Në kuadër të diskutimeve të hapura për kulturë mes Ministrit Hajrulla Çeku dhe komunitetit artistik, u mbajt takimi i radhës, ai me komunitetin i industrisë kreative.
Në një diskutim konstruktiv pjesëmarrësit folën për sfidat, propozimet, përfshirjen e kësaj fushe në procesin e reformës kulturore.
Ministri Çeku në fjalën e tij hyrëse është shprehur që fillimisht industria kreative duhet të hyjë në gjuhën e politikave kulturore dhe më pas të zhvillohet edhe më shumë ky sektor, në mënyrë që kultura dhe arti të përkthehet edhe në përfitim ekonomik për vendin.
Ndër temat tjera dhe idetë që u propozuan në këtë bashkëbisedim ishin zhvillimi i një koncepti për artet vizuale, ideja e themelimit të një entiteti të pavarur profesional i cili do të menaxhojë fondin publik për përkrahjen e skenës së pavarur kulturore, ku do të zhvilloheshin edhe mekanizmat monitorues, zhvillimi i kapaciteteve njerëzore në këtë sektor.
Gjithashtu u fol për industrinë e filmit të animuar, për mungesën e kuadrove dhe subvencionimin në këtë industri, realizimin e kampanjave promovuese për artin dhe kulturën, rregullimin i çështjes së pagesave ndërkombëtare, të drejtat e autorit e të tjera./ KultPlus.com
Të përbashkëtat e kulturave spanjolle dhe shqiptare u diskutuan në tryezën e rrumbullakët ‘Hispanokosovar’ që u mbajt mbrëmë në KultPlus Caffe Gallery, ku edhe u promovua libri ‘Local and international determinants of Kosovo’s Statehood’, përcjell KultPlus.
Në këtë tryezë u diskutua gjerësisht për lidhjet kulturore dhe letrare midis Kosovës, Spanjës dhe botës hispanike, përmes krijimit të urave të reja falë letërsisë, përkthimit e kulturës, në këtë kontekst.
Për këto tema ishin të ftuar Juan Manuel Montoro, gazetar dhe studiues, njohës i Kosovës dhe realitetit të saj, nga Santiago de Compostela, në Spanjë, Elvi Sidheri, shkrimtar e përkthyes shumëgjuhësh, Jehona Kadriu, përkthyese dhe Sylë Maxhera, ish sportist në Spanjë, gjithashtu poet e muzikant.
Folësit fillimisht diskutuan për atë se si filluan të mësojnë për kulturën dhe gjuhën e njëri-tjetrit.
“Kam ardhur në Kosovë për herë të parë në vitin 2019. Kam ardhur për të bërë një hetim në lidhje me jonjohjen e shtetit të Kosovës nga shteti i Spanjës si dhe një pjesë e konsiderushme nga një pjesë e shteteve të Amerikës Latine dhe më ka bërë përshtypje niveli i njohjes së gjuhës spanjolle nga vendasit këtu si dhe njohjes së kulturës latine’- rrëfen Juan Manuel Montoro fillet e lidhjes së tij me shtetin e Kosovës dhe popullin e saj.
‘Për këtë gjë i jam shumë mirënjohëse Kosovës sepse këtu kam njohur shumë njerëz. Kur erdha këtu vura re një afeksion, një dashuri të madhe të popullit të Kosovës për shtetin dhe kulturën e Spanjës, por gjë që çuditërisht nuk i është kthyer në të njëjtën mënyrë nga Spanja’ – vazhdon ai duke shtuar se kjo ishte arsyeja që e bëri ta bëjë këtë hetim që të krijojë një urë në mes të shtetit të Kosovës dhe atij të Spanjës.
Ndërkaq, Jehona Kadriu ndau me ndjekësit historinë e saj interesante se si filloi mësimin e gjuhës spanjolle e që më vonë iu edhe profesion.
“Unë spanjishten e kam mësuar vetëm nga filmat dhe nga interesi im sepse më ka pëlqyer shumë si gjuhë. Pas luftës, në Kosovë kanë qenë shumë të pranishëm telenovelat latine, si e vogël kam qenë e mahnitur kur e kam ndëgju për herë të parë dhe kam thënë si fëmijë qysh mundet në botë me ekzistu një gjuhë kaq e bukur” – thotë Kadriu e cila shton se njohja e gjuhës spanjolle i ka hapur punë dhe tani ajo punon online nga Prishtina për një kompani qipriote.
Sylë Maxhera, i cili tani jeton dhe vepron në Spanjë tregon se kontakti i parë më gjuhën dhe kulturën spanjolle ishte pikërisht libri ‘Hasta La Vista’ nga Petro Marko.
“Në vitet 90’ si shumë shqiptarë të tjerë që janë detyruar të migrojnë jashtë, jam detyruar të shkoj në Gjermani ku kam punuar punë të ndryshme, më pas kam punuar në Gote Institute ku njoha një vajzë nga Madridi me të cilën u dashurova dhe më pas u shpërngulëm në Spanjë dhe tani jetojmë së bashku me djalin tonë’- shtoi Maxhera.
Fjalën më pas e mori, përkthyesi shumëgjuhësh dhe shkrimtari, Elvi Sidheri i cili foli për lidhjen e tij me Spanjën në përgjithësi dhe me Madridin në veçanti.
“Kontaktin e parë me gjuhën spanjolle e kam pasur nga gjyshja ime, të cilës i ka pëlqyer shumë kjo gjuhë. Në kohën, kur ajo ka qenë e re ka dëgjuar shumë muzikë spanjolle sidomos të viteve 50-ta, e përmes saj i kam dëgjuar edhe unë” – thotë Sidheri i cili shton se më pas në vitet 90-ta ai u shpërngul në Spanjë, ku e kanë quajtur si spanjolli i Tiranës për shkak të interesit të tij për gjuhën dhe kulturën e Spanjës.
