Kurrë mos i beso njeriut të bardhë, Kurrë hebreun mos vrit, Kurrë mos nënshkruaj kontratë, Kurrë mos i vër qira stolit. Mos u regjistro në ushtri; As me shumë gra mos u marto; Kurrë mos shkruaj në gazetari; Kurrë kosheret e tua mos i shpo. Gjithmonë vër në ndenjëse letër, Mos u beso luftërave, Ji gjithnjë i dëlirë, i pastër, Kurrë mos ji bashkëshort i kurvave. Kurrë mos i paguaj shantazhuesit, Kurrë mos shko në gjykatë, Kurrë mos i beso botuesit, Se përndryshe do flesh në kashtë. Tërë miqtë e tu do të të braktisin Tërë miqtë e tu kanë për të vdekur Ndaj bëj një jetë të përkorë e të shëndetshme E në qiell ke për t’i gjetur./ KultPlus.com
Ditë e mahnitshme! Lulet lahen me vesë, Kuajt hingëllijnë e lopët pëllasin për viçat, Shtërgu në plepin pa majë rri mes folesë Dhe trëndafili i bardhë fsheh spicat Fletëve të dendura nën kurorat me palë, Ndërsa këndezi mburret, se tej nga plevicat, Mposhti një natë, megjithse ngadalë. Ditë e mahnitshme! Duket sikur kësaj dite, që herët me natë, Zoti kishte mbaruar të gjitha krijimet Dhe nisej tani drejt një pushimi të gjatë Majë Tomorrit diku në burimet, Ose atje në Kulmak në barakë Pa gjë në trastë, Pa skicat, pa zhgarravitjet, pa vizatimet, Veç me peshqirin e bardhë në qafë. Ditë e mahnitshme! /KultPlus.com
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, së fundmi ka dhënë një opinion për prestigjiozen britanike “The Economist”, ku edhe ka folur për zhvillimet e fundit në rajon dhe luftën që po ndodh në Ukrainë, përcjell KultPlus.
Osmani ka përsëritur edhe një herë tjetër pjesën e një destabilizimi që mund të ndodhë në Ballkan, në qoftë se Rusia vazhdon luftën e saj në Ukrainë, duke përmendur këtu edhe Serbinë.
“Putin i ka kthetrat e tij të ngulitura thellë dhe fort në rajonin tonë përmes ndikimit që ushtron mbi përfaqësuesin e tij, Serbinë, e cila ka intensifikuar përpjekjet për të destabilizuar Kosovën, Bosnjë-Hercegovinën dhe Malin e Zi”, tha ajo.
Presidentja thotë se mbështetja ushtarake që Rusia i ofron Serbisë, duhet të jetë një shqetësim për ndërkombëtarët.
“Në vitin 2012, para se Vuçiq të vinte në pushtet, Serbia kreu dy aktivitete ushtarake me aleatin e saj lindor. Pas gati një dekade të udhëheqjes së tij, numri i këtyre llojeve të aktiviteteve është rritur në mënyrë eksponenciale. Partneriteti midis dy vendeve është kaq vendimtar për të dyja palët, dhe blerja dhe donacionet e armatimit të rëndë aq të konsiderueshëm, sa Moska ka hapur një zyrë të mbrojtjes në Beograd dhe një qendër “humanitare” në Nish që ka pikëpyetje të rëndësishme për misionin e saj të pretenduar. . Nuk është çudi që Departamenti i Mbrojtjes i SHBA-së ka deklaruar se Serbia ofron “mjedisin më lejues” për ndikimin rus në rajonin tonë”, u shpreh Osmani.
Përsa i përket refuzimeve të drejtpërdrejta nga Serbia, Osmani thotë se kjo gjë nuk është një befasi.
“Tani është koha për të folur qartë se ku qëndrojmë: Kosova dhe partnerët e saj në mbarë botën janë në anën e Ukrainës, ndërsa Serbia ka zgjedhur të mbajë anën e Putinit”, vazhdoi më tej.
Sipas Osmanit, gjatë viteve të fundit, pavarësisht se ka folur për një lojë të mirë për vlerat evropiane, Serbia e ka rritur bashkëpunimin e saj politik, ushtarak dhe ekonomik me Rusinë në nivele të padëshmuara më parë, madje edhe nën regjimin e Millosheviçit.
“Zhvendosja e Serbisë drejt autokracisë ka qenë gradual dhe, më e rëndësishmja, e qëllimshme. Për një kohë të gjatë e mbetur e pa kundërshtuar apo edhe e pranuar, sot Serbia paraqet një kërcënim të rëndësishëm për stabilitetin në Evropë. Kjo është tashmë e dukshme në të gjitha indekset ndërkombëtare për demokracinë, median dhe liritë. Rënia e vlerësimit të Serbisë është dëshmi e prirjes së saj gjithnjë e më autokratike”, deklaroi Osmani. /KultPlus.com
Në vitin 1942 Shqipëria ishte e pushtuar nga Italia dhe Departamenti i Shtetit nuk e njihte më Konicën si përfaqësues diplomatik të vendit të tij.
