“Nga pluhuri i arkivave” ekspozita e Uran Haxhës që shpërfaqë Suharekën nga vitet e 60-ta

Një përzgjedhje mes shumë artikujsh nga gazeta e vetme e kohës, Rilindja, për qytetin e Suharekës është bërë nga gazetari Uran Haxha.

Ai këta artikuj i ka ekspozuar në Muzeun e Qytetit të Suharekës, ku do të qëndrojë e hapur për një kohë të gjatë ekspozita me emër “Nga pluhuri i arkivave”.



Ata që e vizitojnë këtë ekspozitë do të mund të shohin e lexojnë realitetin e kohës, se si kishte filluar fabrika e Ballkanit, për arkeologjinë, kulturë, arsimin e sportin.

Autori i ekspozitës, Uran Haxha tha se kjo ekspozitë shërben si nxitës i ruajtjes së memorjes kolektive.



“Unë kam hulumtuar për një kohë të gjatë në arkiva dhe kam gjetur shumë artikuj interesant. Mes artikujsh, natyrisht edhe fotografi. Por, kam vërejtur që ne si shoqëri nuk kemi një kulturë të arkivimit dhe humbim shumë dokumente dhe fotografi të rëndësishme. Andaj po shpresoj që kur vizitorët të shohin këtë ekspozitë, të nxitën për të ruajtur kujtimet e tyre. Natyrisht kjo ekspozitë synon edhe tregimin e realitetit të kohës që është në fokus, vitet e ’60-ta të shekullit të kaluar”.


Kurse, ndër të pranishëm në ekspozitë, kryetari i Komunës së Suharekës tha që kjo ekspozitë është vlerë e shtuar për muzeun e qytetit dhe një pasqyrim i një kohe tjetër që nuk e kemi njohur.


“Pothuajse të gjithë nga ne këtu nuk e kemi mbërrirë atë kohë. Kjo është një ekspozitë që i shton vlerën muzeut të qytetit dhe besoj që do të vazhdohet me ekspozita tjera të tilla nga autori. është e rëndësishme të njohim të kaluarën tonë nëpërmes këtyre gjetjeve”, ka thënë Muharremaj.



Ekspozita do të jetë rezidente në Muzeun e Qytetit të Suharekës dhe vizitorët mund ta vizitojnë çdo ditë pune./KultPlus.com

Me 91 vjet, Malë Kapllan Nikçi, anëtari më i moshuar i Ansamblit Folklorik të Rugovës

Ka mbushë 91 vjet, por dashuria për vallen e Rugovës nuk i shteron kurrë. Edhe pse bukur në moshë, Kapllan Nikçi edhe më tutje është pjesë e këtij Ansambli, shkruan KultPlus.

Në ansamblin ku është i angazhuar tash e shumë vite, vallet që janë të njohura janë loja me jatagan, loja me kobure, loja me pushkë, valle këto që e karakterizojnë këtë ansambël./ KultPlus.com

Drejtoi tre festivale të Sanremos, humb jetën në moshën 66-vjeçare regjisori Paolo Beldi

Ansa.it shkruan se Bledi ka qënë shtylla e disa prej shfaqeve, filmave si dhe festivaleve më të mirë në Itali, duke përmendur këtu ‘Quelli che il calcio’, ‘Anima Mia’ si dhe disa prej festivalee të Sanremos.

Regjisori italian Paolo Beldì ka humbur jetën ditën e sotme ne moshën 66-vjeçare. Ansa.it shkruan se Bledi ka qënë shtylla e disa prej shfaqeve, filmave si dhe festivaleve më të mirë në Itali, duke përmendur këtu ‘Quelli che il calcio’, ‘Anima Mia’ si dhe disa prej festivalee të Sanremos.

Beldì bëri debutimin e tij të parë si humorist në radio dhe më pas kaloi në regji në vitet 1980. Në këtë kohë ai drejtoi shfaqet Lupo Solitario dhe Matrjoska, ndërkohë që në vitet 80 ai kaloi në Rai si regjizor i shfaqes televizive Mi manda Lubrano.

Në karrierën e tij tridhjetë vjeçare ai është prapa kamerës së shumë programeve historike. Bledi drejtoi tre festivale të Sanremos si dhe ka shkruar tre libra. Bledi në Itali njohet si regjisori dhe tifozi më i flaktë i skuadrës së Fiorentines./ KultPlus.com

Kur e rrujsha babën

Halil Matoshi

(Për të gjithë ata që u ka bâ vaki me i rrue baballarët)

Kur e rrujsha babën
m’ka ra me ia prek faqet
Si me prekë Spugne D’Acciaio
Ni produkt italian teli, për lamje enësh
Me u heq zhigun…

Hala e ndiej njat butësi p’ej babe
e ashpërsi burri
n’gishtnat e mi.

Sfungjer çeliku ishte baba!

E kur i vnojsha krem nga firma Nivea
E ia lmojsha faqet, ai qeshte
Si me xiglue ni thmi…

Vishej
E me duer drejtonte pjesët e lakueme trupit.
M’vijke me i britë: Gatitu vullnetar!

E thirrke Rrustem Korçën
dhe dilshin n’demonstrata!?

Me lypë liri e demokraci
Që regjimi serbian ja u pat zapue…

Mos me çue posht ni t’rrujtme!?/ KultPlus.com

Vrasja me gurë, tradita më e hershme e ekzekutimit të shkelësve të ligjeve të shenjta

Çdo vdekje është makabre, por ajo me gurë është hershmëria e një tradite dhe domethënia e tërësisë së elementeve që përbëjnë skenën e një ekzekutimi.

Njeriu përgjatë historisë ka përsosur bashkëme mënyrën e të jetuarit edhe ligjësitë dhe ndëshkimet, me theks krijimin e metodave sa më mizore për vdekjen e një shkelësi të ligjit. Shumë prej dënimeve, ku vlen të citohet edhe gjymtimi, si shenjë e bartësve të veseve, aplikohen edhe sot, sot, kryesisht në botën islamike. Këto metoda ç’njerëzore ekzekutimi kanë në vetvete më shumë se përgjegjësi për bërjen e drejtësisë, urrejtje, shumë urrejtje që cek skajet e mizorisë duke e kthyer njeriun e civilizuar tek shpella.

Vrasja me gurë

Levitiku 20:2 thotë: «Kushdo nga bijtë e Izraelit ose nga ata që banojnë si të ardhur në Izrael, që i jep Molekut ndonjë nga pasardhësit e tij, do të vritet. Populli do ta godasë me gurë, derisa të vdesë.» Edhe dikush që ishte ‘medium ose bënte parashikime’, vritej. Si? ‘Goditej me gurë.’​—Lev. 20:27. Te Ligji i përtërirë 22:23, 24, lexojmë: «Në rast se një vajzë e virgjër është fejuar me një njeri, por një burrë e gjen në qytet dhe shtrihet me të, nxirrini që të dy te porta e atij qyteti dhe goditini me gurë, gjersa të vdesin: vajza ngaqë nuk bërtiti në qytet, ndërsa burri ngaqë poshtëroi gruan e një tjetri. Kështu do ta heqësh të ligën nga gjiri yt.» Pra, goditja me gurë ishte një metodë kryesore që përdornin izraelitët e lashtë për të ekzekutuar dikë që bënte një krim të shëmtuar.

