EJU: Një e arritur mahnitëse për Norën dhe Kosovën

Kosova po mbron nderin e Evropës në garat e xhudos në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”.

Japonia ka katër tituj në dy ditët e para, ndërsa planet e japonezëve i kanë prishur vetëm dy xhudistet kosovare.

Pasi të shtunën Distria Krasniqi mori të artën në kategorinë deri 48 kilogramë, këtë sukses të hënën e arriti edhe Nora Gjakova në kategorinë deri 57 kilogramë.

EJU, Unioni Evropian i Xhudos, e ka vlerësuar shumë lartë suksesin e Norës.

“Një e arritur mahnitëse për sportisten dhe për vendin e saj. Titulli i dytë olimpik në Tokio”, ka shkruar EJU. / KultPlus.com

Mali i Zi regjistron zyrtarisht martesën e parë civile të së njëjtës gjini

Bashkimi i parë civil homoseksual në Malin e Zi u regjistrua zyrtarisht dje.

”Ministrja e Administratës Publike, Çështjeve Digjitale dhe Medias, Tamara Srzhentiç bëri të ditur njoftimin përmes një statusi në Twitter duke konfirmuar regjistrimin”, njoftoi televizioni shtetëror malazez, transmeton KultPlus.

“Sot është një ditë krenare për komunitetin LGBTIQ nën flamurin e Malit të Zi dhe unë jam krenare që bashkimi i parë civil midis njerëzve të së njëjtës gjini është realizuar në vendin tonë”, theksoi Srzhentiç.

“Unë jam e lumtur që ligji për sindikatat civile ka filluar të zbatohet zyrtarisht dhe ju uroj partnerëve fat dhe dashuri në jetën e tyre”, shkroi ajo. Ministrja nuk ndau detaje për çiftin.

Ligji që e bën martesën të ligjshme të së njëjtës gjini u miratua nga parlamenti malazez në korrik 2020. Ai u përball me kundërshtim masiv nga Kisha Ortodokse Serbe. Çiftet e së njëjtës gjini janë ende të ndaluar të birësojnë fëmijë në vend.

Presidenti Milo Gjukanoviç dhe kryeministri Zdravko Krivokapiç po përpiqen të mbajnë Malin e Zi në një kurs properëndimor. / KultPlus.com

‘Sonte më lajmëruen se ka vdekë një njeri, prandej jam i trishtueshëm’

Poezi nga Martin Camaj

Sonte më lajmëruen se ka vdekë një njeri
Prandej jam i trishtueshëm, Lule.

Dashunia ashtë e vetmja shtyllë guri
Kur andej gardhit fluturojnë
Shëgjetat e akullit.

Dy zemra bashkë janë ma rrufeprojse
Se dy shpata tu për tu
Me teha përjashta
Ideja e sosjes, Lule,
kur je ti pranë ik si shpend i egër
andej kah vjen terri. / KultPlus.com

Donjeta Sadiku nesër nga ora 6:24 fillon garën në Lojërat Olimpike

Boksierja kosovare, Donjeta Sadiku nesër e nis rrugëtimin e saj në Lojërat Olimpike “Tokyo 2020”.

Sadiku do të përballet me Caroline Dubois nga Britania e Madhe sonte pas mesnate, përcjell KultPlus.

Ky meç parashihet të fillojë në ora 6:24 me kohën tonë lokale dhe në 13:24 me kohën lokale të Japonisë.

Kosova në Tokio 2020 deri tash i ka fituar dy medalje të arta, të dyja në xhudo, kurse Donjeta Sadiku do të synojë ta dërgojë në tre numrin e medaljeve olimpike nga kjo Olimpiadë.  / KultPlus.com

‘Mik Festival’ sjell magjinë e muzikës në ishullin e Maligradit

“Mik Festival” u rikthye për katër netë me radhë nga 21-25 korrik në Korçë, në edicionin e katërt të tij me pjesëmarrjen e artistëve të njohur shqiptarë dhe të huaj.

Ky edicion ishte më i veçantë se të tjerët, pasi u zhvillua Korçë, Kolonjë dhe Pustec. Magjia e muzikës së zgjedhur, e shtrirë në kohë, zhanre dhe gjeografi të larmishme, erdhi plot ngjyra dhe frymëzim në Korçë, pas një periudhe të vështirë për shkak të pandemisë.

Në ditën e fundit të festivalit, që u zhvillua në ishullin e Maligradit, nën tingujt e muzikës dhe magjinë që ofron Prespa përmes bukurive të saj, u zhvillua koncerti A cappella “Nën tingujt e Zanave”, interpretuar nga ansambli vokal “Zanat”.

