Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror ASHNA, ka njoftuar ë që janë të planifikuara gjithsejt 130 operime të fluturakeve në ASHNA, operime këto të cilat realizohen nëpërmjet Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, thuhet në komunikatë, transmeton KultPlus.
Përveç 8 operimeve, gjithë të tjerat janë operime komerciale.
“Në këtë sezon pushimesh verore, i urojmë bashkatdhetarëve dhe gjithë pasagjerëve tjerë, pushime verore të këndshme dhe i ftojmë t’i qëndrojnë besnikë aeroportit të vetëm ndërkombëtar në Kosovë.ASHNA me personelin e saj të specializuar, të prirë nga UD Drejtori i ASHNA-së z. Valmir Hylenaj, mbetet e përkushtuar që të ofrojë shërbime të sigurta dhe pa vonesa për gjithë pasagjerët që shfrytëzojnë ANP “Adem Jashari”, thuhet në komunikatë. / KultPlus.com
Shtatorja e legjendës së sportit shqiptar dhe ish-presidentit të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Fadil Vokrri u përurua sot.
Zbulimin e shtatores e bëri kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, familja e të ndjerit Fadil Vokrri, presidenti i Federatës së Futbollit në Kosovë, Agim Ademi, kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti si dhe kryetari i tifozëve ”Dardanët”, Lul Berisha.
Menjëherë pas zbulimit të shtatores, fjalën e mori kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i cili theksoi se për të është një kënaqësi e madhe të jetë në këtë ngjarje për një njeri, që siç theksoi Kurti, ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për zhvillimin e futbollit në Kosovë.
”Ai ishte krenaria e gjithë kosovës, atëherë kur në cdo fushe tjetër në Kosovë ishin gjërat më të vështira ai u shpall futbollisit më i mirë në ish Jugosllavi”, theksoi tutje Kurti. / KultPlus.com
Sot bëhen 61 vjet nga lindja e legjendës së futbollit shqiptar, Fadil Vokrrit.
Fadil Vokrri ka lindur në fshatin Sfeçël në komunën e Podujevës. Ai njihet si “Legjenda e futbollit shqiptar” dhe mbetet futbollisti më i njohur dhe i adhuruar në Kosovë.
Në vitet ’80 Fadil Vokrri arriti kulmin e karrierës se tij. Ai e filloi karrierën e tij si futobollist me KF Llapi të Podujevës dhe më vonë kaloi tek KF Prishtina dhe luajti për një periudhë edhe me KF Partizani i Beogradit. Ai pati mundësi të arrinte edhe më shumë në karrierën e tij. Në vitin 1987 klubi i futbollit Juventus ishte i interesuar për të dhe i propozoi nënshkrimin e një kontrate disa vjeçare. Në atë vit Fadil Vokrri ishte vlerësuar si futbollisti më i mirë i vitit në Jugosllavi. Mirosllav Bllazheviç, trajneri i KF Prishtina e vlerësonte Fadil Vokrrin si sulmuesin e qendrës më të mirë në Jugosllavi. Mirëpo, në atë kohë Fadil Vokrri u thirr për të kryer shërbimin e detyruar ushtarak. Sipas ligjit jugosllav, sportistët jugosllavë nuk mund të luanin jashtë Jugosllavisë në qoftë se ata nuk kishin kryer shërbimin e detyruar ushtarak përpara moshës 27 vjeç.
Gjatë periudhës së shërbimit ushtarak ai luajti për KF Partizani i Beogradit. Fadil Vokrri ka luajtur 12 ndeshje me ekipin përfaqësues të Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë dhe ka shënuar 5 gola. Fadil Vokrri luan për një periudhë kohe për NIM, Francë ndërsa në vitet 1990-1992 luajti për ekipin e futbollit Fenerbahçe të Turqisë dhe korri shumë suksese për këtë ekip.
Pas përfundimit të karrierës si futbollist, Fadil Vokrri u vendos me banim në Francë, ku u bë trajner i një ekipi futbolli të ligës së dytë. Pas një kohe të suksesshme atje, ai u kthye në Kosovë ku ishte udhëheqës i Federatës së Futbollit Kosovar. Vokrri ishte më meritori që fillimisht Kosovës iu lejuan ndeshjet miqësore nga UEFA dhe FIFA.
Ndërkohë pas kësaj leje, Vokrri përsëri bëri punën më të madhe që FFK të pranohet me të drejta të plota në UEFA dhe FIFA.
KultPlus i sjell sot disa pamje të cilat flasin për shkëlqimin e tij në fushë. / KultPlus.com
Amy Winehouse ishte një këngëtare dhe krijuese angleze. Ajo ishte e njohur për vokalin e saj të thellë dhe përzierjen e saj eklektike të zhanreve muzikore. Albumi debutues i Winehouse, Frank (2003), ishte një sukses i madh në Mbretërinë e Bashkuar.
Albumi i saj vijues, Back to Black (2006), çoi në pesë çmime Grammy 2008, duke lidhur rekordin e atëhershëm për më shumë fitore nga një artiste femër në një natë të vetme, dhe e bëri atë gruan e parë britanike që fitoi pesë çmime Grammy.
Winehouse fitoi tre çmime Ivor Novello nga Akademia Britanike e Këngëtarëve, kompozitorëve dhe autorëve: në 2004, Kënga më e mirë Bashkëkohore për “Më e fortë se unë”; në vitin 2007, kënga më e mirë bashkëkohore përsëri, kësaj here për “Rehab”; dhe në vitin 2008, kënga më e mirë muzikore dhe lirike për “Dashuria është një lojë e humbur”.
Amy njihej për varësi nga droga dhe alkooli. Ajo vdiq nga helmimi me alkool në 23 korrik 2011 në moshën 27 vjeç. Pas vdekjes së saj, albumi i saj Back to Black u bë, për një kohë, albumi më i shitur në Mbretërinë e Bashkuar i shekullit të 21-të. Ishte renditur gjithashtu si një nga albumet më të shitur në historinë e Mbretërisë së Bashkuar.
Sot KultPlus sjell këngën ”Back to Black, një nga hitet e saj më të njohura. / KultPlus.com
Lojërat Olimpike “Tokio 2020” edhe zyrtarisht kanë nisur, me ceremoninë hapëse që po mbahet në stadiumin olimpik të Tokios.
Tashmë ka nisur prezantimi i ekipeve olimpike në “Tokio 2020”.
I pari që parakaloi në ceremoninë hapëse ishte ekipi i Greqisë. Ndërsa, pas Greqisë, radhën e pati ekipi olimpik i refugjatëve dhe pastaj Islanda, transmeton KultPlus.
Tashmë edhe ekipi olimpik i Shqipërisë ka parakaluar në ceremoninë e Lojërave Olimpike.
Luiza Gega dhe Briken Çalaj ishin bartës të flamurit shqiptar në këtë ceremoni. Shqipëria në Lojërat Olimpike prezantohet me tetë sportistë.
Në mesin e shteteve pjesëmarrëse, është edhe Kosova që po paraqitet për herën e dytë në Lojërat Olimpike pas debutimit në vitin 2016.
Kosova në këtë ngjarje po prezantohet me 11 sportistë, prej të cilëve gjashtë janë me normë olimpike derisa pesë të tjerët me ftesa. Medalistja e artë olimpike, Majlinda Kelmendi dhe Akil Gjakova do ta bartin flamurin e Kosovës në këtë ceremoni.
Derisa ka nisur ceremonia hapëse, protestuesit anti-Olimpiadë janë mbledhur para stadiumit olimpik dhe po i vazhdojnë protestat e tyre edhe gjatë ceremonisë të Lojërave Olimpike.
Protestuesit kanë kritikuar qeverinë japoneze që sipas tyre po i jep përparësi Olimpiadës para shëndetit të popullit të saj.
Spektatorët janë ndaluar që të jenë të pranishëm në të gjitha ngjarjet sportive që do të mbahen në zonën e Tokios, me audiencë të kufizuar që lejohet në disa zona periferike.
Rreth 23 për qind të popullsisë prej më shumë se 120 milionë banorësh është vaksinuar plotësisht në Japonisë.
Megjithatë, numri i infeksioneve javën e shkuar po rritet vazhdimisht, me Tokion që regjistroi 1979 raste të enjten. / KultPlus.com
Ylli i muzikës botërore, Dua Lipa, e cila ndodhet në Tiranë, u prit sot në një takim nga kryetari i bashkisë Erion Veliaj.
Veliaj i dhuroi këngëtares së famshme një targë simbolike “Dua 100”, kapelen e gruas tironse, si dhe diskun muzikor me këngë popullore të Shqipërisë së mesme, realizuar në 100-vjetorin e Tiranës kryeqytet, “Tirana 100”.
Ndërsa, Dua Lipa i dhuroi Veliajt albumin e saj më të fundit, që po thyen rekordet botërore, “Future Nostalgia”, i cili për 6 muaj ka qëndruar në top 10-en e këngëve më të mira.
