Janë bërë 23 vjet që nga nënshkrimi i marrëveshjes së Rambujesë në Paris.
E tëra kishte filluar para 23 vjetëve, më 6 shkurt të vitit 1999 kur edhe i kishte filluar punimet Konferenca e Rambujesë.
Ky takim, i cili u mbajt në afërsi të Parisit të Francës, synoi zgjidhjen e krizës në Kosovë.
Iniciues të konferencës, që zgjati deri më 23 shkurt, ishte Grupi i Kontaktit, ndërsa ndërmjetës ishin Kristofer Hill nga SHBA-ja, Boris Majorski nga Rusia dhe Volfang Petrich, përfaqësues i shteteve të BE-së.
Delegacioni i Kosovës kishte pranuar parimisht propozim-marrëveshjen për zgjidhjen e krizës në Kosovë, të cilën e kishte propozuar Grupi i Kontaktit.
Delegacioni serb, sado që parimisht pranoi këtë propozim-marrëveshje, mbrojti qëndrimin që trupave të NATO-s të mos u lejohet kalimi nëpër Serbi dhe forcat ndërkombëtare në Kosovë të jenë në kuadër të Kombeve të Bashkuara.
Edhe rrethi i dytë i bisedimeve që filloi më 15 mars në Paris përfundoi pa sukses.
Delegacioni kosovar dhe ai serb kishin nënshkruar më 18 mars marrëveshje të ndryshme. Delegacioni i Kosovës kishte nënshkruar marrëveshjen e ofruar nga bashkëbiseduesit ndërkombëtarë, ndërkohë që delegacioni serb kishte nënshkruar projektmarrëveshjen politike-marrëveshjen për vetëqeverisjen në Kosovë.
As tentimi i fundit, më 22 mars 1999 i të dërguarit special të SHBA-ve, Richard Hollbruk nuk ishte i suksesshëm. Ai nuk ia doli ta bind presidentin e atëhershëm të Jugosllavisë Sllobodan Millosheviq, që ta pranojë marrëveshjen për Kosovën dhe vendosjen e trupave ndërkombëtare.
Më 24 mars 1999, aeroplanët e NATO-s filluan bombardimin e trupave ushtarake dhe paramilitare të Serbisë. Bombardimet përfunduan më 6 qershor 1999 me nënshkrimin e Marrëveshjes së Kumanovës që parashihte tërheqjen e trupave jugosllave nga Kosova dhe vendosjen e trupave paqësore ndërkombëtare.
Më pas, Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi rezolutën 1244 me të cilën u vendos protektorati, prania ndërkombëtare në Kosovë, UNMIK si mision civil dhe KFOR si mision ushtarak.
Më 17 shkurt 2008, Kosova shpalli pavarësinë. / KultPlus.com
Kur thonjtë e dorës tem t’vogël janë mbush me dhe t’u lujt “tezesh” n’mahallë Kur dollapat janë mbush me kukullat e mia të bleme te “Shitoret e Kinezve” te Qafa E kur fustanin e synetisë e kam mbajt vesh 2 muj ditë rresht, Nuk jam kanë veç fëmijë i vogël, jam kanë marrja e shpisë. Kur ent’ i kam la me shumë vullnet E kur zani jem s’asht kanë si i djemve t’tjerë E n’mahallë kur çik-o-djalë m’kanë thirre Nuk jam kanë veç fëmijë i vogël, jam kanë marrja e shpisë. Kur shoqnia jem asht’ kanë veç me çika E ecja jem s’asht’ kanë fort burrnore E as kur me sha nuk kam dijt’. Nuk jam kanë veç fëmijë i vogël, jam kanë marrja e shpisë. Kur krejt shkolla “pederr” më ka thirre E kur jam depilu për herë të parë Kur për çika s’kam fol me moshatarë S’jam kanë veç adoleshent, jam kanë marrja e shpisë. Kur nji djalë për herë t’parë e kam puth Kur ereksion prej nji mashkulli kam pasë E kur në za kam kajt t’u ju lut perenisë me m’shëru S’jam kanë veç adoleshent, jam kanë marrja e shpisë. Kur kamerat e televizioneve në paradë t’krenarisë m’kanë fokusu E kur krejt akraballaku e kanë pa S’jam kanë ma gzimi i familjes, jam kanë marrja e shpisë. Kur veten e kam pranu si homoseksual E krenar jam ndje Kur ftyra m’asht gjakos veç për këtë fakt S’jam kanë ma sugari i fisit, jam kanë marrja e shpisë Kur t’shpisë e kanë kuptu që gruja të cilën edhe në ninulla ma kanë përmend Asht’ burrë, e të njëjtën lumtuni ma jep E kur botës i kam kallxu sa krenar me veten jam S’jam kanë ma i tyne, jam kanë marrja e shpisë. Prej që jam ba me dijt’ Jam kanë marrja e shpisë. Edhe sot jam, Marrja e shpisë, pa shpi.
–Poezi e shkruar nga Agon Rexhepi, fitues i çmimit të tretë në konkursin mbarëkombëtar të poezisë ‘KultStrofa’, organizuar nga gazeta online për kulturë KultPlus./KultPlus.com
Duket se koha po e bën gjithnje e më të madh, nga se edhe sot, tri dekada pas vdekjës, disa etnicitete e rrethe kulturore, akoma debatojnë rreth faktit së kujt i takon. Kompozitorin Rexho Mulliqin, për së gjalli e ndoqen, izoluan, burgosen , heshtën e anatemuan . Pas vdekjës, kombe e institucione , u perpoqen ta “përvetsojnë” e bëjnë pjesë të kulturës së tyre..
Rexho Mulliqi i njohur në rini si Rexhep Mullaj u lind me 18 Mars te vitit 1923 ne Guci, shkollën fillore e kreu në vendlindje për të vazhduar Medresenë e Shkupit, deri në vitin 1941
Shumë herët i la imazhet idilike të vendlindjes dhe bukurive piktoreske të Bjeshkëve të Nëmura për të u shkolluar në Shkup. U regjistrua në Medresën e Madhe të këtij qyteti, e cila, ndonëse ishte menduar si shkollë fetare, u shëndrrua në vatër intelektualësh, patriotësh e disidentësh politik nga të gjitha viset shqiptare. Mulliqi shumë shpejtë ra në sy në këtë shkollë për talentin e tij, jo në muzike, por në pikturë. Në këtë shkollë asokohe, pos shumë lëndëve tjera mësohej edhe muzika, e pesë gjuhë të huaja. Megjithëkëtë, pak kush ka mund të parashikojë që nga një medrese të dal një krijues i muzikës klasike. Aty, Mulliqi kishte arsimtar muzike një rus (Aleksander Zalijev), i cili i pari zbulojë talentin e djaloshit për muzikë dhe i sygjeroi rexhistrimin në Akademinë e Muzikës. E futi në korin e shkollës, dhe i propozoi violinën, instrument në të cilën Mulliqi do të dashurohet shpejtë. Mirëpo, kjo përkrahje e arsimtarit rus , një ditë do të i kushtoi Mulliqit. Do ti hakmerret e bëhet njollë politike, e akuzë e mëvonëshme.
