Artistët shqiptarë në Vjenë, koncert për nder të Festës Kombëtare të Austrisë

Koncerti do të mbahet sonte, më 26 tetor, për nder Festës së Pavarësisë së Austrisë, i cili do të jetë në vazhdën e „Javëve të Kulturës Shqiptare në Austri“ të organizuar nga Këshilli Koordinues i Shoqatave Shqiptare në Austri, transmeton KultPlus.

Gjithçka është gati: Artistët shqiptarë mbajtën mbrëmë edhe provat e fundit para koncertit “Klassik trifft Ethno“ që do të përformojnë para publikut shqiptar në Vjenë dhe miqve austriakë.

Salla e bukur “Konservatoirum Ehrbar Saal” tashmë ka hapur dyert për të pritur mysafirët.

Koncerti do të mbahet sonte, më 26 tetor, për nder Festës së Pavarësisë së Austrisë. Koncerti do të jetë në vazhdën e „Javëve të Kulturës Shqiptare në Austri“ të organizuar nga Këshilli Koordinues i Shoqatave Shqiptare në Austri.

Gjatë provave

Publiku shqiptar dhe miqtë austriakë do të kenë mundësinë të shijojnë rreth 1 orë e 30 minuta përformancat e artistëve më të njohur shqiptarë në Austri, si: Flaka Goranci – mezzosoprano, Eno Peçi – balerin dhe koreograf, Rina Kaçinari – violonçeliste, Aurel Qirjo – violinë dhe Zamir Kabo – piano.

„Jemi në provat e fundit të përgatitjes për koncert. Do të jetë një natë e paharruar me këngë të zgjedhura nga vetë artistët. Ata po japin maksimumin që gjithçka të shkojë mbarë“, thotë për Albinfo Austria, Ermal Vejsa, sekretar nga Këshilli i Shoqatave.

Edhe pse në kohë pandemie, organizatorët kanë marrë të gjitha masat që koncerti të rrjedhë sipas kërkesave të institucioneve austriake. “Ne do t’u përmbahemi të gjitha kërkesave nga institucionet austriake. Me keqardhje duhet të themi se përkundër kërkesave të shumta për të qenë të pranishëm në këtë koncert, ne ishim të obliguar që të kemi numër të kufizuar. Prandaj kërkojmë mirëkuptimin e të gjithëve”, tha Vejsa për albinfo Austria.

Si pasojë e masave të reja kundër Covid-19, që janë ndërmarrë nga Qeveria e Austrisë dhe të cilat vlejnë që nga data 23/10/2020,  Këshilli organizativ ka njoftuar të gjithë të ftuarit se janë të obliguar:

-Në orën 18:30 të vini në koncert (Mühlgasse 28, 1040 Wien, Austria)

-Të mbani distancën prej1,5 m – me njëri-tjetrin gjatë gjithë kohës së pritjes dhe në hapësirat e brendshme.

-Të dezinfektoni duart sapo të hyni brenda në objekt.

-Të mbani maskën në të gjitha hapësirat e brendshme të objektit dhe gjatë gjithë koncertit duke mbuluar gojën dhe hundën.

“Gjithashtu, në rast se për arsye të ndryshme nuk do të mund të vini në koncert, duhet të na lajmëroni menjëherë për mos pjesëmarrjen tuaj, sepse të gjitha vendet janë të rezervuara në emrin personal të secilit prej jush.

Ne si organizatorë, kemi përgjegjësi shtesë rreth organizimit të koncertit dhe respektimit të masave mbrojtëse në këtë periudhë pandemie, prandaj jemi të obliguar të mbajmë evidencë të saktë të pjesëmarrësve në koncert dhe për këtë kërkojmë mbështetjen dhe bashkëpunimin tuaj”, thuhet në njoftim. /albinfo/ KultPlus.com

Mjekët shqiptarë në Francë publikojnë Protokollin e COVID-19

Vijon nisma e Federatës së Mjekëve në Evropë për të sjell në gjuhën shqipe disa nga protokollet më të reja të trajtimit të COVID-19 të aplikuara në vende të ndryshme. Një iniciativë kjo që i vjen në ndihmë sistemit shëndetësor, mjekëve dhe pacientëve shqiptarë.

Së fundmi Federata e Mjekëve në Evropë ka publikuar protokollin francez të terapisë së Covid-19, i cili është përpunuar nga Teni Kamberi, mjek specialist i Anestezisë dhe Reaminacionit.

Lajmin e ka bërë të ditur nënkryetarja e Federatës së Mjekëve në Evropë, Aurora Dollenberg.

Dollenberg sqaron se qëllimi i kësaj nisme të Federatës së Mjekëve Shqiptarë në Evropë është që protokolli përkthyer e firmosur prej mjekëve specialist t’u bashkëngjitet protokolleve të mbledhur nga vendet e tjera evropiane dhe të krahasohet me protokollin shqiptar, për të përmirësuar dhe mbështetur punën e kolegëve dhe pacientëve në Shqipëri.

Deri më tani Federata e Mjekëve në Europë ka sjellë në gjuhën shqipe edhe protokollin mjekësor kundër Covid- 19 të SHBA-ave dhe Austrisë. / KultPlus.com

“Daily Mail” më 1928 mbi turizmin automobilistik në Shqipëri

Pas kapërcimit të periudhës së paqëndrueshme politike në vitet 1920-1924 Shqipërisë iu hap rruga e përpjekjeve të gjithanshme për forcimin e ekonomisë. Turizmi ishte një prej këtyre degëve, dhe legatat dhe konsullatat jashtë vendit patën një rol të rëndësishëm për këtë.

Turizmi në Shqipëri filloi me turizmin automobilistik në 1927, i cili ishte më në modë në Evropë dhe më lehtë i realizueshëm. Qeveria shqiptare u kujdes të lehtësonte procedurat për marrjen e vizës të të gjithë të interesuarve për të bërë udhëtim me makinë në Shqipëri.

Sipas informacioneve që vinin nga përfaqësitë shqiptare në këto vite, turizmi i organizuar kishte filluar të përhapej shumë në Evropë, dhe shihej si një burim i mirë të ardhurash për buxhetin e shteteve që po përpiqeshin të rimëkëmbeshin pas lufte. Duke qenë më afër këtij realiteti, përfaqësitë diplomatike e konsullore jashtë ishin nxitëset kryesore të qeverisë shqiptare për të marrë në konsideratë zhvillimin e një fushe të tillë të veprimtarisë ekonomike siç ishte turizmi.