Vrasja me gurë (latinisht lapidatio, nga lapis ‚gur‘) është një formë mijëra vjet e vjetër e ekzekutimit, e cila dëshmohet për shumë shoqëri të antikitetit. Vrasja me gurë duket se ka qenë metoda standarde e dënimit me vdekje në Izraelin e lashtë. Përdorimi i tij vërtetohet në epokën e hershme të Krishtërimit, por gjykatat hebraike në kohët e mëvonshme përgjithësisht e shmangnin dënimet me gurë. Këto ligje kanë një rëndësi të veçantë për besimtarët konservatorë për shkak të origjinës së tyre shkrimore, megjithëse në praktikë ato kanë luajtur rol kryesisht simbolik dhe kanë tendencë të keqpërdoren.

Ajo ushtrohet deri më sot në disa vende dhe rajone të mbizotëruara nga feja islame, me vendime të organeve juridike, monarkike ose gjyqësore ose si mjet linçimi: ndër të tjera në Afganistan, provincën Açeh të Indonezisë, Iran, Irak, Jemen, Nigeri, Pakistan, Somali, Sudan, Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Vëmendjen e opinionit ndërkombëtar tërhoqi vrasja e gurë më 2004 e tunizianes Ghofrane Haddaoui në Francë. Në Afrikë është e përhapur dhe e toleruar nga shteti vrasja me gurë sidomos për të fajësuarit për vjedhje ose për magji.

Dënimi zbatohet nga një grup njerëzish, të cilët vrasin duke e goditur me gurë në kokë dhe trup personin e ngulur në tokë deri në brez ose gjoks.

Në judaizëm si zbatuesit e parë të këtij ekzekutimi

Tanakh-u i fesë hebraike e përcakton vrasjen me gurë si dënim për veprat e izraelitëve në Izrael që konsideroheshin si krime ndaj zotit dhe ndaj gjithë popullit. Këtu bënin pjesë idhujtaria (psh. LiP 17,5), prishja me qëllim e shabbat-it (Num prej 15,35), parathënia (Lev 20,27), shkelja e kurorës (Lev 20,10; LiP 22,22), mosbindja ndaj prindërve (LiP 21,21) dhe fyerja e zotit. Kështu i thotë Jahve psh. në Lev 24,14 Moisiut:

Çoje atë mallkues që e ka keqpërdorur emrin e zotit jashtë kampit dhe të gjithë ata që e kanë dëgjuar t’i vendosin atij duart mbi kokë dhe le ta vrasë gjithë populli me gurë. Kjo formë dënimi synonte të ushtronte ndikim frikësues ndaj popullit. Në dhjatën e re përmendet shpesh vrasja me gurë por jo si dënim ligjor me vdekje, por si rrezik linçimi nga ana e popullit (Mt 21,35; 23,37; Llu 20,6). Kjo pasqyron metodën e pushtuesve të atëhershëm romakë kur sundimtari romak i provincës rezervonte për vete si i vetëm të drejtën për të vendosur dënimet me vdekje.

Megjithatë për pjesëtarët e judaizmit vrasja me gurë vazhdonte të vlente si formë ekzekutimi për shkelje të caktuara në bëzë të torah-së, si psh. për shkeljen me qëllim të rregullit të shabbat-it ose sfidimi i autoriteteve fetare. Për këtë arsye edhe Jezusi i Nazaretit thuhet se është konfrontuar shpesh me rrezikun e vrasjes spontanisht me gurë (Gjo 8,59; Gjo 10,31.39).

Ai vetë, sipas Zbu 8,1-11, thuhet të ketë shpëtuar nga vrasja me gurë një grua të akuzuar për shkelje kurore duke rënduar kushtet e caktuara në Lev 20,10 dhe LiP 17,6-7 (akuzesit duhet të fillojnë të parët të hedhin gurë): „Kush nga ju është pa mëkat, le ta hedhë i pari gurin kundër saj“ (Gjo 8,7). Sipas Lev 20,10 dhe LiP 22,22 duhej të vritej me gurë edhe burri që pretendohej të kishte shkelur kurorën. Pasi sundimtari romak i provincës Ponti Pilati ishte shkarkuar në vitin 36 dhe pasardhësi në detyrë nuk kishte mbërritur akoma, sinedri (gjykata e lartë e hebrenjve) shfrytëzoi vakancën e këtij posti duke futur sërish në fuqi vrasjen me gurë për shkak të shkeljeve të ligjeve fetare, e cila nuk ishte zbatuar në rastin ekzekutimit të Jezusit. Si pasojë, misionari i hershëm kristian Shtjefni thuhet të jetë dënuar me vdekje për shkak të blasfemisë dhe të jetë vrarë me gurë sipas ligjit nga paditësit jashtë qytetit (Vep 7,59). Pali i Tarsosit u ekzekutua me gurë nga turma në Listra por mbeti megjithatë gjallë (Vep 14,19).

Në kohët e mevonshme kjo metodë fillestare u zbut. Talmudi thotë se në rastet e krimeve të tilla të dënueshme me vdekje, të dënuarve u jepej përpara ekzekutimit një preparat (bar) që i trulloste.[4] Në judaizmin talmudik vrasja me gurë trajtohet tek mishna (traktati Sanhedrin 7,2) (VII 4a):

Këta vriten me gurë: ai që është shtrirë me nënën (e vet), me gruan e të atit (të vet), me nusen (e të birit), me një mashkull (tjetër) ose me një kafshë, ose një grua që është shtrirë me një kafshë, blasfemuesit, ata që adhurojnë idhujt, ai që i jep molokut farën e vet, yshtësit e të vdekurve, parathënësi i fatit, ai që përdhos shabbat-in, ai që mallkon të atin ose të ëmën, ai që shtrihet me vajzën e fejuar, joshësi, tunduesit (e idhujtarisë), magjistarët dhe bijtë e shfrenuar dhe kokëfortë. Rabini Eleasar ben Asarja kritikonte çdo formë të dënimit me vdekje duke e cilësuar një gjykatë „vrasëse“, e cila kishte nxjerrë edhe vetëm një vendim me vdekje gjatë shtatëdhjetë vjetëve. Rabin Akiba dhe Rabin Tarfon-i shkojnë deri aty saqë thonë këtë shprehje të trashëguar deri sot: „Po të kishim qenë ne në sinhedrion, nuk do të ishte ekzekutuar njeri kurrë.“

Në rast se vendosej të bëhej ekzekutimi, ishte caktuar që vendi i ekzekutimit duhej të ndodhej jashtë kampit ose qytetit, aq larg sa, deri sa të mbërrinte i dënuari atje, t’i jepej mundësia një të treti ose të dënuarit vetë të kërkonte rishtjellimin e procesit gjyqsor dhe të dilte përsëri para gjyqit në mënyrë që të kërkonte ndryshimin e vendimit me vdekje (traktati Sanhedrin 6,1). Gjykatësit vetë duhej të agjëronin në ditën e ekzekutimit (Sanhedrin 63 a).

