Laureatët e çmimit “Nobel”

Një nga çmimet më prestigjiozë, që një person mund të marrë në rrugëtimin e jetës, është çmimi “Nobel”. Kur flasim për laureatët e “Nobelit”, mendojmë rëndom për njerëzit më të vlerësuar në fushat e tyre përkatëse. Zakonisht, kjo përkthehet në individë që kanë pasur arsimin më gjithpërfshirës. Gjithsesi, disa prej këtyre laureatëve në të vërtetë e braktisën shkollën e mesme.

Zhozef Brodski (Joseph Brodsky)

Një nga poetët më të famshëm në botë, Zhozef Brodski lindi më 24 maj 1940, në Leningrad. Ai e braktisi shkollën që në moshën 15-vjeçare, duke kryer punë të ndryshme. Pikërisht gjatë kësaj kohe, ai mësoi autodidakt gjuhën polake dhe angleze dhe filloi të shkruante poezi. Po ashtu, njëfarë kohe studioi me poeten ruse Anna Akhmatova para se të dëbohej nga Bashkimi Sovjetik në 1972. Brodski u zhvendos në Shtetet e Bashkuara, ku shkroi nëntë vëllime me poezi. Punoi si profesor në universitetin e “Columbia”-s, si dhe në Kolegjin “Mount Holyoke”. Në vitin 1987 mori çmimin “Nobel” për Letërsi. Vazhdoi të bashkëpunonte me Projektin Amerikan Poezi & Letërsi me Andrew Carroll. Vdiq më 28 janar 1996 nga ataku në zemër.

Albert Ajnshtajni (Albert Einstein)

Albert Ajnshtajni lindi në 14 mars 1879, në Gjermani. Edhe pse ishte student mesatar, tregoi interes të madh për shkencën dhe matematikën. Kur mbushi të 15-at, Ajnshtajni vendosi të braktiste shkollën. Për të kompensuar arsimin e humbur, ndoqi një shkollë në Zvicër për të marrë nivelet-A para se të vijonte studimet në Zyrih. Pasi u transferua në Bern, Ajnshtajni filloi të punonte në Zyrën e Patentave, ndërsa në kohën e lirë merrej me fizikën teorike. Me kalimin e kohës, Ajnshtajni botoi punime të shumta të rëndësishme shkencore, përfshirë edhe me teorinë speciale të relativitetit dhe teorinë e përgjithshme të relativitetit. Në vitin 1921 u laureua me çmimin “Nobel” në Fizikë. Për shkak të çështjeve politike në Gjermaninë naziste Ajnshtajni u zhvendos në Shtetet e Bashkuara, ku vitet e fundit i kaloi i vetmuar në Prinston. Vdiq në 1955.

Artur Henderson (Arthur Henderson)

Artur Henderson lindi më 13 shtator 1863, në Glasgow, Skoci. Kur i vdiq i ati, u detyrua të braktiste shkollën për shkak të varfërisë. Pas rimartesës së nënës, Henderson iu rkthye shkollës për tre vjet, për ta braktisur sërish. Njohuritë i mblodhi në fonderinë ku punonte dhe nga gazetat. U bashkua me Unionin “Ironfounders” kur ishte vetëm 18-vjeç dhe, brenda një kohe të shkurtër, u zgjodh sekretar i degës së Newcastle. Karrierën politike në Britani e filloi në vitin 1892. Henderson themeloi Partinë Laburiste në 1906 dhe sekretar i saj për 23-vjet. Në 1929 u emërua Sekretar i Jashtëm, kurse në 1934 fitoi çmimin “Nobel” për Paqe.

Albert Kamy (Albert Camus)

Albert Kamy lindi më 7 nëntor 1913, në Algjeri. Një vit më pas, i ati iu vra në Luftën e Parë Botërore, si rrjedhojë familja u zhvendos të jetonte me gjyshen nga nëna dhe dajën e paralizuar në një apartament me dy dhoma. Krijimtaria e Kamysë pasqyron vdekshmërinë e brishtë njerëzore, si dhe bukurinë e përjetshme të natyrës. Fitoi bursë në një kolegj prestigjioz, por iu desh ta braktiste për shkak të tuberkulozit. Megjithatë, pasi u zhvednos e mbajti vetë veten, derisa frekuentoi Universitetin e Algjerit për filozofi. Kamyja shfaqi një dashuri të thellë për teatrin edhe pse dramat e tij janë pjesa më e nënvlerësuar e krijimtarisë letrare. Punoi si gazetar në Francë dhe fitoi reputacionin e një prej figurave kryesore letrare. Kamy mori çmimin “Nobel” në Letërsi në moshën 44-vjeçare në 1957. Fatkeqësisht, vdiq në një aksident automobilistik më pak se tre vjet më vonë.

Leon Zhuho (Leon Jouhaux)

Leon Zhuho lindi më 1 korrik 1879, në Paris. I ati punonte në një fabrikë shkrepëseje, por të ardhurat u prenë për shkak të një greve, çka bëri që Leon të hiqej nga shkolla. U transferua në një institucion tjetër për një vit, para se të largohej përsëri për të mbajtur familjen. Zhuho filloi punë në fabrikën e shkrepsave, më pas u bashkua me ushtrinë. Mirëpo, u thirr përsëri për të punuar në fabrikë, sepse i ati u verbua ngaqë punonte me fosfor të bardhë. Mori pjesë në grevën e tij të parë dhe u pushua nga puna, për t’u ripunësuar më vonë. U bë Sekretari i Përgjithshëm i Sindikatës së lokalitetit të tij, CGT dhe mbajti fjalime në shumë vende, duke nxitur sindikatat e punës të bashkohen në çështjen e paqes. Më pas, u emërua Nënkryetar i Konfederatës Ndërkombëtare të Sindikatave të Lira. Në 1949, u emërua President i Lëvizjes Evropiane. Megjithëse, u arrestua në dhjetor 1941 kur ra Franca, Zhuho u çlirua 25 muaj më vonë. Në 1951, u nderua me çmimin “Nobel” për Paqe.

Hose Saramago (Jose Saramago)

Hose Saramago lindi në vitin 1922 në një qytet të vogël në Portugali. Pavarësisht nga ecuria e shkëlqyer akademike, Saramagos iu desh të braktiste shkollën për shkaqe financiare. Filloi të punonte si përkthyes dhe gazetar për “Diario de Noticias”. Së pari, mori vlerësime letrare në mesin e të pesëdhjetave me botimin e romanit: “Baltasar dhe Blimunda”. U bashkua me Partinë Komuniste në 1969 dhe doli haptazi ateist. Saramago nuk besonte në emrat e përveçëm, kështu që veprat dallohen, sepse shumica e personazheve të tij nuk kanë emra. Mori çmimin “Nobel” për Letërsi në 1988.

Heri Martinson (Harry Martinson)

heri Edmund Martinson lindi në 1904 në Jamshog, Suedi. Prindërit i vdiqën kur ishte ende i ri, duke e lënë jetim. Kur mbushi 16-vjeç, u largua nga institucioni ku u rrit dhe shkoi në det. Gjashtë vjet i kaloi në bordin e anijeve të shumta, duke punuar në vende të huaja. Martinson e përdori këtë përvojë dhe të gjitha takimet që pati si frymëzim për veprat e tij. Temat e veprave të tij përfshijnë përvojat gjatë një fëmijërie të ashpër. Punimet pasqyrojnë dashurinë dhe shqetësimin për natyrën, si dhe interesin e tij për shkencën. Martinsonit u lnderua me çmimin “Nobel” në Letërsi së bashku me Eyvind Johnson në 1974.

Xhorxh Bernard Shou (George Bernard Shaw)

Bernard Shou lindi më 26 korrik 1856, në Dublin. Arsimimin e hershëm e mori nga xhaxhai klerik, para se të frekuentonte shkolla të ndryshme lokale. Sidoqoftë, për shkak të mospëlqimit për trajnimin e organizuar, Shou e la shkollën dhe filloi të punonte që në në moshën 15-vjeçare. Në vitin 1876 u zhvendos në Londër dhe ndoqi karrierën në të shkruar. Për një dekadë, u rrek të shiste ndonjë nga veprat e veta dhe iu desh të jetonte me nënën dhe motrën. Më vonë, u tërhoq pas socializmit dhe u bashkua me Shoqërinë “Fabian”. Punimet e tij të hershme u përqëndruan në problemet sociale dhe fituan popullaritet për shkak të lehtësisë komike. Shou u vlerësua me çmimin “Nobel” në Letërsi në 1925. Trembëdhjetë vjet më vonë, e nderuan me çmimin e Akademisë për Skenarin më të Mirë të Adaptuar për adaptimin filmik të veprës së tij “Pygmalion”.

Herbert C. Braun (Herbert C. Brown)

Herbert Braun lindi më 22 maj 1912, në Londër. Dy vjet më vonë, familja e tij u transferua në Shtetet e Bashkuara. Shkëlqeu në shkollë, por u detyrua ta braktiste atë pas vdekjes së të atit. Sidoqoftë, pasi e kuptoi që biznesi nuk ishte për të, Braun iu rikthye shkollës, në kolegj, ku ndoqi kiminë. Për fat të keq, kolegji u mbyll. Iu bashkua një kolegji tjetër para se të transferohej në Universitetin e Çikagos. Në 1938 mori doktoratën. Braun vazhdoi të asistonte kërkimin në materin alma, ku, së bashku me një instruktor tjetër, ai qe në gjendje të sintetizonte uraniumin e avullueshëm borohidrid (IV) si dhe shumë zbulime të tjera novatore. Vazhdoi të jepte mësim në universitete të ndryshme, u bë anëtar nderi i Akademisë Ndërkombëtare të Shkencave. U laureua me çmimin “Nobel” në Kimi në 1979, së bashku me George Wittig. Vdiq më 2004 nga një atak zemre.