Edhe pak kohë më parë babai i këngëtares së famshme, Dukagjin Lipa, u takua me kryebashkiakun e Tiranës, pas të cilit Veliaj paralajmëroi një projekt të ri muzikor të Duas në kryeqytet vitin e ardhshëm, që përkon edhe me Tiranën Kryeqytetin Europian të Rinisë.
Gjatë ditës së sotme, Veliaj dhe këngëtarja Dua Lipa do të inspektojnë edhe punimet për rindërtimin e Kopshtit 42 në Tiranë, i cili u dëmtua nga tërmeti i 26 Nëntorit 2019. Këngëtarja shqiptare do të financojë mobilimin e plotë të kopshtit, me kapacitet 300 fëmijë, ndërsa godina po ndërtohet me ndihmën e Fondit të Katarit.
Dua Lipa shoqërohej nga prindërit, Dukagjin dhe Anesa Lipa, si dhe i fejuari i saj, Anwar Hadid. /atsh/ KultPlus.com
Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa ka qenë sot për vizitë në kryeqytetin shqiptar, në Tiranë ku tashmë kanë filluar ndërtimet për ”Sunny Hill Kindergarten”, përcjell KultPlus.
Dua përmes një postimi në rrjetin social Instagram, ka bërë të ditur se ”Sunny Hill Kindergarten” do të hapet në shtator të këtij viti për 300 fëmijë.
”Një nder të jem sot në Tiranë – Shqipëri për të parë punën e ndërtimit të “Sunny Hill Kindergarten” në qendër të qytetit. Pas tërmetit në 2019 dhe me gjithë ndihmën e juaj duke blerë bluzat tona “Lutu për Shqipërinë” që krijova me miqtë e mi @bondnyc, unë dyfishova fondet që mbledhëm dhe ato para do të shkojnë drejt mobilimit të gjithë këtij kopshti për 300 fëmijë. Jam mirënjohës që jam këtu për këtë sot me familjen dhe miqtë e mi. Faleminderit Kryeministrit Edi Rama dhe Kryetarit të Bashkisë Erion Veliaj për të gjithë ndihmën tuaj gjatë këtij procesi. HAPJA 15 SHTATOR 2021! Faleminderit Shqipëri”, ka shkruar Lipa në postimin e saj. / KultPlus.com
Sedat Duraku-Duka është një dizajner i ri dhe ambicioz nga Kumanova. Duka është brendi i tij.
23-vjeçari para ca ditësh njoftoi publikun shqiptar për punën që e bën tash e sa vite, shkruan News-TV, transmeton KultPlus.
Duraku para pak kohe diplomoi në drejtimin dizajn në Universitetiin “Kiril dhe Metodi” në Shkup, ndërsa si punë ka disa vite që e bën me dëshirën më të madhe.
Së fundmi, ai me rastin e diplomimit të tij, ka realizuar një koleksion të ashtuquajtur INSANIME, duke paraqitur një stil të ri.
Koleksioni është pritur shumë mirë nga ana profesorëve, shoqërisë dhe publikut në përgjithësi.
Në koleksion janë përfshirë gjithësej 5 kostume, të punuara me një korrektësi maksimale të cilët secilit prej tyre kanë karakterizuar një stil në vete.
Momentalisht është duke punuar në dizajne të personalizuara, të kërkuara nga individ të caktuar dhe shumë shpejtë, shpreson se do te sjell edhe diçka të re në treg.
Popullariteti i madh dhe i filmave anime është përhapur në të gjithë botën. Ky lloj arti është frymëzimi i shumë markave të modës dhe është pjesë e stilit japonez të rrugëve.
Stili i çuditshëm, kostumet spektakolare dhe arkitektura në filmat anime, të shndërrohen në stilin rrugor të Japonisë, janë frymëzimi kryesor për këtë koleksion autorial.
Frymëzimi është tërhequr nga diapazoni i ngjyrave të pranishme në filmat anime japonezë, dhe diapazoni i materialeve dhe siluetave janë të gëzuara nga rrobat e personazheve kryesorë të anime.
Për në fund, ai falënderon familjen e tij për përkrahën gjatë studimeve, posaçërisht nënën e tij, e cila ka qenë inspiruese e madhe në këtë drejtim. Duraku dëshiron që këtë sukses t’ia dedikoj pikërishtë nënës së vet, e cila ka investuar shumë në projektin e tij, me një mbështjetje të madhe. /newstv/ KultPlus.com
Publikohen disa dokumente arkivore me siglën “Tepër sekret” të nxjerra së fundmi nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë dhe Arkivi Qendror i Shtetit, të cilat i përkasin një periudhe kohe nga (1969-1991), ku ndodhet një korrespondencë ndërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme me Komitetin Qendror të PPSH-së dhe disa prej përfaqësive diplomatike shqiptare të akredituara në Perëndim, si Romë, Paris, etj., me telegrame, relacione, raporte, informacione, urdhëresa, nota diplomatike, ftesa, artikuj gazetash të shtypit botëror, flet-palosje, fotografi, etj., ku bëhet fjalë për Nënë Terezën e Kalkutës, Bamirësen dhe Shenjtoren e famshme me origjinë shqiptare, Gonxhe Bojaxhi, fituese e disa çmimeve ndërkombëtare, si: “Padmashir”, dhe “Nehru”, nga qeveria indiane në vitin 1963 dhe 1972, “Magnasia” nga qeveria filipinase e cila e shpalli gjithashtu si “Gruaja e merituar e Azisë”, disa çmime paqeje nga SHBA, “Ambrogino i artë” nga Milano, “Nëna universale” në 1974 nga qendra e orientimit të emigrantëve, dhe çmimi ‘Nobel’ për Paqen, në 1979-ën.
Kalvari i Nënë Terezës që nga viti 1969, e cila nëpërmjet kanaleve diplomatike franceze dhe italiane, i kërkoi Tiranës zyrtare, që të vinte në Shqipëri, në atdheun e saj, për të vizituar nënën, Roza Bojaxhi, që në atë kohë ishte në moshën 86 vjeçare dhe e sëmurë, si dhe motrën e saj, Age, të cilat banonin në Tiranë. I gjithë dokumentacioni i plotë, (tashmë i deklasifikuar), i nxjerrë nga arkivat e shtetit shqiptar, bëhet publike për herë të parë nga Memorie.al, ku hidhet dritë mbi të gjithë aktivitetin bamirës së Shenjtores së famshme, në ndihmë të të varfërve në të gjithë botën dhe dëshirën e saj të jashtëzakonshme për të ndihmuar bashkatdhetarët e saj në Shqipërinë komuniste, si dhe heshtjen totale të Tiranës zyrtare dhe udhëheqjes së lartë komuniste të asaj kohe, me në krye Ramiz Alinë e Nexhmije Hoxhën, të cilët me pretekse të ndryshme, penguan ardhjen e saj në Shqipëri dhe e lejuan vetëm në vitin 1989, në sajë të presionit të madh ndërkombëtar!
Edhe pse në të gjithë botën ajo njihej si Nënë Tereza e Kalkutës, Bamirësja dhe Shenjtorja e famshme Gonxhe Bojaxhi, fituese e disa çmimeve ndërkombëtare dhe e çmimit ‘Nobel’ për Paqen në vitin 1979, nuk e fshehu kurrë origjinën e saj shqiptare, madje duke kërkuar që nga viti 1969, nëpërmjet kanaleve diplomatike franceze, italiane etj.,(ku u angazhuan krerët më të lartë të diplomacisë së këtyre dy shteteve), që të vizitonte nënën dhe motrën e saj që jetonin në Tiranë.
Por edhe pse lidhur me kërkesën e vazhdueshme për të vizituar atdheun e saj, asokohe dhe më pas u angazhuan disa prej diplomatëve kryesore të këtyre dy shteteve Perëndimore me të cilat Tirana zyrtare kishte marrëdhënie diplomatike, regjimi komunist i Enver Hoxhës, nuk e lejoi atë kurrsesi të vinte dhe të shikonte nënën e saj që ishte në momentet e fundit të jetës dhe Age Bojaxhi, u nda nga jeta me pengun e madh që s’mundi ta shihte edhe njëherë të bijën e saj, Gonxhen, të cilën s’e kishte pare, që kur ajo ishte fëmijë, kohë kur ajo ishte larguar nga shtëpia për t’u bërë murgeshë.
Por edhe pas kësaj, Nënë Tereza e Kalkutës, siç njihej ajo në të gjithë botën për shkak të misioneve të saj të bamirësisë në ndihmë të të varfërve dhe të vobektëve kudo që ata ndodheshin, në të gjitha skajet e globit, jo vetëm që nuk u zemërua me ata që nuk e lejuan të shihte nënën e saj, para se të ndërronte jetë, por përkundrazi, u lut për ta dhe vijoj të kërkonte pa u lodhur, për vite me radhë, që ajo të vinte një ditë në vendlindjen e të parëve të saj, qoftë dhe për të vënë një tufë me lule mbi varrin e nënës dhe motrës së saj, që tashmë ishin larguar nga jeta.
