Ramë Lahaj jetëson ëndrrën, e bën Kosovën me “Ramë Lahaj Opera Festival”

Tenori shqiptar, Ramë Lahaj, për herë të parë po zgjerohet më tej, për të sjell festivalin e parë Operistik në Kosovë. Festivali do të jetë i pari në Kosovë dhe do të titullohet ”Ramë Lahaj International Opera Festival”, përcjellë KultPlus.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Lahaj gjithashtu bëri të ditur se do të mbaj koncert në sheshin ‘Skënderbeu’ në Prishtinë në bashkëpunim me Filharmoninë e Kosovës.

Koncerti do të mbahet më datë 7 gusht të këtij viti.

“Një ëndërr e imja e kahmotëshme – krijimi i një ure lidhëse mes artistëve të mrekullueshëm vendor dhe atyre ndërkombëtar”, tha Lahaj.

KultPlus ju sjell njoftimin e tij të plotë:

Të dashur miq,

Jam tejet i lumtur të ju njoftoj se koncerti Rame Lahaj & Friends do të mbahet edhe këtë verë më datë 7 gusht 2021, në sheshin Skënderbeu në Prishtinë dhe në bashkëpunim të ngushtë me Filharmoninë e Kosovës.

E akoma më shumë më gëzon fakti që kjo iniciativë për herë të parë po zgjerohet më tej, për tu bërë festivali i parë Operistik në Kosovën e para dhe pas luftës, i quajtur Ramë Lahaj International Opera Festival.

Një ëndërr e imja e kahmotëshme – krijimi i një ure lidhëse mes artistëve të mrekullueshëm vendor dhe atyre ndërkombëtar.

Festivali RLIOF do të zgjasë përplotë 10 ditë (29 Korrik – 7 Gusht 2021), ku do të ketë punëtori mbi teknikat e këndimit dhe interpretimit operisitik. Festivali këtë vit do ketë disa koncerte, për të cilat do të njoftoheni gjatë ditëve në vijim.

Në punëtorinë 5 ditore të këtij viti për këngëtarët e rinjë e në karrierë do të kemi mjeshtrin italian Vito Maria Brunetti, i cili ka trajnuar artistët e mëdhenj të lirikës botërore.

Më të dalluarit e punëtorisë do të performojnë në Koncertin “New generation”, kurse studentët e dalluar të puntorisë do të përfitojnë bursa studimi brenda dhe jashtë vendit.

Të gjithë studentët e interesuar për punëtorinë ftohen të dërgojnë 2 audio/ video materiale jo më të vjetra se 1 vit ne email-in: [email protected]

Puntoria është e hapur për të gjithë ata që duan të dinë më shumë për artin operistik. Detajet rreth vendit dhe kohës së puntorisë, bashkë me infromatat mbi yjet pjesëmarrëse dhe mbrëmjet performuese të festivalit, do t’i bëjmë të ditur shumë shpejtë.

Paçit shëndetin. / KultPlus.com

Sot përurohet shtatorja e legjendës Fadil Vokrri

Shtatorja e legjendës së sportit shqiptar dhe ish-presidentit të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Fadil Vokrri, do të përurohet sot.

Vokrri, njeriu më meritor për pranimin e Kosovës në shtëpitë e futbollit botëror dhe evropian (FIFA dhe UEFA), vdiq tragjikisht në qershor të vitit 2018, vetëm dy vjet pasi e jetësoi ëndrrën e kosovarëve.

Shtatorja e tij u punua vitin e kaluar dhe ishte paraparë të përurohej në fund të tetorit të kaluar, në mandatin e ish-ministres Vlora Dumoshi.

Në përorimin e shtatores do të jenë të pranishëm Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi si dhe personalitete tjera të institucioneve dhe të sportit.

Vetëm ndërtimi i shtatores së Vokrrit kushtoi 49 mijë euro, e cila do të jetë 3 metra e lartë.

Fadil Vokrri ndërroi jetë në mënyrë tragjike më 9 qershor të vitit 2018, pas një sulmi në zemër. U nda nga jeta në moshën 57-vjeçare, sa ishte kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës.

Në fund të ceremonisë, FFK-ja në stadiumin “Fadil Vokrri”, ka organizuar një turne futbolli ku do të marrin pjesë futbollistët veteranë të Llapit, Prishtinës, të Kombëtares së Kosovës dhe Kombëtares së Shqipërisë. / KultPlus.com

27 thëniet më të bukura të Umberto Ecos

“Ne kemi një limit, një limit shumë shkurajues dhe poshtërues: vdekjen.”

“Tani kam arritur në përfundimin se e gjithë bota është një enigmë, një enigmë e padëmshme që bëhet e tmerrshme prej përpjekjes sonë të çmendur, për ta interpretuar sikur të ketë një të vërtetë që fshihet nën të.”

“Ti vdes, por pjesa më e madhe e atyre që ke akumuluar nuk humbet. Ti lë prapa një mesazh në shishe.”

“Të lexosh një libër të shtypur është një përvojë krejt tjetër: mund ta bësh në anije, në degë të një peme, në shtrat, edhe kur nuk ka fare drita.”

“Funksioni i kujtesës është që të ruajë, por edhe të hedhë tutje. Nëse do të mbanit mend gjithçka, nga e gjithë jeta juaj, do të ishit të sëmurë.”

“Kur njerëzit pushojnë së besuari në Zot, nuk është se ata tashmë nuk besojnë në asgjë: tani ata besojnë në gjithçka.”

“Njerëzit janë të lodhur nga gjërat e thjeshta. Ata duan të sfidohen.”

“Problemi me internetin është se ai të jep gjithçka, materiale të besueshëm dhe materiale të çmendur. Kështu që, problemi është, si të bësh dallimin?”

