Ali Podrimja u zhduk pas Festivalit të Poezisë në Francë dhe u gjet i vdekur

Ali Podrimja ishte nga Gjakova, dhe pati një fëmijëri mjaft të vështirë. Podrimja është autor i më shumë se dhjetë vëllimeve me poezi dhe mbahet sot nga kritika si përfaqësuesi më tipik i poezisë së sotme shqiptare dhe si një poet me emër dhe në shkallë ndërkombëtare. Ali Podrimja u zhduk pas Festivalit të Poezisë në Francë, dhe më pas u gjet i vdekur.

Në vijim mund të lexoni gjashtë fakte mbi jetën e poetit tonë të njohur:

1. Publikimin e parë e bëri në vitin 1957 në revistën letrare Jeta e Re kur ishte në gjimnaz, gjë që e intrigoi përkrahësin e talenteve të reja,Esad Mekulin,të merrej me të dhe të ndihmonte formimin e tij si poet.

2. Rrethanat e vështira politike gjatë viteve ´60 dhe ato familjare më pas, kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në poezitë e tij. Vdekja e të birit, Lumit, rezultoi me veprën më të bukur të tij gjer më sot, Lum Lumi.

3. Ali Podrimja ishte Anëtar i Qendrës Europiane të Artit (EUARCE) të Greqisë.

4. Më 18 korrik 2012, Ali Podrimja ishte zhdukur pas një festivali të poezisë në Francë. Pas kërkimeve të pareshtura të autoriteteve franceze, më 21 korrik 2012, u gjet trupi i pa jetë i shkrimtarit. Ai vdiq në rrethana të pasqaruara.

5. Poezia e tij ka bërë që poezia shqiptare në tërësi të respektohet në të gjithë trojet shqiptare, si dhe të përkthehet në shumë gjuhë të huaja. Vargu i Podrimjës karakterizohet nga thjeshtësia, rima e padukshme, dhe simbolet e papritura.

6. Ndër veprat më të njohura të tij janë : “Thirrje” 1961 , “Dhimbë e bukur” 1967 , “Sampo” 1969 , “Torzo” 1971 , “Folja” 1973 , “Credo” 1976 , “Sampo 2” 1980 , “Drejtpeshimi” 1981 , “Lum Lumi” 1982 ,”Fundi i Gëzuar” 1988 , “Zari” 1990 , “Në bisht të sorrës” 1994 , “Buzëqeshje në kafaz” 1995 , “Ishulli Albania” , “Pikë e zezë në blu” 2005. /KultPlus.com

Tingëllima e parë shqiptare dhe autori arbëresh Nikollë Keta

Autori i tingëllimës (sonetit) së parë shqiptare është Nikollë Keta.

Ai ishte një ndër studentët e parë e, njëkohësisht, më të shquar të seminarit grek në Palermo. Keta ka lindur në Kundisa (ital. Contessa Entellina), ngulimi më i vjetër shqiptar në Sicili, i themeluar midis viteve 1450 dhe 1467. Në seminar pati mësues Gjergj Guxetën dhe dijetarin Paolo Maria Parrino (1710-1765).

Më 1777 Keta u bë vetë rektor i atij seminari. Si poet ka shkruar vargje fetare dhe laike në gjuhën shqipe dhe në greqisht.

Ai ka meritën të jetë autori i tingëllimës së parë shqiptare (1777):

“Farie së ndeerme në Kuntisë u bii
Kolë Ketta, vllastar i t’arbrit dhee,
Shkoi në Palermë praa tek e Arbrit shpii,
Ç’e reshti, si zogu rep në folee.

E veshi e e ngjeshi me zakon, me urtësii,
Për në vapët e përtriijti ndënë hjee,
Si të veshkurin rremp stolis një dhrii,
E nani prift klisha kurorë e vee.

Si zok i sbjerrë praa t’di krahët çoi
Në Palermë e n’Kuntisë, po ktei e atei
Ndeern’e Arbreshet të gjithë gramët kërkoi.
Si krymp mundafshi gjith e svis vetëhei

E ktë vistaar tuar, kjëndisi e shkroi,
Se të kjosëj gjithë Arbrin ndjeer përtei.”

*

(Nga fis i ndershëm lindi në Kundesa
Kolë Keta, pinjoll i dheut të Arbërisë
Shkoi në Palermo pra te shtëpia e Arbrit
Që e priti si zog të njomë në fole.

E veshi e e ngjeshi me zakon, me urtësi,
Dhe në vapë e përtëriti nën hije,
Ashtu si rrembin e vyshkur stolis një dhri,
Dhe tani është prift, në kishë vë kurora.

Si zog i zbjerrë të dy krahët i çoi,
Në Palermo e në Kundisa, këndej e andej,
Në shkrimet e tij nderin e arbëreshëve kërkoi.
Si krimb mëndafshi u shua prej vetiu,

Dhe këtë visar tori, qëndisi e shkroi
Që të qoste gjithë Arbërinë gjer përtej.) / KultPlus.com

Coldaplay së shpejti me album të ri

Pas një pauze dy vjeçare, grupi i famshëm ”Coldplay” rikthehen edhe me një album.

Mediet ndërkombëtare kanë bërë të ditur se albumi mban titullin ”Music of the Spheres” dhe pritet të lansohet më 5 tetor të këtij viti.

Ndërkaq albumi do të përmbajë gjithsej 12-të këngë, transmeton KultPlus.

”Music of the Spheres” është albumi i shtatë me radhë i grupit, dhe vjen pas albumit ”Everyday life” i cili u publikua në vitin 2019 duke poseduar tashmë një sukses të madh. / KultPlus.com

Zbulime të reja nga qyteti i fundosur antik në Egjipt

Zhytësit kanë zbuluar mbetje të rralla të një anije ushtarake në qytetin antik të fundosur “Thonis-Heracleion”, dikur porti më i madh i Egjiptit në Mesdhe – dhe një kompleks që ilustron praninë e tregtarëve grekë.

Qyteti, i cili kontrollonte hyrjen në Egjipt në grykën e një dege perëndimore të Nilit, dominoi zonën për shekuj me radhë përpara themelimit të Aleksandrisë, shkruan CNN, përcjell KultPlus.

I shkatërruar dhe i fundosur së bashku me një zonë të gjerë nga disa tërmete, “Thonis-Heracleion” u rizbulua më 2001 në gjirin Abu Qir pranë Aleksandrisë, tani qyteti i dytë më i madh i Egjiptit.

Studimet tregojnë një trup të anijes me fund 25-metra, me lopata dhe velë të madhe, që i ngjason ndërtimeve të lashta egjiptiane. / KultPlus.com

82 vjeçarja, personi më i vjetër që ka udhëtuar për në hapësirë

Wally Funk, është bërë personi parë më e vjetra në histori që ka udhëtuar për në hapësirë.

82 vjeçarja, së bashku me Jeff Bezos, vëllain e tij Mark Bezos dhe një student 18 vjeçarë udhëtuan për në hapësirë, transmeton KultPlus.

Ajo është trajnuar si një astronaute në vitet e 60-ta, por të udhëtonte për në hapësirë ishte “e pamundur” pasi sishte femër, gjë që shkaktonte polemika të shumta kohë më parë.

Udhëtimi i sotëm ndodh tetë ditë pasi miliarderi britanik, Richard Branson kreu gjithashtu një fluturim të shkurtër në hapësirë.

Mirëpo, ndryshe nga raketa e Branson që drejtohej nga dy pilotë, “New Shepard” është krejt e automatizuar dhe përpara këtij fluturimi kishte kryer 15 prova pa ekuipazh apo prezencë njerëzish në bord. / KultPlus.com

‘Pa Vend’ nuk kthehet pa çmim nga Kana, vlerësohet si kandidat për Çmimin e Akademisë Europiane të Filmit

Edhe pse nuk u bë publike gjatë ceremonisë së shpërndarjes së çmimeve, jurija ndërkombëtare e Cinéfondation dhe e filmave të shkurtër e ka përzgjedhur filmin ‘Pa Vend’ si kandidat i Festivalit të Kanës për Çmimin e Akademisë Europiane të Filmit.

Jurija e përbërë nga Sameh Alaa (Egjipt), Kaouter Ben Hania (Tunisi), Carlos Muguiro (Spain), Tuva Novotny (Suedi), Nicolas Pariser (Francë) dhe Alice Winocour (director/ëriter, Francë) e kanë përzgjedhur filmin ‘Pa Vend’ si filmi më i mirë evropian në konkurrencën zyrtare e që do jetë kandidatë i Festivalit të Kanës për Çmimin e Akademisë Europiane të Filmit.

‘PA VEND’ tani është kandidat për nominim në kategorinë ‘Film i Shkurtër Evropian’ në European Film Awards 2021.

Programi i Filmit të Shkurtër EFA është organizuar nga Akademia Europiane e Filmit dhe EFA Productions në bashkëpunim me një seri festivalesh filmi në të gjithë Evropën. Në secilin prej këtyre festivaleve, një juri e pavarur paraqet një nga filmat evropianë me metrazh të shkurtër në konkurrencë me një kandidaturë në kategorinë e filmit të shkurtër të Çmimeve Evropiane të Filmit.

Ky është kandidati i 17-të i filmit të shkurtër për vitin 2021. Kur të përfundojë cikli vjetor, festivalet pjesëmarrëse do të nominojnë pesë filma të shkurtër nga kjo listë. Më pas, 4,000 Anëtarët e EFA – profesionistë të filmit nga e gjithë Evropa – do të votojnë për fituesin e përgjithshëm që do të paraqitet në Ceremoninë e 34-të të Çmimeve Evropiane të Filmit.

Lajmi është publikuar sot në faqen e Akademisë Europiane të Filmit:
https://www.europeanfilmacademy.org/News-detail.155.0.html?&tx_ttnews%5Btt_news%5D=917&cHash=0cd10f34a08fad4de6347ca576004cc1 / KultPlus.com

Dëshira të thjeshta

Poezi nga Gioconda Belli

Përktheu: Manjola Brahaj 

Sot i kisha dashtë gishtat e tu me më shkrue histori në lkurë
e kisha dashtë puthje në shpindë
me më marrë para duersh,
me më thanë të vërtetat ma të mëdha
o ma të mëdhatë gënjeshtra.
Me më thanë për shembull
që jam gruja ma e bukur e botës
që më do shumë,
gjana si këto,
aq të thjeshta,
aq të përsëritshme.
Që me më rrethue ftyrën
e me më ndejtë tue më pa sytë,
sikur jeta jote të varej prej buzëqeshjes së të mive
tue ngatërrue të gjitha pulëbardhat në shkumë.
Due gjana, si me ecë në trupin tim
udhë e pyllëzume dhe kundërmuese
me qenë ti shiu i parë i dimnit
me të lanë me ra kadalë,
e ma pas në breshën.
Gjana due, si nji vorbull të madhe ambëlsie
tue u zhdukë
nji zhurmë e nji kërmilli,
nji akuarium me peshq në gojë.
Diçka të tillë,
të njomë e lakuriqe
si nji lule në prag të dhanies së dritës parë
të agimit
ose thjesht nji farë, nji pemë
pak barë
nji përkdhelje që të më bâjë me harrue
kalimin e kohës
luftën
rreziqet e vdekjes. / KultPlus.com

Kanuni i Lek Dukagjinit dhe njohja e tij prej shtetit të Venedikut

Kanuni i shqiptarëve është një kryemonument juridik zakonor i kombit tonë në Mesjetë. Ky korpus rregullash dhe MoikomZeqo-2ligjesh të plotfuqishme është një botë e gjallë dhe njëkohësisht e fosilizuar e mendësisë popullore, e mençurisë së zgjidhjes së problemeve të mprehta dhe e një vetadministrimi të problemeve shoqërore.

