Mbahet “Koncerti për Paqe” në Romë, sopranoja Marigona Qerkezi interpreton vepra të kompozitorëve shqiptar

Mbrëmë, në Sallën Promoteca të muzeve Capitolinë në Romë, Ambasada e Republikës së Kosovës organizoi “Koncertin për Paqe” me sopranon shqiptare Marigona Qerkezi.

Ambasadorja e Republikës së Kosovës në Itali, Lendita Haxhitasim, në fjalën e mirëseardhjes në këtë aktivitet festiv, përmes të cilit u shënua njëherësh 14 vjetori i pavarësisë dhe stabilizimi i marrëdhënieve diplomatike me Republikën italiane, theksoi që data e 17 shkurtit, për kosovarët nuk përkon vetëm me lindjen e Republikës sonë të pavarur. Është edhe një moment reflektimi për të nderuar vullnetin dhe vendosmërinë e një rrugëtimi të gjatë që pas dekadash rezistence paqësore, sfidave të panumërta, luftës tragjike me plot sakrifica, u konkretizua me shpalljen e demokracisë më të re në Evropë. Një demokraci e rrënjosur thellë në shoqërinë tonë, e cila vërtetohet nga rezistenca historike e popullit tonë për lirinë dhe pavarësinë e shumëdëshiruar.

Në vijim, Ambasadorja Haxhitasim përkujtoi që në fund të viteve ‘90, Kosova pati fatin të dëshmonte solidaritetin ndërkombëtar, angazhimin dhe përkushtimin e vazhdueshëm të aleatëve si Italia, duke falënderuar të gjithë ata që besuan në Kosovën tonë dhe që vazhdojnë të bëjnë atë teksa hapim kapituj të rinj përparimi dhe prosperiteti për vendin dhe popullin tonë.

Për këto arsye, shtoi Ambasadorja, sot, më shumë se kurrë, jemi shumë pranë popullit ukrainas, ndaj të cilit shprehim solidaritetin tonë të plotë, human dhe institucional, duke uruar paqen për Ukrainën edhe përmes këtij gjesti modest të këtij koncerti. Sepse 23 vjet më parë, ishin popujt e tjerë që organizuan koncerte për ne dhe sot Kosova është linjëzuar me komunitetin ndërkombëtar në dënimin e luftës dhe në ndihmën e atyre të cilët tani kanë nevojë për zë, mbështetje dhe dyer të hapura.

Ambasadorja Haxhitasim shtjelloi gjithashtu rrugëtimin 14 vjeçar të marrëdhënieve diplomatike me Italinë, duke pasqyruar dhe vlerësuar gamën e gjerë të bashkëpunimeve të shkëlqyera me dy vendeve tona, te cilat shtrihen që nga politikat e sigurisë deri tek ekonomia, kultura dhe shkëmbimet akademike e universitare.

Mbrëmë, në kryeqytetin e Italisë, Ambasada e Republikës së Kosovës përcolli një mesazh shumë domethënës për paqe, duke kombinuar më së miri zërin e bukur dhe të fuqishëm të sopranos Marigona Qerkezi dhe notave muzikore të pianistit Gabriele Rubeo, ku u interpretuan me shumë ndjenjë dhe emocion edhe vepra e kompozitorëve shqiptar. / KultPlus.com

Kalon në shqyrtimin e parë Projektligji për Arkivat Shtetërore

Sot Kuvendi i Republikës së Kosovës e ka votuar në parim projektligjin për arkivat shtetërore, një nismë legjislative që synon zhvillimin modern dhe efikas të sistemit arkivor të Kosovës.

Ky dokument i rëndësishëm parasheh rregullat themelore për organizimin, administrimin dhe funksionimin unik të shërbimit arkivor si dhe kompetencat e organeve për krijimin, pranimin ruajtjen, mbrojtjen, përpunimin dhe shfrytëzimin e materialit arkivor të shtetit tonë. / KultPlus.com

Nuk miratohet Kodi Civil për martesat e gjinisë së njëjtë

Dështon të miratohet Projektkodi Civil.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk ia kanë dhënë dritën e gjelbër Projektkodit Civil, në seancën e së mërkurës.

Në momentin e votimit në sallë ishin të pranishëm 77 deputetë, prej të cilëve 16 nuk e kanë shfrytëzuar të drejtën e votës.

Nga 61 deputetë sa kanë votuar, 29 ishin kundër, 28 për dhe 4 abstenime. / KultPlus.com

Hapet “Dialog në errësirë”, artisti Hajredini: Ëndërr e kam pasur që valixhet t’i prezantoj në mënyrë muzeale

Afro 31 vepra artistike frymuan mbrëmë në hapësirën e Galerisë Kombëtare të Kosovës me rastin e hapjes së ekspozitës “Dialog në errësirë – Dialogue in the dark” së artistit Driton Hajredini. Kuruar nga Shkëlzen Maliqi, ekspozita solli para publikut një numër të madh të veprave aq bukur të realizuara të cilat me inkuadrimin e katër videove, një fotografie dhe instalacionit, artisti ka arritur të prekë çdo medium të mundshëm të shprehjes, shkruan KultPlus.

Të pranishmit mbushën vendin me prezencën e tyre dhe me sy të cilët vazhdimisht kërkonin pikturë pas pikture. Kati i parë i Galerisë mblodhi rreth vetes në një numër të madh artistësh të cilët admironin nga larg pikturat si: “Andërr artistike”, “Më fal Magritte”, “Më fal Fontana”, “Martesa”, “Punë e madhe!”, “Hapësirë reklamimi”, “Energjia”, “Sorry Polke”, “Andërr” dhe “Zgjom para se të shkosh”, të cilat erdhën fuqishëm në ngjyra të lehta e mjaft të larmishme, por pati edhe nga ato të cilat të bënin të shikosh pak minuta më shumë se zakonisht.

