Është mars

Poezi nga William Stanley Merwin

Është mars

Është mars dhe pluhur i zi pikon nga librat
Do te iki shpejt
Shpirti i mirë që ishte këtu
Tashmë ka fluturuar
Dhe në rafte qëndrojnë penj të pangjyrë
Nën çmimet e vjetra
Kur shikoni prapa gjithnjë e shihni të kaluarën
Edhe atëherë kur s’është
Por kur vështroni drejt të ardhmes
Me kyçet e lodhura dhe me zogun
E pakrah në supe çfarë
Çfarë mund të shkruani
Hidhërimi ende po shtohet në minierat e vjetra
Grushti ngjizet që nga veza
Termometrat dalin nga gojët e kufomave
Në një lartësi sa e sheh syri
Bishtat e dragonjve për një çast
Shkilen nga shputat
Gjithçka që duhet të bëj nuk ka filluar ende

Përktheu: Osman Gashi / KultPlus.com

A young W.S. Merwin. (Credit: Estate of W.S. Merwin)


Modelet e interpretimit në veprën më të re të Rifat Ismailit

Libri “Kodi emblematik i ligjërimit”, i Rifat Ismailit, është një libër kritik, i cili orientohet në libra dhe figura të rëndësishme të letërsisë shqipe. Autori, nëpërmjet qasjeve të ndryshme kritike, paraqet disa rrugë të mundshme të shikimit dhe të interpretimit të veprave letrare. Zakonisht, Ismaili, varësisht nga karakteristikat e tekstit që ka përballë, arrin të na paraqesë një analizë semantike e stilistike, ndonjëherë edhe analizë strukturale, të cilat gërshetohen me njëra-tjetrën. Në këtë mënyrë kritika e tij,  ka në fokus figurat e shumta letrare, që përdoren në këto tekste. Këto figura letrare, të cilat i heton, i mundësojnë atij një interpretim mjaft argumentues dhe deshifrues të veprave. Ai ndjekë formën e  kritikës, ku në radhë të parë ofron mendimin dhe më pas e argumenton atë, duke paraqitur edhe tekstin burimor. Kritika e tij, me raste është përgjithësuese, por ajo që e bën të veҫantë është detajizimi, për shkak se Ismaili, ndalet në detajet, të cilat kur bashkohen formojnë një tërësi, nëpërmjet detajeve ai arrin të japë stilin që e karakterizon shkrimtarin. Ai, përdorë edhe paratekstin, si një gjetje mjaft interesante. Për ҫdo  pjesë të kritikës, vendosë një paratekst, i cili merret nga shkrimtar të njohur, kritik, e studiues të letërsisë si: Bodriar, Kamy, Kundera, Todorov, Shekspiri, Duras, Veyne, Bodler, Persi, Ricos, Blonchote, etj.

Libri si strukturë ndahet në tri pjesë. Kjo ndarje e ka për bazë formën e shkrimit të librave të cilët vendosen nën kritikë. Në pjesën e parë e kemi kritikën për romanin, në pjesën e dytë për tregimin, kurse në pjesën e tretë për poezinë.

Romani si gërshetim mes personazhit dhe përmbajtjes

Pjesën e krtikës për romanin, autori e hapë me Ismail Kadarenë dhe romanin e tij “E penguara, Requiem për Linda B.”. Ky shkrim anon më shumë nga një zbërthim semantik e stilistik dhe si i tillë e paraqet veprën të deshifurar nëpërmjet figurës së analogjisë në radhë të parë, e më pas edhe alegorisë. Sipas autorit, analogjia më e madhe që krijohet është ajo e përkimit të kohëve, ku në qendër vendoset figura mitike e Orfeut. Ismaili, shpërfaqë lidhjen mes botës së Hadit dhe botës së aktualitetit në vepër: “Autori narrator, përmes analogjisë së kohëve, përafron dy botë, atë të Hadit dhe të aktualitetit diktatorial. Përafron ferrin mitik me internimin, kampin e vdekjes, ku gjendej vajza e dënuar Linda B..” Këtë analogji, ai e sheh edhe me personazhin, fatin e të cilit e analogon me Orfeun: “Për ironi, në analogjinë e fatit të kohëve, sikur rikthehen situatat nëpër të cilat kishte kaluar edhe këngëtari mitik Orfeu”.

Në romanin “Bolero në vilën e pleqve” të Kongolit, përmes një vështrimi sociologjik, ai, e shpërfaqë personazhin e Parashqevisë, përballë gjendjes aktuale, konkretisht përballë trazirave të vitit 1997. Realitetin e jashtëm Ismaili, e bashkon me realitetin familjar të personazheve të librit, këto realitete funksionojnë në një lloj determinimi: “Konflikti brenda etnisë reflektohet thellë në fatin e familjeve. Pasojat e tij e godasin ҫdo ëndërr të Parashqevit”.

Romani “Funerali i pafundmë”, i Visar Zhititsipas Ismailit, paraqet një sprovë: “…trajton sprovën e të mbijetuarit të njeriut tonë në shtegun metaforik të vdekjes”. Autori na jep një analizë e cila për bazë e ka strukturën e veprës. Kjo strukturë, barazohet me përmbajtjen e veprës, e cila sipas Ismailit nuk është asgjë tjetër veҫse “shtegtimi i  brezave në ecje funeralesh për ta gjetur dhe vazhduar vetveten në shtegun e të ardhmes”.

Vitet e urithit” i Kim Mehmetit sipas autorit paraqet një tërësi e cila: “Ndërlidh me mjeshtëri lëndën, ngjarjet dhe karakteret e vperës në një tërësi metaforike”. Autori shpreh lidhshmërinë mes strukturës së romanit me lexuesin e imagjinuar.  Ndër të tjera, ai fokusohet tek vendi ku ndodhet ngjarja, simbolet e ndryshme që i paraqet autori, duke hetuar me një sy kritiku deri në detajet më të vogla. Ai specifikon disa simbole të cilat edhe e definojnë veprën si tërësi: “Pamja e tij është dhënë përmes shenjash të veҫanta simbolike: kullat si mburojë e jetës së mbijetuar. Xhamia si faltore ku rrëfehen jetët e shpirtrave. Shtatë rrapet e vjetër përreth saj si ca apostuj në rënie….Dhe në fund, vallja fshatare, e cila vazhdon ta reflektojë ngadhnjimin e njeriut në kohë mbi ankthet e jetës dhe të vdekjes”.

“Hiri” i Flutura Akҫës ndonëse si formë paraqet një roman, sipas Ismailit, mund të merret apo të shikohet edhe në një dimension tjetër, atë të poemës elegjiake: “Romani Hiri i Flutura Akҫës mund të merret si një poemë elegjiake, kushtuar fatit të njeriut, krijuesit”. Autori, ndalet më shumë në analizimin e subjektit të veprës, ku specifikon ҫështjen e dashurisë dhe të krijimit. Në anën tjetër, mund ta shohim një vëmendje të madhe që ia kushton ndërlidhjes së veprës me pikturën, e cila bëhet edhe mjet thelbësor për interpretim.

Tregimi mes Kadaresë dhe Prokshit

Në pjesën e dytë të librit, autori merret me dy shkrimtarë, Kadarenë dhe Prokshin. Tek Kadareja, nga përmbledhja “Ëndërr mashtruese”, ndanë tregimin “Prometeu”, ku fokusohet në burimin mitik. Ai, dallon analogjinë mes mitit dhe aktualitetit: “Në këtë tregim të Kadaresë është aplikuar poetika e analogjisë që përafron situatat dramatike mitike me ato aktuale”.

Veprimtarinë tregimtare të Prokshit, ai e definon si një kontrast të thellë kreativ, mes jetës dhe ëndrrës: “Proza e tij ndërtohet mbi një kontrast të thellë kreativ: në një anë janë tmerret reale të jetës, që trazuan botën e etnisë në fund të shekullit dhe në anën tjetër gëzimet irreale të ëndrrës”.

