Pas fitores së Krasniqit në gjysmëfinale ku xhudistja kosovare mposhti Urantsetseg Munkhat të Mongolisë duke fituar medaljen Olimpike, tani ajo ka arritur të fitojë medaljen e Artë, raporton KultPlus.
Krasniqi fitoi në finale kundër japonezes Funa Tonaki.
Për fitoren e Krasniqit ka shkruar edhe presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila përmes një statusi në faqen zyrtare në Facebook, ka theksuar se Krasniqi e ka ngritur falmurin e shtetit tonë në piedestalin më të lartë.
Më poshtë gjeni statusin e plotë të Presidentes Osmanit:
Distria i solli Republikës sonë medaljen e dytë të artë olimpike. Nder e krenari e lumturi e papërshkrueshme.
Ajo e ngriti sot flamurin e shtetit të saj në piedestalin më të lartë. Me suksesin e saj olimpik ajo nderoi një komb të tërë, si dhe e gëzoi fort çdo zemër në Kosovë por edhe shumë të tjera anë e mbanë botës.
Distria, e para e botës, dëshmoi sot sërish se është e pamposhtur dhe se është krenaria e vendit tonë. Ajo dëshmoi që talenti dhe puna triumfojnë gjithnjë.
Sot, nëpërmjet Distrias, Kosova shkëlqeu para tërë botës.
Sot dhe përherë, Kosova do të krenohet me ty. Bravo. / KultPlus.com
Distria Krasniqi e ka rrëmbyer medalje e artë në “Tokio 2020”.
Distria Krasniqi i ka siguruar medalje Olimpike Kosovës në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”, duke e rrëmbyer të Artën.
Kjo është medalja e dytë Olimpike për Kosovën, pas Majlinda Kelmendit që fitoi të Artën në vitin 2016.
Pas triumfit, Distria është deklaruar për RTK-në, transmeton kultPlus.
“Po ndihem shumë mirë, jam shumë e lumtur. Është medalje për vendin, për familjen, për gjithë ata që më kanë mbështetur. Ka qenë një luftë shumë e vështirë kundër japonezes, sepse Japonia e ka xhudon më të mirë në botë. “Është fillimi, jam ende e re, pretendoi të marrë pjesë edhe në tri Olimpiada, do të vazhdoj të punoj”, ka theksuar Krasniqi. / KultPlus.com
Pas fitores së Krasniqit në gjysmëfinale ku xhudistja kosovare mposhti Urantsetseg Munkhat të Mongolisë duke fituar medaljen Olimpike, tani ajo ka arritur të fitojë medaljen e Artë, raporton KultPlus.
Krasniqi fitoi në finale kundër japonezes Funa Tonaki.
Pasditen e së premtes, këngëtarja Dua Lipa ka mbajtur edhe një bashkëbisedim për mediat në Tiranë duke pasur si shkas vizitën e saj. Në prezantimin e bërë para gazetarëve, kryebashkiaku Veliaj ka thënë se Dua në kryeqytetin shqiptar nuk ishte vetëm si muzikante e yll, por edhe si “brigadiere” me jelekun e gjelbër.
“Mbi të gjitha besoj, përveç të qenët artist i mirë duhet të jesh edhe njeri i mirë. Ka njerëz që flasin dhe të tjerë që bëjnë e kur ishte situata me tërmetin kishte njerëz që luteshin e të tjerë që u përpoqën të bëjnë diçka konkrete”, ka thënë Veliaj për idenë e rindërtimit të kopshtit në qendër të Tiranës.
Në emër të fondacionit “Sunny Hill”, Dukagjin Lipa, duke folur për konceptin e projektit për kopshtin në Tiranë, ka thënë se prej 2016-s ka filluar rrugëtimi për bamirësi.
“Tash jemi në proces të hapjes së një objekti në Prishtinë, që do të jetë si një hapësirë ku artistët e rinj do të kenë mundësi të eksplorojnë talentin e ri”, ka thënë Dukagjini për projektin “Sunny Hill Academy”, ndërkaq ka shfaqur shpresën që fondacioni në të ardhmen të shtrihet edhe në Tiranë.
Në fjalën e saj, këngëtarja Dua Lipa ka ritheksuar kënaqësinë e saj që po mund të ndihmojë jo vetëm për projektin e kopshtit në Tiranë, por edhe më shumë se kaq.
“Kjo është një ëndërr e madhe për mua, veçmas për një komunitet që më ka dhënë shumë, për të gjithë shqiptarët që më mbështetën dhe kjo është veç një mënyrë e vogël se çfarë mund të bëj unë”, ka thënë ajo.
Duke iu përgjigjur interesimit dhe pyetjeve të gazetarëve për edicionin e ardhshëm të “Sunny Hill Festival”, ajo ka paralajmëruar se do të ketë prani të artistëve të njohur ndërkombëtarë, por nuk ka dhënë ndonjë informacion se cilët do të jenë ata.
“Kemi qejf t’i ruajmë befasitë deri në momentin e fundit”, ka thënë Lipa për edicionin e vitit të ardhshëm që do të ketë për herë të parë kohëzgjatje prej katër ditësh.
Ndërkaq Dukagjin Lipa ka folur për arsyet që “Sunny Hill Festival” nuk u mbajt sivjet, duke e përmendur pandeminë si shkakun kryesor.
“Por po kaq hendikep ishte edhe çështja e hapësirës që nuk u akordua deri para disa javësh”, ka shtuar ai.
Edicioni i dytë “Sunny Hill Festival” u mbajt në vitin 2019 në Prishtinë. Me tre net me afro 50 mijë të pranishëm në fundjavën e parë gushtit të atij viti, “Sunny Hill Festival” solli në Kosovë emra të përveçëm të muzikës botërore, përderisa mediat ndërkombëtare do të raportonin në vazhdimësi për të. Në skenën gjigante në parkun e Gërmisë kishin performuar yje botërorë, si Miley Cyrus e Gashi përderisa DJ i njohur Calvin Harris do ta elektrizonte natën finale.
Më 14 qershor të këtij viti, Kuvendi Komunal i Prishtinës miratoi vendimin për ndarjen e hapësirës për “Sunny Hill Festival”. Me 32 vota për, asamblistët miratuan propozim-vendimin që këtij organizimi t’i ndahet prona komunale në Bërnicë të Poshtme afër Qendrës së panaireve në Shkabaj. Siç është projektuar, aty do të ketë kapacitet për 100 mijë veta. / KultPlus.com
Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, gjatë ditës së djeshme ka arritur në Shqipëri.
Ajo është takuar me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën dhe me kryetarin e bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ku edhe ka pranuar dhurata simbolike.
Në një konferencë të mbajtur për media, Dua u shpreh se është e lumtur që gjendet pas pesë vitesh sërish në Tiranë, transmeton KultPlus.
“Mburrem shumë që e kam mundësinë të jem këtu sot, të ndihmoj në çfarëdo lloj mënyre të mundem jo vetëm me këtë kopsht edhe më tej. Për një komunitet që më ka dhënë shumë, për krejt shqiptarët përreth botës që më kanë suportu, kjo është një mënyrë e vogël çfarë mund të bej kështu që shumë faleminderit për suportin!”, tha ajo.
E njëjta, nuk e përjashtoi mundësinë e të bërit një kënge në gjuhën shqipe kur u pyet nga gazetarët rreth kësaj.
“E kam menduar atë gjë. Ndoshta një këngë të vjetër shqiptare. Duhet të punoj ende nëse ka mundësi të bashkoj diçka që është edhe moderne edhe tradicionale shqiptare”, tha Lipa në konferencën për media.