Por kërkesat e saj, për dy dekada (nga viti 1969, deri në 1989-ën), hidheshin poshtë me pretekste nga më absurdet nga ana e regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe më pas, pasuesit të tij, Ramiz Alisë e Nexhmije Hoxhës, të cilët shikonin pas saj dhe njerëzve që e shoqëronin: një “agjente të Vatikanit”, etj.!
Lidhur me këto si dhe të gjithë kalvarin e saj prej më shumë se dy dekadash për të ardhur në Shqipëri, ku mendonte që të hapte Shtëpitë e Bamirësisë, siç kishte bërë në vende të ndryshme të botës, si dhe arsyen e vërtetë sepse Ramiz Alia dhe Nexhmije Hoxha, vendosën që ta pranonin atë në vitin 1989, kur dhe erdhi për herë të parë në atdheun e saj, bëhet fjalë në shumë dokumente arkivore, ku ndodhet një korrespondencë ndërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë me Komitetin Qendror të PPSH-së dhe disa prej përfaqësive diplomatike shqiptare të akredituara në Perëndim, si Romë, Paris, etj., me telegrame, relacione, raporte, informacione, urdhëresa, nota diplomatike, ftesa, artikuj gazetash të shtypit botëror, revista, flet-palosje, fotografi, etj., etj., të cilat publikohen për herë të parë nga Memorie.al., në rubrikën historike dossier, duke filluar nga ky numër.
Relacioni i Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë për Komitetin Qendror të PPSH-së, lidhur me kërkesat e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Italisë pranë ambasadës shqiptare në Romë, për të plotësuar propozimet e Nënë Terezës
I n f o r m a c i o n
Sikurse dihet në datën 28 nëntor, Grafini zëvëndës-shefi i kabinetit të Ministrit të Jashtëm të Italisë, De Mikelis, thirri ambasadorin tonë në Romë dhe i parashtroi sa vijon:
Propozoi që së bashku me motrat e Nënë Terezës, të vijë në Shqipëri dhe një prift që do t’u shërbejë atyre. Ky propozim, bëhet me kërkesën e Ministrit të Jashtëm të Vatikanit, dhënë De Mikelisit.
Grafini, informoi se zyrën e atasheut të kulturës të ambasadës së tyre në Tiranë, do t’ia japin për përdorim 6 Popajve, meqënse janë ngushtë. Në këtë kuadër, ai theksoi se kjo gjë është e nevojshme meqënse nuk do ishte mirë që Popajt, të gjendeshin në kushte të vështira, në kohën e largimit të tyre nga Shqipëria, që do të realizohej me ndërhyrjen e organizatës së Kryqit të Kuq dhe në praninë e përfaqësive Perëndimore e asaj italiane.
Nga takimi i mësipërm del qartë se pala italiane e konsideron të mbaruar, vendosjen e grupit të motrave të Nënë Terezës këtu, ose dëshiron ta finalizojë që edhe Vatikani, të dërgojë në Shqipëri një përfaqësuesin e vet, në rolin e priftit për t’u shërbyer motrave. Në këtë mënyrë, indirekt Vatikani kërkon që të krijojë marrëdhënie me vendin tonë.
Së dyti, pala italiane, në vijim të bisedës së ministrit Ruxhero, me shokun Reiz Malile, shtron përsëri largimin e 6 Popajve nga Shqipëria me një ndërhyrje ndërkombëtare. Gjë që tregon se ata e konsiderojnë të pa qenë, se midis dy palëve është gjetur një zgjidhje. Lidhur me sa më sipër, mendojmë se ambasadori ynë në Romë, të marrë takim me Grafinin dhe t’i thotë sa vijon:
U informova në Tiranë për çështjen e misionit të motrave të Nënë Terezës dhe rezulton se nuk është pranuar nga ana jonë dhe nuk është vendosur me Nënë Terezën, që motrat e saj të hapin këtu një ‘Shtëpi Bamirësie’. Pra, kërkesa e Vatikanit për dërgimin e priftit, mbetet pa objekt, pa përmendur këtu që Shqipëria nuk mban lidhje me Vatikanin.
Përsa i përket rregullimit të 6 Popajve, brenda selisë së ambasadës italiane, kjo është një çështje e brendshme e tyre. Por në bisedën me ju, në datën 28 nëntor, na tërhoqi vëmendjen propozimi i zgjidhjes së çështjes së Popajve, me anë të ndërhyrjes ndërkombëtare, të Kryqit të Kuq dhe në praninë e përfaqësuesve perëndimorë dhe italianë. Kjo mënyrë e zgjidhjes, tashmë është kapërcyer sepse siç e dini, propozimi italian nuk është pranuar dhe se problemin e tyre u zgjidh me anë të bisedës së prof Lazrit me Andreotti, kur ky i fundit, ishte Ministër i Jashtëm. Ne jemi në pritje të realizimit të kësaj zgjidhjeje. Kjo është theksuar dhe në bisedën e ministrit Ruxhero me ministrin tonë të Jashtëm në Tiranë dhe në bisedën që kam pasur me zotin Pikoli, në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit.
Në fund të bisedës, ambasadori ynë të theksojë, qëndrimin e qeverisë sonë, për zhvillimin e marrëdhënieve të miqësisë e bashkëpunimit me Italinë.
Tiranë më 1 dhjetor 1989
Relacioni i ambasadorit Dashnor Dervishi për Ministrinë e Punëve të Jashtme në Tiranë, lidhur me telegramin e urimit të Papa Gjon Pali të Dytë, me rastin e Vitit të Ri
AMBASADËS SË REPUBLIKËS POPULLORE SOCIALISTE TË SHQIPËRISË NË ROMË
Romë më 12 janar 1990
Lënda: Mesazhi i Vitit të Ri nga Papa Pauli II
MINISTRISË SË PUNËVE TË JASHTME
(Drejtorisë së Parë)
TIRANË
Bashkëngjitur ju dërgojmë, sipas porosisë tuaj për materiale të tilla, mesazhin e Vitit të Ri nga Papa Pauli II, që i dërgon përfaqësuesi i përhershëm i Vatikanit, në FAO përfaqësuesit tonë të përhershëm në këtë organizatë.
AMBASADORI
(Dashnor Dervishi)
Raport-informacioni i diplomatit Vladimir Pulaj pranë Ministrinë e Punëve të Jashtme në Tiranë, dërguar Komitetit Qendror të PPSH-së, lidhur me kërkesat e Vatikanit për të hyrë në kontakte me Tiranën zyrtare
I n f o r m a c i o n
Kohët e fundit, vihet re një aktivizim i madh i diplomacisë së Vatikanit, karshi vendit tonë. Nunca të tij, në vende të ndryshme por edhe miq e të njohur, u kanë folur diplomatëve tanë jashtë, për kënaqësinë e shprehur nga Selia e Shenjtë, lidhur me lejimin e ushtrimit të besimit fetar, në vendin tonë si dhe dëshirën për të vendosur marrëdhënie diplomatike me Shqipërinë.
Në kushtet kur vendi ynë ka marrë vendime të rëndësishme, në drejtim të respektimit të të drejtave të njeriut dhe besimit fetar, ka filluar tanimë të ushtrohet. Por njëkohësisht, dhe në kuadrin e përpjekjeve që po bëhen nga ana jonë, për tu pranuar me të drejta të plota në KSBE, dhe për të vendosur marrëdhënie diplomatike me TPE, vendosja e marrëdhënieve diplomatike me Selinë e Shenjtë, do të ketë një efekt shumë pozitiv, në komunitetin ndërkombëtar dhe qeveritë e shumë vendeve, duke pasur parasysh influencën e Vatikanit mbi to.
Një hap i tillë, do të shërbente dhe për të treguar se vendi ynë është angazhuar thellësisht në procesin e demokratizimit të vendit dhe se kështu, i heqim nga dora një armë shumë të fortë disa qarqeve të huaja, që po e përdorim kundër vendit tonë.
Për sa më sipër, mendojmë që ambasadorët tanë në Athinë e Algjer, të kontaktojnë këto ditë nuncat e Vatikanit dhe në bisedë e sipër, t’ju lëmë të kuptojnë se do të mirëprisnim kërkesën nga ana e tyre, për të vendosur marrëdhënie diplomatike me vendin tonë.
Tiranë më 22 janar 1990
Vladimir Pulaj
Relacioni i Kryetarit të Komitetit për Marrëdhënie Kulturore dhe Miqësore me Botën e Jashtme, Jorgo Melica, dërguar Ministrisë së Punëve të Jashtme, për letrën e dërguar nga shoqëruesja e Nënë Terezës, Zhanet Petrie
KOMITETIT Tiranë, me 20.3.1990
I n f o r m a c i o n
Xhanete Petrie, me anë të një kartë burimi, pasi falenderon për tërë kujdesin që u tregua gjatë vizitës së Nënë Terezës në vendin tonë, bën të ditur se Nënë Tereza, gëzon shëndet të plotë e ka filluar rregullisht nga puna. Interesohet të dijë se ç’bëhet me motrat në Shqipëri dhe nëpërmjet letrës, Petrie, njofton se Nënë Tereza, është e interesuar që të vijë përsëri në Shqipëri.
