Kur Xhevat Qena uronte Vitin e Ri 1985 (VIDEO)

Në 5 tetor të vitit 1932, lindi Xhevat Qena, aktori i qindra roleve në film e teatër. Për mbi dyzet vjet në skenë, Xhevat Qena hyn në radhën e aktorëve cilësor, me merita te pakontestueshme për teatrin kosovar.

Këngëtarë, valltarë e humoristë të njohur angazhoheshin për të sjellë një program sa më të pasur festiv në Vitin e Ri 1985 dhe në Vitin e Ri 1989, e që transmetoheshin në Radio Televizionin e Prishtinës, shkruan KultPlus.

“Shikues të nderuar, ju falënderojmë dhe kalofshi mirë me të gjitha të mirat gjatë vitit 1985”, kështu i uron të gjithë shikuesit e RTP-së, aktori i ndjerë, Xhevat Qena.

Po ashtu në mbrëmjen e ndërrimit të motmoteve shikuesit i shoqëronin edhe aktorët e humoristet më të mirë të asaj kohe, si Fitim Domi, Adem Mikullovci, Shirine Morina, Ali Ahmeti e Sabri Fejzullahu.

Për ta pasuruar edhe më shumë këtë program festiv angazhoheshin edhe Shoqëritë Kulturore- Artistike të qyteteve të ndryshme, si SHKA “RamizSadiku”, SHKA “GanimeteTërbeshi” nga Gjakova, ku bënin pjesë këngëtarë të muzikës popullore dhe argëtuese si Ismet Bogujevci, Shkelzen Jetishi, NysretMuçiqi.

Në një video nga arkivi i RTK-së, shihen një numër i konsiderueshëm i valltarëve, të cilët përcillen me instrumente të ndryshme e muzikë të lehtë, gjera me veshje kombëtare sillnin një vallëzim shumë të këndshëm për shikuesit./ KultPlus.con

23 vjet nga vrasja e Bajram Kelmendit dhe dy djemve të tij

Sot u mbushën 23 vjet nga vrasja e avokatit të shquar shqiptar Bajram Kelmendi dhe dy djemve të tij, Kastriotit dhe Kushtrimit.

Kujtojmë se atëkohë avokati Kelmendi së bashku me dy djemtë e tij ishin marrë me dhunë nga forcat serbe me datën 24 mars, pikërisht në ditën që NATO-ja edhe filloi bombardimet e para në Kosovë ndaj caqeve serbe.

Bashkëshortja e avokatit Bajrami dhe nëna e dy djemve të saj, Kastriotit dhe Kushtrimit, Nekibe Kelmendi, tashmë e ndjerë, lajmin për vendndodhjen e kufomave të familjarëve të saj e kishte marrë më 26 mars.

Kufomat ishin gjendur afër një distributori gazi në rrugën Prishtinë – Fushë-Kosovë.

Kujtojmë se Kelmendi si avokat kishte proceduar një dosje për krimet e regjimit të Milosheviqit në Kosovë, të cilën do ta dorëzonte në Hagë. https://zeri.info/inarticle.html

Bajram Kelmendi ishte edhe aktivist në Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave e Lirive të Njeriut. / KultPlus.com

Kurti: Ndërhyrja e NATO-s për të ndalur gjenocidin në Kosovë mban vulën e Albright

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me kryekuvendarin Glauk Konjufca, kanë bërë homazhe te busti i i ish Sekretares së Shtetit, Madeleine Albright, e cila ndërroi jetë të mërkurën në moshën 87 vjeçare.

Pas homazheve, Kurti tha se ndërhyrja e NATO-s për të ndalur gjenocidin në Kosovë, me bombardime kundër Jugosllavicë dhe Serbisë së Millosheviqit, mban vulën e Albright, dhe për këtë, kryeministri tha se do t’i jemi përjetë falënderues e mirënjohës.

“Politika, diplomacia dhe historia, vështirë se do të kombinohen në një mënyrë më të përsosur se sa te personaliteti i jashtëzakonshëm i zonjës Albright. Ajo në politikë ishte historiane, në histori, diplomate, ndërkaq në diplomaci ishte politikane. Kur kemi parasysh përvojën e saj jetësore si emigrante hebreje në ShBA e cila fëmijërinë e ka kaluar gjatë luftës së dytë botërore dhe pastaj është shkolluar në vendin tempull të demokracisë është bërë sekretarja e parë e ShBA-ve grua, natyrisht se kemi të bëjmë me një figurë e cila nuk i takon vetëm shekullit 20, por edhe 21”, tha Kurti.

“Çdo herë kur fliste, vepronte ose shkruante, ishte aq profesionale në secilën prej asaj çfarë bënte e thoshte saqë nuk mund të quhet profesioniste për shkak të qenies së saj të gjithanshme. Dija e saj e thellë, mendja e mprehtë, dashuria e paepur për të drejtat e qytetarëve, orientimi i saj për demokracinë sociale e njohuritë e jashtëzakonshme për gjeopolitikën, e bëjnë personalitet i cili do të kumbojë gjatë jo vetëm në politikën dhe qeverisjen në ShBA e të Kosovës, por edhe në shumë vende të botës. Ndërhyrja e NATO-s për të ndalur gjenocidin në Kosovë, me bombardime kundër Jugosllavisë dhe Serbisë së Millosheviqit, padyshim se mban vulën e Albright dhe për këtë do t’i jemi përjetë falënderues e mirënjohës”, tha Kurti, transmeton Klankosova./KultPlus.com

99 vjet nga lindja e Gjon Shllakut, përkthyesit të shquar të klasikëve helenë, latinë, francezë

Gjon Shllaku (Shkodër, 24 mars 1923 – 16 gusht 2003) ka qenë seminarist dhe më tej u shqua si përkthyes i klasikëve helenë, latinë, francezë.

Jeta

Leu djali i dytë i Prelë Shllakut dhe Pinës së Hilë Temalit, mes Lecit dhe Luigjit. Gjyshi i tij kishte rënë nga fundi i shek. XIX prej Logut të Gegajve të Shllakut në Shkodër, i ati kishte qenë blegtor në toka të marruna me qira. I ati i vdes qysh kur Gjoni ishte 1 vjeç, si rrjedhim duke mos e njohur të atin. Rritet jetim tek daja Ndoc Hilë Temali.

Tri klasët e para të fillores i kreu në kolegjën françeskane, ndërsa klasën e katërt dhe të pestë në shkollën shtetërore tek “Dugajtë e reja”. Nga 24 shtatori 1935 deri 9 dhjetor 1945 studioi në Seminarin Papnuer të Jezuitve duke bërë edhe vitet e larta të teologjisë dhe filozofisë[1]?, studjoi për pesë vjet greqishten e lashtë, dhe për tetë vjet latinishten. Filozofia dhe teologjia jepeshin në latinishte, si gjuha e klerit që ishte. Nuk jepej gjuhë tjetër ndërkohë. Si student lexoi klasikët e antikitetit helen Sofokliun, Eskilin dhe Euripidin[2]. Filloi të shkruante me pseudonimin Lyricus.

Më 9 dhjetor 1946 ra në burg, ishte në 23 vjeç. U dënua me burgim të përjetshëm (101 vjet) fillimisht si antar i grupit të “Bashkimit shqiptar”, si përfundim bëri 12 vjet në burgun e Burrelit dhe në batat e Myzeqesë. Në burg u njoh me Peshkop Visarion Xhuvani, me të cilin thelloi njohuritë në greqishten e vjetër[1] , prej të cilës përktheu pjesë nga Bibla – Apostujt dhe Shenjtorët. Pati hasur edhe në një antologji të veprës së Homerit, të cilën e përktheu. Në burg nxuri greqishten e re, spanjishten dhe anglishten[2]. Pas daljes nga burgu më 1957[3] ka punuar te ndërmarrja Zukth-Kashta në Shkodër si llogaritar-normist deri në pensionim[4]. Pas rënjes së regjimit gëzoi njohjen e duhur të mundit, dhe vdes pak muaj mbasi mbushi të tetëdhjetat.
Përkthime dhe leksikografi[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Një ndër mjeshtrat e këtij zanati, përktheu pjesë nga “De rerum natura” e Lukrecit dhe nga “Eneida” e Virgjilit kur ishte ende në Seminar. Në moshën 16 vjeçare përktheu të plotë “Gjeorgjikat” e Virgjilit.[1] 17 vjeç përkthen Ben Hur-in e Lju Uallasit[5]. Përktheu tekste biblike nga greqishtja e vjetër, “Punët e Apostujve” dhe “Apokalipsi”[6]. Në vitin 1965 shqipëron “Iliadën” në standardin e atëhershëm, më pas u ribotua më 1979 në standardin e paskongresit 1972. Më 1995 boton shqipërimin e shtatë tragjedive të Sofokliut – përkthim që në kohë të regjimit nuk iu pranua nga Akademia, me “Kangët e Rolandit” (bot. më 2003) dhe “Le Cid” të Kornejit. Dy muaj përpara vdekjes mbaroi hartimin e “Fjalorit latinisht-shqip” të nisur prej shumë vitesh me afërsisht 65.000 fjalë. Ka lënë të pa përfunduar “Fjalorin greqisht-shqip” me rreth 18.000 fjalë. Bëri të flasë shqip Ovidin, Horacin, Shekspirin, Hygoin, Rasinin, De Musenë, Lamartenë, Shatobriandin deri tek Papa Gjon Pali i Dytë. Çmonte Nolin, Dakajn, Alkajn, Lacajn, Çomorën[7].