E njëjta vazhdoi të theksojë se si di shumë këngë në gjuhën shqipe që do të donte t’i këndonte ‘cover’, duke shtuar se synon ta ndryshojë stigmën e njerëzve nëpër botë ndaj shqiptarëve.
“Unë kam shumë këngë në gjuhën shqipe që i dua. Do kisha qejf të bëja një Cover, që ti dëgjojnë shumë njerëz. Nuk e di a jam mjaft e aftë të shkruaj këngë shqip. E kam ëndërr të madhe edhe të ndryshojmë stigmën ndaj Kosovës edhe Shqipërisë, edhe neve si shqiptarë. Ta shohin njerëzit nëpër botë që jemi kreativ, punojmë fort dhe ka të rinj”, tregoi 25-vjeçarja.
Edicioni i trembëdhjetë i PriFest vazhdon traditën e organizimit të një mundësie unike për projekte filmike që janë në fazën e para produksionit. Kjo mundësi, vjen në kuadër të PriFORUM-it, përmes “Best Pitch Competition”.
Një numër relativisht i madh i projekteve ambicioze filmike nga regjioni (Kosovë, Shqipëri, Maqedoni e Veriut, Kroaci, Mal i Zi, Turqi dhe Mal i Zi) kanë aplikuar me projektet e tyre filmike në këtë garë, ku do të kenë mundësi të garojnë për çmime të ndryshme.
Projektet e përzgjedhura për këtë vit janë:
1. Project title (English): At Sea Project title (Original): Denizde Country: Turqia Regjisori / Director: Zeynep Köprülü
2. Project title (English): THE BOAT Project title (Original): VARKA Country: Maqedonia Veriore Regjisori / Director: Arben Thaci
3. Project title (English): The Sun , The Moon and the Eleven Stars Project title (Original): 11 Yıldız, Güneş ve Ay Country: Turqia Regjisori / Director: Emir Kulal Haznevi
4. Project title (English): Made by dust Project title (Original): Te bere prej pluhuri Country: Shqiperia Regjisori / Director: Ajola Daja
5. Project title (English): 2000: A post-war Odyssey Project title (Original): 2000: A post-war Odyssey Country: Kosova Regjisori / Director: Zgjim Terziqi
6. Project title (English): Blood and Honey Project title (Original): Krv i Med Country: Maqedonia Veriore Regjisori / Director: Ilija PIperkoski
7. Project title (English): Lorena Project title (Original): Lorena Country: Kosova/Italia Regjisori / Director: Valon Jakupaj
8. Project title (English): Fear Project title (Original): Strah Country: Mali i Zi Regjisori / Director: Aleksandar Radunović
9. Project title (English): Between Earth and Sky Project title (Original): Mes Qiellit dhe Tokes Country: Shqiperia Regjisori / Director: Gledis Bica
Projektet e përzgjedhura do të përfitojnë nga trajnime të ndryshme si punëtoria për pitching (prezentim) që do të mbahet nga ekspertet Claudia Landsberger.
Të gjitha projektet e selektuara për prezentim në Best Pitch gjithashtu do të përfitojnë mundësinë e konsulencës profesionale lidhur me aspektin financiar dhe strategjinë e ko-produksionit me një tjetër eksperte të fushës, Linda Beathpoashtu nga EAVE.
Gara tradicionale e Best Pitch jep gjithashtu çmime për projektet fituese këtë vit:
· Çmimi për Audio-post produksion 15 ditë në FOLEYS, dhënë nga kompania: Audio House, Maqedoni Veriore
· Çmimi për postproduksion – Gradim të ngjyrave dhënë nga kompania: My Country Production, Kosova
Best Pitch është vetëm një nga disa aktivitet që në PriFest organizohen si pjesë e PriFORUM-it, që është një platformë rajonale e zhvillimit të industrisë së filmit.
PriFORUM është komponentë përbërëse e PriFestdhe këtë vit do të mbahet në datat 26-29 gusht, ndërkohë që PriFest do të mbahet me 24-29 gusht. Të gjitha aktivitetet do të mbahen në mënyrë fizike. / KultPlus.com
Andin Hoti, i biri i veprimtarit të zhdukur Ukshin Hoti, tani po angazhohet drejtpërdrejtë në mënyrë institucionale për zbardhjen e fatit të babait dhe të gjithë personave që Serbia i mori dhunshëm dhe për fatin e të cilëve ende nuk dihet.
I emëruar ditë më parë në krye të Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur dhe drejtues i delegacionit të Kosovës për bisedime për çështje të personave të zhdukur, Andin Hoti thotë është i gatshëm të përballet me palën serbe.
Sipas tij, faktori ndërkombëtar duhet të bëjë më shumë presion ndaj Serbisë që të hapë arkivat dhe të tregojë vendndodhjen për 1,632 personat e zhdukur dhe të vihet drejtësi.
Andin Hoti, në një bisedë me KosovaPress, ka thënë se këto dy emërime nuk i sheh si pozitë pune, por obligim moral për të bërë më shumë drejt zbardhjes së fatit të personave të zhdukur.
“E kam marrë si obligim moral e kombëtar që e ndjej të jap kontribut, të jap maksimumin tim drejt zbardhjes së fatit të personave të zhdukur, jo për faktin që babai im konsiderohet i zhdukur por për faktin që Kosova ende e ka një plagë të rëndë që e bartë me vete prej 22 vite tashmë, dhe që ende 1632 familje vuajnë dhe e kanë një plagë të hapur për këtë çështje, them kështu sepse e kam edhe rast personal, ende secila prej këtyre familjeve zgjohet prej gjumit me shpresën mos ndoshta sot do ta kemi një njoftim, një lajm se çka ka ndodh me fatin e familjarit që është kidnapuar prej luftës së fundit në Kosovë”, ka thënë Hoti.
Hoti ka theksuar nevojën për rritje të presionit nga faktori ndërkombëtar mbi palën serbe, meqë siç thotë ai, Serbia është adresa e vetme për personat e zhdukur.
“Ne kemi nevojë shumë për përkrahjen dhe trysninë e faktorit ndërkombëtar. Në këtë rast, adresa e vetme për personat e zhdukur me forcë është Serbia, Qeveria e Serbisë, sepse ne e dimë që gjenocidi që ka ndodhur në Kosovë e ka bërë qeveria e atëhershme e Serbisë dhe adresa e vetme edhe për zbardhjen e fatit të këtyre personave është qeveria e Serbisë, por ne edhe si delegacion do të tentojmë të bashkëpunojmë me komisionin homolog që e kemi në Serbi atje, komisionin qeveritar të tyre për personat e zhdukur, në mënyrë që Serbia duke e pas përsysh edhe presionin ndërkombëtar, që po shpresojmë ta rrisim, të hap arkivat e luftës së fundit në Kosovë”, ka thënë ai.
Zbardhja e fatit të personave të zhdukur, Hoti ka thënë se është çështje humane dhe duhet të trajtohet si e tillë, por sipas tij, për Serbinë vazhdon të jetë politike andaj shton se presioni i faktorit ndërkombëtar mbetet rruga e vetme që Serbia të bindet për hapjen e arkivave.
Hoti ende nuk e di kur do ta ketë takimin e parë me palën serbe, por thotë se do ta tejkalojë aspektin emocional dhe prioritet do ta ketë zbutjen e plagës së secilit familjar që ende pret të dëgjojë lajm për më të dashurit e zhdukur.
