Libri i parë në gjuhën shqipe, “Meshari i Gjon Buzukut”, nisi të shkruhej 468 vjet më parë, në 20 mars 1554 dhe përfundoi më 5 janar 1555.
Muzeu Historik Kombëtar solli sot me rastin e këtij përvjetori një fragment nga kjo vepër në dialektin origjinal në të cilin u shkrua:
“U doni Gjoni, biri i Bdek Buzukut, tue u kujtuom shumë herrë se gluha jonë nukë kish gj~ të ëndigluom ën së shkruomit shenjëtë, ën së dashunit së botësë s’anë, desha me u fëdigunë, për s~ mujta me ditunë, me zhdritunë pak mendetë e atyne qi të ëndiglonjinë… “Ëndë vietët M.D.L.IV. njëzet dit ëndë mars zuna ënfill, e ënbarova ëndë vietët një M.D.L.V., ëndë kallënduor”.
Kështu shkruan Gjon Buzuku në Meshar, veprën letrare më të vjetër shqipe të botuar dhe të ruajtur deri sot.
Libri përbëhej nga 110 fletë por kopja e librit që ka arritur është e cunguar dhe i mungojnë 16 faqet e para dhe ndër to edhe kopertina me faqen kryesore.
Buzuku ishte prift katolik, famullitar i një kishe në Shqipërinë Veriore, jo aq larg nga vendi i botimit dhe një nga lëvruesit më të rëndësishëm të gjuhës shqipe. Me veprën e vet ai konsolidoi një traditë të rëndësishme të të shkruarit të gjuhës shqip me alfabet latin./ KultPlus.com
Papa Françesku në fjalimin e kësaj të diele është shprehur se sulmi i Rusisë në Ukrainë është një “masakër të pakuptimtë”.
Mediat e huaja bëjnë me dijes e Papa ka theksuar se kjo është një masakër e pajustifikuar dhe u ka kërkuar liderëve të ndalojnë “këtë luftë të neveritshme” .
“Agresioni i dhunshëm kundër Ukrainës për fat të keq nuk po ngadalësohet. Është një masakër e pakuptimtë ku çdo ditë po përsëriten masakër dhe mizori,” ka thënë ai para dhjetëra mijëra njerëzve në sheshin e Shën Pjetrit në Romë gjatë fjalimit dhe bekimit të tij javor të së dielës./abcnews/ KultPlus.com
Një statujë e Elaine Morgan, një prej shkrimtareve dhe feministeve kryesore të Uellsit, është zbuluar në qytetin e saj të lindjes.
Vajza e minatorit të qymyrit, e cila shkëlqeu si në art ashtu edhe në shkencë, vdiq në vitin 2013 në moshën 92-vjeçare.
Monumenti i saj në Mountain Ash, Rhondda Cynon Taf, mendohet të jetë vetëm i dyti nga një grua uellsiane jo-fiktive që do të ngrihet në vend.
Një statujë e Betty Campbell, mësuesja e parë me ngjyrë në vend, u zbulua në Cardiff vitin e kaluar.
Grupi Monumental Welsh Women qëndron pas statujës së Morgan – një autore e vlerësuar me çmime, shkrimtare televizive, ligjëruese dhe rebele shkencore që kaloi pjesën më të madhe të jetës “në Uellsin e saj të dashur” në Mountain Ash./ KultPlus.com
Isak Njuton mezi i mbijetoi ditës së parë të jetës së tij. I lindur përpara kohe, Isak Njuton ishte tepër i dobët dhe i vogël. Ndërkohë, i ati i tij kishte ndërruar jetë disa ditë përpara se ai të vinte në jetë.
Kur Isak Njutoni ishte tre vjeç, e ëma e tij u martua me një burrë, i cili nuk donte t’ia dinte për të. Gjërat në familje u acaruan aq shumë, saqë e ëma e la Isakun në duart e gjyshes së tij, në mënyrë që ajo ta rriste, sepse përndryshe në familjen e tyre do të kishte përherë debate. Isaku u ndje i braktisur dhe i refuzuar nga familja e tij përgjatë gjithë jetës. Ai nisi ta urrente aq shumë njerkun, saqë u përpoq edhe t’i vinte flakën shtëpisë së tij…
Rehatia e vetme e tij ishin librat mbi mekanikën dhe teknologjinë. Kalonte orë të tëra duke lexuar mbi to dhe kurrë nuk mërzitej. Edhe pse e ëma i thoshte të bëhej fermer, ai gjithsesi nuk e pëlqente atë zanat. “Duhet të jesh ti që i vendos rregullat, jo të jesh ti që t’i ndjekësh ato”, mendonte Isak Njuton.
Ai ia doli mjaft mirë me shkollën, aq sa fitoi mundësinë të studionte në Kembrixh. Mirëpo kjo do të thoshte për të edhe një përpjekje më shumë për t’ia dalë mbanë me shpenzimet. Bëri punë nga më të ndryshmet, edhe nga ato të konsideruara si “jo tepër burrërore”, si larja e rrobave të të tjerëve, vetëm e vetëm që të përballonte studimet e tij.
Për fatin e tij të mirë, mësuesi i matematikës u bë si një baba për të dhe e ndihmoi jashtëzakonisht shumë me studimet. Mirëpo menjëherë pasi mbylli studimet, ai u izolua si pasojë e një virusi vdekjeprurës, të njohur si Vdekja e Zezë, që kishte marrë jetën e miliona njerëzve në Europë. Këto vite ai i kaloi duke studiuar matematikë dhe fizikë dhe ishte pikërisht kjo periudhë, në të cilën ai formuloi teoritë më të mëdha. Duke qenë një natyrë e qetë dhe e rezervuar, shumë nga teoritë ai i mbajti për vete.
Duke punuar në laborator, Isak Njuton arriti të zbulonte se në fakt, ngjyra e bardhë ishte e përbërë nga një spektër i tërë ngjyrash. Teoritë e tij mbi dritën dhe ngjyrat e nxitën të ndërtonte teleskopin e parë në atë kohë, i cili i siguroi edhe famën e merituar. Por sërish puna e tij vazhdonte të ishte e kritikuar, gjë që e shtyu sërish në izolim.
I gjendur sërish në të njëjtën situatë, ai studioi gravitetin dhe alkiminë në vitet në vazhdim. Duke iu trembur kritikave, ai ishte i frikësuar t’i publikonte përfundimet e tij. Pas dy vitesh pune të lodhshme, ai publikoi librin e tij të parë “Principia” në vitin 1687. Edhe në ditët e sotme, ky libër konsiderohet si më i miri ndër librat e fizikës. Isak Njuton ishte një nga figurat më të rëndësishme të Revolucionit Shkencor. Shpikjet e tij hodhën bazat e një sërë arritjeve të mëvonshme, si eksplorimi i hapësirës edhe në ditët e sotme.