Kanuni i shqiptarëve i njohur në Veri edhe me emrin konvencional si Kanuni i Lekë Dukagjinit, është mbledhur nga At Shtjefën Gjeçovi dhe është botuar jo vetëm në shqip, por në disa gjuhë kryesore të botës. Studiuesit e së drejtës kanë bërë shumë analiza për tekstin fragmentar dhe jo të plotë të Kanunit.

I mbledhur vonë dhe i kompozuar në mënyrë subjektive sipas mbledhësve, Kanuni nuk na paraqitet plotësisht dhe në mënyrë të pacenuar siç ka qenë para shumë shekujve. Ky Kanun është një nga kryeveprat mendore të kombit shqiptar në të gjitha kohërat.

Me të drejtë, Kanuni i Lekë Dukagjinit është një monument i traditës, i ndërlidhur ngushtë me Eposin e Kreshnikëve të Veriut si dhe konstelacionin e mrekullueshëm dhe të pashembullt të proverbave shqiptare. Gjithashtu, ky Kanun nuk mund të kuptohet pa gjenezën e kodeve juridike të perandorit ilir të Bizantit, Justinianit të Madh. Pra, nisma e Kanunit është fundi i Antikitetit të Vonë dhe plotfuqishmëria e Kanunit është periudha e Mesjetës së hershme etj.

Kanuni i Lekë Dukagjinit është kodi konceptual vetëqeverisës i shqiptarëve në atë që quhet epoka parashtetërore. Vetvetiu, struktura e një shteti është diçka krejt tjetër dhe do të krijojë kështu një paradoks dhe kundërvënie të juridicitetit parashtetëror me juridicitetin shtetëror. Kjo formulë e thënë nga studiuesit nuk është e saktë në mënyrë absolute. Shumë elementë përbërës të kodit juridik parashtetëror të shqiptarëve reflektojnë qenësinë e një autonomie shtetërore, ndoshta fjala vjen, e Shtetit të Parë të Arbërit ose dhe e principatave shqiptare të Veriut.

Duke respektuar deri në fund Gjeçovin e madh, ne duhet t’i shtrijmë hulumtimet tona në shekujt e mëparshëm. Ka qenë një befasi e madhe kur, duke shfletuar disa libra botuar nga Instituti i Studimeve Shqiptare, me titull: “Studime dhe tekste”, botuar më 1944, gjeta një studim relativisht të gjatë, botuar në italishten venedikase. Ky studim nuk ka emrat e autorëve. I takon si kohë shekullit të XVII.

Për herë të parë është transkriptuar në gjuhën shqipe nga miku im, mesjetarologu i shquar, i ndjeri Injac Zamputi. Pikërisht ky studim hap një faqe të re krejtësisht origjinale për studimet mbi Kanunin. Duke lexuar këtë studim habitesh jo vetëm me arsyetimin e lartë juridik të përpiluesve me sa duket venedikas, ka mundësi edhe shqiptarë që shërbenin në Venedik, mbi Kanunin Shqiptar.

Studimi i drejtohet Republikës së Venedikut dhe quhet “Informacion mbi origjinën dhe metodën e arbitrazhit në çështjet e marrjes së gjakut në Shqipëri”. Arsyeja bazë e studimit është që të bëhet harmonizimi midis ligjeve të Kanunit Shqiptar dhe ligjeve shtetërore të Venedikut. Pikërisht në tokat shqiptare nga Kotorri e deri në Shkodër, që ishin në zotërim të Venedikut.

Ky material analizues e i pashembullt i para 4 shekujve na lejon të kuptojmë forcën, por dhe dobësinë e Kanunit Shqiptar edhe në ditët e sotme. Si arsyetohet dhe si bëhet argumentimi i këtij studimi?

Që në fillim theksohet se grindjet ndërmjet privatëve gjykohen në dy mënyra, ose duke iu drejtuar autoritetit të ligjshëm të popullsisë, ose duke ia lënë në dorë drejtësisë së të Urtëve, që vullnetarisht dhe me marrëveshje zgjidhen nga të dyja palët. Kjo bëhet sepse e kërkon Kanuni kur ka grindje: jo e imja, jo e jotja – ndërmjet personave të fisit. Kur larja e fajeve i lihet në dorë për zbatim gjykimit privat, ahere del në pah prishja e popullsisë dhe dobësia e qeverisë.

Kushdo e sheh qartë se krimi dëmton po aq personin privat sa edhe e shrregullon shoqërinë sepse ia dhunon ligjet, kështuqë, në qoftë se shteti, për interesin e veçantë të të cilit është fjala nuk ndërhyn në gjykim, arbitrari është i pavlefshëm. Kështu përpiluesit e studimit duan të paraqesin origjinën e këtij abuzimi në Shqipëri me qëllim që të shmangin pasionin dhe interesat njerëzore me të cilët ngjyroset dhe shtrembërohet e vërteta.

Shqipëria Venedike (trojet etnike shqiptare të administruara nga Venediku) është një vend në kufirin bregdetar me Sulltanin. Në të dyja këto hapësira popujt nuk kanë një gjykatës të përbashkët, prandaj për arsye të qetësisë është i nevojshëm arbitrazhi, sepse mungon autoriteti për një ligjshmëri të pakundërshtueshme. Kjo gjë në të vërtetë nuk është aspak kundër arsyes, por nga ana tjetër, fakti që krimet e shtetasve të mos i nënshtrohen gjykimit të gjykatës është drejtpërdrejt në kundërshtim me arsyen e shtetit dhe me natyrën e nënshtetësisë.

Kështu, përpiluesit e studimit justifikojnë ekzistencën e një grupi të veçantë për të kryer gjykime në formën e institucionit të arbitrazhit. Në bashkësinë e komuniteteve njerëzore padyshim që janë institucione zyrtare venedikase, por siç ka ndodhur në Rizon të Kotorrit, që u pajis me titullin e bashkësisë me Kapedan dhe Zëvendës dhe Gjykatës, për shkak të traditës vendase doli se banorët e Rizonit në rrugë të veçantë dhe unike ia dolën të merrnin në dorë jo vetëm gjykatën civile por edhe atë penale. Kështu, institucionet juridike venedikase u formalizuan. Autoriteti gjyqësor venedikas nuk funksionon. Çfarë duhej bërë?

U vendos një kompromis, të krijohej një institucion hibrid, ai i arbitrazhit, por me lejen e zyrtarëve shtetërorë venedikas. Shqiptarët e kuptuan fuqinë e këtij parimi të ndërmjetëm. Kështu u krijua një realitet i ri gjyqësor që nga forma ishte venedikase, por nga përmbajtja ishte tipik kanunor dhe shqiptar. Ahere u përcaktuan dhe rregullat përkatëse të funksionimit të arbitrazhit.

Kështu, në bashkësinë e vendeve që nuk kanë pjesë në grindje zgjidhen 12 veta prej fajtorit (që ka bërë fajin ose krimin) dhe ata dërgohen te shtëpia e atyre që kanë pësuar fyerje, për të kërkuar prej tyre pezullimin e inateve, pezullim që quhet premtim apo besë. Këta 12 të dërguar paraqesin disa dhurata të vogla si fjongo, gjilpëra, shami, për të treguar dëshirën që ka fajtori për një pajtim të sinqertë dhe të qëndrueshëm. Dy herë ata kthehen mbrapsh pa e marrë fjalën e besës, hera e tretë është vendimtare. Nëse pranohen herën e tretë ndërmjetësit është simboli që të fyerit janë gati për kompromis.

Ata kthehen te shtëpia e fajtorit, i cili për të bërë provën e fundit të seriozitetit merr 12 djepe dhe ia dërgon të fyerit së bashku me ndërmjetësit, të 12 djepet janë të mbuluara me mahrama, mbulesa me qëndisje të dendur që përdoren nga shqiptarët, dhe në secilin djep është vendosur një monedhë e quajtur real prej floriri. Kur hiqen mahramat nga djepet shihen edhe monedhat.

Kur ndërmjetësit arrijnë te porta e të fyerit, u bëhet pyetja se cilët janë. Ata duke iu shmangur përgjigjes që do të mund të ringjallte kujtimin e fyerjes, i përgjigjen: “Hape derën kumbarë, që të pranosh Zotin dhe Shën Gjonin.” Kështu, pasi porta nuk hapet as të parën dhe as të dytën herë, ia nisin për herë të tretë: “Hape derën kumbarë, që të pranosh Zotin dhe Shën Gjonin, mos na kthe mbrapa, për fatin tënd, për fëmijët e tu, për mbarësinë e punëve të tua, për rritjen e konakut tënd”.

Si hapet porta e shtëpisë dhe pranohen dhuratat, nis e shtrohet biseda për caktimin e besës dhe caktohet afati brenda të cilit, sa të rregulloren punët e nevojshme për gjykimin duhet të mos pësojnë dëm njerëzit e njërës palë dhe tjetrës dhe numërohet si turpi më i madh sikur besa të thuhej dhe të zezohej me mashtrim.

Numri i gjykatësve rregullohet sipas rëndësisë së krimit: nëse është fjala për vdekje duhet të ketë 24 vetë, për plagosje 12 vetë. Për vjedhjet, grabitjet dhe mashtrimet 6 ose 4 vetë. Për shpifjet veprohet me kumbari dhe vëllamëri.