“Si do të jetë përballja ime me palën serbe duke pasur parasysh që, nuk po them direkt që është ajo aty është e përfshirë, por duke pasur parasysh që ata përfaqësojnë diçka që më kanë zhdukur prindin mua dhe 1632 persona të tjerë në Kosovë, mirëpo për mua, dhe mendoj që për të gjithë qytetarët e Kosovës, interesi primar, kryesor, është zbardhja e fatit të personave të zhdukur, pas parasysh edhe përvojën profesionale, mendoj dhe jam i bindur që në aspektin emocional mund ta tejkalojë, dhe aspektin emocional mund ta kem si ndihmesë time në mënyrë që të mund të jem ballëhapur sepse unë jam ballë hapur para palës serbe, neve jemi viktima, ata janë agresori në këtë rast, dhe të kërkojmë drejtësinë për 1632 personat e zhdukur”, ka thënë Hoti.
I biri i Ukshin Hotit ka thënë se e ka marrë mbështetjen e familjeve të personave të zhdukur dhe zotohet se do të jetë zëri i tyre në çdo takim.
Ai ka vlerësuar se çështja e personave të pagjetur duhet të jetë prioriteti kryesor i institucioneve të Kosovës, pa zgjidhjen e së cilës thotë se nuk duhet të ndodh marrëveshja finale me Serbinë.
“Institucionet e Kosovës nuk është që po bëjnë zero punë, por nuk po bëjnë mjaftueshëm punë në mënyrë që të rrisin trysninë ndaj faktorit ndërkombëtar. Me sa unë e kam parë, dy takimet e fundit që kanë qenë në dialogun Kosovë-Serbi në Bruksel, në të dyja ka qenë prioritet çështja e të zhdukurve, këtë gjë e kam kërkuar edhe në vitin 2017 kur kam qenë deputet, që çështja e të zhdukurve në dialogun Kosovë-Serbi jo vetëm të jetë prioritet, por të jetë kusht për përfundimin e një marrëveshje Kosovë-Serbi. Nuk konsideroj dhe nuk besoj që duhet të ndodh marrëveshja finale e Kosovës me Serbinë pa zgjidhur fatin e personave të zhdukur në Kosovë”, ka thënë Hoti.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka emëruar Andin Hotin kryesues të Komisionit qeveritar për Persona të Pagjetur dhe kryetar të delegacionit të Kosovës për bisedime për çështjen e personave të zhdukur në kuadër të grupit punues për persona të zhdukur./ koha.net / KultPlus.com
Pas fitores së Krasniqit për më pak se 20 sekonda në çerekfinale, duke e mposhtur Chen Hao Lin të Taipeit Kinez me ippon, në kategorinë -48 kg, xhudistja në gjysmëfinale mposhti Urantsetseg Munkhat të Mongolisë duke fituar medaljen Olimpike, shkruan KultPlus.
Distria Krasniqi i ka siguruar medalje Olimpike Kosovës duke u kualifikuar në finale ku ajo do të ndeshet për medaljen e Artë me japonezen Funa Tonaki. / KultPlus.com
Një poezi e vjetër arvanitase në dorëshkrimin e autorit Kristo N.Petru-Mesogjiti, ndodhet në arkivën e pasur të bibliotekës së zonës së Kalivias, Greqi. Vargjet janë thurur për Ditën e Nënës (10 maj).
Në to zbulohet dashuria pafund e arvanitasve, respekti dhe adhurimi për nënën.
Poezia është shkruar më 30 prill 1942, si një dedikim i rrallë i kryebashkiakut të zonës Saronikos në Atikë, Petros Filippou, për lindjen dhe influencën sociale të mbarë nënave në botë.
Filippou, përveç një karriere të shquar politike, është edhe ndër studiuesit e koleksionistët më të apasionuar të historisë arvanitase, pjesë e së cilës është edhe familja e tij.
Popullsia shqiptare që jeton në Greqi ndahet në dy grupe, arvanitasit që janë vendas dhe njihen që në kohën antike dhe jetojnë në 450 fshatra dhe shqiptarët që grekët i quajnë allvani dhe kanë ardhur në Greqi pas pushtimit osman dhe që banojnë në mbi 150 fshatra.
Fshatrat që janë banuar nga arvanitasit që flasin në vatër gjuhën shqipe, ndodhen në zonën e Epirit, në Thrakë, në ishujt e Korfuzit, Speca, Hidra, Psaron,Andron, Peloponez, etj.
Për nënën time simbol i dashurisë së shenjtë
Për ty, Mëmë, këngë të thom t’ëmblijë dua, Dy fjaljë nga shpirti ndë gjuhë arvanjite E pse ty mentë më mësove, m’e rrite E je frymë, jetë dhe urate për mua. Për ty, çë më ngjalle ndë jetë, më rrite E je diell, mall edhe’ urate për mua. / diasporashqiptare.al / KultPlus.com
Xhudistja kosovare Distria Krasniqi, duket se e ka nisur mbarë garimin në Lojërat Olimpike ”Tokio 2020” duke mposhtur Chen Hao Lin të Taipeit Kinez me ippon, kategoria -48 kg, përcjellë KultPlus.
Xhudistja kosovare shënoi fitoren për më pak se 20 sekonda.
Krasniqi ka kaluar në gjysmë finale. / KultPlus.com
Rritja e nivelit të ujit po kërcënon trashëgiminë kulturore të Venecias, por thesare të patreguara mund të jenë fshehur tashmë në shtratin e detit. Nën valët e errëta të Lagunës së Venecias, studiuesit kanë zbuluar mbetjet e një rruge antike Romake dhe objekteve të tjera të mundshme, si një bankinë e të akuzuarve, që mund të paraprijnë themelimin e qytetit italian. Gjetjet e tyre u botuan të enjten në revistën Scientific Reports, transmeton KultPlus.
Udhëheqësja e studimit, Fantina Madricardo, një gjeofizikane në Institutin e Shkencës Detare (ISMAR) në Venecia, në vitin 2013 filloi një hulumtim në kanalet e Lagunës së Venecias për të kuptuar më mirë peizazhin antik të qytetit. “Është një paradoks që në një mjedis kaq të njohur si Laguna e Venecias, kanalet e baticës nuk ishin studiuar mirë”, tha ajo për ARTnews.
Ujërat e turbullta të Venecias dhe rrymat e shpejta të baticës e bëjnë të vështirë të eksplorosh shtratin e detit duke përdorur metodat tradicionale të arkeologjisë nënujore si zhytja. Sidoqoftë, teknologjitë më të reja kanë lejuar studiuesit si Madricardo të krijojnë harta 3D me rezolucion të lartë të dyshemesë së detit pa veshur rroba të veçanta për zhytje.
Përderisa po vëzhgonte të dhënat nga sistemet nënujore, Madricardo vuri re disa struktura që dukeshin të bëra nga njerëzit në një pjesë të lagunës së njohur si Kanali Treporti, në verilindje të Venecias qendrore. “Të gjithë ishin në rreshtim,” tha ajo. “Mendova: Kjo nuk mund të jetë rastësi”.
Pas një hetimi të mëtejshëm, Madricardo mësoi se arkeologët në vitet 1980 kishin gjetur një pjesë të kësaj karakteristike të gjatë dhe të çuditshme dhe spekuluan se mund të ketë qenë një rrugë. Duke përdorur të dhënat e tyre të reja, Madricardo dhe kolegët e saj numëruan 12 struktura të vendosura në një hapësirë prej 3,740 metrash në një thellësi prej rreth 13–16 metra. Me ndihmën e pamjeve nënujore të kapura nga zhytësit e policisë, Madricardo dhe kolegët e saj konfirmuan se këto struktura kishin gurë të rregullt, me fytyrë të lëmuar, që zakonisht përdoreshin për të asfaltuar rrugët romake. / KultPlus.com
Heqja e pagesës për studentë në universitete publike, nuk ndikon drejtpërdrejt në përmirësimin e cilësisë së studimeve, e as në heqjen e barrës së shpenzimeve për studentë, thonë njohësit e çështjeve të arsimit.
