Promovohet monografia e arkeologut Gëzim Hoxha në Akademinë e Shkencave

Dje në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë u promovua libri “Krishtërimi i hershëm në provincat Praevalis dhe Dardania” (Studime arkeologjike) i arkeologut të njohur Gëzim Hoxha, akademik i asociuar.

Promovimi u organizua nga Akademia e Shkencave dhe Komisioni i përhershëm i histori-arkeologjisë me praninë e kryetarit, akad. Skënder Gjinushi dhe anëtarëve të tjerë të kryesisë dhe me pjesëmarrjen e At Pashko Gjoçaj OFM, ministri Provincial i Provincës Franceskane Shqiptare, botues i veprës. Ishin të pranishëm, akademikë, studiues e arkeologë.

Moderimi u bë nga prof. Neritan Ceka, Kryetar i Komisionit të përhershëm të histori-arkeologjisë. Ai u shpreh se libri është sintezë e një pune të gjatë të kërkimit arkeologjik dhe historik dhe tezave që kanë dalë në dritë nga kërkimet në terren të dy dhjetëvjeçarëve të fundit.

Duke e konsideruar si një libër të një stili të ri, jotradicional, por me ilustrime të zbulimeve arkeologjike nga fillimi deri në fund, prof. Ceka i konsideroi kërkimet fondamentale që kanë interes lidhur me problematikat brenda “Historisë së shqiptarëve” që po hartohet nga Akademia e Shkencave. Ai tha se studimi nis që nga shekulli IV e VI, që vijon me krishtërimin e zhvilluar që përcakton edhe një nga faktorët kryesorë të krishtërimit të kombit shqiptar.

“Pa krishtërimin kombi shqiptar nuk do të ekzistonte”, tha prof. Ceka.

Ai ia dha fjalën arkeologut të antikitetit të vonë, prof. Skënder Muçaj, i cili u shpreh se janë me interes shkencor trajtimi i temës së krishtërimit të hershëm dhe atij institucional i shtrirë në një periudhë të historisë civile, siç është Antikiteti i Vonë, i shkurtër në kohë, por që mbajti peshën kryesore, atë të gjenezës shqiptare.

At Flavio Cavalini OFM, foli për identitetin e besimit fetar të territorit të trajtuar në libër dhe theksoi se situata e përgjithshme ka ndryshuar në gjysmën e parë të shekullit IV pas Kr., kur paqja kostandiane përuroi fillimin e një kohe, të mbarsur me një tolerancë më të favorshme. Është pikërisht kjo kohë, në të cilën arkeologu ynë fillon të gjejë terrenin pjellor për të ravijëzuar një kuadër të përgjithshëm të fillimeve të zbehta, por shumë domethënëse të procesit të kristianizmit në fjalë.

“Mbi bazën e burimeve materiale të rralla të gërmimeve arkelogjike në dispozicion, të identifikueshme qartësisht si kristiane, autori respekton shenjat e një bote në ndryshim dhe ritmin gradual të këtij procesi transformues”, tha At Flavio Cavalini dhe falënderoi për gjerësinë e kërkimit dhe prezantimit të zbulimeve në këtë monografi, duke kujtuar se arkeologu Gëzim Hoxha e ka vënë një gur miliar me volumin “Shkodra dhe Praevalis në antikitetin e vonë”, botuar në vitin 2003 duke ardhur në hartimin e kësaj monografie shumëplanëshe.

Akad. asoc. Gëzim Hoxha dha një vështrim të detajuar panoramik mbi të gjithë realitetin paleokristian të provincave Praevalis dhe Dardania dhe u shpreh se deri më sot ky terren ka pasur vetëm një vëmendje të përciptë në kuadrin e përgjithshëm të kërkimeve arkeologjike të organizuara në këtë rajon të Ballkanit Perëndimor.

Ky punim është formësuar gradualisht së bashku me përvojën e punës në fushën e arkeologjisë për antikitetin e vonë, në terrenin gjeografik të Shqipërisë Veriore, Malit të Zi e Kosovës, i cili përbën territorin e dy provincave Praevalis dhe Dardania.

Një aspekt mjaft interesant të historisë së provincës së Prevalit (Praevalis) përbën njohja e gjurmëve të kristianizmit të hershëm, tha akad. asoc. Hoxha.

Kristianizimi në provincën e Prevalit na dëshmohet për herë të parë nëpërmjet disa materialeve arkeologjike në fillimet e shekullit IV, ku bëhet fjalë për fillimet e organizimit kishtar, i cili arrin një pikë kulmore në mesin dhe në gjysmën e dytë të shekullit VI. Ky proces mund të ndiqet deri në dhjetëvjeçarët e parë të shekullit VII, kur dyndjet sllave krijuan një situatë të re në të gjithë hapësirën ballkanike.

Burimet historike, aktet kishtare dhe rezultatet e arkeologjisë, dëshmojnë një zonë me gërshetim të ndikimeve në kulturën materiale dhe shpirtërore. Këto ndikime vijnë si nga Perëndimi ashtu edhe nga Lindja e Perandorisë së atëhershme. Ky fakt duket se është një reflektim i drejtpërdrejtë edhe i pozitës gjeografike dhe politike të provincës së Prevalit, si një provincë kufitare, pothuajse e barazlarguar nga Roma dhe Konstantinopoli.

Studimet nisin nga viti 412, në provincat e Ilirikut Lindor, ku përfshihej edhe Prevali, që ishin në juridiksionin kishtar të Romës dhe drejtoheshin nëpërmjet vikariatit të saj në Selanik. Por situata ka pësuar ndryshime të herëpashershme.Me gjithë krizën që kalonte organizimi kishtar në Ballkanin Perëndimor, gjatë shekullit V, në provincat jugore të tij, si Dalmaci, Prevalitanë e Dardani është vërejtur një jetë e pacënuar e kishës. Vetëm në vitin 484 shihet se kisha e Ilirikut rreshtohet në anën e Kostandinopolit. Në kohën e papës Hormisdas (514-523), gjendja ndryshoi përsëri dhe kisha e Ilirikut rikthehet nën vartësinë e papatit në vitin 516. Në vitin 535 peshkopata e Prevalit futet nën vartësinë e kryepeshkopatës së Justiniana Primës, të krijuar ex novo me iniciativën e vetë perandorit Justinian. Ndërkohë vërehet që Roma, në mënyrë të drejtpërdrejtë, vazhdon të ushtrojë përsëri pushtetin e vet.

Për librin pati dhe diskutime dhe pyetje drejtuar autorit.

Arkeologu Gëzim Hoxha në librin “Krishtërimi i hershëm në provincat Praevalis dhe Dardania” (Studime arkeologjike) ka paraqitur në një përmbledhje studimesh me të gjitha të dhënat e mbledhura, jo vetëm për monumentet, por edhe për kulturën materiale të krishtërimit të hershëm në territorin e provincave Praevalis dhe Dardania.

Në 370 faqet e librit janë paraqitur teksti studimor dhe një repertor i gjerë dhe i pasur ilustrimesh. Në 108 figurat e montuara në mënyrë integrale me tekstin, ka mbi 365 fotografi, 160 vizatime, 80 planimetri dhe 10 harta, ku janë paraqitur monumentet, nekropolet, kërkime në fushën e ikonografisë dhe mjaft aspekte nga kultura materiale e krishtërimit të hershëm, përfshirë pjesën më të madhe të territoreve arbërore./ KultPlus.com

Shfaqja ‘Kuartet’ këtë muaj premierë në Teatrin Kombëtar

Teatri Kombëtar i Kosovës ka publikuar shfaqjet qe do të jepen në këtë teatër gjatë muajit prill, përcjell KultPlus.