Ndërkaq, artisti ekspozitën e nis me pyetjen “Hello, is anybody out there?”, për të vazhduar me pikturat e përngjashme nga madhësia që janë të titulluara si: “Uncle Hari”, “Uncle Cinto”, “Uncle Rene”, “Aunt Catherine”dhe “Uncle Edi”, si një hyrje për të futur publikun brenda një pikëpyetje por që njëkohësisht është cilësuar si një ikonografi tallëse e Hajredinit për të spikatur rolin e kuratorëve në artin bashkëkohor.

Po ashtu, instalacioni “Kush e vrau pikturën?”, e vendosur në njërin nga qoshet e hapësirës, spikati pikërisht një skenë krimi ku ideja e vrasjes është shfaqur po njëlloj si nga policia hetuese. Shiriti i cili ndalon qasjen e personave brenda, pothuajse portretizoi botën e shoqërisë tonë, duke u shndërruar kështu në një mesazh tejet interesant pasi që përgjigjen e mbante secili person që u vu mbrëmë para këtij instalacioni.

Ndërsa, në katin e dytë të GKK-së, fotoja e vetme që përballet me publikun është e titulluar “Ju betohem se jam Piktor”, e që në foto paraqitet vetë artisti, për të vazhduar me ciklin e tij të njohur, atë të valixheve. Të pozicionuara në mënyrë ta mahnitshme ku ndriçimi i posaçëm binte pingul mbi to, pikturat e dimensioneve të ndryshme u gjallëruan nga errësira që i përthekonte të pranishmit e nga vëmendja e shumtë që morën ato mbrëmë. Nga ngjyrat e bukur të errëta, pikturat në thelb shpërfaqnin shpresë, pritje, ikje, investime e ndoshta dhe udhëtime, por që në krye kishin secila nga një korb. Me gjithsej 13 piktura të këtij kuadri, artisti Hajredini na përafron me idenë se një mur po rritet, por se cili do të jetë ai mur, ai nuk e zbulon, por lë që publiku të jetë ai i cili komunikon me këto piktura.

Përgjatë mureve të Galerisë Kombëtare të Kosovës, artisti Hajredini arrin që të tregojë diçka, qoftë përmes veprave të njohura të artit, cikleve të ndryshme të shpërfaqura, instalacionit, fotografisë, apo edhe katër videove si “Mëkati”, “Diku në Prishtinë”, “Për milionerët” dhe “Sindroma Abramovic”, të cilat ngërthejnë në vete një histori të vetë artistit që vendos ta shpalos. Dilema se a është një mëkat që të lindësh si shqiptar në Kosovë, fuqia e komercialitetit, lufta në Kosovë si dhe performanca e artistes Marina Abramovic, ishin këto temat që u shtjelluan nëpër këto video.

Për të treguar rreth idesë për të sjell këtë ekspozitë si dhe konceptit të saj, për KultPlus foli artisti Driton Hajredini.

“Ideja për të ekspozuar gjithmonë është aktuale se artisti punon për të treguar diçka, sidomos që nga shekulli 14-të, artisti është ai i cili pa e pasur dikë prapa, pa mbështetje, dëshiron që shikuesit t’i tregojë diçka. Unë aplikova për një ekspozitë personale dhe u pranova, andaj dhe gjithçka shkoi mirë. Puna në këtë ekspozitë zgjati për dy muaj për të shfaqur 14 piktura me valixhe lart dhe 17 punime në katin e poshtëm. Faktikisht, janë tri cikle të punimeve”, thotë Hajredini.

Sipas tij, ëndrra e tij ishte që valixhet të prezantohen në mënyrë muzeale, pra të jetë errësirë në mes punimeve por të shihet vetëm piktura.

“Piktura më e veçantë për mua do të ishte piktura “Run family run”, një valixhe e hapur me fotografi të familjes time për arsye se unë sa isha në Gjermani, familja ime ishte e zhvendosur. Pas luftës, pas pyetjes time të parë “A është vrarë dikush?”, pyetja e dytë ishte “A kanë shpëtu fotografitë?”. Nëse do të digjeshin ato, pra dhe historia jonë do të mbaronte”, përfundon ai.

Ndërsa, piktorja Zake Prelvukaj për KultPlus tha se Dritoni është një artisti i cili shprehjet e tij artistike gjithmonë vinë guximshëm në secilin medium që ai përdor.

“Dritoni është një artist serioz i cili nuk paraqitet shpeshherë në ekspozita, mirëpo të menduarit e ka atë absorbimin e tij ndër kohë, të cilën e përmbledh siç e ka bërë me këtë ekspozitë. Ai vërtetë di të dialogojë dhe ky dialog në errësirë që e ka zgjedhë është ajo që flet shumë sepse shumë dialogë në errësirë domosdo ndodhin për të shpëtuar botën. Dritoni me shprehje artistike gjithmonë ka qenë i guximshëm në çdo medium që ka përdorur”, thotë Prelvukaj.

Sipas saj, Dritoni është një artist që ka pasuruar edhe fondin e përgjithshëm kosovar të arteve dhe kudo që shkon paraqitet me njëfarë arti inteligjent që ndoshta dikush nuk mund as ta lexojë.

Në anën tjetër, pas kësaj date ekspozita do të jepet edhe në orarin e rregullt nga ora 10:00-18:00, çdo të martë deri të dielën. / KultPlus.com

Osmani ndan Medaljen Presidenciale Ushtarake për ushtarët ukrainas që kanë shërbyer në Kosovë nga viti 1999

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka ndarë sot Medaljen Presidenciale Ushtarake për ushtarët ukrainas që kanë shërbyer në Kosovë në kuadër të KFOR-it që nga viti 1999.

Osmani ka thënë se një mirënjohje e tillë shkon për 1 mijë e 400 ushtarët ukrainas, gra e burra, të cilët u kujdesën për sigurinë e Kosovës.

