Unë, biri yt, Kosovë t’i njoh dëshirat e heshtura, t’i njoh ëndrrat, erërat e fjetura me shekuj, t’i njoh vuatjet, gëzimet, vdekjet, t’i njoh lindjet e bardha, caqet e tuka të kulluara; ta di gjakun që të vlon në gji, dallgën kur të rrahë netëve t’pagjumta e të shpërthej do si vullkan:- më mirë se kushdo tjetër të njoh, Kosovë. Unë biri yt./ KultPlus.com
Pavarësisht pandemisë, komuniteti i vogël i modës në Montreal po lulëzon dhe pjesë e saj është dhe shkodrania Loris Keçaj me çantat e saj, duke mbajtur edhe emrin në shqip të firmës “Çantë”.
Loris ka folur në një intervistë për median kanadeze lidhur me projektin e saj të çantave të thurura.
Ajo ka rrëfyer se si nisi të dizenjonte çanta të thurura me mbishkrimin “Çantë“.
“Në Dhjetor 2019, po bëja një shall dhe nëna ime tha: “A do të ishte mirë nëse e palosnim dhe shtonit një rrip?” Ishte në atë moment që fillova të mendoja për të bërë çanta: si do të ngjitej rripi, si do të fiksohej shalli i palosur anash, cilat ngjyra do të përdorja. Pastaj mendova, “Mirë, po sikur të përdorja fillin më të trashë që mund të mbash në dorë?” Gjithë sa më interesonte ishte të krijoja një çantë që pëlqehej masivisht. Dhe çështje si: si do të isha në gjendje ta stiloja? A do ta mbante dikush madje atë në publik? A mund të jetë i dobishëm për ta?”, ka thënë ajo.
Por cili është karakteri i veçantë i Çantës? Loris tregon historinë e saj të emigrimit dhe frymëzimin për to.
“Familja ime arriti në Kanada në fund të viteve ’90 si emigrantë pas rënies së komunizmit në Shqipëri. Isha e bekuar që pata mundësinë për të pasur një jetë më të sigurt në Kanada, por distanca nga familja jonë nuk ka qenë e lehtë gjatë gjithë këtyre viteve. Pandemia e shtoi mallin. Çanta ishte një mënyrë për të imagjinuar një dyqan – në stilin klasik shqiptar të një dyqani të klaustrofobik të dyerve të garazheve – që do të ekzistonte në internet. Çanta është një mënyrë që unë të përballem me mallin dhe të bëj sikur jam më afër fizikisht me Atdheun tim. I gjithë frymëzimi për çantat vjen nga një kombinim i veshjeve popullore shqiptare, Google Streetview i Shkoder, qyteti im i lindjes, dhe sendeve të gjetura në tregjet shqiptare. Çdo çantë lidhet drejtpërdrejt me një kujtim të një sendi ose një përshtypje që ka të bëjë me vendlindjen time. Qëllimi i Canta nuk do të ishte kurrë të operonte si biznes. Argëtimi ishte që unë të vazhdoja eksperimentimin dhe realizimin e stileve të ndryshme të çantave që përfshijnë teknika dhe materiale të ndryshme. Ishte dhe nuk do të ketë të bëjë kurrë me shitjen ose fitimin. Unë i thashë vetes që nëse Çanta do të zgjerohej, qëllimi ishte të veproja si praktikë medituese dhe krijuese për veten time së pari, dhe pastaj nëse do të rezultonte se njerëzit donin të blinin çantat, atëherë ky ishte një plus”, ka thënë më tej Loris.
Loris Kecaj ka folur dhe për ndikimin e komunitetit të modës në Montreal tek Çanta e saj.
“Çanta kishte një mbështetje të pabesueshme nga komuniteti përreth meje. Rreth një muaj pasi kisha krijuar llogarinë e Çanta në Instagram, Françoise (Élie, pronare e butikut me bazë në Montréal Effe) më shkroi në Instagram dhe erdhi në shtëpinë time për të parë çantat. Entuziazmi i saj për çantat i shtoi një tjetër jetë projektit. Pastaj ra pandemia, dhe ajo ishte në fazat fillestare të ndërtimit të dyqanit të saj, gjithashtu. Ka rreth një vit e gjysmë që Çanta ekziston dhe është rritur. Nëse nuk do të ishte Françoise, Çanta nuk do të ishte aty ku është sot. Ajo që më kujtoi nga ndërveprimet e mia me Françoise është se ushqehem me energjinë pozitive të njerëzve të tjerë. Ajo më dha besimin për të vazhduar të bëj çanta dhe të vazhdoj të rrezikoj në evolucionin dhe krijimin e çantave”, përfundon Loris./ diaspora shqiptare/ KultPlus.com
Grupet muzikore dhe kulturore në Korçë lindën që në vitet 1908, katër vjet para shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.
Mihal Grameno do të shkruante në ato vite se Korça “ishte qendra e ndjenjave kombëtare dhe këtu ishte hedhur gjithë vështrimi i armiqve tanë shekullore….”
Korça është quajtur edhe Parisi i Vogël dhe në kohë të shkurtër atje u themelua Klubi “Dituria” – 1908, u çel Shkolla e Djemve, u themelua “Banda Liria” – 1908, Shoqëria fetare “Lidhja Orthodhokse” – 1909 me kryetar Mina Frashërin, Shoqëria e zonjavet “Yll i mëngjesit” – 1909, Shoqëria “Përparimi” – 1909 me kryetar Orhan Bej Cerçiz Pojanin, Shoqëria sportive “Vëllazëria” – 1909 me kryetar A. Pirro Korçën dhe zv. Kryetar Hil Mosin, u soll Shtypshkronja e parë në Korçë, filluan të botoheshin gazetat “Korça”, “Lidhja orthodhokse”, “Koha”, “Kalendari Korça”, e përkohshmja “Zgjimi” dhe shumë të tjera vegla kombëtare. Një prej tyre ishte dhe grupi muzikor Mandolinata. Kjo foto e grupit është shkrepur në vitin 1908./ diaspora shqiptare/ KultPlus.com
Shqiptarët e parë, që kanë emigruar në Zelandë të Re, kanë ardhur gjatë viteve 50’. Njëri prej tyre Petrit Alliu, rrëfen sesi nga Stambolli me vaporin “Goya” kanë mbërritur në Zelandë të Re më 1 maj 1951. Numri i saktë nuk dihet, por në atë vapor, sipas z. Alliut ishin më tepër se 60 shqiptarë, që të gjithë meshkuj dhe të rinj nga të gjitha trojet etnike tona. Secili prej të ardhurve ka historinë e vet rrëqethëse e të llahtarshme gjatë arratisjes nga vendlindja.
Aotearoa, siç e quajtën Zelandën e Re ardhësit e parë maorët, (shqip: toka mbi të cilën qëndrojnë re të mëdha e të bardha), ndodhet në anën jugperëndimore të Oqeanit Paqësor, 8,000 km. larg bregdetit të Amerikës jugore, kurse në veri 2,000 km e ndajnë nga bregu i Australisë lindore. Me një sipërfaqe 269,000 km katrorë, e përafërt me Britaninë e Madhe dhe Japoninë. Në strukturën etnike mbizotëron popullsia e ardhur evropiane. Zelanda përbëhet prej dy ishujve kryesorë: ishullit verior dhe atij jugor. Toka e reve të mëdha e të bardha është tokë kodrinore vullkanike e pasur me bimësi, lumenj, ujëra termalë, liqene, ujëvara dhe me vargmale e kodra. Vargmalet impozante me bukuri mahnitëse dhe vazhdimisht të mbuluara me borë janë Southern Alps (Alpet jugore) që shtrihen në Ishullin jugor. Maja më e lartë e këtyre maleve shkon deri në 3754 metra lartësi Mountain Cook. Zelanda shtrihet në një gjatësi prej 1500 km. nga veriu në jug. Ishulli verior karakterizohet me temperaturë më të butë dhe me popullsi më të dendur. Njerëzit e parë janë vendosur në këtë Ishull të largët pak para sh. X – të. Në Tokën e reve të bardha e të mëdha, siç e quajtën ardhësit e parë /Maori/, kur erdhën, gjetën parajsën, vendin ku organizuan jetën e re në tokë të re dhe për ketë janë edhe sot shumë krenarë. Të ndodhur në mes të Paqësorit, ata jetuan me produktet e tokës, detit dhe të peshkimit.
Lundërtari holandez Abel Tasman Evropiani i parë në Aotearoa
Evropiani i parë që shkeli në Aotearoa ishte lundërtari holandez Abel Tasman, në vitin 1642, i cili qëndroi për pak kohë përgjatë bregut perëndimor dhe sipas regjionit të Zelandës në Holandë ishullin e posa vizituar e quajti “Zelanda e Re”. Pas 127 vjetëve pason vizita e kapitenit anglez James Cook me marinarët e tij, që erdhi nga Tahiti, 1769. Në vitin 1814 për herë të parë vijnë misionarë anglezë për përhapjen e fesë krishtere. Më 6 shkurt 1840 pas nënshkrimit të traktatit mes vendësve /MAORI/ dhe përfaqësuesit të mbretëreshës Viktoria, në qytezën Waitangi, Britania e Madhe e shpalli koloni të veten Zelandën e Re. Në vitet që pasuan ardhjet vazhduan me intensitet më të shtuar nga Britania e Madhe, kurse më vonë edhe nga shtetet e tjera të Evropës, të Azisë… Sot në ketë shtet me mbi 4 milionë banorë bashkëjetojnë në harmoni të plotë shumë kultura, gjuhë e raca njerëzish, në mesin e tyre edhe shqiptarë që erdhën këtu pas aplikimit të sistemit sllavo-komunist të vitit 1945 në tokat shqiptare, pra në fillim të dekadës së pestë të shekullit XX. Kronika e migrimeve të shqiptarëve në shtetin e paqes, qetësisë e të rregullit janë pjesë e historisë së dhimbshme të zhvendosjeve me represion e dhunë nga tokat e tyre. Mërgata shqiptare në Zelandë të Re është një ndër mërgatat më të reja shikuar në pikëpamje të kohës së mërgimit nga të gjitha bashkësitë e tjera shqiptare nëpër botë.
Emigrantet e parë shqiptarë në vaporin “Goya”, prill 1951. Në foto:Aqif Kaskin, Lulzim Pogoni, Qamil Hasani, Petrit Alliu, Halit Bajrami Kamber Rrustemi (vlonjat, i vrarë nga UDB-eja në Australi).
Shqiptarët në Ishullin e largët erdhën me vaporin “Goya”
Për emigrimin e shqiptarëve të parë, në Zelandë të Re, rrëfen Petrit Alliu, njëri nga emigrantët e parë në Zelandë. “Nga Stambolli me vaporin “Goya” kemi mbërritur në Zelandë më 1 maj 1951. Numri i saktë nuk me kujtohet, por ishim më tepër se 60 shqiptarë, që të gjithë meshkuj dhe tė rinj nga të gjitha trojet etnike tona. Po i përmend disa prej tyre: Fadil Kaceli, Shaqir Seferi /i ndjerë/, Besim Kazazi /i ndjerë/ e Lulzim Pogoni nga Tirana, Shaban Kryeziu, Jorgji Harillamsi, Halit Bajrami, (ish-ushtarak e punëtor i sigurimit që bashkë me Xhevdet Mustafën dhe Sabaudin Hazendarin më 24 shtator 1982 kishte zbarkuar si diversant në Divjakë (Shqipëri). Xhevdeti dhe Sabaudini vriten nga agjentet e Sigurimit Shqiptar, kurse Haliti vetëdorëzohet. Pas një qëndrimi në “burg” në Shqipëri kthehet në Zelandë të Re.