Uilljam Folkner (William Faulkner)

Uilljam Folkner lindi në 25 Shtator 1897, në Misisipi dhe ndoqi një edukim të vërtetë jugor me prindër të shtresës së mesme. E braktisi shkollën e mesme, por iu përkushtua leximit dhe studimit, së pari audodidakt dhe mandej nën kujdesin e një miku të familjes. Në 1918, Folkner u bashkua me ushtrinë britanike, për t’u kthyer në shtëpi vetëm disa muaj më vonë. U regjistrua në disa kurse universitare, ndërsa botonte poezi në gazetat e kampusit. Vazhdoi të botonte romane të shumta dhe iu përkushtua gati në izolim, të shkruarit. Folkner ishte një nga shkrimtarët më të mëdhenj të shekullit të 20-të, punimet e tij eksploruan çështje themelore që konsiderohen të dhunshme nga disa kritikë. U nderua me çmimin “Nobel” për Letërsi në vitin 1949. / Konica.al / KultPlus.com

Jeleku i Faik Konicës, relike e çmuar në Boston

Për afro 70 vjet, jeleku u ruajt nga familja dardhare, Pani. Sot ndodhet në Boston, në shtëpinë e Andrea Panit – shkruan Fuat Memelli.

Ishte një befasi për mua, kur para disa ditësh gjatë një vizite në shtëpinë e Andrea Panit në Boston, djalë i të ndjerit Sotir Pani që u nda nga jeta këtë vit prej Covid-it. Andrea më tregoi jelekun e Faik Konicës. Ky jelek është një dëshmi e rrallë e kësaj figure të shquar të kombit shqiptar, që është ruajtur nga familja e Sotir Panit. Jeleku është në gjendje të mirë, vetëm katër kopsa i janë shkëputur.

Andrea më tregoi historinë e këtij jeleku.

Kur vdiq Konica në Uashington, më 15 dhjetor të vitit 1942, një nga miqtë e ngushtë që iu ndodh pranë, ishte edhe dardhari Vasil Pani, i cili jetonte në Boston. Vasili ishte një veprimtar i shquar i ‘Vatrës’ dhe disa vjet ka qënë kryetar i saj. Faiku rrallë afronte njeri, por te Vasili ai vlerësonte njeriun besnik dhe patriot. Vasili ishte edhe djali i patriotit tjetër dardhar, Josif Panit, i cili ka jetuar në Boston, të cilin Faiku e njihte mirë dhe e vlerësonte shumë. Miqësinë e Faikut dhe Vasilit, e dëshmon edhe një foto e rrallë që Faiku i ka dhnë atij me dedikim.

Këtë foto që e kishte Sotir Pani ia tregoi gazetarit Kolec Traboini dhe ai e publikoi. Është fotua me republikë që tashmë ndodhet kudo. Por le të kthehemi te jeleku. Duke qënë mik i afërt i Konicës, Vasili u kujdes për bibliotekën e tij, të cilën e sistemoi në një magazinë, por që fati i tyre nuk dihet dhe ka mbetur tek-tuk vetëm ndonjë kopje. Rrobat vetiake të Faikut, Vasil i dërgoi tek shtëpia e tij në Dardhë për t’i ruajtur. Por, në vitin 1947 ndërroi jetë pa pritur dhe nuk u kujdes dot për to. Një pjesë e tyre u përdorën nga familja e tij në Dardhë dhe u dëmtuan nga koha, ndërsa jelekun, Soitiri e ruajti me fanatizëm.

Kur erdhi në Amerikë në vitin 1996, krahas fotografive e dokumentave të ndryshme, krahas flamurit shqiptar, xixunit e kitarës, solli edhe jelekun e Konicës. E ruajti atë me kujdes, deri sa ndërroi jetë në fillim të këtij viti . I kishte lënë porosi edhe djemve të tij, Andreas e Vaskës që ta ruanin me kujdes. Dhe ata e ruajnë, jo vetëm se është i Faik Konicës, por e kanë amanet edhe nga babai i tyre, Sotiri, bir i një familje patriotësh dhe veprimtar i shquar i shqiptarëve të Bostonit.

Duke biseduar me Andrean, në shtëpinë e të cilit ruhet flamuri, ai thotë se ky jelek, e ka vendin në Muzeun Historik Kombëtar. Dhe vërtet, aty në stendat e atij muzeu, duhet të zerë vend kjo relike e rrallë e Faik Konicës, e këtij personaliteti të shquar të kulturës, letërsisë e jetës politike shqiptare, e këtij intelektuali të dimensioneve evropiane. Shpresojmë se Muzeu Historik Kombëtar, do interesohet për këtë relike të çmuar të Faik Konicës, njërit prej bijve më të shquar të kombit shqiptar. / KultPlus.com

E fundit rrugë e mërgimtarit

Nga Artina Hamitaga

U lodha pram kogja shumë tu i palu teshat,  nejse t’miat s’pata shumë, po i kam mledh do bakshishe me ja qu atyne të shpisë.

Që dy vjet s’e kam pa nanën, për  ta m’ka djeg malli, m’ka prit shumë k’si hovi. Ja kom ble ni kmishë me lula se e di që qashtu i ka qef. Babës nuk i blejta kurgja, ati ja kom mledh do pare me ja qu, me ja kry do derte gjatë vitit.

Motrave do fustana, i kena do darsma te kusherit, e m’i vesh m’i ndrru.

S’po m’pritet mu ba bashkë me nejt deri vonë tu fol e tu kesh.

M’than që dalin te stacioni edhe nipi e mesa me’m prit. U rriten une pa i pa. Ktyne ju kom ble ma shumë sene se fmija gëzohen, ishalla ju bin taman.

10 dite sa t’rri n’Kosove s’kam me lan birë e skutë pa e kërku se shumë m’ka marr malli, edhe për rrasat e plemëv  t’vjetra që ju kanë met atyne kojshive, edhe për qato jam përmallu.

I mora koferat e me veti edhe ni çantë t’vogel me i rujt do pare se m’i kan dhan shoqnia me ja qu neper shpija familjarëve t’vet, e mos po më hupin naj kah.

Ma kishin lan karrikën e dytë ka dritarja, u gëzova se kam qef me kqyr udhën, m’shkon koha ma shpejt dyqysh.

Rruga e mar e t’fala krejtve- u nike zani i atyne qe kishin ardh me i percjell t’vet.

Ja qova ni’ mesazh ktyne te shpisë që u nisa, thash veq nanës mos i kallxoni se natë e ma ban gajlën nuk flen.

Ngjit me mu ke ni djal i ri, student. Ja pata lakmine qe po shkollohet, edhe pse mu dok qe ishke i hekun keq. Po ni ditë sa qare pa dal në selamet se po msojke.

Ishke gzushem edhe ai, mas dy dite kish me martu vllaun.

E kqyrsha xhamin edhe i njehsha ortë sa kanë kalu, e edhe sa m’kanë met për me m’rri.

Si t’shkoj ka mi than nanës me ma qit ni pite. Kuku cka kokna untu dicka, edhe bash kur të shkoj në Kosovë më hin terpia’, nashta përmallshëm për bukën tonë.

Kish nis pak me’m kot gjumi, krytë te xhami i autobusit, e anrrat mkishin qu te dera e shpisë.

Nuk mrrina me qel derën e me hi mrena, nji kersimë e madhe u ni e ma prishi gjumin.

Nuk mujta m’i qel syte mire, veq e nijsha që mu kish mush trupi me copa te xhamit dhe që isha mlu me gjak.

M’erdh ma leht me i mshel sytë apet, gjeta qetësi e dritë.

Ata te shpisë kokan qu herët po me presin. Une po i shoh prej naltit po ata nuk po m’shohin mu.

Nanë veq me ni marak shkova, që shumë m’ki prit ksi hovi, e që s’un ta nita erën edhe ni herë.

Nashta qaj kofer i jemi ju mrrin, veshni teshat qe ja kam ble diten kur kini me’m përcjell për herë të fundit, se ja u kam ble me paret e njerses e mallit. Kom pas qef me ju pa mire e t’bukur.

Babes nashta i dalin paret për  vorrim temin, mos bani shumë shpenzime, runi do se ju vyn.

Nanë une po vonona pak, po kur t’vi k’si hovi, ma nuk iki prej Kosovës, trupin tem qaty kini me ma vorros, n’qat tokë që e kom pas mall që sa e sa vjet. / KultPlus.com

“Ju nuk do të jeni më ata shqiptarë që keni qenë deri më tani, kaq të frikshëm dhe të respektuar”

Fjalimi i Ali Pashës mbajtur para shqiptarëve, para se të fillonte kryengritjen kundër perandorisë osmane.

Duke mbledhur personazhet kryesorë të Shqipërisë, duke mos përjashtuar as ata që ai besonte se nuk ishin miqësorë me të, Aliu i thirri ata që të qëndronin pranë tij për hir të tyre si për të tijat.

Ai i paralajmëroi ata se shkatërrimi i tij do të ishte pararendësi i tyre.

“Ju”, – tha ai,  – nuk do të jeni më ata shqiptarë që keni qenë deri më tani, kaq të frikshëm dhe të respektuar”.

Ju do të jeni të mposhtur dhe të përulur nga aziatikët frikacakë.

Ju rrëfej se shumëve prej jush u kam dhënë shkak për ankesë. Unë e di që disa prej jush, janë ofenduar me të drejtë nga dëmtimet që unë i kam bërë juve ose marrëdhënieve tuaja.