“Shteteve të Bashkuara iu desh një luftë civile, për t’u bashkuar ashtu si duhej.”

“Hero i vërtetë është gjithmonë gabimisht hero; ai ëndërron që të jetë burracaku i ndershëm, ashtu si gjithë të tjerët”

“Interneti është si një bibliotekë pa filtrim. E mira e bibliotekave, ashtu sikurse dhe e enciklopedive, nuk është vetëm që ruajnë kujtesën, por edhe që hedhin tutje ato gjëra që një kulture nuk i duhen.

Nëse nuk do të hidhnim poshtë asgjë, do të ishim si “Funes el memorioso”, tek një tregim i Jose Luig Borges. Ky personazh kujtonte gjithçka: ishte një njeri me kujtesë totale, i paaftë të arsyetonte, sepse ishte i paaftë të filtronte.

Interneti është si Funesi: përmban gjithçka, të vërtetën dhe të gënjeshtërtën, gjë që është një risk i madh, mbi të gjitha për të rinjtë.”

“Kur dikujt i duhet të ndërhyjë për të mbrojtur lirinë e shtypit, atëherë ajo shoqëri është e sëmurë.”

“Më mirë realiteti, se sa një ëndërr: kur një gjë është reale, atëherë ajo është e vërtetë dhe për këtë nuk është faji yt.”

“Unë e kam humbur lirinë e të mos paturit një opinion.”

“Nëse njerëzit i blejnë kot librat e mi, unë këtë e konsideroj një taksë mbi idiotësinë.”

“Mendoj se një libër duhet gjykuar dhjetë vjet më vonë, pasi e ke lexuar dhe rilexuar.”

“Druajuni profetëve dhe atyre që janë të përgatitur të vdesin për të vërtetën, sepse si rregull ata bëjnë shumë të tjerë që të vdesin me ta, shpesh herë para tyre, ndonjëherë edhe në vend të tyre.”

“Ka të pavërteta që prodhojnë rezultate pozitivë dhe të tjera që prodhojnë rezultate negativë. Mes këtyre të fundit janë Protokollët e Pleqësisë së Sionit, me të cilët jam marrë në librin tim të fundit.

Më ka tërhequr gjithmonë teksti fals që, për shkak se të tjerët e besojnë apo për shkak se shfrytëzohet politikisht, ndikon në histori. Falë Dhuratës së Konstantinit, të paktën deri në vitet Pesëqind, ideja që zotërimet e përkohshëm të Perëndimit i janë dhuruar Papës nga Perandori shkakton rezultatet e mëdhenj që i dimë”

“E dashuroj aromën e bojës së librave në mëngjes”

“Mungesa është për dashurinë, ashtu si era është për zjarrin: shuan flakët e vogla, por ndez të mëdhatë”

“Monstrat ekzistojnë sepse janë pjesë e një plani hyjnor, dhe tiparet e tmerrshme të atyre monstrave, zbulojnë fuqinë e krijuesit”

“Nuk e kuptoj dot për se duhen 80 milionë njerëz online, kur, ajo që ata bëjnë në fund, është që t’u flasin fantazmave në periferi.”

“Den Braun është një personazh nga “Lavjerrësi i Fukoit”. Unë e kam krijuar. Ai ndan me personazhet e mi magjepsjen për botën e komploteve të Masonëve, Jezuitëve. Rolin e Kalorësve Tempullarë. Sekretin hermetik. Parimin që gjithçka është e ndërlidhur. Madje dyshoj që Den Braun të ekzistojë vërtetë.”

“Asgjë nuk i jep një njeriu të frikësuar më shumë kurajë, se sa frika e një tjetri”

“Cfarë është dashuria? Nuk ka asgjë në botë, as njeri, as Djall, asgjë tjetër, që ta konsideroj aq të dyshimtë sa dashuria, sepse ajo penetron në shpirt më shumë se cdo gjë tjetër.

Nuk ekziston asgjë që ta mbushë dhe lidhë kaq shumë zemrën, sa dashuria. Kështu që, nëse nuk i keni ato armë që e nënshtrojnë atë, shpirti zhytet përmes dashurisë, në një humnerë të paanë”

“Unë besoj se, ajo që ne bëhemi, varet shumë nga ajo që etërit tanë na mësojnë, në momente të cuditshëm, atëherë kur nuk po përpiqen fare të na mësojnë dicka. Ne formohemi prej copëzave të vogla të urtësisë”. / KultPlus.com

‘E kur vdiq baba, u theva, s’qajta, s’bëzana, s’flejta, veç pashë tek më shkatërrohej andrra’

Poezi nga Fitim Majkovci

kur vdiq nana;
baba, u mshel
ditë për ditë
në cdo ditë zemër xehër
harroi të qante edhe drutë
po s’harroi të qante natën
se nanën s’kish,
jetën s’kish,
nuk kish kurën e sëmundjes t’tij
baba lëngonte nga lumturia
“sëmundje” që i rritej përditë pranë nanës
zemra e babës e vogël
s’duroi tan at’ lumtuni,
e nana iku.
baba u shua, si edhe lumtunia e tij,
bota e refuzoi, e rrahu, e leqiti
po jo edhe nana.
i kalova tan ato vjet,
tue pa babën mërzitun,
tu harru t’qeshmen e tij
harrova që kisht gojë,
se kur vdiq nana, baba s’bëzani ma
harroi vetën, harroi jetën, m’harroi mu,
bahçja u ba mal i pashkelun,
lulet me therra e shtëpia burg
se kur vdiq nana vdiq edhe shpresa.
i kalova tan ato vjet mërzitun
me mërzinë e babës, harrova vetën
botën e jetën, por jo babën,
thinjat ia kreha, këmishën ia drejtova
duhanin në llullë përditë ia lashë,
e dje, vdiq baba.
llullën e ngrehu për të fundit herë,
frymën e mori si ndër hundë,
edhe thirri nanën me za.
kur më vdiq nana, qajta,
u mërzita por jetova,
për babën, për bahçen, për kurajon
jeta vazhdoi, rrejshëm si lumtunia e babës
e kur vdiq baba, u theva,
s’qajta, s’bëzana, s’flejta,
veç pashë tek më shkatërrohej andrra
se kur më vdiq baba kuptova jetën?
që kurgja s’asht përgjithmonë,
as andrrat, as dashunia.
bota të refuzon, të rreh, të leqit
e prind’t nuk janë imun ndaj vdekjes.
e kur te dyt’ ikën,
i qajta drutë, por s’qava natën,
se kur më lanë dyt’
e kuptova jetën,
bota të refuzon, të rreh, të leqit
e prind’t nuk janë imun ndaj vdekjes. / KultPlus.com