Këtë muaj, më 5 prill do të jepet premiera e shfaqjes  ‘Kuartet’ me regji të Alban Beqiraj.

Drama tragjikomike “Kuartet” është një dramë e autorit gjerman Heiner Muller, e përkthyer për herë të parë në gjuhën shqipe nga Alban Beqiraj.

Shfaqja është inskenuar nga regjisori austriak, Andreas Pronegg. Virtuoziteti i tekstit bën që aktorët Arjola Demiri dhe Ermal Sadiku të kenë qasje të veçantë, ku gjatë interpretimit ata do të luajnë disa karaktere, duke ndryshuar gjinitë dhe rolet. Pjesë shumë e rëndësishme e shfaqjes janë edhe “Engjëjt e historisë“, ku interpretojnë aktoret Rajmonda Ahmetaj, Arta Lahu, Shqipe Gashi dhe Donikë Ahmeti./ KultPlus.com

Luleve që valvit era

Poezi nga Jeronim De Rada

Fryu era e maleve
dhe rrëzoi hijen e lisit:
gjaku im mbetet lumit t’Vodhit!
Ushtarë, m’hapni shtatoren
që të shoh edhe një herë
Shkodrën dhe time motër
te dritarja përkundruall.
Më atje nuk do të zgjohem
luleve që valvit era,
posi valë që s’kanë mbarim.
Do të mblidhen shokët mbrëmjes
brenda vatrash në atdhe:
Unë i le si ëndërzë!/ KultPlus.com

‘Gruaja nga Evia’ fiton “Istanbul Photo Awards”

Fotografia e fotoreporterit të Bloomberg, Konstantinos Tsakalidis e titulluar “Gruaja nga Evia” është nderuar me çmimin “Fotoja e Vitit” në edicionin e tetë të konkursit vjetor ndërkombëtar të fotografisë “Istanbul Photo Awards”.

Juria prestigjioze shpalli fituese fotografinë e Tsakalidis mes më shumë se 16 mijë fotografive që paraqisnin pjesë të ndryshme të botës.

Fotoreporteri i Getty Images, Drew Angerer fitoi çmimin e dytë në kategorinë “Lajm tek” me fotografinë e shkrepur gjatë rrethimit të dhunshëm të 6 janarit në Kapitol të SHBA-së.

Fotoreporteri i AFP-së, Paul Ratje, fitoi çmimin e tretë me fotografinë e tij që pasqyron vështirësitë me të cilat përballen refugjatët që përpiqen të hyjnë në një kamp në Teksas.

Fotoreporterët profesionistë u paraqitën në konkurs me fotografi që demonstrojnë ngjarjet globale të vitit të kaluar, nga talebanët në Afganistan deri te përmbytjet në Indonezi, nga turneu i tenisit Australian Open deri te protestat kundër kufizimeve të COVID-19 në Britaninë e Bashkuar.

Gjithsej, u nderuan me çmime 19 fotoreporterë në shtatë kategori të ndryshme./ KultPlus.com

Sot në KultPlus Caffe Gallery, mbrëmje poetike për të drejtat e vajzave dhe grave

Për të drejtat e vajzave dhe grave, Sekretariati i Gruas Aktiviste të Lëvizjes Vetëvendosje organizon një mbrëmje poetike, mbrëmje që i dedikohet të drejtave të grave dhe betejës së tyre të gjatë për t’i arrite synimet, shkruan KultPlus.

“Kjo mbrëmje do të realizohet në kuadër të aktiviteteve të Sekretarit të Gruas Aktiviste përgjatë muajit mars, aktivitetet që janë shënuar për të drejtat e vajzave dhe grave. Dhe pikërisht këtë muaj do ta përmbyllim me një mbrëmje poetike, që do të shënohet më 31 mars”, kanë njoftuar nga Sekretariati i Gruas Aktiviste, mbrëmje që do të mbahet në ora 17:00, në KultPlus Caffe Gallery, te Fontana në Prishtinë.

Ndërkohë bëhet e ditur se në këtë mbrëmje poetike do të marrin pjesë: Majlinda Bregasi, Elvis Hoxha, Tinka Kurti, Hyrije Veliu-Jeta, Hatixhe Hoxha./ KultPlus.com

Si i shpëtoi rrënimit kinemaja që i mbijetoi dy luftërave botërore

E vendosur në një rrugë në qytetin bregdetar në Essex të Harwich, ndodhet një kinema më e vjetër e vendit. Ajo i ka mbijetuar dy luftërave botërore, kërcënimit të prishjes dhe pandemisë Covid-19.

Pas një projekti restaurues dyvjeçar, kinemaja është gati t’i hap edhe një herë dyert.

Kur u ndërtua Pallati Elektrik në vitin 1911, kinematë ishin më shumë një ngjarje sesa një vend për të parë filma.

Një ‘showman’ do të mbërrinte në qytet, do të vendoste një projektor dhe audienca e zjarrtë do të shijonte çdo gjë që shkruhej në ekranin e improvizuar.

“Në ditët e para të filmit, njerëzit nuk kishin parë kurrë foto lëvizëse. Ishin kryesisht njerëzit që udhëtonin, ndonjëherë në terrenet e panaireve, të cilët kishin një projektor dhe një rrotull filmi dhe i vendosnin në një sallë teatri se fshati”, ka thënë kryetari i Harwich, David Looser, transmeton rtv21.tv

Në vitin 1911 u ndërtuar Pallati Elektrik nga Charles Thurston.

Thurston ndërtoi dy kinema të tjera – Empire Cinema në Biggleswade dhe Palace Cinema në Norwich.

Filmi i parë i shfaqur në Electric Palace ishte Beteja e Trafalgarit dhe Vdekja e Nelsonit. Hyrja ishte 2 ditë për një stol prej druri, duke u rritur në 6 ditë për një vend në mes të auditorit ose një shiling (me vlerë rreth 6,20 £ në paratë e sotme) për një pozitë prej pelushi në pjesën e pasme të kinemasë./ KultPlus.com

‘Kjo vjeshtë’, ekspozita e piktorit Orion Shima në galerinë FAB

“Kjo vjeshtë” titullohet ekspozita e piktorit Orion Shima, e çelur në galerinë FAB.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti ka vizituar dje ekspozitën ku shprehet se, “kjo vjeshtë” e piktorit Orion Shima, një shkëputje nga e përditshmja e zhurmshme, për t’u njehsuar me natyrën, ngjyrat dhe aromën e stinës”.

Në këtë ekspozitë janë prezantuar 19 vepra në vaj të realizuara përgjatë dy viteve të fundit, të cilat vijnë në formën e një triptiku, ku autori i kundërvihet indiferencës ndaj natyrës edhe përmes ciklit të dordolecëve.

Veprat e tij sjellin shkëputje nga e përditshmja e zhurmshme, për t’u njehsuar me natyrën, ngjyrat dhe aromën e stinës.

Tablot e Shimës, sërish ruajnë dimensione të mëdha, madje motivet e kopshtit të “kësaj vjeshte” vijnë në përmasat 3.60 me 2.20 m.