Kryetari
Jorgo Melica
Korespondenca me telegrame sekrete e Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë me ambasadat shqiptare në Beograd, Pragë dhe Romë, lidhur me kërkesat e Vatikanit për të hyrë në kontakte e marrëdhënie diplomatike me Shqipërinë
DËSHIFRIM
TEPËR SEKRET
Nr. 12064
Nga: Praga
Datë: 20.4.1990
MINISTRISË SË JASHTME
MPJ na ka ftuar edhe ne me tërë përfaqësuesit diplomatikë të Pragës, me rastin e vizitës së Papës. Mendojmë të mos shkojmë.
Idrizi
SHIFRIM
TEPËR SEKRET
Datë: 21.4.1990
Adresa: Pragë
Dakord, që të mos shkoni në pritjen e Papës. Po t’u pyesin për këtë problem, i thoni që nuk kemi gjë kundër tyre, por nisemi nga rrethanat, që vendi ynë nuk ka marrëdhënie me Vatikanin.
DËSHIFRIM
TEPËR SEKRET
Nr. 15748
Nga: Beogradi
Datë: 25.5.1990
MINISTRISË SË JASHTME
Në një pritje tek këshilltari francez, më takoi zëvendës titullari i ambasadës së Vatikanit. Isha me Leonidhën. Tha se i kishin bërë përshtypje, zërat që përhapen në Beograd, se gjoja shqiptarët myslimanë, shkojnë në Itali tek arbëreshët dhe atje konvertohen në katolikë dhe si të tillë, rikthehen në Kosovë.
(vijon)
DËSHIFRIM
TEPËR SEKRET
Nr. 15749
Nga: Beogradi
Data: E dyta
Pyeti a është e vërtetë një gjë e tillë. I thanë se ne e dimë propagandën serbe, që i cilëson shqiptarët fondamentalistë, apo që flet për keqtrajtimin e popullsisë, së krishterë nga ajo myslimane, por për rastin konkret nuk e besojmë.
(vijon)
DËSHIFRIM
TEPËR SEKRET
Nr. 15750
Nga: Beogradi
Data: mbaroi
sepse në plan të parë ka dalë çështja kombëtare dhe këtu, jemi të gjithë të bashkuar ortodoksë, katolikë, myslimanë, ateistë. Ai tha se do të interesohej para priftërinjve arbëreshë, për të marrë ndonjë informatë.
Kujtimi
DËSHIFRIM
TEPËR SEKRET
Nr. 17802
Nga: Roma
Data: 19.6.1990
MINISTRISË SË JASHTME
Profesori i historisë në Universitetin e Romës, Andrea Rikardi, i tha Miroshit, se kohët e fundit në Vatikan kanë filluar të mendojnë ndryshe për Shqipërinë. Sipas një bisede që ai ka pasur me monsinjor Fortinon, arbëresh që njihet si “eminenca gri” në Vatikan, ka mësuar se atje është arritur në konkluzionin se
(vijon)
DËSHIFRIM
TEPËR SEKRET
Nr. 17803
Nga: Roma
Data: e dyta
se nuk duhet përsëritur ai gabim historik, që u bë me Skënderbeun, që u la pa përkrahje. Frika që futi Vatikani për urrejtjen e pushtetit të Skënderbeut në Adriatik, bëri që të sigurohej një ndikim i dobët i Perandorisë Osmane, në vend të një mbretërie.
(vijon)
DESHIFRIM
TEPER SEKRET
Nr.17804 Nga: Roma
Nr.941 Data: e treat
Fuqishme shqiptare pruri atëherë zgjerimin e pushtetit musliman e ortodoks në Adriatik e Ballkan, gjë që bëri që katolicizmi të mbetej në minoran dhe i pafuqishëm. Gjithashtu është konsideruar i ashpër, qëndrimi që u mbajt në vitet ’60, i cili lejojë një ndarje të madhe nga (vijon)
DESHIFRIM
TEPER SEKRET
Nr.17805 Nga: Roma
Nr.942 Data: e katërta
Ajo që do të krijonte ateizmi shqiptar. Prandaj sipas Fortinos, ndaj Shqipërisë, veçanërisht pengesave që ajo ndërmerr në drejtim të të drejtave të njeriut, nga Vatikani do të tregohet maturi, inkurajim ndaj veprimeve të Perëndimit me Shqipërinë. 2) Aktualisht Vatikani sheh rrezik të (vërtetë)
DESHIFRIM
TEPER SEKRET
Nr. 17806 Nga: Roma
Nr. 943 Data e pesta
Interesave të tij aktivitetin e kishës ortodokse, në Ballkan si rezultat i zgjerimit të nacionalizmit në Serbi dhe në Greqi pas fitores së “Demokracia e Re”. Vatikani është i ndjeshëm gjithashtu edhe ndaj zhvillimeve që ka midis fundamentalistëve muslimane (vijon)
Letra e shoqërueses së Nënë Terezës, regjisores Zhanet Petrie, dërguar Kryetarit të Komitetit për Marrëdhënie Kulturore dhe Miqësore me Botën e Jashtme, Jorgo Melica
Z, Jorgo Melica
Kryetar i Komitetit Shqiptar për Marrëdhënie Kulturore e Miqësore me Botën e Jashtme.
I dashur Zoti Melica
Duke ju uruar shkurtimisht gëzuar Vitin e Ri dhe duke duke ju shprehur mirënjohjen ndaj jush, për gjithçka bëtë në vizitën tonë në Shqipëri. Në çdo vizitë që unë bëj, shoqërohet me rritjen e respektit dhe konsideratës për popullin shqiptar.
Nënë Tereza po përmirësohet dhe mjekët janë të kënaqur me gjendjen e saj shëndetësore, të cilën e konsiderojnë mjaft të mirë. Nëna, ka rifilluar aktivitetin e saj dhe së shpejti, do të jetë në gjendje që të ndërmarri udhëtimet.
Ajo është shumë e interesuar që të rikthehet në Shqipëri, së bashku me motrat e saj. Dhe njëherë, shumë faleminderit për kujdesin tuaj dhe takohemi në një të ardhme të afërt.
Përshëndetjet më të mira
Jeanette Petrie Janar, Janar 31, 1990 – Romë
Korespondenca me telegrame sekrete e Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë me ambasadën shqiptare në Kajro, lidhur me jehonën e vizitës së Nënë Terezës në Shqipëri dhe vendosjen e dy statujave te varri i nënës dhe motrës së saj në Sharrë
DËSHIFRIM
TEPËR SEKRET
Nr. 31090
Nga: Kajro
Data: 7.12.1990
MINISTRISË SË JASHTME
Në pritjen e Tajlandës më takoi nunci apostolik Antonis Magnoni, ku më shprehu kënaqësinë për vizitën e Nënë Terezës dhe takimet e marra.
(vijon)
DËSHIFRIM
TEPËR SEKRET
Nr. 31091
Nga: Kajro
Data: mbaroi
Ai më tha se bëni shumë mirë që prisni nivele të tilla, pasi Nënë Tereza, është një nga figurat më të rëndësishme në botë. E mbi të gjitha, theksoi ai, që Nënë Tereza realizoi ëndrrën e saj, të takimit në tokën amtare përpos faktit që fjala e saj ka peshë.
Alkyzi
Proçes – verbal
Mbi marrjen në dorëzim të dy statujave të vogla, të cilat janë për t’i vendosur, në dy varret e njerëzve, familjes së Nënë Terezës. Ato, duhen ruajtur dhe do të vendosen sa herë që do të bëhen vizita në këto dy varre.
Tiranë më 2 maj 1990
Dorëzuesi
(Maksim Dinga)
Përfaqësuesi i Komitetit për Marrëdhëniet Kulturore me Botën e Jashtme
Filmi i zhanrit aksion “Snake Eyes” ka nisur shfaqjen në Cineplexx këtë të enjte, më 22 korrik, ditën kur u mbajt edhe premiera botërore e këtij filmi.
Në ditën e premierës botërore të filmit Snake Eyes, aksioni i bazuar në personazhin e njohur nisi të shfaqet edhe në Cineplexx. Filmi është në regji nga Robert Shwentke dhe në rolet kryesore vijnë aktorët e njohur si: Henry Golding, Andrew Koji, Samara Weaving. Filmi, ka një buxhet prej 88 millionë dollarë dhe është një nga filmat aksion më me zë të verës.
Filmi është një spin-off i G.I. Joe i fokusuar rreth personazhit Snake Eyes. Ky personazh ishte pjesëmarrës në dy filmat e njohur aksion “G.I. JOE” dhe suksesi i të dy filmave bëri që kompania të vendos të bëjë një film ku fokus kryesor do të jetë personazhi misterioz dhe historinë që fshihet prapa maskës së tij.
Biletat mund t’i blini çdo ditë prej orës 15:00 në Cineplexx, ose edhe online përmes aplikacionit Cineplexx Ks.