Veprat

Ka shkruar po ashtu edhe vepra të vetat, si dramat “Dy Lekët”, “Judita dhe Holoferni” dhe “Skënderi e Zulejka”. Gjatë qëndrimit në burgun e Burrelit, nis më 1950 shkrimin e dramës “Skënderi dhe Zulejka”, që e përfundoi në aeroportin e Urës Vajgurore, Berat. Me anën e dy shkodranëve të rinj, teknikë të jashtëm në pistën e Beratit, u realizua dalja e veprës së vetme të shpëtuara. Pas 47 vitesh i vëllai, regjizori Lec Shllaku, ia dorëzoi dorëshkrimin. Ky është i pari daktilografim që përfundoi në orën 20 dt. 20 nëntor 1999[8].

Mirënjohje

Më 25 dhjetor të 1995 i jepet titulli “Profesor” nga komisioni i kualifikimit shkencor, muaj kur dekorohet po ashtu me Urdhrin Naim Frashëri i Artë nga presidenti Sali Berisha. Në prill të 2003 i akordohet nga Pres.residenti i Republikës Alfred Moisiu urdhri “Mjeshtër i Madh”[9] dhe nga Këshilli bashkiak i Shkodrës “Qytetar nderi i Shkodrës”[1]. Po ashtu dekorohet me Urdhrin Naim Frashëri i Artë nga presidenti, fitues i “Penës së Artë” të dhënë nga MTKRS për përkthimin e “Gjeorgjikave” të Virgjilit më 2001. Fitues i ”Diskut e Argjendtë” nga qeveria greke me anë të ambasadës së saj në Tiranë[10].

Çështje diskutimi

Në një intervistë Gj. Shllaku përcjell se qe 16 vjeç kur hyri në Seminar[2], ka gjasë që data e lindjes në këtë artikull të bashkëndajë të njëjtin tipar josaktësie me raste të tjera në ato kohëra si p.sh. rasti i datëlindjes së Zef Pllumit. /KultPlus.com

19 vjet nga vdekja e aktorit të shquar, Xhevat Qena

Xhevat Qena ka luajtur qindra role ne teatër. Rolin e pare kryesor e ka luajtur ndërmjet viteve 1956-1957. Sensi i tij për komiken si dhe profili i tij i veçantë kanë bërë që ai te jetë një prej aktorëve me te kërkuar ne komedi, megjithëqë, sic pohon ai ne një intervistë te tij, me tepër e ka dashur dramën: “Une e kam dashur dramën se e kam ne vete njëfarë dramaciteti, e kam njëfarë fuqie për drame… P.sh., roli që me ka lënë mbresa shumë ka qenë një rol episodik i një avokati, i një te çmenduri, ne dramën “Oda e errët”. Gati jam çmendur edhe vete, duke u thelluar ne atë rol”. Kolegët dhe njerëzit që njohin potencialin e tij, mendojnë se është mëkat që ai është shfrytëzuar shumë pak ne drama.

Xhevat Qena ka luajtur shumë, edhe role kryesore edhe role te dyta apo madje edhe te treta. Aktori Dibran Tahiri pohon se kur ne ndonjë shfaqje teatrore ka partner Xhevat Qenën, ndien siguri te madhe. Xhevat Qena mund te përshkruhet si aktor që ka një aftësi te jashtëzakonshme te mbajë te përqendruar vëmendjen e publikut. Është shumë sugjestiv, aktor që, siç shprehet ai vete, është përpjekur gjithmonë te jetë “përdhesë”, i “tokës”. Krijon improvizime, por gjithmonë ne kontekst te batutës se partnerit, ne kontekst te situates ne te cilën ndodhet personazhi që ai luan.. .”Edhe nëse Xhevati ka luajtur vetëm ne një skenë te vetme, nuk ka qenë e mundur te kalojë ‘pa u hetuar’ prej publikut. Xhevati është aktor që di t’i krijojë hapësirë vetes…”, shprehet aktorja Igballe Qena.

Qena la pas vete një pasuri të madhe kulturore, duke qenë i dalluar me stilin e tij të aktrimit dhe me rolin e tij të dallueshëm në paraqitjet e tija, ndërsa së bashku me gruan e tij Leze Qena, i hasim në shumë produksione televizive dhe filma.

Duke qenë si një nga personazhet kryesore dhe më të mëdha të kulturës shqiptare,  Xhevat Qena ka luajtur në teatër ndërmjet viteve 1956- 1957. Sensi i tij për komiken si dhe profili i tij i veçantë kanë bërë që ai te jetë një prej aktorëve me te kërkuar ne komedi, megjithëqë, sic kishte pohuar ai ne një intervistë te tij, me tepër e ka dashur dramën.

Një prej roleve me te suksesshme te Xhevat Qenës është padyshim ai ne shfaqjen “Përqafimi”, i autorit Ranko Marinkoviq, me regjisor Tomislav Durbeshiqin, ku kishte partner Dibran Tahirin. Shfaqje tjetër, ku potenciali i Xhevat Qenës si aktor del i plotë, është “Duart e ndyra”, te Sartrit, ne te cilën luan edhe bashkëshortja e tij Leze Qena, pastaj shfaqja “Ushtari i mire Shvejk”, ne regji te Abdurrahman Shalës, ku Xhevat Qena luan rolin e Shvejkut, një personazh tragjikomik. Mandej, ne shfaqjen “Vinetu” (vitet e 60-ta), ne te cilën luan rolin kryesor, atë te Vinetus, personazh i njohur i filmave uestem te asaj kohe. /KultPlus.com

Bombat e NATO-s dhe fundi i pushtimit serb në Kosovë

Përkujtesë historike: 24 mars 1999

BOMBAT E NATO-s DHE FUNDIT I PUSHTIMIT SERB NË KOSOVË

Nga Jusuf BUXHOVI

Fushata ushtarake ajrore e NATO-s ndaj caqeve ushtarake dhe policore jugosllave në Kosovë dhe Serbi nga 24 marsi deri më 10 qershor 1999, paraqet një ngjarje  gjeostrategjike të përmasave botërore, jo vetëm pse parandaloi soldateskën e Millosheviqit që çështjes së Kosovës t’i japë zgjidhje ushtarake në përputhje me projektin e pastrimit etnik të saj me mjetet e luftës, por edhe për atë se Aleanca Veriatlanike e drejtuar nga administrata amerikane, në pesëdhjetëvjetorin e saj, ndryshoi edhe karakterin, nga faktori i sigurisë veriatlantike, që kishte gjatë bipolaritetit blokist,  tek krijuesja e paqes.

Veprimi ultima ratio i NATO-s, ndonëse  theu edhe rendin e deriatëhershëm botëror të sovranitetit shtetëror, u bë me pretekste humanitare në përputhje me pikën shtatë të kartës së OKB-së, me të cilën parashihet ndërhyrja humanitare në rastet kur shteti përdor mjetet ushtarake kundër pakicave ose grupeve etnike. Vendet perëndimore në krye me SHBA-të ia dolën që në nëntor të vitit 1998, pas masakrave të forcave policore dhe ushtarake jugosllave në Drenicë, gjatë marsit, me ç’rast u masakruan familje të tëra (të Delijajve, Jasharëve e të tjera) si dhe ofensivës së verës  dhe vjeshtës ndaj grupeve të UÇK-së në gjithë vendin, në Këshillin e Sigurimit të OKB-së të nxjerrin një rezolutë (1353) ku bëhet fjalë për krizën humanitare që kërcënonte popullatën e Kosovës, veçmas zhvendosjen e mbi 200 mijë vetave që u ishin shkatërruar shtëpitë dhe pronat. Kjo, megjithatë, nuk e ndaloi regjimin e Beogradit, që përkundër marrëveshjeve  me OSBE-në, OKB-në dhe NATO-n, për ndërprerjen e luftimeve dhe kthimin e të zhvendosurve, duke siguruar kushie për to, të vazhdojë misionin për pastrimin etnik të Kosovës me anën e provokimeve luftarake, siç ishin masakra e Raçakut në janar të vitit 1999 si dhe krimet tjera në Rugovë të Hasit dhe pjesë të tjera të pambrojtura, ku përherë pretekste gjendeshin te”provokimet” e njësive të UÇK-së, ndonëse në nëntor të vitit 1998, Millosheviqi kishte shpallur fitoren ndaj “terroristëve shqiptarë”.

Sjellja e tillë e Millosheviqi, në shkurt të vitit 1999, i detyroi perëndimore në krye me SHBA-të, që luftën e deriatëhershme diplomatike ndaj Beogradit ta kthejnë në diplomaci të luftës. Kjo u pasqyrua më së miri me thirrjen e Konferencës ndërkombëtare të Rambujesë nga 6 shkurti deri më 18 mars, me ç’rast, delegacionit të shqiptarëve të përbërë nga përfaqësuesit e LDKS-së, UÇK-së, LBD-së dhe dy përfaqësuesve të pavarur si dhe delegacionit të Serbisë,iu ofrua një pako kushtesh ultimative për ndërprerjen e luftimeve dhe krijimin e rrethanave të paqesh, të cilat, në formë e një letre zotuese, u pranuan nga shqiptarët, por u refuzua nga Millsheviqi, me çka u krijua casus belli për fushatën ushtarake 78 ditësh, që përfundoi me marrëveshjen e Kumanovës  midis gjeneralëve të NATO-s dhe Armatës Jugosllave për tërheqjen e forcave policore dhe ushtarake nga Kosova. Marrëveshja ushtarake e Kumanovës e 10 qershorit ia hapi rrugën rezolutës 1244 të KS të OKB-së të 12 qershorit, me të cilën Kosova u vu nën administrimin ndërkombëtar  nën përgjegjësinë e misionit të KFOR-it dhe të UNMIK-ut, që zgjatën deri më 17 shkurt 2008 kur Kosova shpalli pavarësinë.