Jeta e Faik Konicës në Uashington ishte modeste. Paguante qiranë e apartamentit, rreth 80 dollarë në muaj, pastaj stenografen dhe sekretaren Charlotte Graham, e cila punonte për të prej 12 vitesh, si dhe shërbyesit, Hattie Williams me burrin e saj. Kohët e fundit kishte marrë para borxh nga disa miq, diçka më pak se njëmijë dollarë. Jetonte si një aristokrat i rënë nga vakti, sepse, ndërsa merrte hua për të shtyrë pagesën e qirasë, në garderobën e tij kishte ndonja dhjetë kostume shik, një numër palltosh, plot kapele e këpucë si dhe një koleksion të bukur veshjesh zyrtare. Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress
Ishte e hënë, ora 5 pasdite e datës 14 dhjetor, kur Faiku pësoi hemoragji cerebrale. Hattie, që i kishte shërbyer prej vitesh, e gjeti të rrëzuar në banjë dhe e ndihmoi të shkonte në shtrat. Faiku kërkoi të telefonohej sekretarja dhe ajo arriti pas 30 minutash. Charlotte ishte një grua e përpiktë dhe e sjellshme dhe Faiku i besonte ashtu si vetes së tij. I tha se kishte një dhimbje të fortë në sy dhe Charlotte propozoi të thërrisnin mjekun, Robert Oden. Megjithë kundërshtimet e Faikut, mjeku u thirr. Dr. Oden, ndër më të njohurit e Uashingtonit dhe mik i vjetër i Faikut, e kuronte nga hipertensioni kronik prej 14 vjetësh. Dr. Oden i mati tensionin. Aparati tregonte 250/140 dhe mjeku tha se Faiku ishte në rrezik prandaj duhet të merrej një infermiere ose të dërgohej në spital.
Charlotte vendosi ta kalonte natën në apartament. Vonë në mbrëmje Faiku e thirri nja dy herë, pastaj kërkoi ujë.
Para mesnate, kur Charlotte kishte filluar t’i shkruante një letër të shoqit, i cili shërbente në Forcën Ajrore, vuri re se Faiku kishte vështirësi në frymëmarrje por nuk dukej dhe aq keq. Fliste përçart, “there is no answer”, thoshte në anglisht, “përgjigja nuk po vjen”. Sekretarja shkoi të marrë një sy gjumë në divanin e dhomës së ndënjes dhe u zgjua në 5 të mëngjesit. Ai dukej se flinte i pabezdisur, i shtrirë në kurriz me krahun e majtë nën kokë. Nga ora 8, Charlotte shkoi ta shohë përsëri. Ai nuk kishte lëvizur fare dhe sytë i kishte paksa të hapur dhe të përhumbur. I telefonoi Dr. Odenit, i cili e udhëzoi t’i prekte dorën. Ajo ishte e ftohtë dhe e sertë. E kuptoi se Faiku ishte shuar. Ishte data 15 dhjetor 1942. Dr. Oden i tha se do të vinte sapo të mbaronte një operacion. Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress
U vendos që trupi të dërgohej në shtëpinë e funeraleve Hysong aty pranë. Gjërat kishin ndodhur shpejt dhe Charlotte ishte e hutuar. Dr. Oden pyeti për familjen e të ndjerit, nëse sekretarja e dinte se ku ndodheshin njerëzit e tij. Pyeti për gjendjen financiare të Faikut, pasi duhej një garanci për shërbimin funeral. Charlotte i tha se Faiku kishte 15 dollarë e 54 cent në apartament, por priste një pagesë prej 2,100 dollarësh, që ministri i Oborrit, Martini, kishte nisur me kabllogram nga Londra. Oden tha se do të bëhej vetë garant.
Sekretarja i telefonoi Departamentit të Shtetit dhe kërkoi të fliste me dikë që merrej me punët e Shqipërisë. Zëri i dridhej. I thanë se dikush do ta merrte pak më vonë. Pasdite, në telefon u paraqit Wesley Jones, zyrtar i sektorit të çështjeve evropiane, të cilit Charlotte i tregoi me hollësi se ç’kishte ndodhur. Folën për arkivat e legatës shqiptare dhe ajo i tregoi se ato, bashkë me vulat, i ishin dorëzuar me kohë ambasadës italiane. Në apartament, i tha, nuk ka asnjë objekt zyrtar të qeverisë shqiptare dhe të gjitha dokumentet e sendet e tjera janë pronë e tij personale.
Çertifikatën e vdekjes së Faikut me logon District of Columbia e firmosi Dr. Oden. Pasi shënoi vendlindjen e të ndjerit, Konitza, Albania, shkroi datën e lindjes, 15 prill 1876 dhe të vdekjes, 15 dhjetor 1942.
Disa nga gazetat e mëdha të Amerikës i kushtuan vdekjes së Faik Konicës nga një kolonë modeste. Meqenëse ai kishte tre vjet e ca që ishte shkëputur nga qarqet diplomatike, harresa kishte bërë punën e saj prandaj një pjesë e mirë e fakteve rreth të ndjerit ishin të pasakta. Një gazetë lokale e ngatërronte me të vëllanë, Mehmetin. Në New York Times ai përmendej më tepër si dramaturg dhe pastaj flitej për atë historinë e tij të çuditëshme me Ann Corion. Megjithatë, disa nga të vërtetat e njohura thuheshin. Washington Post-i përmendte, për shembull, “aftësinë e tij të shkëlqyer të të shprehurit” dhe “sensin e mrekullueshëm të humorit”.
Askush në shtypin amerikan nuk e kujtoi Faikun më bukur se sa kritiku i Sekretarit Hull, Drew Pearson në rubrikën The Washington Merry-go-Round:
“Një diplomat i vjetër dhe i vetmuar vdiq thuajse pa u vënë re në Uashington. Ai ishte përfaqësuesi i njërit prej vendeve më të vegjël të Evropës, ndër të parët që u gllabëruan nga Boshti. Për 20 vjet, Faik Bej Konica bëri miq për vendin e tij të panjohur. Por papritur, në prill 1939, bota e tij diplomatike pushoi së ekzistuari kur Musolini, i cili po e ndiqte me lakmi pushtimin e Austrisë nga Hitleri, mendoi se tani ishte radha e Italisë dhe futi trupat në Shqipërinë e pambrojtur. Por ai qe i vetmi në Uashingtonin zyrtar që dukej i shqetësuar. Departamenti i Shtetit i zotit Cordell Hull nuk bëri asnjë lëvizje apo protestë. Konicës madje nuk iu dha as kortezia që të mbahej në listën diplomatike zyrtare, gjest që iu akordua vendeve të tjera të pushtuara. Në atë kohë, Departamenti i Shtetit ishte duke e përkëdhelur Musolinin dhe Shqipëria nuk kishte rëndësi. Ministri Konica e la hotelin Mayflower dhe u vendos në një apartament të vogël ku mbajti zi për shuarjen e vendit të tij. Atje, ai vdiq fare qetësisht”. (Nga libri: “Faik Konica, jeta në Uashington”, botim i dytë, UET Press 2017)./ KultPlus.com
Kënga e Dua Lipës me titull “Levitating” e regjistron një javë të 70-të në Billboard Hot 100 (në tabelën e datës 19 mars 2022), duke rishkruar rekordin për më shumë javë të shpenzuara ndonjëherë në sondazh nga një grua, përcjell KultPlus.