Presidentja tutje ka potencuar se “në kohën kur në Ukrainë po mbrohet në mënyrë dinjitoze e tashmja dhe e ardhmja e gjithë Evropës, populli i Kosovës qëndron me popullin dhe ushtarët e Ukrainës drejt fitores ndaj agresionit rus”.

Shkrimi i plotë i Osmanit:

Sot dekorova me Medaljen  Presidenciale Ushtarake kontigjentin ukrainas të KFOR-it për kontributin e dhënë për më shumë se dy dekada për paqen dhe sigurinë e qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Medalja e sotme është mirënjohje ndaj 1400 grave e burrave të Forcave të Armatosura të Ukrainës, të cilët shërbyen në Kosovë që nga viti 1999 në kuadër të forcave të NATO-s, por edhe vlerësim ndaj profesionalizmit dhe trimërisë të cilat kjo ushtri po i manifeston në këto kohë të errëta për popullin ukrainas dhe për gjithë kontinentin tonë.

Në kohën kur në Ukrainë po mbrohet në mënyrë dinjitoze e tashmja dhe e ardhmja e gjithë Evropës, populli i Kosovës qëndron me popullin dhe ushtarët e Ukrainës drejt fitores ndaj agresionit rus. / KultPlus.com

Përkujtohet aktori i njohur Bujar Lako

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti përkujtoi sot Bujar Lakon, një prej aktorëve më të mirë të skenës dhe të kinemasë shqiptare.“Kujtojmë sot me mirënjohje dhe brengën që na la aq shpejt, aktorin e mrekullueshëm Bujar Lako”, tha Margariti.

Bujar Lako lindi në Tiranë më 23 maj të vitit 1946 dhe ndërroi jetë më 26 dhjetor 2016.

Ai ishte një ndër aktorët më të vlerësuar në Shqipëri për aftësitë e tij në aktrim, i cilësuar si një aktor shumëdimensional. Ai vlerësohej prej kolegëve të tij dhe prej kritikës si një aktor që arrinte të realizonte më së miri personazhet që interpretonte.

Në teatër Bujar Lako ka interpretuar rreth 70 role nga të cilat veçohen ato në veprat “Vdekja e një Komisioneri” A. Miller, “Ariu”, “A. P. Çehov”, “Vizita e Inspektorit”, “Xh. Pristli” etj., ndërsa në kinematografi, aty ku edhe publiku e vlerësoi edhe më shumë veçohen filmat “Përballimi”, “Gjeneral Gramafoni”, ”Udha e Shkronjave”, si dhe në një nga produksionet më të vlerësuar edhe në Festivalin e Venecias, atë me titull “Muajt e Mjaltit”.

Bujar Lako gjatë karrierës së tij u vlerësua edhe me shumë çmime. Disa herë ka fituar çmimin si aktori më i mirë në festivalet e filmave në Shqipëri, “Palmën e Artë” si aktori më i mirë në festivalin ndërkombëtar të filmit në Kajro, një festival i kategorisë “A” për kinematografinë botërore.

Bujar Lako është nderuar gjithashtu edhe me urdhrin “Naim Frashëri” i Klasit të Parë, me titullin “Artist i Merituar” në vitin 1985 dhe në vitin 2013 iu dha edhe dekorata “Nderi i Kombit” nga Presidenti i Republikës. / KultPlus.com

Mbajtja e ditarit si mënyrë e mirë për të përballuar stresin dhe për të njohur veten

“I dashuri ditar, sot më kanë shqetësuar të gjithë në punë.” Pa marrë parasysh se sa ju asocion kjo në ditët adoleshente, psikologët pohojnë se mbajtja e ditarit është shumë e dëshirueshme.

Prandaj shumë psikologë ua përshkruajnë pacientëve të tyre terapinë me ditar, e cila, siç pohojnë ata, e redukton stresin, i zvogëlon simptomat e astmës dhe artritit, dhe madje ndihmon në shërimin e plagëve.

Kjo u referohet veçanërisht njerëzve të prirë që të gjithën ta mbajnë në vete, si dhe atyre që, pavarësisht nga biseda me njerëzit e afërm, nuk e shohin ndonjë rrugëdalje nga kriza aktuale në punë apo ajo emocionale.

Kur e vendosni çdo gjë në letër, do të mësoni më shumë për veten, dëshirat tuaja, nevojat dhe frikën më të thellë. Është e rëndësishme që t’i shihni disa gjëra të shkruara për ta kuptuar se sa janë ato në të vërtetë të parëndësishme.

Ky aktivitet do t’ju ndihmojë edhe në rastin e problemeve të tjera serioze, sepse do t’i largoni ndjenjat negative.

Nuk keni nevojë të shkruani çdo ditë, por vetëm kur është nevoja. Herë pas here, lexoni atë që e keni shkruar në ditar një apo dy muaj më parë.

Siç thonë psikologët, më së miri do të ishte nëse do të shkruanit për momentet e vështira, por edhe ato të mira. Kur ka një ekuilibër midis pozitives dhe negatives, terapia e ka efektin më të mirë. /KultPlus.com

Çeku dhe Osmani presin në takim Yamanakan, diskutojnë për fushën e sportit

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku dhe zëvendësministrja Daulina Osmani kanë pritur në takim të ngarkuarin me punë pranë Ambasadës së Republikës së Japonisë në Kosovë, Keisuke Yamanaka.

Ata diskutuan për bashkëpunimin mes dy vendeve, me theks në fushën e sportit.

Ministri e ka informuar diplomatin japonez Yamanaka për punën dhe programet e MKRS-së të fokusuara në fushën e sportit si dhe për bashkëpunimin që ministria ka me organizatat sportive në vend.

