Johan Georg von Han: Shqiptarët janë të vetmit që kanë ruajtur gjuhën e vjetër të tyre pellazgjike

Më 11 korrik të vitit 1811, lindi Johan Georg von Han. Ishte albanolog gjerman dhe diplomat në shërbim të Austrisë. Më 1847- 1850 ishte nënkonsull i Austrisë në Janinë për Shqipërinë e Poshtme, ku punoi për zotërimin dhe studimin e gjuhës shqipe.

Ndërmori një udhëtim të gjatë në krahinat perëndimore të Shqipërisë deri në Shkodër.

Botoi veprën: “Albanische Studien”, Vjenë 1854 (Studime shqiptare), në 3 vëllime që njihet një nga veprat kryesore. Në këtë vepër ai thekson se mjaft emra vendesh të viseve shqiptare ishin vazhdim i emërtimeve të dikurshme ilire.

Ai zbuloi fjalëformuese ilire që janë emrat e sotëm të shqipes. Arriti në përfundimin se shqipja është vazhduese e dretëpërdrejtë e ilirishtes.

Hani konstaton: “ Kufiri i sotëm i dy dialekteve të shqipes ndërmjet gegërishtes e toskërishtes kalon përgjatë përgjatë lumit të Shkumbinit, ashtu si ndahej në lashtësi Iliria me Epirin gjatë rrugës Egnatia.”

Vepra e dytë: “Reise durch die Gibite des Drin und Vardar”, 1867 (Udhëtime nëpër viset e Drinit e të Vardarit), si dhe “Studime për gojëdhënat, Përrallat greke e shqiptare” në 2 volume.

Konkluzionet e Hanit në fushën e gjuhësisë u mbështetën nga Demetrio Kamarda, filolog italian me origjinë shqiptare, nëpërmjet një gramatike që botoi në Livorno më 1864.

Në fushën e etnografisë konstatoi “Kanunin e Lekë Dukagjinit” në viset veriore dhe “Kanunin e Skënderbeut” në Mat e Dibër. Vëll. II e III i “Studimeve shqiptare” u kushton kryesisht çështjeve të gjuhës.

Shkroi më gjerë për prejardhjen e shqipes; për këtë ai shfrytëzoi edhe burimet antike greke që bënin fjalë për karakterin jo grek të ilirëve, epirotëve dhe maqedonasve.

Ai shfrytëzoi toponiminë dhe vërtetoi se mjaft emra vendesh shqiptare ishin emërtime të dikurshme ilire. Hani arriti në përfundimin se shqipja është vazhduese e njërit prej dialekteve të vjetra të ilirishtes dhe ishte i mendimit se ilirishtja është gjuhë pellazgjike.

Sipas tij ilirët ishin një nga degët themelore të popllsisë paleoballkanike që qëndronte më vete përballë grekëve të vjetër.

Ai ishte i vendosur për autoktoninë e shqiptarëve.

Gjatë studmeve të tij rreth Shqipërisë, ai shtronte pyetjen:

“Nëse populli i fuqishëm shqiptar që sot mbush tërë Epirin e Vjetër e të Ri, që nuk dinë sllavisht, si dhe një pjesë të Ilirisë në kuptimin e ngushtë, është pasardhës i ardhësve sllavë apo është pasardhës që u rrit natyrshëm dhe shpërtheu me forcë nga një bërthamë jetësore, e pashkatërrushme, e asaj popullsie të lashtë epiriote, që u robërua nga falangat dhe legjionet, që u spërkat nga elemente sllave, por që nuk u nënshtrua plotësisht.”

Rreth kësaj çështjeje mund të hedhë dritë të mjaftueshme vetëm historia e kontinentit ilirik dhe analiza filologjike e gjuhës shqipe, çështje të cilat qaseshin në veprën e tij.

Ai i dha një sfond gjuhësor shqipes nëpërmjet veprës së tij, “Albanische Studien”, ku në atë punim ka rreth 6000 fjalë dhe vetë fragmentet historike janë renditur dhe plotësuar me aq art, saqë, më në fund u zbuluan konturet e paqarta të historisë kombëtare të shqiptarëve, të cilat kishin munduar bashkohësit e tij albanologë.

Studime shqiptare

A janë autoktonë shqiptarët?

Shqipëria nuk ka një histori të pandërprerë. Si në botën e re dhe të vjetrën emri i këtij vendi del vetëm atëherë kur rrjedha e ngjarjeve në të lidhet ngushtë me të fqinjëve të saj; sapo pushon ose sapo vihet në dukje kjo lidhje, vendi futet prapë në errësirën e tij të lashtë e kështu ndosh që një histori e tërë e brendshme kufizohet vetëm në disa fragmente, që sillen rreth disa përsonaliteteve të shquara ose rreth një peme gjenealogjike (të prejardhjes) të disa dinastive të vogla.

Po kështu, historia na tregon se pas kohës në të cilën marrim rishtas njoftime për këtë vend, ai banohej nga një popull që nuk fliste sllavisht, por një gjuhë që quhet shqipe dhe shpejt ky popull u bë aq i fortë, saqë shpërtheu përtej kufijve të tij e gjatë shumë shekujve ndërmori shtegtime masive në të gjitha drejtimet.

Madje ka shumë të ngjarë që, po të mos ishte pushtimi që u vuri një pritë të fuqishme, këto shtegtime do të kishin vazhduar një kohë edhe më të gjatë.

Në kohën tonë ky popull kufizohet mprehtësisht me fqinjët e tij sllavë si në lindje dhe në veri dhe në mesin e vendit elementi sllav është zhdukur tërësisht; por, nga ana tjetër, në pjesën e mesme të këtij vendi u dynd një element tjetër i huaj, ardhësit sllavë.

Nga sa u tha këtu del se Shqipëria dikur, duhet të jetë ndodhur në të njëjtat rrethana lidhur me elementin sllav, si Greqia, dhe se për këtë arsye historianët e saj janë të detyruar të pranojnë një periudhë sllave.

Por, në qoftë se banorët e hershëm sllavë të Shqipërisë i kanë bërë vend aty një populli tjetër, të ndryshëm prej tyre, dhe tani ky popull është zotërues i vetëm e i padiskuueshëm i bërthamës së këtij vendi, atëherë lind një pyetje tjetër lidhur me kombësinë e këtij vendi.

Ç’ janë shqiptarët?

A rrjedhin ata nga banorët e lashtë të këtij vendi dhe koha sllave është vetëm një ndodhi në historinë e Shqipërisë, apo edhe ata si sllavë kanë ardhur në këtë vend në kohën historike dhe formojnë shtresën e tretë të popujve, e cila gjendet sot në truallin shqiptar dhe nuk lidhet me ndonjërën nga shtresat e mëposhtme.

Këta qeveriseshin nga prijës vendas, kurse linkestët gjendeshin nën sundimin e Arrabeut, që ishte nga fisi i bakiadeve.

Nga epiriotët, më në fund, ishin molosët, nën Pirron, birin e Akilit, që siç del, ishin thesaliotë. Të tjerët qeveriseshin nga prijës vendas. Herë njëri e herë tjetri, nga këto qytete të vogla arrinin të sundonin mbi të tjerët, derisa, më në fund, të gjithë ranë nën sundimin e maqedonasve, me përjashtim të një rripi të vogël tokë në bregdetin jonian.

Tani Linkestia, Pelagonia, Orestia dhe Elemia quheshin Maqedoni e Sipërme. Disa e quajnë Maqedoni edhe tërë vendin deri në Kërkyrë (Korfuz), duke u bazuar në faktin që prerja e flokëve, dialekti, veshja e të tjera ishin të ngjashme.

Të afërmit veriorë të këtyre pellazgëve, që banonin në Epir, Maqedoni dhe Iliri ruajtën gjuhën e tyre derisa erdhën bullgarët në Maqedoni dhe serbët në Iliri, dhe ajo që mbijetoi nga mbeturinat pellazge në ato vende kaloi edhe gjuhësisht tek adhësit. Shqipëria gjithashtu u mbishtresua nga serbët e bullgarët, por këtu elementi i popullit të lashtë ngadhënjeu mbi ardhësit dhe i asimiloi edhe gjuhësisht. Nga kjo pikëpamje shqiptarët e meritojnë emrin pellazgë të rinj, të paktën po aq sa edhe grekët e rinj emrin e tyre dhe kjo nuk është e vogël si dëshmi për drejtësinë e asaj që emri i lashtë i shqiptarëve u ruajt në gjuhën e ndonjë populli të huaj.

Çifutët grekë, vllahë, turq dhe arabë që jetojnë në Levant i quajnë shqiptarët peleshtim domethënë pellazgoi dhe gjermanisht Filister. (Johaness Georg von Hahn)

Shumë vjet pasi kishte botuar Albanische Studien, Hani bëri një udhëtim nëpër Shqipëri të Veriut, të cilën e përshkroi në një vepër të veçantë.

Në faqen 13 të kësaj vepre thotë:

“…edhe sot e gjithë ditën, krejt fushën që shtrihet në breg të detit, midis grykës së Matit e të Erzenit bashkë me luginën e Tiranës që shtrihet në lindje të saj vendasit e quajnë, Arbën; në këtë krahinë jo vetëm ka një katund që mban këtë emër, po këtu gjenden edhe tri qytete të vjetra: Ishtmi, Preza dhe Ndërrenja dhe Tirana, e cila është ndërtuar pas vdekjes së Skënderbeut dhe konsiderohet si kryevendi i sotëm i Arbënit.

Në këtë fushë ka, përveç këtyre, 22 katundeve me popullsi të përzier, dhe nja aq me popullsi muhamedane, dhe me to shkon dhe Kep Rodoni bashkë me gërmadhat e kullës së Skënderbeut.”

Në faqen 15 ai shton: “Gjithë fusha e arqipeshkvisë së Durrësit quhet Arbëni.”

Më 1854 Johan Georg fon Hani, dijetari që shikohet me të drejtë si babai i albanistikës, tezën e tij rreth burimit ilir të shqiptarëve e të shqipes e zgjeroi me anën e një vështrimi edhe të situatës etnografike të Ballkanit të vjetër.

Në lidhje me atë ai në kryeveprën e tij shkruan Albanesische Studie formuloi këto teza:

1. Epiriotët e maqedonasit edhe në kohën e Strabonitt ishin jogrekë, ose barbarë.
2. Epiriotët, maqedonasit e ilirët janë farefis në mes tyre.
3. Ka shumë shenja që epiriotët e maqedonasit përbënin thelbin e fisit tireni-pellazgjik, skajet më të tutjeme të të cilit në Itali e në Traki hyjnë brenda në histori.
4. Ilirishja e vjetër është gjuhë pellazgjike në një kuptim më të gjerë. 

Me këto teza Hani, tek ilirët si të parët e shqiptarëve, përfshsin dhe epiriotët e maqedonët, e të gjithë këta popuj i bën të ardhur prej pellazgëve.

Teoria e tij si tërësi, me gjendjen e sotme të kërkimeve arkeologjike e gjuhësore, në disa anë del e drejtë, në disa përgjithësime që bën nuk mund të qëndrojë, po në analizë të fundit përmban një thelb pjellor e të vërtetë.

Vlerësimi i Eqerem Çabejt për Babain e Albanologjisë:

“Hani vlerësohet si themeluesi i albanologjisë në kuptimin e vërtetë shkencor të kësaj fjale. Ai është i pari që u mor tërësisht me studime shqiptare, që nuk i trajtoi studimet për shqipen dhe për Shqipërinë në mënyrë anënsore, duke u nisur nga fusha të tjera studimore. Por ai iu kushtua drejtëpërdrejtë ghuhës shqipe dhe Shqipërisë, historisë së saj dhe lashtësisë së saj në një mënyrë të përqëndruar në këto objekte. Askush më përpara nuk e kishte bërë në këtë mënyrë.” / KultPlus.com

‘Malli i Arbërit’ i arbëreshit Azzinari ekspozohet në senatin italian

“Malli i Arbërit”, homazh për Papa Françeskun dhe Papa Albanin. Një ceremoni do të zhvillohet për këtë pikturë më 12 korrik 2021 në senatin italian në Romë. Një ngjarje ndërkombëtare që sjell magjinë, historinë dhe traditën e madhe arbëreshe.

Ftesa zyrtare vjen nga Majlinda Dodaj, ambasada e Shqipërisë në Selinë e Shenjtë me rastin e 30-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Vatikanit dhe Shqipërisë çka përkon dhe me shekullin e tretë të vdekjes së Papa Klementi XI që njihet si Papa Albani.

Tema e konferencës kryesore do të nisë pikërisht me Rolin e Papa Klementi XI në zgjimin e identitetit shqiptar dhe kulturën italiane të kohës. Kjo ceremoni do të ndiqet nga afër nga Kardinali Gianfranco Ravasi, President i Këshillit Papnor për Kulturën dhe një nga autoritetet më të larta akademikë dhe intelektuale të kKishës Moderne, i cili do të jetë si përfaqësues i Atit të Shenjtë.

Për këtë rast, piktori i madh me origjinë kalabreze, vetë djali i Arbërisë, i madhi Franco Azzinari, kthehet në Itali të paraqesë në Senat një pikturë unike kushtuar kësaj here Papa Franceskut dhe takimit të tij imagjinar me Papën Klementi XI, Papët të cilët kanë të përbashkët dashurinë dhe përkushtimin ndaj popullit arbëreshë dhe traditave mijëvjeçare të kësaj kulture që ka ende rrënjë të thella në Itali, dhe veçanërisht në provincën e Kozencës, ku më të rinjtë kanë mësuar të flasin gjuhën shqipe nga gjyshërit dhe prindërit.