Për më shumë informata rreth këtij filmi, klikoni këtu mund t’i gjeni në webfaqën e Cineplexx. / KultPlus.com
Poetë, prozatorë, dramaturgë, eseistë e të tjerë, krijojnë në mbarë hapësirën shqiptare dhe kanë botuar vepra që vlen të lexohen e rilexohen.
Më poshtë gjeni dhjetë libra shqiptarë që duhen lexuar:
Vargjet e lira, Migjeni
Vepra më avangarde e poezisë shqipe deri në atë kohë, e re në çdo pikëpamje: ideore, tematike, ritmike, figurative. Një vepër që e çliroi poezinë shqipe nga manierat klasiciste, kurse vargun shqip nga tirania e rimës dhe e metrikës. Poezi e dhembjes, e vuajtjes, e mjerimit, e ankthit, e shpresës.
Ylli i zemrës, Lasgush Poradeci
Libri ndoshta më komplet i poezisë shqipe, i ndërtuar sipas një koncepti që e hasim te poetë si Petrarka, Gileni, Bodleri etj. Libër himn i bukurisë, i dashurisë, i përjetësisë, festë e fjalës së kulluar shqipe.
Lahuta e Malcisë, Gjergj Fishta
Enciklopedi e jetës shqiptare, glorifikon luftën për liri kombëtare dhe virtytet tradicionale. Si fenomen letrar e vonuar e anakronike, por me ndikim të madh në jetën shpirtërore dhe në ndërgjegjen kombëtare të shqiptarëve, veçanërisht jashtë kufijve të Shqipërisë shtetërore.
Psallme Murgu, Asdreni
Vepër që e zgjeron regjistrin tematik e stilistik të poezisë shqipe, të mbështetur kryesisht në modelet e poezisë popullore. Sjell përvojën e poezisë moderne evropiane. Për herë të parë në letërsinë shqipe trajtohet gjerësisht bota shpirtërore e njeriut të gjendur në vorbullën e paradokseve. Një kohë të gjatë e lënë në harresë nga kritika e ideologjizuar. Net shqiptare, Mitrush Kuteli
Ndër veprat e para të prozës moderne shqipe. Shfrytëzon në mënyrë kreative përrallën popullore shqiptare, duke i rivitalizuar strukturat e saj narrative. Vizaton figura e karaktere të gjalla njerëzish, sidomos fshatarësh. Shquhet për bukurinë e rrëfimit, të gjuhës dhe të stilit. Mostër për shumë prozatorë të mëvonshëm.
Lumi i vdekur, Jakov Xoxa
Tablo e gjerë e jetës shqiptare. Vepër e shkruar nga një njohës i rrallë i jetës, por edhe i mjeshtërisë krijuese.
Roman që krijon disa nga personazhet më të spikatura të letërsisë shqipe, siç janë Vita dhe Adili, që duken si të shkëputur nga realiteti i gjallë jetësor e jo të krijuar në letër. Vepër që sjell në prozën shqipe përvojën e romanit ciklik tradicional me gjuhë jashtëzakonisht të pasur. Autori i tij është stilist i përkryer.
Kronikë në gur, Ismail Kadare
Vepra mbase më e mirë e Kadaresë dhe një nga romanet më të mira të letërsisë shqipe. Një sintezë sui generis e poezisë, fiksionit dhe mitologjisë. Vepër me strukturë komplekse narrative, atipike si prosede. Një trajtim shumë origjinal i luftës dhe i psikozës kolektive në situata të skajshme ekzistenciale. Perceptimi i botës nga perspektiva e fëmijës zhduk kufijtë mes ëndrrës e realitetit. Roman që sjell një frymë të re në prozën shqipe dhe mjete e teknika të reja shprehëse.
Vdekja më vjen prej syve të tillë, Rexhep Qosja
Ndonëse autori i kësaj vepre është në radhë të parë historian i letërsisë, fushë në të cilën ka botuar një varg veprash të rëndësishme, megjithatë kjo mbetet vepra e tij me receptim më të gjerë, që i ka kaluar kufijtë gjuhësorë të shqipes. Prozë e tipit kritik, intelektual, pak e kultivuar në letërsinë shqipe, që trajton temën e dhunës së pushtetit mbi individin dhe popullin të cilit i takon ai. Duke vënë në epiqendër një personazh krijues, siç është Xhezairi i Gjikës, autori funksionalizon gjuhën kritike, erudicionin intelektual, parabolat historike etj.
Nga Bibla e heshtjes, Azem Shkreli
Poezi me një sistem të veçantë mjetesh shprehëse dhe me një filozofi të veçantë krijuese e jetësore. Libër i meditimit poetik mbi raportin e njeriut me historinë, por edhe me veten dhe fjalën e tij. Psalm mbi fatin e fjalëve. Bashkë me Din Mehmetin, Rrahman Dedajn, Ali Podrimjen e të tjerë, autori i kësaj vepre, Azem Shkreli, krijon modernitetin e poezisë shqipe në Kosovë dhe më gjerë.
Pelegrini i vonuar, Dritëro Agolli
Libri i parë post-socialisto-realist i poetit Dritëro Agolli dhe njëri nga librat më të mirë të tij e të poezisë shqipe në përgjithësi. Libër mbi thyerjet shpirtërore të një brezi, i cili besoi në një utopi dhe pas përmbysjes e ndien veten si pelegrin i humbur në shkretëtirën e iluzioneve të veta. Dhembja dhe trishtimi e ngjyrosin emocionalisht vargun e poetit. Ky libër e rikonfirmon faktin se autori i tij është mjeshtër i rimës dhe aliteracionit, krijues që e zotëron artin e vështirë të të bërit vargje të lehta. / cbc.al / KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani po merr pjesë në Lojërat Olimpike të Tokios, e cila edhe ka përshëndetë njëmbëdhjetë sportistët kosovarë që po marrin pjesë në këtë manifestim sportiv, shkruan KultPlus.
Presidentja Osmani ka reaguar në lidhje me këtë përfaqësim të Kosovës, e cila është shprehë se populli i Kosovës është krenarë me sportistët pjesëmarrës.
KultPlus ju sjell të plotë reagimin e presidentes Osmani.
Nder e krenari ta shoh parakalimin e 11 sportistëve të Republikës së Kosovës, të cilët po marrin pjesë në Lojërat Olimpike në Tokio.
Populli i Kosovës është krenar me ju, beson në përgatitjen tuaj, suksesin tuaj dhe triumfin tuaj.
Sportistët tanë që prej shumë kohësh po e ngrisin lart flamurin e shtetit të Kosovës, po na ngjallin shpresën dhe krenarinë se garat në sport nuk njohin shtete të mëdha e të vogla, por njohin sportistë të përgatitur, që me shpirtin garues thyejnë rekorde dhe bëjnë histori.
Në krye me të artën tonë Majlinda Kelmendi, sportistëve tanë ju uroj sukses! Ata do ta bëjnë krenar veten dhe shtetin e Kosovës!
Ju priftë e mbara! Një popull i tërë është me ju. ./ KultPlus.com
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama sot ka takuar këngëtaren shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, me ç’rast ai është shprehur se Dua ka kapur qiellin e botës muzikore dhe nuk ka nevojë për asnjë koment tjetër, përcjellë KultPlus.
“Uroj që ajo të rrojë e të mbretërojë 100 vjet në fronin ku është ulur, po brenda meje mbeti gjurma e vajzës së mençur, të edukuar e modeste si të ishte askushi”, ka thënë Rama.
KultPlus ju sjell statusin e tij tëplotë:
DUA LIPA që ka kapur qiellin e botës muzikore s’ka nevojë për asnjë koment, ndërsa një koment për Duan që pata kënaqësinë të njoh, unë dua ta ndaj me ju. Uroj që ajo të rrojë e të mbretërojë 100 vjet në fronin ku është ulur, po brenda meje mbeti gjurma e vajzës së mençur, të edukuar e modeste si të ishte askushi, e cila është me siguri krenaria e lumturia e prindërve dhe e krejt familjes së saj, pikërisht sepse çka i takon botës nga ylli i muzikës, nuk ka prekur asnjë fije atë çka u takon atyre nga vajza e tyre. Çfarë çike.
Përfaqësuesi i lartë i komunitetit ndërkombëtar në Bosnje e Hercegovinë, Valentin Inzko, duke i përdorur kompetencat e Bonit, vendosi ndryshime në Kodin Penal të këtij shteti, me të cilat ndalohet dhe dënohet mohimi i gjenocidit dhe madhërimi i kriminelëve të luftës.
Kompetencat e Bonit i japin atij të drejtë për të shtyrë përpara vendime, për të cilat, akterët e tjerë politikë nuk shfaqin vullnet për një gjë të tillë. Inzko e mori këtë vendim, disa ditë para përfundimit të mandatit të tij në Bosnje.
Ky vendim parashikon burgim nga tre muaj deri në tre vjet, për të gjithë ata persona që publikisht nxisin dhunë ose urrejtje ndaj një grupi personash ose ndaj një anëtari të një grupi racor, fetar apo që ka kombësi e origjinë tjetër etnike.