Kështu, dëmshpërblimi jepet me coha në ngjyrë të kuqe ose me mbulesa të qëndisura mahrame ose paguhet me realë. Shpifja dëmshpërblehet në këtë mënyrë vetëm kur nuk ka cenuar nderin dhe jetën, sepse fyerjet e tjera, zënkat e përditshme nuk merren fare parasysh. Për plagosje, dëmshpërblimi ka vlerë 10 realë ose 10 zenikë. Kësaj i shtohet dhe shuma që ka shpenzuar i plagosuri për kirurgjinë. Jeta e një burri vlerësohet e barabartë me 12 gjaqe ose me 12 zekinë të plotë. Gruaja e vrarë çmohet vetëm me gjysmën e kësaj shume. Nëse vrasja ka ndodhur gjatë kohës së besës, ahere vrasësi gjykohet pavarësisht nga e drejta e tij e mëparshme.

Zyrtarë venedikas mbas dhënies së dënimit nga arbitrazhi i shkruajnë vendimet gjyqësore. Meqenëse shqiptarët nuk kanë vulë për ta bërë autentik dhe të vlefshëm dokumentin, bëjnë dy kopje në të cilat ngjisin një grosh raguzian dhe e ndajnë në mes. Ata e çmojnë kaq shumë të nevojshëm këtë ngjitje, saqë e quajnë të pavlefshëm vendimin gjyqësor nëse ky do të ishte pa këtë kërkesë.

Si të lexohet vendimi, gjykatësit ngrihen në këmbë dhe qëndrojnë ndërmjet dy palëve, të cilët vihen rresht dhe ahere paraqitet vrasësi duke mbajtur të varur në qafë armën me të cilën ka vrarë, dhe duke ecur në gjunjë zvarritet tek përfaqësuesi i familjes së të vrarit për t’i kërkuar falje. I dëmtuari ia heq armën që ka vrasësi dhe e përqafon atë pasi e ka lënë t’i lutet tri herë.

Po kështu veprojnë të dy palët, pastaj përqafohen dhe kuptohet se vendimi është pranuar. Përpiluesit anonimë të studimit për Kanunin shprehin habi se si vallë një popull i varfër si shqiptarët mundet të veprojnë me një urtësi të tillë.

Por në fund të studimit ata nuk ngurrojnë të shtojnë se ky arbitrazh është i papranueshëm për normat juridike zyrtare venedikase dhe është “një abuzim i së drejtës sovrane në ushtrimin gjyqësor’.

Pra, ligjet zyrtare të Venedikut janë ato që bëjnë një kompromis me ligjet shqiptare të Kanunit. E gjithë kjo histori marramendëse është e para katër shekujve.

Si vallë para katër shekujve shteti i Venedikut nuk qëndron indiferent për shtetasit shqiptarë? Shqipëria sot ka një kod juridik tepër të përparuar dhe bashkëkohor, të standardeve ndërkombëtare.

Kanuni i Veriut është në aktivitet ende. Normat parashtetërore nuk i përfillin ligjet shtetërore. Venedikasit shpikën institucionin e arbitrazhit, të organizuar nga shqiptarët, por me lejen e tyre. Kjo tregonte interes dhe vëmendje të venedikasve. Natyrisht që sot është marrëzi të operosh me kompromise të normave parashtetërore dhe ligjeve shtetërore.

Unë jam për plotfuqishmërinë juridike të shtetit dhe jo të Kanunit. Por nuk mund të kuptoj dot indiferencën e shtetit shqiptar. Shembulli i shtetit venedikas më vë në mendime. Venedikasit përpiluan dhe një studim të posaçëm për Kanunin Shqiptar. Po shtetarët shqiptarë çfarë bëjnë, heshtin, futin kokën në dhe’ si strucët. /albertvtaj/ KultPlus.com

‘Grua, ngado që je ma shtrij ti dorën tënde’ (VIDEO)

Iliriana Loxha vite me parë kishte sjellë këngën “Gruas”.

KultPlus ju sjell sonte një pjesë nga teksti i kësaj kënge.

Gruas ngado që je
Nga Drenica e Deçani
Nga Prishtina e Gjilani,
ma shtrij ti dorën tënde

Grua ngado që je
Nga Drenica e Deçani
Nga Ulqini e Gostivari
nga Delvina e Skrapari
Ma shtrij ti dorën tënde

Të më bëhet urë…./ KultPlus.com

‘The Suicide Squad 2’ së shpejti nëpër kinema (VIDEO)


Me lansimin e filmit “Suicide Squad” në vitin 2016, publiku e mirëpriti historinë e personazheve të ligë të bazuar në librat komikë “DC Comics”, të cilët bëhen bashkë për ta shpëtuar botën.

Dhe tani që vazhdimi i dytë i këtij projekti është gati, mendohet se vëmendja e adhuruesve do të jetë edhe më e madhe, për shkak të kastës së aktorëve yje të përfshirë në film.

“The Suicide Squad 2” edhe një herë i sjell betejat e rrezikshme të keqbërësve dhe anti-heronjve, të cilët detyrohen të punojnë në një mision të rëndësishëm qeveritar, transmeton KultPlus.

I realizuar nga regjisori James Gunn, filmi në rolet kryesore i sjell aktorët e njohur hollywoodian: Margot Robbie, Taika Waititi, Idris Elba, Pete Davidson, Viola Davis, Joel Kinnaman, Jai Courtney, Michael Rooker, Peter Capaldi, John Cena dhe të tjerë. Edhe ylli i filmave aksion Sylvester Stallone, i është bërë pjesë e këtij projekti të shumëpritur.

“The Suicide Squad 2” lansohet për publikun e gjerë, më 6 gusht të këtij viti. / KultPlus.com

Tony Bennett dhe Lady Gaga ribashkohen për dy koncerte speciale

Yjet e muzikës, Lady Gaga dhe Tony Bennett, do të ribashkohen në skenë muajin e ardhshëm për dy koncerte speciale në New York City, të cilat njëkohësisht i shënojnë performancat e fundit për këngëtarin legjendarë.

Kjo dyshe bashkëpunoi në vitin 2014 në realizimin e albumit, “Cheek To Cheek”. Besohet se në fund të këtij viti do të lansohet edhe një incizim i ri i tyre.

“Ai ma shpëtoi jetën”, tha Gaga për muzikantin Bennett, teksa fliste për bashkëpunimin e tyre.

Muajin e ardhshëm, dy këngëtarët do t’i mbajnë dy shou në sallën ikonike të New Yorkut, “Radio City Music Hall”, të cilët i kanë titulluar “One Last Time: An Evening With Tony Bennett and Lady Gaga”, transmeton KultPlus.

Koncertet që e shënojnë paraqitjen e fundit të Tony Bennettit në skenë, fillojnë më 3 gusht të këtij viti, duke përkuar me ditëlindjen e 95-të të këngëtarit. Kurse koncerti i dytë mbahet më 5 gusht. Biletat tashmë kanë filluar të shiten dhe do të jenë në dispozicionin e të gjithë adhuruesve të vaksinuar.

“Jam e nderuar dhe tejet e emocionuar që bashkë me Tonyn do ta festojmë ditëlindjen e tij të 95-të, me dy koncerte speciale”, kishte shkruar Gaga në postimin e fundit në Twitter, që i paralajmëronte këto performance.

Bennett kishte vendosur ta incizojë edhe një album me Gagan, pas diagnostikimit me sëmundjen Alzheimer. Në fillim të vitit, këngëtari 94-vjeçar e bëri të ditur se është duke luftuar me këtë sëmundje progresive, pasi e kishte mbajtur të fshehtë për katër vjet.

Lajmi rreth muzikës së re të dyshes së famshme, u publikua përmes një profili të Tony Bennettit të shkruar nga revista “AARP”, e cila raportoi se albumi ishte vonuar për shkak të orarit të ngjeshur të Gagas si dhe pandemisë së koronavirusit, transmeton tutje KultPlus.

“Jeta është dhuratë, edhe me sëmundjen Alzheimer. Falënderoj Susanën dhe gjithë familjen time për përkrahjen e vazhdueshme, si dhe revistën ‘AARP’ që e ka rrëfyer dhe ndarë me publikun historinë time”, kishte shkruar Bennett në rrjetin social Twitter.

Në një intervistë të fundit, djali i këngëtarit ikonik, Danny Bennett, deklaroi se një prej arsyeve pse familja e tij kishte vendosur ta bëjë publike diagnozën e Tony Bennettit me Alzheimer, ishte ngase e dinin se ai nuk do të ishte në gjendje ta promovojë albumin e ri, me t’u lansuar në treg. / KultPlus.com

Qyteti 4 mijë vjet i vjetër në ‘Djepin e Qytetërimit’

Një vendbanim i lashtë urban, që besohet se daton nga motet para-babiloniane, ka dalë në dritë në një shkretëtirë në jug të Irakut. Sipas mediumit të lajmeve Al-Monitor, një grup arkeologësh rusë dhe kolegët e tyre irakianë e bën këtë zbulim më 24 qershor në trevën e Tell Duhailas në krahinën e Dhi Qarit, rreth 30 kilometra nga qyteti i lashtë i Urit.

Kjo gjetje i bashkohet listës së më shumë se 1200 vendeve arkeologjike në rajon – disa prej të cilave ende duhet të gërmohen – në atë që dikur ishte pjesë e deltës së Mesopotamisë, shpesh e quajtur edhe si “djep i qytetërimit”.

“Sipas spekulimit fillestar, qyteti mund të jetë kryeqytet i shtetit të themeluar fill pas kolapsit politik në fund të periudhës së lashtë babilonase, që shkaktoi shkatërrimin sistematik të jetës urbane të qytetërimit sumer”, ka thënë kreu i hulumtimit rus, Alexei Jankowski-Diakonoff. Ekipi nisi kërkimin në këtë zonë më 2019.

Artefaktet e zbuluara në këtë vend përfshijnë maja shtizash të oksiduara, gjurmë stufash, si dhe statuja të argjilta të deveve që datojnë në periudhën e hershme të Hekurit. Duke folur mbi rëndësinë e këtij vendi, Jankowski-Diakonoff ka thënë se ai “sipërfaqëson zhvillimin e parë të bujqësisë duke përdorur lymin në Mesopotami”, teksa ka shtuar që “përmban mbetje të materialit nga periudha që parapriu shfaqjen e qytetërimit sumer”. /artnews/ KultPlus.com

Princi Harry së shpejti me libër për jetën e tij

Princi Harry do të botojë një libër me kujtime vitin e ardhshëm, duke premtuar të jetë një llogari e saktë dhe plotësisht e vërtetë e jetës së tij.

Libri do të zbulojë jetën e tij në sytë e publikut, përfshirë kohën e tij në ushtri, martesën dhe atësinë. Ai do të botohet nga ”Penguin Random House”, transmeton KultPlus.

“Jam thellësisht mirënjohës për mundësinë për të treguar atë që kam mësuar gjatë jetës time deri më tani dhe i ngazëllyer për njerëzit që të lexojnë një histori të dorës së parë të jetës time, që është e saktë dhe plotësisht e vërtetë”, deklaroi ai.