Po ashtu violinisti i njohur Olen Cezari mbylli këtë festival mbrëmjen e  djeshme me një koncert në Prespë, ku interpretuan edhe këngëtarja Francesa Carli dhe Michael Rodi në piano.

Në këtë aktivitet ishin të pranishëm ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim, ambasadorja e Francës në Shqipëri, Elisabeth Barsacq, ambasadori i Gjermanisë, Peter Zingraf, etj.

Duke falënderuar të pranishmit, ministri Klosi tha se “pandemia bëri shumë të këqija në botë, por për ne shqiptarët bëri që të vizitojmë më shumë Shqipërinë. Organizimi i këtij festivali këtu në këtë vend lindi si shkak i pandemisë. Duke kërkuar që të gjenim më të bukurën tonë  ne krijuam këtë festival, mbështetëm idenë gjeniale të Inva Mulës, Niko Peleshit, Sotiraq Filos, për të krijuar një ngjarje kaq të madhe turistike, në vendin tonë”.

Në katër ditët e festivalit përveç muzikës klasike ky edicion solli edhe muzikën e filmave, muzikën e lehtë, atë latine, por edhe sfilatë mode. /atsh/ KultPlus.com

Associated Press: Nora Gjakova fiton të artën në ditën e zisë për Kosovën

Agjencia e lajmeve në Amerikë, Associated Press ka shkruar një artikull për triumfin e Nora Gjakovës në Lojërat Olimpike.

“Nora Gjakova fiton të artën në ditën e zisë për Kosovën” – është titulli që i ka vendosur artikullit kjo agjenci e lajmeve.

Shkrimi i plotë:

Nora Gjakova solli pak grimca lumturie për Kosovën duke e fituar medaljen e artë të dytë në Lojërat Olimpike të Tokyos të hënën.

Teksa shteti i saj mban ditë zie për shkak të vdekjes së 10 personave në aksident rrugor të dielën, 28-vjeçarja Gjakova e mori titullin me IPPON ndaj francezes Sarah-Leonie Cysique në kategorinë deri në 57 kilogramë.

Ajo iu bashkua Distria Krasniqit, që e fitoi titullin në kategorinë deri në 48 kilogramë të shtunën, si e dyta dhe e treta medaliste e artë në histori të Kosovës. Majlinda Kelmendi fitoi të parën në Lojërat Olimpike të Rio de Janeiro në vitin 2016, gjithashtu në xhudo.

“Në këtë ditë zie për popullin tonë, Nora Gjakova solli dritë për Kosovën” shkroi presidentja Vjosa Osmani në Facebook.

Xhudistet tona po arrijnë majat që shumë shtete i kanë ëndërruar. Ato janë epiteti më i mirë i Kosovës së ditëve tona” – tha ajo.

“Mbretëresha e artë” – shkroi Komiteti Olimpik i Kosovës në postimin e tyre në Facebook.

Gjakova e arriti finalen pas një fitore shokuese ndaj xhudistes japoneze, Tsukasa Yoshida. / KultPlus.com

Brenda rezidencës mahnitëse ‘Versace’ (FOTO)

Shtëpia e dikurshme e stilistit të vrarë, Gianni Versace, ka filluar të tërheqë një numër të konsiderueshëm vizitorësh, të cilët në shumicën e rasteve, mendojnë se është një muze, apo shtëpi private, por në fakt tashmë është një hotel.

Një hotel, ku mysafirët mund të flenë në dhomën e gjumit të Gianni Versacet, ose të motrës së tij Donatella, apo edhe në suitën ku qëndronte Madonna në vitet ’90.

Vila madhështore barok ka intriguar njerëzit që nga vdekja e Versacet, kur ai u qëllua për vdekje, në shkallët e rezidencës së tij më 1997.

Megjithatë, edhe tani, 20 vjet më vonë, nën pronësinë e Jordache Enterprises, vila ruan shkëlqimin e jashtëzakonshëm të stilistit. Hoteli është i përbërë nga 10 apartamente, një restorant dhe një bar, një sallë pritjeje që mund të përdoret për takime, një tarracë dhe një kopsht në formë mozaiku, me një stil mesdhetar.

Kudo në rezidencë mund të shohësh ikona të mitologjisë greke, mes tyre Meduza që ka një vend të rëndësishëm në logon e markës Versace. Meduza gjendet edhe në pishinën e vilës, 54 metra të gjatë, e bërë nga më shumë se një milion pllaka mozaiku, mijëra prej tyre prej ari 24 karat. Ky mozaik u punua në Kalabri dhe më pas u dërgua në Miami, ku u rindërtua me përpikëri.

