Ndoshta keni arritur më shumë nga çfarë prisnit. Apo ndoshta ndiheni sikur nuk kani bërë mjaftueshëm dhe doni ta shtyni veten për të arritur më shumë.
Cilido qoftë rrugëtimi juaj, tani është momenti më i mirë për të reflektuar mbi atë që ju pret përpara.
Qëllimet tona janë të ndryshme, por Bill Gates përdor këto 3 pyetje për të matur suksesin e tij në jetë:
1.“A i kam kushtuar mjaftueshëm kohë familjes sime?“
Paraja mund të blejë shumë gjëra, por nuk mund të blejë një minutë më shumë gjatë ditës.
Edhe pse me një axhendë të zënë, Gates gjen kohë për familjen e tij.
Ai shfrytëzon çdo mundësi: mëngjeset para se fëmijët të nisen për në shkollë, një serial të preferuar që familja e sheh së bashku, apo edhe momente në makinë duke dëgjuar muzikë. Ai nuk do të humbasë asnjë rast.
2. “A kam mësuar mjaftueshëm gjëra të reja?”
Gates është larguar nga Harvard në vitin 1975, por ai ende vazhdon të ushqejë mirë oreksin e tij për dije. Gates ka thënë se lexon 50 libra çdo vit: Është një nga gjërat më të mira që kam bërë që kur isha fëmijë.
“Madje dhe gjatë udhëtimeve të mia nëpër botë, unë kërkoj të takoj shkencëtarë vendas dhe ndjek shumë kurse online. Por leximi mbetet një nga mënyrat më të preferuara për të mësuar gjëra të reja dhe për të testuar ato që kuptoj”.
Mësimi i vazhdueshëm është thelbësor për një rritje të vazhdueshme, sukses dhe lumturi dhe ky është momenti më i mirë për t’ja nisur. Sidomos sot që gjithçka është online dhe nuk të duhet të shfletosh enciklopedinë.
3. “A kam krijuar shoqëri të reja dhe a kam thelluar ato të vjetrat?”
Të gjithë e njohin influencën që Warren Buffett ka patur në jetën dhe suksesin e Bill Gates. Kur është pyetur “Si e përkufizon suksesin?”, Gates nuk nguron të përmend mikun e tij Buffett: “Warren Buffett gjithmonë ka thënë se matësi më i mirë është nëse njerëzit që ke afër janë të lumtur dhe të duan”.
Në një shkrim në blog, Gates citon: “Kam mësuar shumë gjëra nga Warren këto 25 vitet e fundit, por ndoshta gjëja më e rëndësishme e kësaj marrëdhënie është miqësia. Duhet të sillesh si ai shoku që do të doje të kishe”.
Shumë studime kanë sugjeruar se ka avantazhe të shumta në kultivimin e thellë të shoqërive. Marrëdhëniet që ne kemi apo krijojnë kanë një ndikim të drejtëpërdrejtë në shëndetin tonë. Të kujdesesh për trupin është e rëndësishme, por të kujdesesh për marrdhëniet e tua është mirëqënie gjithashtu./KultPlus.com
Kritiku i filmit, Nicholas Barber, ka përzgjedhur për BBC-në dhjetë filma që, për vlerësimin e tij, është mirë t’i shohim gjatë këtij shtatori.
DEAR EVAN HANSEN
Regjia: Stephen Chbosky; Skenari: Steven Levenson; Sipas veprës: Dear Evan Hansen nga Steven Levenson; Luajnë: Ben Platt, Kaitlyn Dever, Amandla Stenberg, Nik Dodani, Colton Ryan …
CINDERELLA
Regjia: Kay Cannon; Skenari: Kay Cannon; Sipas veprës: Cinderella nga Charles Perrault; Luajnë: Camila Cabello, Idina Menzel, Minnie Driver, Nicholas Galitzine, Billy Porter, Pierce Brosnan …
THE ALPINIST
Regjia: Peter Mortimer, Nick Rosen; Luajnë: Marc-André Leclerc, Brette Harrington, Peter Mortimer …
SHANG-CHI AND THE LEGEND OF THE TEN RINGS
Regjia: Destin Daniel Cretton; Skenari: Dave Callaham, Destin Daniel Cretton, Andrew Lanham; Storja: Dave Callaham, Destin Daniel Cretton; Sipas: Marvel Comics; Luajnë: Simu Liu, Awkwafina, Meng’er Zhang, Fala Chen, Florian Munteanu …
ANNETTE
Regjia: Leos Carax; Skenari: Ron Mael, Russell Mael, Leos Carax; Storja: Ron Mael, Russell Mael; Luajnë: Adam Driver, Marion Cotillard, Simon Helberg …
NO TIME TO DIE
Regjia: Cary Joji Fukunaga; Skenari: Neal Purvis, Robert Wade, Cary Joji Fukunaga, Phoebe Waller-Bridge: Storja: Neal Purvis, Robert Wade, Cary Joji Fukunaga; Sipas veprës: James Bond nga Ian Fleming; Luajnë: Daniel Craig, Rami Malek, Léa Seydoux, Lashana Lynch Ben Whishaw. Naomie Harris …
THE DUKE
Regjia: Roger Michell; Shkruar nga: Richard Bean, Clive Coleman; Luajnë: Jim Broadbent, Helen Mirren, Fionn Whitehead, Anna Maxwell Martin, Matthew Goode …
I AM YOUR MAN
Regjia: Maria Schrader; Writers: Jan Schomburg, Maria Schrader; Sipas: tregimit të shkurtë të autores Emma Braslavsky; Luajnë: Maren Eggert, Dan Stevens, Sandra Hüller, Hans Löw, Wolfgang Hübsch …
CRY MACHO
Regjia: Clint Eastwood; Skenari: Nick Schenk, N. Richard Nash; Sipas veprës: Cry Macho nga N. Richard Nash; Luajnë: Clint Eastwood, Dwight Yoakam, Fernanda Urrejola …/KultPlus.com
Mimoza Hajdini dhe Agim Llapashtica publikojnë këngën e tyre të titulluar ‘Kroi’.
Ky bashkëpunim, teksti i së cilës është marrë nga poezia e Lasgush Poradecit, kishte filluar tre vjet më parë, e përgjatë kësaj kohe Hajdini dhe Llapashtica punimet e këngës i kanë realizuar online.
“Me Mimozën kemi qenë në kërkim të një kënge për bashkëpunim. Une veç e kam pasë këngën Kroi (teksti i Lasgush Pogradeci). Ia kam dërguar këtë këngë si demo, i ka pelqyer dhe kemi vendosë me e realizu. E gjithë kjo ka ndodhë para 3 vjetvëe. Kemi punuar gjatë gjithë kohës online, unë inçizimet e mia në Vjenë ndërsa Mimoza në Kanada.”- thotë Agim Llapashtica për KultPlus.