Historia e Isak Njuton është prova se një natyrë kurioze e shtyrë dhe nga një pasion i madh, janë dy cilësitë që e përkufizojnë një gjeni. “Nëse kam arritur të zbuloj diçka me vlerë, ajo ka qenë ta kalis më shumë vëmendjen e vullnetin tim, më tepër se çdo talent që mund të kisha”, ka thënë ai. / MeB / KultPlus.com
Dita më e bukur? Sot. Pengesa më e madhe? Frika. Gjëja më e lehtë? Të gabosh. Gabimi më i madh? Të heqësh dorë. Rrënja e çdo të keqeje? Egoizmi. Mëndjeheqja më e mirë? Puna. Humbja më e madhe? Mospasja e kurajës. Profesionistët më të mirë? Fëmijët. Nevoja e parë? Komunikimi. Lumturia më e madhe? Të jesh i dobishëm për të tjerët. Misteri më i madh? Vdekja. E meta më e keqe? Të qenit pa humor. Personi më i rrezikshëm? Ai që gënjen. Ndjenja më e shëmtuar? Mëria. Dhurata më e bukur? Falja. Ajo më e paçmuara? Familja. Drejtimi më i mirë? Rruga e duhur. Sensacioni më i kënaqshëm? Paqja e brendshme. Pritja më e mirë? Buzëqeshja. Ilaçi më i mirë? Optimizmi. Kënaqësia më e madhe? Detyra e kryer. Forca më e madhe? Besimi. Personat më të nevojshëm? Shërbyesit e Zotit (priftërinjtë etj). Gjëja më e bukur në botë? Dashuria./KultPlus.com
Ka kaluar më shumë vite nga dalja e filmit “Në kërkim të lumturisë” me aktorin e famshëm Will Smith, por sërish është një nga filmat e ngulitur fort në mendjen e njerëzve si një ndër më të bukurit dhe më motivuesit.
Më poshtë do të lexoni disa nga thëniet e përdorura në të që padyshim do e bëjnë ditën tuaj më të bukur.
1. Mos lejo askënd të të thotë se ti nuk mund ta bësh diçka. As mua. Nëse ke një ëndërr, duhet ta mbrosh atë. Njerëzit që të thonë se ti s’mund ta bësh diçka, janë ata që s’mund ta bëjnë dot atë gjë vetë. Nëse do diçka, përpiqu dhe arrije.
2. Hidhi hapat dhe ec përpara. Mos fol shumë, por ec drejt suksesit. Ecja nuk ka pse të jetë me milje të tëra. Edhe hapat e vegjël si një fëmijë, e kanë rëndësinë e tyre.
3. Pasuria mund të jetë edhe ajo sjellja me mirënjohje, në të cilën ne i kujtojmë vetes sonë përditë për të llogaritur bekimet tona.
4. Bota është si një guaskë deti. Të takon ty t’i gjesh perlat.
5. Unë nuk jam ajo çfarë më ndodhi mua. Unë jam ai që zgjedh të bëhem.
6. Ishte dikur një burrë që po mbytej dhe aty kaloi një varkë. Burri në varkë e pyeti burrin që po mbytej : “A do ndihmë?”, por ai ia ktheu “Zoti do të më shpëtojë mua”. Një varkë tjetër erdhi dhe një burrë u përpoq ta ndihmonte, por ai ia ktheu :
“Zoti do të më shpëtojë mua”. Por ai u mbyt dhe shkoi në parajsë. Më pas, i tha Zotit : “Zot, pse nuk më shpëtove?”, ndërsa Zoti ia ktheu : “Unë të nisa ty dy varka”. Ndaj, shfrytëzojini gjithë mundësitë që ju jepen në kohën e duhur.
7. Ndoshta lumturia është diçka që ne vetëm e kërkojmë dhe pavarësisht gjithçkaje, nuk mund ta kemi.
8. E njoha babanë tim për herë të parë, kur isha 28 vjeç. Aty vendosa se kur të kisha fëmijë, fëmijët e mi do ta dinin se kush ishte babai i tyre…/ KultPlus.com
Borges është një nga shkrimtarët më të mëdhenj të shekullit të XX. Ndonëse nuk e mori Çmimin Nobel në letërsi, vepra e tij arriti majat. Ai shquhet për erudicionin e jashtëzakonshëm, mjeshtrinë e rrëfimit dhe ndjeshmërinë e lartë ndaj çështjeve që prekin dhe kanë tëbëjnë me qeniet njerëzore.
“Çdo njeri që kalon në jetën tonë është i veçantë: lë gjithmonë një pjesë të tij te ne dhe merr diçka nga jeta jonë me vete… Ndonjëri merr më shumë e ndonjëri më pak, por askush nuk ikën pa lënë asgjë. Kjo është përgjegjësia më e madhe e jetës sonë dhe prova e qartë që dy shpirtra nuk takohen kurrë rastësisht..” /KultPlus.com
Gruaja fle ne carcafin e bardhe e jastekun e bardhe E bukur si perendi e lashte e Greqise; Flene syte e saj qe me mahniten vite me rradhe, Flene buzet e saj si kokrra e prere ne mes e qershise; Flene qerpiket si halat naten ne grure, Flene mollezat e faqeve qe bejne gropeza kur qeshin, Fle balli i hijshem qe s’e desha te ngrysur kurre Dhe nen balle vetullat si krah dallendyshe heshtin. Ne cast me pushton nje ndjenje fajesie dhe malli, Para saj i vetem, para saj I pagjume, Dhe mbulohet me rrudha te dendura balli Dhe them me vete: grua e dashur te kam lodhur shume. Kam ikur shpesh ne rruge te gjata ne fusha e shpata, Te kam lene femije e shqetesime mbi shpine, Te kam lene pazarin, radhen e netet filikate, Te kam lene mbi shpatulla gjithe shtepine. Fli e vuajtura ime! /KultPlus.com
Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, ka dhënë një lajm të rëndësishëm për Sunny Hill Festival, shkruan KultPlus.
Ky festival që nuk është mbajt viteve të fundit si pasojë e pandemisë, këtë vit do të rikthehet në Prishtinë.
Dukagjin Lipa, babai i Dua Lipës ka njoftuar nëpërmjet rrjeteve sociale se Sunny Hill Festival po rikthehet në Kosovë, duke iu referuar një interviste të Dua Lipës për medie të huaja, ku ka dhënë detaje për këtë festival.