Versace e bleu këtë rezidencë në vitin 1992, pasi u mahnit nga arkitektura spanjolle e shtëpisë së madhe. Rreth 32 milionë dollarë kushtuan rinovimet që zgjatën për tri vjet dhe e shndërruan pronën në një vend të përshtatshëm për një “mbret të stilit”.

Ashtu si me shumë ndërtesa të famshme, “Casa Casuarina” ka pjesën e saj të misterit. Thuhet se rezidenca ka dyer të fshehta dhe rrugëkalime në të gjithë pallatin. Gjithashtu, mendohet se Versace mbante një kafaz pëllumbash në tarracën e vilës dhe i përdorte ata për t’u dërguar shënime miqve. Detajet janë të pakta në lidhje me këto thashetheme, por ajo që është e sigurt, është se vila do të vazhdojë të intrigojë vizitorët. /a2news/ KultPlus.com

Carl Gustav Jung: 4 fazat e jetës nëpër të cilat kalon njeriu

Carl Gustav Jung ka lindur më 26 korrik 1875. Ai ishte një psikiatër dhe psikoanalist zviceran që themeloi psikologjinë analitike.

Puna e Jungut ka qenë me ndikim në fushat e psikiatrisë, antropologjisë, arkeologjisë, letërsisë, filozofisë, psikologjisë dhe studimeve fetare.

Në vijim, KultPlus ju sjell katër fazat e jetës nëpër të cilën kalon njeriu, sipas Carl Gustav Jung.

Faza e Atletizmit

Kjo fazë përqendrohet në shqetësimin tonë që e kemi për dukjen e jashtme.

Faza e Luftëtarit

Në këtë fazë ne fokusohemi më shumë tek ajo se çfarë do arrijmë, duke bërë çmos për të qenë më të mirët në çdo gjë që bëjmë. Kjo është faza kur ne mendojmë dhe përpiqemi të arrijmë më shumë se kushdo tjetër.

Faza e Deklarimit

Në këtë fazë, ju ende ndjeheni të pakënaqur edhe pasi keni arritur shumëçka në jetë. Aktualisht jeni në kërkim të mënyrave për të ndihmuar dhe për të sjellë ndryshim në botë.

Faza e Shpirtit

Në fazën e fundit dhe përfundimtare, sipas Jung, kjo është koha ku ne e kuptojmë se 3 fazat e tjera nuk na përcaktojnë si person. Këtu ne kuptojmë se jemi qenie hyjnore. Ne tani jemi spektatorët të jetës tonë. / KultPlus.com

Tifozët përjetojnë emocionet e Lojërave Olimpike

Për herë të parë në Lojërat Olimpike në Tokio 2020, morën pjesë tifozët në garat e biçikletave malore në Izu, një qytet rreth dy orë larg Tokios.

Tifozët u ndaluan t’i përcillnin nga afër Lojërat Olimpike për shkak të parandalimit të shpërndarjes së koronavirusit, transmeton KultPlus.

Një numër i caktuar i tifozëve ishte i pranishëm për të parë garën në biçikleta malore.

Izu është një nga vendet e pakta ku tifozët lejohen të hyjnë për të parë garat. / KultPlus.com

Ekspertët e udhëtimeve u rekomandojnë Shqipërinë turistëve britanikëve

Pushimet e britanikëve janë bërë të pasigurta në mes të paqartësive dhe rregullave që ndryshojnë pothuajse çdo ditë, sipas faqes online të gazetës së njohur britanike express.co.uk, transmeton KultPlus.

Megjithatë, eksperti i njohur i udhëtimeve, Simon Calder ka zbuluar një destinacion ku britanikët mund të pushojnë.

“Unë jam duke vëzhguar disa destinacione ballkanike, siç janë Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, ku nuk kërkohen teste PCR apo karantinë”, deklaroi Calder.

“Këto dy vende janë sugjerimet e mia kryesore për listën e gjelbër, edhe pse britanikët mund të preferonin që edhe ndoshta një vend të madh dhe me shumë lidhje me Britaninë e Madhe si Polonia, me plazhet e saj në detin Balltik, të futej në këtë listë”, theksoi ai./ KultPlus.com

Përfundon dita e tretë e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të Animuar ‘Anibar’

Dje ka përfunduar dita e tretë e festivalit Anibar. Aktiviteti i parë ishte “Coffe and Talks”, i cili i mundësoi të pranishmëve takimin me, jurinë, animatorë si dhe Ambasadoren Holandeze Carin Lobbezzo të cilët diskutuan mbi krijimet e tyre dhe animacionin në tërësi.