Poezia, stili dhe figuracioni

Në pjesën e tretë të librit, ndalet tek veprimtaria poetike e disa prej figurave më të rëndësishme shqiptare. Këtë pjesë e hapë me figurën e Dritëro Agollit dhe veprën “Pelegrini i vonuar”. Në këtë përmbledhje, ai veҫon disa nga poezitë, duke na i dhënë karakteristikat kryesore të tyre. Autori identifikon alegorinë e metaforën e Agollit: “Brenda amullisë së të jetuarit njeriu sikur vazhdon edhe më tej gjumin e tij alegorik. Ndërsa jeta vazhdon në batakun metaforik të saj, katandisur në fatin e vetvetes”.

“Shëtitje pa veten” e Fatos Arapit, bëhet pjesë e kritikës së Ismailit. Edhe këtu, autori ndalet tek alegoria dhe metafora: “Vepra poetike “Shëtitje pa veten” e Fatos Arapit trajton shtegtimin metaforik të qenies së poetit nëpër hapësirat metaforike të qenies së poetit nëpër hapësirat metaforike të jetës. Alegorikisht shënon ecjen e krijuesit nëpër mugëtirën e realitetit të kohës, në kërkim të një bote më të denjë për njeriun”. Autori, ndër të tjera paraqet edhe elementet ose preukopimet e botës së jashtme, të cilat reflektohen në poezinë e Arapit.

Din Mehmeti, në veprën “Zjarri i këngës”, sipas autorit, arrin t’i ngrisë dy ҫështje themelore: “…shtron ndër të tjera, dy ҫështje që rëndojnë mbi fatin e qenies sonë. Është dhuna e pushtuesit të huaj, që kulmoi në dekadën e fundit të shekullit, dhe e kaluara me pasojat e mbetura në botën e mendësisë sonë”.  Autori, merret edhe me njeriun dhe mënyrën sesi shfaqet  ai në poezinë e Mehmetit, përballë botës në të cilën jeton. Një nga këto elemente është liria dhe mënyra sesi kuptohet ajo. Ismaili vërenë edhe ironinë që Mehmeti e përdorë në raste të caktuara.

Nga Podrimja, veҫon librin “Ishulli Albania”. Ndalet në strukturimin e librit, na i jep karakteristikat e ndërtimit të tij, shpjegon disa nga poezitë më të rëndësishme të përmbledhjes, ku ndër to është edhe poezia që mbanë të njëjtin titull me veprën “Ishulli Albania”, të cilin e sheh si një ishull simbolik: “Një shtrirje metaforike e shpirtit të poetit nëpër hapësirën konkrete dhe fiktive të jetës. Nëpër gjurmët e mbetura të Ishullit simbolik, i cili vazhdon në një fat të braktisur, copëtuar nga të tjerët dhe harruar nga vetvetja”.

Qasje ironike të realitetit, autori e quan librin “Eliksir” të Ragip Sylajt. Këtë vepër e sheh si një shpërfaqje të realitetit absurd të kohës, në të cilin “uni” poetik stigmatizohet. Specifikon dilemën e poetit, kohën si element, dialogun me vetveten si karakteristikë e poezisë “Ballë për ballë me përjetësinë”. Simbolin si karakteristikë, e sheh në vargje: “Poeti, me eliksirin simbolik të urtësisë në shpirt, me dritën e tij, kalon nëpër skëterrën e kohës”.

Ajo që e hapë librin poetik “S’i duhet kujt gjaku im” të Adem Gashit, sipas Ismailit, është figura e inversionit, që më pas vazhdon të plotësohet me  figurën e paradoksit. E vërejmë një qasje që Ismaili ka përballë tekstit, e që është më shumë qasje e cila e ka për bazë zbërthimin apo gjetjen e figurave në tekstin poetik, duke arritur kështu edhe definimin e stilit të autorit. Ndër figurat kryesore që hasë në veprën e Gashit janë alegoria, aluzioni sugjerues, ironia shpotitëse dhe referenca dëshmuese.

Pothuajse të njëjtën qasje, e bartë edhe në analizimin e veprës tjetër, të po këtij autori, të titulluar “Ditët pa gjë”. Edhe këtu, na ofron një analizë e cila ndalet në disa nga poezitë kryesore, të cilat edhe e definojnë stilin e përgjithshëm të Gashit, si poet. Heton alegorinë, metaforën dhe njeriun bashkë me veset e tij, që shfaqen shumë në poezi: “ Ca poezi të tjera të këtij vëllimi denoncojnë veset dhe cenet e njeriut në pushtet, botën e tij të gremisur në honet e egoizmit dhe të lakmisë”.

Topalli, në veprën “Sytë  që dinë me pa”, sipas Ismailit, na shfaqet me  poetikën e refleksioneve meditative. Autori vetëm nëpërmjet një fjalie, arrin të na e paraqesë karakterin e të gjithë kësaj vepre: “Vepra ngërthen në vete përvojën jetësore dhe kreative të poetit, e cila ngjan me një shtegtim metaforik nëpër labirintet e kohës dhe të ekzistencës”.

Ismaili, arrin të na i paraqesë karakteristikat esenciale të të  gjithë librave, që i merr nën shqyrtim. Fokusohet më shumë në elementet e veҫanta, të cilat i japin atij mundësinë të ndalet në disa pjesë të veprës, në disa poezi, apo në disa elemente, siҫ është forma e ndërtimit të saj, narracioni e figurshmëria. Këto vepra, ai arrin t’i analizojë një një formë mjaft objektive. Ismaili, me veprën e tij, ofron mundësinë e leximit dhe interpretimit të këtyre veprave, në një dimension tjetër, dimension që është i thellë dhe analizues, gjithmonë i mbështetur në argumente.

Shënim: Punimi është paraqitur në lëndën “Letërsi aktuale shqipe”, që ligjërohet nga Prof. Dr. Sali Bashota, në studimet e nivelit master, dega e Letërsisë shqipe, Fakulteti i Filologjisë, Prishtinë.

Eriola Ҫoҫaj / KultPlus.com

Më 24 mars mbahet seancë, me rastin e 23-vjetorit të bombardimeve të NATO-s

Të enjten, më 24 mars 2022, në orën 11:00, Kuvendi i Republikës së Kosovës do të mblidhet në seancë solemne, në shënim të 23-vjetorit të fillimit të bombardimeve të NATO-s mbi caqet policore dhe ushtarake serbe. Ndërkaq në orën 13:00, do të mbahet seancë e rregullt plenare, njofton Kuvendi.

Kështu vendosi sot Kryesia e Kuvendit, në mbledhjen e përbashkët me kryetarë të grupeve parlamentare, të drejtuar nga kryeparlamentari Glauk Konjufca.

Pas shterimit të pikave të zakonshme, deklarime jashtë rendit të ditës dhe pyetje parlamentare, Kuvendi pritet të debatojë për politikën e jashtme.

“Tutje, Kuvendi do të shqyrtojë për herë të parë Projektligjin për Kompensimin e Viktimave të Krimit, si dhe atë për Pronën Publike, ndërsa në lexim të dytë Projektligjin për bashkëpunim juridik ndërkombëtar në çështjet civile, si dhe atë për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për bashkëpunim juridik ndërkombëtar në çështje penale.

Seanca do të vazhdojë me shqyrtimin e dy raporteve: raportit me rekomandime lidhur me mbikëqyrjen e Ligjit për Infrastrukturën Kritike, si dhe ato lidhur me raportin e auditimit për pasqyrat financiare të ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit për vitin 2020.

Do të votohet po ashtu për propozimin e GP të Listës Serbe për emërimin e anëtarit në Komisionin Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një anëtar të Bordit për Ankesa të Mediave, si dhe pritet të zgjidhen anëtarët e Komisionit për Ndihmë Shtetërore.

Pikë e fundit e rendit të ditës së kësaj seanca do të jetë themelimi i Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me menaxhimin e krizës energjetike nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës”, thuhet tutje në njoftimin dërguar mediave, transmeton Express.

“Kryesia, në mbledhjen e sotme, procedoi për mendim në qeveri Projektligjin për Komisionerin Parlamentar për Forcën e Sigurisë së Kosovës, Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit nr. 04/L-101 për Fondet Pensionale të Kosovës, i plotësuar dhe ndryshuar me Ligjin nr. 04/L-115, me Ligjin nr. 04/L-168 dhe Ligjin nr. 05/L-116, si dhe atë për Rregullimin e Çmimeve të Produkteve Medicinale.