Kjo ekspozitë e kuruar nga Parid Teferiçi do të qëndrojë e hapur deri në datën 3 prill, në Galerinë FAB./atsh/KultPlus.com

Puthmë moj e dashur, puthmë

Poezi nga Sergej Esenin

Puthme moj e dashur puthme
Gjer ne dhimbje gjer ne gjak
S’e duron dot ftohtesiren
Zemra ndezur zjarr e flake

S’eshte kupa e permbysur
Mes gazmoreve per ne
Ti nje gje kupto moj mike
Vec nje here rron mbi dhe

Shih ne mes te erresirs
Henen qe shkelqim vershon
Sikur t’ish nje korb I verdhe
Permbi toke fluturon

Puthme de se kalbesia
Kengen time ma kendoi
Ka te ngjare qielli lart
Fundin tim parashikoi

Eh moj force qe venitesh
Do te vdes kjo s’ka dyshim
Vetem dua t’I puth mikes
Buzet gjer ne fundin tim

Qe pa turp edhe pa drojtje
Embelsisht kur t’enderroj
Tok me shushurima vishnjesh
“Jam e jotja” – te jehoje

Qe si shkuma permbi kupe
Drita mos na shuhet ne
Ndaj kendo moj mikja ime
Vec nje here rron mbi dhe./ KultPlus.com

167 vjet nga vdekja e shkrimtares së shquar, Charlotte Brontë

Charlotte Brontë ka qenë noveliste dhe poete angleze, e njohur në mbarë botën, shkruan KultPlus.

Romani i saj më i njohur është “Xhejn Er”, të cilin ajo e botoi nën emrin artistik Currer Bell.

Një jetime e vuajtur ngrihet në rangun e një heroine, e cila, guximtare, e çiltër dhe krenare, na tregon se si integriteti i një shpirti të dëlirë nuk komprometohet përballë asnjë tundimi, as atij që premton lumturinë. Libri, i kritikuar nga bashkëkohësit si një roman që përmbante nxitje revolucionare, të pamoralshme dhe antifetare, “Xhejn Er”, është sot një nga veprat më të kremtuara të të gjitha kohërave. I ekranizuar më shumë se çdo klasik i shekullit XIX, “Xhejn Er” solli një revolucion në artin e rrëfimit.

Falë tij, autorja Charlotte Brontë konsiderohet si “një nga historianet e para të ndërgjegjes individuale” dhe pararendësja letrare e shkrimtarëve si Joyce-i dhe Proust-i.

Kjo është historia e një jetimeje të zgjuar dhe plot temperament, megjithëse trupvogël e

shëmtaraqe. E abuzuar dhe e braktisur nga të afërmit e saj, heroina jonë lufton e patundur për një jetë të pavarur e dinjitoze. Xhejni do të kërkojë lumturinë me ngulmin e një shpirti rebel, por pa pranuar kurrë të bëjë kompromis me moralin e saj. Rrëfimi i apasionuar rrotullohet rreth historisë së dashurisë së Xhejn Erit me punëdhënësin e saj, zotin Roçester, një aristokrat arrogant dhe hijerëndë.

Romani përshëndeste një figurë heroike të panjohur më parë; një figurë e cila, falë integritetit virtuoz, intelektit të mprehtë dhe këmbënguljes së palodhur, arrinte të çante përmes barrierave të klasave sociale për të fituar një pozicion të barabartë me njeriun që dashuronte. Dhe pikërisht kjo është arsyeja pse kaq shumë njerëz e duan Xhejn Erin: ata mund të identifikohen me të. Ajo nuk është e bukur, shtatlartë apo e hijshme. Ajo është një vajzë fare e rëndomtë, nga ato që nuk bien në sy. E megjithatë, ajo gjen lumturinë romantike. Është një përrallë për të pasigurtët, për të gjithë njerëzit e zakontë. I lavdëruar nga William Makepeace Thackeray si “kryevepra e një gjeniu të madh”, romani “Xhejn Er” konsiderohet ende sot, më shumë se një shekull më vonë, një nga veprat më të hijshme të letërsisë angleze. /KultPlus.com

Zelensky për bisedimet e paqes: Për momentin vetëm fjalë

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka dhënë një përditësim mbi bisedimet e paqes midis Kievit dhe Moskës, përcjell KultPlus.

Presidenti deklaroi se se bisedat po vazhdojnë, por “për momentin ka vetëm fjalë, asgjë konkrete”.

Zelensky gjithashtu tha se trupat ukrainase po përgatiten për bombardime të reja nga Rusia në rajonin e Donbasit.

Ukraina propozoi një plan që nuk do të shihte baza ushtarake të huaja në territorin e saj, si dhe një fund të ambicieve të saj të aleancës ushtarake.

Është paralajmëruar edhe një referendum i mundshëm nga Ukraina. /KultPlus.com

‘Fukarait askush s’i jep bukë, të gjithë i japin këshilla’

Kolonizatorë dhe sundues të Altlantikut, portugezët kanë trashëguar në breza urtësi që lidhen fuqishëm me tematika si peshkimi, paraja, premtimet, shpenzimet, respekti e këshillat.

Ne jemi të bindur se diçka mund të mësojmë prej tyre, ndaj kemi përzgjedhur perlat e mençurisë portugeze për lexuesit tanë.

Fukarait askush s’i jep bukë. Të gjithë i japin këshilla.

Mos i jep asnjëherë këshilla atij që të kërkon vetëm lekë.

Askush nuk vlen më shumë se tjetri nëse nuk prodhon më shumë se tjetri.

Dembelia nuk ka rritur kurrë fëmijë të mirë.

Ilaçi i nesërm nuk do ta shërojë sëmundjen e sotme.

I sigurti vdiq, i kujdesshmi i shkon në mort.

Kush ka katër dhe shpenzon pesë, nuk ka nevojë për kuletë.

Kush nuk ka bukë, të mos mbajë qen.

Ligji punon ashtu siç dëshiron paraja.

Më së shumti premtojnë ata të cilët s’kanë ç’ka të japin.

Mëso duke qarë dhe do të fitosh duke qeshur.

Më shumë të hidhëron premtimi mashtrues, sesa një refuzim mohues.

Mos i zër besë një dere me shumë çelësa.

Ndershmëria dhe interesi i përfitimit nuk hyjnë në një thes.

Fjala e thënë, rasti i humbur dhe koha e ikur në jetë nuk ndodh t’i kthehen pronarit.

Pasurimi i pamerituar sjell djallin në shtëpi.

Qeni leh keq, kur leh nga frika.

Ta kesh mjekun e keq, është më keq se vetë sëmundja.

A do të jetë hija e drejtë në qoftë se druri është i shtrembër?

Ankimi i varfanjakut arrin deri në kupë të qiellit, por jo edhe në veshë të njerëzve.

Ji pluhur aty ku shkel nëna jote, parajsa ndodhet nën këmbët e saj.

Këshilla që jepet para botës është sharje.

Këshilloje të marrin dhe do të të llogarisë si armikun e tij.

Kush s’di dhe nuk e di që s’di, është budalla: mos iu afro; kush nuk di dhe e di që s’di, është i paditur: mësoje; kush di dhe nuk di që di, është i fjetur: zgjoje; kush di dhe e di që di, është i mençur: dëgjoje.

Më parë mendo daljen, pastaj hyrjen.

Në dashuri s’ka këshilltar.