Libri pritet të dalë në fund të vitit 2022 dhe do të botohet në formate të shtypura dhe dixhitale në SHBA nga ”Random House” dhe në Kanada nga ”Random House Canada”.

Harry do t’i dhurojë të ardhurat për bamirësi. / KultPlus.com

20 korrik 1883 kur De Rada botonte revistën ‘Fiamuri i Arbrit’

138 vjet më parë, pikërisht me 20 korrik të vitit 1883, nisi botimin “Fiamuri i Arbrit”.

Kjo revistë u botua në Koriliano-Kalabro nga 1883 deri më 20 gusht 1885 dhe në Kozencë nga 20 shtator 1885 deri më 15 nëntor 1887. Në këtë të përkohshme, u pasqyruan probleme mbi të kaluarën historike të popullit shqiptar, mbi luftën për autonomi kombëtare, mbi përpjekjet e atdhetarëve në lidhje me zgjimin e ndërgjegjes kombëtare.

“Fiamuri i Arbrit” ka rëndësi jo vetëm se ka hyrë në historinë e shtypit shqiptar si e përmuajshmja e parë letraro-politike, por sepse shprehu pikëpamjet politike të rilindasve.

E përmuajshme e De Radës, megjithë censurën, arriti të shtrihej tej Italisë, në Shqipëri, në Ballkan deri edhe në Amerikë.

Tri të përkohshmet e De Radës: “L’Albanese d’Italia” (l848), “La Bandiera Dell’Albania”(l883) dhe “Arbri i Rii” (l887) përbëjnë themelet e fletorarizmit arbëresh. / KultPlus.com

11-të minutat e Bezos në hapësirë, miliarderi kryen me sukses fluturimin historik

Miliarderi Jeff Bezos kreu me sukses fluturimin e tij në hapësirë të martën, duke u bërë i dyti sipërmarrës privat, pas Sir Richard Branson, që realizon një mision të tillë.

Bashkë me të, në anijen “New Shepard”, ishte edhe vëllai i tij Mark, 82-vjeçarja Wally Funk dhe studenti 18-vjeçar Oliver Daemen, transmeton KultPlus.

Udhëtimi hapësinor zgjati vetëm 11 minuta, prej momentin kur anija u nis nga baza Van Horn në Teksas e deri në zbritjen në Tokë në perëndim të Teksasit në mes të shkretëtirës. Pasi kapsula preku Tokën, Bezos tha: “Astronauti Bezos, dita më e bukur e jetës!”.

Dy minuta pas fluturimit, kapsula u shkëput nga raketa dhe vijoi fluturimit vertikal. Udhëtarët përjetuan rreth 4 minuta pa forcën e rëndesës dhe patën mundësi të hiqnin rripat e sigurimit për të shijuar pamjen nga dritaret.

“Origjina Blu” një kombinim 18.3 metra i lartë, plotësisht autonom i raketave dhe kapsulave që është thelbësor për planet e Bezos për një treg potencialisht fitimprurës të turizmit hapësinor.

Ky ishtë fluturimi i parë pa pilot në hapësirë ​​me një ekuipazh të përbërë nga civilë. / KultPlus.com

Çmimi i martesës në Shqipëri

Dikur, kohë më parë, ka qenë zakon që të vendosej një çmim për martesën në Shqipëri, sipas të cilit i ati i vajzës kishte të drejtë të kërkonte një shumë të madhe parash nga dhëndrri, përcjell KultPlus.

Nga ky rregull, përveçse varfëroheshin gjithnjë e më shumë familjet, rridhte edhe një e keqe më e madhe, të gjithë tentonin t’i fejonin vajzat e tyre nëpër shtëpi që ofronin më shumë para dhe nga kjo shumë që merrte familja, shumë pak përdoreshin për pajat e tyre.

Ndaj, kisha katolike në veri të Shqipërisë, kishte nxjerrur një ligj që e ndalonte çmimin e martesës, por shpesh ky ligj edhe shkelej.

Ndaj, siç tregon At Zef Valentini, në vitin 1895 në Lezhë u bashkuan katër fshatra dhe vendosën për një ligj të ri që ndalonte që të kërkohej më shumë se 10 napolona për fejesën e vajzës dhe në rast se ky ligj do të shkelej, të dënuar do të ndëshkoheshin. /fotografitëqëkanëbërëhistorinë/ KultPlus.com

Çmime të larta për shportën e varfër të konsumatorit

Çmimet e konsumit, të cilat kanë shënuar rritje gjatë muajve të fundit në Kosovë, kanë shtrenjtuar shumë shportën mujore, thonë qytetarët e anketuar nga Radio Evropa e Lirë.

“Është shqetësuese kjo ngritje, rrogat janë të vogla, 150 dhe 180 euro. Qeveria do të duhej të ndërmerrte veprime që të ndalohet ngritja e çmimeve”, thotë Hasan Bekteshi, transmeton KultPlus.

Lëvizje të çmimeve, sipas tij, kanë pasur: qumështi, gjalpi, djathi e shumë produkte të tjera elementare.

Ngjashëm shprehet edhe Miradije Ziberi:

“Çmimet janë rritur, më shumë këto bazike, ushqimet elementare që janë shumë të nevojshme. Këto që janë të luksit edhe po të shtrenjtohen, nuk është problem. Nuk është ngritur çmimi i bukës që është me rëndësi, por ngritje ka”.

Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), ka qenë më i lartë me një mesatare prej 2.4 për qind në qershor, krahasuar me muajin qershor 2020.

Ngritje më e madhe e çmimeve në Kosovë, sipas ASK-së, është vërejtur te vajrat dhe yndyrat ushqimore. Ngritje është regjistruar edhe te buka dhe drithërat, karburantet dhe lubrifikantët për pajisjet e transportit personal, më pas te duhani dhe produkte tjera.

Masat anti-COVID-19 ndikuan në rritjen e çmimeve

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit (AKB), Agim Shahini, thotë për Radion Evropa e Lirë se rritjen e çmimeve të konsumit e kanë diktuar masat e vendosura për parandalimin e përhapjes së sëmundjes COVID-19.

Industria prodhuese, shton ai, ka punuar nën masat kufizuese, me numër më të vogël të punëtorëve, duke reduktuar kështu edhe prodhimin.

Sipas tij, rritja e çmimeve të konsumit është edhe më e lartë sesa 2.4 për qind.

“Në AKB vlerësojmë se inflacioni është 3 për qind. Kjo shifër është tepër e lartë karshi gjendjes dhe momentit ekonomik në të cilin po kalon vendi. Mungesa e prodhimit dhe ngritja e kërkesave me automatizëm kanë ndikuar në rritjen e çmimeve. Pandemia ka ndryshuar shumë parametra botërorë, ka ndryshuar shumë statistika edhe në tregjet globale. Kanë mbetur shumë punëtorë pa vende pune, janë reduktuar shumë vende pune, është rritur kërkesa për konsum, kurse mundësia për prodhim është reduktuar”, thotë Shahini.

Sipas Shahinit, Kosova është importuese e pothuajse të gjitha produkteve ushqimore dhe çdo ndryshim i çmimeve në tregjet globale prek edhe Kosovën.

Sipas një njoftimi të Kombeve të Bashkuara (OKB), të publikuar në muajin qershor, çmimet globale për ushqim janë rritur në baza mujore me ritmin më të shpejtë në dekadë.

Sipas OKB-së, furnizimet janë prekur nga pengesat në prodhim dhe transport gjatë periudhës së pandemisë COVID-19.

Në baza vjetore, çmimet e ushqimit janë rritur për 39.7 për qind, derisa në maj është regjistruar rritja më e madhe mujore prej tetorit të vitit 2010, sipas indeksit. Rritja më e madhe e çmimeve është vërejtur te vajrat, drithërat dhe sheqeri.

Pagat e ulëta, çmimet e larta

Gjatë vitit 2020, paga mesatare në Kosovë ka shënuar rënie. Në vitin 2020, paga mesatare bruto ishte 466 euro, derisa në vitin 2019 ishte 477 euro.

Paga mesatare bruto në sektorin privat, në vitin 2020, ishte 380 euro, derisa në vitin 2019 ishte 411 euro.

Udhëheqësi i Organizatës joqeveritare “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku, thotë për Radion Evropa e Lirë se 2.4 për qind rritje e çmimeve është e papërballueshme për xhepin e qytetarit, për shkak të pagave të ulëta.

“Nëse kësaj 2.4 për qind ia shtojmë edhe shpenzimet tjera që ndodhin këto ditë, pra nëse e marrim edhe ngritjen e çmimeve të banesave, kjo e fuqizon reagimin e konsumatorit, në veçanti konsumatorit të varfër. Pra, për këta të fundit kjo ngritje është e padurueshme”, thotë ai.

Në Kosovë, ngritje ka shënuar edhe kostoja e ndërtimit. Kjo rritje është për 5.3 për qind në tremujorin e parë të këtij viti, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.

Sipas ASK-së, ngritje të çmimeve kanë shënuar materialet ndërtimore (7.9 për qind), energjia (5.5 për qind), makineritë (2.7 për qind) dhe kostot e tjera (0.6 për qind).

Kjo rritje e kostos së ndërtimit automatikisht rrit edhe koston e banimit.

Rritjet e çmimeve në vendet e rajonit

Edhe në vendet e rajonit ka pasur rritje të çmimeve. Në Serbi, sipas të dhënave të Zyrës së Statistikave, çmimet e konsumit në qershor janë rritur për 3.3 për qind krahasuar me muajin e njëjtë në vitin paraprak.

Sipas të dhënave, çmimet e transportit janë rritur më së shumti me 7.3 për qind, pasuar nga ato të ushqimit dhe pijeve joalkoolike me 4.9 për qind.

Në Maqedoninë e Veriut, sipas të dhënave të Byrosë së Statistikave, në gjashtëmujorin e parë të vitit 2021, kostoja e jetesës është rritur për 2.4 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Rritjen më të madhe të çmimeve e kanë pasur restorantet dhe hotelet me 5.6 për qind, pasuar nga pijet alkoolike dhe duhani me 5.3 për qind.

Në Malin e Zi, sipas Zyrës së Statistikave, në muajin maj të këtij viti, çmimet e transportit janë rritur për 10.2 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2020.

Ndërkaq, çmimet e produkteve ushqimore dhe pijeve joalkoolike janë rritur për 2.8 për qind. Por, rritja më e madhe është shënuar në çmimet e naftës me 37.6 për qind dhe, sipas autoriteteve, deri te kjo rritje ka ardhur për shkak të inflacionit.

