Ambra Hysa boton librin ‘Lady D’: Jam frymëzuar nga çdo grua që kam njohur

Autorja nga Shqipëria, Ambra Hysa këto ditë ka botuar librin e saj më të ri që mban titullin ”Lady D”. Roman ky që i kushtohet vajzave dhe figurës së gruas në përgjithësi, shkruan KultPlus.

Hysa ka theksuar për KultPlus se ky roman ka të bëjë me çdo grua që atë e ka frymëzuar gjatë rrugëtimit të saj jetësie. Ajo poashtu ka pohuar se lexuestt e shkrimeve të saj veçse janë në dijeni që gratë dhe vajzat janë kryefjala e mendimit të autores.

”Më frymëzojnë e do t’i mbështes gjithmonë, me të vetmen mënyrë që unë njoh dhe atë që di të bëj më mirë, shkrimin. Kisha kohë që gërmoja për pak gjurmë frymëzimi, prisja për diçka apo për dikë që të më frymëzonte, aq sa të ulesha dhe të mos i ndahesha për disa javë me radhë makinës së shkrimit. Dhe, kështu ndodhi”, shprehet tutje Hysa.

”Lady D”’është zonja e cila e jeton jetën e saj si një vepër arti, mbi të cilën të drejtat autoriale i përkasin asaj.

”Si vajza, uroj të zgjojë brenda jush dëshirën për të rrezatuar forcë, autencitet, pavarësi, liri dhe njëkohësisht të jepni dashurinë tuaj pa kursim dhe pa kushte, në një histori dashurie të kohëve moderne. Si djem, uroj që të zgjoni brenda jush dëshirën për të dashuruar vajzën që i përket vetëm vetes”, është ky mesazhi që autorja e ndan për lexuesit e librit të saj të fundit. / KultPlus.com

Hasanaj përuron katër libra në KultPlus Caffe Gallery, shpaloset rrugëtimi i saj humanitar për diasporën shqiptare

Mbrëmë, në ambientet e KultPlus Caffe Gallery u përuruan librat ”Një jetë veprimtari humanitare”, ”Libri i paqes” dhe ”Sytë e përlotur” të autores Behide Hasanaj. Ndër fokuset e kësaj mbrëmjeje, ishte edhe rrugëtimi i saj humanitar për të ndihmuar shtetin e Kosovës, duke përfshirë edhe shitjen e shtëpisë së saj, vetëm për të ndihmuar familjet në nevojë, shkruan KultPlus.

Behide Hasanaj e cila njihet për humanizmin e saj përgjatë shumë viteve, konsiderohet edhe si një urë lidhëse mes diasporës dhe Kosovës.

Ky përurim, i cili u mbajtë nën moderimin e gazetares Vera Pelaj, filloi me fjalën e Adem Zejnullahut i cili konsideronte veprën e Hasanajt të jetë një vepër me rëndësi humanitare dhe arkivore.

”Nuk do mend, se secili autor ka dëshirë që të bëmat e veta jetësore t’i shkruajë, duke i si konsideruar të rëndësishme në radhë të parë për veten, por edhe për të tjerët. Këta autorë, vazhdimisht në vetëdije e kanë frikën se mos po bien nën ndikimin e emocioneve – subjektivizmit, ndaj zakonisht ua lënë të tjerëve që t’ua shkruajnë për së gjalli, ose për së vdekuri. Mendoj se është mirë që këto monografi të shkruhen edhe për së gjallë të subjekteve, për shumë arsye, në radhë të parë se vetë autori e di më së miri veprimtarinë, kontributin e vet se çka ka bërë, si e ka bërë, sukseset dhe mos sukseset në mënyrë që në vazhdim të punës, të jetës t’i plotësojë zbrazëtitë e hetuara në mënyrë që kur vepra ta marrë trajtën e botimit, të jetë në pë puthje me synimet dhe me kërshërinë e lexuesit në një kohë e në një hapësirë të caktuar”, theksoi Zejnullahi para të pranishmëve.

Pas Zejnullahit, fjalën e mori edhe Jusuf Osmani, i cili theksoi se mërgata jonë në diasporë është ndër mërgatat më të mëdha në botë. Ai, poashtu pohoi se autorja Hasanaj, ka dhënë një kontribut të çmuar në ndihmë të popullatës së Kosovës, në momentet më të vështira të saj, sidomos gjatë luftës së fundit në Kosovë.

”Në monografinë autobiografike të ilustruar me dokumente e dëshmi të shumta karakterizohen veçoritë e Behide Hasanja: entuziazmi për punë, sinqeriteti, atdhedashuria, dashuria dhe respekti ndaj njeriut, popullit dhe atdheut. Behidja ishte përcaktuar për humanizëm që nga periudha e hershme, kur jetoi në qytetin e saj të lindjes, në Pejë e sidomos këtë mision të rëndësishëm e realizoi në Zvicër”, u shpreh tutje Osmani.

Hasanaj në këtë përurim, u shoqerua edhe nga një delegacicon zvicëran, të cilët kishin qenë pjesë tejet e rëndësishme e rrugëtimit të saj humanitar. Për të cilët autorja theksoi të jetë tejet falenderuese ndaj tyre.

”Ai që e ndjekë bamirësinë dhe nuk e harron vendlindjen e vet, atë nuk e harron as zoti. Duajeni dhe respektojeni njëri tjetrin. Mos e harroni historinë e kombit shqiptar, historia jonë nuk duhet të zhduket sepse pa histori nuk ka shtet”, përfundoi autorja e librave.

Në vitin 1983, Znj. Behide Hasanaj emigroi në Zvicër, ku menjëherë nisi misionin vullnetar në Shoqatën Humanitare “Nënë Tereza” në Thun, mirëpo me të filluar lufta në Kosovë dhe me qëllim që sa më shumë ta ndihmojë Kosovën, e cila po digjej flakë, ajo e themeloi vetë një degë Shoqatës Humanitare “Nënë Tereza”, si dhe iu bashkua edhe disa shoqatave të tjera humanitare për të drejtat e njeriut dhe civilët e kërcënuar, etj. Po atë vit, ajo përfundoi kursin e gjuhës gjermane për nivelet më të larta. Në këtë mënyrë nisi veprimtaria e saj humanitare, fillimisht si Interprete për shoqata të ndryshme në komunat zvicerane, spitale, integrimin e refugjatëve, etj. Ajo ishte shumë e aftë të përkthente nga gjermanishtja në kroatisht dhe anasjelltas si dhe nga shqipja në gjermanisht dhe anasjelltas. Roli i saj si përkthyese në Shoqatë ka qenë thelbësor për refugjatët kroatë, boshnjakë dhe shqiptarë, të cilët u larguan me dhunë nga tokat e tyre. Gjithashtu, Zonja Behide Hasanaj, kontribuoi shumë në strehimin e refugjatëve në të gjithë Zvicrën. Në vitin 1986, filloi punën si specialiste për kostume zhytjeje për mbarë Zvicrën dhe mbikëqyrëse, si dhe iu rikthye sërish profesionit të parë si rrobaqepëse, për qepjen e rrobave të policisë dhe ushtrisë për shtetin zviceran. Në vitin 1992, ajo përfundoi një studim si ndihmëse për njerëzit me aftësi të kufizuar dhe sëmundje mendore në Bern dhe Thun, duke iu ardhur në ndihmë shumë njerëzve në nevojë. Në vitin 1997, nisi punën në mënyrë vullnetare në spitalin shtetëror si ndihmëse mjeku për njerëzit me nevoja të veçanta. / KultPlus.com

Qeveria e Kosovës planifikon heqjen e pagesës për studime në universitete publike

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit në Kosovë ka filluar diskutimet lidhur me mundësinë e heqjes së pagesës për studentë në universitete publike. Arsimi publik falas është njëra ndër pikat e programit të Qeverisë së kryeministrit Albin Kurti.

