‘’Lule, Mosmëharro’’, një fole përrallore e dashurisë, ëndrrës dhe diversitetit

Era Berisha

Lulet boshtra, farat e palmës, luleqershia, luleftoi dhe karafili, janë këto lulet gjigande të krijuara nga pëlhura për instalacionin e titulluar ‘’Lule Mosmëharro’’ të artistit bashkëkohor Petrit Halilaj, i cili së bashku me Alvaro Urbano, përmes edicionit të tretë të Autostradës Biennale, kanë sjell këtë instalacion në Bibliotekën Kombëtare ‘Pjetër Bogdani’ e që në vete ngërthen një thirrje unike, një thirrje për diversitet, ndryshim dhe guxim për të shpresuar e ëndërruar, shkruan KultPlus.

Biblioteka Kombëtare dje ishte shndërruar në një fole madhështore ku kupolat e saj tashmë nuk të kapnin syrin, për arsye se pikërisht nën kupolën kryesore, të vendosura ishin lulet shumëngjyrëshe e llojllojshme të cilat kishin zënë vendin e tyre në ajër. Instalacioni u plasarit para publikut si një kopsht përrallor, një strofull ku dashuria zë vend dhe nuk lë hapësirë për asnjë lloj ndjesie tjetër. Ndërsa, ishte pikërisht kjo dashuri për artin e njeriun që dje mblodhi afër vetes, artistë të shumtë e artdashës të këtyre krijimeve unike.

Fillimisht, pasi që të pranishmit ishin mbledhur jashtë Bibliotekës dhe ishin furnizuar me nga një libër që përmbante informacione rreth edicionit të tretë të Autostradës Biennale, padurimi i tyre për të hyrë brenda vërehej jo vetëm në fytyrë por edhe në lëvizjet e luhatjet e vogla që trupi i tyre krijonte. Pas 10 minuta pritje, dyert e Bibliotekës u hapën e së bashku me vështrimin e syve të të pranishmëve që direkt u cungua drejt hapësirës ku lulet ishin prezente, u zgjerua edhe hapësira brenda nesh, aty ku lumturia, gëzimi, habia, kureshtja dhe trazirat e ëmbla krijojnë një rrokullisje skalitëse brenda stomakut të njeriut.

Ajo se çka çuditi dhe shtangu të gjithë, ishin dy persona të veshur me kostume kafshësh duke shoqëruar të pranishmit e sidomos fëmijët deri sa ata ngjiteshin në shkalla. Kjo e papritur ishte një befasi që futi të gjithë në një humor tejet të duhur e specifik dhe njëkohësisht gjallëroi atmosferën deri në një masë të paparashikuar.

Kokat e gjithsecilit ishin gdhendur në një pozitë përpjetë dhe njëlloj si ky instalacion, nuk po mund të dilnin nga hipnotizimin që lulet krijonin. Ulërima e tyre erdhi në formën e heshtjes dhe në gërshetimin e ngjyrave nga më të ndryshmet, një gërshetim ky që portretizonte edhe mesazhin e instalacionit. Ndërsa, entuziazmi i të pranishmëve nuk po mbaronte dot, ata lëviznin herë në një qosh e herë në këndin tjetër për të vëzhguar e admiruar këto lule të veçanta që publikun kosovar e lanë pa mend e pa frymë.

Ndërkohë, për të shënuar nisjen e kësaj ngjarje, sopranoja Urta Haziraj, e vendosur në një nivel paralel me lulet gjigande në një kat më lart dhe pianisti Melos Buza, që ishte vendosur poshtë e i cili me një shikim të vetëm me sopranon, filluan të pushtojnë ambientin me një harmoni të dalluar. Tingujt e instrumentit bardh e zi dhe timbri dramatik i zërit të sopranos, kapluan atmosferën në një harmoni ku fuqia e pasur artistike dhe melodike ndërlidhej në një rënkim sensual e pasionant të një agonie të dëshiruar.

