjendjes shoqërore.

Interesi kërkimor i Balaj është të eksplorojë sesi rezultatet dhe sjelljet shëndetësore formohen nga ndërveprimi i pozitës socio-ekonomike dhe forcave strukturore shoqërore.

Puna e saj është zhvilluar si pjesë e dy projekteve NORFACE “Pabarazitë Shëndetësore në Shtetet e Mirëqenies Evropiane (HiNEWS)” dhe “Paradoksi i Ardhmërisë së Shtetit të Shëndetit (HEALTHDOX)”. Kohët e fundit, kërkimi i saj është përqëndruar në shërbimet e shqyrtimit të kancerit.

Qëllimi është të sigurohen provat e para sistematike mbi ndikimin e organizimit të shërbimeve të depistimit të kancerit në pabarazitë socio-ekonomike në aksesin dhe vdekshmërinë nga kanceri.

Studimin mund ta lexoni këtu. /diasporashqiptare/ KultPlus.com

OBSH: Maskat në shi nuk kanë efekt

Maskat mbrojtëse ndaj transmetimit të koronavirusit mund të jenë më pak efektive kur vendosen gjatë shiut, kanë paralajmëruar Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dhe shkencëtarët.

Grupi shëndetësor dhe një numër ekspertësh kanë deklaruar që maskat kirurgjikale duhet të ndërrohen nëse lagen nga shiu dhe u kërkuan zyrtarëve qeveritarë që t’i sigurojnë publikut “këshilla të qarta” në lidhje me mbajtjen e maskave gjatë motit të lagësht, raporton The Independent, transmeton KultPlus.

Tim Spector, profesor i epidemiologjisë gjenetike në King’s College në Londër të Britanisë së Madhe, tha për Times se “tani do të ishte e dobishme nëse këshillat e qarta do të lëshoheshin për publikun lidhur me këtë”.

Sipas udhëzimeve zyrtare nga Departamenti i Shëndetit dhe Kujdesit Social në Britani të Madhe, njerëzit duhet të “ndërrojnë maskën nëse laget ose preket me dorë”.

Ngjashmërisht, këshillat nga OBSH thonë që maskat prej pëlhure duhet të përbëhen nga të paktën tre shtresa të materialit të ndryshëm. Sidoqoftë, organizata shton se lagështia mund të rrezikojë këtë mbrojtje./ KultPlus.com

Reagon Vladi: I them kësaj Adelinës që ta publikojë kush më ka paguar, përndryshe përballemi në gjyq

Adelina Ismajli e cila tashmë po ka nisur emisionin e saj ‘Tete a Tete me Adelinën’, ku fillimisht protagonistë të këtij emisioni kanë qenë figura politike, në emisionin e fundit i ftuar ka qenë Fatmir Limaj, gjatë të cilit është komentuar edhe kënga e njohur e Arif Vladit ‘Marshi i Uçk-së’, shkruan KultPlus.

Adelina Ismajli, në emision, potencon se është në dijeni se Vladi është paguar për këtë këngë.

Vladi ka reaguar përmes një statusi në Facebook, ku është shprehur i mllefosur, madje ka apeluar që Ismajli të publikoj se kush e ka paguar Vladin për këtë këngë, përndryshe ky i fundit do të dërgojë deri në gjyq këtë çështje.

Ndigjojeni çfarë paska thënë Adelina Ismaili.
Unë paskam marrë lek për Marshin e UÇK-së. Bile mund ta këndonte dhe ajo… ti Adelinë as 1000 si ti nuk do mundeni.
I them kësaj Adelinës që të publikojë kush më ka paguar, përndryshe do përballemi në gjyq dhe ky gjyq nuk do të jetë si ato gjyqet e tjera të saj
‘, ka shkruar Vladi. / KultPlus.com

Dashuria e parë

Poezi nga Giuseppe Ungaretti

Natë qytetëse ish ajo,
E mekët, e trëndafilta drit’ e squfurt,
Prej së cilës një siluetë u luhat
M’e qartë përvijohej e saja trajtë.