Natyrisht se 24 marsi i vitit 1999, si ngjarje që pas fushatës njëmbëdhjetë javësh ajrore të NATO-s i dha fund pushtimit 87 vjeçar serbo-jugosllav të Kosovës, nuk duhet parë të shkëputur nga zhvillimet shoqërore politike që përcollën fatin e Kosovës dhe të pjesëve të tjera të etnisë shqiptare të shkëputura dhunshëm nga trungu i saj me vendimet e Konferencës së Ambasadorëve të Londrës të vitit 1913, atyre të Konferencës së Paqes të Parisit të vitit 1920, Konferencës së Jaltës dhe veçmas ato që solli përfundim i Luftës së Dytë botërore, pas intermexos së shkurtër të “bashkimit” të pjesshëm (1941-1944), meqë ato vazhdimisht pasqyruan kundërshtimin pushtimit serbo-jugosllav me kryengritje, luftë kaçake dhe forma të tjera të rezistencës  popullore paçka se u përcollën me shtypje dhe terror të egër policor dhe ushtarak. Natyrisht se përpjekjet e shqiptarëve për bashkim kombëtar dhe përkatësi botës perëndimore nuk u shuan as atëherë, kur pas përfundimit të Luftës së Dytë botërore, ideologjia komuniste si dhe bashkëpunimi internacionalist shqiptaro-jugosllav në frontin e përbashkët antifashist në rrethanat e vëllazërim-bashkimit midis Tiranës dhe Beogradit, Kosovës ia riktheu pushtimin serb bashkë me metodat e njohura antikombëtare (terrorin shtetëror ndaj “kundërrevolucionarëve” dhe “kuislingëve”, kolonizimin e serbëve të përcjellë me shpërnguljen e shqiptarëve për në Turqi) si dhe metodat tjera të dhunës shtetërore, që vazhduan deri në vitin 1966. Periudha postbrioniane, e pasqyruar me përpjekjet për barazi, që në demonstratat e vitit 1968 patën për moto kërkesën për Republikën e Kosovës, hapën kapitullin e luftës për zgjerimin e identitetit kulturor, arsimor dhe zhvillimit ekonomik mbi bazat institucionale, që për pikënisje kishin shkëputjen nga Serbia nëpërmes lidhjes me federatën jugosllave, siç do të arrihet me kushtetutën e vitit 1974. Kërkesa legale për barazi  në federatë nga klasa intelektuale dhe ato të grupeve ilegale, që vepruan vazhdimisht me platformën e çlirimit  dhe të bashkimit qoftë edhe me anën e irredentizmit ideologjika të bazuara mbi të drejtën e vetëvendosjes së popujve, u bënë kompatabile dhe u vunë në binarët e njëjtë politik, çastin që Beogradi, më 23 mars 1989, n rrënoi me dhunë autonominë e Kosovës. Lëvizja kombëtare që u themelua më 23 dhjetor 1989, nepërmes një puçi kushtetues, mori përsipër procesin e rezistencës institucionale (me shtetin paralel), e cila, në vitin 1997, me daljen në skenë të UÇK-së nga shtrati i guerilë së Kosovës, vuri në veprim diplomacinë e luftës. Pra, angazhimi dhe mundi i shumë gjeneratave për barazi dhe liri, ku nuk u kursye edhe gjaku,  e mbi të gjitha përcaktimi që çlirimi nga Beogradi të bëhet me ndihmën e Perëndimit (SHBA-ve dhe NATO-s), këtij procesi historik ia siguruan suksesin, që solli edhe shtetin e Kosovës – të arriturën më të madhe të këtij shekulli./ KultPlus.com

Copëza ditari 22-24 mars 1999: Babi na qetësonte me fjalë e mami thërriste të afërmit për t’i pyetur a janë mirë

Profesoresha e muzikës dhe aktivistja Besa Luzha, një vit më parë, në 22 vjetorin e bombardimeve të NATO-a kundër forcave serbe, ka ndarë me publiku një pjesë nga ditari i saj nga ajo kohë bashkë me një fotografi që e shpërfaq frikën e madhe që po përjetonin njerëzit, përcjellë KultPlus.

Luzha shpalos frikën që i kishte kapluar në atë kohë dhe shpresën për jetesë.

Më poshtë po ju sjellim të plotë postimin që Besa e ka ndarë me ndjekësit e saj në facebook:

Më 22-23 mars 1999, sapo isha kthyer nga një vizitë studimore në Universitetin e Muzikës dhe të Artit Dramatik në Graz, si pjesë e delegacionit nga Fakulteti i Arteve-Dega e Artit Muzikor, UP, të udhëhequr nga Profesoresha Lejla Pula.

Miqtë tanë në Graz, çuditeshin, si disa nga ne mu një ditë para ditës së paralajmëruar ne donim të ktheheshim në Kosovë.

Unë kisha Blendën, vajzën 4 vjeçare që e kisha lënë në shtëpi. As që mendoja ndonjë opsion tjetër.

Më 24 Mars 1 gjatë ditës, mbajta mësim piano me nxënësen time Dea Gashin, në shtëpinë e familjes së Mesut dhe Diana Gashit.

Pas orës së pianos, në oborr bashkëbiseduam, uruam Mesutin për ditëlindje, dhe duke pirë kafe shqyrtonim opsionet, të rrimë në shtëpitë tona apo të ikim, të largohemi. Unë, sapo isha kthyer, e familja Gashi kishte mendimin që nuk kemi ku të shkojmë e si ti lëmë shtëpitë tona.

U ndamë me dëshirën që të vazhdojmë orët e pianos me Dean. Ajo më përqafoi, ashtu si edhe dy motrat e saj dhe Trimi i vogël 3 vjeçar që më donte shumë si mësuese që isha.

Me Blendën shkuam te shtëpia e gjyshit Isak, në Aktash.

Në shtëpi, kishin filluar përgatitjet për tu mbrojtur nga ajo që pritej të ndodhë atë mbrëmje.

Ne nuk e dinim si do të bëhet bombardimi edhe pse të gjithë shpresonim dhe e kërkonim aq shumë këtë veprim nga Nato.

Krejt çka kishim dëgjuar e dinim ishin përvojat nga bombardimi i Sarajevës. Mbyllja e xhamave me batanije, përgatitja e pakove me ushqim rezervë dhe çantat e udhëtimit për secilin në rast ikje me gjërat më të nevojshme dhe nga pak para e numra telefonash të të afërmeve. Si nënë e re, preokupimin kryesor e kisha si të mbroj fëmijën tim.

Pak para orës 19.00 motra ime Bardha thirri në telefon, ajo nuk ishte në Kosovë dhe me ngashërim na porositi të kemi kujdes sepse, siç tha ajo, aeroplanët e NATO-s u nisën nga baza në Itali.

Ndërkohë unë po i shikoja vetë në TV, aeroplanët duke u nisur, në Euro Neës

“E di motër”-i thashë. “Po i shoh në TV”.

U përshëndetëm me dëshirën që gjithçka të përfundojë mirë dhe të shpëtojmë e te bashkohemi.

Instinktivisht me të ndërprerë bisedën, veprimin e parë që bëra, e futa vajzën në një skutë në mes divanit dhe stufës dhe e mbulova me batanije.

Filluan sulmet. Një ndjenjë e çuditshme e përzier gëzimi, frikë, pasigurie. Të gjitha përnjëherë.

Pranvera, motra më e re, se di ku e gjeti idenë dhe mori aparatin e në ato çaste veç fotografonte.

Babi na qetësonte me fjalë e mami thirrte të afërmit me telefon për ti pyetur a janë mirë. Papritmas një krismë shumë e madhe u dëgjua saqë e dridhi gjithë shtëpinë. Vajza doli nga skuta e frikësuar. E mora e përqafova fort e ndonëse vet e frikësuar deri në palcë, përpiqesha ta siguroja atë që gjithçka do të përfundojë mirë.

Të nesërmen morëm lajme të kobshme për vrasjen e Bajram Kelmendit me të bijtë, e të tjerë gjithandej Kosovës, si hakmarrje ndaj bombardimeve.

Pas disa ditëve të bombardimeve, mora edhe një lajm të kobshëm. E gjithë familja Gashi ishte shuar në gjumë, kur bombat e NATO-s goditën Postën në Prishtinë, e shtëpia e tyre ngjitur, nuk e përballoi goditjen. Vetëm Trimi me Gjyshen shpëtuan. Dea, nxënësja ime bukuroshe nuk do të mësonte me piano.

Edhe shumë njerëz do të pësonin nga vrasjet, persekutimet, masakrat dhe dhunimet që forcat serbe do t’i bënin deri në fund të bombardimeve, por edhe nga goditjet e gabuara të avionëve (rasti në Meje).