Nga vitët e Shkupit, dashuri e Mulliqit do të bëhet violina. Më atë instrument, Mulliqi i ri, do të u bie ne sy edhe ushtarëve pushtues italian në vendlindje, ku ushtronte në një depo të zbrazët pranë rezervuarit të ujësjellësit. Ushtarët italianë, një ditë rrethojnë vendin, mirëpo më të dëgjuar violinën, ulin armët dhe të befasuar më virtuozin e ri, e pagëzojnë atë “Paganini i vogël”…
Nga Shkupi ku qëndroi deri më 1941, Mulliqi transferohet në Shkollën Normale të Prishtinës. Tri vjet më vonë , fillon studimet në Akademinë e Muzikës në Beograd. Në këtë qytet, një ditë, të gjitha planet e ëndrrat e tij krijuese do të thyhen. Në vend të diplomës, do të i dorëzohet fletëarresti, dhe do të përfundoj në burg, si anti-titist e kundërshtar i sistemit . Në vitin 1948, Jugosllavia prishi marrëdhëniet më Bashkimin Sovjetik dhe Stalinin. Pushteti filloi gjuetinë kundër politikanëve e intelektualëve opozitar. Kjo atmosferë, do të shfrytëzohet për të akuzuar, etiketuar e dënuar shumë njerëz të pafajshëm. Të gjithë kritikët e opozitarët e sistemit jugosllav u futen në një thes dhe në një burg të ngritur mbi një ujdhesë të izoluar në Detin Adriatik. Ishte ky burgu më i errët e më famëkeq i ish Jugosllavisë, në Goli Otok. Aty gjendej edhe një numër i madh shqiptarësh tjerë të burgosur. Vet emri Goli Otok, apo “Ishulli i xhveshur”, për ironi, sikur përkonte më qëllimin e pushtetit: zhveshjen nga dinjiteti, liritë personale e personaliteti i të burgosurëve dhe “krijimi i njeriut të ri” sipas dizajnimit komunist të kohës. Mulliqi nuk u thye…
Pas përfundimit të burgut, në vitin 1953, Rexho Mullqi do ta lidhë ardhmërinë e tij më Kosovën; Sëpari me Prizrenin, ku punoi si pedagog, pastaj më Prishtinën (1956) ku do të bëhet përgjegjës i Programit Muzikor të Radio Prishtinës, të vetmit radiostacion më program në gjuhën shqipe në Kosovë. Aty themeloi Korin Radio Prishtinës, dhe sëbashku më Lorenc Antonin i vunë themelet institucionale traditës popullore dhe muzikës artistike në Kosovë. Edhe pse tani në liri, etiketa e zezë – ish i burgosur politik, do të i rri e kërcënohet mbi kokë edhe për shumë vite. Megjithëkëtë, jeta në Prishtinë do ta aktivizojë shpirtin e tij krijues. Më Kosovën, do ta lidhë jo vetëm muzika por edhe gjëra tjera…
Mulliqi, kishte një fjali, si totem motivues: “Muzika ishte dashuria ime e parë dhe e fundit”, thoshte ai. Mirëpo në jetën e tij është një përjashtim nga kjo thënje. Ishte një kohë kur Rexho Mulliqi kishte edhe një dashuri të dytë – pos muzikës… Duke punuar në Prishtinë, ai afrohet më një këngëtare të re e të bukur, e cila përmbledhëte në unin e sajë tërë atë qe një krijues muzikor mund ta këtë ëndërr frymëzuese: Bukurinë, sharmin e zërin. Ajo këngëtare quhej Nexhmije Pagarusha, dhe asokohe punonte në fonotekën e Radio Prishtinës. Dashuria midis Mulliqit e Nexhmijës u rritë në martesë. Nga ajo martesë lindi i vetmi djal, Leonardi, kurse nga ajo dashuri , lindi kënga e famshme “Baresha”.
Sot, mund të supozojmë se inspirimi krijues për “Bareshen” , mbështetej në dy burime: Zërin briliant të Nexhmije Pagarushës, dhe natyrën magjepse të vendlindjes së kompozitorit . Ai ishte lindë e rritur pranë Bjeshkëve të Nemura , midis peizazheve kolorite, ku baresha është frymëzim e simbol i bukurisë femrore. Baresha , mbase ishte një Nexhmije e ëndërruar dikur moti, larg në rininë e jetën pastorale të lënë në vendlindje. Ndonëse martesa e Mulliqit më Nexhmijën një ditë përfundoi , ata mbetën në lidhje të pafund nëpërmjet këngës së përbashkët “Baresha”. Kjo këngë, ka një strukturë të pasur dhe komplekse për zhanrin të cilit i përket. Duket se kompozitori duke krijuar atë, kishte në mend një projekt më të madh. Në të vërtetë, elemente e sentenca muzikore të “Bareshes” hasen edhe në dy simfonitë e Mulliqit. Më vonë, ai bëri edhe një variantë orkestrale të “Bareshës” dhe kështu, ky kompozimi u bë kriter i standardeve për komponimin e këngëve në frymën e melosit popullor, për krijuesit tjerë.
Vitet e Prishtinës, do të jenë periudha më e frytshme në jetën artistike të Rexho Mulliqit. Ai u shëndrrua në institucion, që vuri themelet e muzikës artistike në Kosovë , posaçërisht të simfonisë, si gjini e rëndësishme e këtij arti. E ndiej veten i hendikepuar, që nuk i takoj profesionalisht kësajë fushe për të u thelluar në vlerësimin e veprave të Mulliqit. Mirëpo, duke studijuar jetëhecjën e tij, më lehtë kuptohet e përjetohet muzika që ai krijoi dhe anasjelltas: Duke dëgjuar veprat e tij, ne sot lexojmë jetën e kompozitorit. Rexho Mulliqi është autor i simfonise së parë shqiptare të krijuar në Kosovë dhe pionier i muzikës kamertale në këtë ambient. Ai është edhe i pari shqiptar që shkroi muzikë filmi në Kosovë. Më përjashtim të operas, Mulliqi krijoi në të gjitha gjinitë, nga muzika kamertale e deri tek këngët për fëmijë. Ndër veprat tjera të njohura të tij janë , Simfonia nr. 1 (1955), Simfonija e Dyte Kosovare, Fantazija simfonike, “Akuarelet e Prizrenit”, “Legjenda per violine dhe piano”, pastaj kantatat “Vdekja e heroit”, “Poema per ata”, “Baresha”, kompozimet vokale per kor “Vjeshta” I dhe II, “Kosova”, “Suita e vogel” etj.
Në opusin e tij të pasur artistik,veçohën veprat orkestrale, nga të cilat kurorë e punës së tij është Simfonija e Dyte Kosovare. Ajo është një biografi e Kosovës dhe poetit. Fillon më një shpërthim jete – në tinguj, si një frymëlindje e nevojë per hapsirë e energji, dhe pastaj qetësohet më piano, flautë e instrumente të lehta qe sikur pikturojnë natyrën shqiptare të femijërisë së autorit , apo edhe Dardaninë antike, para një shkundjeje që sikur paralajmëron fortunat historike nëpër të cilat kaloi ky vend. Në pjesën e dytë, ashtu si edhe jeta e kompozitorit dhe ambientit ku jetoi, ky motiv përshkrues piktural ngritet në një dialog dramatik më orkestrën e plotë, zhvilluar në etapat qe secila në vete përbën një rrefim të veantë muzikor, ndonëse kompakte në tërësinë e veprës. Eshtë një veper antologjike cfarë nuk ka egzistuar më heret si gjini në Kosovë. Elemente nga kjo simfoni, janë shfrytëzuar nga autori edhe në muzikën për filmin “Uka i Bjeshkëve të Nemura”, i cili ishte i pari koproduksion i shtëpisë së dikurshme filmike “Kosovafilmi”.