Ai tutje shton se videoja është realizuar me mundësitë e tyre vetanake dhe ajo shfaq pamje të ndryshme të bukurive natyrore të vendit tonë.
Dyshja planifikojnë që së shpejti të realizojnë edhe një bashkëpunim tjetër./KultPlus.com
Diva e kinemasë, Sharon Stone mori çmimin e “Ikonës së Artë” në Festivalin e Filmit në Zyrih, Zvicër.
63-vjeçarja do t’i shtojë trofeve të saj çmimin e rëndësishëm kinematografik më 25 Shtator, ndërsa më pas do të shfaqet filmi i njohur, “Casino” për të cilin ajo u nominua për Oscar në 1996.
“Është një nder të lidhesh me komunitetin global dhe të festosh thellësinë e artit tonë. Jam e lumtur që njihem në këtë lloj kapaciteti”, tha aktorja e “Basic Instict”.
Sharon do të drejtojë një leksion “masterclass” për aktrimin, bazuar në karrierën e saj dhe metodat e aktrimit./KultPlus.com
Pas rritjes së numrit të të infektuarve me koronavirus në vendin tonë dhe marrjen e masave të reja nga qeveria e Kosovës kusht për t’u imunizuar kanë edhe mësimdhënësit dhe personeli shkollor. Në Sindikatën e Bashkuar të Arsimit thonë se mësimdhënësit duan të vaksinohen por ankohen se s’ka terminë të lira.
Thirrjes së Ministrisë së Arsimit për vaksinim i janë përgjigjur rreth 90 për qind të mësimdhënësve dhe personelit të shkollave. Kështu thotë kryetari i SBASHK’ut, Rrahman Jasharaj.
Sipas tij, pengesë mbetet mungesa e terminëve të lira për vaksinim.
“E kemi tejkaluar gati te 90 për qind i të punësuarve në sektorin e arsimit që janë vaksinuar të paktën me një dozë’, tha Jasharaj për RTV21.
Sipas masave të reja të vendosura nga qeveria gjatë javës që shkoi aktiviteti arsimor në institucione publike dhe private të arsimit parauniversitar është pezulluar deri më 13 shtator./KultPlus.com
Një ish-gazetar i cili raportoi nga Parisi natën kur vdiq Princesha Diana pohoi se atij i duhej të ‘deshifronte’ lajmin për gjendjen e Princeshës së Uellsit të ndjerë nga autoritetet franceze.
Nëna e ndjerë e Princit William dhe Harry vdiq më 31 gusht 1997 në moshën 36 vjeçare, dhe pikërisht sot (e martë) shënohet 24 vjetori nga aksidenti fatal i saj në Paris, shkruan DailyMail.
Por sipas ish-korrespondentit të Parisit, Kevin Connolly, i cili ishte një nga gazetarët e parë në vendngjarje, ndjenja e vërtetë që Diana kishte vdekur erdhi “mjaft ngadalë”.
“Ne po dëgjonim me shumë kujdes autoritetet franceze dhe po përpiqeshim të deshifronim atë që ata po na thoshin”, tha ai, duke folur për The Express. “Policia ishte shumë e kujdesshme në lidhje me artikujt që publikoheshin”, shtoi ai.
Fjala fillestare nga burimet e policisë dhe spitalit ishte “po, është Princesha e Uellsit, po, ajo është plagosur”, por nuk kishte kuptim në orët e hershme të mëngjesit të mendoje se ndoshta ishte plagosur për vdekje.
Duke reflektuar, gazetari beson se autoritetet franceze ishin “tmerruar” kur kishin të bënin me një tragjedi kaq të madhe.
“Ata ishin të vetëdijshëm për shkallën globale të asaj që do të ishte reagimi – ata ishin të vetëdijshëm për intensitetin global të interesit”, shtoi ai.
Vetëm shtatë vjet pas aksidentit, Sir John Stevens, komisarit të policisë Metropolitane, iu kërkua të hetonte rrethanat.
Këto përfshinin pyetjet – a ishte Diana shtatzënë në kohën e vdekjes së saj? A ka ardhur në të vërtetë mostra e gjakut që i atribuohet Henri Paul prej tij? Dhe a kishte ndonjë justifikim të vlefshëm për eliminimin e një veture të bardhë ‘Fiat Uno’ nga përfshirja në përplasje?
Connolly pohoi se si lajmet për vdekjen tragjike të Princeshës Diana u filtruan vetëm në Paris përmes gazetarëve në fluturimin e Sekretarit të Jashtëm Robin Cook në Filipine.
Duke e përshkruar atë si një mbrëmje ‘mjaft të mbushur’ dhe ‘të kujdesshme’, ai kujtoi: “Nata është një turbullirë deri në atë moment kur u desh të shkonim në një ndërprerje speciale të programit dhe të thoja se Princesha e Uellsit ka vdekur”.
“Ai moment i vetëm është ndoshta ai që mbaj mend më së miri nga e gjithë jeta ime e gjatë në transmetim”, kujtoi gazetari.
Një statujë e Dianës, Princeshës së Uellsit do të hapet posaçërisht për dashamirësit për të shënuar përvjetorin e parë të vdekjes së saj që kur u zbulua memoriali i shumëpritur.
Për shkak të pandemisë, Pallati Kensington dhe kopshtet e tij po funksionojnë me ditë të reduktuara të hapjes dhe zakonisht janë të arritshme për publikun nga e mërkura deri të dielën.
Por Pallatet Historike Mbretërore (HRP) thanë se ishin bërë aranzhime të veçanta për të lejuar vizitorët të shikonin statujën, ku qëndron nga ora 3 pasdite deri në 5 pasdite të martën.
Statuja u zbulua nga Duka i Kembrixhit, Princi William dhe Duka i Sussex-it, Princi Harry së bashku – pavarësisht marrëdhënies së tyre të trazuar – në një ceremoni muajin e kaluar në atë që do të kishte qenë 60-vjetori i lindjes së nënës së tyre (nëse ajo do të ishte gjallë).
Një zëdhënës i HRP tha: “Ne e pranojmë se do të ketë interes për të parë statujën atë ditë”.
“Kështu që ne do të sigurojmë qasje në kopsht, ne do ta hapim atë, falas, për kalimtarët ose këdo që dëshiron të ndalet dhe të shijojë një moment pranë statujës të martën, veçanërisht për përvjetorin”, tha zëdhënësi.