Blerja e mjeteve për përgatitjen e një punimi gjatë studimeve për edukim parafillor, studentes së Universitetit të Gjilanit, Shpresa Sabedini, i ka kushtuar gati sa pagesa për të gjithë semestrin.

Ajo është njëra nga studentët e nivelit bachelor në universitetet publike në Kosovë, të cilët paguajnë 25 euro për semestër, përveç vitit të parë të studimeve që është falas.

Tarifat e tjera në të gjitha universitetet publike në Kosovë përfshijnë pagesën prej 150 eurosh për semestër në nivelin master dhe 500 euro për semestër në nivelin e doktoraturës.

Sipas Sabedinit, edhe pse pagesa në nivelin bachelor nuk është shumë e madhe, heqja e saj mund të ndihmojë në lehtësimin e barrës për studentë, që kanë shpenzime të tjera gjatë studimeve.

“Nëse e krahason me fakultetet private, nuk besoj që është shumë e madhe, por pasi që shumë studentë nuk janë në punë, pse mos ta largojnë krejtësisht pagesën? Do të ishte në favor të shumë studentëve”, thotë Sabedini.

Edhe për Dardan Kajdomqajn, student i juridikut në Universitetin e Prishtinës, heqja e pagesës është ide e mirë, pasi, sipas tij, do të krijonte edhe barazi për studentët me kushte më të rënda ekonomike.

Përveç semestrit, Kajdomqaj tregon se shpenzimet e studentëve përfshijnë pagesën e qirave, librave dhe gjërave të tjera gjatë studimeve.

“Kur të mblidhen, arrihet një shumë dhe të hiqet kjo (pagesa e semestrit) do të na lehtësonte. Nuk është mrekulli, por është pozitive”, thotë ai.

Tarifat nuk hiqen për studentët që ngelin

Zëvendësministri i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Dukagjin Pupovci, konfirmoi se plani për heqjen e tarifave pritet të realizohet më së voni vitin e ardhshëm.

Sipas tij, po planifikohet që tarifat të mos hiqen për studentë që e përsërisin vitin dhe për studentët e doktoraturës, pasi, sipas tij, “janë në shumicë të punësuar”.

“Tarifat për pagesa do të hiqen dhe këto ditë do të formohet grupi i punës për ndryshimin e udhëzimit administrativ. Me siguri që do t’i jepet përparësi heqjes së tarifave për studentët që regjistrojnë vitin për herë të parë, jo edhe për ata që e përsërisin vitin”, tha Pupovci.

Sipas llogarisë së Ministrisë, shtatë universitetet publike në Kosovë, nga pagesat e studentëve përfitojnë rreth 1.6 milion euro në vit dhe, sipas Pupovcit, kjo nuk është ndonjë shumë e papërballueshme për kompensim nga Qeveria.

Prorektorja për Financa në Universitetin e Prishtinës, Mihane Berisha, tha se buxheti total i këtij universiteti për këtë vit është mbi 31 milionë euro.

Sipas saj, nga kjo shumë, 12.49 për qind e mjeteve vijnë nga të hyrat vetanake dhe pjesa tjetër nga buxheti i shtetit.

Ajo tha se deri më tani, UP-ja nuk ka ndonjë njoftim nga Ministria e Arsimit lidhur me planet për heqjen e tarifës.

ORCA: Heqja e pagesës, premtim sipërfaqësor

Investimi në infrastrukturë dhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me ngritjen e cilësisë në arsim, sipas Organizatës për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA), do të duhej të ishin priorite për Qeverinë.

Dibran Hoxha, nga kjo organizatë, tha se heqja e kësaj pagese nuk ndikon drejtpërdrejt në përmirësimin e cilësisë së studimeve, e as në heqjen e barrës së shpenzimeve për studentë.

“Shpenzimet tjera që lidhen me infrastrukturën, me literaturën – sidomos që duhet ta sigurojnë studentët… Do të duhej që në këtë aspekt të bëhen lehtësime, e jo në këto tarifa që, fundja, më shumë janë taksë administrative, sesa, ku ta dimë, çfarë pagese apo shpenzimi për studentë”, tha Hoxha.

Sipas Hoxhës, ky premtim është “shumë sipërfaqësor për arsimin e lartë” dhe me “elemente populiste”.

Sipas një studimi që ORCA e ka bërë në vitin 2019, i quajtur “Shporta e Studentit“, studentët shpenzojnë mesatarisht 37.7 euro për semestër në literaturë të nevojshme për studime.

“Përveç literaturës së nevojshme për studime, studentët gjithashtu kanë shpenzime të materialeve të tjera të nevojshme. Këto shpenzime variojnë nga fakulteti në fakultet dhe mund të përfshijnë: hamerat, çantat speciale, stilolapsa specialë për fakultetet teknike, mantelin e bardhë, doreza, kapuçat dhe maskat e të tjera”, thuhet në raportin e ORCA-s.

Por, pandemia e sëmundjes COVID-19, sipas Erblin Hoxhës, kryetar i Parlamentit të Studentëve në Universitetin e Prishtinës, e ka bërë edhe më të nevojshme heqjen e pagesës për studime.

“Pandemia i ka larguar shumë studentë nga puna që kanë punuar me gjysmë orari ose me orar të plotë dhe nuk kanë pasur mundësi të bëjnë pagesa”, tha ai.

Të dhënat tregojnë se Kosova është një ndër vendet e vetme në Ballkan që aplikon pagesë të njëjtë për studentë të të gjitha drejtimeve.

Në Serbi, studentët në universitetin publik mund të paguajnë nga 350 euro në vit për inxhinieri mekanike e deri në 2,100 euro për drejtime si arkitektura, përpos nëse performojnë mirë në testin aplikues dhe përfitojnë bursë shtetërore.