“Levitating” është kënga e pestë që kaloi të paktën 70 javë në Hot 100 në Billboard, që daton që nga fillimi i tabelës në gusht 1958.
“Levitating” u ngjit në numrin 2 në Hot 100 të datës 22 maj 2021 dhe, i nxitur nga jetëgjatësia e tij, mbretëroi si titulli kryesor në tabelën “Hot 100 Songs” të fundvitit 2021 të Billboard. (Ka kaluar 41 javë në top 10, më së shumti për një këngë nga një grua dhe e dyta në përgjithësi vetëm pas 57-javëve të top 10-save të “Blinding Lights.”)
“Është mirë pasi punon kaq shumë, veçanërisht nga pandemia, kur ke burime të kufizuara,” u mrekullua Lipa për Billboard kur mësoi për këngën e saj “Levitating”.
“Pra, kjo do të thotë shumë për mua. Ajo se çfarë është duke bërë kënga “Levitating” në tabelën e Billboard është absolutisht surreal. Është absolutisht magjepsëse për mua. Unë jam vërtet, vërtet, shumë mirënjohëse për të gjitha.”
“Levitating” është gjithashtu hiti më i gjatë i Hot 100 në historinë e Warner Records. /KultPlus.com
Faik Konica, një njeri me kulturë të lartë, eseist i shkëlqyer, stilist i përkryer, themelues teorik dhe praktik i kritikës letrare shqiptare, është ndër figurat më të shquara shqiptare.
Konica përveç si kritik letrar ka qenë edhe veprimtar politik me orientim perëndimor, siç ishte kultura e popullit që i takonte, poliglot, solli një model të ri në mendësinë shqiptare.
KultPlus ju sjellë 7 thënie të Faik Konicës për shqiptarët:
1. Dëshira për hakmarrje është susta më e fuqishme e shpirtit shqiptar. ( 1907).
2. Të mbetur pa unitet fetar, e vetmja lidhje që ka mbajtur shqiptarët të bashkuar ka qenë gjuha. (1906).
3. Shqiptarët janë populli më mosbesues në botë. (Kujtesë për lëvizjen kombëtare shqiptare).
4. Asgjë nuk i ftoh më shumë shqiptarët se t’u thuash që kanë të bëjnë me një copë injoranti që i drejton.
5. Shqiptari e ka zakon të kundërshtojë para se të marrë vesh.
6. Shqiptarët janë një komb të cilit i pëlqen të lëvdojë veten. Si thonë gojë-rrumbullët tanë, kombi shqiptar është i pari nga mendja, nga sjellja e nga trimëria. Sikur shqiptarët të qenë jo kombi më i mendshmi, por thjesht një komb i mendshëm, ata do të kishin dalë me kohë nga dita e zezë ku ndodhen. (Vepra 1, f. 271).
7. Shqipëria është një vend i bekuar me njëmijë bukurira, shkelur nga turmë e cila ushqen njëfarë urrejtje ndaj bukurisë. (Vepra 2, 34)./KultPlus.com
Faik Konica lindi më 15 mars 1875 në Konicë. Pasi mori mësimet e para në vendlindje, ndoqi Kolegjin Jezuit Saverian të Shkodrës e më pas studimet e liceut perandorak francez të Stambollit. Pasi kreu shkollën e mesme në Francë, vazhdoi studimet në Dizhon për filologji romane dhe më pas u diplomua në universitetin e Harvardit të SHBA-së, ku mori gradën “Master of Arts”.
Më 1897, në Bruksel botoi numrin e parë të revistës politike kulturore e letrare “Albania”. Pas vajtjes së tij në Boston, së bashku me Fan Nolin, themelojnë gazetën Dielli, një organ i rëndësishëm i Federatës Panshqiptare “Vatra”.
Më 1912 në emër të Federatës Vatra, shkon në Londër për të mbrojtur interesat kombëtare shqiptare në Konferencën e Ambasadorëve në Londër. Më 1921, Konica zgjidhet kryetar i Federatës Vatra dhe me rimarrjen e drejtimit të gazetës Dielli, ai shkruante në një rubrikë të tijën “Shtylla e Konitzës”.
Më vitin 1926, Faik Konica emërohet Ministër Fuqiplotë i Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara. Vdiq në Uashington më 15 Dhjetor 1942. Në vitin 1995, pas rënies së diktaturës komuniste, eshtrat e tij u sollën në Tiranë.
Me veprën e tij letrare e me shkrimet kritike, Konica pasqyron një njohje të thellë të mendësisë shqiptare, e jetës politike shqiptare. Gjatë veprimtarisë së tij është përpjekur për një gjuhë letrare të përbashkët dhe ndihmoi në pasurimin e zhvillimit të stilit letrar dhe publicistik të shqipes së shkruar. Krijimtaria e tij ka mbetur në pjesën më të madhe e botuar në shkrime të shtypit të kohës dhe në dorëshkrime.
Faik Konica mbetet një figurë qendrore dhe një pikë referimi në ecurinë e kulturës sonë moderne. / KultPlus.com
I lindur në Oxford në vitin 1942, Stephen Hawking është një prej mendjeve më të ndritura në botë.