Pastaj, pas duartrokitjeve dhe brohoritjeve të sinqerta të publikut, radhën për të interpretuar këngën ‘Shingjergjat po sillen’, në një version admirues, doli artisti Plator Gashi, i cili ishte vendosur në një pllakë rrethore që jepte ndjesinë se çdo hapësirë mund të kthehet në një vend performimi. Zëri i tij verbues e i papërsëritshëm përqafoi meloditë e tingujt me një talent karakteristik që vetëm ai mund të posedoj, kurse interpretimi në kitarë tashmë për të është shndërruar në një epilog jetësor e ekzistencial e që publikun e trazoi duke i futur ata brenda një ngatërrese emocionale e tejet ndikuese.

Kështu, pas këtyre aktivitete kulturore e të domosdoshme në një kohë të tillë ku nevoja e dëshira për to nuk ka qenë asnjëherë më e madhe, nisën edhe fjalimet pasuese. Në fillim, fjalën e morri Vatra Abrashi, bashëkthemeluesja e Autotradës Biennale, e cila hapi këtë ngjarje me një fjalim.

“Jemi shumë të lumtur që së bashku po fillojmë rrugëtimin tonë të edicionit të tretë të Autostrada Biennale, këtu me ju nën veprën e mrekullueshme të Petrit Halilaj dhe Alvaro Urbano. Si bashkëthemeleues të Autostrada Biennale, së bashku me Leutrimin dhe Barisin, kemi fillua rrugëtimin tonë në Prizren në vitin 2014 dhe edicionin e parë e kemi mbajtur në vitin 2017 bazuar në nevojën për më shumë shkëmbime kulturore”, thotë Abrashi.

Sipas saj, gjithmonë është menduar që Autostrada Biennale të jetë si një pikë ndërlidhëse dhe një rrugë në hartën e Ballkanit perëndimor. Mirëpo, pandemia ka bërë që Austrada ta rimendojë modelin e Biennales duke shtrirë aktivitetet e tyre edhe në Prishtinë e Pejë.

“Jemi të gëzuar që edicionin e tretë ‘What if…’, e kanë kuruar dy kuratore të dashura për ne e që i falenderojmë përzemërsisht për një edicion magjik me artistë dhe vepra të mrekullueshme”, ka thënë Abrashi.

Pastaj, fjalën e morri edhe drejtori i Drejtorisë për Kulturë, Adrian Berisha.

“Me qenë në këtë hapësirë është e jashtëzakonshme. Biblioteka sot po duket si asnjëherë më parë. Lulet magjepse të Petritit dhe Alvaros, u sollën në Prishtinë për të na rikujtuar disi se si nuk ka kufi për kujtimet e përbashkëta. Ky instalacion sikur është një ftesë për të na rikthyer në memoriet tona por edhe shpresat për ndryshim e guxim e moskonformizëm me preokupime të përbashkëta që kemi si komunitet”, thotë Berisha.

Sipas tij, ai ndjehet shumë i lumtur që në emër të Komunës së Prishtinës, ata kanë arritur të përkrahin ardhjen e luleve të Petritit në Prishtinë në bashkëpunim me ekipin e Autostradës Biennale.

“Ne do të mundohemi për të gjetur një vend apo hapësirë publike që lulet e Petritit, të kanë një vend të përhershëm në Prishtinë”, përfundon Berisha.

Ndërsa, Tatiana Tarago nga Manifesta, në emër të të gjithë ekipit të Manifestës, përshëndeti të pranishmit duke i falënderuar për prezencën e tyre.

“Unë vetëm doja të shprehja se sa të nderuar jemi që të bashkëpunojmë dhe mbështesim Autostradën Biennale e njëkohësisht për të vërtetuar se sa e rëndësishme është puna që ata po bëjnë. I uroj artistët për këtë punë të jashtëzakonshme dhe shpresoj që të vazhdojmë të bashkëpunojmë tutje”, ka thënë Tarago.

Fjalimi i Leutrim Fishekqiut nga Autostrada Biennale, ishte ai i radhës ku ai është shprehur se për të është një kënaqësi e jashtëzakonshme që po punon me një ekip të jashtëzakonshëm.

“Pas një kohe të gjatë të pandemisë, kishim me të vërtetë nevojë për të parë këto fytyra të bukura që jeni ju këtu ndër këto lule kaq të bukura”, ka thënë Fishekqiu.