Kryesia po ashtu vendosi që në bazë të rekomandimit të Komisionit Ad-hoc, të shpallet konkursi për dy anëtarë të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, nga komunitetet joshqiptare”, përfundon njoftimi. /Express/ KultPlus.com

Kjo është poezia më e shkurtër në botë

Kjo poezi është shkruar nga Aram Saroyan, poet armeno-amerikan, romancier, biograf, dhe dramaturg.

“M” me katër “këmbë” është futur në Librin e Rekordeve të Guinness si poezia më e shkurtër në botë.

Për vite të tëra kjo poezi ka qenë subjekt diskutimi.

Poeti Bob Grumman këtë poezi e ka kuptuar si lindjen e një alfabeti, por ndër vite ka pasur edhe shpjegime të tjera. / KultPlus.com

Arta Balaj emërohet drejtoreshë e Kulturës në Komunën e Prishtinës

Kryetari i degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Prishtinë, Uran Ismaili ka prezantuar sot Arta Balajn si drejtoreshë e Kulturës për këtë komunë.

Ismaili ka thënë se përgatitja e lartë profesionale dhe përvoja e madhe në sektorin publik dhe privat në Kosovë, e bëjnë Artën një kuadër mirë të kualifikuar për këtë pozitë.

“Si një grua e përgatitur mirë, me shkollim ndërkombëtar dhe e dëshmuar për rreth dy dekada në sektorin publik e privat, Arta ka besimin dhe mbështetjen time të plotë në detyrën e re. Ajo ka punuar në disa shtete të ndryshme ndërsa ka bashkëpunuar edhe me shumë organizata ndërkombëtare që shërbejnë në Kosovë. Përvojën e saj të madhe do ta sjell tani në Prishtinë, për t’i dhënë gjallëri jetës dhe aktiviteteve kulturore në kryeqytetin tonë”, ka thënë Ismaili.

Sipas një komunikate, Partia Demokratike e Kosovës deri më sot kishte emëruar nënkryetaren dhe katër drejtorë, nga pesë sa i takojnë nga marrëveshja për bashkëqeverisje.

Me emërimin e Artës, kompletohet ekipi i PDK-së për kryeqytetin.

Donjeta Sahatçiu (nënkryetare), Besianë Musmurati (drejtoreshë e Arsimit), Plator Gërdovci (drejtor i Bujqësisë), Ilirik Musliu (drejtor i Shërbimeve Publike), Granit Rugova (drejtor për Sport) dhe Arta Balaj (drejtoreshë e Kulturës). / KultPlus.com

‘Erdh pranvera, çeli qershia, unë rri tuj mendu’ (VIDEO)

E lindur në kryeqytetin e Shqipërisë, u rrit duke kënduar këngët lirike e rajonit të saj të lindjes së Shqipërisë së Mesme. Debutimin e saj në mbarë vendin erdhi në 1983, në në moshë të re kur ajo këndoi në Festivalin Kombëtar Folklorik në qytetin e Gjirokastrës. Bëhet fjalë për Merita Halilin, zëri i së cilës do të mbetet gjatë në historinë e muzikës shqipe.

Repertori për të cilin Merita është më e njohur është ai i qyteteve të Shqipërisë Qendrore (Shqipëria e Mesme), veçanërisht Tiranë, Elbasan, Kavajë dhe Durrës. Modeloi të kënduarit e saj jo vetëm në muzikë familjare edhe në regjistrimet e këngëtarëve më të vjetër.

Këto janë të incizuara në Institutin e Folklorit në Tiranë, dhe shfaqen në radiot shqiptare nga dy këngëtare të famshme të disa breznive Hafsa Zyberi nga Tirana dhe Fitnete Rexha nga Kruja e cila ishte dhe mësuesja e saj.

KultPlus sot ju sjell këngën “Erdhi Pranvera”, një këngë kjo e cila edhe pas kaq kohësh ndëgjohet e këndohet nga të gjithë.

Bashkangjitur gjeni videon dhe tekstin e këngës.

Erdhi pranvera çeli qershia
Dita filloj me ardh.
Erdhi pranvera çeli qershia
unë rri tu mëndu .

Kush t’mi qaj hallet e mija, ajo që desha u largu.

Ka shumë vite moj
që po t’presë moj
Du me t’pa me sy.

Nëna yte moj edhe baba moj
t’kishin mbyll o me dry.

Vura kokën ne jastëkë
Kujtova se binte shi.
Por ata moj,
ata ishin lotët e mi.
 / KultPlus.com

‘Me varg në shpirt m’çeli pranvera, desha t’jetoj gjithmonë i neshtë’

Poezi nga Ibrahim Rugova

Me varg në shpirt m`çeli pranvera.
Desha t`jetoj gjithmonë i neshtë.
Më bëhet se do të vajtoj përhera,
Kur po hyj me të madhe në vjeshtë.

Ah, stinë e verdhemtë, stinë e venitur
Vallë, Ty të mallkoi mëma -natyrë?
Që bashk t`shkrihemi kështu t`nemitur,
Mos jemi të mjer në krijatyrë?

Po ëndrrove me këngë të rritesh,
Dhe ajo jetës përpara ti flasë.
E di. Me dëngë plot do t`goditësh.
E ngado të endesh veç do të vrasë.

Athua Zoti i madh diti të gjykojë
Që njomaket të kalben shi në vrug.
Apo secili barrën e vdekjes të peshojë
N`zjarr të heshtjes i vetmuar si murg?

I ngopur me të vërtetën në gji,
Vëllau im dole n`mesin me erë.
Mbi fytyrën e re t`ra nji vel i zi –
T`nxuer e t`futi n`kuvli përherë.

O kujt t`i falem n`këtë orë t`vështirë,
Kujt t`ia kërkoj hijen e njomsisë?
Pa frikë. Prore do t`jetë djellamirë –
Pikllimi im, kasnec i gjallë i fuqisë.

Dua të iki fushës e malit-
Jetën e shof si grusht t`rendë.
Jo, s`dua të iki. Dua si shpirt djalli
Të ngjitem së bashku në vend.

Bën që per vargjet e mia t`përvëlimit,
Të më quajnë edhe njeri fare t`prishtë.
Po heret i vranë sytë e shtrembërimit,
Se e flas t`vërtetën e kam çiltërisht.

Por nji ditë të dihet se zemra e poetit,
N`dimër a n`verë s`di të ngurrë
Dhe kur e ndjen valën rreth vetit –
Qan e qesh nuk qetësohet kurr.

(Cerrcë 1960) / KultPlus.com

Dita Ndërkombëtare e personave me Sindromën Down

Dita Botërore e Sindromës Down, 21 Mars, është një ditë globale e ndërgjegjësimit e cila është vëzhguar zyrtarisht nga Kombet e Bashkuara që nga viti 2012.

Data për këtë ditë që është dita e 21-të e muajit të 3-të, u zgjodh për të treguar veçantinë e trefishimit – trisomia e kromozomit 21 i cili shkakton sindromën.

Në këtë ditë, njerëzit me sindromën down dhe ata që jetojnë dhe punojnë me ta në të gjithë botën organizojnë dhe marrin pjesë në aktivitete dhe ngjarje për të rritur ndërgjegjësimin e publikut dhe për të krijuar një zë të vetëm global që mbron të drejtat, përfshirjen dhe mirëqenien e njerëzve me këtë sindromë.

Çfarë është sindroma down?

Sindroma down është një gjendje në të cilën një fëmijë lind me një kopje shtesë të kromozomit të tyre të 21 – prandaj emri tjetër i tij është trisomia 21. Kjo shkakton vonesa të zhvillimit fizik, mendor dhe paaftësi.

Shumë nga aftësitë e kufizuara janë të përjetshme, dhe ato gjithashtu mund të shkurtojnë jetëgjatësinë. Sidoqoftë, njerëzit me sindromën down mund të jetojnë jetë të shëndetshme dhe të kënaqshme.

Çfarë e shkakton sindromën down?

Në të gjitha rastet e riprodhimit, të dy prindërit u kalojnë gjenet fëmijëve të tyre. Këto gjene barten në kromozome. Kur qelizat e foshnjës zhvillohen, secila qelizë supozohet të marrë 23 palë kromozome, për 46 kromozome gjithsej. Gjysma e kromozomeve janë nga nëna, dhe gjysma janë nga babai.