“Së pari, theksoj se pajtimi nuk mund të ndodhë pa njohjen e krimeve dhe pa përgjegjësi. Gjuha e urrejtjes, madhërimi i kriminelëve të luftës dhe revizionizmi, pra mohimi i hapur i gjenocidit dhe krimeve të luftës, parandalojnë shoqëritë nga përballja me të kaluarën e tyre kolektive, përfaqësojnë poshtërim të përsëritur të viktimave dhe të dashurve të tyre, dhe në të njëjtën kohë, zgjasin padrejtësinë dhe rrezikojnë marrëdhëniet paqësore shoqërore”, tha Inzko përmes një letre, ku ka arsyetuar vendimin e tij.
Ndërkaq, dënim deri në gjashtë muaj deri në pesë vjet, do t’iu shqiptohet të gjithë personave që publikisht mohojnë, minimizojnë apo përpiqen të justifikojnë një krim të gjenocidit, krimet kundër njerëzimit apo krimet e luftës, thuhet në vendim.
“Nëse vepra është kryer në atë mënyrë që do të mund të prishë rendin publik ose është kërcënuese, abuzive dhe ofenduese, kryesi do të dënohet me burgim në një afat jo më pak se tre vjet”, thuhet më tej në vendim.
Vendimi, sipas Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë (OHR), përcakton që kushdo që jep mirënjohje, çmim ose ndonjë privilegj të ngjashëm për një person të dënuar për gjenocid apo për ndonjë krim lufte, ky akt do të dënohet të paktën me tri vjet burgim.
Kjo vlen edhe nëse emërtohet një objekt publik siç është rruga, sheshi, parku, ura, institucioni,komuna ose qyteti, vendbanimi, me një emër të një personi të dënuar për gjenocid, një krim kundër njerëzimit ose krim lufte ose në ndonjë mënyrë tjetër madhëron një person të dënuar me gjykim të formës së prerë për këto vepra penale.
“Njëzet e pesë vjet pas nënshkrimit të Marrëveshjes së paqes të Dejtonit, Bosnja është ende një shoqëri e copëtuar që po lufton ende me trashëgiminë e së kaluarës. Gjuha e urrejtjes, madhërimi i kriminelëve të luftës dhe revizionizmi, pra mohimi i hapur i gjenocidit dhe krimeve të luftës, janë dukuri të shpeshta në ligjërimin politik, pavarësisht vendimeve të institucioneve gjyqësore ndërkombëtare “, deklaroi ndër të tjera Inzko.
Ky ligj do të hyjë në fuqi tetë ditë pas botimit në faqen zyrtare të internetit të Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë ose një ditë pas botimit në “Gazetën Zyrtare të Bosnjë dhe Hercegovinës”, cilado që ndodh më shpejt. Ndërkaq, vendimi i Inzkos hyn menjëherë në fuqi.
Dodik: Republika Srpska duhet të fillojë procesin e shpërbërjes
Pas njoftimit të vendimit të Përfaqësuesit të Lartë, Milorad Dodik, anëtar i Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, në një konferencë për media të premten tha se Valentin Inzko nuk ka të drejtë të imponojë një ligj që ndalon mohimin e gjenocidit, duke shtuar se ky vendim është “i pabazuar”.
“Republika Srpska e hedh poshtë këtë vendim. Gjenocidi nuk ndodhi në Srebrenicë. Serbët nuk duhet ta pranojnë këtë vendim, kjo është një gozhdë në arkivolin e Bosnje e Hercegovinës. Pas kësaj, Bosnja e Hercegovina nuk mund të funksionojë. Ne do të thërrasim një seancë të Asamblesë së Republika Srpska këtë javë”, tha Dodik.
“Republika Srpska duhet të fillojë procesin e shpërbërjes, nuk ka dialog në Bosnje e Hercegovinë”, shtoi ai. / Express / KultPlus.com
Në botën e rock-ut dhe më në përgjithësi atë të artit, ekziston një “klub ekskluziv” në të cilin askush nuk dëshiron të bëjë pjesë. Një rreth i ngushtë që me kalimin e kohës ka ardhur duke u shtuar, me një përpikmëri makabre, me interpretuesit më të mirë të skenës muzikore. Të cilët i ka bërë bashkë koinçidenca e pafat që kanë ikur nga kjo botë, pa i mbushur të 28 vitet.
Në mjediset gazetareske ka nisur të flitet për “klubin 27” duke nisur që nga vitet shtatëdhjetë. Ishte dekada që ndryshoi përgjithmonë historinë e muzikës rock. Edhe pse ajo që i dha jetë këtij lloj mallkimi ka qenë ndoshta vdekja në rrethana misterioze e Robert Johnson (1911-1938), kantautor dhe kitarist i të mëdhenjve të muzikës blues amerikane. Aq i talentuar sa i dha jetë legjendës së pakti të firmosur mes tij dhe Satanait, për të qenë në gjendje të arrinte ata nivele të aftësisë teknike.
I pari
Në vitet e zhurmshëm të rosk and roll-it, i pari që u fut në listën e veçantë të artistëve të mallkuar, të konsumuar prej teprimeve dhe një krijueshmëri vetëshkatërruese ishte Brian Jones. Themelues i Rolling Stones u gjet i pajetë në vitin 1969.
Autopsia përcaktoi se artisti kish ndërruar jetë nga pasoja të natyrshme të një jete me alkool dhe drogë. I kish marrë në sasi kaq të mëdha, saqë ia kishin dëmtuar në mënyrë të pashërueshme zemrën dhe mëlçinë.
Shtypi akuzoi policinë lokale se kishte mbuluar një krim, por një autopsi e re e vitit 2009, arriti në të njëjtin verdikt si mjeku i parë.
Tre gjigandë të rock-ut
Dyvjeçari vendimtar që ushqeu famëkeqin Klubi 27, ai që e bëri vërtetë një legjendë të zezë, ishte 1970-1971. Në mënyrë të shpejtë erdhën e u bënë pjesë e tij tre gjigandë të rock-ut, si Himi Hendrix, Janis Joplin dhe Jim Morrison. Në apartamentin e Samarkand Hotel në Londër, në 18 shtator 1970 Monika Dannemann gjeti të pajetë shokun e saj Jimi Hendrix. Ishte mbytur në të vjellat e tij, pas një overdoze: kishte ikur nga kjo botë kitarristi më i madh i rosk-ut. Dhe ishte 27 vjeç.
Dy javë më vonë, muzika mbeti pa një prej zërave të saj më të jashtëzakonshëm, atë të Janis Joplin. Edhe ajo prej një kokteili vdekjeprurës morfine dhe uiski. Një vit më vonë, në 3 korrik 1971, në vaskën e banjës së apartamentit të tij në Paris doli tragjikisht nga skena, idhulli i revolucionit kulturor të viteve gjashtëdhjetë Jim Morrison, artisti dhe themeluesi i The Doors.
U gjet i pajetë nga partnerja e tij Pamela Courson. Ajo dëshmoi se Morrison kish marrë heroinë duke e pandehur për kokainë. Trupi i tij nuk iu nënshtrua kurrë autopsisë, arsye kjo që shkaktoi lindjen e shumë teorive komplotiste për vdekjen e yllit, autor i “The End”. Ndërkohë që varri i tij në varrezën e Pere-Lachaise në Paris është shndërruar në një vend pelegrinazhi të pandërprerë sot e kësaj dite.
Vitet ’90
Mallkimi i numrit 27 u duk se u ndal në vitet tetëdhjetë, por u rikthye të godasë në vitet nëntëdhjetë me ikjen nga kjo botë të njërës prej figurave më me influencë të të rinjve të kohës, këngëtari dhe lideri i Nirvana Kurt Cobain, i cili në 5 prill 1994 vendosi të heshtë një herë e përgjithmonë, duke vrarë veten me pushkë.
Trupi u gjend vetëm tre ditë më vonë në shtëpinë e tij në Seattle. Edhe Kobain, ashtu si pjesëtarët e tjerë të klubit kishte patur probleme të mëdha me drogën. Të njëjtët demonë që ndeshi në rrugën e saj të shkurtër edhe këngëtarja britanike Amy Winehouse. Mbretëresha e soul-it të bardhë ndërroi jetë në 23 korrik 2011 pas një abuzimi me pije alkoolike. Ia kish dalë me shumë mund të çlirohej nga droga, por jo nga alkooli. Tre vite më herët, kantautorja kishte shprehur frikën se mund të vdiste pikërisiht në atë moshë. Profeci që për fat të keq doli e vërtetë. / KultPlus.com
Ish-presidentja e republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga në një takim me gruan protagoniste të viteve të 90-ta, Luljeta Pula Beqiri, kanë biseduar rreth arritjeve në fuqizimin e gruas kosovare dhe sfidave që priten të vinë përpara, përcjellë KultPlus.
“Me punën, përkushtimin e guximin e saj ajo është bërë model i angazhimit e avancimit politik të gruas në Kosovë. Me gra të fuqishme si Luljetën mund të bëjmë shumë gjëra të mrekullueshme në fuqizimin politik të grave në Kosovë”, ka thënë Jahjaga.