Nëna e një të vrari edhe fle, por nuk fle nëna e vrasësit.

Nëse më mashtron një herë, atëherë ti je fajtor, por nëse më mashtron edhe për herë të dytë, atëherë vetë jam fajtor.

Njeriu i ngjan pemës, njerëzit e rrethojnë sa është e mbuluar me fruta, por, posa t’i bien frutat, njerëzit shpërndahen të gjejnë një pemë më të mirë.

Njeriu që nuk interesohet të mësojë prejardhjen e prindërve dhe të farefisit të vet, i përngjan një majmuni të humbur në xhungël.

Njeriu që nuk ka qenë kurrë i sëmurë, nuk mund të jetë mjek i mirë.

Proverbi për të folurit është si kripa për gjellën.

Pushimin shtyje për nesër, jo punën.

Bëj sikur je i ditur, por mëso edhe si të dukesh injorant.

Kam me tepri mollë e dardha, por zemra më lakmon ftoin.

Ka fjalë të cilat edhe me shumë mjaltë, nuk mund t’i përpish.

Kërkon gomarin dhe është mbi të i hipur.

Më mirë të humbasësh një sy se emrin e mirë.

Pasuria zbulon cilësitë e këqija që fsheh varfëria.

Peshqit zihen me grep, ndërsa njerëzit me fjalë.

Po të ishte dituria në mjekër, të gjithë cjepërit do të ishin profetë.

S’fillohet agjërimi me bakllava në dorë. / KultPlus.com

‘I miri shpon duart, I ligu fiton trëndafilë’

Dritëro Agolli ishte poet, shkrimtar, politikan dhe ish-kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë. Ai studioi në Leningrad të Bashkimit Sovjetik dhe shkroi kryesisht poezi, por edhe tregime të shkurtra, ese, drama dhe romane, shkruan KultPlus.

Përveç veprave të ndryshme, Agolli pas vetës ka lënë edhe thënië të ndryshme, sikurse kjo më poshtë.

Ah, botë e mallkuar,
E mbushur përplot me rezilë.
I miri shpon duart,
I ligu fiton trëndafilë. /KultPlus.com

Rrojtja ime s’osht ma jetë, oh natë e ditë me lot po qaj (VIDEO)

Fitnete Rexha ishte një ndër këngëtaret më të shquara të muzikës popullore të Shqipërisë së mesme, kryesisht të muzikës popullore qytetare tiranase.

Rreth moshës 15 vjeçare këndoi dhe regjistroni këngët e para popullore në Radio-Tirana nën shoqërinë e grupit orkestral të Shqipërisë së mesme të drejtuar nga Muharrem Gura dhe Skënder Reka.

Ndër këngët më të bukura të kënduara prej Fitnete Rexhës përmendim: ”Te selvitë e Namazgjasë”, ”Qënke veshur me të bardha”, ”Mun aty tek shtatë zymbylat”, ”Dy të bukurat në nji derë” etj. Ka regjistruar rreth 200 këngë popullore të Shqipërisë së Mesme.

Sonte, KultPlus ju sjell këngën ”Dashuria si rrufe”, e cila kësaj radhe vjen nën zërin e mahnitshëm të Fitnete Rexhës.

Bashkangjitur gjeni videon dhe tekstin e këngës.

Dashunia si rrufe
Ç’më goditi mu në kokë x2

Nuk kam gjuhë që t’ju rrëfej
O ç’më ka gjetur more shokë x2

Ç’më gremisi sevda e shkretë
Pleqënia s’mund ta mbajë x2

Rrojtja ime s’osht ma jetë
Oh natë e ditë me lot po qaj x2

Ku qëlloi kjo ditë e zezë
Me u taku o ne të dy x2

Unë kam ngelun krejt pa shpresë
O s’kam me t’pamun ma me sy x2
. / KultPlus.com

Rrezikon shembjen Ura e Zogut

U përurua më 26 maj, të vitit 1927. Ura ku, inxhinieri Gjovalin Gjadri, zbatoi projektin e kolegut të ri zvicerian, asokohe vetëm 30 vjeç, Erwin Schnitter, i punësuar nga firma triestine “Mazorana & Co. Triest” do të ishte një ndër më të rëndësishmet sa dhe të bukurat, jo vetëm në Shqipëri.

Ndërtimi mbi lumin e Matit, do të shërbente për rrugën kryesore kombëtare, nga Jugu në Veri të vendit, si një nevojë urgjente e kohës. Ishte ministri i Punëve Botore, Musa Juka që u kujdes për punimet e një ure që shkonte afro 500 metra në gjatësi e me këmbët e ngulura në thellësi të madhe në lumin Mat.

Ura e re mbi Mat, u ndërtua me çimento dhe hekur, me një sistem nga më modernit për ndërtimin e urave për kohën. Në përurim morën pjesë deputetë, senatorë, si dhe autoritete nga Shkodra dhe Lezha.

Që gjatë të ndërtimit, ura njihej si “ura e Zogut”, pasi vetë mbreti – atëherë ende president – ishte ideatori i ndërtimit e ndoshta edhe krenaria e krahinës nga vinte.

Ura u bë pikëtakimi dhe kalimi nga Shqipëria e poshtme me atë të epërmen. Kur më 2001-in, u rikonstruktua nën financimin gjerman, u shpall edhe si më e bukura në Ballkan, për vlerat arkitekturore dhe inxhinierike.

Ndërsa, aktualisht është “Europa Nostra”: Zëri Evropian i Shoqërisë Civile, i përkushtuar ndaj Trashëgimisë Kulturore, që ka publikuar listën me 7 monumentet më të rrezikuara në Evropë, për vitin 2022 dhe mes tyre, Ura e Zogut në Shqipëri.

Në faqen zyrtare të Europa Nostra, thuhet se Ura e Zogut është një kryevepër e inxhinierisë së ndërtimit të fillimit të shekullit të 20-të në Ballkan. “E ndërtuar në vitin 1927 mbi lumin Mat, në Shqipërinë e Veriut, ura është e njohur për strukturën arkitekturore, gjatësinë dhe stilin e harqeve prej çeliku. Konsiderohet një arritje e rëndësishme në fushën e konstruksioneve metalike dhe strukturave prej betoni të ndërtuara mbi lumenjtë, në Evropën Jugore.

Me emrin e mbretit Zog I të Shqipërisë, ura njihet edhe si “ura me pesë harqe”. E projektuar nga inxhinierë gjermanë dhe zviceranë, ndërtimi i urës u zbatua nga inxhinieri shqiptar Gjovalin Gjadri, duke përdorur materiale të importuara nga Italia. Fillimisht, ajo përbëhej nga gjashtë harqe, por një nga harqet u shkatërrua gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Pavarësisht rëndësisë së trashëgimisë industriale dhe faktit që Ura e Zogut është shpallur monument kulture i kategorisë së parë, nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore në Shqipëri, ura nuk është mirëmbajtur dhe është thuajse e prishur.

Struktura është në rrezik të menjëhershëm shembjeje për shkak të dëmtimit të shkaktuar në njërën prej kolonave. Me ndërtimin e dy urave të reja mbi lumin Mat, në vitin 1987 dhe vitin 2000, Ura e Zogut është shfrytëzuar, por më shpesh vizitohet nga turistët, duke pasur parasysh dizajnin origjinal dhe vlerën historike. /KultPlus.com

Hapet “Thesare të Muzeut Historik Kombëtar”, ekspozohen eksponatet me vlera artistike, estetike dhe historike së qyteteve ilire

Gjithsej 25 stenda të cilat përmbajnë objekte e përzgjedhura nga pavijonet e muzeut, erdhën nëpërmjet ekspozitës së titulluar “Thesare të Muzeut Historik Kombëtar” që u shpalos sot për publikun në hapësirën e Muzeut Kombëtar të Kosovës, shkruan KultPlus.