Tek fëmijët me sindromën down, një nga kromozomet nuk ndahet siç duhet. Foshnja përfundon me tre kopje, ose një kopje shtesë të pjesshme, të kromozomit 21, në vend të dy. Ky kromozom shtesë shkakton probleme ndërsa truri dhe tiparet fizike zhvillohen.

Llojet e sindromës down

Ekzistojnë tre lloje të sindromës down:

Trisomia 21

Trisomia 21 do të thotë se ka një kopje shtesë të kromozomit 21 në çdo qelizë. Kjo është forma më e zakonshme e sindromës down.

Mozaikizmi

Mozaikizmi ndodh kur një fëmijë lind me një kromozom shtesë në disa, por jo në të gjitha qelizat e tyre. Personat me sindromën mozaik down kanë më pak simptoma sesa ata me trisomi 21.

Zhvendosja

Në këtë lloj të sindromës down, fëmijët kanë vetëm një pjesë shtesë të kromozomit 21. Ekzistojnë 46 kromozome totale. Sidoqoftë, njëri prej tyre ka të bashkangjitur një pjesë shtesë të kromozomit 21.

Cilat janë simptomat e sindromës down?

Megjithëse gjasat e mbartjes së një foshnje me sindromën down mund të vlerësohen nga kontrollet gjatë shtatzënisë, nuk do të përjetoni ndonjë simptomë të mbartjes së një fëmije me sindromën down.

Në lindje, foshnjat me sindromën down zakonisht kanë disa shenja karakteristike, duke përfshirë:

  • tipare të sheshta të fytyrës
  • kokë dhe veshët e vegjël
  • qafë e shkurtër
  • gjuhë të fryrë
  • sytë që anojnë përpjetë
  • veshët në formë atipike

Një foshnje me sindromën down mund të lindë në një madhësi mesatare, por do të zhvillohet më ngadalë sesa një fëmijë pa këtë gjendje.

Njerëzit me sindromën down zakonisht kanë një farë shkalle paaftësie zhvillimi, por shpesh është e lehtë deri në mesatare. Vonesat e zhvillimit mendor dhe shoqëror mund të nënkuptojnë se fëmija mund të ketë:

  • sjellje impulsive
  • gjykimi i dobët
  • hapësirë ​​e shkurtër e vëmendjes
  • aftësitë e ngadalta të të mësuarit.

/ KultPlus.com

Espinoza: Njerëzit që ankohen shumë nuk e njohin vetveten

Shkruan: Ibrahim Berisha

Shkrimtari katalon, Alberto Espinoza: Dua t’ju them si djalë kam humbur shumë, por kam qenë i lumtur. E dija që nuk kisha këmbën e majtë, por zgjohesha duke menduar se e kam një të djathtë. Pse e përmend lumturinë. Sepse unë jam i lumtur me ju.

Albert Espinosa shkrimtar, regjisor, artist, skenarist katalon, veprat e të cilit shijohen me admirim.Si fëmijë e përballoi vuajtjen nga kanceri, duke kaluar 10 vjet nëpër spitale dhe në kurë të rëndë. Atëherë humbi këmbën e majtë.

Impresionon me artin e tij dhe qëllimin për të mos u ndalur, por me hapa të fortë shpejton për t’u ngritur edhe më shumë në tempullin “estetik”, që i dha aq respekt dhe famë. Po nuk ndalet duke parapëlqyer të tregojë betejën e tij dhe të njerëzve si ai, kundër sëmundjes së kancerit. Këtë e bëri edhe në romanin “Bota e verdhë”. E vërteta, këtë botë të verdhë, njerëzit e shohin kudo të jetojnë, po nuk e kuptojnë, e ndiejnë po nuk e njohin prapë, jo aq sa e ndiejnë vetë atë që gjenden në vorbull të dramës.

Mendimi dhe puna e Espinozës, janë të fokusuara në fatin e njerëzve katalonë edhe jokatalonë. Aq më shumë për fatin e fëmijëve. Shkruan: “Urrejtja ime ndaj dikujt që i heq një fëmije një pjesë të fëmijërisë është e madhe. Mendimi im, ky është një nga krimet më të mëdha që ekzistojnë, kjo grabitje e pafajësisë”. Por, i ndodhi vetë Espinozës përfshirë nga sëmundja, që për fat e përballoi. Fëmijët janë viktima të moshuarëve mizorë, ambiciozë të pafre, në emër të së ardhmes që rrënojnë të tashmen pamëshirshëm. Shih, kjo po u ndodh tash fëmijëve ukrainas, sikur u ndodhi nga krimi serb edhe fëmijëve shqiptarë këtu e 33 vjet më parë.

Përkushtimi i Espinozës për njerëzit dhuron vlerësimin e vërtetë për forcën e tij. Kjo duket e pastër edhe në rrëfimet për jetën. Aq më shumë, për veset bezditëse që dëgjohen paprajshëm. Ai urren ankimet e kota. Thotë: “Arsyet e këtyre njerëzve toksikë, tregojnë  mosnjohjen e vetvetes. Puna është se, nëse dikush nuk e kupton veten, si do t’i kuptojnë të tjerët, pyet ai. Prandaj, unë nuk mund të ulem këtu dhe të ankohem për jetën time, pasi jam më i shqetësuar për jetën e njerëzve që nuk kanë zë – atyre që nuk kanë punë, sigurim shëndetësor – kështu që e kam të vështirë ta shikoj jetën që më është dhënë dhe të ankohem për çdo gjë”.

Edhe shqiptarët, referuar Mit’hat Frashërit, ankimin e kanë në gojë: “Gjithë vuajnë e qahen. Po kujtojnë se një fuqi e huaj, një krah prej qielli, do t’i nxjerrë nga e keqja”. Apo ka shumë ankesa për mungesë librash, dhe ato që janë në dorë, nuk i lexojnë.

“Kur shkoj për shëtitje me pantallona të shkurtër, njerëzit bëjnë sikur nuk shohin protezën që kam në këmbë”, tha me një rast Espinoza. “Dy sekonda më vonë, ata kthehen për ta parë më mirë, por edhe unë kthehem dhe i kap gjithmonë në këtë pikë. Njerëzit jetojnë me një ndjenjë frike dhe kanë frikë të pyesin. Megjithatë, vetëm biseda dhe tregimi mund t’iu ndihmojnë njerëzve të kapërcejnë, në të vërtetë, vështirësitë që i presin. Informacioni është shumë shërues”.

Pastaj vazhdon: “Dua t’ju them se si djalë kam humbur shumë, por kam qenë i lumtur. E dija që nuk kisha këmbën e majtë, por zgjohesha duke menduar se kisha një të djathtë. Pse e përmend lumturinë. Sepse unë jam ende i lumtur me ju”.

Për fund: Prandaj e mira dhe  e keqja jonë është brenda vetes, dhe jo në ankim fiktiv. E keqja jonë vjen nga jashtë nesh, rrëfim ky rutinë, i ndërtuar gjerësisht dhe vazhdueshëm. Edhe nuk ke si të mos mendosh më shumë për këtë që thotë shkrimtari amerikan, William A. Ward: Pesimisti ankohet për erën. Optimisti pret që kjo të ndryshojë. Realisti vendos lundrën. / KultPlus.com

Besa Llugiqi me rol kryesor rikthehet fuqishëm në Gdansk të Polonisë

Për dy ditë rresht, me ftesë të Operës Baltike në Gdansk të Polonisë, sopranoja e njohur kosovare Besa Llugiqi është rikthyer fuqishëm në ish-Operën Shtetërore Baltike ku interpretoi në rolin kryesor të Thaïs në kuadër të operës “Thaïs” të kompozitorit të njohur francez të epokës romantike, Jules Émile Frédéric Massenet.

Në sallën e stërmbushur të operës në Gdansk, ku ajo kishte debutuar më 2019, Llugiqi sërish rrëmbeu zemrat e publikut vendas të cilët sopranon kosovare e pritën me ovacion.