Pikëllimë

Poezi nga Ali Podrimja

Unë nuk qaj
Shi bie kombi im
shkundet plepi i shtëpisë

Unë nuk këlthas
nën dritare voglushi im
coft ra korbi i Edgar Allan Pose

Unë nuk luaj vendit
Muret lëvizin sendet voglushi im
vjeshtë e keqe mori

Re e zezë shtëpinë tonë mbështoll.

(Sharr, 1981) / KultPlus.com

Zbulohen mure nga koha e Tempullit të Parë në Jerusalem

Arkeologët që po gërmonin në Parkun Nacional “Qyteti i Davidit” në Jerusalem kanë nxjerrë në dritë mbetjet e murit të qytetit, të moçme thuajse 3 mijë vjet.

Ky zbulim është bërë pak para ditës së nëntë të muajit hebre Av – kur hebrenjtë nga mbarë bota shënojnë shkatërrimin e Tempullit të Parë dhe të Dytë, sikundër edhe tragjeditë e tjera që kanë pllakosur popullin e tyre.

Arkeologu Filip Vukosavoviq ka thënë se gjetja e kësaj pjese të murit është kyçe sa i përket kuptimit të periudhës së Tempullit të Parë në Jerusalemin e Vjetër.

“Në vitet ‘60, arkeologia e famshme britanike Kathleen Canyon vetëm pak metra më në veri të këtij vendi zbuloi një zgjatim 30-metërsh të po të njëjtit mur. Pastaj ajo mëtoi që ky është muri i Jerusalemit gjatë asaj periudhe kohore”, ka thënë Vukosavoviq për CBN News.

Pastaj, sipas Vukosavoviqit, rreth një dekadë më vonë, arkeologu izraelit Yigal Shilo gjeti një tjetër seksion të murit më në jug, por një copëz e mozaikut ende mungonte.

“Për shumë vite ne jemi përpjekur të gjejmë seksione shtesë të këtij muri, por nuk ia dolëm dot. Aq shumë dështonim sa filluam ta vëmë në dyshim ekzistencën e këtij muri dhe të pretendonim se ai mund të ishte një tjetër mur”, ka shpjeguar ai.

Sipas tij, me këtë zbulim, Qyteti i Davidit del se kishte të paktën një mur masiv.

Gërmimet e kryera nga Autoriteti Izraelit i Antikiteteve (IAA) kanë sipërfaqësuar një seksion të murit të qytetit që duhet të ketë mbrojtur Jerusalemin për 150-200 vjet prej diku shekullit të tetë para erës sonë e derisa qyteti u pushtua prej babilonasve dhe tempulli u shkatërrua më 586 para erës sonë.

“Muri i qytetit mbrojti Jerusalemin nga një numër sulmesh gjatë sundimit të mbretërve të Judesë, deri në ardhjen e babilonasve që ia dolën të kalonin përmes tij e ta pushtonin qytetin”, kanë thënë Vukosavoviq, Joe Uziel dhe Ortal Chalaf, në emër të IAA-së.

Folegjenda: Mbetjet e murit gati 3 mijë vjet të vjetër në Parkun Nacional “Qyteti i Davidit”, sipas arkeologëve, janë esenciale sa i përket kuptimit të periudhës së Tempullit të Parë në Jerusalemin e Vjetër. / koha.net / KultPlus.com

Kurti flet para diasporës, thotë se këto katër muaj ndryshoi gjithçka në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pasditen e së enjtes takoi diasporën në “Parkun e Qytetit” në Prishtinë. Para tyre, kreu qeveritar tregoi të arriturat, që sipas tij janë bërë nga ekzekutivi në këta katër muaj.

Kurti u tha mërgimtarëve se këta muaj qeverisje është dëshmuar se është e mundshme të punohet ndryshe dhe më mirë në Kosovë.

“Gjatë këtyre katër muajve kemi dëshmuar që vërtet është e mundshme, ndryshe dhe shumë më mirë në Kosovë në çdo aspekt. Përderisa në fushën e luftimit të korrupsionit e të krimit pak a shumë të gjithë e keni përshtypjen, unë jam i lumtur edhe në aspektin ekonomik Kosova ka përparime. Psh doganat e Kosovës në pesë muajt e vitit përherë të parë e kanë kaluar nivelin prej 500 milionë eurove të hyra dhe kjo është 28 për qind më shumë se vitin e kaluar… Eksportet janë rritur për 66% qarkullim në ekonomi 15 % dhe presim që buxheti i Kosovës që është 2.5 miliardë të na mundësoj me qeverisjen tonë të mirë ta përmbyllim vitin me së paku 7.9% të bruto produktit vendor si rritje ekonomike për Kosovën”, tha ai.