Në Bosnje dhe Hercegovinë, në periudhën janar-maj 2021, autoritetet kanë raportuar për një rritje mesatare të çmimeve prej 1.4 për qind. Rritja e çmimeve është shënuar në ushqim dhe pije joalkoolike me 1.5 për qind, ndërkaq rritjen më të madhe të çmimeve e ka përjetuar transporti me 10.2 për qind. /radioevropaelire/ KultPlus.com

Sondazhi në Shqipëri: Pjesa më e madhe e shqiptarëve nuk mund të blejnë shtëpi, as makinë

Një pjesë e konsiderueshme e individëve shqiptarë deklarojnë se nuk kanë mundësi që të blejnë apo të ndërtojnë një shtëpi, që është në kontrast me lulëzimin që po përjeton tregu i pasurive të paluajtshme së fundmi.

Banka e Shqipërisë në indeksin që ajo harton për treguesin e besimit të bizneseve dhe konsumatorëve, një prej pyetjeve e ka të lidhur me blerjen e shtëpive.

Të anketuarve, në bazë tremujore, u bëhet pyetja: “A keni në plan të blini ose të ndërtoni një shtëpi gjatë 12 muajve të ardhshëm (për të jetuar vetë ju, një anëtar i familjes, si shtëpi pushimi, për ta dhënë me qira etj.”? dhe mundësitë e zgjedhjes janë : Po, me siguri; E mundshme; Ka shumë mundësi që jo; Jo; Nuk e di.

Balanca e përgjigjeve është për këtë pyetje është -88, për tremujorin e parë 2021, afër nivelit maksimal negativ (prej -100), që tregon një pamundësi të lartë për blerjen e një shtëpie. Sipas metodologjisë së Bankës së Shqipërisë treguesi i balancës merr vlera midis -100 dhe +100. Një tregues mbi 0 tregon për një numër më të madh të përgjigjeve pozitive sesa negative, në një tremujor të caktuar.

Nga të 15 pyetjet që bën Banka e Shqipërisë për të matur besimin e konsumatorëve, (ku përfshihet vlerësimi i situatës financiare, papunësisë, pritshmërisë për blerjet e mëdha, prirjet e kursimit, papunësisë etj) kjo është përgjigja që ka balancën më të lartë negative.

Pamundësia për të blerë një shtëpi ishte më e larta në pjesën e parë të vitit të kaluar, sidomos në tremujorin e dytë, kur balanca arriti në gati 90%, për shkak të pasigurisë së krijuar nga pandemia dhe rritjes së papunësisë. Megjithatë, në realitet, tregu i pasurive të paluajtshme në atë periudhë ishte në lulëzim.

Të dhënat e tjera të INSTAT treguan se ndonëse në periudhë pandemie, rënie ekonomike dhe konsumi të tkurrur, sektori i pasurive të paluajtshme në vend është i vetmi që nuk e ndjeu aspak krizën. Për 9-mujorin 2020, transaksionet e pasurive të paluajtshme arritën në 76 miliardë lekë (rreth 612 milionë euro), duke shënuar sërish rekord për periudhën në fjalë, që nga viti 2009.

Pamundësi e lartë edhe për blerjen e makinave

Përgjigja e dytë me balancën më të lartë negative është ajo për blerjen e një makine. Konsumatorëve iu bëhet pyetja:

“Sa mundësi ka të blini një makinë gjatë 12 muajve të ardhshëm?” Alternativat e përgjigjeve janë: Shumë e mundshme; E mundshme; E pamundur; Krejtësisht e pamundur; Nuk e di.

Balanca e përgjigjeve në tremujorin e parë 2021 ishte -61.2. ashtu si në rastin e shtëpive, pamundësia më e lartë ishte në periudhën e pandemisë, në tremujorin e parë dhe të dytë 2020.

Sipas Eurostat, Shqipëria është një nga shtetet me numrin më të ulët të automjeteve në raport me popullsinë, së bashku me Maqedoninë./ monitor/ KultPlus.com

Lamtumirë

Nga Arshi Pipa

Poezi për babain

Mos loto, q’i n’kujtesë
të ruej pa turbullue
kqyrjen tënde plot shpresë
magdalene e pikëllue!

Mos qaj! fisnike zija
kur veten nuk e shpalle
ashtu nga dashunija
ti vdiqe tue u ngjall.

e zymtë asht dita e motit
nuk dij a kem’me u pa….
n’se jo, ti lutju zotit,
se mirë na jemi nda. / KultPlus.com

Arratisja e Arshi dhe Feime Pipës, kujtime të familjes shkodrane që u persekutua deri në rrënjë

Feime Pipa e arratisur së bashku me të vëllain Arshi Pipa, në një numër të revistës “Albanica” të pranverës së vitit 1991 në Nju Jork, ka botuar kujtime me episode mjerimi, brenge, persekutimi e torture që përjetoi familja e saj.

Udhëtimi i gjatë e i pashpresë për një strehë

Për pothuaj dy vjet ishim në zi për vdekjen e vëllait tonë, Myzaferit, dhe motrës, Bedit. Megjithatë, meqenëse po afronte dita e lëshimit nga burgu e Arshiut, filluam të ndjenim njëfarë lehtësimi.

Babai, që dergjej në shtrat prej katër vjetësh, me femorën të thyer, u gjallërua disi dhe filloi të na tregonte, mua dhe motrave, ngjarje të jetës se tij.

Nëna lau dhe hekurosi kostumin e Arshiut e i beri një kravatë të re. I duhej edhe një dyshek, por me mundësitë financiare që kishim, nuk mund t’ia blinim.

Ne, motrat, ndjeheshim më mirë, veçanërisht unë që, në mënyrë të fshehtë isha lidhur me Arshinë, gjë që vetëm nëna e dinte.

Ngushëlloheshim edhe pse, të paktën, tashti kishim një çati mbi kokë. Ishte një banesë primitive në periferi të Durresit, në fund të një rruge të gjatë të cilën shirat e dimrit e bënin të pakalueshme. Shtëpia kishte dy dhoma dhe një haur të vogël që e përdornim për kuzhinë. Ne e quanim atë “kështjella jonë e vogël”. E kishim gjetur pasi komunistët na kishin detyruar të shpërnguleshim tre herë brenda gjashtë muajve.

Banesa jonë e parë, e përkohshme ishte një apartament me dy dhoma. Ndërsa banonim aty, një anëtar partie, ish-student i Arshiut, u ngarkua ta takonte atë në burg. Kishte për detyrë të zbulonte nëse Arshiu, ndërkohë, kishte ndryshuar apo jo.

Arshiu i kishte thënë se s’kishte bërë asgjë për t’u penduar.

Shpejt, pas kësaj, Zyra e Strehimit na shpërnguli nga apartamenti që kishim, në një dhome të një ndërtese tjetër. Sapo e bëmë atë dhome të banueshme, duke e larë dhe lyer, Zyra e Strehimit na transferoi te një apartament tjetër me një dhome me të vogël e me të ndyrë se e mëparshmja.
“Për ku pas kësaj?” – pyetëm kur për të tretën here u detyruam të largoheshim.

“Këtë herë ju do të keni një banesë më vete, bile me pamje të këndshme. Nuk do të lëvizni më prej saj.”
Banesa e re ndodhej në zonën që quhej Stan, në zonën me të varfër të qytetit.
Shkova ta gjeja.

Gjatë rrugës, në kodër, dukeshin baraka e kasolle të rrënuara që pasonin njëra tjetrën, me oborre ballore ku ndereshin rrecka për t’u thare. Një plakë më tregoi se si shkohej tek shtëpia që kërkoja.
Eca përmes kaçubash e ferrash që mbulonin një rrugicë e arrita në një lëndinë mbushur me lule të egra. Në largësi, deti vezullonte. Panorama qe mahnitëse. Mendoja babanë në shtrat, me kokën të ngritur me jastëkë që sodiste detin përballë. Vendi do të kishte qenë fare i mirë edhe për Bedin.
Gjatë endjeve tona prej ciganësh, Bedi vdiq nga tuberkulozi, pa asnjë pranë nga familja, në një dhome të spitalit të Tiranës. Shoqja e saj e dhomës na tha se, para vdekjes, ndjehej e lumtur, pasi mendonte se së shpejti do ta merrnim në shtëpi.

Ishte një trillim i yni, për t’i lehtësuar asaj dhimbjen.

Shtëpia në lëndinë ishte rreth shtatë metra e gjatë dhe pesë metra e gjerë. Ishte e mbuluar me mbeturina fletësh alumini që kërcisnin, kur frynte erë. Dritare ishin dy vrima të zëna me dërrasa. Dera mbyllej me një copë tel. Brenda ishte e mbushur me kashtë të kalbur e bajga. Ishte përdorur më parë si stallë.

Atë natë asnjë prej nesh nuk fjeti. Të nesërmen, shkova në Zyrën e Strehimit për t’u thënë se nuk do të lëvizim nga banesa ku ndodheshim.

Njëri nga punonjësit me bërtiti “Çfarë prisni, vilë?! Është e vërtetë, shtëpia ka nevojë për riparime, por ju mund t’i bëni ato, ashtu siç bëtë edhe me banesat e tjera!”
“S’kemi mundësi të shndërrojmë stallën në shtëpi” – i u përgjigja, – por, edhe në qoftë se do të kishim, çezma është tepër larg, poshtë në luginë dhe kasollja nuk ka banjë, nuk ka korrent elektrik. Për më tepër, babai është i paralizuar. Si mund ta çojmë aty, ku s’ka rruge?”
“Me aeroplan, – u tall ai – lutuni Zotit t’ju ndihmojë”.

“Ne kemi probleme strehimi me njerëzit tanë – tha një nëpunës tjetër, – në qoftë se gjeni vetë një vend tjetër, ne nuk kundërshtojmë.”

Shanset për të gjetur shtëpinë tjetër ishin fare të pakta. Megjithatë, unë u lidha me Nuçin, një mik të familjes që na pat ndihmuar në shumë raste të vështira. Ai foli me Markun, një anëtar partie të cilin e njihja. Kishim bërë se bashku “punë vullnetare” në plazh. Marku, epileptik, ndërsa punonim një ditë me diell të fortë, pati një krizë epilepsie. Unë e ndihmova.

Marku na dha adresën e një familjeje që kishte një shtëpi me katër dhoma e një kuzhinë.

“Ata janë miq, – na shpjegoi, – por ju lutem, mos e përmendni emrin tim!”.
Shtëpia ishte e një shoferi kamioni që banonte aty me nënë plakë dhe me gruan pa fëmijë. Ishte njeri me zemër të butë.