“Ishte një kënaqësi e madhe për mua të interpretoj dy netë rresht njërin prej roleve të mia të parapëlqyera, Thaïs, e rrethuar me artistë fantastikë dhe orkestrën e mrekullueshme të Operës Baltike në Gdansk. Pas suksesit të Thaïs, mezi pres të vazhdoj provat në rolin e Violetta Valéry në “La traviata”-n e kompozitorit të njohur italian, Giuseppe Verdi, nesër në Bullgari, opera e cila do të shfaqet më 26 mars, në Stara Zagora”, ka thënë Llugiqi pas shfaqjes.

Me këtë rast, përmes një videoje, Llugiqi falënderoi mediet për mbështetjen.

Vlen të theksohet se gjatë shfaqjes në Gdansk Llugiqi së bashku me kastin e interpretuan himnin e Ukrainës, në shenjë solidarizimi me popullin ukrainas.

Rolin tejet kompleks, të ndjeshëm, dramatik dhe me shtrirje të gjerë vokale të Thaïs, Llugiqi e interpretoi e shoqëruar nga regjisori dhe dramaturgu i njohur polak, Romuald Wicza-Pokojski, dirigjenti i njohur francez, Nicolas Krauze, baritoni i njohur polak në rolin e Athanaël, si dhe tenori i njohur polak në rolin e Nicias, Lukasz Zaleski./ KultPlus.com

Sot Ora Letrare nga PEN Qendra e Kosovës me rastin e ‘Ditës Botërore të Poezisë’

Sot më 21 mars me fillim nga ora 12:00, në KultPlus Caffe Gallery, ftoheni të merrni pjesë në orën letrare, me rastin e “Ditës Botërore të Poezisë”, organizuar nga PEN Qendra e Kosovës.

Krijimet e veta artistike me këtë rast pritet t’i lexojnë: Ibrahim Berisha, Milazim Krasniqi, Sali Bashota, Ibrahim Kadriu, Lulzim Tafa, Dije Demiri Frangu, Lindita Tahiri, Naime Beqira, Nerimane Kamberi, Blerina Haxha Rogova, Binak Kelmendi, Mustafa Balje, Fahredin Shehu.

Ftoheni të merrni pjesë.

Që nga viti 1999, 21 marsi është shpallur nga UNESCO dita botërore e poezisë. Vendimi i marrë në kongresin e 30-të të kësaj agjencie, zhvilluar në Paris, ka si objektiv kryesor mbështetjen e diversitetit linguistik përmes shprehjes poetike. / KultPlus.com

21 marsi, dita e parë e pranverës

Data 21 mars përkon me ditën e parë të stinës së Pranverës në vendin tonë, ardhja e së cilës përcaktohet me ndjekjen e qendrës së Diellit sipas ekliptikës.

Me 21 mars dita e parë e pranverës konsiderohet si ditë e barabartë, që nënkupton se gjatësia e ditës dhe natës është e njëjtë, apo me fjalë të tjera nga momenti i lindjes deri në momentin e perëndimit të Diellit, kanë kaluar 12 orë.

Pranvera do të zgjasë deri më 21 qershor, kur fillon stina e verës. Sipas fenologjisë pranvera fillon me lulëzimin e disa llojeve të bimëve pranverore, specifike këto për vende të ndryshme.

Me fillimin astronomik të verës më 21 qershor pranvera përfundon gjithnjë në të njëjtën ditë.

Gjithashtu, data 21 mars lidhet gjithmonë me ekuinoksin që u përcaktua në Këshillin e Nices në vitin 325 për të përllogaritur Pashkët e krishtera. Ai ishte çasti që u zhvilluan edhe sistemimet e fundit në kalendarin gregorian, që përdorim edhe sot.

Por këto rregullime nuk ishin perfekte. Kalendari përllogarit 365 ditë për një vit, rreth një çerek dite më pak nga sa i duhen Tokës për të kompletuar xhiron rreth Diellit (365 ditë, 5 orë, 48 minuta dhe 49 sekonda). Kjo do të thotë që mbledhim vonesa për tre vite dhe rekuperojmë gjithçka duke shtuar një ditë çdo katër vite. / KultPlus.com

Zelenskyy: Jam gati për negociata me Putinin

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy thotë se është gati për negociata me Presidentin rus Vladimir Putin, por paralajmëroi se dështimi për të arritur një marrëveshje do të thoshte: “se kjo është një Luftë e Tretë Botërore”.

Unë mendoj se pa negociata, ne nuk mund t’i japim fund kësaj lufte”, tha ai për rrjetin televiziv CNN, në një intervistë të transmetuar të dielën.

Zoti Zelenskyy ka bërë thirrje për bisedime gjithëpërfshirëse për paqe me Moskën falë së cilave do të rivendosej siç tha ai integriteti territorial e do të sigurohej drejtësi për Ukrainën. Apeli i zotit Zelenskyy për një raund tjetër bisedimesh erdhi një ditë pasi negociatori kryesor i Rusisë tha se palët janë afruar më pranë marrëveshjes lidhur me çështjen e heqjes dorë nga Ukraina prej qëllimit të saj për t’u anëtarësuar në NATO. Por negociatori ukrainas Mykhailo Podolyak shkruante në Twitter se pozicionet e Kievit janë të pandryshuara, duke përmendur kërkesën për armëpushim, tërheqje të trupave ushtarake ruse dhe garanci të forta sigurie, shoqëruar me një formulë konkrete.

Zoti Zelenskyy i tha CNN-it se forcat ruse hynë në Ukrainë: “për të na shfarosur, e vrarë”, por ai tha se Ukraina nuk do të hiqte dorë nga sovraniteti apo integriteti i saj.

Rusët kanë vrarë fëmijët tanë. Nuk mund ta kthejmë pas atë që ka ndodhur. Nuk mund të kërkosh nga Ukraina të njohë disa territore si republika të pavarura. Këto kompromise janë thjesht të gabuara”, tha zoti Zelenskyy.

Moska i referohet veprimeve të saj në Ukrainë si një operacion special për të dobësuar aftësitë ushtarake të fqinjit të saj jugor dhe për të goditur ata që i quan nacionalistë të rrezikshëm. /VOA/ KultPlus.com

Rita Ora e mahnitshme në ballinën e “Harper’s Bazaar Australia” (FOTO)

Këngëtarja kosovare me famë botërore, Rita Ora po vazhdon me suksesin e saj në tregun botëror. Së fundmi ajo ka pozuar për ballinën e muajit prill të revistës “Harper’s Bazaar Australia”, e cila del në shitje së shpejti dhe i dedikohet optimizmit dhe fuqizimit të gruas, shkruan KultPlus.

Duke qenë e angazhuar në “The Voice” në Australi, këngëtarja me prejardhje kosovare po bëhet pjesë e projekteve të ndryshme, përfshirë këtu edhe atyre në fushën e modës.

Ajo e ka ndarë fotografinë e ballinës në rrjetin social Instagram, ku shfaqet mrekullueshëm me një fustan ngjyrë trupi të markës “Fendi”, flokët kaçurrela natyrale dhe stolitë prej diamanti të markës “Cartier”.

“Është nxehtë tani. Numri i prillit për Bazaar’s në shitje nga e enjte, 24 mars”, ka shkruar Ora në mbishkrimin e postimit. / KultPlus.com

21 Marsi, Dita Botërore e Poezisë

Që nga viti 1999, 21 marsi është shpallur nga UNESCO dita botërore e poezisë. Vendimi i marrë në kongresin e 30-të të kësaj agjencie, zhvilluar në Paris, ka si objektiv kryesor mbështetjen e diversitetit linguistik përmes shprehjes poetike.

Në të njëjtën kohë, caktimi i një dite ndërkombëtare për poezinë bëhet edhe me qëllimin për t’i kthyer kësaj gjinie të letërsisë funksionin e saj të parë, traditën gojore.