Ai foli edhe për shitjen e bonove të diasporës, që filloi sot.

“Kemi filluar edhe me bonot e thesarit. Tashmë i kemi bonot e diasporës të veçanta ofertat në vlerë të gjithmbarshme prej rreth 1 milionë euro që nuk është keq për ditën e parë. Në javët qe vijnë do të përballemi me pandeminë Covid19, kësaj radhe me mjete të shtuara për shkak të vaksinave që i kemi sigluara, por gjithashtu edhe duke respektuar distancën fizike në mënyrë që çfarëdo varianti i ti të mos rrezikoj shëndetin publik. Por edhe krizat tjera ekonomike sociale që kanë qenë dhe vazhdojnë edhe kësaj dite do ta kenë një kabinet të ministrave që do të punojnë ditë e natë dhe që sigurisht qe do t’i ngadhënjej për hir të qytetarëve”

Kreu i ekzekutivit falënderoi mërgatën për ndihmën që ia kanë dhënë Kosovën në çdo epokë si dhe për pjesëmarrjen e tyre në zgjedhje.

“Në veçanti ju falënderoj për pjesëmarrjen demokratike në zgjedhjet që janë bërë në Kosovë dhe keni ndikuar për ndryshimet qe janë realizuar dhe do të realizohen por dhe që të mos ngelemi vetëm ata që dërgojnë mjete financiare por që ta kenë edhe zërin politik e publik. Nuk ju shohim vetëm si burim i të ardhurave për familjet tuaja dhe atdheun tonë por edhe si burim j dijes i shkathtësive i profesioneve meqenëse studentët, profesionistët e akademikët ndër më të mirët që i ka shteti ynë e kombi ynë janë po ashtu në mërgatën tonë”, tha ai. / Express / KultPlus.com

Për herë të parë, pas 97 vitesh zhvendoset busti i heroit, Çerçiz Topulli

“Që nga dita kur kam lerë, kurrë s’jam shitur, kurrë s’jam blerë!”
                                                                                                             Çerçiz Topulli

Për herë të parë, pas 97 vitesh i ekspozuar në qendër të sheshit që mban emrin e tij, busti i heroit Çerçiz Topulli, në Gjirokastër, është zhvendosur ditën e sotme.

Mësohet se zhvendosja nga qendra e qytetit do të jetë e përkohshme dhe ka ardhur si pasojë e punimeve që po kryhen për rehabilitimin e sheshit dhe ndërtimin e një parkimi nëntokësor.

Bashkë me shtatoren është hequr edhe bazamenti me vlera monumentale, në të cilin ishte vendosur punimi i mjeshtrit Odise Paskali, qysh prej vitit 1934.

Bëhet fjalë për disa pllaka mermeri, sjellë nga Italia, pikërisht në vitet ’30. Zhvendosja e bustit nxiti më herët, debatet mes palëve dhe shoqërisë civile.

Shtatorja e heroit do të rikthehet sërish, në përfundim të punimeve. Monumenti, pa të cilin nuk mund të kuptohet sot, qyteti i gurtë, u ngrit me kontributin e vetë gjirokastritëve. / Konica.al / KultPlus.com

Grupi arbëresh, ‘Shega’ së shpejti publikon albumin e parë

Grupi muzikor arbëresh “Shega” do të publikojë albumin e parë me këngë më 6 gusht, përcjellë KultPlus.

Ishte vetë grupi që bëri të ditur dhe datën e publikimit.

Pjesë e këtij albumi pritet të jenë këngët “Drita”, “Lumturi” dhe “Arianne”, të cilat janë regjistruar gjatë muajit qershor në studio muzikore.

Pesë të rinjtë arbëreshë nga ngulimi “Hora e Arbëreshëvet” janë bërë bashkë në sajë të pasionit për muzikën dhe për gjuhën e mëmës, të ruajtur prej gjashtë shekujsh. / KultPlus.com

Roli i Dhimitër Shuteriqi për njohjen e figurës së Skënderbeut

Dhimitër Shuteriqi është një nga prozatorët, poetët dhe studiuesit më produktiv të letërsisë shqipe. U nda nga jeta 18 vite më parë , më 22 korrik të vitit 2003.

Ai konsiderohet si një ndër themeluesit e Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë (tetor 1945), kryetar i saj në vitet 1954–1973. Pati një veprimtari tepër të gjerë e aktive si shkrimtar, profesor dhe studiues i letërsisë.
Fusha kryesore e punës së Shuteriqit si shkencëtar ka qenë historia e letërsisë, tradita e hershme e shkrimit të shqipes, folklori dhe studimet mbi disa figura historike. Kërkimi në këto fusha është kurorëzuar me botimin e një korpusi veprash e studimesh që hedhin dritë jo vetëm në fillimet e shkrimit shqip (“Shkrimet shqipe”, 1965, 1976, dhe “Tekstet shqipe dhe shkrimi i shqipes në vitet 879–1800, 2005), por dhe në rrënjët e traditave letrare-kulturore, në procese e figura të shquara të letërsisë së humanizmit, të Mesjetës dhe të Rilindjes Shqiptare, duke vënë në qarkullim tekste të panjohura dhe ide të reja shkencore. Një rol të madh, vepra e Shuteriqit pati për njohjen e figurës së Skënderbeut, si dhe të autorëve të ndryshëm arbëreshë. / diasporashqiptare.al / KultPlus.com

Kolegji Universum ofron diplomë të dyfishtë në bashkëpunim me universitetet prestigjoze nga Gjermania, Anglia dhe Finlanda

I cilësuar si institucioni më inovativ në vend, i rankuar në top 3% të shkollave më të mira në botë nga Agjencioni prestigjoz EdUniversalKolegji Universum edhe këtë vit mbetet zgjedhja e parë e maturantëve për studime. 