Dita vazhdoi në Kinemanë “Jusuf Gërvalla” ku në ora 12:00 u shfaq prezantimi “A journey of a clitoris across the world” nga Lori Malépart-Traversy Ajo tregoi për fillimet e karrierës së saj si animatore dhe shpjegoi në detaje projektin e saj, i cili prek temën e ndjesisë femërore, më saktësisht masturbimit femëror, me një fokus të veçantë në ngacmimin seksual dhe tabutë që e rrethojnë këtë temë. Një prezantim i cili si mesazh kryesor e ka vazhdimin e thyerjes së tabuve.

Gjatë ditës vazhdoi edhe shfaqja e pjesës së dytë të filmave brenda kategorisë “Kids Program”. Filmat u shfaqën në teatrin “Istref Begolli” duke filluar nga ora 12:00. “The 7 Kids”, “The Alien Nightmare”, “Children of Gainmore Hoë They Found It”, “My Tagalong” dhe “A stone in the shoe” ishin disa nga filmat të cilët audienca pati rastin t’i përcjellë gjatë ditës.

Ndërsa në kategorinë “Human Rights Competition 1” e mbajtur në Kinemanë “Jusuf Gërvalla”, u shfaqën këta filma: “Human Rights”: “Mild Madness, Lasting Lunacy”, “Niet Thuis”, “In Nature”, “De Berde”, “Flowing Home”, “Las Mariposas: How three sisters defied a dictator”.

Filmi i dytë i metrazhit të gjatë i cili ishte pjesë e aktiviteteve të përgatitura për ditën e diel “The Nose of The Conspiracy of Mavericks” u shfaq në Kinemanë “Jusuf Gërvalla”. Filmi paraqet aventurat e hundës, përderisa kjo e fundit humb dhe fillon një jetë të re. Tregim mjaft komik i cili u mirëprit nga publiku.

Në vazhdim u mbajt paneli “Reviving llullabies through animation/Rijetësimi i ninullave me animacion”, në Kinemanë “Jusuf Gërvalla”.

Ky panel solli temën e “Ninullës N” si një variacion folklori për kohët moderne. Folës të panelit ishin Besa Berberi, Dardan Selimaj, Shpend Kadaj dhe Mentor Berisha.

Kurse pjesa e dytë e filmave në kategorinë garuese “Student Competition” u shfaq për të gjithë të pranishmit në Kino Liqeni. Kjo kategori përmban në vete punime nga studentë të animacionit nga e mbarë bota. Titujt e filmave që u shfaqën janë: “Diminuendo”, “Butterfly Jam”, “The Midnight Sun”, “Favorite Daughter”, “Papa Zaza”, “Eating in the Dark” dhe “Mom’s Hair”.

Nga ora 22:00 vazhdoi shfaqja e filmave së kategorisë garuese “International Competition” duke shfaqur filmat: “Souvenir Souvenir”, “Not for money, not for love, not for nothing”, “Self Scratch”, “MOM”, “Boobs”, “All Her Dying Lovers”.

Aktiviteti i fundit i ditës u shënua me një performancë të bendit ZWADA në hapësirën e liqenit në orën 23:00.

Jemi shumë të lumtur me numrin e madh të pjesëmarrësve për edicionin e 12-të të festivalit të filmit të animuar Anibar dhe i mirëpresim të gjithë të interesuarit të na bashkëngjiten në ditët në vijim.

Për t’u informuar mbi të gjitha lajmet e reja vizitoni webfaqen tonë www.anibar.org / KultPlus.com

IJF-ja pas triumfit të Nora Gjakovës: Vazhdon trendi legjendar për ekipin e vajzave kosovare

Federata Ndërkombëtare e Xhudos e ka uruar Nora Gjakovën pas triumfit në ‘’Tokyo 2020’’, ku arriti ta fitonte medaljen e artë, të dytën për Kosovë në këto Lojëra dhe të tretën në përgjithësi, transmeton KultPlus.

IJF-ja është krenuar me medaljet e fituara nga xhudistet tona.

‘’Nora Gjakova – kampione olimpike. Trendi legjendar vazhdon për ekipin e vajzave kosovare, pasi Nora Gjakova merr medaljen e tretë të artë të Kosovës në Lojërat Olimpike – të gjitha në xhudo!’’, ka shkruar IJF-ja në faqen zyrtare. / KultPlus.com

Kosova e dyta në tabelën e medaljeve në xhudo në ‘Tokio 2020’

Pas ditës së tretë të garave në xhudo në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”, Kosova zë vendin e dytë vetëm prapa nikoqires Japonisë.

Kosova i ka fituar dy medalje të arta, me Distria Krasniqin në kategorinë deri 48 kilogram dhe Nora Gjakovën në kategorinë deri 57 kilogram.

Nora Gjakova fitoi të artën sot, ndërsa Distria të shtunën.