Hyrja në Cradle Walk do të jetë falas dhe nuk ka nevojë të rezervohet, por dashamirësit nuk do të jenë në gjendje të lënë lule në bazën e statujës dhe as t’i afrohen asaj./KultPlus.com
Qyteti i dytë më i madh i rajonit të njohur të Puglia-s, Taranto, i njohur ndryshe si “Città dei due mari”, ose “Qyteti i dy deteve”, po kthehet në një atraksion turistik, falë edhe trashëgimisë së tij që daton që nga koha e spartanëve, të cilët e themeluan atë në shekullin e XVIII p.e.s. Qytetit shpesh i referohen si kryeqyteti i Magna Grecia-s së lashtë dhe në të shihen ende gjurmët e kulturës antike greke.
Megjithatë, Taranto u bë i njohur rreth viteve ‘60 për fabrikat e çelikut, asokohe ndër më të mëdhatë në Evropë. Për një kohë të gjatë qyteti u bë një vatër e ndotjes së madhe mjedisore, çka dëmtoi rëndë shëndetin e banorëve, ekosistemin dhe sigurisht, turizmin. Kohët e fundit, qyteti po përpiqet të lë pas të shkuarën e errët dhe të investojë më shumë për të rikthyer identitetin e vjetër, të një historie 2500-vjeçare.
Projekti i ri i rimëkëmbjes së qytetit, përfshin sipas kryetarit të bashkisë, Rinaldo Melucci, një ndërtesë moderne në qendër të qytetit, një galeri të re arti, një bibliotekë, objekte arsimore, si dhe restaurimin e qytetit të vjetër, me dhomat nëntokësore dhe asete të tjera të fshehura. Kjo zonë e vjetër pritet të shpalosë një sërë objektesh e materialesh që datojnë që nga tempujt e lashtë dhe më pas nga qyteti mesjetar, deri në vitin 1800 pas Krishtit.
Gjithsesi, gjëja më kryesore për të ringjallur “Qytetin e dy deteve”, për kryetarin e bashkisë është natyra dhe uji që e rrethon. “Për Taranton unë shoh detin dhe vetëm detin. Cilado qoftë pyetja, përgjigjja është deti, sepse deti është ADN-ja jonë, ka qenë pasuria jonë, ushqimi ynë, shëndeti ynë, lojërat e fëmijëve tanë të vegjël dhe ndoshta do të jetë e ardhmja jonë.”./KultPlus.com
Kam dashur, po dua tani më me zjarr, Kam qenë shërbyes, tani jam një skllav, Me ç’zell kam shërbyer këdo! Por befas më ndezi kjo mike besnike, Dhe nis ma shpërblen çdo dhimbje fisnike, Per mua s’ka tjeter si kjo!
Besova, tani besoj me pasion! Në shkon jeta mbarë a barra ngarkon, Besimi prej eje s’mërgohet! Po ngryset kaq shpesh, po erret e nxin, Shtrëngon kaq brenga, rreziku arrin, Por qielli nis prapë kthjellohet!
Kam ngrënë, tani po ha sa për tre, Me ndriti krejt shpirti e zemra më rreh, Gjithçka e harroj mes defrimi! Rinia me zjen bërtas e gajas, Kam mall që të shtrohem ndër vene plot gas, Ngjeroj, më shijo fort ushqimi!
Kam pirë me parë, tani s’lë sapllak, Dhe vera na ngre, na bën me cakmak, Dhe gjuhën na gjidh nga zinxhirat! Nga vozat po zbrazet e rrjedh me rrëmbim, Na ndez kaq deshira, na ngjall kaq besim, S’na ndalin hendeqet, rrepirat!
Në valle jam hedhur, ne valle marr zjarr, Asnje shilarthar dhe asnjë valltar S’erdh rrotull në valle si flutur! Dhe kush shumë lule ia doli te thurë, Dhe kurre s’i ndau, s’i shkeli në turr, I mbeti kurora e bukur!
Ta thurim kurorën! Mos kini ngurrime! Kush merr trëndaflin plot vese e shkelqime E çjerr veç pak gjëmbi i mprehtë. Si dje edhe sot shkelqejnë fort yjet, Por larg mjaft i rrijnë kujt frikshëm ul kryet Dhe ngrys po gjithnjë po në jete!./KultPlus.com
Tirana është zgjuar ndryshe këto ditë. Në muret e saj mbizotërojnë ngjyrat e larmishme dhe pikturat. Në qendër të qytetit, në një prej pallateve të dëmtuara nga tërmeti është duke përfunduar dhe muralja e tretë, e cila ka në qender një vajzë të vogël të mbrojtur nga dora e nënës së saj. “Mural Fest Tirana” është një aktivitet i kthyer tashmë në traditë për kryeqytetin, nga piktorët Helidon Haliti dhe Kiriakos Iosifidis.
“Projekti përfshin pallatin në qendër të Tiranes që prek qiellin, ndaj dhe emërtimi është Skyla, sepse modeli që ne po përdorim ka këtë emër. Ndërsa në datë 8 do të jetë artisti serb, i cili ka një tematikë gjithashtu një vajzë perëndimore, “five generation”, ose gjenerata e pestë, si për t’u shoqëruar me një reminishencë të Picasos, sesi ai e ka parë femrën, ndaj do doja që kjo murale të ishte në zonën e ‘Komunës së Parisit’.”, tha Haliti, shkruan vizionplus
Fasadat e pallateve më të larta, duke filluar nga qendra, por edhe në zonat me periferike janë mbuluar me vizatime që kanë në qendër figurën e gruas. Qëllimi i organizatorëve është përcjellja e mesazheve nëpërmjet këtyre veprave të artit.
“Mural Fest” vjen si një nevojë e qytetit dhe një vullnet i mirë për të lënë një ekspozitë në qiell të hapur për qytetin e Tiranës. Ky edicion i tretë është një eksperiencë e akumuluar gjatë dy të parave dhe një dëshirë për të mbledhur artistë me famë ndërkombëtare.”, u shpreh drejtori i agjencisë së dekorit, Henril Cule.
Në këtë edicion të tretë, i cili do të mbahet deri më datën 30 shtator, do të marrin pjesë artistë vendas dhe të huaj nga Indonezia, Venezuela, Spanja, Italia, Greqia etj./KultPlus.com
Unë jam e vaksinuar dhe jo nuk e di se çfarë përmban vaksina- as kjo vaksinë dhe as ato që kam marrë si fëmijë. Unë u besoj mjekëve kur thonë se është e nevojshme. Unë gjithashtu nuk e di atë çfarë përmbajnë të tjerat ilaçe, kjo vetëm shëron dhimbjen time.
Unë nuk e di se çfarë është në bojë të tatuazhit, ose çdo përbërës në shampon ose deodorantin tim as në sapun. Unë nuk e di efektin afatgjatë të përdorimit të telefonit celular, as nuk di nëse ushqimi që haja në restorant ishte përgatitur nga duar të pastra.