Përgatiti: Albert Vataj. / KultPlus.com

Sotir Kolea, humanisti që i fali shumë arsimit dhe kulturës shqiptare

Sotir Kolea, leksikograf, folklorist, publicist, veprimtar i Lëvizjes Kombëtare dhe drejtor i Bibliotekës Kombëtare në vitin 1928 u nda nga jeta 76 vite më parë, më 3 korrik 1945.

Lindi në Berat, më 4 shtator 1872. Kreu gjimnazin në gjuhën greke në Manastir. Më 1896 punoi si mësues i gjuhës shqipe në komunitetin shqiptar të Kavallës.

Më 1911 u zgjodh sekretar i shoqatës “Bashkimi” në Egjipt. Mori pjesë në dërgatën e Londrës bashkë me Rasih bej Dinon dhe Mehmet bej Konicën. Organizoi tok me Faik Konicën Kongresin e Triestes, në Austro-Hungari në periudhën 27 shkurt – 6 mars 1913.

Më 1915, drejtoi në gjuhën frënge gazetën “L’Albanie” në Lozanë të Zvicrës.

Më 29 qershor, 1919 i drejtoi poetit italian D’Anuncio, një promemorie, ku i bën thirrje ndërgjegjes së poetit dhe artistit që të pengojë etjen pushtuese të Italisë. Mori pjesë në Konferencën e Paqes, po me të kuptuar mosmarrëveshjet e mëdha të forcave të ndryshme politike shqiptarë mes tyre, vendos t’i kushtohet jetës private. Në një letër drejtuar mikut të tij, Mit’hat Frashërit shprehet se: “Kam frikë se do na mbetet zakon në këtë të lumtur Shqipëri se gjithë qeveritë që shkuan gjer më sot, hëngrën, pinë, lanë duart e dolën”.

Në 20 dhjetor 1927 me një letër, Mit’hat Frashëri i njofton i pari vendimin e Këshillit të Ministrave, që emëronte Sotir Kolean drejtor të Bibliotekës dhe Muzeut Kombëtar. Në vitet 1928-1945 kontribuoi në zhvillimin e vlerave kulturore kombëtare. Është meritë e tij ngritja e Muzeut Kombëtar, vënia në baza shkencore dhe pasurimit të fondit të librave dhe dokumenteve me vlera të veçanta kombëtare të Bibliotekës Kombëtare si drejtor. Nga 4 000 që ishte numri i librave në Bibliotekën Kombëtare në janar 1928 kur mori detyrën dhe deri në vitin 1937, kur doli në pension, Kolea shtoi fondin e librit me 14 000 tituj të rinj, botoi periodikë të shumtë vjetorë mbi veprimtarinë e bibliotekës me përshkrimet përkatëse bibliografike të shumë veprave me interes për studime. Kolea ka merita te veçanta për mbledhjen e dokumenteve të rëndësishme me vlera historike, ndër te cilat, prezantimi i parë për dorëshkrimin e Kostë Beratit, historisë së origjinës së flamurit kombëtar të ngritur në Vlorë në 28 Nëntor 1912, zbuloi dhe mblodhi dokumente për Skënderbeun, të dhëna bibliografike për Shtjefën Gjeçovin, Jani Vruhon, Jani Vreton, Fan Nolin, Shirokën etj., fondet që janë sot pasuri kombëtare falë punës së tij. Kolea bëri mjaft kërkime në biblioteka të huaja për dokumente me vlera historike dhe kulturore për Shqipërinë. Nën kujdesin e tij, Muzeu Kombëtar u bë qendra ku nisën të grumbulloheshin objekte të vjetra historike dhe ai vetë, një ndër luftëtarët më të vendosur për mbrojtjen e tyre nga arkeologët e huaj, që morën jo pak vlera dhe zbulime arkeologjike në Butrint, Apolloni, Lezhë, Shkodër e gjetkë. Më 1937 Sotir Kolea doli në pension dhe koha për të mori kuptimin e punës për organizimin, përpunimin, botimin e gjithë kërkimeve dhe studimeve të nisura që në rini ndaj vendoset në Elbasan, qytet ku jetonin një grup studiuesish të njohur të gjuhës, si: Aleksandër Xhuvani, Simon Shuteriqi, Lef Nosi, Kristo Floqi etj. Me 8 prill 1940 u zgjodh anëtar i Institutit të Studimeve Shqiptare me kryetar Ernest Koliqin ku qenë grumbulluar intelektualë të shquar si P. Anton Harapi, Eqerem Çabej etj.

Puna më e madhe, më e plotë studimore e tij  mbetet hartimi i 5 fjalorëve, ku më kryesori ai i gjuhës shqipe, ende i pabotuar, për të cilin punoi që nga viti 1905 e deri në fund tw jetës duke përdorur metodën e krahasimit për çdo fjalë të shqipes me fjalorët më të mëdhenj të botuar në gjuhët greke e frënge. Gjatë 30 viteve punoi për hartimin e fjalorit Shqip-Frëngjisht, një për orientalizmat, që janë jo të pakta në gjuhën shqipe. Nga 1909 në Aleksandri dhe deri në 1915 në Lozanë, Kolea hartoi fjalorin Shqip-Greqisht, me 68.963 fjalë, që gjendet si dorëshkrim, një tjetër për shqip-turqisht, etj. Studiues me disiplinë të fortë pune, ka lënë fjalorin e botanikës, veç dorëshkrimeve me studime për etnografinë, zbulimin e Butrintit, toponomastikën e Shqipërisë, etj. Kontributi i Koleas ka peshën e vet të madhe në zhvillimin e disiplinave shkencore shqiptare si leksikografi, folkloristikë, shkencave të natyrës etj. Të gjitha në dorëshkrime të shumta, që ndodhen sot në arkivin e Shtetit në fondin “Kolea”, një nga më të mëdhenjtë, që është përdorur nga shumë studiues. Në vitin 1944 u botua në Tiranë vepra e tij “Një tufë proverba” me ndihmën e Lef Nosit./qbd/ KultPlus.com

Liqeni Superior, vendi më i vetmuar në botë

Është quajtur “vendi më i vetmuar në botë” për shkak të largësisë nga bregu, ndërkaq bregu më i afërt deri te shkëmbi Stannard është larg 40 km

Fari i izoluar në liqenin Superior duket se mund të jetë një nga vendet më të ftohta në botë, dhe e quajnë atë vendi më i vetmuar në botë, transmeton KultPlus.

Roja bregdetare amerikane javën e kaluar ka shkuar deri te fari Stannard Rock në Michigan për ta rregulluar dhe janë kthyer me disa fotografi të jashtëzakonshme të këtij destinacioni të largët.

Një vështrim nga afër i farit tregon pjesën e tij të poshtme të mbuluar me dëborë dhe akull.

Shkëmbi mbi të cilin qëndron fari tani është zbuluar nga kapiteni Charles C. Stanard më 1835.

Përafërsisht 50 vjet më vonë, është ndërtuar një far 78 metra i lartë që u mbijetoi stuhive dhe akullit për më shumë se 150 vjet. / KultPlus.com

Përfundon Festivali Kombëtar i Teatrit për Fëmijë në kalanë e Beratit

Mbyllet Festivali Kombëtar i Teatrit për Fëmijë i cili për gati një javë, pra nga data 26 qershor deri më 1 korrik mbajti të mbërthyer jo vetëm fëmijët e vegjël por edhe spektatorët e rritur.