Të dhënat në studimin e ORCA-s, në anën tjetër, thonë se studentët në Maqedoninë e Veriut paguajnë 200 deri në 400 euro në vit dhe studentët në Shqipëri paguajnë 160 deri në 330 euro në vit, varësisht se çka studiojnë./rel/ KultPlus.com

Një listë me filma që duhen parë gjatë ditëve të verës

Ditët e verës shpesh herë dijnë të jenë shumë të gjata, sidomos kur nuk keni plane e as ndonjë aktivitet tjetër për të kaluar kohën.

Shpesh, opsioni më i mirë është të shihni ndonjë film që edhe pse mund ta keni parë më parë, do t’ju kthejë në kohë duke ju dhënë shumë emocione që do të ju mbajnë të mbërthyer mbas ekranit.

Listën e filmave më poshtë, sigurisht që e keni hasur shumë shpesh. Janë disa nga filmat më të njohur të kinematografisë amerikane të cilët duhet parë më patjetër. /buzzfeed/ KultPlus.com

1. Devil Wears Prada

Një listë me filma që janë fiks për t'u parë

2.Pride and Prejudice (2005)

Një listë me filma që janë fiks për t'u parë

3. Before We Go

Një listë me filma që janë fiks për t'u parë

4. Little Women (2019)

Një listë me filma që janë fiks për t'u parë

5. Like, Crazy

Një listë me filma që janë fiks për t'u parë

6. 10 Things I Hate About You

Një listë me filma që janë fiks për t'u parë

7. You’ve Got Mail

Një listë me filma që janë fiks për t'u parë

8.When Harry Met Sally

Një listë me filma që janë fiks për t'u parë

9. Definitely, Maybe

Një listë me filma që janë fiks për t'u parë

10. Love, Rosie

Një listë me filma që janë fiks për t'u parë

T’isha një lule

Poezi nga Musine Kokalari

T’isha një lule- lule are, e vogël dhe me erë.

Të çelnja në pranverë

Dhe në vjeshtë të vishkesha në vetminë time.

T’isha një lule vjollce në mes të ferrave.

Të qëndroja e fshehur, e pa dukur

Dhe një ditë të zbulohesha prej duarve të

dy të rinjëve.

Prej frike,

Të larguar prej njerzisë do t’më këputnin,

Do t’u dhurohesha te njëri-tjetri

Për shenjë kujtimi. / KultPlus.com

Shqipëria synon më shumë sesa rehabilitimin e monumenteve të kulturës

Në vjeshtën e vitit të kaluar Bashkimi Evropian kishte dhuruar 40 milionë euro për rehabilitimin e siteve kulturore shqiptare që u dëmtuan nga tërmeti i 2019-s. Kjo ndihmë e dhënë nga programi “EU4Culture” kishte për qëllim rikonstruktimin, rehabilitimin dhe valorizimin e mbi 50 monumenteve të dëmtuara.

Të premten, në kuadër të këtij programi, është mbajtur takim mes palëve të interesuara dhe ekspertëve të fushës për trashëgiminë kulturore.

Në qendër të takimit ka qenë ndërhyrja në gjashtë asete kulturore gjithandej Shqipërisë: Muzeu Etnografik në Krujë, Torra veneciane e Hamami në Durrës, Muzeu Etnografik në Kavajë, Teatri Kombëtar i Kukullave, si dhe Ura e Kurcajt.

Në këtë takim të pranishmit janë pajtuar që përdorimi i qëndrueshëm dhe i përgjegjshëm i aseteve të trashëgimisë kulturore sjell ruajtjen më të mirë të tyre, gjë që, sipas tyre, mund të shërbejë si burim frymëzimi për pjesëtarët e komunitetit lokal, artizanët, artistët dhe të gjithë të interesuarit e tjerë.

Në fjalën e saj ministrja e Kulturës, Elva Margariti, ka thënë se fondi i dhënë për Shqipërinë ka për qëllim jo vetëm rijetëzimin e objekteve, por edhe të gjithë zonën përreth monumenteve.

“Kjo do të thotë kthim të këtyre objekteve në atraksione turistike dhe kulturore, duke thirrur në ndihmë teknologjinë, qasjen bashkëkohore muzeale, që i flet kujtdo me gjuhën e kohës, që bën për vete të rinjtë me krijimtarinë dhe fantazinë e tyre; që tërheq vëmendjen e fëmijëve për të njohur më mirë vendin e tyre. Por, mbi të gjitha, kthimi në një çelës zhvillimi ekonomik të qëndrueshëm për komunitetet lokale”, ka thënë ministrja Margariti.

E pranishme në takim ishte edhe Pamela Lama, drejtuese e UNOPS-it në Shqipëri, e cila nënvizoi disa nga propozimet e kësaj zyre të Kombeve të Bashkuara.

Sipas saj, sitet e projektit do t’u nënshtrohen disa fazave të ndërhyrjes duke filluar nga restaurimi dhe konservimi i strukturës, interpretimi, menaxhimi i trashëgimisë kulturore, plani i biznesit dhe menaxhimi i riskut ndaj katastrofave natyrore.

“Ne do të punojmë në partneritet të ngushtë me Ministrinë e Kulturës për të zhvilluar modele të reja për shfrytëzimin e qëndrueshëm dhe të përgjegjshëm të trashëgimisë kulturore, e cila ka një kontribut të madh në zhvillimin ekonomik lokal dhe kombëtar”, ka thënë Lama.

Ndërkaq përfaqësuesi i delegacionit të BE-së në Shqipëri, Andrea Marco Vera, citohet të ketë thënë se programi “EU4Culture” është një nga më të mëdhenjtë që është hartuar ndonjëherë nga Bashkimi Evropian për sa i përket numrit të monumenteve dhe fondeve të përfshira.

“Programi ‘EU4Culture’ do të ndihmojë në përmirësim dhe do të rrisë tërheqjen ndaj këtyre siteve dhe do të përfshijë komunitetin e trashëgimisë kulturore shqiptare – historianë, arkeologë ose arkitektë me njohuri të paçmueshme”, ka thënë Vera. /koha/ KultPlus.com

Akademisë së Shkencave në Shqipëri i shtohen gjashtë akademikë të asociuar

Akademia e Shkencave e Shqipërisë ka mbajtur të premten mbledhjen e Asamblesë.

Kryetari i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi përshëndeti pjesëmarrësit akademikë, anëtarë të komisioneve të përhershme, miq e të ftuar dhe e nisi fjalën e tij me një homazh për ndarjen nga jeta të dy anëtarëve të vyer të Asamblesë, Petraq Petron dhe Artan Boriçin gjatë këtij viti të vështirë të pandemisë Covid-19.

Gjithashtu, Gjinushi ia dedikoi homazhin kujtimit dhe veprës së akademikëve të ndarë më herët nga jeta nga jeta: Alfred Uçi, Arben Puto, Afërdita Veveçka, Dritëro Agolli, Farudin Hoxha, Gudar Beqiri, Jorgo Bulo, Kristo Frashëri, Kolec Topallit, Kristaq Priftit, Salvator Bushati, Shaban Demiraj e Ylli Popa.