Drejtoresha ekzekutive e organizatës joqeveritare “Admovere”, Aulonë Memeti, thotë se më me rëndësi janë reformat në arsim, pasi sipas saj me heqjen e tarifës vetëm rritet numri i studentëve analfabetë funksional sepse nuk ka cilësi në studime.
“Argumenti kryesor që kërkojnë për shkollimin universitar është argumenti i barazisë. Megjithatë unë mendoj se problemi duhet me u shtjellua ndryshe, ndoshta duhet te profilizimi i studentëve që nga shkolla e mesme dhe fillore. Ndoshta jo të gjithë janë për universitet ne dhe ashtu prodhojmë analfabetë funksional me diplomë fatkeqësisht dhe mendoj që ka ardhur koha për një qeveri që ta trajtojë këtë më ndryshe, mos me u marr me deklarata që janë shume populliste, siç është kjo arsimi i lartë pa pagesë, pasi në fund të fundit nuk është tarifë e lartë, por është më rëndësi me bë reforma të thella në arsimin e lartë, kjo nuk është aspak populiste, pasi kjo i hup qeverisë vota. Prandaj është shumë e rëndësishme që problemi të preket të cilësia”.
Tutje, Memeti thotë që duhet të bëhet ndarja e bursave me shuma më të dinjitetshme.
“Kur flasim për arsim të lartë pa pagesë nuk ka asgjë pa pagesë siç e dimë dikush ka me pagua. Kush ka me pagua? qytetarët, kështu që unë jam unë me u fokusua të cilësia e arsimit dhe po ashtu me pasë bursa. Dy lloje të bursave, bursa që u jepen studentëve të dalluar dhe bursa në bazë të nevojës për studentët që nuk i kanë kushtet me shku në universitet. Është shumë ma mirë me pasë bursa të dinjitetshme, dhe po ashtu me pasë prestigj kryerja e studimeve, me ditë që studenti që e ka përfunduar ta ketë njëfarë krenari. Nëse vazhdojmë kështu, kemi me rrit numrin e studentëve të cilët regjistrohen në universitete dhe vazhdojnë të bëhen analfabetë funksional…Unë mendoj që është shumë e nevojshme me u fokusua në krijimin e shkollave profesionale, edhe me u bo profilizimi edhe ndarja në shkollë fillore dhe pastaj në shkollën e mesme… Shumë studentë që e kryejnë studimet ende nuk e dinë dallimin në mes të trajtës së shquar dhe pashquar të emrit të vet, kjo është e tmerrshme. Prandaj mendoj që debati duhet të kthehet krejt tjetër kah”.
Drejtori i instituti “EdGuard”, Rinor Qehaja, thotë se shkollimi universitar është i mirëpritur, mirëpo nuk do të ndikojë në përmirësimin e situatës ekonomike të studentëve.
Po ashtu, edhe Qehaja thotë se përkushtimi i pushtetit ekzekutiv duhet të jetë në dhënien e bursave.
“Shkollimi universitar falas vlerësoj se është i mirëpritur nga kushdo i përfshi si studente, paraqet një politikë të kamotshme të partisë në pushtet, shpresoj që të mund të kontribuoj në mirëqenien socio-ekonomike të studentëve”.
Tutje, ai e sheh si padrejtësi përkrahjen e studentëve në universitete publike dhe jo edhe atyre në private.
“Ne nuk vlerësojmë se pagesa e semestrit është ndonjë ndihmues në vazhdim të studimeve ose në performancë të studentëve për shkak se është relativisht e vogël në krahasim me plotë shpenzime tjera që përbëjnë jetën akademike të një studenti, përfshi këtu literaturën, pagesën e qirasë dhe shumëçka tjetër. Signifikanca e kësaj pagese është shumë e vogël në krahasim me gjithçka tjetër. Ne vlerësojmë që përkushtimi institucional duhet të jetë në përkrahje në formë të bursave, duhet të nxiten studentët më të mirë për një performancë më të mirë të studimeve dhe për përfundim të tyre. Ne po harrojmë që një numër i madh i studentëve ndërpresin studimet sepse nuk janë të nxitur për përfundim të studimeve. Ne vlerësojmë se pagesat falas si politikë sociale duhet të jetë një njëjtë për të gjithë pa përjashtim të studimeve në universitete publike dhe atyre private, si e tillë ne e perceptojmë si një padrejtësi ndaj studentëve që studiojnë në privat dhe një përkrahje për ata të publikut”.
Ndërsa, aktivistja në organizatën “Studim, kritikë, veprim”, Dea Lala, tha se janë mirënjohëse Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit për realizimin e kërkesës së tyre për studime falas.
Sipas, studentes në fakultetin e Bujqësisë, presin nga MAShTI edhe lehtësime të tjera sa i përket anës financiare.
“Siç e dimë arsimi publik falas është një ndër kërkesat e kamotshme të studentëve të universiteti të Prishtinës. Kërkesë kjo që është një nder prioritet tona kryesore. Kësaj kërkese nuk iu janë përgjigjur qeveritë e kaluara dhe i jemi mirënjohëse që ministria e Arsimit i është përgjigjur pozitivisht kësaj kërkese. Kjo nuk është kërkesa e fundit, ne do t’i adresojmë ndaj Qeverisë për rritjen e cilësisë në arsim”.
“Çdo ndihmës si heqja e tarifave për literaturën, është ndihmesë e madhe, përpos që është një e drejtë kushtetuese, mendoj që është për shkak të gjendjes financiare që e kanë shumica e studentëve do të kishte qenë ndihmë shumë e madhe”, u shpreh Lala për EO.
Sipas llogarisë së Ministrisë, shtatë universitetet publike në Kosovë, nga pagesat e studentëve përfitojnë rreth 1.6 milion euro në vit.
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka filluar diskutimet për heqjen e pagesës për studentë në universitete publike.
“Ideja është që studentët e nivelit Bachelor dhe Master të lirohen nga këto pagesa me rastin e regjistrimit të semestrit për herë të parë. Në këtë mënyrë, të gjithë vihen në pozitë të barabartë dhe, njëkohësisht, nxiten që t’i kryejnë me kohë obligimet e tyre në mënyrë që të mos shpenzojnë kot për përsëritje të panevojshme të semestrave. Jemi duke analizuar mundësinë që edhe studentët e doktoratës t’i lirojmë nga disa pagesa që nuk janë në konformitet me praktikat ndërkombëtare dhe rajonale. Kur bëhet fjalë për pagesat administrative (aplikimi me rastin e regjistrimit në Universitet, lëshimi i dokumenteve duplikat, ndërrimi i programit të studimeve, etj.) ato mbeten sepse bëjnë pjesë në kategorinë e shërbimeve që nuk kanë një dinamikë të përcaktuar dhe mund të kërkohen disa herë. Besojmë se gjatë muajit gusht drafti i Udhëzimit Administrativ të rishikuar do të del në konsultim publik me ç’ rast mirëpresim kontributin tuaj përmes platformës qeveritare të konsultimeve publike”, thuhet në përgjigjen e MAShTI drejtuar organizatës “Studim, kritikë, veprim”. / Express / KultPlus.com
Dilan i cilësuar si këngëtari më i madh folk i shekullit të 20-të, me një karrierë mëse 45-vjeçare në publik, me më tepër se 40 albume muzikore, mijëra këngë të shkruara dhe disa libra poetik, poet me një vizion të jashtzakonshëm, shpesh i është shmangur kësaj pyetje.
