Kievi po mbijeton me akses të pandërprerë në ushqim, ilaçe dhe mallra

Një qytet në luftë ka nevojë për më shumë se vetëm armë.

Për të mbijetuar, një qytet ka nevojë për akses të pandërprerë në ushqim, ilaçe dhe mallra të tjera kritike.

Ndërkohë që Kievi ka shmangur shkatërrimet më të këqija të Rusisë, të cilat janë afër rrafshimit të Mariupolit dhe Kharkivit me tokë, kryeqyteti mbetet çmimi kryesor për diktatorin rus Vladimir Putin, i cili dëshiron të rrëzojë qeverinë kombëtare.

Qyteti është tani një kështjellë që ka qenë e pashpresë për forcat e tejzgjatura ruse për ta kapur në një sulm të drejtpërdrejtë. Në vend të kësaj, ata janë përpjekur të marrin nën kontroll zonat periferike dhe të shkëputin qytetin nga zinxhirët e tij të furnizimit, duke e shpërthyer në nënshtrim me raketa dhe artileri.

Ata kanë qenë vetëm pjesërisht të suksesshëm. Rusët janë ngritur në veri dhe veriperëndim, por nuk kanë arritur të bëjnë përparim domethënës në lindje, jug dhe jugperëndim. Si rezultat, zinxhirët e furnizimit civil të Kievit po punojnë me një kapacitet të reduktuar, por ato mbeten kryesisht të paprekura. /KultPlus.com

‘Për fat të keq, njerëzit ta dinë vlerën e vërtetë vetëm pasi ke ikur nga kjo botë’

Disa thënie të veçanta nga Marilyn Monroe…

“Për fat të keq, njerëzit ta dinë vlerën e vërtetë vetëm pasi ke vdekur”.

“Një femër nuk mund të rrijë dot e vetme. Një femër ka nevojë për një mashkull. Një femër dhe një mashkull e mbështesin dhe e forcojnë njëri-tjetrin. Femrat thjesht nuk mundet t’ia dalin dot të vetme me gjithçka”.

“Unë jam ndjerë përherë e pasigurtë, e mbi të gjitha, jam ndjerë e frikësuar. Mendoj se kam dashur dashuri më tepër se çdo gjë tjetër në këtë botë”.

“Suksesi i bën shumë njerëz të të urrejnë. Do të doja që të mos funksiononte kështu. Do të ishte e mrekullueshme të shijoje suksesin pa parë urrejtje në sytë e atyre përreth”.

“Kjo jetë është ashtu siç ti e jeton. Pavarësisht gjithçkaje, do ta dreqosësh ndonjëherë, kjo është një e vërtetë universale. Por gjëja e mirë është se, je ti që e vendos se si t’i dreqosësh gjërat”.

“Ne të gjithë jemi yje dhe të gjithë meritojmë të shkëlqejmë”.

“Askush nuk më tha se isha e bukur, kur isha e vogël. Çdo vajze të vogël i duhet thënë se është e bukur, edhe nëse nuk është, pasi kështu ajo do të ndihet edhe më e bukur”.

“Respekti është një nga thesaret më të mëdhenj në jetë. Domethënë, çfarë vlere do të kishte gjithçka, nëse nuk do të kishe respektin e të tjerëve?”.

“Një femër e mençur puth pa dashuruar, dëgjon pa besuar dhe largohet përpara se ta lënë mënjanë”./ KultPlus.com

Kurti për Kompleksin Memorial ‘Adem Jashari’: Kemi zhvilluar së bashku hapa të rëndësishëm drejt mbrojtjes së vlerave dhe zhvillimit të master planit

Është mbajtur mbledhja e katërt e Komitetit ndër-ministror për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

Në mbledhjen e djeshme u diskutua në hollësi për planin dinamik të punës, të zbërthyer në objektiva, aktivitetet në afat kohor, si dhe rezultatet e punës së Komisionit të Ekspertëve për periudhën janar – mars 2022.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në fjalimin e tij hyrës tregoi hapat që janë ndërmarrë që nga themelimi i këtij komuniteti.

“Gjatë vitit 2021 kemi zhvilluar së bashku hapa të rëndësishëm drejt mbrojtjes së vlerave dhe zhvillimit të master planit për Kompleksin Memorial. Pas vlerësimit të gjendjes fizike të ndërtesave dhe hartimit të planeve përkatëse, kanë filluar ndërhyrjet emergjente për mënjanimin e rrezikut në ndërtesat në gjendje të keqe dhe kemi themeluar Komisionin e Ekspertëve” tha kryeministri, duke shtuar se nga ky vit fokusi do të jetë në master planin për kompleksin memorial.

Ndërhyrjet emergjente në ndërtesën nr.4, në shtëpinë e Salë dhe Hamit Jasharit, kanë filluar në fund të dhjetorit 2021 dhe kanë përfunduar në mes të muajit mars 2022, tani puna do të vazhdoj edhe në ndërtesat tjera, të cilët janë vlerësuar nga ekipet profesionale të institucioneve tona dhe të inxhinierëve të Fakultetit të Ndërtimtarisë. /KultPlus.com

FFK e refuzon aplikimin, Vokrri publikon faktet

Federata e Futbollit të Kosovës, në prag të zgjedhjeve së 6 prillit, ka marrë vendim që pas verifikimit të aplikimeve të të kandiduarve për kryetar, verifikimit të nënshkrimeve të delegatëve ligjor që mbështesin të kandiduarit për t’u zgjedhur kryetar i FFK-së, si dhe verifikimin e procedurave të tjera statutare, në mbledhjen e mbajtur me 2 mars, mori vendim që të aprovojë aplikimin e Agim Ademit, derisa të refuzojë atë të Gramoz Vokrrit, shkruan KultPlus.

Nga vendimi zyrtar i FFK-së, thuhet se “pas verifikimit të nënshkrimeve në mbështetje të kandidatëve për kryetar të FFK-së, Komisioni ka gjetur se kontestuese kanë qenë nënshkrimet që kanë ardhur nga FC Prishtina, KF Ulpiana 1926 dhe KF Kika”.

Komisioni pas verifikimit të nënshkrimeve të delegatëve të Kuvendit të FFK-së, ka konstatuar se në mbështetje të Gramoz Vokrrit për kryetar të FFK-së, janë gjithsej 13 nënshkrime të vlefshme të delegatëve të ligjshëm të Kuvendit të FFK-së, kurse të pavlefshëm janë pesë nënshkrime dhe atë: nënshkrimi mbështetës i Naim Biçkaj; dy nënshkrimet mbështetese të Rrahman Haradini; nënshkrimi mbështetës i Artan Osmanit, dhe nënshkrimi mbështetës i Bujar Shabanit.

E ky komision erdhi në përfundim, se këto 13 nënshkrime nuk janë të mjaftueshme dhe janë të pas-afatshme, e me ç’rast ky kandidat nuk i plotëson kushtet statutare për të qenë kandidat për Kryetar të FFK-së.

Reagimi i kundër-kandidatit të Ademit, Gramoz Vokrri, ka qenë i menjëhershëm, i cili me të publikuar vendimi ka bërë edhe publikimin e nënshkrimeve, që sipas tij janë konform me ligjet dhe dispozitat e FFK-së.

Vokrri e quan në thojza pjesën e “të pavarur” sa i përket pjesës së FFK-së, derisa thotë se kjo tregon qartë tendencën e kundër kandidatit për të eliminuar me çdo kusht konkurencën dhe frymën demokratike të këtij procesi.

“Në aryetimin e FFK-së kontestohën nënshkrimet e KIKËS, ULPIANËS dhe PRISHTINËS. 

Të bashkangjitura keni faktet që dëshmojnë të kundërtën.  Këto nënshkrime kanë emra, mbiemra dhe vendime nga klubet e tyre”. 