Më tej Kryetari i Akademisë së Shkencave paraqiti një relacion mbi veprimtarinë e institucionit gjatë periudhës janar-qershor 2021.

“Gjatë kësaj periudhe, Kryesia, seksionet, komisionet e njësitë janë angazhuar për realizimin e programit të miratuar nga kjo Asamble dhe për hedhjen e bazave të fazës së dytë të reformës, që lidhet me raportet që do të vendosen midis Akademisë së Shkencave dhe qendrave kërkimore në vend, si të atyre ekzistuese, ashtu edhe atyre të reja. Faza e dytë është e lidhur me zgjerimin e forcimin e njësive të reja të kërkim-studimit. Për pasojë aktiviteti i tyre përbën edhe një nga detyrat kryesore të kësaj periudhe”, -tha  Gjinushi.

Ai përmendi disa nga arritjet konkrete si laboratori i imunologjisë në QSUT për vlerësimin e imunitetit të fituar ndaj Covid-19; sukseset e konferencave ndërkombëtare; rritja e aktivitetit të njësisë së re NanoAlb; ngritja e njësisë së inteligjencës artificiale; themelimi i Institutit të Fizikës, etj.

Akademiku Gjinushi tha ndër të tjera se “projektet e mëdha të albanologjisë përbëjnë dhe angazhimin kryesor të Akademisë së Shkencave për këtë vit. Përgatitjet janë bërë edhe për kuvendin e madh të albanologjisë dhe kongresit të nanoshkencës dhe nanoteknologjisë”.

Gjinushi përmendi edhe arritjet në fushën e botimeve, ku edhe për këtë vit është parashikuar botimi i rreth 30 veprave dhe të tjera arritje e bashkëpunime në kuadër të reformës.

Në fazën e dytë të mbledhjes së Asamblesë u bë ndarja e diplomave të njësuara për anëtarët e Asamblesë që kaluan në statusin akademik emeritus, Anesti Kondili, Apollon Baçe, Dhimiter Haxhimihali, Ethem Likaj, Fatos Kongoli, Florian Vila, Gjovalin Shkurtaj, Mark Tirta, Rexhep Meidani dhe Jani Vangjeli

Më pas kryetari i ASHSH-së, bëri paraqitjen e kandidatëve të regjistruar për konkurrim për akademik i asociur dhe u kalua në votimin e kandidaturave, nga të cilat fituan:

Prof. dr. Besnik Baraj, akademik i asociuar në shkencat e kimisë.

Prof. dr. Fatbardh Sallaku, akademik i asociuar në shkencat bujqësore.

Prof. dr. Gëzim Hoxha, akademik i asociuar në fushën e arkeologjisë.

Prof. dr. Kozeta Sevrani, akademike e asociuar në informatikë.

Prof. dr. Rrapo Ormëni, akademik i asociuar në gjeofizikë.

Prof. Stefan Çapaliku, akademik i asociuar në fushën e studimeve. /atsh/ KultPlus.com

Dokufest shpallë filmat garues

DokuFest ka shpallur sot programin e plotë të filmave të kategorive garuese për edicionin e 20- të, jubilar, që do të mbahet nga 6 deri më 14 gusht.

Të zgjedhura nga një numër rekord i mbi 3.000 aplikimeve, festivali do të prezantoj 106 filma nga 60 vende të ndryshme të botës të cilët do të konkurrojnë në 8 kategori garuese, duke shfaqur disa nga dokumentarët më të mirë si dhe një koleksion të shkëlqyeshëm të filmave të shkurtë dhe atyre eksperimentale, të prodhuar kohëve të fundit. Pothuajse të gjithë filmat që do të shfaqen në festival do të kenë premierat e tyre Kosovare, duke e bërë atë platformën më të madhe të shfaqjes së filmave në vend.

Nga përzgjedhja e pasur dhe e larmishme e filmave në konkurencë, ne jemi të kënaqur të mirëpresim një sërë kineastësh me punimet e tyre të reja dhe jemi njëlloj të entuziazmuar të prezantojmë disa nga zërat e rinj më të mirë dhe të ndritshëm të kinemasë, me filmat e tyre debutues.

DokuFest gjithashtu publikoi temën e festivalit që përmban tre fjalë, Re:set Re:mix Re:act, me një nocion qendror që në të vërtetë janë shkronjat RE në rrënjën e këtyre fjalëve. Kështu, festivali do të përpiqet të eksplorojë aspekte të shumëta tē këtyre fjalëve në kontekstin e botë që rishfaqet nga pandemia dhe riimagjinon veten në një situatë të re. Një numër filmash
gjithashtu do të jenë në linjë me temën dhe ne jemi të ngazëllyer për të gjetur mënyra për ta sjellë audiencën tonë në bashkëbisedim rreth temës.

Tema do të reflektojë gjithashtu në identitetin vizual dhe kampanjën promovuese, e që do të shpaloset në ditët në vijim.

Në sajë të përmirësimit të situatës me Covid-19 në Kosovë, të gjithë filmat në garë pritet të kenë shfaqjet e tyre në kinematë me audiencën. Një numër i zgjedhur filmash do të paraqiten gjithashtu edhe në platformën online të festivalit.

Përveç programit të shpallur tashmë që feston 20 vjetorin e festivalit, të titulluar 20 For 20:Replay, si dhe programin e filmave që kanë të bëjnë me muzikë, me titull Sonic Experiments: Music on Film, DokuFest do të vazhdojë të bëj publike programe të tjera nga lista e tij e plotë
në ditët në vijim.

Edicioni i 20-të i DokuFest zhvillohet nga 6 deri më 14 gusht në të gjithë qytetin historik të Prizrenit dhe në platformën online.

“Ne jemi të entuziazmuar që po kthehemi me një tjetër program eklektik që sigurisht do të habisë, mahnitë, prekë dhe do të nxisë audiencën tonë,” thotë Veton Nurkollari, Drejtori Artistik i DokuFest-it. “DokuFest vazhdon të jetë i përkushtuar në sjelljen e më të mirës së kinemasë botërore në Prizren dhe në Kosovë, dhe të jesh në gjendje të prezantosh edhe një herë vepra me
cilësi të jashtëzakonshme, si nga kineastët në zhvillim, ashtu edhe nga mjeshtrat, përbën një dhuratë të shkëlqyer në këto kohëra të çuditshme dhe të vështira.”

PROGRAMET GARUESE:

BALKAN DOX

INT’L DOX: FEATURES

INT’L DOX: SHORTS

INT’L SHORTS

NATIONAL

HUMAN RIGHTS DOX

GREEN DOX

TRUTH DOX. / KultPlus.com

Qentë ëndërrojnë për njerëzit që i duan

Psikologja e Harvardit, Dr.Deirdre Barret ka thënë se qentë janë të prirë të ëndërrojnë për njerëzit që kujdesen për ta.

