Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti në takim kryetarin e Shoqatës së Mullisëve të Kosovës, Bashkim Zejnullahu.
Nga kjo shoqatë theksuan se ka rezerva të mjaftueshme të grurit dhe miellit dhe rrjedhimisht nuk ka vend për panik.
U tha se sasia e bluar e grurit është e mjaftueshme për tre muaj të ardhshëm, si konsum. Ndërsa meqë në stoqet e mullistëve ka edhe sasi që ende nuk është bluar, me këtë kapacitet të shtuar vlerësohet se ka rezerva edhe për dy të tjerë pasues.
Në këtë takim të përbashkët me Ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci dhe Ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, u se qytetarët duhet të ndjehen të sigurt, mëqe situata në vend është e qetë dhe nuk ka vend për panikë. /KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani ka takuar sot, shefin e BE-së në Kosovë, ambasadorin Tomáš Szunyog, me të cilin ka biseduar për situatën në Kosovë dhe rajon pas agresionit ushtarak të Federatës Ruse kundër Ukrainës.
Ambasadori Szunyog shprehu falënderimin e Bashkimit Evropian për qëndrimin dhe veprimet e qarta të institucioneve të Republikës së Kosovës në kundërshtim të agresionit rus dhe hapave të ndërmarra që janë në harmoni me veprimet e Bashkimit Evropian.
Presidentja kërkoi që Bashkimi Evropian t’i ofrojë mbështetje Kosovës në ballafaqim me pasojat ekonomike që rezultuan me rritje çmimesh, pas fillimit të luftës në Ukrainë.
Osmani ka shprehur mirënjohjen e saj për mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe theksoi se Serbia mbetet njëri nga shtetet e pakta evropiane që nuk e kanë harmonizuar politikën e tyre të jashtme me Bashkimin Evropian, gjë që rrezikon stabilitetin e gjithë rajonit. /KultPlus.com
Festivali i Filmit ndërkombëtar “Fribourg International Film Festival” i cili mbahet në Zvicër, këtë muaj do të ketë mysafir nderi këngëtarin shqiptar Gjon’s Tears, shkruan KultPlus.
Gjon’s Tears, i cili ka prindërit nga Shqipëria e Kosova, do të mbajë një koncert në Nuoveau Monde. Në anën tjetër, drejtori artistik i festivalit, Thierry Jobin, ka thënë se për vite me radhë kanë kërkuar një person nga diaspora e Kosovës.
“Me vite kemi kërkuar një personalitet për Seksionin e Diasporës, rrënjët e të cilit janë në Ballkan dhe që do të na afrojë pak më shumë me kulturën kosovaro-shqiptare”, shpjegon ai.
Në këtë festival do të paraqiten edhe disa filma nga kinematografia shqiptare, duke përfshirë filmat “Zgjoi”, “Martesa”, “Sestri”, “Skënderbeu”.
Gjithashtu, në këtë festival do të paraqitet edhe një dokumentar të punuar nga Fisnik Maxville, ku paraqitet puna e kryer nga Bernard Challandes, zvicërani në krye të kombëtares së Kosovës.
Edicioni i 36-të i FIFF zhvillohet nga 18 deri më 27 mars 2022. /KultPlus.com
“Vallja” është një kërcim me motive popullore, ritmike që shoqërohet nga një kor duke kënduar një këngë të vjetër tradicionale arbëreshe, me origjinë ballkanike.
Vallja popullore arbëreshe gjatë viteve është një event popullor që luhet të martën e Pashkëve për vendet me ritin bizantin dhe Karnavaleve për vendet e ritit latin.
Me kalimin e shekujve në disa zona, vallja ka marrë edhe pak nga motivet e valles kalabreze “Tarantella”. Vallja luhet në rreth, ku grupe grash të veshura me kostume madhështore ku të gjitha hedhin të njëjta hapa, ose në gjysëm rrethi që tërhiqet nga një valltar i parë në radhë me funksion guide. Vallja luhet kryesisht nga grupe prej 6 apo 12 personash duke u lidhur mes tyre me anë të një shamie.
Vallja përfundon kur valltari i parë në radhë mbyll rrethin për të kapur një person që nuk i përket komunitetit arbëreshe, të cilit i vendoset një shenjë me blozë në fytyrën e tij, në mënyrë të tillë që është i detyruar të paguajë për të pirë për të gjithë grupin.
Në të kaluarën, ky ritual simbolizonte konfliktin historik mes shqiptarëve dhe atyre lokalë. Ndoshta është rit i pasionuar poetik i Pashkëve ndoshta dëshironte të kujtonte një fitore të rëndësishme të heroit shqiptar kombëtar Skëndërbe mbi turqit më 27 prill 1467.