Vdiq në Auckland, me gjasë në vitin 2007), Bahri Kavaja nga Shkodra, Masar Krasniqi nga Prishtina, Zydi Zequllari e Islam Kulla /i ndjerë/ nga Korça, Bajram Murati nga Vlora, Musa Hajdari nga Muzeqina, Nevruz Mullaj nga Gjirokastra, Sabahudin Qefaliu e Qamil Hasani, nga Tetova, Ramazan Daja /i ndjerė/ nga Petrela, Kamber Rustemi /i vrarë nga UDB-ja në Australi, nga Vlora/, Vilson Shkambi, Xhelo Resuli, K. Myrteza, Ramadan Nazifi /i ndjerë/ nga Labëria, Nazmi Mehmeti nga Gostivari dhe të tjerë. Mënyra se si morëm botën në sy ishte shumë e dhimbshme, thotë, z. Alliu. “Secili prej nesh ka historinë e vet rrëqethëse e të llahtarshme gjatë arratisjes nga vendlindja”.
Në vaporin “Goya” përveç shqiptarëve kishte edhe rumunë, bullgarë, sllovenë e boshnjakë. Së pari na vendosen në Pahitua, qytezë afër Wellingtonit. Pas 6 javëve na shpërndanë gjithandej Zelandës nëpër ferma duke na pajisur me nga një kartë identifikimi dhe leje për punë. Shpejt e gjetëm veten dhe për pak kohë u adaptuam në rrethin e ri. Pas dy vjetësh kishim të drejtë për t’u vendosur e për të punuar aty ku donim vetë. Disa prej nesh u vendosem në qytetin e Aucklandit. Me punë krijuam kushte të mira për të jetuar. Besoj se edhe para nesh ka pasur shqiptarë në Zelandë të Re. Kur erdhëm takuam një femër shqiptare e ardhur nga Egjipti e cila fliste mirë shqipen. Çka u bë me të më vonë nuk di. Flitej edhe për tri gra shqiptare tjera nga Llogoraja e Vlorës të vendosura këtu para nesh, pastaj për shqiptarët nga Australia të cilët kishin ardhur për të kërkuar flori në lumenjtë e këtushëm, por ata nuk kanë qëndruar gjatë në Zelandë të Re. Sidoqoftë, ne ishim emigrantët e parë politikë shqiptarë, me numër kaq të madh, të vendosur në ketë Ishull të largët. Këtu ne formuam Lidhjen Qytetare të Shqiptareve në Zelandë të Re. Kryetari i Lidhjes Mazhar Krasniqi dhe të gjithë ne të tjerët i përqendruam forcat në ruajtjen e traditave, gjuhës… mbajtjen e lidhjeve, qëndrimeve në sensibilizimin e çështjes së pazgjidhur të Kosovës me mërgatat simotra shqiptare në Australi, në Amerikë e gjetiu. Tuboheshim gjatë vikendeve, festave dhe kurrë nuk harruam prej nga kishim ardhur, kurrë nuk i humbëm shpresat se një ditë do ta thyejë qafen diktatura e kuqe. Me rastin e festes se Flamurit takoheshim në shtëpinë e njërit prej nesh dhe festonim familjarisht, para flamurit kuq e zi këndonim himnin, dëgjonim muzikë shqipe evokonim të kaluarën… Sot edhe fëmijët tanë në këtë vend të bukur me demokraci të vërtetë kanë krijuar familjet e tyre dhe jetojnë komfort standardit të shoqërisë zelandeze”. Sipas Petrit Alliut, i lindur në Tirane 1930, i arratisur në vitin 1948, se pari në Turqi e pastaj në Zelande të Re, personalitet i respektuar dhe emër i njohur i futbollit zelandez në vitet 1952-1956. Rreth viteve ‘70, ‘80 të shekullit të kaluar pati ardhje në mënyrë individuale, kurse pas vitit 1990 për shkak të ndjekjeve, burgosjeve e vrasjeve të shqiptarëve në Kosovë, eksodit masiv në Shqipëri, u rrit paksa numri i atyre që vinin në Zelandë të Re. Vala e dytë, kjo e fundit, e imigrimeve masive u bë pas zhvendosjeve të dhunshme, gjenocidit në Kosovë, në pranverën e vitit 1999. Më, 22 maj 1999, erdhën refugjatët e parë shqiptarë, të cilët u morën në mënyrë të organizuar nga Qeveria zelandeze në kampet e refugjatëve në Maqedoni. Në aeroportin e Aucklandit del i gjithë komuniteti shqiptar, i madh e i vogël, shumë zelandezë e të tjerë, në krye me kryeministren e atëhershme të Qeverisë së Zelandës, Jenny Shipley me bashkëpunëtorë si dhe përfaqësues të opozitës për t’u uruar mirëseardhje refugjatëve nga Kosova.
Refugjatët e rinj të ’99-s
Ardhjet vazhduan gjatë tërë vitit 1999. Duhet përmendur se në mesin e refugjatëve pati edhe personalitete të shquara të kulturës e shkencës shqiptare: Akademik Enver Gjerqeku, shkrimtari Rexhep Hoxha, Dr. Hysen Ukmata etj. Të ardhurit /me përjashtim të katër familjeve të ardhura në vitin 2000/ kishin lidhje farefisnore me shqiptarët zelandezë. Pritjet qenë të ngrohta dhe emocionuese. Pas një jave qëndrimi në kampin Mangere mirëpriten në familjet shqiptare për të kaluar pastaj në shtëpi, banesa të tyre të marra me qira. Që të gjithë vendosen në Auckland, paralagjet: Orakei, Mission Bay, Pakuranga, Medolbank, Sten Jons, Kohimarama, Glendowie, Panmure, Onahunga, St. Heliers, Mt. Welligton, Buckland Beach, Epsom etj. Shqiptarët në qytetin e porsaardhur në mënyrë të organizuar filluan me kurse të gjuhës angleze, për të vazhduar pastaj me rikualifikime për profesione të ndryshme. Një numër prej tyre pas një viti me vetëdëshirë u kthyen në Kosovë. Struktura kualifikuese e mërgimtarëve shqiptarë është e lartë. Të rinjtë vazhdojnë shkollimin në shkollat përkatëse, filloristët janë të shpërndarë nëpër shkollat ku i kanë të vendosura familjet, kurse gjimnazistët i ndjekin mësimet gati që të gjithë në shkollën e mesme “Selwyn College” /Kohimarama/.
Që të gjithë vendosen në qytetin e madh të Auckland-it. Falë sjelljeve me kulturë, punës me korrektësi, shqiptarët, këtu në Zelandë, respektohen si njerëz punëtorë e familjarë të mirë. Si kudo në botë edhe këtu shqiptarët po tregohen punëtorë të aftë e të zgjuar, sidomos në fushën e ekonomisë dhe biznesit. Të ardhurit në vitin 1951 ishin kryesisht nga Shqipëria, kurse të ardhurit në vitin 1999 janë nga Kosova. Komuniteti shqiptar është i përqendruar në qytetin Aucklandit. Mundet që edhe në qytete tjera të ketë shqiptarë, por ne nuk i dimë. Në bisedë me mërgimtarët, që kanë ndjekur lëvizjet, ardhjet e shqiptarëve, del se në Zelandë të Re duhet të jenë diku 400 deri 500 shqiptarë. Të ardhurit shqiptarë, fjalën e kam për imigrimet e vitit 1999, që të gjithë janë të përqendruar në qytetin e Auckland-it. Shqiptarët përbëjnë një pjesë të vogël, por të rëndësishëm të qytetit multikulturor. Vendi i preferuar për shqiptarët është paralagja Mission Bay. Nё Mission Bay zhvillojnë veprimtari hoteliere me shumë sukses: Muharrem Muharremi – Mema, Xhelal Jashari e Bajram Jusufi. Restorantet e tyre dallohen për specialitetet ushqimore, shërbimet me kohë, pastërti e rregull. Nё këtë paralagje të mrekullueshme të qytetit më të madh nё Zelandë tё Re ёshtё i njohur salloni për rregullimin e flokëve për meshkuj dhe femra që mban firmën e floktarit nga Prishtina Agim Agollit, “Gimmy’s Hair Desing”. Pronari i kompanisë për prodhimin e akullores Tair Tairi e ka zgjeruar veprimtarinë e vet, duke hapur këto ditë në Mission Bay ëmbëltore sipas yrnekut të ëmbëltoreve në Prishtinë e Shkup. Në grupin e shqiptarëve që kanë gjetur suksesin përmes restoranteve është edhe afaristi Abdullah Bashota me restorantin e tij të njohur “Red Elephant” si dhe të rinjtë Sokol Krasniqi e Astrit Jolla me restorantin “Safran” në një nga lagjet më luksoze të qytetit në Newmarket. Duhet thënë se pjesa dërmuese e punëtorëve në restorantet e përmendura janë shqiptarë. Salih Salihu me të bijtë Albanin, Agronin e Drilonin për një kohë të shkurtër ka arritur të bëhet model tipik i biznesmenit të suksesshëm. Grupit të biznesmenëve duhet shtuar edhe emrat e Burim Xharrës, Ismet Selimit, Ideal Huskajt, Burim Prekazit, Agron Hasanit, Drin Muratit, Sharr Brezartit etj., të cilët kanë bizneset e tyre. Një numër tjetër punojnë në tregti, administratë, ndërtimtari, mjekësi etj. Me ketë rast nuk duhet harruar të rinjtë shqiptarë, që i kanë kryer studimet dhe ata që pritet t’i kryejnë në Universitetet e qytetit të Auckland-it, të cilët brenda pak vitesh do të jenë yjet e punës intelektuale dhe të biznesit në ketë vend të zhvilluar.
Në “Nero Cafe”, Auckland, nëntor 2009. Foto: Hysen Zeqiri. Kafeneja ndodhet në pjesën qendrore të Aucklandit nga tarraca e së cilës shihet Ishulli Rangitoto i njohur në botë për formën e tij unike. Në tarracën e kafenes, shqiptaro-zelandezët takohen dhe bisedojnë: për hallet, mallin për vendlindjen, ndodhitë në Kosovë, Shqipëri.., rrahin gjoks, këmbejnë romuze me të qeshur. Pijet për ta nuk kanë funksion parësor sepse ata vijnë këtu ekskluzivisht për t’i qarë hallet njëri – tjetrit, ndërruar cigaret, larguar mërzitjen, kaluar kohën dhe për të debatuar tema të ndryshme.