Të gjithë ata dhe ato u bënë kurban i lirisë që ne sot e gëzojmë. Prandaj, të respektojmë sakrificën e tyre, e të ndërtojmë të ardhmen për të cilën ata u flijuan.

24 mars 2021

E izoluar ende në shtëpi, duke u marrë me pasojat e Covid-19, po e kujtoj atë ditë, 22 vite më parë. Me gëzim, që kemi mbijetuar dhe sot jetojmë e punojmë të lirë. Shumë qytetarë të Kosovës nuk e patën këtë fat.

Pa marrë parasysh problemet, dështimet, sfidat që i përjetuam gjatë këtyre 22 viteve, Ne jemi me fat. Por edhe me përgjegjësi.

Të respektojmë gjakun e derdhur dhe ta bëjmë ëndrrën e shumë qytetarëve të Kosovës-realitet.

Për gjeneratat e reja, për të ardhmen.

Blenda, vajza ime, së shpejti do të bëhet nënë, për herë të parë. Ajo, shpresoj, nuk do ta ketë asnjëherë friken dhe brengën për fëmijën e saj si unë për të më 24 mars 1999.

Por ajo do të brengoset se fëmija që do të sjellë në jetë, në çfarë Kosovë do të jetojë, si do të jetë shëndeti, arsimimi i saj, a do të gjejë punë etj.

Ajo edhe sot brengoset, a do të shpëtojë pa u infektuar nga Covid-19, kur të shkojë në pushim të lindjes, a do të mbetet pa punë dhe pa të ardhura?

Jeta vazhdon, çdo gjeneratë do ti ketë brengat dhe betejat e saj.

Të paktën ne që patëm fatin të mbijetojmë vitin 1999, jemi me fat edhe të brengosemi, por kryesorja jetojmë, dhe jetojmë të lirë.

Respekt të gjithë dëshmorëve e viktimave të lirisë që ne e gëzojmë. / KultPlus.com

Falë NATO-s, Kosova ‘rilindi’ më 24 Mars

Më 24 mars, pra 23 vjet më parë, me ndihmën e ish-presidentit të SHBA-ve, Bill Clinton u arrit marrëveshja për fillimin e bombardimeve mbi caqet serbe në Kosovë, shkruan KultPlus.

Kthesë e madhe për historinë e kombit shqiptar shënon 24 marsi, me ç’rast jetët e tyre u ‘ri-lindën’ përsëri. Bombardimet e NATO-së ndaj Serbisë treguan dhe vulosën miqësinë e aleatit më të madh që ka pasur ndonjëherë Kosova, pra, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

78 ditë qëndrimi në shtëpi, më shumë vështirësi dhe çdo ditë duke u shqetësuar se dikush mund t’u trokas në derë dhe të marrë ndonjë anëtar të familjes – kjo ishte frika më e madhe që përjetoi i gjithë populli shqiptar para 23 viteve.

Operacioni kërkonte të ndalojë abuzimet e të drejtave të njeriut në Kosovë, dhe kjo ishte hera e parë që organizata e përdorur forcën ushtarake pa miratimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Gjatë 78 ditëve sa zgjatën bombardimet, forcat policore e ushtarake serbe vranë mijëra civilë, në mesin e tyre edhe 49 anëtarë të familjes Berisha në Suharekë. /KultPlus.com

FOTO: Florion Goga (REUTERS)

Letra e Madeleine Albright për vajzat e Kosovës

Letra e Madeleine Albright për vajzat e Kosovës

Të dashura vajza të Kosovës,

Është nder të ju shkruaj juve – gjeneratës së ardhshme të diplomateve, aktivisteve dhe udhëheqëseve në Kosovë. Kam vizituar shumë vende përgjatë jetës sime. Në fakt, sa kam shërbyer si Sekretare e Shtetit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës kam fluturuar mbi një milion milje dhe i kam vizituar 120 shtete. Kam mundur që të fluturoj rreth botës mbi 40 herë me atë distancë. Nga të gjitha vendet në të cilat kam qenë, Kosova dhe populli i saj janë të veçanta për mua. Sa herë e kam vizituar shtetin tuaj, jam frymëzuar nga rimëkëmbja dhe vendosmëria e popullit, posaçërisht ajo e grave dhe vajzave të Kosovës. Si shumë amerikanë, as unë nuk jam autoktone në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në fakt, kam lindur në një vend që është më afër Kosovës se sa Washington D.C.-së, në atë që dikur njihej si Çekosllovaki. Sidoqoftë, afër dy vjet pasi kam lindur, trupat e Adolf Hitlerit marshuan në kryeqytetin e Pragës. Babai im atëkohë ishte diplomat dhe ishte i pavullnetshëm të bashkëpunonte me nazistët. Prandaj, prindërit e mi ikën për në Angli ku edhe qëndruam gjatë Luftës së Dytë Botërore. Kujtimet e mia të para ishin grumbullimet në një strehimore bombash gjatë sulmeve ajrore, ku këndonim këngë me fqinjët tanë britanikë, dhe e prisnim njoftimin: “Nuk ka më rrezik!” Isha vetëm tetëvjeçare kur lufta përfundoi dhe u kthyem në Pragë, ku bëja sikur isha Winston Churchill, duke folur gjuhën çeke me theks britanik. Pasi mbaruan luftimet, unë dhe prindërit e mi prisnim që ta rinisnim jetën tonë në vendlindje. Por brenda pak vitesh, qeverisjen e Çekosllovakisë e morën komunistët. Edhe njëherë familja ime u detyrua të kërkonte azil, por këtë herë duke lundruar përgjatë Atlantikut për një shtëpi të re dhe mirëpritëse. Nuk shkoi shumë kohë dhe ne u shpërngulëm në Kolorado ku babai im ndihmoi në themelimin e fakultetit për marrëdhënie ndërkombëtare në Universitetin e Denverit. Aso kohe, ambicia ime më e madhe ishte që të përshtatesha me shokët dhe shoqet e mia të klasës. Nuk doja asgjë më shumë se sa të isha një adoleshente e çiltër amerikane. Kjo do të thoshte se duhej ta hiqja theksin tim evropian, të mësoja se si të përtypja çamçakëz, dhe t’i bëja lutje – të pasuksesshme – nënës time që të më linte ta kaloja natën te shoqet e mia. Përgjatë asaj kohe kurrë nuk e kisha imagjinuar se një ditë do të bëhesha sekretare e shtetit në Amerikë. Jo pse më mungonte ambicia. Thjesht nuk e kisha parë kurrë një sekretare shteti të veshur me fund. Në janar të 1997-ës, unë e dhashë betimin për sekretare shteti pasi u nominova nga Presidenti Bill Clinton. Kurrë nuk e harroj kur shkova në zyrën time të re për herë të parë. Që të arrije aty, duheshe të ecje përgjatë një korridori të gjatë ku varen portretet e sekretarëve të kaluar, shumica e të cilëve kishin mjekra. E paramendoja për një çast se muret po dridheshin – një çikëz – derisa unë, gruaja e parë Sekretare e Shtetit, po ecja përgjatë atij korridori dhe tash po zija vend në mesin e këtyre burrave mjekroshë.

Kur kthej kokën prapa, më duket e pazakontë që Shtetet e Bashkuara nuk e kanë pasur një ambasadore grua deri në vitin 1949. Dhe deri në vitin 1973, secila Zyrtare e Shërbimeve të Huaja ishte pushuar nga puna menjëherë pasi që ishte martuar. Përgjatë pjesës më të madhe të historisë sonë, e vetmja mënyrë që një grua mund të linte përshtypje diplomatike ishte ta derdhte çajin aksidentalisht në prehrin e ambasadorit. Falë Presidentit Clinton, e kisha mundësinë që ta ndryshoja këtë gjë dhe isha e vendosur që ta bëja më të mirën e mundshme. Shumë përgjegjësi vijnë me të qenurit Sekretare e Shtetit: ai ose ajo është personi i tretë për nga rangu në qeverinë e SHBA-së (pas presidentit dhe zëvendëspresidentit), mbikëqyr politikat e jashtme të shtetit, dhe është lidere e Departamentit të Shtetit. Kur shikoj prapa, jam krenare që ne mundëm të arrinim aq sa arritëm – duke e zgjeruar aleancën e NATO-s, duke e përmbysur krizën financiare aziatike, duke e promovuar demokracinë dhe duke e përkrahur zgjerimin e tregut ndërkombëtar.