Vallja për banorët arbëreshë përfaqëson diçka më shumë se vetëm folklorike apo historike, e cila merr kuptimin e pretendimit kulturor, identitetin etnik, ku gratë veçanërisht janë protagonistët e saj. Sot, në disa vende Vallja arbëreshe është një rast kur gratë, sidomos të rejat veshin rroba të bukura dhe burrat veshin pelerinë prej leshi në formë koni.
Format e para të organizuara të vallëzimit primitiv ripropozuan figurat elementare të valles, tashmë të pranishme në Paleolitik, me bazë vallëzimet në formë rrethi që ndiqnin ritmin e këngës.
Vallëzimet astrale (astral Dance), “fertility dance” (kërcimi pjellorisë), “phallic dance” (kërcimi meshkujve) dhe “Funeral Dance” (vallja funeralit), që datojnë që nga Paleoliti: vallëzimet e miqësisë, zjarrit, luftëtarëve, pjellorisë etj..
Ndoshta si traditë ka lindur në Indi dhe më pas është zhvendosur edhe në Mesdhe. Njihet si vallja “astronomike”, e përdorur në Egjiptin e lashtë, cituar edhe nga Luciano: figurat e gjurmuara në qiell nga Dielli dhe planetët ishin marrë si një simbol i rendit të shenjtë të universit dhe vallja vërtitej rreth qendrës së përfaqësuar nga altari, zjarri, magjistari (si vallja rituale e Osiris).
Në një shkrim të hershëm të profesor Eqrem Çabejt në gjeografinë e përhapjes së shqiptarëve në botë, përmenden edhe shqiptarët në Ukrainë. Çabej e dinte këtë referencë shkëlqyeshëm. Në një bisedë të Enver Hoxhës me Stalinin, Stalini e pyet Enver Hoxhën nëse Albania e Kaukazit është e njëjta gjë me Albaninë e shqiptarëve. Këtë pyetje do ta bënte edhe papa Piu II i shekullit XV, i cili ka shkruar një Komentar ku thotë se shqiptarët kanë ardhur ndoshta nga Albania e Kaukazit. Pak a shumë të njëjtin mendim ka dhe dijetari francez Pukëvil në shekullin XIX, i cili mendon se shqiptarët mund të kenë ardhur nga Kaukazi ose nga viset pontike ose nga Kolkida. Enver Hoxha i thotë Stalinit se shqiptarët nuk kanë asgjë të përbashkët me Albaninë e Kaukazit, por rrjedhin nga ilirët. Atëherë, Stalini merr në telefon një dijetar rus dhe e pyet për këtë çështje.
Dijetari rus i thotë që shqiptarët kanë disa fshatra pranë Ukrainës, ku jetojnë si një komunitet etnik. E përmenda bisedën midis dy politikanëve të shekullit XX, përtej konotacioneve politike që ngjallin emrat e tyre. Nuk është thjesht një trill kurioziteti. Shumë më përpara tyre Çabej dinte diçka më të saktë. Në vitin 2003 bëra një udhëtim në Rusi së bashku me Dritëro Agollin. Shkuam dhe në Sant Petërburg ku ishte një universitet dhe katedra e gjuhës shqipe, ku studionin rreth 30 vajza dhe djem rusë që mësonin gjuhën shqipe.
Aty takova disa albanologë rusë që kanë shkruar libra për Shqipërinë dhe gjuhën shqipe. Takova dhe albanologen akademike Julia Ivanovna, akademike etnografe, që kishte botuar tre libra për Shqipërinë, për etnografinë e Shqipërisë së veriut, për kanunin e Lek Dukagjinit dhe të drejtën zakonore shqiptare si dhe për kalendarin origjinal popullor të shqiptarëve, nga Antikiteti në Mesjetë, duke u bazuar në kërkimet etnografike të dijetarit shqiptar, Rrok Zojsi. Në korrik të vitit 2004, akademikja Julia Ivanonvna erdhi në Tiranë. Ajo solli me vete një ekspozitë e fotografi origjinale që pasqyronin jetën e katër fshatrave shqiptarë, që ekzistojnë edhe sot në Ukrainë. Shqiptarët kanë shtegtuar në Rusi të paktën që në shekullin XV.
Në këtë shekull një shqiptar i quajtur Maksim Artioti ka studiuar në Padova të Italisë, ku ka qenë dhe Leonik Tomeo nga Durrësi, i cili ka qenë pedagog i Nikolla Kopernikut. Maksim Artioti më vonë ka shtegtuar në Rusi, ku u njoh si një dijetar i madh dhe specialist i shkëlqyer i latinishtes dhe greqishtes së vjetër. Në kohën e careshës ruse Katerina II, me urdhër në saj u botua një fjalor shumëgjuhësh, ku qe futur edhe gjuha shqipe. Në shekullin XIX, gjatë kohës së Luftës Ruso-Turke, shumë shqiptarë kanë luftuar në ushtrinë turke dhe për arsye të ndryshme kanë mbetur në rrethinat e Odesës.