Propozimi i parë  vjen nga Legata shqiptare në Paris në nëntor 1926. I Ngarkuari me Punë në Paris Maliq Libohova në bashkëpunim me Leon Rey, drejtues i Misionit Arkeologjik francez i cili kishte mbërritur në Shqipëri në nëntor 1923 sipas një marrëveshjeje të nënshkruar ndërmjet Ministrisë së Arsimit të Francës dhe asaj të Shqipërisë, duke marrë në konsideratë bukuritë natyrore dhe kuriozitetet historike që ofronte Shqipëria, i propozon qeverisë shqiptare  ngritjen e Agjensisë Zyrtare të Turizmit  që të drejtonte zhvillimin e turizmit në Shqipëri, si një aktivitet ekonomik e kulturor që i shërbente interesave të qeverisë shqiptare në disa fusha si dhe në njohjen e Shqipërisë nga të huajt. Idenë e përkrahu dhe e zhvilloi më tej edhe Ministri Fuqiplotë dhe I Jashtëzakonshëm i Shqipërisë në Paris Iliaz Vrioni në 1927. Leon Rey kontribuoi edhe në hartimin e një Statuti për një Touring-Club në Shqipëri, i cili propozohej të ishte nën kujdesin e Presidentit të Republikës, Ahmet Zogu, sipas modeleve të ngjashme në rajon.

Nën Koloneli P.T.Etherton, një nga anëtarët e misionit që vëzhgonte kushtet  e udhëtimit të mjeteve në Evropë e Ballkan e pasqyroi rrugëtimin e tij në Shqipëri në “Daily Mail” në tetor 1927, ku Shqipërinë e quan “në këtë anë të Evropës të panjohur dhe piktoreske”.

Në këtë shkrim ai ka shprehur admirimin e tij për shqiptarët, teksa thotë se “largohet për në Serbi me hidhnim”.

Everton shkruan (me shqipen e sotme): Kur hyn në kufi të Shqipërisë je me një rrugë automobilistike thuhej se po të mirë; pamja është e mrekullueshme dhe rruga shkon anës liqenit të Ohrit, e cila nga bukuria është e njëllojshme me më të mirat e liqeneve italiane. Benzina dhe sendet e tjera duhet të merre me vete pasi nuk ka përveçse në qytete të mëdha; hanet janë primitive por mundet me gjet ushqime të mira ordinare; dhe ndodhë më nji vend të këndshëm ku nuk konsiderohesh si person që duhet rrjepur. Presidenti (shën. redaksise: Ahmet Zogu ne ate kohe) më tha se do ta  bëjë vendin e vet atraktiv prej turistëve dhe me të vërtetë po e bën.

Në Shqipërinë e Veriut ku kaluam populli janë luftëtarë, persona të mbushur (të fortë) dhe ngjajnë me hajdutët që përshkruhen në libra historisë. Në Shkodër, buzë një nga më të bukurit liqene të Shqipërisë takuam një gjeneral anglez, i cili më parë ka qenë kryetar shet madhnorie të një nga Ushtrive tona në Francë, i cili kryesor një fuqi policor. Shqiptarë si këta turisti mund të marrë parasysh se deri verën tjetër do shkojë mirë kudo në këtë anë të Evropës të panjohur dhe piktoreske.” /diasporashqiptare/ KultPlus.com

Jetesa e tmerrshme e kafshëve të egra në një kopsht zoologjik, luanët vdesin urie

Pamje të tmerrshme të jetesës së shtazëve janë parë në një kopsht zoologjik në Afrikë.

Kopshti zoologjik privat në Ouagadougou të Afrikës Perëndimore, është një vendbanim jashtëzakonisht mizor për shtazët që mbahen aty. Një organizatë e njohur që merret me kafshët e egra, ka inspektuar këtë kopsht dhe ka gjetur dhjetëra kafshë që jetojnë në mënyrë tejet të vështirë.

Ajo ka evidentuar kafshë që vuajnë nga uria, luanë të dobësuar e në prag të vdekjes, duke thënë se këto specie nuk janë ushqyer siç duhet.

Katër luanë, dy hipopotamë, dy derra, dhjetëra majmunë, një hienë, strucë, breshka dhe drera, janë parë të uritur për vdekje ndërsa gjendja e tyre shëndetësore raportohet se është e tmerrshme, shkruan Dailymail, transmeton KultPlus.

Në kafazin e derrave OJQ-ja njofton se kishin hasur në kafaz totalisht të mbyllur dhe kishin filluar të kalben për vdekje.

Shifrat e siguruara nga kjo OJQ tregojnë se në gjashtë vitet e fundit, në këtë kopsht zoologjik kanë ngordhur dhjetëra elefantë, luanë, tigra, gjirafa, buallica, zebra e të tjera.

Mbrojtësit e kafshëve kanë krijuar një fond për t’u ndalur në ndihmë këtyre shtazëve që po vdesin urie, ndërsa thonë se 47 shtazët e mbetura, do mundohen t’i mbajnë gjallë.

Ouagadougou, zonë në Afrikën Perëndimore është duke u përballur me krizë të madhe humanitare. / KultPlus.com

‘Dera e hapur’ i Florenc Papas, filmi kandidat i Shqipërisë për Oscars 2021

Me regji nga Florenc Papas, “Derë e hapur” është filmi përfaqësues i Shqipërisë për Oscars që do të mbahet gjatë vitit 2021, shkruan KultPlus.

Lajmi u bë i ditur nga vetë regjisori i filmit, përmes një postimi në rrjetin social Facebook.

‘Falemnderit dhe urime të gjithëve’, ka shkruar regjisori në njoftim.

Filmi “Derë e hapur” ka në qendër tri personazhe. Dy motrat Rudina e Elma dhe djalin 5-vjeçar të Rudinës. Rolet e tjera janë episodike në film, por të rëndësishme përgjatë udhëtimit të tri personazheve kryesore. Filmi i vendos ngjarjet në ditët tona dhe zhvillohen në Tiranë, Kërrabë, Përrenjas dhe Lin.

“Derë e hapur” pati premierën botërore në Festivalin e Filmit në Sarajevë. / KultPlus.com

Në Durrës vendoset instalacioni ‘Të besoj’, bëhet thirrje për luftë ndaj abuzimit seksual i fëmijëve

UNICEF Shqipëri ka vijuar me prezantimin e fushatës “Të Besoj” në qytetin e Durrësit ku në sheshin Liria, u organizua një aktivitet i heshtur me vendosjen e siluetave fëmijësh, që secila tregon një histori reale të abuzimit seksual.

“Isha 11 vjeç kur…më dhunuan seksualisht. Sot kam frike se nuk jam e virgjër dhe mendoj për probleme që do të më sjellë ky fakt. Mu deshën 8 vjet ta ndaj këtë ngjarje me dikë… deri më sot, nuk i kisha treguar njeriu”.

“Isha 12 vjeç…kur një burrë më i madh në moshë se unë më abuzoi seksualisht, dhe që prej asaj kohe kam probleme me seksualitetin. M’u deshën 12 vjet që të flas me dikë.”