Barret, e cili ka studiuar sjelljen e njerëzve në gjumë për vite të tëra, ka thënë se ndonëse nuk mund të dihet 100% se çka ëndërrojnë qentë, këto kafshë kanë cikël të ngjashëm të gjumit sikurse njerëzit, që nënkupton se ato bien ngadalë në një gjumë të rëndë dhe pastaj truri i tyre bëhet joaktiv duke shkuar drejt ëndërrimit.

Sipas saj, në këtë mënyrë edhe njerëzit kalojnë nga gjumi i rëndë, në çaktivizim të trurit e më pas edhe në ëndrra, transmeton KultPlus.

Lidhur me atë se çka mund të ëndërrojnë kafshët, Barret sërish ka si udhëzim njerëzit.

“Njerëzit ëndërrojnë për gjërat e njëjta në të cilat janë të interesuar gjatë ditës, ndonëse më shumë vizualisht dhe më pak logjikisht. Nuk ka arsye të mendohet se kafshët janë ndryshe. Që kur qentë janë të tërhequr nga pronarët e tyre, është e ngjashme që qeni juaj të mendojë për fytyrën, erën, ose rreth asaj se a po të kënaqë apo po të mërzitë”, ka thënë Barret.

Ajo ka shtuar se mënyra më e mirë për t’i dhënë vetës ose fëmijëve ëndrra të mira, është që të kalohet kohë e mirë gjatë ditës dhe të bëhet gjumë i mirë në një mjedis të mirë. Me gjasë, sipas saj, e njëjta vlen edhe për ëndrrat e kafshëve. / KultPlus.com

Kolona të gjata në Vërmicë, kosovarët ia mësyejnë bregdetit shqiptar

Në pikën kufitare të Vërmicës janë krijuar kolona të gjata.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, në dalje të Kosovës janë krijuar kolona deri në 150 metra, transmeton KultPlus.

Si duket kosovarë ia kanë mësyer edhe këtë vikend pushimeve në Shqipëri.

Kujtojmë se vetëm në fillim të muajit qershor në pikën kufitare të Vërmicës u regjistruan mbi 30 mijë pushues nga Kosova që iu drejtuan bregdetit shqiptar. / KultPlus.com

Stereotipet që shfaqen në filmat amerikanë, por që nuk kanë asnjë lidhje me të vërtetën

Filmat tashmë kanë pushtuar botën dhe nuk ka njeri që nuk e ka pa një të tillë në jetë.

Një temë interesante është ngritur në Reddit në lidhje me stereotipet që ne shohim çdo ditë në filmat amerikanë dhe komentet vazhdojnë të vijnë, transmeton KultPlus.

Përdoruesit nga vende të ndryshme zbulojnë pamjen reale të jetës së përditshme në vendet e tyre dhe nuk ngjan aspak me ato që na kanë mësuar filmat!

Ne kemi veçuar 12 stereotipat më interesante që shfaqin realitetin e vërtetë. / KultPlus.com

Plazhi rozë përallor në Amsterdam

Të gjithë e duam Amsterdamin, por nganjëherë të gjithëve u pëlqen pak pushimi në vend të ngrohtë, me rërë dhe me shumë kokteje.

Por, tani është krijuar një plazh përrallor dhe i gëzueshëm për të gjithë, pikërisht në qendër të Amsterdamit, dhe ky vend i ka të gjitha.

Nga palmat tek rëra e bukur dhe e butë rozë dhe karriget në kuvertë, ky vend është një ëndërr absolute e ardhur gjithashtu, transmeton KultPlus.

Nuk është lokali juaj mesatar i plazhit sepse gjithçka është rozë! Nga shiriti në kabinat dhe madje edhe disa nga ushqimet, ju mund të prisni rozë, rozë dhe vetëm rozë! Një vend perfekt për fotografitë e Instagramit. / KultPlus.com

Vdiq në moshën 74-vjeçare aktori Chick Vennera

Chick Vennera i cili ka luajtur në filmat “The Golden Girls” dhe në komedinë e vitit 1978 “Thank God It’s Friday”, ka vdekur në shtëpinë e tij në Burbank të Kalifornisë, transmeton KultPlus.

Një përfaqësues i aktorit amerikan ka bërë të ditur se Vennera ka vdekur në moshën 74-vjeçare, pas një beteje të gjatë me kancerin.

Pasi kishte shërbyer në ushtri, Vennera kishte jetuar në Los Anxhelos ku edhe kishte performuar nëpër klube të natës.

Ai ka luajtur në disa role filmike, duke përfshirë “Yanks” ku shfaqet krahë Richard Gere. / KultPlus.com

Kur do të fillojë regjistrimi i studentëve të rinj në UP?

Mbledhja e Këshillit Shtetëror të Cilësisë pritet që të mbahet më 27 korrik, ku vendoset për akreditim.

Brenda kampusit të Universitetit të Prishtinës, çdo vit shtohen mijëra studentë. E për këtë vit, po planifikohet që për studime themelore, të pranohen edhe 6500 të rinj.

Sipas Mimoza Dibranit, prorektore për mësimdhënie dhe çështje për studentë, ky numër është i krahasueshëm me vitet e kaluara.

Megjithatë, procesi i fillimit të regjistrimit po vonohet, pasi që akoma nuk dihet nëse të gjitha programet e studimeve do të akreditohen.

Edhe kësaj radhe, testimi i studentëve do të bëhet duke i përfillur të gjitha rregullat anti-covid. Por, përgjigje nëse programet e tyre do të akreditohen, UP-ja nuk do të marrë deri në fund të muajit korrik.

Sipas kryesueses të Këshillit Shtetëror të Cilësisë, Hasnije Ilazit, takimi do të mbahet më 27 korrik.

Ilazi ka sqaruar arsyet pse është shkaktuar kjo vonesë, ku ndër të tjera është edhe materiali voluminoz për trajtim.

Ilazi ka bërë thirrje që institucionet që janë në procedurë të vlerësimit, të mos hapin konkurset pa vendime përfundimtare. /gazetaexpress/ KultPlus.com

‘Te varri im mos eja të qash’

Poezi nga Mary Elizabeth Frye

Përktheu: Fatbardha Statovci

Te varri im mos eja të qash;
Fjetur s’jam, aty nuk më gjen.
Jam në njëmijë erëra që fryjnë. 
Shkreptima e diamantit në dëborë jam.
Në grurin e pjekur jam drita e diellit.
Shiu i butë vjeshtor jam unë.

Kur në heshtjen e mëngjesit të zgjohesh ti
Jam nxitimi i çastshëm
I zogjve të qetë që në fluturime rrethore enden.
Jam ylli i butë që natën shndrit.
Në varrin tim të qash mos u ndal,
Nuk kam vdekur, aty nuk jam./ KultPlus.com

Astronomët përdorin inteligjencën artificiale për të zbuluar formën e vërtetë të universit

Universi vjen si një entitet i gjerë dhe i pamatshëm, thellësitë e të cilit janë të padukshme për tokësorët. 