Poeti më i madh rus i të gjitha kohërave, Pushkini, flet në një letër të tij si dhe në një tregim për trimërinë e kalorësve shqiptarë. Në vitin 1937, në një revistë, ku flitet për 100-vjetorin e vdekjes së Pushkinit, poeti ynë i madh, Migjeni, ka bërë me laps dy portrete të Pushkinit. Por, le të rikthehemi te tema i fshatrave shqiptarë në Ukrainë. Këto fshatra janë katër dhe janë formuar në fund të shekullit XVIII. Fillimisht u vendosën në fshatin Karakurt, në veri të Odesës, së bashku me bullgarët dhe gagauzët.
Në fillim të viteve 1860, një pjesë e banorëve të fshatit Karakurt u shpërngul në rajonin brigjeve të detit Azov rreth 10 kilometra larg bregdetit ku u themeluan tri fshatra: Devnenskoje (Taz), Gjeorgjevka (Tyshki) dhe Gamovra (Xhandran). Këto katër fshatra shqiptare mbijetojnë ende dhe sot. Ato kanë një urbanistikë të thjeshtë, shtëpitë fillimisht qenë ndërtuar prej balte të pjekur, më pas u përdor guri i gdhendur dhe u bënë më monumentale. Hyrja në shtëpi bëhej nëpërmjet dhomës së zjarrit, në njërën anë qe dhoma e vogël e ndenjjes dhe në anën tjetër qe dhoma e madhe e miqve. Në këto shtëpi gatuhej në oxhak, aty ishte furra (kymbet) dhe pranë saj minderi prej balte. Interieri zbukurohej me qilima dekorativë, dhomat kishin mobile druri. Kishte dhe një furrë në oborr të shtëpisë.
Pranë katër fshatrave kishte dhe kisha të ritit lindor. Popullsia shqiptare e këtyre fshatrave i ruante traditat e veta, kishin folklor gojor dhe koreografik. Gratë thurnin qilima me motive shqiptare dhe përdornin zbukurimet prej argjendi me motive të vjetra.
Vathët ishin në formë unaze, ruheshin në vite kostumet e hershme kombëtare si dhe paftat e brezit prej argjendi. Fshati kryesor qe fshati Karakurt (sot Zhovtnjovoje), është qendra kryesore. Këtu mbijeton dasma shqiptare akoma dhe sot. Zakonet ceremoniale i ka studiuar jo vetëm Julia Ivanovna, por dhe etnografja tjetër ruse, Oksana Budina, gruaja e parë ruse e arkeologut shqiptar Dhimosten Budina.
Fatjon Miftari do ta përfaqësojë Qipron në Eurovision, si kompozitor dhe producent i këngës përfaqësuese.
Nëpërmjet rrjetit social Facebook, ai tha se pjesë e këngës janë emra të mëdhenj të muzikës si Alex P, Arash, Eyelar Mirzazadeh, Robert Uhlmann dhe Viktor Svensson.
“Shoqëri e dashur, Kam kënaqësinë të ndaj me ju një lajm i cili është shumë i rëndësishëm për karrierën time. Këtë vit jam përzgjedhur të përfaqësoj shtetin e Qipros në Eurovision Song Contest 2022, si kompozitor dhe producent i këngës përfaqësuese së bashku me disa emra të mëdhenj të muzikës botërore si: Alex P, Arash, Eyelar Mirzazadeh, Robert Uhlmann, Viktor Svensson. Dua të falënderoj vecanërisht dy kolegët e mi, kompozitorët Yll Limani dhe Filloreta Raçi për punën e tyre të mrekullueshme në këtë projekt. Falënderoj delegacionin e Qipros për besimin dhe të gjithë bashkëpunëtorët për këtë eksperiencë shumë të vecantë! Shihemi më datë 14.05.2022 në Torino të Italisë në finalen e Eurovision 2022! Uroj të ju pëlqej! ♥️🎵”, ka shkruar ai. / KultPlus.com
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka publikuar pamje nga spitali i maternitetit që para pak orësh u bombardua nga rusët.
Duke e quajtur këtë sulm mizor, Zelensky tha se njerëzit janë nën rrënoja.
“Goditje e drejtpërdrejtë e trupave ruse në maternitet. Njerëzit, fëmijët janë nën rrënojat. Mizori! Edhe sa kohë do të jetë bota bashkëpunëtore që injoron terrorin? Mbylleni hapësirën ajrore tani! Ndaloni vrasjet! Ju keni fuqi, por ju duket se po humbni njerëzoren”, ka shkruar Zelensky.
Mariupol. Direct strike of Russian troops at the maternity hospital. People, children are under the wreckage. Atrocity! How much longer will the world be an accomplice ignoring terror? Close the sky right now! Stop the killings! You have power but you seem to be losing humanity. pic.twitter.com/FoaNdbKH5k
“Të kam thënë mos i bje bukës me këmbë”, është kënga e veçantë e grupit “Gjurmët” e që është rikrijuar edhe nga dyshja fantastike Edona Vatoci dhe Tomor Kuçi, shkruan KultPlus.