E veçantinë kësaj mbrëmjeje ia shtoi prezenca e priftit katolik shqiptar të Ipeshkvisë së Kosovës, Don Lush Gjergji, ku edhe paraqiti para të pranishmëve dy botimet kushtuar jetës dhe veprës së Nënë Terezës.
“Në kontekstin e takimit të sotëm unë dua të paraqes dy botime kushtuar jetës dhe veprës së Nënë Terezës të cilat kanë dalur edhe në gjuhën spanjishte. Libri i parë është ‘Nëna jote Tërëzë’, e botuar shqip në vitin 1981, kurse në gjuhën spanjishte është botimi i tretë, shtuar me tekstet e mia pas shenjtërimit të Nënës Terezë.” – u shpreh ai.
‘Teksti tjetër, është libri më i madhi të cilin ia kam kushtuar Nënës Terezë dhe që ka dalur në 35 gjuhë të botës, poashtu është publikuar edhe në gjuhën spanjishte’- thotë Don Lush Gjergji, duke shtuar se ka biseduar me drejtorin e Shtëpisë Botuesë në Bergamo i cili i ka thënë se posedon edhe 200 kopje të këtij libri në magazinë. Don Lush Gjergji thotë së ka biseduar me drejtorin e kësaj shtëpie dhe që shenjtorja ‘Cathedral of Santiago de Compostela’ në Spanjë do të mund ta marrë më çmim 6 euro, e ndërkaq çmimi për një libër është 120 euro.
E për fund, panelistët dhanë nga një fjalë në të dyja gjuhët që sipas tyre i përshkruajnë kulturat e të dyja vendeve./ KultPlus.com
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, ka dalë me një reagim lidhur gjuhën e përdorur në Kuvendin e Kosovës referuar çështjes së ligjit të Kodit Civil për martesat e së njëjtës gjini.
Mes tjerash KMDLNj po e kundërshton ashpër fjalorin fyes dhe përjashtues në Parlamentin e Kosovës, njofton Klankosova.tv.
”Në seancën e datës 16 mars 2022 të Kuvendit të Kosovës dështoi votimi i Kodit Civil shkaku se nga 61 deputetë sa kishin votuar 28 deputetë kishin votuar për, 29 kishin votuar kundër ndërsa 4 të tjerë kishin abstenuar.
Duket qartazi se Kodi Civil nuk ishte votuar për faktin se shumë deputetë janë frikësuar se me këtë Kod Civil i hapet rruga legalizimit të martesave të gjinisë së njëjtë e që e kanë bërë të ditur edhe në diskutimet e tyre para se të votohej ky Ligj. Disa prej tyre deklaruan se do të votojnë për këtë Kod Civil nëse hiqet neni përkatës që e lë këtë mundësi dhe për të cilin kanë kërkuar që të votohet pa asnjë ndryshim vendet e QUINT-it dhe BE –e.
Për KMDLNj –në është e padiskutueshme e drejta e deputetit që të votojë pa iu nënshtruar asnjë presioni dhe të votojë në bazë të vullnetit të deputetit duke përfaqësuar dhe mbrojtur të drejtat e votuesve që e kanë votuar por edhe votuesve të tjerë, të[ drejtat e qytetarit të Kosovës pavarësisht përkatësisë etnike, bindjeve politike, besimeve fetare, moshës, gjinisë apo statusit në shoqëri e që në shumë raste nuk ka ndodhur për faktin se deputetët i janë nënshtruar presionit brutal të subjektit që i takon dhe bashkësisë ndërkombëtare siç ishte rasti me Demarkacionin apo themelimin e Gjykatës Speciale.
KMDLNj –ë është i shqetësuar për fjalorin e papërmbajtur, degradues, fyes dhe përjashtues që deputetët e Kuvendit të Kosovës e përdorin kryesisht në mungesë të fakteve dhe për qëllime politike.
Me rastin e diskutimeve për Kodin Civil në Kuvendin e Kosovës pati diskutime të papranueshme nga aspekti i të drejtave të njeriut dhe nga aspekti i mandatit të deputetit me ç’rast u fyen rëndë pjesëtarët e një komunitetit me orientim seksual ndryshe e që nuk do të duhej të tolerohej sikur që deputetët e tillë do të duhej të sanksionoheshin për këtë fjalor përjashtues, fyes, degradues, diskriminues dhe racist.
E drejta e pakundërshtueshme dhe e pamohueshme e deputetit që të votojë në bazë të bindjeve që i ka, vullnetit dhe pa iu nënshtruar asnjë presioni nuk nënkupton edhe të drejtën që të fyejë dhe diskriminojë të tjerët edhe nëse nuk pajtohen me asgjë me përmbajtjen e ligjit të propozuar.
Mosvotimin e Kodit Civil KMDLNj –ë e konsideron më shumë si lojë politike, të pozitës dhe opozitës sepse, pa asnjë dyshim ky Kod Civil do të votohet në një të ardhme të afërt prandaj deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet të tregohen shumë të kujdesshëm dhe të përmbajtur për fjalorin që e përdorin.
KMDLNj e respekton, si të drejtë të njeriut edhe mospajtimin e disa deputetëve më këtë Kod Civil mirëpo nuk përkrah në asnjë mënyrë fjalorin fyes, diskriminues dhe degradues ndaj askujt e në rastin konkret të komunitetit me orientim seksual ndryshe”./ KultPlus.com
“Seci çmendet simbas mënyrës së vet” i autorit Stefan Çapaliku është përfshirë në librin “Lettres européennes: Histoire de la littérature européenne”, parathënien e të cilit e ka shkruar shkrimtarja nobeliste Olga Tokarczuk.