Natë mbytëse ish
Kur befas çataj bojërozë pashë
Në një sqetull kinse të paqtë.

Ç’prej asaj nate rishtare e fatkeqe
e në thellësitë e gjakut tim të tëhuajtur
Rob tyrin fshehtësirat më bënë. / KultPlus.com

Qendra e Traditës Moderne Shqiptare, kontribuon në fuqizimin e gruas përmes artizanatit

Më shumë se 100 gra nga Kukësi janë bërë pjesë e Qendrës së Traditës Moderne Shqiptare.

Të gjitha këto gra, kanë shkathtësi të shkëlqyera në punë dore, që i kanë trashëguar nga nënat dhe gjyshet e tyre, ndërsa sot, pasionin e tyre kanë arritur ta modernizojnë dhe ta materializojnë përmes qendrës MATH.Qendra ka angazhuar disa barinj nga Malësia e Kukësit, përmes të cilëve siguron produktin e parë që më pas dërgohet në Qendër për t’u pastruar, tjerrë dhe ngjyrosur.

Kjo u ka mundësuar këtyre grave që pasionin e tyre ta shndërrojnë në punë të përditshme dhe të përfitojnë nga ky zanat.Produktet artizanale i shesin përmes Qendrës dhe së fundi edhe përmes faqes së internetit “katunar.al”.

I financuar nga Qeveria Gjermane dhe zbatuar nga GIZ, programi ProSEED mbështet Qendrën MATH, me qëllimin që të arrijë sa më shumë gra të papuna të Kukësit dhe në të njëjtën kohë, t’i fuqizojë ato përmes modernizimit të teknikave, produkteve dhe të zhvillojë aftësitë e tyre sipërmarrëse. /atsh/ KultPlus.com

Ndahet nga jeta historiani çam Ibrahim Daut Hoxha

Ndahet nga jeta në moshën 97-vjeçare historiani, folkloristi dhe publicisti Ibrahim Daut Hoxha.

Lajmi është bërë i ditur përmes një statusi nga Kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, ku krahas ngushëllimeve, thotë se Çamëria humbi një patriot dhe burrë të madh.

Postimi i plotë i Shpëtim Idrizit:

Po shuhen pak nga pak!

Është ndarë sot nga jeta në moshën 97-vjeçare historiani, folkloristi, publicisti dhe patrioti e burri i madh i Çamërisë Ibrahim Daut Hoxha, një prej personaliteteve të shquar të popullsisë shqiptare të Çamërisë, që me me botimet e tij, për krahinën e ÇAMËRISË ka arritur të evidentojë masakrat dhe genocidin mbi shqiptarët e ÇAMËRISË nga shovinistët grekë.

Ai lindi në Konispol më 15 prill 1923.

Ibrahim Daut Hoxha rrjedh nga një familje dhe një fis i shquar atdhetar i Çamërisë që ka luftuar vazhdimisht me pushkë e penë për të mbrojtur trojet shqiptare nga pushtuesit e huaj dhe sidomos nga synimet aneksuese të shovinistëve grekë. Babai i tij, atdhetari Daut Hoxha, pas përpjekjeve e luftimeve shumë vjeçare me bandat andarte greke për mbrojtjen e të drejtave të popullsisë çame, u vra pabesisht prej një grupi banditësh më 15 qershor 1940 në tokën shqiptare. Vrasja e tij, siç përmendet edhe në disa tekste të historisë së Luftës së Dytë Botërore, shërbeu edhe si pretekst për acarimin e marrëdhënieve midis Italisë e Greqisë si dhe për fillimin e luftës italo-greke.

Pas vrasjes së babait, familja e Ibrahimit u detyrua të ikte prej Konispolit e rrezikuar prej masakrave të bandave greke si shumë familje të tjera të Çamërisë dhe u vendos në Lushnjë. Ibrahimi, i cili kishte mbaruar shkollën plotore të Konispolit (gjashtë-vjeçar), siç quhej arsimi i ulët në atë periudhë, u thirr në shërbimin ushtarak dhe, ende pa e përfunduar, u bashkua me çetën partizane “Çamëria”. Mori pjesë në shumë luftime që organizuan forcat partizane dhe, menjëherë pas çlirimit të vendit, u vendos familjarisht në Tiranë, ku iu përkushtua arsimimit të tij.