Këto janë vetëm dy nga historitë e shumta të abuzimit seksual të fëmijëve në Shqipëri, që shfaqen në këtë instalacion, si prova të prekshme që fenomeni i Abuzimit Seksual të Fëmijëve është shumë here më i përhapur dhe shkatërrues sesa mendohet, i cili ndodh në sy të gjithëve dhe kërkon një ndërhyrje proaktive të menjëhershme. Rastet që u bënë të njohura për publikun së fundmi janë thjesht maja e ajsbergut. Sipas Policisë së Shtetit, 60% e rasteve të abuzimit seksual në Shqipëri kryhen kundër fëmijëve. Në shumicën e rasteve, abuzuesi është nga rrethi i besimit të fëmijës, ndërsa në 1/3 e rasteve është pjesëtar i familjes (Raporti Medialook, 2019). Një në dhjetë fëmijë raporton të paktën një përvojë të padëshiruar seksuale në internet, e iniciuar kryesisht nga një person i njohur nga fëmija.

Për ta adresuar këtë dukuri dhe për t’i dhënë fund Abuzimit Seksual në vend, UNICEF Shqipëri mirëpriti në këtë event Kordinatoren e Përhershme të Kombeve të Bashkuara në Shqipëri Fiona McCluney, Kryetaren e Bashkisë Durrës Emiriana Sako si dhe Prefektin e Durrësit Roland Nasto.

“Nëpërmjet kësaj fushatë ne duam t’i japim fund heshtjes rreth abuzimit seksual dhe shfrytëzimit të fëmijëve të cilët presin përgjigje nga ne! Nëse ata do të ishin këtu sot, ata do të na kërkonin të ndërmerrnim masa për të ndaluar abuzimin seksual. Ata duhet të fillojnë të na besojnë dhe ne duhet të fillojmë t’i besojmë “, tha në fjalën e tij hyrëse Roberto De Bernardi, Përfaqësuesi i UNICEF në Shqipëri.

“Familja e Kombeve të Bashkuara mbështet plotësisht thirrjen e UNICEF për veprim të menjëhershëm. Ne i kërkojmë së bashku Qeverisë Shqiptare, Shoqërisë Civile, Sektorit Privat, profesionistëve të kujdesit ndaj fëmijëve dhe prindërve të dyfishojnë përpjekjet, të flasin hapur mbi këtë fenomen, të rrisin vigjilencën dhe të investojnë në punën parandaluese për të ardhmen e Shqipërisë”, përmendi në fjalën e saj përshëndetëse Fiona McCluney, Kordinatore e Përhershme e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri.

“Shfrytëzimi seksual i fëmijëve është një krim me përmasa globale. Lufta ndaj këtij krimi kërkon reagim të koordinuar të institucioneve të ndryshme,  si edhe organeve ligj zbatuese të qeverive, përfaqësuesve të shoqërisë civile. Rastet e abuzimit seksual përbëjnë edhe rastet më të vështira për tu trajtuar dhe menaxhuar pasi fëmijët e ngacmuar seksualisht shfaqin tërheqje dhe mungesë gatishmërie për të denoncuar abuzuesit. Ne, të rriturit, duhet të përpiqemi të shmangim krijimin e tabuve rreth seksualitetit dhe të sigurohemi që femijet e dinë se kë të kontaktojnë nëse ata ndjehen të brengosur, të shqetësuar apo të trishtuar. Nepermjet programeve dhe qendrave, fokusi ynë do të jetë parandalimi i dhunës dhe mbrojtja e fëmijëve e kjo fillon që nga njësia bazë e shoqërisë, familja, më tej shoqëria dhe institucionet. Prioriteti ynë është forcimi i kapaciteteve dhe zgjerimi i shërbimeve për të arritur tek mbrojtja dhe mirëqenia e fëmijëve” deklaroi gjatë aktivitetit Emiriana Sako, Kryetarja e Bashkisë Durrës.

Në këtë takim e ka marrë fjalën edhe prefekti Roland Nasto i cili theksoi se dhuna kundër fëmijëve përbën shkelje të të drejtave të tyre, pengon zhvillimin dhe cenon gëzimin e të drejtave të tyre. Nasto deklaroi mbështetjen e plotë për fushatën e nisur nga UNICEF dhe shtoi se institucionet e shtetit dhe e gjithë shoqëria janë në luftë të vazhdueshme kundër këtij krimi të rëndë.

Instalacioni “Të Besoj” do të qëndrojë në Sheshin Liria për 12 ditë dhe më pas do të zhvendoset në qytete të tjera kryesore të Shqipërisë. Objektivat e fushatës janë: ndërgjegjësimi mbi problematikën e abuzimit dhe shfrytëzimit seksual të fëmijës; nxitja e kulturës së ngritjes së zërit dhe raportimit  kundër kësaj dukurie; inkurajimi i autoriteteve për politika dhe veprime konkrete.

Qyteti i Durrësit bëhet qyteti i dytë në vend pas Tiranës që i bashkohet fushatës TëBesoj duke kontribuar në angazhimin e UNICEF për ti dhënë fund këtij krimi të shëmtuar. Mbledhja e historive, u zhvillua brënda disa javësh në sajë të mbështetjes dhe bashkëpunimit të ngushtë të Nisma ARSIS, Fondacionit “Together Albania”, si dhe Linjës Kombëtare të Ndihmës për Fëmijët “Alo 116”.

Të Besoj është një instalacion publik nga UNICEF Shqipëri, i cili pasqyron siluetat e disa fëmijëve të abuzuar seksualisht, ku secila prej tyre tregon një histori të vërtetë të ndodhur në Shqipëri. Pas çdo siluete, fshihet historia e një fëmijë të vërtetë, një personi të vërtetë, i cili ende vuan pasojat e abuzimeve që ka përjetuar. Historitë nuk përmbajnë emra të fëmijëve apo ndonjë informacion tjetër që mund të çojë në identifikimin e tyre. /atsh/ KultPlus.com

Dua Lipa njofton publikimin e këngës më të re, bashkëpunon me artisten e njohur belge

Dua Lipa ka bërë të ditur se këtë javë pritet të publikojë këngën e saj më të re, ‘Fever’, e cila është në bashkëpunim me artisten belge, Angele, shkruan KultPlus.

Ky projekt është i pari prej lansimit të albumit të saj ‘Future Nostalgia’, album ky që vazhdon të jetë ndër më të suksesshmit e këtij viti.

Lajmin për lansimin e këngës së re, Dua e bëri përmes një postimi në rrjetin social Twitter, “Fever në bashkëpunim me Angele. Të premten, 30 tetor”, ka shkruar Lipa.

Krahas albumit, ylli shqiptar në gusht solli me klip remiksin e “Levitating” në bashkëpunim me Madonna, Missy Elliot dhe The Blessed Madonna. / KultPlus.com

Aprovohen bursa për studentët e Kolegjit Universum në ‘University of Galati’ në Rumani

Kolegji Universum lider i mundësive reale ndërkombëtare për studentë dhe staff për shkëmbim semestral, këtë po e dëshmon fakti se deri tani këtij institucioni të arsimit të lartë në Kosovë i janë aprovuar 114 marrëveshje me universitete në 26 shtete të Evropës dhe Turqi. Së fundmi, gamës së bashkëpunimeve i është shtuar edhe projekti tjetër për BURSA ndërkombëtare në Rumani.