Piktura që mjeshtri Azzinari do t’i japë Kardinalit Ravasi, për t’u çuar në Sant’Anna, vendbanimi i zakonshëm i Papa Françeskut, paraqet dy Papët në plan të parë, njëri pranë tjetrit, me kupolën në sfond. Pasqyrimet e perëndimit të diellit të bukur dhe të pandotur romak, një vepër vaji me përmasa një metër me shtatëdhjetë. Ajo është historia e një takimi të pamundur midis dy Papëve që jetuan treqind vjet larg, dhe që sot portretisti zyrtar i Gabriel Garcia Marquez e ka bashkuar dhe e ka gjetur në të njëjtën shtëpi të përbashkët me Pjetrin.

Ajo është magjia e madhe e pikturës, por mbase edhe më shumë është vizioni i një artisti të madh ndërkombëtar si Franco Azzinari, i cili nuk hezitoi të largohej nga Amerika Latine për t’u kthyer në Itali dhe për të gjetur hapësirën e kohës thjesht të nevojshme për këtë dhuratë të tij personale dhe i bukur për Papa Françeskun.

“Unë do t’u shpjegoj shumë miqve që atë ditë do të vijnë të na vizitojnë në Palazzo Giustiniani se buzëqeshja e këtyre dy papëve nuk është asgjë më shumë sesa ndërtimi ideal i një Kishe të përjetshme, gjithmonë respektuese për popujt dhe besimi i tyre, dhe mbi të gjitha kërkimi i vazhdueshëm dhe me ankth për një unitet qëllimesh dhe objektivash që e bëjnë historinë botërore të madhe”, ka thënë mjeshtri.

KUSH ESHTE FRANCO AZZINARI

Franco Azzinari ka lindur më 1949 në San Demetrio Corone në Kozencë të Italisë. Pas vdekjes së prindërve të tij kur ishte vetëm 14 vjeç u largua nga Kalabria dhe nisi udhëtimin e tij ku për disa vjet jetoi në Paris dhe u impresionua nga piktorët e mëdhënj që do të kenë një ndikim thelbësor në të ardhmen e tij artistike. Për të siguruar jetesën artisti në Francë nisi të bënte portrete turistësh në rrugë.

Ekspozitën e tij të parë personale e ka hapur në Lerici në Liguria më 1974 në galerinë La Cattedrale. Ka udhëtuar shumë në Azinë e Largët, Afrikë, Kubë e Brazil duke sjell personazhe të veprve si ato të Hemingway apo mitologjisë greke.

Në vitin 2010, Ministria Kubane e Kulturës Abel Prieto, për pesëdhjetë vjetorin e vdekjes së shkrimtarit të famshëm Amerikan, organizoi ekspozitën e pikturës Cercando Hemingway, në kullën e Muzeut Hemingway në Finca Vigía në Havana.

Në dhjetor të po atij viti, gjatë një takimi me mikun e tij shkrimtar, lindi ideja për ekspozitën Espressioni nga García Márquez. Njëzet portrete kushtuar autorit të Njëqind vjet vetmi janë ekspozuar në Havana, në Fondacionin Cine Latino Americano, nga 8 dhjetori 2011 deri më 10 janar 2012. /diasporashqiptare/ KultPlus.com

Barack Obama publikon këngët dhe librat e preferuar të kësaj vere (FOTO)

Ish-presidenti Obama po vazhdon traditën që nisi që nga koha kur ishte kreu i Shtëpisë së Bardhë, duke publikuar një listë vjetore të librave që duhen lexuar gjatë verës

Listat e publikuara janë mirëpritur nga ndjekësit e tij, shumë prej të cilëve ndanin të njëjtën shije, qoftë në muzikë e po ashtu edhe në lexim.

“Pavarësisht nëse keni shkuar në plazh ose jeni rrotulluar në divan në një ditë me shi, nuk ka asgjë si të ulesh me një libër të mirë gjatë verës,” shkroi Obama në një postim në Instagram, duke shtuar: “Ndërsa ishim akoma në Shtëpinë e Bardhë, fillova të ndaj të preferuarat e mia të verës – dhe me kalimin e viteve, është bërë një traditë e vogël që pres ta ndaj me të gjithë ju. Kështu që pa shumë fjalë, këtu janë disa libra që unë kam lexuar së fundmi. Shpresoj se do t’i shijoni ato aq shumë sa unë”, transmeton KultPlus.

Komentuesit në postimin në Instagram gjithashtu kërkuan që Obama të publikojë listën e këngëve të tij të preferura gjatë verës, dhe ai ashtu bëri.

“Këtu është një listë dëgjimi me këngë që kam dëgjuar kohët e fundit dhe është një përzierje e emrave të vjetër dhe të rinj, të arritur dhe atyre të cilat janë në zhvillim”, ka shkruar Obama. / KultPlus.com

Elina Duni, në mesin e 5 artistëve më të mirë bashkëkohorë të Jazz-it në Evropë

Artistja shqiptare Elina Duni është përzgjedhur mes pesë këngëtarëve bashkëkohor më të mirë të Jazzi-it në Europën Qendrore dhe Lindore.

Sipas “Emerging Europe”, Duni  është përzgjedhur bashkë me Inga Berzina nga Letonia, Milan Svoboda nga Çekia, Anna Maria Jopek nga Polonia dhe Camellia Todorova nga Bullgaria.

Ky është vlerësimi që “Emerging Europe” bën për Elinën:

“Këngetarja dhe kompozitorja zvicerano-shqiptare Elina Duni ishte vetëm 10 vjeç kur regjimi komunist i Shqipërisë dhe familja e saj emigroi në Gjenevë të Zvicrës. Atje ndoqi studimet për muzikë në Universitetin e Arteve në Bern, ndërsa e përshkruan muzikën tradicionale shqiptare si një frymëzim kryesor për punën e saj. Në 2004 ajo formoi kuartetin e jazz-it me pianistin zviceran Colin Vallon me të cilin nxori katër albume me tituj shqiptarë: Baresha (2008), Lume Lume (2010), Matanë Malit (2012) dhe Dallëndyshe (2015).

Në vitin 2014 ajo gjithashtu publikoi Muza e Zezë me një brend shqiptar. Që nga viti 2017, Duni ka performuar së bashku me partnerin e saj të jetës, kitaristin dhe kompozitorin e njohur të xhazit britanik Rob Luft. Në albumin e tyre më të fundit të vitit 2017, Partir, Duni këndon në nëntë gjuhë të ndryshme. / KultPlus.com

Kockë e gdhendur 51-mijëvjeçare, vepra më e vjetër artistike

Kocka e gishtit të një dreri parahistorik të gdhendur me vija nga neandertalët 51 mijë vjet më parë është një nga veprat më të vjetra të artit të gjetura ndonjëherë – ky është konstatimi që kanë nxjerrë shkencëtarët. Zbulimi është një provë e mëtejshme se neandertalët ishin të aftë ta shprehnin simbolizmin përmes artit – diçka që dikur i atribuohej vetëm specieve tona, Homo sapiensit.

“Qartazi nuk është një varëse apo diçka e tillë”, ka thënë Thomas Terberger, profesor dhe arkeolog i parahistorisë në Universitetin e Göttingen, i cili ishte bashkautor i një studimi për këtë objekt, që është botuar në revistën “Nature Ecology & Evolution”. “Është ashiqare një zbukurim me një lloj karakteri simbolik… Ju mund ta quani atë edhe fillesë e artit, diçka që nuk u bë rastësisht por me një plan të qartë në mendje”.

Kocka u zbulua në një shpellë në Malet Harz të Gjermanisë Qendrore, rreth 241 kilometra në jugperëndim të Berlinit. Pjesa e përparme e tij është gdhendur me vija të njëpasnjëshme – vija në formën e një V-je të përmbysur – që duket se drejtohen lart dhe arkeologët kanë dalluar gjithashtu një linjë të prerjeve më të vogla në qoshen e saj të poshtme, e që duket se ka shërbyer si bazë e saj.

“Ne po e provonim dhe ky objekt mund të qëndrojë i vetëm në bazën e tij, nuk lëkundet ose kthehet përmbys, pra asgjë”, ka thënë arkeologu Dirk Leder nga Zyra Shtetërore e Trashëgimisë në Saksoninë e Poshtme, i cili udhëhoqi gërmimet që zbuluan kockën. “Ndoshta ishte lënë në këmbë në një cep të shpellës”.

Ai ka thënë se kocka e gdhendur u zbulua së bashku me kockat e shpatullave të drerit dhe kafkës së paprekur të një ariu shpelle – objekte të rralla që mund të dëshmojnë se kishin kuptim ritual.

Hulumtimi ka vërtetuar se kocka është 51 mijë vjet e vjetër – më e vjetër se çdo vepër arti e krahasueshme që u atribuohet neandertalëve.

Arkeologët kanë gjetur gjithashtu talonat e shqiponjës antike të përdorura si varëse nga neandertalët dhe pikturat e shpellave në Spanjë që mund të jenë më të vjetra, por datimi i tyre është i diskutueshëm, ka thënë Terberger. Ka shtuar se në këtë rast, për herë të parë, ata kanë një objekt të një date të besueshme.

“Einhornhöhle” – ose “Shpella e Njëbrirëshit” – ku u zbulua kocka e gdhendur, ka qenë e famshme që prej shekullit të 16-të dhe tani është një atraksion turistik. Emrin e mori nga kockat e fosilizuara të gjetura atje, gjoja nga një njëbrirësh, që dikur ishin grumbulluar për të bërë ilaçe.

Gërmimet që nga vitet 1980 kanë vërtetuar se shpella ishte e banuar nga breza të njëpasnjëshëm të neandertalëve, nga të paktën 130 mijë vjet më parë deri rreth 47 mijë vjet më parë.

Leder ka thënë se më vonë grupe të Homo sapiens gjithashtu banuan në shpellë, por vetëm shumë më vonë, pas rreth 12 mijë vjetësh. Ai ka thënë se dëshmia më e hershme për Homo sapiens në juglindje të Evropës është rreth 45 mijë vjet më parë dhe nuk mendohet se ata mbërritën në Evropën Qendrore deri të paktën 10 mijë vjet pas kësaj.

Arkeologët mund të hamendësojnë për kuptimet e gdhendjeve dhe nëse ato kanë ndonjë kuptim. “Kjo është mjaft unike”, ka thënë Leder. “Ne nuk e shohim atë askund në literaturën paleolitike”. “Ne po diskutonim interpretime të ndryshme… Forma mund të ishte si një figurë femre me kokën dhe pjesën e gjoksit, por atëherë modeli i vijave për disa prej nesh dukej si tri male me radhë – një pamje peizazhi”, ka thënë ai.

Analiza mikroskopike e kockave tregon se gdhendjet janë shumë të thella, gjë që sugjeron se ishte zier për ta zbutur para se të gdhendej. Ai ka thënë se speciet e drerit parahistorik nga i cili ishte marrë kocka ishin gjithashtu të rralla në rajon në atë kohë dhe jashtëzakonisht të mëdha, gjë që mund të sugjeronte që veprat artistike kishin një rëndësi të veçantë.

Zbulimi është më shumë provë se neandertalët nuk ishin vetëm njerëz shpelle memecë, siç besuan dikur shkencëtarët, por ishin të aftë për shprehje artistike ose simbolike – diçka që dikur mendohej të ishte unike për Homo sapiens, ka thënë Bruce Hardy, profesor i Antropologjisë në Universitetin Kenyon në Ohio, i cili nuk ishte përfshirë në studimin e fundit.

Ai ka thënë se ka të ngjarë që shumë objekte artistike të neandertalit ishin gdhendur në dru, një material shumë më i lehtë për ta punuar sesa guri ose kocka.

Ka shtuar se fakti që kishte prova në rritje të shprehjes artistike simbolike nga neandertalët, si dhe nga Homo sapiens më vonë, sugjeroi që speciet hominin – që ishin paraardhësit e të dyve – kishin po ashtu aftësi për shprehje artistike.

“Nëse ato dy grupe të ndryshme gjithashtu kanë një paraardhës të përbashkët, shanset janë që paraardhësi i përbashkët gjithashtu të ketë një shkallë të aftësisë simbolike, që do të thotë se shkon shumë më mbrapa”, ka thënë ai.

Vetë kërkimi i Hardyit ka përfshirë zbulimin e asaj që duket të jetë një pjesë e vargut neandertal – një teknikë e epokës së gurit që nuk është parë më parë.

Arkeologu Andrew Sorensen nga Universitetit i Leidenit në Holandë ka thënë se analiza e shenjave në kockë tregon se ato nuk mund të kenë qenë rezultat i brejtjes së rastësishme nga mishngrënësit.

“Këndet relativisht të rregullta të vijave kryqëzuese janë veçmas bindëse se këto shenja janë krijuar qëllimisht nga neandertalët”, ka shkruar ai në një përgjigje me e-mail.

Ka shtuar se mundësia që kocka të ishte zier për ta bërë më të lehtë për t’u punuar ishte veçanërisht interesante. Hulumtimi i tij përqendrohet në përdorimin e zjarrit nga neandertalët, i cili gjithashtu shihet si provë e aftësisë së tyre për të përdorur metoda relativisht të përparuara. /koha/ KultPlus.com

Më në fund pandat nuk janë më specie në zhdukje

Pandat gjigante nuk janë më të kërcënuara si specie në  zhdukje, megjithëse ato janë ende në rrezik.