A dëshironi të studioni Infermieri, Fizioterapi, Siguri Kibernetike, Gjuhë Gjermane apo Estetike dhe Higjene Dentare? Atëherë, Kolegji Universum është vendi ku ju duhet të drejtoheni. Shikoni listen e plote te programeve https://www.universum-ks.org/sq/programet-e-studimit/.

Këtë vit Kolegji Universum ka shtuar dhe numrin e bashkëpunimeve me Universitetet Evropiane duke e ngritur në 395 numrin e BURSAVE Ndërkombëtare që do të ofrohen për këtë vit për studentë për shkëmbim në 26 shtete të BE-së.

Regjistrimet po vazhdojnë, Eksploro Evropën gjatë studime, studio një semester në Evropë me të gjitha shpenzimet e mbuluara. Apliko këtu https://www.universum-ks.org/sq/apliko.

462 studentë të Kolegjit Universum deri tani kanë përfituar shkëmbim semestral në 26 shtete të BE-së. Kliko këtu, shiko fotot e studentëve përfitues të bursave.

Poashtu të gjithë maturantët kanë mundësi të aplikojnë të bëhen pjesë e garës për bursa studimi dhe punësim të garantuar nga Kolegji Universum dhe Viva Fresh. APLIKO në këtë link: shorturl.at/dixOV.

Sipas Studimeve Duale – koncepti Gjerman i financimit te studimeve nga bizneset, studentët do të përfitojnë: 1. Financim 100% i studimeve për tri vite të studimit;2.Punë Praktike nga viti i parë, 20 orë në javë;3.Punësim i Garantuar pas diplomimit.

Fito BURSË për 3 vite studimi dhe fillo karrierën në VIVA FRESH!

Merr diplomë të dyfishtë Gjermane, Angleze apo Finlandeze nga Kolegji Universum dhe Universitetet Partnere. APLIKO tani https://www.universum-ks.org/sq/apliko/.

Kontakto [email protected], 044 144 062 apo na ndiqni në rrjete sociale në facebook & instagram.

(Shkrim i sponsorisuar nga Kolegji Universum).

Të vdekurit

Poezi nga Billy Collins (2001)

thonë se të vdekurit na vështrojnë përherë nga lart,
ndërsa mbathim këpucët ose lyejmë një copë bukë me gjalpë,
na vështrojnë nga fundet e qelqta të anijeve qiellore
tek u mëshojnë rremave me ngadalësi nëpër amshim.

na i vështrojnë tepet e kokave që lëvizin poshtë në tokë
dhe kur shtrihemi në ndonjë livadh ose divan,
mbase të dehur nga shushurima e një pasditeje të ngrohtë,
ata kujtojnë se ua drejtojmë shikimin,

gjë që i shtyn t’i pushojnë rremat dhe të heshtin
e të presin, sikur prindër, derisa t’i mbyllim sytë.

Përktheu: Plator Gashi / KultPlus.com

Photo by: JILL TOYOSHIBA/CHICAGO TRIBUNE (November 23)

Vincent van Gogh, piktori gjenial hollandez

Niçe, tha një herë: “Në dashuri ka gjithmonë një grimcë çmendurie, siç ka gjithmonë një grimcë logjike në çmenduri”.

S’do mend që kishte të drejtë, pasi gjithnjë hasim vështirësi në identifikimin e caqeve në aspekte të shumta të jetës njerëzore. Ku mbaron gjenialiteti dhe çmenduria? A na shtyn dashuria në çmenduri? Pse shumica e artistëve të mëdhenj ishin të pajisur me atë çuditshmëri, që shpesh rezultonte në sëmundje mendore? Le të sjellim ndërmend skizofreninë e Edvard Munch, autori i “Ulërima”, apo krizat paranojake të gjeniut Dali, të dy personalitete të shquara që gjetën në art shprehjen perfekte për demonët dhe mrekullitë e mendjeve të tyre të privilegjuara, por njëherazi të vuajtura. Fare pak artistë e kanë gjetur vërtet lumturinë në artin e tyre, aq më pak në kanavacën e rrugëtimit të jetës. Shembulli i Vinsent Van Gogut është absolutisht më i rëndësishmi.

Piktori modest, i cili nuk arriti kurrë famë në të gjallë, vuante nga sëmundje të ndryshme: epilepsi, sindroma Menier dhe psikoza maniako-depresive. Pati një jetë të shënuar nga dhimbja dhe vetmia, ku e vetmja dashuri e vërtetë ishte ajo e të vëllait, Teos. Një jetë e shkurtër dhe e trazuar, kryevepra që të lënë pa frymë nga bukuria dhe forca e shprehjes, të tilla janë të dhënat e mitit Van Gog. Njeri me temperament mistik, i përnjëhershëm në lartësim, si fetar, ashtu edhe estetik. Si piktura, edhe feja shfaqet në zemër të ekzistencës së Van Gogut, një ekzistencë shënuar nga ndjeshmëria dhe dhembshuria karshi të përulurve. Nisur nga ky këndvështrim, piktura e Van Gogut fiton lehtësisht një karakter shoqëror, dëshmues dhe empatik.

Vinsent Van Gogu lindi në Zundert, Hollandë, më 30 mars 1853 dhe vdiq në Auvers-sur-Oise më 29 korrik 1890. Një nga piktorët më të famshëm të të gjitha kohërave, me gati nëntëqind piktura, më shumë se njëmijë vizatime dhe skicat e panumërta të cilat mbanin firmën e tij. Gjithsesi, nuk ishin numrat që e bënin të madh, por ndjeshmëria e tij karakteristike. Lulediellit emblematike, veshi i prerë legjendar, prapëseprapë ai nuk u njoh në të gjallë dhe konsiderohej si dështak. Imagjinoni një botë pa “Lulediellit”, apo “Nata me yje”?