Studentët e Kolegjit Universum do kenë mundësinë të studiojnë për një semestër në Universitetin Publik të Rumanisë “University of Galati” apo Universiteti “Dunarea de Jos” .

Të gjithë studentët përfitojnë shkollim falas, kompenzim mujor 850 euro dhe 275 euro kompenzim për shpenzime të transportit.

Kolegji Universum, mbetet lider për mundësitë ndërkombëtarë për studentët! Deri sot 297 studentë të Kolegjit Universum dhe 105 staf akademik dhe administrativ kanë përfituar nga kjo mundësi.

Së shpejti do të shpallet thirrja për aplikim për shkëmbim semestral në këtë universitet me bursë të plotë.

Për informata shtesë kontakto Kolegjin Universum në [email protected], ndiqni faqen në facebook & instagram apo telefononi në +383 44 144 062.

(Shkrim i sponsorisuar nga Universum)

Qyteti i njohur gjerman anulon tregun e Krishtlindjeve, fut shtetrrethimin pandemik

Qyteti qendror gjerman i Erfurtit ka anuluar tregun e tij të Krishtlindjeve këtë vit për shkak të situatës së koronavirusit.

“Situata e infektimit në qytet nuk na lë zgjidhje tjetër”, theksoi kryetari i Bashkisë Andreas Bausewein, duke shpjeguar vendimin.

Anulimi është pjesë e një dekreti të ri të përgjithshëm që qyteti planifikon të publikojë në faqen e tij të internetit i cili do të zbatohet deri më 30 nëntor.

Restorantet dhe baret do t’i nënshtrohen një shtetrrethimi nga ora 23:00 deri në 05:00.

Ngjarjet kulturore në ambiente të mbyllura duhet të jenë të kufizuara në një maksimum prej 25 personash dhe jashtë në 100 persona.

Të gjitha festivalet ose ngjarjet e vallëzimit, duke përfshirë festivalin e San Martino dhe tregun e Krishtlindjeve, janë të ndaluara.

Që nga e Shtuna Erfurti është caktuar një zonë e rrezikut të koronavirusit.

Festimet private dhe familjare do të jenë të kufizuara në një maksimum prej 10 personash dhe nuk mund të vijnë nga më shumë se dy familje. /atsh/ KultPlus.com

Publikohet lista zyrtare me 41 shtete pjesëmarrëse në Eurovision 2021

EBU (Rrjeti i Transmetuesve Evropian), ka publikuar sot listën zyrtare me 41 shtete që do të marrin pjesë në festivalin më të madh të muzikës, “Eurvision Song Contest” i cili do të rikthehet vitin e ardhshëm.

Pas anulimit të festivalit këtë vit për shkak të COVID-19, edicioni i 65-të i Eurovisionit, do të organizohet nga EBU bashkë me tre televizionet holandeze NPO, NOS dhe AVROTROS, pasi Holanda është fituesi i fundit i këtij festivali.

Janë 41 shtete të cilët do të dërgojnë përfaqësuesin e tyre në Rotterdam të Holandës më 18,20 dhe 22 maj 2021, transmeton Zeri.info.

Martin Österdahl, Mbikëqyrës Ekzekutiv i Eurovisionit, tha se janë mirënjohës për angazhimin e 41 transmetuesve pjesëmarrës për të ndihmuar rikthimin e garës “Eurovision Song Contest 2021”.

“Ne kemi renditjen e saktë të njëjtë të vendeve që do të kishin konkurruar në vitin 2020 dhe ne jemi të entuziazmuar që të gjithë do të kthehen vitin e ardhshëm. Së bashku me transmetuesit tanë pritës, ne po vazhdojmë të zhvillojmë 4 skenarë të ndryshëm dhe të mbajmë një kontakt me të gjithë pjesëmarrësit. Ekipi nga NPO, NOS dhe AVROTROS po punojnë shumë për të siguruar që Eurovision Song Contest do të sigurojë ngazëllimin dhe inovacionin e pritur nga mbi 180 milion shikues, pavarësisht nga rrethanat sfiduese”, ka thënë Österdahl

Listës i prinë Shqipëria, ndërsa që nga viti 2015 pjesëmarrës në këtë event është edhe Australia, ndërsa Kosova as këtë vit nuk ka arritur të sigurojë pjesëmarrjen në këtë festival./ KultPlus.com

Propozimi i ri, korsi vetëm për gratë në autostrada

Kompania e sigurimeve britanike “Sheila’s Wheels” ka bërë një propozim interesant duke kërkuar korsi të veçanta në autostrada vetëm për shoferet gra dhe madje ato të jenë me ngjyrën rozë. Ndoshta kjo mund t’iu duket diçka gazmore, por në fakt është një propozim konkret i një prej kompanive më të mëdha të sigurimeve në Angli.

Ky propozim ka ardhur pas verifikmeve të cilat “Sheila’s Wheels” ka bërë dhe ku rezulton se janë meshkujt ata që përfshihen më shpesh në aksidente, por nga ana tjetër janë gratë ato që vuajnë më shpesh dëmtime serioze.

Për disa kjo lëvizje mund të konsiderohet si tepër feministe dhe jo e drejtë, por kompania shprehet se ka për qëllim të japi më shumë siguri për femrat që drejtojnë automjete në Angli./gazetalexo / KultPlus.com

26 organizata kërkojnë urgjentisht reagimin e institucioneve për keqprezantimin e shqiptarëve në tekstet ballkanike

26 organizata të shoqërisë civile kërkojnë nga Presidenca e Kosovës, Kuvendi i Kosovës dhe Qeveria e Kosovës (Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës) që të reagojnë për keqprezentimin e shqiptarëve dhe të Kosovës nëpër tekstet alternative gjithëballkanike të historisë, përcjellë KultPlus.

Në vitin 1999 OJQ “Center for Democracy and Reconciliation in Southeast Europe” (CDRSEE) me seli në Selanik, inicoi projektin e vet më të rëndësishëm “Joint History Project” (Projekti i Historisë së Përbashkët), në mënyrë që mësimdhënësve të historisë në Ballkan t’u ofronin materiale që përmbanin shumë këndvështrime për të njëjtën ngjarje. Projekti synonte jo vetëm të rishikonte mësimdhënien etnocentrike të historisë, por edhe t’i nxiste mendimin kritik e debatin, ta promovonte diversitetin e t’i pranonte si vuajtjet ashtu edhe arritjet e përbashkëta të popujve ballkanikë.

Për këtë CDRSEE angazhoi historianë nga i gjithë rajoni dhe projekti rezultoi me hartimin e gjashtë vëllimeve, duke nisur me historinë mesjetare të Ballkanit për të ardhë në ditët e sotme. Vëllimet titullohen 1. Perandoria Osmane; 2. Kombet dhe Shtetet në Europën Juglindore; 3. Luftërat Ballkanike; 4. Lufta e Dytë Botërore; 5. Lufta e Ftohtë (1944-1990), dhe 6. Luftërat, Ndarjet dhe Integrimi (1990-2008).

