Uranik Emini
Të apasionuarit e psikologjisë, miqtë, të afërmit, studentët dhe njohësit e fushës së psikologjisë, u mblodhën bashkë më 21 mars për të ndjekur nga afër promovimin e profesorit dhe psikoterapistit, Fitim Uka, i cili promovoi librin e tij të dytë me titull “Teoria dhe psikoterapia e kohezionit të brendshëm”, shkruan KultPlus.
I gjithë ky promovim, i cili filloi nga hyrja në derën e Sallës së Kuqe, e deri te fjala e Ukës, u përcoll me emocione, duke tentuar të tregojë se emocionet janë pjesë e rëndësishme e natyrës njerëzore.
Hapjen e kësaj ngjarje e bëri Vanesa Sopjani nga Klinika ”Empatia”.
Ndërkaq, i pari për të folur rreth këtij promovimi u ftua Dekani i Departamentit të Psikologjisë, Dashamir Bërxulli, i cili hapjen e fjalimit e bëri me diçka emocionale, konkretisht me një barcoletë.
“Psikoterapia ka edhe humor brenda, por më e rëndësishmja është që ka strukturë, ka një mënyrë të menduarit specifike, dhe është një mënyrë e të kuruarit të njerëzve. Përtej shakas, psikoterapia është një art i shërimit të njerëzve dhe të ofrimit të ndihmës në ato momente kur njerëzit kanë më së shumti nevojë”, u shpreh ai.
Tutje, Bërxulli gjithashtu shtoi se ky libër mund të radhitet në rendin e literaturës serioze në fushën e psikoterapisë.
“Libri është ndërtuar në disa kapituj që ndjekin një linjë logjike dhe konsistente në përputhje me pikëpamjet e autorit Uka”.
Pas Dekanit, i erdhi radha edhe profesorit Aliriza Arënliu, që u shpreh shumë i lumtur për faktin se ishte njëri ndër personat e parë që lexoi librin.
“Jam jashtëzakonisht i lumtur që më është dhënë mundësia që të lexojë një ndër të parët librin e Fitimit. Uka me librin e tij adreson një prej sfidave më të mëdha të shkencës së psikologjisë, atë të ofrimit të një kornize të logjikshme për terapistët dhe studiuesit e hulumtimit. Libri në fjalë tenton ta plotësojë një pyetje madhore të njerëzimit për të ofruar një këndvështrim të natyrës njerëzore”.
Arënliu, shpjegon se ky libër tenton të adresojë tre probleme madhore në fushën e psikologjisë klinike dhe të psikoterapisë.
“Fitimi si një klinicist, hulumtues, mundem me thanë i ri, në librin e tij tenton të adresojë tre probleme madhore në fushën e psikologjisë klinike dhe të psikoterapisë, e mendoj se e ka edhe bazën me të cilën e ndërton edhe këtë teori. E para është ofrimi i një perspektive apo shpjegimi logjik për funksionimin adaptiv dhe psikopatologjinë e njeriut. E dyta tenton të ofrojë një kornizë logjike për intervenime apo trajtim të problemeve psikologjike dhe e treta, kur e lexoni e kuptoni, tenton me arritë një konceptim që e quan kohezion të brendshëm, e që është një gjendje, destinacion që mund të arrihet, por në të njejtën kohë edhe mund të ruhet”.
Ndërkaq, i fundit por jo nga rëndësia, Uka shpalosi edhe gjithë historinë e këtij libri dhe ofroi një “terapi falas” për të gjithë njerëzit në sallë, ku edhe u panë emocione të ndryshme sikurse nga ai por edhe nga të pranishmit.
“Që prej kohës kur jetoj prej së vërteti, përmendem me vetëdije të plotë, kam pyetur “kush jam unë” dhe “kush është bota ime”? Deri vonë pata menduar që këtë pyetje e bëj vetëm unë dhe përgjigjen e saj e kanë gjetur kaherë të tjerët. Kam lakmuar të tjerët për qetësinë që i përcjell, pa e ditur që në fakt të gjithë ishin të trazuar si unë. Më vonë pata kuptuar, që dilemat e mija ishin të secilit prej njerëzve. Besoj janë edhe dilemata tuajat”.