Kjo është ajo që autoritetet kineze kanë vendosur, duke nënvizuar se numri i këtyre kafshëve në natyrë ka arritur në 1 800, transmeton KultPlus.

”Klasifikimi i ri pasqyron kushtet e tyre të përmirësuara të jetesës si rezultat i përpjekjeve afatgjata për t’i ruajtur ato, përfshirë zgjerimin e habitateve”, tha Cui Shuhong, drejtor i Ministrisë kineze të Ekologjisë dhe Mjedisit.

Bashkimi Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN) tashmë kishte hequr pandat gjigante nga lista e specieve të rrezikuara që nga viti 2016 duke i riklasifikuar ato si “të prekshme”.

Me atë rast, megjithatë, Pekini e kundërshtoi vendimin, duke deklaruar se ai mund të çonte në përpjekje lehtësuese për ruajtjen e këtyre kafshëve. / KultPlus.com

Rekuiem për orën 6…

Poezi nga Xhevahir Spahiu

Ora 6
Akrepat si dy krahë të hapur që presin
dhe ti s’po vjen
ti s’po vjen as në 6 e një minutë
në 6 e dy minuta vetmia ish me mua
unë isha me vetminë në 6 e tre minuta
në 6 e katër bota ishte po ajo
6 e pesa i ngjante 6 e gjashtës si dy pika uji
6 e shtatë, 6 e tetë, 6 e nëntë, 6 e dhjetë
Ti s’po vjen
S’po vjen
S’vjen
në 6 e pesëmbdhjetë
hodha sytë si dy vetëtima në fushën e orës së qytetit
akrepat u thyen si dy krahë të një zogu
që s’ekziston

Unë morra pikëllimin për dore
dhe ika. / KultPlus.com

Të rinjtë në Kosovë kanë pak para për pushime, disa varen nga financat e prindërve

Pushimet e verës tashmë kanë nisur dhe një numër i të rinjve në Kosovë po planifikojnë të shfrytëzojnë disa ditë për të udhëtuar jashtë vendit. Disa prej tyre tashmë i kanë përfunduar pushimet, ndërsa ka edhe të tillë që në pamundësi financiare, nuk do të udhëtojnë.

Bregdetet në vendet fqinje, kryesisht në Shqipëri, janë destinacioni kryesor për të rinjtë nga Kosova. Disa prej tyre thonë se i financojnë vetë pushimet, ndërsa disa të tjerë varen ende nga financat e prindërve.

Të rinjtë e anketuar nga Radio Evropa e Lirë thonë se mundësitë për të shkuar më larg sesa bregdeti në Shqipëri, janë të pakta, e në veçanti për shkak të kufizimit të lëvizjes së lirë drejt vendeve të Bashkimit Evropian, marrë parasysh që për qytetarët e Kosovës ende nuk ka liberalizim vizash, transmeton KultPlus.

Shqipëria, destinacioni kryesor

Altin Ademi, student në kolegjin AAB në Prishtinë, thotë se gjatë studimeve është edhe duke punuar si kamerier. Pavarësisht se ai ka edhe pasaportë të Maqedonisë së Veriut dhe nuk ka ndonjë kufizim që të udhëtojë për turizëm, ai thotë se nuk do të shkojë më larg se në Shqipëri për pushime dhe se aty dëshiron t’i shpenzojë fitimet e veta.

“Varet, mbase nja 300 apo 400 euro, për një javë. Në fakt, unë e kam pasaportën e Maqedonisë së Veriut, sepse babanë e kam nga Shkupi. Por, në Shqipëri është më afër, më mirë, te njerëzit tanë dhe me ta jemi një. Është më afër dhe më qetë. Ndoshta më larg është edhe më mirë, por për momentin kështu i kemi mundësitë”, thotë Altini.

Blerona Racaj nga Klina, studente e matematikës në Universitetin e Prishtinës, thotë se pushimet e verës do t’i kalojë bashkë me prindërit dhe familjen në bregdetin e Shqipërisë. Pushimet thotë se do t’i financojnë prindërit.

“Nuk jam e punësuar, pasi që jam duke studiuar. Rrjedhimisht, na financojnë prindërit. Zakonisht qëndrojmë një javë në Shqipëri, për shkak se na pëlqen bregdeti shqiptar. Por, mbase edhe për shkak të mosliberalizimit të vizave, nuk mund të udhëtojmë më larg. Jemi mësuar në Shqipëri dhe për këtë arsye më shumë shkojmë atje”, thotë Blerona.

Duke pritur vizat

Fitim Merovci, një i ri nga Prishtina, thotë se i ka përfunduar studimet dhe tashmë punon. Ai i ka përfunduar edhe pushimet verore për sivjet.

“I kam përfunduar në Shqipëri, në Velipojë. Nuk kam qëndruar shumë, dy-tri ditë, sepse thjesht nuk na u duk shumë mirë. Na kanë mjaftuar dy-tri ditë, sepse po bëhet monotoni nëse rrimë më shumë. Varet edhe prej kushteve. Në qoftë se kushtet janë më të mira, mbase do të shkonim më larg, jashtë fqinjësisë. Të gjithë jemi duke pritur për viza, se çfarë do të ndodhë”, thotë Fitimi.

Eleta Emini, nxënëse e një shkolle të mesme në Prishtinë, thotë se planifikon që pushimet t’i kalojë me prindërit.

“Zakonisht shkoj me familje, për shkak se i kam 16 vjet dhe nuk mund të shkoj vetë. Për financim, i kemi familjarët, babai që punon në Kosovë dhe i financon pushimet. Nuk jam e sigurt se ku, por me siguri në Shqipëri diku, për shkak se, në të kundërtën, na duhen financa më të mëdha dhe po ashtu nuk kemi as liberalizim të vizave dhe nuk mund të shkojmë diku në Evropë”, thotë Eleta.

Por, Arian Hysenaj, një shitës ambulant në sheshin “Nëna Terezë” në Prishtinë, thotë se pavarësisht dëshirës për të shkuar në pushime verore, nuk i ka mundësitë financiare për një gjë të tillë.

“Nuk ka të ardhura, nuk kemi buxhet tash për tash. S’kemi para për këtë. Tash po rrimë dhe po punojmë nga pak. Nuk kemi mundësi, edhe pse kohë mund të gjejmë për dy-tri ditë. Për dy-tri ditë, nëse shkoj, unë jam vetë i katërti në familje dhe pa i pasur 300 euro nuk mund të shkosh. Tash për tash nuk ka asgjë, nuk ka para”, thotë Ariani.

Gjatë verës së vitit të kaluar, pandemia e koronavirusit ka shkaktuar kaos në sektorin e turizmit të vendeve me bregdet, e që janë në fqinjësi të Kosovës.

Udhëtimet nga Kosova për në bregdetin e Shqipërisë dhe Malit të Zi kanë qenë mjaft të reduktuara, në krahasim me vitet paraprake.

Por, sivjet, të dyja këto vende i kanë ftuar turistët nga Kosova që t’i kalojnë pushimet verore atje. /radioevropaelire/ KultPlus.com

Ambasadori gjerman e kundërshton gazetarin serb: BE-ja dhe SHBA-ja s’po tregohen të buta me Kosovën

Ambasadori i Gjermanisë në Beograd, Thomas Schieb nuk mendon se BE-ja dhe SHBA-ja po tregohen të buta me palën e Kosovës. Ai ka thënë se pavarësisht nga rezultati i zgjedhjeve parlamentare në Gjermani në shtator, nuk do të ketë ndryshime thelbësore në politikën e Gjermanisë ndaj Serbisë.

Scheib s’u pajtua me gazetarin e mediumit serb “Kurir” (medium i afërt me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq), kur ai e pyeti nëse BE-ja dhe SHBA-ja po tregohen të buta ndaj Kosovës.

“Ne presim që të dyja palët t’i qasen këtyre negociatave në mënyrë konstruktive dhe ne jemi duke informuar qartë autoritetet, si në Beograd ashtu edhe në Prishtinë. Sigurisht, është e rëndësishme që të ketë një nivel të caktuar të besimit të ndërsjellë nga të dy palët. Kjo është arsyeja pse është mirë që presidenti (Aleksandër) Vuçiq dhe kryeministri (Albin) Kurti u takuan personalisht”, tha Schieb.

Ai theksoi se është e rëndësishme që të dy palët ta respektojnë parimin e marrëveshjes dhe zbatimit.

I pyetur për mundësinë e përfshirjes së Rusisë në dialogun Kosovë-Serbi, ambasadori gjerman kujtoi se Kombet e Bashkuara e kanë autorizuar BE-në që të ndërmjetësojë në dialog dhe theksoi se amerikanët konfirmuan gatishmërinë e tyre për ta mbështetur këtë proces nën ndërmjetësimin e BE-së.

“Do të ishte mirë që sinjale pozitive të mbërrinin gjithashtu nga Moska”, tha ai.

Schieb gjithashtu iu referua shfaqjes së shumë “non-papers” në lidhje me Ballkanin Perëndimor dhe theksoi se pozicioni i Gjermanisë është i qartë – nuk ka ndryshime kufijsh sepse, siç tha, kjo do të krijonte probleme shtesë në vend të zgjidhjes së atyre ekzistuese, të cilat do të rezultonin në destabilizim të rrezikshëm të rajonit.

“Ndonjëherë diskutimi i drejtuar emocionalisht rreth të ashtuquajturve “non-papers” me origjinë të papërcaktuar është i përshtatshëm për ta larguar vëmendjen nga tema të rëndësishme që e përfaqësojnë një sfidë, dhe kjo është përmirësimi i bashkëpunimit rajonal dhe pajtimi me vendet përreth”, tha ambasadori gjerman. / Gazeta Express / KultPlus.com

Fotografi të rralla të cilat tregojnë gjurmët e pashlyeshme të masakrës së Srebrenicës (FOTO)

Më 11 korrik 1995, gati në përfundim të luftës, ushtarët serbo-boshnjakë sulmuan njërin nga vendet i cili ishte përcaktuar si “strehë e sigurt” nga OKB-ja. Ushtarët serbo-boshnjakë mblodhën burra të moshës ushtarake, ku përfshiheshin djem të ri dhe burra të moshuar.

Gjatë ditëve që pasuan, ata i ekzekutuan dhe i hodhën trupat e tyre në gropa të pyjeve përreth. Ekzekutimet ishin të mirë-planifikuara dhe ushtria serbe bëri përpjekje të vazhdueshme për të fshehur gjurmët e këtij aktiviteti e saj.

Ndërsa vrasjet e shumta ndodhën brenda pak ditësh, procesi i gjetjes së trupave mori vite, dhe procesi i identifikimit dhe e varrosjes siç duket vazhdon edhe sot, më shumë se 1,000 persona janë ende të listuar si të zhdukur. Gjykatat ndërkombëtare kanë dhënë një numër dënimesh për gjenocid lidhur me vrasjet e Srebrenicës ndërsa disa gjykime dhe apele janë ende në vazhdim.

KultPlus ju përcjellë përshkrimin dhe 15 fotografi të rralla që lidhen me gjurmët e pashlyeshme që ka lënë kjo masakër në historinë e luftërave.

1. Mejra Djogaz, 66 vjeçare mban në duar një foto të tre djemve dhe burrit të saj në Srebrenicë, Bosnje dhe Herzegovinë, më 4 korrik 2015. Tashmë e vetmuar, kujtimi i vetëm që i ka mbetur nga familja janë disa fotografi.

Kjo foto është shkrepur më 12 korrik të vitit 1995, ku shihen disa nga 20,000 gra muslimane nga enklava lindore boshnjake e Srebrenicës. Ato së bashku më fëmijët e tyre presin për transport, në fshatin Potocari, 5 kilometra në veri të Srebrenicës.

3. Në këtë foto është e paraqitur një grua me nënën e saj, të cilat ishin refugjate nga Srebrenica. Ato derdhin lot pranë njëra-tjetrës , sepse nuk e dinë asgjë lidhur me fatin e pjesës tjetër të familjes së tyre, të cilët ndodheshin një bazë të OKB-së, 12 kilometra në jug të Tuzllës, në Bosnje dhe Herzegovinë, më 13 korrik 1995. Në dorën e gruas më të re shihet një karton që përmban ujë mineral që dhurohej OKB-ja.

4. Në këtë fotografi shihet një grua boshnjake e cili i përkiste besimin islam ndërsa është shfaqur teksa kërkon ndihmë nga ndërkombëtaret në gjetjen e mijëra burrave të humbur nga qyteti i Srebrenicës, që ishin marrë nga forcat serbe të Bosnjës. Prapa saj gjendet një mbishkrim ku shkruan: “Srebrenica. Ku janë burrat, vëllezërit dhe bijtë tanë?”.

5. Një ekspert finlandez i mjekësisë ligjore shikon eshtrat e një prej më shumë se 100 muslimanëve të vrarë në një kodër, thellë në territorin serb të Bosnjës më 2 korrik 1996.

6. Një ekspert finlandez i mjekësisë ligjore vendos një numër tjetër pranë kafkës së një viktime të Srebrenicës që gjendet në kodrat mbi fshatin Kravica, 15 kilometra në veriperëndim të Srebrenicës më 5 korrik 1996.