Antikonformist i njohur në raport me materializmin industrialist të pop-kulturës amerikane, në vitin 1965 është përgjigjur shkarazi “Mendoj më tepër rreth vetes se jam një këngëtar se sa valltar”. Për gati 20 vjet nuk ka dhënë asnjë intervistë. Argumentet janë edhe njëherë rihapur së fundi me daljen e librit “Vision of Sin” nga profesori i Universitetit të Oxford-it zoti Christopher Ricks i cili thotë se “Lirikat e shkruara nga Dylan, kanë hyrë në paktin e jetgjatësisë”.
Termi “literaturë” është veçse letërsi e përbërë prej sinteza të ngjeshura fjalësh. Pra tërheqja e vëmendjes prej këtyre fjalëve, jo në besimin e funksionit të fjalës si njësi e vetme, sepse natyrisht kadenca muzikore, zëri, stili, kanë rrolin e tyre, por pamja e fjalës së breftë në mënyrën më të pavarur nga të gjitha këto përbërës përbën argumentin e ngritur për dekada tashmë në pyetjen nëse është Bob Dylan zëri i “bum” gjeneratës e cila pa të a do kishte vallë zë.
Më poshtë disa nga thëniet e tij të njohura:
Dashuria është gjithcka, pa të nuk bëni dot
Sa rrugë duhet të bëjë njeriu para se të mund të quhet i tillë?
Kur s’ke asgjë, s’ke cfarë të humbësh
Nuk ke nevojë për meteorolog për të kuptuar nga cila anë fryn era. / KultPlus.com
Zyrtarët amerikanë të shëndetësisë po vazhdojnë paralajmërimet për rrezikshmërinë e variantit Delta të coronavirusit, për të cilin thonë se është ndër viruset më ngjitëse që njeh shkenca.
Ata gjithashtu u bëjnë thirrje të gjithë të pavaksinuarve që të imunizohen për të mbrojtur veten dhe të tjerët.
Drejtoresha e Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, Rochelle Walensky, tha se varianti Delta i coronavirusit është një nga viruset më ngjitëse që ajo ka hasur në karrierën e saj 20 vjeçare.
Këto komente ajo i bëri gjatë një konference virtuale shtypi ku tha se infektimet me variantin Delta të COVID-19 po vazhdojnë të përhapen gjithandej në Shtetet e Bashkuara.
“Varianti Delta po përhapet me shpejtësi të madhe dhe tani përbën mbi 83 për qind të infektimeve në Shtetet e Bashkuara. Krahasuar me virusin që qarkullonte në ShBA në fillim të pandemisë, varianti Delta është shumë më i ashpër dhe më ngjitës”, tha ajo.
Walensky u bëri thirrje njerëzve të vaksinohen për të mbrojtur veten nga varianti dhe të frenojnë përhapjen e mëtejme të coronavirusit.
“Udhëzimi ynë është i qartë që kur e publikuam para disa muajsh. Nëse nuk jeni vaksinuar vazhdoni mbajtjen e maskës për të mbrojtur veten dhe të tjerët rreth jush. Dhe më e rëndësishmja, duhet të vaksinoheni për të mbrojtur më mirë veten”, tha ajo.
Në këtë takim nuk u bë e ditur nëse Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve po shqyrton mundësinë e ndryshimit të udhëzimit për maskat. Në maj ata thanë se personat e vaksinuar plotësisht nuk kanë nevojë të përdorin maskat kur ndodhen në hapësira publike.
Sipas të dhënave të përpunuara nga Universiteti Johns Hopkins, nga fillimi i pandemisë Shtetet e Bashkuara regjistruan mbi 34 milionë raste me COVID-19 dhe mbi 610 mijë vdekje. /voa/ KultPlus.com
Adem Lika, kur mbyllte sytë e fliste për të sotmen, për me pa më mirë të kaluarën, thoshte: Kur zoti do me dënu’ nji popull ia çon sundimtarin e keq.
Po bre Adem, na pa e kërkue, pse po na e dërgon? Kësaj pyetje nuk po ia gjej ilaçin, ia kthente Muharrem Verbovci.
Ademi, me sy mbyllur, thoshte, përsëri: Kur zoti do me dënu’ nji popull ia çon sundimtarin e keq. Muharrem, po ilaç ka gjithmonë. Njerëzit janë të krijuem me gjetë vetë ilaçin.
Ndërsa Muharremi ia kthente, me të veten: Po Adem, na pa e kërkojmë, po pse po na e dërgon? Kësaj pyetje nuk po ia gjej ilaçin.
Sundimtarit: “Për veti grurin për neve kashtën”
Edhe moti na e ktheu shpinën. Thatësia i dha etje edhe më të keqe qeverisë.
Thatësia erdhi edhe motin tjetër sikur të zezat e qeverisë që u shumëfishuan.
Pemët nuk lidhën fruta, perimet ende pa bërë lule, ranë përtokë si fije të thara floku.
Vneshti u djegë si letër duhani.
Patatet i përbinë bubashvabat.
Avulli doli nga lëkura e njerëzve dhe kafshëve. Punë hangarie për pushetin e ri në Rugovë e Kardak. Ngado.
Shpezët ranë sqephapur në krah të njerëzve të mërzitur.
Zbritën edhe dhelprat, derrat dhe ujqit nga pyjet. Iu afruan hijeve të shtëpive.
Erdhën edhe çakejtë dhe ujqit e zinjë që nuk ishin parë kurrë në këtë vend.
Një thes misër vleu një thes ar.
Mësuesit me shkollë o i vranë o i burgosën. Sikur Ymerin e Gjonin.
Djemtë i vranë o i kastruan, sikur Xhemën a Ramadanin.
Lutjet mund të bënin punë, por dekreti i qeverisë, i ndaloi rreptësisht dhe Mulla Idrizin e morën në Stacion të Milicisë. E rrahën për vdekje.
E zezdita, pak pa u pjekë, sa çelë e mëshelë sytë, erdhi një furtunë, breshër e katastrofë, dhe i la kallinjtë pa peshë. Të lehtë pupël. Nën zë këndohej kënga: ”Shoku” Tito “shok i dashtun”, për veti grunin për neve kashtën!
Gjithë fusha mbet e rrjepur si lëkurë e zgjebosur e dashit në pranverë.
U martova me Nurinë e Sopve të enjten. Kjo ishte e mira e vetme. Një e mirë në të gjitha këto të këqia. Vajzat kënduan: /Mori Kabe mori shoqe, pse e more Lari Hoxhën/ Unë e morra s’pat çare/ Me i pshtu vëllaznit prej patare/.
Në fundin e vjeshtës, kur retë e borës ranë përtokë, njerëzit strukur, shihnin malin e tyre që nuk ishte më i tyre. Ruhej nga pylltarët e egër me pushkë e dylbi në krah.
Për një barrë krande, vuajtja, rrahja e uria, pas dënimit në Gjykatën e Rrethit, nuk harrohej përjetë. Pas dy muajve që u lirua Halim Konxheli, vdiq pa mundur të tregojë sa shumë kishte vuajtur.
Ishte fat i jashtëzakonshëm nëse gjendej ndonjë rrënjë e njomë bime.
Harrova, xhanarët i ndëruan rrobat dhe shenjat në kapelë. Kokardat e xhanarëve u bënë petokraka të milicëve. Milica popullore! Gjithçka bëhëj në emër të popullit!
Dimri mbylli rrugët dhe kush shpëtoi duke ndjerë rrezet e diellit në pranverë, shijoi edhe fletat e barishteve që pa peta e bylmet u bënë ushqime shpëtuese.
Nenzit, kjo barishte e fortë që ngrihet mbas të ftohtit të gjatë, dhuronin lëngun e jetes.
Stinët ecën, por nuk ndryshoi asgjë, e kaluara përsëritej.
Bereqeti e kafshët u morën si tepricë a porez.