Botë gati inekzistente.

Fillimisht, Van Gogu ishte i destinuar për priftërinë dhe punoi si predikues laik në rajonin e Borinage të Belgjikës. Kur u pushua nga puna, vendosi që e ardhmja e tij do të lidhej me pikturën. Van Gogu filloi të pikturonte veçse në moshën 27-vjeçare dhe nuk ndoqi asnjë seancë mësimore. Gjeniu kishte aftësinë të hidhte në telajo ndjenjat që përjetonte, duke përzier ngjyrat me penelatat e fuqishme. Jeta e tij karakterizohej nga vetmia dhe dhimbja, çrregullimet mendore dhe izolimi, çka i konsumonin mundësinë e një jete të lumtur. Mirëpo, fuqia piktoreske është edhe falë këtyre mundimeve, që e shoqëruan përgjatë tridhjetë e shtatë viteve të jetës së tij të shkurtër. “Kur vështroj yjet gjithmonë më fut në ëndërrime […] a nuk mund ta marrim vdekjen për të shkuar te një yll?”.

Letrat që Van Gogu i shkroi Teos (të mbledhura në librin “Letra për Teon”) janë një dëshmi e gjallë e ndjeshmërisë së pabesueshme të piktorit. Marrëdhënia me të vëllanë ishte mbase më autentikja e jetës së tij. “Kështu kalon jeta, koha nuk kthehet. Por unë jam i paepur në punën time […]. Sidomos në rastin tim, ku një krizë më e fortë mund të më shkatërrojë aftësinë për të pikturuar njëherë e përgjithmonë. Gjatë krizës, ndjehem frikacak me ankth dhe vuajtje – më frikacak se sa do të kishte kuptim të ndjeja”. Dhimbja dhe mundimi që gllabëroi piktorin del qartë në letra: “Do të doja të të shkruaja shumë gjëra, por e ndiej të padobishme”. Për rrjedhojë, ndjenjat u rikrijuan me penel. Piktura më e famshme është “Fusha e grurit me fluturimin e sorrave”, 1890, ku e verdha e shndritshme dhe e gjallë e grurit takohet me qiellin e zymtë të mbushur me sorra të zeza kërcënuese. Kanavacë që paralajmëronte fundin e artistit, që pikturoi me lot zemre. Burimet e frymëzimit të Van Gogut janë të larmishme, ato përfshijnë pikturën e zhanrit holandez dhe piktura realiste nga Millet apo bashkëkohësit, por u influencua shumë edhe nga gdhendjet e drurit japonez. Madje, bëri edhe kopje, duke ruajtur stilin shumë ekspresiv dhe idiosinkratik, të gdhendjeve nga Hiroshige, Kesai Eisen etj.

Edhe pse punoi vetëm 10 vjet, nga 27-37 vjeç, Van Gogu qe jashtëzakonisht i frytshëm, duke prodhuar mbi 900 piktura dhe shumë vizatime dhe skica, të cilat barazohen me një vepër të re çdo 36 orë. Përveç krijimit të qindra pikturave, shkroi thuajse po aq letra dhe kartolina, të cilat përfshinin skicat e para të disa prej kryeveprave më të famshme.

Gjeniu kishte marrëdhënie të ngushta me piktorin Paul Gauguin. Madje, Van Gogu, Gauguin dhe Emile Bernard planifikuan të formonin një komunitet të ngushtë artistësh në jug të Francës, ku synonin të jetonin dhe të pikturonin së bashku. Me nxitjen e Van Gogut, tre artistët shkëmbyen autoportrete. Kur pikturoi të famshmen “Nata me yje”, nuk mendoi aspak për të. Në fakt, e konsideronte veten dështak, kurse shumë prej pikturave si dështime, aq sa thashethemet thonë se shiti vetëm një pikturë gjatë jetës. Sikur të ktheheshim në kohë dhe t’i tregonim se sa i famshëm do të ishte mbi 150-vjet më vonë!

Van Gogu preu veshin në 1888, por a e dini pse? Rrethanat nuk dihen saktë, por mjaft ekspertë besojnë se ngjarja ndodhi pas një debati të ashpër me kolegun, piktorin Paul Gauguin në Shtëpinë e verdhë në Arles.

Van Gogu vuante nga çrregullimet mendore, aq sa në prill 1889, shkoi vullnetarisht në spitalin psikiatrik Saint-Paul-de-Mausole, në Saint-Remy, ku qëndroi për një vit. Disa prej pikturave më të njohura i pikturoi nga dritarja e spitalit, përfshi “Nata me yje”. Pasi la azilin, u vendos në Auvers, një fshat afër Parisit, për të qenë pranë të vëllait, Teos. Mirëpo, shëndeti mendor vazhdoi të përkeqësohej dhe, më 29 korrik 1890, ai u vetëvra. Vdiq dy ditë më vonë, duke i drejtuar të vëllait fjalët: “mjerimi nuk do të mbarojë kurrë”./ Konica.al / KultPlus.com

Dwayne Johnson konfirmon se nuk do të jetë më pjesë e filmave “Fast & Furious”

Dwayne Johnson ka konfirmuar se nuk do të jetë më pjesë e filmave “Fast & Furious”.

Për filmat e ardhshëm, aktori ka thënë se u uron vetëm fat, shkruan NME.

“U uroj fat në Fast 9. Ju uroj shumë fat në Fast 10 dhe 11 dhe të gjithë ‘Fast & Furious’ e tjerë që të t’i bëjnë pa mua”, ka thënë ai.