7. Në këtë fotografi shihen gjurmët e kufomave të paidentifikuara që janë të vendosur afër mureve të një strehimoreje nëntokësore në një morg në Tuzla më 28 mars 1997. Aty janë mbështjellë viktima të cilat janë gjetur në varre masive dhe në zona të pyllëzuara pas masakrës së Srebrenicës më 1995.

8. Aida Civic është një grua boshnjake e refugjatëve myslimanë nga Srebrenica, ajo në këtë foto shihet teka bërtet pasi hyn në një vend ku gjenden rreth 3,500 muslimanëve boshnjakë të vrarë, shumica prej tyre nga ish zona e sigurt e Srebrenicës.

9. Hajra Catic në këtë fotografi shfaqet para imazheve të viktimave të gjenocidit në Tuzla më 11 qershor 2015. Catic është njëra nga mijëra gratë që ende kërkojnë eshtrat e të afërmve të tyre edhe 20 vjet pas masakrës së Srebrenicës. Me ndihmën e Edmin Jakuboviç, i cili ishte personi i fundit që e ka parë djalin e saj të plagosur në terren, Hajra Catic ka qenë vazhdimisht në kërkim të djalit të saj në pyll. Ajo ndihet e frikësuar se nëse nuk arrin t’i gjej eshtrat e tij, do të jetë sikur ai të mos ketë ekzistuar kurrë. E gjitha që i ka mbetur nga djali i saj sot është fotografia e tij.

10. Në këtë fotografi është i mbijetuari i masakrës në Srebrenicë, Nedzad Avdiç, 37 vjeçar, i cili shihet teksa prek emrat e gdhendur të atyre që janë vrarë në një masakër dhe varrosur në Qendrën Përkujtimore në periferinë e Potocarit në Srebrenicë më 27 qershor 2015. Ai ishte 17 vjeç kur u bashkua me një grup njerëzish që u përpoqën të iknin nëpër pyje. Grupi i tij u gjuajtën nga ushtarët serbë dhe më pas u dërguan në një shkollë për ekzekutim.

11. Qendra përkujtimore në Potocari afër Srebrenicës, Bosnje dhe Hercegovinë. Kjo fotografi është bërë më 20 qershor të vitit 2015.

12 Kjo foto paraqet 5 vjeçaren, Ema Hasanoviç e cila në atë kohë ishte një vajzë e vogël muslimane nga Bosnja. Në këtë fotografi ajo shihet teksa bën homazhe pranë arkivolit të xhaxhait të saj, në Qendrën Përkujtimore në Potocari më 9 korrik 2014.

13. Në këtë fotografi shihet një gërmues teksa fshin djersët e tij gjatë kohës sa ishte duke përgatitur varre në një qendër përkujtimore për viktimat e masakrës së Srebrenicës në Potocari, më 5 korrik 2015.

14. Subjekti i kësaj fotografie është një burrë mysliman nga Bosnja i cili po kërkonte varrin e një të afërmit të tij në Srebrenicë më 11 korrik 2014.

15. Kjo fotografi është shkrepur më 4 korrik të vitit 2015. Në fotografi shihet 66 vjeçarja, Hanifa e cila po qëndron në pragun e shtëpisë së saj në Srebrenicë kurse në duart e saj mban një kuti duhani. Këtë kuti ia kishte lënë djali i saj Sabahudin. “Ruaje këtë kuti për mua, kështu që kur unë të kthehem mund të vendos cigaret e mija përsëri këtu”, i kishte thënë i biri. Pas këtij momenti ajo nuk e pa më kurrë të birin. / KultPlus.com

Analisti serb thotë se Serbia duhet ta pranojë që Kosova është e pavarur

Analisti serb Dushan Janjiq, që jeton në Beograd, ka përcjellë zhvillimet rreth Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, që kur nisi ajo me një marrëveshje fillestare në Bruksel, që kulmoi me marrëveshjen shtatë pikëshe për të në vitin 2015.

Më shumë se marrëveshje, Janjiq ka thënë se sot, sheh një mosmarrëveshje nga të dyja palët në dialog.

“Atë kohë, Serbia ka insistuar që të ketë vetëm kompetenca ekzekutive, realisht nuk ka insistuar por ka interpretuar tekstin që AKS do të ketë kompetenca ekzekutive. Në pajtim me marrëveshjen e nënshkruar më 2015-të, është jashtë teme kur thuhet se s’ka kompetenca ekzekutive. Ka të bëjë për, do të thosha, mosmarrëveshjen”, ka thënë ai për InDoks.

Janjiq thotë se pala kosovare dhe ajo serbe kanë mosmarrëveshje rreth statusit të Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe.

Sipas tij, të dyja shtetet Kosova e Serbia duhet ta ndryshojnë Kushtetutën.

“Në thelb ata kanë mosmarrëveshje rreth statusit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, nëse do të jetë nën sistemin konstitucional të Kosovës, apo jo. Çfarë nënkupton sistemi kushtetues i tashëm ose i riu, tani kjo është pyetja. Dhe mendoj që ky është problemi kryesor i cili u dëmtua nga Gjykata Kushtetuese dhe politikanët kosovarë. Se në thelb, nëse jeni duke kuptuar procesin logjik të denormalizimit dhe dialogut, nuk përjashtohet mundësia që në fund të procesit, ju ta ndryshoni Kushtetutën tuaj. Kjo po ashtu vlen edhe për Serbinë. Serbia sigurisht që duhet ta ndryshojë”, deklaroi analisti serb.

Ai ka deklaruar se Kosova është shtet i pavarur nga Serbia, dhe për ta realizuar marrëveshjen e nënshkruar në Bruksel, Janjiç thekson se Serbia duhet ta ndryshojë Kushtetutën.

“Nëse po bisedoni për seriozisht (në dialog), asnjë lëvizje e bërë nga ana e Serbisë në dialogun e Brukselit nuk është në përputhje me Kushtetutën ekzistuese të Serbisë. Kosova është pjesë autonome, është pjesë e Serbisë – por që në të vërtetë nuk është. Realiteti që ne e dimë është se Kosova është e pavarur nga Serbia”, u shpreh ai. / Gazeta Express / KultPlus.com

Gazeta e njohur italiane ‘Corriere della Sera’ përzgjedh lumin Vjosa për rafting

Ndër pushimet aktive në Evropë, janë 15 të përzgjedhura për të bërë rafting dhe një nga to është edhe lumi Vjosa, shkruan Francesca Masotti për rubrikën ”Viaggi” (”Udhëtime”) të gazetës më të njohur italiane ”Corriere della Sera”.

Gjithnjë e më shumë njerëz, të të gjitha moshave, tërhiqen nga ky aktivitet i mbushur me adrenalinë që ju lejon të argëtoheni dhe të kaloni orë të tëra në kontakt të ngushtë me natyrën.

Një nga më të preferuarit është edhe lumi Vjosa në Shqipëri.

Lundrimi në ujërat e lumit të fundit të egër në Evropë është i mundur.

Ku ndodhet?

Ai gjendet në Shqipëri.

Vjosa, një lumë që kalon në brendësi të jugut të Tokës së Shqiponjave derisa të derdhet në detin Adriatik, është mbretëria e natyrës shqiptare.

Ekzistojnë dy itinerare për rafting: rruga e gjatë, 18 kilometra që zgjat katër orë e gjysmë, fillon nga fshati Strembec dhe përfundon në Përmet, ndërsa ajo e shkurtër prej 10 kilometrash, që zgjat rreth tre orë, nis në fshatin Kaluth dhe përfundon në atë të Qilarishtit.

Dy shtigje përgjatë të cilave hasni peizazhe të pastra dhe të pandotura të karakterizuara nga ishuj, kanione, kalime të ngushta midis shkëmbinjve dhe harqeve prej guri.

Banjat termale të Banjës, pranë qytetit të Përmetit, duhet të shënohen gjithashtu në rendin e ditës, burimet natyrore ku rrjedh ujë shërues, ideale për t’u çlodhur pas kaq shumë aventurash”, përfundon gazeta e njohur. / atsh / KultPlus.com

Nis peticioni për vendosjen e shtatores së Adem Jasharit në Prishtinë

Grupimi i tifozëve kryeqytetas, “Plisat”, kanë paralajmëruar se tashmë ka nisur peticioni për vendosjen e shtatores s komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, në Prishtinë, përcjellë KultPlus.

“Plisat” përmes një statusi në rrjetin social Facebook kanë treguar se tenda për nënshkrimin e peticionit është vendosur afër shtatores së Skënderbeut dhe do të jetë e hapur nga ora 11:00 deri në 23:00.

KultPlus ju sjell postimin e plotë të tyre:

Peticioni nuk është vetëm për qytetarët e Prishtinës por është për të gjithë. Është edhe për ty që je pjesë e politikës, për ty që je rrit politikisht në emër të UÇK-së dhe familjes Jashari, është edhe për ty që ishe shok, bashkëluftëtar i komadantit Adem Jashari, është edhe për ty qe sje i Drenicës, që sje i Prishtinës, është edhe për ty qe je familje dëshmori, veterani e invalidi. Lufta e bacit Adem nuk ishte e ndarë por ai luftoi për Kosovën pjesë të Shqipërisë, luftoi sakrifikoi dhe u flijua me gjithë familjen e tij për të gjithë ne, pra Baca Adem e meriton të jetë në kryeqytetin e Kosovës, përkrah heronjëve të idealit të tij.

Mos prito, dil edhe ti nënshkruaje peticionin në sheshin Skendërbeu në Prishtinë.

Tenda hapet nga ora 11:00 deri 23:00. / KultPlus.com

Armend Mehaj: Heshtja është vrasja e dytë e srebrenicasëve dhe qindra mijëra shqiptarëve të pafajshëm

Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj sot ka përkujtuar gjenocidin në Srebrenicë nga forcat serbe që masakruan mbi 8 mijë njerëz. Mehaj së bashku me nënat, gratë, bijtë e bijat e mbijetuara të Srebrenicës dhe me zemrat e copëtuara të tyre, përkujtuan viktimat.

Ai tutje është shprehur se mban shpresa për për fitoren e drejtësisë dhe të vërtetës për masakrat e Krushës së Madhe, Mejës, Izbicës, Prekazit, Likoshanit, Qirezit, Abrisë, Rezallës, Dubravës, Qyshkut, Reçakut, Makovcit, Suharekës, Kotlinës, Llashticës, e shumë masakra e krime tjera në Kosovë si dhe për fitoren e drejtësisë dhe të vërtetës për masakrat në Sanxhakun e Nishit, Gjilanit, Karadakut, Drenicës dhe gjithë Kosovën përgjatë një shekulli.

“Bota nuk duhet të heshtë. Ne nuk duhet të heshtim. Heshtja është vrasja e dytë e srebrenicasëve dhe qindra mijëra shqiptarëve të pafajshëm. Heshtja mbetet pastaj krimi i vërtetë kundër njerëzimit”, ka shkruar ai.

KultPlus ju sjell postimin e tij të plotë:

Sot, me ftesë zyrtare të organizatorëve, si përfaqësues shtetëror të Republikës së Kosovës, së bashku me zv.kryeministren Rexhepi dhe ministrin Krasniqi, ishim në Memorialin e Gjenocidit në Srebrenicë, ku bashkë me nënat, gratë, bijtë e bijat e mbijetuara të Srebrenicës dhe me zemrat e copëtuara të tyre, përkujtuam mbi 8 mijë burrat dhe djemtë e tyre të rinj boshnjakë myslimanë të cilët para 26 vjetësh u masakruan nga forcat kriminale të Ushtrisë Serbe.

Lutjet tona qofshin bekim i Zotit për shpirtrat e burrave dhe djemve të pafajshëm të Srebrenicës!

Në tokën me eshtrat dhe hirin e tyre, u rritshin e lulëzofshin gjithmonë lulet simbol me petale të bardha!

Aroma e tyre u shpërndaftë kudo në Botë me Shpresën për fitoren e drejtësisë dhe të vërtetës për Srebrenicën,

Me shpresën për fitoren e drejtësisë dhe të vërtetës për masakrat e Krushës së Madhe, Mejës, Izbicës, Prekazit, Likoshanit, Qirezit, Abrisë, Rezallës, Dubravës, Qyshkut, Reçakut, Makovcit, Suharekës, Kotlinës, Llashticës, e shumë masakra e krime tjera në Kosovë;

Me shpresën për fitoren e drejtësisë dhe të vërtetës për masakrat në Sanxhakun e Nishit, Gjilanit, Karadakut, Drenicës dhe gjithë Kosovën përgjatë një shekulli.

Në bazë të Drejtës Ndërkombëtare Humanitare dhe Konventës së Gjenevës mbi Krimet e Luftës, krimet e luftës nuk vjetërsohen.

Bota nuk duhet të heshtë.

Ne nuk duhet të heshtim.

Sepse HESHTJA është vrasja e dytë e srebrenicasëve dhe qindra mijëra shqiptarëve të pafajshëm.

Heshtja mbetet pastaj krimi i vërtetë kundër njerëzimit.

Prandaj qendrat e vendimmarrjes së botës demokratike, nuk duhet të dorëzohen.

Ende është dhe duhet të jetë e fuqishme ndërgjegjja njerëzore, sepse gjëma e nënave të viktimave nuk pushon kurrë, e shpirtrat e viktimave nuk qetësohen pa fitoren e drejtësisë dhe të vërtetës.