Por, në ndjekje të thjeshtimit të gjithçkaje që na rrethon, shkencëtarët kanë bërë hapa të mëdhenj në kuptimin e hapësirës që banojmë. Tani, astronomët japonezë kanë zhvilluar një teknikë mahnitëse për të matur universin, transmeton KultPlus.

Duke përdorur inteligjencën artificiale, shkencëtarët ishin në gjendje të hiqnin zhurmën në të dhënat astronomike që shkaktohet nga ndryshime të rastësishme në format e galaktikave.

Çfarë bënë shkencëtarët?

Shkencëtarët përdorën simulime të super kompjuterit dhe testuan të dhëna të mëdha  përpara se të kryenin të njëjtën gjë në të dhënat reale nga hapësira.  Pas provave të gjera, shkencëtarët përdorën mjetin mbi të dhënat e marra nga Teleskopi Subaru i Japonisë. 

Për habinë e tyre, funksionoi! Rezultatet që pasuan mbetën kryesisht të sinkronizuara me modelet e pranuara aktualisht të universit.  Nëse përdoret në një shkallë më të madhe, mjeti mund të ndihmojë shkencëtarët të analizojnë të dhëna shtrirë nga sondazhet astronomike.

Metodat aktuale nuk mund të shpëtojnë në mënyrë efektive nga zhurma që përshkon të gjitha të dhënat nga hapësira.  Për të shmangur ndërhyrjet nga të dhënat e zhurmës, ekipi përdori super kompjuterin më të përparuar të astronomisë në botë të quajtur “ATERUI II”.  Duke përdorur të dhëna reale nga Teleskopi Subaru, ata gjeneruan 25,000 katalogë tallash të galaktikave.

Çfarë po shkakton shtrembërimin e të dhënave?

Të gjitha të dhënat nga hapësira mund të shtrembërohen nga graviteti i asaj që është në plan të parë duke eklipsuar sfondin e saj. Kjo quhet lente gravitacionale.  Matjet e lenteve të tilla përdoren për të kuptuar më mirë universin. Në thelb, një galaktikë e drejtpërdrejtë e dukshme për ne mund të jetë duke manipuluar të dhëna rreth asaj që qëndron pas saj.

Por është e vështirë të dallosh galaktikat me pamje të çuditshme nga ato shtrembëruese që manipulojnë të dhënat. Quhet “zhurmë në formë” dhe rregullisht pengon në kuptimin e universit.

Bazuar në këto kuptime, shkencëtarët shtuan zhurmë në grupet e të dhënave artificiale dhe trajnuan UA për të rikuperuar të dhënat e lenteve.  Ai ishte në gjendje të nxjerrë në pah detaje të mëparshme të pa vëzhgueshme nga këto të dhëna.

Duke u mbështetur në këtë, shkencëtarët përdorën modelin AI në botën reale, duke mbuluar 21 gradë katrore të qiellit. Ata zbuluan se detajet e regjistruara në lidhje me planin e parë ishin në të vërtetë në përputhje me njohuritë ekzistuese rreth kozmosit. / KultPlus.com

KFOR-i sqarohet pas zëvendësimit të pengesave artificiale pranë Manastirit të Deçanit

Zëvendësimi i pengesave artificiale që janë vendosur në rrugën për në manastirin e Deçanit, në hyrje të zonës, nga njësitë që i përkasin misionit të KFOR-it, ishte një vendim i marrë nga ata në marrëveshje me autoritetet lokale.

Kështu thuhet në një komunikatë të KFOR-it, ku theksohet se e konsiderojnë të nevojshme zëvendësimin e pengesave të vjetra me pengesa të reja, në mënyrë që të sigurojë një nivel të vazhdueshëm dhe efektiv të mbrojtjes dhe sigurisë, transmeton KultPlus.

 “Në fakt, dihet mirë se zona përreth manastirit të Deçanit është me interes të lartë artistik e kulturor, dhe ka tërhequr turistë dhe studiues për dekada. Ky hap i fundit do të kontribuojë në përmirësimin e cilësisë së jetës, si për popullatën lokale ashtu edhe për turistët që vizitojnë Manastirin dhe zonat përreth tij”, thuhet në komunikatë, transmeton tutje KultPlus.

KFOR tutje thotë se Manastiri i Deçanit është i vetmi objekt fetar që ruhet nga KFOR-i, teksa të gjitha objektet e tjera fetare ruhen nga Policia e Kosovës ose nuk ruhen fare.

Autoritetet lokale të Deçanit ende nuk kanë dhënë ndonjë sqarim lidhur me rastin./ KultPlus.com

‘Alfabetarja e gjuhës shqipe’ dhe kontributi i Jani Vretos, Sami Frashërit e Pashko Vasës

“Alfabetarja e gjuhës shqipe” u botua me nismën e Sami Frashërit, Jani Vretos e Pashko Vasës, në Stamboll më 27 shkurt 1879.

Për ta kuptuar rëndësinë e këtij botimi, duhet të kthehemi pas në kohë e në histori. Kujtojmë se shqipja, me sa dokumentohet deri tani, filloi të shkruhet që nga shekulli XV me alfabetin latin, të plotësuar me pesë shkronja të posaçme. U shkrua dhe me shkronja greke e, pas pushtimit turk, edhe me alfabetin turk-arab.  Rruga tjetër që u ndoq, është ajo e krijimit të alfabeteve origjinale me përhapje të kufizuar.

Që në fillimet e lëvizjes për çlirim nga Turqia, çështja e alfabetit doli në plan të parë: pa të nuk mund të flitej për Rilindje të popullit shqiptar.  Prandaj me nismën e Sami Frashërit, Jani Vretos e Pashko Vasës, më 27 shkurt 1879 u botua në Stamboll “Alfabetarja e gjuhës shqipe“. Ishte një nga veprimtaritë më të rëndësishme të patriotëve shqiptarë të Stambollit, të cilët më 12 tetor 1879 themeluan “Shoqërinë e të Shtypurit të Shkronjave Shqip”, shoqëri kulturore, që kishte për synim të nxiste zhvillimin e kulturës në gjuhën shqipe dhe ta vinte atë në shërbim të çështjes së çlirimit kombëtar nga Turqia. Me alfabetin, plotësonte një nga kërkesat bazë për përhapjen e propagandës atdhetare dhe i hapte rrugën botimeve të para serioze të Rilindjes sonë Kombëtare.

Libri “AΛFABETARE E GLÚHESE ΣQIP” është përgatitur,pra, nga Shemsudin Sami Frashëri, Jani Vreto, Pashko Vasa etj., dhe është botuar në Stamboll më 1879. Një kopje e librit, me kapakë kadife të kuqe të shkruar me shkronja ari, i është dhuruar Sulltan Abdyl Hamitit II, i cili ka ditur të flasë shqip.