Kandidatit të cilit iu është aprovuar aplikimi për Kryetar, është përballur disa herë më gjykatën për, ku edhe më 12 maj të këtij viti pritet të nis rigjykimi ndaj Agim Ademit, kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), i cili bashkë me Muharrem Ramën akuzohet se më 2012 kishin kërcënuar dhe sulmuar Dritëro Kadollin, duke i kërkuar të japë 30 mijë euro ose një “BMW X5”.Një gjë të tillë, për “Betimi për Drejtësi” e ka konfirmuar gjykatësi i rastit Sabit Sadikaj.

E Ademi është liruar në procedurë të rregullt para gjashtë ditësh nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, pasi i njëjtëti ishte ndaluar nën dyshimin për sulm të një zyrtari të FFK-së. /KultPlus.com

Dheu

Poezi nga Andon Z. Çajupi

Dheu i gjat’ e i gjerë,
na jep buk’ e na jep verë
për të ngrën’ e për të pirë,
kush di ta punojë mirë.

Si njeri i shtrënguar,
dheu nukë fal gjë kurrë,
pa munduar, pa punuar’
S’na jep as misër, as grurë.

Do ta punojë njeriu
dhe ta vadisë me djersë
që të hajë buk’ i ziu,
nga uria të mos vdesë!

Punoni, more të mjerë,
se dhe gjëri në na mbetë,
pas neve vinë të tjerë,
nukë sosetë kjo jetë./ KultPlus.com

Shpallet ‘Viti i Ali Podrimjes’, Margariti: Poet që na bëri ta donim edhe më shumë Kosovën

Ministria e Kulturës, Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë dhe Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit shpallën sot vitin 2022 “Viti i Ali Podrimjes”, me rastin e 80-vjetorit të lindjes dhe 10-vjetorit të ndarjes nga jeta të poetit të njohur nga Kosova.

Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila theksoi se “nuk mund të ketë një ndarje mes poetëve të Shqipërisë dhe poetëve të Kosovës, ata i përkasin gjithë shqiptarisë, ndaj edhe 2022-shin e kemi shpallur “Viti i Ali Podrimjes””.

“Ky është një homazh në 80-vjetorin e lindjes së një prej poetëve tanë të shquar, që na bëri ta donim edhe më shumë Kosovën e të ndjenim dhimbjen e saj”, tha Margariti.

Ministrja Margariti bëri të ditur se “Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë dhe Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit do të organizojnë një seri aktivitetesh jo thjesht rreth këtij autori, por rreth poezisë, duke konkretizuar kalendarin e përbashkët Shqipëri-Kosovë”.

Ky vit do të jetë një vit kushtuar aktiviteteve në kujtim të figurës dhe kontributit të Ali Podrimjes, si dhe poezisë shqipe, aktivitete të cilat do të shtrihen përgjatë 2022 në kuadër të projekteve të përbashkëta kulturore të bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe Kosovës.

Ali Podrimja u lind më 28 gusht, 1942 në Gjakovë, Kosovë, në kohë lufte e rrethanash aspak të volitshme dhe pati një fëmijëri mjaft të vështirë. Ali Podrimja është autor i më shumë se dhjetë vëllimeve me poezi dhe mbahet sot nga kritika si përfaqësuesi më tipik i poezisë së sotme shqiptare dhe si një poet me emër dhe në shkallë ndërkombëtare.

Ndër veprat më të njohura të tij janë: “Thirrje” 1961 , “Dhimbë e bukur” 1967 , “Sampo” 1969 , “Torzo” 1971 , “Folja” 1973 , “Credo” 1976 , “Sampo 2” 1980 , “Drejtpeshimi” 1981 , “Lum Lumi” 1982 ,”Fundi i Gëzuar” 1988 , “Zari” 1990 , “Në bisht të sorrës” 1994 , “Buzëqeshje në kafaz” 1995 , “Ishulli Albania” , “Pikë e zezë në blu” 2005.

Poeti Ali Podrimja, më 21 korrik të vitit 2012, u gjet pa shenja jete në qytetit Lodve të Francës, ku kishte udhëtuar për të marrë pjesë në një festival ndërkombëtar të poezisë./atsh/ KultPlus.com

Vetëm jeta s’mund të matet

Poezi nga Ali Asllani

Dhe ajo qe m’u duk mua e përhershme shkoj e vate
Vate jeta ime vate, me la vetëm një kujtim
S’di, i ziu, c’është kujtimi: Vetëm shkrep si vetëtimë
e me ndrit e me tregon gjurmëzat e zotëris’ sate

Thonë lindi me këmishë, për atë që paske fate’
meqë unë të dua ty, paskam lindur me këmishë
s’di, i mjeri c’është këmisha, vetëm ish ashtu si ish
midis mishit dhe këmishës futej dor’ e zotëris’ sate

Thonë paska paraise, gjith’ lulishte e pallate
tufa, tufa me hyjrira, vargje vargje me humrira
s’di, i ziu, c’është hyrija, por hyrirat më të mira
s’mund të ken’, t’u bëfsha unë, atë zjarr të zemrës sate

Paska vende gji-ergjënd e pallate me shtatë kate
ku ka defe, ku ka qefe, ku ka çupa me kaçupa
s’di, dhe s’di, se c’është kaçupi, me pëlqen më tepër kupa
kur ma mbush e kur ma jep, ajo dore pa mëkate

Dy te tretat e një kohe, të një shekulli që vate
vate jeta ime vate, me ‘te bashke van’ dhe fatet
s’di, i ziu, se ku vane, vetëm jeta s’mund te matet
veç me ditët qe kalova, ne prani te zotëris’ sate/ KultPlus.com

Kurimi i vetmisë, lot e qeshje

Përkitazi me premieren e shfaqjes „Muslimani“ autor e regjisor: Enver Petrovci, shfaqur në skenën e vogël të Teatrit Kombëtar të Kosovës

Kurimi i vetmisë, lot e qeshje

Nga: Agron Gërguri

        Shfaqja autoriale e Enver Petrovcit, autor i tekstit, regjisor dhe ne rolin e kryepersonazhit Dinit,  na ktheu tek teatri normal, klasik në një ambient kamertal në skenën e vogël të Teatrit Kombëtar ku u dha si premierë.

    „Muslimani“ i Petrovcit i cili jeton i vetëm në n jë banesë njëdhomëshe shtron  dilemën se devotshmëria fetare  ushqehet nga  përckatimi apo nga vetmia, si një ambient ku humbet kontakti me  jeten reale, e pastaj të mbetet  vetëm rituali fetar i cili e materializon besimin.  Në rastin e muslimanit të Petrovcit  tundimi i dilemës  shkaktohet  kur në skenë futet Nita në interpretim Vlora Nikçit, e cila vjen „mashtrueshëm“ dhe provokueshëm si kujdestare  e dërguar nga ministria.

    Por që e vërteta  në fakt është se  ate e ka paguar vajza e Dinit Hana e cila është martuar me një amerikan krishter përkunder vullnetit të Dinit apo më sakt mospajtimit të tij që ajo të martohet me një  katolik.

     Qëndrimi i ngurt fetar i Dinit sa  vjenë e thyhet para sharmit, kujdesit dhe sensualitetit të Anitës.

     Në fillim kjo thuaja se duket e pamundur por Dinin e tradhëton shikimi pushtues  në të pasmet e bëshme të Anites, me arsyetimin se  „i di Allahu punët e veta“ ai e gjenë derën për të dalë në jetë.

    Fundja hiç nuk është me rëndësi e vërteta, me rëndësi është se Anita arrinë ta nxjerr Dinin nga mbyllja, vetmia që kishte edhe shenja vetmimi. Të gjesh dashurinë si kuptim esencial jetësor është nivel i emancipimit dhe kjo s’ka të bëjë as me moshen, as gjinin, besimin fetar apo bindjet politike.