Ndërsa në kohët antike, në Greqinë e lashta poemat e Homerit mësoheshin përmendësh nga aedët dhe recitoheshin kryesisht në ambiente publike tashmë duket se poezisë i ka humbur ky tipar i vet kryesor. / KultPlus.com

Vetëm duke menduar për ty

Poezi nga Jim Morrison

Duke shikuar dallgët rrokullisur në oqeanin blu
Me një buzëqeshje në fytyrën time vetëm duke menduar për ty
Kujtimet e ëmbla, momentet e ëmbla që kemi ndarë
Më përkëdhelin si fllad i butë që mbush ajrin
Ndjenja e dashurisë që kam kur mbaj dorën tënde
Natë vere kur ecë në rërë
Valët që derdhen mbi shkëmbinjtë përgjatë vijës bregdetare
Më sjellë lot në sytë e mi duke e ditur që je imja
Ndarja e një dashurie si e jona, zemra ime e lumtur psherëtin
Duke shikuar retë vjollcë që lundrojnë shkujdesshëm./ KultPlus.com

Jan. 1, 2011 – JIM MORRISON.© J.B.(Credit Image: © Globe Photos/ZUMAPRESS.com)

David Beckham ia dorëzon llogarinë e tij të Instagramit doktoreshës në një spital materniteti në Ukrainë

David Beckham ka dorëzuar llogarinë e tij të Instagramit me 71.5 milionë ndjekës një doktoreshe ukrainase e cila po punon pa ndalur në një spital materniteti në Ukrainë, transmeton KultPlus.

Iryna, e cila është drejtuese e qendrës rajonale perinatale dhe një anesteziologe fëmijësh, postoi imazhe të qendrës në historinë e Instagramit të ish-futbollistit të Manchester United, Real Madrid dhe Angli të dielën.

Ajo u tregoi mjekëve që trajtonin foshnjat e porsalindura, ndau imazhe të bodrumit ku u zhvendosën pacientët gjatë fillimit të luftës dhe tregoi makinat të cilat janë dhuruar nga UNICEF, një shoqatë bamirësie për të cilën Beckham është ambasador.

Mjeku tha se ajo është në qendër gjatë gjithë ditës.

Iryna tha se në ditën e parë të luftës, gratë shtatzëna dhe nënat “u evakuuan në bodrum”.

“Ishin tre orë të tmerrshme që kaluam së bashku. Fatkeqësisht, ne nuk mund t’i çojmë foshnjat që janë në kujdes intensiv në bodrum, sepse ata mbështeten në pajisje për shpëtimin e jetës,” tha ajo.

“Ditët e para ishin më të vështirat. Ne duhej të mësonim se si të punonim me bombardime dhe greva.”

Ndrek Prela, gjashtë dekadat e roleve të vogla që u mëkoi shpirtin e tij të madh

Nga Albert Vataj

Ndrek Prela kishte ardhur në artin e skenës të linte një gjurmë të shndritshme përkushtimi dhe pasioni, dhe arriti të krijonte identitetin e tij origjinal. Ai ishte një zë jo i potershëm në kujtesën e artit skenik shqiptar. Por emri dhe vepra që la si testament e dallojnë lehtësisht nga gjithë ajo galeri e pasur e artit tonë të skenës dhe kinemasë. Plaku i pakët nga shtati, me sytë e thellë por vezullues, me zërin si pëshpëritje gjëmuese, erdhi për të mbetur ai që do të ngulitet thellë në kujtesë.

Ndrek Prela  u lind në Tivar më 20 mars 1920. U shua më 14 tetor 2011 në qytetin e Shkodrës. Mjeshtër i roleve dytësore, të cilave u dha jo më pak rëndësi dhe forcë aktoriale. Ai kaloi fëmijërinë e tij në Argjentinë, ku babai i kishte emigruar për arsye ekonomike dhe që andej familjarisht do të zhvendosej në Shkodër. Ndrek Prela bëri debutimin e tij në skenë në Shkodër në fund të viteve ‘40 dhe shpejt u bë një nga aktorët më të popullor. Ndrek Prela është i pranishëm thuajse në të gjitha veprat skenike të trupës së dramës së teatrit të Shkodrës, me role të ndryshme e të larmishme. Në vitin 1963 debuton dhe në kinematografi me një rol dytësor tel filmi “Detyrë e posaçme”, për të vazhduar më pas me filma të tjerë, si “Komisari i dritës”, “Në fillim të verës”, “Në pyjet me borë ka jetë”, “Emblema e dikurshme”, “Balonat”, “Qortimet e vjeshtës”, “Militani”, “Balada e Kurbinit” etj. Ndonëse atij i’u besua rolet e dyta, Ndrek Prela i skaliti ato me përgjegjësi të lartë artistike. Ishin ato role, personazhet dhe karakteret që jetësoi ai, të cilat shërbyen krijimit të atij profili që nuk ka të dytë. Tiparet karakteristike fizike, jo më pak zëri i tij tejet i veçantë e dallojnë dhe bëjnë të spikasë mes dhjetra e qindra aktorëve që pasuruan artin skenik shqiptar.

Gjyshi tek filmi “Komisari i dritës”, xha Rizai tek “Në fillim të verës”, Xhiko tek filmi “Në pyjet me borë ka jetë”. Jeta e tij skenike ishte e pasur dhe e larmishme. Fadil Kraja kujton se Ndrek Prela ka luajtur mbi 400 herë rolin e Gjelosh Nikës tek “Fisheku në Pajë”, mbi 150 herë rolin e Ramiz Çulës tek “Çështja e Blertë”.

Në teatër, Ndrek Prela dha një kontribut të vlertë. Aktroi me një ndjeshmëri të lartë, derdhi këtë lëndje ndjesor në shpirtin e çdo rili që e përfaqëson përfshirjen tërësore në gjithë komponentet përmbyllës të një prurje skenike! Në teatër më shumë se në sheshxhirimet ai krijoi dhe profilin e tij artistik dhe të veçantë. I skaliti, u dha botë, i mëkoi jetë e kujtesë nga e tija.

Te pavdekshme mbeten shprehjet e tij: “Duajeni artin… Sepse sa më shumë që ta doni atë, aq më pak punë do të kenë gjykatësi e polici.” “Duhet të mbetesh në mendjet e njerëzve dhe në përcjelljen e gjeneratave… Duhet t’u dhurosh vlerat e roleve dhe shenjat semiologjike të artistit”

Për të kishte qenë e shkruar që të bëhej aktor. Ndoshta askush nuk kishte menduar ndonjë lidhje me skenën apo filmin, por rastësia nuk është gjithmonë e tillë, së paku, në rastin e aktorit. Në shtëpinë e familjes Gera, nip në të cilën ishte Ndreka, organizoheshin karnavalet e Shkodrës. Dhe… ndoshta këtu ka qenë dhe lidhja e parë e padukshme e aktorit me profesionin e tij. Ndoshta…

Çfarë më ka thënë Ndreka… “Unë jam msu me folë gjithmonë me letra përpara, çfarë ka shkruar Fadil Kraja, Gorki, Ibseni, Molieri, Ndrekë Luca… Unë nuk kam mendu asnjëherë se kam ba ndonjë punë kushedi se çka. Vetes nuk i kam njoftë ndonjë meritë. Veç, ama, kam punu me mish e me shpirt. Kjo asht e vërteta. Kjo asht merita që kam.

“Me ju thanë të drejtën dëshirën për t’u bërë aktor nuk e kam pasë ndonjëherë… Ndoshta ju duket çudi, por as nëpër mend nuk e kam çuar se do të bëhesha aktor. Unë vetë e kam dasht teatrin, por e kam dasht thjesht si spektator.

Role të Ndrekës në teatër: *”Shtatë shaljanët” (roli i Ndrekës), *”Trumbetjerja”, *”Tragjedi optimiste” (në rolin e marinarit), *”Kunora e Nurijes” (në rolin e Hoxhë Kobures), *“Lagjja e varfër”, *“Plaku i maleve” (në rolin e Sadriut), *”Familja e Adamit”, *”Këneta” (në rolin e inxhinier Mborjes), *”Fisheku në pajë” (në rolin e Gjelosh Nikës), *”Përkolgjinajt”, “Çështja e Blertës” (në rolin e Rahmi Sulës) etj.