Pastaj, radhën e kishin kuratoret e edicionit të tretë të Autostradës Biennale, ‘What if a journey…’, si: Ovul O.Durmusoglu dhe Joanna Warsza.

“Është një thashethem që kjo ndërtesë ka 99 kupola dhe kjo është në të mirë të objektit i cili gjithmonë mund të zhvillohet tutje e të rritet. Kjo ide është ajo që ne po e zhvillojmë edhe në këtë edicion, pra idenë e e paplotësisë”, ka thënë Warsza.

Në ndërkohë këto kuratore lexuan edhe një pjesë të tekstit nga libri informues që përmban fakte rreth edicionit të Autostradës Biennale dhe konceptit të tij.

Kështu krejt në fund, pritjes së çdo kujt i dha fund prezenca e artistëve Petrit Halilaj dhe Alvaro Urbano, të cilët po ashtu dolën përpara për të folur.

“Lulet vinë si një gjest i vogël i një relacioni, gjeste dashamirëse, lule të cilat i dhurojmë njëri-tjetrit dhe familjeve. Ne dëshiruam që këto gjeste t’i shndërrojmë në madhësi shumë më të mëdha”, ka thënë Urbano.

Ndërsa, artisti bashkëkohor, Petrit Halilaj, është shprehur se po ndjehet tejet i lumtur që ai ndan këto momente me të pranishmit.

“Faleminderit që keni ardhur sepse është gëzim i veçantë për të ndarë këtë moment me juve, për të pasur Alvaron afër, kuratoret, Autostradën Biennale, Komunën e Prishtinës, të gjithë qytetarët e familjen time”, ka thënë Halilaj.

Sipas tij, ai është rritur çdo herë me fjalët: liri, barazi e demokraci, dhe çdo gjeneratë ka pasur sfidat e kërkesat e tyre për barazi.

“Këto lule janë goxha të mëdha, por janë lule që i kemi dhuruar njëri-tjetrit me Alvaron. Ne jemi bashkë që 10 vjet dhe pa ato lulet e vogla që ia kemi dhuruar njëri-tjetrit, s’do të kishin pasur kuptim këto lule të mëdha. Por këto lule kanë kuptim sepse ia kemi dhuruar shoqërisë tonë”, përfundon Halilaj.

Kështu krejt në fund, njëra nga kuratoret e edicionit të tretë të Autostradës Biennale, Ovul O.Durmusoglu, shënoi fundin e kësaj ngjarje me një këngë turke që fliste për dashuri, behar e zogj.

Autostrada Biennale në edicionin e saj të tretë, së bashku me edicionin e pestë të Javës së Krenarisë në Kosovë, në bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare të Kosovës ‘’Pjetër Bogdani’’, kanë prezantuar dje këtë instalacion artistik. / KultPlus.com

Shpallet lista e këngëve konkurruese për edicionin e 32-të të Festivalit “Zambaku i Prizrenit”

Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport e Komunës së Prizrenit së bashku me organizatorët e festivalit Zambaku i Prizrenit, shpallin listën e këngëve konkurruese të përzgjedhura për të qenë pjesë e garës zyrtare të këtij edicioni të festivalit. Festivali tradicional i këngës së lehtë Zambaku i Prizrenit sivjet shënon edicionin e tridhjetë e dytë dhe organizohet me 24 korrik në bahçen e Kino Lumbardhit në Prizren.

Juria Profesionale për shpalljen e këngëve fituese do të bëj përzgjedhjen e tri këngëve më të mira të festivalit për çmimin e parë, dytë dhe tretë, dhe të gjithë pjesëmarrësit në mbrëmjen e Zambakut do të kenë mundësinë të votojnë për këngën e tyre të preferuar, e cila edhe do të rrëmbej çmimin kryesor të festivalit atë të Zambakut të Prizrenit.