Kreu shkollën unike, gjimnazin “Qemal Stafa” dhe më vonë vazhdoi një kurs dy-vjeçar për oficer. Pas përfundimit të kursit u caktua në armën e Artilerisë Kundër Ajrore. Në vitin 1952 e përjashtuan nga partia dhe në vitin 1955 e larguan edhe nga ushtria për pikëpamjet e tij antikomuniste. Më vonë vazhdoi Institutin Bujqësor në Kamëz, mirëpo e përjashtuan ende pa e përfunduar për shkak të bindjeve të tij.

Më 1959 u burgos me akuzën: “Ka propaganduar rrëzimin e qeverisë”.

Me shumë vështirësi, pas shumë e shumë përpjekjesh, në vitin 1964, mundi të diplomohej për histori-gjeografi në Universitetin e Tiranës, gjë që i dha mundësinë t’u përkushtohej studimeve shkencore mbi historinë shqiptare e veçanërisht atë të Çamërisë, mbledhjes së folklorit dhe publicistikës.

Në vitin 1966 është diplomuar nga Universiteti i Tiranës si mësues për shkollat e mesme në lëndën e historisë dhe gjeografisë.

Që prej vitit 1956 ka nisur hulumtimin e këngëve dhe valleve popullore, zakoneve, kujtimeve dhe tregimeve, duke shkuar kudo ku gjëndeshin çamër. Prej 1960-s filloi kërkimin, kopjimin, fotografimin e arkivimin e gjithfarë dorëshkrimesh dhe dokumentesh duke krijuar një fond të pasur e mjaft te vlefshëm dokumentar. Në vitet 1965-1972 regjistroi në Institutin e Krijimtarisë Popullore dhe Radio Tirana këngët e para çame.

Pavarësisht botimit, vepra e tij në shumë raste është censuruar nga diktatura si në vitin 1971, kur “Fabula dhe vjersha” nga 435 faqe përfundoi me 97 faqe në botim.

Edhe vepra tjetër “Këngë Popullore Çame”. Pasi shumë e shumë prej tyre i hodhën në kosh (edhe më shumë i vodhën për tjetërkënd) vendosën ta botonin. Mirëpo, kur ishte në prag të vënies në qarkullim, organet e asaj kohe, Ministria e Arsimit dhe Drejtoria e Propagandës pranë Komitetit Qendror urdhëruan asgjësimin e tij, sepse autorin e quajtën irredentist që kërkonte edhe Prevezën, të cilën “Partia nuk e ka rivendikuar ndonjë herë!”. Pas shumë e shumë përpjekjesh, më 1981, libri u lejua të qarkullonte, por vetëm me 150 faqe nga 530 të shkruara./ KultPlus.com

https://www.facebook.com/Sh.Idrizi/posts/3159192270856105

‘Nuk jam penduar për bombardimin e Serbisë, do t’i bombardoja prapë’

Hillary Clinton, ndër gratë më të fuqishme e më të zëshme të skenës politike, sot shënon 73 vjetorin e lindjes, shkruan KultPlus.

Ajo ka publikuar një foto të saj, në rininë e saj të hershme, ndërsa i ka bashkangjitur edhe një shkrim ku bënë thirrje ndaj amerikanëve që të dalin e të votojnë në këto zgjedhje.

“Është ditëlindja ime dhe kjo është dëshira e vetme: që ju të dilni e të inkurajoni të gjitha ata që mendojnë të mos votojnë këtë vit, të dalin e të votojnë e që vota e tyre të shkojë për Biden-Harris. Të gjithë ne kemi fuqi më shumë se që e mendojmë”, ka shkruar Hillary Clinton.