Bashkë me Roger Penrose ai tregoi se Teoria e Relativitetit e Ajnshtajnit konsideron se koha dhe hapësira kanë pasur pikënisjen në Big Bang ndërsa përfundojnë në vrimën e zezë. Hawking ka pranuar 12 diploma të fuqishme botërore ndërsa edhe ka shkruar disa libra gjatë jetës së tij, të cilët edhe sot lexohen për të kuptuar ideologjinë dhe pikëpamjet e tij.
Po i sjellim këtu tre libra të cilët mund ti lexoni nëse dëshironi të kuptoni më shumë për këtë fizikan dhe kozmolog të njohur. Disa prej librave mund ti gjeni edhe në gjuhën shqipe.
“A Brief History of Time”
Rreth 9 milion kopje të shitura të këtij libri të përkthyer në 40 gjuhë të botës tregojnë më shumë për rëndësinë dhe fuqinë e librit të botuar në vitin 1988. Libri është shkruar për fillestarët, për ata që nuk kanë njohuri për teoritë shkencore, ndërsa flet për universin, për kohën dhe për hapësirën, dhe për gravitetin si forcë . Në libër diskutohen relativiteti gjeneral dhe mekanika kuantike dhe për teorinë unifikuese, e cila përshkruan çdo gjë në hapësirë në mënyrë koherente. Hapësirat e zeza janë yjet që kanë kollapsuar në një pikë shumë të vogël.
“The Grand Design”
Si dhe kur nisi universi? Pse jetojmë? Pse jemi këtu në këtë botë? Cila është natyra e realitetit? Pse natyra na pranon dhe pse ligjet e saj janë kaq të pranuara nga ekzistenca jonë? Shkenca, apo Zoti? Pyetjet e shumta janë pjesë e këtij libri që konsiderohet si kryevepra e Hawking. Në libër, mes tjerash përshkruhet se si kozmosi nuk e ka vetëm një histori dhe ekzistencë, por se si çdo histori e mundshme e universit ekziston rastësisht. Një gjuhë brilante dhe shumë e thjeshtë e ka bashkuar Hawking dhe Mlodinow për të shkruar këtë libër.
“The Universe in a Nutshell”
Një mendimtar i denjë, Hawking në këtë libër ka përfshirë nocionet e librave të kaluar. Gati në secilin libër që ka shkruar, ai nuk ka lënë jashtë vrimat e zeza (black holes) apo gravitetin, apo mekanikën kuantike dhe Teorinë M. Në libër vjen edhe “Teoria e Gjithçkaje” – që shtrihet në zemër të universit. Në libër provohet të bashkohen Teoria e Ajnshtajnit dhe ajo e Feynman për të krijuar një teori e cila do të përshkruante gjithçka që ndodhë në kozmos. Libri është botuar në vitin 2001 ndërsa është vazhdimësi e librit të parë që propozuam sot. / KultPlus.com
Këngëtarja 63-vjeçare, Madonna lansoi remixin e këngës hit, “Frozen”, e cila për herë ishte lansuar në vitin 1997.
25 vjet më vonë, videoklipi zyrtar i këngës remix tashmë është lansuar në platformën YouTube.
Ylli i hitit “The Material Girl” dukjen e kompleton me flokët e gjata të bardha dhe stolitë prej diamanti.
Remixit të ri të këngës “Frozen” i janë shtuar tingujt e muzikës elektronike nga DJ dhe producenti Sickick, derisa këngëtari nigerian Fireboy DML e plotëson projektin me pjesën e tij të interpretimit. Regjinë e videoklipit të ikonës së muzikës e ka bërë Rocardo Gomes.
Ikona amerikane e muzikës, Madonna, së fundmi i ka paralajmëruar fansat se është rikthyer në studio incizuese dhe do të lansojë muzikë të re gjatë gjithë vitit.
“Sa mirë të kthehesh në studio dhe të bësh muzikë sërish. Shumë befasi do të vinë gjatë vitit 2022”, kishte shkruar Madonna në një postim në Instagram.
Mbretëresha e muzikës pop gjatë karrierës disa dekadëshe i ka lansuar 14 albume të incizuara në studio. Kënga “Frozen” ishte pjesë e albumit, “Ray of Light”, i cili u lansua në vitin 1998 dhe i shiti 16 milionë kopje anembanë botës. / KultPlus.com
Kryeministri ukrainas Denys Shmyhal tha se Ukraina është në zjarr ndërsa kërkoi që Rusia të përjashtohej nga Këshilli i Evropës.
“Për 18 ditët e fundit bota më në fund hapi sytë,” tha Shmyhal, duke iu referuar veprimeve ruse në Ukrainë.
Tiny Kox, president i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, tha se këshilli do të shqyrtojë nëse për herë të parë në historinë moderne një shtet anëtar mund të përjashtohet.
Kox tha se pasojat e pushtimit të ushtrisë ruse do të debatohen në orët e ardhshme dhe të martën.
Federata Ruse u bë shteti i 39’të anëtar i Këshillit të Evropës më 28 shkurt 1996, sipas faqes së internetit të Këshillit të Evropës.
“Më 25 shkurt 2022, Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës vendosi të pezullojë Federatën Ruse nga e drejta e përfaqësimit në Komitetin e Ministrave dhe në Asamblenë Parlamentare, në përputhje me nenin 8 të Statutit të Këshillit të Evropës.”, shton faqja e internetit. / KultPlus.com
Stephen Hawking ishte shumë më tepër se një fizikan teorik me një film fitues të çmimit Oscar dedikuar për të. Ai ka dhënë kontribute të çmuara jo vetëm për botën e shkencës, por edhe për vetë jetën për të gjithë ata që donin të mësonin diçka prej tij.
Përgjatë karrierës së tij, Hawking na ka ndihmuar të kuptojmë më mirë planetin, dhe në të njëjtën kohë, edhe veten tonë. Këto janë disa mendime që ai i ka ndarë me të gjithë dhe që kanë pasur një ndikim të madh tek unë. Ndoshta do të ndikojnë po aq fuqishëm edhe tek ty.