KultPlus ju sjell statusin e saj të plotë:
Një takim i shkëlqyeshëm me Luljeta Pula Beqirin, me të cilën biseduam për arritjet në fuqizimin e gruas kosovare dhe sfidat që kemi përpara në këtë drejtim. Luljeta ishte politikisht aktive qysh prej kohës së hershme të levizjes sonë kombëtare për krijimin e Kosovës shtet. Me punën, përkushtimin e guximin e saj ajo është bërë model i angazhimit e avancimit politik të gruas në Kosovë. Me gra të fuqishme si Luljetën mund të bëjmë shumë gjëra të mrekullueshme në fuqizimin politik të grave në Kosovë. / KultPlus.com
Më 23 korrik të vitit 1649 u lind Gjon Françesk Albani, apo Papa Klementi XI, i mbiquajtur Albani. Papa Klementi XI ishte Papa i 243 i Kishës Katolike. Shërbeu si papë nga 23 nëntori i 1700-ës deri më 19 mars 1721.
Papa Klementi XI, Albani, e drejtoi kishën katolike për 21 vjet dhe rreshtohet i katërti për nga vitet mbas Shën Pjetrit me 35 vjet, Papa Piut me 31 vjet, Papa Gjon Palit me 26 vjet. Në vitin 1660 pas kryerjes së shkollës fillore ai shkoi në Romë, për të ndjekur kolegjin romak.
Aty studioi gjuhë të vjetra dhe drejtësi. Në vitin 1668 diplomohet në drejtësi. Dhe në vitin 1670 fillon karrierën kishtare. Nga Papa Inoçenti do të emërohet si sekretar i dekreteve papnore dhe në shkurt 1690 do emërohet kardinal. Më 9 tetor 1700 zgjidhet papë i kishës katolike.
Ndihmesa ndaj Shqipërisë, shpresa e vazhdueshme e papës me origjinë shqiptare Klementit të Nëntë, për të bashkuar Krishterimin, dha rezultate të gjëra në Shqipëri. I përket asaj periudhe mbajtja e “këshillit fetar të parë kombëtar shqiptar” të vitit 1703, i njohur si Kuvendi i Arbrit, i cili shënoi ndryshimet rrënjësore në linjën e veprimit të klerit për çështjet dogmatike, morale, kanunore dhe ipeshkvore.
Priftërinj të shumtë ortodoksë nga Shqipëria, i kishin drejtuar Papës kërkesa ndihme për mbështetje politike duke sjellë edhe një afrim fetar. Vdiq më 19 mars 1721 në Romë.
Dëshirën për t’u identifikuar shqiptar Papa Kelmenti XI (Gjon Francesk Albani) e ka shprehur menjëherë pas zyrtarizimit si drejtuesi i Kishës Katolike, kur vendosi që të njihej edhe me mbiemrin Albani.
Në historinë shqiptare, si dhe në fusha të tjera studimore albanologjike emri i Papa Klementit XI Albani, përmendet si një Papë me “gjak shqiptar, “si një Papë me “origjinë shqiptare,” si “Papa që ka thirrur Kuvendin e Arbrit”, dhe për plot merita te tjera për çështjen shqiptare.
Të gjithë autorët e huaj që kanë shkruar për të, nuk kanë mundur ta shpërfillin prejardhjen e tij shqiptare, duke theksuar edhe krenarinë me të cilën ai identifikohej si shqiptar. Me 25 prill 1993, gjatë vizitës në Shkodër të Papa Gjon Palit të dytë dhe në intervistat që i paraprinë kësaj vizite, disa here e ka përmendur emrin e Papa Klementit XI Albani, duke theksuar lidhjet e tij, madje edhe në formë të ngushtë, në mes të Vatikanit dhe Shqipërisë.
Biografi francez i Klementit XI- Albani, M. Reoule shkruan: “Gjon Francesk Albani, që kishte prejardhje shqiptare, u kujdes posaçërisht për fatin e Kishës në vendin e paraardhësve të tij. Me nismën e tij u mblodh Kuvendi i Ipeshkvinjëve katolikë të Ballkanit (14-15 janar 1703). Kjo ishte një fitore e madhe për kulturën dhe kombësinë shqiptare, pasi klerikët ishin të parët, që filluan të shkruanin në gjuhën shqipe dhe të krijonin përmendoret e para të letërsisë shqipe.”/ KultPlus.com
Më 23 korrik 2011, Amy Winehouse u gjet e vdekur në shtëpinë e saj në Londër, pasi kishte kaluar në mbidozë të përdorimit të alkoolit, dhe megjithëse në atë kohë vetëm 27 vjeç, ajo la pas një numër të madh të këngëve që mahnisin ende audiencën e sotme.
Amy Winehouse lindi në 14 Shtator 1983, në periferi të Southgate në Londër, Angli. Babai i saj, Mitch Winehouse, punonte si shofer taksie, ndërsa nëna Janis ishte e punësuar si farmaciste.
Që në fëmijëri Winehouse ishte e shoqëruar nga muzika, shumë nga xhaxhallarët e saj nga ana e nënës ishin muzikantë profesionistë të xhazit, dhe babai i saj këndoi si fëmijë me familjen e tij. Ndërkaq gjyshja nga ana e babait ishte kishte pasur një lidhje romantike me legjendën britanike të xhazit Ronnie Scott.
Winehouse u rrit duke dëgjuar një gamë të larmishme të muzikës, nga James Taylor deri te Sarah Vaughan. . Në moshën 10 vjeç, ajo ishte tërhequr të dëgjonte aktet amerikane R&B dhe hip-hop, duke përfshirë TLC dhe Salt-N-Pepa, gjithashtu ajo themeloi një grup amatorësh rap, të quajtur Sweet ‘n Sour.
Në moshën 12 vjeç, Winehouse u pranua në Shkollën prestigjioze Sylvia Young Theater, dhe një vit më vonë ajo mori kitaren e saj të parë. Por deri në moshën 16 vjeçare, ëinehouse u përjashtua për “mos aplikim të vetvetes” dhe për shpimin e hundës. Në të njëjtin vit, ajo pati debutimin e saj të parë kur një shok i shkollës dhe një mik i ngushtë i tij, këngëtari i popit Tyler James, kaloi kasetën e saj demografike në etiketën e tij, A&R, i cili po kërkonte një vokalist të xhazit. Mundësia e çoi atë në një marrëveshje me Island/Universal.
Ndër sukseset e para të këngëtares ishte publikimi i albumit “Frank” në vitin 2003, kurse në vitin 2006 theu rekordet e shitjeve me albumin “Black to Black”.
Në karrierën e saj të shkurtër Amy Winehouse, fitoi çmime të rëndësishme, duke përfshirë 5 çmime ‘Grammy’, për një natë, ndërsa albumi i saj ‘Rehab’, në vitin 2008, fitoi çmimin për ‘Albumin më të Mirë’. / KultPlus.com
Fadil Vokrri njihet si “Legjenda e futbollit shqiptar” dhe mbetet futbollisti më i njohur dhe i adhuruar në Kosovë.
Në vitet ’80 Fadil Vokrri arriti kulmin e karrierës se tij. Ai e filloi karrierën e tij si futbollist me KF Llapi të Podujevës dhe më vonë kaloi tek KF Prishtina dhe luajti për një periudhë edhe me KF Partizani i Beogradit. Ai pati mundësi të arrinte edhe më shumë në karrierën e tij. Në vitin 1987 klubi i futbollit Juventus ishte i interesuar për të dhe i propozoi nënshkrimin e një kontrate disa vjeçare. Në atë vit Fadil Vokrri ishte vlerësuar si futbollisti më i mirë i vitit në Jugosllavi. Mirosllav Bllazhevic, trajneri i KF Prishtina e vlerësonte Fadil Vokrrin si sulmuesin e qendrës më të mirë në Jugosllavi. Mirëpo, në atë kohë Fadil Vokrri u thirr për të kryer shërbimin e detyruar ushtarak. Sipas ligjit jugosllav, sportistët jugosllavë nuk mund të luanin jashtë Jugosllavisë në qoftë se ata nuk kishin kryer shërbimin e detyruar ushtarak përpara moshës 27 vjeç.