Por, nderi i Shqipërisë dhe interesi i vendit tonë, kanë rëndësi më të madhe sesa armiqësitë mes nesh. Dhe kur të gjithë janë në rrezik, kujtimi i gabimeve të së kaluarës është një ndjenjë e padenjë, për një mendje bujare.

Tani ju shikoj të gjithëve si fëmijët e mi, njësoj si Muktari (Myftari dhe Veliu).

Thesaret e mia, janë të hapura për ju.

Unë vetëm kërkoj nga ju, që t’i bëni nder emrit që ju mbani(Shqiptar) / KultPlus.com

E hëna shpallet ditë zie në Kosovë për viktimat e aksidentit tragjik në Kroaci

Presidentja Osmani e shpallë të hënën ditë zie shtetërore për viktimat e aksidentit tragjik në Kroaci, përcjellë KultPlus.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në mbështetje të Kushtetutës së Kosovës, ka marrë vendim që dita e hënë, 26 korrik 2021, të shpallet ditë zie, shtetërore në nderim të qytetarëve të Republikës së Kosovës, të cilët kanë humbur jetën tragjikisht në aksident trafiku në Republikën e Kroacisë.

Shkaku i kësaj ngjarje tragjike, Presidentja Osmani e ka ndërprerë vizitën në Japoni dhe nesër do të udhëtojë për në Kosovë.

Nga aksidenti i shkaktuar në orët e hershme të ditës së sotme kanë vdekur 10 persona, 15 persona u lënduan rëndë, ndërsa 30 më lehtë. Të lënduarit u transportuan në spitalin rajonal në Slavonski Brod, ku po mbahen për trajtim të mëtejshëm mjekësor.

Autobusi me targa nga Kosova ishte nisur nga Frankfurti i Gjermanisë për në Kosovë mirëpo është aksidentuar në Kroaci. / KultPlus.com

Heracleion, qyteti misterioz në fund të detit që rikthen gjithmonë dashamirët e historisë ujore

Ky është një qytet misterioz i zhytur, ndërsa arkeologët kanë njoftuar një seri zbulimesh të reja.

Më herët, kronikanët kanë deklaruar se Heracleion dhe Thonis ishin dy qytete të ndryshme të zbuluara në Mesdhe, por arkeologu francez Franck Goddio zbuloi në vitin 1999 se fjala është për një qytet i njëjtë.

Heracleion është qyteti port i Egjiptit, Thonis është emër egjiptian, ndërsa Heracleion është emër grek, transmeton KultPlus.

Ishte një qytet tregtar i themeluar rreth shekullit të 8-të para Krishtit. Helena e Trojës dhe Parisi e vizituan atë para Luftës së Trojës.

Për shkak të goditjeve të vazhdueshme të tërmeteve dhe cunamit, qyteti u zhyt ngadalë në det, ndërsa niveli i detit u rrit.

Sidoqoftë, në vitin 1999, Franck Goddio, me një grup zhytësish që punonin përgjatë bregdetit egjiptian, gjetën një fragment të madh shkëmbi nën shtratin e detit dhe e nxorën atë në breg.

Ishte një copë statuje e perëndisë Hapi, e mbështjellë me kripë, por e padëmtuar.

Ata vazhduan kërkimin dhe përfundimisht gërmuan edhe gjashtë të tjerë.

Rreth këtyre pjesëve shtrihet një thesar tjetër: rrënojat e tempujve, copëzat e qeramikës, bizhuteri, monedha, buste etj.

U gjetën edhe kolona të lashta, qeramikë 2,000-vjeçare dhe monedha prej bronzi të mbretërimit të Mbretit Ptolemeu II (283 deri 246 pes).

Disa gërmime të këtij qyteti tani gjenden në Muzeun Britanik në Londër. /telegrafi/ KultPlus.com

Kryeministri Kurti niset në Kroaci për të vizituar bashkatdhetarët e lënduar në aksidentin e sotëm tragjik

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, është nisur për në Kroaci për të vizituar bashkatdhetarët e lënduar në aksidentin tragjik të mëngjesit të sotëm, të cilët po marrin trajtim mjekësor në spitalin e Slavonski Brodit, transmeton KultPlus.

Së bashku me kryeministrin kanë udhëtuar edhe zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia dhe shefi i Stafit të Kabinetit të Presidentes së Kosovës, Blerim Vela.

Lajmi u bë i ditur në faqen zyrtare të Qeverisë së Republikës së Kosovës, ku ndër të tjerea është theksuar se Institucionet e Republikës së Kosovës që nga mëngjesi janë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet kroate, të cilat, siç thuhet tutje në njoftim kanë konfirmuar se kanë marrë të gjitha masat e nevojshme për kujdesin dhe trajtimin e të gjithë udhëtarëve që janë lënduar në këtë aksident tragjik.

Qeveria e Republikës së Kosovës ka themeluar Shtabin Emergjent për koordinim të komunikimit të institucioneve të Kosovës dhe të Kroacisë me familjarët e bashkatdhetarëve të cilët udhëtonin me autobusin e linjës Frankfurt- Prishtinë. / KultPlus.com

‘Magjistari i Ozit’ do të hap muzeun e çmimeve ‘Oscar’

Një projeksion i filmit “Magjistari i Ozit” do të nisë festimet e planifikuara për përurimin e muzeut të shumëpritur të Akademisë së Çmimeve Oscar, njoftuan burimet.

Ndoshta një nga filmat më të njohur në SHBA, “Magjistari i Ozit” do të transmetohet më 30 shtator dhe do të shoqërohet drejtpërdrejt nga Orkestra Simfonike e Rinisë Amerikane, transmeton KultPlus.

Në programin e javëve të para të muzeut, i kushtuar magjisë së artit të shtatë, do të jetë gjithashtu një shfaqje e “Malcolm X”, me Spike Lee dhe Denzel Washington, si edhe të gjithë filmat e artistit japonez Hayao Miyazaki.

Një ekspozitë e përkohshme do t’i kushtohet regjisorit të “Spirited Away” dhe “Fqinji im Totoro”.

U desh gati një shekull që të lindte ideja e një muzeu i kushtuar kinemasë.

Një sferë gjigante prej qelqi, çeliku dhe betoni qëndron në njërën anë të muzeut. Ajo duket sikur noton mbi tokë dhe është ndërtuar për të mishëruar “magjinë e filmave”.

E lidhur me vendkalime për në ndërtesën kryesore, ajo strehon një dhomë kinemaje prej 1 000 vendesh dhe është e pajisur me teknologjinë më të fundit.

Misioni i muzeut do të jetë tregimi i historisë së kinemasë, risive të saj dhe t’u tregojë vizitorëve teknikat e përdorura për të bërë një film. / KultPlus.com

Dua Lipa: Bravo Distria Kransiqi, po e bën Kosovën krenare

Gjatë ditës së djeshme, xhudistja Distria Krasniqi fitoi medaljen e artë në Lojërat Olimpike ”Tokio 2020”, duke i sjellur kështu Kosovës për të dytën herë këtë medalje, përcjell KultPlus.

Ishin shumë figura publike të njohura të cilët uruan Krasniqin për fitoren e madhe, ndërkaq sot, edhe Dua Lipa përmes një postimi në llogarinë e saj në InstaStory, uroi Krasniqin për medaljen e artë, duke shkruar se Krasniqi po e bën Kosovën krenare.

”Bravo Distria Kransiqi, po e bën Kosovën krenare. Gold, Gold, Gold”, ka shkruar Lipa. / KultPlus.com

Qytetet e mëdha termale të Europës hynë në Trashëgimi Botërore të UNESCO-s

Qytetet e mëdha me ujëra termale të Europës, anije të hidroterapisë europiane, shumë të njohura midis fillimit të shekullit XVIII dhe fillimit të shekullit XX, hynë sot në listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, transmeton KultPlus.

Shtatë vende kishin depozituar kërkesën e regjistrimit për njëmbëdhjetë qytete të tyre: Bad Ems, Baden-Baden, Bad Kissingen (Gjermani); Baden bei Wien (Austri); Spa (Belgjikë); Vichy (Francë); Montecatini Terme (Itali); Bath (BM); Franzensbad, Karlovy Vary, Marienbad (Republika Çeke).

“Qytetet e mëdha llixha të Europës përbëjnë një dëshmi të jashtëzakonshme të fenomenit termik europian, që i ka rrënjët në Antikitet, por që arriti kulmin midis viteve 1700 dhe 1930”, theksoi projektligji i Deklaratës së Vlerës Universale, që u miratua sot.

Komiteti i Trashëgimisë ka njohur vlerën universale të këtyre qyteteve, të cilat, edhe pse “të ndryshme … janë zhvilluar rreth burimeve të ujërave minerale, që kanë qenë katalizatori për një model të organizimit hapësinor, i kushtuar funksioneve kurative dhe terapeutike, rekreative dhe sociale”. / KultPlus.com

Historia e panjohur e familjes arbëreshe që sensibilizoi Italinë për Kosovën

Publikohet historia e panjohur të familjes Petrota me origjinë arbëreshe, ku një nga pinjollët e saj, Rosolino Petrota, i diplomuar në Fakultetin e Mjeksisë së Universitetit të Palermos në Dermatologji në vitin 1920, i cili pasi shërbeu fillimisht si asistent pranë spitalit “San Saverio”, filloi karrierën e tij në Bankën Kombëtare të Aksidenteve në Itali (sot INAIL) ku i’u besua drejtimi mjeksor për rajonin e Siçili-Kalabrisë dhe në vitin 1937, me kërkesën e Mbretit Zog ai erdhi në vendin e origjinës së bashku me familjen e tij, (bashkëshorten dhe djalin Salvatoren) dhe u vendosën me banim në Tiranë, ku qëndruan deri në vitin 1947, kur pas shumë peripecive që u nxori regjimi komunist i Enver Hoxhës, mundën që të riatdhesoheshin në Itali.