Natyrshmëria si arritshmëri e artit

Sipas ajeteve kuranore natyrshmëria është arritshmëri me kët thënie mund edhe të cilësohet shfaqja. Kjo ne rastin e Enver Petrovcit dhe Vlorë Nikçit shkon edhe më tutje shprehet me interpretim minaturial ku luan edhe gishti i vogël, drithërimat shqetësuese të trupit, brofja, shikimi i përqëndruar, lëvizjet e duarëve, ecja, rituali i faljes….për të mbërri tek  skena më emblematike e shfaqjes,  momenti kur Nita del, dera mbetet e hapur dhe fillon të mbyllet ngadal ndërsa Dini i Petrovcit e përcjell me shikim ndjesor të fuqishëm, duke e kalëruar  në mënyrë ekspresive gjithë kalendarin e jetës ai   me shikim domethënës i vendosur midis dilemës dhe deshirës që të dal apo jo nga vetmimi. Emocioni i kësaj skene pa tekst arrinë kulmin e gjendjes së personazhit që me aq finesa e luan Enver Petrovci e ku partnerja Vlora Nikçi e percjell denjësisht për të krijuar kështu një marrëdhënie të vështirë por tejet domethënëse për temën e shfaqjes  krejt natyrshëm rrjedhimisht kësaj edhe besueshëm si interpretim dhe si rrëfim.

 Ndoshta dalja e shpesht e Nites nga  skena do të mund të evitohej dramturgjikisht duke e ngopur ate me informata ashtu që ajo të mos  ketë nevojë me dal e me hy sepse peronazhi del dhe kur ktheht na sjellë informata të reja. Por me gjithatë duke respektuar kompleksitetin emocional të rrëfimit  ndoshta është më mirë që ajo vjen e shkon!

   Çaji, abdesi, namazi  janë aktivitetet e vetmisë së Dinit.  Kodit të  jetës së tij sikur  i mjaftonë devotshmëria   si vetëmjaftueshmeri në raport me Zotin. Këtë kod  sikur e vë në sprovë ardhja e Nitës sa lozonjare, sa e ashpër, sa e butë e ëmbël me sjelljet e saja krijon situata tragjikomike një përzierje e dëshirave  me mundësinë në ndërtimin e marrëdhënies me Dinin ngase edhe ajo bartë në vete një dramë,   se është sterile dhe për kët shkak është ndarë nga burri derisa Dinit i ka vdekur gruaja e dashur Sebi.

    Midis tyre sado pengesë  feja dhe kujtimet megjithatë ata arrijnë të  ndërtojnë  urën  njerëzore e cila reflekton si një marrëdhënie përtej kufirit të moshës.  Duke i shoshitur dilemat ata e gjejnë pikëtakimin tek dëshira për të jetuar.

    Duke u përpjekur të shkëputen nga kthetrat e  vetmisë si një fenomen i shoqërisë moderne, jetojmë afër njeri tjetrit e rrallë e hiq shihemi,  ata tjekalojnë edhe raportet fetare,  përkushtimin dhe devotshmërinë ndaj besimit si një ushqim  për forcimin e moralit, dhe intononojnë bukurinë e jetës përmes  dashurisë si kuptimi esencial i saj, njerëzorja.

Aroma e dashurisë si mesazh

    Aroma e dashurisë e cila e përshkon dramën është sigurisht pjesa më e bukur e shfaqjes prej ku pastaj del ai tymi i bardhë i mesazhit se njeriu ka nevojë për njeriun.

 Gjuha e personazheve është e natyrshme, ku edhe keqkuptimet gjuhësore shkaktojnë dashamirësi që është karakteristikë e ligjërimit të Enver Petrovicit si autor i shfaqjes.

     Drama gërmon thellësi emocionale që kanë të bëjnë me familjen, tjetërsimin, tëhuajësimin, hendekun midis gjeneratave, botkuptimet fetare që barten në kode jete, kujdesi i munguar ndaj të moshuarëve, mërgimin.

  Mbase përveç thjeshtësisë në shtruarje,  e veçanta e kësaj tragjikomedie është mesazhi se njeriu duhet që dhuratën jetë ta gëzoj përditë duke marrë e dhënë dashuri si   një përkushtim i vërtetë ndaj tjetrit pa të cilin ne nuk ekzistojmë.

       Shfaqja „Muslimani“ e Enver Petrovcit  me natyrshmërinë e saj e kthen teatrin në origjinën e tij  tek thjeshtësia si arritshmëria kulminante e artit.

      Skenografia, kostumet, zëri i Ismet Azemit, dritat, dekori, rekuizitat ishinë pjesë e ambientimit ku vepronin personazhet në interpretim natyralist ku veprimet foljore dhe ato fizike të Enver Petrovcit dhe Vlorë Nikçit  ishin në harmoni të plotë me shtjellimin e temës dhe na bënë që t’ju besojmë duke i duarëtrokitur për emocionet që na i dhuruan, përmes lotëve dhe qeshjes./ KultPlus.com

Genc Leka, poeti që pushkatua nga regjimi diktatorial

Muzeu Kombëtar “Shtëpia me Gjethe” përkujton sot poetin martir Genc Leka, pushkatuar nga regjimi diktatorial.

Genc Leka ishte mësues dhe poet, i pushkatuar në kohën e regjimit komunist. Lindi më 23 mars 1941 në fshatin Bërzeshtë të rrethit të Librazhdit. Mësimet e para i mori në fshatin e lindjes. Mes viteve 1959-1962 studioi në Shkollën Pedagogjike të Elbasanit dhe pastaj në periudhën 1960-61 e emëruan mësues në Zdrajsh, në krahinën e Çermenikës. Në vitet 67-68 shërbeu si ushtar, pranë Cërrikut.

Prej vitit 1959 ishte vënë në përpunim nga organet e Sigurimit. U arrestua më 31 gusht 1976 dhe pas njëmbëdhjetë muaj torturash në hetuesinë e Librazhdit, u akuzua për “sabotim dhe agjitacion e propagandë”.

Me vendimin nr. 45, më 16 qershor 1977 u dënua me pushkatim bashkë me kushëririn e tij, poetin Vilson Blloshmi. Pas një kërkese për falje, më 16 korrik 1977, Presidiumi i Kuvendit Popullor njoftoi refuzimin e faljes së jetës.

U ekzekutua bashkë me kushëririn e tij, Vilson Blloshmin, më 17 korrik të vitit 1977, në vendin e quajtur “Përroi i Firarit”. Më 1994, Presidenti i Republikës i akordoi dekoratën“Martir i Demokracisë”. Një vit më vone emri i ti iu vu një prej shkollave 9 vjeçare të Librazhdit.

Në vitin 2009, nën kujdesin e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve u botua vepra e tij e plotë. Në vitin 2010 Presidenti i Republikës i akordoi dekoratën “Nderi i Kombit”.

Poezia e fundit

O hënë, pse dole, moj, kaq e trishtuar,

Mos vallë për mua po mban zi?

……..

Ç’më fsheh ashtu me sy të lotuar,

Mos m’u sos jeta dhe unë s’e di?

Po dhe në vdeksha, jeta s’ka të mbaruar

Dhe pse sot po shkruaj të fundmen poezi.

(Shkruar në gusht 1976, pak ditë para arrestimit që i mori jetën)./atsh/ KultPlus.com

Shqipëri-Kosovë, rritje të bashkëpunimit mes muzeve

Ambasadori i Republikës së Kosovës në Shqipëri, Skënder Durmishi vizitoi sot Muzeun Historik Kombëtar.

Gjatë vizitës në muze, ambasadori Durmishi, zhvilloi një takim të përzemërt me drejtorin e Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi, me të cilin foli për bashkëpunimet e deritanishme mes Muzeut Historik Kombëtar dhe Muzeut Kombëtar të Kosovës.

Po ashtu Durmishi dhe Koçi folën për ecurinë e zbatimit të Kalendarit të Përbashkët Kulturor Shqipëri-Kosovë, si edhe për mundësitë e mëtejshme të bashkëpunimit mes dy muzeve./ KultPlus.com

Dua Lipa merr dy çmime në ‘iHeart Radio Music Awards 2022’

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, ka marrë dy çmime në ‘iHeartAwards2022’, shkruan KultPlus.