“Unë jam thjesht një fëmijë që nuk është rritur kurrë. Unë ende vazhdoj të pyes pyetje të tipit “si” apo “pse”. Ndonjëherë gjej përgjigje e ndonjëherë jo”.
Hawking na kujton se duhet të qëndrojmë po aq kuriozë sa ishim, kur ishim fëmijë. Ai na tregon se si të jemi guximtarë. Jo çdo gjë është e mundur dhe përgjatë gjithë pamundësive, ne mund të marrim përgjigje thjesht duke bërë pyetje. Ndonjëherë mund të mos marrim përgjigjen që duam, ose të mos marrim fare përgjigje, por kjo gjë nuk duhet të na pengojë që të mos bëjmë pyetje. Vetë jeta është një pikëpyetje e madhe, për të cilën asnjëherë nuk do të ndalesh së i pyeturi të tjerët dhe veten për të marrë përgjigje.
“Nëse do të duhet të zgjidhja të isha një superhero, do të zgjidhja Supermenin. Ai është gjithçka që unë nuk jam”.
Hawking, në mesin e më të suksesshmëve dhe më të zgjuarve në botë, sërish ka ëndrra si çdokush tjetër. Dëshira e tij për të bërë gjëra që nuk i ka bërë më aprë, apo për të qenë si dikush tjetër, e bën atë njësoj si të gjithë ne. Ne të gjithë jemi njerëz në fund të fundit, dhe si njerëz ne mund të bëjmë aq sa na lejojnë mendja dhe trupi ynë.
Hawking mund të mos kishte superfuqi për të fluturuar si Supermeni (ai vuante nga sëmundja e Lou Gehrig, ose e njohur ndryshe si ALS – skleroza amniotrofike laterale), por ai kishte një inteligjencë shumë më të madhe se çdo personazh superhero nëpër libra apo filma.
Ai arriti të tejkalonte barrierat dhe të mahniste botën me zbulimet e tij. Çdokush në gjendjen e tij do të ishte ndalur, nuk do të donte më të jetonte, por Hawking na tregon se njerëzimi i gjithë ka të bëjë me ëndrrat dhe synimet që i vendos vetes dhe për të cilat punon fort t’i arrish.
“E shkuara, ashtu si e ardhmja, është e pafundme dhe ekziston si një pasqyrë mundësish”.
Nga ky përfundim i shkencëtarit, unë arrij të kuptoj edhe një herë rëndësinë e të jetuarit në të tashmen. Ndërsa jetojmë ditë pas dite, ne vihemi përballë një numri të madh mundësish. Ne kemi fuqinë të bëjmë gjëra të mëdha, por të cilat mund t’i arrijmë në të tashmen.
Ne mund të shohim nga e shkuara duke menduar për mundësitë që na janë ofruar dhe të mendojmë për mundësitë që mund të na ofrohen në të ardhmen. Në këtë moment na është falur e tashmja dhe është detyrë e jona ta shfrytëzojmë në mënyrën e duhur”.
“Cilësia që dua të veçoj, është empatia. Ajo na mbledh së bashku dhe na jep një ndjesi më të paqtë, më të dashur”.
Hawking ka thënë: “Cilësia më e keqe e njeriut, të cilën do doja ta ndryshoja, është agresiviteti”. Ai vuri në dukje se agresioni ka qenë një cilësi që i lejonte njerëzit të mbijetonin në ditët e urisë, por që tashmë është një dëm për njerëzimin. Që në vitin 2015, ai ka mbështetur gjithmonë e më tepër rëndësinë e empatisë.
Shkencëtari ka shpjeguar se vetëm empatia mund ta luftojë siç duhet agresivitetin. Koncepti i empatisë është duket tepër i thjeshtë, por sërish mbetet një cilësi, për të cilën vënia në zbatim has tepër vështirësi. Empatia është ndjesia e mirëkuptimit dhe aftësisë për të ndarë me të tjerët eksperiencat dhe emocionet. Vetëm duke u vënë në praktikë, ajo mund të na çojë në ndryshime të mëdha dhe pozitive. /filozofia.al/ KultPlus.com
Einstein vdiq në Prill të vitit 1995, në Princeton.
Fotografi i njohur Ralph Morse, i cili në atë kohë punonte për revistën e mirënjohur ‘Life’, sapo u informua për vdekjen e gjeniut, u nis për në Princeton, ku hasi në shumë gazetarë e foto-reporterë dhe duke mos mundur të deportojë përmes turmës, u nis drejt Institutit të Studimeve të avancuara, aty ku edhe ishte zyra e Einstein-it.
Më vonë fotografi ka treguar për mediat amerikane se të hynte në zyrën e Einstein-it nuk kishte qenë edhe aq e vështirë, ai kishte korruptuar sigurimin me një shishe pije alkoolike.
Fotografia e shkrepur u publikua në revistë një ditë pas vdekjes së Einstein-it, ku vërehen dokumentet dhe gjërat personale ashtu siç edhe i kishte lënë ky i fundit. / KultPlus.com
Veprimtarinë e nisi si mësues në Kolegjin Arbëresh të Shën Dhimitër Koronës, për t’u kthyer më pas në Shqipëri, ku filloi të jepte mësim në Normalen e Elbasanit.
Aleksandër Xhuvani lindi në Elbasan më 14 mars 1880 në një familje të njohur për kontributin kombëtar e kulturor. Mësimet e para i kreu në vendlindje, të mesmet, në Çatillë të Maqedonisë. Më pas studioi filologji në Athinë, ku edhe u diplomua. Është një nga pionierët e arsimit dhe të gjuhësisë shqiptare.