Vetëm duke ndjekur penalisht të gjithë autorët serb të krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit mund të parandalohen gjakderdhjet në të ardhmen.

Sepse, siç thotë ish- zonja e parë e SHBA-së, Eleanor Roosevelt, “Nuk është e mjaftueshme për të folur për paqen. Duhet besuar në të. Dhe nuk është e mjaftueshme për të besuar në të. Duhet punuar për të.”

Dhe duhet punuar për paqen, sepse ua kemi borxh gjeneratave të ardhshme.

Ia kemi borxh ndërgjegjes sonë që thirret pa pushim nga viktimat e pafajshme. / KultPlus.com

Instrumentistë vendas dhe të huaj sjellin veprat e autorëve botërorë në Muzeun Arkeologjik

Dirigjenti Marco Bossi dhe Orkestra e Harqeve të Universitetit të Arteve të Tiranës e drejtuar prej tij ishin mbrëmjen e kaluar protagonistët e mbrëmjes së tretë të Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës së Dhomës në Durrës, përcjellë KultPlus.

Ky është edicioni i 16-të i Festivalit që organizohet në qytetin bregdetar nga violinistja Nevila Kalaja Herczegh dhe shoqata “Arti dhe kultura italiane-shqiptare”.

Dirigjenti 30-vjeçar drejtoi me mjaft  kompetencë tre vepra të autorëve të njohur në literaturën muzikore, duke shfrytëzuar edhe përvojën e krijuar me orkestra të vendit fqinj në Milano, Potenza e Lecce, por edhe në Athinë, Beograd e Ceki.

Serenata për harqe opus 22 nga Antonin Dvorak (1841 – 1904) tingëlloi mjaft mirë falë sendërgjisë së dirigjentit Marco Bossi dhe instrumentistëve edhe më të rinj  në moshë, ndërsa spektatorët e shumtë në Muzeun Arkeologjik Kombëtar të Durrësit duartrokitën lojën e artistëve.

Pesë pjesët e përzgjedhura nga krijimtaria e Dmitri Shostakovich (1906 – 1975) dhe përshtatur për orkestër nga Ylli Ramzoti erdhën me mjaft mjeshtëri e muzikalitet nga instrumentistët Nevila Kalaja Herczegh (violinë) dhe Arben Llozi (violë), përfaqësues të shkollave muzikore të Durrësit dhe Tiranës.

Koncerti për flaut dhe orkestër harqesh mbylli mbrëmjen e tretë të Festivalit  në Muzeun Arkeologjik të Durrësit. Bashkatdhetarët italianë Matteo de Francesco (flaut) dhe dirigjenti Marco Bossi me orkestrën e Universitetit krijuan një atmosferë të veçantë, duke marrë edhe përgëzimet e publikut të pranishëm.

Festivali ndërkombëtar i muzikës së dhomës përfundon më 24 korrik dhe në sallën e muzeut arkeologjik kombëtar janë programuar edhe pesë koncerte të tjerë me instrumentistë vendas dhe të huaj. / KultPlus.com

15 vjetori i përfshirjes së isopolifonisë shqiptare në trashëgiminë gojore nga UNESCO

Me anë të një ceremonie solemne të organizuar në Kalanë e Lëkurësit, presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta dekoroi grupet polifonike dhe këngëtarë të spikatur polifonikë të trevës së Sarandës me rastin e 15 vjetorit të përfshirjes së isopolifonisë shqiptare në listën e “kryeveprave të trashëgimisë gojore të njerëzimit” nga UNESCO-ja.

Kreu i shtetit i akordoi titullin “Naim Frashëri” Ansamblit “Zëri i Bilbilit”, me motivacionin: ‘’Për kontributin e spikatur dhe të pandërprerë në ruajtjen, pasurimin dhe transmetimin e këngës polifonike, si një vlerë e vyer shpirtërore e trashëgimisë kulturore, për pjesëmarrjen e suksesshme në aktivitete kulturore dhe festivale folklorike brenda vendit dhe jashtë vendit, si mbështetës aktiv i turizmit kulturor dhe si përçues tek brezat e rinj i vlerave kulturore të këngës polifonike dhe valles tradicionale”.

Me titullin “Mjeshtër i Madh” u çmua këngëtari dhe rapsodi i këngës polifonike, Xheladin Beqiri, me motivacionin: “Për kontributin e vyer disavjeçar në ruajtjen, pasurimin dhe transmetimin ndër breza të këngës polifonike. Këngëtar dhe interpretues virtuoz, rapsod dhe njohës i mirë i këngës polifonike. Pjesëmarrës i suksesshëm dhe laurës i shumë festivaleve folklorike kombëtare në Gjirokastër”; si dhe zonja Katerina Kule “Me vlerësime si një nga këngëtaret e shquara të këngës polifonike. Me talentin, zërin e rrallë dhe dashurinë për këngën e popullit të saj ka luajtur një rol të madh në ruajtjen e traditës dhe kultivimit të mëtejshëm të folklorit dhe në veçanti polifonisë së jugut të vendit”.

Presidenti Meta vlerësoi me titullin “Naim Frashëri” marrësin e shquar marrës polifonik, Petrit Metushi, me motivacionin: “Si një nga këngëtarët e shquar të këngës  polifonike, i dalluar për talentin dhe interpretimin e spikatur në rolin e marrësit, si dhe për rolin unik në mbajtjen gjallë, kultivimin dhe përsosmërinë e këngës polifonike sarandjote”; si dhe intepretuesin e spikatur Kiço Kapetani (pas vdekjes): “Në vlerësim të kontributit të spikatur në interpretimin dhe lartësimin e këngës polifonike. I dalluar në rolin e marrësit për talentin dhe interpretimin e shquar, si dhe rolin unik në mbajtjen gjallë, kultivimin dhe përsosmërinë e këngës polifonike sarandjote”.

Me titullin “Për Merita të Veçanta Civile”, kreu i shtetit dekoroi Sinan Ahmetin, me motivacionin: “Me mirënjohje artistit të shquar të kulturës popullore dhe folklorit me kontribut të spikatur në mbartjen, pasurimin dhe transmetimin e këngës polifonike ndër breza. Si pjesëmarrës, drejtues dhe organizues me nivel të lartë artistik i shumë veprimtarive folklorike, në dobi të ruajtjes së traditës të polifonisë dhe nxitjes së turizmit kulturor”.

Në përshëndetjen drejtuar artistëve, këngëtarëve, rapsodëve, muzikologëve dhe studiuesve të polifonisë, si dhe familjarëve, presidenti Meta u shpreh i lumtur për të nderuar historinë e lavdishme të luftërave për liri,  si dhe për të vlerësuar disa prej korifenjve sarandjotë të këngës sonë polifonike.

“E meritojnë korifenjtë e polifonisë këtë vlerësim  dhe kënaqësi për gjithçka, që ata  kanë bërë për Atdheun, për të forcuar shpirtin kulturor të kombit, identitetin tonë si dhe për të  lartësuar deri në UNESCO polifoninë shqiptare!”, tha Meta. / atsh / KultPlus.com

Osmani: Srebrenica është kujtesa jonë e freskët dhe leksion se krimet e padënuara përbëjnë bazë që ato të përsëriten

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka deklaruar se në 26-vjetorin e masakrës ndajnë dhimbjen bashkë me nënat e Srebrenicës.

Ajo ka thënë se askush më mirë se Kosova nuk e njeh dhimbjen e Srebrenicës.

Osmani përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka shkruar se akte të tilla barbare duhet të marrin gjykimin e drejtësisë, por edhe të historisë.

“Srebrenica është kujtesa jonë e freskët dhe leksion se krimet e padënuara përbëjnë bazë që ato të përsëriten”, ka shkruar ajo.

KultPlus ju sjell postimin e saj të plotë:

Sot, bota kujton 26-vjetorin e Masakrës së Srebrenicës, barbarisë së paparë të forcave gjenocidale të regjimit serb të Millosheviqit.

Sot dhimbjen e nënave të Srebrenicës e ndajmë bashkërisht! Mbetjet mortore të 19-të të vrarëve atëkohë (bashkë me mbi 8 mijë boshnjakë të tjerë) sot do të kenë adresën e përhershme. Një 16-vjeçar do të jetë në mesin e atyre që do të varrosen sot, 26-vjet pas vrasjes!

Akte të tilla barbare duhet të marrin gjykimin e drejtësisë, por edhe të historisë. Srebrenica është kujtesa jonë e freskët dhe leksion se krimet e padënuara përbëjnë bazë që ato të përsëriten.

Askush më mirë se Kosova nuk e njeh dhimbjen e Srebrenicës.

Reçaku, Meja, Pokleku, Prekazi, si dhe shumë masakra të tjera në pjesë të ndryshme të Kosovës, janë pjesë e të njëjtës dhimbje e të njëjtit përjetim.

Kuvendi i Republikës së Kosovës, ditë më parë miratoi Rezolutën për gjenocidin në Srebrenicë, me të cilën Kosova e dënon gjenocidin e organizuar dhe të kryer nga forcat gjenocidale të regjimit serb të Millosheviqit.

Ka vetëm një të vërtetë: në Srebrenicë ka ndodhur gjenocid. Këtë duhet ta pranojë secili, këtë duhet ta themi të gjithë, këtë duhet ta kujtojmë gjithnjë!

Qoftë i përjetshëm kujtimi për më shumë se 8 mijë të masakruarit në Srebrenicë! / KultPlus.com

26 vjet nga masakra e Srebrenicës, varrosen eshtrat e 19 viktimave

Eshtrat e 19 viktimave të gjenocidit në Srebrenicë varrosen sot në Qendrën Përkujtimore Potoçari.

Viktima më e re që varroset është Azmir Osmanoviq, i cili ishte 16 vjeç kur u vra. Eshtrat e tij u gjetën në një varr masiv dhe u identifikuan në maj të këtij viti.

Viktima më e vjetër që varroset është Husein Kurbashiq – 63 vjeç në kohën kur u vra.

Bosnje dhe Hercegovina shënon sot 26-vjetorin e masakrës së Srebrenicës.

Më 11 korrik të vitit 1995, forcat serbe të Bosnjës hynë në Srebrenicë, në zonën që ishte shpallur e sigurt nga Kombet e Bashkuara.

Në ditët që pasuan, ato vranë mbi 8,000 burra dhe djem myslimanë, ndërsa trupat e tyre i hodhën në gropa në pyjet përreth.

Vrasjet ndodhën për pak ditë, por procesi i gjetjes së trupave mori vite dhe identifikimi dhe varrimi i eshtrave vazhdojnë ende.

Në Qendrën Përkujtimore Potoçari, deri më tani, janë të varrosura mbi 6,650 viktima – në mesin e tyre mbi 430 të mitur.

Në lokacione të tjera, sipas dëshirës së familjarëve, janë të varrosura mbi 230 viktima, ndërsa kërkimet vazhdojnë ende për rreth 1,000 të zhdukur.

Masakra e Srebrenicës, e cila ndodhi pesë muaj para përfundimit të luftës në Bosnje, u cilësua si më e rënda në Evropë që prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, ndërsa nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës u njoh si gjenocid.

Deri më tani, 47 persona u dënuan me më shumë se 700 vjet burgim për masakrën në Srebrenicë.

Ish-udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiq, u dënua me burgim të përjetshëm, ashtu si edhe ish-udhëheqësi ushtarak në Bosnje, Ratko Mlladiq.

Në vitin 2010, Parlamenti i Serbisë miratoi një rezolutë, me të cilën kërkoi falje për masakrën e Srebrenicës. Serbia është dashur të bëjë më shumë për të parandaluar tragjedinë, u tha në tekst.

Parlamenti Evropian e ka shpallur 11 korrikun Ditë të përkujtimit të gjenocidit në të gjithë Bashkimin Evropian dhe u ka bërë thirrje vendeve të Ballkanit Perëndimor që të veprojnë ngjashëm.

Zona ku ndodhi masakra e Srebrenicës ruhej nga paqeruajtësit holandezë të Kombeve të Bashkuara.

Në vitin 2019, një gjykatë holandeze konstatoi se Holanda ishte pjesërisht përgjegjëse për 350 vdekje në masakrën e Srebrenicës. / Koha.net / KultPlus.com

Mosakreditimi rrezikon shtyrjen e fillimit të vitit të ri akademik në Universitetin e Prishtinës

Shtyrja e afatit për hapjen e konkursit për pranimin e studentëve të rinj në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, si rezultat i mos përfundimit të procesit të akreditimit, mund të ndikojë që viti i ri akademik të mos nis përnjëherë për të gjithë studentët.

Rektori i këtij universiteti, Naser Sahiti, thotë se mësimi për të gjithë studentët në tetor mund të nisë vetëm nëse konkursi hapet në fund të këtij muaji, në të kundërtën thotë se afati i dytë për pranimin e studentëve do të zhvillohet tek në muajin tetor.

Ai shprehet se hapja e konkursit varet nga vendimi i Këshillit Shtetëror të Cilësisë për akreditimin e programeve të UP-së, e që thotë se në skenarin më të mirë një gjë e tillë mund të bëhet deri në fund të këtij muaji.