Johnson ka komentuar pas mosmarrëveshjeve me yllin e filmit, Vin Diesel, i cili është pjesë e të gjitha episodeve të “Fast & Furious”. / KultPlus.com

‘The Van’ i Erenik Beqirit fiton çmimin ‘Rai Cinema Channel’ në Cinelido

Regjisori shqiptar Erenik Beqiri me dramën ‘The Van’ ka fituar çmimin ‘Rai Cinema Channel’ në Cinelido (Festival i Filmit në Itali), përcjellë KultPlus.

‘’Një skenë e papërpunuar dhe e drejtpërdrejtë, një shfaqje reale dhe bindëse nga interpretimi i shkëlqyeshëm i protagonistit që kërkon të fitojë një të ardhme tjetër, larg dhunës dhe varfërisë me një kosto. Një dramë njerëzore që godet shikuesin dhe e shtyn atë të vërë në dyshim vlerën e paçmuar të së ardhmes’’, thuhet në njoftimin e bërë nga kompania e prodhimit ‘Rai Cinema’.

Filmi i metrazhit të shkurtër “The Van” me regji të Erenik Beqirit dhe me kooproduksion mes Shqipërisë dhe Francës, ka qenë edhe në shumë festivale prestigjioze të filmit, ku ka marrë edhe çmime të shumta.

Me role kryesore në këtë film janë aktorët: Phenix Brossard, Arben Bajraktaraj dhe Afrim Mucaj. / KultPlus.com

Rreth 150 bashkatdhetarë vizituan Kuvendin

Aktiviteti “Kuvendi hap dyert për bashkatdhetarët”, në ditën e dytë të tij, ka sjell në Kuvend rreth 150 bashkatdhetarë nga shtete të ndryshme të botës. 

Gjatë qëndrimit në hapësirat e institucionit, bashkatdhetarët janë pritur nga deputetë dhe zyrtarë të administratës, duke u njohur nga afër me punën dhe mënyrën e funksionimit të Kuvendit.

Aktiviteti vazhdon edhe të premten, nga ora 10:00 – 16:30. / Express / KultPlus.com

Hapet zyrtarisht edicioni i tretë i Festivalit të Filmit Evropian në Kosovë

Në Shtëpinë e Evropës në Prishtinë, në praninë e famëdashësve është hapur zyrtarisht edicioni i 3-të i Festivalit të Filmit Evropian në Kosovë, përcjellë KultPlus.

E veçanta e edicionit të sivjetmë është gara e filmit të shkurtër, me ç’rast autorët filmik kosovarë do të garojnë për tri çmime kryesore. Përgjatë dy javëve sa do të zgjasë festivali, do të shfaqen online dhe në Shtëpinë e Evropës në Prishtinë, Mitrovicë të Veriut, si dhe në kinemanë e hapur në Gjakovë, 5 filma ndërkombëtarë dhe 10 filma të garuesve vendorë.

Ky festival mbështetet nga Zyra e BE-së në Kosovë dhe nga CineEuropa. / KultPlus.com

Muzeu i Madridit me koleksion për të pasqyruar larminë e shekullit të 19-të

Duke kërkuar të japin frymë të re në muzeun Prado të Madridit, pas muajve të gjatë të pandemisë, kuratorët kanë rregulluar koleksionin për të shfaqur më shumë vepra nga artiste gra dhe për të pasqyruar më mirë larminë e shekullit të 19-të.

Pas blerjeve të fundit të pikturave dhe miniaturave, muzeu tani mburret me vepra nga 13 piktore gra nga një total prej 130 artistësh, transmeton KultPlus.

Miniaturat, shpesh portrete familjare intime, shfaqin aftësi të mëdha teknike, por që janë krijuar në punëtori të vogla, nga artiste të cilave u mungonin studiot e mëdha në shekullin e 19-të.

Tani ka shtatë dhoma me punime nga gra të tilla si Marcela de Valencia dhe Maria Blanchard, tha për Reuters kreu i muzeut për ruajtjen e pikturës së shekullit të 19-të, Javier Baron.

Leticia Ascuebrea thotë se secila vepër duhej të fitonte vendin e saj.

“Muzeu është shumë rigoroz, nëse ka një grua atje, ajo është atje sepse e meriton atë,” tha ajo.

Tetorin e kaluar, muzeu tërhoqi një kanavacë të shekullit të 19-të nga një ekspozitë e përkohshme e artisteve gra pasi u zbulua se ishte pikturuar në të vërtetë nga një burrë.

Muzeu Prado bleu vepra të reja me ndihmën e një trashëgimie nga Carmen Sanchez Garcia, e cila la shumë nga pasuritë e saj për blerjen dhe restaurimin e pikturave pas vdekjes së saj në vitin 2016.

Muzeu ka hapur një dhomë të portreteve dhe autoportreteve të piktorëve në mënyrë që vizitorët t’i njohin ato më mirë.

Prado gjithashtu ka filluar të ekspozojë punën e mjeshtrave të mëdhenj si Francisco Goya së bashku me kolegët e tij, për të nxjerrë në pah origjinalitetin e tyre dhe për të treguar lidhje me artin e kohës së tyre, tha Baron. / KultPlus.com

Foto: Carlo Allegri

Oriana Fallaci: Të jesh femër, do të duhet të luftosh

Të jesh femër është kaq magjepsëse. Është një aventurë që kërkon guxim të tillë që të ndërmarrësh një sfidë që nuk është kurrë e mërzitshme. Do të keni shumë gjëra për të bërë nëse lindni grua.

Si fillim, do të duhet të luftoni për të argumentuar se, nëse Zoti ekziston, ai mund të jetë gjithashtu një grua e moshuar me flokë të bardha ose një vajzë e bukur.