Babai ndjehej i lehtësuar në dhomën e tij: me diell në dimër e me freski në verë. Aty celebruam fejesën e njerës prej motrave. Unë punoja në një fabrike makaronash. Po aty punonte, gjatë pushimeve të verës, Bukurushi, që do të martohej se shpejti. Deti, motra me e vogël, nganjëherë u jepte mësime privatë rusishteje shoqeve të saj të klasës. Por, ishte nëna që punonte më rënde. Përveçse që kujdesej për babanë, ajo gjente kohe për të bërë jorganë që i shiste një tregtar shëtitës. Kur fqinjët tanë kishin festa familjare, ajo u bënte ëmbëlsira. Ata e shpërblenin me qumësht, ushqim që gjendej me vështirësi. Qumështi dhe kosi ishin ushqimet kryesore për babanë. Ai nuk përdorte më protezat e dhëmbëve. Ato e vrisnin. Ushqimet më të mira i ruanim për babanë dhe për Arshinë.

Nuk mundëm kurrë të vendosnim një lule në varrin e vëllait tonë, Myzaferit. Ai u torturua për vdekje, përnjëherë pas arrestimit, në vitin 1946, në Degën e Sigurimit në Shkodër. Nuk dinim, dhe ende nuk dimë, vendin e varrit të tij.

Një ditë tregu, pasi do të blinim disa ushqime për Arshinë, mora një trastë në të cilën kisha futur një bluzë dhe kuletën me triskat e paret dhe u nisa për në dyqan. Në dyqan kishin mbetur vetëm marmelatë dhe djathë. Porosita nga dy kilogram prej të dyjave dhe nisa të kërkoja paret për të paguar. Kuleta nuk ndodhej në trastë. Si e çmendur, e boshatisa atë, kërkova në xhepat e bluzës, kuleta nuk ndodhej. U ktheva mbrapsht e kërkova disa here rreth dyqanit. Kur i humba shpresat, u nisa e dëshpëruar për në shtëpi, duke tërhequr zvarre këmbët nëpër shi. Përveç pareve që mezi i kishim kursyer, kuleta kishte dhe tri triska buke për tetorin që sapo kishte filluar.

E sfilitur dhe krejtësisht e lagur, arrita aty ku rruga kryesore ndërpritej me rrugicën tonë. Befas pashë një send të zi në tokë që në fillim m’u duk si një cope gome. Ishte kuleta. Isha e sigurt se ishte kuleta ime, dhe sendet duhej të ndodheshin në të, pasi asnjë shqiptar, në atë kohe, nuk do të hidhte një kuletë boshe, sado e vjetër dhe e grisur që të ishte, por pata frike se shiu do të kishte prishur triskat dhe paret. Por, jo. Nëna i kishte mbështjellë ato në celofan. Më parë, si duket, kur unë kisha nxjerrë bluzën nga trasta për ta veshur, kuleta më kishte rënë. Që prej asaj kohe kishin kaluar tre ore. Njerëz, gomarë e mushka mund të kishin shkelur mbi të, por, për fat, s’e kishin venë re.

Në një pasdite nëntori të vitit 1947, kur unë me motrën time Bukurushin po ktheheshim për në shtëpi, pamë një xhip që ndaloi para Prokurorisë se Përgjithshme. Dy roje zbritën prei tij dhe hapen portën e të burgosurit. Prej saj doli vëllai ynë, Arshiu, me pizhame e pantofla. Gjatë daljes nga xhipi, ai ktheu kokën, na vështroi, dhe u fut në ndërtese.

Ne ngrimë. Arshinë e kishin nxjerrë nga infermieria. Pse? Ai duhej të lirohej pas tre muajsh.
Qëndruam para ndërtesës gjersa u err. Rrugët u boshatisën dhe dritat e rrugës u ndezën. Në këtë kohë dy roje dolën nga godina dhe na urdhëruan të largoheshim.
Babait nuk ia thamë. Në të tjerët jetuam në ankth, deri sa erdhi dita e takimit. Shkuam në burg, duke mos ditur ç’na priste. Kërkuam të takoheshim me Arshinë. Atij i thirrën emrin. Qe gjallë!
Myzafer Pipa (1914-1946)

Arshiu u gjykua për here të dytë. Gjatë gjykimit, mori vesh vdekjen e vëllait, Myzaferit. Na qortoi që nuk e kishim njoftuar. Nuk ia kishim thënë për të mos e munduar edhe më, ndërkohë që brengën e kishim mbytur brenda vetes tonë. Kur vizitonim Arshinë në burg, hiqnim rrobat e zisë dhe vishnim ato normale. Kur Arshiu na pyeste për Myzaferin, i thoshim se ishte mirë, duke mbajtur në zemrat tona pikëllimin.
Në korrik 1948, Arshiu u dërgua në kampin e punës se detyruar famëzi të Vloçishtit. Disa muaj më pas, në nëntor 1948, ai u dënua për herë të dytë me njëzet vjet dhe u transferua në kështjellën burg të Gjirokastrës.

Në vjeshtë të vitit 1949, regjimi shpërnguli nga Durrësi rreth njëzet familje të persekutuara dhe i vendosi në shtëpi boshe në plazh. Ne ishim, doemos, midis tyre. Kërkuam që babanë ta transportonin me autoambulancë.

Partia refuzoi. Pajtuam një karroce me kalë, i vetmi mjet transporti që mund të gjendesh.
Për here të parë në katër vjet, babai i veshur me kostum, u detyrua të qëndronte në këmbë. Në karrocë ai i mbante ato të shtrira para vetes. Ne, motrat, ndiqnim nga pas karrocën. Plazhi ishte rreth 5 kilometra larg nga shtëpia që lamë.

Meqenëse rruga ishte e keqe e me gropa, iu lutëm karrocierit të ecte më ngadalë, për të mos tronditur babanë. Por, ai donte të kthehej në Durrës para se të fillonte shiu e, prandaj, nuk na e plotësoi lutjen.

Në një çast babai u zbeh. Ndjente dhimbje. Karrocieri ndaloi karrocën. Nëna i mbështeti babait kokën në gjirin e saj. Kur arritëm në strehën e re, ishte bërë natë e binte shi.
Babai vdiq po atë natë nga një goditje në zemër. Për ta varrosur, na u desh të shisnim orën e tij të xhepit. Përktheu Ilir Hashorva

Arshi Pipa ndër rreshtat e biografëve

Arshiu u lind në Shkodër në 28 korrik 1920. Ai ishte djalë i vetëm në krye të katër motrave. Vëllanë me të madh gjashtë vjet para tij, Muzaferin, e kishte të tillë nga babai. Kështu, ishte drita e syrit jo vetëm e prinderve, por edhe i motrave, të cilat gjithë jetën e kanë adhuruar. Por kjo nuk do të thotë aspak se në familjen Pipa, për Muzaferin nuk ishte po e njëjta gjë. Aty nuk bëhej asnjë dallim ndër dy djemtë e shtëpisë, si nga prindërit, ashtu edhe nga motrat. Ishte një familje me lidhje afektive shumë te theksuara, të pashlyeshme kurrë. Dhe kjo i detyrohet kryesisht nënës se tyre, zonjës së mrekullueshme Hatixhe, shkodrane e përkryer në të gjitha drejtimet, nënës së fortë, të dhemshur aq edhe të drejtë deri në shkallën e një modeli klasik.

Fëmi i mbarë, i shëndetshëm dhe i bukur, Arshiu ishte njëkohësisht edhe një “lojcak” i madh, si thonë në Shkodër, madjé edhe një “sherret”, domethënë që nuk linte dy gurë bashkë. Pavarësisht kësaj faktet tregojnë se ai që në klasën e parë e deri në mature dilte gjithnjë i pari i klasës!

Filloren e kreu tek shkolla e jezuitëve në Shkodrës, e në mos gaboj edhe në vitet e para të gjimnazit. Them vitet e para, sepse gjimnazet atëhere ishin me tetë e nëntë klasë, deri më vonë madjé, në kohën e regjimit komunist. Vërtetë ishin të paktë këto gjimnaze para luftës së Dytë Botërore në Shqipëri, por ishin të saktë. Ejo vetëm gjimnazet (ai i Shkodrës, Tiranës, Korçës etj.) por edhe shkollat e mesme profesionale, si Normalja e Elbasanit, Normalja e Tiranës (vetëm për vajza) dhe Shkolla Teknike Amerikane e Fullcit në Tiranë apo ajo e Kavajës.

Tek jezuitët, Arshiu mori bazat e kulturës klasike, me greqishten e vjetër e latinishten dhe për pasojë, kur shkoi të vazhdoje në Gjimnazin shtetënor të Shkodrës, që quhej atëherë Lice, si ai i Korçës dhe i Tiranës, kishte baza të forta për të dalë i pari edhe në dy gjuhët klasike që përmendëm më lart. Dhe këto dy gjuhë, ai s’i ndau gjatë gjithë jetës. Përkthimet e bollshme, të lëna në dorëshkrim e dëshmojnë më së miri këtë fakt.

Gjatë kohës së arsimimit në shkollën e jezuitëve, ku jepnin mësim klerikë të shquar, i ati, duket për një lloj “ekuilibrimi” kulturash e futi që të ndjeki njëkohësisht edhe mejtepin, për të mësuar format e moralit islamik. Kështu Arshiu, deri në moshën e thyer, mbante mend akoma dhe i recitonte për bukuri shumë nga syret e Kuranit arabisht, për çudine dhe admirimin e miqve shkodranë të dhënë fort pas kësaj feje, por që arabishten nuk e dinin fare, as me shkrim e as me lexim!…

Në Burgun e Burrelit, Arshiu hapte sportelin e birucave dhe u hidhte shokëve të dënuar atje duhan, ndopak sheqer a ç’të kishte mundur të mbledhë, me rrezik që po ta shohin rojet, e fusnin dhe atë në birucë, mes dimrit, në çimento, vetëm me mbathje e kanotjere në trup, për një muaj rresht, megjithëse ai ishte i sëmurë.

Guximi i tij u konfirmua edhe gjatë momentit të arratisjes, kur ai çan kufinin, bashkë me të motrën Fehimen, me kobure në dorë, i vendosur të mos bijë në dorë i gjallë më tek rojet.
Me shokë Arshiu ishte, si me gjithë të tjerët i sjellur dhe shumë i dashur. Ai i ndihmonte ata vazhdimisht ne mësimet. Në albumin e familjes, mes të tjerave ka edhe një fotografi ku ai është bashkë me tre shokë të tij të klasës, para një tabele të zezë, në oborr në përgatitjen për provimet e maturës. Në tabelë, veç disa shprehjeve algjebrike, ka në një anë edhe një vjershe, me shkrimin e tij të njohur, vjershë që tregon bukur shpirtin e preokupuar të nxënësve para “torturës” së maturës:

me studime
e numra të shkreta.
kot na shkuen
të rijt e jeta…

Gjimnazi i kohës së tij, si dhe i kohës sime ndahej, mbas semimatures, në dy degë: Reale e klasike. Realja ishte e prirur më fort ndaj shkencave të natyrës, me preferim matematikën e fizikën. Klasikja ishte e prirun ndaj dijeve humanitare të gjuhëve. E Arshiu zgjodhi me dëshirë këtë të fundit. Duket që në moshë fare të re, ai e kishte përcaktuar rrugën e tij në jetë. Dhe kjo punë duket edhe nga dy fakte të tjerë. Gazeta “Cirka” e vitit 1936, kur Arshiu ishte dy vjet para maturës, kishte shpallur një konkurs poetik.