Edona Vatoci dhe Tomor Kuçi patën lansuar projektin e tyre të përbashkët më 15 gusht të vitit 2019.
Në videoklip është përfshirë edhe kënga ‘Këndoj ekzistoj!’. Ndërsa, regjinë e videoklipit e ka realizuar Leart Rama.
Më poshtë KultPlus ua sjell këtë projekt aq bukur të realizuar dhe të kënduar jashtëzakonisht mirë. / KultPlus.com
Së fundmi Kosova ka performuar në Filarmoninë e Berlinit, gjë që është historike. Ishte Kori Siparantum ai që shënoi këtë sukses të radhës në kuadër të muzikës korale kosovare, shkruan KultPlus.
Kori Siparantum tashmë është bërë pjesë e sallës më të njohur koncertale në botë “Berlin Philharmonie”. Për këtë sukses ka reaguar edhe vetë Kori nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale.
“Jemi vërtetë të lumtur që për herë të parë në historinë e muzikës korale shqiptare, një kor nga Kosova ngjitet në skenën më të rëndësishme të muzikës, #BerlinPhilharmonie
Në këtë skenë kanë përformuar artistët më të mëdhenj të muzikës klasike në botë, që konsiderohet ëndërr e çdo artisti. Përgatitjet për këtë koncert kanë filluar tash e disa muaj falë vullnetit dhe sakrificës së koristëve për me qellim të përbashkët të promovimit të vlerave tona kulturore në skenat më të mëdha botërore.
Falenderojmë të gjithë përkrahësit tonë të cilët bënë të mundur që #SiparantumChoir të prek një ndër skenat më të mëdha të muzikës në botë siç është Berlin Philharmonie“, ka shkruar Kori.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka pritur sot në komunë ambasadorin e SHBA në Kosovë, Jeffrey M. Hovenier, shkruan KultPlus.
Në këtë takim është bërë e ditur se u diskutuan tema mbi mundësitë e ndryshme të bashkëpunimit me fokus në transformimin e Prishtinës.
Më poshtë KultPlus ua sjell postimin e plotë të tij:
“Për herë të parë në Komunën e Prishtinës mirëpritëm ambasadorin e SHBA në Kosovë, z. Jeffrey M. Hovenier, me të cilin me kënaqësi diskutuam mbi mundësitë e ndryshme të bashkëpunimit me fokus në transformimin e Prishtinës.
Bienalja “Manifesta” që do të mbahet sivjet në Prishtinë ishte një nga temat e veçanta.
E vlerësojmë jashtë mase përkrahjen e vazhdueshme të SHBA për vendin tonë dhe mirëpresim çdo nismë të përbashkët për të realizuar projektin transformues ‘Prishtina për të gjithë’. / KultPlus.com
“Mid–West Free Press” ka botuar, të premten e 16 janarit 1931, në faqen n°4, një shkrim në lidhje me sasinë e duhanit që konsumonte mbreti Zog gjatë një dite, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar.
Mbreti Zog – i Shqipërisë – pinte 240 cigare në ditë!
“Mbreti Zog pinte 20 cigare në orë gjatë dymbëdhjetë orëve të punës çdo ditë të javës. Megjithatë, nikotina që vinte nga 240 cigare në ditë tregoi shpejt shëndetin e tij dhe shkaktoi një humbje të konsiderueshme në peshë.
Me këshillën e mjekëve të tij, Mbreti Zog e reduktoi zakonin e tij të pirjes së duhanit dhe tani tymos 50 copë në ditë.”
Ka mjaft pabesi, urrejtje, dhunë, absurditet, në njeriun mesatar, aq sa të furnizojë çdo ushtri, në çdo ditë të dhënë.
Më të zotët për vrasje, janë ata që predikojnë kundër saj Më të zotët për urrejtje, janë ata që predikojnë dashuri Më të zotët për luftë, janë ata që predikojnë paqe.
Ata që predikojnë Zotin, kanë nevojë për Zotin Ata që predikojnë paqën, nuk kanë paqe Ata që predikojnë paqe, nuk kanë dashuri.
Kujdes nga predikuesit Kujdes nga të diturit Kujdes nga ata që gjithmonë lexojnë libra Kujdes nga ata që ose e urrejnë varfërinë ose janë krenarë me të.
Kujdes nga ata që ngutën të thurrin lavde Sepse kanë nevojë t’ua rikthesh lavdin Kujdes nga ata që ngutën të cenzurojnë Ata kanë frikë nga ajo që nuk e dine.
Kujdes nga ata që vazhdimisht kërkojnë turmat vetëm, ata janë asgjë Kujdes nga njeriu mesatarë, dhe femra mesatare Kujdes nga dashuria e tyre, dashuria e tyre është mesatare mesatarën kerkojnë.