Si gjithkund në botë edhe Mërgata shqiptare këtu në shtetin me histori e përvojë të shumanshme për sa i përket tolerancës e mirëkuptimit ndëretnik e kulturor po ballafaqohet me problemin e ruajtës së gjuhës dhe të identitetit kombëtar. Ndërkohë që po rritet numri i fëmijëve tanë, ruajtja e gjuhës dhe mësimi i saj po behet gjithnjë e më i vështirë. Bashkësia shqiptare duhet të ndërgjegjësohet se sigurimi i një lokali të përhershëm ku do të zhvillonin aktivitete, hapin klasa për mësimin e gjuhës shqipe dhe përmes saj edhe të kulturës, historisë dhe gjithë çka tjetër që ka të bëjë me shqiptarët është më se e nevojshme.
Kjo mund të arrihet fare lehtë, kur kemi parasysh potencialin e madh intelektual që kanë shqiptarët këtu: mësues, profesorë, ekonomistë, inxhinierë, mjekë, arkitekt, farmacistë, dentistë…, pastaj Zelanda e Re është vend i përzemërt, që të ofron mundësi të mëdha realizimi nëse ke vullnet dhe dashuri për veten dhe për Kombin tënd.
*Marr nga libri “Bijtë e shqipes në tokën e reve të bardha”, Auckland, 2010 të autorit Sabit Abdyli./ diaspora shqiptare/ KultPlus.com
Mjuzikli ‘Hirushja’ është anuluar të shfaqet në teatrin muzikor të Londrës për shkak të masave të pandemisë të vendosura nga ana e qeverisë britanike, ka bërë të ditur udhëheqësi i këtij produksioni të shfaqjes, Andrew Lloyd Webber, dhe nuk dihet se kur do të vazhdojë.
Ai ka pohuar se një person nga ky kast kishte rezultuar pozitiv, por rregullat rreth karantinës dhe izolimit për pjesën tjetër të aktorëve bëjnë që shfaqja të mos mund të hapet ashtu siç ishte planifikuar për ditën e martë.
“Unë kam qenë i detyruar të marr vendimin që të thyen zemrën, për të mos hapur “Hirushen time” ka thënë ai duke shtuar po ashtu se “Kushtet e pamundura të krijuara nga instrumenti i prerë që është udhëzimi i qeverisë për izolimin do të thotë që ne nuk mund të vazhdojmë”.
Qeveria angleze gjatë ditës së hënë kishte ndërprerë pas më shumë se një viti kufizimet për shkak të COVID-19, por e ashtuquajtura ‘Dita e Lirisë’, u prish për arsye të infeksioneve të mëdha dhe paralajmërimeve për mungesa nëpër supermarkete dhe vetizolimin e detyruar të kryeministrit Boris Johnson.
‘Dita e Lirisë’ është kthyer në ditë mbylljeje” ka përfunduar Lloyd Webber në deklaratën e tij, shkruan Reuters, transmeton Klankosova.tv./ KultPlus.com
Miliarderi amerikan, Jeff Bezos, do të udhëtojë sot në hapësirë me anijen raketë të ndërtuar nga kompania e tij, Blue Origin, transmeton REL.
Ai do të shoqërohet nga vëllai i tij, Mark, një pilote 82-vjeçare, Wally Funk, dhe një student 18-vjeçar, Oliver Daemen.
Fluturimi i tyre do të zgjasë 11 minuta.
“Ta shohësh Tokën nga hapësira, është një gjë që ju ndryshon. Ju ndryshon marrëdhënien tuaj me këtë planet, me njerëzimin”, tha Bezos për kanalin televiziv CBS.
“Është një gjë që kam dashur ta bëj gjithë jetën time”, shtoi ai.
Bezos ka themeluar kompaninë e tij hapësinore Blue Origin në vitin 2000, për të zhvilluar turizmin e fluturimit hapësinor.
Blue Origin pritet të nisë shitjen e biletave shpejt pas fluturimit të Bezos, por kompania nuk e ka zbuluar ende koston e një udhëtimi.
Bezos, shef i Amazonit – kompanisë së shitjeve online – është një nga njerëzit më të pasur në botë.
Sipas revistës amerikane Forbes, pasuria e tij neto kap vlerën e 186.2 miliardë dollarëve./ KultPlus.com
Shkrirja e akullnajave në Alpe ka krijuar 180 liqene të reja akullnajore në Zvicër brenda vetëm 10 vjetëve.
Midis 2006 dhe 2016, zona e mbuluar nga uji u rrit me rreth 150.000 metra katrorë (15 hektarë) në vit, provë e dukshme e ndryshimit të klimës në Alpe, raportoi sot Instituti federal zviceran i Shkencës dhe Teknologjisë Ujore (EAWAG).
Instituti ka përpiluar, për herë të parë, një inventar të të gjitha liqeneve akullnajorë të formuara që nga fundi i të ashtuquajturës Epoka e Vogël e Akullnajave në mes të shekullit XIX.
Rreth vitit 1850, akullnajat alpine arritën shtrirjen e tyre më të madhe në kohët moderne.
“Midis 1850 dhe 2016, zona e liqeneve akullnajore u rrit me mesatare prej rreth 40.000 metra katrorë (4 hektarë) në vit, me një prirje të fortë ngritëse në vitet e studimit më të fundit, 2006 deri në 2016”, tha bashkautori i studimit, Nico Moelg.
Lista përfshin gjithsej 1.200 liqene të reja, 187 prej të cilave më pas janë mbushur nga sedimentet e transportuara nga akullnajat.
Në vitin 2016, zona e të gjitha liqeneve akullnajore ekzistuese ishte rreth 620 hektarë.
Për të kryer hulumtimin e tyre, shkencëtarët analizuan të dhënat që datojnë që nga mesi i shekullit XIX, si edhe fotografitë ajrore të bëra që nga mesi i shekullit XX. /atsh/ KultPlus.com
Një këngëtare legjendare, e destinuar të ndryshonte përgjithmonë botën e muzikës blues, soul dhe rock
Ajo ishte një nga këngëtaret më të mëdha të shekullit XX, me sukses të jashtëzakonshëm dhe një grup po aq të madh ndjekësish. Por ajo ishte gjithashtu një grua e vetmuar, e trishtuar, e përpirë nga ndjenja dhe komplekse konfliktuale, që zhdukeshin sa herë që ecte në një skenë. Sepse atëherë ajo u bë luanesha e fortë dhe e vendosur, që të gjithë e njihnin. Megjithatë, në thellësitë e saj ajo gjithmonë mbeti një grua e pasigurt, e konsumuar nga teprimet.
Historia e vërtetë e Janis Joplin
19 Janar 1943: Një yll lindi në Port Artur, Texas. Në qytetin e vogël të naftës, Dorothy East, punonjëse dhe Seth Joplin, inxhinier i ndërmarrjes së naftës Texaco, sollën Janisin e vogël në botë, duke i kushtuar të gjithë vëmendjen. Fëmijëria rritet e qetë, midis shenjave të para të një pasioni që së shpejti do të shndërrohej në një thirrje të vërtetë.
Në shkollë ajo tregon se është e prirur për çdo formë arti, veçanërisht për të kënduar. Por shokët e saj të shkollës, prej moshës së re, tallen me të. Ata e vënë në lojë për atë pamje disi të fortë dhe për zgjedhjen e veshjes së rrobave më pak femërore. E bënin edhe sepse në ato ditë, Janis nuk i fshihte idealet e saj të lirisë dhe barazisë.
Ngacmimet shpejt kthehen në komplekse dhe ankthe, veçanërisht kur trupi i saj ndryshon në moshën katërmbëdhjetë vjeç. Ajo shton në peshë dhe nuk e pëlqen veten. Por ka muzikën, dhe tek ajo strehohet. Ndërkohë, prindërit e saj merren me vëllezërit e motrat e tjera, që marrin vëmendjen dhe kujdesin e rezervuar dikur për të.
Por koha kalon dhe për Janis është koha të regjistrohet në universitet. Problemet vazhdojnë, mungesa e atraktivitetit bëhet objekt talljeje mes djemve në kampus, që e votojnë atë si “njeriun më të shëmtuar”. Prindërit mungojnë gjithnjë e më shumë dhe ajo, edhe një herë, gjen strehë në muzikë, midis izolimit nga pjesa tjetër e botës dhe atyre plagëve që bëhen gjithnjë e më të thella, me çdo ditë që kalon.
Mungesa e tolerancës e qytetit të Teksasit, ku ajo lindi dhe u rrit, shkon dorë për dore me dëshirën e saj për liri dhe me nevojën pothuajse obsesive për shpengim dhe pranim. Në 1963 Janis vendosi të linte universitetin dhe të transferohej në San Francisko.
Qyteti e mirëpret atë: më në fund është e lirë të shprehet, pa u përmbajtur. Por rebelimi i saj përfshin gjithashtu abuzimin me drogën dhe alkoolin. As hitet e hershme muzikore nuk e lejojnë të gjejë paqen që po kërkonte. Miqtë e rinj janë të shqetësuar për të dhe, me një biletë vetëm vajtje për në Teksas, e ftojnë të vijë në shtëpi për t’u takuar përsëri. Janis e bën.
Hitet e para muzikore
Në 1966 Janis vendosi të kthehej në San Francisco dhe u bashkua me Big Brother dhe The Holding Company, së pari duke luajtur dajren, pastaj duke u bërë soliste. Publiku e brohoret, Janis e pëlqen. Konfirmimi vjen me pjesëmarrjen në Festivalin Monterey, kur para një publiku, zëri i saj i mrekullueshëm gërvisht zemrat e dëgjuesve.
Një performancë e paharrueshme që e shtyu Columbia Records të firmoste me grupin e saj. Janis është ende e papjekur, por është unike, krejt ndryshe nga të gjitha këngëtaret e asaj kohe. Ajo bëhet lidere, duke qenë më e suksesshme se anëtarët e tjerë, të cilët janë të gjithë burra.
Cheap Thrills doli në gusht 1968. Disa javë dhe pushton pozicionin e parë në renditje, duke e mbajtur atë rekord për dy muaj. Grupi fitoi Gold Disc, por po atë vit ata u ndanë.
Një vendim i përbashkët – do të tregonin ata vetë – i lindur nga vetëdija se fati i Janis ishte diku tjetër. Megjithatë, ajo zgjedhje, e cila nuk ishte asgjë tjetër veçse parathënie e karrierës së saj solo, e zhyt Janis në gabimet e rinisë: ajo fillon të abuzojë përsëri me alkoolin dhe drogën.
Doza e dhimbjes së grumbulluar, në vitet e mëparshme, u kthye të përshkonte me forcë dërrmuese. Kordat e saj vokale ishin të forta, gjëmuese dhe të pjekura. Ajo ishte ende vajza e pasigurt dhe e vuajtur e së kaluarës.
Në skenë bën që 25,000 njerëz të dashurohen, pastaj shkon vetëm në shtëpi.
Suksesi, dështimi dhe dashuria
Me grupin e porsalindur Cozmic Blues, zëri më i madh “blues” në historinë e rock-ut, arrin pjesën tjetër të botës. Albumi i saj solo, “I got Dem Ol’Cozmic Blues Again Mama!”, ndan kritikët dhe audiencat. Janis kritikohet, madje ashpër, dhe ato dobësi që nuk janë zhdukur kurrë kthehen në sipërfaqe me forcë. Miqtë janë të shqetësuar për të, por ajo lufton me demonët e vet çdo ditë, ose të paktën përpiqet.