Bill Clinton do të mbahet mend si një ndër figurat ndërkombëtare më me ndikim në çlirimin e Kosovës nga okupimi serb. Mirëpo, ndikimi indirekt qe Hillary Clinton e ka pasur në këtë mes, nuk është për të mos u vënë në pah, pasi në disa dokumentar amerikan të realizuar rreth çështjes së Kosovës, ndikimi i Hillary Clinton-it në këtë drejtim nuk ka qenë i vogël.

Sot, KultPlus ju sjell një thënie të cilën Clinton e kishte thënë kohë më parë në një konferencë për media.

‘Nuk jam penduar për bombardimin e Serbisë, do t’i bombardoja prapë‘, ishte shprehur ajo me vendosshmëri të lartë. / KultPlus.com

“Ora e Shkrimtarit” përkujton Anton Pashkun, Lule Pashku: Babai ka qenë një shpirt i madh dhe shumë i bardhë

Suada Qorraj

Autori ikonik i letërsisë shqipe, Anton Pashku, shkrimtari i letërsisë së shekullit njëzet u përkujtua sonte në ambientet e KultPlus Caffe Galery, në kuadër të “Orës së Shkrimtarit” të organizuar nga PEN Qendra e Kosovës, shkruan KultPlus.

Diskutimi mbi jetën dhe veprën e Pashkut filloi me fjalimin hyrës të moderuesit Binak Kelmendi, i cili tha se Pashku shquhet për stilin e tij karakteristik dhe për ngritjen kundër normave që ekzistonin në atë kohë.

“Antoni shquhet për stilin e tij karakteristik, modelin që e kishte vetëm ai për shpërfilljen e normave letrare që atëherë aplikoheshin ose zbatoheshin nga krijues të ndryshe, krijues të kohës dhe ai ishte hapur, ose fshehtas bashkë me një grup tjetër intelektualësh kundër normave të realizmit socialist”, theksoi Kelmendi.

Ndërkaq  profesori Anton Berishaj gjatë fjalimit të tij mbi veprën kolosale të Anton Pshkut tha se do të fokusohet në veprën ‘Oh’ të Pashkut, me të cilën ai kultivoi trashëgimi të madhe.

“Unë sonte do të fokusohem në romanin ‘Oh’ të Pashkut, me të cilin ai kultivoi trashëgiminë e dadaizmit dhe surrealizmit, trashëgimi kjo që besohet se ishte kyqe në poetikën e Pashkut. Tre kategoritë që janë përdorur shumë në poetikë nga Pashku janë loja, ëndërrimi dhe shkrimi automatik si trashëgimi e surealizmit”, tha ndër të tjera Berishaj.

Shkrimtari Adil Olluri tha se ndonëse kanë kaluar më shumë se katërmbëdhjetë vjet që prej herës së parë kur kishte lexuar tregimin ‘Kulla’, për të ky tregim mbetet tregimi më i bukur i prozës së shkurtër shqipe.

“Megjithëse kanë kaluar më shumë se katërmbëdhjetë vite nga leximi i parë, ende kam qëndrimin tim se tregimi ‘Kulla’ është një nga krijimet më të bukura të prozës së shkurtër shqipe. Një krijim imagjiantiv simbolik që mund të lexohet nga kënde të ndryshme, gjë që e bënë krijim të arrirë”, pohoi Olluri.

Ai ka shtuar se rrëfimi i Anton Pashkut në të shumtën e rasteve është rrëfim asociativ sepse ka si armë të fortë idetë që janë gjëja parësore e letërsisë së shkrimtarit.

“Rrëfimi i Pashkut në prozën e tij të shkurtër në të shumtën e rasteve është rrëfim asociativ, jo i drejtpërdrejtë, dhe tregimet e tij janë tregime të ideve, sepse përveç reprezentimit figurativ e stilistik, armë e fortë e tregimeve të Pashkut janë pikërisht idetë, që shpesh herë janë lënë në plan të dytë nga interpretuesit e teksteve të tij për t’u trajtuar forma dhe struktura letrare e tregimeve si gjëja parësore dhe shpeshherë edhe e vetme e letërsisë së këtij romani”, ka thënë shkrimtari Olluri.