Fadili i rrethuar nga tifozët
Gjatë periudhës së shërbimit ushtarak ai luajti për KF Partizani i Beogradit. Në atë kohë Fadil Vokrrit iu propozua të luante edhe për Dinamo e Zagrebit. Fadil Vokrri e shpjegon kështu pse vendosi të luante për KF Partizani dhe jo Dinamo e Zagrebit: “Pikërisht “Partizani”, ka qenë ekipi i parë që ka shprehur interesim për mua. Arsyeja për të kaluar në radhët e “Partizanit”, së pari ka vendosur afërsia kilometrazhe Prishtinë-Beograd, pastaj siç dihet atëbotë të ish-Jugosllavisë, “Partizani”, ka pasur shumë simpatizues në Kosovë, sepse ky ekip gjithnjë kishte ndonjë shqiptar të aktivizuar në klub. Për nga shikueshmëria “Partizani” ka pasur Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë, tri qendra kryesore për rekrutimin e lojtarëve. Edhe unë si fëmijë, si çdo moshatar i imi isha simpatizues i “Partizanit” të Beogradit, d.m.th. si shumica e kosovarëve, andaj këto ishin arsyet që unë kalova në radhët e ekipit të “Partizanit”. Kushtet që më pat ofruar ky ekip ishin shumë të mira, e qe besa edhe “Prishtina”, me transferimin tim tek “Partizani”, nuk është ndarë keq për nga “leku”, kështu që të gjitha komponentët u përmbushën që unë të bëhem lojtar i ekipit të “Partizanit”. Kam kaluar mirë në këtë ekip, mirëpo nuk kanë munguar edhe provokimet e ndryshme. Si p.sh. atëbotë kur minatorët e Trepçës, hynë në zgafellë, TV Vesti nga Beogradi, në emisionin në gjuhën shqipe në orën 17:00, më kanë ftuar që unë të bëja thirrje, që minatorët të dalin nga zgafella (kjo është hera e parë që këtë po e bëj publike), më janë paraqitur dy-tri herë emra të ndryshëm të sferës së politikës, mirëpo unë u thashë se nuk merrem me politikë dhe se janë politikanët të cilët mund të bëjnë thirrje …”.
Flamurtari – Partizani i Beogradit
Petro Ruci, lojtar i Flamurtarit të Vlorës e kujton kështu atë ndeshje dhe Fadil Vokrrin: “Detyra që na dha trajneri Leonidha Çuri ishte që unë dhe Rrapo Taho të koordinojmë veprimet tona për të ruajtur mirë sulmuesit më të rrezikshëm të Partizanit të Beogradit Milko Gjurovski dhe Fadil Vokrri. Për vetë mënyrën e lojës, që u krijua, më takoi mua të luaj ndaj bashkatdhetarit tim Vokrri. Ai ishte një lojtar i shpejtë, i fortë fizikisht, kërcente shumë në ajër dhe e godiste mjaft mirë topin me kokë. Ai ishte një futbollist mjaft i vështirë për çdo mbrojtje kundërshtare. Si i tillë, ai ishte i vështirë edhe për ne.”
Fadil Vokrri kujton nga këto 2 ndeshje: “Në takimin e parë që e zhvilluam në Vlorë, ekipi i “Partizanit”, ka qenë shumë i dobët, ku humbëm 2:0. Në Kavajë i kam 30 familje kushëri, babai im komunikonte me ta nëpërmjet letrave dhe ekipi ynë më të arritur në Vlorë, një natë para ndeshjes, kanë qenë 2000 tifozë, që më prisnin. Për mua ishte diçka madhështore, me këtë rast dua të falënderoj trajnerin tim në atë kohë Fahredin Jusufin (ish-trajner i Partizanit), i cili më dha leje speciale që të dal dhe të përshëndetem me atë tifozëri që më prisnin. Tani kur po flas po më rrëqethet trupi dhe bashkë me ta kam bërë dikund 1000 fotografi, ndoshta dikush brenda nga klubi më ka përcjellë, mirëpo lejen ma dha Jusufi. Ndërsa sa i përket lojës ““Flamurtari”, me plotë meritë fitoi 2:0″, ndërkaq në ndeshjen e kthimit në Beograd, Fadil Vokrri, shënoi golin e dytë, si dhe në Vokrrin shkaktohet penalltia, “Partizani” udhëheq 2:0, ekipi ynë luan shumë mirë, e po ashtu edhe Fadil Vokrri, njëri ndër lojtarët më të mirë në terren, mirëpo në fund të takimit Sokol Kushta shënoi gol, pastaj portieri i “Flamurtarit”, Arapi, ka qenë në formë shumë të mirë, kështu që “Partizani”, u eliminua nga garat. Humbja e “Partizanit” ka qenë shumë e rëndë, u pasqyrua shumë keq, ku thuhej se si është e mundur që një ekip si “Flamurtari”, ta eliminojë ekipin e “Partizanit” të Beogradit, me famë të madhe, kështu që vërtet humbja në Beograd, u përjetua shumë rëndë. Kjo u pasqyrua menjëherë në lojën për Kupën e ish-Jugosllavisë, kundër “Iskres” (anëtar i Ligës së Dytë), ku humbëm, kështu që humbja ndaj “Flamurtarit”, na destabilizoi në tërësi”.
Vokrri ka luajtur 12 ndeshje me ekipin përfaqësues të Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë dhe ka shënuar 5 gola.
Fadil Vokrri luan për një periudhë kohe për NIM, Francë.
Në vitet 1990-1992 luajti për ekipin e futbollit Fenerbahçe të Turqisë dhe korri shumë suksese për këtë ekip.
Pas përfundimit të karrierës si futbollist, Fadil Vokrri u vendos me banim në Francë, ku u bë trajner i një ekipi futbolli të ligës së dytë.
Pas një kohe të suksesshme atje, Fadili u kthye në Kosovë dhe u bë president i Federatës së Futbollit Kosovar, FFK.
Vdiq në Prishtinë papritmas më 9 qershor 2018, pas një ataku kardiak.
Pas vdekjes së Vokrrit, stadiumi në vitin 2018 u riemërtua nga Stadiumi i Qytetit në Stadiumin “Fadil Vokrri”. Ndërsa, kujtojmë se sot shtatorja e legjendës së sportit shqiptar dhe ish-presidentit të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), do të përurohet në stadiumin “Fadil Vokrri”. / KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani është pritur në një takim nga ministri i Jashtëm i Japonisë, Toshimitsu Motegi, të cilit i ka shprehur mirënjohje dhe falënderim për mbështetjen që ky shtet i ka dhënë Kosovës, në vazhdimësi, përcjellë KultPlus.
Në këtë takim, Presidentja Osmani ka shprehur gatishmërinë e thellimit të raporteve me Japoninë, duke e konsideruar këtë shtet, partner strategjik të Kosovës.
“Republika e Kosovës është partneri më i besueshëm në Ballkan i Japonisë, ndaj presim nga ajo mbështetje të mëtejme për forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës, respektivisht marrjen e njohjeve të reja dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare”, ka theksuar Presidentja Osmani në takim me ministrin Motegi.
Sipas Presidentes Osmani, të dy shtetet mund ta rrisin bashkëpunimin, duke ftuar investitorët japonezë të investojnë në Kosovë. Ajo u shpreh se ka hapësirë të rritet bashkëpunimi edhe në fushën e arsimit, mbrojtjes, shëndetësisë, mjedisit etj., me ç’rast konfirmoi gatishmërinë e palës kosovare për angazhim të plotë në këtë drejtim.
Në vazhdën e takimeve me krerët shtetërorë të Japonisë, Presidentja Osmani pritet ta takojë edhe kryeministrin japonez Yoshihide Suga. / KultPlus.com
Rajoni i Kalabrisë në Itali planifikon të ofrojë deri në 28 mijë euro, për maksimumi 3 vjet, për njerëzit që dëshirojnë të zhvendosen në fshatrat e saj, me shpresën për të rigjallëruar jetën dhe për të shtuar popullsinë.
Për të përfituar këtë fond, banorët e rinj duhet të angazhohen për të nisur një biznes të vogël, ose duke pranuar oferta pune nga banorët vendas. Aplikantët duhet të jenë maksimumi deri në 40 vjeç dhe të gatshëm të zhvendosen në Kalabri brenda 90 ditëve nga konfirmimi i aplikimit të tyre.
Gianluca Gallo, një këshilltar rajonal, thotë për CNN se të ardhurat mujore mund të jenë në kufijtë e 800 deri në 1 mijë euro, për dy deri në tre vjet. Alternativa tjetër, mund të jetë një financim i vetëm për të mbështetur fillimin e një aktiviteti të ri tregtar, qoftë restorant, bar, fermë rurale ose dyqan.
“Ne duam që ky të jetë një eksperiment i përfshirjes sociale. Të tërheqim njerëz të jetojnë në rajon, të shijojnë mjediset, të shfrytëzojnë vende të papërdorura të qytetit. Turizmi i pasigurtë dhe shtëpitë me një euro nuk janë mënyrat më të mira për të rimodeluar jugun e Italisë”, -thotë Gianpietro Coppola, kryetari i bashkisë së Altomonte.
CNN shkruan se në fillim italianët mund të ndihen disi të humbur në Kalabri, pasi vendasit janë një komuniteti shqiptar i larguar në vitet 1400 dhe që flasin gjuhën arbëreshe.
Procesi i aplikimit pritet të nisë në internet në javët e ardhshme, ndërsa autoritetet kanë caktuar më shumë se 700,000 € për projektin.
Rajoni i Molise dhe qyteti Candela, në Puglia, kanë miratuar skema të ngjashme në vitet e kaluara. Një shtëpi për më pak se një filxhan kafeje, është “oferta” që është bërë nga fshatra e qyteza të ndryshme italiane gjatë viteve të fundit, por shpesh është parë si një problem fakti që autoritetet lokale kërkojnë depozita bankare apo kushte të tjera shtesë. / Express / KultPlus.com