Lipa rrëmbeu çmimin e Këngës së Vitit me hitin ‘Levitating dhe Albumin e Vallëzimit të Vitit me albumin ‘Future Nostalgia’.

Shfaqja “iHeart Radio Music Awards 2022” që u transmetua të martën në mbrëmje (22 mars) nga Los Angeles, nderon artistët dhe këngët më të dëgjuar në stacionet iHeartRadio dhe aplikacionin iHeartRadio gjatë gjithë vitit 2021.

E organizuar nga LL Cool J, ceremonia e sivjetshme shfaqi performanca nga Megan Thee Stallion, Jason Aldean, John Legend, Charlie Puth, LL Cool J, Måneskin dhe Jennifer Lopez, e cila gjithashtu ishte fituesja çmimit të sivjetmë Icon./ KultPlus.com

Luani që po mbahej në kafazin e një restoranti në Gjilan transferohet në Pyllin e Arinjëve

Luani Gjoni i cili po mbahej në kafazin e një restoranti në Gjilan është transferuar përkohësisht në Pyllin e Arinjëve në afërsi të Prishtinës.

Një grup veterinarësh janë kujdesur për transferimin e luanit.

“Dje pasdite e kemi sjellur luanin Gjoni tek PYLLI I ARINJVE Prishtina. Restorani ku është mbajtur luani gjoni ishte djegur para disa ditëve, Gjoni nuk është lënduar. Prandaj, kemi vendosur që menjëherë ta sjellim Gjonin tek PYLLI I ARINJVE Prishtina, pasiqë të ushqyerit, kujdesi dhe siguria e tij nuk kanë qenë të garantuara. Këtu ai do të mbahet në një hapsirë të sigurtë dhe stafi ynë do të ofrojë gjithë kujdesin e nevojshëm. PYLLI I ARINJVE Prishtina nuk është destinacioni final për Gjonin. Do të vazhdojmë punën dhe angazhimin që zhvendosja e Gjonit në shtëpinë e tij të përhershme në një nga strehimoret e maceve të mëdha të FOUR PAËS, ku ai mund ta shijojë pjesën e mbetur të tij në një hapsirë sa më të natyrshme dhe më të përshtatshme për llojin e tij, dhe në shoqëri me kafshët tjera të llojit të tij”, kanë njoftuar në facebook Pylli i Arinjëve./ KultPlus.com

Sislej Xhafa shpallet Akademik Nderi nga Akademia e Arteve në Firencë

Akademia e Arteve të Bukura e Firences ka inauguruar vitin e saj të 238-të akademik. Në ceremoni morën pjesë Presidenti Carlo Sisi, mësueset Serena Conti dhe Susanna Ragionieri, studentja Ilaria Moscardi dhe – nga distanca – drejtori Claudio Rocca.

Ambasadorja e Republikës së Kosovës Lendita Haxhitasimi ndërhyri për ta nderuar artistin, bashkatdhetarin e saj, Sislej Xhafa, i cili sot mori emërimin Akademik Nderi së bashku me profesor Salvatore Settis, artisten Kiki Smith dhe Stefania Ippoliti nga Toscana Film Commission. I pranishëm për një përshëndetje të shkurtër ishte edhe Presidenti i Rajonit të Toskanës, Eugenio Giani, transmeton KultPlus.

“Njëzet e dy vjet më parë – tha ambasadorja e Republikës së Kosovës, Lendita Haxhitasimi – pata rastin të studioj në Itali, falë përkushtimit dhe mikpritjes së italianëve dhe bujarisë së komunitetit tonë historik arbëresh. Sfidat e dy viteve të fundit me luftën kundër pandemisë dhe kompleksiteti i zhvillimeve të fundit në lidhje me luftën në Ukrainë, nxjerrin në pah edhe më shumë rëndësinë e së drejtës për arsimim, një parim themelor për trashëgiminë e çdo shoqërie dhe të të gjithë. botë. “.

Për të hapur ditën përshëndetjet e Presidentit Carlo Sisi, në mandatin e tij të dytë, i cili në fjalimin inaugurues iu drejtua një mendimi për atë që po ndodh në kufijtë e Evropës, duke kujtuar se prania e ambasadorit të Kosovës na kujton po aq sa popullatat e ai shtet – i cili vetëm 14 vjet më parë shpalli pavarësinë e tij – duhej të vuante për shkak të një lufte.

Për garantimin e të drejtës së studimit edhe në rast konflikti, foli edhe ministrja e Universitetit dhe Kërkimit, Maria Cristina Messa, e cila në mesazhin dërguar Akademisë nënvizoi angazhimin e Ministrisë për mirëseardhjen e më shumë studentëve, mësuesve. dhe studiuesit që ikin nga lufta.

“Po jetojmë në një moment shumë të veçantë – shkruan Ministrja Mass – por një mesazh bashkimi, paqeje dhe ndërmjetësimi ndriçues po vjen nga Akademitë e Arteve të Bukura dhe nga bota e kulturës, kërkimit dhe formimit”. Duke kujtuar figurën e artistit Taras Ševčenko, për të cilin Biblioteka Oblate strehon një monument për kujtimin e saj, ajo shkruan: “Artet e kanë këtë fuqi: ata bashkojnë njerëzit, shprehin idealet, pasionet dhe frikën e tyre. Shpresoj që viti i ri akademik të sjellë, veçanërisht te të rinjtë tanë, një ndërgjegjësim të fortë se sa arti ka një vlerë të jashtëzakonshme shoqërore dhe është një mjet për ndryshim, për hapjen e mendjeve dhe për të mbështetur forcën e ideve. “/ KultPlus.com

Artisti ukrainas luan në violinçel në qendrën e qytetit të shkatërruar të Kharkiv

Një violonçelist që performon në qytetin e shkatërruar të Kharkiv, Ukrainë, thotë se shpreson që recitalet e tij të inkurajojnë kontributet bamirëse drejt ndihmës humanitare dhe rindërtimit të qytetit të tij të shkatërruar, transmeton KultPlus.

Në një video të postuar të martën, më 22 mars, Denys Karachevtsev, një i diplomuar në Akademinë Kombëtare të Muzikës të Çajkovskit të Ukrainës, i njohur gjithashtu si Konservatori i Kievit, performoi pjesë të Suitës nr. 1 të violonçelit të Bach jashtë mbetjeve të dëmtuara të selisë së policisë rajonale të Kharkivit. .

“Të bashkohemi për të ringjallur qytetin tonë së bashku!” Ka shkruar Karaçevtsev në Facebook.

Performanca është xhiruar nga fotografi Oleksandr Osipov, tha Karaçevtsev.

Ndërtesa e policisë dhe ndërtesat e tjera qeveritare në Kharkiv u dëmtuan nga bombardimet ruse më 2 mars, sipas Shërbimit të Sigurimit të Ukrainës.

Ditët e fundit, Karaçevtsev kishte interpretuar himnin kombëtar të Ukrainës përpara një fasade të dëmtuar në Universitetin Kombëtar të Arteve të Kharkiv. / KultPlus.com

Seriali hit ‘Brigerton’ rikthehet me më shumë ballo, miqësi dhe thashetheme

Seriali hit i Netflix “Brigerton” rikthehet në ekran këtë të premte me ballo më të bukura, miqësi romantike dhe sigurisht, shumë rubrika thashetheme që ndezin shoqërinë e lartë të Regency London, shkruan Reuters, transmeton KultPlus.

Bazuar në librat e Julia Quinn, sezoni i dytë i dramës së periudhës përqendrohet te vëllai më i madh i Bridgerton, Lord Anthony Bridgerton, i luajtur nga Jonathan Bailey, ndërsa ai fillon një kërkim për një grua.

Vëmendja e tij kthehet tek debutantja Edwina Sharma, e luajtur nga Charithra Chandran, e sapoardhur nga India me familjen e saj. Megjithatë, motrës së saj më të madhe Kate (Simone Ashley) nuk i bën përshtypje qasja pragmatike dhe pa dashuri e Anthony ndaj tregut të martesës, duke i vendosur të dy në një rrugë përplasjeje.