Gjatë hartimit të këtyre teksteve, CDRSEE mbajti marrëdhënie të afërta pune me të gjitha ministritë e arsimit në rajon dhe gëzoi mbështetjen nga gjithsej 25 donatorë ndërkombëtarë, duke përfshirë BE-në. Të gjashtë vëllimet u përkthyen nga origjinali anglisht në dhjetë gjuhë (nëntë ballkanike dhe japonisht) e u promovuan në shumë prej kryeqyteteve rajonale, përfshirë edhe Prishtinën më 2018.

“Ne organizatat e shoqërive civile në Kosovë jemi shumë të shqetësuara që në këto vëllime të CDRSEE-së shumë ngjarje tejet të rëndësishme të historisë së Kosovës nuk figurojnë fare. Në anën tjetër, shumë nga ngjarjet paraqiten në mënyrë sipërfaqësore, jokorrekte, të pasaktë, të njëanshme, e nganjëherë edhe ofenduese, sa ndonjëherë të krijohet përshtypja se disa nga pjesët për shqiptarët dhe Kosovën do t’i kenë hartuar historianë të indoktrinuar me nacionalizëm serb. Mënyra si paraqitet historia e Kosovës në këto publikime nuk i kontribuon aspak misionit të pretenduar të CDRSEE-së për tejkalimin e trashëgimisë së dhimbshme të të kaluarës dhe pajtimin afatgjatë mes popujve ballkanikë dhe se mënyra e prezantimit të historisë së Kosovës duhet të ndryshojë urgjentisht”, thuhet në komunikatë.

Andaj, këto organizata kërkojnë nga Presidenca e Kosovës, Kuvendi i Kosovës dhe Qeveria e Kosovës (Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës) që urgjentisht të reagojnë për këtë keqprezentim të shqiptarëve në përgjithësi, e të Kosovës në veçanti:

– duke ndaluar përdorimin e këtyre teksteve alternative gjithëballkanike të historisë nëpër shkollat fillore e të mesme në Kosovë; si dhe

– duke kërkuar nga botuesi CDRSEE që të ndryshojë keqprezentimin e shqiptarëve dhe të Kosovës nëpër këto tekste alternative gjithëballkanike të historisë.

1. ADMOVERE

2. CEL KOSOVA

3. CHwB (Cultural Heritage without Borders)

4. CPC (Qendra për Kurajo Politike)

5. ÇOHU (Organizata për Demokraci, Antikorrupsion dhe Dinjitet)

6. DEBATE CENTER

7. EC MA NDRYSHE

8. EKË

9. ETEA

10. FOL

11. GERMIN

12. INTEGRA

13. INPO

14. KADC (Kosovo Advocacy and Development Centre)

15. KCSF (Kosovo Civil Society Foundation)

16. KFOS (Kosovo Foundation for Open Society)

17. KGVK (Komiteti i Grave të Verbëra të Kosovës)

18. KAF (Kosovo Architecture Foundation)

19. LET’S DO IT KOSOVA

20. ORCA (Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim)

21. POLIS

22. Qendra Kosovare për Studime Gjinore

23. QKSS (Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë)

24. RrGK (Rrjeti i Grave të Kosovës)

25. Shoqata e Intelektualëve të Pavarur – Deçan

26. YIHR Kosova (Youth Initiative for Human Rights) / KultPlus.com

Kurz: Një bllokim i dytë mundësia e fundit nëse rastet me Covid-19 nuk ulen

Kancelari austriak, Sebastian Kurz kërcënoi të vendosë një bllokadë të dytë si një mundësi të fundit nëse rritja aktuale e rasteve të koronavirusit nuk zbutej.

”Situata në spitale do të përcaktojë nëse do të vendosim një bllokim të ri. Asnjë vend në botë nuk do të lejonte që kujdesi i tij intensiv mjekësor të mbingarkohej”, theksoi Kurz.

Në Austri, mbingarkesa e mundshme e sistemit shëndetësor është një kërkesë ligjore për të vendosur një bllokadë.

Austria futi një kufi prej gjashtë personash për takime private në ambientet e brendshme dhe 12 persona për takimet në ambientet e jashtme.

Austria ka regjistruar numër rekord të infeksioneve ditore në ditët e fundit./atsh/ KultPlus.com

Spitalet në Belgjikë mund të mbeten pa shtretër të lirë brenda 15 ditëve

Belgjika mund të mbetet pa shtretër të lirë në kujdesin intensiv brenda dy javëve nëse numri i personave në spitale vazhdon të rritet me ritmin aktual, ka thënë një zyrtar të mërkurën, raporton agjencia Reuters.

Vendi me 11 milionë banorë ka nivelin e dytë më të lartë të infektimit me koronavirus në Evropë për kokë banori pas Çekisë, ku rastet e reja janë dyfishuar çdo 13 ditë dhe kanë arritur kulmin me më tepër se 18 mijë të infektuar më 20 tetor.

Numri i pacientëve në kujdesin intensiv po dyfishohet çdo tetë ditë – ka arritur në 757 të dielën – ndërsa 4827 persona janë të hospitalizuar.

Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Yves van Laethem, në konferencë për media ka thënë se Belgjika ka kapacitet maksimal prej 2000 shtretërve të kujdesit intensiv, dhe me nivelin aktual brenda dy javëve mund të mbetet pa shtretër të lirë në intensivë.

“Brenda katër ditëve, deri në fund të javës, ne pritet të kalojmë shifrën e 1000 pacientëve në kujdes intensiv. Nëse nuk ndryshon ky ritëm atëherë do të arrijmë në dy javë shifrën e 2000 pacientëve në kujdesin intensiv, që është kapaciteti maksimal i yni”, ka thënë Van Laethem.

Rajoni i Brukselit, një nga më të goditurit në Evropë, ka urdhëruar të shtunën që gjitha objektet sportive e kulturore të mbyllen dhe banorët do të përballen me orë të gjata policore nga sot.

Belgjika ka regjistruar 1288 raste të reja me COVID-19 për 100 mijë banorë gjatë javës së kaluar. Shifra totale e të vdekurve ka arritur në 10.810 që është një nga më të lartat në botë për kokë banori. / KultPlus.com

Flaka e Janarit në trashëgiminë shpirtërore të Kosovës

Në vigjilje të 30-vjetorit të manifestimit kulturor e mbarëkombëtar “Flaka e Janarit 2021”, ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ia ka dorëzuar vendimin kryetarit të Gjilanit, Lutfi Haziri, për futjen e këtij manifestimi në trashëgiminë shpirtërore.