Kur ora shënoi fiks 18:00, ishin të pranishmit ata që zunë vend për të parë nga afër stendat si: Portreti i Erosit nga mermeri, Mbulesën e Ikonës së Gjën Gjergjit nga argjendi dhe ari që ndodhet në Kishën e Gjirokastrës, Dyert e Bukura që i përkasin vitit 1591 e që gjenden në Kishën “Shën Maria” në Berat, Këmbën vazi në formë feniksi që vjen në formën e bronzit, skulpturën Athina Promahos e punuar në mermer, Kokën e Apollonit që po ashtu është punuar në mermer, Dividi dhe kama e shkruesit së Ali Pashë Tepelenës si dhe shumë të tjera që tërhiqnin vëmendjen e gjithsecilit.

Kjo ekspozitë që vjen në kuadër të Kalendarit të Përbashkët Kulturor për vitin 2022, është realizuar nga Muzeu Historik Kombëtar me mbështetjen e fotografit Fation Plaku, për realizimin e fotove të vendeve ku janë zbuluar objektet e paraqitura në ekspozitë, dhe në bashkëpunim me Muzeun Kombëtar të Kosovës.

“Thesare të Muzeut Historik Kombëtar” solli para publikut një numër të madh të objekteve të shumta, koleksion të pasur me artefakte arkeologjike siç është koleksioni i objekteve prehistorike, koleksioni i skulpturave, enët nga qeramika, monedhat ilire greke e romake, objekte të punuara në qeramikë dhe metal si dhe koleksione që hyjnë në vazhdën e antikitetit greko-romak për të vazhduar deri në mesjetë.

Pra, qysh nga periudha e antikitetit të vonë e deri tek ajo bizantine dhe osmane, ekspozita synon të paraqes larminë e këtyre objekteve mesjetare që në thelb shpërfaqin kulturën materiale që është formuar në territorin e Shqipërisë si dhe ngjarjet kryesore që kanë zënë vend në territorin e saj.

Ekspozita “Thesare të Muzeut Historik Kombëtar” krejt në fund paraqet disa objekte ikonografike, të cilat përfshijnë një hark kohor, që fillon nga shekulli XVI e vazhdon deri në fillim të shekullit XIX.

Ndërkaq, objekt i veçantë në këtë ekspozitë u konsiderua edhe Epitafi i Gllavenicës që daton në vitin 1373.

Fillimisht, fjalën e parë e mori drejtori i Muzeut Kombëtar të Kosovës, Ajet Leci, i cili foli rreth bashkëpunimit mes Muzeut Historik Kombëtar dhe Muzeut Kombëtar të Kosovës.

“Ju uroj mirëseardhjen në ekspozitën e organizuar nga Muzeu Historik Kombëtar në koordinim me Muzeun Kombëtar të Kosovës. Siç e dini më parë kemi pasur një memorandum bashkëpunimi mes dy institucioneve tona që i ka parapri një marrëveshje dhe një kalendar i përbashkët për organizimin e ekspeditave në mes institucioneve. Kjo është ekspozita e parë që po organizojmë dhe të tjerat do të zhvillohen gjatë tërë vitit 2022. Shpresoj që shpejt do ta kemi edhe ekspozitën nga Muzeu Kombëtar i Kosovës në Muzeun Historik Kombëtar”, thotë Leci.

Sipas tij, kjo ekspozitë paraqet thesare nga Muzeu Historik Kombëtar që tashmë veçse ekziston rasti që të shihet.

Po ashtu, ministri i Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku foli rreth veçantisë së kësaj ekspozite që sipas tij dëshmojnë për të kaluarën e historisë tonë.

“Është kënaqësi e veçantë që sot edhe njëherë gjatë këtij viti, disa muaj pas ceremonisë në Elbasan, po kalojmë nga akti i nënshkrimit tek akti i zbatimit. Është një ekspozitë interesante ku paraqiten thesaret e Muzeut Kombëtar Historik. Është dëshmia e të kaluarës, e historisë tonë dhe e të tjerëve, por mbi të gjitha është një moment për ta freskuar bashkërisht atë që na bashkon dhe çka më mirë se kultura, trashëgimia, identiteti dhe historia jonë e përbashkët”, thotë Çeku.

Sipas tij, në aktivitetet e kalendarit të përbashkët, qëndron synimi për afrimin sa më të madh dhe pikërisht në këtë drejtim do të bëhet gjithë ajo se çfarë i takon Ministrisë së Kulturës.

Ndërkaq, drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi theksoi se në këtë ekspozitë gjenden gjurmët e një Shqipërie të hershme që vjen nëpërmjet imazheve.

“Është një kënaqësi e veçantë që të rikthehemi sërish pas një periudhe të aktivitetet këtu në Muzeun Kombëtar të Kosovës për të ardhur në një ekspozitë e cila realizon dhe tregon gjurmët e identitetit kulturor shqiptar. Në këtë ekspozitë ka pjesë të madhe të objekteve kryesore të thesarit që  ndodhen në Muzeun Historik Kombëtar për të vendosur kështu gjurmët e një Shqipërie të hershme e cila vjen jo vetëm përmes teksteve por edhe fotove dhe imazheve”, thotë Koçi.

Sipas tij, kënaqësi tjetër është që në vazhdën e aktiviteteve që do të vinë, fundin e vitit do të përmbyllet me botimin e katalogut të përbashkët të trashëgimisë arkeologjike të Muzeut të Kosovës dhe atij të Shqipërisë.

Gjithashtu, Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi tregoi për dimensionin e lartë nëpër të cilën ka kaluar Kosova dhe Shqipëria me rastin e kësaj ekspozite.

“Shqipëria ka një avantazh në këtë drejtim sepse për të pasur një ministër të suksesshëm siç është Çeku, i ka dhënë një vizion më të gjerë se thjesht të qenurit një ministër, por një njeri intelektual, kulturalisht i përmbushur për të kuptuar edhe ato pak ndasi që ekzistojnë midis nesh por që mund të jenë një vlerë e shtuar për punën që bëhet në Kosovë. Duke parë këtë ekspozitë, më vjen në mendje që po kalojmë në një dimension tjetër më të lartë. Kemi të bëjmë me trashëgiminë kombëtare, që është më e rëndësishme sesa sensi kulturor i ngushtë”, thotë Minxhozi.

Sipas tij, këto ekspozita të kësaj natyre janë shumë të rëndësishme, jo thjesht për t’i vizituar por pse jo që këto të jenë edhe pjesë e teksteve shkollore për arsye se ka shumë mangësi, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri.

Krejt në fund, u bë e ditur se me iniciativën e ministrit Ceku, do të organizohet 150 vjetori i Asdrenit, (Himnit Kombëtar), ku në Prishtinë do të bëhet një ceremoni e madhe. / KultPlus.com

‘A du m’u bâmun bujk a mjek’

Shkruan: Plator Gashi

a du m’u bâmun bujk a mjek
më kanë dvetun si bërbjek
edhe sod kur pak jam pjekë
kshtu me dvetun, do janë tekë!