Duke ecur në rrugën e të atit, edhe Salvatore u diplomua në Fakultetin e Mjeksisë në Palermo për Kirurgji dhe u specializua në Ortopedi e Traumatologji, pranë Poliklinikës së Palermos, duke shërbyer më pas si shef i Shërbimit të Ortopedisë dhe më pas Kryemjek i Repartit të Ortopedisë në spitalin e qytetit Cefalu-s, deri më 1974-ën. Puna e tij për shumë vite si bashkëpuntor i ngushtë i Prof. Jozeph Caltagirone, Kryemjekut të Kirurgjisë Plastike dhe i Rikonstruksioneve të Spitaleve Katolike të New York dhe për një dekadë ai ishte edhe President i Qëndrës Ndërkombëtare të Studimeve Shqiptare pranë Universitetit të Palermos, ku në shkurtin e 1974-ës, ai themeloi revistën “Jeta Arbëreshe”, ku bëhet edhe drejtor i saj. Angazhimi i Dr. Petrota pas viteve ’90-të për të ndihmuar Shqipërinë e porsadalë nga “nata e gjatë” e komunizmit dhe memorandum i tij në vitin 1999 drejtuar klasës politike italiane, për sensibilizimin e gjithë Italisë në ndihmë të çështjes së Kosovës.

Ka qenë 28 janari i vitit 1999, kur një shtetas Italian me origjinë arbëreshe i quajtur Salvator George Petrota, i dërgoi një memorandum parlamentarëve italianë dhe përfaqsuesëve të kulturës të atij vendi, në lidhje me çështjen e Kosovës, me qëllim që të sensibilizonte opinionin publik në Itali mbi masakrat që po ushtronte regjimi i Beogradit me në krye diktatorin Millosheviç, mbi popullsinë autoktone shqiptare të asaj krahine. Po kush është Salvatore Petrota dhe çfarë e shtyu atë që të hartonte atë Memorandum? Cilat ishin lidhjet e tij me Shqipërinë dhe kur ishte larguar ai nga vendlindja e të parëve të tij? Lidhur me këto dhe të tjera ngjarje dhe fakte nga historia e familjes Petrota, do njihemi në këtë shkrim që e kemi ndërtuar në bazë të të dhënave që Dr. Salvatore Petrota i’a ofroi ish-Presidentit Rexhep Mejdani gjatë një vizite që ai bëri në Itali në vitin 2001, për t’u publikuar ekskluzivisht nga autori i këtij shkrimi

Origjina arbëreshe e familjes Petrota dhe kërkesa e Mbretit Zog që e solli në Shqipëri në vitin 1937

Lidhjet e familjes Petrota me Shqipërinë e kanë zanafillën në vitin 1937, kur babai i George Petrotës, i quajtur Rosolino, me profesion mjek, me kërkesën e Mbretit Zog, erdhi për të punuar në vendin e vogël të shqiponjave, nga ku të parët e tij kishin dhe origjinën e familjes e rrënjët e gjakut. Rosolino u lind më 23 janar të vitit 1894, në Piana del Albanezi (asokohe Piana del Greçi) ku babai i tij, një sipërmarrës ndërtimesh, gëzonte një respekt të madh dhe ishte shumë i njohur jo vetëm në krahinën e tij, por dhe më gjerë në jugun e gadishullit Apenin. Mbasi kreu studimet klasike, Rosolino u regjistrua në Fakultetin e Mjeksisë (dega e Kirurgjisë) pranë Universitetit të Palermos. Në vitin 1915-të, ai u detyrua që të ndërpriste studimet pasi u mobilizua në ushtrinë italiane për shkak të Luftës së Parë Botërore. Ai mori pjesë në shumë beteja dhe mbas lufte, u dekorua me Medaljen e Argjendë dhe Kryqin e Luftës. Në vitin 1915-të, mbasi i vritet një vëlla (Filippo) në luftë dhe plagosen dy vëllezërit e tjerë, (Vito e Antonio), me kërkesën e të atit pranë autoriteteve të larta ushtarake italiane, Rosolino, transferohet në prapavijat e luftës, duke u caktuar në sektorin e shëndetësisë, ku punoi me një përkujdesje të madhe deri në mbarimin e luftës. Më pas ai u kthye në Palermo dhe në vitin 1920-të, mbaroi studimet, duke u diplomuar shkëlqyeshëm në Fakultetin e Mjeksisë së Universitetit të Palermos të cilin e kishte ndërprerë për shkak të luftës. Ai u specializua në Dermatologji dhe fillimisht shërbeu si asistent pranë spitalit “San Saverio”. Më pas filloi karrierën e tij në Bankën Kombëtare të Aksidenteve (sot INAIL) ku i’u besua drejtimi mjeksor për rajonin e Siçili-Kalabrisë. Aty nga viti 1937, me kërkesën e Mbretit Zog, i cili synonte të modernizonte Shëndetësinë Shqiptare, Rosolino Petrota erdhi në Shqipëri për të dhënë konsulencë mjeksore. Ai erdhi së bashku me familjen e tij, (bashkëshorten dhe djalin Salvatoren), shtatëvjeçar e u vendosën me banim në Tiranë.

Konflikti i Rosolino Petrota në ministrin Galeazzo Çiano

Pas 7 prillit të vitit 1939, me aneksimin e Shqipërisë nga ana e Italisë fashiste të Benito Musolinit, ai u bë Kryemjek i Institutit të Aksidenteve në Shqipëri dhe deputet i Parlamentit shqiptar. Gjatë mandatit të tij parlamentar, për të mbrojtur dinjitetin dhe pavarsinë e Kombit shqiptar, Rosolino Petrota hyri në konflikt të ashpër me ministrin e Jashtëm të Italisë, Kontin Galeazzo Çiano, që ishte dhëndëri i Duçes. Pas atij konflikti, ndonse Çiano ishte një zotëri kapadai që si përulej asnjeriu dhe ndonëse Shqipëria ishte nën okupimin italian, ai pranoi drejtësinë e tezave që ngriti Petrota, i cili e mbylli diskutimin e tij në Parlament, duke u thënë: “Shqipëria e shqiptarëve”. Pas 8 shtatorit të vitit 1943, kur gjermanët filluan spastrimin e ushtarëve italian që kishin mbetur në Shqipëri, për t’i dërguar nëpër kampe përqendrimi, Rosolino Petrota, me një veprim të shkëlqyer politik, i’a doli mbanë të shpëtonte nga ato kampe 118 ushtarë italianë. Këtë gjë Rosolino e arriti, duke shfrytëzuar mandatin e tij të deputetit, e në pak orë e detyroi qeverinë shqiptare që të shpallte një dekret, i cili barazonte në gjithçka qytetarët italianë “arbëreshë” (d.m.th. ushtarët italianë në Shqipëri, që ishin nga komunat italo-shqiptare të Italisë), me qytetarët shqiptarë. Miratimi i këtij dekreti nga qeveria shqiptare me insistimin Rosolinos, bëri të mundur që të shpëtonin 118 ushtarë italianë, shumica e të cilëve ishin në kolonat gjermane, gati për t`i dërguar në kampet e përqendrimit.

Largimi nga Shqipëria në 1945-ën

Rosolino me gjithë familjen e tij, nuk u largua nga Shqipëria edhe pas ardhjes së komunistëve në pushtet. Kështu në tetorin e vitit 1945, pasi kishte përfunduar hartimin e legjislacionit të ri të punës, (sipas porosisë së krerëve më të lartë të qeverisë komuniste të Enver Hoxhës), në çastet e fundit kur kishin filluar divergjencat dhe Tirana zyrtare prishi marrdhëniet me Italinë, ai ja doli mbanë, duke u larguar nga Shqipëria në mënyrë aventureske, (braktisi edhe familjen) e u strehua në Itali, ku mbeti për shumë kohë në një kamp refugjatësh. Më 20 prill të vitit 1947, ai mori pjesë në votimet për Asamblenë e Parë Rajonale të Siçilisë, ku fitoi me vota, si i zgjedhuri i dytë në forcën politike që përfaqësonte (Demokracia Kristiane) të Qarkut të Palermos. Po kështu ai arriti ta ruaj atë vend dhe në Legjislaturën e Dytë dhe të Tretë. Kështu nga janari i vitit 1947 e deri në 25 korrik të 1955-ës, Rosolino qëndroi në detyrën e Këshilltarit Rajonal për Shëndetësinë. Rosolino Petrota ndërroi jetë më 1 gusht të vitit 1969 dhe përveç shumë mesazheve e telegrameve të ngushëllimit nga e gjithë bota, për të folën një numër i madh gazetash dhe “Observatore Romano”, e cila e përcolli vdekjen e tij me një artikull shumë të gjatë. Përveç shumë punimeve nga fusha e mjeksisë, Rosolino la dhe një sërë veprash të botuara, të karakterit historik, letrar dhe divulgativ që i përkasin historisë së Shqipërisë dhe komuniteteve italo-shqiptare.

Kush ishte Salvatore Petrota?