Njëra prej pyetjeve që ma kanë shtruar më së shumti ka qenë: për çfarë je më së shumti krenare? Secilën herë e jap përgjigjen e njëjtë: Kosova. Kurrë nuk e harroj kur isha në Prishtinë mbi njëzet vjet më parë, pasi konflikti kishte përfunduar, dhe po flisja prapa një furgoni anti-plumb. Teksa po i drejtohesha turmës, më kujtohet që i analizoja njerëzit përballë meje. Mendoja për ata që i kisha parë në kampet e refugjatëve, dhe për të tjerët që i kisha parë në gazeta dhe televizion – fytyra të tendosura nga mundimi, të shformuara nga frika, apo të mbushura me ankth teksa familjet po kërkonin të dashurit e tyre që ishin zhdukur. Vite pas dhunës dhe konfliktit, po ato fytyra, të njëjtat, tani po buzëqeshnin. Në vitet që kanë pasuar, kam parë se si burrat dhe gratë e çdo moshe dhe etnie kanë punuar që ta shtrojnë themelin për demokracinë në Kosovë. Kjo ka qenë një punë e lodhshme, me sfida të mëdha dhe me shumë detyra që mbeten të pakryera. Dhe tani varet nga ju – gjenerata e ardhshme e kosovarëve – që ta ndërtoni një shtet që u përgjigjet nevojave të krejt qytetarëve dhe i respekton të drejtat e të gjithëve, dhe kështu fiton respektin e popujve dhe qeverive në secilin cep të tokës. Demokracia në secilin shtet është e vështirë, por pa gra, demokracia në secilin shtet është e pamundur. Progresi global në këtë fushë reflektohet te disa shtete që kanë zgjedhur gra udhëheqëse. Siç jam e sigurt që ju e dini, Kosova vet e ka zgjedhur së fundi gruan e dytë presidente, Dr. Vjosa Osmani Sadriun. Presidentja Osmani vjen me përfaqësimin më të lartë politik të grave në historinë e Kosovës si dhe sjell një zotim që t’i vë sfidat që lidhen me gjininë dhe barazinë në ballë të agjendës së saj qeverisëse. Për më tepër, presidenca e saj, si dhe zgjedhja dhe shërbimi i Presidentes Atifete Jahjaga e meritojnë krenarinë dhe lartësimin. Mos harroni – arritje dhe ngjarje të këtij lloji nuk janë fund i një rrugëtimi, por fillim. Këto gra lidere po e hapin rrugën për juve dhe bashkëmoshataret tuaja që ta zini vendin meritor në politikë, diplomaci dhe në çfarëdo karriere që e ëndërroni për veten. Kur një barrierë vërtet thyhet dhe qëndron e tillë – atëherë ajo që dikur dukej revolucionare bëhet praktikë standarde dhe gjenerata e ardhshme mund të rritet duke hamendësuar se për çfarë kishte qenë gjithë ajo rrëmujë dikur. Për shembull, në Shtetet e Bashkuara, grave nuk iu lejohej të votonin në zgjedhjet federale në 130 vitet e para të ekzistencës së këtij shteti. Deri në dekadat e fundit, vetëm një numër fare i vogël i grave patën mundësi të shërbejnë si ministre të kabinetit, si anëtare të Kongresit, si kryebashkiake, dhe mund të dëshmoj vetë që nuk kemi pasur një sekretare të shtetit grua deri në vitin 1997. Sidoqoftë, një herë në një mbledhje familjare, mbesa ime shtatë vjeçare më pyeti se pse ishte aq punë e madhe që unë të shërbeja në atë pozitë. Në fund të fundit, ajo tha “Vetëm vajzat janë sekretare të shtetit”. Në të gjitha shtetet, gratë kanë një rol qendror në diplomaci dhe në çdo aspekt të çështjeve botërore. Kjo është më se e dukshme. Gratë dhe vajzat përbëjnë më shumë se gjysmën e popullsisë së globit. Pa neve nuk mund të ketë demokraci, as prosperitet, e as progres të vërtetë dhe të qëndrueshëm. Pasi që gratë kanë hise të mëdha në suksesin e politikave të jashtme, neve na takon të jemi një zë i fuqishëm në të bërit e politikave të jashtme. Kjo është qasja e duhur dhe në të njëjtën kohë, qasja më e mençur. As mos t’iu shkojë mendja që nuk mundeni. Ju e keni talentin dhe mundësinë për të kontribuuar në zgjidhjet që kërkohen në politikat e jashtme në secilën fushë dhe në nivelet më të larta. Pavarësisht se a po u përgjigjemi kërkesave më urgjente të sigurisë kombëtare, rreziqeve të ndryshimeve klimatike, apo nevojës për një qasje njerëzore por praktike ndaj imigrimit, rezultatet e mira vijnë nga një kombinim i dijes, gjykimit të shëndoshë dhe punës së zellshme. Këtu, urtësia, jo testosteroni, është përbërësi kryesor. Që kur e kam lënë zyrën, shpesh pyetem nga gratë e reja për këshilla. Ato duan nga unë që t’i zbuloj fshehtësitë e suksesit për gratë udhëheqëse. Por për dallim nga disa folës publikë, unë kurrë nuk e kam bërë një listë gjithëpërfshirëse të rregullave të lidershipit. Nuk kam slogane motivuese të preferuara apo citime nga Napoleoni. Megjithatë kam disa sugjerime të cilat prapë se prapë, nuk e di se sa mund t’ju ndihmojnë. Vjet më parë e pata vënë re – në orët mësimore që i ligjëroja në Universitetin e Georgetown-it – që studentet vajza ishin në përgjithësi më të sjellshme se sa djemtë. Nëse një djalë kishte për të thënë diçka, ai do ta plasonte atë edhe nëse duhej ta ndërpriste dikë tjetër. Vajzat ishin të prira që të rrinin ulur qetësisht dhe ta ngrisnin dorën lartë. Kjo shpesh nënkuptonte që djemtë mund ta dominonin diskutimin. Që nga atëherë u pata thënë studenteve që të mos frikësoheshin ta ndërprisnin dikë. Në epokën tonë, është më mirë të rrezikosh që të jesh e pasjellshme se sa ta japësh përshtypjen se nuk ke diçka për të thënë. Këshilla ime e dytë është që të mos e lini askënd që t’ju tregojë se çfarë mund të bëni dhe se ku përkisni. Ju mund të keni ambicie që shkojnë përtej asaj që presin të tjerët. Këto dëshira mund t’i befasojnë miqtë tuaj dhe mund të mos u konvenojnë disave që janë afër jush. Por ju duhet ta bëni një zgjedhje. Ju duhet të vendosni nëse do t’i lejoni të tjerët t’i vënë kufijtë e jetës suaj – apo që ta zgjedhni vetë rrugën tuaj, edhe kur nuk jeni plotësisht të sigurta se ku do të shkoni. Askush nuk mund ta bëjë këtë zgjedhje për ju – asnjë rrugë nuk është qenësisht e drejtë apo e gabuar. E vetmja këshillë e imja është që të veproni nga shpresa dhe jo nga frika, dhe të merrni përgjegjësi për çfarëdo që vendosni. Se a vendosni që të bëheni politikane, diplomate, ndërmarrëse, artiste apo aktiviste, ju bëj thirrje që t’i shfrytëzoni talentet tuaja që ta bëni Kosovën dhe botën një vend më të barabartë dhe më të drejtë të cilin do t’ua lini një ditë bijave dhe mbesave tuaja. E kam një kërkesë të fundit nga ju: Kurdo që mundeni, shikoni fytyrat e vajzave dhe grave rreth jush dhe kujtoni që ka një ulëse nderi të rezervuar në parajsë për secilën grua që gjen kohën për t’i ndihmuar gratë e tjera. Asnjëra nga ne nuk kemi arritur këtu ku jemi vetëm. Askush nga ne nuk do të arrijë aty ku e ka cakun, nëse nuk ecim bashkë përpara. Nëse nuk mbani mend asgjë nga kjo që kam thënë sot – mbajeni në mend këtë. Ju dëshiroj sukses dhe lumturi në përpjekjet tuaja të ardhshme,

Urimet më të mira, Madeleine Albrigt. /KultPlus.com

Joe Biden: Albright ishte një forcë, të sajat ishin duart që e kthyen valën e historisë

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden ka ndarë një deklaratë pasi Madeleine Albright, gruaja e parë Sekretare e Shtetit, ka vdekur sot në moshën 84 vjeçare, shkruan KultPlus.. 

Biden përmes një shkrimi në Twitter tha se Albright ishte një forcë për mirësinë, mirësjelljen dhe për lirinë.

Deklarata e plotë e Biden për Albright:

Madeleine Albright ishte një forcë.

Të sajat ishin duart që e kthyen valën e historisë.Si një vajzë e re, ajo gjeti një shtëpi në Shtetet e Bashkuara – pasi familja e saj u largua nga vendi i tyre i lindjes, Çekosllovakia gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe Perdja e Hekurt u rrëzua në Evropën Qendrore dhe Lindore. Babai i saj, një diplomat, u shënua për vdekje nga regjimi sovjetik. Ajo kaloi pjesën tjetër të ditëve të saj duke mbrojtur lirinë në mbarë botën dhe duke ngritur lart ata që vuajtën nën represion.

Ajo ishte një emigrante e arratisur nga persekutimi. Një refugjate që pati nevojë për një strehë të sigurt. Dhe si shumë para saj – dhe pas – ajo ishte me krenari amerikane.

Për ta bërë këtë vend që ajo e donte edhe më të mirë – ajo sfidoi konventat dhe theu barrierat përsëri dhe përsëri. Si nënë e përkushtuar e tre vajzave të dashura, ajo punoi pa u lodhur për t’i rritur ato, ndërsa fitoi doktoraturën dhe filloi karrierën e saj. Ajo i çoi talentet e saj fillimisht në Senat si punonjëse e senatorit Edmund Muskie, e ndjekur nga Këshilli i Sigurisë Kombëtare nën Presidentin Carter. Dhe më pas në Kombet e Bashkuara ku shërbeu si ambasadore e SHBA-së, dhe në fund, bëri histori si gruaja jonë e parë Sekretare e Shtetit, e emëruar nga Presidenti Clinton.