Shkurtimisht….. Ka shumë gjëra që nuk i di dhe nuk do t’i dij kurrë. Por një gjë e di: jeta është e shkurtër, shumë e shkurtër dhe unë ende dua të jetoj , përveçse thjesht të “mbyllem” në shtëpinë time. Unë ende dua të përqafoj njerëzit pa frikë.
Si fëmijë dhe i rritur, jam vaksinuar për poliomielit, rubeolë, etj., Dhe mjaft të tjerë; prindërit e mi dhe unë i besuam shkencës dhe kurrë nuk duhej të vuanim ose transmetonim ndonjë nga sëmundjet e përmendura …… thjesht thuajeni. Unë jam i vaksinuar, jo për të kënaqur qeverinë, por:
* Të mos vdes nga Covid-19
* Për të përqafuar të dashurit e mi
* Të mos kesh nevojë të bësh teste PCR ose antigjen për të shkuar në një restorant, për të shkuar me pushime dhe shumë gjëra të tjera në të ardhmen ……
* Për të jetuar jetën time
* Për të lënë fëmijet, nipërit e mbesat e tuaja të shkojnë në shkollë dhe në aktivitetet e tyre të kohës së lirë * Që Covid-19 të jetë një kujtim i vjetër
“Le Matin” ka botuar, të premten e 7 shtatorit 1928, në faqen n°3, një shkrim në lidhje me deklaratën e Mbretit Zog për Daily Express, ku ka shpjeguar asokohe arsyen e themelimit të monarkisë, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar.
Zogu I dëshiron të sigurojë mirëqenien e popullit të tij
Londër, 6 shtator. – Telefon. Matin. – Në një intervistë me të dërguarin e posaçëm të Daily Express në Tiranë, Zogu I ka deklaruar :
Rezultatet e para të themelimit të monarkisë do të jenë çlirimi i vendit tim nga përpjekjet partiake. Presidenti i republikës është domosdoshmërisht i detyruar të favorizojë ata që e zgjodhën atë, ndërsa partitë e tjera manovrojnë vazhdimisht për ta zëvendësuar atë me një nga kandidatët e tyre. Mbreti do të jetë mbi partitë. Ai do t’i shërbejë vetëm kombit. Ministritë, ushtria dhe xhandarmëria do të jenë në kontakt të drejtpërdrejtë me monarkun, pa kaluar nëpërmjet ndërmjetësve.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka thënë para mediave se varianti Delta i COVID-19 është shumë më agresiv se variantet tjera dhe se ai po i prek edhe moshat e reja.
Vitia ka thënë se një pjesë e të rinjve të infektuar po kanë edhe simptoma të rënda.
“Duket se në mesin e qytetarëve por jo vetëm është krijuar një ide se ky variant edhe pse po shpërndahet më shpejtë është më i lehtë se variantet paraprake. Me shumë keqardhje më duhet të ju them se kjo nuk është aspak e vërtetë. Ky variant në studimet e fundit tregon se përveç shpërndarjes shumë më të shpejtë se variantet tjera paraprake, është edhe një nga viruset më agresive respiratore për momentin. Shpërndarja e tij është me e shpejt se sa gripi i zakonshëm, dhe ekuivalentë me linë e ujit që është sëmundja më ngjitëse që njehë sot shkenca. Një pjesë e madhe e moshave të reja po kanë simptome edhe të rënda”, ka thënë ai.
Vitia është shprehur se kjo ka ndikuar edhe që të përkeqësohet situata në spitale për një kohë shumë të shkurtër.
“Kjo natyrisht ka përkeqësuar situatën edhe në spitalet tona ku për një kohë shumë të shkurtër janë mbushur me pacientë me COVID. Gjatë takimit me komitetin e SHSKUK, kjo ishte brenga kryesore e profesionistëve tanë. Fal angazhimit të personelit shëndetësorë në spitale janë rritur kapacitetet dhe përkundër vështirësive të shumta me të cilët po përballen ata, situata është në kontroll”, ka shtuar ai.
Vitia ka kërkuar nga qytetarët që të vaksinohen, e pasi të marrin dy dozat e vaksinës të presin deri në 14 ditë që vaksina të bëj punën e saj./KultPlus.com
Princeshë Diana është një nga personazhet më të përfolura të familjes mbretërore, edhe pse sot ajo nuk jeton. Si sot 24 vjet më parë lajmi i vdekjes së saj tronditi botën. Ajo vdiq në moshën 36-vjeçare, në një aksident rrugor në Paris, së bashku me të dashurin e saj Dodi Fayed dhe shoferin e tyre.
Diana vinte nga një familje fisnike dhe kishte një pasion të jashtëzakonshëm për baletin dhe pianon dhe gjithashtu adhuronte sportin më atletik, notin.
Historia e saj me Princ Charles nisi kur ajo ishte vetëm 16 vjeç. Që në takimin e parë Charles-i ishte magjepsur nga ajo, por mosha e Dianës mbetej një problem për dashurinë e tyre. Por historia do të vazhdonte vite më vonë dhe në vitin 1981 Diana dhe Charles kurorëzuan dashurinë e tyre me një ceremoni madhështore, që u ndoq nga 750 milionë njerëz nga e gjithë bota.
Ajo jo vetën që u bë pjesë e familjes mbetërore, por hyri në zemrën e të gjithë anglezëve. Bujare, e çiltër, humane dhe e palodhur, këto fjalë e identifikojë atë. Diana nuk ishte thjesht bashkëshortja e një princ, ajo arriti të tregonte vlerat që mbarte dhe të adhurohej nga e gjithë bota. Ajo ishte gjithmonë pranë popullit të saj, në të mirë dhe në të keqe dhe sot nga anglezët quhet “Princesha e Popullit”.
Diana dhe Charles sollën në jetë dy fëmijë, William dhe Harry-n, por përralla e tyre e dashurisë mbaroi. Ajo u divorcua nga Princ Charles në vitin 1996, por sërish ajo vazhdoi t’i shërbente popullit të saj.
Jo vetëm që e adhuronin, Diana ishte e rrethuar nga shumë njerëz që e kishin zili për bukurinë, zgjuarsinë dhe jetën e saj që i ngjante një skenari të një filmi.
Ajo e jetoi jetën plot pasion, por në 23 gusht të vitit 1997 erdhi fundi i jetës së saj. Ajo u përfshi në një aksident rrugor në tunelin në rrugën Pont de l’Alma,Paris, së bashku me të dashurin e saj, miliarderi Dodi Fayed. Dodi she shoferi vdiqën menjëherë pas aksidentit, ndërsa Diana u dërgua në spital në gjendje të rëndë dhe pavarësisht përpjekjeve të mjekëve ajo nuk arriti të shpëtonte. Mjekët konfirmuan vdekjen e saj rreth orës 4 të mëngjesit, ndërsa dëshmitarët treguan se“ O zot cfarë ka ndodhur” ishte fjala e fundit e Dianës.