E pranishme gjatë kësaj nate ishte edhe e bija e vetme e Pashkut, Lule Pashku e cila e konsideronte përkujtimin për babain e saj si një ndjenjë të bukur sepse siç tregoi ajo, ai ishte nga ata shkrimtarët që ka punuar shumë dhe çdo herë ka përkrahur personat që kanë pasur dashur për artin.

“Është ndjenjë e mirë që kohë pas kohe të përkujtohet meqenëse ai me të vërtetë ka punu shumë, ka qenë një njeri që e ka dashtë shumë artin edhe njerëzit të cilët janë marrë me artin i ka përkrahë gjithmonë. Ai ka pas diapazon te gjere te dijes, pavarësisht qe ishte shkrimtar njohurit e tij ishin të gjëra edhe për degët e tjera të artit. Ai i ka përkrah të gjithë, sidomos ata që ju kanë qas, mirëpo mua më erdh mire që pash njerëz që ishin mirënjohës për atë pjesë”, tha për KultPlus Lule Pashku.

Ajo ka shtuar se është krenare që ka pasur një baba si Anton Pashku, sepse ai nuk ka qenë një baba autoritativ, por mbi të gjitha ai i ka udhëzuar çdo herë. Sipas saj Anton Pashku ka qenë një shpirt i madh.

“Unë jam krenare që kam pas baba meqenëse ka pasë shumë vlera, përveç këtyre letrare ai edhe si njeri ka qenë shumë i formuar, nuk ka qenë nga ata prindërit tradicional e të pasurit autoritetin në shtëpi. AI na ka mësu me e ngrite zërin kur nk na ka pëlqyer diçka, ai çdo herë na ka udhëzuar por nuk ka paneguar që të shprehim mendimin tonë. Ai ka qenë një shpirtë shumë i mire, shumë i madh edhe shumë i bardhë. Më vie mirë që e përkujtojnë dhe e falenderojnë për punën e tij”, ka përfunduar Pashku.

PEN Qendra e Kosovës ka paraparë edhe gjashtë mbrëmje të tjera kulturore kushtuar shkrimtarëve të ndjerë: Hasan Mekuli, Jusuf Gërvalla, Xhemail Mustafa, Rifat Kukaj, Mensur Raifi dhe Mirko Gashi të cilat do të mbahen javëve në vazhdim./ KultPlus.com

Komentatori i IJF-së: Xhudistet e Kosovës janë të klasit botëror

Emra të tjerë shqiptarë po njihen me tituj në nivel ndërkombëtarë falë talentit të tyre në xhudo.

Ekipi i Kosovës në Xhudos ka fituar dy medalje në Grand Slamin e Budapestit, garë që shënon rikthimin e nivelit më të lartë të këtij sporti.

Distria Krasniqi të premten fitoi medalje të artë në kategorinë deri 48 kilogramë, ndërsa të dielën Loriana Kuka fitoi medalje të bronztë në kategorinë deri 78 kilogramë. Të dyja kishin paraqitje të nivelit të lartë, ndërsa Lorianës i kushtoi një moment pakujdesie.

Vlerësimet për xhudistet kosovare nuk mungojnë asnjëherë. Nuk kanë munguar as të dielën. Komentatori i IJF-së (International Judo Federation), që është edhe ekspert i xhudos, ka thënë disa fjalë për ekipin e Kosovës gjatë luftës së Lorianës.

“Kosova ka disa xhudiste jashtëzakonisht të forta. Është grup i vogël, nuk është grup i madh, por të gjitha prej tyre janë të klasit botëror”, ka thënë ai. /koha/ KultPlus.com

50 vjet nga lansimi i ‘Your songs’, hiti i pavdekshëm i Elton John

Bernie Taupin shkroi tekstin dhe në më pak se njëzet minuta, Elton John kompozoi muzikën. Kështu lindi “Your Song”, hiti i parë i këngëtarit dhe muzikantit anglez.