“Alfabetarja e gluhësë shqip”, botuar vetëm pak muaj pas miratimit të alfabetit të Stambollit, është një vepër kolektive. Në të janë përfshirë shkrimet e Sami Frashërit: “Gjuha Shqip” dhe “Dheshkronjë”; të Jani Vretos: “Udhë e të shkruarit të gjuhësë Shqip”, “Për Gjithëçishtënë dhe për Zon’e jetësë edhe për Njerinë, botën’ e vogëlë”, “Numerëmësonjë”; të Pashko Vasës: “Shqypnija e Shqyptârt”, të Koto Hoxhit: “Porosit’ e Tovitit mbë të birë”.  Siç shihet nga përmbajtja, “Alfabetares së gjuhës shqipe” nuk është thjesht një tekst abetareje. Përveç abetares në të përfshihen edhe lëndë të tjera si: gramatikë, histori, aritmetikë, edukatë shoqërore dhe morale.

Në gjirin e saj, siç u përmend, bashkëpunuan ngushtësisht myslimanë të mëdhenj si vëllezërit Frashëri, katolikë të shquar, si Pashko Vasë Shkodrani e ortodoksë të mësuar e atdhetarë si Jani Vreto: ishte pra model i bashkëpunimit ndërmjet feve në shërbim të Atdheut. Vlerat e kësaj abetareje, që me të drejtë është quajtur “një vepër themelvënëse”, janë të gjera dhe të shumanshme. Kjo vepër përbën një prej gurëve themeltarë në proçesin ripërtëritës dhe ripërcaktues të gjuhësisë shqiptare.

Në “Alfabetare…” trajtohen disa nga problemet më themelore të kohës, në plane të ndryshme: politik, idelogjik, kulturor dhe arsimor që kishte shtruar për zgjidhje Lidhja Shqiptare e Prizrenit. Ky tekst, si rrallë ndonjë tjetër, shkon në unison me ato ngjarje, duke u bërë jehonë, duke zbatuar pjesë të veçanta të programit për çlirimin kombëtar dhe shoqëror.

Gjithsesi çështja e alfabetit të shqipes do të zgjidhej përfundimisht vetëm me Kongresin e Manastirit, që u mblodh më 14 nëntor 1908, ku u hartua një alfabet i ri me shkronja latine. Është alfabeti që përdorin edhe sot e kësaj dite gjithë ata, të cilët shkruajnë shqip. / KultPlus.com

Aeroporti mbushet me mërgimtarë, 50-të aeroplanë vetëm sot drejt Prishtinës

Ardhjet e diasporës shqiptare në Kosovë përmes aeroportit të Prishtinës “Adem Jashari” tashmë kanë filluar.

Vetëm gjatë ditës së sotme është bërë e ditur se do të aterojnë rreth 50 aeroplanë nga vende të ndryshme të botës me mërgimtarë tanë, ndërsa 20 fluturime të tjera planifikohen të zbresin deri të shtunën në ora 09:00

Muajt e verës tashmë po sjellin mërgimtarët në vendlindje. Mijëra udhëtarë kanë ardhur vetëm këto ditë e para të muajit korrik.

Nga ana tjetër, ardhjet e shumta janë edhe me automjete, por këtë vit, shumë prej tyre po e shfrytëzojnë Aeroportin e Prishtinës, “Adem Jashari”, shkruan tutje albinfo.ch, transmeton KultPlus.

Kompania e njohur e fluturime, Chair, ka fluturime çdo ditë drejt Prishtinës.

Aeroplanët e kësaj kompanie po zbarkojnë mërgimtarë të shumtë nga shteti i Zvicrës në Kosovë. Vlen të theksohet se shteti zviceran dhe ai gjerman prijnë me ardhjet e mërgimtarëve.

Pothujase të gjitha kompanitë kanë shtuar dukshëm linjat ajrore për shkak të kërkesës së jashtëzakonshme për të udhëtuar drejt Kosovës.

Kujtojmë se në vitin e kaluar pandemik shumë mërgimtarë hezituan të vijnë në Kosovë për shkak të Covid. /albinfo/ KultPlus.com

Me moton ‘F… Sexism’, rikthehet Festivali ‘FemArt’

Artpolis – Qendra për Art dhe Komunitet sjell edicionin e 9-të të festivalit të parë dhe të vetëm feminist në Kosovë dhe më të madhin në rajonin e Ballkanit, FemArt, në datat 20 – 25 shtator, 2021 me moton “F… Sexism”. Ky festival do të bashkojë të gjitha komunitetet nga mbarë bota në një vend për të krijuar dhe prezantuar artin e tyre, përcjell KultPlus.

Festivali FemArt është platformë ku artistët/artistet dhe aktivistët/aktivistet mblidhen për të revolucionarizuar artin ashtu që të transformojmë status quo-në duke shkatërruar normat e strukturat patriarkale, drejt një të ardhmeje më të mirë.

”Ne jemi këtu për të qëndruar, kështu që “F… Seksizmit”. Ne besojmë në barazi në mes njerëzve. Ne njohim, pranojmë, çmojmë, festojmë dhe mbështesim dallimet. Ne qëndruam në solidaritet me njëri-tjetrin në edicionin tonë gjatë vitit të kaluar. Ishte kohë reflektimi, mirësie dhe kujdesi më shumë se gjithçka tjetër. Këtë vit fuqia jonë krijuese është thirrur në veprim për të luftuar padrejtësitë në emër të dallimeve gjinore. Artistë/e dhe aktivistë/e nga komunitetet lokale dhe ndërkombëtare do të mblidhen për të provokuar, frymëzuar dhe sfiduar në çdo mënyrë të mundshme realitetet aktuale seksiste. Nga shfaqjet, poezitë dhe vallëzimet, diskutimet dhe konferencat, deri në neja dhe rebelime, ne do të trajtojmë të drejtat e grave si të drejta të njeriut. Ne synojmë të mobilizohemi për t’ia futur seksizmit, si mënyra e vetme për të arritur barazinë politike, ekonomike, kulturore, personale dhe shoqërore”, theksohet në komunikatën për media.

Në këtë edicion, siç theksohet tutje në komunikatën për media, festivali pritët që të demonstrojë fuqinë e veprimit kolektiv, mendimit kritik dhe rebelimit krijues. Ku do të prezantohetn shfaqje, ekspozita, kërcime dhe këngë, panele diskutimi, podkaste përmes të cilave do të diskutohet seksizmi në të gjitha format e tij. / KultPlus.com

Rikthehet ‘Korça Short Film Festival’, prezantohen 31 filma të shkurtër

Në qytetin e bukur të Korçës as këtë vit nuk mund të mungonte festivali i përvitshëm që tashmë është kthyer në një traditë për këtë qytet.