Romani i Çapalikut, i përkthyer tashmë në disa gjuhë, është vlerësuar si një libër që prezanton në mënyrë të veçantë shoqërinë shqiptare në diktaturë dhe demokraci, dhe si një vepër me model të ri të shkrimit. “Oraliteti, si dhe hibridizimi i zhanreve letrare e i arteve, që ky kërkon dhe ia paraqet publikut, është gjithkund, absolutisht gjithkund, marka e krijimit të sotem. ‘Secili çmendet simbas mënyrës së vet’, ky është titulli qe më 2016 i jep triptikut të vet romancieri shqiptar Stefan Çapaliku. Dhe çmenduria sot përhapet te shkrimtarët, të cilët ngjiten në skenë dhe rikthejnë traditën mijeravjeçare të bakanteve, të rapsodit, të bardit, të trubadurit, të DJ-t, nëpërmes slamit, repit apo hip-hopit,” shkruan në “Lettres europennes”, CNRS Editions, faqe 1004, Paris, 2021./ KultPlus.com
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani i ka dërguar një letër presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ku i ka kërkuar ndihmën e ShBA-së për t’u anëtarësuar në NATO.
“Në këtë kohë sfiduese, dhe si gjithmonë, Shtetet e Bashkuara mund të vazhdojnë të llogarisin në Republikën e Kosovës si një mike dhe aleate e përkushtuar dhe si një vend që do të mbrojë interesat tona të përbashkëta”.
“Integrimi euroatlantik ka qenë gjithmonë synimi ynë, por sot – në dritën e ngjarjeve të paprecedentë në kontinentin evropian – është prioriteti ynë kryesor i sigurisë kombëtare. Evropa po përballet me kohërat më të errëta dhe më të rrezikshme që nga fundi i Luftës së Ftohtë. Ndërsa ne ndajmë qëllimin e përbashkët për mbrojtjen dhe promovimin e sigurisë globale, anëtarësimi i Kosovës në NATO është bërë imperativ. Argumentet që kundërshtojnë anëtarësimin e Kosovës në NATO shpërfillin imperativat e sigurisë në Ballkanin Perëndimor dhe nuk i shërbejnë interesit të botës së lirë demokratike, e cila është nën rrethimin në rritje nga tendencat autoritare dhe politikat e tyre agresive”, shkruan Klan Kosova.
Tutje Osmani thotë se Kosova e ka dëshmuar vazhdimisht se si dhe pse e meriton anëtarësimin në NATO.
“Pa dyshim, Republika e Kosovës ka dëshmuar vazhdimisht se si dhe pse e meriton, beson plotësisht dhe duhet të jetë anëtare e plotë e familjes euroatlantike të kombeve. Vendi im dhe qytetarët e tij kanë luftuar për dekada jo vetëm për lirinë, por për vendin tonë të merituar në familjen e kombeve euroatlantike, si një partner i besueshëm dhe i aftë në ndërtimin, ruajtjen dhe mbrojtjen e paqes dhe demokracisë. Kosova është vendi më pro amerikan dhe pro NATO-s në botë. Megjithatë, edhe sot e kësaj dite, Kosova mbetet e përjashtuar nga procesi, marrëveshjet dhe programet e zgjerimit të NATO-s, siç është Partneriteti për Paqe (Pfp) dhe ende nuk është bërë anëtare e plotë e Kartës së Adriatikut (AS)”, thuhet në letrën e Osmanit.
Më poshtë e gjeni letrën e plotë
I nderuar President Biden,
Me kënaqësi të madhe mora mesazhin tuaj dashamirës me rastin e 14 vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Miqësia dhe partneriteti i qëndrueshëm midis dy vendeve tona janë të rrënjosura në vlerat e përbashkëta demokratike dhe një përkushtim për promovimin e stabilitetit dhe paqes së qëndrueshme.
Siç theksuat ju, zoti President, Republika e Kosovës ka bërë progres të jashtëzakonshëm dhe sot shërben si shembull në skenën ndërkombëtare. Kosova është transformuar nga një shoqëri e shkatërruar nga lufta në një vend që respekton dhe vlerëson demokracinë dhe vlerat që e mbështesin atë. Ne mbajmë zgjedhje shembullore të lira dhe të ndershme, ofrojmë mbrojtje të avancuar ligjore për pakicat etnike dhe pakicat e tjera dhe kontribuojmë në shkaqet globale të paqes, sigurisë dhe veprimeve humanitare. Së fundmi, ne iu bashkuam botës demokratike në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë për luftën e saj të paprovokuar kundër Ukrainës dhe treguam gatishmëri për të pritur refugjatë ukrainas. Ne jemi gjithmonë të përulur që kemi mundësinë t’i kthejmë aleatët tanë pas dekadave të investimeve politike, ekonomike dhe ushtarake në vendin tonë. Kosova sot është një faktor kyç në promovimin e stabilitetit rajonal. Kjo është në fund të fundit vendosmëria e popullit të Kosovës, por është edhe arritja jonë e përbashkët, prandaj
SHBA vazhdon të mbajë një vend të veçantë në zemrat dhe mendjet e popullit tonë. Në këtë kohë sfiduese, dhe si gjithmonë, Shtetet e Bashkuara mund të vazhdojnë të llogarisin në Republikën e Kosovës si një mike dhe aleate e përkushtuar dhe si një vend që do të mbrojë interesat tona të përbashkëta.
Integrimi euroatlantik ka qenë gjithmonë synimi ynë, por sot – në dritën e ngjarjeve të paprecedentë në kontinentin evropian – është prioriteti ynë kryesor i sigurisë kombëtare. Evropa po përballet me kohërat më të errëta dhe më të rrezikshme që nga fundi i Luftës së Ftohtë. Ndërsa ne ndajmë qëllimin e përbashkët për mbrojtjen dhe promovimin e sigurisë globale, anëtarësimi i Kosovës në NATO është bërë imperativ. Argumentet që kundërshtojnë anëtarësimin e Kosovës në NATO shpërfillin imperativat e sigurisë në Ballkanin Perëndimor dhe nuk i shërbejnë interesit të botës së lirë demokratike, e cila është nën rrethimin në rritje nga tendencat autoritare dhe politikat e tyre agresive.