“Sot kemi ardhur me një lajm të mirë në Gjilan. Meqë është bërë për 29 vjet një traditë e manifestimit “Flaka e Janarit”, e cila përmban katër shtylla kryesore, sot jam shumë e nderuar që po ia dorëzoj kryetarit Haziri vendimin për futjen e “Flakës…” në trashëgiminë shpirtërore. E gëzoftë Gjilani dhe uroj që ky manifestim të jetë gjithmonë i gjallë sa është jeta njerëzore sepse me anë të këtij manifestimi, janë nderuar shumë emra të mëdhenj të kombit tonë”, ka thënë Dumoshi.

Lutfi Haziri tha se kjo është mirënjohja më e madhe që i jepet Gjilanit, duke shtuar se rangohet me mirënjohjen që Parlamenti Europian ia ka dhënë me epitetin “Qytet i Paqes” dhe në rrafshin e mirënjohjes kolektive të Presidencës së Kosovës si “Qytet i Lirisë”.

“Për 30 vjet, burra e gra në Gjilan, në ditët më të vështira dhe në ditë të mira, janë gjunjëzuar para veprës së heronjve, dëshmorëve dhe martirëve të kombit, të cilët i kanë dhënë këtij vendi ditën e bardhë të lirisë. Janari kudo është ‘muaj i vdekur’, vetëm ne bëjmë përjashtim sepse më 11 janar, në ditën e rënies së Rexhep Malës e Nuhi Berishës, fillojmë me këtë manifestim dhe i përfundojmë aktivitetet më 31 janar, në nderim të të rënëve përmes vlerave kulturore’, ka thënë Haziri.

Ai ka theksuar se ky vendim e bën të mundur që ky manifestim të njihet nga të gjitha gjeneratat e ardhshme. / KultPlus.com

Nesër nis edicioni i parë i Festivalit Ndërkombëtar ‘Dardan Fest 2020’

Nesër nis edicioni i parë i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar me metrazh të shkurtër, “Dardan Fest 2020”.

“Dardan Fest 2020” do të shërbejë si një platformë për të gjithë kineastët për të rrëfyer histori interesante, që pasqyron kryesisht betejën për emancipim përmes artit të filmit.

Festivali nis nesër në orën 18:00, në kinema Millenium dhe do të zgjasë deri më 30 tetor. Tema nëpër të cilën sillet ky festival është  “Urbanizimi, Mobilizimi, Qytetërimi”.

 Nga 270 filma pjesëmarrës, jo vetëm nga Shqipëria, por edhe nga ShBA, Europa dhe Azia, u nominuan 25. Juria e këtij festivali që realizohet nga Dardan Studio, me sponsor gjeneral Bashkinë e Tiranës dhe Raiffeisen Bank, janë emra të njohur nga bota e kinematografisë dhe arkitekturës.

 Sipas producentes dhe bashkëthemelueses së Festivalit, Raelva Shabanaj, synimi është informimi rreth urbanizimit si pjesë e zhvillimit të paevitueshëm të qyteteve në mbarë botën.

“Edukimi nëpërmjet kinematografisë, sepse urbanizim nuk do të thotë betonim dhe mbytje e hapësirave të gjelbra, përkundrazi, ka shumë anë pozitive. Urbanizimi ka filluar qysh në vitet 4000-3000 p.e.s. për t’ju përshtatur rritjes së popullsisë, për të ngritur standardin e jetesës, për të bërë me të aksesueshme për këdo privilegjet që vetëm qendrat urbane i kanë, si shërbim më të mirë shkollor, mjekësor, mundësi biznesi të mëdha etj”, ka shpjeguar Shabanaj.

 Tematika e filmave pjesëmarrës është e larmishme dhe e gjerë. Drejtori i Festivalit, Agim Poçari shpjegon se vihet re një tendencë më e madhe filmash ku temat sociale dhe teknologjia të mbizotërojnë subjektet kryesore sidomos në vendet si Irani, Franca, Bulgara, Amerika dhe Kanadaja. Ndërsa Spanja dhe Maqedonia kane një mëshim në stil jetese dhe problematikë urbane. Ndërsa nga Shqipëria një nga tendencat për dokumentarin prek bashkëjetesën fetare, një specifike kjo e vendit tonë dhe tolerancës shqiptarë, një vlerë që po promovohet, me të drejtë. Ky festival do të jetë  gjithashtu një shans promovimi për studentët dhe autorët profesionistë.

“Shkëmbimi i mësimdhënies dhe metodave të rritjes së krijimtarisë midis studentëve shqiptarë dhe të huaj që marrin pjesë në festival është tjetër element i rëndësishëm, si edhe shkëmbimi i përvojave përmes forumeve dhe ëorkshop-eve të organizuara së bashku me festivalin midis autorëve vendas dhe të huaj. Krijimi i mundësive për bashkëpunim dhe bashkëprodhim midis krijuesve vendas dhe të huaj. Bërja evidente dhe promovimi i artit kinematografik shqiptar përmes autorëve nga pjesëmarrësit e huaj në festival. Të gjitha këto mendoj që janë të rëndësishme në zhanrin e filmit, sidomos për të rinjtë që do të kenë përparësi”, ka thënë Poçari.

Juria e DardanFest2020: Ana Rebichia, presidentja e jurisë, është ekzekutive filmash dhe dizajnere produksionesh, si edhe arkitekte e licencuar. John Grossman është producent me bazë në Nju Jork, i njohur për bashkëpunimet e tij në filma si “ “Hidden Assassin” apo “A Snake Gives Birth To A Snake”.

Një tjetër anëtar i jurisë është kineasti shqiptar Spartak Papadhimitri, karriera e të cilit si drejtor fotografie shtrihet në katër dekada.  Sihana Nebiu vjen nga fusha e të Drejtave të Njeriut,  ndërsa Nevin Bilali është një arkitekte e  njohur dhe urbaniste, e përfshirë në  një sërë programesh të lidhura me peizazhin në ndryshim të jetës urbane të Tiranës. / KultPlus.com

Ecja në errësirë ju bën mirë për shpirtin?

Dritat nga dritaret e vilës zbehen, shumë shpejt, ndërsa ecim përgjatë një korsie të pandriçuar të vendit dhe marrim një shteg përmes një fushe në një fshat të hapur.

Mbulesa e trashë e reve nuk lejon që drita e hënës të ndriçojë rrugën përpara. Megjithatë, ndërsa sytë e mi fillojnë të mësohen me errësirën, peizazhi përreth meje zbulohet nga një dritë e re, megjithëse një dritëhije.

Konturat e malit Caburn, një fortesë kodre e epokës së hekurit, janë si hijet kundër qiellit. Në horizont, një pemë e përkulur nga era bëhet siluetë dhe pamja shkëmbore në majë të fushës rezulton të jetë një tufë delesh që flenë. Një dhelpër qan, një fazan këndon dhe ajri është plot me aromë dheu.