Përmes një postimi në llogarinë e saj zyrtare në Instagram, Lipa ka postuar disa foto me mbishkrimin “Ndjenja e veçantë e festivalit. A jeni gati?” /KultPlus.com
Të hënën, më 21 mars me fillim nga ora 12:00, në KultPlus Caffe Gallery, ftoheni të merrni pjesë në orën letrare, me rastin e “Ditës Botërore të Poezisë”, organizuar nga PEN Qendra e Kosovës.
Krijimet e veta artistike me këtë rast pritet t’i lexojnë: Ibrahim Berisha, Milazim Krasniqi, Sali Bashota, Ibrahim Kadriu, Lulzim Tafa, Dije Demiri Frangu, Lindita Tahiri, Naime Beqira, Nerimane Kamberi, Blerina Haxha Rogova, Binak Kelmendi, Mustafa Balje, Fahredin Shehu.
Ftoheni të merrni pjesë.
Që nga viti 1999, 21 marsi është shpallur nga UNESCO dita botërore e poezisë. Vendimi i marrë në kongresin e 30-të të kësaj agjencie, zhvilluar në Paris, ka si objektiv kryesor mbështetjen e diversitetit linguistik përmes shprehjes poetike. /KultPlus.com
“Rivarol” ka botuar, me 4 maj 1961, në faqen n°13, shkrimin e një koloneli francez me rastin e ndarjes nga jeta të mbretit Zog, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :
Në kohën e mbretit Zog, Shqipëria nuk ishte komuniste…
Mbreti Zog I vdiq më 9 prill 1961 në spitalin Foch në Suresnes, në moshën 65-vjeçare, larg atdheut të tij martir, që prej kohësh shpresonte ta shihte sërish dhe që u largua tragjikisht në kushte të panjohura për shumëkënd.
Tani, ata që kanë pasur nderin ta shohin këtë sovran në punë në vendin e tij, kanë vlerësuar njëzëri cilësitë e tij brilante të inteligjencës, dashamirësisë, thjeshtësisë, delikatesës dhe mirësisë, si dhe dëshminë madhështore që dha gjithë energjinë e tij për çështjen e pavarësisë shqiptare,për të cilën u sakrifikua pa hezitim sepse nuk dinte rrugë tjetër veç asaj të detyrës. Në vijim, asgjë nuk do ta kishte pasur më të lehtë për të ruajtur fronin e tij : do t’i duhej një farë fleksibiliteti diplomatik, por do t’i duhej të tradhtonte atdheun dhe kombin shqiptar, gjë që nuk do ta kishte dashur kurrë.
Në të vërtetë, ai ishte mbreti më i madh i kohës së tij, sepse me koston e vështirësive më të mëdha dhe në kohën më të shkurtër të mundshme, arriti, siç është shkruar, “mrekullinë e Shqipërisë”, pasi ia doli të bënte, pa humbje të jetëve njerëzore, të një vendi mesjetar dhe larg çdo shteti modern. Në fakt Mbreti Zog ishte krijuesi i admirueshëm i Shqipërisë së re. Ai pati gjithashtu meritën e madhe të ishte një faktor paqeje në gadishullin ballkanik, aq shpesh i torturuar nga luftërat, dhe vendosi marrëdhënie të mira fqinjësore me vendet që kishin planifikuar të pushtonin Shqipërinë ose ta ndanin atë.
Ajo që është injoruar plotësisht në Francë, madje edhe në qarqet që mund të jenë më të informuarit, është lidhja e sinqertë dhe e thellë që ky sovran tregoi me kaq guxim dhe me kaq fisnikëri ndaj Francës, duke e bërë Shqipërinë një vend me ndikim francez, këtë me dëshirën e tij, duke mos marrë kurrë as më të voglin inkurajim nga qeveria franceze.
Krahas këtij edukimi ushtarak francez të dëshiruar nga mbreti për nipërit e tij — kush e kujton se ai bëri që dy nipërit e tij të shkolloheshin në Saint-Cyr (shkollë ushtarake në Francë) ? —, gjuha jonë kishte statusin e gjuhës zyrtare dhe jo italishtja siç do të donin autoritetet e Romës.Në të vërtetë, propaganduesi ynë më i mirë ishte vetë mbreti, i cili sponsorizoi liceun francez të Korçës, i cili, duke konkurruar me institucionet italiane, i dha rinisë shqiptare një arsim francez.Nga ana e saj, mbretëresha, një katolike e zjarrtë, në një vend ku një e treta e popullsisë i përket kësaj feje, dhe franceze në zemër, solli, me dashamirësinë që e njohim dhe në të gjitha rastet, ndihmën më të përkushtuar për vendin tonë.
Më në fund, ishte e nevojshme të vizitohej pallati veror i Durrësit për të matur se sa e mrekullueshme ishte ndjenja e mbretit në lidhje me Francën. Në të vërtetë, me përjashtim të shumë qilimave të shkëlqyer persianë, gjithçka atje mbante shenjën e vendit tonë : mobilje të rralla të kohës, piktura të mjeshtrave (përfshirë portretin e bukur të Dukës së Burgonjës), libra të bukur, kujtime (suvenire).Ky zbulim i papritur në një vend kaq të ndryshëm nga i yni, kaq i largët dhe kaq i vështirë për t’u arritur për shkak të vendndodhjes së tij gjeografike, dhe që dëshmoi edhe për kaq shumë simpatinë për Francën dhe për aq shumë frymën e pavarësisë, preku thellë francezët kalimtarë.
A mund të matim gjithë meritat e mbretit dhe gjithë guximin që ai tregoi, duke pohuar kaq qartë shijet dhe preferencat e tij, kur të gjitha veprimet dhe gjestet e tij ishin nën syrin (vrojtimin) e Italisë ?
Por në vitin 1939, kur largimi i sovranëve u bë urgjent dhe mbreti vendosi të vinte në Francë, ku jetonte nëna e mbretëreshës dhe ku ai vetë kishte miq të vjetër, qeveria franceze nuk nxitoi t’i jepte të drejtën e azilit.
Megjithatë, ata arritën në Versajë, ku një gazetë shpalli me një titull të madh, mbi një fotografi të Château de La Maye, dhe në këto terma : “Versaja do të mirëpresë Mbretin Zog dhe Mbretëreshën Geraldinë të hënën.” Pastaj shkruajtën : “Pikërisht në Château de La Maye, ku banuan Duka dhe Dukesha e Windsor-it vitin e kaluar, sovranët, foshnja e tyre dhe suita e tyre shqiptare do të vendosen për disa muaj. Versaja, qyteti i mbretërve, thërret të mëdhenjtë e tokës që kanë mbajtur një kurorë. Ishte në Versajë që Duka i Windsor, vitin e kaluar, në pranverë, deshi të pushonte. Nesër, në të njëjtin vend, nën të njëjtën çati, do të vendoset një mbret i rritur nga fatkeqësia. Château de La Maye është gati të presë Zogun I dhe të gjithë familjen e tij.”