Një turne evropian fillon në 1969, por pritja nga publiku nuk është ajo për të cilën këngëtarja shpreson. Pjesëmarrja në Festivalin e Woodstock gjithashtu dëshmon të jetë një dështim: ndërsa ishte duke pritur të dilte në skenë – rreth 10 orë pas fillimit të koncertit – Janis merr një dozë të rëndë ilaçesh, që e rrezikojnë karrierën e saj. Performanca është plot me paqëndrueshmëri dhe publiku nuk e vlerëson.
Duke ndjekur historinë, ajo zgjedh të ndryshojë jetën e vet: lëviz në Brazil dhe braktis teprimet. Këtu takon David Niehaus dhe një dashuri e madhe do të lindë mes të dyve. Burri do ta mbështesë dhe do ta ndihmojë gjatë gjithë kohës për ta larguar nga teprimet, por pa pasur sukses.
Shansi i fundit
Janis kthehet në Amerikë dhe formon një grup të ri – më të fundit – Full Tilt Boogie Band. Ajo është pozitive dhe optimiste dhe e jeton atë moment të jetës së saj me entuziazëm, duke braktisur drogën për një farë kohe. Në qershor 1970 ishte protagoniste, me grupin e saj, e një turneu të organizuar në bordin e një treni në lëvizje, Festival Express 1970.
Performancat e saj janë perfekte dhe Janis është më e shkujdesur se kurrë, deri në pikën që ajo madje gjen kohën për të bërë dashuri: 65 marrëdhënie seksuale në 5 ditë, siç thotë vetë. Suksesi i jashtëzakonshëm i asaj periudhe e solli Paul Allen Rothchild, producentin e The Doors, më afër Janis. Paul është i bindur se ajo ka ndryshuar dhe vendos që t’i japë një shans duke e shtyrë të regjistrojë një album tjetër: Perla.
Por Mercedes Benz, një nga këngët më domethënëse nga albumi i nxjerrë pas vdekjes, është e fundit që regjistron Janis Joplin. Më 4 tetor 1970, ajo u gjet e pajetë në dhomën 105 të Hollywood Landmark Hotel në Los Angeles. Raporti mjekësor nuk lë dyshim për shkakun e vdekjes: mbidozë heroine.
Kështu vdes në moshën 27 vjeç, një nga zërat më të bukur dhe intensivë të skenës muzikore të të gjitha kohërave. Janis bashkohet me klubin e 27, duke trashëguar mallkimin e artistëve të tjerë të mëdhenj që vdiqën në atë moshë. Trupi i këngëtares u dogj në Varrezat e Parkut Memorial Westwood Village, hiri i saj u shpërnda në Oqeanin Paqësor për të përmbushur dëshirën e saj për të qenë e lirë, sepse në fund të fundit, ajo kishte qenë gjithmonë e tillë. /bota.al/ KultPlus.com
Rreth orës 14:30 të pasdites së 16 gushtit 1977, aktorja Ginger Aldenishte duke u endur përreth Gracelandit, në kërkim të askënd tjetri, veç të fejuarin e saj me famë botërore, Elvis Presley. Mbreti i Rock’N’Roll-it po përgatitej për turneun e tij të fundit, por Alden ishte e shqetësuar pasi nuk e kishte parë prej disa orësh.
Alden nuk pa asnjë shenjë të Elvisit, deri kur e kuptoi se dera e banjës ishte hapur. Hyri brenda dhe, siç kujton më vonë, “mbeta e paralizuar nga ajo që pashë”. Sipas saj, “duket sikur i gjithë trupi i Elvis kishte ngrirë plotësisht në pozicionin ulur dhe më pas ishte rrëzuar përpara”.
Alden nxitoi t’i vinte në ndihmë dhe zbuloi një shenjë të frymëmarrjes, edhe pse “fytyra e këngëtarit ishte shprishur dhe kishte marrë ngjyrë vjollcë”, ndërsa sytë e tij “shihnin drejt dhe ishin të përgjakur”. Ajo thirri ambulancën dhe ylli u dërgua në një spital në Memfis të Tenesit, ku mjekët u përpoqën ta risillnin në vete.
Përpjekjet e tyre dështuan. Elvis Presley u shpall i vdekur në orën 15:30, pak më shumë se një orë pasi u gjet. Ishte vetëm 42 vjeç.
Një çështje e debatueshme u ngrit nga ai moment: Si vdiq Elvisi?
Vdekja e këngëtarit shokoi botën. Vetë presidenti Jimmy Carter bëri një deklaratë duke thënë se këngëtari kishte “ndryshuar përgjithmonë fytyrën e kulturës popullore amerikane”.
Ndërkohë, rreth 100 mijë adhurues të tronditur, morën pjesë në funeralin e Presleyt. Pavarësisht kaosit qe shkaktoi vdekja e tij e papritur, nisën të ngrihen pikëpyetje mbi disa fakte të errëta mbi shkakun e vërtetë të vdekjes së këngëtarit.
Tre mjekë që punonin së bashku, Eric Muirhead, Jerry Francisco dhe Noel Florendo, kryen autopsinë e tij. Ekzaminimi zgjati dy dy orë. Francisco doli dhe dha njoftimin për mediat. Ai raportoi se “gjetjet paraprake të autopsisë” tregonin se këngëtari kishte vdekur nga një “aritmi kardiake”, një sulm në zemër, dhe se nuk kishte prova që barnat që merrte kishin luajtur ndonjë rol në vdekjen e tij.
Në fakt, kjo nuk ishte përgjigje e plotë ndaj pyetjes se si vdiq Elvis Presley. Autopsia ende nuk kishte përfunduar në kohën e deklaratës së Franciscos dhe asnjë prej mjekëve të tjerë nuk e kishte pranuar atë njoftim për mediat. Por, megjithëse veprimet e Franciscos kishin qenë të dyshimta, kishte arsye për të besuar se ilaçet nuk kishin gisht në atë ngjarje dhe se përkeqësimi i shëndetit të Presleyt ishte thjesht rastësor.
Në kohën e vdekjes, Presley ishte në mbipeshë. Preferenca e tij ndaj ushqimeve të yndyrshme, sandviçëve dhe ushqimeve të tjera të pashëndetshme ishte e njohur dhe ai vuajti nga disa sëmundje, përfshirë diabetin, presionin e lartë të gjakut dhe glaukomën. Megjithëse dieta e tij e dobët mund të ketë kontribuar për shëndetin e sëmurë, kishte një përgjigje më të gjatë ndaj pyetjes se si vdiq Elvis Presley.
Edhe kur ai iu drejtua shtypit, Francisco u bombardua nga e njëjta pyetje: A kishte pas vdekjes ndonjë shenjë të abuzimit me drogën?
Vetëm pak javë pas vdekjes së Presleyt, tri nga truprojat e këngëtarit kishin botuar një libër me tregime, “Elvis, çfarë ndodhi?”, në të cilën ata pohonin se ylli i muzikës kishte qenë prej kohësh i varur nga amfetaminat.
Nga ana e tij, Francisko u përpoq ta shmangte këtë pyetje, duke pretenduar se “shkaku specifik i vdekjes së tij nuk mund të njihej për një javë, ose dy studime laboratorike që priste të ndërmerren”, duke shtuar se ka “gjasa që në raste të tilla, shkaqet specifike të mos zbulohen kurrë”.
Kur u krye raporti i toksikologjisë, u duk sikur mjekët ishin përpjekur të fshihnin diçka. Rezultatet treguan se në kohën e vdekjes së Presleyt, gjaku i tij përmbante nivele të larta me dilaudid, percodan, demerol, codeine dhe 10 lloje të tjera drogash. Më vonë do të dilej në përfundimin se Francisco e kishte organizuar konferencën dhe u përpoq t’i shmangte pyetjet rreth drogës, me kërkesën e anëtarëve të familjes Presley, që ishin të vendosur t’i mbanin fshehur abuzimet me drogën të këngëtarit. Presley u bë i varur nga amfetaminat që në fillim të 20-ave të tij. Këto substanca ishin të ligjshme në Shtetet e Bashkuara deri në vitin 1965. Por, Presley, që vuante nga pagjumësia, merrte edhe barna kundër depresionit për ta ndihmuar të flinte natën. Nga fundi i viteve 1960, Presley ishte bërë plotësisht i varur nga drogat që i përdorte për të qenë energjik gjatë koncerteve dhe për të fjetur gjatë natës.
Ndërkohë u lidh me një mjek të papërgjegjshëm. Presley u takua për herë të parë me mjekun George C. Nichopoulos në vitin 1967, kur mjeku e trajtoi për një plagë në këmbë. Nichopoulos u bë shpejt mjeku personal i Presleyt, duke shkuar bashkë me këngëtarin në Las Vegas dhe duke i siguruar atij shumë doza amfetaminash dhe barbituratesh. Sikurse u shpreh më vonë Nichopoulos: ”Problemi i Elvisit ishte se ai nuk shihte asgjë të gabuar tek përdorimi i tyre. Ndjente se duke i marrë ato nga një mjek, nuk ishte i droguari i zakonshëm që shkon të blejë diçka në rrugë”.
Megjithatë, disa e konsideronin Nichopoulosin si një mjek të papërgjegjshëm. Midis viteve 1975-1977, ai kishte shkruar receta për 19 mijë doza droge për Presleyn. Nga janari deri në gushtin e vitit 1977, kishte përshkruar më shumë se 10 mijë doza. Tre vjet pas vdekjes së Preslit, Nichopoulosit iu pezullua liçenca si mjek. Në vitin 1981 u nxor në gjyq për dhënien e ilaçeve me tepri ndaj pacientit të tij. Mjeku dëshmoi se ai ishte përpjekur që pacientët e tij të kuronin gradualisht varësinë dhe në fund u lirua. Megjithatë, në vitin 1995 licenca si mjek iu hoq përgjithmonë.
Një vit më parë, një rihapje e dosjes së vdekjes së Presleyt zbuloi se sulmi në zemër ishte shkaku kryesor i vdekjes (megjithëse kjo gjetje mbetet e diskutueshme). Sidoqoftë, shumë adhurues të Presleyt fajësuan Nichopoulosit për vdekjen e idhullit të tyre dhe ai mori kërcënime të shumta me vdekje në vitet që pasuan.
Megjithatë, edhe pse mjeku me siguri e çoi Presleyn drejt vdekjes, shkaku i vdekjes së tij mund të jetë edhe më tragjik. Një nga efektet anësore të abuzimeve të gjata me qetësuesit është kapsllëku i madh. Meqë ai u gjet pa ndjenja pranë tualetit, ka gjasa që të jetë përpjekur të dalë jashtë, duke krijuar presion mbi zemrën e tij tashmë të dobët. Tendosja e kombinuar me obezitetin, sëmundjet e tjera dhe abuzimet me drogat, mund t’i kenë shkaktuar Presleyt një sulm vdekjeprurës në zemër. /AllThatisInteresting/ KultPlus.com
Këngëtarja e mirënjohur e këngës popullore shkodrane File Gjeloshi, ndonëse një zë i rrallë e cila këndoi perlat e muzikës shqiptare, nuk mori asnjëherë ndonjë titull zyrtarë nga ana e shtetit, por titullin e një artisteje të madhe ja dha gjithmonë publiku, raporton KultPlus.