Një moment historik në historinë e muzikës bashkëkohore dhe që sot mbushi 50 vjet.

Kënga u publikua, më 26 tetor 1970, në Shtetet e Bashkuara. Ishte, menjëherë, një sukses i madh, fillimisht në radio dhe më pas në të gjitha klasifikimet, gjë që bëri që John Lennon të thoshte: “Është gjëja e parë e bukur që doli pas Beatles”. Që atëherë, Elton e ka kënduar në fund të çdo koncerti të tij dhe në imagjinatën kolektive mbetet një nga deklaratat më të bukura të dashurisë në fjalë dhe muzikë.

Kur ai filloi bashkëpunimin e tij me autorin Bernie Taupin, në qershor 1967, Elton John nuk e dinte se ky do të ishte partneriteti më i rëndësishëm njerëzor dhe profesional i karrierës së tij. Ai e zbuloi atë disa vjet më vonë, kur, pas një periudhe reagimesh të dobëta komerciale dhe një albumi debutues, “Empty Sky”, i cili nuk ishte shumë i suksesshëm, u lëshua albumi i tyre i dytë “Elton John”, kënga e parë e të cilit ishte vetëm “Your Song “. Taupin ia kishte dërguar fjalët Eltonit, të shkruara një mëngjes, dhe i ulur në pianon e shtëpisë së nënës së tij në më pak se gjysmë ore këngëtari kishte kompozuar muzikën, nën sytë e shokut të tij të mahnitur.

Por suksesi i këngës, nuk erdhi nga albumi, i cili gjithashtu filloi të vendosej në krye të klasifikimeve, por nga single që u lansua shtatë muaj më vonë në Los Angeles.

Një strukturë e thjeshtë muzikore, një baladë klasike simfonike, “Your Song”, e luajtur në pianon e Eltonit, i detyrohet suksesit të saj edhe orkestrimit mbresëlënës, të Paul Buckmaster.

Historia e treguar flet për ndjenjat e një djali ndaj një vajze, një histori dashurie me pak fjalë, si shumë të tjera, por që ka mundur të pushtojë breza të tërë.

“Sekreti i Bernie është të qenit një tip shumë sentimental dhe të shkruash shumë rrallë. Tekstet e tij janë të gjitha personale dhe unë mund ta kuptoj sepse e njoh atë brenda dhe jashtë. Për shembull, kur ai u paraqit me tekstin e këngës ‘Your Song’ tha: ‘Unë e njihja vajzën dhe meqë ata dukeshin të dashuruar unë u kujdesa për muzikën në një mënyrë të veçantë, dhe të ëmbël për të mos i zgjuar nga apatia dashurore në të cilin ishin zhytur’”, kishte thënë John për tekstin e këngës.

Ylli i rock-ut, gjithashtu, ka pranuar se e pëlqen dhe e konsideron si këngën e tij më të mirë të dashurisë. “Your Song” mbetet ndoshta kënga më e famshme për Elton Johnin, një markë e tij, e interpretuar në çdo koncert live. / KultPlus.com

Barack Obama boton kujtimet e tij nga jeta në Shtëpinë e Bardhë

Vëllimi i parë i kujtimeve të Barack Obama-s në lidhje me tetë vitet e tij në Shtëpinë e Bardhë shumë shpejt do të jenë pjesë e librarive, njoftoi sot e e përjavshmja “New Yorker”, transmeton KultPlus.

Me titull “Toka e premtuar “, libri do të dalë më 17 nëntor. “Obama e shkroi atë personalisht, me dorë, në letra të verdha shënimesh”,
specifikoi drejtori i “New Yorker”, David Remnick, dhe pritet që kujtimet do të dalin në dy vëllime.

“Obama vendosi që do të ishte më mirë që kujtimet të ndaheshin në dy grupe “, tha Remnick.

“Toka e premtuar” mbyllet me lindjen e lëvizjes “birtherismo”, Donald Trump-in dhe vrasja e Osama bin Laden-it.

Për daljen në shitje të vëllimit të dytë nuk është vendosur ende një datë. / KultPlus.com