Fatkeqësisht, Versaja do të ishte vetëm një etapë, sepse kolapsi i përgjithshëm i Francës dhe vërshimi i trupave gjermane nëpër territor e detyruan mbretin dhe suitën e tij që të shmangnin edhe një herë rrezikun duke u tërhequr në Biarritz, nga ku u nisën për në Angli.
Mbreti Zog nuk është më. Kurrë vdekja nuk më ka prekur aq shumë shpirtin dhe zemrën time, sepse asgjë nuk i lëndon aq sa padrejtësia, mosmirënjohja.
Nëse ka ndonjë ngushëllim për mua, e gjej në shembullin e dhënë nga këta shqiptarë të përulur që kanë ardhur nga e gjithë Franca dhe jashtë saj, me koston e vështirësive më të rënda të parave, pasaportave, lodhjes, jo për të kërkuar diçka, por për t’i dëshmuar mbretit të tyre gjithë dashurinë e tyre, në varrezat e Thiais, fytyrën e gërryer nga ngurtësia e ekzistencës së tyre të dhimbshme në tokën e mërgimit prej të cilës rrjedhin lotët rrëke.Nga ana tjetër, 2000 telegrame (aq të shtrenjta për varfërit) iu dërguan mbretëreshës nga e gjithë bota. Le të më citojnë, në kohën e tanishme dhe në situatën tragjike në të cilën ndodhet vendi ynë,çdo veçori që mund t’i afrohet këtij mësimi besnikërie dhe dashurie ndaj atij që ishte mbreti i tyre, dhe atë nga ana e shqiptarëve të përulur të shpërndarë në gjithë universin!
Shtypi, aq i frytshëm me rastin e një krimi të tmerrshëm apo ndonjë ligësie, me përjashtim të një gazete të vetme, heshti për temën e funeralit të Mbretit Zog, ku, megjithatë, kishte kurora të mrekullueshme, ndër të cilat tri të mbretëreshës së Bullgarisë dhe mbretit Simon, aktualisht në Spanjë, kurora me një çmim prej 90.000 frangash., si dhe disa delegacione. Nëse Presidenti De Gol i kishte telegrafuar Mbretëreshës dhe nëse Mbretëresha e Anglisë dhe ushtria britanike i kishin shprehur ngushëllimet e tyre përmes një personaliteti princit Leka, Franca, domethënë qeveria, nuk përfaqësohej personalisht.
Deri në vitin 1939 Shqipëria, kaq e dobët, vështirë se llogaritej në Evropë, por gjithsesi përbënte një zonë paqeje dhe qetësie, aq më tepër që me Mbretin Zog nuk ekzistonte asnjë komunist në këtë vend. Që atëherë gjërat kanë ndryshuar shumë pasi Moska i ka bërë brigjet shqiptare dhe ishullin Sazan Gjibraltarin e Adriatikut, gjë që për më tepër nuk emocionon askënd në Francë./KultPlus.com
Ishe vogeloshe…isha mituri… Kur me dole mbudhe, ti moj lumja ti! Vinte perendimi me te vagelluar Pa m’i shtire tines ata syt’ e shkruar. Ata syt’ e shkruar, syte moj te fjetur, shtate vjet me-radhe t’i kam pershendetur. Kur me pe se pari, more-e m’u largove, Kur me pe se dyti, more-e m’u afrove, Kur me pe se treti, more-e me pushtove, Te putha ne gushe, ti m’u turperove, Papo ule kryet e shkove vajtove./ KultPlus.com
Reperi i njohur shqiptar, Gashi, i cili prej vitesh jeton dhe punon në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka ndarë një histori me të gjithë adhuruesit e tij, shkruan KultPlus.
Përmes një postimi të bërë në rrjetet sociale, Gashi tregon jetën e tij dhe sfidat që ka kaluar, për të arritur majat e botës.
“Unë linda në Afrikë. E di se çfarë do të thotë? Jam emigrant. Jam shqiptar dhe pjesën më të madhe të jetës kam qenë i pastrehë. Fakti që ti më njeh tani tregon se nëse unë vijoj rrugën time, ti kurrë nuk do ta dish se ku mund të shkoi. Muzika më shpëtoi jetën”, ka thënë Gashi në video.
Ndërkaq, ai ka pasur edhe një përshkrim mbi këtë video, duke thënë se me muzikë merret nga viti 2009, derisa do të bëjë edhe publikimin e dy albumeve të tjera në 2022-tën.
“Unë akoma zgjohem duke besuar se një ditë do të bëhem një nga artistët më të mëdhenj ndonjëherë, dhe do ta arrij këtë gjë”, shkroi tutje Gashi.
Një nga këngët më të njohura të artistit është “Creep on Me”, në bashkëpunim me French Montana dhe DJ Snake. /KultPlus.com
Mistifikimi i të vërtetave historike si dhe mbajtja e tyre e ngrirë, është krim shkencor, por edhe moral, meqë pamundësia e çlirimit nga mashtrimet shoqërinë e kthe në viktimë të përhershme të përshtatshme për çfarëdo manipulimi…
Martin Hajdegeri, me të drejtë ngriti çështjen që secila gjeneratë ka të drejtë për rishikimin e historisë në përputhje me “pikëpamjet për të vërtetën e vet”. Kjo arsyetohet me atë se historiografia si shkencë e veçantë shoqërore ka për detyrë të marrë parasysh logjikën e interpretimeve që ofrojnë faktet në vazhdimësi si dhe atë, që qëndrimet e caktuara, të pranueshme ose të imponueshme në një kohë, valorizohen, rishikohen ose edhe korrigjohen në përputhje me ndryshimet shoqërore që vendosin raportet politike. Meqë shtetformimet shqiptare (i Shqipërisë në vitin 1912 dhe të Kosovës në vitin 2008) kanë kaluar nëpër faza të mbikëqyrjes ndërkombëtare dhe ato ideologjike për mbi gjysmë shekulli, ka qenë e pritshme që edhe ajo që është shfaqë si historiografi “autentike” nga autorët shqiptarë të jetë ndikuar nga këto rrethana, veçmas nga historiografia serbe, që mund të thuhet, se bashkë me diskursin e njohur ideologjik, ia ka përcaktuar kornizat e “të vërtetave” gjithnjë në përputhje me programet hegjemoniste serbe gjatë dy shekujve të fundit. Natyrisht se diktatit të historiografisë serbe ndaj asaj shqiptare, krahas faktorëve nga raporti i forcave, i kanë ndihmuar edhe impulset “shkencore” që kanë ardhur nga “qarku sllavist” i Vjenës dhe shkolla ruse e shekullit XIX-XX në shërbim të drejtpërdrejtë të politikës së njohur të hegjemonizmit pansllavist rus në Ballkan nga Kriza Lindore e këndej, që ka ndikuar edhe hartat politike dhe ato shtetërore. Andaj, ka qenë e pritshme që përjashtimi i shqiptarëve prej hartave politike të Europës sa më shumë që të jetë e mundur, që hisja e tyre në to të jetë sa më e vogël dhe mundësisht nën tutelën e shteteve fqinje (Serbisë, Greqisë dhe Bullgarisë) të shumtën të ngritura dhe të shtrira mbi trungun e etnisë shqiptare.