Një studiues, mësues, autore bestseller dhe më vonë biznesmene e arrirë, Sekretarja Albright vazhdoi të këshillonte presidentët dhe anëtarët e Kongresit me aftësi të pashoqe dhe zgjuarsi diplomatike. Në çdo rol, ajo përdori intelektin e saj të ashpër dhe zgjuarsinë e mprehtë – dhe shpesh koleksionin e saj të pashoq të kunjave – për të çuar përpara sigurinë kombëtare të Amerikës dhe për të promovuar paqen në mbarë botën. Amerika nuk kishte kampione më të përkushtuar të demokracisë dhe të drejtave të njeriut sesa Sekretarja Albright, e cila e dinte personalisht dhe shkroi fuqishëm për rreziqet e autokracisë.

Puna me Sekretaren Albright gjatë viteve 1990 ishte ndër pikat kryesore të karrierës sime në Senatin e Shteteve të Bashkuara gjatë qëndrimit tim në Komitetin e Marrëdhënieve me Jashtë. Ndërsa bota e ripërcaktoi veten pas Luftës së Ftohtë, ne ishim partnerë dhe miq që punonim për të mirëpritur demokracitë e sapoçliruara në NATO dhe për t’u përballur me tmerret e gjenocidit në Ballkan.

Kur mendoj për Madeleine, gjithmonë do të kujtoj besimin e saj të zjarrtë se “Amerika është kombi i domosdoshëm”.

Në vitet pasi u largua nga qeveria, Sekretarja Albright nuk u largua kurrë nga ky besim. Si Kryetare e Institutit Kombëtar Demokratik për më shumë se dy dekada, dhe përmes organizatave të tjera që ajo këshilloi, ajo vazhdoi të mbrojë parimet demokratike si jetike të rëndësishme për interesat e Amerikës për liri, prosperitet dhe siguri.

Ajo vazhdoi të mentorojë dhe ushqejë gjenerata të reja ekspertësh të politikës së jashtme në Universitetin Georgetown, Qendrën Korbel për Studime Ndërkombëtare në Universitetin e Denverit, të quajtur sipas babait të saj, dhe më gjerë. Si gjithmonë, ajo ndau gjerësisht njohuritë dhe mençurinë e saj, por ajo ishte veçanërisht e përkushtuar për të mbështetur gjeneratën e ardhshme të grave udhëheqëse, duke përfshirë krijimin e Institutit Albright për Çështjet Globale në Kolegjin Wellesley.

Madeleine ishte gjithmonë një forcë për mirësinë, hirin dhe mirësjelljen – dhe për lirinë.

Jill dhe unë do të na mungojë shumë dhe do t’i dërgojmë dashurinë dhe lutjet tona vajzave të saj, Alice, Anne dhe Katie, motrës së saj Keti, vëllait të saj John, gjashtë nipërve dhe nipërve dhe mbesave të saj. /KultPlus.com

Letër vetes tem t’re

*Madeleine Albright këtë letër ja ka adresu vetes në moshë më të shtyme, 44 vjeçe, kur i asht shu martesa!

E dashtun Madeleine

Ki me e tejkalu këtë mjegull e pasiguri – edhe ata në mënyrën ma të mirë të mundshme. Nuk ki me u ba cinike, stoike apo e vrazhdë prej kësaj humbje që je tu e ndje. Gjatë dhjetë vjetëve në vazhdim ki me e rindërtu e rikriju veten, ki me pas sukses – dhe përmbushje të jashtëzakonshme.

E vërteta asht që ti e ki guximin me e gjet qëllimin tand edhe integritetin me e përmbush atë qëllim simbas standardeve tua. Prindërit të kanë mësu me e dhanë ma të mirën e me i arritë krejt ato që mundesh, me talentet që i ki. Ti ki me i vendos ato talente në shërbim të vetes, ki me e gjet zanin tand edhe ki me e përdor atë za për t’i shërby vendit në mënyra që kanë me të mahnit.

Kur të pyesin studentet se qysh ja ke dal me kanë e martume, me pas fëmijë edhe me punu në të njajtën kohë ki me u ndje si hipokrite sepse ti mendon që ke dështu aty.

Asht vështirë me u ndje e kualifikume si model. Por ti je.

Kanë me kalu shumë vjet derisa te kupton që je model i mirë. Por përfundimisht, ti ki me inspiru ma shumë gra sesa që kishe mujt ndonjiherë me paramendu. – Mbas njizet e tri vjetëve, kur gratë kanë me të tregu që kanë zgjedh të bajnë karrierë në marrëdhanie ndërkombëtare, ti ke me u ndje mirë kur ki me ju thanë se nuk ka formulë, ngase çdonjani duhet me e ndjek udhën e vet.

Me shumë besim, 
Madeleine Albright

©përkthim / VLORA KONUSHEVCI

Marrë prej librit: 
What I Know Now
LETTERS TO MY YOUNGER SELF
By ELLYN SPRAGINS

SunnyHill zyrtarisht do të mbahet këtë vit

Një nga festivalet më të mëdha në Evropë, Sunny Hill, ka konfirmuar zyrtarisht se do të mbahet këtë vit, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në llogarinë zyrtare, Sunny Hill, ka publikuar një fotografi nga ky festival, me mbishkrimin “Thuaj përshëndetje SUNNY HILL FESTIVAL 2022”.

Të njëjtën gjë ka bërë pak ditë më parë edhe Dukagjin Lipa, babai i Duas.

Sunny Hill Festival do të mbahet në muajin gusht në Prishtinë, dhe duke iu referuar edicioneve të shkuara ku kanë ardhe shumë yje botërore, pritet që edhe në këtë edicion të ketë prurje të mëdha./ KultPlus.com

Bill Cliton me elozhe për Albright, kujton kohën që ata kaluan në Kosovë

Ish-presidenti amerikan, Bill Clinton, ka reaguar për vdekjen e ish-sekretares amerikane të shtetit, Madeleine Albright, përmes një deklarate, shkruan KultPlus.

Nëpërmjet një shkrimi në “Twitter”, Clinton shkroi se Albright ishte një nga sekretarët më të mirë në shërbim të vendit, një profesor brilant dhe mbi të gjitha një njeri i jashtëzakonshëm.

“Para rreth tre viteve, ne bëmë udhëtimin tonë të fundit të përbashkët për të festuar 20 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, ku ata i dedikuan një bust në qendër të Prishtinës. Ajo kishte një ditë të veçantë në Prishtinë”, tha Clinton.

Albright bëri një vizitë në Kosovë në korrik të vitit 1999, një muaj pas përfundimit të luftës.

“Duke u ngritur kundër [ish-liderit serb, Sllobodan]Millosheviqit, i kemi ulur gjasat për një vullnet të ri të Millosheviqit. Duke ndërtuar paqen në Kosovë, ne do të ndihmojmë në stabilizimin e Ballkanit dhe në këtë mënyrë do të kontribuojmë në një Evropë të tërë dhe të lirë”, ka thënë atëbotë Albright.

Në vitin 2019, kur Albright udhëtoi në Kosovë dhe u “prezantua” me bustin e saj, ish-sekretarja u dekorua edhe me Urdhrin e Lirisë. /KultPlus.com

‘Lumturia është kur ajo që mendon, ajo që thua dhe ajo që bën janë në harmoni’

Mahatma Gandhi është i njohur për bashkimin e më shumë se dyqind milionë njerëzve me frazat e tij paqësore, por veprimet e fuqishme. Edhe pse u vra në vitin 1948, njerëzit sot e shohin atë si një emblemë paqeje.

Një nga thëniet e tij më të famshme është se ai ka të bëjë me lumturinë.

“Lumturia është kur ajo që mendon, ajo që thua dhe ajo që bën janë në harmoni.” /KultPlus.com

Konjufca: Prehu në paqe mikja jonë e çmuar dhe e paharruar

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka reguar për vdekjen e mikes së Kosovës, Madeleine Albright, e cila vdiq sot në moshën 84 vjeçare, shkruan KultPlus.

Konjufca në një postim në ”Facebook”, shprehu pikëllimin e tij.

“Me pikëllim të thellë e mora lajmin për ndarjen nga jeta të ish-Sekretares Amerikane të Shtetit dhe mikes së madhe të Kosovës dhe shqiptarëve, Madeleine Albright. Kontributi i Zonjës Albright për çlirimin, paqen, lirinë, pavarësinë dhe shtetndërtimin e Republikës së Kosovës, do të mbetet i paharruar në mendjet dhe zemrat tona. Në këto çaste dhimbjeje për humbjen e politikanes së shquar e pragmatiste, shpirtit të humanizmit dhe simbolit të guximit kundër barbarisë së Milosheviqit, bashkëndjejmë me familjen Albright, të afërmit dhe mbarë popullin amerikan. Prehu në paqe mikja jonë e çmuar dhe e paharruar!”, shkroi Konjufca. /KultPlus.com

CNN: Albright ishte vendimtare që Klinton të ndërhynte në Kosovë në vitin 1999

Një nga gazetat më të njohura në botë, CNN, ka publikuar lajmin për vdekjen e ish-sekretares së parë grua në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Madeleine Albright, duke përmendur ndërhyrjen e kësaj të fundit në Luftën e Kosovës, transmeton KultPlus.