“Sipas analizës rezulton që nëse konkursi nuk arrin që të shpallet më herët sesa në fund të gushtit atëherë ne nuk kemi mundësi që të dy afatet t’i realizojmë brenda shtatorit, por njërin prej afateve po. Ne teorikisht do të mund të fillonim me 1 tetor vitin akademik, por jo me të gjithë studentët, për arsye se afati i dytë do të duhej të vazhdojë edhe në tetor. Nëse shpallet në fund të korrikut atëherë natyrisht na mundësohet që të dy afatet t’i realizojmë gjatë shtatorit dhe të shkojmë me vit akademik me të gjithë studentët përnjëherë”, thotë ai.

Ai i bënë ftesë Këshillit Shtetëror të Cilësisë që të punojnë me një dinamikë të shtuar, në mënyrë që procesi i akreditimit të përfundojë në kohë e që UP të mund të hap dyert për studentët e rinj.

Duke qenë se ende nuk dihet nëse do të akreditohen të gjitha programet e UP-së, Sahiti thotë se nuk kanë mundur të specifikojnë ende numrin e saktë të studentëve që do të pranojnë për vitin akademik 2021/2022.

Por, nëse do të bëhet akreditimi i të gjitha programeve, ai thekson se numri i studentëve që do të pranojnë do të jetë 6 mijë e 700 studentë.

Planifikimet që i kemi bërë me shifrat që na kanë ardhur nga njësitë akademike për programet që janë në proces të ri-akreditimit dhe ato të akredituara, nëse të gjitha ato programe akreditohen planifikojmë diku rreth 6 mijë e 700 studentë të ri t’i regjistrojmë në vitin akademik që pason. Në mesin e këtij numri 12 përqind janë si zakonisht të ndara për komunitetin joshumicë, 5 përqind për shqiptarët që jetojnë në viset përreth vendit tonë”, thekson ai për KosovaPress.

Rektori Sahiti deklaron se viti akademik që tashmë ka përfunduar është përcjell me shumë sfida si shkak i pandemisë COVID-19.

Sipas tij, cilësia e studimeve gjatë asaj periudhe nuk ka qenë ajo që kanë dëshiruar, megjithatë rënia e numrit të rasteve pozitive thotë se i bënë optimist që viti i ri akademik do të nisë me prezencë fizike në universitete.

“Nuk mund të pretendojmë që cilësia e studimeve ka qenë ajo që pritet dhe që është dashur të jetë në rastet kur është mbajtur me prezencë fizike. Prandaj, ne çdo herë kemi provuar që varësisht nga zhvillimi i shifrave të marrim vendime për të kaluar me prezencë fizike, natyrisht çdo herë duke respektuar rekomandimet e institucioneve përkatëse. Siç thash nuk kemi arritur që të kthehemi e prezencë fizike, të gjithë e dimë që shifrat kanë qenë vazhdimisht të larta, por tash javëve të fundit po shohim që kemi një rënie të madhe të shifrave me të infektuar, kjo bënë që ne të jemi pak optimist ndoshta nga viti i ardhshëm akademik të kthehemi të gjithë me prezencë fizike”, thotë ai.

Sa i përket cilësisë që ofron Universiteti i Prishtinës, i pari i këtij institucioni, potencon se nëse e krahasojnë më të kaluarën është shumë më mirë, por që thotë se nuk duhet të kënaqen me këtë gjendje.

“Edhe kjo çështje është dinamike, nuk është diçka e mbërrin dhe pastaj duhet ta ruash, por ajo kërko punë të vazhdueshme për arsye se cilësia është diçka që mund të përmirësohet në vazhdimësi pavarësisht gjendjes në të cilën ndodhesh. Ne momentalisht nëse e krahasojmë cilësinë e programeve studimore aktuale është më e mirë sesa që ka qenë në të kaluarën, por nuk është ajo me të cilën ne të themi jemi të kënaqur dhe nuk kemi ambicie për më shumë”, thotë ai.

Plagjiatura është një nga sfidat që po përballen universitet publike në Kosovë, e në funksion të zvogëlimit të kësaj dukurie, Sahiti thotë se janë duke punuar edhe me Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.

Krijimi i një softueri për detektimin e plagjiaturës, sipas tij do të ndikojë që të zvogëlohet plagjiatura në punimet e studentëve apo edhe të stafit akademik.

“Kjo është një temë që i përcjell të gjitha universitetet, në këtë kuadër natyrisht edhe Universitetin e Prishtinës. Është një çështje që ka qenë brengë dhe vazhdon të jetë edhe më tutje. Ne para ca kohësh kemi provuar që të angazhojmë një kompani të caktuar për të zhvilluar një softuer për parandalim të plagjiarizmit, por procedurat nuk kanë rezultuar të suksesshme. Në ndërkohë e kemi sensibilizuar Ministrinë e Arsimit për këtë problem që ekziston dhe duke e pas parasysh që ky problem nuk është vetëm për UP-në po edhe të gjitha universitetet e tjera publike, kemi kërkuar nga ministria e Arsimit të na ndihmojë në pajisjen me një softuer i cili do të lehtësonte kontrollin në kontekst të plagjiaturës. Nga kontaktet që kemi me ministrinë e Arsimit ata kanë shprehur gatishmërinë edhe kanë futur në planet e tyre, në agjendën e tyre sigurimin e një softueri të tillë në nivel kombëtar. Mendojmë që në këtë formë ne do ta zbutshim dukshëm një dukuri të tillë”, thotë ai.

Ai shprehet se janë të gatshëm që të ndihmojnë Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit në mënyrë që të arrihet realizimi i një softueri të tillë. / Gazeta Express / KultPlus.com

Historia tragjike e besnikut të Mbretit Zog

Publikohet historia e panjohur e major Murat Bashës, me origjinë nga fshati Plan i Bardhë i Matit, pinjoll i një prej familjeve më në zë të asaj krahine për traditat patriotike, e njohur ndryshe edhe si një prej familjeve më besnikë të Mbretit Zog.

Kjo pasi gjyshi i Muratit, Veli Basha, gjithë jetën kish mbetur besnik i Xhelal Pashë Zogollit, madje edhe kur e ndoqi pas me bindje të plotë në luftrat kundër turqve, pas krijimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Inkuadrimi i Murat Bashës në armën e Xhandarmërisë Shqiptare që në vitin 1919 pas një kursi që ai kreu me ndërhyrjen e Ahmet Zogut, të cilit i qëndroi besnik për 20 vjet me radhë gjatë gjithë periudhës së Monarkisë, fillimisht si Komandant i Shkollës së Xhandarmërisë në Tiranë dhe më pas si oficer pranë Gardës Mbretërore të Zogut, deri në prillin e ’39-ës, kur bashkë me të u largua nga Shqipëria dhe u vendos në Jugosllavi si azilant politik.

Kthimi i Major Bashës në Shqipëri gjatë periudhës së pushtimit të vendit, ku ai bashkëpunoi ngushtë me major Abaz Kupin dhe u zgjodh Shef i Shtabit të forcave të Legalitetit, duke luftuar kundra forcave gjermane dhe atyre partizane në Tiranë, Krujë, Mat etj. , deri në fundin e ’44-ës, kur ai u arrestua nga komunistët dhe u dënua me pushkatim e u ekzekutua së bashku me 12 të tjerë në fundin e qershorit të vitin 1945.

Nga Dashnor Kolaçi

Kush ishte Murat Basha?

Murat Hysen Basha lindi në vitin 1900 në fshatin Plan i Bardhë të rrethit të Matit, në një familje me tradita patriotike dhe mjaft të njohur në atë krahinë. Bashkëshortja e Muratit, Sadetja, ishte stërmbesë nga familja e madhe e Frashërllinjëve të Përmetit, pasi nëna e saj, Havaja ishte nga dera e Abdyl Frashërit. Po kështu, familja e Murat Bashës kishte një lidhje miqësore e shpirtërore të hershme me familjen Zogolli nga Burgajeti i Matit, pasi gjyshi i Muratit, Veli Basha, gjithë jetën kish mbetur besnik i Xhelal Pashë Zogollit, madje edhe kur e ndoqi pas me bindje të plotë në luftrat kundër turqve, pas krijimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Pas institucionalizimit të Lidhjes, me vendim unanim të kryesisë së saj, Xhelal Pashë Zogolli u emërua zëvendëskomandant i Përgjithshëm i Ushtrisë së Lidhjes dhe, në krye të kësaj ushtrie, së bashku me Iljaz Pashë Dibrën (Çokun) dhe Ali Pashë Gucinë, organizuan vullnetarët shqiptarë në mbrojtje të trojeve etnike nga copëtimi i fqinjëve. Në ato detyra që i’u ngarkoi Lidhja, Xhelal Pashë Zogolli kishte në krahun e tij të djathtë, Veli Bashën, i cili asnjëherë nuk i’u nda atij. Pas vdekjes së Xhelal Pashës, familja Basha, Veliu dhe Hyseni i ri (babai i Muratit), u vunë në shërbim të Xhemal Pashë Zogollit, deri në fund të jetës.

Ishte pikërisht kjo lidhje brezash, ajo që kushtëzoi vazhdimësinë e miqësisë midis këtyre familjeve, çka u vijua edhe në lidhjen e ngushtë midis Ahmet Zogut dhe Murat Hysen Bashës, që në hapat e para të luftës dhe përpjekjeve të përbashkëta në dobi të çështjes shqiptare dhe konsolidimin e shtetit të ri. Në vitin 1904, familja e Murat Bashës shpërngulet nga Klosi dhe vjen në Tiranë, ku Murati vazhdoi fillimisht shkollën ‘Mejtepe’ në Medresenë e asaj kohe. Pas mbarimit të shkollës së mesme, Murati u emërua në detyrën e sekretarit të komunës së Lukanit në rrethin e Dibrës, dhe një vit më vonë, në vitin 1919, ai u emëroua kryetar i asaj komune. Po në atë vit, Murati mori pjesë në rezistencën e vullnetarëve dibranë për mbrojtjen e tërësisë territoriale shqiptare nga sulmet e herë pas hershme të shovinistëve serbë.

Njohja me Ahmet Zogun në vitin 1919

Sipas dëshmive të njerëzve të afërm të familjes Basha, gjatë atyre viteve, Murati u njoh me Ahmet Zogun që sapo ishte kthyer nga Vjena, dhe që nga ajo kohë ai mbeti një nga njerëzit më besnik të tij. Me interesimin e Ahmet Zogut, në vitin 1919, Murati kreu një kurs 6 mujor në Tiranë për nënoficer xhandarmërie, ku mori dhe gradën e nëntogerit. Pas kësaj ai u inkuadrua në armën e Xhandarmërisë dhe që nga ajo kohë ai qëndroi vazhdimisht pranë Ahmet Zogut, duke marrë pjesë në të gjitha luftimet e zhvilluara nga ushtria shqiptare kundër serbëve dhe disa rebelimeve apo kryengritjeve të ndryshme që ndodhën në Shqipëri nga fillimi i viteve ’20-të, dhe gjatë gjithë periudhës së Monarkisë.

Në një nga këto rebelime të armatosura të ndodhura në Tiranë në vitin 1922, Murati u plagos në gju, dhe me interesimin e Ahmet Zogut, ai u dërgua në Austri për t’u kuruar. Gjatë asaj kohe që ishte për mjekime në Austri, Murati kreu edhe një kurs tjetër 6 mujor në armën e Xhandarmërisë. Edhe pse mbeti sakat nga këmba e plagosur, Murati u kthye në Shqipëri dhe vazhdoi të shërbente në armën e Xhandarmrisë, deri në qershorin e vitit 1924 kur forcat fanoliste ndërmorrën kryengritjen e armatosur dhe rrëzuan qeverinë e Shefqet Vërlacit. Në atë kohë, si një nga njerëzit më besnik të Zogut, Murati e shoqëroi atë duke i qëndruar pranë gjatë gjashtë muajve të azilit politik në Jugosllavi. Po kështu ai u kthye në Shqipëri me Ahmet Zogun dhe besnikët e tjerë të tij në 24 dhjetorin e vitit 1924, duke qenë një nga ushtarakët më aktivë si pjesmarrës i asaj lëvizjeje që njihet në histori si: “Triumfi i Legalitetit”.

Pas vendosjes së Legalitetit më 24 dhjetor 1924, Kryetari i Republikës, Ahmet Zogu, i ngarkoi Hysen Selmanit detyrën e vështirë të drejtimit të reformave në Forcat e Armatosura dhe Ushtrinë Kombëtare Shqiptare, sidomos në krijimin dhe modernizimin e Repartit Special të Gardës Kombëtare. Në këtë detyrë mjaft të rëndësishme dhe delikate, kolonel Hysen Selmani kishte në krah major Murat Bashën, duke e pasur atë njeriun më besnik. Me urdhër personal të Mbretit, Zog, toger Murat Basha u emërua Komandant i Shkollës së Xhandarmërisë në Tiranë. Që nga ajo kohë e deri në prillin e vitit 1939, Murat Basha kreu mjaft detyra të ngarkuara personalisht nga Mbreti Zog, si ato për shtypjen e Kryengritjes së Fierit në 1935, apo atë të Delvinës në vitin 1938. Për ato shërbime dhe merita të veçanta, (pas shtypjes së Kryengritjes së Delvinës), Zogu i akordoi Muratit gradën e majorit.