Pa dyshim, Republika e Kosovës ka dëshmuar vazhdimisht se si dhe pse e meriton, beson plotësisht dhe duhet të jetë anëtare e plotë e familjes euroatlantike të kombeve. Vendi im dhe qytetarët e tij kanë luftuar për dekada jo vetëm për lirinë, por për vendin tonë të merituar në familjen e kombeve euroatlantike, si një partner i besueshëm dhe i aftë në ndërtimin, ruajtjen dhe mbrojtjen e paqes dhe demokracisë. Kosova është vendi më pro amerikan dhe pro NATO-s në botë. Megjithatë, edhe sot e kësaj dite, Kosova mbetet e përjashtuar nga procesi, marrëveshjet dhe programet e zgjerimit të NATO-s, siç është Partneriteti për Paqe (Pfp) dhe ende nuk është bërë anëtare e plotë e Kartës së Adriatikut (AS).
Si Presidente e Republikës së Kosovës, e pranoj se politika e jashtme dhe e sigurisë kombëtare e SHBA-së për Evropën përqendrohet në një Evropë të lirë, të plotë dhe në paqe dhe se integrimi i plotë i Ballkanit Perëndimor në strukturat euroatlantike është pjesë e një stabiliteti. marrëdhënie transatlantike. Duke pasur parasysh këtë, ne shprehim besimin dhe pritshmërinë tonë që SHBA-të do të përdorin lidershipin dhe ndikimin e tyre për të mbështetur dhe avancuar në mënyrë aktive procesin kompleks të anëtarësimit në NATO për Kosovën, duke filluar me programin pfp dhe anëtarësimin e plotë në Kartën e Adriatikut.
Ndërsa sytë e botës janë me të drejtë në luftën shkatërruese në Ukrainë tani, ne nuk duhet të harrojmë situatën e brishtë me të cilën përballemi në Ballkan. Jemi të ekspozuar ndaj përpjekjeve të vazhdueshme të Rusisë për të minuar Kosovën dhe destabilizuar të gjithë Ballkanin Perëndimor. Revizionizmi i Putinit është një përpjekje për të minuar parimet dhe vlerat thelbësore që qëndrojnë në themelin e sistemit ndërkombëtar të pas Luftës së Dytë Botërore.
Përballë këtyre zhvillimeve, Republika e Kosovës qëndron në prag të Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Evropian dhe vendeve të tjera demokratike anembanë botës kundër veprimeve kërcënuese të Rusisë të pranuara në heshtje dhe të dukshme dhe të mbështetura ndryshe nga përfaqësuesi i saj në Ballkanin Perëndimor. Fillimi i programit pfp të NATO-s fillimisht, dhe përfundimisht, një anëtarësim i plotë në Aleancë, do të kontribuonte ndjeshëm drejt konsolidimit dhe fuqizimit të këtyre përpjekjeve. Ne jemi me shpresë dhe optimistë se do të kemi mbështetjen e aleatit tonë më të madh, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në këtë përpjekje vendimtare.
Pres me padurim mundësinë për t’u takuar me ju personalisht sa më shpejt që të jetë e mundur.
Ju lutemi pranoni, zoti President, garancitë e konsideratës sime më të lartë për ju dhe vendin tuaj. Zoti i bekoftë kombet tona dhe botën e lirë.
Sinqerisht, Vjosa Osmani Sadriu Presidente e Republikës së Kosovës./ KultPlus.com
Ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti zhvilloi një takim me homologen e Maqedonisë së Veriut, Bisera Kostadinovska-Stojchevska.
Margariti u shpreh se në takim u fol mbi bashkëpunimin dypalësh në fushën e kulturës dhe në organizimin e aktiviteteve të përbashkëta ndërkufitare.
“Restaurimi i shtëpisë-muze të shkrimtarit Sterio Spasse është frut i këtij bashkëpunimi e ky shembull do të shtrihet edhe më tej”, theksoi ministrja Margariti.
“Një rast i tillë është edhe Muzeu i Alfabetit Shqip në Manastir dhe aktivitetet që do të mund të zhvillojmë në hapësirat shqipfolëse”, shtoi më tej Margariti.
Margariti theksoi se, “biseda u përqendrua edhe në punën e Komitetit Ndërshtetëror të Menaxhimit të pasurisë sonë të përbashkët dhe plotësimin e rekomandimeve të UNESCO-s për menaxhimin e Rajonit të Liqenit të Ohrit”.
“Bashkëpunimi në fushën e trashëgimisë kulturore dhe rikthimi i disa ikonave të bllokuara në Shqipëri, në vendin e origjinës ishin të tjera çështje të bisedimeve tona, që do të konkretizohen shumë shpejt”, tha Margariti./ KultPlus.com
Youth Initiative for Human Rights Kososo u ka bërë thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në protestën ‘Homofob, s’ki vend në Kuvend!’ si kundërpërgjigjje ndaj deputetëve të Kosovës që votuan kundër ligjit për martesat mes gjinisë së njëjtë, përcjell KultPlus.
Protesta do të mbahet sot nga ora 12:00 përpara Kuvendit të Kosovës.
Më poshtë gjeni thirrjen YIHR për protestë:
Ju ftojmë për mbulim mediatik te protestës para Kuvendit ku do shprehen pakënaqësitë ndaj neglizhencës dhe refuzimit për të shtyer përpara të drejtat e njeriut, për të gjithë personat pa dallim, që janë të garantuara me Kushtetutë!
DEPUTETËT BETOHEN NË KUSHTETUTË, JO NË LIBRA FETARË!
Nga ora 12:00 do të protestojmë para Kuvendit me mesazhin që kjo betejë ende nuk ka perfunduar, ne do të rezistojmë deri të arrihet barazi shoqërore./ KultPlus.com
Një takim urgjent i Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara do të zhvillohet të enjten, për të diskutuar përshkallëzimin e krizës humanitare në Ukrainë.
Shtetet e Bashkuara, Britania, Franca, Irlanda, Norvegjia dhe Shqipëria, është raportuar se kanë bërë thirrje për takim, pas rritjes së bombardimeve në zonat e civilëve në ditët e fundit.