“Ka presion sepse është një grup librash kaq të dashur, por gjithashtu Kate dhe Anthony janë personazhe vërtet të komplikuar dhe të shkëlqyer, dhe unë e di që shumë njerëz i duan ata,” i tha Bailey Reuters në premierën e serialit në Londër të martën.

“Pra, presioni ishte me të vërtetë që t’u jepnim drejtësi dhe të sigurohemi që të mos e lëshojmë topin në mënyrën se si tregojmë historinë tonë të dashurisë.”./ KultPlus.com

Filmi western “The Power of the Dog” kryeson nominimet për Oscars

Favoriti i Oscars “The Power of the Dog” kryeson fushën me 12 nominime përpara shfaqjes së çmimeve të së dielës, duke sinjalizuar një ringjallje të Western, zhanrit që ka ushqyer Hollywood që në fillimet e tij, transmeton KultPlus.

Duke pasur parasysh prirjen e Hollivudit për të imituar suksesin, ” The Power of the Dog “, një përrallë machismo dhe hakmarrjeje e vendosur në vitin 1925 në shtetin veriperëndimor të SHBA-së, Montana, sigurisht që do të frymëzojë më shumë projekte perëndimore, thonë ekspertët e filmit.

Zakonisht një përrallë për kauboj ose armë e vendosur në Perëndimin e vjetër Amerikan, Western ishte një element kryesor i sistemit të studiove të Hollivudit për pjesën më të madhe të shekullit të 20-të. Në dekadat e fundit ai ka përjetuar periudha të vështira në varësi të shijeve të publikut, por kombinimi i peizazheve spektakolare dhe temave klasike si e mira kundër së keqes shpesh është dëshmuar i papërmbajtshëm për kineastët.

“Në aspektin kinematografik është thjesht një kanavacë e mahnitshme për të shkruar histori”, tha aktori Benedict Cumberbatch, i nominuar për Oscar për aktorin më të mirë për rolin e tij “Power of the Dog”, në një intervistë në Akademinë Britanike të Filmit këtë muaj.

Joshja shtrihet përtej ekranit të madh. Drama televizive “Yellowstone”, me Kevin Costner në rolin e pronarit të fermës John Dutton, është bërë një hit aq i madh sa Paramount Global (PARA.O) po e kthen atë në një ekskluzivitet.

Një prequel i quajtur “1883” ka tërhequr shikueshmëri rekord për shërbimin e transmetimit Paramount+ dhe kompania ka porositur një tjetër spinoff, “1932”, që do të pasojë një gjeneratë të re të Duttons.

Ajo gjithashtu ka licencuar emrin dhe logon “Yellowstone” për produktet e konsumit. Marka xhins Wrangler shet një koleksion “Yellowstone” të veshjeve për burra dhe gra.

“Sa herë që ndonjë gjë është e suksesshme në Hollywood, do të shkaktojë imitim,” tha Jonathan Kuntz, një pedagog në Shkollën e Teatrit, Filmit dhe Televizionit në UCLA./ KultPlus.com

Shefi i OKB-së i bën thirrje Rusisë që t’i japë fund luftës ‘të pafitueshme’

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres i kërkon Moskës t’i japë fund pushtimit të saj që ai e quan luftë të ‘pafituar’. Pas javësh bombardimesh, Volodymyr Zelenskyy tha se “nuk ka mbetur asgjë” nga Mariupol, transmeton KultPlus.

Një zyrtar i lartë i mbrojtjes amerikane thotë se fuqia luftarake e Rusisë në Ukrainë ka rënë nën 90% të nivelit të saj para pushtimit. Kjo tregon mundësinë e humbjeve të mëdha dhe rritjes së viktimave.

“Për herë të parë ato mund të jenë pak më poshtë se 90%,” u tha zyrtari gazetarëve në kushte anonimiteti dhe pa dhënë prova për të mbështetur pretendimin.

Më 2 mars, Rusia deklaroi se 498 personel ishin vrarë dhe 1597 ishin plagosur që nga fillimi i pushtimit të saj./ KultPlus.com

Berlin, Germany – November 04: Antonio Guterres, High Commissioner for Refugees of UNHCR, attends a press conference in german foreign office on November 04, 2015 in Berlin, Germany. (Photo by Michael Gottschalk/Photothek via Getty Images)

Homazh aktorit të skenës dhe ekranit, Rikard Ljarja

Shumëkush e kujton si Deda mbi shtyllë në “Rrugët të bardha”, por rolet e aktorit Rikard Ljarja, me të cilët identifikohet janë edhe shumë e shumë të tjerë

Komisari te “Kur zbardhi një ditë”, mësuesi Dritan Shkaba te “Komisari i dritës”, Rrema në “Shtigje lufte”, Skënder Guri te “Duel i heshtur”, Perlat Pëllumbi në “Ngadhënjim mbi vdekjen”, Gaqo tipografi në “Rrugicat që kërkonin diell”, inxhinier Tosi në “Ilegalët” e filma te tjerë, “Radiostacioni”, “Pranverë e hidhur”, “Rrethi i kujtesës”, “Fletë të bardha” etj janë disa prej roleve të tjera të interpretuara prej tij.

Si regjisor ka realizuar filmat “Pesha e kohës”, “Kur hapen dyert e jetës”, “Skëterrë 43”, “Radiostacioni” etj. Si regjisor, filmi më i arrirë i tij është “Kur hapen dyert e jetës”, i cili u realizua në vitin 1986, ku ishte edhe autor i skenarit. Ky film u nderua me çmimin “Aleksandër Moisiu”.

Në kuadër të muajit të Tetarit, ministrja e Kulturës Elva Margariti sjell në kujtesë aktorin e njohur të skenës shqiptare, Rikard Ljarja.

“Homazh aktorit të skenës dhe ekranit, regjisorit dhe shkrimtarit Rikard Ljarja”, tha Margariti.

Rikard Ljarja lindi në 1 prill të 1943 në Shkodër, ndërsa njihet nga shqiptarët për rolet e tij në teatër dhe në kinematografinë shqiptare. Në vitin 1960 mbaroi maturën në Shkodër, ndërsa në vitin 1965 u diplomua në Shkollën e Lartë të Aktrimit “A. Moisiu”, Tiranë.

Për tetë vite, pas diplomimit, punoi aktor i teatrit në Teatrin “Migjeni” në Shkodër. Prej vitit 1973 deri në vitin 1996 ai ishte aktor, skenarist dhe regjisor i filmave të prodhuar nga kinostudiot. Prej 1996 deri 2002, kur doli në pension, ishte drejtor artistik në Televizionin Publik Shqiptar.

Filmografia

Viktimat e Tivarit (1996)

Fletë të bardha – (1990) Shoku Emir

Pesha e kohës – (1988), Vasili

Rrethi i kujtesës – (1987), Mjeku

Në prag të jetës – (1985), Andrea

Pranverë e hidhur – (1985) Xha Teli

Skëterrë ’43 – (1980), Andrea

Radiostacioni – (1979) Komandanti

Në pyjet me borë ka jetë – (1978), Luka

Ilegalët – (1976) Tosti

Në fillim të verës – (1975) I deleguari i qarkorit

Rrugicat që kërkonin diell – (1975) Gaqo Tipografi

Rrugë të bardha – (1974) Deda

Shpërthimi – (1974) Inxhinjer Iliri

Ndërgjegja – (1972) Fitimi

Yjet e netëve të gjata – (1972)……xhandari

Kur zbardhi një ditë – (1971) Komisari

Plagë të vjetra – (1968)…….Naimi

Ngadhnjim mbi vdekjen – (1967)..Perlati

Duel i heshtur – (1967) Skenderi

Komisari i dritës – (1966) Dritan Shkabaj

Monumenti

Regjisor

Pesha e kohës – (1988)

Kur hapen dyert e jetës – (1986)

Fundi i një gjakmarrjeje – (1983)

Dita e parë e emërimit – (1981)