Trupi i saj u dërgua në Londër nga dy motrat Lady Sarah McCorquodale dhe Lady Jane Felloëesdhe Princi i Wellsit. Ajo u varros me 6 shtator 1997, një varrim që u transmetua drejtpërdrejt në shumë media ndërkombëtare, ndërsa 3 milionë njerëz ishin të pranishëm në varrimin e saj.
Vdekja e saj u shoqërua me shumë mistere, hipoteza, aludime dhe dokumentarë, por edhe sot pas 24 vitesh nuk dihet se çfarë ndodhi me saktësi atë natë në Paris. Diana sot nuk jeton, por gjithmonë do të ngelet si Princesha më e dashur në histori, si edhe një nga gratë më të vlerësuara në botë./KultPlus.com
Arkitekti dhe artisti tashmë i ndjerë Maks Velo akuzonte kolegët e tij artistë, të cilët e kishin raportuar në Sigurimin e Shtetit gjatë kohës së diktaturës. Velo e cilësoi Lidhjen e Shkrimtarëve një qendër të ish-Sigurimit të Shtetit, ku analizoheshin dhe kontrolloheshin të gjitha punimet artistike qoftë në letërsi, ashtu dhe në artet e tjera. Dhe ishin, sipas Velos, po artistët e Lidhjes së Shkrimtarëve, të cilët bënin analiza artistike dhe ideologjike të veprave artistike të kërkuara nga Sigurimi i Shtetit.
Duke cituar një emër të përveçëm, Llambi Blido, Maks Velo thoshte se ai kishte bërë 27 denoncime, të cilat i ka hedhur poshtë dhe Sigurimi i Shtetit si të pavërtetuara. Ai akuzon Edison Gjergon apo Safo Markon, të cilët edhe ishin të goditur nga Sigurimi i Shtetit dhe bashkëpunonin me të. Me trishtim dhe aspak optimist për të ardhmen, Maks Velo shprehet se nuk po i ndahet përndjekja dhe në ditët tona. Velo tregonte se pasi i kanë marrë shtëpinë e gjyshërve në Dardhë të Korçës, e kishin penguar të shkojë në fshatin e të parëve, madje duke e kërcënuar. Duke denoncuar edhe nivelin aktual në arte, Velo kërkonte veting si ai i gjyqtarëve, edhe për artistët. Por dëshpërimin më të madh arkitekti e lidh dhe me Teatrin Kombëtar. Sipas tij, vendimi për të prishur Teatrin Kombëtar dhe për të ndërtuar një Teatër të ri bashkë me një kompleks kullash, Maks Velo e cilësonte korrupsion të pastër. “Të ndërtosh kulla në këtë mënyrë në mes të kryeqytetit, në mes të Europës, është e turpshme”, shprehej Velo.
Maks Velo
Libri është i rëndësishëm për disa arsye. Unë kam vite që e them se Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve ka qenë një tmerr. Kur e thosha këtë, të gjithë më dilnin kundër. Tani kur lexon librin, e kupton që kjo është e vërteta. Po ashtu dhe ai dokumenti që doli dje te “Panorama” për Fadil Paçramin, ekspertizën që kishte bërë Dalan Shapllo dhe Llazar Siliqi për dramat e Fadil Paçramit. Po si mund të futësh në burg një dramaturg meqenëse personazhet thonë këto gjëra?! Që kur ka lindur drama e deri më sot, meqenëse personazhet mund të thonë disa gjëra, duhet të futet çdo dramaturg në burg?! Nuk futet piktori në burg pse nuk të pëlqen piktura e tij. Kjo ishte Lidhja e Shkrimtarëve, ky ishte Dritëroi. Duhet ta kemi të qartë. Dritëroi po të ishte i drejtë, duhet të kishte dhënë dorëheqjen, duhet të ishte larguar.
Ai i dinte të gjitha. Ekspertizat e gjyqit për artistët janë bërë nga Lidhja. Lidhja e Shkrimtarëve nuk duhet të ishte qendër e Sigurimit të Shtetit, kur ajo merrte në analizë dhe kontrollonte të gjithë artistët. Si është e mundur që Llambi Blido ka bërë 27 denoncime dhe duke gënjyer madje, sepse vetë Sigurimi i Shtetit thotë: “Këto informacione që na jep Llambi, nuk na vërtetohen nga anë të tjera”. Ose i jep Llambit çantën që të vijë te studioja ime dhe Llambi do jepte informacione dhe njëkohësisht do jepej informacioni dhe nga çanta që të vërtetonin se kush gënjente. Unë nuk arrij ta kuptoj. Thonë në një vend në dosje, se si është e mundur që Maksi i beson akoma. Po si mund të mos i besoj unë një piktori, një artisti?! Çfarë bëja unë? Unë nuk thosha, do vras Enver Hoxhën! Të shohësh një libër për Pikason me vizatime, nuk është krim.
Sigurisht që janë implikuar shumë njerëz. Për Edisonin (Gjergon) më ka ardhur keq, nuk e besoja se Edisoni bënte raporte. Unë Edisonin e njihja që ishte natyrë e dobët, por në fakt e doja. Më erdhi keq kur lëshoi ato deklarata dhe u ndamë keq në Spaç. Megjithatë, kjo është një gjë e trishtuar, por ne duhet ta analizojmë sepse ka rrezik që kjo histori të na rikthehet në forma të tjera. Dëgjova vajzën e Llambit, që thotë se “babai im ka qenë burri i mirë dhe Maksi nuk di çfarë flet…”.
Si nuk i vjen turp që nxjerr nga goja këto fjalë?! Mua m’u shkatërrua e gjithë familja, babai vdiq i tmerruar, vëllain e hoqën nga kirurg, që ishte kirurg i shkëlqyer në Vlorë, motra shkoi në çmendinë. Çfarë njerëzish janë këta xhanëm?! Çfarë shpirt krimineli kemi?! Nuk arrij ta kuptoj! Si na ka bërë kështu ajo çadra e Urdoglusë?!
Unë mendoja se kisha shokë, kisha artistë rreth vetes, ata ishin përbindësha. Unë vajta të ngushëlloj Safo Markon, se i kishin arrestuar djalin, ajo më raportonte mua te Sigurimi. Nejse, megjithatë mendoj se nuk kemi ndryshuar shumë, po ata artistë janë, vetëm se tani e bëjnë në forma të tjera. Tani nuk të fusin dot në burg, por bllokojnë Galerinë. Tani kemi vetëm një piktor të madh që e cakton dikushi, të tjerë nuk ekzistojnë. Nejse!