Salvatore Petrota u lind më 23 qershor të vitit 1930 në qytetin e Palermos. Mbas ardhjes në Shqipëri së bashku me babanë e tij Rosolinon, ai frekuentoi arsimin fillor në Tiranë e më pas gjimnazin klasik të shtetit. Ai jetoi së bashku me prindërit e tij në Tiranë nga viti 1937 dhe gjatë periudhës së luftës, e deri në fundin e vitit 1945. Pas largimit nga Shqipëria të babait të tij, Rosolinos, ai me nënën e tij, mezi mundën që të largoheshin për në Itali për t’u bashkuar me të, për shkak të pengesave të shumta që u nxorri regjimi komunist në fuqi. Mbas kthimit në Itali, duke ecur në rrugën e babait tij dhe ai u diplomua në Fakultetin e Mjeksisë në Palermo për Kirurgji, të cilin e mbaroi më 6 mars të vitit 1956. Më pas, më 17 janar 1961, ai u specializua në Ortopedi dhe Traumatologji, pranë Poliklinikës së Palermos. Salvatore ka qenë përgjegjës i Shërbimit të Ortopedisë nga 21 prilli i vitit 1966 e deri në 1 prill 1969 dhe më pas Kryemjek i Repartit të Ortopedisë në spitalin e qytetit Cefalu-s, deri më 16 shkurt 1974. Për shumë vite me rradhë, ai ka qenë bashkëpuntor i ngushtë i Prof. Jozeph Caltagirone, Kryemjekut të Kirurgjisë Plastike dhe i Rikonstruksioneve të Spitaleve Katolike të New York. Për një dhjetëvjeçar, Salvatore gjithashtu ka qenë edhe President i Qendrës Ndërkombëtare të Studimeve Shqiptare pranë Universitetit të Palermos. Mbas një aktiviteti të dendur disavjeçar në dobi të çështjes shqiptare, për të cilën kërkoi ndihmën e disa shteteve europiane, në shkurtin e 1974-ës, ai themeloi revistën “Jeta Arbëreshe”, ku bëhet dhe drejtor i saj. Kjo revistë periodike informative me një tirazh prej 2500 kopjesh, ndonëse nuk pati jetë të gjatë, ishte e vetmja (deri më sot), që u nxorr nga komuniteti italo-shqiptar.

Në ndihmë të Shqipërisë në 1990-ën

Në shkurtin e vitit 1990, duke ndjekur me vëmendje lajmet që i vinin nga atdheu i të parëve të tij, në prag të ndërrimit të sistemit politik, ai tentoi nëpërmjet ON. Mario Acquisto, që të sensibilizonte senatorin Giuljo Andreoti, për problemin e Shqipërisë, që të ndihmonte daljen e saj nga ‘orbita’ komuniste. Ai u aktivizua me formimin e qeverisë së Silvio Berluskonit, që të krijonte një lloj Komisariati të Lartë të Politik, për problemet shqiptare, duke mbështetur tezën që Shqipëria nuk kishte nevojë për bamirësi, por për drejtim (udhëheqje) ose një kujdestari (tutorat) nga ana e Italisë, për impaktin me botën komerciale, sociale e politike, për të cilën Shqipëria nuk ishte e përgatitur, pasi klasa e saj politike vinte nga ideologjia marksiste-leniniste. Deri bga fillimi i viteve 2000, Salvatore jetoi në Palermo, me bashkëshorten e tij, Giovana Petta, (e diplomuar në Shkencat Politike) dhe dy fëmijët e tyre, Stefaninë (në vitin 2001 ishte 26 vjeçe dhe diplomante në Inxhinjeri) e Rosolinon (në atë kohë 23 vjeç) student në Shkencat Politike. Në 28 janar të vitit 1999, Dr. Salvatore Petrota, duke qenë një mbrojtës i flaktë i çështjes shqiptare, u detyrua dhe hartoi një memorandum lidhur me problemin e Kosovës, të cilin e titulloi “Kosova dhe Shqipëria Etnike: Kriza e Ballkanit”, të cilin u’a dërgoi të gjithë përfaqsuesve të kulturës italiane dhe parlamentarëve të atij vendi, të cilin po e publikojmë në fund të këtij shkrimi.

 Memorandumi për Kosovën i Dr. Salvatore Petrota në vitin 1999

“Në të vërtetë në Itali, është shkolla shkaku i pa pregatitjes kulturore të shtetasve të saj, lidhur me problemet ballkanike. Në Itali, nxënësit arrijnë në provimet e pjekurisë dhe dalin në jetë më një boshllëk të madh të programeve shkollore, që injorojnë tërësisht historinë dhe problematikat e gadishullit ballkanik.

Puna arrin deri aty, saqë në TV, një ish-Ministër i Jashtëm Italian, deklarohet i shqetësuar për krijimin e mundshëm të një “Shqipërie të Madhe”, pra për një restaurim të kufijve shumëshekullore etnik shqiptarë, që mbi të gjitha do të çonte automatikisht në shuarjen e çfardo vatre dhune.

Është e vërtetuar historikisht se Shqipëria, nuk ka kërkuar asnjëherë që të aneksojë, me dhunë ndonjë territor etnikisht jo shqiptar. Po ashtu ajo, as i ka dhënë asnjëherë shteg ëndrrave për supermaci karshi popujve të tjerë ballkanikë. Shqipëria kërkon vetëm të ribashkojë ato treva shqiptare, që interesat e Fuqive Europiane i kanë shkëputur në mes 1878 e 1913-ës.

Përkundrazi, Serbia është një Komb imperialist, që përherë është bërë shkak për konflikte. Kjo gjë ka ardhur prej kulturës së saj megalomane dhe prej politikës së saj agresive për dhunë ndaj popujve ballkanikë.

Kjo gjë është e provuar me dëshmi historike të pakundërshtueshme, e prova, si kundër kroatëve, sllovenëve, hungarezëve, malazezëve dhe shqiptarëve.

“Serbia e Madhe”, është ajo nga e cila duhet pasur frikë. Dëshmia më e mirë për këtë megaloni ngjethëse, e ngulitur tek serbët qysh në shkollë dhe që kaq kobe, rrënime dhe dhunime, ka provokuar dhe do të mund ende të provokojë, janë deklaratat e përçartura jo vetëm të politikanëve, por dhe të Kishës Ortodokse dhe përfaqsuesve të kulturës serbe që të gjithë i kemi dëgjuar të flasin në TV për “popullin e zgjedhur”!?

Prandaj nga precedentët historikë shumëshekullorë, bëhet e qartë se katalizatori i destabilizimit ballkanik, ka dhe ka për të pasur një emër të vetëm: Serbia, Kanceri i Ballkanit.

Serbët ngrenë pretendimin e tyre për të drejtën mbi Kosovën, tek kujtimi i betejës së zhvilluar më 28 gusht 1389 në Fushë-Kosovë, ku Sulltan Murati i Parë, i shkaktoi një disfatë të bujshme serbëve dhe i preu kokën princit të tyre Llazarit.

Kjo disfatë ishte shumë e turpshme për serbët, pasi ata ishin më të shumtë në numër se turqit. Ajo datë, për shkak të shpartallimit tërrsisht të trupave serbe, përfaqson dhe fundin e Principatës së tyre.

Skënderbeu, heroi Kombëtar shqiptar, ka qenë i vetmi princ ballkanik, që ka dalë fitimtar mbi turqit dhe ka bllokuar për 25 vjet me radhë përparimin e tyre në Europë, duke i thyer disa herë me rradhë, Sulltan Muratin e Dytë dhe Mehmetin e Dytë, nga 1444 e deri në 1468, vit në të cilin vdiq.

Nga pikpamja historike dhe gjenetike, shqiptarët dhe maqedonët janë të vetmit popuj ilirikë, ndërsa serbët janë një popull sllavë, që depërtuan në zemër të Ballkanit në shekullin e VII-të pas Krishtit. Kështu ata janë ardhacakë të vërtetë. Vetëm më 1913-ën, Kosova hyri dhe bëri pjesë në Serbi.

Kjo gjë ndodhi falë interesave të Rusisë Cariste, të Anglisë dhe Perandorisë Austro-Hungareze e Francës. Që nga Kongresi i Berlinit më 1878-ën e deri më Luftrat Ballkanike në 1912-13-ën, Shqipëria ka qenë e coptuar, duke krijuar me Kosovën dhe pjesën e Maqedonisë, Serbinë e Madhe, me Epirin dhe Thesalinë, Greqinë e Madhe, e me krahinën e Shkodrës, Malin e Zi.

Nga fundi i shekullit të XIV-të e deri në fund të shekullit të XIX-të, të gjitha këto territore bënin pjesë në katër Vilajetet që krijonin Shqipërinë brenda Perandorisë Otomane, d.m.th: Kosova, Shkodra, Manastiri e Janina. Shqiptarët ishin ata që i dhanë e furnizuan Perandorinë Otomane me kuadrot politikë, administrativë, e ushtarakë më të lartë.

Shumë Vezirë të Mëdhenj, si Mehmet Aliu, guvernatori i Egjiptit, Bej Frashërin, guvernatorin e Palestinës, Ali Pashë Tepelenën etj dhe për këtë shkak, nuk e ndjenin nevojën për të dalë nga një shtet brenda strukturës së të cilit dominonin.

Kjo ka qenë një prej dy motiveve që Fuqitë Evropiane, nuk e mbështetën në Kongresin e Berlinit të 1878-ës, kërkesën për të ruajtur bashkimin e katër Vilajeteve, të shtruara nga Kongresi i Prizrenit dhe më vonë nga qeveria e Vlorës.

Proteksioni i Rusisë për Serbinë, i justifikuar me alibinë si mbrojtëse religjoze ndaj të krishterëve ortodoksë të Ballkanit, fsheh në të vërtetë ëndrrën e vjetër të tyre për një dalje në Adriatik e Mesdhe.

Vasa Çubrilloviçi, një personalitet i rëndësishëm serb, që në 1937-ën, me anë të një memorandumi dërguar qeverisë jugosllave, u ankua për përdorimin e metodave perëndimore në përballimin e çështjes së Kosovës, që përkundër mund të ishte zgjidhur (62 vjet më parë) vetëm me përdorimin e dhunës brutale, duke i detyruar kosovarët që të emigrojnë në masë në drejtim të Shqipërisë dhe Turqisë.