Kësaj politike i është dashtë parja e mjegulluar e shqiptarëve në histori, veçmas në antikitet dhe mesjetë, si dhe roli i tyre “i pushtuesit” dhe “zullumqarit” gjatë Perandorisë Osmane të ardhur nga Kaukazi, me ç’rast ata, me ndihmën e osmanëve dhe të pranimit të islamit, gjoja kanë rrënuar “shtetin mesjetar serb” si dhe “kishën ortodokse serbe”! Kështu, platformat hegjemoniste , ajo e “Naçertanjes” së Garashaninit dhe “Megaloidhesë” greke të vitit 1844 bashkë me literaturën përcjellëse me plot e përplot gënjeshtra dhe falsifikime ordinare, ia përcaktuan edhe kornizat si dhe hapësirën pamjes së deformuar të historisë së shqiptarëve jo vetëm nëpër qendrat e caktuara hulumtuese dhe studimore evropiane (me përjashtim të shkollës gjermane), por ndikuan që edhe fillet e historiografisë institucionale shqiptare (mbas viteve të njëzeta të shekullit të kaluar) dhe veçmas ato ideologjike gjatë regjimit komunist, të shumtën të mbesin peng i tyre, posaçërisht të çështjet që kanë të bëjë me mesjetën e mesme dhe atë të vonshme, ku dogma e të ashtuquajturit shtet mesjetar serb të identifikuar me dinastinë Rasiane të Nemanjajve tribalë (fis dardan) dhe kishë ortodokse serbe me gjoja autoqefali në shekullin XIII, mbesin të paprekura!
Historiografia ideologjike gjatë gjysmë shekulli në Tiranë, krahas përpjekjeve që së paku, nëpërmes teorisë ilire (gjithnjë në përputhje me kornizat e indoevropianishtes), ta lidh origjinën shqiptare me antikitetin (ndonëse përherë të parë nën ndikimin helen), megjithatë, duke iu nënshtruar klisheve të historiografisë serbe dhe falsifikimeve të saj, gjithnjë nën diktatin ideologjik, që Shqipërisë i ka ardhur nga Beogradi, ka pranuar diskontinuitetin historik dhe veçmas atë etnik, kulturor gjatë Bizantit dhe Perandorisë Osmane, me çka me këto shkëputje i është ndihmuar anatemës së popullit të mjegulluar dhe jashtë strukturave shoqërore dhe politike në mesjetë qofshin ato edhe ndër më të fuqishmet e kohës siç ishte “Despotati i Eprit”i mesit të shekllit XIII, “Mbretëria Arbërore” e Anzhuve e vitit 1272 si dhe dinastive të Balshajve, Thopiajve, Kastriotëve, Dukagjinëve dhe të tjera! Kjo ka bërë që shqiptarët të privohen edhe nga roli i tyre që kishin gjatë shfaqjes së krishterimit dhe më vonë, ku ata ishin ndër të parët që e pranuan atë dhe i takuan dhe i ndihmuan përhapjes së tij tutje Ilirikut. Madje, edhe perandorët e njohur ilir-dardanë Konstandini i Madh, Justiuniani dhe të tjerët, që me të drejtë mund të merren pjesë e trashëgimisë së lavdishme historike arbërore-shqiptare ku duhet të mbështet edhe identiteti politik dhe shoqëror në kuadër të formacioneve autonome të kohës, përjashtohen prej saj, duke u përvetësuar nga të tjerët!
Krahas diskursit përjashtues nga mesjeta në jetën shoqërore dhe politike të saj në dobi të diktatit sllav-ortodoks, historiografia institucionale shqiptare, gjithnjë nën diktatin ideologjik, ka krijuar mundësi të reja, që i njëjti diskurs, të ndikojë drejtpërdrejt edhe raportet e brendshme antihistorike, sidomos ato që solli fillimi i Luftës së Dytë Botërore dhe përfundimi i saj, me ç’rast, fitorja e ideologjisë komuniste dhe përfshirja e dhunshme e shqiptarëve në të, shkaktoi dëme të mëdha gjithë atyre zhvillimeve me të cilat, në përputhje me rrethanat që krijoheshin, kërkohej që të korrigjoheshin vendimet e Konferencës së Ambasadorëve të Londrës. Kështu, historiografia ideologjike, fitores së komunistëve shqiptarë në radhët e Frontit Antifashist si dhe krimeve të rënda, që u ushtruan nga ana e tyre pas marrjes së pushtetit në bashkëveprim me partizanët jugosllavë, u dha “alibi” në emër “të luftës klasore” dhe qërimit të hesapeve me “kuislingët dhe fashistët”! Me këtë rast edhe slogani “luftë nacionalçlirimtare” u ngatërrua deri te keqpërdorimi, kur dihet “komunizmi” jo vetëm që e përjashton “kombëtarën” por edhe e lufton atë, siç ndodhi në vërtetë. Në këtë frymë, pra që të luftohet çdo përpjekje e kombëtarizmës dhe frymës së saj gjatë Luftës së Dytë Botërore, u erdhën në ndihmë edhe formulimet “kuislingë” dhe “fashistë” ndaj atyre që vepronin për shtet të përbashkët shqiptar në përputhje me rrethanat e kohës, siç ishte shteti i pavarur shqiptar i viti 1943 që doli nga Kuvendi i Dytë i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit i nëntor 1943, që përfshiu pjesën më të madhe të viseve etnike shqiptare të shkëputura dhunshëm gjatë pushtimit serb dhe grek të