Japonia pas tri ditëve të garave në xhudo zë vendin e parë me katër medalje të arta, një të argjendtë e një të bronztë. / KultPlus.com

Kosova renditet e dyta në ‘International Folk Festival Tirana’

Ansambli i Këngëve dhe Valleve “Qyteti i Obiliqit” arriti që të marrë vendin e dytë në “International Folk Festival Tirana” (IFFT), në një ngjarje tre ditësh, ku morën pjesë 9 shtete me ansamblet përfaqësuese.

IFFT është një festival që është i pranuar në FIDAF (Federata Ndërkombëtare e Vallëzimit dhe Folklorit), pjesë e të cilit Kosova është anëtare që prej vitit 2014-të, ndërsa Shqipëria është anëtarësuar në vitin 2019.

Vendi ynë u përfaqësua nga AKV “Qyteti i Obiliqit”, i cili është përzgjedhur sipas rregullave të FIDAF-it, ansambël i cili u themelua në fund të vitit 2019 dhe është institucion kulturor që funksionon nën ombrellën e Departamentit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Komunës së Obiliqit.

Në ceremoninë e ndarjes së çmimeve ndër personalitetet e shumta, nga Kosova morën pjesë përfaqësues të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi.

Ndër vendet pjesëmarrëse, me të cilat Kosova ishte në garë, ishin Meksika, Polonia, Bullgaria, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Greqia dhe Shqipëria. Ansambli i Sofias së Bullgarisë mori vendin e parë, sipas vlerësimit të jurisë profesionale me përfaqësues nga Turqia, Bullgaria, Kosova, Maqedonia, Greqia dhe Shqipëria. / KultPlus.com

Kristen Stewart si Lady Diana, kryefjala e festivalit të filmit në Venecia

Foto: Mario Anzuoni

“The Power of the Dog” e Jane Campion, “Parallel Mothers” e Pedro Almodovar dhe Kristen Stewart si Lady Diana në “Spencer” janë ndër titujt që garojnë për çmimin kryesor në festivalin e filmit të Venecias të këtij viti, i cili zhvillohet 1-11 shtator . Festivali më i vjetër i filmit në botë, i konsideruar si një vitrinë për ata që pretendojnë çmimin Oskar, shpreson të mirëpresë të famshmit e Hollywood-it këtë vit pas një edicioni të përshkallëzuar të vitit 2020, transmeton KultPlus.

Regjisori nga Zelanda e Re, Campion, i njohur për “The Piano”, do të paraqesë dramën e tij me protagonist Benedict Cumberbatch si një pronar sadist i një ferme që fillon një fushatë kundër një vejushë të re, interpretuar nga Kirsten Dunst, në Montanën e viteve 1920. Një prodhim i Netflix, “The power of the Dog” ishte ftuar të shfaqej jashtë konkurrencës në festivalin e Filmit në Kanë, por zgjodhi Venecian, e cila ndryshe nga festivali francez nuk kërkon një shfaqje teatrale për filmat që garojnë për çmimin e lartë.

Almodovar i Spanjës ribashkohet me aktoren e tij të preferuar, Penelope Cruz, në “Parallel mothers”, ndërsa “Spencer”, nga regjisori kilian Pablo Larrain, përqendron filmin në një fundjavë në fillim të viteve 1990 kur Diana vendosi të ndahej nga Princi Charles. Këta janë në mesin e 21 filmave që garojnë për çmimin kryesor, që përfshijnë edhe debutimin e Maggie Gyllenhaal si regjisore e ” The Lost Daughter “, bazuar në një roman të Elena Ferrante dhe ” The Hand of God ” nga Paolo Sorrentino – një nga pesë titujt italianë që kërkojnë të marrin çmimin e Luanit të Artë./KultPlus.com

Lamtumirë e parëlemja e Kosovës

Vlora Konushevci

“Ka lavdi njisoj si në pluhnin e disfatës ashtu edhe në dafinat e fitores nëse e ke dhanë ma t’mirën prej vetes”! Këtë fjali e ka thanë Eric Liddle, që njihet si njeri ma i shpejtë në botë, skocezi fluturues, fitues i medaljes së artë olimpike në vrapim (1924).

E parëlemja e artë e Kosovës, jo që e ka dhanë ma të mirën prej vetes po ka shndritë prej vetes e përtej tu e vu Kosovën në hartën botërore me shpirtin e saj luftarak, diciplinën dhe përkushtimin e pamasë. Ajo ka pas mundësi me marr miliona e me ia zdritë nurin cilitdo vend tjetër që i asht ofru, e i janë ofru shumë vende, por si nji Shote Galicë moderne, vendosi të luftoi për vendin e saj.