Festivali “Korça Short Film Festival”, këtë vit do të prezantojë për publikun rreth 31 filma të shkurtër që janë përzgjedhur për këtë edicion.

Këtë vit festivali është i ndarë në dy seksione ku pjesa e parë e filmave do të prezantohen gjatë paraditeve në ambientet e teatrit të qytetit A.Z. Çajupi, kurse kategoria tjetër do të shfaqen gjatë pasditeve në ambientet e Muzeut Arkeologjik, transmeton KultPlus.

Nata e parë u mbajt pikërisht në ambientet e Muzeut Arkeologjik në Korçë.

Organizatori i këtij eventi, Gledis Bica është shprehur se “në këtë festival kanë aplikuar rreth 700 produksione nga të cilët, në fund u përzgjodhën për të qenë pjesë vetëm 31 prej tyre. Filmat e përzgjedhur janë kryesisht të zhanerave fiction dhe artistik, ndërsa 4 prej tyre, janë të animuar dhe dokumentar. Risia e edicionit të këtij viti është që edhe publiku vetë do të ketë mundësinë që të bëj përzgjedhjen e tij, si filmi më i preferuar nga publiku”.

Ditën e djeshme janë shfaqur për publikun në seksionin e parë filmat, Don’t sleep, USA; Clear Sky, Rusi; Storgetnya, Francë; East West, Poloni.

Ndërsa në seksionin e dytë, And Then the silence, Francë; Sisters, Slloveni; So that nothing changes, Francë; Shanzai screens, Francë; Filipinana, Filipine. /atsh/ KultPlus.com

Publikohet traileri zyrtar i filmit ‘Queenpins’, luan edhe Bebe Rexha (VIDEO)

Këngëtarja shqiptare me famë ndërkombëtare, Bebe Rexha, përpos sukseseve të mëdha në fushën e muzikës, kësaj radhe do të marrë pjesë edhe në një projekti filmik, përcjell KultPlus.

Ajo tashmë prej muajsh ka njoftuar se do të bëjë debutimin si aktore në filmin e ri të titulluar “Queenpins”.

Krijuesja e shumë hiteve së fundmi ka shpërndarë në rrjetet sociale trailerin e filmit/

Artistja me prejardhje nga Dibra ka thënë se ndihet e entuziasmuar me filmin në të cilin ajo luan përkrah aktorëve të famshëm të Hollyëood-it si: Vince Vaugn e Kristen Bell.

“Jam e entuziasmuar të shpërndajë debutimin tim në filmin Queenpins, përkrah Kristen Bell, KirbyHoëell-Baptiste, Paul ëalter Hauser, dhe Vince Vaughn. Filmi është drejtuar dhe shkruar nga Aron Gaudet dhe Gita Paullapilly”, ka shkruar Bebe.

Filmi ndërkaq parashihet të shfaqet premierë në kinema në shtator të këtij viti. / KultPlus.com

‘Spice Girls’ shënon 25-vjetorin e ‘Wannabe’

Grupi i njohur muzikor i vajzave “Spice Girls” po e shënon përvjetorin e 25-të të hitit debtues, me anë të lansimit të edicionit të veçantë EP të “Wannabe25”.

“Wannabe” ishte publikuar në Mbretërinë e Bashkuar më 8 korrik të vitit 1996 dhe kishte debutuar në pozitën e tretë të listës së këngëve, para se të ngjitej në krye të saj vetëm një javë më vonë. Në vendin e parë është pozicionuar për plot shtatë javë, transmeton KultPlus.

Kënga ishte sukses global, duke i kryesuar listat e këngëve më të mira në gjithsej 37 vende të botës, përfshirë Australinë, Danimarkën, Finlandën, Francën, Gjermaninë, Hungarinë, Irlandën, Holandën, Norvegjinë, Spanjën, Suedinë, Zvicrën dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Wannabe25” do ta përfshijë këngën origjinale, një remix nga Junior Vasquez, demon origjinale të xhiruar për këngën dhe “Free Your Love”, një demo kjo e papublikuar deri më tani e një balade.

“Spice Girls” do të publikojnë po ashtu një video të re, të xhiruar nga adhuruesit, për ta shoqëruar EP-në që njashtu do të jetë e qasshme edhe në formën e vinilit dhe të kasetës më 27 gusht. / KultPlus.com

Tollumbat e Lulit të vocërr kanë me e hangër mësuesin

Migjeni

Askush s’e njef Lulin.
As shokët e tij, që përpara tij lozin, nuk e njofin.
Ma mire me thanë se e njofin, por ata lozin për hesap të vet, e Luli i shikon për hesap te vet.
Sot gjithkush ka punet dhe telashet e veta, ashtu dhe fëmijtë, ashtu dhe Luli.
More Lul!
Shumë heret ke fillue me shikue punën tande!
Kur Luli hyn n’oborr të shkollës, buza i qeshet nga pak, por askuj, asnji fjalë s’i thotë.
Ecë ngadale, tue shikue djathtas e majtas, po gjithnji tue ecë deri sa të mbrrijë në cak të vet.
Aty, te dera e rruginës shkollore, shumë i pëlqen të qëndrojë.
Aty asht caku i tij, i praruem me rrezet e ngrofta të diellit në këto ditët e vjeshtës.
Mbështetet Luli për mur, grushtat e vogjël i shtje ndër xhepa, hundën picrroke të kuqun nga të ftoftit e mëngjesit ja sjell diellit dhe…shikon.
Gjaja që ma tepër tërhjek vëmendjen janë çizmet që i kanë të veshun disa shokë të tij.

Sa te bukura janë!
Si shkëlqejnë! – mendon Luli dhe pa dashtje i shkojnë sytë ndër tullumbat e veta, nëpër të cilat shifen fare mirë të pesë gishtat e kambëve të zbathuna.
Nga kurreshta i afrohet nji shokut që ka çizmet ma të reja.
Ulet dhe shef në lustrin e çizmes kambët e veta të zbathuna – aq shumë shkëlqejshin çizmet!!!
Mbasi shoku me çizme fluturoi, Luli ngadalë shkoi te caku i vet, në diell, t’i ngrohi kambët.
– Por kur s’ka diell, si ia ban i shkreti Lul?
Ndoshta ia bajnë hallin apostujt e mëshirës dhe të dashunis…
Ndoshta, ndoshta…
Nganjiher i afrohet mësuesi Lulit.
Dhe kur Luli e ka ftyrën e dlirë dhe pa puça, mësuesi ia ledhaton faqet, gushën, e Luli i afrohet, ja merr dorën, e shikon me sy pëllumbi, dhe kishte me dashtë t’i falë diçka mësuesit.
Por vjollca nuk ka.
Veç në i faltë tollumbat e veta, që kanë hapun gojën si me dashtë me e hanger mësuesin.
Po, po, tollumbat e Lulit të vocërr kanë me e hangër mësuesin. / KultPlus.com