vitit 1912. Qeveria shqiptare e vitit 1943-1944 si dhe rrethanat që e nxorën atë, historiografia shqiptare duhet t’i rishqyrtojë dhe t’i trajtojë në përputhje me rolin historik dhe pasoja që prodhoi ajo si një veprim patriotik i elitave intelektuale, që kishin për detyrë të shfrytëzonin raportin e forcave politike për interesat kombëtare, siç ishin ato të krijimit të një shteti të përbashkët shqiptar. Ky rishikim, bashkë me atë që solli ripushtimi i Kosovës nga Beogradi në nëntor të vitit 1944 në saje të bashkëpunimit internacionalist të komunistëve të Shqipëpisë me ata të Titos me pasoja tragjike për Kosovën (me mbi 50 mijë të vrarë nga terrori partizan), me çështjet tjera që lidhen me vazhdimësinë historike të shqiptarëve në të gjitha fazat e saj nga antikiteti, mesjeta e deri te koha jonë, natyrisht se tërheq pas veti edhe vargoin e korrigjimeve, nga ato të vazhdimësisë pellazge, pranimit të trinomit mbretëror ilir në antikitet (maqedon, dardan, epirot), rolit të Ilirikut në themelimin e Bizantit, pa përjashtuar këtu edhe strukturat feudale autonome në të në fazën e dekompenzimit të tij, pastaj të pushtimeve osmave dhe të krijimit të realiteteve shoqërore dhe politike pesqindvjeçare në të për t’u sqaruar pastaj edhe Rillindja Kombëtare dhe gjithë ai zhvillim që çoi deri te pavarësia e Shqipërisë në vitin 1912, ku me vendimet e Konferencës së Londrës qendra historike (Kosova) u kthye në periferi me fatin tragjik të shuarjes si etni historike dhe kulturore me asimilim ose gjenocide. Në kuadër të këtyre ndryshimeve, krahas fokusimit tek roli i fuqive të mëdha te fatet e shtetit shqiptar dhe çështjes shqiptare në përgjithësi nga lufta e parë botërore e deri te ajo e dyta, përqendrimi te stigma “revolucion” dhe “kundërrevolucion” ka rëndësi të veçantë, meqë ajo nuk nënkupton vendosje-zhvendosje mekanike të tyre, kur njëra gjendje zëvendëson tjetrën, siç është vepruar deri më tani, por kërkon korrigjimin e pikëpamjeve të deritanishme si dhe rishkrimin e historisë në përputhje me to, meqë ato nuk kanë dominuar vetëm logjikën politike në vitet e dyzeta dhe të pesëdhjeta të shekullit të kaluar në Shqipëri dhe Kosovën e pushtuar nga Begoradi, por në vazhdimësi në të dy anët e murit shqiptar, kur në njërën anë, është përdorur për forcimin e diktaturës staliniste, ndërsa në anën tjetër, është përdorur për t’u shtypur vullneti i shqipatarëve për barazi, siç ishte rasti me kërkesën për republikën e Kosovës të shfaqur në vitin 1968 dhe të rikthyer fuqishëm në vitin 1981.
Ndonëse, kërkesa për korrigjime dhe rishqyrtime historiografike shfaqet e papranueshme nga shumë historianë institucionalistë, që kanë qenë pjesë e diktatit të dogmave të tilla dhe sot e gjithëditën gëzojnë privilegje “akademike” dhe madje disa prej tyre edhe aso politike duke u dhënë “alibi” edhe reinkarnimit të politikave antishqiptare siç ishin ato të lidhjeve ideologjike me lindjen, megjithatë, nuk është vetëm e drejta e çdo gjenerate për të vërtetën e vet, siç e thotë Hadegeri, por mbi të gjitha është nevoja që shoqëria shqiptare të lirohet nga mashtrimet ideologjike dhe ato të diktateve nga jashtë, veçmas të historiografisë serbe, në mënyrë që të krijojë rrethanat për bashkim të brendshëm shpirtëror, kulturor, po edhe shoqëror dhe politik. Mistifikimet, mbajtja e tyre “nën embargo morale” dhe të ngjashme nga frika se mund të prodhojnë përçarje, janë vetëm arsyetime antihistorike, që pamundësojnë katarsisin që i duhet secilës shoqëri që jeton nën robëri të gjata… /KultPlus.com
Kujtojmë sot 102 vjetorin e lindjes së komunistit dhe dëshmorit Qemal Stafa, dita e vrasjes së të cilit u kthye në ditën e kujtimit të të gjithë Dëshmorëve të Atdheut.
Qemal Stafa u lind më 20 mars 1920 në qytetin e Elbasanit. Ai ishte është nga të rrallët komunistë emri i të cilit nuk mbart asnjë ngarkesë negative në çdo kohë. Ai mbeti i njëjti idealist deri 5 majin e vitit 1942 kur u vra i rrethuar nga 200 milicë në një shtëpi në Tiranë duke shkëmbyer zjarr me ta, duke u bërë simbol i rezistencës gjatë Luftës së Dytë Botërore.
5 maj 1942, dita e vrasjes së tij në Tiranë, u kthye në ditën e kujtimit të të gjithë Dëshmorëve të Atdheut. / KultPlus.com
Fjodor Dostojevski është një prej shkrimtarëve më të famshëm në letërsinë botërore. Veprat e tij madhështore ngrenë mjeshtërisht pikëpyetje mbi tema të rëndësishme të jetës dhe vdekjes.
Më poshtë janë disa thënie të këtij shkrimtari.