Po ashtu ministri foli edhe për bashkëpunimin e mirë që ka Federata e Xhudos e Kosovës me Federatën e Xhudos së Japonisë.

Nga ana e tij, përfaqësuesi i Japonisë Yamanaka, e falënderoi ministrin për pritjen dhe gatishmërinë e treguar për të bashkëpunuar edhe në të ardhmen në projekte konkrete. /KultPlus.com

Kurti bën thirrje që të votohet Kodi Civil: Të gjithë jemi të barabartë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë thirrje në Kuvendin e Kosovës që të votohet Kodi Civil, shkruan KultPlus.

Gjatë ditës së sotme në Kuvend po diskutohet për Projektkodin Civil, ku kryeministri ka bërë thirrje që të votohen ky ligj, pasi është e drejtë e garantuar nga natyra.

“Të drejtat e njeriut janë të secilit njeri. Gjithsecili është krijesë e Zotit dhe e natyrës. Këtë e thotë edhe Kushtetuta jonë dhe praktika e Gjykatës Evropiane për të drejtat e njeriut. Ju ftoj ta votoni atë”, tha Kurti. /KultPlus.com

Zelensky paraqet video pikëlluese nga lufta përpara Kongresit Amerikan: Mbylleni qiellin në Ukrainë (VIDEO)

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka lëshuar një video emocionuese përpara Kongresit Amerikan, ku jepen pamje se si Ukraina ishte në kohë paqeje dhe se si duket tani kur po pushtohet nga Rusia, shkruan KultPlus.

Kongresi Amerikan e priti me duartrokitje paraqitjen e Zelenskyt në një ekran gjigant, derisa ai po vazhdon të qëndrojë me gjithë familjen e tij në shtetin të cilin e udhëheq.

Sot janë shënuar 21 ditë nga fillimi i luftës në Ukrainë, ndërsa Zelensky ka paraqitur një video emocionuese në të cilën kërkohet mbyllja e qiellit në Ukrainë.

Si pjesë e fjalimit të tij në Kongresin Amerikan, Presidenti Volodymyr Zelensky ka lëshuar një video emocionuese që mbulon pamjet nga Ukraina në kohë paqeje me pamjet e tre javëve të fundit.

NATO ka refuzuar të zbatojë një zonë ndalim-fluturimi, duke thënë se kjo mund ta tërheqë aleancën ushtarake në një luftë të drejtpërdrejtë me Rusinë.

Me një violinë që luan në sfond, pamjet përfshijnë tekstin: ‘Kjo është një vrasje’.

Videoja pikëlluese lëshohet nga minuta 20:20. /KultPlus.com

‘Four pills at night’ i regjisorit Leart Rama përzgjedhet në Festivalin e Filmit në Bruksel

Filmi kosovar ‘Four Pills at Nights’ me regjisor Leart Ramën, është përzgjedhur në Festivalin ndërkombëtar të filmit në Bruksel, shkruan KultPlus.

Këtë lajm e ka bërë të ditur vetë regjisori, i cili përmes një postimi në “Facebook”, ka shprehur edhe emocionet për këtë përzgjedhje.

“Kënaqësi të ju njoftojmë se filmi ynë “Four Pills at Night” është përzgjedhur zyrtarisht në konkursin ndërkombëtar në Festivalin e Filmit të shkurtër në Bruksel. Festivali i filmit të shkurtër në Bruksel është festival i filmit të kualifikuar Oscar, shkroi Rama.

Në këtë film me regji të Leart Ramës luajnë, Redon Kika, Florist Bajgora, Edon Shileku, Don Shala, Gjeni Basha, Dardan Bytyqi, Blin Sylejmani, Nita Kaja, Valdrin Osmani, Shpëtim Grajqevci, Zarko Ajdinovic, Renea Hasani, Drita Nokaj, Despot Ramadani. /KultPlus.com

“Diferenca je ti” nga Elsa Lila e Pirro Cako (VIDEO)

Pirro Cako dhe Elsa Lila kohë më parë kishin publikuar këngën “Diferenca je ti”, e cila shpejt u shëndrrua në një hit të kohës, shkruan KultPlus.

KultPlus këtu ju sjell tekstin si dhe videon e kësaj kënge e cila vazhdon të dëgjohet edhe sot nga adhurues të baladave:

Ajri ka filluar prape te mungoje ne dhomen time
Nje ndjesi e re shtrengon ne kraharor
Por une s´kam ndermend te vuaj
Te premtoj e shtrenjta ime
Dhe pse e pranoj cdo dite per ty mendoj

Si guxove pa me njojtur
Te me puthje ate nate
Une kam patur frike gjithmone dhe nga shakate
Ky veprim aq diabolik
Si sheqer u fut ne gjak
dhe qelizat mi helmoj pak nga pak

Dashurite e medha duke qeshur fillojne si dhe vete komedite
Pastaj qajne papushim
derisa vdesin ne fund
si te gjithe tragjedite

A do mundem te dal te shpetoj
une i gjalle nga kjo dreq histori?
Kur e di fare mire ti je vjeshta e arte
Kur e di fare mire ti je dimri me shi

Kur e di diferenca per mua je ti

Une per ty jam thjesht momenti
Nuk jam Zoti jam njeri
Perjetsine, nuk e pranoj dot pa kufi
Por nuk vuaj nga manite,
Me mjafton nje buzeqeshje
Dhe pse te pergjoj cdo dite,
cdo nate ne heshtje.