E këndoi si rrallë kush këngën popullore shkodrane, e shumë e shumë perla të tjera të muzikës shqiptare.
File Gjeloshi përjetësoi shumë këngë me zërin e saj. Ajo u bë e njohur që në moshën 15-vjeçare për publikun shkodran. Këngëtarja shkodrane shkëlqeu jo vetëm në skenat shqiptare, por edhe në dhjetëra skena të qyteteve të ndryshme të botës, por kjo nuk mjaftoi që ajo të merrte qoftë edhe një titull zyrtar nga shteti i vendit të saj, ku ajo i kushtoi shpirtin dhe zërin e saj.
Vëllai i saj Gjon Gjeloshi, ka deklaruar se, ndonëse File Gjeloshi ishte një ndër këngëtaret e para në Shkodër, ajo asnjëherë nuk u dekorua me asnjë titull nga ana e institucioneve, duke e lënë në harresë punën dhe zërin e saj të mrekullueshëm, i cili për publikun shqiptar e sidomos atë shkodran do të mbetet i pazëvendësueshëm.
Këngëtarja e mirënjohur e këngës popullore shkodrane File Gjeloshi, ka ndërruar jetë në moshën 85-vjeçare pas një sëmundje të rëndë në një apartament modest në qytetin e Shkodrës më 20 qershor të vitit 2019. Këngët e saj të regjistruara do të mbesin përherë kujtim për brezat e ardhshëm, duke dëshmuar një artiste me vlera të mëdha që kishte Shkodra e gjithë shqiptarët./ KultPlus.com
Ku ishe ti kur dola i vetëm nën hënë? Në ç’hënë barisnje vallë?
Ku ishe ti kur vizitova profilin tënd Në xhamin e muzgut që krisi dhe u thye me trishtim?
Pastaj erdhi nata mbushur me mungesën tënde Pastaj erdhi prap nata dhe kështu ka për të qenë deri në ditën e fundit të netëve.
Zbrita tek kroi duke mbajtur në duar vazon delikate të agimit Pashë sytë e tu ruajtur në kujtesën e ujrave.
Lisi plak lëshoi përdhe kurorën e vjeshtës Si një sovran që abdikon.
Ani, mua më zuri ky mallkim. Po qysh bën pylli pa ty? Si del vjeshta? A ndofta nuk do të ketë kurrë më vjeshtë? Atëherë në emër të kujt do të bien gjethet? Në emër të kujt do të vijnë shirat, mjegullat, ylberët?
Ah, zemra ime, eja vër dorë mbi stinët! / KultPlus.com
Ditën e djeshme, si shumë qytete të tjera në botë dhe në Kosovë, edhe Prishtina pati dëme të mëdha si pasojë e reshejve të dendura të shiut e erërave të forta, shkruan KultPlus.
Mirëpo, sot, Drejtori i Kulturës në Komunën e Prishtinës, Adrian Berisha ka njoftuar se ekipet emergjente të Komunës në koordimin me Drejtorinë e Shërbimeve Publike dhe kompanitë publike në kryeqytet, janë në teren duke intervenuar ndaj dëmeve të shkatuara.
Berisha ndër të tjera ka theksuar se situata është nën kontroll dhe se nuk ka dëme të mëdha dhe poashtu se ”Akull n’Verë” do të rikthehet që nga dita e nesërme për të të vazhduar me qëllimin kryesor që e ka pasur qysh në fillim, për t’i dhënë kryeqytetit harmoni. / KultPlus.com
Janë të shpeshta renditjet që bëhen për filmat më të ndjekur, në kategori të ndryshme si komedi, aksion, thriller, horror por së fundmi edhe ata të animuar.
Duke parë fitimet që filmat e animuar po marrin dhe klasifikimet e tyre në top lista bën që shumë regjisorë t’i kushtojnë rëndësi krijimit të tyre.
Më poshtë CBC ju rendit listën e serive të animuara më të shitura në Box Office, transmeton KultPlus.
Frozen
Disney vuri një bast shumë të vështirë me këtë produksion, një prodhim origjinal nga autori Hans Christian Andersen, me titull “Frozen”. Basti u fitua sepse “Frozen” është filmi i animuar më i shitur, me një fitim prej 1.27 miliardë dollar.
Toy Story
Episodi final i “Toy Story” ka qenë shumë sfidues, sepse Andi u rrit dhe i duhej të hiqte dorë nga të gjitha lodrat e tij të fëmijërisë. Si fëmijë dhe të rritur kanë qeshur dhe qarë me këtë seri. Fitimet e filmit arritën në 1 miliard dollarë.
Minions
Që në krijimin e serisë së parë pritej një fitim i jashtëzakonshëm i “Minions”, madje se do të kalonte edhe atë të “Frozen” apo “Toy Story”. Gjithashtu konsiderohet si një nga titujt e filmave të animuar më të ndjekur në 11 shtete.
The Lion King
Edhe pse është krijuar në një epokë tjetër, me një format të ndryshëm vizatimi dhe një listë të përzgjedhur me kujdes këngësh, The Lion King është një ndër serialet që është parë nga të gjithë. Fitimet e tij ishin afërsisht 987 milionë dollarë.
Finding Memo
Historia e një peshku të vogël që largohet nga shtëpia është parë me mijëra herë nga fëmijët dhe mendohej se kjo seri nuk kishte nevojë për një tjetër episod, por nuk është kështu. Fitimet e filmit ishin afërsisht 937 milionë dollarë.
UP
Pjesa e parë që zgjat 10 minuta dhe tregon gjithë historinë e Carl Fredricksen dhe bashkëshortes së tij, është një nga pjesët më prekëse në gjithë historinë e filmave të animuar, edhe pse nuk është e shoqëruar me muzikë. Ky është një nga ata filma që nuk ka nevojë për seri të tjera. Fitimi ishte 731 milionë dollarë.
Shrek
Një nga filmat më të suksesshëm ishte edhe “Shrek”, me të cilin Dream Works Animation bëri një paraqitje të denjë. Fitimet e kësaj serie të animuar ishin 920 milionë dollarë. / KultPlus.com
Sot në Prizren u mbajt konferenca e përvitshme për shtyp e festivalit DokuFest ku u prezantua programi i plotë i edicionit jubilar, i 20-të i DokuFest, i cili do të mbahet nga data 6-14 gusht në Prizren, Kosovë.
Në konferencë prezantuan programin dhe mbarëvajtjen e festivalit Veton Nurkollari, Drejtor Artistik i Festivalit, Alba Çakalli, Producente e Festivalit dhe Samir Karahoda, Selektor i Programit të Filmave të Shkurtër, transmeton KultPlus.
Producentja e festivalit Alba Çakalli hapi konferencën për shtyp dhe tha ‘Jemi shumë të lumtur që sot po prezantojmë edicionin e 20-të të festivalit me një program të veçantë ku këtë vit do të bashkohemi nëpër kinematë tona me audiencë nga data 6 -14 gusht.” Ajo njoftoi edhe për temën e këtij edicioni të festivalit që përbëhet nga një program i gjerë dhe i kuruar me kujdes e që përfshinë shfaqje të filmave, performanca muzikore, ekspozita dhe diskutime.
Poashtu, producentja Çakalli njoftoi edhe për programin i cili një pjesë e kufizuar e tij do do të jetë i hapur për rajonin në një platformë online dhe pjesa e kategorisë kombëtare do të jetë e hapur për shtetet si në Zvicër, Gjermani dhe Suedi.
Veton Nurkollari, Drejtori Artistik i Festivalit shpalosi shkurtimisht programin e sivjetëm të filmave. “Nga mbi 3000 filma të cilat kanë aplikuar për këtë edicion të festivalit, kemi përzgjedhur 106 filma për 8 kategori garuese të festivalit nga 60 shtete dhe rreth 100 filma tjerë për një numër programesh të veçanta të festivalit”.
Deri tani ne kemi shpalosur shumicën e programit dhe në ditët në vijim do të shpalosen edhe disa nga programet tjera. Ajo çfarë mund të themi është se kemi një interesim në rritje për prezencën e autorëve dhe filmbërësve profesionist nga Kosova, rajoni e bota dhe tashmë kemi konfirmim nga një numër i konsiderueshëm i tyre në lidhje me ardhjen në Prizren. “Me gjithë situatën në të cilën gjendemi unë shpresoj për një rikthim gradual të publikut si dhe të festivalit në formatin çfarë ishte dhe si e meriton edhe qyteti i Prizrenit dhe Kosova.”
Nurkollari poashtu theksoi rëndësinë e këtij viti për kinematografinë Kosovare, duke e quajtur si njē vit historik, jo vetëm shkaku i suksesit të jashtēzakonshēm tē filmin “Pa Vend” nga Samir Karahoda i cili sapo pati premierën botërore ne festivalin e Kanës dhe i cili do ta ketë premierën e saj në DokuFest por edhe pēr shkak të suksesit edhe të filmave tjerë Kosovar këtë vit, sikur ai i regjisorit të talentuar Leart Rama, filmi i shkurtë i të cilit me titull “4 Pills at Night” do ta ketë premierën botërore në Locarno
Festival në Zvicër dhe i njëjti do të shfaqet edhe në DokuFest dhe ne jemi të lumtur që edhe në këtë formë po ndihmojmë dhe dëshmojmë që Kosova dalëngadalë po bëhet kryeforcë e kinematografisë në Evropë dhe botë.
“Një bashkëpunim tjetër i veçantë është bashkëpunimi me Arkivin Shtetëror të Filmit në Tiranë, me të cilët do të sjellim një program të jashtëzakonshëm të kuruar nga Tomas Logoreci dhe Iris Elezi, të cilat përfshijnë zhurnale nga periudha e vitit 1945 e deri në vitin 19991 dhe poashtu do të bëjmë një ekspozitë me fotografi në shtëpinë e Shani Efendiut si një hyrje në rimendim të asaj hapësire me fotografitë e gjetura së fundi në arkiv nga vizita e aktorit Bekim Fehmiut në Shqipëri në vitin 1972 të cilat nuk janë të botuara asnjëherë më parë.” theksoi Nurkollari. Samir Karahoda, kurator dhe selektor i programit të filmave të shkurtë njoftoi se “Nga mbi 1000 filma të metrazhit të shkurtë artistik të cilët kanë aplikuar, ekipi seleksionues ka arritur që pas një pune të gjatë të zgjedh 25 filma të cilët do të kenë shfaqjet e tyre në këtë edicion dhe do të garojnë në programin për filmin më të mirë të shkurtë.”
Ai vazhdoi “Programi kombëtar do të përbëhet nga 16 filma të cilat do të shfaqen në datat 11-13 gusht ku shumica prej tyre do të kenë premierën botërore në DokuFest. Një film i cili do të ketë një shfaqje të veçantë është filmi “Go, Go Kosova” një bashkëprodhim i Kosovës, Maqedonisë dhe Skocisë i cili ka të bëjë me rrugëtimin e sportistëve të Kosovës në Olimpiadën në Brazil dhe audienca do të njoftohet për promovimin e vendit tonë dhe sfidat që i ndjekin në këto rrugëtime sportistët tanë.”