Festivali u organizua me mbështetjen e bashkisë Berat dhe shfaqjet u dhanë për publikun në hapësirat e kalasë së Beratit.

Në këtë festival morën pjesë trupa të ndryshme nga bashkitë e tjera si Durrës, Vlorë, Elbasan, Gjirokastër, Korçë dhe Berat. Juria që ndau edhe çmimet për këtë festival ishte e përbërë nga figura të mirënjohura të artit shqiptar si aktori Ndriçim Xhepa, aktoret Luiza Xhuvani dhe Rajmonda Bulku.

Ky festival pati një vëmendje dhe audiencë të konsiderueshme çka edhe është bërë shkak që të merret vendimi që ky festival të kthehet në një traditë duke vazhduar çdo vit me edicionet e radhës. /atsh/ KultPlus.com

Anibar vjen me ‘Izolimi’, sinonim i hapësirës krijuese në pandemi

Izolimi si arsye e mbylljes të botës nga pandemia, por dhe të ndjenjës që tash e sa vite, pavarësisht pandemisë e përjetojnë Kosovarët, janë vetëm një shpjegim i shkurtë i “Izolimit”, temës së edicionit të 12-të të Festivalit Ndërkombëtar të Animacionit ‘Anibar’, i cili si çdo vit tjetër edhe këtë herë po vjen me surpriza të shumëta, shkruan KultPlus.

“Pandemia ishte arsyeja pse ne filluam të mendojmë për këtë temë. Për herë të parë, e gjithë bota përjetoi atë që përjetojnë kosovarët: të mos jesh në gjendje të lëvizësh lirshëm. Por mungesa e lirisë së lëvizjes ishte vetëm një pikë e të menduarit për izolimin. Ne gjithashtu filluam ta lidhim atë me forma të tjera të izolimit. Përveç izolimit për sa i përket lirisë së lëvizjes, e cila lidhet me kufizimet tona të vizave dhe situatën me pandeminë, ne gjithashtu ishim të interesuar se çfarë kuptimi ka “izolimi” për njerëzit. Pra çfarë efekti ka izolimi ndaj mendjeve tona”, ka thënë koordinatorja për media dhe komunikim e Anibar, Rina Statovci për KultPlus.

Sipas saj izolimi mund te jetë i mirë dhe i domosdoshëm në disa periudha të cakuara të jetës, madje edhe atëherë kur duhet të arrish paqe me veten. Tutje ajo e shpjegon izolimin si gjendjen natyrore të animatorëve, ku ata mbyllen për javë të tëra brenda studiove.

“Izolimi mund të jetë edhe i mirë. Përgjatë pandemive, karantinimi duhet të jetë i domosdoshëm. Por edhe në kohëra tjera, gjithsecili prej nesh i ka të njohura momentet kur e dëshiron vetminë, në mënyrë që të arrihet paqja me botën e veten. E gjithashtu për hir të disa domosdoshmërive: fokusit, përqëndrimit, të vërtetës. Thelbit. Izolimi është po ashtu gjendja natyrore e animatorëve. Ajo e mbyllë veten brenda studios së saj për javë e muaj. Animacioni mund të jetë goxha zanat i të vetmuarve. Por në fund, arti i saj fluturon. Thyen barrierat e shoqërisë. Kapërcen kufijtë kombëtar sikurse të mos ekzistonin. Dhe lidh shikuesit gjithandej botës”, ka shtuar Statovci në një intervistë për KultPlus.

Por, krahas kësaj ane të mirë, Rina Statovci, nuk e lë pa e përmendur “errësirën” që mbanë brenda vetes kjo fjalë, e mënyrë e jetesës. Tutje ajo ka shtuar se “Izolimi” i tyre është një thirrje për zgjim që të bëhëmi më serioz për çëshjet që përballemi e jetojmë çdo ditë brenda shtëpive tona.

“Pra per kete arsye ne zgjodhëm “Izolimin” si temë të këtij edicioni, është një temë e përshtatshme për çfarë po ndodhë në Kosovë dhe mbarë botën”, tregoi tutje Statovci për KultPlus.

Teksa vitin e kaluar Anibar erdhi për publikun në një formë krejtësishtt ndyshe nga herët e tjera, pra në formatin online. Këtë herë do të bëhet një kombinim mes të dyjave, formatit online dhe pjesëmarrjes fizike, ashtu që të ju mundësojnë pjesmarrësëve të përjetojnë të dy anët e medaljes.

“Duke pasur parasysh situatën aktuale me pandeminë COVID-19, edicioni i 12-të i Anibar do të jetë në format të kombinuar. Kjo do të thotë që Festivali Ndërkombëtar i Animacionit Anibar mund të vizitohet si drejtpërdrejt ashtu edhe përmes platformave virtuale, për çka stafi i Anibar është përgaditur prej fillimit të organizimit të këtij edicioni”, tha Rina Statovci për KultPlus.

Statovci ka shtuar se dhe në këtë vit do të ketë mysafir të shumtë që do të marrin pjesë në ediconin e 12-të të Anibarit, duke shtuar se ata do të marrin pjesë fizikisht dhe virtualisht duke i shtuar kështu edhe më shumë magjinë e netëve të verës këtij festivali.

Fetsivali Ndërkombëtar i Animacionit Anibar në këtë edicion do të sjllë program të gjerë si kurrë më parë, me afro 300 filma të animuar nga 1413 gjithsej sa janë dërguar nga e gjithë bota.

Filmat e përzgjedhur do të ndahen në nënëtë kategori, ku gjashtë prej tyre janë garuese, si Gara Ndërkombëtare, Gara Studentore, Gara Ballkanike, Gara e Video Muzikës së Animuar, Gara e Filmit të Metrazhit të Gjatë dhe Kategoria e të Drejtave të Njeriut.

Ndërkaq tre kategoritë e tjera janë jokonkurruese si Panorama Jashtë Garës dhe Programi për Fëmijë dhe të Rinj.

Por, kjo nuk është surpriza e vetme e Anibar, kjo sepse në këtë edicion do të shfaqen premierat botërore të “Raft” nga Marko Mestrovic, si pjesë e Garës Ballkanike, “Error” nga Lucie Vostárková si pjesë e Garës Studentore si dhe premierën e dytë pas Festivalit të Filmit në Kanë të “Red Shoes” nga Anna Paděrová, në Garën Studentore.

E pyetur se sa e vështirë ka qenë që të organizohet edicioni i sivjetëm i Anibar, Statovci për KultPlus ka thënë ka qenë mjfat e vështirë pikërisht për faktin se masat kundër virusit po ndërrojnë dita ditës, dhe ata duhet të jenë të përgatitur për çdo ndryshim.