Mjafton të kujtojmë këtu fjalimin që Xhuvanit mbajti mbi varr të Atë Gjergj Fishtës, për të treguar qartë vlerësimin e e tij të thellë për kontributin e klerit katolik e personalisht të Kangëtarit të Lahutës:
“Si vetimë u përhap an’ e kand të Shqipnisë lajmi i hidhët i vdekjes së poetit t’onë Kombëtar, At Gjergj Fishtës dhe e mahniten mbeti sot mbarë bota shqiptare, tue kujtue emnin zamadh të autorit të “Lahutës së Malcisë” që ka këndue, si dikur Omeri, burrnin e besën e fisit tonë, që ka ndezë zemrat e Shqiptarëvet, si dikur Tirteu, i vjetërsisë. E me të drejtë i kan thënë Fishtës “Tirteu i Shqipnisë, se sikurse ai me elegjitë e tij ndezi zemrat e Spartanëve për luftë, njashtu dhe epopeja e “Lahutës”, odet dhe elegjitë e “Mrizit të Zanave” e të poezive të tjera kanë mbledhë në zemër të djelmnisë sonë dashuninë e pamasë për truellin e të parëve dhe për gjuhën amtare. Këto dy ideale: Atdhedashunia dhe rujetja e gjuhës si dritë e synit, lavrimi dhe përdorimi e saj kanë qenë polet rreth së cilave shtrihej vepra e çmueshme e Fishtës. E s’ka kush tjetër veçse ne arsimtarëve që kemi pasë e kemi nëpër duer edhe ua kemi mësue nxënësve poezitë e tij, që e çmon ma mirë veprën zamadhe të tij, e cila sot si një far i madh dritëdhanës ka ndriçue mendjen e djelmënisë sonë, si një Ungjill shkëndimadh morali ka zbutë e ka edukue zemrën e saj”.
Aleksandër Xhuvani vdiq më 22 nëntor 1961. / KultPlus.com
Misioni evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, EULEX, njoftoi të hënën se do të përforcojë njësinë e tij të specializuar policore me një njësi rezervë.
Në një komunikatë dërguar mediave, EULEX tha se kjo njësi, e përbërë prej 92 pjesëtarëve të Forcës Evropiane të Xhandarmerisë, nga Portugalia, Franca dhe Italia, “do të zbarkojë përkohësisht në Kosovë gjatë javëve në vijim” për të përforcuar, siç tha, “kapacitetet e Njësisë Policore të Specializuar të EULEX-it”.
“Njësia Policore e Specializuar Rezervë do të mbështesë EULEX-in për përmbushjen e detyrave të tij, përfshirë si reagues i dytë i sigurisë në Kosovë, nëse është e nevojshme”, thuhet në komunikatë.
Njësia e Specializuar e rregullt e EULEX-it përbëhet prej 105 zyrtarësh policorë nga Polonia, që janë të stacionuar në Mitrovicë.
Në Kosovë, reaguese e parë e sigurisë është Policia e Kosovës; EULEX-i është i dyti, ndërsa misioni paqeruajtës i NATO-s, KFOR-i, është i treti.
Javën e kaluar, misioni i Bashkimit Evropian në Bosnje e Hercegovinë, EUFOR, ka dërguar 500 ushtarë shtesë në këtë vend.
Komandanti i EUFOR-it në Bosnje, Anton Wessely, ka thënë se trupat shtesë janë vendosur si masë paraprake dhe se nuk ka informacione për kërcënime të sigurisë në këtë vend.
Trupat e EUFOR-it kanë mbërritur në Bosnje në kohën e luftës në Ukrainë, e cila, sipas Wessleyt, është një çështje shqetësuese për të gjithë Evropën. /REL/ KultPlus.com
Sipërmarrësi dhe autori ‘bestselling’ i librit ”Unlocked: the power of you”, Gezim Gashi së shpejti do të zhvilloj një ligjëratë me Shoqatën e Studentëve Shqiptarë në Universitetin e Harvardit në Amerikë, përcjell KultPlus.
Me datën 2 prill ai do të rrëfejë se si duhet të zbulohet suksesi i juaj nëpërmjet metodës së tregimit.
Ngjarja do të mbahet në “Boylston Hall 110 – Fong Auditorium” brenda Universitetit të Harvardit, duke filluar nga ora 18:00.
“Mezi pres të vij në @harvard dhe të takoj të gjithë studentët. Shihemi me 2 prill”, ka shkruar Gashi në rrjetet sociale. / KultPlus.com
Kompozitori i njohur Aleksandër Peçi ka arritur sukses tek publiku vjenez me koncertin e tij, ku u interpretuan pjesët kontemporane të krijmtarisë së tij nga 3 instrumentistë të talentuar shqiptarë.
Koncerti u dha në sallën Alten Rathais të Bank Austria, një nga sallat më prestigjioze të Vienës, duke dhuruar një natë magjike në këtë ambient aristokrat, ku muzika shqiptare kumboi e jashtëzakonshme nën interpretimin e instrumentistëve Kosti Deti Janela Nini dhe Kristi Hifzi.
Kompozitori Peçi shprehu mirënjohjen për profesor Markus Prause me të cilin studiojnë Kosti dhe Kristi i cili mundësoi sallën e koncertit si një nderim ndaj kauzës së modernizimit të muzikës ku Peçi është i fokusuar.
Në nisje të koncertit, publiku u informua nga vetë kompozitori Aleksandër Peçi në lidhje me metodën e tij të Kabaizmi dhe logon apo vulën e tij kompozicionale: Polygravite CC2 Composition.
Kristi Hifzi hapi koncertin me overtonet e Sonatës 7 Spektralia, duke marrë ovacione nga publiku. Eshtë hera e tetë që luhet kjo sonatë brenda pak vitesh në disa metropole: Tiranë, Trieste, Vienë Pragë, Moskë.
Janela Nini luajti më pas “Walzt of sëan” ( Vals i mjelmës). Nga nëntori kur u shfaq premiera e kësaj vepre e deri në koncertin e Vjenës është luajtur 5 herë. Pas kësaj poetike të “Valsit të Mjelmës” publikun e pushtoi kontrasti i fuqishëm me tone dramatike i sonatës n2 për violin e piano.