Gjatë periudhës se luftës në Kosovë, kur fuqitë botnore u banë bashkë me ndalu regjimin gjenocidal të Millosheviqit, shumë prej tyne kishin dilema nëse duhet marr nji vendim i tillë. Dilemave të tyne më së miri iu përgjigj Majlinda Kelmendi, kur dëshmoi se nuk kanë gabu. Se përkundër tana vështirësive, nji çikë e vogël, por me shpirt të madh, e vendos flamurin e Kosovës në piedestalin e lojërave olimpike. Ajo nuk e bani krenar veç vendin e saj, apo veç bashkëqytetarët e saj, ajo e bani krenar tanë botën kur i dha jetë këtij vendi tu e çue n’kambë si nji vigan kryenaltë e krenarë me arritjet e saj.

Majlinda, e parëlemja e Kosovës, e ka mbjell farën e suksesit, e ka shtru udhën e shpresës për krejt ata që vijnë mas saj. Pa Majlindën, pa guximin e saj me notu horizonteve të reja, pa modelin që ua dha të rinjëve tanë sot nuk e kishim pas as Distrian e as Norën.

Pa nji trajner profesional, kërkues dhe vizionar siç asht Toni Kuka, që ua ka ndez dashninë për sportin dhe imagjinatën me shpresë, që ka besu në xhudistët tona nuk e kishim pas asnjanën.

Falemnderit Majlindë, kryet nalt e të paçim shnosh sa t’asht jeta!/ KultPlus.com

Kosovo’s Majlinda Kelmendi receives the gold medal after winning the women’s 52-kg judo competition at the 2016 Summer Olympics in Rio de Janeiro, Brazil, Sunday, Aug. 7, 2016. (AP Photo/Markus Schreiber)

Artistët e Nju Jorkut i kthejnë kompensatat e Black Lives Matter në skulptura

Foto: Jeenah Moon, Reuters

Për artisten nga Nju Jorku Tanda Francis, protestat e Black Lives Matter gjatë verës së vitit 2020 ishin një ngjarje historike.

Për të nderuar ata që morën pjesë, Francis mori kompensatën e përdorur për të hipur në vitrinat e dyqaneve nëpër qytet dhe e shndërroi atë në një skulpturë të quajtur “RockIt Black”, transmeton KultPlus. “Të shndërrosh këtë kompensatë që ishte në rrugë gjatë kryengritjes aktuale të Black Lives Matter është… mahnitëse”, tha Francis për Reuters.

“Në punën time, unë në të vërtetë përdor ngjyrën e zezë dhe në të vërtetë përpiqem ta lartësoj atë, një lloj kontrasti nga mënyra se si është stigmatizuar në kulturën tonë.

“Francis ishte një nga pesë artistët e zgjedhur për të marrë pjesë në Projektin e Mbrojtjes së Plywood-it të organizuar nga studiot pa vlerë. “Qyteti i Nju Jorkut u mbulua me këtë kompensatë gjatë karantinës dhe e dini kulmin e protestave të Black Lives Matter, ”tha Neil Hamamoto, themeluesi i studiove të pavlefshme, ndërsa qëndronte pranë skulpturës “Be Heard ” nga Behin Ha Design Studio në Parkun Thomas Paine në Manhattan.

“Për mua, ishte e rëndësishme të ricikloja materialin për shkak të fuqisë dhe retorikës së tij.”Pesë skulpturat u shfaqën në të gjithë qytetin dhe do të qëndrojnë të ekspozuara deri më 1 nëntor./KultPlus.com

Filmi i regjisorit shqiptar konkuron në Festivalin Ndërkombëtar të Venecias

Regjisori Roland Sejko me filmin e tij të fundit “La macchina delle immagini di Alfredo C.” do të marrë pjesë në “Orizzonti Extra”, një nga seksionet konkurruese të Festivalit Ndërkombëtar të Kinematografisë së Venecias. Festivali më i rëndësishëm italian i filmit shpalli sot programin e pjesëmarrësit e këtij edicioni që do të mbahet nga 1 deri më 11 shtator 2021.

Filmi “Macchina delle Immagini di Alfredo C.”, ka në qendër historinë e një telekameramani italian që mbërrin në Shqipëri me pushtimin fashist e mbahet “peng” bashkë me 27 mijë italianë të tjerë, ushtarë e civilë, pas çlirimit të Shqipërisë kur regjimi i Enver Hoxhës mbylli kufijtë.