Nuk me vjen asnje mesazh
Kam filluar te verbohem
Qe kur s´ta degjoj me zerin po trishtohem
Nuk te lut askush te rrish
Nuk te ngut njeri te shkosh
Vec jepi vetes me shume kohe te me kuptosh

Dashurite e medha duke qeshur fillojne si dhe vete komedite
Pastaj qajne papushim
dersa vdesin ne fund
si te gjithe tragjedite

A do mundem te dal te shpetoj
une i gjalle nga kjo dreq histori
Kur e di fare mire ti je vjeshta e arte
Kur e di fare mire ti je dimri me shi

Kur e di diferenca per mua je ti

Dashurite pak a shume jane te gjitha njesoj
diferenca je ti
Parandjenja me thote mos te pres sa te vdes
ta provoj kete ndjesi
Vetem se kam shume frike te shpetoj une i gjalle
nga kjo dreq histori
Kur e di ti je gjaku qe rrjedh brenda ne trupin tim

Dashurite e medha duke qeshur fillojne si dhe vete komedite
Pastaj qajne papushim
dersa vdesin ne fund
si te gjithe tragjedite

A do mundem te dal te shpetoj une i gjalle nga kjo dreq histori?

Kur e di fare mire ti je vjeshta e arte
Kur e di fare mire ti je dimri me shi

Kur e di diferenca per mua je ti!
Kur e di fare mire diferenca je ti!
Je vetem ti!/ KultPlus.com

Publikohen pamjet gjatë arrestimit të Elsa Lilas nga policia italiane (VIDEO)

Mëngjesin e ditës së sotme, policia italiane ka arrestuar 13 persona që dyshohen për trafikim droge, ku në mesin e tyre është edhe këngëtarja shqiptare Elsa Lila.

Gazeta italiane “Corriere della Città” ka publikuar pamjet nga momenti i arrestimeve.

Sipas “Corriera della Citta“, bëhet e ditur se 41-vjeçarja, Elsa Lila kishte për detyrë të menaxhonte llogaritë e grupit.

Gjithsej në këtë operacion janë arrestuar 13 persona. I përfshirë është edhe boksieri Petrit Bardhi, i njohur si “Titty”.

Emri i këtij të fundit dali edhe gjatë një operacioni tjetër në korrik të vitit 2015 në një operacion të mëparshëm të Gico della Guardia di Finanza.

Lotët e emigrantit

Shkruan: Andrea Zalli

N’festë asht ndezë i gjithë qyteti,
pleq, t’rritun e fmi,
veç nji djalë i ri, i shkreti,
asht tërhjek n’vetmi.

Ka përpara çka po don,
t’gjitha t’mirat plot,
por kafshata poshtë s’i shkon
dhe pse e njom me lot.

S’asht për pare, as për shndet
e gjithë kjo mërzi,
por e djeg malli për nanë t’vet
që e ka larg n’Shqipni.

N’vaj prej mallit e prej dhimbjes
nis e bisedon
me nji ré që drejt vendlindjes
nëpër qiell po shkon.

“Ti, moj ré që shkon kah deti,
ngarkueme me shí,
ndalu, t’lutem, e merr me vedi
edhe lott e mi.

Matanë detit kur t’kesh mbrritë
te nji shpi e shkretë,
në prag t’derës, aty tu’ pritë,
nanën ke me gjetë.

Mbi té lotët dalëngadalë
m’ja lsho përgjatë ballit,
der’ t’ja njomin loti i valë
buzët e djeguna mallit.

Kur t’ja njomin loti i ngrohtë
buzën edhe sytë
se janë t’mijat ka me i njoftë
e fill ka me t’pyetë.

At’herë nanës ti m’i thuej
se djalin mirë e ke,
veç me trup asht ktu n’dhé t’huej,
me shpirt asht atje.

E bren n’zemër natë e ditë 
se vetëm t’ka lanë
ty që n’vuejtje e ke rritë
moj e shtrejta nanë”. /KultPlus.com

Sot mbahet tryezë e rrumbullakët mbi letërsinë dhe kulturën mes Kosovës dhe Spanjës

Sonte me fillim nga ora 19:00, në mjediset e KultPlus Caffe Gallery, zhvillohet ‘Tryeza e Rrumbullakët Mbi Letërsinë dhe Kulturën mës Kosovës dhe Spanjës’.

Në këtë tryezë do të diskutohet gjerësisht për lidhjet kulturore dhe letrare midis Kosovës, Spanjës dhe botës hispanike, përmes krijimit të urave të reja falë letërsisë, përkthimit e kulturës, në këtë kontekst.

Për këto tema do të lfasin, Juan Manuel Montoro, gazetar dhe studiues, njohës i Kosovës dhe realitetit të saj, nga Santiago de Compostela, në Spanjë, Elvi Sidheri, shkrimtar e përkthyes shumëgjuhësh, Jehona Kadriu, përkthyese dhe njohëse e botës latino-amerikane, dhe Sylë Maxhera, ish sportist i njohur në Spanjë, gjithashtu poet e muzikant dygjuhësh, në shqip e spanjisht. /KultPlus.com

Zbardhet rasti se si ra policia italiane në gjurmët e grupit të trafikantëve ku ishte pjesë edhe këngëtarja shqiptare

Këngëtarja e njohur shqiptare, Elsa Lila është vënë në pranga nga policia italiane, në kuadër të një aksioni anti-droge, ku janë lëshuar 13 urdhër-arreste.

Mësohet se ky grup vepronte midis provincave të Viterbos dhe asaj të Romës dhe ka dyshime të forta se ata janë pjesë e një grupi kriminal që trafikon drogë në sasi të mëdha.

Grupi kriminal, për të cilën u arrestuan sot 9 persona, të gjithë me kombësi italiane dhe shqiptare, vepronte kryesisht në zonën e Acilisë dhe merrej me trafikim droge, si kokainë, hashash dhe marihuanë. Grupi blinte sasi të ndryshme droge, i transportonte me makina dhe më pas i fshehte nëpër shtëpi dhe garazhe deri sa t’u dorëzoheshin më pas blerësve.

Sipas një shkrimi të publikuar mëngjesin e sotëm nga gazeta La Repubblica , mes personave nën hetim që u arrestua është edhe Elsa Lila, 40 vjeçe, një këngëtare e njohur në Shqipëri.