Por, gjeniu gjendet në urrejtjen e tyre Ka gjenialitet të mjaftueshëm në urrjetjën e tyre që të ju vrasë Të vrasë këdo.
Duke mos dashur vetminë Duke mos e kuptuar vetminë Do jenë të gatshëm të shkatërrojnë çdo gjë Që është ndryshe nga ata.
Duke mos qenë të aftë të krijojnë art Nuk do e kuptojnë artin Dështimin e vet do e konsiderojnë si krijes Vetëm si dështim të Botës
Duke mos mundur të dashurojnë plotësisht Do besojnë se dashuria juaj është e pa plotë Dhe atëherë ata do urrejnë Dhe urrejtja e tyre do jetë perfekte Si një diamant vezullues Si një thikë Si një mal Si një tiger si kukutë*
””Don’t worry, be happy” është kënga e famshme e Bob Marleyt, e përzgjedhur nga grupi i Marinës Ukrainase gjatë një minikoncerti mbajtur për banorët e Odesës, pranë llogoreve me thasë me rërë përballë Teatrit Akademik Kombëtar të Operës dhe Baletit të Odesës.
Videoja që u bë virale tregon muzikantë ushtarakë duke luajtur notat me instrumente të ndryshme, të rrethuar nga thasë me rërë.
”Ne nuk ia kemi dorëzuar Odesën as Hitlerit dhe nuk do t’ia dorëzojmë atë askujt tjetër”, tha Galyna Zitser, drejtoreshë e Filarmonisë së Odesës, e cila dje dha premierën e saj performancës që nga fillimi i krizës, me kërkesën e një kompanie lokale./ KultPlus.com
Të shtunën, më 12 mars, nga ora 18:00, në ambientet e KultPlus Caffe Gallery do të hapet ekspozita ‘8 cepat’ nga artisti Drilon Shoshi, përcjell KultPlus.
Në këtë ekspozitë, artisti Shoshi do të paraqitet me 10 punime, arti i të cilit bazohet në simbole dhe figura që datojnë shekuj më parë, sikurse që është ylli simbolik, që e përdorte Gjergj Kastrioti në vulën shtetërore përgjatë dhjetëvjetëshit të fundit të jetës së tij.
Poashtu në veprat e Shoshit është e dukshme inspirimi nga Emblema e Gjergj Kastriotit, yllit zanafillor me 8 cepa, portave të vjetra shqiptare, ngjyra e kuqe që simbolizon gjakun e derdhur të shqiptarëve nëpër periudha të ndryshme, pastaj trekëndëshat, hëna, dielli, sikurse edhe ngjyra e zezë, që sipas autorit është ngjyrë që u shton vetëbesim dhe i jep fuqi autorit.
Ekspozita ‘8 cepat’ ka kurator Ilir Muharremin.
“Drilon Shoshi, është një artist i ri, artist mendimtar i cili mendimin e kthimit e jetëzon në simbole, veçanërisht te ylli simbolik, që e përdorte Gjergj Kastrioti- Skënderbe në vulën shtetërore përgjatë dhjetëvjetëshit të fundit të jetës së tij. Ylli me tetë cepa, misteri i fuqisë, qëndresës, syri i Davidid që bashkon forcën e natyrës qoftë aktive e qoftë pasvive. Shpirti i Drilonit lundron drejt këtyre skutave historike, qëllimi i artistit është ta ringjallë historinë, duke mos gërmuar në të, por vetëm ta sintetizojë, ilustroj, qëndisë me forcën kompozcionale, të formës, ngjyrës, baraspeshës, simetrisë që ta ndezin trurin drejt një deliri dhe ekstaze dehëse Dionisiane. Mendimi i bashkohet kësaj vorbulle dhe nxiton drejt një të kuqe si simbol i gjakut të derdhur të shqiptarëve gjatë historisë, pastaj e zeza, zilia, të vuajturit, dhembje dhe dhembje dhe ai plotëson magmën shpirtërore nga kjo e zezë, katran, që tejkalon çdo instikt dhe forcë të brendshme, përtej vallëzimit të makthit, sekreteve, kodeve mitologjike që u krijuan nga njerëzit dhe besimi ngriti pushtetin përtej perëndisë dhe çdo kush një ditë është ndjerë i barazuar me perëndinë, të cilen e krijoj vet njeriu.” – thotë Muharremi për këtë ekspozitë.
Ndërkaq ai flet edhe për portën, e cila është karakteristikë e veprave të Shoshit.
“Porta duket e mbyllur, pas disa çastesh ajo hapet, lëvizje sikur vepron brenda kohës tënde dhe koha jote shkrihet me kohën e artistit, pra një plan brenda një rastësie çudake. Koloriti është i pastër, i përzier mirë, ruan dendësinë, identitetin, shtrihet mbi sipërfaqe të kufizuar brenda formës duke krijuar teksturë e sipër disa relieve. E kuqja ndër këtë relive është e ndërsuazuar me vesrion të vuajtjes dhe kontrastit artistik pra me të zezën, këtu shkrihet ana emocionale dhe rregulli artistik pra mendor , ngacmimi estetik, simetrik për të vazhduar më tutje ballafaqimi. “ – shton më tutje kuratori Muharremi.