Lexo Edhe:
Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar dhe Franca janë vende anëtare të Këshillit, bashkë me Rusinë dhe Kinën.
Sipas OKB-së, mbi 3 milionë njerëz kanë ikur nga Ukraina prej shpërthimit të luftës më 24 shkurt./ KultPlus.com
“Servant of the People”, seriali satirik që nisi karrierën politike të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, është sërish i disponueshëm për t’u parë në ShBA në Netflix.
Transmetuesi, që fillimisht e kishte serialin nga viti 2017 deri në 2021, thotë se filmi është rikthyer sërish që nga dita e sotme (e mërkurë).
“Servant of the People” ndjek një mësues (Zelensky), i cili papritur bëhet president pasi një zhurmë kundër korrupsionit bëhet virale në rrjetet sociale.
Shfaqja u zhvillua për tre sezone dhe përfundoi kur Volodymyr vendosi të kandidojë për president të Ukrainës në vitin 2019 nën flamurin e një partie të re politike, e quajtur gjithashtu “Servant of the People”.
Zelensky, i cili ka planifikuar të mbajë një fjalim në një sesion të përbashkët të Kongresit të mërkurën, ka qenë në qendër të vëmendjes së botës që kur Rusia pushtoi Ukrainën disa javë më parë.
Grupi televiziv suedez, Eccho Rights, ka licencuar shfaqjen në të gjithë botën, me Channel 4 të Mbretërisë së Bashkuar, MBC në Lindjen e Mesme, ANT 1 në Greqi dhe PRO TV midis blerësve.
“Seriali është një komedi, por edhe një dokument i rëndësishëm se nga vjen Zelensky”, tha partneri menaxhues i Eccho, Nicola Soderlund në një deklaratë duke njoftuar se shfaqja është sërish në treg.
“Presidenti i tij imagjinar është një njeri normal, i cili rritet në rolin e tij si një udhëheqës heroik dhe i adhuruar. Ndërsa skenari i botës reale me të cilin përballet Zelensky dhe populli ukrainas është shumë më i zymtë dhe i tmerrshëm sesa komedia e serialit, ka paralele të dukshme me situatën e botës reale dhe Servant of the People është një pjesë magjepsëse, e rëndësishme dhe historike televizive”./ KultPlus.com
Pyeta valët vogëlushe; mu si krahët e një gushe përmbi supe nga një shkumë, kush më pak e kush më shumë, venë e vinë e shkojnë e shkasën dhe përhera për ty flasën.
Valëza, o valëza, farë e fis me vashëza, ku e keni shoqen tuaj? Ruaje zot nga erë e huaj!
Pyeta zoga, pyeta zogj, pyeta zemrën që m’u dogj, pyeta lulet nëpër baça, nëpër baça, që un’ plaça, muaj e vitra po të pres, vidi-vidi pëllumbeshë!
Vidi-vidi zogëza, farë e fis me zojëza, ku e keni shoqen tuaj? Një minutë e gjat’ një muaj!
Vidi-vidi pëllumbeshë! për ty qaj e për ty qeshë, për ty qesha; gjithë jeta me gjith’ lule, me gjith’ fleta, u bë fli për ata sy; çdo gëzim ta fala ty!
E çdo brengë e mbajta vetë. Tash afroi e thënë e shkretë, dhe un’ s’di ku jam, ku vete, rroj për ty e vdes për vete!/ KultPlus.com
Netflix së shpejti do të nisë një test që do t’i lejojë mbajtësit e llogarive kryesore të paguajnë një tarifë shtesë për përdoruesit jashtë familjeve të tyre.
Sipas kushteve të shërbimit të Netflix , llogaria e një klienti “nuk mund të ndahet me individë përtej familjes”.
Kompania vitin e kaluar kreu një test të kufizuar duke i shtyrë përdoruesit të fusin kredencialet e llogarisë së tyre si një mënyrë për të nxitur përdoruesit e lirë të paguajnë për llogaritë e tyre, shkruan Variety.
“Njerëzit që ndajnë llogaritë e Netflix me njerëzit jashtë familjes së tyre tani do të paguajnë pak më shumë”, sipas Chengyi Long, drejtor i inovacionit të produkteve në Netflix.
Opsionet e reja do të shfaqen në javët e ardhshme në të tre vende Kili, Kosta Rika dhe Peru.
“Ne e kemi bërë gjithmonë të lehtë për njerëzit që jetojnë së bashku të ndajnë llogarinë e tyre Netflix, me veçori si profile të veçanta dhe transmetime të shumta në planet tona Standard dhe Premium,” shkroi Long.
“Ndërsa këto kanë qenë jashtëzakonisht të njohura, ato gjithashtu kanë krijuar një konfuzion se kur dhe si mund të ndahet Netflix.”
Me veçorinë “shto një anëtar shtesë”, anëtarët me planet Standard dhe Premium të Netflix do të jenë në gjendje të shtojnë llogari ndihmëse deri në dy persona me të cilët nuk jetojnë, secili me profilin e vet, rekomandime të personalizuara, hyrje dhe fjalëkalim – për më pak se kostoja e një plani të veçantë Netflix.
Përveç kësaj, Netflix po teston aftësinë për t’i lejuar abonentët të transferojnë profilet e përdoruesve në llogari të reja, gjë që do ta bënte më të lehtë për përdoruesit e fjalëkalimeve.
Në tre tregjet e testimit, Netflix gjatë javëve të ardhshme do të njoftojë anëtarët që ndajnë llogarinë me jashtë familjes së tyre për opsionet e reja.
Një anëtari mund t’i kërkohet të verifikojë llogarinë e tij vetëm nëse një pajisje jashtë familjes së tyre hyn në llogari, Netflix më pas mund t’i kërkojë përdoruesit të verifikojë hyrjen nga pajisja duke dërguar një kod verifikimi./ KultPlus.com
U zhvillua dje në teatrin “ArTurbina”, takimi mes kuratores së pavijonit shqiptar në Bienalen Ndërkombëtare të Artit në Venecia, Adela Demetja dhe bashkëpunëtorëve të ngushtë të saj mbi veprën e Lumturi Blloshmit.
Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Kulturës, Elva Margriti e cila thekson se, çdo bisedë për Lumturi Blloshmin është një zbulim personal.
“Ajo ishte një artiste që kishte kaq shumë për të thënë dhe që për të tejkaluar çdo lloj kufizimi kishte zgjedhur të fliste përmes artit”, theksoi ministrja.
“Ishte frymëzues takimi i mbrëmshëm mes kuratores së pavijonit shqiptar të Bienales Ndërkombëtare të Artit në Venecia, Adela Demetja, që do të çojë veprën e Lumes në këtë aktivitet madhor të artit pamor, dhe bashkëpunëtorëve të ngushtë të artistes: Eleni Laperi, Suzana Varvarica Kuka dhe Krenar Zejno”, tha Margariti.
“Kolazhi i fotografive, që ndërtonte rrugëtimin jetësor të artistes u shoqërua me copëza kujtimesh dhe lexim të veprave të saj, që vinin si reagim ndaj realitetit, demokracisë së vonë, shoqërisë komuniste dhe dëshirës për liri”, u shpreh Margariti.
Shqipëria do të përfaqësohet në edicionin e 59-të të Bienales Ndërkombëtare të Artit në Venecia, ngjarjes më të madhe të artit bashkëkohor në botë, me veprën e Lumturi Blloshmit. /atsh/ KultPlus.com
Filmi i regjisorit Baz Luhrmann dedikuar ikonës së ndjerë të muzikës e filmit Elvis Presley, i titulluar “Elvis”, do të shfaqet premierë në festivalin ndërkombëtar të filmit në Kanë të Francës.
Rolin e Elvis e luan Austin Butler, e të menaxherit të tij Tom Hanks.
Data e lansimit të filmit “Elvis” u caktua 24 qershori, që do të thotë se nuk do të hapë festivalin e Kanës. Megjithatë këtu mund të vendos vetëm Warner Bros.
Para disa vitesh, Kanes prezantoi rregulla të reja ku përfshihet edhe ajo që filmi hapës i festivalit të shfaqet po atë ditë edhe në kinematë Franceze.
Regjisori Luhrmann edhe në vitet 2001 e 2013 hapi festivalin e filmit në Kanë me filmat, si me “Moulin Rouge!” dhe “The Great Gatsby”.
Në mesin e aktorëve të cilët luajnë në filmin Elvis veç Butler e Hanks, janë edhe: Olivia DeJonge e Natasha Bassett.
Regjisori Luhrmann, në filmin “Elvis” eksploron jetën dhe karrierën muzikore të Elvis Presley, nga këndvështrimi i lidhjes së tij të komplikuar me menaxherin enigmatik.
Aty paraqiten 20 vite të jetës dhe karrierës së tyre, prej arritjes së famës të Presley.
Traileri i filmit “Elvis” u lansua muajin e kaluar dhe mori kritika pozitive.
E rëndësishme në këtë rrugëtim të tij është një prej personave më me ndikim në jetën e tij, Priscilla Presley, rolin e të cilës e luan DeJonge.
Sa i përket festivalit të filmit në Kanë të Francës, ai do të mbahet nga data 17 deri më 28 maj 2022. / KultPlus.com
Balerina kryesore e “Balshoit”, teatrit të famshëm rus, Olga Smirnova, braktis skenën për t’iu bashkuar Baletit Kombëtar Hollandez në Amsterdam, duke u bërë balerina e parë ruse, e cila ndërmerr këtë hap, pas pushtimit të Ukrainës.
“Smirnova ishte shumë e qartë në kritikën e saj të fundit, për pushtimin rus në Ukrainë, çfarë e bën të vështirë për të, punën në vendin e saj të lindjes”, – erdhi deklarata zyrtare nga autoritetet pranë Baletit Kombëtar Hollandez.
“Duhet të jem e sinqertë dhe të them, se jam kundër luftës, me gjithë shpirt.
Kurrë, nuk e kam menduar se mund të ndiej turp për Rusinë, por sot ndihem sikur ka një Rusi para dhe një, pas kësaj që po ndodh”, – shkroi primabalerina 30-vjeçare, në një postim në “Telegram”, fillimin e këtij muaji.
“Ne mund të mos jemi në qendër të konfliktit ushtarak, por nuk mund të qëndrojmë indiferentë, përballë kësaj katastrofe globale”, – shtoi ajo.
Sipas një deklarate nga Baletit Kombëtar Hollandez, balerina, gjyshi i së cilës është ukrainas, tha se kishte kohë që mendonte të largohej nga Balshoi, por “situata aktuale e përshpejtuar të gjithë procesin”.
Balerinët e huaj rusë, kanë njoftuar largimin në shenjë solidariteti me viktimat e konfliktit në Ukrainë, por Smirnova është balerina e parë ruse, që e bën këtë në publik. / KultPlus.com
Kreu i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog ka reaguar pasi dështoi votimi i Kodit Civil në Kuvendin e Kosovës.
Szunyog lavdëroi deputetët për kalimin e dy projektligjeve në lexim të parë, siç janë ai i financimit të partive politike dhe deklarimit të pasurisë, por pati kritika për dështimin e votimit të Kodit Civil.
“Pas nisjes premtuese të seancës së sotme të Kuvendit të Kosovës, me miratimin në lexim të parë të projektligjeve për financimin e partive politike dhe deklarimin e pasurisë, mosbërja e njëjtë me Kodin Civil është zhgënjyese. Legjislacioni i rëndësishëm nuk duhet të presë”, shkroi ai në rrjetin social Twitter.
Following the promising begging of the 🇽🇰 Assembly session today, with the adoption in the first reading of the draft laws on Political Party Financing and Disclosure of Assets, failure to do the same with the Civil Code is disappointing. Important legislation should not wait.