Mulliqi shkroi edhe muzikën për baletin “Nita” dhe “Legjenda mbi ngadhënjimin”, si dhe për shfaqjet teatrore: “Besa”,” Erveheja”,”Nita”, “Fosilet”,”Dundo Maroje”etj. Të gjitha këto, vepra janë realizuar në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës (ish Krahinor). Përpunoi dhe harmonizoi mbi 150 këngë te ndryshme popullore shqipe. Muzika e tij, u jetësua edhe në ekranin filmik e televiziv. Ishte i pari kompozitor shqiptar nga Kosova që kompozoi muzikë për film. Filloi me filmin “Kapiten Lleshi” në vitin 1960, ku përdorë motivet e këngës së njohur “Po vijnë krushqit”, mirëpo në një ritëm paksa komercial. Ky film i produksionit jugosllav më akorë kombësish të ndryshme, kishte për subjekt luftën antifashiste shqiptare, dhe konfliktin midis komunistëve dhe ballistëve. Filmi është shfaqur gadi në tërë botën, dhe një kohë, ishte hit në vendet e Ballkanit e deri në Kinë. Ne film paraqitën disa aktorë shqiptarë, kurse një rrol kryesor e luan Abdurrahman Shala. Motivi “Po vijnë krushqit”, që në film fatkeqësisht këndohet ne gjuhën serbokroate, është përkthyer e kënduar ne disa gjuhë të huaja, madje edhe në gjuhën kineze (mandarin). Duke mos ditur se si ka arritur kjo këngë në film, viteve të fundit, në media digjitale, disa të rinjë shqiptarë kanë zhvilluar debate kritike duke besuar se “serbët, e kanë vjedhur këtë këngë shqiptare për filmin e tyre”. E vërteta është se kjo këngë shqipe ka hyrë aty nga Rexho Mulliqi, emri i të cilit qëndron më autorët tjerë të filmit. Sot, ky detal duket i parëndësishëm, mirëpo në vitët e gjashtëdhjeta ishte pjesë e afirmimit të folklorit tonë. Mulliqi, shkroi muzikën edhe per filmat: ” Uka i Bjeshkëve të Nemura”, ” Era e Lisi”, “Qerim hesapesh”, si dhe për një numër filmash dokumentar.
Rexhep Mulliqi ishte njeri i qetë e modest, më një kulturë europiane për kohën e tij. Një shpirt lirik, në një kohë të zymtë. I kishte ndodhur qe të fitojë edhe shpërblime ndërkombëtare dhe këtë informatë të mos e ndaj as më miqtë më të afertë.. Një vullkan i qetë – plot energji artistike. Tradicional në komponim, por në hap e në komunikim më kohët e rrjedhat kulturore. Dukej apolitik ne jetën publike, por ishte thellë i shqetësuar për ngjarjet qe e rrethonin. Ishte i heshtur, por plot ide e inovacione krijuese. Mulliqi nuk fliste shumë për të kaluarën e tij as biografinë e tij. Një kohë, edhe disa individë shqiptarë, nga smira ose për arësye tjera, ja mohuan përkatësinë etnike shqiptare. Kur gjatë një vizite në Tiranë e kishin pyetur se çfarë kombësie i takon, ai ishte përgjigjur shkurt : “Pyeteni muzikën time”. Heshtja e tij, fliste gadi sa edhe muzika qe kompononte. Ai nuk e zgjodhi heshtjen, por ajo ju imponua. Ishte i vetëdijshëm që hapi dhe fjala e tij kontrolloheshin nga pushteti. Heshtja e tij ishte protestë. Kompozitori Akil Koci e quajti “kompozitor i harruar”. Ndonjëherë, i vetmuar shoqërohej më një gotë. Por, kur gota e tradhtonte, atëherë nga goja e tij dilte e vërteta, siç kane thënë latinët. E kur Rexho fliste, të tjerët iknin, sepse fjala e tij shixhetë , godiste aty ku të tjerët s’ guxonin. Për shkak të së kaluarës se tij politike, flitej së ishte radhitur në listën e personave nën mbikëqyrje të përhershme nga shërbimi sekret. Njerëzit nga ajo listë, para çdo vizite të Titos ose ndonjë partiaku të lartë jugosllav në Kosovë, izoloheshin ose arrestoheshin. Pushteti i frigohej fjalës se Rexhës .
Muzika e tij, hyri në në Europë, atëherë kur ne ishim larg sajë. Kompozimet e tij u kënduan ose ekzekutuan, nga Austria deri në Angli, në kohën kur të tjerët fare pak dinin për ne. Dy këngët e tija më të njohura, për kor, janë “Vjeshta” dhe “Vendi im”. “Vjeshta”, në vitin e 1966 ka fituar shpërblimin e parë ne Festivalin Ndërkombëtar Artistik në Langolen të Anglisë.
Për të i qetësuar pushtetarët e kohës, të cilët mbanin nën llupë punën e tij, Mulliqi aty këtu shkroi edhe ndonjë këngë ose kantatë në tema që u imponoheshin krijueseve nga regjimi. Mirëpo, ky fakt nuk ia zbeh as ulë vlerën kompozitorit as thesarit muzikor qe la pas.
Jeta e Rexho Mulliqit nuk ishte e qetë as e thjeshtë. Ai dukej sikur bënte jetë boemi, mirëpo në shpirtin e tij, zirëshin kohët e ngjarjet që kishte shkelur e jetuar. Nga fëmijëria barte një plagë të thellë . Ishte gadi foshnje, kur në derë të shtëpisë së lindjes, i kishin vrarë të atin. Fqinjët joshqiptarë, i kishin thëne “…babanë ta vranë shqiptarët”, kurse pushteti kishte sulmuar shtëpinë më pretekst se aty fshiheshin kaçakët shqiptarë. Dy detale që nuk qëndrojnë sëbashku. Rexhoja u rritë, jetoj e vdiq më këtë enigmë në zemër.
Jeta e tij ishte gadi si muzika që krijoi; E pasur më ngjarje, më ndonjë dashuri, por edhe me drama të stuhishme. Mulliqi vdiq në Prishtinë në vitin 1982. Ishte ai vit i turbulltë për shqiptarët e Kosovës, ndaj shumë adhurues e miq të tij, munguan në nderimin e fundit para varrit, për shkaqe objektive ose pengesa të natyrës politike. Nuk dijmë saktësisht ku dëshironte ta ketë varrin. Hyri në dheun e vendlindjes, më një ceremoni modeste, duke na e lënë terë pasurinë artistike qe kishte krijuar, si trashëgim dhe obligim. Në varrim, nuk u dëgjua asnjë tingull i tij.