“Për pjesën më të madhe të historisë njerëzore, njeriu jetonte në kontakt të ngushtë me tokën,”- thotë Nigel Berman, udhëzuesi im, kompania e të cilit, “School of the Wild”, organizon shëtitje gjatë netëve.

“Ecja natën është një mënyrë e fuqishme e rilidhjes. Kur shikimi juaj zvogëlohet, shqisat e tjera mprehen”, transmeton Panorma shkrimin e Guardianit.

Errësira është një gjë nga e cila kemi frikë dhe jemi larguar. Është bërë një metaforë për të keqen dhe depresionin, një vend që mbahet larg nga bota jonë e ndriçuar elektrike.

Por në dimër, kur errësira mbizotëron në pjesën më të madhe të kohës, banorët e përqafojnë atë në vend që të dëshirojnë ditë më të gjata.

Ecja natën nuk është pa rrezik, por me njohuri dhe përgatitje, secili mund të dalë për një shëtitje.

Për shembull, është e rëndësishme të dini itinerarin tuaj ditën në mënyrë që të dini se cilat karakteristika të zgjidhni natën; të keni aftësi të mira lundrimi; merrni të gjitha gjërat e nevojshme (kapelë, doreza, batanije dhe diçka të ngrohtë për të pirë), duke mos harruar edhe motin, që duhet të jetë i favorshëm.

Të ecësh natën është si të zbulosh një botë të re në pragun tënd, një që të lejon të endesh përtej kohëzgjatjes së ditëve të shkurtra të dimrit dhe të eksplorosh në kohën e Covid-19/The Guardian / KultPlus.com

Si për mohimin e “Holokaustit”, Facebook-u do ta ndalojë edhe “islamofobinë”

Kryeministri i Pakistanit, Imran Khan, i ka shkruar kryeshefit ekzekutiv të Facebook-ut, Mark Zucemberg, duke kërkuar për ndalimin e islamofobisë në platformën e tij, duke i thënë se ajo duhet të trajtohet në mënyrën e njëjtë si të mohimit të holokaustit.

Kryeministri dhe ish-ylli i kriketit tha se bota nuk duhet të presë që një “masakër kundër myslimanëve” të përfundojë “para se të ndalohet opobia (urrejtja) e islamit”. 

Duke theksuar përgjigjen franceze ndaj prerjes së kokës së mësuesit Samuel Paty , Khan paralajmëroi se “margjinalizimi çon në mënyrë të pashmangshme në ekstremizëm”, duke shtuar se është “diçka që botës nuk i duhet”.

Nën presionin e qeverive në të gjithë botën që bëjnë thirrje për veprim për të parandaluar që rrjetet sociale të bëhen një medium për përhapjen e urrejtjes dhe dezinformimit, Facebook-u ka ndërmarrë një numër hapash korrigjues. 

Në fillim të këtij muaji, Facebook-u ndaloi postimin e çdo përmbajtjeje, që mohon ose deformon Holokaustin  – një hap që u mirëprit shumë. Në gusht, platforma e mediave sociale e përdorur nga më shumë se 2.5 miliardë njerëz në të gjithë botën kishte ndaluar gjuhën e urrejtjes të tilla si përmbajtja që përshkruan fytyrën e zezë ose stereotipet rreth hebrenjve që kontrollojnë botën. 

Në letrën e tij për  Zuckerberg-un të dielën në mbrëmje, kryeministri Pakistanez bëri thirrje për vëmendje ndaj “Islamofobisë në rritje që inkurajon urrejtjen, ekstremizmin dhe dhunën në të gjithë botën” veçanërisht përmes platformave të mediave sociale si Facebook-u.

“Unë e vlerësoj që ndërmarrët hapin për të ndaluar me të drejtë çdo postim që kritikon ose vë në dyshim Holokaustin, i cili ishte kulmi i masakrës naziste të hebrenjve në Gjermani dhe në të gjithë Evropën … Sidoqoftë, sot ne po shohim një masakër të ngjashme kundër myslimanëve pjesë të ndryshme të botës”, ka shkruar Khan. 

Në përgjigje të thirrjes së Khan, një zëdhënës i Facebook-ut tha se kompania ishte kundër të gjitha formave të urrejtjes dhe se nuk lejonte sulme të bazuara në racë, etni, origjinë kombëtare ose fe.

“Ne do ta heqim këtë gjuhë urrejtjeje sa më shpejt që të bëhemi të vetëdijshëm për të”, tha zëdhënësi në një deklaratë, duke shtuar se kompania pranoi që ajo kishte “më shumë punë për të bërë”. /IndeksOnline/ KultPlus.com

Adele kritikohet për pikën komike ku trajton burrat afrikan si lodra seksi

Adele është kritikuar për një pikë komike që transmetoi gjatë paraqitjes së saj në SNL gjatë fundjavës, e cila është quajtur “ofenduese” nga shikuesit.

Në këtë pikë komike, Adele tallet me turizmin seksual në Afrikë, duke luajtur një anëtare të Bordit Turistik Afrikan i cili inkurajon gratë të fluturojnë në kontinent për të bërë seks me burra Afrikanë.

Adele portretizon një grua të divorcuar në moshë të mesme, e cila kishte udhëtuar në Afrikë për seks me një pjesëtar të një fisi tribal.

Në piken komike, Adele dhe humoristja Kate McKinnon inkurajojnë gratë të vizitojnë Afrikën për peizazhin e saj të bukur.

M një perëndim dielli të bukur plazhi në prapavijë, ato thonë: “Dielli, flladi, oqeanet, malet, në Afrikën e bukur”.

Ndërsa Kate thotë “dëshmitari i mrekullisë, arratisjes, historisë” një burrë i zi pa këmishë ecën nëpër ekran në krahët e një gruaje të vjetër të bardhë.

“Plazhet me rërë. Bambu masive”, thotë Adele.

Adele mezi i mban qeshjet ndërsa pika luhet.

Një shikues komentoi: “Po e shijoja performancën deri kur nisën  komentet dhe burrat me ngjyrë që mbanin gratë e bardha në krahë … nuk mund të vazhdoja t’a shihja dhe mendoj që është raciste “.

Një tjetër tha: “Përdorimin e burrave të zinj si lodra seksi njerëzore është shumë”./ Insajderi/ KultPlus.com

Në Istog ndërtohet një shtëpi me mbishkrimin “Donald Trump Amerika”

Shtëpia “Donald Trump Amerika” tashmë gjendet në Istog.

Kjo shtëpi e cila tashmë ka përfunduar punimet, po shihet si një shenjë falënderimi për kontributin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhënë për Kosovën.

Jemi mësuar të shohim statuja, flamuj apo simbole të tjera, por kjo e fundit erdhi krejt ndryshe dhe si duket ka befasuar edhe qytetarët e Istogut.

Shtëpia e cila mbart mbishkrimin “Donald Trump Amerika” nuk e dimë nëse do të ketë edhe ndonjë funksion tjetër, apo thjeshtë një shtëpi banimi.