Nga 36 këngët konkurruese të edicionit të 32-të, juria profesionale/seleksionuese e përbërë nga: Arben Skenderi – Prof. Celist/Kompozitor (kryetar jurie), Elvis Bytyqi – Prof. Kitarist (anëtar) dhe Dardan Gjinolli – Prof. Saksafonist (anëtar), kanë përzgjedhur 16 këngët garuese të festivalit si në vijim:

  1. Më nuk je – Besmir Shishko Muzika dhe Orkestrimi: Artan Elshani, Vargjet: Besmir Shishko
    2. Medusa – Rovena Dilo Muzika dhe Orkestrimi: Hitman, Vargjet: Rovena Dilo
    3. Kur vallëzuam ne të dy – Agim Tejeci Muzika dhe Vargjet: Agim Tejeci, Orkestrimi: Besim Mydyti
    4. S’ngrohet zemra ime – Jehona Lumi Muzika dhe Orkestrimi: Rinor Ukimeri, Vargjet: Jehona Lumi
    5. Sarıl bana – Tolga Kazaz Muzika: Husein Kazaz, Orkestrimi: Armend Shala, Vargjet: Hakan Denker
    6. Të dua ty – Mariza Ikonomi Muzika dhe Orkestrimi: Endrit Shani, Vargjet: Mariza Ikonomi
    7. Bukuria – Artan Bakia Muzika dhe Orkestrimi: Artan Bakia, Vargjet: Naim Frashëri
    8. Vendi nën diell – Donika Rushiti Muzika: Seb Delhysa, Orkestrimi: Armend Shala, Vargjet: Mark Gojani
    9. Se do dashuronte dashuria – Ilir Baxhaku Muzika dhe Orkestrimi: Gazmend Kraja, Vargjet: Lasgush Poradeci
    10. Me gjysëm zëri – Klea Kasemi & Klara Doci Muzika: Klea Kasemi, Orkestrimi: Aldo Marku, Vargjet: Klara Doci
    11. Këtu besëlidhja – Arsim Nushi Muzika: Arsim Nushi, Orkestrimi: Ruzhdi Sadiku, Vargjet: Gani Muhaxhiri
    12. Prilli nuk e dinte – Diana Toska Muzika: Veton Perolli, Orkestrimi: Artan Elshani, Vargjet: Irena Bano
    13. Dashni e rrallë – Rei Bezhani Muzika dhe Vargjet: Eriona Rushiti, Orkestrimi: Enis Mullaj
    14. Fry moj erë – Elizabeta Janaqi Muzika dhe Orkestrimi: Naim Krasniqi, Vargjet: Milaim Islami
    15. Özledim – Hürmet Celina Muzika dhe Vargjet: Hürmet Celina, Orkestrimi: Sertan Sallahi
    16. Ndarja – Ruzhdi Sadiku Muzika dhe Orkestrimi: Rron Sadiku, Vargjet: Qemail Juniku.

Festivali i këngës së lehtë “Zambaku i Prizrenit” është themeluar në vitin 1986 nga institucionet e atëhershme kulturore të Kosovës, si ngjarje e vetme kulturore që kultivon zhanrin e muzikës qytetare, si baladat, shansonet e serenatat. Gjatë viteve të 90-a, me shkatërrimin e institucioneve kulturore dhe produksionit muzikor të RTP-së, përgjegjësinë për ruajtjen e traditës e merr SHKA “Agimi”, e cila arrin që këtë festival ta bart në vitet e pasluftës, prej kur komuna e Prizrenit merr përsipër menaxhimin e tij. Festivali i këngës qytetare “Zambaku i Prizrenit” mbahet për çdo vit në fund të qershorit/fillim të korrikut, dhe në të interpretohen këngë në gjuhën shqipe, turke e boshnjake.

Zambaku i Prizrenit përveç karakterit reprezentativ, çdo vit është shquar edhe me kultivimin e artistëve dhe këngëve të reja të cilat kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në repertoarin e muzikës qytetare, duke afirmuar personalitete të njohura të muzikës si këngëtarë, kompozitorë, poetë, instrumentistë etj, të cilët i kanë begatuar vlerat e mirëfillta muzikore të vendit tonë. Ditëve në vijim do të publikohen detaje të reja rreth organizimit të festivalit. / KultPlus.com

Peter Rabbit 2 arrin në Cineplexx me eventin Dita e Familjes ku do të ketë shumë shpërblime dhe aktivitete të ndryshme për fëmijë

Filmi shumë i dashur për fëmijë Peter Rabbit arrin në Cineplexx më 3 dhe 4 korrik, me eventin Dita e Familjes, ku do të ketë shumë aktivitete për fëmijë dhe shpërblime nga brende të ndryshme.