Federata Ruse sot është përjashtuar nga Këshilli i Evropës, sipas një procedure që nisi me 25 shkurt, vetëm një ditë pasi filloi pushtimi i Ukrainës me ndërhyrje ushtarake.
Ish-kryeministri suedez, Carl Bildt, në hapësirën e tij virtuale në Twitter, ka publikuar fotografinë nga momentet kur është hequr flamuri rus nga mesi i flamujve të shteteve anëtare të KE-së.
“Flamuri rus u hoq në Strasburg. Një epokë shprese në Evropë mori fund edhe zyrtarisht”, ka shkruar ai në mbishkrimin e fotografisë. / KultPlus.com
The flag of 🇷🇺 is taken down outside @coe in Strasbourg. An era of hope in Europe has come to its even formal end. pic.twitter.com/H2sYLEVJKv
Lista finale e rezultateve të testit me shkrim të kandidatëve për pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së është bërë publike.
Përmes një komunikate për media të Bordit të RTK-së thuhet se komisioni vlerësues dhe përzgjedhës për Drejtorin e Përgjithshëm të RTK-së ka pritur të mërkurën kandidatët për drejtor të RTK-së, të cilët kanë shprehur interesim për ta parë testin dhe vlerësimet e bëra nga anëtarët e komisionit.
Ky proces ka pasuar me finalizimin e listës së kandidatëve për drejtor dhe pikët përfundimtare për secilin prej tyre.
Janë gjithsej tetë kandidatë të cilët do t’i nënshtrohen intervistës me gojë që do të mbahet të shtunën me datë 19 Mars me fillim nga ora 10.00.
Në linkun e mëposhtëm mund të gjeni dokumentin i cili përmban vlerësimin e anëtarëve të komisionit përzgjedhës për secilin kandidat, në secilën pyetje.
Grupi i njohur ‘Jericho’, njihen për tekstet e tyre të veçanta të cilat brenda vetes gërshetojnë herë një mister rreth një bote të panjohur, e herë vijnë në formë revolte mbi sistemin, shkruan KultPlus.
Solisti i grupit ‘Jericho’, Petrit Çarkaxhiu, sot ka pubikuar këngën e tij më të re të titulluar “Ra ni fjollë n’synin tem”.
Këngën Çarkaxhiu e ka paralajmëruar ditë më parë në mediat online.
Bashkangjitur KultPlus ua sjell videon dhe tekstin e këngës:
Ra ni fjollë n’synin tem
Ra ni fjollë n’synin tem M’erdhë si nuri shpirti jem Zbardhi kodrat e mërzisë Mjelli farën e dashnisë
Ku je konë që 1000 vjet? Sërri zemrës oshtë ka t’pret Si Mexhnuni për Lejlanë I harroi krejt shka o knoë
Se kisha ditë madhninë e Hakit Çfarë hedije Ai m’çoi N’gjoksin tond m’qeli sabahi Frymën tande ta ndigjoj / KultPlus.com
“Çdo shkrepje llogaritet në dramë për luftën e gruas kundër burrave të dhunshëm vendas për të mbijetuar dhe siguruar për fëmijët e saj në vazhdën e luftës”, kështu nis artikulli për filmin e suksesshëm “Zgjoi” të regjisores Blerta Bashollit nga gazeta prestigjioze “The Guardian”, shkruan KultPlus.
Filmi debutues i Blerta Bashollit është një film për mjaltin dhe gjithashtu për ajvarin, një pjatë e ëmbël nga ish-Jugosllavia e bërë nga patëllxhanë dhe speca të kuq. Por filmi ka shije të ashpër dhe të mprehtë, si kafeja e zezë, vazhdon tutje gazeta.
Sipas tyre, ai bazohet në historinë e vërtetë të Fahrije Hotit, një gruaje kosovare, bashkëshorti i së cilës u zhduk gjatë luftërave ballkanike të viteve 90, dhe kështu vetëm për të qëndruar gjallë dhe për të siguruar jetesën e saj, ajo formoi një kolektiv vetëm për gratë dhe vejat (ose të vejat e supozuara, që dëshirojnë një lajm përfundimtar se çfarë bënë forcat serbe me burrat e tyre të zhdukur) duke bërë mjaltë dhe ushqime të tjera për të shitur. Por filmi e tregon atë duke u përballur me mizogjininë brutale dhe dhunën nga burrat në fshatin e saj, të cilët mendojnë se ajo po e tejkalon veten. (Drama vjen me një mohim përmbyllës që thekson se disa prej tyre janë fiktive.)
“Aktorja kosovare me origjinë shqiptare Yllka Gashi është e shkëlqyer si vetë Fahrije, një grua që e filloi këtë biznes të paktën pjesërisht për të menaxhuar apo shuar hidhërimin e saj: kosherja në kopshtin e tyre u ngrit nga i shoqi. Kjo është mënyra e saj për të qëndruar pranë kujtimit të tij; ajo kujton se sa instiktive ishte kontakti i tij me bletët dhe se si ai nuk u pickua kurrë. Fahrije, nga ana tjetër, gjithnjë thumbohet dhe kjo është pjesërisht arsyeja pse ajo kalon kryesisht në ajvar; çdo thumbim është një kujtesë”, shkruhet në artikull.
Po ashtu, “The Guardian” thotë se ekziston një skenë e mrekullueshme në të cilën djali i vogël i Fahrijes po kreh flokët me mendime para pasqyrës, ndoshta me disa nxitje kotësie adoleshente. Duke e parë atë, Fahrije papritmas buzëqesh, me dashuri dhe dhimbje transparente, dhe pa pasur nevojë t’i thuhet mund të shohim se ajo mendon se ai i ngjan babait të tij. Vetë vjehrri i saj Haxhi (një interpretim i mrekullueshëm i aktorit dhe muzikantit veteran kosovar Çun Lajçi) është një figurë vezulluese, e cila përballet me agoninë dhe pikëllimin në mënyrën e tij, por gradualisht po e vlerëson Fahrijen. Kjo është një dramë shumë inteligjente, në të cilën çdo fjalë dhe çdo goditje ka rëndësi.