Fillimi i festivalit na gjen me një ligjeratë dhe punëtori me dy fotografë të njohur botëror në kuadër të DokuFoto, Ron Haviv dhe Paul Lowe, të cilët përgjatë viteve kanë dokumentuar luftërat dhe ndodhitë e rëndësishme nëpër botë, përfshirë luftën në Kosovë dhe Ballkan.
Një vend të veçantë edhe në këtë edicion do ta kenë fëmijët të cilët për 5 ditë me radhë do të ndjekin programin e DokuKids, çdo ditë nga ora 10:00 për fëmijët e moshës 6-12 vjeç.
Konferencës për shtyp iu bashkua edhe kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka, i cili falenderoi DokuFest për punën e angazhimin e dy dekadave në ngritjen e turizmit të vendit dhe arritjen që kineastë e rinj po i sjellin tashmë me prodhimet e tyre filmike në vend dhe për promovimin kulturor të Prizrenit e Kosovës në skenën ndërkombëtare. / KultPlus.com
Kur humbasim një person të dashur; kur i japim fund një lidhjeje në të cilën jemi përfshirë maksimalisht, arrijmë ta kuptojmë vërtet se fundi i diçkaje na ofron mundësi të pafundme për ta njohur, vlerësuar dhe respektuar veten tonë.
E keni dëgjuar ndonjëherë fjalinë: “Dhimbja është mësuesja më e mirë e jetës”? Sepse është plotësisht e vërtetë. Kur jemi në prani të dhimbjes së humbjes, të ndarjes, apo të fundit të diçkaje, jemi të detyruar të kërkojmë alternativa të reja në jetë për të mbijetuar.
Sipas studimeve, shumica e pacientëve kur kuptojnë se janë në prag të vdekjes, apo në fund të jetës së tyre, arrijnë të pendohen realisht se pse nuk kanë dashuruar më tepër, se pse nuk kanë kaluar më tepër kohë me të dashurit e tyre, apo se pse nuk kanë dhënë puthjet që duhet të jepnin; gjëra këto që lekët nuk i blejnë dot. Gjithë këto, përbëjnë atë që quhet Jetë!
Jetojmë duke mos e kuptuar se sa kohë kalon, sepse shqetësohemi shumë në kënaqjen e dëshirave tonë ekonomike, më tepër se në mbushjen e boshllëqeve shpirtërore që mund të kemi. Pëlqejmë diçka materiale, punojmë fort, bëjmë çdo punë të mundshme për të siguruar të ardhurat e nevojshme për ta blerë atë gjë.
Kur arrijmë ta blejmë, na mërzitet dhe kërkojmë diçka tjetër, shpesh herë akoma më të shtrenjtë. Kështu dëshirat zëvendësojnë njëra tjetrën, derisa një ditë kuptojmë se nuk janë dëshirat apo gjërat materiale që kërkojmë, ato që na bëjnë të lumtur.
Mirëpo në momentin që e kuptojmë këtë të vërtetë të madhe, shpesh të nxitur nga dhimbja që mund të ndiejmë prej ndonjë zhgënjimi, mund të jetë tepër vonë.
Dhimbja vërtet na jep mësimet më të mëdha, por ndonjëherë ato mësime na i jep me vonesë dhe pendesa nuk ka asnjë vlerë. Asgjë nuk mund të kthehet dot ashtu siç ishte më parë.
Por të paktën, ngushëllohemi me faktin se dhimbja na bën të kuptojmë shumë e të mësojmë shumë mbi jetën. Përmes saj ne mund ta shohim jetën me fytyrën e saj të vërtetë, edhe kur mund të jetë vonë.
Një shprehje tjetër popullore thotë se, më mirë është vonë, sesa kurrë. Ndaj, më mirë ta kuptojmë vlerën e gjërave vonë, se sa të mos e kuptojmë kurrë përgjatë jetës sonë. Dhe pavarësisht gjithçkaje që mund të kuptosh, unë të këshilloj të ecësh përpara në jetë. Gjithmonë!/bota.al / KultPlus.com
Një rrugë në Napoli do të ketë emrin e Donika Arianiti Komnenin, vejushës së heorit tonë kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeut.
Komisioni i toponimeve të qytetit të Napolit i kryesuar nga kryebashkiaku Luigi de Magistris, me propozim të Acli ka vendosur pllakën me emrin e saj në Santa Chiara, duke treguar kështu forcimin e lidhjeve të miqësisë mes popullit napolitan dhe atij shqiptar.
Shumë familje shqiptare në shek. XII deri në shek. XVI u detyruan të largohen nga vendi për shkak të pushtimit osman. Për të mos iu nënshtruar sundimit ata u strehuan në Italinë e Jugut.
Donika Arianiti Komneni jetoi në rezidencën e fisnikëve D’Alessandro në Santa Chiara nga viti 1469, si e veja e udhëheqësit shqiptar Gjergj Kastriot Skënderbeu, që luftoi me mbretin Ferdinand I, i përshkruar dhe në derën e bronztë të Maschio Angevin.
Ajo jetoi nën mbrojtjen e sundimtarëve napolitanë dhe Mbretërisë së Napolit, vendi që mirëpriti shqiptarët që erdhën nga Ballkani, duke gjetur mbrojtje dhe duke u integruar plotësisht duke ruajtur traditat e tyre etnike.
“Vendimi për të vendosur këtë pllakë tregon jo vetëm të kaluarën e rëndësishme historike të qytetit të Napolit, por dhe thirrjen për të qenë një vend i mikpritjes për kultura dhe tradita të ndryshme. Kjo vendos një lidhje të thellë kulturore, që ka rrënjë prej shekujsh mes këtij qyteti dhe popullit shqiptar”, tha kryebashkiaku i Napolit, de Magistris. / KultPlus.com
“Renzo Collura…” është libri i parë kushtuar një artisti të huaj që ka jetuar dhe pikturuar në Shqipëri. I ardhur nga Agrigendo e Sicilisë, piktori italian Collura i kaloi vitet shqiptare në mjediset e Shkodrës dhe të Durrësit.
U miqësua dhe bashkëpunoi me artistë të ndryshëm të asaj kohe. Pikturoi afreske në Kishën Franceskane. Krijoi portrete dhe peizazhe nga natyra. Realizoi edhe skenografi për shfaqje teatrore.
Dy vitet e fundit të qëndrimit në Shqipëri (1945-47) Renzo Collura organizoi dhe drejtoi kurse artistike, i ngarkuar nga Ministria e Kulturës Popullore në Tiranë. Ndërsa në verën e vitit 1947 u largua përgjithmonë duke u ndarë përfundimisht edhe nga krijimet me temë shqiptare.
Në Durrës la “studion e tij e vogël”, ndërsa nëpër shtëpitë shkodrane i mbetën disa nga portretet e porositura prej familjarëve vendas.
Me fillimin e “luftës së ftohtë” humbën të gjitha lidhjet me miqtë e tij në Shkodër dhe në Durrës. Ndërsa nga “pushteti” i artit të ri të realizmit socialist në Shqipëri tablotë e artistit italian mbetën në hije. Pikturat e tij nuk mund të ekspozoheshin apo të komentoheshin. Por, ndonëse nuk u shkrua thuajse asnjë fjalë për veprat e artit, Collura përmendej në bisedat familjare në Shkodër, sidomos në ato shtëpi ku ruheshin tablotë që kishte pikturuar. Vetë autori i këtij libri, Stefan Çapaliku na dëshmon se e ka ndeshur emrin e artistit që në moshë të vogël. Te shtëpia e axhës së tij në Shkodër ruhet një nga veprat më të bukura që Collura ka pikturuar në Shqipëri.
Por, për realizimin e librit kushtuar këtij artisti, që doli nga shtypi në janar të vitit 2021 (74 vjet pas largimit në Itali), pas një heshtjeje të gjatë rreth veprimtarisë artistike dhe në mungesë të ish miqve dhe bashkëkohësve, studiuesit dhe shkrimtarit Çapaliku i është dashur më shumë kohë për kërkime e hulumtime në Shkodër, në Durrës, si edhe në vendlindjen e artistit, në Itali.
Libri i sapo botuar na jep informacion të pasur, foto të panjohura, imazhe të veprave të artit, letra, kartolina e shënime të ndryshme, si dhe intervistën me artistin Athos Collura, djalin e Renzo-s. Të gjitha së bashku e krijojnë më të plotë atmosferën e kohës kur jetoi dhe pikturoi, na e sjellin më të qartë personalitetin e artistit. I njohur për gjetje të bukura artistike ne krijimet e tij letrare e skenike, edhe në këtë libër arti Çapaliku na sjell një strukturë të veçantë, me një formulim grafik tërheqës, të pasuruar me imazhe të bukura.
Autori e përshkruan se si ndikoi edhe tradita e kulturës shqiptare përmes krijimtarisë së artistëve të njohur të Shkodrës (Idromeno, Marubi, Martini, Rrota, Kolombi, Kabashi, Jani etj). Për Shkodrën mund të shtojmë gjithashtu se ka qenë prej shumë e shumë kohësh mjedisi më tërheqës për artistët e huaj. Aty Edward Lear krijoi disa nga akuarelet më të bukura kushtuar gruas me kostum shkodran, urës mbi Drin, kalasë Rozafa dhe shumë motive të tjera. Edith Durham para se të vizatonte dhe të pikturonte nëpër trojet shqiptare shkroi se Shkodra ka ngjyrë, ka art. Kur erdhi në Shkodër piktori i njohur i temave shqiptare P. Jovanovich vizatoi bashkë me Idromenon nëpër rrugët e qytetit. Po ashtu kanë jetuar dhe krijuar në kryeqendrën e veriut shqiptar edhe artistë të tjerë austriakë, anglezë, gjermanë, francezë, italianë, çekë, rusë, serbë, hungarezë, bullgarë dhe nga vende të tjera të botës. Në muajin prill të vitit 1918 në Shkodër u hap ekspozita e parë me vepra të tre autorëve të huaj (Horovitz, Pravotinski dhe Beszedes), që shënohet si e para veprimtari arti që është organizuar në Shqipëri. Midis gjithë këtyre veprimtarive të autorëve të huaj përfshihen edhe pikturimet e artistit italian, të parqitur me një stil tërheqës nga Stefan Çapaliku.
Libri “Renzo Collura, një artist i humbur në Shqipëri/un artista disperato in Albania” (i botuar në shqip dhe në italisht) e paraqet të plotë jetën dhe veprimtarinë e piktorit italian për lexuesit e të dy vendeve ku jetoi dhe krijoi./exlibris.al/ KultPlus.com
Filmi “Madres paralelas”, nga regjisori Pedro Almodovar dhe me protagoniste Penelope Cruz, do të hapë edicionin e 78-të të Festivalit të Filmit në Venecia, që do të mbahet nga 1 deri më 11 shtator, njoftuan sot organizatorët.