Sketerrë 43 – (1980)

Radiostacioni – (1979)

Në pyjet me borë ka jetë – (1978)

Skenarist

Pesha e kohës – (1988)

Kur hapen dyert e jetës – (1986)./ KultPlus.com

Kur u zgjuam

Poezi nga Ali Podrimja

Kur u zgjuam
ishim vishkull
fshiheshim nga vetvetja

Ujerat na i k’in bartur edhe endrrat
dhe leshuar na i k’in qente
dhe rrezuar na i k’in gardhiqet

Deri ne Maje te Majes kundermonte bar minjsh

Kur u zgjuam
ploje i kishte bere vathet
Ujk i Cale

E fluturimin e zogut
e buzeqeshjen e femijes
e fytyren e nenes i kishim relikte

Tani shikojme Qiellin e Verdhe kah hapet
dhe bartim ne shpine Malin e Ulurimave
derisa te na harrojne te vdekurit./KultPlus.com

Lista e plotë e fituesve në ‘iHeartRadio Music Awards 2022’

Shfaqja “iHeart Radio Music Awards 2022” që u transmetua të martën në mbrëmje (22 mars) nga Los Angeles, nderon artistët dhe këngët më të dëgjuar në stacionet iHeartRadio dhe aplikacionin iHeartRadio gjatë gjithë vitit 2021.

E organizuar nga LL Cool J, ceremonia e sivjetshme shfaqi performanca nga Megan Thee Stallion, Jason Aldean, John Legend, Charlie Puth, LL Cool J, Måneskin dhe Jennifer Lopez, e cila gjithashtu ishte fituesja çmimit të sivjetmë Icon.

Ylli i “Marry Me”, 52 vjeç, u nderua me çmimin vjetor, i cili njeh “ndikimin e saj në kulturën pop, jetëgjatësinë dhe rëndësinë e vazhdueshme si një forcë turne dhe radio”.

Shfaqja, tashmë në vitin e nëntë, shpalli listën e të nominuarve në janar dhe fytyrat e famshme përfshijnë Adele, Lil Nas X, Dua Lipa, BTS, Olivia Rodrigo, The Weeknd, Billie Eilish, Bruno Mars, Maroon 5 dhe Luke Combs.

Lista e plotë të fituesve më poshtë.

Kënga e vitit:

Dua Lipa – Levitating

Artistja femër e vitit:

Olivia Rodrigo

 Artisti mashkull i vitit

Lil Nas X

Foto: Getty Images

Duo/Grupi më i mirë i vitit:

Bruno Mars, Anderson .Paak, Silk Sonic

Bashkëpunimi më i mirë

The Kid LAROI & Justin Bieber -Stay

Artisti më i mirë i ri i muzikës pop

Olivia Rodrigo

Albumi Pop i vitit

Adele – 30

Kënga më e mirë e muzikës alternative

All Time Low me fetar Blackbear – Monsters

Artisti më i mirë i muzikës alternative

Mitralozi Kelly

Artisti më i ri i muzikës alternative

Maneskin

Kënga Rock e vitit

Foo Fighters – Waiting on a War

Artisti më i mirë Rock

Foo Fighters

Albumi i Rock i vitit:

Foo Fighters – Medicine at Midnight

Artisti më i mirë i ri i Rock-ut:

Mammoth

Kënga ‘country’ e vitit

Jason Aldean & Carrie Underwood – If I Didn’t Love You

Aristi më i mirë i muzikës ‘country’

Luke Combs

Aritsti më i mirë i ri i muzikës ‘country’

Lainey Wilson

Foto: Getty Images

Kënga më e mirë ritmike

Acraze ft Cherish – Do It to It

Artisti i vitit për këngën ritmike

David Guetta

Kënga Hip-Hop e vitit

Pop Smoke – What You Know Bout Love

Artisti Hip-Hop i vitit

Drake

Artisti më i mirë i ri i Hip-Hop

Yung Bleu

Albumi Hip-Hop i vitit

J.Cole – The Off-Season

Kënga R&B e vitit

Bruno Mars, Anderson.Paak, Silk Sonic – Leave the Door Open

Artisti R&B i vitit

Jazmine Sullivan

Artisti më i mirë i ri R&B

Giveon

Kënga latine e vitit

BICHOTA” – KAROL G

Artisti latin i vitit

Farruko

Artisti më i mirë i ri latin

Grupo Firme

Teksti më i mirë: * Kategoria e votuar nga shoqëria

Taylor Swift – All Too Well (version 10 minuta) (Versioni Taylor) (Nga Vault)

Kënga më e mirë e kopertinës: * Kategoria e votuar nga shoqëria

Camila Cabello – Good 4 u (Olivia Rodrigo)

Tifozët më të mirë: * Kategoria e votuar nga shoqëria

BTS – #BTSARMY – BTS

Videoja më e mirë muzikore: * Kategoria e votuar nga shoqëria

BTS – Butter

Çmimi Social Star: * Kategoria e votuar nga shoqëria

Bella Poarch

Turneu i vitit

Harry Styles – Love on Tour

TikTok i vitit : * Kategoria e votuar nga shoqëria

Olivia Rodrigo – “good 4 u” – Olivia Rodrigo

Lexo po ashtu:

Të gjitha lajmet nga iHeartRadio

Të gjitha lajmet nga iHeartRadio

Albumi më i mirë i rikthimit (kategoria e re): * Kategoria e votuar nga shoqëria

Adele – 30

Kantautori i vitit në TikTok (kategoria e re): * Kategoria e votuar nga shoqëria

Jax

Kantautori i vitit:

Omer Fedi

Producenti i vitit:

FINNEAS./ KultPlus.com

33 vjet nga rrënimi i autonomisë së Kosovës

Përkujtesë historike: 23 mars 1989

RRËNIMI I AUTONOMISË SË KOSOVËS – FILLIMI I SHKATËRRIMIT TË JUGOSLLAVISË DHE LINDJA E SHTETIT TË KOSOVËS

Shkruan Jusuf Buxhovi

Rrënimi i autonomisë së Kosovës nga ana e Serbisë, më 23 mars 1989 në rrethanat e gjendjes së shtetrrethimit, ishin pjesë e skenarit të Beogradit për riformatizimin e Jugosllavisë në një shtet  unitarist që do të mbikëqyrej nga Serbia. Demonstratat e 11 marsit 1981, me ç’rast u ripërsërit e dinamizuar kërkesa për Republikën e Kosovës nga demonstratat e vitit 1968, u shfrytëzuan  si shkas për hapjen e këtij procesi, që do të kthehet në program politik të udhëheqjes serbe me rastin e spalljes së Memorandumit të Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve në nëntor të vitit 1986. Dalja e Millosheviqit në skenën politike si dhe përdorimi i lëvizjeve populiste për disciplinimin e federatës jugosllave, duhej të përcillej edhe me ndryshimet kushtetuese, të cilave udhëheqja serbe ua përcaktoi formatin dhe kornizat, që për synimim kishin “barazinë e pozitës kushtetuese të Serbisë me subjektet tjera në federatë”, që nuk do të thoshte tjetër pos rrënimi i pozitës kushtetuese të Kosovës në federatë në përputhje me kushtetutën e vitit 1974 kur ajo fitoi statusin e njësisë së barabartë federative e me këtë edhe të largimit nga tutela serbe.

Rrënimi me dhunë i autonomisë së Kosovës, sigurisht se nuk do të ishte i mundur edhe pa aminin e njësive të tjera të federatës jugosllave që iu dha Serbisë nga aprovimi i platformës politike për Kosovën nga dy kryesitë e vendit në maj 1981, kur demonstratat e Kosovës u vlerësuan ngjarje kundërrevolucionare, gjë që hapi procesin e gjatë të diferencimit politik, viktimë e të cilit ishte arsimi, kultura, ekonomia dhe të arriturat tjera insitucionale që solli kushtetua e vitit 1974 si dhe burgosjet e qindra dhe mijëra të atyre që nuk pajtoheshin me këtë gjendje.