Njëri prej filmave të shumë pritur për fëmijë po arrin në Cineplexx! Kinemaja më e madhe në vend Cineplexx, për filmin Peter Rabbit, do të organizojë eventin Dita e Familjes, ku do të ketë shumë shpërblime dhe aktivitete. Ky event do te mbahet ne të dy kinematë, në Prishtinë dhe në Prizren, për dy ditë me rradhë, duke filluar nga ora 12:00.

https://www.facebook.com/cineplexxkosovo/photos/a.1756685821240228/2915905081984957/

Thomas dhe Bea tani janë të martuar dhe jetojnë me Peter dhe familjen e tij të lepurushëve. I mërzitur nga jeta në kopsht, Peter shkon në qytetin e madh, ku takon personazhe të pazakontë dhe përfundon duke krijuar kaos për të gjithë familjen e tij.

Fokusi kryesor i këtij eventi do të jetë pikërisht premiera e këtij filmi. Për fëmijët do të ketë shumë shpërblime dhe aktivitete si:

4x Gift Cards në vlerë prej 40€ nga Blukids
3x Gift Cards në vlerë prej 50€ nga Mango
3x Gift Cards në vlerë prej 50€ nga Okaidi
3x Gift Cards në vlerë prej 50€ nga Lindex
6x Gift Cards në vlerë prej 10€ nga Playland
3x Gift Cards në vlerë prej 30€ nga Chaussea

Facepainting

Eventi i njejtë për këtë film të animuar do të mbahet edhe në kinemanë në Prizren, ku do të ndahen 20 kupona falas nga Area 52 Trampoline Park, që gjendet në Galeria Shopping Mall, do të ndahen biskota dhe ushqime për fëmijë dhe do të ketë maskota për fëmijë mundësuar nga Liri, si dhe aktivitete të Facepainting.

Për më tepër informata rreth eventit dhe orareve vizitoni webfaqen e Cineplexx Kosovo, ndërsa biletat mund t’i bleni përmes aplikacionit apo direkt në kinema prej orës 12:00. https://www.cineplexx-ks.eu/Content.Node/ks/events/_items/Peter_Rabbit_2_-_Family_Day.sq-KS.php

Promovohet libri “Parashqevi Qiriazi dhe viti i saj 1919” i Teuta Toskës

Akademia e të Rinjve pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë organizon sot në ora 18:30, promovimin e librit “Parashqevi Qiriazi dhe viti i saj 1919” të autores Teuta Toska.

Veprimtaria do të bëhet në mjedisin e jashtëm të Akademisë së Shkencave, me praninë e autores, dhe të folësve: Valentina Duka, David Hosaflook, Elsa Demo dhe Mikaela Minga.

Teuta Toska është diplomuar në Universitetin e Elbasanit “A.Xhuvani” për gjuhë shqipe dhe letërsi në vitin 1997 dhe është doktoruar në Universitetin e Tiranës në vitin 2013 në fushë të gjuhësisë. Punon si drejtuese e departamentit të gjuhësisë në Universitetin e Elbasanit.

Që nga viti 2017 është edhe anëtare e Akademisë së të Rinjve.

Parashqevi Qiriazi (2 qershor 1880–1970), e lindur në Manastir, ishte Mësuese e Popullit, master i edukimit, pedagoge, intelektuale e shquar, veprimtare e arsimimit të femrës shqiptare, pjesëmarrëse e Kongresit të Manastirit, autorja e abetares së parë shqipe me alfabetin e Manastirit dhe e himnit të tij, e para femër shqiptare autore e një projekti arsimor. / KultPlus.com

Bjeshkët e Kukësit, atraksion për të apasionuarit e çiklizmit malor

Bjeshkët e Kukësit janë kthyer në një atraksion për të apasionuarit e çiklizmit malor dhe turizmin e natyrës.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga Shtegu i Ngjyrave në Kukës, pjesë e parkut natyror Korab-Koritnik që është kthyer në një destinacion të preferuar të turizmit malor.