çka me t’thanun un’ bre bac?
çka t’thotë qeni për nji dac?
bujk e mjek edhè n’u bafsha
kurrë i knaqun mos u dafsha!

pse n’alem me pasë arsye
e çdoherë diçka ‘me vye’?
n’kofsh i knaqun kshtu bre djalë
kqyr, mirë boll, po mu me m’falë

se druni’ dardhës qi lul’zon
s’thotë me veti: “babë, a bân?”
e as hana qi vjen rrotull
s’e ban punën sall për fodull!

pse n’kët’ ymër gjith’ me lypë
vendime, halle me i përtypë
thojnë se zgiedhja asht liri
po për mue asht robni!

hajt tash lemni ta ha çorbën
e ta ldiri mirë kët’ vorbën,
t’gdhihna herët pa çelë agu
të mos rrnoj ma për së largu!

kshtu, helbete, mos po msoj
qi shmajt’ e djatht’ janë cok njisoj
qysh me ditë kah me i grahë?
eh,
qysh din dardha, kur me ra? /KultPlus.com

‘Ai që shkruan për budallenjtë, audiencën e lartë e ka të sigurt’

Dhjetë thënie nga dhjetë personalitete të njohura.

“Duke besuar me pasion në diçka që ende nuk e ekziston vërtetë, ne e krijojmë atë. Ajo që nuk ekziston është vetëm diçka që nuk e kemi dëshiruar mjaftueshëm.”
– Franz Kafka

“Duhet vetëm një minutë për të të ngazëllyer dikush, një orë për të të pëlqyer dikush dhe një ditë për ta dashuruar dikë… por duhet një jetë për ta harruar dikë.”
– Kahlil Gibran

“Poezia është më afër të vërtetës njerëzore se sa historia.”
– Platoni

“Gratë e padashuruara nuk kanë biografi, ato kanë vetëm histori.”
-F. Scott Fitzgerald

“Për aq kohë sa i besoni vetes, ju do të dini si të jetoni.”
– Gëte

“Në qendrën më të thellë të qënies tonë, ne jemi krijesa shoqërore. Mendimi se dikush mund të fillojë diçka nga e para, i lirë nga e kaluara, ose pa qenë borxhli ndaj askujt, nuk mund të ketë imagjinim më të gabueshëm”
– Karl R. Popper

“Ai që shkruan për budallenjtë, audiencën e lartë e ka të sigurt.”
– Arthur Schopenhauer

“Frytet më të ëmbla i kanë drunjtë që rriten ngadalë.”
– Molière

“Nuk besoj që ekziston ndonjë kualitet më esencial për çdo lloj suksesi se sa këmbëngulja. Ajo tejkalon pothuajse gjithçka, madje edhe natyrën.”
– John D. Rockfeller

“Janë tre gjëra të cilave çdo njeri i mençur u frikësohet: detit me stuhi, natës pa hënë dhe zemërimit të njeriut të butë.”
– Patrick Rothfuss. / KultPlus.com

Sporti i Kosovës do të bëhet me strategji zhvillimore brenda vitit 2022

Ministri i Sportit, Hajrulla Çeku ka takuar sot anëtarët e Grupit Punues për hartimin e strategjisë shtetërore të sportit.

Në këtë takim ai u bëri të qartë mbështetjen e tij dhe të Qeverisë së Kosovës në krijimin e këtij dokumenti strategjik për sportin, që do jetë udhërrëfyes shumë i vlefshëm për rritjen e cilësisë së garës sportive në vend, suksesin ndërkombëtar, masivizimin e sportit për mirëqenie e shëndet dhe shfrytëzimin e potencialit ekonomik të sportit.

Udhëheqës i Grupit Punues është Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Sportit Bislim Bislimi. Ndërsa përveq anëtarëve nga stafi i brendshëm i Ministrisë, pjesë e Grupit Punues janë edhe Arben Fetahu, kryetar i FBK-së dhe Besim Aliti, Sekretar i Përgjithshëm i KOK-ut.

Grupit Punues për hartimin e Strategjisë Shtetërore për Zhvillimin e Sportit së shpejti pritet t’i bashkohen edhe konsulentë vendorë dhe ndërkombëtarë. /KultPlus.com

Bruce Willis largohet nga aktrimi për shkak të një sëmundjeje

Aktori i njohur për filmat e tij aksion, Bruce Willis, do t’i jap fund karrierës së aktrimit, përcjell KultPlus.

Pasi u diagnostikua me afazi, një çrregullim gjuhësor i shkaktuar nga dëmtimi i trurit që ndikon në aftësinë e një personi për të komunikuar. Anëtarët e familjes së Willis postuan një deklaratë të përbashkët në mediat sociale duke njoftuar pensionimin e aktorit.

“Për mbështetësit e mrekullueshëm të Bruce, si familje ne donim të ndajmë se Bruce ynë i dashur ka përjetuar disa probleme shëndetësore dhe së fundmi është diagnostikuar me afazi, e cila po ndikon në aftësitë e tij njohëse”, thuhet në deklaratë. “Si rezultat i kësaj dhe me shumë konsideratë, Bruce po largohet nga karriera që ka shumë kuptim për të.”

“Kjo është një kohë vërtet sfiduese për familjen tonë dhe ne jemi shumë mirënjohës për dashurinë, dhembshurinë dhe mbështetjen tuaj të vazhdueshme”, vazhdon deklarata. “Ne po e kalojmë këtë si një njësi e fortë familjare dhe kemi dashur të sjellim fansat e tij sepse e dimë se sa shumë do të thotë ai për ju, ashtu siç bëni ju për të. Siç thotë Bruce gjithmonë, “Jetoje jetën” dhe së bashku ne planifikojmë ta bëjmë këtë.”

Bruce është i njohur për karrierën e tij të gjatë në Hollywood gjatë disa dekadave, shpesh duke luajtur rolin kryesor në filma aksion si Die Hard dhe Armageddon e shumë e shumë filma të tjerë. /KultPlus.com

‘Fishkëllohej nga gjithë tifozët’, Blick shkruan për vendimin e Andi Zeqirit dhe “refuzimin” e Kosovës

Ndeshja e Zvicrës mes Kosovës solli një atmosferë më ndryshë në stadiumin e Cyriuht, aty edhe ku u zhvilluar ky takim, shkruan KultPlus.

Duke filluar nga loja e bukur e deri te shënimi i golave së bashku me tifozët, Kosova dhe Zvicra u ndanë me barazim 1-1 nga ky takim miqësor.

Tifozëria e Kosovës “Dardanët” shpalosën një mesazh të veçantë për lojtarin e Zvicrës, Andi Zeqiri, i cili në të kaluarën kishte deklaruar se do të luante për Kosovën.

“Andi tregtari, pazargji i natës, mashtrues i kombëtares”, kanë shkruar Dardanët në pankartë e zbuluar në stadium.

Për këtë çështje ka shkruar edhe gazeta “Blick“, si njëri prej mediumeve më të njohura në këtë vend.

Ndryshe nga Shaqiri dhe Xhaka, zvicerani i tretë me rrënjë kosovare fishkëllehej në çdo kontakt me topin. “Goditja” e këtij të fundit ishte shumë e thellë pasi tifozët e shtetit ballkanik dikur kishin shpresa të mëdha se sulmuesi do të luante për vendin e tyre.