7 prill 1939, lufton në Vorë e Prezë

Në 7 prillin e vitit 1939, major Murat Basha mori pjesë në rezistencën simbolike që i’u bë pushtuesve italiane, duke drejtuar disa reparte të Xhandarmërisë në zonën e Vorës dhe të Prezës. Pas kësaj, ai u detyrua të largohej nga Shqipëria, për të mos rënë në dorë të forcave pushtuese italiane, të cilët e kishin futur atë në listat e ushtarakëve shqiptarë që kundërshtuan me armë pushtimin e Shqipërisë. Pasi doli në Jugosllavi, Murati u izolua bashkë me shumë patriotë të tjerë antifashistë, në kampin e ngritur nga qeveria serbe në rrethinat e Gostivarit. Në atë kamp ai qëndroi deri në vitin 1941 dhe në atë kohë, (pas pushtimit të Jugosllavisë nga Italia fashiste), bashkë me major Abaz Kupin, u kthye në Shqipëri.

Menjëherë pas kthimit në atdhe, nën drejtimin e Abaz Kupit, major Murat Basha vuri në shërbim të gjitha aftësitë e tij për organizimin e forcave zogiste të rezistencës, duke marrë pjesë dhe drejtuar shumë luftime kundër italianëve. Këtë gjë ai e vazhdoi deri në kapitullimin e Italisë fashiste më 9 shtator të vitit 1943. Gjatë asaj kohe, Major Murat Basha ishte një nga ideuesit dhe krijuesit e Partisë së “Legalitetit” e cila u formua në nëntor të vitit 1943, në fshatin Zall Herr të Tiranës. Duke qenë një nga njerëzit më të afërt dhe besnik të Abaz Kupit, ai u përpoq dhe luftoi bashkë me të me qëllimin për t’i dhënë vendit një forcë politike dhe ushtarake, e cila do të përfaqësonte lëvizjen e rezistencës zogiste gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Basha, një nga ushtarakët kryesor të Legalitetit

Me krijimin e partisë Lëvizja e Legalitetit, e cila në programin e saj do të kishte si alternativë modelin e qeverisjes së suksesshme dhe përvojën e drejtimit 15-vjeçar të shtetit shqiptar gjatë periudhës 1924-1939, Murat Basha u bë një nga udhëheqësit ushtarak më të spikatur të saj. Pas prishjes së Marrëveshjes së Mukjes në fillimin e shtatorit të vitit 1943 dhe fillimit të luftës civile nga ana e komunistëve të Enver Hoxhës, të cilët filluan goditjet me armë ndaj forcave zogisto-balliste, si një nga ushtarakët më besnikë të Mbretit dhe ndër më të përgatiturit pranë shtabit të Abaz Kupit, major Murat Basha luajti një rol vendimtar në konsolidimin e strukturave ushtarake të Legalitetit. Kjo gjë u duk së tepërmi, sidomos gjatë dimrit të vitit 1943-‘44, dhe pranverës së vitit 1944, deri në fillimin e inkursionit të brigadave partizane komuniste në drejtim të Veriut, në gusht të vitit 1944. Në këtë periudhë, major Abaz Kupi i besoi major Murat Bashës drejtimin e forcave ushtarake të Legalitetit, (në atë kohë major Murat Basha u emërua shef i Shtabit të forcave ushtarake të Legalitetit që ishin përqendruar në fshatin Prezë të Tiranës), të cilat do të pengonin marshimin e brigadave partizane të Enver Hoxhës në malësitë e Tiranës.

Në këtë kuadër, në krye të forcave të Legalitetit, major Murat Basha luftoi për mbrojtjen e familjeve legaliste dhe antikomuniste në grykën e Shpalit, duke rënë disa herë në përpjekje me forcat partizane, të cilat kryenin një terror të paparë mbi popullsinë civile të atyre fshatrave apo shtëpive që njiheshin si zogistë dhe ballistë. Pas luftimeve të përgjakshme në Shpal të malësisë së Tiranës, forcat zogiste të udhëhequra nga major Murat Basha, u tërhoqën në malësitë e Krujës dhe Matit, duke organizuar rezistencën kundër brigadave partizane të udhëhequra nga komunistët, të cilët, ashtu sikundër kishin dëshmuar edhe në Jug, filluan reprezaljet dhe masakrat kundër forcave nacionaliste. Të tilla ishin ato të zhvilluara në krahinën e Martaneshit (kryesisht në fshatin Kurdari të Matit), në gushtin e vitit 1944, në të cilat, me urdhër të Mehmet Shehut e Shefqet Peçit, u masakruan 47 civilë të pafajshëm, me qëllim për të ushtruar terror e për të nënshtruar me lehtësi Veriun e Shqipërinë ku pjesa më e madhe ishin përkrahës të Legalitetit.

Në atë kohë major Abaz Kupi dhe Murat Basha, drejtuan luftimet kundër forcave partizane në Mat dhe Malësitë e Krujës, duke i detyruar komunistët të tërhiqeshin disa herë. Gjatë gjysmës së dytë të vitit 1943 dhe deri në nëntorin e vitit 1944, major Abaz Kupi dhe major Murat Basha, si dhe drejtues të tjerë të forcave Legaliste, të këshilluar nga oficerët e misioneve britanike të atashuara pranë tyre, insistuan të ndërpriteshin luftimet, me qëllim që të evitoheshin gjakderdhja dhe lufta civile. Dhe për këtë gjë, ata u munduan të evitonin përpjekjet e armatosura me forcat partizane, të cilat kishin nisur mësymjen jo ndaj forcave gjermane që tërhiqeshin në rrugët nacionale; Tiranë-Shkodër dhe Tiranë-Kukës, por ndaj forcave nacionaliste të Legalitetit, të cilat ishin përqendruar kryesisht në fshatrat e Tiranës, Krujës dhe Matit, ku kishin dhe mbështetjen kryesore të tyre.

Arrestimi dhe pushkatimi i major Murat Bashës

Në fundin e vitit 1944, kur fitorja e forcave partizane komuniste të Enver Hoxhës, ishte çështje ditësh, major Murat Basha nuk pranoi të largohej nga Shqipëria ashtu si shumë eksponentë të tjerë të Ballit dhe Legalitetit. Me bindje të plotë se nuk kishte kryer kurrfarë krimesh lufte, aq më tepër kundër popullit, major Murat Basha pranoi me dëshirë t’i nënshtrohej një gjykimi të drejtë, ndonëse nuk besonte se ajo gjë do të bëhej prej fitimtarëve të Luftës. Pas arrestimit, major Murat Basha u transferua në Burgun e Tiranës, në pritje të gjykimit, bashkë me shumë nacionalistë të tjerë.

Një nga bashkëkohësit e Murat Bashës, veterani i njohur i forcave nacionaliste të “Ballit Kombëtar”, Xhemal Alimehmeti, në kujtimet e tij, ka përshkruar dhe ka folur edhe për Murat Bashën, për periudhën që ata të dy ishin bashkë në burgun politik të Tiranës. Edhe pse afër të nëntëdhjetave, me një kthjelltësi dhe kujtesë të admirueshme, Xhemal Alimehmeti tregonte edhe detaje të çasteve të fundit të major Murat Bashës, kur ai ndodhej para pushkatimit, bashkë me 12 antikomunistë të tjerë, në fund të qershorit të vitit 1945. Veterani ballist, Alimehmeti, në kujtimet e tij shkruante se, pas një gjyqi me akuza absurde e me procedurë të përshpejtuar, u pushkatuan 13 nacionalistë: major Murat Basha, Sure Ajazi, Xhelal Peza, Mersin Hasa, Hajredin Zogolli, Besim Pazari, Isuf Diva, Osman Taraku, Mustafa Vrapi Fagu, (20-vjeçar). (Katër të tjerët, ai nuk i kujtonte, pasi ishin shumë të rinj dhe pothuajse të panjohur, por që ishin antikomunistë).

Lidhur me këtë, midis të tjerash Xhemal Alimehmeti kujtonte: “Ditën e pushkatimit ata i lidhën dy nga dy, me copa telash me gjemba dhe, pastaj, të gjithë bashkë me një tel të gjatë. Në krye të djemve, printe major Murat Basha, i cili u jepte zemër të githëve. Në fund të rreshtit, ishte lidhur i riu trim, Mustafa Vrapi (Fagu). Ne të burgosurit e tjerë, e kishim marrë vesh vendimin e gjyqit për pushkatimin e tyre dhe me zemër të thyer, po prisnin çastin e fundit për t’u ndarë me ta. Kur i nxorën në fund të korridorit të gjatë të burgut, major Murat Basha thirri me zë të lartë: ‘Rroftë Shqipnija Etnike…Rroftë Mbreti…’, dhe pastaj filloi i pari të këndojë himnin kombëtar. Pas tij filluan të këndojnë të gjithë të tjerët dhe pas tyre filloi të këndojë me zë të fuqishëm i gjithë burgu.

Gardianët u tmerruan. Në dalje të derës së burgut, Fagut, i’u prenë gjunjët dhe ra, por atij menjëherë i futi krahun patrioti kosovar Osman Taraku, i cili e ngriti me fuqi dhe i dha zemër që të mos jepej para xhelatëve. Siç mësuam më vonë, shkaku i dobësisë së Fagut ishte nëna e tij, e cila sapo kish marrë vesh se ata ishin dënuar me pushkatim, mendoi t’i mallëngjejë xhelatët, që të mos i’a vrisnin djalin e vetëm. Fagu, kur pa nënën që i’u rrëzua tek këmbët, u ligështua për një çast, por e kaloi dobësinë dhe eci i vendosur me shokët. Pas njëzet minutash, ne të burgosurit, me zemër të ngrirë dëgjuam bataretë e pushkëve të skuadrës së pushkatimit. Pas kësaj, toga e policëve-vrasës, erdhi duke kënduar këngë partizane, me tekst dhe muzikë sllave, të huazuara nga Tito e Stalini e të mësuara nga Dushan Mugosha, Miladin Popoviç e majori sovjetik, Ivanov.

Kontrasti midis këngëve sllave dhe këngëve patriotike e himnit të flamurit, bënin edhe diferencën midis nesh dhe komunistëve. Unë njihja një partizan që dikur kish qenë me Ballin, me forcat e Kadri Cakranit. Këtë partizan e quanin Qemal, dhe unë e takova pas disa ditësh, ku e pyeta për qëndrimin e trimave para pushkatimit. Ai më tregoi se: ata vdiqën si heronj. Murati nuk kish pranuar t’ia lidhnin sytë dhe para se xhelatët të qëllonin, kish thirrur me zë të lartë: ‘Qëlloni qenër… Rroftë Mbreti Zog…’. Pastaj arrestuan Akilin 17-vjeçar, që në atë kohë ishte gjimnazist. Bashkë me Akilin komunistët arrestuan edhe shokët e tij, gjimnazistët antikomunistë: Bujar Doko (përkthyesi i famshëm), Abdulla Berberi, Ismail Lleshi, Petrit Toto, Petrit Berisha, Parid Derani, Perlat Myftari, Adem Petrela, Bardhyl Dindi etj., gjithsej 12-13 vetë.

Pastaj, Akili kaloi kalvarin e burgjeve tre herë, ndërsa familja u keqtrajtua, ashtu siç kishte frikë dhe shpesh më thoshte në burg edhe Murati, i cili nuk pyeste fare për veten, por kishte merak për Akilin, të cilin e kishte pikë të dobët, ndaj i lutej Zotit që ta shpëtonte. Ai gjithashtu kishte merak për të gjithë familjen, të cilën e adhuronte”, e mbyll rrëfimin e tij, Xhemal Alimehmeti, duke u ngashëryer në lot, teksa kujtonte ish-shokët e tij të burgut që u ekzekutuan nga komunistët si “armiq të popullit”. Në kujtesën e Xhemal Alimehmetit, të bashkëkohësve dhe të të gjithë nacionalistëve, major Murat Basha ishte dhe mbeti atdhetari i madh, që luftoi për Shqipërinë dhe për Mbretin.

Letra e fundit për bashkëshorten, një ditë para pushkatimit!

Pak orë para ekzekutimit, në mbrëmjen e datës 6 qershor të vitit 1945, teksa priste skuadrën e pushkatimit për t’a marrë, major Murat Basha mundi që t’i shkruante një letër bashkëshortes së tij. Në atë cop letër të cilën familja e Murat Bashës e ka ruajtur si një nga gjerat më të rralla të saj, thuhet: “Ah grue, moj e zeza grue! Tash shtatë vjet që zemra jote qet vetëm vaje, lot dhe vner, domethënë qysh prej 7 Prillit 1939, dhe ti moj e bekueme, me gjithë kalamajtë vuejte, u mundove, u burgose, u internove, u dogje dhe u përvëlove. Kështu ra që edhe ti e bane luftën tande. E përse? Për të fituar lirinë! Kurse sot, që pritshim për me shiju të drejtën, mundin, djersën dhe gjakun e derdhun, përkundrazi, paska qenë kadër për me u ba kurban i mundimeve tona, e viktimë. Ani, ani Sato e dashun, prap mos u dëshpro, por, të lutem, si ngahera banu burrneshë e qëndro, se unë po bahem kurban i Lirisë së shenjtë. Tanë bota e din çështjen t’eme dhe e çmon fare mirë.

Porosi sa vijon:

1 – Amanet kalamajtë, shumë, shumë, shumë kujdes për fatin dhe edukimin e djemve dhe me ju dhanë ndonji zanat.

2 – Mbasi shpija asht e juaja, besoj se s’kan me ja u nga, bani si të bani e Zoti ju ndihmoftë dhe kam besim se miqtë s’kanë me ju lëshue doret.

3 – Dëshiroj që vorri të mos më hupi.