Pas rrahjeve për armë, shumë njerëz menduan turbullt për të gjetur zgjidhjen. Të braktisen shëpitë apo të kërkojnë shpëtim dikund e me diçka tjetër.
Do shkuan, si Hysen Molliqi me gjithë familje, do mbeten sikur na, do u kapën përfyti me milicë, gjyqtarë, porotnikë e qeveritarë si Mehmet Salihu.
Gjithë sundimtari i keq
E mbaj mend, Adem Lika, kur mbyllte sytë e fliste për të sotmen, për me pa më mirë të kaluarën, thoshte: Kur zoti do me dënu’ nji popull ia çon sundimtarin e keq.
Na pa e kërkue, pse po na e dërgon? Kësaj pyetje nuk po ia gjej ilaçin, ia kthente Muharrem Verbovci.
Ademi me sy mbyllur, thoshte: Kur zoti do me dënu’ nji popull ia çon sundimtarin e keq. Ilaç ka gjithmonë. Njerëzit janë të krijuem me gjetë vetë ilaçin.
Ndërsa Muharremi ia kthente, me të veten: Na, pa e kërkue, pse po na e dërgon? Kësaj pyetje nuk po ia gjej ilaçin. / KultPlus.com
Këtë të premte festivali ndërkombëtar i animacionit filloi edicionin e 12-të të tij. Ceremonia e hapjes së këtij festivali u mbajt në Kino “Liqeni” ku të pranishëm ishin shumë dashamirës të filmit të animuar, personalitete të njohura vendore si dhe ndërkombëtare.
Këtë vit, duke konsideruar situatën e krijuar nga pandemia organizatorët sjellin festivalin në version hibrid, ku shfaqja e filmave të animuar do të bëhet nëpërmjet internetit, mirëpo festivali do t’i hap dyert përsëri në qytetin e Pejës për të gjithë ata që dëshirojnë të jenë prezentë.
Ky edicion është një ftesë për të gjithë krijuesit dhe vizitorët që të shijojnë një hapësirë më se të nevojshme duke e lënë mbrapa pandeminë dhe efektet të cilat izolimi i ka sjellë tek ne. Vlen të ceket se të gjitha aktivitetet gjatë festivalit do të zhvillohen në përputhje me masat kundër shpërndarjes së COVID-19 të vendosura nga institucionet.
Është pikërisht situata me pandeminë e cila i inspiroi organizatorët e festivalit që këtë vit ky edicion të ketë si temë izolimin. Edicion ky i cili i dedikohet tregimit të storieve të izolimit nëpërmjet animacionit si medium krijues. Një edicion ku do të eksplorohet izolimi në tërësi, me të gjitha nuancat e tij, izolimin artistik, izolimin të cilët qytetarët e shtetit të Kosovës e përjetojnë tash e shumë vite si pasojë e mungesës së vizave.
Festivali Ndërkombëtarë i Filmit të Animuar vjen me një program mjaft të pasur prej 300 filmash, nga 1413 të dërguar, nga e gjithë bota. Filmat ndahen në nëntë kategori, gjashtë prej të cilave janë garuese: Gara Ndërkombëtare, Gara Studentore, Gara Ballkanike, Gara e Videomuzikës së Animuar, Gara e Filmit të Metrazhit të Gjatë dhe Kategoria e të Drejtave të Njeriut dhe tri kategori tjera që janë jokonkurruese: Panorama Jashtë Garës dhe Programi për Fëmijë dhe të Rinj. Përveç shfaqjes së filmave të animuar, si çdo edicion tjetër edhe këtë vit do të ketë programe tjera, ku përfshihen pesë prezantime, katër punëtori dhe gjashtë panele. Si në vitet e mëparshme, të ftuar specialë do të bashkohen për të ofruar njohurinë e tyre rreth industrisë së animacionit.
Personalitete me renome botërore, fitues të çmimeve Oskar, animator të serive me prestigjioze në mbarë botën, do të mblidhen për të ndarë eksperiencën e tyre së bashku me ju, nëpërmjet mediumeve të ndryshme të festivalit.
Anibar këtë vit sjellë edhe programin muzikor, ku do të performonjë shumë artistë si: Uj pa Gaz, Yll Megi, Zwada, Eptan, Stratos, Elsa Rraqi & Ilir Bajri, Florent V, Altin Boshnjaku dhe Ashikët e Gjakovës.
Ky edicion i festivalit përfundon më 30 Korrik. Ju mirëpresim në kinematë tona në Pejë, ndërsa virtualisht, vizitorët mund të shikojnë të gjitha filmat në platformën tonë digjitale në online.anibar.org. / KultPlus.com
Personaliteti i njohur australian, John Cornell ka vdekur në moshën 80 vjeç, pas një beteje të gjatë me sëmundjen e Parkinsonit.
I lindur në Kalgoorlie në vitin 1941, Cornell u zhvillua shpejt në fushën e gazetarisë, ku u bë pjesë e Daily News në Perth, ku më pas u bë redaktor në moshën 26 vjeç.
Më vonë ai shfaqi talentin e tij përmes gazetarisë duke u bërë producent i “A Current Affair”.
Gjatë punës në këtë program, ai u takua me aktorin australian, Paul Hogan dhe të dy formuan një dyshe të njohur komedie, ku Cornell luajti personazhin shumë të dashur “Strop”, transmeton KultPlus.
Cornell gjithashtu punoi me Kerry Packer me të cilin krijoi Cricket World Series.
Në një deklaratë të lëshuar nga familja, Cornell u cilësua si “një nga dritat kryesore të Australisë”.
Ai vdiq të premten në mëngjes në shtëpinë e tij në Gjirin e Bajronit, në Bregun e Veriut të New South Wales./ KultPlus.com
Jam kosovar pra jam shqiptar: Zot e krenar, – Zot e bujar mbi këtë Dhe q’e e kam si fe;
E kam Vatan! e kam Atdhe! Që gjysh stërgjysh, që brez pas brezi, që gjithëmon!
Ti shkja thërret, ti shkja bërtet,- gjer lart në retë; se jam barbar.
Jo, s’jam! si bërtet ti, si buçet ti, ti Mal i Zi.
Po Vendin tim e dua, lirinë e dua,- e s’dua zot mbi mua.
Se jam këtu kur s’kish njeri, kur s’kish kufi as fqinjëri, as shkja të zi.
Se jam këtu kur Mal i Zi ish Iliri; Kur nga një det në tjatrin det Isha zot vet!
Unë jam këtu nga moti kur vetë Zoti e bëri fushën fushë e malin mal.
Unë jam këtu e do të jem -dem baba dem- sa mali të bëhet hi e hiri mal përsëri!
Kënga e dytë: Durimi
Ma thonë emrin Asim Qerim mbetur jetim që vogëli.
Jam si më sheh e si më njeh; kësulë-bardh e krye-lidh, krye-lidh me një shami, me tri shami; për trimëri!
Jam eshtër-madh, i vrazhdë jam e bojalli- jam’ plot shkëndi, si batërdi. Dhe kam uri -Si s’ka njeri- Për drejtësi e për Liri!
Si gjithë Asimët e gjith Qerimët e Vendit tim.
Ma thonë emrin Asim Qerim, mbetur jetim që vogëli; Se babën tim ma vranë naçallnikët, podporuçnikët dhe gllavnikët.
ma vranë, Se urdhër dha Vojvodi e Krali- vetë; Të vritet. Se ishte Kosovar! Dhe se ish zot mbi këtë Dhe!
Dhe tokën që kisha nga Baba nga Gjyshi – rrënjë pas rrënje- prej qindra vjet, prej mijra vjet! ma muarr. Ah! ma muarr Vatanin q’e desha si xhanin!