Një numër artistësh kanë konfirmuar se do të performojnë në këtë ceremoni, të njëjtit janë po ashtu të nominuar në disa kategori kryesore.
Brothers Osborne, BTS, Brandi Carlile, Billie Eilish, Lil Nas X, Jack Harlow dhe Olivia Rodrigues janë emrat që do të performojnë këtë vit.
Ky edicion do të transmetohet drejtpërdrejtë nga zona MG Grand Garden Arena në Los Vegas dhe nikoqir i mbrëmjes është Trevor Noah.
3 prill është data kur do të mbahet edicioni i 64-të i çmimeve Grammy.
Kjo ngjarje e madhe ishte planifikuar paraprakisht të mbahej në janar të këtij viti, përkatësisht më datë 31, por për shkak të rritjes së rasteve me virusin Omicron, ngjarja ishte shtyrë për një datë tjetër.
Me vendim të organizatorëve u vendos të mbahej më 3 prill. / KultPlus.com
Arkitekti i lindur në Burkino Faso, Diébédo Francis Kéré, është bërë afrikani i parë që fiton çmimin prestigjioz Pritzker, i cili shpesh përmendet si çmimi Nobel i arkitekturës.
Puna e tij shumë e vlerësuar, duke përfshirë struktura të përhershme dhe të përkohshme, është ngritur në vendin e tij të lindjes, por edhe në Afrikë, Evropë dhe Shtetet e Bashkuara.
Kéré, 56 vjeç, ishte i gëzuar për të marrë atë që konsiderohet çmimi më i njohur i arkitekturës, duke e përshkruar veten si “njeriu më i lumtur në planet”.
Por udhëtimi i tij i gjatë dhjetëvjeçar në krye të fushës së tij ishte aspak i thjeshtë, me mundësi të kufizuara në fshatin e tij.
“Unë u rrita në një komunitet ku nuk kishte kopsht fëmijësh, por ku komuniteti ishte familja juaj”, tha ai për Pritzker Prize.
“Më kujtohet dhoma ku ulej gjyshja dhe tregonte histori me pak dritë, ndërsa ne grumbulloheshim pranë njëri-tjetrit dhe zëri i saj brenda dhomës na mbyllte duke na thirrur të afroheshim dhe të krijonim një vend të sigurt. Ky ishte i pari im ndjenjën e arkitekturës”, vazhdoi ai. / KultPlus.com
Bendi ukrainas i quajtur “Kalush Orchestra” ka bërë të ditur se do të marrë pjesë në “Eurovizion 2022”, por jo personalisht pasi që Vladimir Putin poshtoi vendin.
Ky bend folk-rep këtë e bëri të ditur përmes rrjeteve sociale, me ç’rast anëtarët e tij treguan se paraprakisht do të xhirojnë performancën, këtë nga një vend i sigurt.
Ata në rrjetet sociale po ashtu shkruan se përkundër luftimeve në Ukrainë, bendi “Kalush Orchestra” videon e xhiruar do t’ua dërgojnë organizatorëve të garës së këndimit, e në rast se fitojnë, atëherë delegacioni i tyre do të udhëtojë për në Itali që të interpretojë live për tërë Evropën.
Ky njoftim erdhi pasi që Rusisë iu ndalua të marrë pjesë në Evrovizion për shkak se pushtoi Ukrainën.
Me këtë rast, Unioni Transmetues i Garës në një njoftim tha se përfshirja e Rusisë në garë muajin maj do t’i jepte reputacion të keq asaj.
Përgjegjës të Eurovision-it, para këtij lajmi fillimisht njoftuan se do të pranonin Rusinë të marë pjesë në të, por më pas u përballën me kritika nga vendet përfshirëse, si Islanda, Finlanda, Norvegjia dhe Holanda.
Bendi “Kalush Orchestra” tani për tani po bëjnë provat e këndimit ndaras të këngës ‘Stefania’, me të cilën do të përfaqësiojnë Ukrainën. Këngëtari i bendit, Oleh Psiuk ka thënë se kënga është si një himn për vendin e tij. Ai këtë e ka thënë në një intervistë për Sky News.
“Natyrisht këngën ia dedikoj nënës time, por ajo i dedikohet edhe nënave të tjera”, ka thënë ai.
Pas lajmit për ndalimin e Rusisë në pjesëmarrje në Evrovizion 2022, u bë e ditur po ashtu se as rusët nuk mund të votojnë për këngët përfaqësuese, pasi që do t’u bllokohet e drejta e votimit./ KultPlus.com
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka vizituar sot tri prej nismave ‘bottom up’ në artin pamor dhe muzikor: ‘Fondacioni 17’, ‘Defy Them’, dhe ‘Studio për Artistë’.
“Këto nisma kreative, kaq domethënëse për komunitetin artistik, synojnë të stimulojnë një skenë dinamike arti në Prishtinë”, ka shkruar ai.
Më poshtë KultPlus ua sjell postimin e plotë të tij:
Skena a pavarur e artit është çelësi i larmisë së një qyteti.
Mbrëmë, me shumë kënaqësi vizituam tri prej nismave ‘bottom up’ në artin pamor dhe muzikor, të cilat i mbështesim duke ofruar hapësirë pune dhe mbështetje programore.
Janë ‘Fondacioni 17’, ‘Defy Them’, dhe ‘Studio për Artistë’.
Këto nisma kreative, kaq domethënëse për komunitetin artistik, synojnë të stimulojnë një skenë dinamike arti në Prishtinë.
Kjo vizitë më frymëzoi që të përkrahim edhe më tutje zhvillimin e skenës së pavarur të artit, duke ofruar mbështetje të vazhdueshme për artistët. Këto celula kreative janë çelësi i një Prishtine dinamike. / KultPlus.com