. Ata që e harruan për se gjalli, e refuzuan edhe pas vdekjes. Në vendlindjen e tij në Guci, u shpreh ideja që një rrugë të emërohet më emrin e tij, mirëpo kjo u refuzua. Kundërshtarët kishim po atë arsyetim i cili ishte akuzë kundër kompozitorit 60 vjet më parë: Ishte anti-tist, kundërshtar i sistemit etj. U refuzua poashtu edhe vendosja e bustit të kompozitorit në një vend publik afër shtëpisë së lindjes. Duket se prapa këtyre kundërshtimeve, qëndronte një inat i disa fosileve të sistemit të kaluar, të cilët, nuk ja falen Rexhës faktin pse u identifikua – shqiptar. Më vonë një bustë “enigmatike” e kompozitorit u vendosë mbi varrin e tij , mirëpo ajo u çoroditë më mbishkrimin cirilike, i cili fare pak përdoret në këtë mjedis më shumicë shqiptare.
Pas vdekjes së Mulliqit, posaçërisht gjatë luftës, në Kosovë filluan të zhduken dëshmitë e punës së tij. Në Prishtinë u zhdukë busta origjinale e kompozitorit, punuar nga i ndjeri Agim Cafëderbasha, pronë e Shoqatës së Kompozitorëve . Nuk dihet nëse kjo është busta e vendosur mbi varrin në Guci, ose jo. Familjarët dhe gruaja e tij e parë, Lubica, kishin deklaruar se, busta që po vendosnin ishte punuar nga miqët e Rexho Mulliqit në Kosovë. (!)
Dikush u përpoq të fshijë gjurmët krijuese të Mulliqi lënë në Kosovë . Janë zhdukur të gjitha partiturat origjinale të kompozitorit në Prishtinë. Disa akuzojnë të bijen, e disa thonë se ato gjenden në Vjenë e Berlin. Janë djegur madje edhe disa kopje të partiturave, që gjëndëshin në ndërtesën e ish Radiotelevizionit të Prishtinës, tash RTK. Ky fakt, poashtu ngritë dilema e pyetje të reja, pasi që e bija e tij, ishte përgjegjëse e Pruksionit muzikor të RTP-së në prag , dhe gjatë luftës në Kosovë. Pas dëbimit të punëtorëve shqiptarë nga Radio Prishtina, në vitin 1990, ajo mori timonin e drejtimit të Produksionit Muzikor të këtij institucioni, ndaj ka pasur të gjitha kompetencat dhe obligimin moral e familjar për të i siguruar ato nga “zhdukja”.
Muzeu Kombëtar i Kosovës, nuk besojmë të ketë ndonjë dokument apo gjësend të ruajtur nga kompozitori më i madh i shtetit të ri. Në vend të investimit për gjetjen e partiturave, apo konservimin e ndonjë shënje personale të kompozitorit, ky muze shpenzoi para do vitësh mbi 10.000 euro, për të bërë një video-klip të këngës “Baresha”. Realizmi ishte nën nivelin e këngës, ndaj këngëtarja Pagarusha e ndaloi atë . Nuk kishim dëgjuar më parë qe muzeu të bej klipe muzikore. Pas gjashtë dekadash, Tirana arrijti të siguroi partiturat e Çesk Zadesë nga muzika e filmit “Skenderbeu” te humbura në Moskë në vitin 1952. Një shembull për mësim…
Disa individë e institucione, si Filharmonija e Kosovës, i shprehen respektin e tyre Mulliqit, aq sa kishin mundësi. Në solemnitetin e shpalljës së pavarësisë, u egzekutua premierë, Simfonija e tij e Parë . Kompozitorit ju nda, pas vdekjës, edhe shpërblimi “Niket Dardani”.
Para një viti, edhe vajza e tij e vetme, nga martesa e parë, Vesna, hodhi një gurë akuze. Ajo na kritikoi pse po e “bëjmë” Mulliqin shqiptar, çfarë ai nuk ishte, shkroi ajo. S’ka dyshim së vajza është e ndikuar nga e ëma ose rrethi i sajë nacionalist serb. Ajo vetë, jetoi në Kosovë dhe ishte e privilegjuar pikërisht pse mbante mbiemrin Mulliqi, të cilin ajo preferon ta shkruaj “muliç”. Këndoi edhe në festivalin “Akordët e Kosovës”. Megjithëkëtë, për hir të Rexho Mulliqit, shqiptarët ja shtrinë dorën Vesnës, duke e ftuar ate në manifestimin përkujtues për të atin, në Prishtinë. Ajo refuzoi ftesën..
Edhe pas tërë këtyre gjurmëve të thella lënë në kulturën tonë, disa akoma kontestojnë origjinën dhe biografinë artistike shqiptare të Rexho Mulliqit. Ata qe sot duan ta përvetësojnë Mullqin, nuk treguan këtë interesim për së gjalli. Rexho Mulliqi më se paku u ekzekutua në Serbi. Veprat e tij u ekzekutuan në Vjenë, Berlin, Amsterdam e disa qendra qytete tjera europiane, por jo në Beograd, ku u shkollua e burgosë. Simfonija e Dytë Kosovare , u ekzekutua madje edhe në Podgoricë, nga Orkestra Simfonike e Malit të Zi. Ishte ky i vetmi ekzekutimi i gjallë premierë i kësajë vepre, në këtë pjesë të Ballkanit. Kjo simfoni e shkruar në vitin 1972, ishte publikuar më herët, por vetëm si inçizim, nga Orkestra Simfonike e Lubjanës. Polemika rreth Mulliqit na e kujton betejën midis serbeve e kroateve, për “përvetësimin” e një kompozitori tjetër te famshem. Njërin nder kompozitoret me te mëdhenj te Ballkanit Josip Shtolcer (Sllavenski), serbet e quajnë serb, ndonëse ai, gjithnjë është deklaruar kroat dhe ka lindur ne Kroaci. Shtolcer është i pari kompozitor nga ky rajon qe ne muzikën e tij përdori folklori shqiptare. Qysh ne vitin 1936 ai publikoi ne Paris “Këngët shqiptare”.
Kuj i takon Rexho Mullqi? Ai sëpari i takon muzikës. Artit më të vjetër të botës. E muzika u takon të gjithëve. Pastaj i takon kulturës shqiptare. Por, u takon edhe të gjithë atyre qe e duan e respektojnë punën e tij. Ate nuk kemi nevojë ta bëjmë ne – shqiptar. E bëjnë veprat e tij. Aktori Bekim Fehmiu, për së gjalli gjithnjë u identifkua si shqiptar, mirëpo mungoi në filmat shqip. Rexho Mulliqi, e bëri të kundërtën: Nuk eksponoi shumë nacionin e tij, mirëpo punoi, e krijoi – shqip. Kritikë e kundërshtarë , ja lëkunden emrin e eshtrat disa herë, por, veprën e tij – jo. Ai mbetet kompozitori më i madh qe ka dhënë Kosova, dhe njëri ndër krijuesit më të mëdhenjë të muzikës artistike në botën shqiptare. Më Çeskë Zadenë ,i cili priu në këtë fushë, janë dy etërit e simfonisë shqiptare./ KultPlus.com
Dhimbja zgjohet Kur këputen degët e ëndrrave të njoma Pa asnjë zë Kur digjen fjalët më të bukura të shpirtit Pa asnjë ofshamë Kur dridhen çastet e mërzitura të ikjes Pa asnjë gjurmë Dhimbja zgjohet Sa herë trembet heshtja nga frika e natës Pa trokitur askund Nëse thahen pikat e lotve Sa herë dridhen duart nga mëkati i buzëqeshjes Dhimbja zgjohet Nëse nuk përfundon tundimi i pritjes Sa herë mbaron loja e fundit e fantazisë Nëse nuk ngjallet përmallimi tjetër Në shtegun e dallgëve të jetës Dhimbja zgjohet Derisa të gjitha gjethet bien në tokë Diku afër kujtimeve të paharruara Sa herë fjalët grinden përpara provës së zjarrit Si gjysma e dashurisë së hidhëruar Aty ku nuk ka dritë dielli Dhimbja zgjohet
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu do ta pres sot në takim një delegacion nga Shtëpia e Bardhë.