1. Duhet ta duash jetën, më shumë se sa vetë kuptimin e jetës. 2. Hedhja e një hapi të ri, nxjerrja nga goja e një fjale të re. Këto janë gjërat të cilave njerëzit u druhen më shumë. 3. Në mendjen e gjithsecilit prej nesh ka një kufi, përtej të cilit është e rrezikshme të shkosh. Pasi e ke kaluar atë kufi, është e pamundur të kthehesh mbrapa. 4. Lumturia nuk qëndron në vetë lumturinë, por në arritjen e saj. 5. Kur ndaloni së lexuari libra, ju pushoni së menduari. 6. Liria nuk gjendet në kufizimin, por në kontrollin e vetvetes. 7. Lumturia nuk vjen nga rahatitë tokësore, por fitohet përmes vuajtjes. 8. Në një zemër që dashuron vërtetë, ose xhelozia vret dashurinë, ose dashuria vret xhelozinë. 9. Nuk duhet shumë për të shkatërruar një person. Gjithë sa do ju duhet të bëni është ta bindni se puna që ai bën është krejt e padobishme dhe e pakuptimtë. 10. Heshtja është gjithmonë e bukur dhe një person i heshtur është gjithmonë më i bukur se një që flet. 11. Një person mund të jetë i mençur, por që të veprojë mençurish, vetëm inteligjenca nuk mjafton. 12. Kurrë nuk do të mbërrini në destinacionin tuaj, në qoftë se ndaleni dhe qëlloni me gur çdo qen që leh. 13. Unë dua të flas për çdo gjë me të paktën një person, ashtu si unë flas për gjërat, me veten time. 14. Është e pabesueshme se çfarë mund të bëjë vetëm një rreze dielli, për shpirtin tënd. 15. Njeriu duhet të flasë hapur me të tjerët, në një mënyrë që zbulon mendimet e veta të brendshme përmes fytyrës së tij, që zbulon hallet e tij, direkt përmes fjalëve. Një fjalë e thënë me bindje, me sinqeritet të plotë dhe pa hezitim, ndërkohë që e sheh tjetrin në sy, ka më shumë kuptim se dhjetëra faqe nga një libër. 16. Pa një objektiv në jetë, njeriu ndihet i mbytur. 17. Shpirti shërohet duke ndenjur me fëmijë. 18. Edhe një njeri që i ka duart e lidhura mund të bëjë shumë mirë, nëse do. 19. Bukuria do ta shpëtojë botën. 20. Njerëzit flasin ndonjëherë me një mizori kafshërore, por kjo është një padrejtësi e madhe dhe fyerje për kafshët; një kafshë nuk mund të jetë aq mizore sa një njeri, kaq artistikisht mizore. 21. Të rriturit nuk e dinë që një fëmijë mund të japë këshilla jashtëzakonisht të mira, edhe në rastet më të vështira. 22. Mos e mbushni kujtesën tuaj me të gjitha herët që jeni ndjerë të fyer; mund të përfundoni duke mos lënë asnjë hapësirë për momentet e mrekullueshme që keni përjetuar. 23. Një njeri, i cili e di se si të përqafojë një tjetër, është një njeri i mirë. /KultPlus.com
Isaac Newton ishte një fizikan, astronom, filozof, teolog dhe matematicient anglez i cili është konsideruar gjerësisht si një nga shkencëtarët më me influencë të të gjitha kohërave dhe si një figurë kyçe në revolucionin shkencor. Libri i tij “Philosophiae Naturalis Principia Mathematica” (Principet Matematike të Filozofisë Natyrore), botuar së pari në vitin 1687, hodhi themelet për “mekanikën klasike”. Sot janë bërë 296 vite që kur ai ka vdekur.
Në Principia, Njutoni formuloi ligjet e lëvizjes dhe gravitetin universal që formësoi këndvështrimet shkencore kryesore deri sa u zëvendësua nga Teoria e Relativitetit. Njutoni përdori shpjegimet e tij matematike të gravitetit për të derivuar ligjet e lëvizjes së planeteve të Keplerit, llogaritur baticat, trajektoret e kometave, precedentët e ekuinikseve dhe fenomeneve të tjera natyrore, duke zvenitur më tej dyshimet për heliocentricitetin e Sistemit Diellor. Ai demonstroi se lëvizja e objekteve në Tokë dhe trupa qiellorë mund të llogaritet nga të njëjta principe. Konkluzioni i Njutonit se Toka është një sferoid i shtypur në pole, u konfirmua më vonë nga matje gjeodezike të Maupertuis, La Condamine dhe të tjerë, duke bindur shumicën e shkencëtarëve Evropianë për superioritetin e mekanikës Njutoniane mbi sistemet e mëparshme.
Njutoni ndërtoi teleskopin e parë praktik reflektues dhe zhvilloi një teori të sofistikuar të ngjyrave të bazuara në vëzhgimet e kryera me një prizëm qelqi që zbërthen dritën e bardhë në ngjyrat e spektrit të dukshëm. Punimet e tij mbi dritën u grumbulluan në librin e tij shumë influencues “Optika”, i botuar më 1704. Ai formuloi gjithashtu një ligj empirik për ftohjen, bëri llogaritjen e parë teorike për shpejtësinë e dritës dhe prezantoi i pari nocionin e lëngjeve Njutoniane. Në vazhdimësi të punës së tij në llogaritje, si një matematikan, Njutoni kontribuoi në studimin e serive të energjive, gjeneralizoi teoremën binomial të eksponentëve me numra jo të plotë, zhvilloi një metodë për të përafruar zgjidhjet e një funksioni dhe klasifikoi shumë prej kurbave të rrafshit kubik.
Në mekanikë, Njutoni formuloi parimin e inercisë.
Në optikë, ai e ndërtoi teleskopin, zhvilloi teorinë e ngjyrave në bazë të vëzhgimit të një prizmi. (Ngjyra e bardhë zbërthehet në një spektër ngjyrash). Ai gjithashtu formuloi një ligj empirik të ftohjes.
Në matematikë, Njutoni së bashku me Gotfrid Lajbnicin dhe pavarësisht nga njëri-tjetri, zbuluan njësimin diferencial dhe integral. Ai gjithashtu demonstroi teoremën e binomit, zhvilloi të ashtuquajturën “metodë të Njutonit” për gjetjen e zerove të një funksioni dhe kontribuoi në zbërthimin e funksioneve në seri potenciale të pafundme. Isak Njutoni së bashku me Gaussin dhe Arkimedin bëjnë pjesë në të ashtuquajturën “treshe të artë” të matematikës. Ai ka formuluar tri ligjet kryesore të mekanikës: Ligjin e inercisë, Ligjin e veprimit dhe të kundërveprimit, Ligjin e forcës.
Pas Galileut, Isak Njutoni, e thelloi kuptimin e forcës. Ai zbuloi se ndërmjet Tokës dhe Hënës vepron forca e gravitetit dhe se është njësoj me atë të Tokës. Forca e gravitetit vepron edhe ndërmjet Tokës dhe disa qindra satelitëve artificialë që sillen rreth saj.
Njutoni, siç demonstrohet nga një sondazh të vitit 2005, është ndër shkencëtarët më të mëdhenj në historinë e shkencës. / KultPlus.com
Në korrik të vitit 2012, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara shpalli një rezolutë, sipas së cilës Dita Ndërkombëtare e Lumturisë do të shënohet çdo vit më 20 mars.
Ideja e festimit të kësaj dite është njohja e domethënies së lumturisë dhe gëzimit në jetë në të gjithë botën. Larg të qenit vetëm një simbolikë, ideja e lumturisë matet nëpër vende nga Kombet e Bashkuara dhe botohet në formë të një raporti. Sipas raportit të vitit të kaluar, Helsinku ka dalë të jetë qyteti më i lumtur në botë.