Ekspozita ‘8 cepat’ do të qëndrojë e hapur për dy javë./ KultPlus.com
Aktorja Sandra Oh u rrit në periferi të Otavas, dhe si fëmijë, kurrë si shkoi në mendje se një ditë do të shihte një film të sukseshëm të animuar, ngjarja në të cilin do të përqendrohej tek një vajzë aziatiko-kanadeze, siç ishte ajo.
Kjo jo vetëm që u bë realitet, por Oh është edhe pjesë e këtij filmi. Fjala është për filmin “Turning Red”, për të cilin Oh ka huazuar zërin për nënën e një vajze të papërkryer të quajtur Mei Lee.
Oh në një intervistë për AP ka thënë se duket qartë se përshtatet me personazhin e nënës së vajzës, por edhe të Meit si e re. Ajo ka thënë se i kujtohet koha kur ishte vajzë e vogël, e tani një film i Pixar të përqendrohet në jetën e një kinezo-kanadezeje është diçka shumë e veçantë për të. Kështu që për të ishte një mundësi për të treguar anën e të qenit prind, vështirësitë që kalojnë ata, por edhe atë se duhet të lëmë ndonjëherë fëmijën të bëjë siç do vetë.
Por Mei Lee, nuk është vetëm një vajzë tipike nga periferia. Ajo po ashtu është edhe panda e kuqe, por në të shndërrohet vetëm kur ndjen emocione të forta.
Aktorja Rosalie Chiang ka thënë se personazhi Mei Lee përjeton shumë çka në jëtën e saj, si psh ndryshimet në marrëdhënien me nënën e saj, dhe shndërrimin në pandë të kuqe. Chiang ka thënë se kur ka incizuar zërin për Mein, ishte 12 e 16 vjeçe, kështu që edhe vetë i ka përjetuar ato gjëra në jetën e saj.
Filmi i animuar “Turning Red” përqendrohet edhe rreth të të mësuarit, veçanërisht për prindërit të cilët synojnë që fëmija i tyre të bëhet ai apo ajo që nuk mundet në jetë.
Në anën tjetër, aktorja Oh shpreson se ai do tu ndihmojë fëmijëve që të drejtojnë emocionet e tyre që i përjetojnë gjatë pubertetit. Ajo ka thënë se fëmija para pubertetit ka ndjenja të çuditshme, shpërthyese, por ky film ofron një lloj gjuhe apo simboli për komunikim në mes prindit dhe fëmijës.
Regjinë e filmit të animuar “Turning Red” e ka bërë Domee She. Kjo regjisore në vitin 2019 u nderua me Oscar për filmin e shkurtër të animuar “Bao”. Qëllimi i saj me filimin “Turning Red” ishte që të sillte në jetë tregimin për një vajzë aziatiko-kanadeze e cila rritet në periferi, por edhe për të kuptuar më mirë nënën e saj që është shumë e rreptë.
Ajo ka krahasuar vetën me Mein, me luftën e brendshme që ka pasur derisa është rritur. Sipas saj, ajo ka menduar se ka jetën nën kontroll, dhe se nëna e saj ka menduar se ajo është e përkryer, por në film ndodh që ajo i nxjerr emocionet e saj, dhe kështu fillon të grindet me të ëmën çdo ditë. Shee ka thënë se qëllimi i saj me këtë film është që të tregojë se çfarë ndodh gjatë kësaj periudhe, si me vajzën, ashtu edhe me të ëmën e saj, pra për të treguar gjendjen e trazuar që në veçanti përjeton vajza në pubertet.
Në pyetjen se a mendon e ëma e Shee se filmi “Turning Red” i përshtatet standardeve të një nëne, Shee ka thënë se nëna e saj nuk e ka parë ende fimin, por se bashkë me të do të shkojë në shfaqje. She ka thënë se nëna e saj është shumë e kënaqur që në të luan edhe Sandra Oh. Ajo më e rëndësishmja, ndihet mirë që ekipi realizues i “Turning Red” përbëhet nga gratë, se janë gra të fuqishme dhe se duhet të kremtojë për to.
Veç ndihmës së vajzave për t’i kuptuar emocionet e tyre, fituesja e Oscarit, producentja Lindsey Collins ka thënë se shpreson se me këtë film do të ndihmojnë ato që të bisedojnë me prindërit e tyre rreth asaj se çfarë momentesh përjetojnë.
Sipas saj, ka shumë gjëra që vajzat i mbajnë në vete, se nuk flasin me askënd për to. Në film, familja duket të jetë moderne, por përsëri janë disi të mbyllur, nuk shprehen, ka thënë ajo. E kjo na mëson se duhet të jemi më të hapur ndaj njëri-tjetrit, të flasim për gjërat që mendojmë se nuk mund t’i themi.