“Hasëm mjaft vështirësi në organizimin e festivalit. Është e vështirë të organizosh diçka nëse nuk e di se cilat masa do të jenë në fuqi në një kohë të caktuar. Duhet të planifikojmë çdo gjë dhe të jemi të gatshëm për çdo ndryshim, gjë që merr shumë kohë. Për më tepër ishte edhe e vështirë ti sjellim mysafirët tanë në Kosovë pasi ka ende shumë kufizime të udhëtimit. Gjithashtu organizimi i programit tonë muzikor dhe ahengjeve ishte më i vështirë se zakonisht. Sidoqoftë, panvarësisht gjithçkaje ishte vërtet një vit i mirë për organizimin e Anibar”, ka përfunduar ajo./ KultPlus.com

Bideni ia beson një gruaje postin për kontrollimin e armëve

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha të premten se ka planifikuar që ta nominojë zonjën Mallory Stewart në postin e asistentes së sekretarit të shtetit për kontrollin e armëve, një pozitë që në të kaluarën ka pasur rol qendror në negocimin e traktateve si ai START me Rusinë.

Nëse konfirmohet nga Senati, Stewart do ta udhëheqte byronë për kontrollimin, verifikimin dhe pajtueshmërinë e armëv, e cila funksionon si pjesë e Departamentit të Shtetit, tha Shtëpia e Bardhë përmes një deklarate. Stewart tash për tash është duke shërbyer si drejtoreshë e lartë në Këshillin për Siguri Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë.

Stewart më parë ka shërbyer si përfaqësuese ligjore për kontrollimin e armëve në Departamentin e Shtetit dhe ka qenë arkitekte e kornizës mes ShBA-së e Rusisë për eliminimin e rezervave të armëve kimike të Sirisë.

Në shkurt të këtij viti, Shtetet e Bashkuara dhe Rusia ia zgjatën edhe për pesë vjet afatin traktatit START, ndërsa në takimin e muajit të kaluar, presidentët Biden dhe Putin u pajtuan që t’i fillojnë bisedimet për stabilitet strategjik me qëllim të krijimit të themeleve për masa të ardhshme rreth kontrollimit të armëve dhe zvogëlimit të rrezikut, shkruan Freee Europe, transmeton KultPlus.

Traktati New START hyri në fuqi në vitin 2011. Kjo marrëveshje e kufizon numrin maksimal të kokave të gatshme bërthamore në 1.550, numrin maksimal të sistemeve strategjike të shpërndarjes në 700 dhe siguron regjim të vërtetimit të gjendjes në terren. / KultPlus.com

‘Kam lindur duke qarë kur të gjithë qeshnin, do të vdes duke qeshur kur të gjithë do të qajnë’

James Douglas Morrison, i cili njihet si kantautor, poet, shkrimtar dhe prodhues filmash amerikan, vdiq më 3 korrik të vitit 1971.

Ai njihet kryesisht si figura kryesore e grupit të muzikës The Doors dhe është konsideruar gjerësisht si një nga personalitetet më tërheqëse të historisë së muzikës rock.

Ai ishte gjithashtu autori i një sërë librash me poezi si dhe regjisor i një dokumentari dhe i një filmi me metrazh të shkurtër. Morrison është i njohur për zërin e tij bariton.

KultPlus ju sjell disa thënie për jetën, vdekjen dhe dashurinë nga Jim Morrison

“Kam lindur duke qarë kur të gjithë qeshnin. Do të vdes duke qeshur, kur të gjithë do të qajnë!”

“Bëj që jeta jote të jetë një ëndërr, por mos lejo që ëndrra të bëhet jeta jote!”

“Jeta më dhuroi tri zgjidhje: seks, drogë dhe vdekje. Unë zgjodha dy të parat; e treta më zgjodhi mua!”

“Dielli që perëndon të prek në shpirt, vetëm për të të kujtuar se të vodhi dhe një ditë!”

“Mos jeto me frikën e vdekjes, por vdis me gëzimin se ke jetuar!”

“Më mirë të humbasësh një çast të jetës, sesa jetën në një çast!”

“Ne nuk jemi ata që jemi, por vetëm ajo që të tjerët shohin tek ne!”

“Derisa ngjyra e lëkurës do të jetë më rëndësishme sesa ngjyra e syve, do të ketë luftë!”

“Më mirë një fund i dëshpëruar sesa një dëshpërim pa fund!”

“Të lindësh e pastaj të vdesësh. Ky është absurditeti i jetës!”

“Prapa çdo loje ekziston ideali i vdekjes!”

“Të gjithë kërkojnë një mik, por asnjë nuk provon të bëhet i tillë!”

“Po u zgjove në mëngjes dhe nuk e pe diellin ose dielli je ti, ose ke vdekur!”

“Përse nuk na lejojnë të dashurojmë… X vjeç kur mund të vdesim në çdo moshë?!”

“Nuk ju kërkova unë të më lindni, ndaj më lini të jetoj!”

“Dikush pret shiun për të mos qarë vetëm!”

“Jeta është veç një ëndërr në rrugën e vdekjes!”

“Uroj që kur të vdes të shkoj në Parajsë, sepse Ferrin e jetova këtu!”

“Dashuria është gëzimi i qenies dy, tmerri që mbetesh një, frika se bëhesh tre!”

“Nëse juve ju mungon dikush në botë, për mua jeni ju që i mungoni botës!”

“Mos qaj! Sepse në botë ekziston gjithnjë një person që jeton për buzëqeshjen tënde!”

“Kam provuar të eci këmbëzbathur rrugës shtruar plot kujtime, aty ku këmba shkelte dhimbje aty, ku dhimbja shkelte dhimbje…!”

“Sikur të na jepej gjithë fuqia magjike që të lexonim mendimet e njëri-tjetrit, supozoj që efekti i parë do të ishte shkatërrimi i të gjitha miqësive…!”

“Merr pak dhimbje nga e imja, shpirti im po të thërret,  kjo jetë po s’pati dhimbje kurrë s’mund të quhet jetë…!”

“Sado të këqija qofshin ditët, pa to s’dua të mbetem, qaj vetëm ditët e bukura se të këqijat qajnë vetveten…!”

“Çdo gjë lind e vogël dhe pastaj rritet, vetëm fatkeqësia lind e madhe, pastaj zvogëlohet…!”

“Ka kaq kohë që çdo ditë të shoh e më duket se të shoh për herë të parë…!”

“Hero nuk është ai qe bie në betejë, është ai që kur rrëzohet gjen forcën për t’u çuar e lufton përsëri…!”

“Pasqyra është miku im më i mirë sepse sa herë qaj nuk qesh me mua…!”

“Më pëlqejnë adoleshentët se çdo gjë që bëjnë e bëjnë për herë të parë…!”

“Të vrasësh është kurajo e momentit…të lësh të jetojnë është kurajo e përjetshme…!”

“Do jepja dhe jetën për të jetuar përjetësisht…!”

“Ndonjëherë mjafton një çast për të harruar një jetë e ndonjëherë nuk mjafton e tërë jeta për të harruar një çast…!”

“Pas gjakut, gjëja më e mirë që një burrë mund të japë, janë lotët e tij…!”

“Dhashë gjithçka që munda. Jam një poet që tregon historitë e tij e një këngëtar që këndon poezitë e tij…!”

“Midis të mirës dhe të keqes ka një porte… dhe unë ta hap!”

“Mos u kënaq me horizontin… kërko pafundësinë!”