Në këtë proces të mundimshëm të diferencimit, udhëheqja e atëhershme politike e Kosovës, nuk ishte në gjendje që t’i kundërvihje Serbisë në rrethanat kur kishte prapa republikat tjera që secila në mënyrën e vet spekulonte me viktimizimin e Kosovës, gjë që ndodhi kursi i nënshtrimit në përputhje me logjikën e mbijetimit, që të humbet sa më pak, deri te limiti i mbrojtjes me anën e  nenit 49,  që nënkuptonte mos dhënien e pelqimit për ndryshime,  po qe se prekej subjektiviteti i Kosovës në federatë, që shfaqej më shumë iluzion se sa realitet politik.

Në këto rrethana, udhëheqja e atëhershme (Vllasi dhe K. Jashari), në fund të vitit 1988 dhe në fillim të vitit 1989, u përpoqën që fushatës serbe t’i kundërpërgjigjeshin me demonstratat gjithëpopullore në Kosovë kundër këtyre ndryshimeve, me ç’rast u shfrytëzuan edhe minatorët për grevë dhe të ngjashme, që përfunduan me burgosjen e Vllasit dhe shpalljen e gjendjes së jashtazakoshme, që i duhej Beogradit që në Kosovë të përdorej për rrënimin e autonomisë.

Këtë e tregoi edhe farsa e votimit në Kuvendin e Kosovës, më 23 mars 1989, kur delegatët e Kosovës, nën kërcënimin e tankeve, u desh të jepnin “pelqimin” për këto ndryshime. Por, 11 prej tyre nuk iu nënshtruan kësja trysnie. Votuan kundër dhe me këtë nxorën në pah dinjitetin dhe guximin  politik dhe njerëzor edhe në rrethanat e kërcënmit me jetë. Kjo bëri që në gjithë Kosovën puçi kushtetues i Serbisë ndaj kushtetutes së Jugosllavisë e me këtë edhe të Kosovës, të përcillet me demonstrata të përgjakshme, meqë e gjitha u përjetua si ripushtim i tretë i Kosovës  nga pushtimi i vitit 1912.

Ripushtimi i Kosovës nga Serbia (i par më 1918 dhe i dyti më 1944), megjithatë nuk u pranua me vullnet. Përkudrazi, krahas demonstratave të përgjakshme, u përcoll me lëvizjen kombëtare që filloi me themelimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, më 23 dhjetor 1989 nga intelektualët e njohur (shkrimtarë, akademikë, gazetarë dhe të të tjerë) në të cilën u përfshinë e gjithë popullata e Kosovës, me ç’rast u mor përispër jetësimi i procesit të legjtimimit të vullnetit të popullit të Kosovës (Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut 1990, shpallja e Republikës së Kosovës në kuvendin e Kaçanikut më 7 shtator 1990 si dhe referendumi për pavarësi, në vitin 1991). Me to iu dha legjitimiteti demokratik lëvizjes së rezistencës institucionale dhe asaj të armatosur, që me ndihmën e vendeve të NATO-s të drejtuara nga SHBA-të, pas bombardimit 72 ditësh ( 24 marsi  10 qershor 1999), çoi te çlirimi i Kosovës nga pushtimi serb  dhe vendosjen e saj nën protekteratin ndërkombëtar me rezolutën 1244 të KS të OKB-së nga 10 qershori 1999.  Protektorati ndërkombëtar mori fundi më 17 shkurt 2008, kur u shpall pavarësia e Kosovës./ KultPlus.com

La Peregrina: Perla më e famshme në botë

Historia e ‘La Peregrina’ është një histori që i hap derën rolit të rëndësishëm që perlat kanë luajtur në kulturën njerëzore si shenjues i bukurisë, fuqisë dhe pasurisë dhe është veshur nga mbretër e mbretëresha në piktura. Fotografitë e Elizabeth Taylor shpesh kapin pasionin e saj për perlat natyrore. Ato u bënë sinonim i magjepsjes dhe famës në vitet 1950 dhe 1960, të veshur nga gra të tilla si: Coco Chanel, Jackie Kennedy dhe Marilyn Monroe, shkruan BBC, transmeton KultPlus.

‘La Peregrina’, njëra nga perlat më të famshme në historinë botërore çmohet për madhësinë e saj, formën e përsosur dhe prejardhjen mbresëlënëse. Ishte pranvera e vitit 1969 dhe në apartamentin në katin e fundit të Pallatit të Cezarit në Las Vegas, Elizabeth Taylor ndodhej në një panik, për arsye se artikulli i saj më i dashur i stolive, një margaritar natyral i gjatë 25.5 mm (1 inç), ishte zhdukur.

Para se Taylor ta zotëronte atë, ‘La Peregrina’ kishte qenë në pronësi të disa prej dinastive më të fuqishme në historinë evropiane dhe ishte shfaqur në portrete nga artistë përfshirë: Peter Paul Rubens dhe Diego Velázquez. Taylor nisi të pastronte çdo pëllëmbë të tapetit të suitës, por e gjitha pa rezultat. Pastaj ajo vuri re një prej qenve të saj ‘Pekinez’ duke përtypur diçka.

“Sapo hapa gojën e këlyshit rastësisht dhe brenda gojës së tij ishte margaritari më i përsosur në botë’’, ka shkruar ajo në librin e saj Elizabeth Taylor: My Love Affair with Jewellery.

Pasuria, bukuria dhe pastërtia shpirtërore, ishin këto të gjitha cilësitë e shoqëruara të perlave kur ‘La Peregrina’, shembulli më i madh i parë akoma, u zbulua në Gjirin e Panamasë në fund të viteve 1500. Fakti që iu dërgua menjëherë Mbretit Filipi II të Spanjës, flet shumë për gjeopolitikën globale në periudhën e Rilindjes dhe tregon drejt një shoqate tjetër që perlat zotërojnë në art.

Pra, kur shihni një portret të një romaku të veshur me perla, ashtu si kur shihni La Peregrina në shumë portrete të familjes Mbretërore Spanjolle që e zotëronte atë, ato nuk nënkuptojnë vetëm bukurinë ose pastërtinë, por gjithashtu simbolizojnë kolonitë ekzotike, fitimprurëse dhe fuqinë e pamatshme të fituar përmes imperializmit.

Një shembull i kësaj është një portret i Mbretëreshës Spanjolle, Margareta e Austrisë (gruaja e Philip III) nga Juan Pantoja de la Cruz, ku ‘La Peregrina’ krenohet me vendin e vendosur në gjoksin e saj. Ishte e ngjashme me një portret të mëvonshëm të kuajve nga Velázquez i Mbretëreshës Elizabeth të Francës (gruaja e Filipit IV), ku perla ulet mes një deti monogramash dinastike dhe simbolesh në pëlhurën që zbukuron vendin e qëndrimit. ’La Peregrina’ ishte bërë një ‘Jeëel Croën Spanish’, kështu që ishte gjithashtu një simbol i prejardhjes mbretërore.

Po ashtu, përmendet si një pasuri e çmuar e ‘Kurorës Spanjolle’ në kujtime të ndryshme të shekullit të 17-të, duke përfshirë Dukën Franceze të Saint-Simon dhe Mademoiselle de Montpensier, i cili regjistroi Mbretin Filip IV të Spanjës që e mbante atë mirë në kapelën e tij në dasmën e tij.

Në portretet e Cruz, Velázquez dhe Rubens, të gjitha gratë duken mjaft të ngurta, formale dhe jo ekspresive. Kjo ka ndodhur për shkak të kufizimeve që ishin vendosur për portrete mbretërore në oborrin spanjoll ku nuk lejohej buzëqeshja. Objekte, të tilla si ‘’La Peregrina’’, kanë simbolizuar virtytin e grave të paraqitura në këto portrete.