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ende nuk mund ta kuptojë pse Zeqiri zgjodhi Zvicrën. Aq më tepër që Ademi ka pozuar edhe me lojtarin dhe një fanellë të Kosovës në vitin 2020. “Sigurisht që u zhgënjeva. Nuk është e denjë që dikush të thotë ‘Po, po, po’ dhe pastaj të anulojë në momentin e fundit. Tregohuni të drejtë dhe të sinqertë, nuk kam çfarë të them më për këtë”, tha Ademi në televizionin kosovar, shkruhet në Blick.

Zeqiri më herët kishte theksuar se vendimi nuk ishte i lehtë për të, por se zgjodhi vendin që i hapi derën.

Dhe Michel Urscheler, i cili ka tre vite që kujdeset për profesionistin e Bundesligës, thekson edhe një herë se ishte dëshira e vetë Zeqirit që të luante për Zvicrën. “Po, ne kemi qenë në kontakt të rregullt edhe me federatën kosovare. Por asgjë nuk ishte konkrete. Përgjegjësit në federatë janë sjellë gjithmonë drejt.” /KultPlus.com

Ëndrra ime e zakontë

Poezi nga Paul Verlaine, i cili përkujtohet sot në 178 vjetorin e tij të lindjes.

Ëndrra ime e zakontë

Shpesh natën më çudit një ëndërr, më sëmbon,
Një grua që s’e njoh, q’e dua dhe më do,
Që s’është kurdoher’ as fare gjithajo
As fare tjatër, dhe më do, më kupëton.

Më kupëton, dhe zemrën si kristal të kjartë
Ma di vetëm ajo, edhe ma zgjidh problemn’ e saj
Vetëm ajo; ballin e zbet’ e dirsur valë
Vetëm ajo ma alladit me lot’ e saj.

A ësht’ e zeshk’ a blonde ruse? Nukë e di!
Ç’i thonë? Emr’ i saj i ëmbël tingëllin
I dashur dhe syrgjyn prej jetës plot me zi.

Ka sy si të statujës, edhe zën’ e ka
Të larkmë dhe të qetë, plot me rëndësi
Dhe me lezet, si zë që s’bën më shamata. /KultPlus.com

Teatrot shqiptare do të mirëpresin shfaqjen ‘Patrick le Chinois’

Teatri Kombëtar i Kosovës do ta mirëpret shfaqjen mysafire nga komediani francez Patrick Veisselier, i njohur me emrin Patrick le Chinois, shkruan KultPlus.

Pas turneut botëror nga Parisi në Pekin, me iniciativë të producentit me origjinë shqiptare Hazis Vardar sjell komedinë e tij në Ballkan në tre teatro shqiptare.

31 mars në Teatrin Kombëtar të Tiranës 1 prill në Teatrin Kombëtar të Prishtinës dhe 2 prill në Teatrin Shqiptar Shkup. /KultPlus.com

‘Art n’trafo’ për të promovuar fuqizimin e rolit të gruas

Në vigjilje të pranverës, trafot në shtatë qendrat e qyteteve kryesore të Kosovës kanë marrë ngjyrat e ndezura të saj, me mesazhe të fuqishme për fuqizimin e rolit të gruas. Ato trafostacione tashmë janë shndërruar në vepra arti.

Ky projekt i ideuar dhe financuar nga KEDS është realizuar nga organizata e artistëve Q’art.

“Aktualisht i kemi ngjyrosur shtatë trafo, në shtatë qytetet kryesore të Kosovës. Secila nga to bart një mesazh që ka të bëjë me fuqizimin e rolit të gruas. Ne e dimë që roli i gruas nuk është ai që do të duhej të ishte. Secili kemi nevojë dhe obligim që të punojmë në atë drejtim që të arrihet barazia, rrjedhimisht fuqizimi i rolit të gruas”, tha zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala.

Artistja zvicerane Krystel Suire, punon në Kosovë tash e tre vjet dhe i ka lënë vetes emrin artistik “Stern”. Ajo, teksa po ngjyroste trafostacionin në qendër të Prizrenit, përmes artit po theksonte mesazhe të shumta që ngrenë zërin e gruas kosovare dhe bën që ai të jehojë.

“Ne e kemi si qëllim të vëmë në pah fuqinë e gruas edhe të tregojmë që gratë mund të bëjnë çfarë të duan në jetë. Më pas edhe pasionet apo punën si burrat. Ne gratë kemi fuqi shumë. Edhe ky është qëllimi për këto trafo. Unë gjithmonë vizatoj këto cikat dhe janë në ‘aktivitete mashkullore’, si për shembull ajo duke bërë snoëboarding, pastaj e kemi një inxhiniere, pastaj një kuzhiniere, një mjeke, pastaj një shofere. Vetëm për të treguar që jemi barabartë dhe nëse e kemi vullnetin mund të bëjmë njëjtë si burrat”, thekson artistja zvicerane.

Edhe artistja Renea Begolli i është bashkuar kësaj iniciative, me qëllim të fuqizimit të rolit të gruas në shoqëri.

“Ideja ime ka qenë që përpos temës të sjellim pak ngjyrë, me pru pak jetë, një energji të mirë. Pra, t’i japim jetë edhe lagjes duke intervenuar në një hapësirë publike dhe në të njëjtën kohë t’i bashkëngjitemi temës që u ngrit gjatë këtij muaji. Marsi është muaji që flet më shumë për fuqizimin e gruas, gjë që e bëra edhe unë duke iu bashkuar kësaj iniciative”, thotë ajo, teksa po e gjallëronte një trafostacion në lagjen Tophane të Prishtinës.

Ky projekt është pjesë e megaprojektit “Art n’trafo” që e ka filluar KEDS së bashku me organizatën Q’art qysh vitin e kaluar. Deri tash janë ngjyrosur 27 trafo anekënd Kosovës, pjesa më e madhe e tyre në Prishtinë. Sot, ato trafo kanë pamje urbane dhe bartin në vete mesazhe që promovojnë avancimin e shoqërisë kosovare dhe zbukurojnë lokalitetet ku janë të vendosura. /KultPlus.com

Ferizaj


Gjilan

Mitrovicë

Prishtinë

Prizreni

Jeta e artistit ikonik holandez Vincent van Gogh

Lehtësisht një nga holandezët më të famshëm që ka jetuar ndonjëherë, Vincent van Gogh është një artist jashtëzakonisht me ndikim dhe me famë botërore, i njohur kryesisht për goditjet e tij të guximshme dhe dramatike të penelit, të cilat mund të gjenden në shumë nga pikturat e tij më të njohura, duke përfshirë ‘Sunflowers’ dhe ‘The Starry Night’, transmeton KultPlus.

Por sa dini për njeriun që qëndron pas veprës së famshme artistike? Për nder të ditëlindjes së tij të 169-të, le të zhytemi në jetën e trazuar të Vincent van Gogh.

Jeta e hershme e Van Gogh në Holandë

I lindur në fshatin Zundert në Brabant më 30 mars 1853, jeta e hershme e Van Gogh ishte e mbushur me familje, natyrë dhe dashuri. Si djali i madh i ministrit protestant Theodorus van Gogh dhe Anna Carbentus, ai kishte tre motra më të vogla dhe dy vëllezër.