4 – Teshat që kisha me vedi në burg, i tregon lista ngjitun. Ruijini si kujtimin ma të shtrenjtë nga ana jeme.

5 – Me Metin takojuni, se mund t’u bajë hall për ndihmë.

6 – Këto letra ja u nepni të adresuemve.

7 – Nuk më vjen keq se po vdes, se po vdes për Liri dhe për çështjen tonë të madhe. Po hallin tuej e të rrethit familjar e kam të madh, se e di se në ç’gjendje po ju lej, e nuk po mund ta përshkruej dëshprimin tem, po fuqimadhen Perendi paçi ndihmë.

Pra edhe njiherë po ju lutem e po u them të bani shumë gajret…

Po i nap fund, duke ju puth e përqafu gjithmonë.

Në zemrën tande

Murati

– Edhe nji porosi: Vaje e gjamë mos me ba, vetëm gajret. /Memorie.al / KultPlus.com

“Nermin hajde, ata nuk do të vrasin”: Thirrja e babait boshnjak që u përjetësua në skulpturë

26 vite më parë, një banor i Srebrenicës po e thërriste të birin me aq zë që kishte, për t’iu dorëzuar ushtarëve serbë sepse, siç citohet të ketë thënë ai, nuk do t’i bënin asgjë.

13 vjet më pas, më 2008 trupi i djalit të Ramos, Nerminit, u gjet së bashku me shumë trupa të tjerë të boshnjakëve të vrarë, në një varrezë masive.

E thirrja e mekur e këtij babai, në 20 vjetorin e gjenocidit në Srebrenicë, ishte gurëzuar në një skulpturë të punuar nga autori Mensud Keco.

Vepra paraqet thirrjen e Ramos, me plotë shpresë ndaj të birit, ani pse e dinte se po e sillte në duar të ushtarëve serbë.

Kjo ngjarje ka prekur zemrat e të shumtëve, andaj i është kushtuar edhe kjo vepër arti.

Ndryshe, 26 vjet më parë në Srebrenicë forcat serbe kishin ushtruar gjenocidin më të tmerrshëm që nga Lufta e Dytë Botërore në popullatën boshnjake, duke lënë mbi 8 mijë viktima. / gazetametro.net / KultPlus.com

Ky vend raporton viktimën e parë nga COVID-19 për vitin 2021

Australia raportoi viktimën e parë nga koronavirusi për këtë vit. Gjithashtu dhe numrin më të lartë të rasteve të reja për vitin 2021, 77 të tillë në Uellsin e Ri Jugor, që po përballet me një valë të re përhapjeje të nxitur nga varianti Delta.

Autoritetet paralajmërojnë se shifrat pritet të rriten ndjeshëm në qytetin më të madh të Australisë, Sidnej, që aktualisht ndodhet në një izolim të ashpër.

Duke marrë shkas nga kjo përhapje, masat kufizuese pritet të mbesin në fuqi për më shumë kohë nga sa ishte parashikuar.

Australia raporton 52 persona të shtruar në spitale, 15 pacientë janë në terapi intensive, ku 5 prej tyre kanë nevojë për ventilator. Viktima e parë e këtij shteti, që prej dhjetorit të kaluar, ishte një e moshuar 90-vjeçare. / Gazeta Express / KultPlus.com

Humanistët e famshëm arbëror

Nga Gjon Keka

Dëshira e humanistëve tanë arbëror ishte ndërtimit i një tempulli të kulturës , dijes,artit e shkencës, më saktësisht kombi të hyjë në dritë nga errësira e padijes dhe primitivizmit.

Ata ishin adhurues të antikitetit dhe u bënë në fakt imituesit e gjallë të saj duke i lënë brezave po këtë udhë të imitimit dhe ecjes në atë dritë.

Humanistët tanë janë ata që i dhanë bekimet e tyre të larta për një arsim e edukim të lartë, për një mirëqenie e vetëdije të lartë kombëtare e njerëzore.

Ata ishin studiues të mëdhenj dhe qëllimi i tyre ishte shpëtimi i kombit të tyre e botës përmes mësimit dhe shkrimit, dijes, edukimit ,arsimit, kulturës ,shkencës etj. Ata në fakt ishin të frymëzuar nga fryma klasike e arsimit antik, mësuan njohuritë në kërkim të dijes, nxirren nga drita e tyre e talentuar dhe i transmetuan brezave.

Përpjekjet e pareshtura të tyre për arsim, edukim, art, kulturë, shkencë etj, të asaj kohe përfaqësojnë vetëm agimin e jetës sonë të shekullit XXI dhe janë tregues i qartë se mbi cilat themele duhet të qëndrojë të ecën e ta shohë të ardhmen kombi ynë arbëror evropian.

Humanistët e famshëm arbëror:

Nënë Tereza

Marin Barleti

Gjon Gazulli

Nikollë Leonik Tomeu

Pal Engjëlli

Pjetër Budi

Pjetër Bogdani

Shtjefën Gjeqovi / KultPlus.com

Këto 12 ura mahnitëse janë mrekulli inxhinierike

Disa nga urat më të bukura të botës, të tilla si ‘’Portugalia 516 Arouca’’, janë bëma arkitektonike që i mbajnë vizitorët në një gjendje mosbesimi të pezulluar, transmeton KultPlus.

Udhëtarët rrugorë këtë verë mund të zbulojnë se urat epike janë gjithashtu një udhëtim më vete, një shans për të dalluar delfinët me grykë dhe skifterë peregrine, një mundësi për të parë një destinacion nga një perspektivë e re, në sytë e shpendëve.

Ndërsa një fëmijë u rrit në bregun lindor të Maryland, kalimi i një ure të madhe do të thoshte hyrja në një portal në një botë të re. Ura madhështore, me hapësirë të dyfishtë, ‘’Ura e Gjirit Chesapeake’’ dhe ‘’Tuneli Ura e Gjirit Chesapeake’’ me gjatësi 23 milje ishin dy rrugët tona kryesore jashtë bregut rural drejt “qyteteve të vërteta” dhe aeroporteve me më shumë se dy porta.

Urat në të gjithë botën, nga ‘’Gryka e Re e Lumit të Virxhinias Perëndimore’’ deri te ‘’Q’eswachaka’’ e Perusë, i japin çdo udhëtari një mundësi të lidhet dhe të eksplorojë. Në fakt, këtë vit, ‘’Q’eswachaka’’ bashkoi bashkërisht bashkësitë për të rindërtuar një urë të nderuar nga koha, e cila ishte shembur nga neglizhenca e shkaktuar nga pandemia.

Pavarësisht nëse jeni një kërkues i emocioneve apo një dashamirës i natyrës, ne kemi një urë për ju.

Inca Rope Bridge: Apurimac River, Peru

Për 500 vjet, një urë pezullimi e thurur me dorë ka shtrirë 92 metra nëpër kanionin Apurimac. E quajtur Q’eswachaka, ura rindërtohet çdo vit në një ritual ku vendasit zgjidhin urën ekzistuese dhe endin një të re nga bari i ishujve vendas. Ceremonia antike e ndërtimit të urës më pas festohet me këngë dhe valle tradicionale.

Die Rakotzbrücke: Kromlau Park, Kromlau, Germany

I porositur nga Friedrich Hermann Rötschke në vitin 1860, parabola perfekte e Rakotzbrücke dhe spiralët e bazaltit e bëjnë atë një “urë djalli” legjendare. Sipas mitit të Rakotzbrücke, ndërtuesi kaloi urën e përfunduar, duke sakrifikuar veten në këmbim të ndihmës së djallit. Një kohë e shkëlqyeshme për të vizituar është gjatë lulëzimit të rododendronit pranveror.

Living Root Bridge: Nongriat, India

Nongriat, India, është një nga vendet më të lagështa të botës, një xhungël me ujëvara, koshere bletësh dhe arra beteli. Për qindra vjet, kasitë lokale janë marrë me dallgëzime sezonale të lumenjve duke thurur ura këmbësore të gjalla nga rrënjët e pemëve të gomës indiane. Umshiang, një urë rrënjore dykatëshe (së shpejti do të jetë trekatëshe) pritet të mbijetojë disa qindra vjet dhe mund të mbështesë peshën e 50 njerëzve në të njëjtën kohë.

Rolling Bridge: London, England

Përfunduar në vitin 2004, Ura Rolling e Heatherwick Studio ofron qasje në kanalin Grand Union në Paddington Basen të Londrës. Hidraulika e qetë e urës u frymëzua nga bishtat e dinosaurit animatronic të Stan Winston nga filmi Jurassic Park. Trarët me shkëlqim çeliku të urës së Paddington Fan Bridge afër imitojnë një tifoz japonez ndërsa ato hapen në trafikun e anijeve çdo të mërkurë në mesditë.

Webb Bridge: Docklands, Melbourne, Australia

Njerëzit guditjmara kanë korrur ngjala në liqenin Condah, Victoria, për më shumë se 6,000 vjet, duke përdorur një sistem kanalesh dhe kurthesh që është një nga shembujt më të hershëm të akuakulturës me ujë të ëmbël. Këto kurthe ngjalash të Koori të endura në shportë shërbyen si frymëzim për Urën e Uebit të Melburnit, të projektuar nga skulptori me famë botërore Robert Owen. Ura e Uebit eksplorohet më së miri me biçikletë duke vozitur lumin Yarra në një turne në dritën e hënës.

516 Arouca Bridge: Arouca, Portugal

Me gjatësi 1,693 metra, ‘516 Arouca’ ka tejkaluar urën e Pezullimit Charles Kuonen të Zvicrës si urën për këmbësorët me pezullimin më të gjatë në botë. Pamjet tërheqëse të grykës Paiva dhe ujëvara e Aguieiras mund të jenë të mjaftueshme për të shkëputur shpirtrat e guximshëm nga rënia 574 metra në lumin Paiva poshtë.

Bridge of Sighs: Rio di Palazzo, Venice, Italy

Poetë, piktorë dhe këngëtarë të operas kanë sheshuar mbi Ponte dei Sospiri, ura e psherëtima të Venecias, për shekuj me radhë. Gondolierët pretendojnë se puthja nën urë gjatë perëndimit të diellit, si këmbanat e taksës së Shën Markut, është një recetë e sigurt për dashurinë e përjetshme. Pallati lidhës ofron turne nëpër urë me pamje nga laguna blu e San Giorgio Maggiore. Kajaku i Rio di Palazzo poshtë urës shërben për të parë maskaret e saj gëlqerorë të shekullit të 17-të, maska të gdhendura me zbukurime që kishin për qëllim të largonin shpirtrat e këqij.

Golden Gate Bridge: San Francisco, California

Më shumë se tre milion automjete kalojnë urën e artë të Portës së San Franciskos çdo muaj. Kaloni në trotuarin e urës së mbushur me shkarkime dhe zgjidhni një pamje të zogjve të urës së pezullimit të lartë malore nga Hawk Hill, ku një shteg i ri ofron shpate më të lehta, plus sinjalistikë të reja dhe shina roje. Ose shikoni balenat ndërsa rrini në një trampolinë në kuvertë ndërsa lundroni nën urë në perëndim të diellit.

Henderson Waves Bridge: Singapore

Çeliku dhe lakorja lokale e drurit balau së bashku për të formuar valët spektakolare Henderson, ura më e lartë për këmbësorë në Singapor. Ura lidh parkun Hill të Telok Blangah dhe parkun Mount Faber si pjesë e shëtitjes gjashtë milje të gjatë të Ridges Jugore. Vizitoni urën në lindjen e diellit për më pak turma dhe shikim të shkëlqyeshëm të shpendëve, duke përfshirë një shans për të parë pazarin e zi të rrallë.

Pont du Gard: Vers-Pont-du-Gard, France

Harkimi mbi lumin Gardon, në gjysmën e rrugës midis Nimes dhe Uzes, ndodhet Pont du Gard masiv, një ujësjellës gur gëlqeror i ndërtuar nga romakët afërsisht 2,000 vjet më parë. Vizitoni në verë për një vozitje të qetë dhe për të notuar pasdite, pastaj kaloni me një pemë ulliri 1000-vjeçare në rrugën për në Les Terraces për një gotë Clairette.

Edmund Winston Pettus Bridge: Selma, Alabama

Më 7 Mars 1965, 600 aktivistë për të drejtat e votimit, të udhëhequr nga Dr. Martin Luther King Jr, filluan marshimin nëpër urën Edmund Pettus të Selmës drejt Montgomery, Alabama. Për shkak të modelit të urës, ata nuk mund të shihnin kundër-protestuesit e dhunshëm që i prisnin në anën tjetër. Kur aktivistët më në fund panë ata në anën tjetër, gjithsesi marshuan përpara. Dy javë më vonë, marshimi filloi përsëri, me sukses, me jo 600, por më shumë se 3,000 mbështetës.

Stepping stone bridge: Fenghuang, China

Një urë tradicionale dingbu, e bërë me gurë të prerë dhe të zhytur, shtrihet përtej lumit Tuojiang në qytetin antik të Kinës, Phoenix. Një urë pavijoni prej guri me tre harqe me fenerë. Çaji i tij i nivelit të dytë ofron karrige të rehatshme bastun prej palme kacavjerrëse dhe pamje të shkëlqyeshme të lumit të shtëpive të stilit diaojiaolou, gara me varka dragoi dhe, ndonjëherë, disa rosa mjaft të befasuara. / KultPlus.com