Një shenjë ogurzezë, ndërkohë ishte dhënë nga entuziazmi që u mirëprit në Serbi, në mesin e viteve 80-të publikimi i këtij Memorandumi”./memorie.al/ KultPlus.com

Kush ishte Vangjel Zhapa, arvanitasi që ringjalli Lojërat Olimpike?!

Lojërat olimpike filluan në shek. VII para erës së re nga grekët e lashtë. Konsiderohen më të vjetrat në veprimtarinë sportive ndërkombëtare. Në vitin 392 të erës së re u shkatërruan nga një perandor romak. Pas 15 shekuj, në vitin 1896 rifilluan në Athinë dhe Vangjel Zhapa është quajtur themeluesi i Olimpiadës bashkë me francezin Pierre de Kuberte.

Në vitin 1856 qeveria greke tronditet nga propozimi i Vangjel Zhapës që mbështet moralisht dhe materialisht ringjalljen e lojërave olimpike, duke u zotuar përpara mbretit Othon dhe Zotit duke dhuruar 3000 napolona flori dhe 4000 aksione të shoqërisë së lundrimit në Rumani.

KUSH ISHTE VANGJEL ZHAPA

Vangjel Zhapa ka lindur më 23 gusht të vitit 1800 në fshatin Labovë të Madhe ose siç njihet ndryshe Labova e Zhapës në rrethin e Gjirokastrës.
Në moshën 13-vjeçare, Vangjeli u largua nga vendlindja, të cilën nuk do ta harronte kurrë. Ai u vendos fillimisht në Janinë. Ambienti kulturor për disa vjet në këtë qytet influencoi edhe në formimin e personalitetit të tij. Për disa vjet, Vangjel Zhapa ishte ushtar në garnizonin e Ali Pashë Tepelenës, nga ku më vonë u shkëput dhe u bashkua me kryengritësit suljotë. Zhapa vazhdoi luftën antiturke edhe pas vdekjes së Marko Boçarit , dhe udhëheqësve të tjerë të kryengritjes antiturke. Ai është nderuar me medaljen e argjendtë, “për kontribut në luftën për pavarësi ”, gjë që konfirmohet edhe nga ministri i Jashtëm i Greqisë, L. Deligeorges, në një shkresë që mban për datë 31 dhjetorin e vitit 1890.

Pjesëmarrja e Vangjel Zhapës në kryengritjen antiturke ra në sy të turqve, të cilët i arrestuan nënën, Sotirën, tashmë në moshë të thyer dhe i plaçkitën pasurinë atërore. Kompleksi i kësaj figure, vështirësitë gjuhësore, vendet e shumtë ku mund të ketë informacione bibliografike, kanë bërë që shumë studiues të braktisin, të mos e çojnë deri në fund, apo të studiojnë aspekte të veçanta të personalitetit të tij. Rumania, ku Vangjel Zhapa, kaloi pjesën më të madhe të jetës së tij, është vendi që e ka vendosur më mirë në fokusin e studimit këtë figurë interesante. Ky personalitet u përkujtua me nderim të veçantë në maj të vitit 1971, kur u bë inaugurimi i Muzeut të Sportit të Rumanisë. Në Labovë të Madhe, që është vendlindja e Vangjel Zhapës, ende janë shtëpitë trekatëshe që u ngjajnë kështjellave historike. Megjithëse kanë kaluan 150 vjet nga koha e ndërtimit të tyre dhe dhjetëra vjet nga Lufta e Dytë Botërore, kur u dogjën, këto shtëpi janë ende të parrëzuara, dëshmi kjo e artit madhështor të ndërtimit të tyre. Këto shtëpi ishin pronë e Vasil dhe Kristo Zhapës, dy vëllezërve labovitë, përkatësisht babai dhe xhaxhai i Vangjelit, i cili emigroi në fillim në Janinë dhe më vonë në Rumani.

FILLIMI I LOJRAVE OLIMPIKE

Lojrat filluan në vitin 1859 dhe u kritikuan me forcë nga shtypi grek i kohës dhe mbreti Othon nuk i pëlqente manifestimet atletike. Lojërat olimpike moderne filluan në vitin 1896 në stadiumin Panathinaikos, të cilin e veshi me pllaka mermeri me një vlerë 2.5 milion dhrahmi epirotasi nga Mecova J. Averof. Shuma të mëdha derdhi në arkën e Sillogut Pangrek të gjimnastikës shqiptari tjetër nga Qestorati i Lunxhërisë Kristaq Viktor Zografi, që inkurajoi lojërat olimpike të vitit 1896. Personalitetet greke shkruajnë: “Përfytyrimi dhe pasioni i Zhapës ishte bashkimi i Evropës përmes ringjalljes së lojërave olimpike ku do të sundonin fjalët dashuri, paqe e mirëqenie”. Pra, përfytyrimi i Evropës së bashkuar u bë nga shqiptari Vangjel Zhapa një shekull para se të bëhej realitet Bashkimi Evropian. Fatkeqësisht Shqipëria, atdheu i Vangjel Zhapës, akoma qëndron jashtë këtij bashkimi.”Për të gjithë unë jam i përbashkët si një ditë e ndritshme.”1 nga 2 

THEMELUESI I VËRTETË I SHKOLLËS SË PARË SHQIPE

Mësimet e para të gjuhës shqipes, e kanë realisht zanafillën në vitin 1860, në shkollën e Labovës, ku u hapën klasat e para të gjuhës shqipe, e cila njihej edhe si shkolla e Zhapës. Është pikërisht gazeta “Pellazgu”, gazetë shqip e asaj kohe, që në numrin e datës 01.03.1861 bën të ditur se “në shkollën e Labovës nuk mësohet vetëm greqisht por edhe shqip”, dhe kjo sepse gjuha shqipe ndihmonte edhe në mësimin e gjuhës greke. Kjo shkollë përbëhej nga katër cikle, duke filluar nga ajo foshnjore, e duke vazhduar më tej me klasën fillore, tre klasa qytetëse dhe duke përfunduar me dy klasa gjimnaz.

Vangje Zhapa në Shqipëri hapi edhe shumë shkolla të tjera, historianët numërojnë rreth 177, dhe këto sipas modelit të shtetit grek të asaj kohe. Shkollat fillonin nga Labova, në Lekël, në Përmet, në shumë fshatra aty përreth, dhe vazhdonin deri në Delvinë, Filat, Qeparo, .. etj.

Për të gjitha shkollat e ngritura, Vangjel Zhapa, paguante rregullisht çdo vit, shpenzimet për shkollën dhe pagat për mësuesit, ndërkohë që në vitin 1878, hapi në Labovë edhe shkollën për vajza me konvikt. Mësonjëtorja e Korçës, dhe data 7 mars 1987, që njihet konvencionalisht si fillimi i shkollës së parë shqipe, janë larg prej 27 vitesh nga shkolla e vërtetë shqipe e vangjel Zhapës. Paradoksi i madh është se Vangjel Zhapa, i cili në veprat e tij të bamirësisë, padyshim mishëron dukshëm vlerat e mëdha shpirtërore që bartin shqiptarët më të mirë, nuk pasqyrohet në asnjë emërtim shkolle apo gjimnazi, edhe pse jo vetëm themelues i vërtetë i shkollës së parë shqipe, por edhe si financues i qindrave milionë dollarë në fushën e arsimit shqip dhe kulturës. Shkollat shqipe të ndërtuara nga Vangjel Zhapa, akoma 150 vjet të shkuara, dalloheshin aq shumë për nga cilësia dhe akomoditeti që kishin për atë kohë, sa do t`i kishin zili edhe ndërtuesit e shkollave të sotme, që ne të gjithë e dimë se të ç`cilësie janë.

TESTAMENTI I VANGJEL ZHAPËS

Në vitin 1860, Vangjel Zhapa harton dhe nënshkruan një testament të rëndësishëm, i cili edhe sot e kësaj dite vazhdon të quhet “Testamenti Zhapa”, ku në thelb të ardhurat që siguroheshin nga pasuritë e tij të shumta të shpërndaheshin si në Shqipëri, ashtu edhe në Rumani, Turqi e Greqi, me qëllime të paracaktuara si arsim, shëndetësi dhe zhvillim i krahinës së tij të lindjes, e përreth.

Testamenti i Vangjel Zhapës kategorizohej dhe shpërndahej sipas problemeve dhe veprimtarive njerëzore, gjë që tregon qartë qëllimet e tij për mirësi e filantropi në dobi të njerëzimit. Mirëbërsia e tij në “Testamentin Zhapa” vazhdon në financimin e veprave sociale të vendlindjes e më gjerë deri në vitin 1940, të cilat pastaj u ndërprenë. Testamenti “Zhapa” pas vitit 1940 është bllokuar nga shteti helen, dhe përpjekjet për ta riaktivizuar atë deri tani kanë qenë nul.

Shqiptari Vangjel Zhapa, si njeri me vizion evropian, kishte synime edhe për edukimin e vajzave me virtytet e moralit të shoqërisë moderne, pasi mesjeta i kishte lënë të ndrydhura. Vangjel Zhapa bëri projektet për çeljen e shkollave femërore në Kostandinopojë, Adrianopojë e Labovë të Madhe, sipas modelit të shkollave më të mira të shtetit helen.

Shqipërinë e varfër së asaj kohe nuk i pati munguar kurrë ndihma nga Vangjel Zhapa. Ai do të përkujdesej nëpërmjet testamentit të tij për shkollat e Leklit, Kakozit, Karjanit, Nivanit, Përmetit, Dhrovjanit, Delvinës, Filatit e Qeparoit. Në testament parashikohej që për çdo vit fondi në ndihmë të këtyre shkollave të kapte shifrën e 1200 frangave ari në vit.