Aty përmendet se sa të dukshme ishin përpjekjet e saj për t’i dhënë fund dhunës në Ballkan dhe ajo ishte vendimtare në shtyrjen e Klintonit që të ndërhynte në Kosovë në vitin 1999 për të parandaluar një gjenocid kundër myslimanëve etnikë nga ish-udhëheqësi serb Slobodan Millosheviç. Ajo ishte e përhumbur nga dështimi i mëparshëm i administratës së Klintonit për t’i dhënë fund gjenocidit në Bosnje.

Shpërbërja e Jugosllavisë komuniste në disa shtete të pavarura, duke përfshirë Serbinë dhe Malin e Zi, Slloveninë, Kroacinë, Bosnje-Hercegovinën dhe Maqedoninë, në vitet 1990 gjeneroi gjakderdhje të egër të paparë në kontinent që nga Lufta e Dytë Botërore. Termi “spastrim etnik” u bë sinonim i Bosnjës, ku forcat serbe besnike të Millosheviçit u përpoqën të krijonin një shtet të veçantë duke dëbuar popullsinë civile jo-serbe.

Administrata e Klintonit nuk ndërhyri deri në masakrën në Srebrenicë në vitin 1995, kur serbët vranë 8,000 burra dhe djem myslimanë, gjë që çoi në Planin e Paqes të Dejtonit të ndërmjetësuar nga SHBA. Por kur Millosheviçi më pas u përpoq të zhvendoste planin e tij etno-nacionalist në Kosovë, administrata e Klintonit mblodhi një koalicion për ta ndaluar atë të bënte atje atë që kishte ikur në Bosnje.

Albright akuzoi Millosheviçin për krijimin e “një tmerri të përmasave biblike” në “dëshirën e tij për të shfarosur një grup njerëzish” — shumicën myslimane të Kosovës. Ajo u vu nën kritika të ashpra në Uashington në atë kohë, me disa që i quajtën sulmet ajrore të NATO-s “Lufta e Albright” ndërsa të tjerët e akuzuan atë për keqvlerësim të vendosmërisë së Millosheviçit. Për këtë qëllim, Albright tha në 1999, “Unë marr përgjegjësinë e plotë së bashku me kolegët e mi për të besuar se ishte thelbësore për ne që të mos qëndronim dhe të shikonim atë që Millosheviçi po planifikonte të bënte”, duke shtuar se “ne nuk mund të shikojmë krimet kundër njerëzimit. “

Në fund të artikullit shpjegohet se si koalicioni i udhëhequr nga SHBA-ja ndaloi agresionin serb dhe Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008. /KultPlus.com

Albright: Sa herë që më pyesin se për çfarë ndjehem më së shumti krenare, them duke ndihmuar popullin e Kosovës

Sekretarja e 64-të e Shtetit e SHBA-së dhe mikja e madhe e Kosovës, Madeleine Albright, ka vdekur sot, shkruan KultPlus.

Ajo ishte një figurë qendrore në administratën e Presidentit Bill Clinton, duke ndikuar shumë në lirinë, pavarësinë dhe demokracinë e Kosovës.

Në një video që publikoi për të festuar 10-vjetorin e shtetit më të ri në kontinentin e vjetër, Albright tha: “Sa herë që më pyesin se për çfarë jam më krenare për atë që kam arritur, i them duke ndihmuar popullin e Kosovës”. /KultPlus.com

Osmani reagon për vdekjen e Albright: E përkrahi parreshtur Kosovën deri në frymën e fundit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reguar për vdekjen e mikes së Kosovës, Madeleine Albright, e cila vdiq sot në moshën 84 vjeçare, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në “Facebook”, Osmani u shpreh thellësisht e tronditur nga humbja e mikes së madhe të Kosovës, Madeleine Albright.

“E tronditur thellësisht nga humbja e mikes së madhe të Kosovës, Madeleine Albright, ish- sekretare e Shtetit të SHBA-ve. Ajo na dha shpresë, kur nuk e kishim atë, u bë zëri ynë e krahu ynë kur nuk kishim as zë e as krah. E njohu dhimbjen e popullin tonë sepse edhe vet e kishte përjetuar persekutimin qysh në fëmijëri, prandaj qëndroi e vendosur kundër Millosheviqit deri në ndaljen e gjenocidit të tij në Kosovë. E përkrahi parreshtur Kosovën deri në frymën e fundit, prandaj populli i Kosovës do ta kujtojë përjetësisht”, shkroi presidentja.

Ajo gjithashtu shtoi edhe pjesën se modeli i saj i një heroine të pamposhtur, do të mbetet përherë modeli që do ta ndjekin shumë breza.

“Modeli i saj i një heroine të pamposhtur, guximtare e të vendosur për të mbjellur vlerat demokratike në çdo vend, do të mbetet përherë modeli që do e ndjekim ne që patëm fatin ta njohim si dhe shumë breza pas nesh”. /KultPlus.com

Sylë Maxhera promovon librin e ri poetik për fëmijë “Gati jam rritur” në KultPlus Caffe Gallery

Libri për fëmijë i titulluar “Gati jam rritur” me autor Sylë Maxhera që së fundmi ka dalë nga shtypi, u promovua sot në ambientin e ngrohtë të KultPlus Caffe Gallery, me ç’rast nëpërmjet vargjeve, kuptimeve të tyre si dhe momenteve të ndara nga krijimi i librit, kjo ngjarje solli pranë vetes një numër të madh të të pranishmëve, shkruan KultPlus.

Janë gjithsej 56 poezi për fëmijë të përmbledhura në librin “Gati jam rritur, libër ky që përpos poezisë, ka edhe mjaft ilustrime që i përshtaten poezive të këtij autori.

Librin “Gati jam rritur” autori e ka sjell për moshat e vogla, duke iu përshtatur dëshirave, kërkesave, ëndrrave dhe imagjinatës së tyre. E kjo më së miri dëshmohet atëherë kur merret parasysh se ilustrimet e këtij libri i ka bërë mbesa e tij 13 vjeçare, Riga Maxhera.

Kur ora shënoi fiks 18:30, të pranishmit zunë vendet e tyre për të dëgjuar nga afër panelistët. Për librin foli redaktori i librit Dan Ibrahimi, recensentja e librit Jonida Sheholli dhe vetë autori Sylë Maxhera.

Mbrëmjen e thirrur për këtë promovim e nisi recensetja Jonida Sheholli, e cila cilëson autorin si një poet që njeh mirë botën e fëmijëve.

“Maxhera që në krah bartë kitarën si talent njëkohësisht është edhe deklamues i shkëlqyer ashtu siç është edhe krijues i mrekullueshëm i artit poetik. Ai përmes poezisë së tij, na sjell një botë krejt tjetër prej krijuesve tjerë, na ofron krejt diçka ndryshe prej krijuesve të mëparshëm, një ëmbëlsi dhe sinqeritet të paparë. Prej këndit të tij, si një sy vështrues, perceptues, zaptues, përjetues, Maxhera futet në botën fëmijërore, me sinqeritetin, dëlirësinë, çiltërsinë, urtësinë dhe butësinë e tij shpirtërore; lundron nëpër mendjet e fëmijëve, zemrat e tyre engjëllore, në dëshirat, qejfet, kërkesat, lodrat, ëndrrat, imagjinatën. Një fëmijë kur ta ketë në duar librin e Maxherës, do të ketë gjithë çfarë dëshiron përpara, për arsye se i tërë horizonti i tij si fëmijë ndodhet në këtë libër. Fëmijët ndër të tjerash, do krijojë bindjen sikur e ka pranë vetë autorin, i cili ka ditur të shkruajë bukur”, thotë Sheholli.

Sipas saj, te Maxhera shihet njeriu i cili pa botën fëmijërore nuk mund të ruajë rininë e tij që e ka në zemër, që vitet s’ia lënë shenjë. Pra, artisti, jeton, frymon, vepron, krijon me dhe për fëmijët, ai sikur i ka “pikë të dobët” ata.

Ndërkaq, ajo thotë se Maxhera, tek të gjithë këto poezi, përpos se futet në botën fëmijërore dhe preokupohet me ta, dëshirat, qejfet, kërkesat, ai në mënyrë indirekte, përmes poezisë, flet edhe për dukuritë e liga të shoqërisë, që ia ulin pak shkëlqimin fëmijës.

“Shprehitë e këqija të njeriut të rritur krijojnë të ngjashme edhe tek fëmijët. Sa më e shëndoshë të jetë sjellja e të rriturve ndaj fëmijëve po aq edhe më e shëndoshë do të bëhet gjenerata e re e shoqërisë. Me poezitë e tij, Maxhera, bëhet një edukator për fëmijët dhe një këshillues për prindërit dhe gjithë ata që merren me edukimin e fëmijëve. Ai me kujdes shtjellon të gjitha temat, madje edhe ato më delikate, siç është bullizmi. Kur fëmija bullizohet, përqeshet, përbuzet, diskriminohet dhe si i atillë nuk pranohet në shoqëri, ndikon negativisht në shpirtin e tij, në hovin e zhvillimit të personalitetit të tij”, thotë ajo.

Për Shehollin, Maxhera në këto poezi trajton edhe vuajtjet e fëmijëve nga varfëria, Fëmijët skamnorë, të cilët gjithmonë janë të dalluar prej të tjerëve, se nuk e kanë fatin as mundësinë t’iu plotësohen ndoshta as kërkesat elementare sikur fëmijëve të tjerë, që ndoshta kanë kushte luksoze jetese. Pra, Maxhera bëhet pjesë e krejt këtyre halleve dhe, edhe vuan e ndjen shqetësime brenda vetes.