Kjo nuk është diçka e jashtëzakonshme, sepse jemi mësuar që kosovarët edhe fëmijët e tyre t’i pagëzojnë me emrat e liderëve amerikanë. / KultPlus.com

Filipine: Mijëra njerëz braktisin shtëpitë për shkak të tajfunit Molave

Rreth 25 mijë njerëz në Filipine janë zhvendosur për shkak të tajfunit Molave, i cili ka prekur rajonet në jug të kryeqytetit Manila.

Autoritetet deklaruan se nuk janë raportuar viktima nga tajfuni, shpejtësia e erës së të cilit ka shkuar në mbi 125 kilometra në orë, por të paktën një person në Batangas mbetet i zhdukur dhe shtatë janë shpëtuar pas fundosjes së disa jahteve.

Në një deklaratë nga Zyra e Mbrojtjes Civile, thuhet se rreth 20 mijë nga të paktën 25 mijë njerëz të cilët janë zhvendosur për shkak të tajfunit që shkaktoi përmbytje dhe rënien e çative në fshatra janë strehuar në shkolla dhe ndërtesa qeveritare që janë kthyer në qendra evakuimi.

“Fshatarët po presin të shpëtohen nga era e papritur që çon çatitë”, i tha radios DZMM guvernatori i rajonit Oriental Mindoro, Humerlito Dolor.

Dolor tha se reshjet e mëdha të shiut që shpërthyen brenda natës përmbytën fshatrat që merren me bujqësi në rajon, duke shtuar se erërat e forta rrëzuan pemët dhe shtyllat e energjisë dhe shkaktuan ndërprerje të energjisë.

Ai tha se pas tajfunit, autoritetet në disa qytete filluan të heqin rrënojat për të pastruar rrugët.

Nga ana tjetër, më shumë se 1.800 shoferë kamionësh, punëtorë dhe pasagjerë janë bllokuar në porte pasi ekipet e rojes bregdetare mbyllën trafikun detar për shkak të motit./AA/ KultPlus.com

Rivitalizohen minibibliotekat në qendër të Prishtinës

Janë tri sheshe kryesore në Prishtinë, minibiblitekat e të cilave po rivitalizohen dhe tani do të quhen minibiblioteka “Musine Kokalari”, minibiblioteka “Ali Podrimja” dhe minibiblioteka “Sartri & Simone”.

Gjithçka filloi në fundvitin 2019. Kryeqyteti i Kosovës brenda 3 muajve u bë me 12 lokacione të reja të librit. Në sheshet, parqet dhe lagjet kryesore u hapën minibibliotekat përmes së cilave u mundësohej qytetarëve leximi i librave përgjatë qëndrimit në hapësira publike dhe shkëmbimi i librave nën moton “sill një libër – merr një tjetër”.

Ndonëse në fillim, hapja e minibibliotekave u vlerësua nga qytetarët, megjithatë bibliotekat e vogla konstant u vandalizuan, u vodhën dhe u shkatërruan duke u nxjerrë kështu pothuajse të gjitha jashtë funksionit të tyre.

Kështu, shkatërrimi i tyre nxiti organizatat dhe institucionet partnere që, përveç rifunksionalizimit të organizoheshin edhe për prurje të reja në minibiblitoeka, duke i bërë këto të fundit edhe më domethënëse.

Së fundmi, organizata ETEA ka njoftuar se partneritetit të organizatave dhe institucioneve që mundësuan hapjen e 12 minibiblitoekave, i është bashkuar edhe “Mural Fest”, me ç’rast tanimë ka filluar rivitalizimi i 3 minibibliotekave të shesheve kryesore në Prishtinë.

Minibiblioteka në Sheshin “Ibrahim Rugova” tani mban portretin dhe emrin e shkrimtares së parë shqiptare, Musine Kokalari. Portretin dhe emrin e Ali Podrimës e mban minibiblioteka në Sheshin “Adem Jashari”. Ndërsa, Simone de Beauvoir dhe Jean Paul Sartre janë portretizuar në minibibliotekën e vendosur në parkun “Heroinat”.

Derisa puna po vazhdon në rivitalizimin e plotë të objekteve, organizata ETEA njofton se së shpejti do të bëhet edhe rimbushja me libra dhe kështu minibibliotekat do t’i rikthehen lexuesve, përderisa nuk përjashtojnë rrezikun se të njëjtat prap do të jenë cak i vandalëve me ç’rast bëhet thirrje ndaj organeve gjegjëse që të jenë më të kujdesshme në raport me pronën dhe të mirën e përbashkët qytetare.

Minibibliotekat janë mundësuar nga bashkëpunimi mes organizatës ETEA, Kuvendit Rinor të Prishtinës, Librarisë Dukagjini, Forumit për Iniciativa Qytetare, Komuna e Prishtinës, Zyrës së BE-së në Kosovë dhe së fundmi këtij partneriteti i është bashkuar edhe Mural Fest. / KultPlus.com

PEN Qendra e Kosovës mban sot mbrëmje letrare për Anton Pashkun

Në KultPlus Caffe Galery në Prishtinë, në kuadër të “Orës së Shkrimtarit” PEN Qendra e Kosovës vazhdon përkujtimin e shkrimtarëve të ndjerë të Kosovës.   

Përkujtimi i radhës i kushtohet prozatorit Anton Pashku.

Aktiviteti në kujtim të Pashkut mbahet sot, më 26 tetor, me fillim në orën 17.00.

Për opusin letrar të Anton Pashkut do të flasin Anton Berishaj dhe Adil Olluri. Mbrëmjen e udhëheq Binak Kelmendi.

PEN Qendra e Kosovës ka paraparë edhe gjashtë mbrëmje të tjera kulturore kushtuar shkrimtarëve të ndjerë: Hasan Mekuli, Jusuf Gërvalla, Xhemail Mustafa, Rifat Kukaj, Mensur Raifi dhe Mirko Gashi.

Projektin e PEN Qendrës së Koosvës me titullin “Ora e shkrimtarit” e përkrah Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe KultPlus./ KultPlus.com

Vdes skenaristi amerikan, William Blinn

 

Ka vdekur në moshën 93 vjeçare ,William Blinn, skenaristi i filmave televizivë të njohur si “Brian’S Song”, “Roots”, si dhe filmit “Purple Rain” me protagonist Princin.

Blinn thuhet se u nda nga jeta  në shtëpinë e tij në Burbank, Kaliforni, sipas një njoftimi të bërë nga vajza e tij, Anneliese Johnson, transmeton Klan Kosova

Kujtojmë se Blinn kishte fituar një çmim ‘Emmy’ për “Brian’s Song”, duke u cilësuar si një nga filmat më të shikuar të asaj kohe.

Po ashtu skenaristi vazhdoi krijimin dhe prodhimin e shfaqjeve televizive mes tyre; “Starsky & Hutch”, “Rookies” dhe “Pensacola: Wings of Gold”, në një karrierë që zgjati pesë dekada. / KultPlus.com