Unë mendoj se në jetë kam bërë në mënyrë instiktive detyrën time dhe detyra ime është të krijoj. Sigurisht që jam shumë i trishtuar për këtë ecuri të jetës sime. Në fshatin Dardhë, më kanë marrë shtëpinë e gjyshit e të babait, aty ka lindur babai, ka lindur vëllai, dardharë. Dhe kush e bëri, do thoni ju? Teodor Laço, Koço Çomi, që Maksi të mos vijë në Dardhë. Më dolën me sëpatë në rrugë dhe kur, tani në 2018-n.
Sot është tjetër gjë, nuk të çojnë te Sigurimi i Shtetit, por të dalin me sëpatë. Shko nëpër gjykata po deshe që të gjesh të drejtën tënde. Kam 15 vjet që shkoj gjykatave dhe asgjë. Mesa duket, kështu do ta mbaroj jetën. Kisha gjithë dëshirën për t’i dhënë këtij vendi, por është e pamundur. Sepse problemi është se artistët tanë janë injorantë dhe kur injoranca bashkohet me ligësinë bëhet një eksploziv. Ti nuk i çan dot. Ne po bëjmë vetingun e gjykatës dhe të gjithë po shohim që nuk ka ngjarë në historinë e njerëzimit që një trupë gjyqësore të jetë e tillë. Të dalë gjykatësi të thotë: “Më hodhën 210 mijë euro në dasmë!” Tjetri thotë: “Fitova 50 mijë euro në bixhoz”. Vetingu për gjyqtarët ishte i vonuar, por unë këmbëngul se duhet bërë vetingu dhe për artistët. Sepse vjedhin pa turp dhe nuk bëhet diferenca e atij që vërtet bën një gjë origjinale dhe me atë që vjedh në mënyrë të sofistikuar. Dhe kështu nuk ecet përpara. Do na duhet një kohë shumë e gjatë që gjërat të ndryshojnë. Unë jam shumë pesimist, pesimizëm që ma ka shtuar dhe kjo çështja e Teatrit. Korrupsion më të pastër se me Teatrin nuk ka, të ndërtosh kulla në këtë mënyrë në mes të kryeqytetit, në mes të Europës, është e turpshme. / KultPlus.com
Fshati Tatzat në Delvinë të Shqipërisë, është një qoshk piktoresk, edhe pse pak i njohur, por që vizitohet rregullisht nga adhuruesit e natyrës dhe aventurës.
Natyrë e paqtë, plot ngjyra, aromë, tinguj, ujë i kristaltë burimi dhe ajër i pastër.
Bashkia e Delvinës përcolli pamje nga ky fshat në këto ditë të fundit të gushtit, duke u kujtuar adhuruesve të natyrës vizitën e radhës, transmeton KultPlus.
Pamjet tregojnë një mrekulli për t’u parë e prekur nga çdo adhurues i natyrës.
Tatzat ndodhet rreth 144 kilometra në jug të Tiranës. / KultPlus.com
Disa ngjarje janë kështu. Ato afrohen gradualisht si një ujk që të gjurmon nga pas.
Ose, siç do të thoshte Nietzsche, me hapa pëllumbi.
Nuk i dëgjojmë teksa vijnë dhe na duhet edhe një vesh i tretë për të dëgjuar pas atij ‘zëri të ulët, të qetë’, jehona e shpërthimit.
Ndodhi në Leuktra, atë ditë të shekullit 4 para erës sonë kur banda e shenjtë e Tebës copëtoi 400 spartanë, duke sjellë fundin e hegjemonisë lakoniane ndonëse askush nuk e dinte në atë kohë.
Ose në betejën e Kaprenës, 30 vjet më pas, e cila shënoi fillimin e zbehjes së pushtetit athinas.
Ose beteja në dukje e vogël e Pidnas, në Selanik, e cila vuri në lëvizje shembjen e ëndrrës së Aleksandrit dhe ishte fitorja e parë reale e perandorisë që po lindte në Romë.
Ose beteja e Adrianopojës, e cila nisi si operacion policor nga një legjion i nisur për të luftuar bandat e ostrogotëve; në atë kohë askush nuk e pa si aktin e parë të rënies së Romës.
Këtë mekanizëm e kam përshkruar në ‘Perandoria dhe pesë mbretërit’ (2019).
Ndodhi gjatë betejës pak të njohur për vendimtare në Kirkuk që Donald Trump braktisi aleatët kurdë të Amerikës në Irak.
I njëjti skenar po na shpaloset para syve teksa Joe Biden lë Afganistanin në mëshirë të fatit.
Pse nuk është ky kursi i duhur?
Sepse një fuqi e madhe u ka një borxh aleatëve.
Sepse, sado larg që mund të duket Afganistani dhe lufta e tij, imazhi i turmave të fëmijëve, grave dhe burrave që kapen në krahët e aeroplanëve amerikanë që lënë Afganistanin është shkatërrues.
Sepse gabimi është edhe më i madh se ai i bërë në Saigon më 1975, që njihet si një ditë e errët në historinë e rënies amerikane, por ku të paktën Gerald Ford pati dinjitetin të tërhiqej jo para – por pas – se të organizonte largimin e 135 mijë civilëve vietnamezë që i kishin shërbyer besnikërisht Amerikës.
Sepse në ëashington është spektakli i turpshëm i komandantit të përgjithshëm të asaj që ishte fuqia më e madhe në botë, i cili vjen nga pushimet e del në televizor për të numëruar arritjet brilante të operacionit të tij të dështuar e patetik të evakuimit – e pastaj edhe imazhi patetik i konfuzionit të tij pas vrasjes së 13 ushtarëve amerikanë.
Sepse një valë shoku shkoi prej andej në Tajvan dhe vendet baltike, duke kaluar përmes botës arabe e duke fshirë besimin në soliditetin, besueshmërinë dhe nderin a fjalës së Amerikës.
Dhe sepse pesë fuqi të tjera hidhen përpjetë nga rasti dhe përgatiten tani për të mbushur boshllëkun e krijuar nga ky debakël.
Është Turqia, presidenti i së cilës rekomandoi, në një bisedë telefonike me Putin, një qasje ‘graduale’ duke marrë në konsideratë talibanët.
Është Putin, i cili, në një konferencë shtypi me Angela Merkel, ku i lejoi vetes luksin e ofrimit amerikanëve ‘të papërgjegjshëm’ një leksion mbi qeverisjen, lëvdoi ‘sinjalet pozitive’ të dërguara nga talibanët, si dhe sjelljen e tyre ‘të civilizuar’.
Është Irani, i cili në korrik, pavarësisht diferencave me sunitët, dërgoi ministrin e jashtëm Mohammad Javad Zarif, për të përshëndetur disfatën e Satanait të Madh në prani të liderit taliban Sher Mohammad Abbas Stanikzai.
Është Kina, ministri i jashtëm i së cilës, ëang Yi, u takua më 28 korrik me dorën e fortë të talibanëve Abdul Ghani Baradar, tashmë numri dy i regjimit.