Edhe regjimi i Enver Hoxhës në vitin 1957 bëri përpjekje të mëdha ligjore për të mundësuar përfitime për vendin nga testamenti i Vangjel Zhapës, por nuk ja arriti dot qëllimit. Me kalimin e viteve zbehen shpresat se mund të merret parasysh nga Qeveria Greke zbatimi i Testamentit të Vangjel Zhapës, i cili padyshim do të ishte një burim i rëndësishëm zhvillimi i Jugut të vendit dhe atyre krahinave që janë dominuar në këtë testament.

Është e dyshimtë, aq sa dhe e papranueshme, që të paktën një institucion i rëndësishëm arsimor, të mos mbartë emrin e këtij atdhetari të madh. Kujtojme se studiuesi i madh grek Aleksandër Farmaqi, mbasi kishte përfunduar së studiuari veprën e Vangjel Zhapës, duke i`u referuar këtij të fundit ka shkruar se: “Asnjë copë e tokës greke nuk lindi kaq bamirës sa Epiri”.

Njeriu që nderohet ende, duke filluar nga Universiteti i Bukureshtit, e deri në institucionet e Bosforit dhe atenetë e Athinës, duhet të nderohet më tepër dhe duhet të promovohet shkrimi i historisë së tij, bamirësive, dhe pse jo e vërteta e madhe, se Vangjel Zhapa ka qenë themeluesi i vërtetë i shkollës së parë shqipe. /diasporashqiptare/ KultPlus.com

Pas aksidentit tragjik reagon edhe presidenti kroat: I qëndroj afër popullit të Kosovës në këtë kohë të trishtuar

Të paktën dhjetë persona raportohet të kenë vdekur si pasojë e një aksidenti që ka ndodhur mëngjesin e së dielës në Kroaci, transmeton KultPlus

Pas këtij aksidenti ka reaguar edhe presidenti kroat, Zoran Milanoviç.

Ai përmes një postimi në rrjetin social Facebook i ka ngushëlluar familjarët e viktimave, gjersa u ka shprehur shërim të shpejtë të lënduarve në këtë aksident.

“Shpreh ngushëllimet e mia për familjet e pasagjerëve që vdiqën në aksidentin e trafikut që ndodhi këtë mëngjes pranë Slavonski Brod, unë ngushëlloj autoritetet dhe popullin e Kosovës në këtë kohë të trishtuar për të gjithë ata. Iu uroj shërim të shpejtë pasagjerëve të lënduar”, shkroi ai. / KultPlus.com

Përkujtohet albanologu i shquar, Robert Elsie

Ministrja e Kulturës në Shqipërisë, Elva Margariti, në kuadër të muajt të bibliotekës sikurse është përcaktuar muaji korrik, ka përkujtuar albanologun Robert Elsie, një nga miqtë e mirë të Shqipërisë.

Robert Elsie lindi në Kolumbinë Britanike të Kanadasë më 29 qershor të vitit 1950, vend ku edhe mori arsimimin bazë dhe atë universitar. Pas studimeve ai ju dedikua albanologjisë. Pasi vizitoj vendin tonë disa herë gjatë viteve 70-80 ai ndoqi studimet në institutin e gjuhësisë në universitetin e Bonit në Gjermani dhe në Akademinë e Shkencave në Shqipëri.

Vite më pas, iu përkushtua edhe mori pjesë në shumë seminare ndërkombëtare për gjuhën, letërsinë, kulturën dhe traditën shqiptare, përfshirë këtu edhe atë Kosovare.  Në gjykatën e Hagës ai ka dhënë një kontribut të rrallë si përkthyes i gjuhës shqipe gjatë gjykimit për krime ndaj njerëzimit ndaj Sllobodan Millollsheviç. Elsie ishte anëtar i Shoqatës së Europës Juglindore (Südosteuropa-Gesellschaft), anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve në Kosovë, por edhe anëtar nderi i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës.

Disa nga veprat e albanologut Elsie janë: “Studies in modern Albanian, literature and culture”,  “Anthology of modern Albanian poetry”, “Migjeni”, “Albanian folktales and legends”, “Histori e letërsisë shqiptare”, “A dictionary of Albanian religion, mythology and folk culture”, “Histori e letërsisë shqiptare botimi dytë”,  Gjergj Fishta “The Highland Lute”, “Këngë Kreshnikësh”, “Historia më e vjetër e Shqipërisë”, “Leksiku i kulturës popullore shqiptare”, “Letërsia shqipe një histori e shkurtër”,  Fatos Kongoli “The Loser”, ” Shqipëria dhe Kosova në ngjyra”, “Fjalor historik i Kosovës”, “Fjalori historik i Shqipërisë”.

Duke marrë parasysh gjendjen jashtëzakonisht të rëndë në Kosovë, gjendje kryesisht të panjohur në botën e jashtme, ai përpiloi antologjinë e parë të madhe me shkrime për temën e Kosovës në vëllimin 600-faqesh “Kosovo In the Heart of the Powder Keg” (Kosova, në qendrën e fuçisë së barutit). Përveç kësaj, ai zbuloi dhe botoi dorëshkrimin e historisë së parë të Shqipërisë, të shkruar prej priftit llazarist francez, Jean-Claude Faveyrial (1817-1893), Histoire de l’Albanie (Histori e Shqipërisë), Pejë 2001, që doli në shqip në vëllimin “Historia më e vjetër e Shqipërisë”, Tiranë 2004.

Ai u vlerësua me çmimet “Medalja e Mirënjohjes dhe “Medalja e Artë e Lidhjes së Prizrenit”.

Albanologu Robert Elsie ndërroi jetë më 2 tetor të vitit 2017 nga një sëmundje e rëndë e cila e ndau nga jeta ende të ri dhe me energji dhe përkushtim ndaj botës së letrave. /atsh/ KultPlus.com

Bebe Rexha për përmbytjet dhe ndryshimet klimatike: Nëse nuk e besoni që kjo po ndodh, atëherë jeni idiot

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Bebe Rexha, duket se është e shqetësuar për ndryshimet e fundit klimatike në glob.

Ajo ka rishpërndarë së fundmi në InstaStory një pamje të përmbytjeve që po ndodhin në disa shtete evropiane, duke shkruar në mbishkrimin e saj se një gjë e tillë po ndodhë dhe është e vërtetë.

“Nëse nuk e beson që ndryshimi i klimës është i vërtetë, atëherë ti je një idiot”, shkroi 31-vjeçarja në mbishkrimin e postimit.

E krejt kjo duekt se vjen si pasojë e diskursit publik rreth ndryshimit të klimës globale, për të cilën ka ende persona që nuk besojnë në të. / KultPlus.com

Driton Kuka: Kokën lartë Majlinda, krenar me ty deri në frymën time të fundit

Majlinda Kelmendi është ndalur në luftën e parë në garën e xhudos në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”. Të dielën në Nippon Budokan, Majlinda ka garuar në kategorinë deri 52 kilogramë, ku ka arritur sukseset më të mëdha që mund të arrihen.

Për këtë gjë ka reaguar edhe Driton Kuka përmes një statusi në rrjetin social Facebook, ku ka theksuar se Majlinda është krenaria e veprimtarisë së tij.

Më poshtë mund të lexoni statusin e plotë të Kukës.

Krenaria e veprimtarisë time …
Majlinda të falenderoj për jetë!
Do jesh gjithmonë Kampione Olimpike,Botërore e Evropiane!
Sot mos u hidhëro,puna e sakrifica,djersa e gjaku që ke derdhur për veten tande,për mua,familjet tona,popullin Shqiptar tu ka shpërblyer gjatë karrieres.

Mos u hidhëro se e arta e Disit është e të gjithë neve e ekipit tonë.
Mos u hidhëro sot të lutem,kokën lartë se aq shumë gëzime i ke dhuruar popullit Shqiptar!
Zoti të ka shpërblyer punën tande,lëndimet ishin sfida që aq shumë të munduan ty fizikisht e mua shpirtnisht.
Kokën lartë Majlinda!
Krenar me ty deri në frymën time të fundit …
/ KultPlus.com

Presidentja Osmani reagon pas eleminimit të Majlinda Kelmendit: Me ty jemi të gjithë, e arta jonë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas eliminimit të  Majlinda Kelmendit nga Lojërat Olimpike, transmeton KultPlus.

Përmes një postimi në llogarinë e saj në Facebook, Osmani ka thënë se Majlinda mbetet kampione olimpike e përhershme dhe se i ka sjellë Kosovës respkt më shumë se çdokush tjetër.

“Majlinda për ne mbetet kampione olimpike e përhershme. Është ajo që i dha Kosovës shkëlqimin e saj të parë, ajo që e ndriqoi emrin e Kosovës para krejt botës, ajo që ngriti flamurin tonë atje ku nuk arrinte askush tjetër dhe bëri që të dëgjohej e nderohej himni ynë në vende që nuk na njohin.

Majlinda i solli Kosovës respekt më shumë se çdokush tjetër. Ajo i dha motiv çdo fëmije, çdo të riu, e mbi të gjitha çdo vajze, për të luftuar për ëndërrat e veta e për t’u ringritur gjithnjë pavarësisht sfidave”, ka shkruar Osmani.

Tutje, Osmani ka thënë se pavarësisht rezultatit, ajo ka realizuar ëndrrën e një populli të tërë.

“Faleminderit kampione, për këto e shumëçka tjetër. Sepse ajo çfarë ke bërë ti për Kosovën tejkalon çdo medalje. Pavarësisht rezultatit të sotëm, ti tashmë ke realizuar ëndrrën e një populli të tërë.