“Autori në fjalë, sikur i edukon fëmijët si duhet të jenë mendjekthjellët, të zgjuar e të mos hamendësojnë për asnjë çast me jetën e tyre, edukatën, mësimin, hapat në vazhdim, për kulturë, mësim e dije, që nesër të kenë fat të bardhë e të ardhme të mbarë. Edhe pse, fati nuk varet prej duarve tona, por ne duhet t’ia bëjmë shërbimin? Si t’ia bëjmë? Duke punuar, mësuar, përkushtuar, vyer, me zell, vullnet e dashuri që të bëhen fëmijë për lakmi dhe të kenë e gëzojnë ardhmëri në paqe, rahati e qetësi të plotë, është dëshira e poetit Maxhera. Ai dëshiron që fëmijët të ndjehen të kënaqur, të plotësuar e të përmbushur me veten e tyre, familjen dhe rrethin”, përfundon Sheholli.

Ndërsa, redaktori i librit, Dan Ibrahimi e cilësoi autorin si një ndër poetët e rrallë që po sjell krijime poetike kaq të nevojshme për fëmijë.

“Poeti na ka ardhur me një përmbledhje poetike shumë të veçantë dhe letërsia jonë, sidomos në Kosovë, ka shumë po shumë mungesë të letërsisë për fëmijë. Unë për vete jam autor i disa librave por asnjëherë nuk mund të shkruaj për fëmijë. Maxhera ka shëtitur shumë dhe ka kontaktuar njerëz të ndryshëm por ka mbetur fëmijë në shpirt, prandaj edhe mund të shkruaj kaq bukur për fëmijë. Përndryshe, ai është një poet edhe për të rritur dhe kohëve të fundit ai i ka dhënë hov edhe krijimtarisë së tij në prozë. Unë ia uroj Maxherës që ai të mos rritet, të mbetet këtu dhe të vazhdoj këtu sepse me këtë libër ai ka lënë një gjurmë goxha interesante dhe mëton që ta mbush një zbrazëti sepse mjerisht kemi shumë pak poetë serioz për fëmijë për momentin”, thotë Ibrahimi.

Sipas tij, nuk ka shumë poetë të tillë, andaj disi duhet të mbushet kjo mungesë për arsye se këta fëmijë kanë nevojë për këtë gjuhë kaq të lezetshme, këndshme e melodike që e sjell Maxhera.

“Me këtë libër ai ka hyrë direkt në psikologjinë e fëmijëve, gjë të cilën e admiroj shumë”, përfundon Ibrahimi.

Krejt në fund, ishte vetë autori Sylë Maxhera, ai i cili fillimisht foli rreth ilustrimeve të këtij libri që i ka bërë mbesa e tij 13 vjeçare, Riga Maxhera.

“Riga është një mbesa e imja, e cila ka ilustruar poezitë e mija. Unë i thashë asaj lexoi pozitë, vizatoji dhe bëji si të duash ato. Ka disa poezi që unë ndryshe i kam menduar por qëllimi nuk është aty. Qëllimi gjithmonë ka qenë që fëmija të interpretojë këtë punë. Secili fëmijë mund të ketë vizatuar diçka ndryshe, dhe kjo është veçantia e tyre interpretuese. Secili shprehet në mënyrën e vetë dhe kjo asnjëherë nuk është gabim. Pastaj, Jonida është recesentja e librit për arsye se kisha dëshirë që dikush fëmijë të krijojë recensionin. Ajo e ka bërë një punë shumë të mirë”, thotë Maxhera.

Ai tutje lexoi disa poezi nga vëllimi i tij poetik, e që kjo u mirëprit aq mirë nga publiku i cili më pas dhe vazhdoi bisedën tutje, duke e dërguar atë në një nivel tjetër ku diskutimet e shumta u bënë të pranishme.

Sylë Maxhera jeton në Spanjë, i cili përpos pasionit për poezinë, ai ka pasion muzikën, posaçërisht instrumentin e kitarës. Andaj dhe mbrëmja vazhdoi tutje nën melodi të cilat shoqëroheshin nga kitarja. / KultPlus.com

Kurti shpreh ngushëllimin e tij për Albright: Do të na mungosh, zonja sekretare

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reguar për vdekjen e mikes së Kosovës, Madeleine Albright, e cila vdiq sot në moshën 84 vjeçare, shkruan KultPlus.

Nëpërmjet një postimi në “Twitter”, Kurti shprehu ngushëllimin e tij për familjen Albright.

“Me pikëllim dëgjova për vdekjen e Madeline Albright, një grua e shquar me moral të pakompromis për Shtetet e Bashkuara, një mike e Kosovës deri në fund dhe një partnere me të gjithë ata që ndoqën paqen, lirinë dhe demokracinë. Do të na mungosh, zonja sekretare”, shkroi Kurti.

Ajo ishte një figurë qendrore në administratën e Presidentit Bill Clinton. /KultPlus.com

Mehaj për Albright: Simboli ynë i Lirisë, Pavarësisë dhe Demokracisë

Ministri i Mbrojtjës, Armend Mehaj, ka reguar për vdekjen e mikes së Kosovës, Madeleine Albright, e cila vdiq sot në moshën 84 vjeçare, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në “Facebook”, Mehaj, thotë se Albright ishte figura qendrore në administratën Clinton, e cila nxiti aleancën e NATO-s të ndërhynte në Ballkan.

Postimi i plotë:

“Sapo mora lajmin e trishtueshëm se ndrroi jetë Heroina jonë dhe gjithë popujve liridashës e paqedashës në Botë, ish-Sekretarja e Shtetit Madeleine Albright.Heroina jonë Albright, ishte figura qendrore në administratën Clinton, e cila nxiti aleancën e NATO-s të ndërhynte në Ballkan për të ndaluar gjenocidin dhe spastrimin etnik të ushtruar nga regimi dhe forcat kriminale serbe, ndaj popullit tonë. Ajo, gjithë jetën e saj mbrojti të drejtat e njeriut dhe demokracinë në të gjithë globin. Pusho e qetë simboli ynë i Lirisë, Pavarësisë dhe Demokracisë.Emri, jeta dhe vepra jote mbeten gjithmonë të skalitura në zemrat, shprtitërat e mendjet e të gjithë shqiptarëve dhe qytetarëve tjerë liridashës të Kosovës”. /KultPlus.com

Familja Albright: ‘Kemi humbur një nënë, gjyshe, motër, teze dhe mike të dashur’

Sekretarja e 64-të e Shtetit e SHBA-së dhe mikja e madhe e Kosovës, ka vdekur sot, shkruan KultPlus.

Përmes një letre të publikuar në llogarinë zyrtare, familja e Albright njoftoi se kanceri ishte shkaktari kryesor që mori jetën e sekretares së parë grua në SHBA.

Letra e plotë:

“Me zemër të thyer ju njoftojmë se Dr. Madeleine K. Albright, Sekretarja e 64-të e Shtetit e SHBA-së dhe gruaja e parë që mbajti atë pozicion, ndërroi jetë më herët sot. Shkaku ishte kanceri. Ajo ishte e rrethuar nga familja dhe miqtë. Kemi humbur një nënë, gjyshe, motër, teze dhe mike të dashur. Madeleine Albright, e lindur si Marie Jana Korbelova, ishte një vendase në Pragë, e cila erdhi në Shtetet e Bashkuara si refugjat në vitin 1948 dhe u ngrit në majat e politikëbërjes amerikane, duke marrë Medaljen Presidenciale të Lirisë në 2012, nderimi më i lartë civil i vendit. Një kampione e palodhur e demokracisë dhe të drejtave të njeriut, në kohën e vdekjes së saj ishte profesoreshë në Shkollën e Shërbimit të Jashtëm të Universitetit Georgetown, kryetare e Albright Stonebridge Group, pjesë e Dentons Global Advisors, kryetare e Albright Capital Management, presidente e Harry S. Fondacioni i Bursave Truman, kryetar i Institutit Kombëtar Demokratik, kryetar i Bordit të Politikave të Mbrojtjes së SHBA-së dhe një autor. Ajo themeloi Institutin Albright për Çështjet Globale në Kolegjin Wellesley, shërbeu si kujdestare e përjetshme e Institutit Aspen dhe ishte anëtare e kapitullit të Katedrales Kombëtare të Uashingtonit. Ajo ishte 84 vjeç”. /KultPlus.com

Ka vdekur Madeleine Albright, mikja e madhe e Kosovës

Madeleine Albright, gruaja e parë sekretare e shtetit të SHBA, e cila ndihmoi në drejtimin e politikës së jashtme perëndimore pas Luftës së Ftohtë, ka vdekur. Ajo ishte 84 vjeç.

Vdekja e saj u konfirmua në një email drejtuar stafit të Albright Stonebridge Group, një firmë strategjike globale e themeluar nga Albright.

Ajo ishte një figurë qendrore në administratën e Presidentit Bill Clinton, së pari shërbeu si ambasadore e SHBA-se në Kombet e Bashkuara përpara se të bëhej diplomatja më e lartë e vendit në mandatin e saj të dytë.

Albright konsiderohet si një mike e madhe e Kosovës dhe kontributi i saj ishte i madh, sidomos gjatë kohës së luftës. /KultPlus.com