Kështu Alfredo C., që për thuajse 20 vjet kishte punuar në shërbim të propagandës së regjimit fashist, për pesë vjet i bie vendit tonë kryq e tërthor e detyrohet të ushtrojë profesionin e tij, këtë radhë në favor të propagandës së regjimit komunist të ardhur në fuqi në Shqipëri. Çka shihet në filmin e Sejkos, mes filmimesh të reja e materialesh arkivore, është jeta e Alfredo C., historia e tij. E ndoshta edhe historia e mijëra të tjerëve.

Historia e italianëve të mbajtur në Shqipëri nga regjimi komunist është thuajse e harruar, e mbuluar nga orteku i ngjarjeve që përfshiu qindra mijëra italianë në vendet e tjera. – thotë Roland Sejko që firmos regjinë, subjektin dhe skenarin e filmit (produksion Istituto Luce Cinecittà) – Çelësi i rrëfimit erdhi, siç ndodh shpesh, rastësisht. Kur mes dokumenteve të Arkivit Qendror Shtetëror të Shqipërisë, në një kërkesë riatdhesimi, vura re një emër që njihja: atë të kameramanit të Institutit Luce në Shqipëri, që në këto letra rezultonte një punonjës i Ministrisë së Kulturës Popullore Komuniste. Historia e kameramanit, e ndërthurur në mënyrë të pashmangshme me imazhet dhe historitë e të tjerëve, të jepte mundësinë për të shtjelluar disa tema: prania e gjithanshme dhe teknikat e propagandës, ndikimi i ngjarjeve  historike mbi fatet personale, përgjegjësia e turmës dhe ajo e individit. Dhe një reflektim mbi përgjegjësinë – sot njësoj si në të shkuarën – e atyre që prodhojnë imazhe, dhe e atyre që i shohin”.

Roland Sejko ka emigruar në Itali në vitin 1991. Në vitin 1999 ka themeluar e drejtuar për 15 vjet “Botën Shqiptare”, gazetën e shqiptarëve në Itali.

Prej vitit 1995 punon në Institutin Luce ku sot është drejtor editorial i Arkivit Historik Luce. Njohës i mirë e përdorues mjeshtëror i arkivave, ka shkruar e realizuar dokumentarë ndryshëm që shpesh kanë patur në qendër aspekte të ndryshme të marrëdhënieve Itali-Shqipëri. Ndër filmat e tij dokumentarë spikasin Anija, dokumentari i realizuar në 20 vjetorin e eksodit të madh të shqiptarëve në Itali, që është vlerësuar me çmimin prestigjioz David di Donatello 2013, si dokumentari më i mirë i vitit; “Pritja” (2015), dokumentar i frymëzuar nga vizita e Papa Françeskut në Shqipëri që rrëfen mohimin e lirisë së besimit, persekutimin e autoriteteve fetare, shkatërrimin e simboleve të kulteve fetare në Shqipërinë e diktaturës komuniste; “Shqipëria, Vendi përballë” (2010), që përmes imazheve të arkivave të Institutit Luce dhe të arkivave të filmit shqiptar, sjell historinë e Shqipërisë së viteve ‘900, histori e lidhur ngushtë me Italinë./ diaspora shqiptare/ KultPlus.com

Artistët pikturojnë në trupat e zhveshur të modelëve, festohet Dita e Ngjyrosjes së Trupit në New York

Nëse do të shëtisnit përgjatë Union Square në Nju Jork të dielën, do të kishit parë një pamje të pazakontë, njerëz që pozojnë nudo, trupat e tyre të mbuluar me modele lulesh dhe yje të pikturuara me ngjyra të ndezura.

Kjo është mënyra se si një grup prej 26 artistësh dhe 45 modelesh festuan ditën e tetë vjetore NYC Bodypainting Day, duke përdorur trupin e njeriut si kanavacë për të promovuar mesazhe si pozitiviteti i trupit, transmeton KultPlus.

“Ideja e ngjarjes është me të vërtetë të promovojë lirinë e shprehjes dhe pranimin e të gjithë njerëzve, idetë e tyre si artistë dhe gjithashtu trupat e tyre,” tha artisti Andy Golub, organizatori kryesor i ngjarjes. Është gjithashtu një mënyrë për të festuar daljen e qytetit të Nju Jorkut nga pandemia e koronavirusit pas më shumë se një viti kufizimesh që detyruan qytetin që nuk fle kurrë të ndalej plotësisht.

“Unë mendoj se është e rëndësishme të tregosh se Qyteti i New York-ut po i kthehet normalitetit,” tha Rocket Osborne, një arkitekt me qendër në Nju Jork. Modelet qëndronin nën çadrat e vendosura në shesh ndërsa artistët pikturonin mbi to. Të tjerët pozuan në skenat e ngritura për këtë ngjarje ku shfaqej puna e përfunduar artistike, ndërsa kalimtarët ndaleshin për të shkrepur një foto ose një video./KultPlus.com

Kryeministri Kurti: Në këtë ditë pikëllimi, Nora Gjakova ndriçoi zemrat tona

Majlinda Kelmendi ka fituar medaljen e artë në Lojërat Olimpike “Tokyo 2020” duke mundur francezen Sarah Leoine Cysiquen në finalen e së hënës.