Ma muarr me armë në duar, – me gjak nëpër duar- Agrarët! Xhandarët! Tyxharët! Të gjithë tok, u bënë shokë; si sorrat! për kërmë!
Oborrin ma muarr gjer në shtëpi dhe ngrehnë për vete shtëpi në sytë e mi!
Dhe unë, ja, unë! që isha zot që qëmot; mbeta pa dhe, – bujk pa dhe, bari pa kope- këtu, në dherin tim.
Dhe plori m’u ndryshk, Hambari m’u myshk… …………………………… Po shpresa s’m’u vyshk! Durova, durova,- Sa nuk duron njeri, as perëndi!
Më thanë të shkruhem vojnik e mynafik i Kombit tim.
Më dhanë armë të vras vëllanë sipas kanunit të gjakut…, Po s’desha! Dhe në e bëra, ma falni; Se jam gjaknxehtë.
Më thanë të ngrihem të ik ku qielli puthet me dhenë; Stamboll, Anadoll, e më tej! Se vetëm andej paska për ne -Popull pa zot- vend boll…
Po malli i Tokës s’më la, po malli i Fushës s’më la, as gjaku i babës s’më la.
Dhe mbeta këtu, i huaj, – si qen!- në vendin tim, të Babës tim…
Mbeta raja, ndënë raja si për hata;
në uri në qesëndi, në skllavëri të shkjaut të zi.
Më thanë të ik n’Allbani, – Vatan i ri i Kombit tim- si shkoi Selmani, Hasani e Dani.
Po dot nga toka s’u ndava, Dhe mbeta të jem, ku jam e ku do të jem!
Më thanë të shkoj në sheher të shkjaut të madh me sharrën më krah, me kryet përdhe, jaban e beter; portë më portë derë më derë i mjerë e zemër- sterrë; për një kotherrë bukë,
Po malli i Vendit s’më la e mbeta këtu, raja ndënë raja të ha një bukë- zeher lagur me lot, njomur me vrer dhe të pres! një tjatër mëngjes.
E dit për dit, e net pas net, e vjet pas vjet rrojta e vojta kaba ndënë shkjash; raja ndënë raja, si në hata si tjatër s’ka!
Po prita dhe prita të vijë dhe për mua dita!
Tani, tani, Liri!
Kënga e tretë: Sulmi
Ta shemba shkjah kufinë që ngrite ti në Vendin tim e përmbi varr të Babës tim.
Ta shemba ta dogja; me zjarrin e shpirtit të vojtjes dhe të urrejtjes.
Me zemërim me vrull të madh, e bubullim që s’ka mbarim.
Se vjete ti më çave më ndave më vrave! armik- lugat! armik- xhelat!
Ti bëre azape:- s’u tremba, Ti ngrite kufire me gjemba fortesa ti ngrite; t’i shemba!
Tani, tani! atje ku ti o Mal i Zi! ngrite kufi që ndanin e çanin vëllazëri; Hej!
sot! shkon, e valon parmenda!
T’i bëra të gjitha rrëmujë dhe ty gjurma t’u zhduk si në ujë.
Ta shemba armik kufinë -derë burgu- dhe është tani si ish! -si do të jetë;- përjetë; Lëndinë!
Kënga e katërt: Ndërtimi
I bje arës mes për mes e gjer në brez, e përmbi brez humbas me gas në grurin tim, të Dheut tim, të Babës tim, të Birit tim; sot e përpjet, jetë pas jet!
Dhe ndje qysh flet me zë të qet im Atë vet nga balta posht;
Të mbroni Dhenë ku eshtrat kam, ku hi e tokë e pluhur jam…
Të mbroni Dhenë që e ushqe’ dhe sot si dje; me kurmin tim…
Ta mbroni Dhenë, me zjarr ta mbroni, me gjak ta mbroni. Të derdhni gjakun me grushte plot- po kurrë lot! as sot, as mot!….
Se loti është robëri, Gjaku: Liri!
Jam eshtër-madh e bojalli e me japi, si më sheh ti, si më njeh ti.
Po kam një zemër në gjoksin tim që pa pushim më rreh si Drim. Dhe Babën tim kur e kujtoj Lotoj…. Të pash të vrarë, or Baba, e pa qefin si për hata, rreth e përqark me xhandërma.
Desha të qaj e s’qava dot, e të bërtas, s’bërtita dot. pa asnjë lot, pa asnjë lot.
Dhe prita sot të derdh një lot.
Kënga e pestë: Qëndrimi
Tani, tani, unë jam gati! të vdes që sot- se rroj përmot; mbytyr me gjak por jo me lot, për këtë Dhe që e kam si fe e përmbi fe. E kam Vatan! E kam Atdhe!
Hej! po buças me zë kaba sa të dëgjohet në qiell la sa të dëgjojë fund e krej kush gjak shqiptari ka në dej.
Shaban- vëlla! Destan- baba! Hej!
Komb i lirë kosovar, ti komb shqiptar, ti Zot krenar ti djalëri- ti pleqëri bëju gati! Bëhu gati për vrull të ri; ta djegësh botën ta bësh hi; për Liri! Për Shqipëri!
Tani tani! -O Mal i Zi- ja un, ja ti! Po un- jo ti, se jam këtu kur s’kish njeri dhe as kufi as fqinjëri…
Un jam këtu kur Mal i Zi Me Shumadi, Me Dallmati- Sa mban e gjitha Shqehëri, Ish Iliri! Kur nga një det në tjatrin det isha Zot vet!
Se jam këtu nga moti kur vetë Zoti e bëri fushën – fushë e malin mal.
Un jam këtu e do të jem – dem baba dem- Sa mali të bëhet hi E hiri mal përsëri!
Tashmë është publikuar kënga e shumëpritur e Elvana Gjatës në bashkëpunim me dy artistët rumunë, Inna dhe Sickotoy, përcjell KultPlus.
Kënga titullohet ”Papa” dhe është publikuar edhe me videoklip ndërkaq është pritur mjaft mirë nga adhuruesit e këngëtarëve.
Ditë më parë, këngëtarja shqiptare, Elvana Gjata ka publikuar edhe dy këngë në bashkëpunim me këngëtarin nga Kosova, Yll Limani. Këngët titullohen “E di & Marre”. / KultPlus.com
Parakalimi i ekipit të Kosovës në ceremonië e hapjes zyrtare të Lojërave Olimpike që do të mbahen në Tokio, ka tërhequr vëmendjen e shumë figurave të njohura, përcjell KultPlus.
Ndër këto figura, ka qenë edhe këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora e cila ka shpërndarë postimin e presidentes Osmani.
”Përpara Kosova… Shumë fat”, ka shkruar Ora.
Ekipi ynë shtetëror ishte i 67-ti në listën e parakalimit, ndërsa ekipit i prinë xhudistët Majlinda Kelmendi dhe Akil Gjakova. / KultPlus.com
Për herë të parë pas pesë viteve, në Kosovë vjen Festivali i Fotografisë ”Lens Fest”, i organizuar nga fotografja ferizajase, Bardha Goga, përcjell KultPlus.
Festivali pritet të fillo nga data 20 gusht e këtij viti, deri më 24 gusht dhe do të mbahet në qytetin e Ferizajit.
Në faqen zyrtare të Festivalit është hapur edhe thirrja për vullnetarë, aplikimet e të cilëve mund të dërgohen në [email protected], ndërkaq afati i fundit për aplikim është me 30 korrik 2021. / KultPlus.com
Britania e Madhe po bën përpjekje të mëdha për ruajtjen e pasurive të saj “të pashembullta”, pasi Stonehenge pritet të jetë në radhë për të humbur statusin e saj të lakmuar të trashëgimisë botërore pas Liverpoolit.