Por jo vetëm falënderim Majlindë. Me ty jemi të gjithë, e arta jonë.

Majlinda është Kosova! ”, thuhet në postimin e Osmanit. / KultPlus.com

MKRS: Majlinda Kelmendi, krenaria e shtetit tonë

Majlinda Kelmendi është ndalur në luftën e parë në garën e xhudos në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”. Të dielën në Nippon Budokan, Majlinda ka garuar në kategorinë deri 52 kilogramë, ku ka arritur sukseset më të mëdha që mund të arrihen.

Për këtë gjë, MKRS ka dalur me një komunikatë publike ku i është referuar Kelmendit si krenaria e shtetit tonë, përcjell KultPlus.

Më poshtë mund të lexoni reagimin e plotë të MKRS-së:

Majlinda Kelmendi krenaria e shtetit tonë

Kampionia olimpike e Rio 2016, Majlinda Kelmendi nuk arriti të vazhdojë tutje garat e xhudos në Lojërat Olimpike Tokio 2020.
Në fitore e humbje, ajo mbetet krenaria e shtetit tonë. Puna, përkushtimi dhe guximi që ka treguar do të jenë gjithmonë inspirim për gjenerata të tëra.

Qeveria e Kosovës në Lojërat Olimpike po reprezetohet nga zëvendësministrja e MKRS, znj. Daulina Osmani.

Me datën 23/07 u zhvilla organizimi mirëseardhës nga Ministria e Edukimit, Kulturës, Sportit, Shkencës dhe Teknokogjisë në Tokio, ku ishin pjesmarrës të gjithë Ministrat e shteteve pjesmarrëse në Tokyo 2020.
Sot e ka përfunduar garën e shenjëtarisë sportive edhe garuesi Drilon Ibrahimi.
Shenjëtari ynë ka arritur 608.8 pikë, që e renditën në vendin 46. Ky është një rekord i ri shtetëror.
Ndërsa gjatë ditës pritet të garoj edhe notarja Eda Zeqiri.
/ KultPlus.com

Vdiq në moshën 93-vjeçare komediani i famshëm, Jackie Mason

Komediani Jackie Mason, i njohur për një karrierë të zgjatur në dekada, ka vdekur të shtunën në një spital të New Yorkut, në moshën 93-vjeçare.

“Ai vdiq i qetë me familjen dhe miqtë pranë tij”, ka thënë miku dhe bashkëpunuesi i tij, Raoul Felder për CNN.

Mason ishte i hospitalizuar për dy javë para se të vdiste, për shkak të problemeve me frymëmarrjen.

Shumë njerëz atë e njohin për bashkëpunimin e gjatë me “The Simpsons”. / KultPlus.com

Mësimdhënësit po refuzojnë të vaksinohen, deri tash s’janë vaksinuar as gjysma e tyre

Vetëm 7 mijë e 200 mësimdhënës janë vaksinuar deri më tani, derisa numri i përgjithshëm i personelit arsimor në nivel vendi është 24 mijë e 370.

Numri i vogël i mësimdhënësve të imunizuar po vlerësohet si brengosës dhe rrezik për vijimin normal të vitit të ri shkollor. Derisa nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit thonë se nuk ka ligj që e bënë vaksinimin të detyruar, nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës deklarojnë se nuk do të kundërshtojnë nëse bëhen obligative vaksinimi i mësimdhënësve.

Në një përgjigje me shkrim nga Ministria e Shëndetësisë, është bërë e ditur se deri më tani në Kosovë janë vaksinuar rreth 7 mijë e 200 mësimdhënës.

“Bazuar në të dhënat e deritanishme, në Kosovë janë vaksinuar kundër COVID-19 rreth 7200 mësimdhënës të niveleve të ndryshme”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.

Numri i vogël i personelit arsimor të vaksinuar po shihet si shqetësues edhe për Sindikatën e Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës. Ymer Ymeri, përfaqësues nga kjo sindikatë thotë për KosovaPress se nuk ka asnjë arsye që mësimdhënësit të refuzojnë vaksinimin.

Ai potencon se mos vaksinimi i mësimdhënësve mund të ndikojë që viti i ri shkollor të rrezikojë të nisë me prezencë fizike në objektet shkollore.

“Edhe për neve si SBASHK është brengosëse ky numër i vogël i vaksinimit të punëtorëve arsimorë, për shkak se siç e dimë është krijuar mundësia që të gjithë të vaksinohen dhe mos vaksinimi i punëtorëve arsimorë mund të shkaktojë mos fillimin e procesit mësimor në shkolla. Prandaj ju bëjmë apel edhe një herë mësimdhënësve, të gjithë punëtorëve arsimorë, në veçanti mësimdhënësve, të vaksinohen për shkak se ka kohë që të merret edhe doza e parë edhe doza e dytë para se të fillojë viti shkollor”, thotë Ymeri. /gazetaexpress/ KultPlus.com

“Ndonjëherë edhe djalli shfaqet si një njeri i paqes”

Thënie nga Bob Dilan

Dilan i cilësuar si këngëtari më i madh folk i shekullit të 20-të, me një karrierë mëse 45-vjeçare në publik, me më tepër se 40 albume muzikore, mijëra këngë të shkruara dhe disa libra poetik, poet me një vizion të jashtzakonshëm, shpesh i është shmangur kësaj pyetje.

Antikonformist i njohur në raport me materializmin industrialist të pop-kulturës amerikane, në vitin 1965 është përgjigjur shkarazi “Mendoj më tepër rreth vetes se jam një këngëtar se sa valltar”. Për gati 20 vjet nuk ka dhënë asnjë intervistë. Argumentet janë edhe njëherë rihapur së fundi me daljen e librit “Vision of Sin” nga profesori i Universitetit të Oxford-it zoti Christopher Ricks i cili thotë se “Lirikat e shkruara nga Dylan, kanë hyrë në paktin e jetgjatësisë”.

Termi “literaturë” është veçse letërsi e përbërë prej sinteza të ngjeshura fjalësh. Pra tërheqja e vëmendjes prej këtyre fjalëve, jo në besimin e funksionit të fjalës si njësi e vetme, sepse natyrisht kadenca muzikore, zëri, stili, kanë rrolin e tyre, por pamja e fjalës së breftë në mënyrën më të pavarur nga të gjitha këto përbërës përbën argumentin e ngritur për dekada tashmë në pyetjen nëse është Bob Dylan zëri i “bum” gjeneratës e cila pa të a do kishte vallë zë.

Më poshtë disa nga thëniet e tij të njohura:

Dashuria është gjithcka, pa të nuk bëni dot

Sa rrugë duhet të bëjë njeriu para se të mund të quhet i tillë?

Kur s’ke asgjë, s’ke cfarë të humbësh

Nuk ke nevojë për meteorolog për të kuptuar nga cila anë fryn era. / KultPlus.com

Barack Obama e Bruce Spingsteen së shpejti publikojnë ‘Renegades: Born in the U.S.A’

“Renegades: Born In The USA” pritet të publikohet më 26 tetor, transmeton KultPlus.

Ish-presidenti i SHBA-së dhe kitaristi i njohur Bruce Springsteen janë bashkuar sërish për të treguar historitë e tyre amerikane në serialin podcast “Renegades: Born in the USA”, që tani është bërë një libër me të njëjtin titull dhe do të publikohet më 26 tetor të këtij viti.

“Gjatë viteve, ne kemi zbuluar se ndajmë të njëjtën ndjeshmëri në lidhje me punën, familjen, Amerikën. Në mënyrën tonë, Bruce dhe unë kemi udhëtuar në një univers paralel për të kuptuar këtë vend që na ka dhënë të dyve shumë, për të treguar historinë e njerëzve të tij dhe për të kërkuar një lidhje midis nevojës sonë për kuptim, për të vërtetën, për komunitetin, nëpërmjet historisë më të thellë të Amerikës”, është shprehur Obama në libër.

“Renegades: Born in the USA” është një dialog i sinqertë, intim dhe tërheqës mes presidentit të 44-t të SHBA-së dhe legjendës së zhanrit rok. Libri përmbledh biseda private, ku autorët ndajnë histori ekskluzive dhe reflektime mbi jetën, në muzikë, në dashurinë e pafund për një Amerikë plot mundësi dhe kontradikta.

Vëllimi është, gjithashtu, i mbushur me ilustrime, fotografi të rralla dhe ekskluzive nga koleksionet private të autorëve dhe materiale arkivore të pabotuara, përfshirë vargjet e shkruara me dorë të Springsteen, si dhe fjalime nga Obama. / KultPlus.com

REUTERS/Jason Reed

Të huaj jemi

Poezi nga Ismail Kadare

Të huaj jemi ne prej kohësh
Ç’ish për t’u thënë është thënë.
Si gurët që zënë vend në tokë
Një jetë vend ne kemi zënë.

Drejt njëri tjetrit kemi mbyllur
Të gjitha rrugët edhe shtigjet
Si dy qytete mesjetarë
Me mure, heshta dhe me pirgje.

Por natën kur i lodhur truri
Portat i Mbyll me qetësi,
Ti gjen një shteg dhe futesh mbrenda
Një shteg që vetëm ti e di.

Futesh dhe si n’rrugica parqesh
Shetit mes cirkonvolucionesh.
Hyn nëpër ëndrra e shkujdesur,
Fanitesh, qesh, ma bën me dorë.

Po kur mëngjesi zë ofrohet
Nis shqetësohesh befas ti.
Dhe heshturazi del përjashta
Nga shtegu që veç ti e di.

E dita vjen. Rrjedh prap jeta
Dhe ne të dy si dhe më parë
Të ftohtë rrimë e të pamposhtur
Si dy qytete mesjetarë. / KultPlus.com