Përveç saj, është përfshirë edhe boksieri Petrit Bardhi, i njohur si Titty. Ky boksier i arrestuar njihej për policinë për shkak të së shkuarës së tij mes viteve 2015 dhe 2016. Ai u arrestua në këtë kohë për një operacion të koduar Lojërat Kriminale.

Hetimet nisën nga sheshet e trafikut të drogës në zonat Torpignattara dhe Marranella ku dolën lidhje me disa organizata kriminale shqiptare të Romës, aktive mbi të gjitha në zonën e Acilias. Nga këta elementë doli roli drejtues i një shtetasi shqiptar, të padisponueshëm në Itali, i cili kërkohet jashtë vendit. Shpesh ky shqiptar përdorte bashkëpunimin e bashkatdhetarëve të tij për paketimin, ruajtjen dhe shitjen e drogës, por edhe të italianëve të tjerë, qytetarë që kishin rolin e furnitorëve.

U zbulua gjithashtu se në disa bare në Acilia u organizuan takime për të diskutuar strategjitë e veprimit të klanit dhe bazat logjistike në të cilat do të ruheshin substancat në pritje të shitjes. Midis tyre ka edhe një bodrum të madh në zonën e Torreveçhia që do të kishte pasur funksionin e një magazine qendrore. Në fund, gjatë hetimeve u sekuestruan 5 kg kokainë, 43 kg marihuanë dhe 82 kg hashash./ KultPlus.com

Mehaj: Procesi i deponimit të parave në Fondin e Sigurisë është i sigurt dhe mbikëqyret nga Qeveria

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka falënderuar të gjithë ata që po dhurojnë donacione për Forcën e Sigurisë së Kosovës përmes Fondit të Sigurisë, shkruan KultPlus.

Mehaj ka shkruar në “Facebook” se janë krijuar tendenca që ky projekt të pengohet, derisa u ka rikujtuar të gjithëve që procesi i deponimit të parave të tyre në Fondin e Sigurisë është i sigurt dhe mbikëqyret nga Qeveria përmes Ministrisë së Financave.

Postimi i tij i plotë:

Qytetarë të dashur,

Bashkëkombës nga mërgata kudo që jeni,

Miq ndërkombëtarë të Republikës së Kosovës,

Në emër të Ministrisë së Mbrojtjes dhe gjithë ushtarakëve të FSK-së, ju shpreh mirënjohjen më të lartë për përgjigjen e jashtëzakonshme e të pritur, e cila po vazhdon pandëprerë, me donacionet tuaja për Fondin e Sigurisë.

Jemi të vetëdijshëm se ky projekt i yni i përbashkët me ju, ka tendenca të pengohet për çka jemi të detyruar të ju rikujtojmë:

  • Paratë tuaja deponohen përmes llogarisë zyrtare të Fondit të Sigurisë, në Bankën Qendrore të Kosovës;
  • Ky proces është nën mbikëqyrjen e Qeverisë përmes Ministrisë së Financave, respektivisht Thesarit të Shtetit;
  • Donacionet dhe shuma e mjeteve janë plotësisht mbi bazën e vullnetit tuaj të lirë;
  • Paratë depononi personalisht direkt në Fondin e Sigurisë;
  • Asnjë individ, grup, shoqatë apo iniciativë nuk është e autorizuar të mbledhë para në emër të Fondit të Sigurisë.

Ju e dëshmuat dhe po e dëshmoni si gjithmonë se jeni mbështetja kryesore e jona.

Ju ishit gjithmonë dhe jeni edhe tani logjistika kryesore jo vetëm e Ushtrisë, por edhe e sigurisë, mbrojtjes, zhvillimit dhe forcimit të shtetit tonë.

Prandaj, ju ftoj që të vazhdojmë së bashku me kontributet tona në Fondin e Sigurisë, për Ushtrinë tonë dhe të gjitha institucionet tona të sigurisë së vendit.

Donacionet  tuaj janë motivi dhe forca jonë e përbashkët.

Ju faleminderit!  /KultPlus.com

Serbia publikon film propagandistik imagjinar për “krimet shqiptare” gjatë luftës në Republikën e Kosovës

Filmi dokumentar me metrazh të gjatë “Nëntëdhjetë e tetë” nga seriali “Dosja e Kosovës”, i cili po realizohet bashkërisht nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Radiotelevizioni serb, ka pasur premierë në Kinematekën Jugosllave të martën në mbrëmje.

Siç thuhet në shkrimin e gazetës serbe “Tanjug”, ky film sjell dëshmitë tronditëse të viktimave dhe rindërtimin e atyre ngjarjeve tragjike në Rethymno, Opterusa dhe Rahovec në korrik 1998.

Autorët e këtij filmi gjatë gjithë kohës po propagandonin se si shqiptarët dhe UÇK-ja “ka kryer krime” ndaj Serbisë, duke mos e përmendur për asnjë moment faktin se janë më shumë se 1600 persona që akoma konsiderohen të zhdukur nga lufta e fundit në Republikën e Kosovës.

Disa prej masakrave më të njohur nga Lufta e Kosovës

Më 15 janar të vitit 1999, forcat serbe vranë 45 civilë shqiptarë në Reçak të Komunës së Shtimes.

Masakra e Jasharajve me 5,6 e 7 mars të viti 1998 ku forcat paramilitare serbe hynë në fshatin Prekaz dhe vrasin e masakrojnë 56 antarë të lagjes Jashari, mesin e tyre vritet edhe legjenda e kombit Adem Jashari.

Me 28 mars 1999 forca të armatosura hynë në fshatin Izbicë të Komunës së Skenderajt, ku kryejnë krime duke mos lënë anash as fëmijë, gra e pleq.