Koncertin e vijoi Kosti Deti me “Fryn veriu”, perlën korçare të Tefta Tashkos. Maja emocionale do të vinte me “Sonata 4 Kabacells”, vepër të cilën vetë kompozitori i njohur Aleksandër Peçi e cilëson si modelin më të mirë të metodës së tij kompozicionale. Për më se 20 minuta Kosti Deti hipnotizoi publikun me polifoninë tejet origjinale të kësaj sonate, ngritur mbi celulat e kabasë, mbi dhimbjen, protestën e revoltën e saj. Publiku shpërtheu në duartrokitje.
Kompozitori Peçi i emocionuar nga ky koncert i suksesshëm mori edhe lajmin se Sonata n4 Kabacells ishte zgjedhur të luhej nga Kosti në Sallën e Filarmonisë së Vjenës, hera e parë që një sonatë shqiptare të luhet në Muzikverein. Kompozitori Peçi po ashtu u ftua të jepte klasë master në Konservatorin e Vienës mbi metodën e tij të kompozicionit. Të pranishëm mes publikut vjenez ishin edhe ambasadori shqiptar në Vjenë, Roland Bimo.
Kabaizmi i Peçit
Kabaizimi ose muzika kabaistike është platforma e re kompozicionale me të cilën Aleksandër Peçi ka hyrë në muzikën e fundshekullit të 20-të dhe në shekullin 21. Kabatë janë inde lakrimoze antike që polifonizojnë e transformohen në një Univers Kabaizmi në shek 21, duke suprimuar muskulaturën metronomike e çliruar muzikën nga vijendarëset e masave, inde lakrimoze që dhimbjen e përthyejnë në kaleidoskope dritë – hije me Logon Polygravite CC2 Composition të Peçit, për t’i dhënë sinjale vendbanimit të shpirtit.
Kabaizmi është një estetikë e dhimbjes, vajtimit, vuajtjes, lutjes, lamentacionit .Kabaizmi është një metodë kompozimi që reflekton polifoninë dhe kabanë shqiptare. /ata/ KultPlus.com
Organizata “Zëri i Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptianëve’’ dhe Rrjeti ERGO po lansojnë thirrjen e vitit 2022 për fushatën rajonale “Kryetari komunal më miqësor me Romët, Ashkalinjtë dhe Egjiptianët” në kuadër të projektit “Romani Women Power of Change in the Western Balkans and Turkey”.
Fushata synon të rrisë ndërgjegjësimin dhe ndryshimin e qëndrimeve kundrejt përfshirjes së romëve, ashkalinjve dhe egjiptianëve si dhe të kontribuojë në tejkalimin e barrierave të shumta për gjithëpërfshirjen e tyre.
Pjesë kyçe e kësaj fushate është konkursi “Kryetari Komunal më Miqësor me Romët, Ashkalinjët dhe Egjiptianët” i cili po zhvillohet paralelisht në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe në Turqi.
Komuna fituese do të përfaqësohet nga kryetari i saj në një cermoni të ndarjes së çmimeve që do të mbahet në kuadër të Javës së Romëve nga data 16 deri më 19 Maj 2022, në Bruksel, në të cilën do të marrin pjesë të gjithë kryetarët e komunave nga vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqia dhe përfaqësues të lartë të Drejtorisë së Përgjithshme për Fqinjësinë dhe Negociatat për Zgjerim të Komisionit Evropian, (DG NEAR).
Për më shumë informacione rreth çmimit, mënyrës së aplikimit si dhe formularin që duhet të plotësohet dhe të dorëzohet bashkë më dokumentet mbështetëse që kërkohen në aplikim, ju lutemi klikoni në linkun më poshtë:
14 Marsi është një ditë festive e veçantë në Shqipëri, e cila nuk festohet në asnjë vend tjetër të botës.
Quhet “Dita e Verës” edhe pse festohet ardhja e stinës së Pranverës. Dita e Verës konsiderohej dita e fillimit të vitit sipas kalendarit të lashtë të shqiptarëve, dhe kjo ditë kremtohej shumë shekuj para se të lindte krishterimi.
Ajo festohej më 1 mars të kalendarit Julian, ditën e parë të vitit të ri (sipas kalendarit Gregorian, “14 mars”). Ka qenë një festë mbarëshqiptare, që kremtohej si në Veri edhe në Jug, por me nuanca të ndryshme, sipas krahinave.
Dita e Verës filloi të festohej masivisht në të gjithë Shqipërinë në dekadat e fundit, por rrënjët i ka në qytetin e Elbasanit. Jo vetëm rrënjët, por dhe gjithë traditat, gatimet dhe mënyra e festimit, janë ekskluzivitet i kësaj zone. Elbasani ka meritën se ka mbajtur gjallë për shekuj këtë festë, dhe gjithë ritet e saj. Dhe në kohën e diktaturës, ku kjo festë pothuajse u shua në gjithë Shqipërinë, në Elbasan festohej si festa më e madhe e vitit, çdo 14 mars.
Kush kishte njerëz e të afërm në Elbasan, shkonte dhe festonte me ta. Festimet nisnin me vendosjen e verores në dorë, kryesisht me ngjyrat simbolike të pranverës, e kuqe dhe e bardhë. Pastaj siç thoshin gjyshet në mëngjes duhej të kapje një hekur të fortë, që të bëheshe e fortë gjatë gjithë vitit. Të haje një mollë të kuqe, vezë të ngjyrosur nga jashtë.
Ndërkohë amvisat bënin gatimet qe nisnin me byrekun me hithra, ose barishte të tjera pranverore, gatime me mish, dhe ëmbëlsira që është mbretëresha e kësaj dite: Ballokumja, një recetë e pashkruar, por dhe e paimitueshme nga vende të tjera.