Profesori universitar, u mundua që çdo herë e më shumë të paraqes se rruga për të kuptuar jetën a botën ku jetojmë, i bie nga të kuptuarit e vetës.
“Në raportin tonë të çuditshëm me veten, shkrihet vetëvlerësimi, e në këtë rast zëri i brendshëm shfryen mllefin ndaj nesh apo edhe duartokret heshturazi, Në raportin tonë me veten, pushon edhe motivimi, shtytja e cytja e veprimit, atëherë kur zëri di si të na flas për të na zgjuar nga shtrati I gjumit, e na fton për të punuar, për t’i dhënë kështu jetë ëndrrave e qëllimeve tona, në raportin tonë me veten nuk mund të mungojë vetërregullimi, e zëri i brendshëm në këtë rast, na fton për të kontrolluar emocionet, për t’i shtypur ato kur ngrejnë krye kundër rregullave apo për t’i ngjallur atëherë kur duket se po zhduken e po humbasin kuptimin.Por, as zëri i brendshëm, as ajo që ndjejmë dhe besojmë për veten, as kujtimet më të mira, e as motivi ynë nuk është i pavarur. Nuk ka skicë për veten, që nuk e ka një vijë të shkarravitur nga të tjerët. Nuk ka autoportret një ngjyrësh, dhe ngjyrat rëndom na i japin të tjerët. Prandaj, ne jemi më shumë se sa vetja. Jemi edhe të tjerët”.
Ekuacioni i terapisë së kohezionit të brendshëm, sipas Ukës, ka 4 raporte dhe 3 kohë, e mund ta ketë edhe ndonjë të panjohur, ashtu siç njeriu është e panjohura më e madhe e vetes. 4 raporte dhe 3 kohë, asnjëra nuk bën pa tjetrën, secila e influencon secilën. 4 raporte të shëndosha në të trija kohët e mundësojnë atë që e konsideron si kohezion i brendshëm.
Uka në fund të fjalimit pati falënderime për njerëz të shumtë që ndihmuan në përpunimin e këtij libri, derisa u shpreh edhe mirënjohës për kolegët dhe të gjithë ata që kanë besuar teorinë dhe kanë qenë pjesë e trajnimit 6 mujor për kohezionin e brendshëm dhe përmbylljen e gjithë asaj se çfarë kishte shkruar e bëri me falënderime për nënën e tij.
“Familjes, ndërkaq, i detyrohem shumë kërkimfalje dhe falënderime. Asgjë nuk e justifikon mungesën time, por gjithashtu asnjë falënderim nuk mund ta shpërblej mbështetjen e Yllkës e Bindit, por edhe të babës, mësuesit Ruzhdi, Samiut, Naimit, Afërditës, Lulzimit, Zahides dhe Antigonës, nipave e mbesave të mi. Siç e kam shkruar edhe në fillim të librit, ky libër i dedikohet nanës dhe shpirtit të saj të bardhë, që prehet diku në paqe. Çdo ndihmë që mund të buroj a frymëzohet nga ky libër, qoftë dritë për ty në amshim nanë”, përfundon fjalimin e tij të përcjellur me shumë e shumë duartrokitje dhe emocione të panumërta.
Shëndeti mendor mund të ndikojë në jetën e përditshme, ndjenjat dhe aftësinë fizike. Faktorët në jetën e njerëzve, marrëdhëniet ndërpersonale dhe betejat fizike mund të kontribuojnë në shëndetin mendor. Prandaj, vetëdija e shoqërisë se shëndeti mendor është diçka shumë e rëndësishme, duhet të jetë sa më e lartë.
Gjysma e të ardhurave nga shitja e këtij libri do t’u dhurohet fëmijëve me Sindromën Down, pikërisht më 21 Mars, ku edhe shënohet dita e këtyre personave. /KultPlus.com