ZPRK-ja përmes një komunikate për media tha se ky takim do të mbahet në orën 15:00.
Sipas burimeve të Gazetës Express, zyrtarët amerikanë që do të jenë pjesë e delegacionit të Shtëpisë së Bardhë e që do të priten nga Presidentja Osmani janë:
Elizabeth Sherwood-Randall- asistente e Presidentit të SHBA’së për Siguri Kombëtare
Curtis Reid- Drejtor i Lartë për Çështje Multilaterale në kuadër të Këshillit të Sigurisë Kombëtare
Hillary Hurd– Këshilltare e Lartë në Këshillin për Siguri Kombëtare
Holly Holzer- Koordinatore e Departamentit të Shtetit për Përpjekjet e Zhvendosjes nga Afganistani (CARE)
Ky delegacion do të jetë i shoqëruar edhe nga Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier si dhe Këshilltarja për Ekonomi Politike në Ambasadën e SHBA-së në Kosovë, Amy Carnie./KultPlus.com
Po, une e di: vetem i lumturi eshte i dashur. Zeri i tij degjohet me kenaqesi. fytyra e tij eshte bukur.
Pema e shtrember ne kopesht eshte frut e nje terreni te keq, por ato qe kalojne e shohin si topall dhe kane te drejte.
Barkat e gjelberta dhe velat e lumtura une nuk i shoh. Mbitegjitha arrij te shoh rrjeten e çare te peshkatarit Sepse flas vetem per faktin qe kurrizi 40vjecar ecen ne menyre te kerrusur ?
gjokset e vajzave jane te nxehte si perhere. Nje rime ne kengen time do me dukej gati si nje heroizem
tek une luftojne entuziasmi per lulen e molles dhe terrori per muhabetet e bojaxhiut (te hitlerit) Por vetem sekondi me shtyn drej tryezes per te shkruar./ KultPlus.com
Ky qiell i prillit pa ty është i vjetër. shkon një trishtim e ja ku vjen një tjetër. Në mallin tënd ky karafil i egër,- Ti do të më dashurosh patjetër!
Në sytë e tu diej të vegjël e ndezën natën dhe ditën e ndezën. Mirë sot, po si durohet pa ty nesër? Ti do t’më dashurosh patjetër.
Kapërcej ty e kapërceva veten, dhe përtej vetes kapërceva jetën, dhe përtej jetës kapërceva vdekjen, I hapa krahët të pushtoj ty vetëm:
Shko se furishëm po fryn në mua erë mallkimi që s’të fal. Dhe, dije mirë, kurrë më një e një nuk bëjn’ një si thonte Hikmeti, ai farë poeti me këngë prej zjarri.
Shko merri me vete lutjet tua, edhe hijen tënde hiqe zvarrë rrugëve si gjënë e ndyrë. Mos u kthe pas. Mos i harro sytë e përlotur në shtekballin tim. Mos thuaj lamtumirë. Asgjë mos thuaj. Merri me vete gjurmët nëpër të cilat erdhe një natë më e përvuajtur se frika dhe hyre në mua. Shko dhe bëhu fjalë e mbrame n’gojën time. Bëhu shkrepetirë e fikur n’ylberin e shkrimit tim. Bëhu çdo gjë pos Meje e Teje dhe asaj që e quajtëm Ne kur i zinim yjet si fluturat e ua ngjisnim nganjë emër mos ta harrojmë emrin tonë. Shko, merri me vete edhe rrugët, të mos kthehesh kurrë në vesën e lotit të rrejshëm, gërmadhat e kujtimit t’i rrëzosh.
Shko, mbyllu në do kështjella të largëta harrimi, ku s’të zgjojnë më këmbonat e pendimit kur çmendet mallit vetmia ose kur buza buzën e han n’pikllim, që mëkatin s’e lan, që s’mundet ta shpojë Gurin e rëndë, gurin e ftohtë të ndarjes. Shko, më mirë dhe hesht. Mos u kthe mbas. Mos i harro sytë e përlotur n’shtekballin tim. Mos thuaj lamtumirë. E kur t’shkojsh larg, më larg se prej blerimi n’blerim E kur t’shkojsh larg, më larg se prej zemre në zemër Aq larg sa ta harrosh edhe emrin tënd dhe zërin tim, fshihu prej vetes Shkurto flokëgjatat, mate me to mendjeshkurtrën tënde dhe mos qaj. Shko se tmerrshëm po lodrojnë sonte n’mua rrëket e gjakut të ndezur. / KultPlus.com
Sabato: E vërtet, kam pasur njëfarë prirje vetëvrasëse… Sidomos si djalosh dikur.
Borges: Kurse unë, dikur i pata vënë vetes një afat. Pata menduar: “Epo, do të pres shtatëdhjetë ditë. Nëse ndërkohë nuk ndodh asgjë për t’u shënuar, dhe kjo situatë nuk ndryshon, kam për ta vrarë veten. Ndërkaq, po të ndodhë diçka mirëfilli, aq më mirë fundja. Sidoqoftë do theksuar se dikush që ka vendosur të vetëvritet, ndihet si një hero i vërtetë, ndihet tepër i fuqishëm.
Sabato: Sigurisht, ngaqë ka për ta hequr qafe universin…
Borges: Ishim duke kuvenduar me Macedonio Fernández, cili po më shpjegonte se shpirti ishte i pavdekshëm, ndërkohë që diku ngjitur nisën të bënin muzikë nën ritmet marroqe të një kënge që kam përshtypjen se quhet La Cumparsita. Menjëherë i thashë mikut tim Macedonio, “Si thua, ta vrasim vallë veten për të shpëtuar nga kjo muzikë kaq e dobët?”… Këtë ngjarje më vonë ia pata treguar edhe Xul Solar, i cili dukej cazë skeptik, ngaqë më foli vëngër: “Sidoqoftë nuk u vetëvratë”. Flakë për flakë iu përgjigja, në frymën e qesëndisë së tij: “Nuk e di nëse e vramë veten mirëfilli, sepse nuk më kujtohet!”. Gjithsesi, më patën treguar për një ngjarje që thuhet se kish ndodhur në një kafene në rrugën Bolívar, në lagjen Monserrat. Ishte një skutë ku mblidheshin tërë faqezinjtë. Në banak gjendej një tip që po llomotiste se kish një grua, e cila ia kishte vënë brirët të gjorit, arsye për të ciën ai ndihej tejet i vetmuar dhe çoç po mendonte ta vriste veten. Sakaq, dikush tjetër që po e dëgjonte, i tha: “Shiko more mik, kush flet kaq shumë për vetëvrasjen, nuk e bën kurrë vërtet. Të vrasësh veten është tepër e lehtë!” Kur i pati shqiptuar këto fjalë sfiduese, folësi kish nxjerrë befas revolverin dhe ia ngjeshi vetes plumbin në lule të ballit. Nuk e di nëse kjo ngjarje është ndopak e mirëfilltë, ndonëse kam njëfarë bindje se burri me revolver, mbase vërtet kish ndërmend ta vriste veten.