Filmi, ku luan gjithashtu Milena Smit, Israel Elejalde, Aitana Sánchez-Gijón, Julieta Serrano dhe Rossy De Palma, do të konkurrojë për Luanin e Artë si Filmi më i Mirë.
“Unë kam lindur si regjisor në Venecia në 1983 (…) në seksionin “Mezzogiorno Mezzanotte”. 38 vjet më vonë, më thërrasin për të hapur Mostra-n”, reagoi drejtori spanjoll, i cituar në njoftimin për shtyp, transmeton KultPlus.
“Unë i jam me të vërtetë mirënjohës Festivalit për këtë nder dhe shpresoj të jem në lartësinë e duhur”, shtoi ai.
Drejtori i festivalit Alberto Barbera, nga ana e tij, ishte i kënaqur të mirëpriste “këtë portret intensiv dhe të ndjeshëm të dy grave të ballafaquara me temat e një nëne, me kthesa të paparashikueshme, me solidaritetin femëror, me një seksualitet të përjetuar në liri të plotë dhe pa hipokrizi”.
Pedro Almodovar, 71 vjeç, mori një Luan të Artë në Venecia 2019 për Arritjet e Jetës. / KultPlus.com
Kartolina e një studenti britanik nga SHBA-të më në fund është dorëzuar 32 vjet pasi ishte dërguar.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Andrew Leslie, i cili ishte 25 vjeç në atë kohë, ia postoi kartelën babait të tij, John, më 30 gusht të vitit 1989 ndërsa studionte në Universitetin e Miçiganit, transmeton KultPlus.
Nëna e tij Anne Leslie tha se ajo ishte lënë “e mistifikuar” kur një kartolinë mbërriti në Grimsby të Anglisë të martën dhe ishte e etur të mësonte se çfarë kishte ndodhur.
Siç supozojnë mediat, ajo mund të jetë futur përsëri në sistemin postar kohët e fundit.
Zonja Leslie tha se kartolina mbërriti një ditë para ditëlindjes së burrit të saj.
Ai jeton në një shtëpi kujdesi për ndihmë me demencën, por zonja Leslie mbetet në të njëjtën adresë.
“Ishte ora e drekës dhe unë shkova të marr postën dhe pashë këtë kartolinë midis disa katalogëve”, ka rrëfyer ajo. / KultPlus.com
Kushdo që ka lexuar lirikat e tij të trishtuara dhe është magjepsur prej fjalës poetike plot finesë e ndjeshmëri, nuk mund të mos ketë ndërmendur një çast rrugën e vështirë, plot peripeci dhe andrralla të jetës së tij. Në shoqërinë njerëzore, vuajtja, persekutimi, mjerimi skajshëm, goditje tw befta dhe mbrapshtia e fatit, janë po aq të vjetra sa dhe bota.
Por jeta e tallazuar dhe fati aq i trazuar i Reshpjes, marrin një domethënie të veçantë kur vihet në relacion me kohët kur krijoi, me artin e tij dhe poezinë margaritar që la pas, si trashëgimi të vyer në fondin e poezisë shqipe. Frederik Reshpja njoftoi ardhjen e tij premtuese në tempullin e letrave shqipe me vëllimin e parë poetik Rapsodi shqiptare në vitin 1968, ndërsa në vitin 1973 botoi librin e dytë me poezi Në këtë qytet. Më tej jeta e Reshpjes merr rrokullimën, burgoset nga regjimi komunist dhe librat e botuar i hiqen nga qarkullimi si “të papërshtatshëm” dhe “të dëmshëm për edukimin komunist të masave”. Pas një heshtje të gjatë, i harruar dhe mënjanuar , me fillimet e demokracisë, Reshpja plot vrull dhe shpresa përqafon jetën e re, përfshihet në debatet politike të kohës, fillon aktivitetin si gazetar, redaktor dhe rivendos lidhjet e këputura me poezinë e viteve të rinisë.
Në vitin 1994 boton vëllimin me titullin metaforik:Erdhi koha të vdes përsëri .Më pas boton vëllimin me titullin epitaf të jetës së tij-Në vetmi. Sakaq, krahas punës si gazetar dhe redaktor, e provon veten në një sipërmarrje, duke themeluar shtëpinë botuese dhe shtypshkronjën “Europa”. Por shumë shpejt, nga shkëlqimi përkohshëm,do të binte në mjerimin më të skajshëm. Një jetë endacaku rrugëve të Tiranës, me trupin e drobitur nga sëmundjet, i vetmuar, i shpërfillur, deri ditët e fundit të jetës së tij. Ç’ishte kjo jetë me kaq peripeci, nga vinte e ku e kishte burimin ai fat aq dorështrënguar, me një nga lirikët më brilant të gjysmës së dytë të shekullit të 20-të? Ka një përgjigje dhe gjithçka duket se lidhet me artin e tij, me poezinë e tij të pazakontë dhe kohën kur krijoi. Fati ishte brendashkruar në artin e tij. Arti për Frederik Reshpjen nuk ishte thjesht vetëdija por edhe vetëqenia e tij. Reshpja ishte ”i mallkuar” me art dhe prej artit të tij. Në poezinë e tij Testament, Reshpja përcjell vetëdijen për artin si fat dhe mallkim: Që fëmijë e kam kuptuar se kisha lindur i mallkuar me art. Mos e pastë njeri këtë fat!
Në parathënien e librit me proza poetike të Sharl Bodler “ Brengat e Parisit”, Ismail Kadare përsiat rreth poetëve simbolistë francezë të shekullit të nëntëmbëdhjetë, të ashtuquajturit “artistë të mallkuar” , të mallkuar nga institucionet dhe opinioni kohës,jo vetëm për shkak të skandaleve dhe veseve por , sidomos e mbi të gjitha, për shkak të artit të tyre novator, i cili shënoi fillimet e modernitetit në poezinë europiane.Edhe Reshpja, antikonformist nga natyra, shpërfillës i konvencioneve dhe shtrëngesave ideologjike, ashtu si sivëllezërit e tij, poetët simbolistë, u perceptua prej institucioneve dhe të tjerëve si njeriu “skandaloz”. Përballë shpirtit skllav të shumëkujt dhe hipokrizisë si stil mbijetese, Reshpja me shpirtin bohem, shpalli kredon e tij : “ Unë kam lindur skandaloz dhe i lire” ! Shkrimtarët e mallkuar gradualisht u pranuan nga shoqëria dhe zunë vendin e merituar në tempujt dhe panteonet letrare kur , mallkimi i vjetër –thotë Kadare- befas u përtërit në trajtën më të zezë që mund të mendohej, në gjysmën e botës, në atë që quhej “perandoria komuniste”. Burgu, pushkatimi, internimi, persekucioni, ndalimi botimeve, lincimi, “qarkullimi në bazë për riedukim” dhe praktika të tjera të kontrollit dhe represionit, ranë si mallkim mbi poetët dhe krijuesit në Shqipërinë totalitare. Reshpja ishte një nga viktimat e këtij represioni. Në shkrimin Një prill për Fredin ( një homazh plot venerim për Reshpjen) ,ku sheston raportet e shtetit totalitar komunist me shkrimtarët , Kadare nënvizon se Reshpja u shfaq në letrat shqipe në një kohë të papërshtatshme: në kohën e parë,në diktaturë, u përball me egërsinë e shtetit, ndërsa në kohën e dytë, në demokraci, u përball me mospërfilljen. Të dyja kohët , përtej dallimit thelbësor të sistemeve politikë, kohët shoqërore pra, kishin të përbashkët mosdashurinë, klimën e ftohtë, mospërfilljen dhe egërsinë , të mjaftueshme për të thyer shpirtra të brishtë si Reshpja.
Në vitet e rinisë poezia e tij mbart një frymë optimizmi dhe patetizmi, si shprehje e iluzioneve të moshës dhe, njëherazi, si pasojë e kërkesave të ideologjisë së kohës,ku shkrimtarët dhe artistët ishin thirrur si pjesë e mekanizmave të inxhinierisë sociale për projektimin e utopisë komuniste. Me kalimin e viteve, si reflektim i peripecive të jetës dhe zhgënjimeve të njëpasnjëshme, poetika reshpiane dominohet nga nota trishtimi dhe melankonie.Ai që dikur në rini kishte ëndërruar të ishte si “një ylbermbi akuafortën e kohës vizatuar egër” me dhimbje konstaton : Qielli i djalërisë në sqep të një zogu U zhduk pas portës se ylbereve. Zhduket pas portës se ngjyrave djalëria Dhe mua trishtimi me mbulon Përmes poezive përjetohet ndjesia e një stine të përhershme shirash dhe duket sikur poeti futet në muzgun e perëndimit të shpresave. Poeti ndjehet i hedhur në një botë të huaj, motivet bëhen më të ftohta e boreale, peizazhet poetike më të trishta, me një hënë pikëllimi përmbi, si në gjithë ligjërimin e poezisë lirike popullore: Hëna e pikëlluar nëpër re Shkel mbi degët e shirave. Fshehur pas drurëve diku përgjon Vrasësi i vjetër, trishtimi. Eh, mundet që thika e trishtimit Diku përdhe ka për të më lënë, Fshehur nën një perëndim të thyer Fshehur nën shira hëne… Rënia e poetit është si në balada, vetmia e tij është kozmike: Dola nga guernika e kësaj nate I vrarë egërsisht, Kali i zi i pikëllimit ç’më rrezoi Dhe rashë si në balada; I vrarë nga një pranverë e kotë Braktisur nga bota e tërë. Cila “pranverë e kotë” e vrau poetin? “Pranvera mashtruese” e Tiranës e të ashtuquajturit liberalizëm në fillim të viteve 70-të apo ajo e iluzioneve të fillim viteve 90-të?Ndoshta të dyja…Përtej fatit personal, lexohet aludimi për zhgënjimin universal që sjell besimi në iluzionet utopike. Si në momentet e shkëlqimit, ashtu dhe në mjerim, Reshpja e shpërfilli jetën në skajshmëri.