Ndërkaq, më 5 prill i viti 1999 ku forca të armatosura hynë në fshatin Rezallë të Komunës së Skenderajt, ku kryejnë krime duke mos lënë anash as fëmijë, gra e femije.

Në burgun famëkeq të Dubravës në komunën Istogut, që nga muaji dhjetor i vitit 1998 dhe sidomos qershori i vitit 1999 netët dhe ditët e ferrit nuk do të harrohen kurrë. Të gjitha këto barbari ishin të vështira për të gjithë ata shqiptarë që ishin të burgosur.

Më 25 mars, ushtria serbe kreu masakrën mbi fshatarët e Krushës së Madhe duke lënë kështu 105 të vrarë.

Masakra në Studime të Vushtrrisë, ku forcat paramilitare serbe, më 2 maj të vitit 1999 vranë 140 civilë shqiptarë, do të mbahet mend edhe për një akt të guximshëm të një gruaje, e cila në mënyrën më fatlume kishte shpëtuar fëmijën e vet 2-vjeçar, të cilin paramilitarë serbë ia kishin rrëmbyer nga krahu saj dhe për t’ia kthyer i kërkonin para. /KultPlus.com

Foto nga Masakra e Reçakut

Shkatërrohet banda italo-shqiptare, e përfshirë edhe këngëtarja Elsa Lila

Policia italiane ka shkatërruar një bandë kriminale që merrej me trafikun e drogës e përbërë nga 13 persona, italianë dhe shqiptarë.

Mes tyre është edhe këngëtarja e njohur shqiptare, Elsa Lila, 40 vjeçe, e cila thuhet se mbante llogaritë e shitjes së drogës. I përfshirë është dhe boksieri Petrit Bardhi, i njohur si “Titty”.

Janë lëshuar 13 urdhër arreste por deri tani në pranga ka rënë vetëm 9 persona, raportojnë mediat italiane.

Emri i boksierit Titty doli edhe gjatë një operacioni tjetër në korrik të  të Gico della Guardia di Finanza në vitin 2015.

Këngëtarja Elsa Lila ka lindur në Tiranë, Shqipëri, por prej vitesh jeton në Itali. Babai i saj ishte një këngëtar i ish-korit të shtetit shqiptar, ndërsa nëna e saj ishte violiniste, kështu që të dy prindërit e saj e rritën atë afër muzikës dhe teatrit, duke i dhënë asaj një dashuri të madhe për artet. Elsa kishte treguar talentet e saj të këndimit dhe aktrimit që kur ishte fëmijë në emisionet televizive shtetërore shqiptare dhe fitoi konkursin kombëtar të këngëve shqiptare 2 vjet me rradhë ndërsa ishte në vitet e adoleshencës. Ajo është gjithashtu e njohur për origjinën e rolit të Satine në versionin shqiptar të muzikës Moulin Rouge.

Top Channel

24 vjet nga protesta e grave ‘Bukë për gratë dhe familjet e Drenicës

Sot janë shënuar 24 vjet që nga protesta e grave ‘Bukë për gratë dhe familjet e Drenicës’, që u organizua më 16 mars të vitit 1998, shkruan KultPlus.

Protesta ‘Bukë për gratë dhe fëmijë e Drenicës’ që filloi pas masakrës në Prekaz të marsit të vitit 1998, ishte organizuar nga një grup i grave që synonin që të ngisnin vetëdijen për të drejtat e grave, por njëkohësisht edhe të reagonin edhe kundër politikave dhe ideologjisë Jugosllave të asaj kohe.

Më shumë se dymbëdhjetë gra kishim marshuar në këmbë nga Fushë Kosova drejt Drenicës teksa mbanin bukë do dorë të cilën do të ua dërgoni fëmijëve dhe grave në Drenicë.

Por, këto gra kishin edhe një synim tjetër krahas sigurimit të bukës për gratë dhe fëmijët e Drenicës, ato dëshironin që ti shfaqnin komunitetit ndërkombëtar që gratë dhe fëmijët në Drenicë po përballeshin me vdekjen. /KultPlus.com

FOTO: Michele Pero

5 librat që shërbyen si frymëzim për të shkruar disa nga këngët e preferuara të njerëzve

Muzika dhe librat ndikojnë mjaft shumë në jetën tonë, por sa kanë ndikim këto dy të fundit te njëra-tjetra?

Më poshtë KultPlus ju sjell 5 librat që shërbyen si frymëzim për të shkruar disa nga këngët tona të preferuara: 

“1984”

Romani distopian nga shkrimtari George Orwell është një roman i mirënjohur që trajton tema të pushtetit, manipulimit dhe dhunës. Kjo vepër frymëzoi artistin e rokut, David Bowie. Pas përpjekjes së tij të dështuar për të krijuar një përshtatje muzikore të romanit, ai u frymëzu të shkruaj albumin e dashur ‘Diamond Dogs’. Albumi përmban këngë të titulluara “1984” dhe “Big Brother”, të dyja të lidhura drejtpërdrejt me librin.

“The Lord of the Rings”

“The Lord of the Rings” e J.R.R. Tolkien nuk është vetëm një roman dhe seri televizive e njohur, por edhe frymëzimi që qëndron pas këngës “Ramble On” të Led Zeppelin, ku përmenden disa nga termat e romanit brenda teksteve, ‘Mordor’, ‘Gollum’ dhe ‘The Evil One’.

“Romeo & Juliet”

“Romeo & Juliet” e Shekspirit, frymëzoi këngën ‘Love Story’ të Taylor Swift, këngë nga albumi ‘Fearless’. Ajo përdor të dy emrat e personazheve, Romeo dhe Juliet, në tekstet e saj dhe për fat të mirë kënga ka përfundim të lumtur!

“On The Road”

Vepra “On The Road”, e Jack Kerouac, frymëzoi albumin, ‘Teenage Dream’, nga Katy Perry, veçanërisht këngën, ‘Firework’.