Në të mori pjesë edhe studenti i klasës së gjashtë të Gjimnazit shkodran, i degës klasike, Arshi Pipa. Vjersha e tij me titull “Në Lamën e Luftës” fitoi çmimin e tretë. Ishte një vjershë e gjatë me plot 26 strofa, secila gashtëvangëshe, herë me rimë e herë pa rimë. Vjersha kishte karakter epiko-lirik. Tema e saj ishte një lloj proteste e hapur kundër luftës, si një veprim mizor, që sjell vetëm vdekje. Pra, ishte tërthorazi një hymn për paqen, mirëkuptimin, vllazërimin e njerëzve e popujve. Kështu, humanizmi i shpirtit të tij nis e nxjerrë krye që në moshë fare të re, atë të një adolishenti gjimnazist.
Prova e tij e dytë e botuar në shtypin e kohës, këtë herë në lëmin e prozës, shifet tek tregimi me titull “Liqeni”, një tregim lirik, botuar tek “Vatra Shqiptare”, shtator-tetor 1941. Kjo prozë, sigurisht është shkruar në moshë fare të re, por u botua atëherë, siç tregon data, ndërkohë që autori i saj ishte tashmë pedagog në gjimnazin e Tiranës dhe jepte filozofi. Nuk e dimë me saktësi se kur poeti Arshi Pipa ka nisur të shkruajë poezi. Por një gjë është e sigurtë, që këtë punë ai e ka nisur që në bankat e gjimnazit të Shkodrës. Dhe këto poezi në shumicën e tyre do të mbushin më vonë faqet e librit të tij të parë, me titull “Lundertarë” botuar në Tiranë më 1944.

Pjesa është marrë nga libri: “Arshi Pipa njeriu dhe vepra”, shkrimtari Uran Kalakulla. / Konica.al / KultPlus.com

“Ajsbergu i fundit”, arinjtë polarë drejt zhdukjes

Deti Arktik çdo vit e më shumë,  arrinë shifrat më të ulëta të nivelit të akullit.

Jeta e arinjve polarë tashmë është reduktuar në mbijetesë, sepse akulli në Detin Arktik po shkrihet.

Shumica e arinjve polarë mund të zhduken nga Arktiku deri në vitin 2100 për shkak të ngrohjes globale, thuhet në një studim të ri. Shkencëtarët thonë se ulja “agresive” e çlirimit të gazrave ndotës është e nevojshme për të shpëtuar gjitarët nga zhdukja.

Arinjtë polarë dhe gjitarët tjerë mund të zhduken pothuajse në fund të shekullit “nëse njerëzit nuk bëjnë diçka për ndryshimin e klimës”, paralajmërojnë shkencëtarët.

Studimi i Universitetit të Torontos në Kanada, botuar në revistën “Nature Climate Change”, thotë se duhen bërë që tani shkurtime “agresive” të çlirimit të gazrave të dëmshëm, për të shpëtuar kafshët nga zhdukja. Burimi: VOA dhe BBC./ KultPlus.com

Nurie Koculi: Bëmë grevë urie kur e transferuan Musine Kokalarin në burgun e Burrelit, ata na çuan në birucat e izolimit

“Bëmë grevë urie kur e transferuan Musine Kokalarin në burgun e Burrelit… 11 ditë nuk hëngrëm, as pimë… por ata na çuan në birucat e izolimit…”

Nurie Koculi është një ndër vajzat e para shqiptare që njohu agresionin komunist nëpër qelitë e errëta të diktaturës komuniste. Ishte vetëm 24 vjeç, kur u dënua me burg, si “armike e popullit”. Ishte mikeshë me Musine Kokalarin, dhe kjo do të ishte edhe një ndër akuzat për të cilat do të dënohej me pesë vite burg. E kishte njohur Musinenë në vitin 1943, tek libraria. Nuria mbante korespondencë edhe me Isuf Luzajn, një ndër emrat e shquar shqiptar në fushën e filozofisë, gjithashtu i shpallur si “armik i popullit”. Nurija do të dënohej edhe si lexuese dhe shpërndarëse e gazetës “Zëri i Lirisë”. Kur e arrestuan, në vitin 1946, Nuria gjeti në qeli të tjera vajza e gra intelektuale të shquara si Musine Kokalari, Merita Sokoli Tezha, Erifili Bezhani, Rita Koçi, Diti Biçaku, Frida Sadedini e të tjera.

Nurie Koculi ka ndërruar jetë prej disa vitesh, por kujtimet e saj vijnë në kujto.al falë kontributit të së bijës, Almira Myzyri. Më poshtë, botohet e plotë dëshmia e sjellë në kujto.al nga Almira, siç i ka rrëfyer e ëma, Nurie Koculi. Në pak rreshta, vijnë disa momente pikante të jetës së vështirë të së ëmës, bashkë me dosjen e diktaturës, ku shënohen arsyet e dënimit të Nurie Koculit.

Almira Myzyri: Ç’më rrëfeu nëna ime për qelitë e diktaturës

“Na nxorën nga shtëpia tek Shallvaret dhe morëm një dhomë në Tiranë të Re. Mbas ca ditësh, e arrestuan vëllanë tim Kujtimin e mbetëm ne të dyja vetëm, unë dhe mamaja.

Në dhjetor të ’46-ës, më arrestuan dhe mua. Mbeti mëma vetëm. Atë e lajmëruan të ikë nga Tirana. Ku të vente ajo e shkreta? Vajti në fshat, por shtëpinë e kishin bërë zyra. Mëmën e futën bashkë me bagëtitë në një stallë, i dhanë 20 rrënjë ullinj, nga ata që ju ishin sekuestruar. Kur mundej, vinte të na shihte në burg. Kujtimi ishte në Kampet e Korçës në Maliq e unë në Tiranë, në burgun e vjetër.

Burgu i vjetër

Ishin 4 dhoma: në dy prej tyre, rrinin ordinerët, në dy të tjerat, rrinim ne gratë e arrestuara për politikë. Të gjitha bashkë në atë vend të ngushtë, ku secila kishte vetëm 30 cm hapësirë.

Çdo muaj vinte një kontroll për ne, na shqepnin dyshekët, na merrnin librat, letrat, lapsat, e ç’tu mbushej mendja. Na izolonin: na mbyllnin derën dhe vetëm në mëngjes e në mbrëmje, shkonim në banjë e mbushnim ujë, në një çezëm në oborr, për t’u larë e për të pirë. Dy herë në ditë, na binin një kazan me supë, ujë me dy kokrra oriz ose makarona dhe një copë bukë, herë misri, herë gruri. Ne nuk hapnim gojën, se spiunët na raportonin se flisnim për politikë.

Në grevë urie për Musine Kokalarin

Kur morën Musinenë për në Burrel, unë, Qefsere Bega dhe Merita Sokoli bëmë grevën e urisë. 11 ditë, as bukë, as ujë. Na mbyllën në dhomën e vogël. Të 11 ditët, na çuan në birucat e burgut. Mua me ra të fikët, pastaj na kthyen në burg si më parë. Qefseres i vinte familja. Mua me vinin motrat e Osman Kazazit. Me sillnin ndonjë triko dhe ndonjë lek.

Abaja (Refija) ishte në Kocul, por kur vinte, sillte ushqime. Më erdhën një herë, dhe Drita Koculi e Shyqyrit me të shoqin, Sybiun. Sa ishin martuar. Veledini vinte, por i thashë mos hajde, nuk është mirë për ty të vish në burg. Motrat e Osmanit vinin, në çdo takim. Mëma, ku të shkonte më parë. Dolëm të gjallë, por çdo të bënim pa punë.

Kujtimin e futën prapë në burg, e dënuan 10 vjet, sepse nuk kishte denoncuar. Avokati në gjyq tha: Për këtë akuzë, në Rusi, maksimumi dënojnë 3 vjet. Prokurori tha: Është i biri i Qazim Koculit dhe ka qenë edhe një herë tjetër ne burg”.

PRETENCA

E pandehura, Nurije Koculi, gjatë okupacionit gjerman në lidhje me Partinë Social Demokrate duke marrë udhëzime nga krimineli i luftës, Isuf Luzaj dhe Musine Kokalari. Gjatë asaj kohe, ka propaganduar kundër lëvizjes nacional-çlirimtare dhe ka ndihmuar okupatorin. Ka shpërndarë gazetën Zëri i Lirisë – organ i Partinë Social Demokrate, e cila villte vrer kundër rezistencës së popullit shqiptar. Një pjesë e gazetave të asaj kohe, ju gjetën të fshehura në shtëpi, në një shishe. Kjo vërteton akoma më shumë qenien e saj në Partinë Social Demokrate dhe aktivitetin e saj dhe bindjen e saj ndaj asaj partie.

Mbas çlirimit të Shqipërisë, është munduar të mbajë gjallë frymën e Partisë Social Demokrate në rrethet e saj të ngushta, në lidhje përsëri me Musine Kokalarin. Ka propaganduar dhe axhituar kundër pushtetit me elemente si Reshat Beqiri, Reshat Aga e të tjerë, ku ka pasur dijeni për grupet klandestine, që kishin si objektiv rrëzimin e pushtetit me violencë. Gjatë zhvillimit të gjyqit, ka thënë se do të dalë në opozitë dhe interesimi i saj mbi qëndrimin e Gjergj Kokoshit gjatë seancave të ndryshme të Asemblesë, dalin qartë lidhjet e ngushta që ka pasur pas çlirimit me Musine Kokalarin dhe me të burgosurin Reshat Beqiri.

Ka organizuar mbledhje të ndryshme, me gra me karakter kundra pushtetit popullor, duke paraqitur situatën se “shpejt do të ndryshonte nga një ndërhyrje e jashtme”, parulla të cilat i organizonte me Reshat Agën dhe Musine Kokalarin e shokë. Këtë e tregon edhe takimi me Vake Kreshpanin, të cilën edhe se nuk e njihte, i ishte drejtuar të pandehurës me rekomandim nga Vlora, ku e pandehura ka dhënë udhëzime për të punuar me gratë reaksionare të Vlorës.

Ka lajmëruar armikun e popullit, Napoleon Tasi, që të ruhej, se survejohej se kishte parë dy civile rrugës. Kjo vërteton se lidhjet që ka e pandehura se ka treguar interesim që të ruhesh e të mos kapesh me dokumente në flagrancë. Domethënë që e pandehura ka pasur dijeni dhe lidhje… që kryente kundër pushtetit.