“Unë jam kështu, sepse shpreh atë që kam brenda…!”

“Jeta është si një pasqyrë, të qesh në qofte se e shikon duke qeshur…”

“Nuk do plakem kurrë, sepse jam një yll që bie…!” / KultPlus.com

Gazeta franceze në vitin 1991: Popozimi i Partisë Demokratike Shqiptare ndaj Kadaresë

Nga Aurenc Bebja, Francë – 3 Korrik 2021

Prestigjozja “Le Monde” ka botuar, të dielën e 17 marsit 1991, në faqen n°10, një shkrim në lidhje me propozimin asokohe të Partisë Demokratike ndaj shkrimtarit Ismail Kadare me rastin e zgjedhjeve të para të lira në Shqipëri, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Shqipëri : Z. Ismail Kadare kandidat “i mundshëm” i Partisë Demokratike shqiptare

Burimi : Le Monde, e diel, 17 mars 1992, f.10
Burimi : Le Monde, e diel, 17 mars 1992, f.10

Shkrimtari shqiptar IsmaiI Kadare de të jetë kandidat “i mundshëm” i partisë kryesore të opozitës, Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), në zgjedhjet e para të lira të caktuara me 31 mars, thanë zyrtarët e PD-së në Tiranë.

Janarin e kaluar, Z. Kadare, i cili ka jetuar në ekzil në Francë që nga vera e vitit 1990, u takua “në mënyrë private” me liderin e PDSH-së, Z. Gramoz Pashko.

https://www.darsiani.com/la-gazette/le-monde-1991-propozimi-i-partise-demokratike-shqiptare-ndaj-shkrimtarit-ismail-kadare-me-rastin-e-zgjedhjeve-te-para-te-lira-te-caktuara-me-31-mars/

Gratë në ushtrinë e Ukrainës bëjnë paradë me taka, shkaktojnë debate në vend

Dalja e disa ushtarakeve me taka në Ukrainë teksa ushtrohen për një paradë të madhe ka shkaktuar debate në vend.

Ukraina po përgatitet të organizojë një paradë ushtarake muajin tjetër, që shënon 30 vjetorin e pavarësisë, pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik dhe ministria e mbrojtjes të premten publikoi disa fotografi të grave ushtarake që mbanin taka.

“Sot, për herë të parë, trajnimi zhvillohet me këpucë me taka”, u citua të thoshte kadetja Ivanna Medvid, transmeton KultPlus.

“Është pak më e vështirë sesa në çizmet e ushtrisë, por ne po përpiqemi,” shtoi Medvid.

Disa ligjvënës ukrainas pranë ish-presidentit të Ukrainës, Petro Poroshenko u paraqitën në parlament me një palë këpucë dhe me ironi inkurajuan ministrin e mbrojtjes të mbante taka të larta në paradë.

“Është e vështirë të imagjinohet një ide më idiote, dhe më e dëmshme,” tha Inna Sovsun, një anëtare e partisë Golos, duke treguar rreziqet shëndetësore.

Ajo gjithashtu tha se gratë ushtare të Ukrainës – si burrat – po rrezikonin jetën e tyre dhe “nuk meritojnë të tallen”, transmeton tutje KultPlus.

Ukraina ka luftuar me separatistët e mbështetur nga Rusia, në një konflikt që ka vrarë më shumë se 13,000 njerëz që nga 2014.

Olena Kondratyuk, tha se autoritetet duhet të kërkojnë falje publike për “poshtërimin” e grave dhe të kryejnë një hetim.

Kondratyuk tha se më shumë se 13,500 gra kishin luftuar në konfliktin aktual.

Më shumë se 31,000 gra tani shërbejnë në forcat e armatosura të Ukrainës, 4,000 prej të cilave janë oficerë.

Zgjedhja e këpucëve ndezi një lumë kritikash në mediat sociale dhe në parlament dhe çoi në akuza se gratë ushtare ishin seksualizuar. / KultPlus.com

Kafka: Përse nuk u martova ?

Më 3 korrik të vitit 1883, lindi Franz Kafka.

Nuk mund të gjesh edhe një shkrimtar tjetër që të ketë qenë më i sinqertë sesa Franz Kafka kur është në pyetje martesa. Shkrimtari çek nuk u martua kurrë. Pati disa tentativa, madje edhe u fejua, por, sapo afrohej koha e martesës, tërhiqej.

Natyrisht probleme me martesën kanë pasur shumë filozofë e shkrimtarë, por te Kafka kishte diçka më shumë. Sa herë i afrohej dita e martesës kjo ‘diçka’ e bënte të tërhiqej.

Në eseun “Letër Babait”, Kafka i flet në detaje disa nga shkaqet traumatike që e shtynin të hiqte dorë nga martesa. Më poshtë jepet një pjesë e eseut:

“Në fund të fundit, përse nuk u martova? Kishte disa pengesa, siç ndodhë gjithnjë, por jeta kështu e ka; duhet të dish të pranosh pengesa të tilla. Por pengesa më thelbësore, që, për fat të keq, nuk varej nga një rast i veçuar, ishte pazotësia ime e theksuar shpirtërore për t’u martuar.

Këtë e tregon fakti që në çastin që vendos të martohem nuk arrijë të vë gjumë në sy, ditë e natë kokën e kam zjarr, rresht së jetuari, sorollatem i dëshpëruar, si i kalamendur.”

Shkëputur nga eseu “Letër babait”/ KultPlus.com

Washington Post: Kolonia e pelikanëve në Shqipëri lulëzon gjatë pandemisë

Pandemia ka sjellë një gjë të mirë në Lagunën e Divjakë-Karavastasë në Shqipërinë Perëndimore, qetësinë për pelikanët dhe rritjen e numrit të tyre, shkruan gazeta e njohur amerikane “The Washington Post”.

Zyrtarët e Agjencisë Rajonale të Zonave të Mbrojtura thonë se numri i çifteve riprodhuese të pelikanëve është rritur me një të pestën në dy vitet e fundit, nga 68 në vitin 2019 në 85 në vitin 2020 dhe i njëjti numër edhe këtë vit.

Ata janë shpendë të mëdhenj, që arrijnë deri në dy metra gjatësi dhe më shumë se tre metra pas hapjes së krahëve.

Parku Kombëtar bregdetar Divjakë-Karavasta mbulon rreth 55 000 hektarë duke përfshirë një plazh të gjatë me rërë, një lagunë me ujë të kripur dhe ishuj të vegjël si edhe pyll me pisha. I ndodhur 90 kilometra në jugperëndim Tiranës, ai është shtëpia e rreth 260 specieve të zogjve.

“Por, më i njohuri është i ashtuquajturi “pelikani kaçurrel”, siç e quajnë vendasit gjigantin Pelikani Dalmat, që kanë këtu koloninë e tyre të vetme në Shqipëri dhe ku vijnë në dhjetor dhe ikin në qershor.

Pelikanët kanë qenë një specie e rrezikuar në Shqipëri, kur numri i tyre ra në 2001-2003 deri në 19 çifte, krahasuar me 250 një shekull më parë.

“Por, paqja dhe qetësia gjatë pandemisë na kanë ndihmuar shumë në ruajtjen e ishullit të pelikanëve”, thotë Adrian Koçi, kreu i Agjencisë Rajonale të Zonave të Mbrojtura.