Dhe, sigurisht, është edhe internacionalja radikale islamike, e cila, duke ndjekur Katarin dhe Vëllazërinë Muslimane, e di që tashmë ka në dispozicion një shtet islamik krejtësisht të formuar, shumë më mirë nga sa kishte në dispozicion në Mosul apo Raqqa, prej nga mund të përgatisë sulmet e saj ideologjike – dhe – mos e dhëntë Zoti, terroriste – kundër demokracive të urryera.
A është ISIS kaq i ndryshëm nga talibanët? A duhet vërtetë të bëhemi aleatë me ‘Xhihadin e moderuar’ kundër atij radikal? Ky është një keqkonceptim real e i tmerrshëm…
Ngjarjet aktuale, sigurisht, nuk janë ende histori.
Qeniet njerëzore, të cilat bëjnë historinë, nuk janë kurrë të ndaluara nga një moment i papritur iluminimi që mund të parandalojë çka dukej si një fat i sigurt e i tmerrshëm.
Në Luginën e Panxhshirit, një tjetër Massoud, duke sfiduar mësimet e Marksit se historia e përsërit veten si farsë, është pikërisht në këto momente duke marrë stafetën e të atit, heroi i vrarë në prag të 11 shatorit 2001.
Dhe kam besim se nëse Perëndimi e ndihmon, nëse i përgjigjemi thirrjes së tij për ndihmë dhe kuptojmë se atje në atë luginë shprese dhe lirie hiqet vija e ndarjes midis pesë fuqive revizioniste dhe atyre që vazhdojnë t’u rezistojnë, nëse jemi aq të guximshëm sa të marrim në konsideratë që marrja e kontrollit nga talibanët është e paligjshme dhe se legjimiteti i vetëm afgan është sot në Panjshir, atëherë rezultati mund të jetë i ndryshëm nga ai që shfaqet sot.
Por për momentin, pas evakuimit nga Afganistani dhe masakrës në aeroportin e Kabulit, këto janë pozitat tona.
Imazhi i demokracive liberale, me simbol më të madhen mes tyre, është njollosur tragjikisht. Një rend i ri gjërash po shpaloset pjesë pas pjese në një rajon ku gjithkush e di që ishte vendi i lojës më të madhe.
Dhe mes zhurmës së helikave, kakofonisë së thirrjeve për ndihmë dhe, tani, stuhisë së bombave humane, po përsëritet një paradigmë – por me ndryshim rolesh, influence e mosbesim.
Nëse kjo mbetet e vërtetë dhe nëse harta e fuqive, influencave dhje aleancave merr formë sipas atij modeli, Kabuli do të jetë Pidna jonë. Kaprena jonë, Kirkuku ynë: Sot dhimbja jonë; së shpejti keqardhja jonë; e më pas, shumë shpejt, varri ynë. / KultPlus.com
Nga një bashkëpunim i Institutit Albanologjik me Universitetin e Humboldt-it në Berlin, më 30 gusht në Prishtinë u realizua Seminari me titull “Praktikat imagjinare dhe të zhdërvjellëta të migrantëve shqiptarë”.
Në dy sesione tematike studiues nga Humblodti dhe nga Prishtina, prezantuan dhe shkëmbyen idetë e hulumtimeve të veta, e përbashkëta e të cilave ishte tema e migracionit shqiptar. Çështje të “Letërsisë së diasporës dhe të narrativës së migracionit” u trajtuan nga Christian Voss (HU) e Belfjore Qose (UT) si dhe Hysen Matoshi (IAP) e Arben Hoxha (IAP).
Në sesionin e pasditës nga “Hapësira e praktika periodike e të përditshme të migrantëve shqiptarë” me rezultatet e hulumtimeve të veta nga praktikat e terrenitr u paraqitën Lumnije Kadriu (IAP), Agata Rogos (HU) dhe Arbnora Dushi (IAP).
Albanologia Agata Rogos e cila është edhe ndërlidhësja e këtij bashkëpunimi, solli gatishmërinë dhe vullnetin e prof. Voss, i cili është edhe drejtues i departamentit në Berlin, për bashkëpunime e hulumtime të përbashkëta në të ardhmen e afërt.
Për shkak të rrethanave të pandemisë, prof. Christian Voss nga Berlini u paraqit me video ku shprehu interesimin dhe gatishmërinë që departamenti i tij ka për projekte të përbashkëta me Institutin Albanologjik, ne fushën e studimeve të migrimeve, të kufirit, të trashëgimisë e gjuhësisë, të cilat synohen të shihen nga një nje spektër më i gjerë interdisiplinar. / KultPlus.com
Piktori dhe intelektuali kontrovers, Maks Velo, në një intervistë për të përditshmen Mapo kishte shpjeguar mes të tjerave se përse i ndan gegët nga veriorët dhe përse nuk i do këta të fundit.
Ja argumentet që rendit ai për shqiptarët e veriut, ku logjikisht futet edhe Kosova: “Le të vijmë te Fushë-Kruja, a e pe si stafi sigurues i presidentit Bush i hoqi orën nga dora, nga frika se mos ia vidhnin fushëkrujasit? Laçi? Janë rrezuar ose dëmtuar 36 shtylla të tensionit të lartë, si është e mundur? Vrasjet, edhe ditën e zgjedhjeve të 23 qershorit të kaluar”?
“Bëj një listë sa kriminelë ka Laçi, Fushëkuqja, Lezha, Shëngjini, Rrësheni, Bajram Curri etj., etj. Shkodra kishte 10 vrasje në 6-mujorin e parë, asnjë në Korçë. Kriminelë kombëtarë dhe ndërkombëtarë. Sa nga Veriu janë në burgjet shqiptare dhe të huaja? Veriu është bërë tmerri i Evropës. Dukagjini kishte mbjellë 115.000 rrënjë kanabis, gjuajti edhe policinë dhe dëmtoi helikopterin. Kukësi nuk paguan energjinë elektrike, e paguajmë ne për ta.
Në Lurë kanë prerë gjithë pyllin. Tropoja ka mbi 150 vrasje, kanë vjedhur edhe një bankë në Angli. Vumë një verior, Berishën, dhe na shkatërroi me themel.
Dy janë treguesit kryesorë. Krimi dhe dëshira për punë. Ky bën edhe bilancin”.
Ai thotë se është antimysliman “prej 500 vitesh”.