“Perfume: The Story of a Murder”

“Perfume: The Story of a Murder”, ky roman fantastik historik ndjek kuptimet emocionale të aromave, përmes jetës së një jetimi në Francën gjatë shekullit të 18 -të. Nirvana ishte ajo që e përshtati këtë roman, në këngën e tyre “Scentless Apprentice”. / KultPlus.com

Mehaj falënderon Torres për fushatën lobuese ndaj Kosovës

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka falënderuar kongresistin amerikan Ritchie Torres, për fushatën lobuese që ky i fundit po e bën rreth anëtarësimit të përshpejtuar të Kosovës në NATO dhe BE, shkruan KultPlus.

“Miku im, Kongresisti amerikan, Ritchie Torres, vazhdon fushatën lobuese për anëtarësimin e përshpejtuar të vendit tonë në NATO e BE”, ka shkruar Mehaj në Facebook.

Ai gjithashtu ka shtuar edhe pjesën se Torres së fundmi ka kërkuar edhe njohjen e Kosovës nga pesë shtetet e Evropës, për të cilën është shumë falënderues.

“Ju faleminderit shumë miku im Ritchie Torres, që demonstroni vlerat më të larta të përfaqësuesit të denjë të lirisë, paqes dhe demokracisë amerikane”, ka shkruar Mehaj.

Kongresisti amerikan Ritchie Torres, i cili po bën fushatë që Kosova të anëtarësohet në BE dhe NATO, u ka dërguar letra ambasadorëve të pesë vendeve të BE-së që ta njohin Kosovën si shtet i pavarur, gjithashtu ai i dërgoi letër edhe Presidentit Joe Biden dhe sekretarit të shtetit të Amerikës, Antony Blinken. /KultPlus.com

‘Jeta fillon duke u zgjuar dhe dashuruar fytyrën e nënës’

Thënie të njohura për nënën

Theodore Hesburgh: Gjëja më me rëndësi që babai mund të bëjë për fëmijën është ta dashurojë nënën e tyre!

Abraham Lincoln: Gjithçka që jam apo shpresoj se do të jem, ia kam borxh nënës time engjëllore!

Erich Fromm: Dashuria e nënës është paqja. Nuk ka nevojë të fitohet, nuk ka nevojë të meritohet!

William Makepeace Thackeray: Nëna është emri i Zotit në buzët dhe zemrat e fëmijëve të vegjël!

George Eliot: Jeta fillon duke u zgjuar dhe dashuruar fytyrën e nënës!

Rumi: Kemi lindur nga dashuria; dashuria është nëna jonë!

Louisa May Alcott: I lumtur është djali besimi i të cilit te nëna mbetet i pandryshuar!

Robert Frost: Nuk keni nevojë të meritoni dashurinë e nënës; keni nevojë të meritoni dashurinë e babait!

Marion C. Garretty: Dashuria e nënës është karburanti që lejon një person të thjeshtë për të arritur të pamundurën!

Proverb irlandez: Burri e do të dashurën më së shumti, gruan më së miri, e nënën më së gjati!

Arlene Benedict: Në veshët e një fëmije, fjala “nënë” është magjike në të gjitha gjuhët!

Proverb bolivian: Ka mijëra gra, por vetëm një nënë!

Sophia Loren: Kur je nënë, nuk je kurrë vetëm në mendimet e tua. Një nënë gjithmonë duhet të mendojë dy herë. Një për vete dhe një për fëmijën e saj!

Osho Rajneesh: Në momentin që lind një fëmijë, lind edhe nëna. Ajo nuk ekzistonte më parë – gruaja ekzistonte, por kurrë nëna. Nëna është qenie e re!

Anonim: Nëna mban duart e fëmijës për pak… e zemrat përgjithmonë! /KultPlus.com

A e din se nuk t’du?

Poezi nga Erina Çoku

Ti nuk din gjâ, po unë nuk të du.

E ngase unë nuk të du,
dhe ktë s’e lun as guri
toka asht shqetësu
e po rrotullohet kadalë e mjera,
prandej diçka për botën unë duhet me bâ:
Se nuk të du duhet me t’njoftu.

Uh, duhet me marrë ‘i copë udhë t’gjatë
e me mbrritë n’cakun tand
me ta thanë qartë ballë për ballë
se nuk të du, as ‘i fije.

E ngase unë nuk të du,
dhe kësaj nuk i lëviz as presja
filli i hânës â bjerrë
e gjysë ka mbetë e shkreta,
kshu që unë diçka për hânën duhet me bâ:
Se nuk të du duhet me t’tregu.

Uh, duhet me t’u avitë fort
ngjitë me ty qerpik m’qerpik
me ta rrëfy n’dritë t’synit
se nuk të du, as ‘i grimë.

E ngase unë nuk të du
dhe kjo asht krejt e dukshme
dielli n’mendime krejt ka râ
e brenda reve mshihet shpesh i vorfni.
A kam si diçka për të unë mos me bâ?
Se nuk të du aspak, duhet me t’ sqaru.

Uh, duhet me t’folë njat mu n’vesh
që n’kryt tand këto fjalë mosdashnie
bashkë me zanin tim t’hyjnë sak
e ti fije dyshimi mos me pasë:
Nuk të du, nuk të du, pra.

E ngase unë nuk të du
ajri, uji e dheu janë bâ lâmsh
sa kurrkush drejtim s’po di m’u dhanë,
si mundem unë për kyt rruzull mos me bâ gjâ?
Prandej, se nuk të du, ty vrik duhet me t’kallëzu.

Uh, duhet buzë n’buzë me tu avitë
frymën bashkë me ndërru pa frikë
që sa pa u tretë avulli i fjalëve ti t’kesh ditë
se unë ty me t’dashtë nuk kam sesi.

A merr vesh se nuk të du apo ta them prapë? / KultPlus.com