Sabato: Sikur mos të ishte vetëvrarë, do të bënte figurën e palaços. Sepse qëkur e pati nxjerrë revolverin, e dinte fort mirë se nuk i mbeteshin gjasa të tjera veç vdekjes… Gjithmonë kam menduar që burrit xheloz i ofrohen dy mundësi syresh: të blejë një revolver, ose të bëhet si Shekspiri…
Borges: Më kujtohet rasti i atij shkrimtarit japonez që pati bërë harakiri para gjithkujt. M’u duk veprim i mençur. Ia doli mbanë të vdiste si samurai i fundit.
Sabato: Mua seç më duket ca si tepër përdëllyese si shfaqje, ndaj nuk meriton lëvdata. Duket më tepër si diç arrogante. Dua të theksoj, Borges, se nuk flas kështu ngaqë ndihem ndopak më i zoti. Përkundrazi, edhe unë pata menduar të bëj vetëvrasje plot herë në jetën time.
Borges: Edhe unë gjithashtu. Janë mbushur shtatëdhjetë e pesë vite që vazhdoj të vetëvritem. Kam më tepër përvojë se ti, Sabato.
Sabato: (duke buzëqeshur): Gjithsesi nuk ke pasur shumë sukses në këtë aspekt, siç duken bathët.
Borges: E pranoj këtë vërejtje, por sidoqoftë e kam pasur me përkushtim të mirëfilltë.
Përktheu nga bashkëbisedimi origjinal në spanjisht: Elvi Sidheri
Fotografitë: Eduardo Forte/Juan José Pérez. / KultPlus.com
Jam në atë moshën, ku gjërat shihen me qetësi, por duke mos harruar se rritja vazhdon.
Jam në atë moshën, ku ëndrrat përkëdhelen me duar dhe iluzionet bëhen shpresë.
Jam në atë moshën, ku ndonjëherë dashuria është një hov i çmendur dhe plot ankth, që digjet nga dëshira për jetë dhe pasioni i shumëpritur.
Jam në atë moshën, ku ndonjëherë dashuria është si një qoshk qetësie, si një perëndim dielli në plazh.
Sa vjeç jam?
Nuk kam pse t’i tregoj vitet e mia me një numër, pasi dëshirat e përmbushura, lotët e derdhur gjatë udhës teksa shihja iluzionet e mia të humbura, vlejnë më shumë se një numër.
Çfarë rëndësie ka nëse mbush 20 vjeç, 40 vjeç apo 60 vjeç ?!
Rëndësi ka vetëm mosha që ndiej.
I kam aq vite mbi shpinë sa të jetoj i lirë dhe pa frikë.
Ta vazhdoj pa frikë udhën time, sepse kam me vete përvojën dhe forcën e ëndrrave të mia.
Sa vjeç jam unë?
Kujt i bëhet vonë!
I kam aq vite mbi shpinë sa ta braktis frikën dhe të bëj çka dua dhe çka ndiej.
Nesër, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu do ta pres në takim një delegacion nga Shtëpia e Bardhë.
ZPRK-ja përmes një komunikate për media tha se ky takim do të mbahet në orën 15:00.
Po ashtu, në orën 16:10, presidentja pret në takim edhe kancelarin e Austrisë, Karl Nehammer.
“Fillimisht Presidentja Osmani do ta presë Kancelarin Nehammer në hyrje të objektit të Kuvendit të Kosovës, ku do të bëhet edhe fotografia zyrtare, dhe më pas takimi do të mbahet në Kabinetin e Presidentes”, thuhet në komunikatën e tyre. / KultPlus.com
Qendra Kinematografike e Kosovës në bashkëpunim me Zyrën e Interesave të Kosovës në Athinë dhe Cinobo (distributori grek i filmit), sjellin në Athinë filmin fitues të shume çmimeve ndërkombëtare “Zgjoi” të shtunën më 19 mars në orën 19:30 në kinemanë TRIANON, ku do të jetë prezente edhe regjisorja, Blerta Basholli.
‘Zgjoi’ tregon një histori të fuqishme të vendosmërisë, elasticitetit dhe triumfit të një gruaje në rrethana të vështira. Është një dramë e zjarrtë e bazuar në historinë e vërtetë të Fahrijes (Yllka Gashit), e cila, si shumë gra të tjera në fshatin e saj patriarkal, ka jetuar me shpresën e zbehur dhe pikëllimin në rritje që kur burri i saj u zhduk gjatë luftës në Kosovë.
Debutimi i regjisores Blerta Basholli u bë i pari në historinë e Festivalit Sundance që fitoi të tre çmimet e mëdha në Konkursin Botëror të Kinemasë Dramatike (Çmimi i Audiencës, Çmimi i Madh i Jurisë, Çmimi i Regjisë). Ndër triumfet e tij ndërkombëtare, filmi u vlerësua së fundmi me çmimin e publikut në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Selanik.
Nëpërmjet këtij ekrani debutues të Zgjoit në Greqi, tentohet të dali në pah rëndësia e kinemasë së rajonit tonë dhe prania e saj në kinemanë ndërkombëtare.
Nëna e këngëtares shqiptare me famë botërore, Rita Orës, Vera, sot nëpërmjet një ‘InstaStory’ në rrjetin social Instagram, ka bërë të ditur se filmi tejet i suksesshëm shqiptar “Zgjoi”, do të shfaqet në kinematë në Angli, shkruan KultPlus.
Ora ka ndarë një fotografi të një kinemaje, ku shihet dhe posteri i filmit “Zgjoi”.
“Në kinematë nga e nesërmja, në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar”, ka shkruar ajo. / KultPlus.com
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti garantoi kompetencë dhe seriozitet në identifikimin e objekteve të sekuestruar sot nga Policia e Shtetit, të cilat nga verifikimi paraprak, dyshohet t’i përkasin trashëgimisë kulturore.
“Falë bashkëpunimit të frytshëm ndërinstitucional u bë e mundur sekuestroja preventive e një sasie të konsiderueshme objektesh, një pjesë e të cilave, nga verifikimi paraprak, dyshohet t’i përkasin trashëgimisë kulturore”, tha Margariti.
Ajo theksoi se “Ministria e Kulturës, nëpërmjet institucioneve të saj të specializuara, ka bashkëpunuar ngushtësisht në nivel ekspertize me Policinë e Shtetit dhe është bërë pjesë aktive e procesit të identifikimit dhe inventarizimit të objekteve të sekuestruara, fotografimin dhe regjistrimin e tyre”.
“Teksa është ende herët për të konkluduar në përkatësinë dhe origjinën e objekteve, duke përgëzuar Policinë e Shtetit në finalizimin e këtij aksioni, Ministria e Kulturës garanton kompetencë dhe seriozitet në identifikimin e objekteve”, shtoi Margariti.
Margariti theksoi se “qeveria shqiptare është angazhuar në luftën kundër trafikimit të objekteve të trashëgimisë kulturore, në bashkëpunim me institucionet e specializuara ndërkombëtare, deri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”. / KultPlus.com
Ndërsa vëmendja e botës është e përqendruar në luftën e Ukrainës, kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë tha të mërkurën se nuk ka asnjë vend tjetër në Tokë ku shëndeti i miliona njerëzve është më i rrezikuar sesa rajoni Tigray i Etiopisë.