Ka pasur lidhje me Sanie Dokon, ku bashkë me këtë, kanë propaganduar me axhitacion kundër pushtetit popullor dhe Reformave Ekonomike dhe ka nxitur gratë e tjera, për t’u larguar nga fronti dhe për të treguar urrejtje ndaj pushtetit, duke i këshilluar të mos shkojnë në konferenca e në punë vullnetare. Ka marrë trakte nga Sanie Doko, e cila villte vrer kundër pushtetit e Partisë Komuniste dhe gjyqeve të popullit. Në lidhje me të dënuarit, ku bashkë me ta, edhe i vëllai i dënuar për veprimtari kundër pushtetit, të cilës ju gjetën të fshehura në një shishe 5 kopje të gazetës Zëri i Lirisë të Partise Social Demokrate. Pretendimi i të pandehurës, se i mbante si koleksion, është krejt absurd, sepse në rast të tillë nuk do t ‘i mbante në shishe, po në bibliotekë ose vend të dukshëm. Kjo forcon akoma më shumë bindjen dhe besimin që ka pasur e pandehura ndaj Partisë Social Demokrate. Mbasi fajësia e saj parashikohet prej nenit 3 paragrafi 4 dhe nenit 8 te ligjit 372 te 12.XII. 946. Kërkoj të vendoset dënimi i të pandehurës në bazë të nenit 4 dhe nenit 8 paragrafi i parë 5 vjet provim lirie dhe punë të detyrueshme, baraz me periudhën e ndëshkimit.

Tirane 24 IV 947

ND. PROKURORI USHTARAK

KAPITEN FAIK MINAROLLI.

Gjykata

Pasi studioi proces-verbalin e ardhur nga sektori i Sigurimit të shtetit Tiranë;

pasi dëgjoi apologjinë e të pandehurve; pasi dëgjoi pretencën e prokurorit që për arsyet e treguara, i kërkon të pandehurit të deklarohen fajtorë të neneve 4 dhe 8, të ligjit nr 3712 dhe 14 të ligjit nr. 382 kërkoi dënimin e Nurije Koculi, me 5 vjet mohim lirie.

Pasi dëgjoi mbrojtimin e asistuesit të mbrojtjes z Aristidh Totozani, që kërkoi që përfaqësuesja e tij të ndëshkohet me një dënim kondicionel; pasi dëgjoi fjalën e fundit të së pandehurve që “trupi gjykues të tregohej i mëshirshëm ndaj ndëshkimit të tyre”;

pasi studjoi gjithë aktet e dosjes e procesverbalit e rrjedhimin e gjykimit

OBSERVON

Se e pandehura Nurije Koculi:

Merr pjesë në mbledhje, shpërndan trakte dhe broshura ku villet vrer kundër lëvizjes NC-CL dhe ndihmohet okupatori në vendin tonë. E pandehura, duke qenë armike e betuar e lëvizjes Nacional Çlirimtare, gjatë okupacionit, fillon aktivitetin kundër Pushtetit Popullor edhe mbas çlirimit te Shqipërisë, në bashkëpunim me  armiqtë e popullit bashkëpunëtorë gjatë okupacionit Musine Kokalarin, Reshat Beqiri, Reshat Aga , etj duke propaganduar dhe axhituar kundër pushtetit popullor dhe reformave ekonomike.

Merr pjesë së bashku me Musine Kokalarin, në organizatën social demokrate kundër pushtetit popullor, në bashkëpunim me kriminelët e arratisur dhe armiqtë e popullit dhe nga një ndërhyrje nga jashtë.

Bën një sërë takimesh dhe mbledhjesh kundër pushtetit popullor, duke shtuar në këtë mënyrë aktivitetin e saj kundër pushtetit. Duke qenë mike e ngushtë e armikut të dënuar Napoleon Tasit, i cili për aktivitetin e tij kundër pushtetit po survejohesh, e pandehura e këshillon të ruhej nga organet e sigurimit.

Së bashku me Vake Kreshtani, e cila ishte rekomanduar tek e pandehura për të ndërlidhur Grupet e grave kundërshtare të pushtetit të popullor të Vlorës e Tiranës, diskutojnë së bashku, mbi aktivitetin që kanë treguar këto në Vlorë dhe në Tiranë, udhëzon Vake Kreshtanin për punën që duhet të kryente në Vlorë, kundër pushtetit popullor.

Mban korrespondencën me të arrestuarin Reshat Beqiri sa ky ishte në hetuesi me anën e Rustem Gaçit dhe letra të tjera të nxjerra nga burgu, ku i dënuari njofton të pandehurën mbi hetimet dhe pyetjet që i bëhen në këtë mënyrë njofton të për të mbrojtur bashkëpunëtoret që akoma ndodheshin pa arrestuar dhe qëndrimi që duhesh mbajtur karshi organeve të sigurimit.

Mban të fshehur gazetat qe vjedhshin vrer kundër lëvizjes NCLÇ e gjatë okupacionit Zëri i Lirisë dhe si për tu siguruar nga mo gjetja dhe për tu ruajtur, sic tha vetë e pandehura, i futi në një shishe. Ka marrë trakte nga Sanie Doko e cila villte vrer kundër pushtetit e Partisë Komuniste dhe gjyqeve të popullit.

Diskuton me familjet e kriminelëve të luftës dhe armiqve të popullit si Reshat Agën kundër pushtetit popullor duke propaganduar dhe axhituar lajmet e radiove të huaja në favor të reaksionit të jashtëm dhe ndrrimin e situatës në bashkëpunim me kriminelët e arratisur nga një ndërhyrje jashtë vendit tonë.

Para se të zbulohet Grupi i Sami Qeribashit me shokë e pandehura diskuton me armiken e popullit Musine Kokalari mbi grupet e organizuara kundër pushtetit, në të cilat grupe ish si bashkëpunëtor dhe i dënuari armik i popullit Gjergj Kokoshi…

Në emër të popullit shqiptar

Gjykata ushtarake e Garnizonit të Tiranës e formuar nga

ZV KRYETAR KAPITEN NJAZI MEKA

ANETAR Z/TOGER VASIL KAPAJANI

ANTAR APIRANT VEHIP UJANIKU

Duke u ndodhur dhe Prokurori i Garnizonit te Tiranes kapiten Faik Minarolli nën asistencën e Sekretarit reshter Arqile Mihaili

VENDOSI

Fajsimin e të pandehurve dhe ndëshkimin e tyre si vijon:

Nurije Koculi me 5 vjet privim lirije punë të detyrueshme dhe humbjen e të drejtave civile për 2 vjet.

Vuajtja e ndëshkimit fillon nga data e arrestimit.

Të gjithë të dënuarve ju ngarkohet shpenzimet gjyqësore

Ky vendim u deklarua ne 25.IV.1947/kujto.al/ KultPlus.com

I mjeri popull i atdheut tim

Isuf Luzaj

Natyrë, moj mëmë Sa poshtë kemi rënë!

Dëshpërim, dëshpërim, dëshpërim,
Të ngriheshin nga varret Balsha i Parë,
Leka,Pirrua,Teuta,Genci,
Gjergj Kastrioti, Lekë Dukagjini,
Preng Bibë Doda,Bajram Curri,
Osmën Haxhiu,Qazim Koculi,
Oso Kuka, Elez Isufi,
Selam Musai, Avni Rustemi,
At Gjergj Fishta,Naimi,Asdreni…

Të dilnin nga varret dëshmorët e atdheut, të shihnin turpëruar nëpër rrugë t’Europës stërnipër e mbesa të Skënderbeut, t’lexonin viganët fletushkat e botës,seç shkruajnë për ne,përbuzje e neveri.

Të gjithë ata do t’i luteshin Zotit
Që t’i kthente pas në varre përseri,
Të flenë në terr, tragjikomedi,
Natyrë,moj mëmë,sa poshtë kemi rënë!/ KultPlus.com


‘Ka një gjykatë më të lartë sesa ajo e drejtësisë, dhe është gjykata e ndërgjegjes, ajo zëvendëson të gjitha gjykatat tjera’

“Paqja është një e përditshme, një proces javor dhe mujor, gradualisht duke ndryshuar mendimet, duke ulur barrierat e vjetra dhe ndërtimi në heshtje i strukturave të reja.” – John F. Kennedy 

“Nëse dëshironi paqe me armikun tuaj, ju duhet të punoni me të, pastaj ai bëhet partneri juaj.” – Nelson Mandela

“Paqja nuk mund të mbahet me forcë, por mund të arrihet vetëm me mirëkuptim.” – Albert Einstein

“Errësira nuk mund të dëbojë errësirën, vetëm drita mundet. Urrejtja nuk mund të dëbojë urrejtjen, vetëm dashuria mundet.” – Martin Luther King, Jr.

“Nëse qenia njerëzore dëshiron një periudhë të gjatë të mirëqenies materiale, ata duhet të sillen në mënyrë të qetë dhe të dobishme për njëri tjetrin.” – Winston Churchill

“Ka një gjykatë më të lartë sesa ajo e drejtësisë, dhe është gjykata e ndërgjegjes – ajo zëvendëson të gjitha gjykatat tjera.” – Mahatma Gandhi

“Paqja vjen nga brenda, mos e kërkoni atë jashtë.” – Buddha

“Nëse nuk kemi paqe, kjo ndodh për shkak se kemi harruar që i përkasim njëri-tjetrit.” – Nëna Terezë

“Ne duhet të shikojmë përpara, kur forca e dashurisë e mposhtë dashurinë për pushtetin, atëherë do të njohim me të vërtetë bekimet e paqes.” – William Gladstone Ewart

“Nëse dëshironi paqe, ju nuk duhet të flisni me miqët tuaj, por me armiqët.” – Desmond Tutu 

“Paqja fillon me një buzëqeshje.” – Nënë Tereza 

“Nuk është e mjaftueshme të flasim për paqen, ne duhet të besojmë në të – dhe nuk është e mjaftueshme të besojmë në të, ne duhet të punojmë për të.” – Eleanor Roosevelt

“Unë kam vendosur të ngjitem për dashurinë, urrejtja është një barrë e madhe për ta mbajtur.”  – Martin Luther King Jr.

“Fitoret e vërteta dhe që zgjasin vinë nga paqja dhe jo nga lufta.” – Ralph Wado Emerson 

“Paqja nuk është mungesa e konflikteve sepse dallimet do të jenë gjithmonë prezente. Paqja nënkupton zgjidhjen e këtyre dallimeve me mjete paqësore; përmes dialogut, arsimit, njohurive dhe mënyrave më humane.” – Dalai Lama XIV./ KultPlus.com