Kjo neglizhencë apo mospërfillje ndaj jetës, përsëri vinte si “mallkim” prej artit. Reshpja ishte i ndërtuar prej materies së artit. Poezia ishte barra dhe kryqi prej të cilit nuk shpëtonte dot. I përhumbur nën peshën e kësaj barre, nën peshën e metafizikës së shpirtit, vetes tjetër fizike, njeriut empirik, i merreshin këmbët dhe “pesha e artit”bëhej pengesë në jetën plot kushtëzime, kurthe, detyrime, banalitete. Albatrosi i Bodlerit, si simbol për natyrën e dyfishtë të poetit: I bukur dhe madhështor në qiejt eternalë të poezisë / i ngathët , i zgërlaqur dhe krahëvarur në tokën e banalitetit dhe njëmendësisë , i shkon për shtat poetëve të klasit si Reshpja. Reshpja sfidoi kohën njerkë,fatin e mbrapshtë dhe ecjen e tij përmes botës së moskuptimit, e distiloi në përftesa poetike me imazhe impresioniste mbresëlënëse. Jetën prozaike të vetmisë dhe ekzistimit temporal, e konvertoi në poezi me frymë eternale. Kohës së jashtme,si jetë e pafat, i kundërvuri kohën e brendshme , metafizikën e shpirtit të mishëruar në artin delikat të poezisë. Përballë një bote të ashpër dhe të pashpresë, të egër dhe mospërfillëse, poeti projekton botën imagjinare ku kompeson humbjet dhe sublimon estetikisht dhimbjen. Poezia e Reshpjes është e shënjuar thellësisht prej fatit që përjetoi si individ. Por do të ishin njëlloj të mangëta në njëanshmërinë e tyre, si qasja e “zhytjes në tekst” sipas konceptit barthesian të “vdekjes së autorit”,ashtu dhe qasja sociologjizuese dhe biografike në analizën e poetikës reshpjiane. Reshpja iu largua tematikave himizuese të kombit, glorifikimit të historisë dhe patetizmit deklamativ, si shenja dominante në historinë e poezisë shqipe. Stili i tij poetik është qartësisht i dallueshëm në polifoninë e zërave poetikë të fillimeve të tranzicionit postkomunist. Poezitë e Reshpjes kanë një frymë thellësisht humane,lirizmi i tij mbart nota epike,motivet e dashurisë mbështillen me tisin e trishtimit, pikëllimi ka frymën e baladave ballkanike.
Poezitë e Reshpjes përgjithësisht janë të lakonike dhe falë përkujdesit për fjalën, hera herës ato përjetohen si forma të kulluara të bukurisë së gjuhës poetike. Duke rimarë teknikën e poezisë popullore, në poezitë si variacione rreth një motivi, përsëritja e figurave artistike përcjell rrekjen e palodhur të Mjeshtrit për të latuar formën me perfekte. Poezia e tij, sikurse ka vënë në dukje kritika, dallohet për muzikalitetin e brendshëm dhe simbolizmin tingullor. Por mbi të gjitha, poetika reshpiane dallohet për kombinimin e formës tingullimore me tablotë imazhiniste , për akuarelin e peizazheve të shpirtëzuara dhe pikturuara plot delikatesë dhe ekspresivitet: Një ujëvarë e vogël vetmon lart në mal dhe luan me ylberët. Mjegulla e hollë, ndanë dritares sime, qan me lot shiu. Përkundër qasjeve të reja avanguardiste në ligjërimin poetik të pasviteve 90- të, Reshpja shpërfaq në poezinë e tij , vizionin e një shpirti pagan parasokratik dhe perceptimin e një fëmije naiv të magjepsur prej natyrës .Falë kësaj optike antropomorfizuese,natyra shpirtëzohet dhe përmes saj projektohen estetikisht brengat, ndjesitë, gjendjet dhe drithërimat më të holla të unit poetik. Reshpja nuk ishte as misionar, sikurse thuhet në ndonjë shkrim analitik dhe as i inspiruar prej kauzave të mëdha. Poezia e tij reflekton shtjellat shpirtërore tepër personale. E megjithatë, pikërisht përmes përjetimeve tepër personale, rroken topikët e vetmisë, trishtimit dhe humbjes së dashurisë, si shqetësime universale ekzistenciale të njeriut postmodern Në këtë universpoetik të sunduar nga Perëndia e Humbjes, mes larmishmërisë së motiveve , spikatin dy figura–objekt adhurimi: ajo reale e Nënës, simbol i dhimbjes dhe dashurisë së pakushtëzuar, e vetmja Perëndi tek e cila beson dhe tjetra, Lora, me shumë gjasa funksionale, ikonë e dashurisë së pamundur, fantazma e së cilës shpërfaqet xixëlluese përmes mjegullës trishtuese që mbështjell poezitë më intime të autorit. Cikli poezive kushtuar imazheve të Lorës përshkohet nga një pikëllim i paskajshëm, ku adhurimi, lutja, obsesioni dhembërthimi pas kujtimit të saj, merr pëmasa orfeike. Lora, si simbol i dashurisë, është Euridikia e humbur, epiqendra e kozmosit dhe premisë e parandalimit të kaosit shpirtëror dhe natyror : Zbrita tek kroi duke mbajtur në duar vazon delikate të agimit. Pashë sytë e tu ruajtur në kujtesën e ujrave. Ani, mua më zuri ky mallkim. Po qysh bën pylli pa ty?Si del vjeshta? A ndofta nuk do të ketë kurrë më vjeshtë? Atëherë në emër të kujt do të bien gjethet? Në emër të kujt do të vijnë shirat, mjegullat, ylberët? Ah, zemra ime, eja vër dorë mbi stinët! Me alkiminë e fjalës dhe brymë ëndrrash,mbi rendin material të kësaj bote të trishtë dhe rraskapitëse,Reshpja projektoi botën paralele imagjinative, universin e tij metafizik. Në këtë univers, kali i zi i pikëllimit , si shënja e kohës kur jetoi , transfigurohet në Pegason e frymës poetike që flatron për kah pakohësia. E gjithë poetika e Reshpjes është një arkitekturë kristalore, e ndërtuar me brishtësi dhe e mbushur me një frymë të epërme,delikate dhe qiellore, përballë banalitetit dhe vrazhdësisë tokësore. Kryemjeshtër i metaforave befasuese, këndonjës i vetmisë dhe pikëllimit universal, Reshpja ishte i ngjizur prej A(r) tit. o më kot nënës së tij i drejtohet :Ave ,Shën Mëria ime, nëna ime! * * * Në mbyllje të këtij shkrimi – rekuiem për një nga poetet lirikë më brilantë të poezisë shqipe, nuk mund të mos shprehim një lloj habie (jofilozofike) për heshtjen e kritikës dhe studimeve serioze rreth krijimtarisë së tij cilësore. Mospërfillja që përjetoi sa qe gjallë, mesa duket, parandjeu se do ta ndiqte edhe post mortum, prandaj në poezinë Për veten time shkruan: Mbi një piedestal heshtjeje, dergjet profili im që në lindjen e gurit. Por përtej kësaj mosvëmëndjeje, për Reshpjen nuk do të ketë njëLetelumharrese, por një prani të papengueshme në Letrat e poezisë shqip. Arti ishte “mallkimi” i tij i parathënë. Nëse koha e jetuar rrëzoi njeriun , arti ka forcën e ngritjes së poetit në piedestalin e pakohësisë. Ars longa,vita brevis! Sadedin Mezuraj / KultPlus.com
Komisioni Disiplinor i Ministrisë së Kulturës ka marr vendim që ta pezullojë drejtorin e Qendrës Kinematografike të Kosovës Arben Zharku, si masë e sigurisë për mundësinë e cenimit të ushtrimit të përshtatshëm të detyrës, deri në përfundimin e procedurës disiplinore të iniciuar, përcjell KultPlus.
Në komunikatën e dërguar, MKRS ka bërë të ditur se janë dy procese paralele që janë duke ndodhur lidhje me këtë çështje.
Komisioni disiplinor
Krimet ekonomike
Më poshtë gjeni komunikatën e plotë.
Janë dy procese paralele që janë duke ndodhur lidhje me këtë çështje.
Komisioni disiplinor
Krimet ekonomike
Kryesia e Këshillit Drejtues të QKK ka propozuar pezullimin apo masat disiplinore për Drejtorin, z. Arben Zharku mbi bazën e disa veprimeve që ata pretendojnë se i kanë të vërtetuara.
Si Këshill Drejtues brenda mandatit që kanë, kanë sjell tek Ministri, z. Hajrulla Ceku kërkesën për ta dërguar në Komision Disiplinor, Drejtorin z. Arben Zharku.
Në këtë rast është krijuar Komisioni Disiplinor.
Sot Komisioni ka marr vendim për pezullim nga detyra zyrtare e Drejtorit të Qendrës Kinematografike të Kosovës, z. Arben Zharku, si masë e sigurisë për mundësinë e cenimit të ushtrimit të përshtatshëm të detyrës, deri në përfundimin e procedurës disiplinore të iniciuar.
Pezullimi i përkohshëm zgjatë deri në përfundim të tërësishëm të procedurës disiplinore me çka edhe shfuqizohet ky vendim.
Gjithashtu para dy javësh Ministri, z. Çeku ka bërë një kërkesë tek krimet ekonomike për të shqyrtuar disa pretendime që kanë ardhur prej burimeve të ndryshme, qoftë këto nga raporti i auditorit, këshillit drejtues dhe dosje të tjera të cilat ndërlidhjen me QKK.
Ne vetëm kemi përfunduar procedurat që na takojnë si MKRS, ndërsa këto dy procese aktualisht janë duke vazhduar dhe ne po presim vendimet që do të marrin. / KultPlus.com
Platforma Netflix i ka entuziazmuar jashtë mase fansat e serialit të bazuar në videolojë, “The Witcher”, me publikimin e datës së lansimit të sezonit të dytë të këtij shou rekordthyes, transmeton KultPlus.
Adhuruesit kanë pothuajse dy vjet që po e presin rikthimin e kryepersonazheve të dramës fantastike, Geralt Of Riva, Yennefer dhe Ciri, në ekran. Por ky projekt pësoi vonesa të realizimit për shkak të situatës së krijuar nga pandemia.
Geralt of Riva ndryshe i njohur si “The Witcher”, i bindur se Yennefer e ka humbur jetën në betejën e Soddenit, ai e sjell princeshën Cirilla në vendin në të sigurt që ai e njeh, që është shtëpia ku është rritur. Derisa mbretërit e Continentit, kukudhët, njerëzit dhe demonët luftojnë për të fituar pushtet, Geralt duhet ta mbrojë princeshën Ciri nga diçka shumë më e rrezikshme, fuqinë misterioze që ajo e zotëron përbrenda.
Rolet në sezonin e dytë të serialit i përsërisin aktorët: Henry Cavill, Anya Chalotra, Freya Allan, Joey Batey, MyAnna Buring, Tom Canton, Lilly Cooper, Jeremy Crawford, Eamon Farren, Mahesh Jadu, Terence Maynard, Lars Mikkelsen, Mimî M Khayisa, Royce Pierreson, Wilson Mbomio, Anna Shaffer dhe Therica Wilson-Read. Kasta e aktorëve është plotësuar edhe me shumë emra të rinj.
Disa prej regjisorëve që i kanë realizuar episode e këtij projekti të pëlqyer nga publiku janë, Stephen Surjik, Sarah O’Gorman, Ed Bazalgette dhe Louise Hooper.
Sezoni i dytë i serialit “The Witcher” fillon së transmetuari nga 17 dhjetori në Netflix. / KultPlus.com
Edhe pse tashmë në moshën 95-vjeçare, Mbretëresha Elisabeth nuk ka nevojë për një shofer personal.
Mbretëresha është fotografuar së fundmi teksa drejton një makinë “Range Rover”, ndërsa në vendin e parë qëndron i ulur këshilltari i saj i garave me kuaj John Warren.
Elisabeth bëri një vizitë në Word Farm në fundjavë, aty ku Princi Philip kaloi pjesën më të madhe të kohës pasi u tërhoq nga detyra në vitin 2017.
Pas vdekjes së bashkëshortit të saj Princit Philip, Mbretëresha Elisabeth qëndroi për një kohë të gjatë e mbyllur në Windsor. / KultPlus.com