Pas fitores së Nora Gjakovës ka reaguar edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti.

Ai përmes një postimi në Twitter ka thënë se fitorja e Nora Gjakovës i ka lehtësuar zemrat tona në këtë ditë zie.

“Në këtë ditë pikëllimi ku po vajtojmë për humbjen e jetëve nga aksidenti tragjik në Kroaci, zemrat tona janë ndriçuar nga suksesi i kampiones sonë, Nora Gjakova, në Tokyo2020 e cila fitoi të artën në gratë – 57 kg”, ka shkruar Kurti./ KultPlus.com

Ishte 13 vjeç kur vizatoi 38 vizatime në Kukës, Petrit Halilaj dhimbjen e luftës do ta ekspozojë në Angli

Petrit Halilaj me ekspozitë personale në ‘Tate St Ives’ – pasqyron 38 vizatime të realizuara në kampin e Kukësit gjatë luftës në Kosovë

Artisti kosovar, Petrit Halilaj do të hapë ekspozitën e tij të parë personale në Muzeun e Mbretërisë së Bashkuar, ‘Tate St Ives’.

Ekspozita me titull “Shumë vrull mbi këtë pendë të gjelbër’, do të jetë e hapur nga 16 tetori deri më 16 janar 2022, ku do të paraqesë 38 vizatime nga fëmijëria e Halilaj, të bëra në kampin e refugjatëve në Kukës gjatë luftës në Kosovë, kur ai ishte vetëm trembëdhjetë vjeç.

Me imazhet e varura në të gjithë galerinë, mjedisi gjithëpërfshirës i Halilaj kombinon imazhet që e shoqëruan atë gjatë luftës në Kosovë.

Peizazhet pikante rurale, zogjtë dhe kafshët, janë të ndërthurura me skena lufte dhe dhune. Përmes këtyre veprave, Halilaj zbulon marrëdhëniet e komplikuara të realitetit dhe imagjinatës dhe midis perspektivave divergjente këndvështrimeve të historive zyrtare dhe përvojave të jetuara./ KultPlus.com

Majlinda Kelmendi i jep fund karrierës

Xhudistja kosovare Majlinda Kelmendi i ka dhënë fund karrierës në këtë sport. Kampionia olimpike këtë e ka konfirmuar në një deklaratë për KTV-në.

“Unë ndoshta këtë vit kam qenë në dyshime a të largohem apo të vazhdojë, për shkak të lëndimeve. Por në momentin e fundit kam vendosur për hatër të Tonit të vazhdojë, të garojë në Lojëra Olimpike. Fatkeqësisht nuk shkoj si duhet, nuk është se nuk isha në formë, por nuk ishte dita ime. Për mua kjo ka qenë gara e fundit, nuk e kam pritur që gara e fundit në karrierë do të shkojë kështu. Ishte e shkruar, krejt i kam fituar. I kam sjellë Kosovës mjaft emocione, mjaft lot është radha e tjerëve. Do të jem afër Tonit me u mundu me nxjerrë talente tjera prej Kosovës”, ka thënë Kelmendi.

Kelmendi ka folur për sukseset e Distria Krasniqit dhe Nora Gjakovës, që fituan medaljet e arta.

“Po ndjehem jashtëzakonisht mirë. Jam shumë e lumtur. Për Disin e kemi prit, duke e marrë parasysh formën gjatë vitit. Nuk jemi befasuar. Nora jo që nuk mundet, por nganjëherë është njeri që kalkulon shumë. Jam shumë e lumtur që puna e sakrifica e Tonit po shpërblehet në këtë mënyrë”, tha Kelmendi./ koha.net/ KultPlus.com

Nora Gjakova stoliset me medalje të artë, flamuri i Kosovës mbi të tjerët në “Tokio 2020”

Nora Gjakova është shpallur kampione olimpike në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”.

Në finale, xhudistja shqiptare arriti ta mposhtë me lehtësi francezen Sarah Leona Cysique, raporton FrontOnline.

Kështu, Nora ia arriti ta fitojë medaljen e artë në kategorinë deri në 57 kilogramë.

Tashmë, Nora Gjakova e ka marrë medaljen e artë nga kryetari i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Thomas Bach.

Më pas, u intonua edhe himni i flamurit të Kosovës, derisa flamuri i shtetit tonë u ngrit më së larti./ KultPlus.com