Organi i trashëgimisë së Kombeve të Bashkuara u ka thënë ministrave se rrethi me gurë i Wiltshire do të vendoset në listën “në rrezik” – që pason me heqjen e statusit të trashëgimisë botërore, transmeton KultPlus.
Organet e Trashëgimisë thanë të premten se Unesco po hedh një “qendër të vëmendjes më të ashpër” në 31 vendet e tjera të listuara në Mbretërinë e Bashkuar, përfshirë këtu edhe Pallatin e Westminsterit dhe Kew Gardens, pasi Liverpool u bë vetëm vendi i tretë në gati 50 vjet që iu hoq statusi i trashëgimisë botërore.
Vende të tjera që pritet të vëzhgohen nga organi i Kombeve të Bashkuara përfshijnë Stonehenge, qytetet e reja dhe të vjetra të Edinburgut, Kullën e Londrës dhe zona historike e minierave Cornwall./ KultPlus.com
Sot është bërë hapja zyrtare e Lojërave Olimpike në Tokio.
Janë gjithsej 11 sportistë të Republikës së Kosovës, të cilët edhe parakaluan në këtë ceremoni madhështore.
Për parakalimin e sportistëve të Kosovës, ka reaguar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti përmes një postimi në rrjetin social Instagram.
”Pas një rruge të gjatë, trasuar me fuqinë e ëndrrave të shumë brezave sportistësh, ekipi olimpik i Kosovës parakaloi në ceremoninë hapëse të Lojërave Olimpike Tokio 2020.
Përkushtimi i jashtëzakonshëm e përpjekjet e pandalshme të tyre për të ngadhënjyer mbi çdo barrierë e sfidë në këtë rrugëtim, janë frymëzim për të gjithë ne.
Zemrat tona janë plot krenari e shpresë, për sakrificat dhe sukseset e sportistëve tanë.
Na priftë e mbara e dalshim faqebardhë!’‘, ka shkruar Kurti në postim. / KultPlus.com
Komiteti ka votuar për ta hequr qytetin në veriperëndim të Anglisë nga statusi i tij për shkak të shqetësimeve rreth rizhvillimit, veçmas në bregun e tij
Liverpooli ka përjetuar një moment të rrallë palavdie të mërkurën me rastin e heqjes së tij nga lista e trashëgimisë botërore të UNESCO-s, pasi e kishte fituar 17 vjet më parë, për shkak të shqetësimeve mbi zhvillimet në qytet, më së shumti në bregdetin e tij të famshëm.
Vendimi është bërë në Fuzhou të Kinës, pas një votimi të fshehtë nga komiteti i UNESCO-s, duke mbështetur rekomandimin e bërë në qershor për ta zhveshur Liverpoolin nga statusi i tij i mbrojtur, një lëvizje kjo që do të jetë goditje për prestigjin e qytetit që po orvatet ta rivitalizojë veten në vitet e fundit. Richard Kemp, kryetar i partisë më të madhe opozitare në Këshillin e qytetit, e ka përshkruar humbjen e statusit si “ditë e turpit për Liverpoolin”.
Një raport i publikuar në qershor nga komiteti shprehte “keqardhje të thellë” dhe theksonte se zhvillimet në qytet dhe në bregdetin e tij kanë “përftuar një përkeqësim serioz dhe humbje të pakthyeshme të atributeve”, si dhe “humbje të ndjeshme të autenticitetit dhe integritetit të tij”.
Liverpooli e fitoi statusin e tij në trashëgiminë botërore më 2004, në përnjohje të historisë së tij tregtare e detare, të reflektuar në një arkitekturë madhështore. Si një prej qendrave më të mëdha të tregtisë botërore në shekujt 18-të dhe 19-të, Liverpooli krijoi mirëqenien e tij kryesisht prej tregtisë transatlantike me skllevër.
Lista e trashëgimisë është e krijuar për të përnjohur dhe ruajtur monumentet, ndërtesat dhe vendet e tjera, ku shtetet anëtare, në mënyrën më të madhe të mundshme, janë të obliguara t’i ruajnë.
Vetëm dy vende të tjera kanë humbur statusin e tyre të trashëgimisë: strehimorja arabe e Oryxit në Oman, më 2007, pasi një numër oriksësh (një antilopë e madhe – v.j.) nisën të pakësoheshin në mënyrë të thiktë dhe Qeveria e kufizoi madhësinë e strehës për 90 për qind; si dhe “Dresden Elbe Valley” në Gjermani, dy vjet më vonë, për shkak të ndërtimit të një ure që kalonte përmes saj.
Në rastin e Liverpoolit, shqetësimi është fokusuar pjesërisht në planin rigjenerues, në vlerë prej 7 miliardë dollarësh, për bregun historik. Projekti përfshin apartamente luksoze dhe ndërtesa të larta, duke ngritur shqetësime se ato mund të rrezikojnë vijën qiellore dhe arkitekturën e tij, duke bërë që qyteti të vendosej në listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik më 2012.
Në një deklaratë, bashkiakja e Liverpoolit, Jonne Anderson, ka thënë se ajo është “fort e zhgënjyer dhe e shqetësuar” nga vendimi i së mërkurës.
“Vendi ynë i trashëgimisë botërore nuk ka qenë kurrë në një gjendje më të mirë duke përfituar me qindra miliona funta investime gjatë dhjetëra ndërtesave të listuara dhe domenit publik”, ka thënë ajo. “Ne do të punojmë me Qeverinë për të shqyrtuar mundësinë nëse mund të apelojmë, por çfarëdo që ndodh Liverpooli do të jetë gjithmonë një qytet i trashëgimisë botërore”.
Kim Johnson, ligjvënëse kombëtare, distrikti i së cilës përfshin edhe bregdetin në fjalë, ka thënë në Twitter se vendimi ishte thellësisht zhgënjyes, por Liverpooli do të “vazhdojë të rritet e të zhvillohet si qytet që sjell rigjenerim për të gjithë”.
Ajo ka shtuar: “Vetëm shpresojmë që ne do të respektojmë bregdetin tonë mjaftueshëm sa për të mbështetur dizajnin e mirë që plotëson vijën tonë qiellore me famë botërore”.
Një zëdhënës i Qeverisë britanike ka shprehur gjithashtu zhgënjim, duke shtuar se Qeveria ende beson se Liverpooli e meriton statusin e Trashëgimisë së Mbrojtur “duke marrë parasysh rolin e ndjeshëm që limanet historike dhe pjesa tjetër e qytetit ka luajtur gjatë historisë”.
Liverpooli përftoi mirëqenie të lartë si një pikë tregtare gjatë shekujve 18-të e 19-të, përfshirë edhe atë si porti mbizotërues britanik në tregtinë transatlantike të skllevërve. Qyteti kontrollonte 40 për qind të tregtisë së skllevërve në fund të shekullit të 18-të.
“Liverpooli shpesh është quajtur si ‘kryeqytet botëror i skllavërisë’, për shkak se ishte qyteti-port më i madh në Evropë në tregtinë me skllevër në shekullin e 18-të derisa ndodhi ndalimi ligjor i kësaj tregtie më 1807”, ka thënë Sarah Moody, historiane në Universitetin e Bristolit. International Slavery Museum u hap më 2007 në Royal Albert Dock në zemër të vendit të trashëgimisë së mbrojtur.
Qyteti thotë që 40 për qind e gjithë tregtisë botërore kalonte nëpërmjet portit të tij në fillim të shekullit të 19-të dhe i ruajti pasurinë dhe statusin e tij gjer në fillim të shekullit pasues. /koha/ KultPlus.com