Në 2014, Koçi dhe stafi i tij filluan të kujdeseshin për ishullin 150-200 metra katrore.

Njerëzit me varka u ndaluan të afroheshin më afër se 180 metra. Një rrjetë mbante larg anijet e peshkimit. Dhe një roje 24-orëshe u vendos për t’i mbrojtur ata. Gardhe të vogla prej druri përgjatë pjesëve të rrugëve ujore parandalojnë erozionin.

Koçi kontrollon rregullisht në ishull me një dron gjatë periudhës riprodhuese janar-qershor.

“Ne kemi liruar ishullin e peshkatarëve që shqetësonin pelikanët. Ne kemi ngritur foletë e tyre të kërcënuara nga batica, por peshkimi intensiv përreth ka zvogëluar numrin e peshqve që hanë pelikanët”, shton Koçi.

Koçi, me profesion veteriner, gjithashtu kujdeset për zogjtë e tjerë të plagosur që vijnë nga larg si Kosova fqinje dhe Mali i Zi. Disa vjet më parë, Programi i Zhvillimit i OKB e ndihmoi atë të krijontë qendrën e parë të rigjenerimit të shpendëve në Shqipëri.

Një shkabë e rrallë, e gjetur e plagosur dhe që vinte nga Mali i Zi, u trajtua për dy muaj atje dhe më pas u la e lirë të vazhdonte udhëtimin e saj drejt Afrikës.

Dy pelikanë dalmatë, të quajtur Xhoni dhe Vlashi, ndodhen aty prej tri vitesh. Xhoni nuk mund të fluturojë për shkak të një krahu të dëmtuar. Por Vlashi mundet, dhe të dy janë të relaksuar me vizitorët. Personeli i konsideron ata si pjesë të familjes së tyre dhe shpesh blejnë vetë peshk për t’i ushqyer.

Që nga financimi fillestar, kjo qendër ka pasur pak mbështetje financiare nga donatorët.

Sidoqoftë, numri i vizitorëve ka ardhur duke u rritur. Nga 1 300 në 2014, vizitorët u rritën në një 550 000 në 2019. Vitin e kaluar, ky numër u përgjysmua për shkak të pandemisë. Stafi thotë se në përgjithësi do të ishte më mirë të rifitoheshin vizitorët e humbur nga kufizimet e koronavirusit pasi donacionet e tyre janë shumë të nevojshme.

Klara Perinova, 28 vjeçe, u largua nga Praga për të kaluar dy javë në Shqipëri me të dashurin e saj. Ajo vlerëson “bukurinë e pazbuluar” të Divjakës.

“Ne jemi këtu sepse ka një natyrë shumë të bukur, specie vërtet të rrezikuara, jo të njëjtën natyrë që mund të shihni në pjesë të tjera të Shqipërisë”, thotë ajo.

Koçi po përpiqet shumë të ruajë të pashqetësuar mjedisin e lagunës duke u kërkuar autoriteteve lokale të zëvendësojnë motorët e pesë varkave me varka elektrike ose të instalojnë më shumë panele diellore.

Limya Eltayeb, përfaqësuesja rezidente e UNDP, tha se organizata e OKB-së po mbështet Shqipërinë në zbatimin e “zgjidhjeve të bazuara në natyrë” në Divjakë dhe gjetkë dhe duke ndihmuar qendrën, përtej financimit të vogël të shtetit dhe donacioneve private.

“Turistët janë mirëpritur këtu. Edhe Xhoni dhe Vlashi e duan këtë gjë”, thotë Ervin Allushi, një nga ekspertët e qendrës.

” Vizitorët shpesh ndihmojnë edhe financiarisht, megjithëse pelikanët atje në ishull nuk i duan pranë tyre”, thekson ai. / KultPlus.com

Pas suksesit në ‘Eurovision’, Gjon’s Tears rikthehet me një koncert në Shqipëri

Këngëtari me origjinë shqiptare, Gjon Muharremi përfaqësoi Zvicrën në Eurovision, ku arriti të marrë vendin e tretë.

Vetëm pak ditë pas përfundimit të festivalit eruopian ai udhëtoi drejt Tiranës.

Gjatë intervistës Gjoni tregoi se tashmë karriera e tij do të vazhdojë në Paris dhe se do të përgatisë disa albume të reja.

Ai tha se nuk e ka mohuar kurrë origjinën e tij dhe se spektaklet shqiptare janë ato që i kanë dhënë më shumë famë.

Së fundmi, artisti shqiptar ka realizuar një intervistë virtuale me ndjekësit e tij në rrjetin social “Instagram”, ku është pyetur nëse do të mbajë koncert në Shqipëri dhe përgjigjja e tij ishte pozitive ku ndau dhe disa detaje. Ai rrëfyeu se data e mbajtjes së eventit do të jetë më 31 korrik.

“Yep, the @zafestival, 31.07 2021”, i është përgjigjur ai. / KultPlus.com

‘Më ka humbur dëshira të dua ata që s’më duan dhe t’u buzëqesh atyre që s’u qesh buza kurrë’

Nga Jose Micard Teixeira

Unë s’kam më durim për ca gjëra, jo sepse jam bërë arrogante, por thjesht sepse kam arritur në një pikë të jetës sime ku nuk dua të humb më shumë kohë e të bëj atë që s’më pëlqen, apo çka më bën të vuaj. Mua më ka sosur durimi ndaj cinizmit, kritikave të tepruara dhe kërkesave të çdo natyre.

Më ka humbur vullneti për të kënaqur ata që nuk më pëlqejnë, të dua ata që nuk më duan dhe t’u buzëqesh atyre që s’u qesh buza kurrë. Nuk kam më deshirë të humb as edhe një minutë të vetme me genjeshtarët dhe manipulatorët. Kam vendosur të mos bashkëjetoj më me shtirjet, hipokrizinë, pandershmërinë dhe lavdet e tepërta. Nuk do t’i toleroj të diturit selektivë, as akademikët arrogantë.

Unë s’mund t’u përshtatem përgojimeve. I urrej konfliktet dhe krahasimet. Unë besoj në botën e të kundërtave dhe kjo është arsyeja pse i shmang njerëzit me personalitet të ngurtë dhe kokëfortët. Nuk mund t’i pëlqej më miqesitë plot tradhti dhe mungesë besnikërie. As nuk mund të vazhdoj të qëndroj me ata që nuk dinë të të bëjnë një kompliment, apo të të japin qoftë edhe një fjalë inkurajuese.

Dhe për t’a mbyllur: mua më ka sosur durimi për të gjithë ata që s’e meritojnë durimin tim. / KultPlus.com

Ujëvara e Peshturës, xhevahir i fshehur mes maleve në Progonat të Tepelenës (VIDEO)

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka promovuar një tjetër destinacion të turizmit natyror në vend.

Kryeministri ndau pamje nga Ujëvara e Peshturës, një xhevahir i fshehur mes maleve në Progonat të Tepelenës.

“Pasdite të këndshme nga Ujëvara e Peshturës, një xhevahir i fshehur mes maleve në Progonat të Tepelenës”, theksoi Rama, ndërsa ndau pamjet, transmeton KultPlus.