Legjenda e Ditës së Verës
Dita e Verës është në një traditat më të vjetra të Elbasanit. Origjina e festës i ka gjurmët në tempullin e Zanës së Malit të ndërtuar pranë lumit Shkumbin në Elbasan. Zana ishte Perëndia e gjuetisë, pyjeve dhe natyrës dhe dilte vetëm në datën 14 Mars, e cila shënonte fillimin e Verës, kjo në atë kohë njiheshin vetëm dy stinë, dimri dhe vera. Kjo legjendë u kalua brez pas brezi dhe festivali i Ditës së Verës është i njohur për traditën dhe vlerat e veçanta kulturore. Simboli i kësaj feste është ballokumja, një ëmbëlsirë e bërë më miell misri. Për këtë ditë te veçantë çdo familje ka recetën e saj të ruajtur ndër vite, të cilën e konsiderojnë si krenari. Dikur shkonin dhe festonin vetëm në Elbasan, ndërsa tani është bërë festë kombëtare, ku festohet në çdo qytet të Shqipërisë. Kjo festë është bërë e njohur edhe për turistët që vizitojnë Shqipërinë për këtë ditë të veçantë.
Tashmë edhe Tirana ka vite që organizon aktivitet të shumta për këtë ditë si: koncerte, panaire, lojëra dhe sigurisht karnavale. Ndërsa në jug kjo festë kremtohet më së shumti në Përmet, ku amvisat përmetare gatuajnë ushqime të mrekullueshme dhe i servirin në panairin në qendër të qytetit. /abcnews.al/ KultPlus.com
Ti vogëlush nuk i njeh rranjët e tua, me fasada baroku je rrit e ndër streha të bardha të Europës, belbëzove tingujt e parë të panjohun për ne. Nuk të vranë zingjirët e kolonizimit , e as rrethprerjet e detyrueme , tradicionale , me gjase rite krejt idiote. Kurbat e statistikave, nuk ta zbehen lumtuninë, e mbi ne gjithmonë Zoti pati nji emen. As lindjen e mesme nuk e dijte, globit i re vizë aty ku lapsi yt i zi, si gjaku i yne , ndaloi. Në Algjeri, Marok, Shqipni, Berlin apo Athinë. kudo ku besohet jeta post vdekjes. E prapë në gjuhën e parë mu gjegje: ” Merci” kur ti putha duart. Terrorit nuk i dhamë emen as kombësi, se njeriu qe vret njeriun asht vetja kundër vetes, i kredhun në pasqyrën e së shkuemes. “Allahu Akbar” “Santa Maria” “Jesus Christo” “Nel nome del padre , del figlio, e dello spirito santo” E ne njisoj kjajmë, e po njisoj vrasim në ajrin e trandun , në tokën e mysët e nën të njëjtin qiell, përsërisim vetveten: “Allahu Akber versus Dio” Ne , të zhbamunit e Babelit, me gjuhen, ndërruem dhe shpirtin… / KultPlus.com
Mbrëmë në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës është mbajtur ceremonia e hapjes së “Javës së Frankofonisë” organizuar nga Ambasada Franceze në bashkëpunim me ambasadorët e shteteve frankofone.
Edicioni i 22-të i kësaj ngjarje do të sjell një program të pasur kulturor artistik që përfshin aktivitete të shumta në fushën e artit, kulturës, sportit, trashëgimisë, inxhinierisë, njohurive mbi BE-në, dhe tema të tjera mbi aktualitetin.
Të pranishëm në hapje ishin personalitete të shumta ndërkombëtare dhe vendore përfshirë këtu, Ambasadorja e Francës në Kosovë, Marie-Christine Butel, Ambasadori i Zvicrës, Thomas Kolly, Ambasadori i Kanadasë për Kosovë dhe Kroaci, Alan Bowman, shefi i ri Zyrës Diplomatike të Belgjikës në Kosovë, Julien Sassel, Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku e të tjerë.
Ceremonia u mbyll me një recital nga sopranoja, Besa Llugiqi, me përcjellje të pianistit dhe pedagogut të muzikës, Mizbah Kaçamaku. / KultPlus.com
Shfaqja nga Jeton Neizraj me regji të Katharina Cromme ndërtohet mbi dinamikat e dy emigranteve nga Kosova në Zvicër. Këngëtarja e njohur Loredana Zefi në vitin 2019 bëri bujë pasi dyshohej se bashkë me vëllain e saj i kishin marrë 900 mijë franga një gruaje zvicerane. Arrestimi i saj nga policia ishte ndjekur gjerësisht nga media kosovare dhe zvicerane. Ylfete Fanaj, në anën tjetër, në qershor të vitit 2020 u bë shqiptarja e parë e zgjedhur në pozitën e Presidentes së Këshillit të Kantonit të Lucernit.
Origjina dhe ‘kredibiliteti’ i rrugës. Këngë dhe debate. Pushteti dhe media. Ndjekësit në rrjete sociale dhe zgjedhjet. King Lori – Instagration është një dramë për dy personazhe imagjinare; Loredanën dhe Ylfeten. Përmes muzikës dhe debatit, shfaqja ndriçon dinamikat kontraverse të yllit të muzikës, Loredana dhe politikanes së suksesshme, Ylfetes. Të dyja nga Lucerni, të dyjat me prapavijë emigrimi. Por, krijuesit e kësaj shfaqjeje, megjithatë këmbëngulin që këto dy personazhe janë imagjinare. Si në ndonjë përrallë, ose nga Netflx-i, ose nga Instagrami.
King Lori – Instagration
Shfaqje mysafire nga Zvicra do të jipet në teatrot e Kosovës në këto data
15 mars, 2022 > ora 20:00 në Teatrin e Qytetit të Gjilanit
16 mars, 2022 > ora 20:00 në Teatrin “Adriana” të Qytetit të Ferizajt
17 & 18 mars, 2022 > ora 20:00 në Teatrin ODA, Prishtinë
Shfaqja është bashkë-produksion i Zürcher Institut für bewegende Künste; Qendra Multimedia dhe Kleintheater Luzern, derisa në të do të luajnë: Susanne Abelein dhe Julia Schmidt.
Shfaqja do të jipet në gjermanisht me titra shqip. /KultPlus.com