Për të festuar, njerëz në të gjithë botën organizohen dhe u sjellin lumturi të tjerëve, shkruajnë mediat e huaja.
OKB-ja thotë se për të rritur lumturinë globale, zhvillimi ekonomik duhet të shoqërohet me mirëqenien sociale dhe mjedisore.
Kjo ditë pranon se lumturia është një objektiv themelor i njeriut dhe u bëhet thirrje vendeve për të hartuar politika publike në mënyra që përmirësojnë mirëqenien e të gjithë popujve. / KultPlus.com
Gazetari i CNN, Bill Weir, përmes një postimi në “Twitter”, ka treguar një ngjarje ku përfshihet një i ri nga Kosova, dhe ky i fundit ka gjetur një kuletë me një shumë të parave në të, shkruan KultPlus.
Weir ka thënë se kosovari kishte gjetur një kuletë me 2,000 dollarë brenda, e cila i përkiste aktores së famshme amerikane, Meryl Streep.
Pasi e kishte parë ky i fundit letërnjoftimin, ka marrë vendim që t’ia kthejë kuletën së bashu me të hollat.
“Një djalosh nga Kosova, i cili punon në të njëjtën ndërtesë me mua, e ka gjetur një kuletë në rrugë me 2 mijë dollarë në të. Ai e ka shikuar letërnjoftimin dhe pa se është e aktores Meryl Streep.
Kosovari është shprehur më pas se babai i tij gjithmonë i kishte thënë se nëse gjen diçka që nuk është e jotja, nuk është e jotja.
Ai gjithashtu refuzoi një shpërblim përkundër faktit që aktorja Meryl insistoi. /KultPlus.com
Sweet guy from Kosovo who works in my building noticed a wallet in the street the other night with $2,000 in it. He checks the ID. It’s Meryl Streep. “My Dad always said if you find something not yours, it’s not yours.” He refused a reward until Meryl insisted. Good humans.
Lermë të bëhem sërish i vogli yt. Vetëm një herë. Një herë të vetme. Mandej do të lë të shkosh. Por edhe një herë, ende, lermë të ndihem i sigurt. Mbromë prej botës. Lermë të fle në ndenjësen pas sates. Vozit ti, se unë jam i trishtë dhe i lodhur. Kam dëshirë të fortë të jesh ti ai që më prin, baba. Zgjidh muzikën që pëlqen. Ajo do të jetë muzika që do më kënaqë kur të rritem. Lermë të bëhem vocërrak. Mendo ti për mua. Vendos ti për mua. Vishmë xhaketën tënde, që më rri e madhe, se mardha. Merrmë ndër krahë dhe shpjermë në shtroje, se më kapi gjumi në divan. Tregomë rrëfenja. Nëse je i lodhur, mos e bëj. Por mos shko. Kam dëshirë të mbetem fëmijë përgjithherë. Përqafomë fort si pas një goli. Fli ende, siç ke bërë dikur, për krejt javën, ulur në një karrige ngat shtratit tim në shërimore. Qetësomë. Ledhatomë Kokën. E di se për gjithkënd mbërrin çasti kur duhet të bëjmë babën për babain tonë/ Por unë nuk dua. Jo tani. Dua të të shoh si një gjigant. Jo si një zogth. Mos shko baba. Të lutem. Lërmë të bëhem sërish i vogli yt. Lërmë të jem vocërraku yt përgjithmonë.
Trajneri më i suksesshëm në histori të Kosovës, Driton Kuka, së fundmi ka publikuar një fotografi, në të cilën shkruhet se sporti në Kosovë po ngec, shkruan KultPlus.
Përmes një postimi në “Facebook”, Kuka shkruan se në mungesë të rezultateve serioze, po dalin në pah lloj lloj gara e tituj në federata të ndryshme për të arsyetuar mungesën e rezultateve kulminante.
Postimi i tij i plotë:
“Për një ditë të mirë …Sporti në Kosovë po ngec!Realitet që deshëm apo sdeshëm po ndodh!Në mungesë të rezultateve serioze mandej po dalin në pah lloj lloj gara e tituj në federata të ndryshme për të arsyetuar mungesen e rezultateve Kulminante.Lajthitja është duke u ba trend që po e konsumojnë edhe institucionet kredibile në vendin tonë me ose pa dashje.Shumë pak ose aspak vëmendje e përkushtim për sportistat me potencial,edhe sportistave po ju servohen mos sukseset si suksese.Reflektoni për të ecur tutje, institucionet sportive janë për sportista e investime në suksese të sportistëve e jo në shetitje e turizëm e përfitime për udhëheqes të institucioneve sportive!”. /KultPlus.com
Librat janë ato që na përcjellin e na bëjnë shoqëri në çdo hap të jetës. Janë ato që na japin mundësinë për të jetuar aventura të ndryshme të cilat fshihen në mes të rreshtave e që frymojnë brenda faqeve, shkruan KultPlus.
Më poshtë do gjeni një listë për 5 libra që ja vlen të lexohen të paktën një herë, transmeton KultPlus.
“The Song of Achilles” nga Madeline Miller
“The Book Thief” nga Markus Zusak
“The Seven Husbands of Evelyn Hugo” nga Taylor Jenkins Reid
“The Kite Runner” nga Khaled Hosseini
“A Thousand Splendid Suns” nga Khaled Hosseini / KultPlus.com
Gjatë javës së 14 marsit, Asistentja e Presidentit për Sigurinë Kombëtare Liz Sherwood-Randall udhëhoqi një delegacion të SHBA-së në Prishtinë, Kosovë.
Në këtë vizitë, Sherwood-Randall u takua me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu dhe kryeministrin Albin Kurti dhe vizitoi kampin Liya dhe kampin Bondsteel.
Sherwood-Randall përsëriti përkushtimin e palëkundur të Shteteve të Bashkuara për sovranitetin, integritetin territorial dhe sigurinë rajonale të Kosovës, siç dëshmohet përmes udhëheqjes së qëndrueshme të SHBA-së në misionin e NATO-s në Forcën e Kosovës (KFOR) dhe mbështetjes thelbësore për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), ku edhe po vazhdon planin e tij 10-vjeçar të tranzicionit.
Sherwood-Randall shprehu falënderime të thella për Osmanin e Kurtin për mbështetjen e vazhdueshme të Kosovës për pritjen e përkohshme të afganëve vulnerabël në Kampin Liya gjatë tranzicionit në shtëpitë e ardhshme, për partneritetin e Kosovës në luftën kundër terrorizmit dhe për aktet e solidaritetit të Kosovës me ukrainasit. /KultPlus.com