La Peregrina e vërtetë mbeti në zotërimin e familjes mbretërore spanjolle deri në fillimin e viteve 1800. Në 1808 Napoleoni pushtoi vendin dhe vendosi në fron vëllain e tij, Joseph Bonaparte. Kur francezët u dëbuan nga Spanja në 1813, Jozefi e solli margaritarin përsëri me të në Francë dhe ia dha kunatës së tij Hortense de Beauharnais. Më pas u trashëgua nga djali i saj Charles Louis Napoleon Bonaparte, Napoleoni i ardhshëm III, Presidenti dhe Perandori i Francës në mes të viteve 1800.

Kur Napoleon III kishte nevojë për të rritur financat e tij, ai ia shiti atë anglezit James Hamilton, Duka i Abercorn. Gruaja e Hamiltonit, Louisa, thuhet se pësoi të njëjtën panik si Elizabeth Taylor, duke zhvendosur ‘’La Peregrina’’ disa herë gjatë funksioneve të shoqërisë, duke përfshirë një herë midis jastëkëve në një divan në Pallatin Buckingham. Mbeti në zotërim të Dukes of Abercorn derisa u ble për 37,000 dollarë në ankand nga Richard Burton në 1969.

Perla u bë një nga pasuritë e çmuara të Elizabeth Taylor. La Peregrina duhej të përjetësohej edhe një herë në kulturën vizuale duke u shfaqur rreth qafës së Taylor në fotografi dhe filma të ndryshëm ikonikë përfshirë ‘’Anne of the Thousand Days (1969)’’. Në Dhjetor 2011, pas vdekjes së Taylor, perla u shit në ankand për 11.8 milion dollarë (8.4 milion) ndaj një blerësi anonim.

Perlat nuk janë thjesht një zbukurim; ato gjithashtu flasin për imperializmin, fuqinë, pasurinë, pastërtinë shpirtërore dhe kuptimin tonë të bukurisë përfundimtare./ KultPlus.com

Kujtime nga ditari i Franc Kafkës për Aleksandër Moisiun

Moikom Zeqo

Franc Kafka e ka njohur dhe ka qenë adhurues i aktorit Aleksandër Moisiu. Në “Ditarin e tij” Kafka flet për Moisiun për përshtypjet e një takimi në 28 shkurt 1912:

“3 Mars. Më 28 shkurt isha tek Moisiu.

Ka një paraqitje jo të natyrshme. Rrinte ulur dhe në dukje dukej i qetë; vetëm duart i mbante zakonisht të bashkuara përmbi gjunjë, sytë ia ngulte librit dhe lëshonte zërin e tij që i ngjasonte atij të një njeriu që është duke vrapuar.

Salla kishte akustikë të mirë.

Nuk humbiste asnjë fjalë edhe po të ishte vetëm pëshpërimë! Gjithçka zgjerohej pak nga pak sikur vijonte jehona e zërit e cila bashkohej me të tjera gjëra dhe na mbyllte edhe ne në qarkun e saj.

Në këtë rast mund të vësh re mundësitë që ka zëri.

Ka në të artifise vulgare dhe befasime që na detyrojnë të shohim përtokë po ne nuk vepronim në atë mënyrë; kështu ndodhte p.sh. që në vargjet e para ‘Flej, Miriam, vajza ime’; kur zëri endet nëpër melodi; tek shqiptimi i shpejtë i Këngës së Majit ku ngjasonte sikur në mes të fjalëve ishte futur vetëm maja e gjuhës; tek ndarja e fjalëve tek poezia “Era e nëntorit” në mënyrë që era të shtyhej në fillim poshtë e më pas të vërshëllente lart.

Ai që ngre sytë nga tavani i sallës e ndjen veten të lartësuar nga vargjet.

Poezitë e Gëtes nuk janë arritur nga recituesi po ama s’gjen dot asnjë gabim tek recitimet e tia dhe aty gjithçka ndikon për t’ia arritur qëllimit.

Përftoi efekt të madh kur ai shtoi në program ‘Këngën e shiut’ të Shekspirit dhe brofi në këmbë, u çlirua nga teksti duke nderë dhe tutluar shaminë në mes të duarve dhe nxirrte vetëtima nga sytë.

Mollëzat i ka të rrumbullakta po fytyrën eshtake.

Flokët i ka të buta, dhe i shtron pareshtur me lëvizje të ngadalta të dorës.

Për të kishim lexuar artikuj entuziastë; këto i shërbejnë derisa e dëgjojmë për herë të parë, më pas ai pështjellohet dhe nuk mund të përftoj një mbresë të kulluar.

Mënyra si reciton i ulur me librin përpara, të kujton paksa një ventrilok.

Artisti, i ftohtë nga ana e jashtme, ulej para meje në mënyrë që thuajse nuk dallojmë dot fytyrën e përkulur, lëvizjet e buzëve dhe në vend që të flasë ai, duket se flasin vargjet përmbi kokën e tij.

Megjithëse dëgjoheshin melodi të ndryshme dhe zëri rrëshqiste si një barkë përmbi ujëra, nuk dëgjohesh melodia e vërtetë e vargjeve.

Disa fjalë shpërbëheshin nga zëri; ato ishin rrokur në mënyrë të brishtë dhe lulëzonin dhe s’kishin asgjë të përbashkët me zërin e njeriut derisa zëri shqiptonte fort ndonjë bashkëtingëllore të ashpër, e mbështeste fjalën në tokë dhe i jepte fund recitimit”.

Franc Kafka jep kështu përshtypjet e tij me një veprimtari recitimi të drejtpërdrejtë me Aleksandër Moisiun. Nuk është një dëshmi e dëgjuar nga të tjerët, por është dëshmi autentike e vetvetes.

Kafka e përshkruan talentin recitues dhe interpretues të Moisiut si atë të një vetriloku! Kjo më duket e çuditshme, por edhe e pranueshme. Ventrilokut i vjen zëri nga thellësia e brendshme e barkut dhe pa i lëvizur buzët. Ky është një shpjegim mjeshtërie! Dhe Moisiu ishte vërtet një mjeshtër. / KultPlus.com

Filmat që duhet t’i shikoni këtë javë

Nëse ende nuk i keni gjetur filmat që do t’i shikoni këtë javë, ne ua sjellim disa ide.

Deep Water”

Është një gjë që duhet parë për adhuruesit e mprehtë. Jo vetëm sepse është një thriller erotik i mbushur me intriga dhe joshje, por edhe sepse në të luajnë Ana de Armas dhe Ben Affleck, të cilët filluan të takoheshin pas takimit në xhirime. E mbani mend gëzimin e ”Benanës” dhe shëtitjet e tyre pandemike?

“Life & Beth”

“Life & Beth” shënon rikthimin e Amy Schumer, e cila duhet t’ju tregojë menjëherë nëse do të jeni në serial apo jo. Ai ndjek Beth-in, një grua në fund të të 30-tave, e cila po përjeton një lloj krize, duke menduar për jetën e saj dhe çfarë e bëri atë në vendin ku ndodhet tani.

”Human resources”

Nga universi i “Big Mouth” vjen “Burimet Njerëzore”. Seriali është ana tjetër e “Big Mouth”, duke vënë theksin te insektet e dashurisë, përbindëshat e hormoneve, magjistarët e turpit dhe të gjithë personazhet që kanë qenë prej kohësh tepër intrigues dhe komikë.

”Windfall”

Me protagonistë Lily Collins, Jason Segel dhe Jesse Plemons, “Windfall” ndjek një hajdut, një CEO dhe gruan e tij, të cilët janë bashkuar të gjithë nga fakti se çifti kap hajdutin në mes të grabitjes së shtëpisë së tyre të pushimeve.

”Master”

Me protagoniste Regina Hall, “Master” është një film i frikshëm dhe i menduar për tre gra zezake në një kampus të mallkuar kolegji. Historia ndjek Gail Bishop (Hall), mjeshtri i parë i zi i një prej shtëpive të banimit të shkollës, Liv Beckman ( Amber Grey ), një profesoreshë në rrugën e saj drejt mandatit dhe Jasmine Moore ( Zoe Renee ), studente e parë. / KultPlus.com