“Mirëmëngjes dhe me Bjeshkët e Kukësit tashmë një atraksion edhe për të apasionuarit e çiklizmit malor, ju uroj një ditë të mbarë”, tha Rama.

Peizazhi mahnitës që krijojnë dimensioni e hapësira e pamatë në një fushë me ngjyra janë magjia tërheqëse e turistëve për t’u dashuruar me këto pllaja malore të mrekullueshme.

Shtegu i Ngjyrave kalon nga bjeshkët e Çajës të Kukësit dhe vazhdon deri në Fushën e Korabit. Afër këtij shtegu ndodhet edhe trekëndëshi ndërkufitar Kosovë-Shqipëri-Maqedoni e Veriut.

Shtegu i Ngjyrave është pjesë e kurorës së bjeshkëve të Kukësit, që i shton bukurinë vezulluese ylberit të natyrës mahnitëse të Kukësit. /atsh / KultPlus.com

BE-ja pritet ta ndalojë mbajtjen e kafshëve nëpër kafaze deri në vitin 2027

Komisioni Evropian ka bërë të ditur se është duke punuar për një ligj i cili do të ndalojë bujqësinë e kafshëve nëpër kafaze, në të gjitha shtetet e bllokut.

Ky vendim i KE-së ka ardhur pas një peticioni të nënshkruar i cili po kërkon përfundimin e sistemit kontraversal, i nënshkruar nga më shumë se 1.4 milionë njerëz.

Lepujt, pulat, zogjtë, thëllëzat, rosat dhe patat do të jenë të prekura nga këto ndryshime.

“Kafshët janë qenie të ndjeshme dhe ne kemi përgjegjësi morale dhe shoqërore për të siguruar se kushtet në fermë për kafshët përshtaten me to”, ka shkruar në Twitter, komisionerja për shëndetësi dhe siguri në ushqim në Bashkimin Evropian, Stella Kyriakides.

Legjislacioni i ri siç ka bërë të ditur Kyriakides, pritet të propozohet në vitin 2023 ndërkohë që ndryshimet do të bëheshin dalëngadalë deri në vitin 2027.

Njoftimi i Komisionit Evropian vjen vetëm pak javë pasi Parlamenti Evropian, i cili zgjidhet nga qytetarët e BE-së, ka votuar po ashtu në mbështetje të peticionit.

Parlamenti ka shprehur shqetësimin se si disa kafshë mbahen nëpër ferma, duke mos pasur mundësi të lëvizjes apo edhe ndërrimit të pozicionit.

Bashkimi Evropian ka nivelin më të lartë të standardeve të mirëqenies së kafshëve në botë. / KultPlus.com

Nga sot gazetarët, kameramanët dhe fotoreporterët mund të aplikojnë për vaksinim

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës- AGK, njofton të gjithë gazetarët, kameramanët dhe fotoreporterët se që nga sot do të mund të aplikojnë për imunizim me vaksinat kundër COVID 19.

Sipas njoftimit, kjo është arritur pas kontakteve të shpeshta të AGK-së me Ministrinë e Shëndetësisë.

“Komiteti respektiv ka marr vendim për përfshirje te Gazetareve me prioritet për imunizim! Me siguri qe nga neser edhe platforma e – Kosova do e mundësoj versionin me këtë ndryshim, dhe do njoftoheni sapo te jete bere përditësimi i ndryshimit ne platformën e cekur”, thuhet në njoftimin e djeshëm të ministrisë për AGK-në.

AGK-ja e sheh si tejet të rëndësishëm këtë vendim pasi që gazetarët kanë kontribuuar në vazhdimësi gjatë pandemisë, si me informim të drejtë, ashtu edhe në parandalimin e shpërndarjes së dezinformatave.

”E tërë veprimtaria e tyre është shtrirë në vijën e parë të frontit, së bashku me punonjësit e tjerë esencial. Kanë raportuar nga vatrat e infeksionit që para shfaqjes së rasteve të para me COVID-19 në Kosovë, kanë mbuluar ngjarjet politike dhe sociale gjithashtu, në mënyrën më profesionale të mundshme, në ndërkohë që janë përballur me një të panjohur për të gjithë ne”, thuhet në komunikatën e AGK-së.