Role të Ndrekës në film: Aktori Ndrek Prela interpretoi në 13 filma. Filmi i tij i parë është “Detyrë e posaçme”, 1963, ku ishte në rolin e një ndihmësmjeku, – që siç thoshte vetë – ‘vetëm të shëroja nuk dija’. Pastaj me kalimin e kohës merr pjesë tek filmat: “Vitet e para”, 1965; “Këneta” (lundërtari), kushtuar Avni Rustemit (fotografi), “Komisari i dritës”, 1966 (gjyshi i Shkabajve); “Operacioni “Zjarri”, 1973; “Shpërthimi”, 1974; “Në fillim të verës”, 1975 (babai plak i Verës, Riza Kora); “Në pyjet me borë ka jetë”, 1978 (plaku Xhiku); “Emblema e dikurshme”, 1979; “Balonat”, 1979 (në rolin gjyshi i Dritës); “Ditët që sollën pranverën”, 1979; “Qortimet e vjeshtës”, 1981; “Flaka e maleve”, 1982; “Militanti”, 1984; “Balada e Kurbimit”, 1990 (njëri nga kurbinasit).

Modestia e tij është një vlerë e shtuar e këtij përsonazhi. Ndërsa është pyetur për rolet e gjyshit-plakut, ai mësohet të ketë shtuar: “-E kjo puna e plakut më mbeti “trashëgim” qysh në rolin e parë që pata. Mandej vazhdimisht gati të thuash më kanë ndjekur pleqtë. Pleqtë ose dhe burra të pjekun. Po unë i kisha qejf veç. I kisha qejf, edhe si ju thashë u mundojshim me mish e me shpirt me krijue diçka të re që shpeshherë s’ma kanë  mbushë mendjen, mua vedit. Bile jo një herë më ka ndodhë me ardhë e me m’përgëzue njerëzit. “Faleminderit”, – i thoshja atij që më përgëzonte, po thosha me vete krejt në dyshim: “Ky s’kupton kurrgja!” Unë s’e di se kam ba ndonji send!

Kjo ndoshta, sepse kam qenë shumë kërkues ndaj vetes, kam qenë shumë kërkues edhe ndaj të tjerëve, “i kam mërzit” si thojmë na, i kam ba me lujtë mendsh.

Pjesë e asaj begatie të shpirtit të aktorit Ndrek Prela është edhe dashamirësi, mirënjohja, vlerësimi.

-Unë kujtoj gjithmonë aktorë si Adem Kastrati, një aktor i madh për mua, me të vërtetë i madh. Komunikonte mirë, ishte i sinqertë, pa lojna. Gjithmonë, Vitore Ninon, që gjithmonë ka interpretuar e kurrë nuk ka “luejtë”, Violeta Sekujn, Bep Shirokën, Ymer Balën, etj. Kanë qenë partnerë që e ndihmoshin partnerin e frymëzoheshin dhe kam punuar me dëshirë me ta, mësohet të ketë thënë Ndrek Prela.

-Me regjizorët unë nuk kam qenë ndër aktorët që jam afruar shumë. Nuk i kam kërkuar ndonjëherë në jetën time rol ndonji regjisori, kurrë. Kam pasur dëshirë që të më jepej një iks rol, p.sh. …., nuk më është dhënë, mua nuk më ka ardhur mirë, sepse e shihja se kisha mundësi me e ba, po prapë nuk më ka mbetë hatri. Më asht dhanë një rol tjetër e jo ai që dëshiroja, e unë prapë jam munduar të baj punën time, të aktorit.

Ndërsa për kinematografinë Ndreka ishte i mendimi ajo asht e bukur! Por teatri, për mua, asht ma i bukur! Mendoj se asht ma i bukur, sepse teatri të jep mundësi ta fillosh rolin dhe ta çosh në rritje deri në kulm, pa ndërprerje. Kurse kinematografia, mendoj se copëzohet, nuk jep mundësi, duhet me kenë shumë-shumë i kujdeshëm për të kapë çastet kulminante, pa nji pregatitje paraprake.

Në kinematografi dihet, tashti xhirohet një aspekt; mbas dy orësh një aspekt tjetër jete… Por, edhe në kinematografi aktori duhet të jetë sa më i sinqertë, me një fjalë duhet të interpretojë dhe jo të ‘lozë’. Interpretimi asht e vetmja rrugë për në kinematografi mendoj, loja gjithmonë dështon.

Jeta e aktorit dhe e veprimtarisë krijuese ishte e bukur, por edhe vështirë. “Në një film me Rikard Ljarjen, kujtonte ai, përnatë në orën tetë shkonim në hotel e hanim bukë e rrush, se nuk na qitte hesapi i rrogës… megjithëse u tha se kjo punë do të shikohet… etj., etj.

Një aktor si ai nuk mund të mos kishte diçka për të ndarë qoftë edhe në formën e një këshille për të gjithë ata që kanë lidhur ëndrrat e tyre me artin skenik. “Do t’u këshilloja atyre, që të ndjekin gjithmonë rrugën e interpretimit e jo të lojës. Interpretimit të sinqertë me zemër, e jo në sipërfaqe, sepse me atë interpretim ndihmojnë edhe partnerin, kurse loja, partnerin nuk e ndihmon aspak. Ata duhet të lexojnë me vëmendje monologun e Hamletit në tragjedinë “Hamleti”, aktin e tretë, skenën e dytë, ku dhe janë këshillat që Hamleti u jep aktorëve. Mendoj se, ai është mësimi më i mirë fillimisht për aktorët e ri. Ta lexojnë me vëmendje!”

Roli i fundit për Ndrek Prelën do të datonte më 1975. I fundit sepse mbushi moshën. “E nxorën në pension, sepse “mbushi moshën…”, shkruan një miku i tij. E nxorën në atë kohë kur teatri kishte nevojë më shumë se kurrë për të, sepse ishte e pamundur të zëvendësohej një artist kaq i madh. Përsëri nuk bëri zhurmë. E dinte se herët a vonë do të kujtohen për të. Siç u kujtuan… pas 9 vjetësh. E thirrën, madje e lutën të interpretonte Rahmiun tek “Çështja e Blertës” dhe i përloti të gjithë spektatorët me lojën e tij shpirtërisht të mbarsur. E thirrën gjithashtu tek “Franku i V-të” dhe ai erdhi sërish befasues. Dhe këto ishin të fundit kontribute që ai dha në artin skenik shqiptar, për t’u larguar nga skena dhe sheshxhirimet, por duke mbetur përgjithmonë një zë miklues për dëgjimin toën të ëndjeve, për të mos ikur kurrë prej adhurimit që patëm dhe kemi për gjyshërit, të cilët ai i pavdekësoi me gjithçka të veçantë që mëkoi ai./ KultPlus.com

Kanye West përjashtohet nga ‘Grammy Awards 2022’

Kanye West nuk do të mund të performojë në Grammy Awards. Vendimi për të mos lejuar reperin 44-vjeçar të ngjitet në skenën e evenimentit të madh u mor për shkak të sjelljes së tij shqetësuese në internet. Lajmin e konfirmoi një përfaqësues i artistit për Variety.

Ekipi i reperit ka marrë një telefonatë të premten, ku është informuar se është hequr nga formacioni i interpretuesve për shkak të “sjelljes së tij shqetësuese në internet”. Ky vendim vjen vetëm pak ditë pasi u pezullua nga Instagrami për 24 orë pasi shkeli politikat e kompanisë.

Sipas mediave të huaja, një nga deklaratat e reperit ndaj Trevor Noah , i cili do të prezantojë eventin e këtij viti më 3 prill, ishte një faktor në procesin e vendimmarrjes. Sulmi i reperit ndaj Noah është i fundit në një varg postimesh të pazakonta nga muzikanti në kohët e fundit./ KultPlus.com

‘The Batman’ mbledh 300 milionë dollarë në Amerikën e Veriut

Aventura e mprehtë e superheroit Robert Pattinson “The Batman” është filmi numër një në arkat e brendshme për fundjavën e tretë me radhë.

Kjo arritje nuk është befasuese sepse marsi ka qenë relativisht i lehtë për sa i përket publikimeve të reja. Filmi mblodhi 36.8 milionë dollarë nga 4 mijë e 302 kinema mes të premtes dhe të dielës, një rënie prej 45 për qind nga fundjava e kaluar.

Këto shitje biletash e çojnë “The Batman” të mbledhë 300 milionë dollarë në Amerikën e Veriut, duke e bërë përshtatjen e librit komik vetëm filmin e dytë të epokës së pandemisë që kapërcen këtë pikë referimi.