Atëherë do t’ju duhet të luftoni për të shpjeguar, se mëkati nuk lindi ditën që Eva kafshoi mollën: atë ditë lindi një virtyt i shkëlqyeshëm i quajtur mosbindje.

Më në fund, do t’ju duhet të luftoni për të provuar se brenda trupit tuaj të lëmuar dhe të rrumbullakët ekziston një zë që kërkon të dëgjohet./ KultPlus.com

Filmi “Zgjoi” merr Yllin e Artë në “Cinedays” të Maqedonisë

Filmi artistik i metrazhit të gjatë “Zgjoi” me skenar dhe regji të Blerta Bashollit ka marr edhe një çmim në Shkup të Maqedonisë, shkruan KultPlus.

Filmi është shpallë si filmi më i mirë në “Cinedays” të Shkupit të Maqedonisë, ku edhe është shpërblyer me Yllin e Artë.

“Zgjoi” po konsiderohet si filmi më i suksesshëm i Kosovës, duke marr tre çmime përnjëherë në festivalin prestigjioz Sundance Film Festival, për tu vlerësuar shumë lart edhe nga kritika.

Filmi flet për jetën dhe sfidat e Fahrije Hotit, rol që vjen nga Yllka Gashi./ KultPlus.com

Photo by Alexander Bloom / ‘Courtesy of Sundance Institute.’

Dhjetë vite nga vdekja e Amy Winehouse, lista me 20 këngët më të mira të saj

Foto: Rob Verhost

Këtë javë mbushen 10 vite nga vdekja e këngëtares së njohur, Amy Winehouse.

Në 10 vjetorin e vdekjes së saj, rizbuloni këngët më të mira të diskografisë së Winehouse, ku thyerja e zemrës dhe zemërimi përzihen me zgjuarsinë dhe gëzimin. 20 këngët më të mira të Amy Winehouse:

20. Addicted (2006) 19. Our Day Will Come (2011) 18. Help Yourself (2003) 17. I Heard Love Is Blind (2003) 16. Wake Up Alone (2006) 15. Round Midnight (2003) 14. Stronger Than Me (2003) 13. Just Friends (2006) 12. Fuck Me Pumps (2003) 11. Body and Soul (2011) 10. Me and Mr Jones (2006) 9. In My Bed (2003) 8. Between the Cheats (2011) 7. Valerie (2007) 6. What Is It About Men? (2003) 5. Tears Dry On Their Own (2006) 4. Rehab (2006) 3. You Know I’m No Good (2006) 2. Back to Black (2006) 1. Love Is a Losing Game (2006)./KultPlus.com

@Rob Verhost

Kitaristi Eric Clapton refuzon të luajë ne vendet ku kërkohet prova e vaksinimit


Foto: Getty Images

Kitaristi Eric Clapton ka deklaruar se nuk do të performojë në asnjë vend, ku u kërkohet pjesëmarrësve të tregojnë provat e vaksinimit kundër Covid-19.

Në një përgjigje pas njoftimit të qeverisë se do të kërkohen pasaportat e vaksinimit për të hyrë në klubet e natës dhe vendet e tjera deri në fund të shtatorit, muzikanti ka lëshuar një deklaratë duke thënë se ai nuk do të luajë në “asnjë skenë ku diskriminohet audienca”, transmeton KutlPlus.

“Në qoftë se nuk do t’u lejohet të gjithëve të marrin pjesë, unë rezervoj të drejtën për të anuluar shfaqjen.” Clapton e ndau deklaratën përmes llogarisë në Telegram të arkitektit italian dhe skeptikut, Covid Robin Monotti. Në maj, Clapton ndau përvojat e tij negative pasi mori vaksinën AstraZeneca përmes llogarisë së Monotti në Telegram, duke pretenduar se kishte përjetuar reagime “të ashpra” që e bënë atë ta pyeste veten se a do të ishte në gjendje të luante përsëri kitarë./KultPlus.com

@Getty Images

Nesër do të përurohet shtatorja e Fadil Vokrrit

Të premten, në ora 18:00, në stadiumin “Fadil Vokrri”, në Prishtinë, do të organizohet ceremonia zyrtare e përurimit të shtatores së Fadil Vokrrit, shkruan KultPlus.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve nëpërmjet një komunikate ka njoftuar se ceremonia e përurimit të shtatores organizohet në ditëlindjen e 61-të të Legjendës së futbollit të Kosovës.

I pranishëm pritet të jetë Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi si dhe personalitete tjera të institucioneve dhe të sportit.

Në fund të kësaj ceremonie, FFK-ja në stadiumin “Fadil Vokrri”, ka organizuar një turne futbolli ku do të marrin pjesë futbollistët veteranë të Llapit, Prishtinës, të Kombëtares së Kosovës dhe Kombëtares së Shqipërisë./ KultPlus.com

Pamje: Miu futet në kuvend, deputeti hip me gjunjë në karrige nga frika (VIDEO)

Pamje qesharake vijnë nga kuvendi rajonal i Andaluzisë në Spanjë. Ka mjaftuar lëvizja e një miu në sallë që deputetë e deputete të fillojnë të ngrihen e të ikin të tmerruar.

Në momentin kur merret vesh se në sallë po lëviz një mi, udhëheqësja e seancës në mënyrë instinktive e mbyll gojën me dorë, ndonëse kishte maskë në fytyrë.

Pak sekonda më pas, një deputete shihet duke ikur me vrap, ndërsa një deputet i vendos dy gjunjët në ulëse për të mos prekur në dysheme nga frika, transmeton Gazeta Express.

Sidoqoftë, duket se një deputete nuk kishte frikë nga brejtësi, sepse ajo nuk u ngrit nga karrigia dhe dukej se po habitej me panikun e kolegëve.