Ujëvara e Peshturës ndodhet në Progonat të Tepelenës e për të shkuar atje duhet të kalohet përmes malësive të Tepelenës.

Zona përbëhet nga shkëmbinj gëlqerorë të cilët në shekuj janë përshkuar nga përrenj të vrullshëm dhe lozonjarë.

Forma të shumta karstike, gropa të thella, shpella të shumta dhe ujëvara është peizazhi që ofron rruga për të shkuar drejt Ujëvarës së Peshturës. / KultPlus.com

Clinton përkujton Princeshën Diana: Ishte pushtimi më i bukur britanik që Shtëpia e Bardhë ka pasur ndonjëherë

Ish-Zonja e Parë e SHBA’së Hillary Clinton, e ka kujtuar me fjalë mjaft emocionuese princeshën e ndjerë dhe shumë të dashur për popullin, Dianën.

“Unë jam duke menduar për princeshën Diana, e cila do të mbushte 60 vjeç sot. Kur e takova në Shtëpinë e Bardhë si zonjë e parë, kujtoj se ishte pushtimi më i bukur britanik që Shtëpia e Bardhë ka pasur ndonjëherë”, ka shtuar Hillary krahas fotos me princeshën, transmeton KultPlus.

Ditën e djeshme, Princi William dhe Princi Harry zbuluan statujën në nder të Princeshës Diana.

Vëllezërit përkujtuan kështu 60-vjetorin e lindjes së nënës së tyre me një ceremoni të vogël në Pallatin Kensington, që ishte rezidenca mbretërore e Dianës. / KultPlus.com

Oktapodi pikturon vepër arti në akuariumin e Floridas (VIDEO)

Një akuarium në Florida postoi videon e një oktapodi i cili e shfaq anën e tij artistike duke përdorur tentakulat e tij për të krijuar një pikturë.

Akuariumi në Tampa postoi një video në Facebook që e tregon oktapodin duke krijuar një pikturë në një kanavacë të mbështjellë me plastikë me ndihmën e një personi, transmeton KultPlus.

Akuariumi tha se “sesioni i pikturimit” ishte planifikuar të përkonte me ngjarjen e Javës Cephalopod të objektit.

Struktura ftoi përdoruesit e Facebook-ut që të ndajnë faktet e tyre të preferuara të oktapodit që do të futen në një vizatim për ta fituar pikturën. / KultPlus.com

Hapet Këndi Arkivor në ambientet e bibliotekës ‘Marlin Barleti’ në Shkodër

Nga sot të gjithë të apasionuarit dhe të interesuarit shkodran, për dokumentet që ruan dhe administron arkivi i shtetit nuk është më e nevojshme të paraqiten në sallën e studimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave në Tiranë.

Këndi Arkivor është hapur në një nga sallat e Bibliotekës “Marlin Barleti” falë mbështetjes së Bashkisë Shkodër dhe Bibliotekës së qytetit.

Në çeljen e këtij Këndi Arkivor ishin kryetarja e Bashkisë Shkodër Voltana Ademi, drejtori i Drejtorisë së Inspektimit në DPA, Dr. Endrit Musaj dhe drejtori i Bibliotekës, Maxhid Cungu.

Gjatë këtij përurimi u bë dhe një demonstrim i këtij shërbimi nga specialisti i DPA, Myrteza Sharra.

Drejtori i Drejtorisë së Inspektimit në DPA Dr. Endrit Musaj tha se “ky kënd vlen vetëm për qëllime studimore, për dokumente të një karakteri tjerë me natyrë biografike apo pronësie, DPA këtë shërbim e ofron nëpërmjet Postës Shqiptare, ku çdo kërkesë merr përgjigje nëpërmjet këtij shërbimi”.

Në fjalën e saj kryetarja e bashkisë Shkodër, Voltana Ademi u shpreh se “në këtë projekt bashkia e Shkodrës ka marrë pjesë duke ofruar infrastrukturën e domosdoshme që lidhen me pajisjet kompjuterike, shërbimin e internetit dhe personelin që do të vihet në dispozicion, pikërisht për t’i shërbyer të gjithë atyre studiuesve që mund të jenë studentë, pedagogë e të tjerë, të cilët do të vijnë dhe do të asistohen për mënyrën se si mund të operojnë me këtë sistem”.

Procedurat, forma dhe të gjitha rregullat e këtij Këndi Arkivor funksionojnë njësoj si në Sallën e Studimit në Tiranë.

Ky kënd ka si qëllim për të qenë sa më pranë studentëve, akademikëve po dhe publikut të gjerë për të bërë kërkime në këtë hapësirë studimore.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave me këtë iniciativë të saj ka si qëllim shtrirjen e Këndeve Arkivore në sa më shumë vende brenda dhe jashtë vendit, që kërkimi dhe hulumtimi mbi dokumente të jetë për të gjithë njësoj. /atsh/ KultPlus.com

Mrekullitë e Nënës Natyrë përmes fotografive

Kush nuk fotografon një kafshë shtëpiake të lezetshme ndërsa është duke fjetur ose një flutur shumëngjyrësh kur është në park? Na pëlqen të kemi një kujtesë fizike të asaj që mendojmë se është e bukur apo interesante. Por, ka njerëz që bëjnë fotografi për një qëllim krejt tjetër.

Njerëzit që paraqesin punën e tyre në konkursin e fotografisë “BigPicture Natural World” shkojnë përtej dhe përtej për të kapur foton e duhur në kohën e duhur, transmeton KultPlus

Megjithëse ka një çmim monetar për fituesin, konkursi shpreson që këto imazhe që marrin frymë nga e gjithë bota dhe do të frymëzojnë të tjerët për të mbrojtur dhe ruajtur planetin Tokë./ KultPlus.com

Raketa e ‘Anibar’ po zbarkon në qytetet e Kosovës

Përmes një komunikate për media, ‘Anibar’ ka njoftuar se këtë vit do të udhëtojë nëpër qytet të ndryshme të Kosovës, përcjell KultPlus.

Duke sjellë eksperiencën e animacionit, për dy javë rresht, Anibar po shfaq filmat e tij të shkurtër, në shumë qytete të Kosovës dhe Shqipërisë.

Për të hapur Edicionin e 12-të, raketa e Anibarit në bashkëpunim me organizata të ndryshme, po fillon udhëtimin në këto qytete;

1. 3 Korrik – Mitrovicë (7Arte) duke filluar nga ora 20:00

2. 4 Korrik – Gjakovë (Parku kulturor “Ali Podrimja”) duke filluar nga ora 20:00

3. 8 Korrik – Prizren (LUMBARDHI) duke filluar nga ora 20:00

4. 9 Korrik – Tiranë (Reja.al) duke filluar nga ora 20:00

5. 14 Korrik – Prishtinë (Shtatëmbëdhjetë) duke filluar nga ora 19:00

6. 19 Korrik – Prishtinë (Kino Armata) duke filluar nga ora 19:00 

Përveç qyteteve të lartëpërmendura, ”Anibar” do të zbarkojë edhe në qytetin e Pejës, nga datat 23-30 korrik. / KultPlus.com