Në vendin e dytë në listat vendore të biletave, PG-13 “Jujutsu Kaisen 0” shënoi një vlerë mbresëlënëse prej 17.6 milionë dollarësh nga 2 mijë e 340 vendndodhje në debutimin e tij. Filmat anime kanë qenë gjithnjë e më të popullarizuar në Amerikën e Veriut dhe Funimation, përcjell Klankosova.tv

“Uncharted”, tani në fundjavën e pestë të publikimit, u largua përpara “X” në listat e biletave për të siguruar vendin e tretë. Aventura aksionare e Sony Pictures fitoi 8 milionë dollarë nga 3700 kinema, duke e çuar “Uncharted” në 125.8 milionë dollarë në arkat e brendshme.

“X” zbarkoi në vendin e katërt me 4.2 milionë dollarë nga 2,865 ambiente, një fillim më i qetë duke pasur parasysh lavdërimet e forta pas premierës së tij South by Southwest.

Aventura e qenit e Channing Tatum “Dog” zuri vendin e 5-të, duke e shtyrë “Spider-Man: No Way Home” jashtë pesëshes së parë për herë të parë në 14 javë.

“Dog” fitoi 4 milionë dollarë nga 3,307 vendndodhje, duke e çuar totalin e filmit në Amerikën e Veriut në 54 milionë dollarë. Ky film është dëshmi inkurajuese që studiot mund të bëjnë ende filma jo-superhero që sjellin fitim, për sa kohë që buxhetet nuk dalin jashtë kontrollit.

Dhe “Spider-Man: No Way Home” – edhe pas tre muajsh e gjysmë në ekranin e madh, nuk ishte i dobët, duke tërhequr 3.2 milionë dollarë. Pas kësaj fundjave, epika e librit komik ka gjeneruar 797.56 milionë dollarë në arkat e brendshme. Është vetëm një hap përpara që të bëhet filmi i tretë në histori që kalon 800 milionë dollarë në Amerikën e Veriut pas “Avengers: Endgame” (858 milionë dollarë) dhe “Star Wars: Force Awakens” (936 milionë dollarë)./ KultPlus.com

Dizajneri çek bën ‘jastëkët Zelensky’ për të ndihmuar Ukrainën

Një stilist çek ka shpikur një mënyrë të re për të mbledhur para për ukrainasit që vuajnë nga lufta në vendin e tyre – duke bërë jastëkë që mbajnë portretin e presidentit të tyre, Volodymyr Zelensky, i cili thotë se është bërë një simbol seksi për disa.

Zelensky, i lodhur, i parruar por sfidues në bluzën e tij të gjelbër, është bërë fytyra e rezistencës së Ukrainës ndaj pushtimit të Rusisë, duke mbledhur bashkatdhetarët e tij nga bunkeri i tij në Kiev në transmetimet e përditshme në mediat sociale.

“Shumë njerëz e shohin atë si një lloj simboli seksi, kështu që më lindi ideja për të bërë një jastëk që do të dukej sikur ai është në të vërtetë në shtratin e tyre,” tha stilisti Tomas Brinek për Reuters.

Brinek, i cili drejton një kanal satirik në Instagram të quajtur TMBK, i cili ka më shumë se 540,000 ndjekës dhe zakonisht tall me politikanët, tha se edicioni i tij i kufizuar i jastëkëve të punuar me dorë ka tërhequr më shumë se 2,000 porosi dhe ka mbledhur rreth 420,000 kurora (18,900 dollarë) për një bamirësi. Ukrainas të prekur nga lufta./ KulPlus.com

‘EXPOSÉ’ nga kuratorja Orestia Kapidani në Muzeun Marubi

Në muzeun Marubi do të hapet ekspozita e titulluar “EXPOSÉ” që nga 26 marsi dhe do të qëndrojë e hapur deri në korrik.

Ekspozita e kuruar nga Orestia Kapidani, nxjerr në pah objekte të trajtuara e të prekura nga fotografët e koleksionit të cilat ruhen sot në arkivin e muzeut, duke i vendosur në një raport fiziko-emocional me vizitorin.

Ky projekt realizohet në bashkëpunim me Ministria e Kulturës dhe me mbështetjen e Fujifilm Shqip.

Oresat Kapidani është fotografe dhe kuratore e pavarur që asiston profesionalisht  artistë të rinj në punëtori për krijimin e një identiteti me anë të mediumit të fotografisë dhe formave të shumta që ai merr.

Përreth 18 vite i është përkushtuar krijimtarisë dhe ekspozitave personale e në grup. Gjatë viteve të punës si fotografe e pavarur, ka bashkëpunuar me shumë institucione të kulturës në Gjermani, Shqipëri, Francë, Itali.

Aktualisht jeton dhe punon në Shqipëri./atsh/ KultPlus.com

Driton Kuka nominohet për titullin e trajnerit më të mirë në Evropë për vitin 2021

Federata Evropiane e Xhudos ka nominuar trajnerin e Kosovës, Driton Kuka, për titullin e trajnerit më të mirë në Evropë për vitin 2021, shkruan KultPlus.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë Kuka përmes një postimi në “Facebook”, ku ka ndarë me publikun se në muajin prill do të udhëtojë drejt Bullgarisë.

Postimi i tij i plotë:

“Për mbramje të mirë … Federata Evropiane e Xhudos më ka nominuar për titullin : Best European Womens Coach 2021 Po ndaj me ju mailin e ardhur për pjesëmarrje në Ceremoninë e më të mirëve që do mbahet gjatë Evropianit në Bullgari në fund të muajit prill!”.

Federata Ndërkombëtare e Xhudos ka shpallur trajnerin nga Kosova, Driton Kuka, si trajnerin më të mirë për vitin 2021 në xhudo më 18 dhjetor. /KultPlus.com

‘Arratisur, syrgjynosur, rraskapitur dhe katosur’

Poezi nga Fan Noli

Anës lumenjve

Arratisur, syrgjynosur,
rraskapitur dhe katosur
po vajtonj pa funt, pa shpresë,
anës elbë-s, anës spree-së.
ku e lam’ e ku na mbeti,
vaj-vatani e mjer mileti,
anës detit i palarë,
anës dritës i paparë,
pranë sofrës i pangrënë,
pranë dijes i panxënë,
lakuriq dhe i dregosur,
trup e shpirt i sakatosur.

se ç’e shempnë derbederët,
mercenarët dhe bejlerët,
se ç’e shtypnë jabanxhinjtë,
se ç’e shtrythnë fajdexhinjtë,
se ç’e pren’ e se ç’e vranë,
Ç’e shkretuan anembanë,
nënë thundrën e përdhunës
anës vjosës, anës bunës.

Çirem, digjem i vrerosur,
sakatosur, çarmatosur,
as i gjall’, as i varrosur,
pres një shenj’ e pres një dritë,
pres me vjet’ e pres me ditë,
se ç’u tera, se ç’u mpaka,
se ç’u çora, se ç’u mplaka,
lark prej vatrës dhe prej punës,
anës rinit, anës tunës.
Çakërdisur, batërdisur,
përpëlitur dhe zalisur,
ËndËronj pa funt, pa shpresë,
anës elbë-s, anës spree-së.

dhe një zë vengon nga lumi,
më buçet, më zgjon nga gjumi,
se mileti po gatitet,
se tirani lebetitet,
se pëlcet, kërcet furtuna,
fryhet vjosa, derdhet buna,
skuqet semani dhe drini,
dridhet beu dhe zengjini,
se pas vdekjes ndriti jeta
dhe kudo gjëmon trumbeta.
ngrehuni dhe bjeruni,
korini dhe shtypini,
katundar’ e punëtorë,
që nga shkodra gjer në vlorë!

ky ilaç e ky kushtrim
më bën djal’ e më bën trim,
më jep forc’ e më jep shpresë,
anës elbë-s, anës spree-së.
se pas dimrit vjen një verë,
që do kthehemi njëherë,
pranë vatrës, pranë punës,
anës vjosës, anës bunës.

arratisur, syrgjynosur,
raskapitur e katosur,
brohoras me bes’ e shpresë,
anës elbë-s, anës spree-së./ KultPlus.com