Filmi i Pixar (Turning Red) do të shfaqet në kinema nga data 11 mars 2022./ KultPlus.com
Nëpër fusha e nëpër male Fryn murlani me stuhi O murlan, njat frymën ndale Ndal ti, o akull, mos më ngri.
Mos ma ngrini këtë pikë gjak! Struku, struku, i shkreti plak. Po del dimni me kosë në dorë, Gjeth e bar i ka kositë; Qet ballkoni pjalm e borë, E pla-shkreta, tue mërdhitë, I thotë veit me za pak: Struku, struku, i shkreti plak./ KultPlus.com
Shtetasit e Ukrainës të cilët do të hyjnë në Republikën e Kosovës, nuk do të kenë nevojë që të pajisjen me viza.
Një gjë e tillë u miratua në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës.
“Me qëllim të solidarizimit me shtetasit ukrainas që po ballafaqohen me agresionin rus propozojmë pezullimin e regjimit të vizave për shtetasit e Ukrainës.”, tha Kurti.
Edhe ministrja e MPJD-së, Donika Gërvalla tha se duke marrë parasysh situatën e rëndë në Ukrainë dhe solidarizimin me ta MPJD propozon pezullimin e regjimit të vizave për shtetasit e Ukrainës.
Ajo tha se ky vendim do të kontribuonte pozitivisht për shtetasit e Ukrainës në hyrjen dhe kalimin e tyre në Kosovë por apo edhe në ndonjë vend tjetër transiti.
“Republika e Kosovës me këtë veprim do të rreshtohej përkrahë vendeve të shumta perëndimore të cilat morën veprime të ngjashme”, tha Gërvalla.
Kryeministri Kurti sot në këtë mbledhje gjithashtu theksoi se Kosova ka shprehur gatishmëri për pranimin e 5 mijë refugjatëve nga Ukraina./ KultPlus.com
Qeveria e Kosovës ka miratuar marrëveshjen teknike të Ministrisë së Mbrojtjes me qeverinë e Polonisë për zbarkimin e FSK-së në Poloni në kuadër të operacionit të NATO-s “Atlantic Resolve”.
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka prezantuar marrëveshjen para kabinetit qeveritar, ku ka deklaruar se FSK do të qëndrojë përkohësisht në Poloni dhe është pjesë e bashkëzbarkimit me Gardën Kombëtare të Iowa-s.
“Shqyrtimi i nismës për lidhjen e marrëveshjes teknike mes Ministrisë së Mbrojtjes dhe Polonisë me qëllim të ngritjes së kapaciteteve të FSK-së për të qenë forcë ndërvepruese me NATO-n si dhe vullnetin e përbashkët që FSK të jetë pjesë e aktiviteteve ushtarake krah vendeve partnere respektivisht për pjesëmarrjen në kuadër të operacionit “Atlantic Resolve” si pjesë e bashkëzbarkimit me Gardën Kombëtare të Iowa-s për qëndrimin e përkohshëm të trupave të FSK-së Poloni. Duke pasë parasysh se aprovimi do t’i hapte rrugë procedimit të mëtejmë ju ftoj ta miratoni këtë marrëveshje” ,ka thënë Mehaj./ KultPlus.com
Drejtori rajonal i Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Evropë, Hans Kluge, e ka përshkruar pushtimin e Ukrainës “si një katastrofë të madhe humanitare”.
Ai ka folur për BBC-në, ku ka treguar se OBSH ka tri prioritete për gjendjen në Ukrainë.
“Për të furnizuar me furnizime mjekësore rajonet e afektuara në Ukrainë, oksigjeni me prioritet, por gjithashtu edhe pajisje për trauma si dhe furnizime esenciale shëndetësore, siç janë barnat për diabet dhe sëmundje të zemrës, kur harxhohen”, ka thënë ai, transmeton Gazeta Express.
Po ashtu, pikë tjetër e rëndësishme për OBSH-në mbetet është forcimi i sistemit shëndetësor në vendet fqinje, ku numrat e refugjatëve vazhdojnë të rriten si dhe të hapet një qendër operacionale e OBSH-së në Ukrainë.
Duke folur në një konferencë për shtyp, Kluge ka thënë se pas 13 ditëve nga plasja e luftës, sistemi shëndetësor është nën një presion të madh.
Ai ka thënë se deri tash janë 16 sulme të konfirmuar mbi qendrat mjekësore në Ukrainë./ KultPlus.com
Ndahet nga jeta në moshën 90-vjeçare korifeu i këngës qytetare durrsake Qemal Kërtusha.
Qemal Kërtusha ka lindur më 27 tetor të vitit 1931 dhe ka marrë titulli “Artist i Merituar” më 1968, për vlerat e mëdha artistike dhe njerëzore të tij.