Drejtori i përgjithshëm i OBSH’së Tedros Adhanom Ghebreyesus tha se situata në Tigray nga ku ai vjen ishte “katastrofike”, duke thënë se rajoni ishte “i mbyllur nga bota e jashtme” për rreth 500 ditë.
“Asnjë ndihmë ushqimore nuk është dorëzuar që nga mesi i dhjetorit,” tha Tedros në një konferencë shtypi, duke shtuar se rreth tre të katërtat e objekteve shëndetësore të vlerësuara nga OBSH në rajon ishin shkatërruar. Ai tha se nuk kishte trajtim për rreth 40,000 njerëz me HIV në rajon.
“Po, unë jam nga Tigray dhe kjo krizë më prek mua, familjen time dhe miqtë e mi personalisht,” tha Tedros.
“Por unë, drejtori i përgjithshëm i OBSH’së, kam për detyrë të mbroj dhe promovoj shëndetin kudo që është nën kërcënim”, tha ai.
“Dhe nuk ka asnjë vend tjetër në tokë ku shëndeti i miliona njerëzve është më i rrezikuar se Tigray.”
Tedros tha se kriza në Ukrainë ishte “larg nga kriza e vetme të cilës po i përgjigjet OBSH”, duke përmendur problemet e vazhdueshme në Jemen, Siri dhe Etiopi.
Në fillim të këtij viti, qeveria e Etiopisë i dërgoi një letër Organizatës Botërore të Shëndetësisë, duke akuzuar Tedros për “sjellje të keqe” pas kritikave të tij të ashpra për luftën dhe krizën humanitare në vend. / KultPlus.com
Presidentja Osmani takoi komandantin e KFOR-it Gjeneral Major Ferenc Kajári.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, ka pritur në takim komandantin e KFOR-it, Gjeneral Major Ferenc Kajári, me të cilin diskutoi çështjen e sigurisë në vend dhe zhvillimet e fundit në kontinentin evropian pas agresionit ushtarak të Federatës Ruse ndaj Ukrainës.
Presidentja Osmani shprehu mirënjohje për punën e KFOR-it dhe kontributin e tyre për paqe dhe siguri. Ne anën tjetër, komandanti Kajári ritheksoi përkushtimin e trupave të KFOR-it në mbështetjen e një mjedisi të sigurt dhe paqësor në të gjithë vendin. / KultPlus.com
Një arkë prej plumbi, 700-vjeçare, u zbulua gjatë punimeve për rikonstruksionin e katedrales Notre Dame, e cila u përfshi nga zjarri më 15 prill 2019 .
Sipas medias vendase, në një sipërfaqe prej 100 metrash katrorë janë kryer gërmime për rindërtimin e kullës së katedrales, që u shkatërrua nga zjarri.
Gjatë gërmimeve u zbulua një rrjet nëntokësor që përdorej për ngrohje, i shekullit XIX.
Në mes të këtij rrjeti u gjet një arkë prej plumbi e shekullit XIV.
Arkeologët, të cilët vendosën një kamerë të vogël endoskopike brenda arkës, thanë se panë copa pëlhure, flokë të mundshëm dhe një mbulesë gjethesh në kokën e kufomës, një fenomen i njohur për t’u përdorur në varrosjet e klerikëve të njohur.
Kryetari i Institutit Kombëtar për Kërkime Arkeologjike (INRAP), Dominique Garcia tha se arka do të jetë një mundësi për t’i kuptuar më mirë praktikat dhe ceremonitë funerale në Mesjetë.
Ekspertët theksuan se është hera e parë që një arkë kaq i ruajtur mirë gjendet në Notre Dame. / KultPlus.com
Në qytetin e Beratit është përuruar sot minibiblioteka e re në pedonalen e qytetit.
Kryetari i bashkisë së Beratit, Ervin Demo, u shpreh se biblioteka e re është tashmë një mundësi e mirë për të gjithë lexuesit.
Sipas tij, nën sloganin “Merr një libër, lër një libër” biblioteka është gjithnjë pranë qytetarëve të cilët do të gjejnë aty, libra për fëmijë ose të rritur, shqip ose anglisht.
“Mund të merrni një libër i cili u pëlqen dhe ta zëvendësoni me një tjetër që keni në shtëpi të cilin e keni lexuar”, tha Demo, teksa shtoi se modeli i bibliotekave të tilla i jep mundësi qytetarëve të afrohen më shumë me librin. / KultPlus.com
Ministria e Drejtësisë në Kosovë ka paralajmëruar se do ta ridërgojë Projektkodin Civil në Kuvend.
Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, kjo ministri tha se është në pritje të vendimit të Kuvendit për mosmiratimin e Kodit gjatë seancës së 16 marsit.
Kuvendi i Kosovës dështoi të miratojë Projektkodin Civil në leximin e parë pasi disa deputetë, në pushtet dhe opozitë, e kundërshtuan nenin, i cili do t’i hapte rrugë hartimit të një ligji të veçantë për lejimin e “bashkësive civile” ndërmjet personave të gjinisë së njëjtë.
Ministria nuk dha më shumë detaje se a do ta ndryshojë Projketkodin, apo do ta riprocedojë të njëjtin.
Sekretari i përgjithshëm në Kuvendin e Kosovës, Ismet Krasniqi, në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, tha se rregullorja aktuale e Kuvendit të Kosovës nuk e ndalon që i njëjti tekst i Projektkodit të procedohet, si dhe nuk ka kufizime në afatin kohor për procedim.
Qemajl Marmullakaj, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD) thotë se Ministria e Drejtësisë, për të ridërguar projektligjin për shqyrtim edhe miratim në Kuvend, i ka dy mundësi në dispozicion, por që të dyja nënkuptojnë që projektligji duhet të miratohet.
“Të rishikojë projektligjin, të bëjë ndryshimet e nevojshme dhe ta riprocedojë për miratim; si dhe të qartësojë pikën apo nenin-et që janë kontestuese nga ana e deputetëve, të bëjë presionin e nevojshëm politik (kushtimisht) për të marrë përkrahjen e deputetëve për nenet që janë kontestuar ata dhe të vazhdojë për miratim”, tha Marmullakaj për Radion Evropa e Lirë.
Për këtë projektkod votuan 28 deputetë, kundër ishin 29, 4 kanë abstenuar, kurse 16 prej tyre nuk morën pjesë në votim.
Disa deputetë, në fjalimet e tyre gjatë seancës së mbajtur më 16 mars në Kuvendin e Kosovës, derisa po diskutohej për Projektkodin Civil, e konsideruan të papranueshëm lejimin e “bashkësive civile”.
Deputetja Labinote Demi-Murtezi nga Lëvizja Vetëvendosje, deklaroi se “standardi i moralit shoqëror në vendin tonë e dikton si të pranueshme vetëm martesën e gjinive të kundërta, çdo lidhje jashtë këtij kombinimi konsiderohet shthurje dhe degjenerim moral”.