Duke u larguar nga shtëpia në moshën 11-vjeçare për të ndjekur shkollën me konvikt në Zevenbergen, Van Gogh nuk premtonte shumë si artist apo si student. Ai u transferua në një shkollë të mesme në Tilburg në moshën 13 vjeçare, përpara se ta braktiste në gjysmë të vitit të dytë.

Kur ishte 16 vjeç, xhaxhai i tij arriti t’i siguronte një punë si praktikant në Goupil & Cie, një tregtar ndërkombëtar arti me qendër në Hagë. Katër vjet më vonë, në 1873, ai u transferua në zyrat e kompanisë në Londër.

Vitet pa qëllim në Francë, Angli dhe Belgjikë

Van Gogh kaloi disa vite në Londër, ku vizitoi muze dhe galeri të ndryshme dhe mundi të admironte punën e një numri artistësh të njohur. Në 1875 ai u transferua në Paris, por megjithë dashurinë e tij në rritje për artin e të gjitha llojeve, ai luftoi për të gjetur ndonjë gëzim në punën e tij në Goupil & Cie. Ai u pushua nga detyra në 1876 dhe u kthye në Angli, ku punoi në shkollat në Ramsgate dhe Isleworth.

Duke u ndjerë pa qëllim, Van Gogh u kthye në Holandë në 1877 dhe kaloi disa muaj duke punuar në një librari afër Roterdamit përpara se të regjistrohej si student i teologjisë në Amsterdam – edhe pse kjo nuk zgjati shumë. Ai u largua nga Amsterdami, duke u zhvendosur në Belgjikë ku punoi si predikues laik. Devotshmëria dhe përkushtimi i tij ndaj besimit të tij e panë atë të mbiquajtur Krishti i Minierës së Qymyrit.

Fillimi i karrierës artistike të Van Gogh

Pikërisht pas kësaj, Van Gogh vendosi të ndiqte këshillën e vëllait të tij Theo dhe të ndiqte aftësinë dhe interesin e tij për vizatim, duke u bindur se mund t’i shërbente Zotit si artist. Ai kaloi vitet e para të karrierës së tij artistike duke përsosur teknikat e tij dhe duke takuar piktorë të tjerë, duke u kthyer në Brabant në 1881. Pas një debati shpërthyes me të atin, Van Gogh u transferua në Hagë ku ndoqi klasa pikture me Anton Mauve, një artist i famshëm dhe burri i një prej kushërinjve të Van Gogh.

Theo e mbështeti financiarisht vëllain e tij të madh gjatë gjithë kësaj periudhe, edhe kur, në 1882, Van Gogh ra në dashuri me Sien Hoornik, një ish-prostitutë dhe nënë e dy fëmijëve. Kjo lidhje ishte jetëshkurtër dhe Van Gogh u largua nga Haga për të udhëtuar nëpër fshatra në provincën e Drenthes për tre muaj përpara se të kthehej në shtëpinë e prindërve të tij në Nuenen në 1883.

Van Gogh punoi si “piktor fshatar” për shumë vite, duke marrë me qira një studio në fshatin Brabant. Pikërisht gjatë kësaj periudhe ai filloi punën për një nga pikturat e tij më të famshme: “Patato Eaters”. Në vitin 1885, ai u largua për herë të fundit nga Holanda, duke u regjistruar në akademinë e artit në Antwerp – të cilën e la pas vetëm disa muajsh. Ai vendosi të transferohej në Paris, ku vëllai i tij Theo e prezantoi atë me punën e artistëve të ndryshëm modernë.

Jeta e tij në Paris pati një ndikim të rëndësishëm në stilin e Van Gogh-ut, pasi ai hoqi ngjyrat më të errëta dhe tonet e zymta që preferonte në “The Potato Eaters” dhe i ndërroi ato me nuanca më të ndritshme. Ndikimi i artit modern bëri që Van Gogh të zhvillonte stilin e tij të pikturës; goditjet më të shkurtra të penelit për të cilët është i famshëm tani.

Vitet e fundit të Vincent van Gogh

Pas dy vjetësh në kryeqytetin francez, Van Gogh hoqi dorë nga ngutja dhe rrëmuja e qytetit për paqen e jetës në fshat, duke u zhvendosur në qytetin Arles në Francën jugore në 1888, ku jetoi me kolegun e tij artist Paul Gaugin. Ky ishte vendi ku, në vitet e fundit të jetës së tij, Van Gogh përsosi më tej stilin e tij dhe krijoi disa nga veprat e tij më me ndikim.

Marrëdhënia midis Gaugin dhe Van Gogh ishte e tensionuar, me Van Gogh duke u bërë gjithnjë e më i shqetësuar dhe i pakënaqur. Një debat mes të dyve rezultoi në përfundimin se Van Gogh ia preu veshin, e mbështolli me një copë gazetë dhe ia paraqiti një prostitute vendase. Pas kësaj, Van Gogh u shtrua në një spital lokal.

Pasi u lirua në janar 1889, Van Gogh vazhdoi të punonte, pavarësisht nga shëndeti i tij i dobët mendor. Disa muaj më vonë, ai u pranua në spitalin psikiatrik Saint Paul de Mausole. Gjatë 12 muajve që kaloi atje, Van Gogh përfundoi 150 piktura, duke përfshirë Lulëzimin e Bajames, të cilat ia dërgoi Theos pas lindjes së fëmijës së tij të parë me gruan Jo: Vincent Willem van Gogh.

Ai u lirua në maj 1890 dhe vendosi të transferohej në fshatin Auvers-sur-Oise në periferi të Parisit. Këtu, nën inkurajimin e mjekut të tij, Paul Gauchet, Van Gogh përfundonte një pikturë në ditë. Edhe pse, për njëfarë kohe, dukej sikur shëndeti i tij po përmirësohej, shqetësimet financiare bënë që ai të shqetësohej gjithnjë e më shumë për të ardhmen e tij të pasigurt. Më 27 korrik 1980, pasiguria u bë e tepërt për t’u duruar dhe Van Gogh qëlloi veten në gjoks, duke iu nënshtruar plagëve të marra dy ditë më vonë.

Trashëgimia e Vincent van Gogh si një artist me famë botërore

Statusi i Vincent van Gogh si një artist me famë botërore nuk mund të diskutohet. Deri në kohën e vdekjes së tij, Van Gogh përfundoi mbi 850 piktura dhe pothuajse 1.300 vepra të tjera në letër. I nënvlerësuar gjerësisht gjatë jetës së tij, ai shiti pikturën e tij të parë vetëm disa muaj para vdekjes së tij në një ekspozitë në Bruksel. Që atëherë, vlerësimi publik për aftësitë e Van Gogh ka vazhduar të rritet.

Muzeu Van Gogh në Amsterdam

Pas vdekjes së vejushës së Theos, Jo në 1925, nipi i Van Gogh, Vincenti i huazoi pikturat e xhaxhait të tij në Muzeun Stedelijk në Amsterdam në vitin 1930. Kërkesat për një muze kushtuar artistit u rritën, megjithatë, dhe në vitin 1962, Vincent transferoi pronësinë e veprave të xhaxhait të tij te Fondacioni Vincent van Gogh. Qeveria holandeze filloi punën për muzeun, i cili u hap përfundimisht nga mbretëresha Juliana më 2 qershor 1973. Një nga muzetë më të famshëm në Holandë, nëse jo në botë, Muzeu Van Gogh në Amsterdam tani mirëpret dy milionë vizitorë çdo vit./ KultPlus.com