Ai është përfshirë shpejt në lëvizjen amatore artistike të qytetit qysh në vitin 1946. Më pas, bëhet pjesëmarrës i filarmonisë shqiptare në Tiranë dhe i ansamblit të ushtrisë.
Pasi kryen shkollën e mesme në vendlindje, në periudhën 1951 –1953 studion për kanto me padagoge Artisten e Popullit Marie Kraja. Më pas, kthehet në qytetin e lindjes dhe përfshihet si aktor në teatrin “A. Moisiu”. Me krijimin e estradës profesioniste kalon si këngëtar profesionist dhe jep shfaqje në të gjitha skenat e vendit.
Me një zë krejt të veçantë dhe me mundësi të pakufizuara vokale, diapazoni i tij shtrihet nga muzika popullore, muzika e lehtë, romancat, kënga partizane, kantata e deri tek ajo më e vështira, opera.
Në vitin 1962 merr pjesë në festivalin e parë të këngës në Radio, ku nderohet me çmime për të tria këngët; “Fëmija i parë”, “Vashëzo” dhe “Mos më qorto”. Më pas vijon me çmimet e fituara në shtatëmbëdhjetë festivale rresht.
Në vitin 1963 realizon dhe jep me sukses të parin koncert recital me këngë nga festivalet e muzikës së lehtë.
Në vitin 1968 merr pjesë në operan “Bijtë e Skëndërbeut”.
Ishte fitues i medaljeve të arta në takimet e estradave si në Tiranë, Peshkopi e Shkodër. Të bujshme kanë qenë koncertet e tij në Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi, ku është pritur mjaft ngrohtësisht nga vëllezërit tanë të një gjaku.
Në repertorin e tij numërohen mbi 1000 këngë të kënduara nëpër skenat tona, apo të incizuara në Radio Tirana.
Në vitin 2008 i është akorduar titulli “Qytetar Nderi” i Durrësit.
Homazhet për këngëtarin dhe artistin e shquar durrsak do të zhvillohen ditën e enjte në hollin e teatrit ”Aleksandër Moisiu” të Durrësit./ KultPlus.com
Charles Bukowski ka shkruar romane, tregime dhe poezi për një total prej mbi 60 veprash. Përmbajtja e veprave të tij i përket më tepër jetës personale, varësisë me alkoolin dhe marrëdhënieve me personat e tjerë, të shprehura këto në mënyrë tepër realiste dhe pa shumë eufemizma.
Krijimi i mëposhtëm i tij është ndër më të bukurit që mund të jenë shkruar. Bëhet fjalë për përshkrimin e një femre nga një mashkull që e dashuronte atë. Është përshkrimi thuajse i çdo femre të pavendosur, por edhe tepër të fortë në të njëjtën kohë. Është përshkrimi i çdo femre që ekziston, në gjithë dimensionet e saj, ndaj jemi të sigurtë se të gjitha femrat duhet ta lexojnë një krijim të tillë.
“E ke dashur, apo jo?”, – psherëtiu ajo
“Si mund të të përgjigjem? Ajo ishte e çmendur”, – tha ai duke kaluar dorën në flokë, – “Edhe pse ishte e çmendur, çdo ditë ishte një femër ndryshe. Një herë plot guxim, një herë e stepur. Një herë e nxituar dhe herë tjetër e ndrojtur. E pasigurtë dhe e vendosur. E ëmbël dhe arrogante. Ajo ishte mijëra femra të bashkuara në një të vetme, por parfumi i saj ishte përherë i njëjti. Ai nuk mund të ngatërrohej. Parfumi i saj ishte siguria ime e vetme. Më buzëqeshte duke ditur si të luante me mua përmes buzëqeshjes së saj. Kur ajo qeshte, unë nuk kuptoja më asgjë. Nuk dija më si të flisja, apo të mendoja. Asgjë, zero. Në atë moment ishte vetëm ajo. Ishte e çmendur, e gjitha e çmendur. Disa herë qante. Thuhet se në ato çaste femrat duan vetëm një përqafim, ndërsa ajo jo. Ajo nevrikosej, nëse e përqafoje. Nuk e di ku ndodhet tashmë, por vë bast se është në kërkim të ëndrrave.
Ajo ishte e çmendur, totalisht e çmendur, por e kam dashur çmendurisht”. / KultPlus.com
Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, ka treguar pak nga filmi i saj më i ri ku luan.
Lipa shfaqet me një rol në filmin “Argyle”.
Ajo në këtë skenë paraqitet në krahët e një aktori që duket sikurse po vallëzojnë.
Filmi “Argyle” është prodhim i Marvel dhe në të përpos Dua Lipës luajnë edhe: Henry Cavill, Sam Rockwell, Bryce Dallas Howard, Bryan Cranston, Catherine O’Hara, John Cena, Samuel L. Jackson, Dua Lipa, Ariana DeBose dhe Rob Delaney./ KultPlus.com