Muajin e kaluar, udhëheqësit e katër bashkësive fetare në Kosovë, Bashkësisë Islame, Kishës Katolike, Kishës Protestante Ungjillore dhe Bashkësisë Hebraike, kanë bërë thirrje që në Projektkodin Civil të mos bëhen ndryshime në përkufizimin dhe interpretimin për familjen, martesën dhe statusin e bashkëshortëve.
Ndërsa të enjten, disa qytetarë dhe pjesëtarë të komunitetit LGBTI kanë protestuar para Kuvendit të Kosovës në shenjë pakënaqësie ndaj mosmiratimit të Projektkodit Civil. Protestuesit e dënuan edhe gjuhën e përdorur nga deputetët gjatë seancës së Kuvendit. /REL/ KultPlus.com
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku sot mori pjesë në ceremoninë e ndarjes së çmimeve për gazetarët më të mirë të sportit “Çmimet Ali Shala 2021”, organizuar nga Shoqata e Gazetarëve Sportivë të Kosovës.
Faton Polisi mori çmimin për kronikën më të mirë televizive në sport, Kemajl Goca – shkrimi më i mirë, Shpend Ahmeti – fotografia më e mirë dhe Eljona Patriku u zgjodh raportuesja më e mirë e re në sport. Çmimin për vepër jetësore e mori gazetari Gani Begu, ndërsa çmimi post-mortum iu nda kontribuuesit tw madh të hendbollit të Kosovës, Ahmet Hysenaj – Petrova
Ministri Ceku ndër të tjera në fjalën e tij tha që gazetarinë sportive MKRS e konsideron partner të rëndësishëm në zhvillimin e politikave dhe në avancimin e tërësishëm të sportit.
Në këtë ngjarje morën pjesë krerët e sportit dhe të gazetarisë sportive në Kosovë, Kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, Leonard Tase, këshilltar i Presidentit të Shqipërisë Ilir Meta, Aleksandër Çipa, kryetar i Unionit të Gazetarëve Shqiptar, drejtuesit e SGGSK-së të udhëhequr nga gazetari Edmond Thaçi, Dekani i Shkencave Sportive në Universitetin e Prishtinës, Musa Selimi, gazetarët e mirënjohur, Defrim Methasani e Altin Sulçe, Shaban Sinani, përfaqësues të organizatave sportive dhe gazetarë sportiv./ KultPlus.com
Polakja Karolina Bielawska u kurorëzua Miss World ndërsa garuesit dhe organizatorët shprehën solidaritetin me ukrainasit duke nderuar me qirinj në skenë, sipas CNN.
Studentja Bielawska, e cila punon si modele, mori titullin në kryeqytetin e Porto Rikos, tre muaj me vonesë, pasi konkursi u shty për shkak të shpërthimit të Covid-19.
Miss SHBA, Shree Saini, u shpall shoqëruesja e parë, ndërsa Olivia Yace nga Bregu i Fildishtë, u rendit e dyta.
Në spektakël u shfaqën mesazhe mbështetjeje për Ukrainën, pas pushtimit të paprovokuar të vendit nga Rusia.
Në një moment, fituesja e Miss World 2019 nga Xhamajka, Toni-Ann Singh këndoi “The Prayer” të Celine Dion dhe Andrea Bocelli, ndërsa në skenë spektatorët mbanin qirinj.
“Ne duhet të bëjmë diçka, edhe pse nuk mund të duket kurrë e mjaftueshme duke ndezur një qiri”, thanë organizatorët e spektaklit./ KultPlus.com
Ambasadori i Britanisë së Madhe, Nicholas Abbott është shprehur shumë i zhgënjyer me mosmiratimin e Kodit të ri Civil, i cili do ta rregullonte çështjen e bashkëjetesës mes personave të gjinisë së njëjtë.
Abbott ka shkruar në Twitter se është me rëndësi që gjuha në Kodin Civil dhe në debat, t’i respektojë të drejtat e të gjithë njerëzve.
“Shumë i zhgënjyer që Kodi Civil nuk u miratua dje. Është e rëndësishme që gjuha, në Kod dhe në debat, të respektojë të drejtat e njeriut të të gjithë kosovarëve, përfshirë LGBTI+, në përputhje me Kushtetutën”, shkroi Abbott.
Të mërkurën dështoi të miratohet në Kuvendin e Kosovës Projektkodi Civil i cili do t’i hapte rrugë martesave mes personave të së njëjtës gjini.
Nga 61 deputetët që morën pjesë në votim, 28 deputetë kanë votuar pro, 29 kundër dhe 4 deputetë kanë abstenuar.
Për këtë, një grumbull qytetarësh janë mbledhur sot para Kuvendit për të protestuar./ KultPlus.com
Ylli i “The Manor Born”, Peter Bowles ka vdekur nga kanceri në moshën 85-vjeçare.
Bowles ishte më i njohur për rolin e tij si Richard DeVere në sitcomin e BBC-së, i cili u transmetua nga viti 1979 deri në 1981, duke luajtur si biznesmeni i vetë-bërë së bashku me Dame Penelope Keith, me dyshja që ripërsëritën rolet e tyre në një speciale të vitit 2007, transmeton KultPlus.
Një deklaratë për agjencinë e lajmeve PA tha: “Aktori Peter Bowles fatkeqësisht ka ndërruar jetë në moshën 85-vjeçare nga kanceri.
“Duke filluar karrierën e tij në teatrin Old Vic në vitin 1956, ai luajti në 45 produksione teatrale duke përfunduar në moshën 81-vjeçare në The Exorcist në teatrin Phoenix.
“Ai punoi vazhdimisht në skenë dhe ekran, duke u bërë një emër i njohur në TV si gjenti arketipal anglez në To the Manor Born, Only When I Laugh, The Bounder dhe Lytton’s Diary, të cilat ai i ideoi vetë.
“Ai lë gruan e tij mbi 60 vjeç, Sue, dhe tre fëmijët e tyre Guy, Adam dhe Sasha.”
I lindur në Londër në vitin 1936, ai u rrit në Nottingham dhe fitoi një bursë për Akademinë Mbretërore të Artit Dramatik (Rada) përpara se të priste dhëmbët në skenë me kompaninë Old Vic.
Ai luajti zuzar në disa seri televizive, duke përfshirë The Avengers dhe The Saint, por ishte me mustaqet në To the Manor Born, me bashkë-protagonist Keith dhe komandimin e audiencës prej 20 milionësh, për të cilën ai ishte më i njohur.
Roli i tij si DeVere erdhi në të 40-at, me raporte që gjithashtu thanë se ai kishte refuzuar më parë një rol në The Good Life, në të cilin Keith gjithashtu luajti.
Duke folur për suksesin e tij në sitcom, ai i tha agjencisë së lajmeve PA në vitin 2010: “Nëse keni një sukses të madh televiziv popullor, veçanërisht në komedi, njerëzit nuk mendojnë se mund të aktroni në skenë.
“Njerëzit mendonin se unë isha thjesht një aktor sitcom dhe BBC më tha se nuk do të punoja më kurrë në dramë. Nuk e kuptoja se kishte dy botë. Ishte e re për mua. Më dukej shumë e çuditshme dhe zhgënjyese.”
Duke u rritur, prindërit e tij ishin shërbëtorë të fisnikërisë – babai i tij ishte shërbëtor dhe shofer i një prej djemve të Earl of Sandwich, nëna e tij një dado e punësuar nga trashëgimtari i Dukës së Argyll në Skoci./ KultPlus.com