“Kam qenë luftëtar krahas Skënderbeut dhe jam vrarë nga hordhitë osmane. Islami nuk ka ardhur si fe apostolike, paqësore në tokat e Arbërisë. Islami është fe që është përhapur me dhunë. Islamin e sollën Hordhitë osmane. E shënova me H të madhe se ato ishin hordhi të padëgjuara… Osmanët për 500 vjet vetëm na shkatërruan dhe shkretuan. Prandaj, jemi sot kështu që nuk po e marrim dot veten. Islami edhe sot është e vetmja fe e dhunës. Nga Afganistani në Libi. Gjithë ajo hapësirë nuk gjen dot paqe. Dhe po tmerron botën. Xhihadistët kosovarë na kanë poshtëruar si asnjë tjetër me Skënderbeun monstër. Këtë nuk ua fal dot kurrë. Kanë 500 vjet që e urrejnë Heroin tonë. Por, nuk do të ngrihen kurrë dot mbi të. Nuk do të ndajnë kurrë dot prej tij. Sepse ai është garancia që na bashkon me Evropën, me krishterimin. Prandaj, ata duan ta presin këtë lidhje. Ata urrejnë dhe fyejnë Nënë Terezën, që është shenjtorja jonë, filozofja më e madhe që ka nxjerrë Ballkani. Ata duan shkatërrimin e çdo trashëgimie të krishtere. Po mos ishin ata, shqipja nuk do të ishte një nga pesë gjuhët (e vetmja gjuhë e një populli të vogël) në përkthimin e deklaratës për formimin e Kalifatit. Nuk ka fyerje më të madhe për ne dhe për shqipen. Ata pretendojnë se Shqipëria është pjesë e Kalifatit”, ka thënë Velo.
Kjo intervistë është publikuar në Mapo, në vitin 2014 kur edhe e ka dhënë këtë mendim artisti shqiptarë për veriorët dhe kosovarët/KultPlus.com
Sopranoja Elbenita Kajtazi, është një nga artistet më aktive në skenat evropiane. Ajo do të debutojë këtë javë në sallën e koncerteve “Konzerthaus” të qytetit të Berlinit, me operën “Rita” të kompozitorit italian Gaetano Doniceti, transmeton KultPlus.
Portali i njohur “Opera Wire“, e ka cilësuar Kajtazin si artisten e javës. “Në opera do të luajë një kast këngëtarësh të rinj, duke përfshirë yllin në rritje Elbenita Kajtazi, e cila do të këndojë rolin e titullit”, thuhet në ”Opera Wire”
Donizetti shkroi gati 70 opera, shumë prej të cilave janë harruar. Gjatë viteve të fundit shumë nga veprat e tij janë rizbuluar falë shfaqjeve të koncerteve, festivaleve ose regjistrimeve. Këtë javë audienca gjermane do të zbulojë operën “Rita” në Konzerthaus Berlin. Opera do të luahet nga një kast këngëtarësh të rinj duke përfshirë yllin në rritje Elbenita Kajtazi, e cila do të këndojë rolin kryesor.
Sopranoja, e cila vjen nga Kosova, kthehet në Berlin, ku auditorët e kanë njohur atë ndër vite. Kajtazi ishte një artiste e re në Deutsche Oper Berlin nga viti 2014 në 2016 dhe interpretoi role të shumta duke filluar nga Verdi, Mozart tek Puccini, Janacek dhe Humperdinck.
“Rita” do të jetë opera e dytë Donizetti e sopranos pas “L’Elisir d’Amore” të cilën ajo e interpretoi shumë herë në Essen, Padova dhe Berlin. / KultPlus.com
Si sot, më 31 gusht 1931 u lind në Paris piktori, studiuesi, arkitekti dhe shkrimtari Maks Velo.
Pas lindjes së tij në Francë, familja Velo vendos të kthehet përsëri në Shqipëri, në Korçë ku Maksi kaloi fëmijërinë.
Me të mbaruar gjimnazin Maksi vazhdoi studimet në degën e Inxhinierisë së Ndërtimit, pranë Institutit Politeknik. Më pas u specializua për arkitekturë. Në vitin 1960 ka marrë pjesë në projektimin e parë që u bë në Tiranë dhe më pas ka punuar pranë byrosë së projektimit të Tiranës. Vitet ’78-’79 ishin vitet më të vështira të jetës së tij pasi u arrestua dhe u dënua me 10 vite burg.
Ai ka vuajtur dënimin në burgje gjatë regjimit komunist dhe një pjesë e krijimtarisë së tij i është dedikuar dimensionit të lirisë në diktaturë. Gjatë viteve të fundit ka marrë pjesë gjerësisht në debatet për menaxhimin e hapësirës publike përmes artikujve publicistikë dhe aktiviteteve të tjera.
Velo është autor i një sërë botimesh si “Kokëqethja”, “Palltoja e burgut”, “Thesi i burgut”, “Paralele për arkitekturën”, “Kohë antishenjë”, “Betonizimi i demokracisë”, “Hetimi”, “Spaçi”, “Jeta ime në figura”, “Klubi Karavasta” “Përkthyesi”, “Jetë paralele”, etj.
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave duke përkujtuar publikoi sot materialin e mbledhjes së organizatës së Lidhjes së Shkrimtarëve ku flitet për Maks Velon. / KultPlus.com
Artisti i njohur kanadez, Justin Bieber ka thyer rekord në platformën muzikore, ”Spotify”, duke u bërë artisti më i dëgjuar, përcjell KultPlus.
Bieber ka grumbulluar gjithsej 83.3 milionë dëgjime gjatë muajve të fundit dhe kjo është hera e parë që një numër i tillë është arritur nga një artist gjatë një periudhe kaq të shkurtër.
Pas tij vijnë edhe The Weeknd, i cili ka arritur 74.5 milionë dëgjime në muaj e më pas vjen Ed Sheeran me mbi 72.4 milionë.
Rekordi i mëparshëm ishte 82 milionë klikime nga këngëtarja amerikane, Ariana Grande. / KultPlus.com
Tashmë është bërë publike traileri i sezonit të tretë të serialit të famshëm amerikan, ”You”. Penn Badgley rikthehet si vrasësi Joe Goldberg në sezonin e tretë të “You” dhe ai do të bashkohet me një personazh të ri që do të jetë: djali i tij, transmeton KultPlus.
Netflix bëri publik trailer-in e serialit, ku njëherit edhe konfirmoi që premiera e këtij sezoni do të jetë më 15 tetor të këtij viti
Ata zbuluan një përmbledhje të sezonit të tretë me Joe dhe Love (Victoria Pedretti) si të martuar duke rritur djalin e tyre të vogël të quajtur, Henry.
Siç zbulon traileri, Goldberg diskuton për emrin që do t’ia vendosë djalit duke u kthyer në momentet ikonike të sezonit të dytë përpara se të vendoste përfundimisht për emrin e Henry.
“Një djalë nuk ishte ajo që po prisnim”, tha ai. “Unë do të jem njeriu që do të kërkoni, njeriu që do të jesh krenar ta quash baba”. / KultPlus.com